• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2022

Reportazhi i vitit 1996 që paralajmëronte bashkimin kombëtar – heqjen e kufirit Shqipëri-Kosovë

November 17, 2022 by s p

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, Nëntor  2022/ Në Jubileun e 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë risjellim reportazhin e ardhmërisë – futuristik “Udhëtimi për në Prizren” që e kam shkruar  para më shumë se çerek shekulli, botuar në Prishtinë e Tiranë në 31 Dhjetor 1996. Këtë reportazh futuristik që paralajmëronte bashkimin kombëtar – heqjen e kufirit Shqipëri-Kosovë e lidhjen edhe me autostradë e gjejë në Arkivin Shtetëror të Kosovës të botuar në Prishtinë në gazetën e rezistencës e pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha, dhe në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë të botuar në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja që dilte në Tiranë pasi në Prishtinë u ndalua me dhunë nga Serbia okupatore. Brenda reportazhit është edhe shënimi “Kronikë kufiri” – pjesë nga shkrimi që kam bërë në 1 Prill 1996 nga kufiri Kosovë-Shqipëri,  të cilin vetëm zogjtë e kalonin pa pengesa…

 “Udhëtimi për në Prizren” ishte reportazhi i dytë i ardhmërisë që kam shkruar. I pari ishte “KOSOVË: REPORTAZHI I ARDHMËRISË – Një ditë e një viti që vjen”, i shkruar dhe  dërguar nga Prishtina drejt Tiranës në 27 Dhjetor 1995 dhe është botuar në atë fundvit në të dy kryeqytetet shqiptare, ndërsa i treti ishte  “Kufiri i ëndrrës”  që e kam shkruar në fundvitin 1997, botuar në 3 Janar 1998…

Reportazhet e ardhmërisë i botoja edhe në Kosovë edhe në Shqipëri, duke thyer kufirin e hekurt me shkrimet shqip edhe me shumë raportime që bëja si korrespondent në Prishtinë i Agjencisë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë që nga 24 Maji i vitit 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste presidenciale e parlamentare në Kosovë, kur lideri historik i lëvizjes për liri e pavarësi Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President.

Shumë nga ato që shkruaja në reportazhet e ardhmërisë – futuristike atëherë e që dukeshin si ëndërra,  që ishin ngjarje të fantazuara-parashikuara, tashmë janë realizuar në Kosovën e lirë nga Qershori 1999 dhe të pavarur nga 17 Shkurti 2008…

Reportazhi i ardhmërisë II “Udhëtimi për në Prizren” i para më shumë se çerek shekulli ishte ky:

 UDHËTIMI PËR NË PRIZREN

(Reportazhi i ardhmërisë II)

Behlul JASHARI

Nuk kishte arritur as t’i shfletojë mirë botimet e  mëngjesit, të gazetave që i kishte marrë në Tiranë, e as ta pijë deri në fund kafenë. Udhëtimi me aeroplan nga Rinasi deri në Sllatinë kishte zgjatur vetëm njëzet e tre minuta. Kishte fluturuar mbi brerimat e bardha të reve, e nga dritarja nuk kishte mundur as përafërsisht të shohë a të përcaktojë se ku mund të jetë vija e kufirit, prej nga vinte lajmi i ditës, që e kishin botuar të gjitha gazetat: “Hiqen gurët e kufirit…”  Njoftohej se lumjanët me daulle, si në dasma, kishin dalë t’i hiqnin gurët, që para shumë e shumë viteve kishin venë kufi midis tokave të tyre. Nuk ishte ky kurrëfarë incidenti kufitar, por edhe paralajmërim i një ngjarjeje, për të cilën reporteri nga Tirana ishte nisur për në Prizren.

            Kishte ardhur më parë në Prishtinë për të shfletuar kronikat e viteve të bujshme të Kosovës. Donte të bënte edhe një kronikë ngjarjesh që i paraprinë një Kuvendi të madh kombëtar, që do të mbahej pas një kohe në Prizren, në kryeqytetin e Lidhjes Shqiptare. Në Prizren pritej edhe  manifestimi qendror i përurimit të autostradës Lezhë-Prizren-Prishtinë, të ndërtuar nëpër shtigjet e rrugës së vjetër  Lis-Dardani…

            Pikërisht udhëtimet Kosovë-Shqipëri nëpër vite ishin një nga interesimet gjatë shpalimit të kronikave në Bibliotekën Kombëtare e Universitare  në Prishtinë. Viti 1996 iu duk se ishte një vit kthesë. Më 1 prill të këtij viti,  për herë të parë pas shumë viteve,  shqiptarët e Kosovës së pushtuar filluan të udhëtojë për në Shqipëri pa viza dalëse, që i kishte aplikuar regjimi i Beogradit për të penguar komunikimet ndërshqiptare. Rexhimi i vizave ishte tepër rigjid. Vetëm brenda një viti mbi një mijë shqiptarëve të Kosovës iu kishin konfiskuar pasaportat e u ishin shqiptuar dënime nga policia e nga gjyqet serbe vetëm e vetëm pse kishin udhëtuar në Shqipëri pa viza dalëve. Po, udhëtimet nuk ndaleshin me gjithë vrasjet në kufirin e ndodhur nën kontrollin e hekurt të forcave serbe.

            Pasi ishte hequr regjimi i vizave dalëse, sipas kronikave të kohës, Prizreni priste të bëhet qendër shumë e rëndësishme e komunikimeve ndërshqiptare nëpër magjistralin Prishtinë-Lezhë. Magjistrali është quajtur rrugë e ardhmërisë nëpër shumë shkrime gazetash  të vitit 1996, kur nga Prishtina për në Tiranë udhëtohej më shumë nëpër Podgoricë apo Shkup dhe udhëtimi zgjaste deri shtatëmbëdhjetë orë. Ishte llogaritur se magjistrali Lezhë-Prizren do të shkurtonte për tre herë rrugën nga Kosova për në bregdetin shqiptar. Midis këtyre dy qyteteve shqiptare  ai magjistral i shtrirë nëpër luginat e lumenjeve Fani i Vogël e  Drini i Bardhë do të kishte maksimum 130 kilometra…

            Tek shfletonte kronikat e vitit 1996 në Kosovë, gazetarit nga Tirana përshtypje të veçantë i bëri edhe një titull i madh në faqen e parë të gazetës: “Jemi zotuar për të ardhmen  e lirinë tuaj”. Ishin këto fjalët e ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit Xhon Kornbllum në hapjen e Zyrës Amerikane në Kryeqytetin e Kosovës, më 5 qershor. “Kjo është një ditë historike për Kosovën”, deklaronte me këtë rast presidenti i Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova.

            Shfletimi i kronikave për përfaqësinë e parë të një shteti të hapur në Kosovë ia përkujtoi se duhet të shkojë brenda ditës në ambasadën e Shqipërisë në Prishtinë, në kuadrin e ambasadave në kryeqytet…

            Derisa po kthehej, kishte rënë nata, rrugët dhe sheshet e kryeqytetit të ndriçuara me neon ishin të mbushura plot njerëz.  Masa e njerëzve që shëtitinin në atë mbrëmje të këndshme ia kujtoi të dhënën se numri i banorëve të Kosovës kishte arritur në mbi tre milionë.

            U ndal më gjatë para reklamave të kinemave e teatrove të kryeqytetit. E shihte se do ta kishte vështirë të përcaktohej ku të shkojë, por as nuk kishte kohë. E priste takimi me kolegët gazetarë të Prishtinës në hotelin “Bozhurët e Kosovës”, ku ishte vendosur. I pihej edhe një raki rrushi e Rahovecit…

            Po, kishte pirë edhe ca më shumë, dhe derisa po lexonte teletekstin shqiptar dhe gazetat e mbrëmjes, e kishte zënë gjumi. E kishte zgjuar herët cingërrima e telefonit. Ishte një telefonatë nga Tirana, që e paralajmëronte se pas një ore duhej të paraqitej drejtpërdrejt me raport për lajmet e mëngjesit në Televizion.

            Raportin e kishte në mendje, po, megjithatë, po e shkruante edhe në letër: “Në Prishtinë dhe në gjithë Kosovën pritet me interesim shumë të madh  Kuvendi gjithëkombëtar, që do të mbahet në Prizren. Pritet edhe përurimi i magjistralit…Heqja e gurëve që shënonin kufirin është manifestim i entuziazmit e gëzimit të popullit për bashkimin kombëtar që paralajmërohet…”

            Pas festës së madhe që paralajmërohej me mbajtjen e Kuvendit kombëtar në Prizren po e priste edhe një festë e bukur: Dita e Verëzes – Dita e Luleve.

Është kjo një festë e lashtë iliro-pagane, që, pos në Prizren e rrethinë, nga të gjitha trojet shqiptare festohet vetëm edhe në Elbasan, në të njëjtën ditë, më 14 mars,  po me emër ca ndryshe: Ditë e Verës – Ditë e Luleve. Prandaj, në këtë festë në Prizren udhëton edhe një delegacion nga qyteti i Elbasanit.

            Kështu, si një surprizë hyn edhe Festa e Luleve në reportazhin e ardhmërisë të reporterit në udhë për në Prizren, prej nga do të kthehet përsëri në Tiranë, për herë të parë nëpër magjistralin e sapoperuruar, vetëm për afër dy orë. E, në Vermicë s’do të jetë më pika kufitare, s’do të jetë më kufiri…

KRONIKË KUFIRI

Kufiri Kosovë-Shqipëri nuk është më si fundi i botës. Pas shumë vitesh kalohet sot për herë të parë pa viza dalëse nëpër pikën kufitare të Vermicës. Po, megjithatë, aty ende ndalojnë forcat serbe dhe është një kontroll i hekurt.

Në njërën anë – bunkerët e betonit, që kanë mbetur si të harruar e janë mbuluar nga ferrat e bari.

Në anën tjetër – “piramidat e betonit”, kaherë të vendosura në zonën kufitare si “pengesa antitanke”.

E, mbi të gjitha pejzazhet shqiptare, midis të cilave sikur mbytet vija e mallkuar e kufirit të aq shumë ndarjeve. Mbi malet e ashpra me borë të Sharrit, Pashtrikut e Koretnikut fluturon një Shqiponjë, nëpër qiellin e përflakur nga dielli në pranverë si në sfondin e flamurit.

E, jo vetëm stinën, por edhe kohën që vjen, sikur e paralajmërojnë dallëndyshet e lejlekët që fluturojnë mbi syprinat e kaltra të lumit të Drinit.

Megjithatë, vetëm zogjtë kalojnë kufirin pa pengesa…(Vermicë, 1 prill 1996)

NGA REPORTAZHI IM I MARSIT 1996 “MURI NDËRSHQIPTAR SI ‘FUNDI I BOTËS’”:

E më pak se dy javë para 1 Prillit 1996, jo rrugës po nëpër male fshehtas nëpër shtetrrethimin e forcave serbe shkova deri afër kufirit Kosovë-Shqipëri dhe nga një kodrinë shihja si dukej e çka ndodhte në vendkalimin kufitar në Vermicë-Morinë, prej nga shkrujta reportazhin “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”, të cilin e botova në gazetën e rezistencës “Bujku” më Prishtinë para 26 viteve, në 18 Mars 1996.

Reportazhin e dërgova edhe në Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë. Në “Paraqitje e shkurtër e regjistrimeve të gjetura” të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë e gjejë se reportazhi është botuar në 19 Mars 1996 edhe në gazetën Rilindja që dilte në Tiranë pas ndalimit nga regjimi okupues në Prishtinë. Në atë reportazh mes tjerash, kam shkruar:

“Një grup i të rinjëve dhe të rejave nga rrethi i Prizrenit, ditë më parë ishin penguar të shkojnë në Shqipëri, meqë nuk iu ishin dhënë vizat dalëse nga administrata e instaluar policore serbe në Prizren.

Qëllimi i udhëtimit të tyre në Shqipëri ishte të marrin pjesë në festën e njohur të qytetit të Elbasanit-të Ditës së Verës, Ditës së Luleve, të 14 Marsit.

Donin të shihnin se si kremtohet në Elbasan e njëjta festë që është edhe në Prizren e rrethinë”…

***

Pas botimit të reportazhit “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”, që edhe u përkthye dhe arriti edhe te diplomatë më erdhi edhe mesazhi se kurrë më nuk do të jetë ashtu ai kufi…

Filed Under: ESSE Tagged With: Behlul Jashari

Kosova e Shqipëria duhet të frenojnë shpopullimin e vendit

November 16, 2022 by s p

Mhill Gjuraj/

Shpopullimi i Kosovës dhe Shqipërisë është një plagë e rëndë kombëtare. Shtetet tona duhet të veprojnë urgjent në marrjen e masave për parandalimin e kësaj plage shfarosëse. Ikja e rinisë dhe intelektualëve plakë e varfëron kombin tonë. Ikja e njerëzve nga vendet e tyre ndodh si pasojë e korrupsionit dhe dobësimit të forcës së shtetit. Investitorët e huaj e vendas në Kosovë e Shqipëri duhet me pas garanci ku investojnë. Burokracitë shtetërore duhet të zhduken. Shteti duhet të mbrojë qytetarin, ti krijojë shanset dhe të shpallë luftë pa kompromis ndaj korrupsionit. Shteti duhet të bëjë transparencë në menaxhimin e fondeve publike, në investimet e huaja. Kombi është në rrezik. Nuk po mbetet askush në trojet tona. Njerëzit ikin nga halli jo nga qejfi. Të gjitha institucionet, feja, organizatat duhet të punojnë fort ta luftojnë këtë depresion masiv. Diaspora shqiptare e Amerikës duhet të investojë më shumë në Kosovë e Shqipëri. Është detyrë patriotike të investosh në shtetin tënd, në atdheun tënd.

Filed Under: Mergata Tagged With: Mhill Gjuraj

MARRËDHËNIET SHQIPTARO-AMERIKANE DHE NDRYSHIMI I DIASPORËS  SHQIPTARE

November 16, 2022 by s p

Të shtunën, 12 nëntor 2022, Shoqata e Studime Shqiptare (SAS), organizoi Panelin me titull: “Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane dhe ndryshimi i diasporës shqiptare. ” Në panel morën pjesë studiues ekspertë me punime të një niveli të lartë shkencor si: “Një revolucion i politikës: Nënë Tereza dhe presidentët amerikanë” – Ines Murzaku, Seton Hall University, “Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara: Nga armiq të betuar ne partnerët strategjikë” – Elez Biberaj, Zëri i Amerikës, “Komuniteti Shqiptaro-Amerikan dhe Marrëdhëniet SHBA-Shqipëri” – Nicholas Pano, Western Illinois University, “Levenxhe dhe prania e saj në komunitetet shqiptaro-amerikane të diasporës” – Alexis Zoto, Universiteti i Kalifornisë Jugore, diskutues: Elton Skendaj, Georgetown University, kryetar: Nicholas Pano, Western Illinois University. Shoqata e Studime Shqiptare u themelua në vitin 1973 dhe është një organizatë nën Shoqatën Amerikane për Studime të Sllavistikes, Evropës Lindore dhe Euroaziatike (ASEEES). Shoqëria për Studime Shqiptare (SAS) është një organizatë akademike, ndërkombëtare, ndërdisiplinore me qendër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e dedikuar për të promovuar studime akademike, profesionale, kritike ne kërkim të te gjitha aspekteve të kulturës, shoqërisë dhe politikës shqiptare, veçanërisht në lidhje me vendet e Shqipërisë. Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, si dhe diaspora shqiptare në mbarë botën. Profesor Ines Angeli Murzaku nga Seton Hall University do te marrë Presidencën e oranizatës në Janar 2023.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ines Murzaku

ROLI I DIASPORËS SHQIPTARO-AMERIKANE DHE BASHKIMI I KOMBIT – ËNDËRRA QË NUK SHUHET

November 16, 2022 by s p

Në muajin e Nëntorit – Nëntorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe 100-vjetorit të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane

Nga Frank Shkreli

Ribotim i një fjalimi të mbajtur nga autori — në darkën e shtruar nga Federata Pan-Shqiptare Vatra me rastin e 28 Nëntorit, 2009, në Nju Jork.  Po e ndaj me lexuesit 13 vjetë më vonë, në frymën e Ditës së Pavarësisë të 28 Nëntorit, 2022.  Tema ishte “Bashkimi”, realizimi i të cilit, fatkeqësisht, mbetet ende një ëndërr e parealizuar në të gjitha nivelet kombëtare për shqiptarët, por një ëndërr që nuk shuhet kurrë dhe nga e cila nuk duhet hequr dorë.

                          ——————————————


“…E ndjejë veten fatlum dhe pushtohem nga një ndjesi e vecantë tërheqëse që gjëndem sonte këtu në mesin tuaj.  Sonte, ne të gjithë jemi pjesëmarrës në një aktivitet të bashkimit kombëtar, të lidhur shpirtërisht me kryeqendrat më të mëdha shqiptare në Balkan, me Tiranën, Prishtinën e Shkupin, për të celebruar festën e madhe pan-shqiptare, 28 Nentorin, Ditën e Flamurit, Ditën e Pavarësisë.

Jo se organizatave tjera u mungon pritja, por besoj se askund jashtë trojeve tona nuk ndihet fryma e atdheut, si ndihet sonte në ketë mes.  Është shumë domethënës fakti që qendrat fetare dhe organizatat politike e kulturore të komunitetit shqiptaro-amerikan bashkohen sonte këtu për të festuar Përvjetorin e ngritjes së Flamurit dhe Ditën e Pavarësisë.

Bashkimi është një ënderrë që na fton — e nuk duhet të heqim dorë prej kësaj endërre.

Vatra e Fan Nolit dhe e Faik Konicës vazhdon të jetë një pohim dhe simbol i shqiptarizmës së vërtetë. Gjatë një shekull histori, ajo i tregoi botës se mbi kufij arbitrarë politikë, mbi përpjekjet përdhunuese 50-vjeçare të komunizmit shqiptar e ndërkombtar mbi kombin tonë – rreh fryma unjisuese e zanafillës së njejtë, si edhe vetdija se në vlerat tradicionale arbërore të shqiptarit qëndron fisnikëria e kombit tonë.  

Më lejoni pra të propozoj që sonte — në kete përvjetor të pavarësisë dhe lirisë kombëtare — të kujtojmë me respekt ata burra dhe gra që patën guximin, karakterin, nderin e burrëninë të themelonin VATRËN –në mergim — por në shërbim të Atdheut. VATRËN dhe komunitetit shqiptaro-amerikan, e cila bëri që emri shqiptar të gjëmonte nepër Kancelaritë, Kongreset dhe Parlamentet e botës, ateherë kur dielli nuk bënte dritë për Kombin shqiptar, duke çuar më në fund në njohjen e të drejtave të shqiptarëve; VATRËN e Nolit e cila  ndezi zemrat e gjithë shqiptarve për liri e demokraci    —   në falënderim ua dedikojmë ket natë.

Megjithse është natë festimi, nuk mund durohem pa venë në dukje se kohët e fundit janë dëgjuar zëra nga Shqipëria që denigronin udheheqjen e Vatrës, dhe të gjithë veprimtarinë e sajë dhe të komunitetit shqiptaro-amerikan në përgjithësi, komunitet ky që bëri aq shume për Shqipërinë e Kosovën, duke mos kursyer asgjë për lirinë dhe demokracinë e shqiptarëve në trojet e veta. Vatra dhe organizata të komunitetit shqiptaro-amerikan të pranishme sonte këtu — në të kaluarën dhe sot — terrorit dhe vuajtjeve te bashk-kombasve në Shqipëri, Kosovë e gjetiu, u janë përgjigjur gjithmonë, njëzëri:
“Mbahu nëno mos kijë frikë
Se ke djemt në Amerikë.”
Si çdo president i Amerikës në të kaluarën ashtu edhe sot, Presidenti amerikan Barack Obama në deklaratën që ka berë ketë javë me rastin e 28 Nëntorit, i ben homazh komunitetit shqiptaro-amerikan duke thenë se: “Këtu në Amerike, ata që prejardhjen e kanë nga Shqipëria, përbejnë një pjesë të rëndësishme të këtij Kombi.”

Në ketë ditë te shenjte, të gjithe ne kujtojmë me mall atdheun, trimeritë e herojtë kombetarë, fuqinë, guximin dhe ndjenjat e atdheut.  Siç vertetojnë edhe kenget e arbereshve, qe ne kohet me te lashta, Shqipenia formonte nje teresi ne mendje dhe në zemer e nuk ndahej në fise, siç e paraqitnin armiqët e sajë.  Sot, keto ndjenja jane edhe me të thella ne radhet e shqiptarëve kudo, por posaçërisht për ne shqiptaret e Amerikes. Sot, si asnjë ditë tjetër, ne jemi me afër Atdheut dhe flamurit të Arbërit.
Në Ameriken e Washingtonit, Jeffersonit  dhe Lincolnit, djepit të demokracise dhe të drejtave te njeriut, ne e kujtojmë kete ditë kaq të shënuar të kombit tonë, i cili për shekuj me radhë, “jetoi me armë në dorë dhe me dorë në armë”, vetëm e vetëm per të qenë zot në truallin e vet.
 
 Si për shqiptarët kudo, ashtu edhe për në ketu në Amerike, 28 Nentori ndeze një zjarr dashurie, ngjallë shpresë dhe në jehonen e kesaje dite, secili shpalos kujtimet e luftëtareve shqiptarë.  Sot, patriotët e vertetë, duke lenë menjanë bindjet e ndryshme dhe ndasitë politike, të gjithe e ndjejmë veten se bejmë pjesë në një sofër kombetare — duke festuar 28 Nentorin, Diten e Flamurit dhe të shpalljes së Pavaresise se Shqiperisë.

Pasi shpallja e pavaresise u be nga perfaqsues te te gjitha trevave shqiptare, ajo u shpall per te gjithe shqiptaret, prandej sonte, ne kujtojme Gjergj Kastriotin në Lezhe, Abdyl Frasherin në Prizren, bashke me zbrijtjen në Vlorë te Ismail Qemalit, Luigj Gurakuqit, Pandeli Cales, Isa Boletinit, e të tjereve.  Në veshët tonë, jehon sonte kushtrimi i Bajram Currit, Ded Gjo Lulit, Mihal Gramenos e i Çerciz  Topullit.

Ne, si shtetas amerikanë, kjo ditë na sjell gjithashtu ne mend, perpjekjet e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe udhëheqësve të tij në periudha të ndryshme, në mbrojtje të interesave kombëtare.  Por na kujton gjithashtu edhe përpjekjet e ish-presidentit amerikan Woodrow Wilson, i cili kishte në zemer fatin dhe interesin e kombeve të vegjel – në një kohe kur ato ishin në planet perçarëse të fuqive te medha të asaje kohe.

Interesimi dhe përkrahja e Presidentit Wilson për pavaresinë e Shqiperisë eshtë venë ne dukje shpesheherë dhe tashti eshtë berë pjesë e historisë.  Por dua të permend vetem përvojen e një shqiptaro-amerikani të dalluar, dmth. te Fan Nolit, sipas te cilit gjate nje takimi me të, ai i beri thirrje Presidentit Wilson qe te shpetonte racen heroike shqiptare. Sipas Nolit, Wilsoni iu pergjigj: “Nje ze do te keme ne Konferencen e Paqes dhe kete ze do ta perdor per te miren e Shqiperise”.

Sa herë eshtë perseritur kejo skene takimesh midis perfaqsuesve te komunitetit shqiptaro-amerikan me presidente dhe kongresiste amerikane gjate shekullit te kaluar e deri me sot.  Ne kohet moderne, ishte Presidenti Bill Clinton — ai qe ne fund te shekullit te kaluar bindi dhe udhehoqi boten që te vërsulej kundër forcave armike serbe — duke shpëtuar kështu shqiptaret e Kosoves nga mizoritë me të egra dhe nga shfarosja, duke u siguruar atyre lirinë e mohuar për nje kohe aqe të gjate.

Me kujtohet mire takimi i perfaqsuesve te komunitetit shqiptaro-amerikan me Presidentin demokrat Bill Clinton dhe keshilltaret e tij te sigurimit kombetar, me 31 Mars, 1999.  Ne kete takim, ne te cilin merrnin pjese antare te dalluar te komunitetit shqiptaro-amerikan, nder ta edhe kryetari i Vatres Zoti Agim Karagjozi — iu bë thirrje qeverise amerikane qe bombardimet kunder Serbise te vazhdonin derisa forcat e Millosheviqit të terhiqeshin nga Kosova dhe që qindra mijëra shqiqptarë të Kosovës të ketheheshin ne shtepitë e tyre.

Dhe pak  vite me vonë, ishte nje president tjeter amerikan, Presidenti republikan George W. Bush, ai i  cili nga Tirana i beri thirrje botes, qe me ne fund, te njihej pavaresia e Kosoves.  “Mjaft eshte Mjaft, tha Zoti Bush dhe vazhdoi duke thene se “Kosova do te jetë e pavarur. Ky eshte qendrimi im – Kosova duhet ta dije se ky eshte nje qendrim i prere dhe i forte”, ka thenë presidenti Bush.  Dhe keshtu u bë.  Sot, Kosova eshte shteti me i ri i botes, fale perkrahjes së patundur të Shteteve te Bashkuara të Amerikes.
 
Komuniteti shqiptaro-amerikan duhet te jete shume krenar per arritjet ne favor te kombit dhe, ne te njejten kohe, mos te harrojme se ishte flamuri amerikan, perkrah atij kombëtar i cili solli lirinë per shqiptarët. Ishte flamuri amerikan ai qe u beri te mundur shqiptarëve qe perseri te jetojne te lire e me dinjitet ne trojet e tyre mijevjëçare.

Dhe mos te harrojme se perkrahja e Shteteve te Bashkuara per shqiptaret gjatë historisë — me perjashtim të periudhes së zezë komuniste — ishte dhe eshte percaktuese per arritjen e sukseseve tona kombëtare.

Ishte i ndjeri President Ibrahim Rugova, ai i cili e kishte kuptuar kete me mirë se çdo kush tjeter. Më kujtohet se ne çdo takim e bisede zyrtare dhe jo zyrtare me amerikanë,  gjithmonë,  bente thirrje — e jo më kot — “per miqesi te perhershme të shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Vete Presidenti Bill Clinton gjate vizitës se tij muajin e kaluar ne Kosove, ku mori pjese ne per-urimin e statujes se tij ne Prishtine, tha se e ndiente veten krenar se kishte  pasur nje mik te posacem dhe shume te çmueshëm: Presidentin historik te Kosoves, Ibrahim Rugoven, i cili sipas Zotit Clinton, ia kishte shpjeguar atij, si askush me parë, realitetin e shqiptarëve në Ballkan.

Ky 28 Nentor eshte gjithashtu nje dite per te festuar, nder te tjera, arritjet e permasave kombetare: pavaresine e Kosoves sigurisht, por edhe antaresimin e Shqiperise në NATO, gje qe realizoi enderrën euroatlantike të shqiptareve,  si dhe ndertimin e autostrades kombëtare.  Jam i sigurt se te gjithe ne jemi krenarë per keto fitore, ndërsa pergezojme qeverinë e Kryeministrit Sali Berisha per këto arritje historike te kombit.

Shpresojme qe ne 28 Nentorin e ardheshem, ketyre sukseseve tu shtohet edhe festimi i antaresimit te Shqiperise ne Bashkimin Evropian.   28 Nentori eshte gjithashtu nje rast i mire per te reflektuar se si kemi ardhur deri ketu dhe cila duhet te jete e ardhmja e Shqiperise, e Kosoves dhe e gjithe shqiptareve ne Balkan.

Brezi i sotem i politikaneve shqiptare ka nje rast si kurr me pare, por edhe pergjegjesi  te larte para kombit dhe historise qe te jete i vetdijshem se situata e soteme e favorshme e shqiptareve ne Ballkan ka kushtuar shume  sakrifica dhe sakrifikime si familja e Adem Jasharit, e të tjera  anë e mbanë Kosovës —  mundime të papërshkrueshme, djersë e gjak të breznive c’prej Gjergj Kastriotit Skenderbe e deri me sot.  

Per te shtuar dhe fuqizuar ndjenjat e atdhedashurise dhe t[ mires se perbashket kombetare, politikanet e sotem shqiptarë kudo, por sidomos ne Shqiperi e Kosove, duhet te kene gjithmone parasysh perpjekjet e atyre qe me urtesi te mendjes dhe me trimeri luftarake, siguruan emrin e ndershem qe kombi yne gezon sot ne radhët e kombeve perendimore – e tu kushtojne me pak vemendje interesave te perkoheshme personale e partiake.

Ështe pra, nje gje e denje dhe e drejte qe ne kete dite,  te perkujtojme deshmoret te cilet me sakrificen, virtytin dhe meriten e tyre  shpetuan kombin dhe na sollen si kurr me pare ne histori, ne prak te realizimit te enderrave tona shekullore, per te ndertuar — të lirë  — të ardhmen e Kombit shqiptar, të bashkuar ne trojet arbërore mijëvjecare, ku të parët tanë kanë jetuar gjataë gjithë historisë.  

Dua te perfundoj duke bere thirrje qe sot, institucionet shteterore ne Shqiperi e Kosove, partitë politike dhe shoqëria shqiptare, ne pergjithesi  si dhe te gjithe shqiptarët kudo qe jetojne, te zotohen dhe të angazhohen që të jetojne ne lartesite e flamurit kombetar, per konsolidimin e shtetit modern, per bashkpunim te te gjitha forcave politike per te miren e kombit, per dialog – dhe jo bojkotim – ne reformat madhore qe do te bejne te mundur arritje edhe me te medha te kombit, ne vitet e ardheshem.

“Të lidhim besa besen, të lëftojmë për të drejtat e për nderin e Shqiperisë dhe t’u rrefejmë te huajve se rrojme e duam të rrojme me nder ne vendin tonë.”  Keshtu porosiste Faik Konica.  Dhe një bashk-kohas i Konices, At Pjetër Mëshkalla ka thene: “Prej të Parëve, pritëm nji Shqipëni te lirë—Nipat tonë presin prej nesh nji Shqipëni të lumtun”.

Gjithmonë me besimin dhe shpresën se drita e agimeve të reja po shendritë mbi bashkimin e shqiptarëve dhe bashke me te edhe rrezja e bekimit te Madhit Zot.

Urime mbarëkombetare per kete dite te shenjte.

Ju falem nderit.

Frank 

Shkreli
New York
11/28/09

Filed Under: Fejton Tagged With: Frank shkreli

Promovim dinjitoz i librit “ VERGISS NIEMALS – MOS HARRO KURRË “, të autorëve: Nusret Pllana e Agim Aliçkaj

November 16, 2022 by s p

12 Nëntor 2022

BAJERN – LANDAU

Rëndësi të veçantë këtij promovimi i kushtoi edhe shtypi gjerman!

Organizator: Shoqata „ILIRIDA“ – Landau

Në amfiteatrin e bukur të qytetit Landau të Bajernit të Gjermanisë, në një atmosferë të bukur, ku ishin të pranishëm një numër i madh i vëllezërve dhe motrave tona gjithandej Mërgatës Shqiptare nga Gjermania, ku muar pjesë aktive edhe Kryetari i Komunës Landau, z. Thomas Lorenz( të cilit z. Pllana ia dhuroi librin „Terrori i Serbisë Pushtuese mbi Shqiptarët 1844- 1999, i përkthyer në 8 gjuhë të huaja), z. Tefik Jaha – Kryetar i Shoqatës kulturore e humanitare shqiptaro – gjermane  ILIRIDA, z. Mirsim Gashi, z. Sevdail Gashi, gazetari i mirënjohur shqiptar dhe Kryetari i Ballit Kombëtar të Kosovës, z. Gazmend Islami nga Nyrnbergu, gazetarja gjermane Andrea Schwarzmeier, gazetari gjerman Von Christian Melis, Ujkan Nikçi, Lumni Nimani, Bahri Shyti, Salih Dernogllava, veprimtari dhe intelektuali shqiptar nga Ukraina Aleksandër Lekaj, arsimtarja e nxënësve shqiptarë në Landau, znj. Mervete Ismajli, poetja e re dhe e talentuar, njohëse e shumë gjuhëve të huaja, Greta Miftari etj., të cilët me emocione e duartrokitje të shpeshta i nderonin autorët e librit Vergiss Niemals –  Mos harro kurrë, por edhe bashkëautorët e filmit dokumentar Gjenocidi serb mbi shqiptarët 1844-1999, Nusret Pllanën e Esat Shalën. 

Shumë faleminderit organizatorit, z. Tefik Jaha me ekipën e tij , për këtë manifestim kaq dinjitoz e mbreslënës për të gjithë pjesmarrësit e kësaj mbrëmje të suksesshme!

P. S. Pas promovimit të këtyre veprave publicistike dokumentare, të pranishmit e shumtë në selinë e Shoqatës „ILIRIDA“, i argëtoi me një program të pasur muzikor, këngëtari i mirënjohur shqiptar, z. Halit Gashi me ekipën e tij, të cilët i falënderojmë përzemërsisht!

Shkruan: Nusret Pllana

Filed Under: Emigracion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT