• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2023

“PSHERËTIMA E  HUMBJES”, NJË RRËFIM PËR DRAMAT FAMILJARE

July 27, 2023 by s p

Nga Orest Çipa

“Sapo u afrua, por ende pa më përshëndetur, Adrian Kota, sikur të nxirrte psherëtimën e fundit, më tha: E humba djalin!”, – këto janë fjalët e para të romanit  “Psherëtima e humbjes” të cilat e rrëmbejnë lexuesin në skutat “torturuese” të hapsirës gri të mendimit, në një shteg me dredhina mistike, deri në përhumbje të frymës së vet. Në këtë “botë” tjetër, autori Bujar Skëndo, mjeshtërisht e mban “peng” lexuesin në sirtarët e kuriozitetit njerëzor me një ankth ipulsiv, vazhdimisht në rritje.  Kjo vepër është pasqyra me e kthjellët e “dramës” që lëngon furishëm në zemrën e familjes së ditëve tona, të këtyre ditëve që ne po frymojmë “shtëllungën” vrastare të modernitetit.  

Kontrasti, ftohtësia, ndjenjat, mbingarkesa, mosmarrëveshja, dashuria, largësia, kthimshpina, inati, malli, turpi, vetndërgjeja, ngurtësia, pasioni, konfuziteti, malli, dashuria dhe shumë element të tjerë, të qëndisura bukurisht me një shqipe të kulluar dhe plotë elegancë i japin librit një vlerë artistike të jashtzakonshme. Në rrëfenjat e kësaj vepre psiko-sociale e cila shpesh-herë shoqërohet  me debatin dhe medyshjet e brendshme të personazheve e bëjnë edhe më shumë të kërkueshme shfletosjen nga faqja në faqe të ngjatjeve në dy anë të ndryshme të botës. Qysh në kontaktin e parë me librin, titulli “intrigues” shpejgon qartësisht se autori ka aftësinë “hipnotizuese” për ta gllabëruar vëmendjen e lexuesit dhe “dalledisur” atë sipas dëshirës së vet në këtë humner të bukur ngjarjesh. “Psherëtima e humbjes”, në vetkuptimin e saj është procesi i marrjes së frymës thellë dhe nxjerrja e saj me forcë, zakonisht kur jemi të brengosur a të mërzitur, është më shumë se një titull i thjeshtë libri. Është një akt vet-ngushëllimi, një akt shfryrjej ndaj humbjes së të dhimbsurve të zemrës. Një humbje që deri diku shpreh edhe dështimin e zhbërjes së marrëdhënieve brenda familjes. Romani më i ri i sjellë nga Bujar Skëndo, zhvillohet në dy korsi te dryshme të cilat kryqëzohen vazhdimisht me njëra-tjetrën pasi në vetvete mbartin të njëjtën problematikë, marrëdhënien prind-fëmijë .

Ngjarja e parë  zhvillohet midis New York-ut dhe New Jersey-t në SHBA.  Familja e ardhur nga Shqipëria prej disa vitesh përjeton një “shok-im ” emocional pasi djali i vetëm, Mondi së bashku me familjen e tij ndërpret marrëdhëniet me babin dhe nënën në mënyrën më të çuditshme dhe të menjëhershme të mundshme. Si të gjithë prindrit, Ardiani dhe Vera ligështohen emocionalisht nga kjo heshtje dhe largësi e krijuar në mënyrë misterioze nga djali i tyre i vetëm. Ata do përpiqen të kërkojnë arsyet dhe motivet të kësaj braktisjeje të cilat hera-herës i çojnë në qorrsokake dëshpërimi.  Ndërsa në rastin e dytë ngjarjet zhvillohen midis Tiranës dhe Sarandës. Edhe këtu është po i njëjti motiv , pra motivi përbashkues me familjen e parë,  veçse ndryshojnë rrethanat dhe arsyeja. Në rastin e mësipërm shkaqet e largimit të Modit mbeten më të fshehta deri në pikën ku autori na lejon të mësojmë më shumë, ndoshta edhe për shkak se ftohtësia dhe e panjohura janë më të lidhura ngushtë se tek rasti i dytë.

Piro, personazhi kryesor në paralelin e dytë të ngjarjeve, është ndarë nga martesa e parë me mirëkuptim pasi për arsye shëndetësore ai nuk bënte fëmijë. Mirëpo, pas disa vitesh ai vendos të martohet sërisht. Kësaj here,  gjithçka shkon mirë dhe lumturia në çift i shtyn ata për të birësuar një fëmije me qëllim që jeta bashkëshortore mos të shndërrohej në monotone. Ndërkohë që vitet kalojnë dhe Fredi, djali i birësuar e mëson të vërtetën e adoptimit të tij të mbajtur fshehtësisht nga Piro dhe Anita. Këtu gjithçka ndryshon, krisja në familjen e tyre sapo ka nisur. Në këtë rrëfenjë ngjarjesh, ka ngjyra dhe nuanca më të theksuara të cilat të zhysin në ato thellësitë e përshkrimeve psikologjike . Inati dhe zhgënjimi i djalit ndaj të atit është mjaft interesant së si autori e ka sjellë në jetë. Ky libër dëshmon realitetin e brishtë të këtyre viteve të fundit që familjet shqiptare brenda atdheut por edhe jashtë kufijve, përballen të gjunjëzuara ç’do ditë e më shumë ndaj shpejtësisë dhe “suferinës tranzite”. Në dorën që shtrëngonte çelësat e shtëpisë së vjetër, ndieu dhimbje… Një psherëtimë e zgjatur i doli nga shpirti. E kuptoi se ishte psherëtima e humbjes përfundimtare. Psherëtima e humbjes së pakthyeshme,” – këto janë fjalet përmbyllëse të romanit me autor Bujar Skëndo.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Orest Cipa

SISTEMI FORTIFIKUES I LUGINËS SË SHKUMBINIT

July 27, 2023 by s p

Dr. Ervin KUJTILA

Akademia e Sudimeve Albanologjike

Instituti Arkeologjik/

Lugina e Shkumbinit është korridori më i rëndësishëm natyror që përshkon Shqipërinë në mënyrë transversale nga lindja në perëndim, përkatësisht nga Valamara dhe Mokra në Adriatik. Kushtet e përshtatshme gjeo – klimatike dhe bio – ekonomike të kësaj lugine kanë kushtëzuar banimin e saj që në periudhat më të hershme të prehistorisë, duke filluar që nga Neoliti i Hershëm, siç kanë dëshmuar gërmimet arkeologjike të kryera në Rrajcë dhe Rashtan. 

Kjo luginë ka shërbyer gjatë gjithë periudhave parahistorike dhe historike jo vetëm si arterie kryesore komunikimi midis Lindjes dhe Perëndimit. Nëpërmjet këtij korridori natyror kanë lëvizur kultura të ndryshme dhe bartësit e tyre, duke filluar nga grupet neolitike anatolo – ballkanike dhe deri tek transhumancat eneolitike apo ato të Bronzit të Hershëm. Në funksion të mbrojtjes së kësaj arterie rrugore që në epokën e Bronzit ndërtohen disa fortifikime prehistorike në të dy anët e kësaj lugine lumore. Pikërisht për këtë atribut të saj, lugina e Shkumbinit u përzgjodh nga Perandoria Romake për të ndërtuar rrugën Egnatia në shekujt e parë të erës sonë, në kohën e ekspansionit të saj më të madh në drejtim të Ballkanit kontinental dhe të Lindjes. Gjithashtu, kjo luginë është konsideruar edhe si kufi konvencional midis dy grupeve kulturore kryesore kulturore të epokës së hekurit të Ilirisë së Jugut, atij Glasinac-Mat në veri dhe grupit  Devollit në jug.

KARAKTERISTIKE THELBËSORE PËR FORTIFIKIMET PREHISTORIKE

Karakteristike thelbësore për fortifikimet prehistorike është planimetria e tyre eliptike apo ovale, pa kulla mbrojtëse dhe me një hyrje  që formohet nga ndërprerja e murrit në vendin më të përshtatshëm të komunikimit. Këto vendbanime kanë një sipërfaqe nga 1-2 ha. Zakonisht vendbanimi vendoset brenda fortifikimit prehistorik, por njihen edhe raste ku vendbanimi është vendosur jashtë tij. 

Fortifikimet prehistorike përgjatë luginës së Shkumbinit, në raport me rrjedhën e lumit, ndahen në dy grupe të mëdha:

  1. Fortifikime të krahut lindor;
  2. Fortifikime të krahut perëndimor.

Në fortifikimet e krahut lindor bëjnë pjesë fortifikimet e Qafë Thanës, Dragostunjës, Orenjës, Zdranjshit, Funarës, Shkëmbit Mbret, Gracenit, Bixëllenjës, Bodinit, Saragut dhe Sofra e Skëndërbeut. 

Në fortifikimet e krahut perëndimor përfshihen fortifikimet e Selcës së Poshtme, Bërzeshtës, Qukës Skëndërbe, Lleshanit, Valshit dhe Belshit.  

Trajtimi i fortifikimeve të luginës së Shkumbinit fiton një vlerë të veçantë historiko-kulturore, për atributin  jashtëzakonisht të rëndësishëm komunikues të saj, si dhe për faktin se është pikërisht kjo luginë që ka shërbyer dhe si kufi konvencional midis dy grupeve kulturore ilire, atij Glasinac – Mat në veri dhe grupit Devollit në jug.

Fortifikimet prehistorike përgjatë luginës së Shkumbinit, janë evidentuar qysh herët nga studiuesit e mëparshëm. Është fjala vetëm për vrojtime sipërfaqësore e të kryera nga studiuesit N. Ceka, L. Papajani, A. Baçe, I. Gjipali dhe A. Koka. Gërmime arkeologjike janë kryer vetëm në fortifikimin e Lleshanit nga  R. Hasa, por rezultatet e plota të tyre akoma nuk janë botuar, si dhe në Gradishtën e Belshit nga N. Ceka.

Rëndësia e madhe dhe impakti i jashtëzakonshëm social-historik dhe kulturor që lugina e Shkumbinit luan në zhvillimet pre dhe protohistorike dhe ato antiko-mesjetare të vendit, kushtëzon studimin më të thelluar të sistemit fortifikues të kësaj lugine gjatë prehistorisë së vonë, përkatësisht gjatë periudhës së vonë të epokës së Bronzit (shek. XIII – XII para Kr.), gjatë fazës së hershme të epokës së Hekurit (shek. VIII – VII para Kr.) dhe gjatë periudhës arkaike ose protourbane (shek. VI – V para Kr.)  

Njohja më e plotë e sistemit fortifikues të këtij koridori të rëndësishëm rrrugor, bazë e mëvonshme e Via EGNATIAS, krijon një përfytyrim më të plotë mbi këtë dukuri arkeologjike, si reflektim i nevojave për mbrojtje të banorëve të këtij rajoni, gjatë periudhave pre dhe protohistorike.

Përgjatë luginës së Shkumbinit janë ndërtuar një numër relativisht i madh fortifikimesh prehistorike, që krijojnë një sistem të plotë fortifikues për gjithë këtë zonë. Është fjala për më shumë se 20 fortifikime prehistorike dhe protohistorike, që e shoqërojnë luginën e Shkumbinit në të gjithë gjatësinë e sipërme dhe të mesme të saj. Ato fillojnë nga fortifikimi i Selcës së Poshtme dhe Qafë-Thanës në jug dhe vazhdojnë deri në fortifikimin e Saragut dhe të Belshit në perëndim. Përgjatë luginës së Shkumbinit janë ndërtuar një numër i madh fortifikimesh prehistorike, të cilat krijojnë një sistem të plotë fortifikues për gjithë këtë zonë. 

FORTIFIKIMET E BRONZIT TË VONË

Fortifikimet e Bronzit të Vonë, ngrihen në kreshta të fortifikuara dobët, me një teknikë primitive ndërtimi, në përputhje me potencialin e dobët ekonomik dhe presionin e rrezikut të jashtëm. Fortifikohen vetëm anët pa mbrojtje natyrore. Muret rrethojnë sipërfaqe të vogla rreth 1 – 2 ha. Muret ndjekin linjë të përkulur, pa kënde e kthesa, sipas terrenit. Muret përbëhen nga dy faqet dhe mbushja midis tyre. Gurët janë të papunuar, pa material lidhës. Faqja e brendshme shpesh formon linjë të çrregullt. Nuk përdoren pyka për mbushjen e fugave. Gjerësia e mureve lëviz nga 2.20 – 3.50 m. Planimetria është eliptike ose oblike, pa forma gjeometrike. 

Fortifikimet e periudhës së hekurit të hershëm vendosen në tarraca lumore dhe kodrinore pika dominuese. Zbatohen teknika më të përparuara ndërtimore dhe krijohen sisteme të fuqishme fortifikuese. Shfaqet përpjekja e parë për të nxjerrë faqen kryesore të gurëve në fasadë. Përdoren pykat për mbushjen e fugave. Ritet sipërfaqja e vendbanimeve të fortifikuara deri në 10 – 20 ha. Vendbanimi i rrethohet me 1-3 radhë muresh. Ruhet koncepti planimetrik që mbështetet në linjën e harkuar të murit, pa kënde e kthesa, me hyrje të pakta e të ngushta. Përdoren disa elementë të rinj konstruktiv, si vendosja e hyrjeve në vendet më të pjerrëta (Gajtan), ndërtimi i mureve parapritë për mbrojtjen e hyrjes (Karos, Lleshan), muri i brendshëm që përshkon sistemin fortifikues, ndarja e akropolit nga muri rrethues etj. Krijohen sisteme fortifikuese për zona e rajone të veçanta, që në pikëpamje hapësinore mbrojnë territorin e një federate fisnore, të cilat formohen pikërisht në këtë kohë. Vendbanimet janë qendra fisesh ose bashkësish fisnore.

Fortifikimet e periudhës arkaike vendosen pranë rrugëve tregtare e burimeve ekonomike. Fortifikimet ndërtohen me një teknikë më të përparuar. Planimetria eliptike fiton përdorimin e këndeve e kthesave, pa aplikuar kullat. Nxirret faqja kryesore e gurit në fasadë. Shfaqet koncepti i rreshtit të gurëve në Kalivo. Shfaqet përpunimi i gurëve me çekan, dhënia e formave katërkëndëshe, që i avitet murimit poligonal fillestar. Qendrat prourbane lindën edhe jashtë vendbanimeve të fortifikuara paraurbane, të orientuara nga zhvillimi i zejtarisë e tregtisë. Qendrat e fortifikuara përmbanin gjatë periudhës protourbane premisat që përgatitën lindjen e qytetit të mirëfilltë antik, kurse vendbanimet e hapura fshatin antik. Evolucioni i vendbanimeve të fortifikuara që nga bronzi i vonë deri në periudhën arkaike, buron nga zhvillimi i brendshëm ekonomiko – shoqëror, që shënon rezultanten e zhvillimit historik të Ilirisë së Jugut drejt procesit urbanizues, fillimet e të cilit materializohen në fund të shek. V dhe fillim të shek. IV para Kr.

Fortifikimet prehistorike përfaqësojnë një tip mjaft interesant dhe të rëndësishëm të vendbanimeve prehistorike në Shqipëri. Studimet arkeologjike kanë dëshmuar  ekzistencën e sistemeve të organizuara fortifikuese sipas rajonizimeve gjeografiko-kulturorë të territorit të Shqipërisë. Këto sisteme fortifikuese janë konfirmuar në rajonet e Shqipërisë veriperëndimore, Shqipërisë Lindore, Shqipërisë Juglindore, asaj Jugperëndimore dhe Shqipërisë qëndrore. Rajoni i Shqipërisë qendrore territorialisht i lidhur me luginën e Shkumbinit përbën dhe thelbin e këtij punimi. 

NË FUSHËN E ARKEOLOGJISË PREHISTORIKE

Në fushën e arkeologjisë prehistorike, studimi i fortifikimeve dhe sistemeve mbrojtëse të tyre paraqet një drejtim të veçantë dhe të rëndësishëm të studimeve prehistorike. Kjo çështje ka tërhequr prej kohësh vëmendjen e studiuesve shqiptarë. Janë propozuar disa skema kronologjike të tipologjisë së fortifikimeve prehistorike, që në thelb shprehin nivelin e kërkimit dhe mendimit arkeologjik në këtë fushë studimi. Megjithëse nuk mund të konsiderohen përfundimtare ato shërbejnë si mbështetje për studime më të thelluara të fortifikimeve prehistorike në vendin tonë. Edhe pse shumica e fortifikimeve prehistorike në Shqipëri i referohen periudhës së Bronzit të Vonë dhe Hekurit të Hershëm, fortifikimet  prehistorike në Shqipëri shfaqen që në periudhën e Bronzin e Hershëm. Dy janë fortifikimet e Bronzit të Hershëm të njohura deri më sot,  fortifikimi i Ganjollës në rajonin e Shkodrës dhe fortifikimi i Kukumit në Himarë. 

Kërkimet arkeologjike të viteve të fundit të kryera në luginën e Shkumbinit konfirmuan për herë të parë se depozitimet më të hershme kulturore të vendbanimeve të fortifikuara i referohen periudhës së Bronzit të Hershëm. Ky përfundim arkeologjikisht është dokumentuar në fortifikimet e Orenjës dhe të Zdranjshit. Në kuptimin historiko-kulturor ky konstatim është mjaft i rëndësishëm pasi e zgjeron hapësirën gjeografiko-kulturore të shtrirjes së Bronzit të Hershëm në vendbanimet prehistorike të vendit tonë. Përveç depozitimeve kulturore të kësaj periudhe të njohura deri më sot të kalasë së Rozafës (Shkodër Ia-b), kalasë së Ganjollës (Shkodër), dhe asaj të Kukumit në Himarë, harta e shtrirjes së tyre përfshin tashmë edhe dy fortifikimet e sipërpërmendura të luginës së Shkumbinit, përkatësisht qytezën e Orenjës dhe atë të Zdranjshit. 

Megjithëse stratigrafikisht është dëshmuar se fillimi i jetës në këto qyteza i referohet periudhës së Bronzit të Hershëm, ende nuk mund të thuhet që fortifikimi prehistorik i tyre, mund të lidhet me këtë periudhë të hershme të epokës së Bronzit. Ky përfundim është në përputhje me të dhënat stratigrafike, pasi niveli i fillimit të fortifikimit prehistorik në Orenjë stratigrafikisht përputhet me fillimet e shtresës së Bronzit të Vonë. Për këtë arsye, në pikëpamje stratigrafike kulturore fortifikimi prehistorik i Orenjës i referohet periudhës së Bronzit të Vonë.Ky fortifikim në pikëpamje të konceptit fortifikues dhe të teknikës së ndërtimit është i ngjashëm me fortifikimet prehistorike të Zdranjshit dhe të Lleshanit në luginën e Shkumbinit.

Sondazhet e realizuara në fortifikimet prehistorike të Orenjës dhe Zdranjshit të luginës së Shkumbinit, mundësuan njohjen më të plotë të zhvillimit kronologjik të jetës së tyre. Kështu në Orenjë u përftuan të dhëna stratigrafiko-kulturore që e mbështesin zhvillimin e jetës në këtë vendbanim, në 3 faza kronologjike të emërtuara Orenjë I-II-III, përkatësisht të lidhura me Bronzin e Hershëm, Bronzin e Vonë dhe periudhën e vonë antike. Ndërsa në fortifikimin e Zdranjshit, u fiksuan dy faza kronologjiko-kulturore zhvillimi, Zdranjsh I dhe II, që i referohen përkatësisht periudhës së Bronzit të Hershëm dhe asaj të Bronzit të Vonë. 

Bazuar në materialin arkeologjik, rezulton se jeta në qytezën e Orenjës ka kaluar në tre faza, që dallohen nga intensiteti dhe karakteri. Faza e parë është periudha e Bronzit të Hershëm. Faza e dytë i përket periudhës së Bronzit të Vonë dhe faze e tretë periudhës së Antikitetit të Vonë.

FAZA E DYTË E ZHVILLIMIT TË FORTIFIKIMEVE NË LUGINËN E SHKUMBINIT

Faza e dytë e zhvillimit të fortifikimeve në luginën e Shkumbinit i referohet periudhës së hershme të epokës së Hekurit. 

Gjatë kësaj periudhe intensifikohen fortifikimet prehistorike dhe ritet ndjeshëm numri i tyre në raport me periudhën e Bronzit të Vonë. Nga 6 fortifikime të klasifikuara si të Bronzit të Vonë, numri i tyre tani shkon në 12. Duke u nisur nga lindja drejt perëndimit, sipas rjjedhës së Shkumbinit, fortifikime të tilla gjenden në Qafë-Thanë, Dragostunjë, Funarës, Valsh, Bodin, Qytek, Shkëmbi mbret, Ballë, Shën Mëria, Bixëllenjë dhe shkëmbin e  Shën Lliut.

Në disa nga këto fortifikime, ruhen dy linja murreth rrethuese, përkatësisht të lidhura me periudhën e zhvilluar të Hekurit dhe periudhën e vonë antike. Rasti më i qartë përfaqësohet nga Dragostunja, ku Dragostunjë I i referohet periudhës së hershme të epokës së Hekurit (Dragostunjë I- shek. VIII-VII para Kr.) dhe Dragostunja II periudhës së vonë antike.

Gjatë kësaj periudhe vihet re lëvizja e vendbanimeve të fortifikuara më afër luginës së Shkumbinit dhe rrugës që kalonte përgjatë saj.

Në periudhën e Hekurit të Hershëm përveç ndryshimeve në karakterin e fortifikimeve është vënë re edhe zgjedhja e vendit për ngritjen e këtyre fortifikimeve. Afërsia ndaj burimeve ekonomike duket që ishte kusht parësor për banorët e asaj periudhe. Minierat, rrugët, ujërat apo edhe tokat bujqësore kanë qenë elementët që banorët merrnin parasysh gjatë ngritjes së fortifikimeve. Gjithashtu element i rëndësishëm është miniera e Pishkashit e cila ndodhet në luginën e Shkumbinit, që mendohet ti ketë shërbyer banorëve të këtyre trevave. Në luginën e Shkumbinit vihet re se gjatë periudhës së hekurit të hershëm, janë braktisur shumë fortifikimeve të epokës së bronzit të vonë. Gjatë kësaj kohe banorët filluan të lëvizin nga lartësitë drejt fushave, tarracave lumore dhe rrugëve tregtare, duke braktisur në këtë mënyrë edhe vendbanimet e vjetra si Dragostunja. Pikërisht këto kushte kanë bërë të mundur që vendbanimet e kësaj periudhe të ngriheshin pranë rrugëve të komunikacionit, ose mbi fusha dhe kodrina në lartësi relativisht të vogla.  

Fortifikime të periudhës arkaike ndeshen në 5 raste (Selcë, Lunik, Gracen, Belsh, Sarag)

Nevoja për akumulimin e të mirave materiale, kontrolli i territorit dhe pasurive natyrore, si dhe diferencimi shoqëror, mendohet të ketë qenë burim i konflikteve dhe luftërave ndërfisnore gjatë kësaj periudhe. 

Duke qenë pjesë e këtij ndryshimi të madh edhe banorët e luginës së Shkumbinit janë detyruar të ndryshonin mënyrën e tyre të jetesës. Lindja e fortifikimeve të kësaj periudhe shihet si pasojë e këtyre konflikteve të vazhdueshme dhe pasigurisë, si dhe lindjes së një elite ushtarake e aftë për të ndërmarrë ndërtime në një shkallë të gjerë, të cilat kërkonin një pushtet qendror shumë të organizuar. 

Këto qendra të fortifikuara ndërtohen me mure me linja të thjeshta të planimetrisë, me kulla dhe hyrje të pakta, me gurë në forma trapezoidale me faqe të sheshta, që në një terren fushor kalojnë në forma poligonale. Në kodrën e Saragut pranë Derevenit të Bishqemit, vihet re e njëjta skemë planimetrike, me kulla katërkëndëshe me dalje të cekët dhe hyrje në korridor. Format e gurëve janë katërkëndëshe me punim të rrafshët të faqes.

Sistemi fortifikues prehistorik dhe i Antikitetit të Vonë i luginës së Shkumbinit është reflektim i nevojës për kontrollin dhe mbrojtjen e këtij aksi të rëndësishëm rrugor, ku siç dihet në periudhën romake do të ndërtohet rruga Egnatia. 

Trakt  i  fortifikimit prehistorik të Orenjës

Trakt  i  fortifikimit prehistorik Zdranjsh

  Hartë gjeo – topografike e luginës së Shkumbinit dhe fortifikimet e saj

Filed Under: Histori Tagged With: Ervin Kujtila

I huaj në vendlindje…

July 27, 2023 by s p

Gëzim Zilja/

Ky miku im quhet Gani Zeneli. Skelar i vjetër, i shkolluar, vlonjat puro me rrënjë e me degë. E takova rastësisht rreth një kilometër larg fillimit të shëtitores anëdetit, ulur mbi një Gur, ku aty afër derdhet një përrua. Përballë ndodhet ishulli i Sazanit dhe në krah të tij gadishulli i Karaburunit, që shtrihet si një dinosaur gjigant sa të ha syri deri në Llogora. Në të dy anët e kësaj pjesëze me gurë lulëzojnë e shtohen shezllongjet e panumërta, që në muzg dhe në agim duken si varreza luftëtarësh rënë gjatë luftrave botërore. E ngacmova miqësisht me një nga ato batutat që skelarët i kanë aq për zemër….

-U bën shumë vjet që të shoh të lahesh te ky Gur o Gano! Mos vallë e ke grabitur apo e ke privatizuar me ligjin 7501?!

Ganiu nuk ma ktheu batutën! U ngrit ngadalë në këmbë, më pa me sytë e tij depërtues dhe foli i trishtuar:  – Kam mbi 20 vjet që çdo verë lahem këtu që kur na betonizuan Zhironin* tonë të dashur, atje në Skelë. Ishte një plazh familjar  në kufirin që ndan dy dete, Adriatik dhe Jon. Aty pranë ishte Moli ku ankoroheshin anijet tregëtare dhe ato të peshkimit. E mbushën me beton, pa asnjë lulishte, pa asnjë pemë, një marrëzi që as të çmendurit nuk do guxonin t’a bënin. Molin e prishën dhe anijet i degdisën 20 km larg andej nga Triporti. Lë mbi këtë Gur, sandalet, një bluzë sportive dhe çelësat e shtëpisë dhe sodis një copë herë detin, para se të futem, të notoj. Për mua ky Gur është vendlindja ime, vend pushimi, meditimi, është fëmijëria ime, është vatani, atdheu im, dashuria ime e parë dhe e përjetshme. Nuk e mendoj dot jetën time pa këtë copë Guri, të më mohojnë lirinë e të drejtën të rri mbi të e të bisedoj me mikun tim të vjetër, detin e pafund. Madje dhe në dimër vij shpesh ulem mbi këtë Gur e shijoj pamjen sepse në çdo stinë e kohë Gjiri i Vlorës më qetëson e më mahnit me bukurinë e vet. Ka nja tre behare që këtij grumbulli gurësh po i vijnë rrotull pushtetarët e zagarët e të gjitha llojeve e ngjyrave, që mua më shëmbëllejnë si dikur pushtuesit turq, grekë, serb, italianë e gjermanë, që kërkojnë ta zaptojnë e të vendosin pushtetin e çadrave, të shezllongjeve e kafeneve. Grabitqarët dhe të pangopurit zhvasin metra të tëra ashtu tinëz në këtë pjesëz që sa vjen zvogëlohet e ngushtohet. Kjo për mua do të thotë të më përzenë përfundimisht nga vendlindja, nga shtëpia, nga deti e të mbetem pa atdhe. Se më tutje nga të gjitha anët, atdheu im është parcelizuar, privatizuar, kollofitur e përlarë nga zagarë, banditë e qeveritarë e më duhet të paguaj të hy në ato vende të bekuara: ku jam lerë/ ku jam rritur me thërrime/ ku kam folur gjuhën time/ ku kam dashur mëm’ e at’/ ku më njeh ky Gur i that’/ ku rroj me gaz e shpresë /ku kam dëshirë të vdes,- citoi me një frymë Ganiu, Çajupin e Pavdekshëm. – E kupton apo jo se ç’po të them. Të më përzënë e pengojnë të hyjë në shtëpinë time nëse nuk paguaj. Madje dhe hapsira midis dy pallateve ku banoj është privatizuar e bërë parking me pagesë nga pronarët e një hoteli luksoz aty pranë. Atëherë çfarë duhet të bëj unë po ma morën dhe këtë Gur? Të mbetem vend-vidhisur në dheun tim?! Mos e dhëntë Zoti! Portin e Durrësit, të Vlorës, vendet më të bukura në Himarë, Dhërmi, Palasë, Ksamil, Butrint, e gjetkë i shitën ose i dhanë me qera. Kafsho këtu e kafsho atje me ata sojzëzë prokurorë e gjykatës dhe me VKM-ët e qeverisë u kanë lënë pronarëve legjitimë ndonjë rrip toke sa për sherr e shamata, që të vriten me njëri-tjerin e vëlla me vëlla. Ua grabitën pronarëve shekullorë të atyre anëve dhe kanë ngritur mbretëritë e betonit, duke shkatërruar natyrën e duke shtruar rrugë pa rrugë e ngritur rezorte që nuk kanë të bëjnë me turizmin sepse janë qendra banimi ose pushimi për të pasurit. Tani i janë vërsulur Borshit ta gllabërojnë, tjetërsojnë e betonizojnë me lloj-lloj investitorësh strategjikë të emëruar nga qeveria shqiptare. Ama nëse ma prekin këtë Gurin këtu, tre metra larg vijës së ujit atëherë do të bëj atë aktin ekstrem: do ta mbroj me çiften e vjetër të gjahut që e kam me leje. Ta provojnë po deshën të venë dorë në këtë copëz anëdeti: do t’ia zbraz çiften në kokë mbushur me saçme derri, të parit atij që do të firmosë privatizimin e këtyre gurëve. Ndoshta do të ketë të tjerë që do të ndjekin shembullin tim, ndoshta jo. Po këtë Gur me copëzën e tokës, ku ai është mbështetur me qindra vite nuk do të lë ta pushtojnë sojsëzët e hajdutët. Kurrë në Shqipëri nga Velipoja në Ksamil toka të paktën njëqind metra larg nga vija e ujit nuk ka pasur pronar. Tani edhe deti është bërë me pronar madje me dokumenta të rregullta. Vendalinjtë, pronarët e vërtetë të mbetur trokë, disa të kërcënuar me grykën e armëve, ia kanë mbathur e janë shpërndarë si zogjtë e korbit në gjithë botën. Unë nuk kam as fuqi, as moshë e as dëshirë të largohem. Vatani, shtëpia, mbrohet me zemër, me gjak dhe unë këtë do t’a bëj. Shumë do të më quajnë vrasës, por ka edhe nga ata që do të më kuptojnë. Ndoshta do jem i pari në mbrojtje të pronës këta tridhjetë vjet. Më hodhi dorën në sup, më përqafoi i malluar dhe më ftoi për kafe, në kafenetë luksoze matanë rrugës. 

-Kam një merak se e di që do t’i shkruash fjalët e mia. Ama nuk dua të ndryshosh asgjë. Por atë që të thashë do ta bëj, nëse ma marrin…! 

-Do t’a shkruaj, me ndonjë shtesë të vockël. Po emrin do ta ndryshoj pakëz, nuk do shkruaj emrin tënd të vërtetë!

– Hiç mos e ndrysho! As që më kërcet fare, nga këta larot oligarkë, që nuk u ka ikur ende era e dhisë dhe e fanellës së leshit dikur mbushur plot me morra e tani kanë vendosur ligjin dhe kulturën e të fortit. 

Pimë në heshtje kafet dhe u ndamë pa thënë ndonjë fjalë tjetër. U kujtova se unë nuk kisha as edhe një Gur në anëdet të ishte imi. Kisha shumë vjet që endesha të gjeja një vend të përhershëm e ku të lahesha: Në Skelën e Vjetër jo e jo, as te Shkolla e Marinës, as te ish Plazhi i Ri, as te Shkëmbi i Doktorit, as te plazhi me ujërat kristal deri te Tuneli, as te plazhi ish distilerisë…. Një Gur mund ta gjejë dhe unë aty te Ganiu po si i bëhet hallit të gjej një çifte? Apo tani që lajmi do hapet e do të marrë dhenë nuk kanë për të më dhënë leje për mbajtje arme?! Më intrigon shumë idea interesante e Ganiut me atë çiften e vjetër…  

Filed Under: Analiza Tagged With: Gezim Zilja

Refuzimi i Deklaratës dëshmi se serbët nuk janë për marrëveshje gjithëpërfshirëse

July 27, 2023 by s p

Nail Draga/

Para dy viteve me 19 korrik 2021, nën ndërmjetësimin e BE-së, u zhvillua takimi i radhës i bisedimeve në mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënie, ku me këtë rast kryeministri i Kosovës A.Kurti, ka propozuar një marrëveshje me gjashtë nene, e cila u refuzua për tu nënshkruar nga presidenti i Serbisë A.Vuçiqi, që është dëshmi e mosgadishmërinë e Serbisë për një marrëveshje të tillë, ndërsa qendrimi indiferent i ndërmjetësuesve nga BE, dëshmon dobësinë e tyre për të ndikuar të pala serbe në nënshkrimin e saj, sepse një deklaratë e tillë, paraqet bazë të qendrueshme për normalizimin e raporteve në mes dy vendeve!
Në takimet e tilla me ndërmjetësim ndërkombëtar arrihen marrëveshje në mes palëve, por ne rastin konkret ne mes Kosovës dhe Serbisë, një deklaratë e përgatitur nga pala kosovare të cilën në Bruksel e ka prezantuar kryeministri Albin Kurti paraqet bazën për paqe të qendrueshme dhe stabilitetin afatëgjatë, për të parandaluar çdo konflikt të ri ushtarak, dhe dhunë ne mes dy vendeve, që paraqet parakusht për një marrëveshje përfundimtare në favor të integrimit evropian, sipas standardëve ndërkombëtare. Me poshtë po japim të plotë tekstin e Deklaratës së propozuar në Bruksel dy vite ma parë:
“DEKLARATË E PËRBASHKËT PËR MOS-AGRESION, MOS-LUFTË DHE ZGJIDHJE PAQËSORE TË KONFLIKTEVE”

NENI I
Mos-agresion

Ne zotohemi reciprokisht që të përmbahemi nga kërcënimi ose përdorimi i forcës kundër njëri- tjetrit si dhe solemnisht marrim përsipër të bëjmë përpjekje me mirëbesim për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve në një mënyrë të qëndrueshme dhe jetëgjatë.
Do të përmbahemi nga sulmet ndaj njëri-tjetrit, agresioni ushtarak, armiqësitë e armatosura ose konflikti i dhunshëm si mjete për zgjidhjen e ndonjë mosmarrëveshjeje që mbetet e pazgjidhur apo ndonjë mosmarrëveshjeje në të ardhmen.
Marrim përsipër që të bëjmë përpjekje të mirëfillta për të zgjidhur, përmes mjeteve ekskluzivisht paqësore, të gjitha mosmarrëveshjet aktuale ose të ardhshme apo çështjet që mund të nxitin mosmarrëveshje mes nesh.
NENI II
Respektimi i kufijve
Të dyja palët zotohen t’i respektojnë në mënyrë rigoroze kufijtë e njëra-tjetrës dhe nuk do të bëjnë asnjë përpjekje, as tani, as në të ardhmen, për të pushtuar, kapur, aneksuar ose kontrolluar territorin e njëra-tjetrës, pjesërisht ose plotësisht.
Të dyja palët do të përmbahen nga çfarëdo mbështetjeje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë për çfarëdo ndërhyrje të jashtme ose trazirë të brendshme kundër palës tjetër me qëllim të pushtimit, kapjes, aneksimit ose kontrollit të territorit të njëra-tjetrës, pjesërisht ose plotësisht.
Për të promovuar besimin e ndërsjellë dhe për të ndërtuar besim, palët do të përpiqen për nivelin më të lartë të transparencës në lidhje me çdo lëvizje ose operacion të personelit të tyre ushtarak dhe të sigurisë, veçanërisht në zonat ndërkufitare.
Pavarësisht qëndrimeve tona përkatëse për çështjen e njohjes reciproke, të dyja palët bien dakord të përdorin kanale zyrtare dhe jozyrtare të shkëmbimit të informacionit dhe bashkëpunimit për t’iu kundërvënë çdo kërcënimi të sigurisë drejtuar kundër tyre nga aktorët e jashtëm.

NENI III
Reciprociteti në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pakicave
Palët do të punojnë së bashku për të krijuar sistemin më të përparuar për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pakicave për komunitetin shqiptar në Serbi dhe komunitetin serb në Kosovë me qëllim të arritjes së paqes afatgjatë dhe të qëndrueshme midis vendeve tona duke respektuar plotësisht parimin e reciprocitetit dhe në përputhje me vlerat evropiane dhe aktet ndërkombëtare.
Palët zotohen të punojnë në frymën e bashkëpunimit për të zgjidhur çdo çështje që lidhet me komunitetet përkatëse pakicë me synimin për të arritur një akomodim të ekuilibruar në përputhje me parimin e reciprocitetit. Për të arritur nivelin më të lartë të akomodimit për komunitetet pakicë, palët do të udhëhiqen nga aktet e mëposhtme ndërkombëtare:
Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut e vitit 1948;
Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike i vitit 1966;
Deklarata e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave që u Përkasin Pakicave Kombëtare ose Etnike, Fetare dhe Gjuhësore, e miratuar nga rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme 47/135 e datës 18 dhjetor 1992;
Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore dhe Protokollet e saj, e vitit 1959;
Karta Evropiane për Gjuhët Rajonale ose Minoritare e vitit 1992;
Konventa Kornizë e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare e vitit 1998;
Karta Evropiane e Këshillit të Evropës për Vetëqeverisjen Lokale e datës 15 tetor 1985;
Konventa Bazë e Këshillit të Evropës për Bashkëpunimin Ndërkufitar midis Komuniteteve ose Autoriteteve Territoriale e datës 21 maj 1980;
Raporti i Komisionit të Venecias të Këshillit të Evropës mbi Trajtimin Preferencial të Pakicave Kombëtare nga ana e Shtetit të tyre të Origjinës (Venecia, 19-20 tetor 2001);
Rekomandimet e Bolzano/Bozen të OSBE-së mbi Pakicat Kombëtare në Marrëdhëniet Ndërshtetërore, të datës 2 tetor

Në marrëdhëniet midis tyre, të dyja palët do të përmbahen nga të thirrurit në komunitetet të tyre përkatëse pakicë si pretekst për përdorimin e forcës kundër njëra-tjetrës dhe do të hedhin poshtë në mënyrë solemne çdo rekurs drejt dhunës kundër komuniteteve të tyre përkatëse pakicë në mënyrë që të arrijnë ndonjë synim ose qëllim politik.
Çdo incident që përfshin anëtarët e komuniteteve përkatëse pakicë do të zgjidhet përmes angazhimit konstruktiv midis palëve dhe/ose ndërmjetësimit ndërkombëtar në përputhje me nenin
Asnjë konsideratë ose justifikim në lidhje me statusin e komuniteteve përkatëse pakicë nuk mund të shfrytëzohet si arsye për kërcënimin ose përdorimin e forcës në kundërshtim me nenin I.

NENI IV
Zgjidhja paqësore e mosmarrëveshjeve
Palët zotohen t’i zgjidhin drejtpërdrejt të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e tyre të ndërsjella me mirëbesim dhe në frymë bashkëpunimi, për të arritur një zgjidhje në kohë dhe të drejtë, mbi bazën e së drejtës ndërkombëtare.
Në rast të mosarritjes së një zgjidhjeje me anë të ndonjë prej mënyrave paqësore të lartpërmendura, palët, në secilin rast, në bazë të marrëveshjes reciproke, do të kërkojnë një zgjidhje me mënyra të tjera paqësore, përfshirë ndërmjetësimin, arbitrazhin ose lehtësimin nga organizatat ndërkombëtare ose palët e treta, dhe asnjëherë nuk do të përdorin forcë me qëllim të arritjes së një vendimi për mosmarrëveshje të tilla.

NENI V
Mbështetja e ndërsjellë e procesit të integrimit evropian
Pavarësisht nga qëndrimi përkatës i palëve sa i përket njohjes, ato ripohojnë angazhimin e tyre të përbashkët për të qenë anëtare të plota të Bashkimit Evropian në mënyrë që t’i integrojnë shoqëritë dhe ekonomitë e tyre në komunitetet euro-atlantike pa asnjë vonesë.
Për këtë qëllim, palët do të përmbahen nga çfarëdo veprimi ose ndërhyrjeje, qoftë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, individuale ose kolektive, me qëllim të pengimit të palës tjetër nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian, pavarësisht nga progresi i tyre individual në procesin e anëtarësimit në BE.
Pavarësisht nga marrëdhëniet mes tyre, palët në mënyrë reciproke zotohen të mos ndërmarrin asnjë veprim, të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, që do ta pengonte anëtarësimin e palës tjetër në organizatat dhe iniciativat rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare.
NENI VI
Dispozitat përfundimtare
Kjo deklaratë e bërë në gjuhën angleze, shqipe dhe serbe nënshkruhet në prani dhe dëshmi të përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në rast të mospërputhjeve, teksti në gjuhën angleze mbizotëron.
***
Se një deklaratë e tillë është refuzuar pa u lexuar nga pala serbe nuk është befasi, por është për çdo kritikë qendrimi indiferent i ndërmjetësve ndërkombëtar, të cilët dëshmuan se janë të njëanshëm, duke favorizuar palën serbe, ne lidhje me veriun Kosovës. Ndërsa takimet e vazhduara pas vitit 2021, dëshmojnë se pala serbe nuk është e interesuar për zgjidhje të çështjes por deshiron të fitojë në kohë, duke paraqitur kërkesa qe janë kundër sovranitetit dhe shtetësisë së Kosovës, ku situata aktuale e tensionuar në veriun e Kosovës nga vet serbët(prill-maj), e dëshmon ma së miri një konstatim të tillë. (Korrik 2023)

Filed Under: Rajon Tagged With: Nail Draga

“Connect Albania to the future”

July 27, 2023 by s p

Valer Pinderi/

Bizneset shqiptare të inovacionit dhe tregëtisë në internet i bëjnë thirrje diasporës të na bashkohet në një event të dedikuar për ndërlidhjen e bizneseve shqiptare me njëri-tjetrin por edhe me bizneset ndërkombëtare që duan të vijnë në Shqipëri. Kjo nevojë ka bërë bashkë shoqatën “Albanian E-Commerce Association” (AECA) së bashku me Innovation Nest Tirana dhe Tok Digital për të krijuar një platformë unike në Shqipëri, ku lidhja e partneriteteve dhe rritja e biznesit është fokusi kryesor. Kjo platformë do të prezantohet në formën e një eventi 3-ditor menjëherë pas pushimeve verore, me qëllim që biznesi të jetë i çlodhur dhe i hapur ndaj këtyre risive drastike; prandaj shihni se çfarë do të ndodhë në datat 8, 9, 10 Shtator në parkun Olimpik Tiranë.

Sot, më shumë se kurrë, çdo biznes në Shqipëri ka nevojë për t’u zhvilluar, dhe ky zhvillim vjen me partnerët e duhur, me klientët e duhur, me njohuritë e duhura dhe me strategjinë e duhur. Shoqatat tona të biznesit po krijojnë këtë event si për bizneset tona, sepse qëllimi i vetëm i këtij eventi është të sjellë rezultate pozitive në bizneset tona.

Innovation Nest në vitin e tretë të përsëritur të këtij aktiviteti në bashkëpunim këtë vit me AECA vjen me konceptin ‘Connect Albania’.

Ky koncept është i krijuar për të ndërlidhur bizneset me njëri tjetrin dhe me klientët idealë të tyre, me qëllimin e vetëm rritjen e shitjeve në ambjentin aktual, ku ndryshime e vazhdueshme nuk mungojnë.

Si do të realizohet kjo?

Përgjatë tre ditëve do të ketë aktivitete me aq vlerë për kompanitë dhe drejtuesit e tyre, sa do bëjë bashkë të gjithë ata që bashkëpunimin e shohin si rrugën e zhvillimit.

Tema e Ditës së Parë: ‘’Connect Albania to the World’’

Përgjatë kësaj dite fokusi do të jetë informacioni dhe network-u me partnerë, të cilët do ndihmojnë kompanitë shqiptare të ri-dimensionohen përtej realitetit shqiptar, por edhe të gjejnë mundësi për të zgjeruar tregun e tyre.

Do të kemi në sallë dhe në skenë përfaqësues të bizneseve të rajonit, të cilët pëfaqësojnë mbi 500 kompani të tregëtisë në internet dhe teknologjisë, nga Maqedonia, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Bullgaria. Rajoni është edhe ndalesa e parë e shqiptarëve në rrugëtimin për t’u lidhur me botën. Përfaqësues të këtyre tregjeve, përveç se do të jenë prezentë me stendë në event do të prezantojnë pasdite tregjet e tyre dhe mundësitë që ato sjellin për shqiptarët.

Më pas do të kemi folës ndërkombëtarë në skenë, të cilët tregojnë situatën dhe trendet ndërkombëtare të sjella në kontekstin Shqiptar dhe mundësitë që ato do të sjellin. Përfaqësues nga Ebay të cilët do të tregojnë se çfarë shitet nga Shqipëria dhe çfarë mund të shitet më tej online në marketplace më të njohur në botë.

Përgjatë çdo dite do të ketë workshop nga ekspertë vendas dhe të huaj për pjesmarrësit, por edhe për stafin e kompanive që do të jenë prezente në këtë event.

Tema e Ditës së Dytë: ‘’Connect Albania to Itself’’

Përveç se të lidhemi me botën, ne kemi nevojë të lidhemi edhe me njëri-tjetrin më mirë. Tregtia online por edhe vetë interneti sot, për të parën herë na japin një mundësi të jashtëzakonshme për ta realizuar këtë.

Përgjatë kësaj dite ne si organizues të eventit i bëjmë thirje të gjitha bizneseve të diasporës të na kontaktojnë për të pare mundësinë e krijimit të aktiviteteve të përbashkëta për tu ndërlidhur me njëri tjetrin.

Përgjatë kësaj dite kompanitë më të mira të tregtisë në internet do të jenë prezente në sallë me aktivitete dhe fjalime të ndryshme, gjithashtu pasditja do i dedikohet kompanive të Kosovës edhe diasporës të cilat janë pjesa jonë më e rëndësishme për t’u lidhur me veten dhe botën.

Përfaqësues nga kompania Zalando do të mbajnë një fjalim për kompanitë e modës, dhe do të zhvillojë një workshop eskluziv për stafin e kompanive prezente në event.

Tema e Ditës së Tretë: “Connect Albania to the future”

Përgjatë kësaj dite fokusi do jetë te trendet e reja në marketing, në teknologji dhe sigurisht në edukim.

Disa prej ekspertëve më të përgatitur vendas, do të na tregojnë se çfarë do i ndihmojë bizneset të rriten. Do të kemi një panel me disa prej kompanive të reja më novatore në vend për të treguar sfidat dhe drejtimin që ky sektor ka. Dhe sigurisht do të kemi disa prej trajnuesve më të mirë, për të trajnuar jo vetëm stafin tonë, por për të sjellë në event kandidatët më të mirë për t’u punësuar, që janë ata të cilët duan të zhvillohen.

Ju mirëpresim të gjithëve në event shumica e të cilit do të mund të aksesohet falas. Nëse jeni kompani që ofroni teknologj inovatore dhe risi në treg, duhet të na kontaktoni shpejt sepse hapësirat janë të limituara.

Të gjithë sipërmarrësit apo institucionet e diasporës të na kontaktojnë për të gjetur formën e ndërlidhjes në këtë aktivitet të rëndësishëm për ekosistemin shqiptar.

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT