• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2023

Fletëza jete

February 10, 2023 by s p

Sharkia e Dervish Shaqës ka ardhur në Kosovë

Skënder Karaçica

UDB-ja serbe e kishte kërkuar Dervish Shaqën,ndonëse i kishte rënë sy fryma e tij për kombin dhe atdheun.E donte Kosovën dhe Dukagjini me kullat prej guri dhe frengjitë,ishin bër kazerma të shpirtit kryengritës të shqiptarëve.

Sharkia dhe kënga e tij,ishin kushtrim për lirinë e Kosovës.Për të shpetuar nga dora vrastare e UDB-së serbe,Dervish Shaqa u ngjit në majat më të larta të bjeshkës për të hyrë në zemrën e Shqypnisë.

Ishte dimër dhe kënga e tij ,,Kur ta ktheva Kosovë shpinën/e lashë borë e gjeta dimën/,qudi se si regjimi i kohës nuk i pati rënë fije këngës së Dervish Shaqës(sic!).

Një shekull me sharki në dorë!Një shekull këngë epike për Kosovën e tij që kishte mall dhe shumë e deshti.Nuk u kthye për të gjallë për të parë burrat e Dukagjinit dhe odat e burrërisë,ku,nëpër kohë kishte kënduar në dasmat e gëzimeve dukagjinase…!

Dervish Shaqa na la trashëhgim këngën dhe melodinë e ,,pentagramit ,,të tij me shpirtin plot zjarr të kombit dhe të atdheut të tij shqiptar,të Kosovës heroike…!

Sharkia e tij ka ardhur në Kosovë!Ketë lajm e lexova përmes shkrimit të shkurtër të Blerim Avdullahut,djalit të mësuesit të veteranit të arsimit shqip në Drenicë,Shefqet Avdullahu nga katundi Zabel i Epërm i Drenicës.

Për fund do të ishte mirë që fofografitë,tekstët e këngëve folklorike,kostumet dhe sharkia e Dervish Shaqës të vendosën në Muzeun Kombëtar në Prishtinë!

Çikago,shkurt 2023

Filed Under: Histori

In Memoriam (13 tetor 1931- 3 shkurt 2017) – DRITERO AGOLLI – SHEMBELLIM I SHQIPERISE

February 10, 2023 by s p

Naum Prifti/

Krijimtaria dhe jeta e tij janë pjesë e pandarë e unit shqiptar ku gjenden episode e fragmente të historisë dhe rrugëtimit tonë nga koha e besimit në idetë komuniste, shkëputja nga Bashkimi Sovjetik, te vetëdijësimi për reformim dhe guximi për ta pranuar vetveten.

DRITEROI NE ZERIN E POPULLIT

Si një nga gazetarët më të përgatitur të gazetës Zëri i Popullit, Dritëroi shkruante reportazhe me tema nga kultura, arti, bujqësia, industria, ku lexuesi informohej për segmente të caktuara të jetës në socializëm. Një reportazh që tërhoqi shumë vëmendje si nga titulli, ashtu dhe nga përmbajtja ishte Cile Muken e kam pranë dhe Kulturën Përkarshi. Padyshim se ishte shkrim jashtë standarteve të gazetave të kohës. Personazhi i reportazhit, Cile Muka, ishte i zoti i kafehanes në pjesën e sipërme të qytetit të Gjirokastrës, diku pranë Qafës së Pazarit, ku ndahet rruga për të shkuar lart te Kalaja e famshme e Gjirokastrës. Me thjeshtësi shpotitëse, Dritëroi vërente kontrastin e madh midis gjallërisë së kafehanes së Cile Mukës që gumëzhinte prej myshterinjve nga mëngjesi në mbrëmje dhe qetësisë së Shtëpisë së Kulturës për karshi kafenesë, me porta të mbyllura. As të rinj, as të moshuar, as burra, as gra nuk hynin e dilnin sepse nuk kishte kurrgjë që t’i tërhiqte, as shfaqje artistike, as koncerte, as ekspozitë. Dritëroi guxoi të shkruante një artikull të pazakonshëm për “karshillëkun” midis kafenesë dhe pallatit të ashtuquajtur të kulturës, në një qytet të lashtë që lavdërohej për tradita kulture. Me penën e tij të mprehtë, Dritëroi xhvishte himnizimet e thashethemet e sokakëve dhe e paraqiste qendrën e kulturës së Gjirokastrës socialiste, të heshtur dhe të fjetur. Shpotia e Agollit synonte të zgjonte nga dremitja pushtetin lokal në duart e të cilit kultura anemike e sistemit nuk mund të rivalizonte me kafenë e Cile Mukës.

DRITEROI NË POGRADEC

Ndërsa ishte me shërbim në Pogradec si gazetar, një miku i tij e ftoi Dritëroin të shkonin për vizitë në një fshat ku mysafirët e largët e të nderuar do t’i priste në shtëpi kryetari i këshillit të kooperativës. Sikurse ua donte zemra dhe zakonet e vendit, në fshatrat përqark Pogradecit e Mokës ruheshin traditat e mikpritjes tradicionale shqiptare.

Dritëroi dhe shoku i tij shkuan për darkë te kryetari dhe tryeza u mbush me meze, me djathë e salcë kosi, me llukanikë të fërguar – specialiteti i vendit dhe natyrisht me gota e shishe raki. Mikpritësit ngrinin shëndete e kthenin gotat për miqtë e largët dhe të ftuarit ua shpërblenin nderin duke ngritur dolli për mikpritësit dhe duke i kthyer gotat me fund. Për një hop kohe kryetarit i ra koka mbi tryezë dhe tha me zë të lartë: Obobo, u turpëruam me shokun Dritëro që na ka ardhur nga gazeta. Dritëro e mblodhi veten shpejt dhe e ftoi të pinin edhe një gotë për njohjen dhe miqësinë e tyre të re. Darka zgjati me pije e biseda deri në orët e vona të natës. Kur jashtë nisi të feksi drita e hershme e agimit, Dritëroi kërkoi leje të dilte pak nga dhoma. Duke u kthyer për të hyrë në shtëpi, pa një derë të hapur, dhe u fut brenda por këtë herë dalloi një tog misrash të xhvokshura të cilin nuk e kishte vërejtur gjatë darkës. Mendoi se të zotët e shtëpisë do ta kishin sjellë aty për të fjetur.

Pasi kaloi pak kohë, ai dëgjoi zërin e kryetarit të këshillit që mërmëriste “Obobo ç’u turpëruam me shokun Dritëro”. Miku që e kishte sjellë aty nisi ta qortonte:

– More Dritëro, po a e di që e bëre me turp të zotin e shtëpisë? Kur doje më shumë raki, pse nuk na the të ta sillnim në sofër, po vajte u fute në qilar?

Dritëroi e sqaroi se në qilar nuk qe futur për bidonat e shishet e rakisë por për të marrë një sy gjumë dhe incidenti kaloi me të qeshura.

“ME MIRE PERBALLE”

Pas një takimi të rastësishëm me pesë a gjashtë shkrimtarë, shëtitëm pak dhe u ulëm të pimë kafe te Vollga, një nga lokalet më të frekuantuara në Tiranë që servirte kafe të mira të stilit allaturk ashtu edhe ekspres. Dikush propozoi ta vazhdonim gëzimin e takimit me ndonje gote pije në Klubin e Ministrisë së Brendshme pranë Teatrit Popullor. Njëri kundërshtoi me ngulm për të mos shkuar aty. –Pse jo? e pyeti dikush tjetër nga grupi. –Sepse atje janë ata, – arsyetoi ai. Përemri “ata” nënkuptonte agjentët e fshehtë të sigurimit, apo spiunët vullnetarë, sikurse i quanim shpesh midis nesh. Për një moment ra heshtja, të cilin e theu zëri i Dritëroit: “Atje do të vemi! Se është më mirë t’i kemi përballë, sesa anash, apo prapa kurrizit”. Thënia e tij “më mirë përballë se pas kurrizit” gjeti miratim nga gjithë grupi ynë, ndaj edhe e përsërisnim shpesh mes nesh.

DRITEROI NE KONGRES

Në vitet kur sapo ishte rrëzuar diktatura dhe kishte nisur një frymë demokratike, në Kongresin që ktheu Partinë e Punës në Parti Socialiste, Dritëroi, si deputet, u ngrit nga rreshti në mes të sallës dhe doli në podium. Në atë sallë përpara mikrofonit ai tha se partia socialiste duhej të ndryshonte në pajtim me kohën dhe madje t’i printe transformimit në një rend demokratik. Ndërsa ai po fliste, salla filloi të mërmëriste dhe pastaj nga deputet të tjerë u ngrit ushëtima e parrullës së kohës: Parti-Enver Jemi gati kurdoherë! Dritëroi e ndërpreu fjalën dhe duke iu drejtuar sallës i bërtiti: “Kështu siç e keni nisur ju s’keni për t’u rinovuar as për 100 vjet”! Ai pati guximin të artikulonte pa frikë një kritikë të sinqertë dhe të hapur për paralizën morale dhe ngurtësinë mendore të partisë socialiste.

DRITEROI NE BASHKIMIN SOVJETIK

Gjatë studimeve universitare në Bashkimin Sovjetik, Driteroi u martua me një vajzë ruse, e cila kishte kryer specializim për letërsinë engleze. Pas acarimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik, qeveria komuniste e Shqipërisë nisi t’u bënte presion gjithë studentëve a diplomantëve të martuar me “gra të huaja” të ndaheshin prej tyre. Kështu u shkatërruan me dhjetra familje në emër të pastërtisë ideologjike. Madje një mikut tim mjek i njohur ia quajtën gabim të rëndë që kishte shoqëruar bashkëshorten e tij deri në aeroport. Gjykimet e marra nuk i njohin kufijtë e zakonshëm të mirësjelljes familjare a etikës shoqërore.

Dritëroi e ndau gruan ruse jo sipas formulës së zakonshme të divorceve të asaj kohe për mospajtim karakteresh, por gjasme se ajo donte të kthehej në vendlindje, pranë prindërve të saj. Më vonë Dritëroi u martua me Sadijen dhe bashkë kishin dy fëmijë. Ish bashkëshortja i dërgoi një ftesë për të vizituar së bashku me familjen Bashkimin Sovjetik, vendin ku kishte kryer universitetin dhe ishte pajisur me kulturë botërore. Në kuptimin e mirëfilltë të fjalës Sadija, e shoqja e Dritëroit, ishte shemra e ish gruas ruse, por zemërgjerësia dhe mirëkuptimi i saj meritojnë nderim dhe respekt. Familja e Dritëroit e kujtonte me kënaqësi takimin dhe mikpritjen e përzemërt ruse.

DRITËROI NË AMERIKË.

Në vitet ‘90 Dritëroi dhe Sadija erdhën për vizitë në Nju York ku kishin shumë shokë, miq e të njohur si Pëllumb Kulla, Leka Bungo, Justina Aliaj dhe një sërë artistësh të tjerë. Unë sugjerova idenë për një darkë në restorantin Bruno në Manhattan tek miku dhe dashamiri Bruno Selimaj, i cili ishte mikpritës dhe simpatizant i Dritëro Agollit. Ftesa në restorant jepte mundësinë e takimit edhe me disa shokë e miq të tjerë. Pasi hëngrëm në sallën poshtë, Brunoja propozoi të ngjiteshim në terracë për një gotë pas darke. Biseda me Dritëroin kurdoherë rridhte me lehtësi sepse ai ishte një bashkëbisedues i këndshëm, dhe dinte ta kripte bisedën me shaka dhe qyfyre nga jeta. Për të na nderuar shoqërinë erdhi edhe bashkëshortje e Bruno Selimajt Kumrija, një grua fisnike e cila e gjeti shpejt tema interesante të bisedave me gratë. Në orët e vona të natës kur filluam të dilnim nga restoranti, dhe po përshëndeteshim, Sadija si kurdoherë e vëmendshme dhe e kujdesshme e porositi: Dritëro, takoje Kumrijen! Paksa i turbulluar nga pija, Dritëroi e pyeti: “Ç’thotë kjo mo? Po ku hip unë dot në pemë kështu si jam tani që të takoj kumrijen? Edhe sot e kujtojmë këtë episod komik nga mbrëmja te Bruno në Nju Jork.

Ky mozaik modest me kujtime e sjell figurën e Dritëro Agollit me vërtetësinë e vet të patjetërsueshme. Ai ka folur me zemër dhe ka thumbuar me mendje! Tek ai shfaqet shëmbëllimi ynë i përbashkët që mund të duket në rimat bukolike apo në vargjeve përmendore të Nënë Shqipërisë, tek heronjtë e ashpër të prozës së tij dhe në thellësinë lirike të përkthimeve, në humorin dhe mprehtësinë e fabulave dhe rrëfimeve. Në krijimtari ashtu si edhe në kujtimet për të ka mbetur i përjetësuar karakteri i tij human.

Foto nga e majta: Anastas Kondo, Fatos Arapi, Kin Dushi, Dritëro Agolli, Vito Koçi, Naum Prifti, përpara klubit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Tiranë, 1964

Filed Under: LETERSI Tagged With: Naum Prifti

Frika, si metodë

February 10, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Nga pikëpamja filozofike, asgjë nuk duket befasuese kur shihet lehtësia me të cilën të shumtët qeverisen nga të paktët. Befasuese është metoda e frikës, më e spikatura, por më pak e folur.

Njerëzit fillimisht e lejojnë veten të qeverisen me besimin se organi drejtues është dashamirës dhe i ndershëm. Derisa një ditë zgjohen dhe kuptojnë se gjërat kanë “ndryshuar” dhe se qeveritarët janë bërë sundimtarë keqdashës.

Mund t’i mashtroni të gjithë njerëzit disa herë dhe disa gjatë gjithë kohës, dhe zakonisht kjo është e mjaftueshme.

Si fëmijë në shkollë, mezi pret të ‘rritet’ dhe të mbetet vetëm. Por befasohet që në zyrë gjen një mori ego-maniakësh që u pëlqen të drejtojnë njerëzit përreth. Nuk mund ta kuptojë kurrë kënaqësinë për t’u thënë të tjerëve se çfarë të bëjnë. Duket se shkollimi ynë thjesht na përgatiti t’i trajtonim të tjerët ashtu siç trajtoheshim. Ne kurrë nuk na mësuan të prodhonim diçka që mund të hanim ose të tregtonim. Na mësuan vetëm se si të bindeshim. Njerëzit zbuten lehtësisht. Një individ i pavarur, me mendim të lirë dhe produktiv, është përjashtim dhe jo rregull. Në vend që të na mësojnë se si të mendojmë, ne jemi mësuar të bindemi.

Nuk mund të shihet pylli për pemët, ky është këndvështrimi empirik natyralist.

A mund të ndodhë që kaq shumë po kërkojnë një lider për të besuar dhe ndjekur. Shikoni sa shumë Rev. Jim Jones mori në Guajana…

Mjerisht, shumica e individëve kushtëzohen me kujdes që të jenë krejtësisht më pak se Individë Sovranë nga individë që vetë janë krejtësisht më pak se Sovran.

Nuk e di nëse ‘i habitur’ është fjala e duhur. Deri më sot, nuk është gjetur një arsye e mirë pse shumica dërrmuese e njerëzve zgjedhin të qëndrojnë në një ekzistencë të patundshme në vend që të jenë sovranë të lirë ose individual.

Manipulimi i ndërgjegjshëm dhe inteligjent i zakoneve dhe opinioneve të organizuara të masave është një element i rëndësishëm në shoqëri.

Në çdo moment ekziston një grup idesh se të gjithë njerëzit që mendojnë drejt do të pranojnë pa diskutim. Nuk është saktësisht e ndaluar të thuhet kjo apo ajo apo tjetra,

por “nuk bëhet”… Kushdo që sfidon idenë mbizotëruese e gjen veten të heshtur me efektivitet befasues.

Opinionit jo të modës pothuajse kurrë nuk jepet një dëgjim i drejtë, as në

shtyp ose në gazetat periodike, radio a televizion, sado ‘private”.

Filed Under: Fejton Tagged With: Astrit Lulushi

A ka lidhje vrasja e Hasan Prishtinës me disa atentate dhe ofensivën serbe në Ballkan?

February 10, 2023 by s p

Dr. Hasan Bello/

Një nga vrasjet më të bujshme në historinë e Shqipërisë është ajo e ish-kryeministrit Hasan Prishtina. Ai njihej si irredentist dhe artikulues i bashkimit të Shqipërisë me Kosovën. Kjo do të bëhet shkak, që brenda një kohe të shkurtër, ai të konsiderohet si armik kryesor i Jugosllavisë.

Angazhimi i H. Prishtinës në ballafaqimet politike shqiptare në vitet 1920-1924 do të shoqërohet me pasoja për karrierën e tij si politikan. Ai shquhej si patriot i ndershëm, por emocional në zgjidhjet që bënte. Kjo dhe pikëpamja për ta çliruar Kosovën me armë e futi në konflikt me pjesën tjetër të politikanëve, të cilët, mendonin se fillimisht ishte e nevojshme të konsolidohej Shqipëria dhe më pas të zgjidhej çështja e Kosovës.

Karakterin e vendosur dhe sinqeritetin e H. Prishtinës e shfrytëzuan kundërshtarët e Ahmet Zogut, që bënin propagandë se ai ishte njeri i Serbisë. Ky disinformacion shkaktoi një armiqësi të pajustifikuar.

Raportet u acaruan edhe për shkak të disa përpjekjeve të H. Prishtinës për ta eleminuar fizikisht A. Zogun. Por, marrëdhëniet midis tyre ndryshuan në vitin 1931. Qeveria italiane bëri përpjekje për të krijuar një front të përbashkët antijugosllav nga Zogu te H. Prishtina. Si ndërmjetës shërbeu ambasadori italian në Vjenë, i cili u përpoq të organizonte një takim mes ministrit të Oborrit Mbretëror Ekrem bej Libohova dhe H. Prishtinës. Nga deklaratat që ky i fundit i bëri ambasadorit italian, theksoi se kishte rënë dakord që brenda pak muajsh të vendosej në krye të një komiteti revolucionar kosovar. Qëllimi i këtij komiteti ishte që të krijohej një forcë ushtarake prej 12.000 vetash me shqiptarët e Kosovës, e cila do të qëndronte në gatishmëri në rast të një konflikti mes Shqipërisë dhe Italisë nga njëra anë dhe Jugosllavisë nga ana tjetër.

Gjithashtu, H. Prishtina i deklaroi ambasadorit italian se kushti thelbësor për jetësimin e këtij programi ishte mbështetja dhe inkurajimi i qeverisë shqiptare. Për këtë, Mbreti Zog i kishte ofruar me anë të publicistit austriak dhe mikut të shqiptarëve dr.Leo Freundlich të pranonte drejtimin e komitetit revolucionar të Kosovës.

Për krijimin e këtij fronti antijugosllav, Mbreti Zog solli në Tiranë drejtuesit e komitetit revolucionar maqedon; dhe së bashku me Italinë e Bullgarinë ndërtuan një darë politike-diplomatike-ushtarake, që ngjalli panik në Beograd. Kjo bëri që shërbimi sekret jugosllav të hidhej në aksion. Më 20 shkurt 1931, ai organizoi dhe financoi atentatin për vrasjen e Mbretit Zog në Vjenë nga Ndok Gjeloshi, Azis Çami, Qazim Mulleti etj. Në vijim të këtij skenari, në gusht të vitit 1933, ai organizoi tre atentate politike brenda 10 ditësh.

– 14 gusht 1933 ekzekutohet në Selanik ish kryeministri H. Prishtina. Sipas gazetës greke “To Fos”, në Beograd të gjitha gazetat dhe partitë theksuan se, në personin e të vrarit u zhduk njëri prej armiqve më me rëndësi të politikës serbe në Shqipëri. Madje, një prijës i rrezikshëm i minoriteteve shqiptare në Serbinë e Jugut.

– 18 gusht 1933 i bëhet atentat ish-kryeministrit të Bullgarisë dhe politikanit Aleksandër Zankoff. Dy bombat e hedhura shpërthyen disa hapa larg tij, duke bërë që ai të shpëtonte për një fije.

– 25 gusht 1933 vritet në Kroaci ish-ministri Mirko Neudorfer, anëtar i Partisë së katundarëve kroatë, kundërshtar i Beogradit dhe i nacionalistëve serbë.

A kanë lidhje të gjithë këto atentate me njëri-tjetrin? Apo siç theksonte një gazetë greke për vrasjen e H. Prishtinës, se ato do të qëndronin të mbyllura në korridoret misterioze të Ministrive të Jashtme, duke qenë objekt i marrëveshjeve të fshehta dhe i intrigave të pazbuluara.

Ky është konteksi përse u eleminua H. Prishtina dhe jo interpretimi që i bëjnë kësaj vrasjeje disa historianë, në përputhje me alibinë e shërbimit sekret jugosllav se gjoja atë e eleminoi Zogu.

Filed Under: Rajon

Dilemat e Kosovës sot

February 9, 2023 by s p

Prof.Asc.Dr.Gëzim MUSTAFAJ

Presidënt i Shoqatës “Skëndërbej”

Pas përfundimit të Luftës në Kosovë të vitit 1998-99, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në Kosovë u vendos, Misioni  Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara (UNMIK), i cili kishte  për detyrë  të ndihmonte në sigurimin e kushteve për një jetë të qetë dhe normale për të gjithë banorët e Kosovës.

Në shkurt të vitit 2003, Asociacioni i Komunave dhe Vendbanimeve Serbe të Kosovës  themeloi  në Mitrovicë, një asociacion të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Kjo u konsiderua e paligjshëm nga Qeveria e Kosovës, sepse ajo ushtronte autoritet legjislativ dhe ekzekutiv përmes Kuvendit mbi gjithë territorin e Kosovës, përfshi edhe veriun e Kosovës.

Më 17 shkurt 2008, Kuvendi i Republikës së Kosovës shpalli në mënyrë të njëanshme pavarësinë e Kosovës. Megjithatë Serbia  vazhdon ta quaj akoma  si pjesë të territorit saj.

Themelimi i Asociacionit është paraparë në marveshjen e pare të arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel në 19 prill 2013. Me vetëm 2 faqe, marrëveshja ka 15 paragrafë, por nuk u nënshkrua nga asnjëra pale. Kjo marveshje thekson se Asociacioni do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës. Kosova dhe Serbia në Bruksel në vitin 2015 kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e Asociacionit.

Me të drejtë pyesim? Ç’farë parashikon shkurtimisht kjo marveshje me 15 paragrafë;

Paragrafët 1 deri 6 kanë të bëjnë me krijimin, qëllimin dhe funksionet e një komuniteti të propozuar të Komunave Serbe. Paragrafët 7 deri 9 kanë të bëjnë me strukturat e policisë dhe të sigurisë,  një forcë policore për të gjithë Kosovën përfshirë pjesët e saj veriore. Paragrafi 11 parashikon që zgjedhjet komunale të mbahen në të gjithë Kosovën sipas ligjit të Kosovës. Paragrafi 12 parashikon krijimin e një plani zbatimi. Paragrafi 13 përmban diskutimet mbi energjinë dhe telekomunikacionin. Paragrafi 14 parashikon që; Asnjëra palë nuk do të bllokojë ose do t’i inkurajojë të tjerët të bllokojnë përparimin e palës tjetër në rrugët e tyre për në BE. Paragrafi 15 parashikon krijimin e një komiteti zbatimi me ndërmjetësimin e BE-së.

Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat e qytetarëve të këtyre komunave, kryesisht në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë. Po kështu thuhet, se në pajtim me kompetencat e ofruara nga Karta Evropiane për Vetëqeverisje Lokale dhe ligjin e Kosovës për këtë çështje, komunat pjesëmarrëse do të kenë mundësi që të bashkëpunojnë për të ushtruar fuqinë e tyre në gjithë Asociacionin. Kjo marrëveshje thekson se Asociacioni do të krijohet mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës, që është një organizatë jofitimprurëse e themeluar për t’i përfaqësuar dhe për t’u shërbyer interesave të këtyre komunave. Ky asociacion do të ketë organet dhe strukturën organizative; Një Kuvend si organ suprem, të përbërë nga përfaqësues të emëruar prej anëtarëve të zgjedhur nga kuvendet e komunave pjesëmarrëse. Kuvendi do të ketë të drejtë të miratojë amendamentet e statutit, rregulloren e punës dhe të gjitha rregulloret e nevojshme. Të ketë një president dhe një zëvendës president. Presidentin dhe zëvendës presidentin do t’i zgjedhë kuvendi në mesin e anëtarëve të kuvendeve komunale pjesëmarrëse dhe kryetarëve të komunave të tyre. Ky organ do të ketë buxhetin e tij, i cili do të administrohet në përputhje me parimet e transparencës e llogaridhënies dhe dispozitave të Ligjit mbi Prokurimin Publik.

Në këtë kontekst Kosova dhe Qeverija e sajë, janë vendosur përballë një presioni të madh ndërkombëtar për të themeluar me urgjencë shoqatën e komunave serbe, por që bie ndesh me Kushtetutën e Shtetit multietnik të Kosovës. Po organizohen shumë takime dhe debate për mënyrën se si do të duhej të ishte ky “asocacion”. Fondacioni gjerman, Friedrich-Ebert-Stiftung (FES), publikoi një draft sipas të cilit Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë do të ketë kryetarin, asamblenë, flamurin dhe stemën e tij, gjithashtu ka  të drejtë të ketë buxhet të tij, llogari bankare, prona, si dhe të angazhohet në transaksione financiare. Ç’farë është kjo? Gati shtet brenda shtetit. Jemi mësuar të themi se Amerika dhe BE kanë gjithminë të drejtë. Deri diku është e vërtet sepse, jemi shtete të vogla dhe pa mbështetjen dhe përkrahjen e tyre nuk mund të ishim këtu ku jemi. Në gjykimin tim  midis,  gjithmonë të drejtë dhe apsolutisht të drejtë, ka një vijë ndarëse, kjo është familja dhe kombi dhe mbi të gjitha siguria e Kombit Shqipëtarë, që jo pak here është nëpërkëmbur nga ndërkombëtarët. Në këtë pike nuk tolerohet kush do që e kërkon. Kombi duhet të jetë një.

Themelimi i kësaj shoqate me 10 komuna serbe (Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë) kundërshtohet me të drejtë nga qeveria aktuale dhe qeveritë e kaluara, pasi do të krijonte një mekanizëm që mund t’i sjellë probleme  Kosovës . Faktike një shoqatë e tillë do krijonte  një strukture etnike paralele me kompetenca ekzekutive.

Po sjell në vëmëndjen e lexuesve vetëm një shëmbull; Sipas statistikave të fundit Kosova ka një popullësi rreth 1 800 000 banorë. Të 10 komunat të marra së bashku kanë një popullësi, duke i marr 100% të banuara nga popullësi serbe (që nuk mund të jetë kurrë e vërtet), kanë 75, 051 banorë ose 4.1% të gjithë popullësisë së Kosovës. Kushdo e kupton se si mundet që një komunitet me 4.1% të ketë qeverin e sajë, shqip shtet brënda shtetit. Ju pëlqen ose jo e barabartë me Rebubliken Serbska në Bosnjë dhe Hercegovinë që janë 44% Boshnjakë dhe 30% Serb.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier thekson: “Kjo është vendimtare, kjo është e rëndësishme, kjo është urgjente”. Po kështu, Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka këmbëngulur edhe ai në lidhje me Asociacionin, duke shpërndarë në Twitter deklaratën e SHBA-ve në lidhje me këtë çështje.

Rohde në postimin e tij shkroi se Kosova është zotuar që ta themelojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe qysh prej disa vitesh dhe se themilimi i tyre është i vonuar. Ai shtoi se me Asociacionin Prishtina do të çojë përpara bisedimet e normalizimit në marrëdhëniet me Serbinë.

Kryeministri  Kurti të enjten parashtroi gjashtë kushte në mënyrë që Asociacioni të bëhet i pranueshëm, ku që në fillim  ai  tha që duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës dhe parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve, duke marr parasysh standardet dhe modelet europiane. Kaq mjafton për të mbyllur çdo hamendsi dhe diskutim.

Për këdo shqiptarë sot duhet të jetë e qartë se udhëheqësit politik në të dy anët e kufirit, pa dallim pozitë dhe opozitë, të jenë në një zë me fjalën e Kryeministrit Kurti sot në Kuvëndin e Kosovës; “Qysh tash ju inkurajoj, që ashtu që jeni të vendosur se Kosova nuk duhet të pranojë marrëveshje pa njohjen reciproke në qendër, ashtu siç m’i thoni mua – aman  thojani kështu me të njëjtin zell edhe Escobarit, dhe jo vetëm mua”, kjo është shumë domethënëse.

Kosova edhe here të tjera ka qënë në dilemma të tilla, por me durim dhe vullnet ja ka dale të bindë faktorin ndërkombtarë, se e drejta është me popullin shqipëtarë të Kosovës, kur familja dhe kombi janë mbi gjithëçka.

New York  Shkurt 2023

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • …
  • 49
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT