• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2022

41 vjet më parë u inaugurua Muzeu Historik Kombëtar

October 29, 2022 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Për ngritjen e këtij muzeu u mblodh një ekip me specialistët më të mirë të vendit, të fushave të historisë, gjuhësisë, arkeologjisë, etnografisë, hartografisë, arkitekturës e artit. Për këtë muze u punua në mënyrë të organizuar, sipas seksioneve përkatëse, për gati 3 vjet, deri në hapjen e tij. Grupi i punës drejtohej nga personalitete të shquara si, Aleks Buda, Stefanaq Pollo, Selami Pulaha, Skënder Anamali, Emin Riza, Burhan Çiraku, Kleanthi Dedi, Iljaz Goga, Rrok Zojzi, Abaz Dojaka, Ramadan Sokoli, Enver Faja, Nina Shehu, Vilson Kilica, Fatmir Haxhiu, Myrteza Fushekati, Met Deliu, Aleksander Meksi etj.

Muzetë historikë kombëtarë janë ndër përçuesit më të rëndësishëm të interpretimit zyrtar të historisë së një vendi, krahas dhe me sistemin kombëtar të arsimimit të tij. Ata luajnë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e identitetit për kombin si dhe për përcjelljen e këtij vetimazhi tek vizitorët dhe në botën e jashtme. Por muzetë dallojnë nga ajo çka jep historia e shkruar, pasi për një muze gjuha e të shprehurit janë objektet muzeore të ekspozuara, shoqëruar me të dhënat për to.

Muzeu Historik Kombëtar është muzeu më i madh në Shqipëri dhe një nga më të rëndësishmit. Në mjediset e muzeut gjenden rreth 5000 objekte, të cilat i përkasin një periudhe relativisht të gjatë kohore duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX.

Filed Under: Histori

ROMAN I VEZHGIMIT HISTORIK DHE I KLITHJES TRUMBETUESE PËR HUMBJEN E MADHE PËR ETNINË SHQIPTARE

October 29, 2022 by s p

Mhill Velaj/

Jo rrallë kujtesa e individit merr dimension kolektiv për ta shperndarë atë sublimim ndjenjash si Manën në shkretëtirë që na kujton kurthin e lirisë dhe roberisë së një kombi.

Ketë formë e dimension frymëzimi e ka edhe romani ,, Humbja ‘’ e autorit Mark Pashku, i cili të fascionon me ndërthurjet e gjëmave të medha të historisë dhe fatit të individit në kërkim të lirisë personale dhe integruese. Marku në rrëfimin e tij romanor është substrakti e memories metafizike të Malësorëve të Malësisë së madhe andaj shpesh përgjatë lëximit vertikal të këtij romani të krijohet përshtypja se po lexon një pjesë të jetës kolektive të malësorëve që jetojnë në Malin e Zi. Romani në dukje dhe në fakt roman modern në vete ka tharmin historik, kujtesën kolektive, gjakimin për njohjen e rrënjëve dhe trumbetimin se si trupi i ri historik duhet të rritet e frymëzohet nga rrënja e lashtë etnike e cila është t’kurrur e stërkequr në vazhdën e shekujve. Romani që në fillimet e tij jep kumtin ,, ah …sa kemi humbur përgjatë historisë ‘’. Autorin nuk e josh bota moderne e rrokaqiejtë e katedralet e Lucernit as Evropës por klith e kthehet në kohë ku jemi ne tani, populli që dikur, kur kishim nam e emer në histori. Pena e tij vajton të shkuaren gjakon të ardhmen e dritur, dhe jep mesazhin e mirë se : Vetëm tradita, etnokultura,e verteta dhe integrimi me bazë kombetare do të na bëj të lirë në hapësirat mbarëshqiptare e jo ikja e pa adresë në rrugët e botës.

Ky roman në strukturen e tij ideore e artistike ngërthen klasiken me modernen, përplas kohërat në një hapesirë ideo – artistike, gjakon ëndrrën për t’iu rikthyes së vertetës historike, duke e kërkuar shqiptarin e integruar dhe të denjë për historinë botës. Dimensioni filozofik e psikologjik në këtë roman gjakon etniken e përsosur, ushqimin e idealeve kombetare gershetuar me rrjedhat e kohës moderne. Autori Marku nuk kërkon në këtë rrëfim romanor ( rrëfimet e Mateos ) kultin e postmodernes por as mitin e së kaluarës. Ai është realist dhe empirist në shqyrtimet e tij letrare. Ky është një roman real veshur me substraktin e etno kultures shqiptare që shtyrë nga rrethanat historike e ideologjike, dhuna, dëbimi e imponimi, kërkon rrënjët e vjetra në truall të huaj. Autorit i pelqen të jetë notues në jetë por jo dorë e dytë në sytë e botës qofte ajo edhe politike e ideologjike sepse atë e grish uni individual e kombetar për të qënë botë e thirrur në meshën e se dielës së gjallimit historik e kombetar. Ndërthurja e personazheve historike dhe subjekteve të veçanta në rrëfimin romanor si Augustini e Jeronimi nuk janë të rastësishme sepse lavdija e humbur për autorin Marku është akth i përhershëm për autorin me ndjenja kombetare e historike. Protgonisti Alberti nuk e kërkon prestigjin historik përmes armës e forcës por përmes dijes, arsyes e besës historike. Vendosja e Atë Valentinit në qëndër të rrëfimit romanor nuk është e pa shkas , sepse ajo figurë është fija e zgjatur e dimensionit historik dhe etnik , kulturor e fetar në rrjedhen e shekujve shqiptar.

Mateo Labeati poashtu është reminishenca romanore në rrëfimet e Pashk Markut apo tablloja e dytë e kujtesës historike, që mbanë gjallë frymen e kujtesës dhe rrënjëve të të parëve.

Thënë me shkurt në këtë roman është i përshkruar drama dhe fati i individit në këtë rast Albertit i cili gjakon frymën e mbijetesës përmes rrugëve jo ligjore dhe jojshjeve inskiktive, jo si vullnet i tij por si imponim i rrëthanave të egzodit dhe krizës ekonomike.

Me quaj Natalia i thotë vajza bjondinë njeriut të bjerrur në kohë e hapësirë, por edhe të dashuruar në kështjellën e dijës. Është kujtesa e atdheut e bartur me vete rrugëve të evropës duke gjakuar integrimin por edhe klithjen e madhe ,, perse jemi të tillë’’ perse kemi humbur aq shumë në histori. Ndërfutja e përsonazhëve të Rozmarines, Marijes , Moisiut dhe Frankos, Samiut, Benjaminit, Johanes, Alinës, Sarës, familjes Labeati, Anës, në këtë roman e bënë aq sa inderesant poaq edhe dramatik këtë rrëfim romanor.

Pra është sfida integruese, kujtesa historike, intriga, krimi e dënimi, harta e atdheut që përplasën në botën kosmopolitane. Janë ëndrrat e individit për tu afirmuar hera heres në menyrë të pa natyrshme, janë cenet e cektësitë shpirterore që të joshin nga ujerat e bjerrjes e humbjes kur individi vuan nga vakumet ekzistenciale dhe sistemet shteterore.

Ky roman modern, në fakt është një kumt për njeriun e sotshëm që mos të lajthitet nga bjerrja e humbja por të këtë etjen e gjakimin pozitiv për ta jetuar jetën në menyrë të natyrshme e jo atë hipokrite pa marrë parasyshë sfidat që ti imponon jeta. Është romani i njeriut shqiptar por pa atdhe që bredh rrugëve të botës në meshirën e fatit jo se do ta përçafoj të ligen porse e liga i troket në derë pa vullnetin e tij.

Nga leximi im ndoshta edhe i përshpejtuar për shkak të kohës së limituar kam ardhur në përfundim se : ,, Ky roman modern dhe plot vlera i Mark Pashkut është një zë i thirrjes kolektive për rigjallërim e emancipim kombetar, jashta sferës së iluzioneve që ti ofron bota. Është lufta e individit për identitet personal kulturor e emancipues përballë ligjeve të xhungles dhe afshit për të mbijetuar ndershmerisht ‘’

Ky roman në vete ngërthen nuanca të zhanrit kriminalistik, etnik, dhe të sfidës në së unit në rrafshin e tij të rrëfimit e mbarështrimit letrar. Në planin ideo – artistik është një vlerë e shtuar për letërsinë tonë në përgjithësi duke ruajtum brumin e një letërsie krejtësisht origjinale në mikro kosmosin individual.

Romancieri Pashk Marku ka afinitetin që përjetimin ta shndërrojë në simbol, e simbolin në mesazh romanor, dhe ketë mesazh artistik aq bukur të artikuluar ta transformojë në model e kod letrar krejtësisht unik në substancën e tij.

Ky autor na vjen si dëshmi e ekzistimit të parajsës së tij të brendshme, ajo lloj parajse por e trazuar që di të përjetojë, por jo të mallkojë botën as rrjedhat e sfidat e jetës. Pra, është një lloj urtie artistike që e kalit dhe frymëzon subjektin e tij letrar ngërthyer në vete mesazhe sa humane, poaq edhe të përvojës empirike.

Dhe krejt ne fund te kesaj kumtese mund te them se: pas një plejade të romanciereve të shquar shqiptar si Franë Camaj, Anton Gojcaj, Anton Gjuravcaj, Vilson Culaj – Kosovë etj qe subjekt letrar e kane identitetin kombetar romancieri Pashk Marku me këtë roman i bënë nderë Malesisë së Madhe dhe letërsisë shqiptare në përgjithësi dhe hynë në radhën e romancierëve më të shquar të letërsisë sonë.

Ketë fakt e konstatim timin besoj se e forcon edhe fitimi i çmimit Rexhaj Surroj mu me këtë roman ,, Humbja ‘’ në vazhdën e një vlerësimi të një varg të kolosëve të letërsisë shqiptare si : Kim Mehmeti, Ismail Kadare, Agron Tufa, Fatos Kongoli, Ridvan Dibra, Ag Apolloni, Binak Kelmendi, Mira Meksi,Ibrahim Kadriu, Zija Çela, Gëzim Aliu, Bashkim Hoxha Shkumbin I. Gashi duke perfshirë këtu edhe poetin Pal Ndrecaj, e Ramiz Gjini nga SHBA etj.

Pra romani ,, Humbja ‘’ është një lloj kambane letrare e cila ngre kumtin se vetëm vlera e përkushtimi japin frytet e saj dhe se drita e njohjes, kulturës e integrimit do të na bëjë të lirë por pa harruar kurrë rrënjët e të parëve.

Urime per Autorin Mark Pashku, dhe uroj që letërsia jonë falë këtyre modeleve letrare ta arrij shkelqimin e saj edhe në arenën ndërkombetare.

May be an image of 2 people and people standing

Get more messages for Gazeta Dielli – Faqja Zyrtare

You can add a Messenger button to your post to get more messages for Gazeta Dielli – Faqja Zyrtare.

See Insights and Ads

Boost post

1515

3 shares

Like

Comment

Share

Filed Under: LETERSI Tagged With: Mhill velaj

E DREJTA PËR TË VEPRUAR JO DOMOSDOSHMËRISHT NËNKUPTON VEPRIMIN E DREJTË APO TË DUHUR

October 28, 2022 by s p

Faton Bislimi/

Sundimi i ligjit nuk njeh etni e as preferenca tjera në vende demokratike. Republika e Kosovës është vend sovran dhe demokratik, andaj e ka të drejtën e veprimit të plotë në zbatimin e ligjit kudo brenda territorit të vet. Fatmirësisht, të gjithë aleatët tanë kryesorë, e veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e kanë thënë haptas dhe pa asnjë mëdyshje se është e drejtë e Kosovës të implementojë ligjet e vendit!

Por, po këta miq, njëkohësisht kanë kërkuar që ky implementim të bëhet në një afat kohor më të përshtatshëm. Nuk kam dyshim se kjo kërkesë ka arsye të mirëfillta dhe duhet marrë më seriozitet të lartë. Nuk kemi çka hamendemi por duhet të bëhemi real dhe të sinqertë me vetvetën. Qeverisja dhe lidershipi i një vendi kërkojnë maturi dhe kreativitet në tejkalimin e sfidave.

Kosovën sfidat e kanë ndjekur hap pas hapi historikisht, por realiteti është se sa herë ne jemi rreshtuar krah-për-krah me SHBA-të, kemi dale fitimtarë nga këto sfida. Edhe sot, Kosova duhet të gjejë mënyrën më të përshtatshme për tejkalimin e sfidës së rradhës, dhe mënyra më e sigurtë për ta bërë këtë është koordinimi i plotë me Washingtonin. Sepse, është Washingtoni ai që haptas ka deklaruar se marrëveshja finale e dale nga dialogu duhet të ketë në qendër njohjen reciproke; është Washingtoni po ashtu ai që po deklaron në vazhdimësi se integriteti territorial dhe sovraniteti i Kosovës sikur edhe unitariteti i shtetit në bazë të Kushtetutës së Kosovës janë të pacënueshme; dhe është Washingtoni që së fundi po kërkon shtyrjen e zbatimit te vendimit për targat për një date më të vonëshme se 31 tetori, duke potencuar në të njejtën kohë se është e drejtë e Kosovës të implementojë ligjet në fuqi kurdo që shteti e përcakton një afat të tillë.

Andaj, duhet të shiqohet pak përtej asaj që është sipërfaqësore në këtë rast. Duhet të kuptojmë se ka dy elemente bazike që na duhet t’i konsiderojmë e shtjellojmë hollësisht para se të lidhemi kryekëput për data të cilat, në fund të fundit, janë ana teknike e një procesi vendimmarrës, jo ajo substanciale. Këto elemente janë: kapacitetet vetanake për zbatim të ligjit deri në fund, dhe rezultati përfundimtar i arritshëm.

Pra, pyetjes nëse duhet shtyrë apo jo vendimin për zbatimit e legjislacionit në fuqi për target ilegale, duhet gjetur përgjigjen vetëm nga këndvështrimi substancial.

Në këtë kontekst, elementi i parë esencial që duhet shqyrtuar është ai i kapaciteteve tona vetanake për zbatim të ligjit. A kemi ne kapacitete, pa ndihmën e KFOR-it e EULEX-it (të cilat tanimë edhe janë deklaruar se misioni i tyre është siguria për të gjithë banorët e Kosovës dhe levëzija e lirë, pra, jo çështjet tjera që ndërlidhen me trafikun apo regjistrimin e automjeteve), për të zbatuar denjësisht dhe deri në fund ligjin e aplikueshëm në këtë rast? Normalisht se Policia e Kosovës ka dëshmuar disa herë jo vetëm gatishmërine e vullnetin, por edhe aftësinë për të kryer operacione të suksesshmë edhe në veri të vendit, por ato nuk kanë qenë kaq më mëdha dhe kaq të shtrira sic është kjo puna e targave. Çka nëse këtyre forcave policore iu duhet ndihmë shtesë, a jemi të gatshëm dhe a mundemi, e mbi të gjitha a e meriton ushtria e Kosovës, FSK, të futet në aksione për targa ilegale? Dilemat janë të mëdha dhe komplekse për secilin që racionalisht dëshiron t’i çaset problemit në fjalë. Ne edhe mund të vendosim të shfrytëzojmë të drejtën tone për të vepruar me krejta kapacitetet që kemi, por rezultati përfundimtar mund të mos na pëlqejë. E atëherë, ndoshta do kemi humbur më shumë se sa që kemi fituar.

Elementi i dytë, ai i rezultatit përfundimtar të arritshëm është çështje që ndërlidhet kryekëput edhe me reagimin e Beogradit karshi kësaj situate. Dihet botërisht se Beogradi është jashtëzakonisht i interesuar për të krijuar një lloj krize të thellë apo edhe konflikti në veri të Kosovës, ashtu që të arsyetojë para botës veprimet e veta destabilizuese për krejt rajonin. Është racionale të mendohet se fillimi i zbatimit të vendimit me forcën e ligjit dhe kapacitetet e shtetit për zbatim të ligjit do nxiste rezistencë edhe më të madhe tek serbët lokal dhe një propagandë të tmerrëshme anti-shqiptare e anti-Kosovë nga Beogradi. Andaj, thuajse vlerësimin e këtij elementi më së miri e shpërfaqë fjala popullore “katundi që shihet, kallauz nuk do!” Pra, secili e ka të kjartë se çfarë situate konfliktuoze do krijohej nga Beogradi. Por, ne si Kosovë thuaja se jemi mësuar më këto avanturat propagandistike të Beogradit, dhe këto veprime mund të mos na bëjnë përshtypje. Sidoqoftë, neve betejën me Serbinë në çdo aspekt duhet ta fitojmë në arenën ndërkombëtare, jo përbrenda nesh.

E këtu, tash bëhet shumë i rëndësishëm qëndrimi i faktorit ndërkombëtar. Duhet të jemi të sinqertë që as SHBA-të e as BE-ja s’do e “qortojnë” e as “dënojnë” rëndë Kosovën për përdorimin e të drejtës së vet për të vepruar në këtë rast, por në të njejtën kohë, as nuk do e mbrojnë e as përkrahin këtë veprim, ngase tashmë këta aleatë kanë kërkuar një date tjerët për të vepruar, e jo 31 tetorin. Shto këtu faktin se po jetojmë në një kohë gjeopolitikisht shumë dinamike, kur një front i hapur evropian ekziston në luftën e Ukrainës me Rusinë, dhe po ashtu ekziston vetëm një shtet në Evropë – pra, Serbia – që vazhdon të jetë lojale ndaj Rusisë. Marrë këto fakte parasysh, është lehtazi e kuptueshme pse edhe një tensionim i gjendjes në Ballkan, respektivisht në Kosovë, s’i ndihmon assesi interesave gjeostrategjike të SHBA-ve kryesisht, por edhe të BE-së.

Andaj, Kosova duhet gjetur një modalitet, në koordinim të plotë me SHBA-të, që ofron mundësi optimale për të arritur dy qëllime njëkohësisht – parandalimin e çfarëdo tensionimi të gjendjes në vend dhe zbatimin e sundimit të ligjit për të gjithë. Kjo është gjithësesi e arritshme, veç duhet vullnet dhe kreativitet, e mbi të gjitha maturi, nga e gjithë klasa politike në vend. Fundja, problemet me Serbinë janë probleme të Kosovës, dhe jo vetëm të një subjekti politik, apo vetëm të positës apo opozitës. Kur interesi kombëtar i shtetit është në pyetje, neve duhet zhveshur petkun e interesave politike të brendëshme, dhe duhet vënë ksulën e bardhë mbi kokë, të gjithë! Ndryshe, veç ia lehtojmë Serbisë.

Kosova është në të drejtën e vet për të vepruar edhe pas 31 tetorit edhe në qershor 2023, por e drejta për të vepruar jo domosdoshmërisht nënkupton veprimin e drejtë apo të duhur, në këtë rast. Veprimi i drejtë apo i duhur është ai që nuk cënon zbatueshmërinë e sundimit të ligjit dhe njëkohësisht nuk krijon tensione në vend e as me miqët tanë ndërkombëtarë. Sukses është të gjejmë këtë modalitet, dhe unë besoj fortë se në koordinim me miqët tanë në Washington, DC, kjo është e arritshme. Të shikojmë substancialën në këtë rast, e jo teknikën! Rezultati përfundimtar çonë peshë më shumë sesa data e veprimit!

Filed Under: Komente

Mbi romanin ” Çou Rexho-Çou Djalo”, të autorit, Sokol Demaku

October 28, 2022 by s p

Gabriela Mujaj/

“Pra, vrasësi i vërtetë i Rexhës ishte axha i tij e jo kali, siç është folur, përfolur dhe kënduar kënga folklorike për plot një shekull e disa dekada”.

Romani ” Çou Rexho-Çou Djalo”, bën fjalë për historinë e Rexhës, djalin e Shahes dhe Feratit, të cilin thuhet ndër gojëdhëna e këngë folklorike që e vrau kali ditën e dasmës.

“Kënga popullore u ruejt me besnikëri dhe pati jehonë në jetën e përditshme, në kujtesën e kohës, por dhe në botimet social-kulturore, ndonëse të pakta. Madje mund të themi se e tërë krijimtaria popullore, përfshi këngët, gojëdhanat, mitet, legjentat etj.,ka jetuar gjatë në popull sepse i është përcjellë brezave si një trashëgimi e vyer, duke ruajtur vazhdimisht të gjalla vlerat kulturore dhe ato të traditës sonë shekullore.

Ngjarja e treguar në këtë libër është reale, e ndodhur në Stubëll dhe Jabllanicë të Kosovës Lindore, këtu e mbi njëqind vjet më parë, por personazhet janë të krijuara nga autori.

Autori

Qaza dhe Ferati, ishin dy vëllezër që bënin një jetë normale dhe që kishin krijuar familjen e tyre. Qaza ishte i martuar me Mihanen, ndërsa Ferati me Shahen, me të cilën do të sillte në jetë Rexhen, personazhin kryesor të këtij romani. Jeta e dy vëllezërve edhe mund të kishte shkuar mirë dhe në paqe, me një mirëqënie, harmoni, ngrohtësi e dashuri familjare. Të bashkuar dhe të lumtur, po të mos ekzistonin ato ndjenja që kanë lindur bashkë me botën dhe që do mbarojnë po me botën: zilia, xhelozia, ambicja e pasurisë!

Mihanja është një grua smirëzezë dhe intrigante, e cila shfrytëzon terrenin e volitshëm të një zemre të dobët e të ligësht si ajo e Qazës, për të realizuar planet e saja kobëzeza. E ndërsa Ferati ndërron jetë papritmas, Shahja mbetet si një qingj mes ujqërve, viktime e ekspozuar krejtësisht përsekutuesve të saj, objekt ku vihen në jetë traditat e hershme, të cilat që në zanafillen e tyre duket se u krijuan vetëm për të shtypur e poshtëruar gruan. Por, përveç se një grua të fyer dhe të poshtëruar, të përdhosur në nder e moral, të shkelur në dinjitetin e saj, shohim dhe një nënë e cila për hir të dashurisë për të birin, arrin të sakrifikoje krejtësisht jetën e lumturinë e saj. 

E zënë në kurth, nga rrjeta e “merimangës së zezë”, Mihanës, ajo detyrohet që të bëhet gruaja e dytë e kunatit të saj.

Do mote më përpara, pata dëgjuar për herë të parë këngën e Rexhës! Në fillim nuk e kuptoja dhe mendoja se ishte ndonjë tekst i trilluar, por tepër i dhimbshëm. Aq më trishtonte, saqe nuk kisha as guximin për të pyetur në ishte histori e vërtëtë apo jo. Një ditë pata pyetur babain: 

– Babo, si është puna e Rexhës?

“E ka vra kali ditën e dasmës, mor babë”, – m’u përgjigj!

E pyeta ma gjatë, por nuk është se kishte shumë për të më treguar. Mesa duket ishte një histori e vjetër që ishte përcjellur gojarisht. Duke qenë natyrë kurioze, mbaj mend që fillova të mendoj mbi vërtetësinë e kësaj ngjarjeje. Pyetja e parë që më pati ardhur ndërmend ka qenë: 

“Po ç’lypte dhëndrri ditën e dasmës tek kali?”

Kur dëgjonim këngën e Rexhës, nëna ime thoshte: “e shkreta nana e vet”, ndërsa unë thoja përherë: “sa gjynah nusja e vet!”

Kur vjen puna tek historitë e vjetra, e sidomos ato që kanë ndodhur 100 vjet e andej, kam përherë dyshimet e mia. Vërtetë që fjala është guri themelor i komunikimit, pasi fjala ishte e para, fjala u bë njeri, prej fjalës u krijua bota e jeta, pasi Zoti tha “bëhu”, dhe u bë çdo gjë, mirëpo, po prej fjalës linden dhe aq shumë të këqija, keqkuptime, shtrembërime…

Duke qenë se gjuha, aq sa është e të gjithëve, po aq është e të paktëve. Qysh në fëmijërinë time të hershme, kam parë sesi transmetoheshin fjalët, dhe se si deformoheshin ato. O Zot, sa me rëndësi është transmetimi dhe përdorimi i saktë i gjuhës! Vazhdimisht gjuhëtarët lëshojnë alarmin për keqpërdorime, zëvendësime të panevojshme të fjalëve shqip me ato të huaja etj. 

Vitet kaluan dhe punën e Rexhës e pata qit në harresë. Ndonjëherë më kujtohej dhe më ngjallej ajo ndjesia e hidhërimit që pata përjetuar teksa dëgjoja atë këngë-tragjedi. Është një fjalë e urtë që thotë: “Jetimi nuk shpëton kurrë!”

Shpesh herë e kam gjetur të vërtetë! A thua vallë edhe Krishti qe jetim kur e kryqëzuan? S’e di! Di që ne njerzit, jemi të gjithë nga pak Krishta në vuajtje.

Tashmë kanë kaluar shumë vite dhe e gjej veten më të zhytur se kurrë në botën e letërsisë, e shoh si marrosem përditë e më shumë, se si kjo bote e jashtëzakonshme më merr e me mbështjellë në një vorbull të parriztë prej së cilës nuk dua të dal, më vjen nga Suedia romani i fundit i Sokol Demakut “Çou Rexho-Çou djalo!”. E prita me gëzim dhe me shpresën se përveç vlerës letrare që mbart çdo roman i mirë, më në fund do të mësoja të vërtetën rreth historisë së Rexhës. E lexova brenda dy netëve! 

” Xhelozia është e pashpirt, ajo ia nxin njeriut edhe jetën, edhe mendjen”

Xhelozia zë fill qysh prej krijimit, prej ëngjejve të humbur që deshën të bëheshin Zot, vazhdon me Kainin vëllavrasës e do mbarojë me brezin e fundit të kësaj bote. Pra, kështu paska qenë edhe puna e Rexhës! Ndjeva keqardhje për të po aq sa atëherë kur isha vogëlushe, por edhe për kalin, këtë kafshë që e çon gjithë jetën duke mbajtur barra, e që paska mbartur edhe barren e fajit gjithë këto vite. I përlyer padrejtësisht, qenka “dënuar” ashtu siç dënohen shumë të pafajshëm, ndërsa vrasësi i vërtetë, viktima e zilisë dhe etjes për pasuni e katandi, paska qenë dënuar veç n’at botë. 

“Këtu shihet haptazi se sa i pashpirt është njeriu ndaj njeriut, kur ai është i pafuqishëm, i pakrahë, sikur Shaha me të birin”.

Mendova me vete, “disa njerëz ndër shekuj mbahen mend e përmenden për të mirë a për të keq, por qe, për faj të gjuhës, të transformimit të fjalës, historia përmend kalin si fajtor, e jo vrasësin e vërtetë, xhaxhain e Rexhës”. “Vetëm e vërteta do t’ju bëje të lirë!”, citonte Jezu Krishti para ma se dymijë vjetësh. Të parët tanë thonin: ” nuk rrin gja n’ter, e qet Zoti n’dritë”, shprehje kjo që në fakt buron prej Ungjillit gjithashtu.

Edhe axha i Rexhës, që e vrau nipin dhe e hodhi në grazhd të kalit, ka dalë në dritë! Ma në fund kali fitoi pafajsinë para syve të mi dhe bota e kafshëve feston, sigurisht që edhe Rexha, nëna dhe babai i tij gëzojnë nga Parajsa.

Në fund, dua të citoj këta rreshta me të cilët fillon edhe romani i Demakut, të cilat janë shpjegimi më i mirë i çdo fenomeni negativ në botën e sotme ku jetojmë:

” Çdo pushtues, çdo sundues ka idetë dhe qëllimet e veta dhe çdo herë ka synim që të bëjë atë më të vështirën për njerëzit e atij trualli. Që jeta e tyre të jetë sa më e vështirë, arsimimi të mungojë, shëndetësia, puna por dhe gjërat e tjera elementare të jetës, në mënyrë që popullata t’i nënshtrohet më lehtë sunduesit”.

Filed Under: ESSE

NË TË DREJTËN NDËRKOMBËTARE NUK EKZISTON AS BAZA, AS KONCEPTI, AS SHPREHJA PËR TËRHEQJEN E NJOHJES SË SHTETEVE

October 28, 2022 by s p

Shkruan: Adil FETAHU/

Nocioni shtet sipas të drejtës ndërkombëtare

Nga pikëpamja e të drejtës ndërkombëtare, sheti është bashkësi politike e njerëzve, e organizuar në një territor të caktuar nën pushtetin sovran (suprema potestas), i aftë dhe i pranuar për të hy në marrëdhënie të dyanshme apo të shumanshme me entitetet (shtetet) e tjera që kanë zotësi juridike ndërkombëtare. Shteti është edhe aparat i dhunës që disponon mekanizma për të garantuar sigurinë e bashkësisë politike dhe të pjesëtarëve të saj. Elementet përbërëse të shtetit janë: qytetarët (shtetasit) e përhershëm, territori i caktuar dhe pushteti sovran i pavarur nga ndonjë shtet i jashtëm. Shteti mundet vullnetarisht disa aspekte të pushtetit të vet t’ia bartë një shteti tjetër apo një organizate të shteteve.

Nga pikëpamja e rregullimit politik, shteti mund  të jet i veçant (unitar) ose i përbërë (federal), ndërsa nga pikëpamja e sundimit mund të jetë monarki ose republikë, kurse nga pikëpamja e regjimit mund të jet shtet demokratik ose autokratik.

Formimi i shtetit

Shteti formohet kur një territor i caktuar e shpallë pavarësinë, në pajtim me parimin e përgjithshëm të së drejtës për vetëvendosje. Formimi i shtetit në këtë mënyrë hasë në problemin e parimit  kundër cënimit të kufijve të shtetit prej të cilit ndahet shteti i ri i formuar. Megjithatë, parimi i të drejtës së vetëvendosjes së popujve është me përparësi kundër cënimit të kufijve të shtetit. Kjo për shkak se moscënimi i kufijve të shtetit ka të bëjë kryesisht nga shtete të jashtme, me luftën agresive të shtetit kundër shtetit, e jo me vullnetin e popullit të brendshëm, e që ai vullnet rrallë herë mund të arrihet pa luftë të brendshme, pa kryengritje, që shpeshherë shndërrohet në luftë qytetare (Eritrea, Sudani Jugor, Timori Lindor). Shteti mund të formohet edhe me luftë ndërshtetërore, si rasti i Qipros së Veriut, që u bë me luftën midis Turqisë e Greqisë. Ai shtet ekziston qe 50 vjet, pavarësisht se e ka njohur vetëm Turqia dhe Pakistani. Formimi i shteteve nga shkatërrimi i RSFJ-së është specific, për faktin se për krijimin e tyre janë zhvilluar  luftëra të brendshme dhe kishte edhe intervenime të jashtme (Bosne-Hercegovina, Kosova).

Shteti i ri mund të formohet edhe me marrëveshje paqësore, siç ishte rasti i Çekosllovakisë dhe i BRSS-së. 

Thuhet se shtetet zhdukin dhe formojnë shtete. Zhdukja e shtetit, apo e një pjese të shtetit bëhet me luftë okupuese dhe me aneksimin e shtetit apo të pjesës së okupuar (aneksimi i Austrisë shtetit të Gjermnisë në vitin 1938, apo aneksimi i Letonisë, Lituanisë dhe Estonisë BRSS në vitin 1939, dhe rasti më i ri: okupimi dhe aneksimi i Krimesë  (2014) e të rajoneve tjera të Ukrainës (2022) nga Rusia agresive.

Shteti i Kosovës – “sui generis”

Formimi i shtetit të Kosovës është rast i veçantë,  unikat dhe  i pashembëllt në botë, sepse në momentin e shpalljes së pavarësisë Kosova ishte nën administrimin e përkohshëm  të Kombeve të Bashkuara, në bazë të Rezolutës së Këshillit të Sigurimit 1244/99, që ishte akt juridik ndërkombëtar. Rezoluta nuk e ka përcaktuar statusin  as nuk ka caktuar kurrëfar afati, kushte as kufizime për arritjen e statusit përfundimtar të Kosovës. Esenca e administrimit të përkohshëm (faktori ushtarak dhe faktori civil) ishte ruajtja e paqes dhe përgatitja e organeve vetëqeverisëse të Kosovës në parime të së drejtës ndërkombëtare. Kjo u bë, krahas me Rezolutën 1244 edhe me Kornizën Kushtetuese të Kosovës (2001), që gjithashtu është akt i të drejtës ndërkombëtare, pasiqë e ka miratuar organi i KB. 

Në pikëpamje të statusit përfundimtar të Kosovës, Rezoluta 1244, në disa vende i referohet Marrëveshjes së Rambujesë, në të cilën ishte përcaktuar se pas tri vjetëve, do të organizohet referendumi i popullit të Kosovës për të përcaktuar statusin e vet politik. Populli i Kosovës e kishte mbajtur referendumin në vitin 1991, me të cilin e kishte shpallur Kosovën shtet të pavarur e sovran, por që ishte i okupuar nga Serbia, dhe në ato kushte Kosova nuk e kishte elementin e tretë të shtetësisë – pushtetin e vet suprem, por atë pushtet e ushtronte me dhunë Serbia.

Pas çlirimit të Kosovës, me luftën çlirimtare të UÇK-së, me pjesëmarrjen dhe ndihmën vendimtare të NATO-s,  bashkësia ndërkombëtare, në koordinim me KB, bënë përpjekje për të arritur marrëveshje në mënyrë paqsësore për statusin përfundimtar të Kosovës, por për shkak të kryeneqësisë së udhëheqjes së Serbisë nuk u arrit marrëveshje. 

Për të zgjidhur problemin e statusit të Kosovës, sekretari i përgjithshëm i KB, Ban Ki Mun, e caktoi emisarin e tij  special, Marti Ahtisarin, të hartojë një raport dhe t’ia paraqet atij, me propozim se si e mendon zgjidhjen e statusit të Kosovës. Pas shumë bisedimeve e konsultimeve, Ahtisari e përgatiti dhe ia dorëzoi raportin e tij, me propozim që Kosovës t’i njihet pavarësi e mbikqyrur . Sekretari i përgjithshëm i KB, në marrëveshje me Këshillin e Sigurimit, e miratoi raportin e Ahtisarit. Në pajtim me Raportin e Ahtisarit, me Marrëveshjen e Rambujesë, me Rezolutën 1244/99 të Këshillit të Sigurimit, dhe me parimet, normat dhe obligimet nga Korniza Kushtetuese (të gjitha këto akte të së drejtës ndërkombëtare, sepse tri fundit ishin akte të KB), përfaqësuesit e zgjedhur në mënyrë demokratike nën mbikqyrjen e Administratës së Kombeve të Bashkuar, më17.02.2008,  e shpallën vullnetin e popullit për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur. Me shpalljen e pavarësisë u pajtuan Kombet e Bashkuara, pëmes përfaqësuesit të vet që ishte udhëqës-shef i Administratës së Përkohshme të KB në Kosovë, dhe nuk e kundërshtoi as Këshilli i Sigurimit, që ishte autor i Rezolutës 1244.  

Me insistimin e Serbisë, Kombet e Bashkuara i dërgun  kërkesë organit më të lartë të drejtësisë botërore,  Gjykatës  Ndërkombëtare të Drejtësisë, që të jep mendimin këshillues, nëse Deklarata për shpalljen e pavarësisë së Kosovës e ka shkelur, ose jo, të drejtën ndërkombëtare. Ajo Gjykatë dha Mendimin e vet, se Deklarata mbi pavarësinë, e miratuar më 17 shkurt 2008, nuk e ka shkelë të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, as Kornizën Kushtetuese, rrjedhimisht Deklarata e pavarësisë nuk ka shkelë asnjë parim të zbatueshëm të së drejtës ndërkombëtare.

Prandaj, çdo  kundërshtim apo kontestim, i kujtdoqoftë, i aktit (Deklaratës) mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës, është krejtësisht i pabazë. Sidomos ata që thirren në të drejtën e përgjiithshme ndërkombëtare, derisa vet Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë  ka vërtetuar se nuk ka pasur shkelje të së drejtës ndërkomb[tare. 

Edhe diçka për Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit. Udhëheqjësia e Serbisë, e sidomos kryetari i saj, Aleksandar Vuçiq, çdoherë thirret në atë Rezolutë, kinse ajo i garanton sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë. Kjo nuk është e vërtetë, sepse Rezoluta 1244 nuk ka të bëjë vetëm me Serbinë, por në rend të parë ka të bëjë me shtetin e atëherëshëm të quajtur Republika Federale e Jugosllavisë (Serbi dhe Mali Zi, i cili nuk ka ekzistuar në kohën kur Kosova ka shpallë pavarësinë) dhe me të gjitha shtetet fqinje rreth Kosovës: Serbinë,  Maqedoninë,   Malin e Zi, madje edhe me Shqipërinë, duke qenë kundër pretendimeve territoriale të shteteve fqinje të Kosovës, por edhe të Kosovës ndaj shteteve fqinje.  Parimi i integritetit territorial i përcaktuar në Rezolutë, e pastaj edhe në Raportin dhe propozimin e Ahtisarit, ka të bëjë me  mosndryshimin e kufijve ekzistues në rajon. Bile, është edhe kundër bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, gjë që këtë parim e përmban edhe Kushtetuta aktuale e Kosovës, pasi është dashur të jetë në harmoni me Dokumetin e Ahtisarit. 

Prandaj, duke pasur parasysh specifikat e formimit të shtetit të Kosovës, del se shteti i Kosovës është “sui generis”, është rast unikat, i cili nuk mund t’i shërbejë si precedent, madje është antiprecedent, që të mund t’i shërbejë dikujt, siç po pretendon Putini me rajonet e okupuara të Ukrainës. 

Njohja e shtetit

Koncepti i njohjes së shtetit ka karakter politik me efekte juridike. Në të drejtën ndërkombëtare janë dy lloje njohjeje: 1) njohja e shtetit, dhe 2) njohja e qeverisë. Dallimi konsiston kur shteti njihet, por qeveria e atij shteti nuk njihet si qeveri legjitimit (si në raste të huntave ushtarake). . Mosnjohja e qeverisë nuk nënkupton mosnjohjen e shtetit.

Janë dy teori themelore sa i përket natyrës juridike të njohjes së shteteve. Njena quhet teori konstituive, tjetra teori deklarative. Teoria konstitutive merr parasysh elementet e përmendura më lartë që përbëjnë shtetin: territori, popullsia e përhershme në territorin e caktuar, dhe pushteti sovran, por sipas asaj teorie, nuk mjaftojnë vetëm këto tri elemente, veçse për të pasur subjektivitetin (personin) juridik të shtetit, për të realizuar të drejta dhe detyrime me shtetësi të plotë  në marrëdhëniet ndërkombëtare,  krahas elementeve të përmendura shteti duhet të jetë edhe i pranuar (i njohur nga shtete tjera). Njohja është çështje e diskrecionit politik të shtetit që jep njohjen. Kësaj teorie mund t’i bëhet vërejtje, se shteti i formuar, edhe pa u njohur nga shtetet tjera, nuk qëndron  pezull në ndonjë vakum juridik , por edhe ai është i detyruar t’iu përmbahet rregullave të së drejtës ndërkombëtare, psh. mospërdorimit të forcës dhe mossulmimit  kundër shtetit tjetër. 

Nga ana tjetër, sipas teorisë  deklarative, që është dominuese në marrëdhëniet ndërkombëtare bashkëkohore,  njohja e shtetit është konfirmim ose konstatim i formimit të një shteti të ri, në pajtim me kushtet të cilat i ka përcaktuar e drejta ndërkombëtare, dmth. që ka tri elementet kryesore të shtetit, të përmendura më sipër. Sipas kësaj teorie, edhe pa marrje të njohjes shteti ekziston  me atributet e shtetit si subjekt i të drejtës ndërkombëtare, pa marrë parasyshë vullnetin apo veprimet e shteteve tjera. Sipas kësaj teorie, akti i njohjes vetëm e deklaron (konfirmon) faktin e ekzistimit të shtetit, e nuk e konstituon subjektivitetin juridik të shetit, sepse konsideron se ai subjektivitet është i konstituar.

Është edhe një teori e ndërmjeme, si teori shkencore, e cila i kombinon pikëpamjet e dy teorive të para, duke marrë parasysh gjendjen reale në praktikë. Kjo teori, shkencore, konsideron se shteti i cili i disponon atributet konstituive të shtetit, duhet të njihet nga shtetet e tjera, sepse nuk ka arsye të mos njihet.

Gjatë shpërbërjes së BRSS dhe të RSFJ, në të drejtën ndërkombëtare të Europës u përcaktuan disa kushte për njohjen e shteteve të reja:  demokratizimi i shoqërisë dhe respektimi i të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve  brenda shteteve të reja të formuara, që të obligohen dhe të përcaktojnë në kushtetutat e tyre se nuk kanë pretendime territoriale ndaj shteteve fqinje (Komisioni i Badinterit). Bile,  me imponimin e Greqisë, Maqedonisë iu shtrua edhe një kusht i veçantë, që ta ndërrojë emrin nga Maqedonia, në Maqedonia e Veriut, gjoja që të heqë pretendimet ndaj Maqedonisë së Epirit. Por këto kritere nuk janë bërë zakon i përgjithshëm i të  drejtës ndërkombëtare dhe nuk i obligojnë shtetet e tjera, të cilat nuk janë (as do të bëhen) anëtare të Bashkimit Europian. Sidoqoftë, e drejta ndërkombëtare po iu lejon akterëve të jashtëm që të imponojnë plotësim të kushteve  paraprake shteteve të cilat kërkojnë njohje. Rasti më i ri është kushti i Izraelit për njohjen e Kosovës, që Kosova ambasadën e vet ta instalojë në Jerusalem. Po edhe në aktin final të Kongresit të Bërlinit (13 korrik 1878), Serbia dhe Mali Zi janë njohur si shtete të pavarura, me kusht që të garantojnë të drejta të barabarta civile dhe politike për të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh besimin dhe religjionin e tyre. E dihet se as Serbia as Mali Zi nuk e kanë plotësuar kushtin e garantimit të të drejtave të përmendura, por njohja që u është dhënë më 1878, nuk është tërhequr, sepse tërheqjen e njohjes de iure nuk e parasheh e drejta ndërkmbëtare.

Njohja e shtetit konsiderohet si “mjet’ politik me efekte juridike. Efektet juridike të njohjës së shtetit shtrihen në marrëdhëniet ndërkombëtare, por edhe në planin e brendshëm. Në planin ndërkombëtar me njohjen e fituar shteti i ri merr të gjitha të drejtat dhe obligimet ndaj të drejtës ndërkombëtare. Kjo nuk nënkupton se të gjitha shtetet që e kanë njohur, do të krijojnë marrëdhënie diplomatike me shtetin e njohur. As shkëputja e marrëdhënieve diplomatike nuk do të thotë tërheqje e njohjes. 

Llojet e njohjeve të shteteve të reja

E drejta ndërkombëtare njeh dy lloje njohjesh të shteteve të reja:

  1. njohja de facto, dhe
  2. njohja de iure.

Njohja mund të bëhet shprehimisht ose në mënyrë të heshtur. Njohja e bërë shprehimisht nënkupton njohjen në mënyrë formale, duke publikuar njohjen, me deklaratën e shefit të shtetit  apo shefit të diplomacisë që bënë njohjen, me notë diplomatike, apo përmes ndonjë marrëveshe (kontrate) shumëpalëshe të disa shteteve. Njohje e heshtur konsiderohet çdo akt normativ-juridik apo kontratë bilaterale me të cilën rregullohen marrëdhënie me shtetin e ri, poqese në marrëveshje (kontratë) nuk është vënë rezerva, me të cilën tregohet se marrëdhëniet e krijuara me kontratë nuk prejudikojnë njohjen e heshtur të pavarsisë. Këso rezerve në praktikë kanë vënë shtetet arabe ndaj Izraelit. 

Njohja de facto nuk është njohje e plotë dhe definitive, por është e pjesëshme dhe (mund të jetë) e përkohëshme. Njohja de facto ka karakter të përkohëshëm (provizor) dhe mund të revokohet në çdo kohë, ndonëse kjo rrallë herë ndodhë, veçse shërben si një hap drejt njohjes de iure. Sidoqoftë, njohja de facto nënkupton një shkallë të lartë të pranimit politik të shtetit të ri me efekte juridike: lidhja e kontratave dhe marrëveshjeve të ndryshme nga fusha ekonomike, kulturore, njohja e pasaportave, e diplomave, çertifikatave,   lidhja e raporteve të caktuara (zyrat ndërlidhëse) sipas interesave politike pragmatike midis dy shteteve. Njohja de facto nuk nënkupton lidhjen e marrëdhënieve diplomatike. Njohje të tillë de facto ndaj Kosovës kanë edhe disa shtete të BE-së të cilat Kosovën nuk e kanë njohur de iure, si psh.Greqia, që ka zyrën ndërlidhëse në Kosovë dhe i pranon pqsaportet e shtetit të Kosovës, Spanja, Çekosllovakia etj, të cilat i pranojnë pasaportat e Kosovës dhe zhvillojnë gara sportive me ekipet e Kosovës në kuadër orgnizatave sportive ndërkombëtare. 

Për dallim nga njohja de facto, njohja de iure është njohje e plotë dhe e parevokueshme. Kjo përfshinë edhe krijimin e lidhjeve diplomatike me shtetin e ri, ndonëse lidhja diplomatike nuk është as kusht as e domosdoshmëri.

Dallimi midis këtyre dy lloje njohjesh konsiston në efektet juridike, në të drejtat dhe obligimet e shtetit të njohur në raport me shtetet e tjera të veçanta dhe në raport me të drejtën ndërkombëtare në përgjithësi. 

Njohja e shtetit mund të jetë individuale ose kolektive.  Në shumicën e rateve njohja bëhet në mënyrë individuale: shteti ndaj shetit. Por ka edhe shumë raste kur njohja bëhet në mënyrë kolektive, nga ndonjë organizatë ndërkombëtare e shteteve, qoftë vetëm si njohje, qoftë me pranimin e shtetit të ri në organizatën ndërkombëtare. Pranimi i shtetit në OKB është njohje kolektive e anëtareve të KB,përveç atyre që e kundërshtojnë praniin dhe kanë qëndrim shprimor kundër njohjes.

Në të drejtën ndërkombëtare nuk parashihet as përmendet tërheqja e njohjes

Nuk ka asnjë bazë,  asnjë kriter dhe asnjë rregull juridik që lejon tërheqjen e njohjes de iure, siç po vringëllojnë  zyrtarët e Serbisë me do tërheqje të njohjeve (çnjohje) të shtetit të Kosovës nga disa “banana republika” të Afrikës dhe Amerikës Latine. Tërheqja e njohjes së shtetit nuk përmendet askund si shprehje në të drejtën ndërkombëtare. Kjo është edhe për shkak se tërheqja e njohjes nuk e ndryshon asgjë gjendjen faktike as statusin juridik  të shtetit kundër të cilit është tërhequr njohja. Nëse vërtetë ato shtete njëherë e kanë njohur Kosovën, e pastaj sipas propagandës, gënjeshtrave apo premtimeve të diplomacisë së Serbisë e kanë tërhequr njohjen, tregojnë për joseriozitetin e tyre si shtete, të cilat nuk e njohin as e respektojnë të drejtën ndërkombëtare. Diplomacia e Kosovës është dashur të reagojë e të kërkojë sqarime nga ato shtete të cilat e kanë tërhequr njohjen, pa pasur asnjë bazë në të drejtën ndërkombëtare dhe asnjë arsye nga shteti i Kosovës. Propaganda serbe i ka bindë ato se shpallja e “njëanshme” e pavarësisë së Kosovës është bërë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, gjë që nuk është e vërtetë. Sepse shpallja e pavarësisë nuk ka qenë e njëanshme, por është bërë në  bazë të raportit të emisarit të Kombeve të Bashkuara (Marti Ahtisari), të pranuar nga KB,  ndërsa Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka vërtetuar se me aktin e shpalljes së pavarësisë, nuk është shkelur e drejta ndërkombëtare as Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit, as Korniza Kushtetuese e Kosovës, që të dyja si akte ndërkombëtare, dhe nuk është shkalur asnjë parim i zbatueshëm i të drejtës ndërkombëtare. 

Kosova duhet ta dinamizojë aktivitetin diplomatik për njohje të reja

Sipas raporteve të publikuara nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, deri tash pavarësinë e Kosovës e kanë njohur 117 shtete, të mëdha e të vogla. Tri prej  tyre janë anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit. Njohja e fundit e Kosovës ka ardhur nga Izraeli, si pjesë e Marrëveshjes së Vashingtonit, të 4 shtatorit 2020, kur edhe u caktua moratoriumi njëvjeçar i fushatës së Kosovës për njohje ose për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare,  si dhe i fushatës së Serbisë për tërheqjen e njohjeve të Kosovës. 

Sipas propagandës së qeverisë dhe të mediave serbe, 18 shtete e kanë tërhequr njohjen e Kosovës, dhe për këtë lavdërohet ish-ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, i cili ka thënë se të gjitha këto “çnjohje”, dhe vet futja e shprehjes “çnjohje” në të drejtën ndërkombëtare,  janë meritë dhe rezultat i punës së tij. Nuk ka dyshim se në fushatën e tërheqjes së njohjeve ka qenë e involvuar edhe Rusia në krah të Serbisë. Kurse Serbia me gënjeshtra, mashtrime, propagandë, premtime, dhurata, heqje të vizave, ndihma në bujqësi, dhurata të armëve, i ka mashtruar qeveritë e shteteve të brishta e jostabile të Afrikës dhe Amerikës Latine për të tërhequr njohjen e pavarsësisë së Kosovës. Ministri i jashtëm i Serbisë, Nikolla Sellakoviq, dhe kryetari Aleksandar Vuçiq, thonë se i kanë  në dorë edhe 4, respektivisht 7, e së fundi 8 nota të shteteve të cilat e kanë tërhequr njohjen e Kosovës, por emrat e atyre shteteve nuk do i publikojnë nga frika se iu bëhet presion nga Amerik?

Sido që të jetë numri i tërheqjes së njohjeve, që siç e përmendëm më sipër, nuk ka asnjë bazë në të drejtën ndërkombëtare, tash është koha më e volitshme për diplomacinë e Kosovës  të tregohet pragmatike, vizionare dhe  ta dinamizojë aktivitetin e vet për të kërkuar njohje të reja. Tash  Rusia është shumë e zënë me agresionin e saj në Ukrainë, dhe ka humbur prestigjin e saj edhe te ato shtete ku ka pasur ndikim, po edhe Serbia  është njollosur dhe diskredituar si vendi i vetëm në Europë që është përkrahëse dhe aleate e ngushtë e Rusisë. Politika e jashtme e Kosovës, në këtë kontekst ndërkombëtar, duhet të jetë më e përqëndruar në kërkim të njohjeve të reja, se sa në procesin e dialogut për arritjen e marrëveshjeve tjera teknike, të cilat nuk prodhojnë asnjë rezultat për Kosovën, sepse edhe ashtu Serbia nuk i zbaton. Në këtë aktivitet, duhet diskredituar maksimalisht Serbinë, si shtet që ka kryer gjenocid në Bosnje dhe në Kosovë dhe si faktor destabilizues në rajon, që paraqet rrezik për paqen dhe sigurënë në Ballkan e më gjërë. 

Filed Under: Politike Tagged With: Adil Fetahu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT