• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2023

Qytetarët e Kosovës lëvizin pa viza nga 1 janari 2024

April 18, 2023 by s p

Prishtinë, 18 prill 2023/

Liberalizimi i vizave tashmë është realitet. Ditën e sotme u votua pozitivisht në Parlamentin Evropian dhe vendimi final mbi liberalizimin e vizave. Ai do të nënshkruhet zyrtarisht ditën e nesërme në Strasbourg nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së, ku do të jetë prezent dhe zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi.

Vendimi do të publikohet në gazetën zyrtare dhe hyn në fuqi 20 ditë pas publikimit. Sipas këtij vendimi, qytetarët e Republikës së Kosovës do të mund të lëvizin pa viza në zonën Schengen dhe atë jo më vonë se data 1 janar 2024.

Rregullat e reja mbi heqjen e regjimit të vizave për Kosovën do t’i lejojnë qytetarët të udhëtojnë në BE pa viza për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh në çdo periudhë 180 ditore. Kosova i kishte plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave me kohë, por deri më tani mungonte konsensusi në mesin e vendeve anëtare për avancimin e procesit. Falë punës së Qeverisë sidomos në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit e menaxhimit të migrimit u arrit zhbllokimi i procesit dhe bindja e institucioneve të BE-së dhe vendeve anëtare se Kosova meriton përfundimin e procesit të liberalizimit të vizave dhe se vendi ka bërë progres e arritje të rëndësishme në fushat relevante.

Pas një pritjeje të gjatë, ky është një moment kyç i përafrimit të vendit tonë me familjen evropiane.

Filed Under: Kronike

Në 24-vjetorin e masakrës së Poklekut dhe Çikatovës së Vjetër të Drenicës, krimi serbe që tronditi botën

April 18, 2023 by s p

Dr. Lulzim Nika/

Masakra në fshatin Poklek i Vjetër dhe Çikatovë të Vjetër, të Drenasit, ku ushtria serbe ka masakruar dhe i ka vrarë, pastaj edhe i ka djegur kufomat e 77 shqiptarëve civilë të paarmatosur.

Sikur të kishim një politikë me vizionare, që të mos vraponte pas përfitimeve të pushtetit qe 24 vite, një gjykatë ndërkombëtare do të ishte dashur të formohej, vetëm për ndriçimin e masakrës së Poklekut të Vjetër dhe Çikatovë së Vjetër gjykimin e kriminelëve serbë për këtë masakër ende nuk është bërë.

Me 17 prill 1999 forcat serbe ushtruan një nga aktet më të tmerrshme duke vrarë masakruar civilët shqiptarë, në fshatin Poklek të vjetër dhe Çikatovës së vjetërtë Drenicës.

53 viktimat e kësaj barbarie serbe pasi ishin vrarë, kufomat e tyre ishin djegur, për të humbur gjurmët e krimit. As foshnjat gjashtëmuajshe e as pleqtë 75 vjeçar nuk u kursyen nga barbaria serbe.

Masakra ndajë familjarëve të familjes Muçolli, Elshani e Caraku, u cilësua si ndër krimet më të rënda kundër njerëzimit, për të cilën shkruan edhe mediat botërore.

Pra, masakra e Poklekut, trazoi ndërgjegjen e njerëzimit dhe bota perëndimore, përfundimisht u bind për natyrën vrastare e kriminele të shtetit serb dhe qëllimeve të tij për zhbërjen e Kosovës dhe shqiptarëve.

Ndër të rënët, ishte edhe Ymer Elshani, poet i jashtëzakonshëm për të gjitha trevat shqiptare. E them këtë, jo vetëm se pata fatin ta njoh në kohë të vështira për ndjenjën e tij thellësisht kombëtare, jetonte dhe punonte pa u kursyer, në funksion të çështjes shqiptare.

Si autor i letërsisë për fëmijë, ishte i paarritshëm dhe po ashtu, u bë një referencë e domosdoshme për këdo që donte të merrej me letërsi për fëmijë apo të shkruante për letërsinë.

Një shpirt poeti siç ishte Ymer Elshani, ra në altarin e lirisë, me gjithë familjen, duke shtuar edhe më shumë dhembjen tonë për të dhe familjen e tij, e duke lënë edhe letërsinë tonë për fëmijë, pa autorin, që ishte simbol i kësaj letërsie në Kosovë!

Lavdi të gjithë të rënëve në Poklek të Vjetër!

Kujtimi për ta, qoftë i përjetshëm!

LAVDI

Filed Under: Fejton

DITAR UDHETIMI I NJE KOHE TJETER

April 17, 2023 by s p

Naum Prifti/

Pas rrugës së mërzitshme Ballsh-Tepelenë përmes Visokës së zhveshur dhe monotone, udhëtari mezi pret të pushoj dhe të freskohet te Ujët e Ftohtë. Vizitori zbret nga automjeti dhe shtriqet e shpihet. Mund të shkoj të çlodhet pakëz apo të haj diçka te klubi ose të pij ujë te çezma teksa sodit panoramën rreth e qark. Rrapishta hijedendur shpërndan fresk edhe në piskun e vapës, ndërsa ujët tatëpjetë malit zbret krejt i bardhë si shkumbë, duke grishur vizitorin t’i vejë pranë ta sodit ose të ndiej në duar rrjedhën e tij. Nga që rrjedha zbret furishëm tatëpjetë malit mes shtratit shkëmbor gjithë gurë e pragje, ujët zbardhet prej bulave të ajrit që depërtojnë në të. Përroi gurgullon ditënatë melodi të lashta sa bota dhe njëkohësisht të freskëta e këndellëse, ndërsa skërkalat jonizojnë ajrin dhe mjedisin anembanë në peizazhin që ndërron pamje çdo stinë të vitit. Në pranverë, lugina gjelbërohet skaj më skaj, ajri kundërmon erë manushaqesh e zambakësh. Gjatë muajve të verës, pemët hijedendura shpërndajnë freski mbi tokën e aromatizuar nga lulet e blirit dhe trëndelinës. Vjeshta e larushit pyllin me aq nuanca ngjyrash sa ngjan si një tablo gjigante të gjallë ndërsa dimrit dëbora zbardh majën e Golikut përkarshi si dhe shpatet e buta të Çajupit. Vjosa e kaltër rrjedh ujëplotë mes luginës së ngushtë veshur me pemë. Burimet e saj nisin thellë maleve të Pindit me emrin Sarandapor, e pasi shkojnë drejt jugut bukur gjatë kthehen nga perëndimi dhe marrin emërtim tjetër. Në vendpushimin ku ishte një kafe-rostiçeri e shëmtuar prej dërrase, tregtia socialiste e Tepelenës ndërtoi një lokal më të madh. Shkallët e drurit u zëvendësuan me shkallë çimentoje, sheshi përpara lokalit u mbulua me pllaka bojë mjalti dhe aty u instalua një çezmë me rubinet. Përjashta u vendosën disa tryeza e karrike metalike për klientët që duan ta pinë kafen në natyrë dhe kësisoj lokali mori një farë hijeshie ndonëse brenda koncepteve artizanale. Për ndonjë banjë publike sado modeste, nuk u kujtua njeri. Klientët meshkuj ngjiten shtigjeve të pyllit dhe “vaditin” gëmushat si në kohët parahistorike, ndërsa femrat zbresin poshtë te banjat që ndodhen paksa mbi xhadenë automobilistike. Meqë asnjë prej tri kabinave nuk ka derë, gratë shkojnë kolektivisht dhe ndërsa njëra futet brenda, të tjerat bëjnë roje anash për të ndaluar kalimtarët kuriozë të rastit. Ndonëse mund ta kapërcesh si anekdotë, është tregues i konceptit arkaik për banjat në sistemin socialist. Kohë pas kohe sistemi shpall fushata higjienike për fshatin, ndërsa nevojtoret publike në qytete kutërbojnë erë të padurueshme amoniaku. Banjat ala-turke me granil nuk po u ndahen apartamenteve as në çerekun e fundit të shekullit 20. Vetëm vilat e Tiranës së Re, të ndërtuara midis viteve ’35-’40, kanë banja moderne me të gjitha pajisjet, lavaman, vaskë, dush, bide prej porcelani të bardhë, krem ose rozë. Pasi u shpronësuan pronarët e tyre të ligjshëm ose u përzunë, vilat tok me banjat ”borgjeze” sot i gëzojnë fitimtarët, udhëheqësit, ministrat, gjeneralët, njerëzit e zgjedhur të nomenklaturës, klasa e re politike, brenda dhe jashtë bllokut komunist.

Sokrati është një shoku im me profesion dentist. Ai ka studiuar në Gjermani dhe meqë gëzon besimin e organeve përkatëse, gjatë verës, shoqëron grupe turistike gjermanofolëse. Në mënyrë konfidenciale ai më ka thënë se edhe puna e shoqëruesit, sado e lakmuar të duket nga jashtë, ka telashet e saj. “Sa herë udhëtoj me ndonjë grup nga një qytet në tjetrin, ta zëmë nga Tirana në Vlorë, Gjirokastër a Sarandë, doemos do ndalojmë diku për të pushuar. Çastet më të vështira për mua janë ato, kur femrat më pyesin ku ndodhen banjat. Ku t’i shpie unë i ziu? Ku t’u them të futen? Shumica e banjave tona përgjatë rrugëve janë pa dyer, pa ujë, pa letra higjienike dhe më e keqja shpesh s’ke ku ve këmbët nga pisllëku. E beson? Më vjen turp për vendin tim”, më thotë Sokrati.

Te Ujët e Ftohtë kur u ndërtua poshtë xhadesë një klub-restorant i ri mjaft i bukur, u rregullua me shije interiori si edhe mjedisi natyror rreth e qark klubit. Basene me ujë, shatrivane, kaskada, postate me lule, stola prej druri te rrugicat nën hijen e pemëve sjellin diçka të re në konceptet e ndërtimeve dhe urbanistikës. Mirëpo edhe aty banjat u lanë mangut. Dy banjo të vogla brenda klubit, mbahen të mbyllura me kyc dhe përdoren vetëm nga personeli. Për shkak të kulturës së ulët higjienike të klientëve, ato mbahen mbyllur në restorantet e bufesë ku mungon ujët e rrjedhshëm, por edhe në një lokal si ky te Ujët e Ftohtë, ku tonelata uji derdhen në Vjosë, disa metra më tej. Kësisoj, për nevojat higjienike, edhe aty, klientët detyrohen të dalin në natyrën e hapur.

Te Ujët e Ftohtë zbrita nga mikrobusi me të cilin erdha nga Tirana, meqë ai kishte destinacion Përmetin. Rruga Tepelenë – Gjirokastër prej 30 kilometrash ka trafik relativisht të dendur. Autobusët e linjës vozitin në të dy krahët po ashtu edhe kamionë të rastit. Nuk ngutesha të dilja në agjensinë e udhëtimeve se e kisha vendosur të qëndroja në Tepelenë atë natë për shkak se Festivali folkloristik hapej të nesërmen pasdite.

Vizitorë në Lekël

Aty më zuri syri Pandeli Koçin me të cilin njihemi që nga koha kur ishte student gjimnazi në Vlorë. Edhe pse me diferencë moshe, mendimet dhe shijet i kishim të përafërta, prandaj bisedojmë pa ndrojtje për çfarëdo teme. Si miq të vjetër e ndiejmë se vetëm konformistët dhe hipokritët e quajnë për detyrë të lavdërojnë çdo nismë të ashtuquajtur “revolucionare nga partia, të cilat po i sjellin pasoja të dëmshme ekonomisë dhe jetës shoqërore vit pas viti. Pandeliu tha se do shkonte në Lekël të vizitonte hallën dhe më ftoj të vija edhe unë me të. Ftesa e papritur më ngjalli joshje dhe stepje. Mund të ishte rast i papërsëritshëm për ta parë Leklin, por druhesha të shkoja te një familje e panjohur ndersa Pandeliu më qetesoi kur më tha se mikpritësit nuk do viheshin në siklet mbasi te halla po shkonte pa e lajmëruar, sa për ta parë.

Emrin e fshatit e kisha dëgjuar nga Koço Koçi, banakier i Klubit të Shkrimtarëve, xhaxhai i Pandeliut. Ai u riatdhesua nga Argjentina para disa viteve, ndoshta me nxitjen e Piros, djalit të tij, “për të shijuar socializmin në Shqipëri”. Si shumica e shqiptarëve që kthehen nga ai vend, gjendja e tij ekonomike ishte tepër modeste nga që paraja fitohet me vështirësi nga emigrantët. I mbajtur mjaft mirë dhe i shëndetshëm, kërkoi të punonte dhe tregtia socialiste i besoi Klubin e Shkrimtarëve. Xha Koçoja ishte i këndshëm në bisedë dhe rrëfimtar i talentuar dhe me fjalor të pasur. Madje u përpoq ta ngrinte nivelin e shërbimit dhe të gatimit, aq sa lejonte niveli i kohës. Sa herë tregonte ndonjë ngjarje, e niste me fjalët “andej nga anët tona” duke e vendosur dëgjuesin në vendngjarje dhe duke hequr dyshimet për vërtetësinë e historisë. Prej tij e kam marrë subjektin e skicës humoristike “Për Vete-tha Dervishi”.

Koçoja tjetër nga Lekli, që njihja unë, e kishte llagapin Suli dhe ishte riatdhesuar nga Amerika. Ai kishte në Filadelfi të shtetit të Pensilvanisë një restorant mjaft të mirë dhe ia dinte sërën punës. Vëllai im i madh, Toli, u bë ortak me të një periudhë kohe ose kishte punuar në restorantin e tij, nuk jam i sigurtë. Kisha njohur edhe djemtë e tij, Anthimon (Thimin) kryellogaritari me stazh më të gjatë te gazeta “Zëri i Popullit”, më vonë nëndrejtor administrativ në Teatrin e Operës dhe Baletit, dhe Sotirin, inxhinier në Fabrikën e Çimentos Fushë-Krujë.

Deri atëherë kisha disa të njohur nga fshati, por tani kam rastin të vizitoj Leklin. Tok me Pandeliun po ngjiteshim ngadalë së përpjetës së shpatit drejt Leklit me shumë traga dhe pa asnjë monopat të dallueshëm. Ecnim rrugë pa rrugë duke u përpjekur të mos humbnim orientimin. Arat, ledhet, pemët, lëndinat, djerrinat, kulet e gjithçka kridhej nën rrezet e diellit vjeshtak që derdh mbi tokë vakësi ledhatuese drite. Ishte kohë ideale për shëtitje, behar i vogël vjeshte, as ftohtë, as vapë. Duke qëmtuar aty-këtu manaferra, ndonjë fik të arrirë, ndonjë arrë të harruar në pemë, pata ndjesinë e kthimit në vitet e largëta të fëmijërisë, kur endesha me shokët nëpër ara e lëndina duke kërkuar lajthi a kullumbri, kur shqyenim krahët për të rrëzuar me gur ndonjë gorricë të papjekur. Janë po ato aroma dhe ngjyra, po ajo përskuqje nuancash vjeshtore e fletëve dhe të gjitha bashkë më kredhin mes një nostalgjie të largët dhe të ëmbël. Pas kaq kohe po eci në natyrë i patrazuar nga asnjë mendim tjetër.

Faik Ballanca

Më ra në mend një vizitor tjetër i Leklit, shkrimtari Faik Ballanca. E dija se pas vizitës, Faiku shkroi dy tregime dhe një roman, subjektin e të cilit e voli në Lekël. Romani evokonte shovinizmin grek kundrejt Shqipërisë gjatë luftës Italo-Greke, mirëpo marrëdhëniet me Greqinë ishin përmirësuar dhe censura e mënjanoi si temë kritike për të mos prishur atmosferën e buzëqeshjeve se tani jemi “dy popuj fqinj, dy popuj miq”. Ky është vetëm një nga rastet e sakrifikimit të së vërtetave historike për hatër të konjukturave politike. Pandeliu është ndër shkrimtarët e pakët që përdor pseudonim, dikur formë mjaft e pëlqyer, ndërsa tashmë e dalë nga moda letrare. Për pseudonim ka zgjedhur dy toponime vendesh ngushtësisht të lidhura me jetën e tij, ishullin Sazan të Vlorës ku u rrit, dhe malin Golik të Tepelenës, pranë të cilit lindi dhe kaloi fëmijërinë. Sazan Goliku nuk i ka shkëputur lidhjet me vendlindjen, qoftë nga malli i fëmijërisë, qoftë nga dëshira për të vizituar të afërmit e tij. Në njërën prej vizitave të verës mori me vete edhe shkrimtarin Faik Ballanca. Pandeliut i vinte keq për Faikun që u nda aq i ri nga jeta. Shtypi shqiptar i kohës e ka të ndaluar rreptësishtë të përmend fjalën vetëvrasje. Gazeta “Drita” e kaloi ngjarjen e hidhur të humbjes së shkrimtarit të talentuar Faik Ballanca me pesë rreshta.

Shpeshtësia e vetëvrasjeve vërehet në disa vende me ekonomi të përparuara si Amerikë, Francë, Japoni, Shtetet Skandinave, ndërsa fukarai që rropatet për të mbijetuar nuk e vret veten në asnjë cep të botës. Vetëvrasjet tek ne mund të jenë të rralla si vend i varfër por pak raste vetëvrasjesh të njohura kanë ngjarë për shkaqe politike. Disa kuadro partie të kritikuar ashpër, të shkarkuar nga detyra, ose në prag të shkarkimit, të përjashtuar nga partia, e dinin mirëfilli fundin e pritshëm nga shembujt paraardhës, të shokëve të rrëzuar para tyre, prandaj preferuan më mirë të vetëvriten sesa të ecnin në rrugën e Kalvarit plot mundime dhe pastaj të vriteshin nga dora ose me urdhër të atyre që kishin qenë shokët e tyre.

Biseda jonë u soll rreth vetëvrasjes së Faikut, rreth shkakut ose shkaqeve që e shtynë. Pandeliu mendon se Faiku e pësoi prej vetive të karakterit. Ai ishte tepër sensibël dhe tepër kryelartë, dy veti të kundërta që veshire te harmonizohen. Faiku kishte disa shqetësime të natyrës nervore, të cilat e shtynë të vizitohej te një mjek psikiatër. Sikurse thuhet, diagnozën e zbuloi vetë nga receta e mjekut çka e tronditi thellësisht. Me fantazinë e zhvilluar e shihte me tmerr fundin e trishtuar ku do ta çonte sëmundja prandaj mori vendimin të vetëvritej në shtëpi në 5 mars. Faiku ishte martuar me Tashën, një vajzë e re dhe e bukur, me një histori familjare të veçantë që ngjan me legjendat e lashta. Gjyshi i saj, Bektashi, u vra më 1914, në luftë kundër Junanit (bandave andarte greke), ndërsa të shoqen e kishte shtatzanë. Sapo lindi djali, sipas traditës, i vunë emrin Bektash për “të ngjallur” të atin. Bektashi u rrit dhe u martua dhe gjatë luftës iu bashkua Lëvizjes Clirimtare. Më 1944 u vra duke luftuar kundër fashistëve dhe po ashtu si i ati, të shoqen e kishte pasur me barrë. Familja u gëzua me vajzë, të cilën për kujtim të babait e quajtën Bektasha – Tasha, bashkëshortja e Faikut, së cilës i kushtohet tregimi “Tre Bektashët” botuar në një nga vëllimet e tij me tregime. Subjektin e kishte qëmtuar nga koha kur ishte gazetar te “Zëri i Rinisë”. Shumica e shokëve, midis tyre edhe unë, pandehnin se Tasha ishte zbunim i emrit Natasha, mjaft i përhapur në vitet ’50, koha e “miqësisë së pathyeshme me Bashkimin Sovjetik”. Emrin e saj të vërtetë e mësuam nga tregimi i Faikut, falë historisë familjare mbresëlënëse ku plekseshin patriotizmi dhe e parathëna. Faik Ballanca ishte tregimtari i talentuar, me ndieshmëri dhe intelekt të lartë, si edhe mprehtësi për të qëmtuar subjekte nga ndodhitë më të zakonshme e të jashtëzakoshme të realitetit. Ai kishte aftësinë t’i kapte herët dukuritë shoqërore dhe si njeri përparimtar nuk u drojt të stigmatizonte anët e shëmtuara. Faiku botoi njëri pas tjetrit disa vëllime me tregime sikur të kishte një parandjenjë se nuk do kishte shumë kohë në dispozicion.

“Ky shtet vazhdon të vjedhë qytetarët e vet e ndërkohë veç zhytet tatëpjetë”

Kur kooperativën e Leklit e përfshiu ferma shtetërore, fshatarët nga kooperavistë u kthyen në punëtorë bujqësorë të paguar sipas punës së kryer, me përjashtim të atyre me përgjegjësi administrative të cilët marrin rroga fikse. Në teori kooperativistët fituan kategori shoqërore më të lartë sepse u kualifikuan punëtorë bujqësije sipas standardeve marksiste por nuk kam mundur të vërej kurrfarë ndryshimi botëkuptimor midis punëtorëve dhe fshatarëve tanë. Punëtorët e minierave, fabrikave e kantiereve janë fshatarë si nga botëkuptimi edhe nga psikologjia. Fermat mund të ishin shkolla praktike për kooperativat bujqësore, për kodit agroteknik dhe norma të tjera, mirëpo rendimentet e tyre janë të ulëta, prodhimet dalin me kosto të lartë dhe planifikimi është me humbje, domethënë çalohet nga të gjitha anët. Dështimi i tyre ngjall shumë pikëpyetje për ngritjen e kooperativave të zakonshme në ato bujqësore të tipit të lartë dhe pastaj në ferma shtetërore, që është synim i piketuar nga ekonomistët tanë. Mungesa e stimulit material dhe çorganizmi janë aq të dukshme sa një bisnesmen italian e përcaktoi gjendjen tonë me shprehjen “çorganizim i organizuar”.

Kthimi i disa fermave në kooperativa bujqësore ishte një akt i paligjshëm nga pushteti “popullor” sepse përvetësoi pronën e grupit pa u dhënë të zotërve as shpërblim, as kompensim. Ky shtet vazhdon të vjedhë qytetarët e vet e ndërkohë gjithmonë e më shumë zhytet tatëpjetë ekonomikisht. Mallkim. Katarr. Fazën kalimtare të ndërtimit socialist, Lenini e ka përcaktuar “kapitalizëm shtetëror’, mirëpo këtë term teoricienët tanë “marksistë leninistë” e fshinë nga fjalori prej frikës se do të ngjallte përshtjellim. Njerëzit e thjeshtë do të befasoheshin sapo të mësonin se ne qenkemi ende në fazën e kapitalizmit shtetëror. Po atëherë ç’janë udhëheqësit e partisë? Rezulton të jenë bosët e kapitalizmit shtetëror. Kapitalizmi shtetëror është më i egër, më brutal e më shpirtkazmë nga kapitalizmi i botës perëndimore se vjedh paturpësisht hakun e punëtorëve dhe gënjen vazhdimisht qytetarët e vet. Tokën e bukës Lekli e ka shpateve të malit dhe një pjesë fare të vogël në fushë. Ferma ka hapur brezare dhe ka mbjellë  fidanë pemësh frutore, mollë, dardha e qershi me shpresë të sigurojë të ardhura të mira, mirëpo duhen pritur së paku pesë vjetë që blloku të hyjë në prodhim. Në kësi rripash nuk mund të përdoren mjete teknike dhe çdo punë duhet bërë me krahë, ndërkohë që krahët e punës janë të pamjaftueshëm. Edhe sektori i blegtorisë eshte në pikë të hallit, se kullotat e pasura të maleve zotërohen prej shtetit, pronar i vetëm i pasurive kombëtare.

Një pjesë e familjeve myslimane të Tepelenës, njësoj si në Labëri, mbajnë mbiemra ortodoksë. Një nga arsyet e forta historike që shqiptarët tregohen tolerantë ndaj besimeve të tjera, pa shfaqur as mëri, as urrejtje është vetëdija se dikur i përkisnin të njëjtin besim Në shekullin 19 popullsia e fshatrave të zonës ishte e përzier, myslimanë e ortodoksë. Me kohë banorët ortodoksët u rrudhën dhe popullonin vetëm disa fshatra – dukuri e njohur në disa krahina të vendit tonë. Sipas dëshmisë që vjen nga një këngë folklori, këtu u praktikuan edhe kthimet me dhunë në fenë islame.

“Çaush prift, Çaush Hormava,

Dhjamë e dyllë të pikova,

Dot besënë s’ta ndërrova”

Gërmadhat e shtëpive dëshmojnë se Lekli dikur shtrihej në një sipërfaqe më të gjerë se sot. Nga një fshat i bukur me terraca natyrore në shpat të malit ka një qendër që i ruan deri diku tiparet karakteristike të fshatrave të mirëmbajtur me kishë, shkollë dhe disa dyqane rreth e qark. Në mes të sheshit lapidari me emrat e dëshmorëve të luftës dhe pas luftës. Për kishën e fshatit qarkullonte një histori sa e bukur aq edhe legjendare e ardhur nga koha e Ali Pashë Tepelenës. Pashai urdhëroi të ngrihej një xhami te terraca natyrore e malit, përballë kalasë së Tepelenës. Fshatarët ortodoksë, të alarmuar nga dëshira e Pashait vendosën t’i dilnin rrezikut përpara duke ndërtuar një kishë. Themelet u hapën brenda njëtezekatër orësh si edhe u ngritën muret dhe u hodh çatia. Ali Pasha, si njeri që kishte respekt për tempujt fetarë dhe si njeri besëtyt, e pranoi sfidën duke e tërhequr urdhrin. 

Pasdite u ngjitëm tek kodra mbi fshat të shihnim rrënojat e një kalaje të lashtë të shekullit V apo IV para erës sonë. Ishte aq e  rrënuar sa nuk ishte e mundur të formoje asnjë ide për formën dhe madhësitë e saj, por mundimi nuk na shkoi kot. Pranë kalasë, kisha e vogël, ndërtuar me gurë paralelopipedë, me sakristinë si fole brenda në mur, ishte krejt e veçantë. Çatia ishte shembur, ndërsa kisha u kishte qëndruar rrebesheve të kohës, falë gurëve qiklopike, secili disa ton. Ngaqë te muret solide nuk dallohej asnjë dritare, pyes veten nga vinte drita në kishë. Ndoshta prej baxhave apo prej kupolës.

“Allushi”- burri i hallës

Këtë fjalë e dëgjova për herë të parë në Lekël. Në marrëdhëniet farefisnore, fjala shpreh nocionin e burrit të hallës. Normalisht duhet t’i thoshin Hallushi”, meqë rrënja e fjalës është “Halla”, “Halloja”, mirëpo në zotat e jugut ka rënë H-ja fillestare e shumë fjalëve të gjuhës shqipe prandaj kudo dëgjon Allo Koçja, Allo Rista, Allo Xhevrija. Allushi i Pandeliut na rrëfeu një seri me ngjarje të tjera, sa ishte e vështirë ta ndiqje. Por mbaj mend replikën e zgjuar të një fshatari Lekliot. Kur komandanti i një çete të Ballit Kombëtar iu kërcënua se do të urdhëronte ta digjnin fshatin që përkrahte komunistët, plaku iu përgjigj; “Edhe po e dogjët, gjithsesi një të mirë do të na e bëni, se do të na përgatisni gëlqeren”. Lekli përdor gur gëlqerorë për ndërtim, prandaj thënia e plakut kishte kuptim real. Në Lekël e zonja e shtëpisë i ruan traditat e mikpritjes me fisnikëri sepse duke nderuar miqtë, nderon shtëpinë dhe veten e saj. Fytyra e saj praronte prej gëzimit nga vizita e papritur e nipit. E përmalluar, e pyeti për të gjithë njerëzit e afërm. Për hatërin e tij shtoi edhe disa gatime të çastit në tryezë, duke kërkuar të falur që nuk ishte përgatitur siç ia donte zemra e duke e qortuar nipin që nuk e lajmëroi ardhjen. Gëzimi dhe buzëqeshja e saj ishin sajdisja më e mirë për mysafirët. Dy djemtë e Allushit punonin në qytet, i madhi në baxho, tjetri elektricist, larg punëve bujqësore. Midis kushërinjve u këmbyen disa replika ironike, po sikurse tha Pandeliu, kjo ishte e zakonshme “sa herë takoheshin, nuk mund të rrinin pa e ngacmuar njëri tjetrin.”

“Edhe qeros, edhe fodull”

Tek po zbrisnim për në Tepelenë, kaluam pranë kroit të fshatit, i cili dikur ishte i mbuluar me çati, me sofate anash dhe depo uji e sylinarë. Aty për aty kroi më kujtoi poezinë magjepëse të Lasgushit të madh:

“Kroj i fshatit tonë tetë sylynjarë,

Nër tetë krahina qënke kroj i parë;

Qënke një në botë, s’paskërke të dytë,

Ç’na shëroke plagët, ç’na shëroke sytë.”

Tani kroi i lënë pasdore qe shkatërruar mos më keq; ujët rridhte nën basenin e çimentos, ndërsa sylinarët e zbrazët thaheshin në diell. Të tilla ndërtime publike kryheshin bashkarisht nga fshati, ose me ndihmat e lekliotëve të mërguar të Amerikës. Disa herë ato ishin dhuratë e ndonjë mirëbërësi, për kujtim të prindërve a të ndonjë dashamirësi të vdekur. Nuk munda ta mësoj historinë e ndërtimit të kroit të Leklit, por nuk kam dyshim se fondet i dërguan mërgimtarët, ndërsa sistemi do të tregoj se ne nuk ua kemi nevojën dhe se jemi në gjendje ta ndërtojmë vetë çdo gjë, sipas fjalës popullore “Edhe qeros, edhe fodull”.

Shënime udhëtimi – Tetor 1978

Redaktuar në Nju Jork – Prill 2023

Filed Under: ESSE Tagged With: Naum Prifti

KUR DËSHTON POLITIKA – MBETET URATA  

April 17, 2023 by s p

“Le të bashkojmë zemrat dhe zërat për paqë në botë” (Antonio Guterres)

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidence

Kur dështon politika vendore dhe ndërkombëtare për të sjellur paqë në botë, qoftë edhe Organizata e Kombeve të Bashkuarara (OKB) në Nju Jork, atëherë duhet t’i drejtohemi me uratë Perendisë që të ndihmojë për të siguruar paqën midis individëve, komuniteteve dhe shteteve të ndryshme, sidomos në këto kohë të turbullta për botën.  Siç duket kështu mendon edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, se si rrjedhim i dështimit të përpjekjeve të politikës botërore në përgjithësi — për të siguruar paqën në këtë planet, atëherë, medoemos, nevojitet ndërhyrja e një force më të madhe. 

Të premtën që kaloi, Shefi i OKB-së, Antonio Guterres organizoi një ceremoni lutjeje për paqë në botë me udhëheqës fetarë që u bashkuan me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, pikërisht, për të ofruar – në këtë periudhë fetsash fetare — lutjet e tyre për paqë në botë, për “qëllimin tonë më të çmueshëm”, siç e cilësoi Z. Guterres objektivin për të siguruar paqën në botë, përball konflikteve aktuale në botë, përfshir agresionin e Rusisë në Ukrainë.  Në një njoftim të OKB-së për median botërore thuhet se, “në një kohë shumë të keqe ndarjesh e përçarjesh në botë, udhëheqës të feve të ndryshme u mblodhën së bashku, të premtën që kaloi, në Kryqendrën e OKB-së në Nju Jork, për një moment lutjesh për paqe në botë”.  Me këtë rast citohet Sekretari i Përgjithshëm, i OKB, Guterres, të ketë thenë se ky takim u mbajt në një moment ibekuar dhe unik, pasi ata u mblodhën aty: të Premten e fundit të Ramazanit, ndërkohë që të krishterët festuan Pashkët, hebrenjtë shënuan mbarimin e “Passover” dhe sikët festuan festivalin Vaisakhi.  “Madje edhe vet kalendari na dërgon një mesazh uniteti”, ka theksuar Shefi i OKB-së, Antonio Guterres në atë takim, duke shtuar se, “Sot, në këtë moment të shenjtë për të gjitha fetë, le të bashkojmë zemrat dhe zërat tonë për paqë – e që është qëllimi ynë më i çmueshëm.”  Guterres tha në vazhdim se sot “paqeja në botë është më e nevojshme se kurrë, sepse lufta dhe konfliktet po shkaktojnë përhapjen e urisë dhe varfëri shkatërruese kudo, ndërkohë që detyron njëherazi edhe largimin e  detyrueshëm të dhjetra miliona njerëzve nga shtëpitë e tyre, nga atdheu i tyre. I gjithë planeti, tha ai, është në një kaos klimaterik, ndërsa edhe vendet ku mbretëron paqeja, përballen me padrejtësi dhe pabarazi të tmershme, përfshir polarizimet politike.”  Udhëheqsi i organizatës botërore u bëri thirrje udhëheqsve fetarë që të “qendrojnë të vendosur në besimin e tyre të përbashkët — besim që bashkon mbarë familjen njerëzore.” Ai kërkoi nga fetarët: “Le të bashkohemi si komunitete dhe si shtete. Le të lutemi të gjithë për paqë në botë.” 

Në këtë ceremoni lutjesh për paqë në botë, që u mbajt në Sheshin e Vizitorëve para Sekretariatit të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, morën pjesë pjesëtarë të stafit të OKB-së, anëtarë të komunitetit diplomatik botëror, si dhe vizitorë vendas dhe të huaj, ndërkohë që udhëheqës-përfaquses të feve kryesore në botë ofruan, individualisht dhe si komunitete fetare, lutjet e tyre të paqës për njerzimin. Duke theksuar gjërat që i bashkojnë njerzit anë e mbanë botës, dhe jo ato që i ndajnë — fakti se njerëzit me tradita të ndryshme fetare janë të bashkuar në OKB për tu lutur për paqë në botë — jep një shembull të fuqishëm për mbarë njerzimin, u shpreh Dr. Simran Jeet Singh, përfaqsues i fesë Sikh, Drejtor Ekzekutiv i Programit Feja dhe Shoqëria pranë Institutit Aspen, një organizatë kjo ndërkombëtare jo fitimprurëse dhe njëri prej pjesëmarrësve në takimin me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Guterres.  “Gjëja që më pëlqen në lidhje me këtë takim të përfaqsuesve të feve të ndryshme në Kombet e Bashkuara, me rastin e këtyre festave fetare, është fakti se aq shumë komunitete të ndryshme janë duke festuar së bashku. Ata po pasqyrojnë dhe po theksojnë gjërat e përbashkëta, gjërat që na bashkojnë të gjithë neve”, tha Dr. Simran Jeet Singh.

Në pëmbyllje të këtij takimi në Nju Jork, Përfaqësuesi i Lartë i Aleancës së OKB-së për Qytetërimet (UNAOC), Migel Angel Moratinos, e përshkroi ceremoninë si një moment të bukur harmonie, “veçanërisht gjatë këtyre kohëve të vështira që po sfidojnë mbarë njerëzimin.”  Ai tha se ceremonia (në Nju Jork) e lutjeve fetare për paqë në botë, demonstroi se si njerzit anë e mbanë botës, duhet të mobilizojnë aktivitetet e tyre dhe të veprojnë në solidaritet dhe me respekt ndaj njëri tjetrit.  UNAOC, si ent i OKB-së, promovon mirëkuptimin dhe bashkpunimin ndërkulturor midis komuniteteve dhe popujve.  Z. Moratinos, si përfaqsues i lartë i këtij enti të organizatës botërore, nënvijoi mbështetjen e vazhdueshme të tij dhe të organizatës që ai kryeson, ndaj përpjekjeve që kanë për synim “ndërtimin e urave të mirëkuptimit dhe jo mureve të urrejtjes duke shkaktuar  ndarje e përçarje”, midis individëve, komuniteteve dhe shteteve, duke kërcënuar, në këtë mënyrë, paqën në mbarë botën, është shprehur zyrtari i lartë i OKB-së, Migel Angel Moratinos, duke mbyllur ceremoninë e lutjeve fetare të organizuar nga OKB-ja, të premtën që kaloi, në Nju Jork me rastin e festave fetare botërore. 

Ndërkaq, edhe Papa Francesku ofroi lutjet e tija për paqe në botë me rastin e Ditës së Pashkëve Katolike, javën që kaloi nga Vatikani – përkrah kardinalit shqiptar Ernest Simon Troshani. duke iu drejtuar “Urbi et Orbi”, qytetit të Romës dhe mbarë botës.  Papa ofroi lutjet e tija, veçanërisht, për popullin ukrainas dhe atë rus dhe për paqë midis këtyre dy kombeve. Udhëheqsi i Kishës Katolike ofroi, me atë rast, gjithashtu uratët e tija për dhënjen fund të dhunës, anë e mbanë botës dhe për paqë midis individëve, komuniteteve dhe kombeve, në një “frymë besimi” ndaj njëri tjerit dhe Perendisë, ka thenë Papa Françesku. Me atë rast, Papa 86-vjeçar, në predikimin e tij tradicional për festën e Pashkëve inkurajoi, “mirëkutimin dhe besimin midis individëve, popujve dhe kombeve”, duke thenë se festa e Pashkëve “shëndritë terrin, pesimizmin dhe trishtimin në këtë bote”.

Ditën e Pashkëve, 2023 në sheshin e Shën Pjetrit ishte i pranishëm përkrah Papa Françeskut, edhe kardinali Shqiptar 94-vjeçar Ernest Simoni, për të festuar Pashkën në mbarë botën, si edhe për të marrë pjesë në bekimin e përvitshëm Urbi et Orbi – si përfaqësues i Kombit shqiptar, historia e të cilit në përgjithësi dhe gjymën e shekullit të kaluar në veçanti nën regjimin komunist nuk ka njohur as paqë as liri, as për shqiptarët në përgjithësi, as për Ernest Simon Troshanin, si individ.  Historia e Kardinalit shqiptar ka tronditur botën kur vuajtjet e tija nën komunizëm iu njoftuan njerëzimit pas shembjes së regjimit komunist në Shqipëri.  Ernest Simoni është arrestuar në vitin 1963 dhe gëzoi lirinë vetëm pas 27 vitesh të gjata persekutimi të ashpër komunist të regjimit enverist. Për shumicën e shqiptarëve, Ernest Simoni është një hero i cili përfaqëson paqën, lirinë dhe të drejtat bazë të njeriut, përpara të drejtave të tija fetare.  Regjimi komunist i Enver Hoxhës e ka konsideruar atë si “armik i popullit” dhe vetëm në vitin 1990, me rënien e regjimit komunist, ai iu rikthye lirisë. Si njeri i lirë, ai vazhdon të punojë për paqe edhe për të tjerët duke sjellë pajtimin e njerëzve dhe familjeve të ndara, duke promovuar paqën midis shqiptarëve – gjatë tranzicionit të pafund nga komunizmi në demokraci — pa dallim dhe pa hakmarrje ndaj askujt. 

May be an image of 2 people

Papa Françesku duke u lutur për paqë në botë, Ditën e Pashkëve 2023, përkrah të ftuarit të tij të posaçëm me këtë rast, Kardinalit shqiptar, Ernest Simon Troshani, i 

cili i shpallur, “armik i popullit” nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, nuk ka parë ditë të mirë as paqe në jetën e tij.

UN Photo/Eskinder Debebe –Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres duke folur në takimin Ndërfetar të Lutjeve për Paqë, në Kryeqendrën e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, të premtën që kaloi.Secretary-General António Guterres addresses attendees to the Interfaith Moment of Prayer for Peace at UN Headquarters.

Sikyong Congratulates Mr António Guterres, Next UN Secretary-General ...

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres u bëri thirrje besimtarëve anë e mbanë botës që t’i “bashkojnë zërat në një uratë të përbashkët për paqe në botë”, sidomos gjatë kësaj jave që përkon me festat e tre feve kryesore monoteiste botërore: Festës së Pashkëve, Muajit të Ramazanit dhe festës Passover të Judaizmit. “Ky është momenti që të gjithë të bashkohemi në lutje për paqën në botë”, “le të lutemi për paqë në komunitetet dhe në vendet tona”, ka thënë Shefi i OKB-së.

“Vërtetë ne kemi Bajram e Pashkë, por Shqiptarinë e kemi bashkë ...

Është kjo një thirrje e Poetit Kombëtar të Shqiptarëve, At Gjergj Fishtës, që pasqyron paqën, vlerat dhe traditat shekullore të shqiptarëve. “Harmoninë na e bekoi Zoti, kështu na e la Gjergj Kastrioti…” thotë një kengë popullore. Për fat të keq të Kombit, këto vlera, këtë traditë dhe paqën me njëri tjetrin, (për të cilën bëri thirrje OKB-ja) — paqën për të cilën kanë aq shumë nevojë shqiptarët sot, i ka sjellur për së mbrapshti politika aktuale shqiptare, “me ndarjet dhe përçarjet”, për inetersa e tyre personale e partiake, por që për fat të keq po mbjellin një frymë tragjike mosbesimi në radhët e shqiptarëve ndaj njëri tjetrit, një mosbesim në të ardhmen e tyre, si individë, si familje, si komunitet dhe si Komb!  Sot, më shumë se kurrë, shqiptarët kanë nevojë për bashkim të zemrave dhe të zërave për paqë dhe respekt për njëri tjetrin!  Ky ishte edhe mesazhi i Kombeve të Bashkuara dhe të një grup fetarësh, drejtuar botës, të premtën që kaloi që të gjithë të punojnë së bashku me “zemrat dhe zërat” e tyre për paqë në botë dhe në komunitet dhe vendet ku jetojnë. 

Frank Shkreli

Filed Under: Opinion

Shqipëria pas shtypjes së kryengritjeve nga Turgut Pasha

April 17, 2023 by s p

Nga një gazetar italian i pranishëm në vendgjarje

Rafael Floqi/

Teksa zhvillohet çdo ngjarje e rëndësishme që i intereson Shqipërisë, nuk janë të paktë ata që shqiptojnë gjykim pas gjykimi, pa u munduar të mbledhin mendimin intim në atë që gjallëron protagonistin e kësaj skene reale. Vetëm duke iu afruar këtij populli, i cili prej vitesh, dhe sot më shumë se kurrë, ka tërhequr sytë e gjithë Europës mbi vete, mund të arrijmë në një njohje të sigurt të ndjenjave që realisht i trazojnë shpirtin e shqiptarit.

Pra, le ta lëmë një herë të shprehet, që zëri i tij të riprodhohet me gjithë besnikëri dhe të dihet gjykimi që vetë shqiptarët japin për gjendjen e re të krijuar nga Kushtetuta Osmane. Kushtetuta, thonë ata, nëse nuk ka sjellë të gjitha ato përmirësime që ka premtuar, megjithatë ka ofruar disa avantazhe, por në një masë kaq të pandjeshme, sa nuk është e mundur të dallohet praktikisht risia që ka ndodhur në jetën e brendshme të perandorisë për disa vite. Një Kushtetutë që erdhi në jetë me gjithë lulëzimin e shpresave të bukura që mund të ndodhë vetëm me një regjim të vërtetë lirie të mirëkuptuar, që duhet të kishte arritur, megjithëse pjesërisht, ndërkohë parashikimet më rozë.

Fatkeqësisht nuk ishte kështu; Këtë e dinë mirë ata që ende e konsiderojnë Turqinë të ndjeshme ndaj përparimit civil. Nëse në të gjitha krahinat e perandorisë së gjerë osmane Kushtetuta u shfaq në formën shtesës së lirisë, në Shqipëri nuk ishte kështu.

Ajo degjeneroi menjëherë në një regjim të jashtëzakonisht të dhunshëm, i cili fare mirë mund të krahasohej me një nga ato të pushtimeve barbare, që mbytin jo vetëm çdo aspiratë më spontane të popullit, por që shtypën edhe vetë lirinë personale. Në të vërtetë, ajo u reduktua tek puna e tmerrshme e Turgut Pashës, komandantit suprem të 20,000 trupave turke – gjatë rrethimit të fundit në Villajetin e Shkodrës? Turgut Pasha, i cili, siç thonë këtu, një ish shtetas gjerman i inkorporuar në ushtrinë turke, e tmerroi në mënyrë të papërshkrueshme, popullsinë shkodrane. Gjaku rridhte si përrenj nëpër rrugë dhe fyerjet ndaj grave ishin në rend të ditës, pasi në rend i ditës ishin ndëshkimet fshikullimet me kërbaç, që binin anë kurrizin e tyre që guxonin të shprehnin habinë e tyre, për vendosjen e papritur të këtij sistemi të ri të gjakderdhjes dhe të dhunës. Turgut Pasha, dora e fortë dhe e dhunshme e një njeriu, i cili çdo ditë mbante një fjalim para trupave, duke bërë që auditori i habitur të dridhej; hoxhallarët, madje u llahtarisën. Predikimi i zjarrtë më së shpeshti, përfundonte pikërisht me këto fjalë: Zoti juaj nuk është Krishti, Zoti juaj nuk është Muhamedi – që shkaktonte panik në mesin e hoxhallarëve -zoti juaj, jam unë. Nuk ka dyshim që në Itali dikush që shprehej me seriozitet në këtë mënyrë, do të mbyllej menjëherë në një spital psikiatrik, në seksionin paranojak.

Turgut Pasha, qe gjendur një ditë me trupat e tij pranë një fshati, dhe pa një hoxhë që po qëndronte në minaren e një xhamie duke kënduar nga çatitë, lutjen e zakonshme drejtuar Allahut, dhe pa shumë ceremoni u dha urdhër ushtarëve të tij ta hidhnin në erë minaren, dhe, në një çast minarja dhe edhe hoxha i gjorë u shndërruan në një grumbull pa formë mbetjesh të përgjakshme dhe rrënojash. Më pas, goditjet me kamzhik ishin bërë një spektakël publik ku merrnin pjesë duke argëtuar trupat turke, dhe çfarë është më cinike e ironike, skena e dhimbshme dhe e egër do të ndodhte nën sytë dhe brohorimat e turmës.

Një grua e futur në burg me dyshimin se kishte fshehur armë dhe dëshironte të mos tregonte emrin e pronarit të tyre, dhunohet brutalisht nga ushtarët përgjegjës për ruajtjen e burgut. Çështja i bëhet të ditur të burrit të saj , i cili i acaruar dhe gati i çmendur nga pikëllimi, shkon te dera e burgut për të shprehur indinjatën e tij dhe për të kërkuar mëshirë për gruan e tij të varfër, tashmë nënë e fëmijëve të vegjël. Burri pritet me bajoneta dhe vritet brutalisht në pragun e burgut. Dhe ndërkohë njerëzit, sidomos në vilajetin e Shkodrës, vuajnë tmerrësisht nga varfëria. Në Shkodër nuk ka asnjë fabrikë, asndonjë punishte, ndonjë laborator, përveç disa mullinjve dhe një fabrikë sapuni. Dhe çdo ditë në qytet mbërrijnë tufa lypsash, të cilët i sulmojnë udhëtarët me këmbëngulje të egër, të shtyrë nga uria që i torturon. Është një shfaqje e neveritshme. Por shumë më e dhimbshme, më shqetësuese është varfëria e skajshme që fshihet nëpër shtëpi, ku për netë radhazi babai kthehet pa një bukë për të ushqyer fëmijët e tij dhe shan e shan këdo që është shkaku i kaq fatkeqësive.

Unë vetë pashë këto ditë baballarë familjesh, të nderuar që të fshehur turpësisht nën vellon e errësirës së mbrëmjes, zgjasnin dorën me druajtje për të lypur. Nëse kësaj i shtojmë pastaj eksodin e të gjithë rinisë, e vetmja mbështetje për pleqtë, për kaq shumë familje të varfra që e kishin të vetmen mjete jetese nga puna e fëmijëve të tyre, nuk ka njeri që mund ta imagjinojë shkretimin e këtij populli të mësuar prej kohësh me të gjitha llojet e hidhërimeve, por kurrë në një shkallë kaq të mprehtë abuzimesh fizike dhe morale. Dhe padrejtësitë që autoriteti kryejnë çdo ditë me arrogancën që u jep liria, e kombinuar me barbarinë më të rafinuar, që i shtojnë agoni- agonisë. Veprat e këqija alternojnë tmerrësisht; as shtypi nuk e ndjen për detyrë të merret me të. Unë do të tregoj për atë që po ndodh ndërsa shkruaj, që është si një hallkë në zinxhirin e skëterrës. Një i ri njëzet vjeç, një farë Lufo, nga Shkodra, u thirr së fundmi për shërbimin ushtarak. I prekur nga një plagë në gju, ai iu nënshtrua një vizite nga një mjek ushtarak i cili e shpalli të paaftë. Por mjekët e tjerë ushtarakë nuk donin të linin, një tjetër nga viktimat e pakta të hakmarrjes së tyre dhe e shtruan në spital për ekzaminim të mëtejshëm. E mbyllën në një dhomë të keqe dhe johigjienike, pranë një të prekuri nga murtaja që po vdiste, ku e lanë pa ushqim për 36 (tridhjetë e gjashtë) orë, për shkak të mungesës së regjistrimit të rregullt të numrit të regjistrimit. Pastaj i përgatitën ushqimin e përzier, e futën në dhomën e pacientëve më të neveritshëm dhe sëmundje ngjitëse dhe e shtynë të shtrihej në një shtrat të zhytur në gjak dhe qelb të pacientëve të tjerë të infektuar, duke e tallur gjithë sarkazëm – në emër të Muhamedit – të ushtarëve të tjerë më të pakënaqur sesa fajtor. Dhe tani që shkruaj, ai ende kërkon ndihmë, për t’u çliruar nga kaq shumë pisllëqe, që do t’i sjellë atij një vdekje të pashmangshme dhe të tmerrshme.

Ky është një episod i trishtë i odisesë së madhe të dhimbjeve e të tjera, abuzimeve. Por pyesni ata pak rekrutët, që veshin uniformë sot; pyesni ata të një fshati aty pranë – Zadrimës – tashmë të rekrutuar dhe ikur me rastin e një pushimi të shkurtër; më në fund, pyesni të gjithë shqiptarët dhe të gjithë do të kenë një lot për të fshirë, një episod të dhimbshëm për ta thënë, të gjithë do të mund t’ju përsërisin me frazën, që pat thënë një malësori të shekullit të shtatëmbëdhjetë, por një malësori inteligjent nga Sheldia: “Sikur të duhej të përshkruanim të gjithë të keqen që na bëri dhe thotë se e bën turku, do të duhej që gjithë uji i detit të bëhet bojë, dhe qielli të bëhet letër!

Albania e Montenegro nell’ora presente

Filed Under: Histori Tagged With: Rafael Floqi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT