• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2022

Glauk Konjufca: Republika e Kosovës është në rrugën e duhur

December 22, 2022 by s p

Në prag të festave të fundvitit, Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë organizoi sot pritje për korin diplomatik në Kosovë, në të cilën mori pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca.

Hapjen e eventit në emër të Komisionit për Punë të Jashtme e bëri kryetari i këtij komisioni, Haki Abazi, i cili në fjalën e tij të rastit falënderoi ambasadorët për punën dhe mbështetjen e dhënë përgjatë tërë vitit. Ai numëroi sukseset e Komisionit, duke thënë se është bërë një punë dinamike gjatë vitit që po lëmë pas. Deputeti Abazi po ashtu përmendi liberalizimin e vizave dhe angazhimin që duhet vazhduar në mënyrë që Kosova të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian dhe organizatave tjera ndërkombëtare.

Ndërsa kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, duke falënderuar ambasadorët dhe përfaqësuesit e tjerë diplomatikë të akredituar në Prishtinë për mbështetjen e tyre të vazhdueshme ndaj Republikës së Kosovës dhe qyetetarëve të saj, theksoi se partneriteti me shtetet mike po krijon të ardhme për të gjithë qytetarët e vendit tonë.

Tutje kryetari Konjufca theksoi se përkundër sfidave gjatë këtij viti, në nivel vendi dhe më gjerë, ka pasur edhe zhvillime të frytshme të cilat i kanë dhënë Republikës së Kosovës imazh shumë të mirë ndërkombëtar.

Duke uruar për një vit edhe më produktiv, kryetari Konjufca theksoi se Republika e Kosovës është në rrugën e duhur dhe se institucionet shtetërore janë dhe do të jenë gjithmonë pranë qytetarëve tonë.

Filed Under: Analiza

Nesër te VATRA, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dhe Federata Vatra nderojnë Dalip Grecën

December 21, 2022 by s p

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë në bashkëpunim me Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA do të nderojnë Dalip Grecën, Editorin e Diellit (2009-2021), Pas Vdekjes, me çmimin Karriera.
Pjesë e kësaj ceremonie do të bëhet edhe promovimi i librit të Kryetarit të Unionit të Gazetarëve z.Aleksandër Çipa “Dheas të fjalës”.
Ceremonia do të zhvillohet nesër në Selinë Qëndrore të Federatës Vatra: 2437 Southern Blvd, The Bronx, NY 10458, ditë e Enjte, 22 Dhjetor 2022, ora 6 PM.

Ftohen mediat dhe komuniteti të marrë pjesë.

Filed Under: Politike

‘XHEVDETDODASIT’ E PRISHTINES DHE UÇK-ja

December 21, 2022 by s p

Nga: Binak Ulaj, drejtor i Gjimnazit “Xhevdet Doda” të Prishtinës gjatë viteve 1998-1999/

Duke vlerësuar se kontributi i nxënësve të gjimnazit ‘’Xhevdet Doda’’ të Prishtinës në kuadër të lëvizjes gjithëpopullore për çlirimin e Kosovës dhe në mënyrë të veçantë në kuadër të organizimit luftarak të Lëvizjes Popullore të Kosovës, që i parapriu themelimit dhe daljes në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, zë fill që nga vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, po e lexoj tekstin e shkurtuar të titulluar ‘’Xhevdetdodasit – ndihmëtarë të paepur të luftës së UÇK-së’’, kushtuar atij grupi entuziast dhe idealist, në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi të përhershëm. 

Në vitin 1997 Kosova po hynte në një periudhë vendimtare historike, asaj të ngritjes në luftë të armatosur, si mënyra e vetme për t’ u çliruar nga pushtuesit serbë e malazezë, siç ishte paraparë në programet e të gjitha organizmave të Lëvizjes Kombëtare Çlirimtare. Mbështetjes së luftës së UÇK-së nga nxënësit e gjimnazit “Xhevdet Doda” të Prishtinës, i kishte paraprirë mbështetja e po këtyre nxënësve dhënë Lëvizjes Studentore të Universitetit të Prishtinës të viteve 1997-98-99, e cila ishte uverturë e daljes publike të UÇK-së. Xhevdetdodasit do të marrin pjesë në të gjitha demonstratat e organizuara nga UPS i UP-së.

Organizimi i tryezës politike “Kosova, lufta çlirimtare dhe mundësitë e zgjidhjes së çështjes së Kosovës”

Në rrethanat kur udhëheqja politike e Kosovës, e cila përfaqësonte politikën pacifiste në rrethana okupimi, nuk e kishte mbështetur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke krijuar kështu huti dhe përçarje në mesin e popullit, nxënësit e gjimnazit “Xhevdet Doda” të Prishtinës, përkatësisht udhëheqja e Rinisë Shkollore dhe e revistës së saj “Gjimnazisti” e vitit shkollor 1998-1999 kishin vepruar në mënyrë rrënjësore të ndryshme nga kjo politikë pacifiste – maturantët xhevdetdodas në mënyrë të hapur e të fuqishme jepnin mesazhin e mbështetjes së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nxënësit Samire Ademi, Besfort Rrecaj, Arianit Bytyçi, Fiton Peja, Bujar Sadiku, Kushtrim Berisha, Albana Rexhepi, Valbona Ruka, Ermal Sadiku, Kreshnik Gashi dhe nxënës tjerë që në shtator të vitit 1998, pra në momentin kur ishin zgjedhur në krye të organizatës së Rinisë Shkollore dhe të redaksisë së revistës “Gjimnazisti” kishin dëshmuar në mënyrë të hapur vullnetin dhe gatishmërinë e tyre për të mbështetur luftën çlirimtare. Fillimisht ata, në shtator të viti 1998, do të ftojnë njohës të rrethanave politike në një tryezë kushtuar luftës së UÇK-së, të titulluar “Kosova, lufta çlirimtare dhe mundësitë  e zgjidhjes së çështjes së Kosovës’’ në të cilën do të marrin pjesë  profesorët Blerim Reka, Behlul Beqaj, Arsim Bajrami, kryetari i Kuvendit të Unionit të Pavarur të Studentëve të UP-së, Muhamet Mavraj, profesori Sahit Berisha e drejtori i shkollës Binak Ulaj, si dhe Kryesia e Rinisë Shkollore, redaksia e revistës ‘’Gjimnazisti’’ dhe një numër i nxënësve tjerë. Pas diskutimeve u nxor konkluzion i përbashkët se lufta çlirimtare ishte e domosdoshme dhe se ajo duhej të përkrahej nga të gjithë. Këtë aktivitet të Rinisë Shkollore, si dhe pjesëmarrjen e nxënësve xhevdetdodas në të gjitha demonstratat e kohës do t’i përjetësojë me fotoaparatin e tij, profesor Shyqëri Obërtinca.

Në këto rrethana të luftës, kryeredaktori i revistës, Fiton Peja, redaktori përgjegjës Arianit Bytyçi, si dhe anëtarët e redaksisë Bujar Sadiku, Krenare Sogojeva, Albana Rexhepi, Valbona Ruka, Nita Bekqeli, Kaltrina Berisha, Vegim Beqiri, si dhe nxënësi që ishte shpërngulur nga Rahoveci, Qerim Ondozi, kishin përgatitur shkrime autoriale, poezi, intervista e anketa në mbështetje të luftës çlirimtare të UÇK-së. 

Shndërrimi i revistës së nxënësve të gjimnazit “Xhevdet Doda” të Prishtinës – “Gjimnazisti” në zëdhënëse urbane të UÇK-së në Prishtinë

Të gjithë këta artikuj gazetaresk, këta nxënës i kishin botuar në numrin e revistës shkollore “Gjimnazisti” të botuar në prag të festës së 28 nëntorit 1998. Në këtë mënyrë do të dëshmohej jo vetëm përkushtimi dhe pjekuria e tyre, por edhe vizioni për rrugën  e lirisë. Kështu, në “Gjimnazistin’’ e botuar në nëntor të vitit 1998, redaktori përgjegjës i “Gjimnazistit” Arianit Bytyçi në shkrimin me titull “UÇK po përgatitet për fitore të reja” të botuar pas ofensivës së shtatorit të vitit 1998 do të shkruante: “Serbia duhet ta ketë të qartë, se ofensiva kundër UÇK-së ka dështuar. Serbia ndoshta i ka marrë nën kontroll të përkohshëm disa territore, por UÇK-në nuk e ka shkatërruar dhe nuk mund ta shkatërrojë kurrë. UÇK është vetë populli. Lufta çlirimtare e trimave të lirisë po hyn në një fazë të rëndësishme dhe duhet ta kuptojmë një herë e përgjithmonë se vetëm vazhdimi i saj dhe një politikë më aktive mund të na çlirojë nga Serbia.”. Pra siç vërehet qartë, të gjitha shkrimet e nxënësve i përshkon ndjenja e optimizmit në fitoren e luftës. I tillë është reportazhi i Bujar Sadikut me titull “Nuk dorëzohen djemtë e Artakollit’’, ku ai mes tjerash shkruan: “Luftëtarët e lirisë qëndrojnë në mbrojtje të Artakollit. Ata gjatë luftimeve i shkaktuan humbje të mëdha forcave terroriste e paramilitare serbe….Më tej shihet Lajthishta, gërmadhat e së cilës flenë buzë hirit dhe tymit të “Kosovës B”. Breshëri armësh, plumbat vijnë nga lindja në drejtim të Hamidisë e Sibocit. Ra muzgu, askund dritë. Botë krejtësisht tjetër në Artakoll. Nata e gjatë dhe agu i ditës së re, tepër i vonë. Edhe kështu do të jetojmë në këto gërmadha, në tokën tonë, në tokën e të parëve tanë. Këtu jemi.”. Ndërsa, kryeredaktori Fiton Peja në këtë numër të “Gjimnazistit” në një shkrim në bashkëautorësi me redaktorin përgjegjës Arianit Bytyçi do të paraqiste një qëndrim të guximshëm politik për kohën. “Pa pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në negociata, nuk mund të arrihet kurrfarë  marrëveshje për statusin e ardhshëm të Kosovës. Edhe bota më në fund duhet ta kuptojë se pas agresionit serb në Kosovë, pavarësia e Kosovës është zgjidhja më e drejtë dhe më e qëndrueshme e problemit të Kosovës” shkruante ai. Duke qenë mbështetës të pa rezervë të Lëvizjes Studentore të UP-së, redaksia e revistës “Gjimnazisti” në përvjetorin e parë të demonstratës studentore të 1 tetorit 1997 kishte zhvilluar një intervistë me kryetarin e UPSUP-së, Bujar Dugolli. Intervista me titullin e fuqishëm “Rinia do ta çlirojë Kosovën”, e realizuar nga nxënësit Arianit Bytyçi dhe Vegim Beqiri ishte në frymën e afirmimit të luftës së UÇK-së. Nxënësit realizuan edhe një bisedë me pedagogen e gjimnazit, znj,Nazlishahe Luma, e cila theksonte rëndësinë e solidarizimin me nxënësit e zhvendosur nga zonat e luftës. Edhe shkrimi i nxënëses Krenare Sogojeva me titull “Shiu i rreptë”, edhe shkrimi i Kaltrina Berishës me titull “Një tufë lule për dëshmorët”, edhe poezia e nxënëses Nita Bekqeli, si dhe shkrimet e Albana Rexhepit e Valbona Rukës të botuara në numrin e nëntorit të vitit 1998, ishin tërësisht në përkrahjen e luftës çlirimtare të UÇK-së.

Më shkrimet e tyre dhe në mënyrë të veçantë me botimin në faqe të parë të emblemës së UÇK-së bashkë më rreshtin e luftëtarëve të lirisë, me botimin edhe të betimit të UÇK-së në brendi, shfaqej një orientim i qartë për lexuesit.  S’do mend se botimi i artikujve me emra të vërtetë të autorëve dhe shpërndarja haptazi në Prishtinë e një revistë shkollore me përmbajtje të tillë në vitin 1998 e 1999,  ishte akt guximi dhe gatishmërie për bartjen e pasojave nga këta nxënës, që ishin ende në moshë fare të re. Ata ishin të vetëdijshëm se kërkesa e strukturave të caktuara politike në Prishtinë, të cilët që prej vitesh këndonin këngën e hutinit për ruajtjen e paqes nën robëri, për mos politizimin e shkollës me shkrime të tilla, do të thoshte në fakt, politizim i saj negativ.  

“Gjimnazisti” mirëpritet nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës

Më e veçanta e këtij numri të “Gjimnazistit” i cili me përmbajtjen e vet ishte vënë tërësisht në mbështetje të luftës çlirimtare të Kosovës, ishte se ky numër i revistës, kishte arritur të dërgohej edhe në mesin e luftëtarëve të lirisë, të anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në Malet e Berishës dhe në zonën operative të Shalës, në Artakoll, rrëzë Maleve të Çyqavicës. Njëri nga anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Fatmir Limaj-komandant Çeliku, përmes një videoinçizimi të xhiruar nga kameramani i luftës Abaz Zeka, iu ishte drejtuar nxënësve xhevdetdodas me vlerësimet më të larta për mbështetjen dhënë luftëtarëve të lirisë:

“Si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i përshëndes të gjithë nxënësit e gjimnazit “Xhevdet Doda” të Prishtinës….Brenda rreshtave të revistës tuaj shkollore shoh se të gjithë këta djem e vasha me zemër e me shpirt janë brenda radhëve tona. …Ne e dimë se ju keni dëshirë të jeni në radhët tona. Ju porosis se nuk janë ushtarë të UÇK-së vetëm ata që kanë armë në duar. Ushtarë të UÇK-së janë të gjithë ata që ndihmojnë, që propagandojnë për luftën çlirimtare që po udhëheqin vëllezërit dhe motrat tuaja.

… Prandaj, vazhdoni, mësoni, luftoni. Luftë është edhe atje që bëni, prandaj vazhdoni, mos u thyeni, veproni. Unë jam i bindur se ju jeni të ditur, ndërsa mbi të gjitha jeni zemërpastër…..Ky është shansi i fundit. Kemi fatin që ne jemi gjenerata që do t’ia sjellë Kosovës lirinë. Është rast historik, të cilin ne si gjeneratë (në të ju përfshijë edhe ju të dashur nxënës të shkollave të mesme) nuk duhet lëshuar kurrsesi.

….Edhe njëherë në emër të UÇK-së ju përshëndes të gjithëve…. Posaçërisht përshëndes Arianit Bytyçin dhe Këshillin Redaktues të “Gjimnazistit”

Ky mesazh i anëtarit të ShP të UÇK-së, i dhënë më 28 Nëntor 1998, ditën e festës sonë kombëtare, ishte edhe një motiv shtesë për redaksinë e “Gjimnazistit” dhe për Organizatën e Rinisë Shkollore që të vazhdojë angazhimin në mbështetje të luftës çlirimtare. Në momentin kur mesazhi i xhiruar i komandant Çelikut arriti në redaksinë e “Gjimnazistit”, ai u botua në numrin festiv të revistës, në dhjetor të vitit 1998, pa asnjë frikë nga pasojat eventuale që mund të vinin nga regjimi shtetëror serb, si rezultat i botimit i këtij mesazhi, ku përmendeshin edhe emra të drejtuesve të “Gjimnazistit” dhe shpreheshin përshëndetje e falënderime ndaj tyre. Madje, duke mos u ndalur vetëm me kaq, redaksia e “Gjimnazistit” në numrin e radhës, që ishte numri festiv i Vitit të Ri 1999, kishte botuar në ballinë pikërisht fotografinë e komandant Çelikut duke shfletuar revistën “Gjimnazisti” dhe në prapavijë të kësaj fotografie ishte integruar një logo madhështore e UÇK-së, ndërsa në kopertinë ishte botuar po ashtu me ngjyra edhe kalendari i vitit 1999 me fotografi të luftëtarëve të UÇK-së. Në këtë numër festiv nxënësit Bujar Sadiku, Arieta Dragusha, Arianit Bytyçi, Fiton Peja, Kushtrim Berisha, Albana Rexhepi, Vigan Shabani, Valbona Ruka, Arbëreshë Selimaj dhe Ylli Karaçica kishin botuar shumë shkrime autoriale, reportazhe, anketa, intervista, poezi, dhe materiale tjera në mbështetje të luftës së UÇK-së.

Nxënësja Arieta Dragusha në një shkrim letrar “Ëndrrat tona do t’i kthejmë në realitet” shpreson për lirinë e Kosovës, përderisa nxënësi Kushtrim Berisha në shkrimin me frymë kritike të titulluar “Përderisa atje luftojnë! Këtu…!” e me nëntitull “UÇK-ja është shpresë dhe njëherit shpëtim kombëtar” shkruan: “Përderisa bijtë dhe bijat e Kosovës e sakrifikojnë jetën e tyre, derisa për pavarësinë e Kosovës shkrihet jeta e shumë ushtarëve, e këtu, këtu bëhet sikur jetojmë në një botë tjetër, në atë botë të ëndërrimeve, duke ndenjur nëpër kafeteri e duke hapur propaganda kundër UÇK-së… Por, fitorja është në duar të popullit, në duar të UÇK-së, sepse nuk ka pasion më të shtrenjtë se pasioni për atdheun”. Ndërsa, në një shkrim autorial, Arianit Bytyçi, pasi vlerëson rolin e UÇK-së gjatë vitit 1998, bën ftesë të hapur për mbështetjen saj: “Lufta e pjesëtarëve të UÇK-së, gjaku i dëshmorëve tanë, që ranë në fushën e nderit, bëri që çështja e Kosovës të gjendet në krye të agjendave ndërkombëtare, duke u trajtuar edhe në organet më të larta të OKB-së, si problem serioz që do zgjidhje të drejtë e urgjente. Prandaj, sot UÇK-ja me të drejtë konsiderohet si faktor real politik e ushtarak edhe nga institucionet relevante ndërkombëtare, që në asnjë mënyrë nuk mund të anashkalohet e injorohet. …Duke e çmuar dhe duke e mbështetur e ndihmuar UÇK-në plotësisht, ne ndihmojmë luftën tonë për lirinë e Kosovës. Sa më parë ta bëjmë atë, aq më mirë do të jetë për të gjithë ne. Koha nuk pret dhe secili prej nesh duhet ta japë kontributin konkret duke iu bashkëngjitur dhe duke mbështetur UÇK-në.”

Përmes artikullit “Së shpejti do të kthehemi në vatrat tona” që realizuan maturantët e ‘98-tës’, Valbona Ruka dhe Bujar Sadiku, u anketuan nxënësit e zhvendosur nga vatrat e luftës, Sokol Krasniqi, Arta Birinxhiku, Kosovare Kuçi, Arsim Bajraktari dhe Albana Ferizi. Ata njëzëri theksonin se çlirimi i Kosovës do të bëhet nga UÇK-ja. Po ashtu, nxënësi Vigan Shabani me shkrimin “Drenicë nuk je vetëm”, shpreh vendosmërinë për vazhdimin e luftës çlirimtare deri në arritjen e lirisë e të pavarësisë së Kosovës, përderisa Ylli Karaçica në shkrimin e tij fton për unitet: “Derisa luftëtarët trima të UÇK-së përballen me barbarët dhe kriminelët serbë dhe luftojnë me vendosmëri dhe sakrifica për çlirimin e plotë të Kosovës, ju udhëheqësit tanë mbeteni të përçarë. Bashkohuni, ky është shansi i fundit, se po u vonuam historia nuk do të na e falë.” – shkruan ai. Vlen të theksohet se në vitin shkollor 1998/1999 gjimnazi “Xhevdet Doda” do t’ i mirëpres njëqind e nëntëdhjetë e tre nxënës nga zonat e luftës, shumica nga Drenica, por edhe nga vise tjera. 

Për hir të së vërtetës, është e rëndësishme të potencohet fakti se numri festiv i “Gjimnazistit”, për arsye të shmangies nga forcat policore dhe ushtarake terroriste serbe, ishte realizuar grafikisht nga xhevdetdodasit në zyrat e “Botës së re” gazetës së studentëve të UP-së, në lagjen Velania të Prishtinës. Redaksia e “Gjimnazistit” kishte gjetur mbështetjen e kryeredaktorit të “Botës së Re”, Muhamet Mavraj që të shfrytëzonte ambientet e kësaj gazete kryesisht natën vonë për realizimin grafik të numrit festiv të “Gjimnazistit”. 

Pas botimit të numrit festiv të “Gjimnazistit” dhe shpërndarjes së tij në Prishtinë në mesin e gjimnazistëve por edhe studentëve, nxënësit Arianit Bytyçi, Fiton Peja, Bujar Sadiku dhe Albana Rexhepi, si dhe nxënësi Kushtrim Berisha dhe babai i tij, profesori, Sahit Berisha vendosën që Vitin e Ri 1999 ta presin në mesin e luftëtarëve të lirisë. Nxënësit Bujar Sadiku dhe Albana Rexhepi me gjithë rreziqet e shumta kishin arritur që numrin festiv të “Gjimnazistit” ta dërgonin tek njësitet e UÇK-së në Artakoll, rrëzë Maleve të Çyqavicës, ku edhe kishin pritur ndërrimin e moteve bashkë me luftëtarët e lirisë. Në anën tjetër nxënësi Arianit Bytyçi kishte marrë udhë përplot rreziqe nga Prishtina bashkë me babain e tij, gazetarin Nuhi Bytyçi dhe kameramanin Abaz Zeka në drejtim të Maleve të Berishës, në zonën ku vepronte Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Në këtë zonë, “Gjimnazistin” kishin rrezikuar duke e dërguar edhe profesori Sahit Berisha dhe i biri i tij, nxënësi Kushtrim Berisha, si dhe nxënësi Fiton Peja. Nxënësi Arianit Bytyçi rikujton se gjatë takimit, zëvendëskomandanti i UÇK-së, Jakup Krasniqi, si dhe drejtuesit tjerë të UÇK-së, Fatmir Limaj, Rexhep Selimi, Adem Graboci, Haxhi Shala, Sali Veseli, Shaban Dragaj, Çerkin Dukolli, Naser Hoxha, Avdi Rraci, Naser Shala, Shefqet Buçaj dhe shumë luftëtarë tjerë të UÇK-së, pasi e shfletuan numrin festiv të revistës “Gjimnazisti”, shprehën edhe njëherë mirënjohjen dhe falënderimet e tyre për mbështetjen e hapur të nxënësve të gjimnazit “Xhevdet Doda” të Prishtinës për UÇK-në.

Duhet potencuar edhe faktin se duke menduar se nuk po bëjnë sa duhet për luftën çlirimtare, ndonjëri prej këtyre nxënësve të gjimnazit “Xhevdet Doda”,  ishin të vendosur t’u bashkoheshin luftëtarëve të lirisë. Nuk e harroj asnjëherë rastin kur nxënësi, Bujar Sadiku, kishte ardhur në shtëpinë time së bashku me profesorin Sahit Berisha, për t’ u përshëndetur dhe thënë se në vend të çantës me libra ai do të rrokte armët.  

Duke pasur parasysh porosinë e  Përfaqësuesit Politik të UÇK-së, bacës Adem Demaçi  dhe atë të komandantit të shquar të UÇK-së, Shaban Shala, tani Hero i Kombit, me të cilët kam pasur nderin të njihem e bashkëpunoj në KMDLNJ gjatë viteve të nëntëdhjeta, se aktivitetin duhet përqendruar edhe në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve, veçmas të të rinjve, kisha arritur ta bindja se lufta nuk dihet sa do të zgjas dhe se ai dhe shokët e tij duhej të jepnin kontributin e tyre në Prishtinë. Shkuarja e tyre në zonat e luftës kishte rëndësi të veçantë edhe për atë se prej  andej, këta djem e vajza, shkruanin për ngjarje konkrete lufte, që i kishin parë edhe vetë, dhe sillnin fotografi, botimi i të cilave e bënte revistën e tyre tribunë publike të UÇK-së. 

Dihet se brezat identifikohen me ata që lënë gjurmë në rrjedhat historike të  kohës. Në një  periudhë të rëndë, por të ndritshme të luftës për liri, kur më së miri dëshmohej dinjiteti i individit, por edhe i kolektivit, gjurmë të tilla kanë lënë edhe ata djem e vasha xhevdetdodas, maturantë të vitit shkollor 1998/1999. 

Filed Under: Ekonomi

Termi cinik NORMALIZIMI si propagandë Sovjetike

December 21, 2022 by s p

Shqiprim Pula/

Rrjedha e një lumi të vërshuar bart me vehte edhe mbeturina përgjatë shtratit nga i cili del jashtë tij, specifikisht në segmentin e ekonomisë, mbrojtjes dhe diplomacisë, e kjo përshkruan një nuancë të tranzicionit politik në Kosovë. Kjo rrjedhë, tranzicioni, ka prodhuar një rezultat, atë të demoralizimit të shoqërisë dhe asaj pjese të politikës patriotike.

Që nga paslufta deri më tani në relacionin Kosovë-Serbi, specifikisht me dialogun, kishte përpjekje politike për narrativa, por, kërkesë konsistente për Traktat Paqe nuk kishte!, siç, rëndom ndodh ndërmjet vendeve ndërluftuese pas përfundimit të luftës në mënyrë që të normalizohen raportet e tyre. Pas mbi dy dekada të prezencës së faktorit ndërkombëtar, me motive shumëpalëshe e të shumëanëshme, është rivënë në rrezik paqja rajonale, nga një rrjedhje e heshtur e disbalancave të mëdha në rajon, të (pa) qëllimshme, dhe apetiteve territoriale historike ndaj një vendi të caktuar, të motivuara edhe nga ide marksist-leniniste, që krijon në sipërfaqe krizën. Tani, Unioni Europian, përmes emisarit të saj me origjinë Sllovake, pas viteve tensioni e krize politike ndërmjet dy vendeve Kosovë-Serbi, nga mësimet prej mbi dy dekadash, ofron “normalizimin” si zgjidhje, ashtu sikur, hyrja e Sovjetikëve më 1968 në Çekosllovaki, veçse atëherë me tankse, e Brezhnjevi deklaronte se tani marrëdhëniet përmes nesh, do të normalizohen!.

Ditët e barikadimeve në histori njihen qysh më 1588 në Paris, atëherë, kur grupe qytetarësh Francezë e refuzonin bindjen ndaj Mbretit Henri III, duke mbyllur vendkalime të caktuara si mënyrë e ruajtjes së status-quos dhe presioni kundrejt autoritetit të tij. Poashtu, gjatë vitit 1991 kishte barrikadat në rrugët e Rigës, Letoni, që mbronin monumentet e tyre nga njësitë ushtarake Sovjetike që tentonin t’a parandalonin shpërbërjen e BRSS-së, mëpas, në vitin 2006, barrikadat në rrugët e Oaxaca, Meksikë, kur qytetarët mbronin anëtarët e asamblesë popullore të Oaxaca nga njësitet paraushtarake; e të tjera raste gjithandej. Por, secili rast në veçanti dhe të gjitha në tërrësinë e tyre, tregojnë se si barrikadat vazhdojnë të gjallërojnë grupe dhe imagjinatat shoqërore e politike, duke krijuar ndjesinë e solidaritetit të së kaluarës por edhe të mundësisë të së ardhmes politike.

Dështimi ndër vitesh në dialog për “normalizim”, pa Traktat Paqe, është një qëndrueshmëri fiktive, mbase duhet argumentuar se asnjë zgjidhje politike e besueshme nuk mund të arrihet ndërmjet palëve me interesa kontradiktore të cilët luftën nuk e mbyllën me Traktat. E faktori ndërkombëtar, i portretizoi dy figura, si Aleksandar Vučić e Ivica Dačić, si bashkëpunëtor të së ardhmes, e që në fakt dolën të jenë nxitës e minues të paqes!. Dialogu në Bruksel prodhoi disa marrëveshje, por jo, Traktat Paqeje. Që pas shpalljes së pavarësisë dhe konfirmimit të saj nga GjND-ja, betejat vazhduan në dy rrafshe, atë politik dhe atë psikologjik në mendjet e qytetarëve. Përkundër që, shteti i Kosovës, morri barrën për të dëshmuar dy narrativa; atë të aftësisë për shtetbërje, poashtu edhe aftësinë për kujdesin e të drejtave themelore për të gjitha pakicat vendase e veçanërisht pakicës serbe. Çuditërisht, pas krijimit të formacionit të quajtur ‘srpska lista’ ata përkufizuan ekzistencën e tyre institucionale në terma të konvergjencave për të minuar përpjekjet për një mirëqenie politike, po që rezultoi në marrjen e njëanshme të kontrollit të Veriut të vendit e edhe barikadimin e ripërsëritur.

Narrativat gjeopolitike të cilat nuk dolën në sipërfaqe asnjëherë për t’u përmendur publikisht, për shkak të mos nënshkrimit të një Traktat Paqeje, tani, n’a rezulton me kërkesën për “normalizim”. Sfidave të ndërmjetësve u ngarkohet edhe kaosi me strukturat paralele që ngadalëson hapat mbi procesin e paqes. Për palën serbe, strukturat paralele të koncentruara në Veriun e vendit, shiheshin si “çështje teknike” apo mjet strategjik për të ndikuar në procesin e dialogut. E për rrjedhoj, dialog mbi paqen nuk u zhvillua asnjëherë drejtpërdrejtë ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe atyre të Serbisë, si ndërveprim ballë-për-ballë.

Pa asnjë dyshim se roli i ShBA-ve është krucial në Kosovë, e në rajon, por, nuk do duhej lejuar të reduktohet paqja në elementin e një marrëveshje si normalizim. Andaj, Uashingtoni zyrtar do duhej t’a rishikoj procesin për një përmbyllje politike me një TRAKTAT PAQEJE KOSOVË-SERBI sepse Traktat Paqeje do nënkuptonte normalizim marrëdhëniesh; e normalizim marrëdhëniesh do nënkuptonte njohje e ndërsjelltë; e njohja e ndërsjelltë do nënkuptonte marrëdhënie bilaterale; e marrëdhënie bilaterale do nënkuptonte pajtim mes popujve; e pajtimi mes popujve do nënkuptonte ardhmëri rajonale e Europiane. Ky duhej të ishte apo të jetë rrugëtimi politik, siç e bërë në shumë raste, shtetet (sipas të drejtës ndërkombëtare) pas përfundimit të luftës në mënyrë që të normalizohen marrëdhëniet, nënshkruajnë një Traktat, dhe jo të kufizohet në normalizim si një komponentë Traktati.

Filed Under: Komente

Në CTV të ftuar nga TV “Alba Life” u dha një pritje elitare në prag të festave të fundvitit

December 21, 2022 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Prokurori i Qarkut të Richmond County z.Michael E. McMahon si dhe Ansambleisti Charles Fall përshendëten TV “Alba Life” , Shkollat Shqipe dhe Diasporën

Në një mbrëmje elegante në studion televizive të CTV në Staten Island, ku TV “Alba Life” ushtron të drejten ligjore të shfrytëzojë mjediset e këtij institucioni mediatik ka intervistuar qindra personalitete të larta, me histori suksesi dhe i ka sjellë pranë teleshikuesve të shumtë.  Kjo mbrëmje u ideua nga gazetari me përvojë pranë TV “Alba Life” Valon Gërbeshi, nën kujdesin e stafit me kameramanin e talentuar Bujar Sadikaj, Drejtorin e programeve të TV “Alba Life” fituesin e disa cmimeve Emmy në New York, pronarin e kompanisë më të suksesshme Alba Pro, Amir Suka, anëtarin më të ri të stafit plot ëndrra Enes Basha nën drejtimin e themeluesit dhe producentit të TV Qemal Zylo.  

Të ftuarit vinin grupe grupe dhe uronin të zotët e shtëpisë nga TV “Alba Life” dhe natyrshëm krijohej në atmosferë tejet e ngrohtë, vëllazërore, shqiptare.

Mbrëmjen e hapi dhe e drejtonte gazetari Gërbeshi dhe përshëndeti z.Qemal Zylo të gjithë të pranishmit që morën pjesë në këtë ceremoni plot mirënjohje dhe dashuri.  Nuk kishte më kënaeqësi të shikoje pranë tavolinave kuq e zi me mbulesa të zeza të dekoruara me fjongo të kuqe, doktorë, bizenesmenë, afaristë, gra të suksesshme,  artistë të shquar, shkrimtarë të mirënjohur, kryetar dhe përfafaqësues shoqatash të ndodheshin në këtë mbrëmje elitare dhe të trokëllisnin gotat me verë me njeri tjetrin. 

U morën disa intervista pëshëndetje nga gazetari Gërbeshi, Kozeta Zylo dhe anëtarja e re që premton shumë Kendra Duli.  Midis personaliteteve të shquara të Diasporës, dhe shumë prej tyre mund t’i quajmë me plot gojën VIP, ishin Prokurori i Qarkut të Richmond County z.Michael E. McMahon i cili është një politikan dhe avokat amerikan.  Ish Kongresisti McMahon është një figurë e njohur publike për shërbimin e tij ndaj Kombit Amerikan.  Në intervistën që dha për zonjushen Duli ai tha se e kishte kënaqësi të merrte pjesë në këtë mbrëmje shumë speciale dhe të uronte TV “Alba Life” dhe Shkollat Shqipe në të gjithë Nju Jorkun.  Fjala e tij elekuente ishte frymëzuese për të gjithë të pranishmit.

Në këtë ceremoni nderonte me pjesëmarrjen e tij Ansambleisti Charles Fall i cili përfaqëson Distriktin e 61-të të Asamblesë së Nju Jorkut dhe që mbulon Bregun Verior të Staten Island, ku ai ka banuar gjithë jetën e tij.

Asambleisti Fall është anëtari i parë mysliman dhe afrikano-amerikan i Asamblesë i zgjedhur nga Staten Island.  Për ne si media nuk është herë e parë që e kemi intervistuar, ndërkohë e cmojmë shërbimin e tij të kulturuar dhe plot profesionalizëm.

N/Kryetari i Federatës “Pan Shqiptare Vatra” Dr. Pashko Camaj përshëndeti në emër të Vatrës dhe tha se së bashku jemi dhe më të fortë duke u udhëhequr nga Elita e Kombit që punuan aq fort pë cështjen Kombëtare.  Ai tha se kam qenë i ftuar në këtë studio para 9 vjetësh dhe nuk e harroj kurë intervistën e parë dhe që mësova shumë nga kjo platformë për në publik.  

Nderonte në këtë darkë Dr. Bari Ceka dhe bashkëshortja e tij fisnike Ilka Ceka.  E kush nuk e njeh Dr.Bari Cekën, për kujdesin e madh që ai tregon karshi pacientëve, komunitetit shqiptar si dhe atij amerikan!  Dr. Bari Ceka kohët e fundit është bërë qytetar Nderi i Nju Jorkut dhe ne si shqiparë ndihemi shumë krenar.  Dr. Ceka së bashku me bashkëshorten e tij gjinekologen Ceka janë dashamirës dhe suportues të mëdhenj të Misionit tonë Kombëtar, mësimit të Gjuhës Shqipe në Diasporë.  Me një përshëndetje plot mesazhe të kthjellta erdhi para kamerave dhe që filmoheshin nga Amir Suka dhe Bujar Sadikaj Presidentja e organizatës së mirënjohur “Motrat Qiriazi” Ms. Beno është një partnere themeluese e Marku, Beno & Tsamblakos, PLLC në Nju Jork, Znj. Beno është anëtare e Shoqatës së Avokatëve të Shtetit të Nju Jorkut, Shoqatës Amerikane të Avokatëve dhe Shoqatës Amerikane të Avokatëve të Emigracionit. Ajo shoqëohej nga bashkëshorti i saj, një avokat plot përvojë, z.Isidor Tsamblakos.

Në këtë mbrëmje midis nesh ishte znj. Drenusha Dreshaj bashkëpronare e TV “Alb” paketë digitale që njihet në gjithë rruzullin nga shqiptarë. Ajo shoqëohej nga biri i saj simpatik që punojnë së bashku në këtë biznes shumë të suksesshëm.  Ajo tha fjalë miradie për programin e TV “Alba Life” dhe natyrisht se vlerësohet shume si platformë nga teleshikuesit e shumtë, për profesionalizmin dhe seriozitetin që sjellin në ekran.  

Të pranishmit u argëtuan nga superyje të Diaspores si sopranoja e shquar, bashkepunetorja e Shkollave Shqipe “Alba Life”,  Dëshira Ahmeti dhe Arian Kërliu, Hajro Ceka dhe Agim Gërbeshi.  Ata me performancen e tyre i bënë zemrat e njerëzve të ndiheshin ngrohtë në këtë mjedis me panoramë të bukur shqiptare, fjalën e epërme shqiptare dhe këngën shqiptare.  Biznesmeni i mirënjohur dhe filantropi Cafo Boga nderoi me pjesëmarrjen e tij së bashku me bashkëshorten Afërdita Boga gazetare për Turizmin dhe udhëtimet.  Kryetari i Shoqatës së shkrimtarëve Shqiptaro Amerikan, shkrimtari i mirënjohur Mhill Velaj përshëndeti dhe interpretoi poezi nga poeti i shquar Azem Shkreli.  

Në emër të Shoqatës së Ushtarakëve Shqiptarë “Skënderbej USA”në NY përshëndeti anëtari i Bordit të saj z. Agim Pira.  Z.Pira përshëndeti për suskeset e njëpasnjëshme të TV dhe Shkollave Shqipe, sfidat nëpër të cilat ka kaluar dhe arritjet e larta të saj që ne na bën të ndihemi krenar.  

Nderuan me pjesëmarrjen e tyre plot dashamirësi si Dr. Manjola Duli, Samih Kanaqi, kryetari I shoqatës “Kraja”,  Bilal Demiri, n/kryetari I Shoqatës “Ana e Malit”, aktivisti i mirënjohur Naser Nika, si dhe nga përfaqësues nga Shoqata “Ana e Malit”.  Z.Marko Kepi një atdhetar zemërzjarr, Presidenti i Organizates së mirëjohur “Rrënjët Shqiptare” ish kandidat për në Bashkinë e Nju Jorkut dha mesazhin midis të tjerash që të sjellin fëmijët pranë Shkollës Shqipe “Alba Life” e cila është një shkollë plot përvojë dhe profesionalizëm.  

Shtoj këtu se kanë dhënë shumë përshëndetje dhe urime per Vitin e Ri me vidio, të cilat gazetari Valon Gërbeshi i ka mbledhur pë t’i transmetuar në Natën e Madhe tëVitit të Ri.  Kishte dhe shumë të tjerë që nuk erdhën dot për arsye të kohës së gripit që ka përfshirë shumë njerëz.  Studioja televizive për shkak të natyrës se saj e kufizonte numrin e madh të pjesëmarrësve, përsëri ekipi professional i TV “Alba Life” e ka lënë festën e madhe të 15 Vjetorit të saj së shpejti…

Pas ceremonies së rastit u shërbyen ushqime të shijshme sponsorizuar nga pronarët bujarë të restorantit “Grand Sahara” në Staten Island, nga familja atdhetare Liman, Lumturie dhe Toni Kotxha, të cilët nuk e kanë për herë të pare per bamirësinë e tyre.  Ata janë shumë të suskesshëm jo vetëm në restorante, por dhe në kompanitë e ndëtimit.

Kjo nate elitare do te ngelet gjate ne kujtesen e te pranishmeve!

Gezuar të gjithë miqtë tanëfestat e fundvitit!

Programi do të transmetohet në kanalet televizive në Natën e Madhe të Vitit të Ri!

19 Dhjetor, 2022

Staten Island, New York

Filed Under: Komunitet Tagged With: Keze Zylo

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • …
  • 49
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT