


Nga Rafael Floqi
Përsiatje historike dhe letrare
Historia e prindërve të kontit arbër, Karl Thopia është sa e vërtetë, aq dhe legjendë. Është dashuria dhe fati tragjik midis një princeshe angjevine dhe një princi arbër në fillim të shekullit të 13 -të në Durrës. Kjo ngjarje përcaktoi jo vetëm jetën e prindërve të tij, por edhe vetë jetën e veprimet e princit Karl Thopia, dhe historinë mesjetare të qytetit të Durrësit dhe që kishte bërë shumë përshtypje në kastën e re feudale arbër para pushtimit turk të vendit, sa gati një shekull e ca më vonë, plaku flokëbardhë Gjon Muzaka, i mërguar në Itali pas pushtimit osman, e kujtonte në rrëfimet e tij për fisin e Muzakajve dhe origjinën e aristokracisë arbnore.
Nëse keltët kanë legjendën e mirënjohur të kthyer në vepër letrare të Tristanit dhe Izoldës, arbrit kanë një histori të tillë të ngjashme, por jo aq të lëvruar, por që ka shërbyer si lëndë e parë; motivi dhe materiali bazë letrar, për histori të tjera të shkrimtarë të shquar të Rilindjes italiane, si : Petrarcha, Boccacio, etj. të pranishëm në Oborrin e protagonistit të kësaj ngjarje,- Mbretit Roberto I Anjou të Napolit. Kjo ngjarje- legjendë, si ajo e famshmja e dashurisë së Tristanit dhe Izoldës, zbulon një konflikt të gjerë mesjetar midis normave të moralit publik dhe besnikërisë ndaj ndjenjave të dikujt, duke dëshmuar një dënim të fshehur me nëntekst të dogmave të kishës dhe lavdërimin e plotësisë së jetës dhe lirisë.
Ngjarje apo legjendë ?
Por pse ngjarja e vrasjes të një vajze të ardhur nga Napoli e të dashuruar e martuar në Arbëri, e të vrarë nga babai i saj mbret-magjistar, nuk ka gjetur pasqyrim në folklorin shqiptar? Kjo sipas mendim tim ka disa arsye:
Së pari, pushtimi i gjatë osman tentonte të fshinte të gjithë gjurmët e qytetërimit të mëparshëm dhe për ironi të fatit, siç do të shohim më poshtë, qe pikërisht Karl Topia, që i ftoi i pari osmanët në Arbëri, për ta ndihmuar kundër Balshajve. Së dyti, banorët e qytetit të Durrësit nga ishte dhe protagonisti i kësaj ngjarjeje, babai i tij Andrea I Thopia, në kohën e angjevinëve, ishte i veçuar nga banorët e prapatokës, arbrit. Gjë të cilën na e dëshmon edhe Ana Conmena, në Aleksiadën e saj, në kohën e sulmeve normane ndaj qytetit. Arsyeja e tretë ka të bëjë me një fakt etnografiko-letrar, se eposi shqiptar është i njëkohshëm me epopetë e mëdha evropiane: me “Chanson de Roland” dhe me “El cantar de mio Cid”. Ai përfaqëson shkallën më të hershme dhe më fillestare të vet identifikimit etnik dhe është epik. Dhe së katërti, legjenda të tilla me bazë dashurinë si Kostandini e Doruntina, të gjalla tek arbëreshët, nuk kishin arritur fazën e romanit kalorësiak të letërsisë së rilindjes evropiane e si rrjedhojë, nuk kanë përcjellë këtë ngjarje. Ndërsa ky motiv për folklorin shqiptar nuk qe i egzistent, për letërsinë italiane të oborrit të mbretit Robert të Napolit ka qenë mjaft pjellor.
Andrea I Thopia (që vdiq i vrarë më 1342 në Napoli) ishte princi arbër nga Durrësi. Në vitin 1338 ai trashëgoi qarkun e Matit nga paraardhësi i tij Tanush Thopia. Fati e desh që Andrea të ishte bërë dhëndër i mbretit napolitan Robert/o Anzhu I pa pëlqimin e tij. Dhe kjo gjë aq e ëmbël, do të përfundonte duke i kushtuar jetën. Mbreti Roberto Anjou i Napolit, i quajtur “i urti” ishte një “Mago Merlino”. Karl Thopia përmendet për herë të parë në vitin 1350, në një kohë kur angjevinët ende e zotëronin Durrësin. Ndaj mund të spekulojmë se kjo mund të ishte dhe arsyeja përse mbreti Robert se dërgoi të bijën e tij nuse, me krushq e roje drejtpërdrejt me anije në More pasi ata e sundonin Durrësin.
Gjon Muzaka e përshkruan lidhjen farefisnore midis anzhuinëve të Napolit dhe Thopias, si më poshtë: «Dijeni, gjithashtu, se mbreti Roberto, i cili ishte mbreti i Napolit, dërgoi një vajzë të tij jashtë martese. për t’u martuar me Princin e Moresë, dhe thuhet se ajo qëndroi në qytetin e Durrësit, ai qëndroi aty disa ditë, në atë mënyrë që Zoti Andrea ra në dashuri me zonjushën në fjalë, dhe ajo me të, të cilët më pas ranë dakord të martoheshin me njëri-tjetrin dhe kështu u bënë dhe me dy fëmijë; i pari quhej Zoti Karl, dhe tjetri Zoti Gjergj. Dhe pas një farë kohe, mbreti Roberto e ftoi vajzën dhe dhëndrin e tij në Napoli, dhe më pas, me pushtetin e tij dha urdhër që të dy të vdisnin për aktin e kryer, dhe djemtë e tyre të lart përmendur u larguan përsëri në vendin e tyre.”
Emri i vajzës së mbretit del në dy forma Fiammetta( Flakëza) dhe me emrin e pagëzimit Helena. Sipas , Sainty, Guy Stair “ Helena, kontesha e Matias/Matit , e cila ra në dashuri dhe u martua me Andrea I Thopian , Kontin e Matit, pa pëlqimin e babait të saj. Helena ndoshta do të martohej me Filipin, djalin e Baldwin II, e pasi kjo ndodhi. Emblema e Thopiajve përmbante tre zambakë të ndarë me një vijë me pika, që tregonte se ishte një fëmijë jashtë martese. Martesa nuk u pranua nga Roberti, prandaj ai e ftoi çiftin në Napoli me pretekstin e pajtimit, ku i ekzekutoi fshehurazi natën. ( mjaft intriguese R.F.)
Por çfarë themeli mund të ketë kjo ngjarje, e cila do të ishte shumë interesante për gjenealogjinë arbnore dhe anzhuinase, dhe për marrëdhëniet italo-shqiptare të kohës ? pyet studiuesi italian, Gennaro M. Monti në vitin 1935 në një studim të tij. Sipas tij, burimi vjen prej studiuesit gjerman Karl Hopf, dhe është marrë nga kronika shqiptare, d.m.th. nga “Kujtimet e shkurtra të Don Gjon Muzakës, despotit të Epirit për fëmijët e tij” shkruar në 1510, dhe redaktuar, një kopje e fundit nga Scipione Volpicella, dhe nga vetë Hopf.
Siç mund të shihet, një rrëfim i saktë i dhënë nga një burim mjaft autoritativ si Hopf, por ai shkon aq larg sa e quan atë kronikë «la partie plus importante de ce recueil» dhe «la perle de nos materiaux relatifs à l’Albanie». (Pjesa më e rëndësishme e këtij koleksioni” dhe “perla e materialeve tona në lidhje me Shqipërinë” fr. R.F) . Përkundrazi, i njëjti autor i shquar, duke besuar në këtë lajm specifik, e kapërcen vështirësinë e përcaktimit të “Princit të Moresë” – i cili në kohën e Robertit, duhet të ishte gjithmonë një anzhuin i Napolit – duke e interpretuar në kuptimin e Bajlit, Angevin përfaqësuesin në Greqi, dhe duke e identifikuar atë, megjithëse me dyshim, si Bertrando del Balzo.
Dinastia e Thopiajve
Dinastia Thopiajve, qe ndarë në dy degë kryesore, dhe pati ndikim në rajonin që shtrihej nga Durrësi në Artë; një degë sundonte në rajonin që shkonte nga Kruja në liqenin e Ohrit në veri të Devollit. Dhe dega tjetër e ka origjinën nga Labëria. Dega e Krujës dhe e Durrës mbanin vetëm mbiemrin Thopia; dega e Kaninës, e Çermenikës dhe e Shpatit mban mbiemrat Arianiti, Komneni, Golemi. Nga dinastët e këtyre dy degëve gjejmë të përmendur nga fillimi i shekullit XIII. Dega e parë ishte e lidhur me martesë me shtëpinë sunduese franceze të Bourbon-Anjou të Napolit; e dyta me shtëpinë sunduese të Komnenëve të Kostandinopojës. Princi më i shquar i degës së parë ishte Karl Thopia, i biri i Andrea Thopia-s dhe i një princeshe Angevine të Napolit, Princi i Shqipërisë, Zoti i Krujës dhe i Durrësit në kohën e Gjergjit Balsha I; Karli në vitin 1358 mundi dhe vrau Nicephorus II Orsini, despotin e Epirit dhe Thesalisë, në betejën e lumit Vjosa (Aspropotamos); Ai rindërtoi edhe kështjellat e Krujës dhe Petrelës; ai luftoi me Gjergjin e Balsha I dhe me Balsha II, të cilit i mori Krujën dhe Durrësin; e më pas, pasi u pajtua me ta, u martua me Vojsavën, të bijën e Balshës I duke u lidhur kështu me ta. Ai vdiq në janar 1388. Më i famshmi përfaqësues i degës së Kaninës ishte bashkëkohësi dhe vjehrri i Skënderbeut, Gjergj Arianiti Thopia Komneni Golemi, i cili u bë i famshëm gjatë luftërave që ai bëri kundër Sulltan Muhamedit I dhe Sulltan Muratit II.
Misteri i mbishkrimit të manastirit të Elbasanit
Në manastirin e Shën Gjon Vladimirit, afër Elbassanit, gjendet një mbishkrim në latinisht, greqisht dhe sllavisht, ku lexojmë se Karl Thopia e rindërtoi manastirin në vitin 1381. Nga mbishkrimi grek mund të nxjerrim se mbiemri i kësaj pasurie princërore ishte Thopia (me TH dhe theksin në i). Këtu Karl Thopia quhet primus de domo Franciae; në krahët e tij mbante një luan të kurorëzuar me “fleurs de lys”(lule zambaku) të shtëpisë mbretërore të Francës sipas Hannit. Disa syresh e shkruajnë emrin e tyre Theopia dhe të tjerë Theopea. Barletti gabon kur quan Karl Thopian themeluesin e Krujës-s, sepse ky qytet përmendet qysh në vitin 1250 nga Akropoliti.
Manastiri i Shën Gjonit ndodhet rreth një orë në perëndim të Elbasanit në luginën e përroit të Kushës, një degë e Shkumbinit. Manastiri i kushtohet Shën Gjon Vladimir Thumaturgut; Mbishkrim latin në kishën e manastirit Shin Gjonit ku kam qenë thotë Ipeni, u shkatërrua nga tërmetet dhe u rindërtua nga Karl Thopia. Ky rindërtim është përjetësuar në dy mbishkrime; një në greqisht është gdhendur në një tra të gjatë guri që tani është mbi derën e kishës. Sipas tekstit grek të dhënë nga Hahn, “Albanesische Studien”, f. 135, Vetëm një e dhënë konkrete mund të gjendej në emërtimin e një pllake tregjuhëshe të kishës në Elbasan, me të cilën thuhet se ajo u rindërtua në vitin 1381 « Nga regjenti në Shqipëri, princi e sundimtari i urtë Carolis Thopia, primo de domo Francaise», duhet ai dëshiron të nxjerrë në pah origjinën anzhuine të djalit të Andreas, Karlit por thënia mund të jetë e gjenerike për familjen Thopia dhe jo specifike për Karlin, sepse besohet se “familja Thopia e ka origjinën nga Franca të ardhur nga koha Karli I Anzhuit, prej nga kishin edhe pseudonimin Carolis” .
Vërtetimi i parë i mbiemrit Thopia mund të gjendet në një dokument anzhuin të vitit 1274, i cili shpall një marrëveshje të arritur midis një numri fisnikësh shqiptarë, dhe Karlit I të Anzhu të Napolit. Në dokument, një farë Miles Theopia është shënuar midis fisnikëve shqiptarë në pakt me anzhuinët. Thopia përmendet më pas në vitin 1329, kur Tanush Thopia përmendet si një nga kontët e Shqipërisë. Në 1338, Tanushi u përmend si Kont i Matit (conte di Matia). Sipas Anamalit & Prifti, Tanushi kishte një vëlla, Dominik, i cili ishte një klerik i lartë dhe shërbente si këshilltar i Robertit të Anzhu. (Pra të mbretit, që i vrau vëllain, sic! R.F).
Karl Thopia, princi i Arbërisë
Në vitin 1340, Thopia kontrollonte pjesën më të madhe të territorit midis lumenjve Mat dhe Shkumbin. Familja qe konvertuar nga ortodoksia në katolicizëm. Së bashku me familjen Muzaka, ata ranë fillimisht dakord ta njihnin sundimin e anzhuinëve, pasi u rebeluan kundër serbëve. Megjithatë, përveç Andrea Muzakës, i cili mundi serbët në një betejë në malet e Peristerit, nuk u ndërmor asnjë veprim për të realizuar traktatin me anzhuinët. Pas vdekjes së perandorit Stefan Dushan (1355), Karli arriti të pushtojë pjesën më të madhe të Arbërisë Qendrore, e cila deri atëherë ishte pjesë e Perandorisë Serbe. Kur pas vdekjes së perandorit Stefan Dushan, një pasardhës i Stefan Uroshit I, u kthye në krahinë, banorët u ngritën masivisht dhe, nën udhëheqjen e Karl Thopias, i prenë rrugën pretenduesit dhe gjithë forcave të tij në betejën e Acheloos/Vjosës.
Në vitin 1358, Karli u ngrit kundër sundimit të angjevinëve, edhe për shkakun e vrasjes së prindërve të tij, dhe arriti t’i dëbojë ata nga Durrësi nga Epiri dhe Shqipëria. Ai sundoi pjesën më të madhe të Shqipërisë qendrore moderne nga 1358 deri në 1388 dhe pretendoi titullin princeps Albaniae. Përfaqësues të njohur të mëvonshëm të shquar përfshijnë Tanush Thopian, komandantin e famshëm të ushtrisë së Skënderbeut dhe komandant i garnizonit të Krujës, gjatë Rrethimit të Dytë të saj.
Motive të kontaminuara
Duke u marrë me historinë e Thopiajve, u larguam nga ngjarja, që sipas studiuesit Italian Gennaro M. Monti kundërshton mendimin e Hopf-it, i cili shkon aq larg sa shkruan: «Në tregimin e Muzakës, ndoshta, duhet të kërkojmë burimin e legjendës së rrëmbimit të Agnes de Courtenay nga Goffredi II i Akajas; si dhe martesën e supozuar, të Leonardit I Tocco me një vajzë jashtë martese të Ludovicos së Tarantos”.
Kujtojmë se ndërsa martesa në Mesjetë ishte me kontratë, dashuria ishte e lirë dhe i dhurohej atij kalorësi, që kishte kaluar të gjitha sprovat e zonjës/ domina. Dashuria e oborrit, pra, ishte dashuri kurorëshkelëse; që binte ndesh disi me idealet e krishtera. Por rrëfimi i Muzakës, qe më shumë se një shekull e gjysmë më vonë se koha e Robertos, dhe është e pamundur, për një sërë arsyesh, si për shkak se vetëm e famshmja Fiammetta del Boccaccio është e njohur si vajza natyrale e angjevinit të tretë, dhe sepse nuk ka asnjë gjurmë të ekzekutimin të saj edhe në burimet napolitane, edhe sepse është e neveritshme, që t’i atribuohet atij mbreti dhe qytetërimit napolitan në përgjithësi, ky dënim kaq i tmerrshëm dhe i pajustifikuar, shkruan Monti. As nuk ia vlen t’u referoheshim lajmeve të tjera arbitrare të jetës së Boccaccios të shekullit të gjashtëmbëdhjetë, shton ai, të cilat e japin historinë e Fiammettës dhe prerjen e kokës pas vdekjes së Messer Giovanni-t, të dyja, sepse Maria d’Aquino, sigurisht, nuk mund ta identifikonte veten me gruan e Thopias. Këtu ka disa episode, të kontaminuar në më shumë se një shekull e gjysmë dhe të lidhura me traditën e origjinës franceze të Thopias, që dhanë shkas për formimin e një legjende, të mbledhur më pas, nga Muzaka në 1510. Për mendimin tonë, pra, kronikës shqiptare nuk mund t’i besohet, por duhet parë në të një legjendë e kontaminuar, me elemente të ndryshëm historikë, që u përkasin princeshave të ndryshme anzhuine dhe shqiptare.
Po le ta mbyllim legjendën. Mbreti Roberto ishte shumë i zemëruar dhe vendosi të mirrte hakun ndaj çiftit të ri. Mbreti e thirri çiftin me ftesë për të marrë pjesë në një banket mbretëror. Kur ata mbërritën, ai i ftoi ata në një dhomë tjetër, dhe në atë moment, u lidhi këmbët me zinxhirë. Pas kësaj, i njoftoi ushtarët e tij t’ua prisnin kokat. Por çifti nuk kishte frikë. Ata u përqafuan dhe u mbështetën në dashurinë e tyre se besuan se do të jetojnë së bashku, në një botë tjetër, dhe fakti, që po flasim sot për ata e tregon këtë.
Por si është e mundur, që babai të vriste vajzën e vet, kur ai edhe sot ai kujtohet, si Roberto i Urti? Përgjigjen na e zbulon, historiani bashkëkohor napolitan, Federico Quagliuolo. Ai na tregon një anë të errët të këtij mbreti dhe babai vrasës. Sipas tij: “Roberti i Anzhuit ishte një nga monarkët më të famshëm dhe magjepsës në historinë së Napolit, pa të nuk do të kishte as Santa Chiara dhe as Castel Sant’Elmo, për shembull. Dhe jo vetëm. Por Roberto e donte shumë kulturën, aq shumë sa për të ftuar në Napoli, artistë legjendarë si Petrarcha dhe Boccaccio, duke kaluar nga Giotto, Simone Martini dhe Tino da Camaino. Megjithatë, përveç meritave të tij të shumta, ekziston edhe një faqe misterioze: mbreti konsiderohej si një mjeshtër i vërtetë i filozofisë dhe arteve të magjisë. Në Ferrin e tij (XX, 116 s.) Dante e përcakton atë si ai “që me të vërtetë / e dinte lojën e mashtrimit magjike”; ai përmendet gjithashtu, nga Giovanni Boccaccio, tek Decameroni (VIII, 9) si “mjeshtër i madh nigromancie” që zbulonte të ardhmen duke folur me shpirtrat e të vdekurve.
Thuhet pra, se kur mbreti e pa që çifti kishte vdekur i përqafuar në qeli, u ndje shumë keq. E kuptoi se ishte gabuar, dhe se dashuria e vërtetë nuk mund të ndalej. Ndaj ai i ndërtoi një katedrale të madhe për të mbajtur të gjallë kujtimin e tyre, mu në zemër të qendrës historike të Napolit, kushtuar Santa Chiaras. Kishë të cilën vetëm bombat e Luftës së Dytë Botërore, ishin në gjendje ta shkatërronin më 1943. Bazilika e Santa Chiaras, është kisha më e madhe gotike në Napoli, tok me manastirin ngjitur, ajo u ndërtua midis viteve 1310 dhe 1328, dhe vetë mbreti Robert është i varrosur aty.
Por sot, pavarësisht nofkës “i urti”, sot ia vlen ta kujtojmë atë mbreti magjistar, si Roberto filia interfectorem “bijë-vrasësi”, dhe shkaku kryesor i urrejtjes, dhe madhështisë së princit sonë, arbër, Karl Thopia.