• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2023

PROF.DR. ZYMER NEZIRI LIGJËRATË NË VATËR TË ENJTEN MË 30 MARS ORA 6.30 PM

March 28, 2023 by s p

Prof.Dr. Zymer Neziri më datë 30 mars 2023, ditën e enjte, ora 6.30 PM do të zhvillojë në Selinë Qëndrore të Federatës Vatra me adresë: 2437 Southern Blvd, Bronx, NY 10458, një ligjӫratӫ me temë: “Eposi i Kreshnikӫve – thesar monumental i trashӫgimisӫ kulturore shqiptare”. Ky prezantim vjen në kuadrin e prezantimit të folkorit shqiptar nga Prof.Neziri në Universitetin e Harvardit dhe në Universitetin Columbia.Ftohen mediat dhe komuniteti që të marrin pjesë.

Filed Under: LETERSI

“Fëmijët shqiptarë të Kosovës – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë 1981 – 1999”

March 28, 2023 by s p

25 mars 2023, 

Itali – Treviso

Në Treviso të Italisë u promovua libri i vrasjes së 1432 fëmijëve shqiptarë nga Serbia fashiste!

Në Amfiteatrin e bukur të këtij qyteti, duke ju falënderuar kontributit të jashtëzakonshëm të Kryetarit të Shoqatës “Shën Nëna Terezë”, z. Bajram Desku dhe kryesisë së kësaj Shoqate, por me një bashkëpunim të mrekullueshëm të tyre, edhe me shumë Shoqata të tjera shqiptaro – italiane, u promovuan suksesshëm këto vepra publicistike e dokumentare  “Fëmijët shqiptarë të Kosovës – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë 1981 – 1999”, të autorëve: Nusret Pllana e Hanëmshahe Ilazi, “Mos harro kurrë”, të autorëve: Nusret Pllana e Agim Aliçkaj, libër xhepi ky, i përkthyer me kompetencë edhe italisht, nga znj.Fitije Picari, si dhe filmat dokumentarë: “Kush I vret fëmijët?!”, të autorëve: Nusret Pllana e Esat Shala, “Gjaku i nxënësit Isa Berisha – shenjë e kujtesës historike” të autorëve: Nusret Pllana  e Erza Ramuka, vepra këto të cilat në fund e kishin një “porosi”: sensibilizimin e opinionit evropian e botëror për gjenocidin dyshekulor serb mbi shqiptarët dhe ‘mos – harresën në shërbim të kujtesës historike’.

Nga shumë dashamirë të artit e të kulturës, që kishin ardhur nga Italia, Sllovenia, Kroacia e Austria, me pjesëmarrjen e tyre në këtë promovim veprash dokumentare, përveç të tjerëve na nderuan edhe këto personalitete: Kryetarja e Komunës Quinto di Treviso

Stefania Sartori, këshilltarja për arsim dhe kulturë Kristina Veneziano. Konsulli i përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Milano, z. Diamant Kastrati, kryetari i Shoqatës “Iliria” në Koper të Sllovenisë, z. Heset Ahmeti, Profesor Peter Shtoka – hulumtues i arkivave për gjurmët shqiptare në Koper të Sllovenisë, Shoqata “Bashkimi Kombëtar” në Bassano del Grappa, me kryetar, z.Avdi Beqiri , Shoqata “Dardania” , në Montebelluna me kryetar z. Faik Tafolli, Shoqata “Kosova” në Portruguaro , me kryetar, z.Sami Binakaj, Shoqata “Zëri i Atdheut” në Montebelluna, më kryetar, z.Isuf Zeneli, Shoqata “Ardhmëria” , në Arzignano të Viçences, me kryetarën, znj. Miradije Avdullahu, Shoqata “Shën Nëna Terezë”, në Quinto di Treviso, me kryetar, z.Bajram Desku, Kryetari i Komunës se Postojnës në Slloveni, z.Igor Marentiq.

Ishin të pranishëm edhe shumë afaristë të dalluar në pjesën veriore të Italisë:

Ilmi Vrenezi,

Hetem Zogaj,

Bedri Suka,

Lirim Kolgeci,

Burim Obrazhda,

Xhevat Zemaj,

Albert Bashota,

Vëllezërit Murat dhe Gazmend Bytyçi,

Mursel Kodra, Imer Berisha, Rrahim Krasniqi.

Kryetari i Këshillit të Mësuësve në Regjionin e Venetos Ragip Thaqi.

Mësuësit e dalluar të shkollave shqipe të mësimit plotësues që punojnë në baza vullnetare :

Afërdita Podvorica, Skender Podvorica, Shkurte Zogaj , Rajmonda Deda.

Si dhe veprimtarë të dalluar, si;

Gëzim Muçolli, Valdete Llumnica – Muçolli, Hamit Kurti, Ramiz Gashi, Nazim Morina, Bekim Spahiu, Musa Ahmetaj, Profesor Mejdi Bislimi, Njazi Pirku, Petrit Ndoja, 

Ramadan Rukolli, Anton Gjoka, Sulejman Gashi.

Koreografi dhe mësuesi i kulturës muzikore, z.Muamer Murtezani, z. Veli Sinani, po ashtu një veprimtar i dalluar, si dhe poeti dhe fabulisti i njohur, z. Bari Dervishllari.

Në fund të këtij manifestimi të rëndësishëm kulturor, edukativ e shkencor, afaristi dhe veprimtari Ilmi Vrenezi, për të gjithë të pranishmit shtroi darkë. 

Shkruan: Nusret Pllana 

Filed Under: Reportazh

BOKSIERI SHQIPTAR KRISTIAN PRENGA — NJË MOMENT KRENARIE PËR TË GJITHË SHQIPTARËT KUDO

March 28, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli

Për fat të keq, shpesh na duket sikur për Shqipërinë dhe për shqiptarët dëgjojmë më shumë lajme të këqia se sa lajme të mira. Por, dje morëm një lajm që na bën të ndihemi mirë – qoftë edhe për një moment ose për një ditë — si shqiptarë kudo që ndodhemi – për suksesin e një shqiptari në sportin e boksit – Kristian Prengës, tani me famë botërore.  

Boksieri shqiptar me origjinë nga Oroshi i Mirditës u shpall kampion dje duke fituar titullin NAB-North American Belt, pasi mundi boksierin amerikan Samuel Crossed. I impresionuar nga performanca e boksierit shqiptar, komentuesi i ndeshjes porositi ndjeksit dhe shikuesit që ta mbajnë mend këtë emër: Kristian Prenga!  

Portali që mbulon boksin –The Ring – shkruan se siç duket fuqia e Prengës i ka rrënjët në fëmijërinë e tij, pasi është rritur në Orosh të Mirditës, në Shqipëri. Portali shkruan se atje në një fshat të Shqipërisë së Veriut, djaloshi Kristian Prenga në moshën 8-vjeçare kishte mësuar nga i ati, t’i grahte kamionit për të transportuar dru, me qëllim për të ndihmuar familjen të kishte bukë në sofër.  Portali në fjalë thekson suksesin e tij, duke thenë ndërkohë, se Prenga është bërë një nga shitësit më të mëdhenjë vendas të biletave në boksin e Nju Xhersit falë mbështetjes që ai merr nga komuniteti shqiptaro-amerikan, të cilët marrin pjesë masivisht për të parë ndeshjet e tij.

“Të gjithë ne shqiptarët — ne mbështesim njëri-tjetrin. Fakti që në Shqipëri të gjithë e dinin emrin tim dhe dinin për aktivitetin tim, dinin për mua dhe dinin sa shumë dua t’i bëj të gjithë shqiptarët krenarë, kur erdha (këtu në Amerikë) ishte më e lehtë për ta të më mbështesnin,” citohet Prenga të ketë thenë për portalin The Ring. 

Midis këtyre mbështetësve shqiptaro-amerikanë është edhe Elvir Muriqi, një ish-konkurrent i peshave të lehta të boksit, i cili dikur kishte qenë boksieri më popullor shqiptar në Amerikë, sipas The Ring. Muriqi ka thënë për The Ring se nuk habitet aspak që Kristian Prenga ka siguruar kaqe shpejt mbështetjen e bashkvëllezërve të tij shqiptaro-amerikanë.  Nuk është i habitur që Prenga ka siguruar mbështetjen e bashkëpatriotëve të tij kaq shpejt, pasi sipas Muriqit, i cili u shpreh se, “Shqiptarët do të ju mbështesin nëse je person i respektueshëm, me parime të forta dhe patriot”. Sipas ish-boksierit shqiptaro-amerikan, Elvir Muriqit, Kristian Prenga i ka të gjitha këto karakteristika, ndërsa ka shtuar për portalin në fjalë se me besimin në vetvete, Prenga do të korri suksese shumë të mëdha, në të ardhmen.

Mbështetja e shqiptaro-amerikanëve për boksierin shqiptar, Kristian Prengën u pa ditën e fitores së tij, një ditë më parë, në Atlantic City, të shtetit Nju Xhersi.  Në sallën e ndeshjes valvitej me krenari Flamuri i Kombit shqiptar nga pjesëmarrës të shumtë që kishin ardhur aty për të mbështetur një bashkatdhetar të tyre, por edhe për të treguar krenarinë e tyre për arritjet e të gjithë shqiptarëve kudo që janë në botë e të cilët me sukseset e tyre në fusha të ndryshme i bejnë nder Shqipërisë dhe emrit të saj të mirë. 

Falënderojmë Zotin për sportistët shqiptarë, të përhapur anë e mbanë botës, si dhe për këngëtarët dhe këngëtaret në zë dhe të njohur botërisht për sukseset në fushat e tyre të veprimtarisë, si nga Shqipëria ashtu edhe nga Kosova dhe trevat të tjera shqiptare në Ballkanin Perëndimor.

Shqiptari kudo që gjëndet, për të qenë i sukseshëm, vetëm liri veprimi, drejtësi dhe hapësirë të drejtë veprimi e konkurimi kërkon – që shpesh i mohohen në trojet e veta — për të arritur nivelet më të larta të suksesit botëror, në cilën do fushë qofshin të veprimtarisë sportive, shkencore, të dijes në përgjithësi dhe fushë të tjera që ata konkurojnë, shpesh me më të mirët e botës. 

 “Unë nuk kam frikë nga asnjë boksier”, ka thenë Prenga dhe shtoi se në të ardhmen ai është, “gati të përballet me më të mirët boksierë të botës”, u shpreh shqiptari nga Oroshi i Mirditës. 

Fitorja e Kristian Prengës në Atlantic City, të shtetit Nju Xhersi dje, na bëri krenar të gjithë ne të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe shqipztarët kudo dhe më gjerë. Jo vetëm fitorja na bëri përshtypje të thellë dhe na gëzoi, por edhe sjellja e tij dinjitoze ndaj kundërshtarit duke e përkëdhelur, në fund të ndeshjes, boksierin amerikan të cilin e mundi me knockout (KO).

Si përfundim, Kristian Prengës dhe të tjerëve shqiptarë/e si ai, të talentuar dhe me punë të rëndë, durim e disiplinë — që nderojnë dhe krenohen me Shqipërinë dhe me emrin shqiptar — nuk do tu mungojë kurrë mbështetja e komunitetit shqiptaro-amerikan drejtë realizimit të kulmeve të suksesit në karrierat e tyre, qoftë këtu në Shtetet e Bashkuara qoftë kudo tjetër në botë.  Urimet tona më të përzemërta për fitoren mjaft impresive dhe për suksese edhe më të larta në të ardhmen, Kristian Prengës — boksierit shqiptar nga Oroshi i Mirditës!

Frank Shkreli

May be an image of ‎1 person and ‎text that says '‎i mX אוד EUT‎'‎‎

Kristian Prenga — boksieri shqiptar nga Oroshi i Mirditës – Kampion bote me dy tituj!


Filed Under: Sport Tagged With: Frank shkreli

Dashuri dhe vdekje – Fati tragjik i prindërve të Karl Thopias

March 28, 2023 by s p

Nga Rafael Floqi 

Përsiatje historike dhe letrare

Historia e prindërve të kontit arbër, Karl Thopia është sa e vërtetë, aq dhe legjendë. Është dashuria dhe fati tragjik midis një princeshe angjevine dhe një princi arbër në fillim të shekullit të 13 -të në Durrës. Kjo ngjarje përcaktoi jo vetëm jetën e prindërve të tij, por edhe vetë jetën e veprimet e princit Karl Thopia, dhe historinë mesjetare të qytetit të Durrësit dhe që kishte bërë shumë përshtypje në kastën e re feudale arbër para pushtimit turk të vendit, sa gati një shekull e ca më vonë, plaku flokëbardhë Gjon Muzaka, i mërguar në Itali pas pushtimit osman, e kujtonte në rrëfimet e tij për fisin e Muzakajve dhe origjinën e aristokracisë arbnore.

Nëse keltët kanë legjendën e mirënjohur të kthyer në vepër letrare të Tristanit dhe Izoldës, arbrit kanë një histori të tillë të ngjashme, por jo aq të lëvruar, por që ka shërbyer si lëndë e parë; motivi dhe materiali bazë letrar, për histori të tjera të shkrimtarë të shquar të Rilindjes italiane, si : Petrarcha, Boccacio, etj. të pranishëm në Oborrin e protagonistit të kësaj ngjarje,- Mbretit Roberto I Anjou të Napolit. Kjo ngjarje- legjendë, si ajo e famshmja e dashurisë së Tristanit dhe Izoldës, zbulon një konflikt të gjerë mesjetar midis normave të moralit publik dhe besnikërisë ndaj ndjenjave të dikujt, duke dëshmuar një dënim të fshehur me nëntekst të dogmave të kishës dhe lavdërimin e plotësisë së jetës dhe lirisë. 

Ngjarje apo legjendë ?

Por pse ngjarja e vrasjes të një vajze të ardhur nga Napoli e të dashuruar e martuar në Arbëri, e të vrarë nga babai i saj mbret-magjistar, nuk ka gjetur pasqyrim në folklorin shqiptar? Kjo sipas mendim tim ka disa arsye: 

Së pari, pushtimi i gjatë osman tentonte të fshinte të gjithë gjurmët e qytetërimit të mëparshëm dhe për ironi të fatit, siç do të shohim më poshtë, qe pikërisht Karl Topia, që i ftoi i pari osmanët në Arbëri, për ta ndihmuar kundër Balshajve. Së dyti, banorët e qytetit të Durrësit nga ishte dhe protagonisti i kësaj ngjarjeje, babai i tij Andrea I Thopia, në kohën e angjevinëve, ishte i veçuar nga banorët e prapatokës, arbrit. Gjë të cilën na e dëshmon edhe Ana Conmena, në Aleksiadën e saj, në kohën e sulmeve normane ndaj qytetit. Arsyeja e tretë ka të bëjë me një fakt etnografiko-letrar, se eposi shqiptar është i njëkohshëm me epopetë e mëdha evropiane: me “Chanson de Roland” dhe me “El cantar de mio Cid”. Ai përfaqëson shkallën më të hershme dhe më fillestare të vet identifikimit etnik dhe është epik. Dhe së katërti, legjenda të tilla me bazë dashurinë si Kostandini e Doruntina, të gjalla tek arbëreshët, nuk kishin arritur fazën e romanit kalorësiak të letërsisë së rilindjes evropiane e si rrjedhojë, nuk kanë përcjellë këtë ngjarje. Ndërsa ky motiv për folklorin shqiptar nuk qe i egzistent, për letërsinë italiane të oborrit të mbretit Robert të Napolit ka qenë mjaft pjellor.

Andrea I Thopia (që vdiq i vrarë më 1342 në Napoli) ishte princi arbër nga Durrësi. Në vitin 1338 ai trashëgoi qarkun e Matit nga paraardhësi i tij Tanush Thopia. Fati e desh që Andrea të ishte bërë dhëndër i mbretit napolitan Robert/o Anzhu I pa pëlqimin e tij. Dhe kjo gjë aq e ëmbël, do të përfundonte duke i kushtuar jetën. Mbreti Roberto Anjou i Napolit, i quajtur “i urti” ishte një “Mago Merlino”. Karl Thopia përmendet për herë të parë në vitin 1350, në një kohë kur angjevinët ende e zotëronin Durrësin. Ndaj mund të spekulojmë se kjo mund të ishte dhe arsyeja përse mbreti Robert se dërgoi të bijën e tij nuse, me krushq e roje drejtpërdrejt me anije në More pasi ata e sundonin Durrësin. 

Gjon Muzaka e përshkruan lidhjen farefisnore midis anzhuinëve të Napolit dhe Thopias, si më poshtë: «Dijeni, gjithashtu, se mbreti Roberto, i cili ishte mbreti i Napolit, dërgoi një vajzë të tij jashtë martese. për t’u martuar me Princin e Moresë, dhe thuhet se ajo qëndroi në qytetin e Durrësit, ai qëndroi aty disa ditë, në atë mënyrë që Zoti Andrea ra në dashuri me zonjushën në fjalë, dhe ajo me të, të cilët më pas ranë dakord të martoheshin me njëri-tjetrin dhe kështu u bënë dhe me dy fëmijë; i pari quhej Zoti Karl, dhe tjetri Zoti Gjergj. Dhe pas një farë kohe, mbreti Roberto e ftoi vajzën dhe dhëndrin e tij në Napoli, dhe më pas, me pushtetin e tij dha urdhër që të dy të vdisnin për aktin e kryer, dhe djemtë e tyre të lart përmendur u larguan përsëri në vendin e tyre.”

Emri i vajzës së mbretit del në dy forma Fiammetta( Flakëza) dhe me emrin e pagëzimit Helena. Sipas , Sainty, Guy Stair “ Helena, kontesha e Matias/Matit , e cila ra në dashuri dhe u martua me Andrea I Thopian , Kontin e Matit, pa pëlqimin e babait të saj. Helena ndoshta do të martohej me Filipin, djalin e Baldwin II, e pasi kjo ndodhi. Emblema e Thopiajve përmbante tre zambakë të ndarë me një vijë me pika, që tregonte se ishte një fëmijë jashtë martese. Martesa nuk u pranua nga Roberti, prandaj ai e ftoi çiftin në Napoli me pretekstin e pajtimit, ku i ekzekutoi fshehurazi natën. ( mjaft intriguese R.F.)

Por çfarë themeli mund të ketë kjo ngjarje, e cila do të ishte shumë interesante për gjenealogjinë arbnore dhe anzhuinase, dhe për marrëdhëniet italo-shqiptare të kohës ? pyet studiuesi italian, Gennaro M. Monti në vitin 1935 në një studim të tij. Sipas tij, burimi vjen prej studiuesit gjerman Karl Hopf, dhe është marrë nga kronika shqiptare, d.m.th. nga “Kujtimet e shkurtra të Don Gjon Muzakës, despotit të Epirit për fëmijët e tij” shkruar në 1510, dhe redaktuar, një kopje e fundit nga Scipione Volpicella, dhe nga vetë Hopf.

Siç mund të shihet, një rrëfim i saktë i dhënë nga një burim mjaft autoritativ si Hopf, por ai shkon aq larg sa e quan atë kronikë «la partie plus importante de ce recueil» dhe «la perle de nos materiaux relatifs à l’Albanie». (Pjesa më e rëndësishme e këtij koleksioni” dhe “perla e materialeve tona në lidhje me Shqipërinë” fr. R.F) . Përkundrazi, i njëjti autor i shquar, duke besuar në këtë lajm specifik, e kapërcen vështirësinë e përcaktimit të “Princit të Moresë” – i cili në kohën e Robertit, duhet të ishte gjithmonë një anzhuin i Napolit – duke e interpretuar në kuptimin e Bajlit, Angevin përfaqësuesin në Greqi, dhe duke e identifikuar atë, megjithëse me dyshim, si Bertrando del Balzo. 

Dinastia e Thopiajve

Dinastia Thopiajve, qe ndarë në dy degë kryesore, dhe pati ndikim në rajonin që shtrihej nga Durrësi në Artë; një degë sundonte në rajonin që shkonte nga Kruja në liqenin e Ohrit në veri të Devollit. Dhe dega tjetër e ka origjinën nga Labëria. Dega e Krujës dhe e Durrës mbanin vetëm mbiemrin Thopia; dega e Kaninës, e Çermenikës dhe e Shpatit mban mbiemrat Arianiti, Komneni, Golemi. Nga dinastët e këtyre dy degëve gjejmë të përmendur nga fillimi i shekullit XIII. Dega e parë ishte e lidhur me martesë me shtëpinë sunduese franceze të Bourbon-Anjou të Napolit; e dyta me shtëpinë sunduese të Komnenëve të Kostandinopojës. Princi më i shquar i degës së parë ishte Karl Thopia, i biri i Andrea Thopia-s dhe i një princeshe Angevine të Napolit, Princi i Shqipërisë, Zoti i Krujës dhe i Durrësit në kohën e Gjergjit Balsha I; Karli në vitin 1358 mundi dhe vrau Nicephorus II Orsini, despotin e Epirit dhe Thesalisë, në betejën e lumit Vjosa (Aspropotamos); Ai rindërtoi edhe kështjellat e Krujës dhe Petrelës; ai luftoi me Gjergjin e Balsha I dhe me Balsha II, të cilit i mori Krujën dhe Durrësin; e më pas, pasi u pajtua me ta, u martua me Vojsavën, të bijën e Balshës I duke u lidhur kështu me ta. Ai vdiq në janar 1388. Më i famshmi përfaqësues i degës së Kaninës ishte bashkëkohësi dhe vjehrri i Skënderbeut, Gjergj Arianiti Thopia Komneni Golemi, i cili u bë i famshëm gjatë luftërave që ai bëri kundër Sulltan Muhamedit I dhe Sulltan Muratit II. 

Misteri i mbishkrimit të manastirit të Elbasanit

Në manastirin e Shën Gjon Vladimirit, afër Elbassanit, gjendet një mbishkrim në latinisht, greqisht dhe sllavisht, ku lexojmë se Karl Thopia e rindërtoi manastirin në vitin 1381. Nga mbishkrimi grek mund të nxjerrim se mbiemri i kësaj pasurie princërore ishte Thopia (me TH dhe theksin në i). Këtu Karl Thopia quhet primus de domo Franciae; në krahët e tij mbante një luan të kurorëzuar me “fleurs de lys”(lule zambaku) të shtëpisë mbretërore të Francës sipas Hannit. Disa syresh e shkruajnë emrin e tyre Theopia dhe të tjerë Theopea. Barletti gabon kur quan Karl Thopian themeluesin e Krujës-s, sepse ky qytet përmendet qysh në vitin 1250 nga Akropoliti.

Manastiri i Shën Gjonit ndodhet rreth një orë në perëndim të Elbasanit në luginën e përroit të Kushës, një degë e Shkumbinit. Manastiri i kushtohet Shën Gjon Vladimir Thumaturgut; Mbishkrim latin në kishën e manastirit Shin Gjonit ku kam qenë thotë Ipeni, u shkatërrua nga tërmetet dhe u rindërtua nga Karl Thopia. Ky rindërtim është përjetësuar në dy mbishkrime; një në greqisht është gdhendur në një tra të gjatë guri që tani është mbi derën e kishës. Sipas tekstit grek të dhënë nga Hahn, “Albanesische Studien”, f. 135,   Vetëm një e dhënë konkrete mund të gjendej në emërtimin e një pllake tregjuhëshe të kishës në Elbasan, me të cilën thuhet se ajo u rindërtua në vitin 1381 « Nga regjenti në Shqipëri, princi e sundimtari i urtë Carolis Thopia, primo de domo Francaise», duhet ai dëshiron të nxjerrë në pah origjinën anzhuine të djalit të Andreas, Karlit por thënia mund të jetë e gjenerike për familjen Thopia dhe jo specifike për Karlin, sepse besohet se “familja Thopia e ka origjinën nga Franca të ardhur nga koha Karli I Anzhuit, prej nga kishin edhe pseudonimin Carolis” .

Vërtetimi i parë i mbiemrit Thopia mund të gjendet në një dokument anzhuin të vitit 1274, i cili shpall një marrëveshje të arritur midis një numri fisnikësh shqiptarë, dhe Karlit I të Anzhu të Napolit. Në dokument, një farë Miles Theopia është shënuar midis fisnikëve shqiptarë në pakt me anzhuinët. Thopia përmendet më pas në vitin 1329, kur Tanush Thopia përmendet si një nga kontët e Shqipërisë. Në 1338, Tanushi u përmend si Kont i Matit (conte di Matia). Sipas Anamalit & Prifti, Tanushi kishte një vëlla, Dominik, i cili ishte një klerik i lartë dhe shërbente si këshilltar i Robertit të Anzhu. (Pra të mbretit, që i vrau vëllain, sic! R.F).

Karl Thopia, princi i Arbërisë

Në vitin 1340, Thopia kontrollonte pjesën më të madhe të territorit midis lumenjve Mat dhe Shkumbin. Familja qe konvertuar nga ortodoksia në katolicizëm. Së bashku me familjen Muzaka, ata ranë fillimisht dakord ta njihnin sundimin e anzhuinëve, pasi u rebeluan kundër serbëve. Megjithatë, përveç Andrea Muzakës, i cili mundi serbët në një betejë në malet e Peristerit, nuk u ndërmor asnjë veprim për të realizuar traktatin me anzhuinët. Pas vdekjes së perandorit Stefan Dushan (1355), Karli arriti të pushtojë pjesën më të madhe të Arbërisë Qendrore, e cila deri atëherë ishte pjesë e Perandorisë Serbe. Kur pas vdekjes së perandorit Stefan Dushan, një pasardhës i Stefan Uroshit I, u kthye në krahinë, banorët u ngritën masivisht dhe, nën udhëheqjen e Karl Thopias, i prenë rrugën pretenduesit dhe gjithë forcave të tij në betejën e Acheloos/Vjosës.

Në vitin 1358, Karli u ngrit kundër sundimit të angjevinëve, edhe për shkakun e vrasjes së prindërve të tij, dhe arriti t’i dëbojë ata nga Durrësi nga Epiri dhe Shqipëria. Ai sundoi pjesën më të madhe të Shqipërisë qendrore moderne nga 1358 deri në 1388 dhe pretendoi titullin princeps Albaniae. Përfaqësues të njohur të mëvonshëm të shquar përfshijnë Tanush Thopian, komandantin e famshëm të ushtrisë së Skënderbeut dhe komandant i garnizonit të Krujës, gjatë Rrethimit të Dytë të saj.

Motive të kontaminuara

Duke u marrë me historinë e Thopiajve, u larguam nga ngjarja, që sipas studiuesit Italian Gennaro M. Monti kundërshton mendimin e Hopf-it, i cili  shkon aq larg sa shkruan: «Në tregimin e Muzakës, ndoshta, duhet të kërkojmë burimin e legjendës së rrëmbimit të Agnes de Courtenay nga Goffredi II i Akajas; si dhe martesën e supozuar, të Leonardit I Tocco me një vajzë jashtë martese të Ludovicos së Tarantos”. 

Kujtojmë se ndërsa martesa në Mesjetë ishte me kontratë, dashuria ishte e lirë dhe i dhurohej atij kalorësi, që kishte kaluar të gjitha sprovat e zonjës/ domina. Dashuria e oborrit, pra, ishte dashuri kurorëshkelëse; që binte ndesh disi me idealet e krishtera. Por rrëfimi i Muzakës, qe më shumë se një shekull e gjysmë më vonë se koha e Robertos, dhe është e pamundur, për një sërë arsyesh, si për shkak se vetëm e famshmja Fiammetta del Boccaccio është e njohur si vajza natyrale e angjevinit të tretë, dhe sepse nuk ka asnjë gjurmë të ekzekutimin të saj edhe në burimet napolitane, edhe sepse është e neveritshme, që t’i atribuohet atij mbreti dhe qytetërimit napolitan në përgjithësi, ky dënim kaq i tmerrshëm dhe i pajustifikuar, shkruan Monti. As nuk ia vlen t’u referoheshim lajmeve të tjera arbitrare të jetës së Boccaccios të shekullit të gjashtëmbëdhjetë, shton ai, të cilat e japin historinë e Fiammettës dhe prerjen e kokës pas vdekjes së Messer Giovanni-t, të dyja, sepse Maria d’Aquino, sigurisht, nuk mund ta identifikonte veten me gruan e Thopias. Këtu ka disa episode, të kontaminuar në më shumë se një shekull e gjysmë dhe të lidhura me traditën e origjinës franceze të Thopias, që dhanë shkas për formimin e një legjende, të mbledhur më pas, nga Muzaka në 1510. Për mendimin tonë, pra, kronikës shqiptare nuk mund t’i besohet, por duhet parë në të një legjendë e kontaminuar, me elemente të ndryshëm historikë, që u përkasin princeshave të ndryshme anzhuine dhe shqiptare.  

Po le ta mbyllim legjendën. Mbreti Roberto ishte shumë i zemëruar dhe vendosi të mirrte hakun ndaj çiftit të ri. Mbreti e thirri çiftin me ftesë për të marrë pjesë në një banket mbretëror. Kur ata mbërritën, ai i ftoi ata në një dhomë tjetër, dhe në atë moment, u lidhi këmbët me zinxhirë. Pas kësaj, i njoftoi ushtarët e tij t’ua prisnin kokat. Por çifti nuk kishte frikë. Ata u përqafuan dhe u mbështetën në dashurinë e tyre se besuan se do të jetojnë së bashku, në një botë tjetër, dhe fakti, që po flasim sot për ata e tregon këtë. 

Por si është e mundur, që babai të vriste vajzën e vet, kur ai edhe sot ai kujtohet, si Roberto i Urti? Përgjigjen na e zbulon, historiani bashkëkohor napolitan, Federico Quagliuolo. Ai na tregon një anë të errët të këtij mbreti dhe babai vrasës. Sipas tij: “Roberti i Anzhuit ishte një nga monarkët më të famshëm dhe magjepsës në historinë së Napolit, pa të nuk do të kishte as Santa Chiara dhe as Castel Sant’Elmo, për shembull. Dhe jo vetëm. Por Roberto e donte shumë kulturën, aq shumë sa për të ftuar në Napoli, artistë legjendarë si Petrarcha dhe Boccaccio, duke kaluar nga Giotto, Simone Martini dhe Tino da Camaino. Megjithatë, përveç meritave të tij të shumta, ekziston edhe një faqe misterioze: mbreti konsiderohej si një mjeshtër i vërtetë i filozofisë dhe arteve të magjisë. Në Ferrin e tij (XX, 116 s.) Dante e përcakton atë si ai “që me të vërtetë / e dinte lojën e mashtrimit magjike”; ai përmendet gjithashtu, nga Giovanni Boccaccio, tek Decameroni (VIII, 9) si “mjeshtër i madh nigromancie” që zbulonte të ardhmen duke folur me shpirtrat e të vdekurve. 

Thuhet pra, se kur mbreti e pa që çifti kishte vdekur i përqafuar në qeli, u ndje shumë keq. E kuptoi se ishte gabuar, dhe se dashuria e vërtetë nuk mund të ndalej. Ndaj ai i ndërtoi një katedrale të madhe për të mbajtur të gjallë kujtimin e tyre, mu në zemër të qendrës historike të Napolit, kushtuar Santa Chiaras. Kishë të cilën vetëm bombat e Luftës së Dytë Botërore, ishin në gjendje ta shkatërronin më 1943. Bazilika e Santa Chiaras, është kisha më e madhe gotike në Napoli, tok me manastirin ngjitur, ajo u ndërtua midis viteve 1310 dhe 1328, dhe vetë mbreti Robert është i varrosur aty. 

Por sot, pavarësisht nofkës “i urti”, sot ia vlen ta kujtojmë atë mbreti magjistar, si Roberto filia interfectorem “bijë-vrasësi”, dhe shkaku kryesor i urrejtjes, dhe madhështisë së princit sonë, arbër, Karl Thopia. 

Filed Under: Histori

Kryeministri Kurti: Masakra ndaj familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë

March 28, 2023 by s p

Podujevë, 28 mars 2023/

“Masakra ndaj familjes Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu është dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë”, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në përvjetorin e 24-të të masakrës në Podujevë.I shoqëruar nga Nënkryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Saranda Bogujevci, Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi dhe deputeti i Kuvendit, Armend Muja, Kryeministri Kurti bëri homazhe te varrezat e 16 anëtarëve të vrarë të familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu, në Podujevë, në masakrën e kryer nga njësiti serb “Shkorpionët”.Në një ditë si kjo, ne jemi plot dhembje, mall e pikëllim për më të dashurit tanë, për këto familje, që humbën e vuajtën kaq shumë, por në të njëjtën kohë jemi krenarë për qëndresën e tyre dhe për kurajon, që po ia japin gjithë popullit tonë, tha kryeministri Kurti. Ky krim, kjo masakër kërkon drejtësi. Si institucione të shtetit, si qytetarë të Republikës, si shqiptarë, që e duam vendin tonë, kurrë nuk do ta harrojmë borxhin, që e kemi ndaj familjeve, që dhanë gjithçka, por njëkohësisht edhe obligimin për të kërkuar drejtësi, sepse ata nuk u vranë, meqenëse e kishin mbiemrin a emrin e caktuar apo se ishin prej këtij apo atij vendi, por për shkak se ishin shqiptarë, që dëshironin të jetonin në tokën e tyre, në vendin e tyre, të lirë e në paqe, theksoi Kryeministri.Kryeministri Kurti i bëri thirrje Prokurorisë në Kosovë, në veçanti prokurorëve në Prokurorinë Speciale, që të punojnë ditë e natë, për shkak se detyra e tyre dhe përgjegjësia jonë e përgjithshme është ndjekja e kriminelëve dhe vënia e drejtësisë. I pranishëm ishte edhe Enver Duriqi, të cilit në këtë masakër ia kanë vrarë 4 fëmijë të moshave 3, 5, 8 edhe 10 vjeç, bashkë me gruan dhe prindërit. Në homazhe ishin edhe fëmijët e tij të lindur pas lufte, të cilët mbajnë emrat e fëmijëve të vrarë para 24 vjetëve. Deklarata e plotë e Kryeministrit Kurti në homazhet te varrezat e familjes Bogujevci: Ne po vijmë këtu pas vizitës së Izbicës, ku në Drenicë u vranë 147 shqiptarë, të cilët u rrëmbyen sa ishin të gjallë, u pushkatuan, u varrosën, u zhvarrosën, iu rrëmbyen kufomat, u dërguan në Serbi, u varrosën atje dhe më pastaj u zhvarrosën dhe u kthyen në Kosovë dhe jo të gjithë, meqenëse 6 prej tyre janë ende të pagjetur. Atje për të bërë nderime isha, përveç se me Presidenten Vjosa Osmani Sadriu dhe ministren tonë të Drejtësisë, Albulena Haxhiu edhe me udhëheqësin tonë, Kryetarin e Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, për të Zhdukurit me Dhunë, Andin Hotin. Po vijmë këtu në Llap, në Podujevë për të kujtuar e për të nderuar viktimat e familjes Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu, të cilët u vranë mizorisht nga Njësiti serb “Shkorpionët” 24 vjet më parë.Shtatë fëmijë dhe shtatë gra u vranë. Shtatë fëmijë nga mosha 2 deri në 15 vjeç dhe sot e kemi Saranda Bogujevcin, Nënkryetare të Kuvendit, të cilës iu vranë 16 anëtarë të familjes gjithsej dhe ajo iu mbijetoi 16 plumbave, që i ranë në trup.Ai njësiti famëkeq “Shkorpionët” është i njëjti, që ka marrë pjesë në masakrën e Srebrenicës në korrik të vitit 1995 dhe ekzekutori Sasha Cvjetan u pat dënuar me 20 vjet burg në Serbi, mirëpo u lirua 3 vjet e gjysmë para kohe për kinse sjellje të mirë. Ndërkaq, para pak muajsh, e morëm vesh lajmin se është arrestuar në Athinë të Greqisë, si njëri prej eksponentëve kryesor të një karteli të drogës atje.Pra, krimi i organizuar dhe kriminelët e luftës janë të lidhur ngushtë.Në një ditë si kjo, ne jemi plot dhembje, mall e pikëllim për më të dashurit tanë, për këto familje, që humbën e vuajtën kaq shumë, por në të njëjtën kohë jemi krenarë për qëndresën e tyre dhe për kurajon, që po ia japin gjithë popullit tonë.Andaj, si institucione të shtetit, si politikanë përfaqësues, si qytetarë të Republikës, si shqiptarë, ne jemi gjithmonë borxhli ndaj atyre që dhanë jetën për lirinë tonë dhe në të njëjtën kohë kemi obligim sa të jetë jeta, që të angazhohemi për drejtësi për ta.Masakra ndaj familjes Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu është dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë.Lavdi martirëve dhe dëshmorëve këtu në Podujevë në Llap, të familjeve Bogujevci, Duriqi e Llugaliu dhe të gjithë të rënëve për liri anembanë Kosovës!Deklarimi i plotë i Kryeministrit Kurti te varrezat e familjes Duriqi: Edhe masakra në familjen Duriqi para 24 vjetëve, është dëshmi e gjenocidit të Serbisë.Ju po e shihni se këtu e kemi Lapidarin, ku përkujtohet, që të mos harrohet kurrë vrasja e katër fëmijëve, 3 vjeç, 5 vjeç, 8 vjeç dhe 10 vjeç, por gjithashtu edhe e bashkëshortes dhe e prindërve. Këtu i kemi vëllezërit Duriqi. Ky krim, kjo masakër kërkon drejtësi. Si institucione të shtetit, si qytetarë të Republikës, si shqiptarë, që e duam vendin tonë, kurrë nuk do ta harrojmë borxhin, që e kemi ndaj familjeve, që dhanë gjithçka, por njëkohësisht edhe obligimin për të kërkuar drejtësi, sepse ata nuk u vranë, meqenëse e kishin mbiemrin a emrin e caktuar apo se ishin prej këtij apo atij vendi, por për shkak se ishin shqiptarë, që dëshironin të jetonin në tokën e tyre, në vendin e tyre, të lirë e në paqe.Ata u prehshin në paqe, mirëpo shpirtrat tanë, jo vetëm të familjes Duriqi, nuk do të jenë të qetë, derisa të mos ketë drejtësi, derisa edhe urdhërdhënësit edhe ekzekutorët të mos marrin ndëshkimin e domosdoshëm.Me këtë rast, i bëj thirrje edhe njëherë Prokurorisë në Kosovë, në veçanti prokurorëve në Prokurorinë Speciale, që të punojnë ditë e natë, për shkak se detyra e tyre dhe përgjegjësia jonë e përgjithshme është ndjekja e kriminelëve dhe vënia e drejtësisë. Lavdi martirëve të familjes Duriqi, lavdi gjithë dëshmorëve të kombit!Deklarimi i plotë i Kryeministrit me familjen Duriqi:Enver Duriqit ja kanë vrarë gruan, 4 fëmijë dhe prindërit. Fëmijët kanë qenë të moshave 3, 5,8 edhe 10 vjeç. Katër fëmijë ia kanë vrarë Enver Duriqit më 28 mars 1999.Ai ka filluar jetën e re në këto vitet e pasluftës dhe i ka sërish 4 fëmijë dhe këta fëmijë i kanë saktësisht emrat e fëmijëve të vrarë para 24 vjetëve.Ne kemi vuajtur shumë e kemi humbur shumë por populli ynë është një popull i cili nuk ndalet edhe i cili e do vendin e vet edhe më shumë se vetveten prandaj edhe ne do të ngadhënjejmë por duhet të bëjmë maksimumin që ata që pësuan kaq shumë të mos ngelën pa rehabilitimin që ua sjellë drejtësia andaj me këtë rast më lejoni që ta shpreh mirënjohjen time të thellë, falënderimin dhe përkuljen para kurajës së familjes Duriqi dhe uroj që këta fëmijë që mbajnë emrat e atyre fëmijëve të vrarë të kenë shëndet, jetë e sukses.

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • …
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT