• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2023

Lehësit e së keqes

August 7, 2023 by s p

Shaban Murati/

Është e pashpjegueshme, pse shumë komunistë fanatikë të regjimit diktatorial enverist pas ardhjes së demokracisë shfrytëzuan hapjen e rrugëve dhe shkuan në SHBA, Itali, Gjermani, Britaninë e Madhe, etj. ku ishin regjime, që ata i urrenin jo vetëm në kohën e qoftëlargut, por edhe sot i urrejnë. Në fakt nuk janë aspak komunistë të vërtetë, sepse po të ishin të tillë duhej të shkonin për të jetuar në vendet komuniste si Kina, Korea e Veriut, Vietnami, etj.

Mirë që u strehuan në Perëndim dhe gëzojnë pensionet e mira, ndihmën shëndetësore falas dhe të mirat sociale të kapitalizmit perëndimor, por pse nuk rrinë urtë e të heshtin, por lehin nëpër rrjetet sociale në Shqipëri në mbrojtje të komunizmit enverist. Në fakt nuk janë komunistë të vërtetë, por janë thjesht njerëz të ligj, që kanë zili dhe urrejnë realitetin, që shumica e popullit shqiptar jeton sot shumë më mirë se në kohën e triskave dhe tollonave të Enverit dhe e kanë bërë lanet atë regjim dhe atë diktator. Nostalgjikët enveristë, që lehin nëpër rrjetet sociale të Shqipërisë nga rehatia e vendeve kapitaliste perëndimore, janë pjesa më e zezë dhe më helmatisëse e llumit të shoqërisë shqiptare.

Brezi ynë e njeh mirë regjimin diktatorial dhe e di se kjo skotë lehësish nostalgjikë i ka borxhe të mëdha diktaturës, e cila i mori ata nga krraba dhe dhitë në skërkat e humbura të maleve dhe pushtuan qytetet, duke i bërë vegla të instrumenteve më shtypëse të diktaturës dhe duke u dhënë si shpërblim vila, poste, pushtet dhe jetë të paparë në qytetet kryesore të Shqipërisë. Shembull tipik i këtij modeli është një ambasador i asaj kohe që mburrej për mrekullinë, që bënte Partia e Punës dhe shoku Enver, që atë bari në mal me dy klasë fillore e kishte bërë ambasador.

Mirë, që nuk kërkuan falje për atë regjim gjakatar, që vrau shqiptarë më shumë se sa u vranë në Luftën e Dytë Botërore, por përse nuk heshtin dhe të gëzojnë në qetësi të mirat e kapitalizmit të urryer prej tyre. Treguan më dinjitet nazistët gjermanë, të cilët ikën me mijra vetë nga Gjermania pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore dhe shkuan në vendet e Amerikës Latine, ku kurrë nuk u ndjenë dhe nuk dolën në mbrojtje të nazizmit as në publik dhe as në rrjetet sociale. Por nostalgjikët enveristë shqiptarë nuk janë as komunistë dhe as njerëz, por janë thjeshtë të ligj, që ëndërrojnë ende të vrasin, të shtypin dhe t’i vdesin nga uria shqiptarët si dikur në regjimin e tyre. Ata janë lehësit e së keqes.

Është një grup nostalgjikësh, që lehin edhe nga shtrati, edhe nga varrri, që duan ta kthejnë Shqipërinë në ferrin e dikurshëm enverist dhe tani lufton nëpër rrjetet sociale shqiptare dhe perëndimore për të arritur të paktën synimin e ligë që Shqipëria dhe populli shqiptar të përbuzen nga popujt dhe nga shtetet e tjera si njerëz të lindur për të keqen.

Filed Under: Analiza Tagged With: Shaban Murati

“PA TITULL” – POEZI NGA OREST ÇIPA

August 7, 2023 by s p

“PA TITULL”

Për ne,

Koha s’ka shpirt,

Por ,

As shpirti s’njeh kohë po ashtu…

Si për dreq,

Në largësi tik-tak-u i orës na treti,

Dhe agonia e ëndrave kuturu..

Krijesë e bukur eja!

Më shpejt se çasti mësho…

Ta zhbëjmë këtë stilemë të vjetër,

Në botën tonë ,

Në zjarrin tonë,

Si dy të përmalluar!

Të etur!

Unë i pashpirt, ti e pakohë …

———————-

OPINGAT E MIA

I kam var në murr opingat,

Tek çengeli i vjetër…

I ndryshkur,

Në krisjen e këtij ledhi që ndan!

Gjurmët e tyre,

I fshiu era, moti, heshtja..

Disa i rrëmbeu deti!

Gjurmët u mbuluan me gjurmë …

Ndoshta !

Një diç?!

Më brengos në përhijim…

Shputa e këmbës,

Më “ha” sa herë i shoh!

Ndoshta …

Shtigjeve ku rendja tërbuar,

Ju mungon hapi im !

Opingat e mia ..

Të kthyera kokëposhtë,

Të varura,

Tek çengeli i vjetër …

I ndryshkur,

Tungjatjeta !

Mbeçi me shëndet !

————-

DREJT FTOHTËSISË

Drejt një kohe pa ndjenjë po ikim,

Drejt një udhe pa kuptim,

Drejt një ftohtësie të trishtë,

Drejt heshtjes me njerinë…

Mos vallë, Prometeu zjarrin ka rimarr?

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Orest Çipa

UNË, EMIGRANTI…

August 7, 2023 by s p

Kastriot Fetahu/

A do ta njihnim historinë e popujve pa mërgimin e një pjese të tyre, që nga thellësitë e shekujve?

A “erdhi” tek ne Troja dhe Itaka nga një poet shëtitës, “mërgimtar” si Homeri?

A mos vallë historia dhe zhvillimi i Perëndimit janë në nivele përherë më të larta se Lindja edhe nën ndikimin e këtij fenomeni?

Nuk e kisha menduar asnjëherë më parë të lija Atdheun tim, pasi e ndjeja që do të kisha një jetë të trazuar përmes të panjohurave që i ngjanin ecjes si një i vetmuar në një pyll ekuatorial, ku lianet do të dukeshin aleatët e vetëm…

Nuk po largohesha nga një vend me rregjim tiranik, (edhe pse demokracia e pambërritur nuk kishte aromën e saj), por e ndjeja që inteligjenca vlerësohej më pak se muskujt e gangsterrit të lagjes dhe fjala nuk kishte peshë, më dukej se aty radikalizimi i trukuar i jetës politike që derivon edhe në atë sociale, pjell “Robespierë” të vegjël si matrioshkat pambarim…

Politika më vrau ëndrrat, më varfëroi dëshirat, më tjetërsoi objektivat, më humbi besimin dhe ndërtoi një labirinth mendimi fundor ekzistencial, nga i cili për të dalë duhej një “Arianë”, gjithmonë e munguar në vendin tim.

Kur kalojmë kufijtë dhe nuk “kthejmë kokën pas,” jemi ne që bëjmë mëkat ndaj Atdheut, apo ka të tjerë mëkatarë që na induktojnë nga pak çdo ditë idenë e braktisjes me ato çfarë bëjnë dhe nuk bëjnë për ne??

Ikja e një emigranti mbart guxim, kurajo, një aventurë epike me ngulçe të fshehura shpirti, një nisje në errësirën e mëngjesit për të dritësuar errësirën e jetës dhe të gjitha këto vijnë si një protestë për t’ju mohuar ju, se nuk ngjallni më besimin edhe kur pëshpërisni “iku dhe ky” me një lloj dhembje të pangjyrë hipokrite, duke sanksionuar kalbëzimin e inisiativës dhe shpresës për ndryshim, pasi gjithmonë ikin pionerët, ikin ata që ndjekin akoma ëndrrën e “Yukon” të Alaskës së London!

Njeriu, që në lindje të shoqërisë njerëzore me mitin e Evës dhe Adamit, ishte mërgimtar.

A nuk mërguan edhe Poseidoni me Hadin, kur i dëboi (legjendat thonë edhe me short ky mërgim) Zeusi nga Olimpi, pasi eliminoi Kronosin?

Bota jonë duket sikur është një turmë mërgimtarësh të ikur apo të dëbuar për arësye të ndryshme, që dëshpërimin e kthejnë në energji krijuese në historinë e re, kur e fillojnë në vendin e panjohur, i cili i tremb gjithmonë me puzzlet që e rrethojnë si rrethi qarkun e tij në gjeometri.

E kam menduar edhe planetin si një emigrant që ka ndërruar orbitën fillestare në tjetër orbitë…

A është mohimi i të shkuarës së vetvetes, që derivon në rilindje, mërgimi i njeriut nga Adami dhe deri më sot?

Ditën që avioni i “Lufthansa” u ngrit me një uturimë të mbytur në ajër, mendova se koha e streseve vulgare do të mbaronte.

Mbërritja në tokën e premtuar, (tokën e George Washington dhe Abraham Lincoln, që jo më kot është shteti i parë i botës dhe i themeluar nga emigrantë), u shoqërua me ndjesi ku edhe gëzimi bënte pjesë…

Chicago, qyteti ku qielli ka zbritur në tokë!!

Është bukur, është paqe individuale, është siguria që askush nuk të njeh dhe ti nuk je i ndrydhur se po të gjykojnë duke të veshur gjendje të shprehura me fjalë si “egoisti, mediokri, mendjemadhi, përmbledhur me shprehjen tipike bullizuese -ja ky…- pa cituar fundin e saj.

Më ka intriguar gjithmonë historia e këtij vendi dyoqeanik…

Kam pyetur veten se… a është përplasur me fisin e gjuhës Maskóki, që më pas u bashkuan me Seminolët luftarakë (Florida), Christopher Columbus kur zbarkoi me “Santa Maria” në brigjet e “Indisë”?

Kisha lexuar më parë “Osceola, prijësi i Seminolëve”, përkthyer nga profesori im Hajrulla Zonja, madje kisha parë dhe filmin “Osceola”.

Komplekset e tua emocionale të fshehura me kujdes me atë pamjen mistike pa asnjë shprehje në fytyrë në vendin nga vjen, këtu sa vijnë e treten.

Sa fytyra “të ngrira”, si e Sharli Bovari, kam parë në atë vend…?!

Më duket sikur Liria e çliruar dhe e pavëzhguar nga sytë dinakë të atyre që të njohin, është Liria e munguar!

Ndërsa Liria juaj duket sikur ekziston vetëm nën maskën veneciane të shekullit të XVIII…

“Aty ku banon Liria, atje është vendi im,” kjo, një frazë latine që e kishte për zemër James Otis, ligjvënës kolonial dhe mbështetës i hershëm i kauzave patriotike në Koloninë e Gjirit të Massachusetts në fillim të Epokës Revolucionare.

Ne jemi një popull që e përqafojmë shpejt perëndimin, po kur kthehemi në Atdhe se kuptoj pse ndonjëherë bëhemi më “lindor” nga sa ishim, kur morëm udhën e ëndrrës “Londoniane”?!

Duket sikur i ngjajmë rrymës alternative…

Këtu më sundon habia e hutuar, më mban peng fillimisht, e shoqëruar me një frikë manuale pa objekt real.

Heshtjet e mia nuk janë të zhurmëshme si në Tiranë dhe nuk mi dhuron askush, jam unë që i kërkoj për tu fundosur në to…

Sa larg është iluzioni me realitetin në mendimin e një emigranti në vendin e ri ku ai jeton??

Emigranti, një qënie që endet midis luftës dhe paqes handikape në mendjen e tij dhe që herë herë më duket si subjekt i veprës së Engelsit, (filozofit materialist në veprën e tij “Gjendja e klasës punëtore në Angli”), sidomos ata që janë informalë…

Ëndrrat zbehen shpejt dhe ti ridimensionon dëshirat…

Nënqesh hidhur kur kujton se në Shqipëri pëlqeje “Cadillac Escalade” dhe rrjetin e supermarketeve Whole Foods (Jeff Bezos), më i miri dhe natyrisht më i shtrenjti.

Po i arratisemi ne civilizimit, apo po na arratiset ai, neve(?)… përsiata pa artikuluar dot asnjë përgjigje!

Një ditë, pasi rrëkëlleva disa birra, guxova të bëj analogji…

Ku ndryshoj unë nga franko-algjeriani Albert Camus, (edhe pse ai është një emigrant i brezit të dytë),?

A jam më shumë se Camus, multikulturalist?

Çfarë sistemi vizualizimi kishte ai në ndryshim nga unë për vendet respektive?

Kush prej nesh dëshiron më tepër diversitetin se sa homogjenizimin?

A kërkon dikush tjetër ti ngjajë zotit Merso, (i huaji)?

Shpejt u kthjellova, por nuk e harrova Camus…

Në dukje gjithçka është ok, por jo belbëzimi im në anglisht për të thënë çfarë dua…

Një vajzë e bukur po qeshte një ditë, duke më parë në starbucks (kafe) dhe nuk dija çfarë të përjetoja, pasi bullizmi dhe simpatia nuk kuptohen qartë nga unë, një i huaj, në fytyrën e asaj vajzës pa shprehi të deklaruara.

Nuk e di, pse kur dëgjoj gjuhën e vendasve, gjuha jonë më kujton fronin e Bourbonneve?!

Kur më ndaloi një polic, pse kalova me “të kuqe” në semafor, nuk më bërtiti dhe as u shqetësua fare, kur preu fletën e gjobës 200 dollarë…

Më erdhi në vemendje një homolog i tij shqiptar në aksin FushëKrujë – Lezhë, kur për një shkelje, pasi bërtiti sa ju ngjirr zëri, më dha dokumentat e me zë gati të mekur … -ik, mos të shoh më me shkelje…!-

Në restorant kamerierët buzëqeshin, duke të pyetur “mungon gjë(?)”, aq shpesh sa unë “mbytem” të mbaroj sa më parë, të paguaj e të iki…

Asnjë fqinjë nuk më flet, veç të dhurojnë një si lloj ngërdheshje të kontraktuar, që tenton buzëqeshjen e sinqertë!

Emigranti më duket si një madhësi fizike që i jep nxitimin centripet zhvillimit të Atdheut të ri dhe merr si shpërblim nxitimin centrifug, duke ngelur gjithmonë “kloni” i shoqërisë së atij vendi.

Të jesh emigrant, jeton me këtë hije dhe një shpirt në dy botë.

Nuk e kam kuptuar dot, se ku është kufiri midis emigrantit, qytetarit të botës dhe kolonialit?

Statujat këtu janë gjigante, por nuk më ngjallin emocion, sikur të jenë prej argjile të ngjyrosur akoma pa u tharë!

Gjithmonë e kam adhuruar Odhise Paskalin dhe bazaltin e tij!

Ju mendoni se keni ndryshuar kur fëmijët janë rritur e integruar, ose shtëpia juaj e fëmijërisë fillon e dobëson lidhjet me ju dhe kuptoni se e kaluara nuk është kurrë aq e fortë sa një send i shenjtë në të i trashëguar me breza, por si një pasqyrë e thyer, hije njerëzish me fytyra që nuk i shihni dhe kështu, nuk mund ta shpirtërojmë atë lehtësisht.

Ti nuk harron asgjë, as çastin kur mbylle derën e shtëpisë për herë të fundit me një psherëtimë të thellë, fshehur buzëve të shtrënguara nga idetë e turbullta, që donin të shpërthenin nga burgu i tyre, por tani ato janë një masë tuli kujtimesh, një pelegrinazh në varrezën e tyre, ku në vend të qiparisave, janë sende që ecin si në një filëm me metrazh të shkurtër dhe që xhirrón si kaseta në aparatin e vëllezërve Lymier!

Po këngën “Për ty Atdhe”, Pjetër Gaci e ka kompozuar?

Pse disa na konsiderojnë atdhetarë pa Atdhe?

Pse na çnderojnë kaq djallëzisht me emrin “refugjat”, si muhaxhirët klasik beduinë??

Më duket sikur me padurim presin ca, që të na çrregjistrojnë…

Një ndjenjë e zhdrejtë komunikimi të mundon këtu edhe për shkak të gjuhës edhe për zakonet jo të njëjta duke e dramatizuar më shumë dramën e emigrantit.

Nuk më pyet askush se si i kam hallet dhe kjo më detyron t’ju kthehem kujtimeve me miqtë e mi, kur i ndanim ato sëbashku, për të gjetur pak ngushëllim si X i një zgjidhjeje ekuacioni, për ti ikur makthit të errësirës me dritën e miqësisë.

Po Zoti ndihmon më shumë një emigrant, apo një “patriot”?

Rruga e jetës së emigrantit më duket si një kalldrëm me një fund pa mirazh, që në vend të gurëve, ka toptha gjaku e djersë të koaguluar, trotuarët e tij janë shtruar me pllaka psherëtimash dhe anës tyre ca pemë ku degët janë gjymtyrët e tij, gjethet e të cilave pikojnë mëngjeseve të vesuar… vetëm lot!

Të kthehet (?)… një dilemë hamletiane.

Këtu jeton në një shoqëri që e perifrazon mjaft bukur filozofi i famshëm Karl Popper, intoleranca është një gjë që një shoqëri tolerante nuk mund të lejojë të tolerojë.

Dy nobelistët shqiptarë e kanë fituar çmimin në mërgim.

… E kam menduar edhe vdekjen dhe mendimi ka udhëtuar nga urna e hirit deri tek banorët e mëhallës së vjetër, që pëshpërisin për politikën në funeralin tim…

Më duket vetja si emigrant i një populli, që i ngjan një rrapi të palëvizëshëm, nën hijen e të cilit më parë kanë qëndruar popuj të tjerë, në këtë botë emigrantësh!

Mbrëmjeve “arratisem” tek prindërit e mi…

Strukem në fjalët e Nënës me mallin e lotuar, larg syve të njerëzve…

Po këta kanë Nënë?

Pse askush nuk e përmend ndonjëherë?

Më kujtohet një miku im, i cili kohë më parë më tha… “Një ditë, unë, nuk i gjeta më Nënën dhe Babain, kur u ktheva beharin tjetër në Atdhe… !”

Meditoj në heshtje, (nuk e di kush e shpiku heshtjen?).

Po dhembjen time, dhembjen time, që këta nuk e kuptojnë dot, kush do ma shëroj… ??

Filed Under: Emigracion Tagged With: KASTRIOT FETAHU

Përtëritje…

August 7, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Botohet shumë, por shtypet pak. Njeriu përqendrohet në libra të zgjedhur. Lexon gjuhë të veçanta të shkruara, të cilat janë vetë dialekte dhe provinciale. Rrezikon të harrojë gjuhën, gjërat dhe ngjarjet kur mungon metafora. Ndjesitë që rrjedhin përmes kapakut nuk do të mbahen mend më kur grila të hiqet plotësisht; asnjë metodë nuk mund ta zëvendësojë. Çfarë është një kurs i historisë, filozofisë, apo poezisë, pavarësisht sa mirë është zgjedhur, apo shoqëria më e mirë, apo rutina më e admirueshme e jetës, krahasuar me disiplinën për të parë gjithmonë atë që duhet parë? A do që të jesh lexues, thjesht student, apo shikues? Lexoni, shikoni se çfarë është përpara jush, dhe ndiqeni.

Ka raste kur njeriu nuk mund të sakrifikojë suksesin e momentit për ndonjë vepër, qoftë të kokës apo të duarve. Ndonjëherë, vështron nga lindja e diellit deri në mesditë, i rrëmbyer në entuziazëm; rritet si misri gjatë natës që bëhet më mirë se çdo punë e duarve; kupton se çfarë nënkuptojnë të tjerët me soditje dhe braktisje të veprave; nuk interesohet sesi kalojnë orët. Dita përparon. Ditët nuk kanë ditë të javës, dhe nuk mbajnë vulën e ndonjë hyjnie, as nuk janë të grira në minuta dhe të shqetësuara nga tik-takimi i orës. Autoktonët e Amerikës, për dje, sot dhe nesër kanë vetëm një fjalë, dhe shprehin shumëllojshmërinë e kuptimit duke treguar prapa për të djeshmen, përpara për nesër, dhe lart për ditën që kalon.

Njeriu duhet ta kërkojë rastin në veten e tij, si ai që e mëson tjetrin se si të mbjellë a prodhojë, dhe pikërisht këtë e quan ndihmë. Jeta është dramë me shumë skena, të gjithëve u takon një rol. Sythat, të cilët dalin papritur vonë në pranverë nga shkopinj të thatë që dukeshin të vdekur, zhvillohen si me magji në degë të gjelbërta.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi

LOJA ME ARMËT BËRTHAMORE ËSHTË KATASTROFË GLOBALE

August 7, 2023 by s p

Gjeneral Asllan Bushati/

Nuk ka njeri në botë, që nga viti 1945 e deri më sot, i vetëdijshëm apo i pa vetëdijshëm, politikan apo punëtor, biznesmen apo hileqar, shkencëtar apo analfabet, ushtarë apo gjeneral, që nuk ka pësuar dëmtime në një formë a në një tjetër nga prania midis nesh e armëve të dëmtimit në masë (ADM). Armët bërthamore (AB), kimike e biologjike, diktuan politikat, diplomacinë, ekonominë, mendimin ushtarak, organizimet shtetrore e shoqrore, veprimtaritë kombëtare e ndërkombëtare. Armët bërthamore morën pjesën e “luanit në fondet e zhvillimit”. Pa praninë e tyre në planet, do të kishim pasur më shumë shkolla, më shumë dituri, më shumë mjekë, spitale, më shumë mbrojtje shëndetsore e për rrjedhojë një jetëgjatësi mesatare më të madhe se sot. Do të kishim më shumë mirqenie e siguri, më shumë energji nga studimet shkencore për përdorimin e oksigjenit, hidrogjenit, shfrytëzimin e energjisë së fushave elekrtomagnetike, ndarjes së thërmijave të zeza, diellore etj . Nëntoka nuk do të ishte shfrytëzuar barbarisht për hidrokarburet (nafta, gazi, bitumi, gymyret etj), nuk do të kishim këtë ndotje ambientale shkatërrimtare, nuk do të kishim këto ndëshkime të natyrës në format e stuhive të nxehta e të ftohta, nuk do të kishim kaq erozion sa pasuria e madhe e maleve, kodrave dhe e fushave të varroset në fundin e deteve e oqeaneve. Këtë gjëmë shoqërore e kanë bërë njerzit kundër njerëzimit. Nuk do të ishte gabim (madje ndoshta gjëja më e drejtë) të hedhim shikimin prapa, dhe mbi bazën e përvojës negative të nxjerrim mësime për të ardhmen tonë e të gjeneratave që do të pasojnë. Njohja e përgjithëshme, (aq më mirë e thelluar) e ADM-ve, do të na shtynte të mendojmë si njerëz të civilizuar të këtij këtij globi, për një të ardhme më të mirë, më jetgjatë, më të kulturuar për vehte dhe breznitë e ardhëshme.

Termi “Armë Bërthamore”, teknikisht mund të themi se eshte: shpërthimi që realizohet nga reaksioni bërthamor i ndarjes së atomeve te elementëve radioaktiv ose një kombinim i ndarjes dhe i bashkimit (shkrirjes) së grimcave bërthamore . Gjatë procesit të zhvillimit të këtyre reaksioneve, clirohet një sasi shumë e madhe energjie nga një sasi relativisht e vogël e materies. Kështu një bombë modern termo- bërthamore peshon më pak se 1000 kilogramë dhe mund të shkaktojë një shpërthim të krahasueshëm me shpërthimin e më shumë se një milliard kilogramë material shpërthyes cilësor konvencional.

Përdorimi i AB-së nisi më 6 dhe 9 gusht të vitit 1945 nga amerikanët, mbi qytetet japoneze Hiroshima e Nagasaki, të cilat sollën 106 mijë të vdekur, 98 mijë të plagosur dhe mijra të tjerë të vdekur më pas nga rrezatimi mbetës. Ky sulm bërthamor erdhi si pasojë e sulmit të pabesë japonez mbi flotën amerikane të Paqsorit (ku paarsye, paparalajmërim dhe në kundërshtim me konventën ndërkombëtare), brenda një nate gjetën vdekjen 9 mijë ushtarakë amerikanë. Po ashtu para sulmit bërthamor amerikanët ju bë me dije japonezve të dorzoheshin pakushte ose do të asgjësoheshin në mënyrë masive me një armë të re.

AB-të, që nga 1945, vec të tjerave sollën përmbysje fondamentale në fushën e mendimit ushtarak. Ato e ndanë përgjithmonë historinë e luftrave në konvencionale e bërthamore. Arsenali bërthamor në botë (shtator 2022) është si më poshtë: Rusia =6,257, SHBA=5550, Kina=350, Franca=290, UK (Mbretëria e Bashkuar)=225, Pakistani=165, India= 156, Israeli=90, dhe Koreja e Veriut=40-50. Por në tentativë për të futur në dorë AB-në janë edhe disa shtete të tjera, me qëndrueshmëri të pabesueshme. Ky opsion e ven këtë qytetërim (të paktën 7 mijë vjecar), përditë e më shumë përpara rrezikut real të cfarosjes.

Rusia nëpërmet Putinit, pas sulmit mbi Ukrahinë, jo rrallë ka vënë në dukje se kërcënimi i interesave jetike të saj, do të mbrohet edhe me përdorimin e AB-ve. Kina në heshtje e shton arsenalin e saj bërthamor përditë, Koreja e Veriut rregullisht bën prova me raketa balestike bartëse të AB-ve, dhe Irani bën trysni të hapur për pasurimin e materialit radioaktiv dhe fillimin e punës për AB-në (në se akoma nuk e ka bërë realitet).

Duke e hedhur shikimin 78 vite më pas, se cfarë ndodhi në Hiroshima e Nagasaki, cdo njeri në këtë botë që jetojmë, lypset që ta shohë drejt në sy rrezikun real që na kanoset, nga politikanë të papërgjegjshëm, qeveri, qarqe, organizma, grupe rraciste etj.

Dhe së fundmi , si ish ushtarak i lartë në Ushtrinë Shqiptare për këtë fushë, do të ju lutesha strategjistëve në Uashington, të rishohin opsionet e së ardhmes në dritën e problemeve dhe dukurive të kohës që po jetojmë. T’ju bëhet me dije politikanëve të të dy krahëve të politikës, rreziku që ekziston dhe se të qënit e Amerikës e fortë politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht nuk është vetëm nje ceshtje krenarie amerikane, por është domosdoshmëri në mbajtjen e ekuilibrave botëror. Është domosdoshmëri për ruajtjen e trazhgimnisë së deri tanishme botrore dhe lënien e tyre të sigurtë breznive që do të vijnë.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: asllan Bushati

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • 49
  • …
  • 56
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT