• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2023

SHQIPTARËT NGA EGJIPTI MBËSHTESNIN PUBLIKISHT KANDIDATËT SHQIPTARË  PËR DEPUTETË

August 28, 2023 by s p

Dr.Paulin Marku

Në arkivin historik-diplomatik të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë, gjenden materiale të shumta arkivore të rëndësishme që hedhin dritë për historinë e popullit shqiptar dhe rreth ngjarjeve në trojet shqiptare. Diplomacia italiane i ndiqte me interes zhvillimet në Ballkan. Rendësi të veçantë i kushtonin edhe ngjarjeve të shqiptarëve dhe këtë e dëshmojnë letër këmbimet e diplomatëve ku gjenden informacione të bollshme për situatën e brendshme politike, ekonomike, shoqërore e kulturore. 

Hulumtimi i materialeve arkivore italiane, dëshmon se trajtimi i çështjes shqiptare dhe faktori shqiptar, brenda dhe jashtë trojeve, ishte pjesë e rëndësishme e kancelarive diplomatike dhe informonin Romën zyrtare për zhvillimet në rajon.
Po aq të rëndësishme në këto dokumente janë edhe marrëdhëniet e shqiptarëve me bashkëkombësit në emigracion dhe bashkëpunimi i krerëve shqiptar për interesa të çështjes kombëtare shqiptare. Populli shqiptar shquhet si ndër popujt më të vjetër të Evropës dhe nga ana tjetër si populli që ka emigruar ndër shekuj për shkak të ngjarjeve historike dhe rrethanave të kohës, por kurrë nuk i kanë humbur lidhjet dhe interesin për vendlindje. Arsyet e emigrimit të shqiptarëve ndër shekuj janë të ndryshme, ku mund të rendisim disa prej tyre, si për arsye të pushtimit të vendit, për arsye politike, mos bindje ndaj regjimi, arsye ekonomike, si dhe për shkollim e mirëqenie sociale për një jetë më të mirë, etj… Shqiptarët e mërgatës kanë dëshmuar vazhdimisht se kanë lidhje të forta me atdheun dhe se, janë të gatshëm të kontribuojnë nga cilido vend ku jetojnë e punojnë për të ruajtur vlerat kombëtare, zhvillimin e arsimit, kulturës dhe të traditës e shumë kontribute atdhetare si në rast fatkeqësie natyrore etj… Po ashtu, me interes parësor janë ndjekur zhvillimet politike, ekonomike e shoqërore. Këto veçori pozitive dëshmohen mëse miri nëse bëjmë kërkime nëpër dokumente, gazeta, revista, ditar e burime të ndryshme të kohës. Shqiptarët janë popull shumë i lidhur me vendlindjen dhe mjaft i interesuar për situatën në përgjithësi, përfshirë zhvillimet politike. Është për t’u vlerësuar se shqiptarët në diasporë, gjithmonë janë gjendur të gatshëm për të mbrojtur çështjen kombëtare shqiptare dhe nuk hezitonin të organizojnë takime me përfaqësues të lartë shtetëror, mitingje e protesta duke luajtur rolin e ambasadorit të kombit në emigracion gjatë dekadave të ndryshme. 

Zgjedhjet parlamentare në trojet shqiptare janë ndjekur gjithmonë me interes nga shqiptarët në emigracion, të cilët shprehnin mbështetjen e tyre me letra e telegrame të shumta për përfaqësuesit politik. Ata kishin përzgjedhur një liste me emrat e kandidatëve për deputet, si njerëzit që duhet të përfaqësonin popullin shqiptar në parlament, bashkangjitur me listën shumë emërore ishte shkruar edhe motivacioni i mbështetjes ndaj kandidatit të preferuar. Nëpërmjet një letre dashamirëse, iu kërkonin bashkëkombësve që kishin mundësi dhe të drejte vote që t’i jepnin votëbesimin e tyre vetëm atyre kandidatëve që ishin në listë.  Letra e hartuar nga shqiptaret e diasporës së Egjiptit  ishte firmosur prej secilit prej tyre në fund të telegramit. Edhe pse gjendeshin larg në mërgim, ata përpiqeshin të shprehnin opinionin e tyre politik dhe ishin optimist se kërkesa e hartuar prej tyre do të mbështetej nga votuesit shqiptar për në parlamentin e Stambollit. 

Diaspora pretendonte se duke patur një listë të përbashkët me kandidat shqiptar për deputet, të cilët përfaqësonin krahina të ndryshme, zëri i tyre do të ishte një zë i fortë në mbrojtje të bashkëkombësve për interesa kombëtare shqiptare. Ata kishin përzgjedhur në listë për deputet emra të njohur të elitës politike shqiptare për zgjedhjet e vitit 1912 për në parlamentin e Stambollit dhe i konsideronin këto zgjedhje vendimtare për të ardhmen e Shqipërisë. Në dokumentet diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë evidentohet se situata në fillim të vitit 1912 ishte mjaft shqetësuese. Xhonturqit që kishin qeverisur për më shumë se tre vite, ata ishin edhe drejtuesit e institucioneve përkatëse që merreshin me  organizimin e mbarëvajtjen e procesit zgjedhor për vitin 1912. Kështu, xhonturqit ishin përqendruar me çdo kusht që të fitonin shumicën parlamentare dhe të zgjidheshin përfaqësues shqiptar vetëm ata që të dilnin nga lista e tyre, komiteti “Bashkim e Përparim”. Materialet e shumta që diplomatët italianë dërgonin për Romen zyrtare rezulton se gjendja në territoret shqiptare paraqitej e tensionuar dhe organizimet ballkanike ishin në një fazë të ndërlikuar për shkak të zhvillimeve gjeopolitike. Në dokumente arkivore diplomatike evidentohet se mërgata shqiptare ishte e interesuar për gjithçka ndodhte në vendlindje dhe shprehte gatishmëri për bashkëpunim. Prandaj zgjedhjet politike konsideroheshin të rëndësishme për të ardhmen e vendit. Gjatë muajve të parë të vitit 1912, fushata politike bëhej gjithnjë e më e fortë midis listës xhonturke (pjesë e listës xhonturke ishin edhe kandidatë shqiptarë) dhe kandidatëve për deputet shqiptarë që nuk ishin në listën e Komitetit “Bashkim e Përparim”. Mbështetja e diasporës ishte për disa figura të njohura të elitës politike të kohës, të cilët synonin se një përfaqësim i deputeteve shqiptar në parlament do të ishte një mundësi e mire për t’ju dhenë zgjidhjeje kërkesave të bashkëkombësve në mënyrë institucionale. Shqiptarët rezident në Egjipt me miratimin edhe të atyre që ishin rezident në Nicë shprehnin mbështetje publike për kandidat për deputet për të përfaqësuar bashkëkombësit në zgjedhjet parlamentare të vitit 1912. Në dokumentin që do t’ju paraqesim me poshtë të plotë, kuptohet qartë mbështesnin kandidatet për deputet personalitete të njohura shqiptare, shpjegonin arsyen e mbështetjes për secilin kandidat që propozonin dhe ju drejtonin mbarë popullit shqiptar. Në fund të dokumentit gjenden emrat e të gjithë atyre që kishin propozuar dhe firmosur materialin, dërguar popullit shqiptar për zgjedhjet që do të mbaheshin në pranverë të vitit 1912. 

Dokumenti mban datën 30 mars 1912, “Documentazione Storico Diplomatico-Archivio Ministero degli Affari Esteri, Roma, Affari Politici AMAE në AIH, Fondi: Serie Politica “P” (viti 1912), Pacco 674, Telegram, Nr. 165, img. 8080, 8081, 8082, 8083, 8084”. Dokumenti është dërguar nga diplomati italian, Labia për ministrin e Jashtëm të Italisë, San Giuliano mbi shpalljen elektorale dhe mbështetjen nga shqiptaret e Egjiptit. Diplomati italian i shkruante: “Zoti Ministër, kam nderin t’iu dërgoj këtu bashkangjitur Shkëlqesisë Tuaj, të përkthyer, kopjen e shpalljes elektorale, bërë nga shqiptarët rezident në Egjipt dhe e miratuar nga ata që janë rezident në Nicë, në të cilën paraqiten të gjithë emrat e kandidatëve shqiptarë për zgjedhjet e ardhshme politike në Turqi, si dhe të atyre që kanë krijuar Komitetin e Agjitacionit me qendër në Egjipt”.

Me poshtë do të paraqesim dokumentin e plotë, të përzgjedhur, përkthyer e përgatitur për botim “Dokumente diplomatike italiane për historinë e shqiptareve”.

Dokumenti                                        

“ Vëllezër shqiptarë!

Ne bijtë e Shqipërisë që gjendemi në tokën e Egjiptit, ju lutemi juve, vëllezërve tanë që të lexoni me vëmendje këto që po ju themi këtu: 

Që kur u shpall liria në Perandorinë Osmane, të gjitha kombësitë e tjera kanë parë përmirësime të mëdha ose të vogla nga ana e qeverisë. Ne që kemi derdhur gjakun tonë për këtë liri dhe për atdheun tonë, jo vetëm që nuk kemi pasur asnjë përmirësim por, përkundrazi, mund të thuhet se gjendja jonë është përkeqësuar. Është e tepërt t’iu themi nga, dhe si kanë lindur të këqijat e ndodhura në tokën tonë, të këqija që të paktën i detyrohen faktit se deputetet tonë në parlament nuk kanë qenë të aftë për mandatin e besuar dhe as kompakt e të bashkuar me idenë që të punojnë për të mirën e Shqipërisë.

Kështu, meqenëse erdhi koha e rizgjedhjes së deputetëve të rinj, ju lutemi dhe ju rekomandojmë, në emër të nderit tuaj dhe për të mirën e kombit tonë, të mos mbështesni në asnjë mënyrë personat që do ju paraqiten nga Komiteti Xhonturk i Selanikut edhe nëse këta persona do të jenë të argjendtë apo të artë, pasi siç e dini mirë Komiteti i Selanikut ka qenë shkaku për të cilën Shqipëria është mbytur në gjak dhe Perandoria është rrezikuar.

Ju lutemi dhe ju rekomandojmë sërish, në emër të nderit tuaj shqiptar, të zgjidhni dhe të dërgoni në parlamentin e ri zotërinjtë, emrat e të cilëve po ju paraqesim këtu ngjitur:

Ju guximtarët e njohur të Shkodrës, Lezhës, Tuzit, Mirditës, ju guximtarët e Pukës dhe Kelmendit, ju sokolat malësorë, ju lutemi të dëgjoni zërin tonë dhe të votoni si deputet, Shkëlqesinë e Tij, Xhelal Beun, dhëndër i Sulltanit dhe burrë fisnik, Basri Beun deputet i Dibrës, guximtar dhe orator i zgjuar si dhe një të krishterë që të jetë burrë i zgjuar;

Ju burrat e Durrësit, Tiranës dhe Krujës e ju të rinjtë e Kavajës, ju lutemi të bëni të mundurën për të rizgjedhur deputet Shkëlqesinë e Tij Esat Pashë Toptanin.

Ju shqiptarët e Shkupit, dhe Kyprulisëdhe ju burrat e Kaçanikut dhe të Kumanovës ju lutemi që të votoni për Shkëlqesinë e tij Nexhip Bej Draga dhe për zotin Hoxhë Said Efendi, burrë i ndershëm dhe i drejtë;

Ju burrat e Prishtinës, Mitrovicës, Vuçiternës, Gjilanit, Preshevës dhe të Novi Pazarit ju lutemi të zgjidhni deputet Shkëlqesinë e tij Hasan Bej Prishtina, që i ka dhënë një emër të mirë të gjithë Shqipërisë; Shkëlqesinë e Tij Fuad Pasha, inteligjent dhe serioz si dhe Shkëlqesinë e Tij, ish valiun e Selanikut Ali Danishi Bej; 

Ju shqiptarët e Senicësdhe Kolashinit votoni Hasan Muhedin Efendi, deputet i larguar;

Ju patriotët e Prizrenit dhe ju guximtarët e Kalkandilit, Gostivarit, Lumës dhe të gjithë që jeni në rrethinat e Tetovës ju lutemi të zgjidhni si deputetin tuaj shërbyesin e Zotit, Hoxhë Sherif Efendi, Shkëlqesinë e tij Ali Fevzi Pasha dhe Shkëlqesinë e Tij, Nexhip Bej Draga ish deputet i Shkupit;

Ju shqiptarët e Pejës, Gjakovës, Gucisë dhe Plavës zgjidhni Shkëlqesinë e Tij, Ali Hajdar Beun, ish deputet, zotin Ahmet Hamdi Efendi nga Tergovishte e Mehmet Pashën guximtar nga Kalkandili;

Ju burrat e Manastirit dhe ju shqiptarët e Prilepit, Kushovës, Florinës, Kërçovës, Ohrit dhe Strugës, ju të rinjtë e Deberciazgjidhni Shkëlqesinë e Tij, Tefik Bej Topçi kajmekam.

Ju luanët e dy Dibrave, të Matit dhe të dy Rekave zgjidhni Shkëlqesinë e Tij, Basri Beun ish deputet i juaj, guximtari që nderoi të gjithë Shqipërinë dhe burrin fisnik e të njohur Strazimiri Zade Ismail Haki Effendi.

Ju të Elbasanit që jeni në qendër të Shqipërisë, ju të Peqinit, Shpatit,Gorësdhe Mokrës, ju shqiptarët e Kosturit dhe Bilishtit ju lutemi të na nderoni duke dërguar në parlament bashkë me Shkëlqesinë e tij doktor Haki Beun guximtar i njohur dhe një të krishterë patriot dhe inteligjent;

Ju shqiptarët e Janinës që jeni balli i Shqipërisë, ju të Ajdonatit, të Mecovës, të Konicës dhe Leskovikut ju lutemi të zgjidhni zotin Serri Bejuz ish Merkez, kajmekam i Selanikut;

Ju guximtarët e Gjirokastrës, Tepelenës, Kurveleshit, Delvinës, Libohovës, Voshtimes të dërgoni sërish në parlament Shkëlqesinë e Tij, Myfit Beun, si dhe një të krishterë që të jetë i zgjuar, guximtar dhe patriot shqiptar;

Ju guximtarët e Beratit, Fierit, Vlorës, Kaninës, Dukatit, Tomorricës, Skraparit e ju burrat e Mallakastrës e Muzakës rizgjidhni deputet të ndershmin dhe të zgjuarin Shkëlqesinë e tij Ismail Qemal Beun dhe fisnikun Shkëlqesinë e Tij, Aziz Pashë Vrionin.

Vëllezër shqiptarë!

Duke dërguar në parlamentin e Perandorisë këto zotërinjtë do t’i bënit jo vetëm një nder të madh Shqipërisë dhe kombit tonë por do t’i bënit gjithashtu një të mirë të madhe Perandorisë pasi këta zotërinjtë përveçse janë të zotët dhe të aftë që të punojnë për të mirën e Shqipërisë dhe të popullsisë saj, do të shpëtojnë në të njëjtën kohë Perandorinë nga rreziku në të cilin e kanë futur anëtarët e Komitetit Xhonturk të Selanikut.

Nga toka e Egjiptit – Shkurt 1912 – 

Firmosur nga: D.Adhamidhi Bej nga Frashëri, Avokat Adhamidhi nga Frashëri, J. Armodhi nga Opari, Irak Avgjeri nga Delvina, Gaq. Basuri nga Gjirokastra, Mehmet Cuberi nga Gjirokastra, N. B. Damo nga Opari, Vangjel Djello nga Korça, Dh. Djello nga Korça, Feizi Bej Dishnica nga Korça, Eftem Dine nga Vithkuqi, Spiro Dine nga Vithkuqi, Koço Donato nga Përmeti, Leon Donato nga Përmeti, Nikolla Doka nga Gjirokastra, Ibrahim Terhati nga Kurveleshi, Ramadam Mit’hati nga Kurveleshi, Milto Gode nga Korça, Gj. Germenli nga Korça, A. Germenli nga Korça, Hif Gode nga Korça, Refik Guri nga Gjirokastra, Ismail Haki Efendi nga Manastiri, Osman Hasani nga Korça, Daut Hajredini nga Delvina, Kahreman Ibrahimi nga Delvina, Llambi Qiriako nga Përmeti, Petro Kostandini nga Korça, Llambi Koto nga Korça, S. Kolea nga Berati, Kr. Kamanaqi nga Korça, J. Kalapeci nga Korça, I. Kalapeci nga Korça, S. Kena nga Përmeti, I. Ligari nga Korça, 

D. Ligari nga Korça, V. Liogari nga Korça, Gaq. Leonilla nga Himara, Vas. Maka nga Narta, D. Meria nga Korça, C.E. Mitko nga Korça, D.E. Mitko nga Korça, G.G. Mitko nga Korça, A. Nalcaja nga Korça, L. Naci nga Dardha, Todi Nikola nga Korça, Kr. Nikolla nga Korça, L. Nevosela nga Përmeti, Arq. Opari nga Opari, Mustafa Orhan nga Voskopoja, Th. Papakostantini nga Opari, B. Panaistidhis nga Grapshi, Malio Suleimani nga Picari, Mustafa Beu nga Sh. Premetia, Ath. Taseko nga Korça, V. Thomaidis nga Grapshi, Milto Terzi nga Opari, Veisel Talin nga Ajdonati, Petro Tole nga Përmeti, D. Tolko nga Korça, Petro Tornie nga Korça, Sinan Zeneli nga Kurveleshi, Kr. Xexo (Giegio) nga Korça, Al. Ginvan nga Elbasani, J. Vruho nga Berati, D. Vruho nga Berati”. 

N. B. (Lexojeni ju dhe dërgojani të tjerëve që ta lexojnë)

“Documentazione Storico Diplomatico-Archivio Ministero degli Affari Esteri, Roma, Affari Politici AMAE në AIH, Fondi: Serie Politica “P” (viti 1912), Pacco 674, Telegram, Nr. 165, img. 8080, 8081, 8082, 8083, 8084”. AMAE në AIH, Fondi: Serie Politica “P” (viti 1912), Pacco 674, dokumenti është në pesë faqe me numrin e serisë jpg. 8080. 8081. 8082. 8083. 8084

Filed Under: Opinion Tagged With: Paulin Marku

Paraja ka vlerë

August 28, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Paraja nuk ka vlerë, thonë disa; paraja ka më shumë vlerë kur ajo fitohet. Kur zona të ndryshme të botës filluan të hyjnë në periudhën neolitike pas vitit 10,000 pes, filloi ndarja e punës. Kupbartësi mbretëror ishte një pozicion prestigjioz dhe i besueshëm në shoqëritë paramoderne. Kupëmbajtësi derdhte pijet e mbretit dhe i shijonte ato për helm nëse ishte e nevojshme.

Në këndvështrimin kejnsian të ekonomisë moderne, papunësia e ulët është më e rëndësishme se inflacioni i ulët. Shpenzimet qeveritare inkurajohen për të mbajtur nivele të larta punësimi. Nëse jeni të durueshëm, të shkathët dhe mjaft të qëndrueshëm, mund të dëshironi të provoni të qenit një statujë njerëzore. Siç tregon emri, ju paguheni për të qëndruar si një statujë.

Përpara se të bënte emër në energjinë elektrike, Nikola Tesla punoi si gërmues kanalesh në 1886 për 2 dollarë në ditë.

Puna e fëmijëve ka ekzistuar gjithmonë në një formë, por kur filloi Revolucioni Industrial në vitet 1700, gjërat dolën jashtë kontrollit. Ligjet e para për mbrojtjen e punëtorëve fëmijë u miratuan në Angli në vitet 1800.

Shërbëtorët ishin njerëz të cilëve u kërkohej të punonin pa pagesë për disa vite. Ai status ishte shpesh, por jo gjithmonë, rezultat i borxheve të papaguara.

Bujkrobërit ishin punëtorë në Evropën mesjetare që ishin të lidhur me tokën. Ata nuk mund të bliheshin dhe shiteshin dhe zakonisht kishin më shumë të drejta se skllevërit e shtëpisë.

“Fjetja profesionale” është një tjetër profesion legjitim. Profesionistët e gjumit mund të paguhen për të testuar dyshekët dhe jastëkët, për të marrë pjesë në kërkime mjekësore/shkencore, apo edhe për të qenë pjesë e një ekspozite arti.

Në shoqëritë paramoderne, eunukët shpesh ishin në gjendje të gjenin disa nga punët më të mira në oborret mbretërore. Problemi ishte që ata duhej të tredheshin.

Një person mund të paguhet si “qëndrues në linjë” (për të qëndruar në radhë për bileta, botime të reja telefonike ose artikuj të tjerë).

Vdekja e Zezë e viteve 1347-1353 ishte një faktor kryesor në rënien e robërisë në Evropën Perëndimore dhe rritjen e punës së lirë. Megjithatë, robëria vazhdoi në Rusi deri në vitin 1866. Më pas, në shekullin XX, kjo skllavëri u kamuflua në vendet komuniste. Në regjimin e vjetëruar në Shqipëri puntorët nuk kishin asnjë të drejtë dhe njëkohësisht kontrollonin njëri tjetrin. Të miturit punonin një vit pa pagesë “derisa merrnin profesionin”, që do thoshte kur arrinin moshën e punës. Kjo ishte një taktikē komuniste për t’i treguar botës se respektonin kodin që ndalonte shfrytëzimin e të miturve.

Filozofi i shekullit të nëntëmbëdhjetë, Karl Marksi, besonte se historia botërore mund të përmblidhej si një luftë midis atyre që kanë dhe nuk kanë. Në kohën e Marksit, ishte proletariati kundër borgjezisë.

Nëse keni kaluar kohë në një qytet të madh, atëherë me siguri keni hasur njerëz, kryesisht fëmijë, që do të lajnë xhamin e makinës, ndonjëherë pasi ta pështyjnë. Vajtuese profesionistë janë punësuar për funeralet që nga kohërat e lashta. Është ende në përdorim në disa vende, veçanërisht në Kinë.

Esnafet u formuan në Evropën mesjetare si organizata profesionale të punëtorëve dhe tregtarëve të kualifikuar. Sipas këtij shembulli u krijuan sindikatat moderne të biznesit ashtu edhe sindikatat e punëtorëve.

Japonezët njihen si të sjellshëm, por kur bëhet fjalë për të hipur në metrotë e tyre, ata nuk ngurrojnë të shtyjnë njerëzit përreth. “Shtytësit” profesionistë sigurojnë që trenat të jenë të mbushur.

Nëse nuk ju shqetësojnë gjarpërinjtë, mund të mendoni të jeni një “mjelës i gjarpërinjve”. Mund të jetë paksa e rrezikshme.

Sulltanati i Delhit u formua në vitin 1206 kryesisht nëpërmjet përpjekjeve të një klase të gjeneralëve skllevër turq. Pavarësisht statusit të tyre, këta skllevër kishin punët më të mira në sulltanat.

Nëse mund të kapërceni tabunë dhe aromën, atëherë shikoni të jeni një shijues profesionist i ushqimit për qen.

‘Cuida carros’ janë të zakonshme në shumë qytete në Amerikën Latine. Për disa pesos, ata do të shikojnë makinën tuaj ndërsa ju merrni diçka për të ngrënë. Më besoni, për ta paraja ka vlerë.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Astrit Lulushi

Si u konfiskua një nga bibliotekat më të vjetra dhe më të pasura të Shqipërisë: Biblioteka e Tabakëve në Shkodër

August 28, 2023 by s p

Dr. Hasan Bello/

Në shekullin XVIII-XIX Shkodra ishte një nga qytetet më të zhvilluara të Ballkanit. Përveç aspektit ekonomik dhe politik ajo ishte kthyer në një oaz të dijes dhe arsimit. Kjo u reflektua disa dekada më pas kur elita politike dhe intelektuale e këtij qyteti do të luaj një rol të rëndësishëm për rritjen e ndërgjegjes kombëtare dhe mbrojtjen e atdheut nga agresionet e njëpasnjëshme. Për këtë një rol të rëndësishëm kanë luajtur klerikët dhe institucionet religjoze, të cilat ishin kthyer në vatra të dijes e kulturës.

Për ta ilustruar këtë do të marim si shembull Jusuf efendi Tabakun, i cili duke filluar nga gjysma e dytë e shekullit XIX për disa vite me radhë do të shërbejë si imam dhe në vitin 1863 si myfti i qytetit. Sipas librit të intelektualit shkodran Hamdi Bushati, “Shkodra dhe motet” (vëll I), ku jepen të dhëna më të detajuara për këtë bibliotekë dhe themeluesin e saj, në shtëpinë karakteristike të Jusuf efendi Tabakut ndodhej një dhomë e veçantë, e cila quhej “Oda e qitapeve”. Kjo ishte një nga bibliotekat më të pasura të qytetit, me një fond prej 2000 librash nga fusha të ndryshme të shkencës. Poseduesi i saj kishte hartuar edhe një inventar me 45 fletë mbi përmbajtjen e këtyre librave. Në mesin e tyre ndodhej një vepër e Tahir efendi Gjakovës me titull “Emni Vehbije sherif”, e shkruar shqip me gërma arabe në vitin 1835; dy tabela astronomike të përpiluara nga Hoxha Hasan Tahsini, me firmën e tij, të shtypura në Paris në vitin 1867 etj, etj vepra me vlerë.

Por ajo që ka interes për ne është mënyra sesi institucionet e regjimit komunist iu qasën bibliotekave private dhe në mënyrë specifike Bibliotekës së Tabakëve, e cila konsiderohej si një prej bibliotekave më me vlerë të qytetit të Shkodrës dhe të gjith Shqipërisë. Nga kërkimet arkivore kemi arritur të gjejmë një dokument të nënshkruar nga kryeministri Mehmet Shehu, i cili në vitin 1964 urdhëron Komitetin Ekzekutiv në Shkodër të bënte inventarizimin e kësaj biblioteke. Sipas tij, “Duke qenë se “Biblioteka e Tabakëve” ka një sasi të madhe librash (rreth 2000 volume) të ndryshme, në gjuhë të huaja dhe shqip, të rëndësishme, sidomos për studimin e problemeve të orientalistikës dhe kanë vlerë edhe për historinë e vendit tonë, me qëllim që ato të njifen, të ruhen më mirë dhe të vihen në shërbim të studionjësve,

URDHËROI:

1)Materialet e “Bibliotekës së Tabakëve” në Shkodër të inventarizohen sipas rregullave përkatëse;

2)Kjo punë të kryhet nga një komision i veçantë nga Komiteti Ekzekutiv në Shkodër, me pjesëmarrjen e Bibliotekës Shtetërore Shkodër, e cila duhet ta ketë nën kujdestari;

3)Një kopje e inventarëve t`i dërgohet edhe kësaj Kryeministrije.

Familjes që ka këtë bibliotekë t`i shpjegohet nga kryesija e Komitetit Ekzekutiv të Rrethit Shkodër rëndësia dhe domosdoshmëria e këtij inventarizimi, duke i falenderuar me këtë rast për kujdesin që kanë patur në krijimin dhe ruajtjen e kësaj biblioteke.

Kryetari i Këshillit të Ministrave

të Republikës Popullore të Shqipërisë

Mehmet Shehu”

Për inventarizimin e librave dhe dorëshkrimeve që gjendeshin në Bibliotekën e Tabakëve nuk mjaftonte vetëm “kontributi” i nënpunësve lokalë. Kjo për shkak të specialistëve të gjuhëve orientale që nevojiteshin për verifikimin e librave. Për këtë u angazhua Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit. Në një relacion të shefit të Degës së Organizim-Inspektimit të kësaj drejtorie për Kryeministrinë dhe Komitetin Qendror të PPSh-së, i cili mban datën 30 qershor 1964 thuhet se, nga studimi që u ishte bërë në terren këtyre materialeve ishte konstatuar se ato përbëheshin nga tituj të shumtë. Kjo bibliotekë ishte pronë e Hasan Tabakut (fetar), trashëguar nga gjyshi i tij Jusuf efendi Tabaku (myftiu i njohur i Tabakëve), i cili siç thuhej, e kishte krijuar këtë bibliotekë 100 vjet më parë. Ajo kishte rreth 2000 volume, por nga informacioni i mbledhur rezultonte se kishte pasur më shumë. Librat i përkisnin gjinive të ndryshme, si: teologjisë, historisë, letërsisë, filozofisë, jurisprudencës etj. Dominonte gjuha arabe, perse dhe turke. Në mesin e tyre ndodhej dorëshkrimi i Tahir efendi Gjakohës i shkruar në shqip me gërma arabe në vitin 1835 dhe dy tabela astronomike të Hoxha Hasan Tahsinit të botuara nga Universiteti i Sorbonës në vitin 1867.

Nga informacionet e paverifikuara në këtë bibliotekë kishte edhe dorëshkrime të tjera në shqip, të cilat ishin marë dhe vazhdonin të mereshin nga persona të ndryshëm për t`i shfrytëzuar për interesat e tyre. Ndërsa në faqet e librave (margjinat e tyre), kishte shënime të ndryshme për ngjarje dhe personalitete politike në Shkodër.

Kjo bibliotekë kishte qenë në fokus jo vetëm të intelektualëve vendas, por para vitit 1944 ajo ishte vizituar dhe frekuentuar edhe nga studiues të huaj. Ajo kishte një vlerë të jashtzakonshme për orientalistët dhe specialistët e këtyre fushave. Duke u nisur nga këto konsiderata, shefi i Degës së Organizim-Inspektimit në AQSh kërkoi nga Kryeministria dhe KQ i PPSh që “Biblioteka e Tabakëve” të merrej nën “kontrollin e shtetit”.

Sipas mendimit tonë, ajo që përbën kulturocid, nuk është kujdesi dhe kontrolli i institucioneve shtetërore të regjimit komunist mbi bibliotekat private. Por prishja e këtyre bibliotekave, bashkimi dhe magazinimi i tyre me librat e bibliotekave të tjera.

May be an image of text that says "I"

See Insights and Ads

Create Ad

Like

Comment

Share

Filed Under: Histori Tagged With: Dr. Hasan Bello

NDRYSHIMI SI LIGJ I PROGRESIT

August 28, 2023 by s p

Artan Nati/

Ngjarjet e ditëve të fundit të acarimit të marrëdhënieve midis Greqisë dhe Shqipërisë, për çështjen Beleri, por jo vetëm kjo, por edhe acarimi i marrëdhënieve midis kryeministrit shqiptar edhe atij kosovar si edhe qëndrimet antagoniste qeveri opozitë, deri në marrrëzi në shumë raste, tregojnë edhe njëherë tjetër qartë se në rajonin tonë, ashtu si edhe në Shqipërinë tonë, por edhe në familjet tona si edhe në nënvetëdijen tonë, egziston një dualitet i papajtueshëm midis të mirës dhe të keqes, midis miqve dhe armiqëve, midis djallit dhe engjëllit. Kjo mund të shpjegohet me faktin se ndërsa Rilindja Europiane, Iluminizmi  dhe revolucioni borgjez si dhe ai industrial, në pjesën më të madhe të Europës patën një ndikim të rëndësishëm në formimin kulturor, intelektual dhe politik të shumë vendeve të Europës Perëndimore, jo të gjitha pjesët e botës ndoqën të njëjtën trajektore. Vendet e rajonit tonë dhe i gjithë ballkani qëdruan nën pushtimin otoman për shekuj të tërë dhe Shqipëria ishte vendi i fundit që fitoi pavarësinë në rajon. Kjo bëri të mundur që kulturalisht ne të ishim më afër kulturës së lindjes së mesme se sa kulturës së Europës perëndimore. Ndërkohë që Europa perëndimore kishte hyrë drejt një transformimi të madh që prej shekullit të 15-të me fillimin e rilindjes europiane dhe më në fund ishte filozofi gjerman Niçe që sfidoi nocionet konvencionale të së mirës dhe së keqes. Ai propozoi idenë e një perspektive “përtej së mirës dhe së keqes”, duke sugjeruar se këto kategori morale ishin konstruksione që ishin imponuar nga autoritetet fetare dhe shoqërore. Ai besonte se individët duhet të përpiqen të lëvizin përtej këtyre dallimeve konvencionale dhe të përqafojnë një kuptim më të qartë dhe kompleks të veprimeve dhe motivimeve njerëzore. Ai sot gjykohet si një mendimtar çlirues që inkurajon individët të mendojnë në mënyrë kritike, të sfidojnë normat shoqërore dhe të krijojnë të ardhmen e tyre. Siç e thotë filozofi amerikan Allan Bloom se çështja nuk  është se ne nuk duhet të korrigjojmë gabimet tona që të kemi të drejtë për çështje të ndryshme,por duhet të mendojmë që nuk kemi aspak të drejtë. Në Shqipëri sundon mendimi se Shqipëria ndodhet në këtë situatë sepse është e rrethuar nga vende armiq që nuk na duan të mirën dhe kanë synime shoviniste ndaj vendit tonë. Gjithashtu mendohet se klasa politike në vend  është djallëzore dhe se po të largohet ajo vendi do të rregullohet, ndërkohë mendohet se partitë kundështare janë e keqja e vendit apo komshiu,kushëriri apo ish shoku janë djallëzor dhe se ata janë shkaku i gjendjes së tyre. Kjo situatë shtrihet edhe në familje kur prindërit ankohen se fëmijët nuk i dëgjojnë apo fëmijët ankohen se prindërit nuk i kuptojnë. Studimi i historisë dhe i kulturës na mëson se e gjithë bota ishte e çmendur në të kaluarën; njerezit gjithmonë mendonin se kishin të drejtë, dhe kjo çoi në luftëra, persekutime, skllavëri, ksenofobinë, racizëm dhe shovinizëm. Ne shqiptarët e përjetuam më keq nga të gjitha kombet e Europës dhe rajonit tonë. Në vendin tonë një pjesë e madhe e popullsisë besonin verbërisht te ideologjia komuniste dhe besonin se pas eleminimit të grupeve armiqëore apo të burgosjes dhe persekutimit të individëve që mendonin ndryshe,komunizmi do të triumfonte. Në fakt ndodhi krejt ndryshe dhe ishte pikërisht ky fakt që përshpejtoi fundin e komunizmit. Ne jemi të destinuar të jetojmë me vendet e tjera që na rrethojnë,gjithashtu ne jemi  të destinuar të jetojmë me njeri tjetrin dhe e vetmja alternativë që na mbetet është të transformojmë veten tonë,qëndrimet tona dhe të kuptojmë e përqafojmë kulturën europiane të kooperimit. Ashtu siç George Bernard Shaw thotë: “Përparimi është i pamundur pa ndryshim, dhe ata që nuk mund të ndryshojnë mendjen e tyre nuk mund të ndryshojnë asgjë”. Aftësia për t’u përshtatur, për të rishqyrtuar besimet tona dhe për të qenë të hapur ndaj ideve të reja është thelbësore për nxitjen dhe zhvillimin e vendit tonë si dhe të marrëdhënieve me njeri tjetrin dhe me vendet që na rrethojnë. Shembulli i Gjermanisë pas luftës së dytë botërore, kur presidenti Willy Brandt kërkoi falje publike për tmerret e luftës dhe u përul në gjunjë duke kërkuar falje të sinqertë për popullin e tij,duhet të ndiqet nga persekutorët Serb të popullit kosovar ose nga presidentët tanë kundrejt viktimave të komunizmit.Gjermania  më tej,pranoi të bashkëpunoj me kushte inferiore,me vendet e tjera europiane duke e shndërruar Gjermaninë nga një vend të shkatërruar e të urryer në një lider të ekonomisë europiane dhe pararojë të demokracisë në Europë dhe arriti më në fund të vendoste drejtësinë në vend duke u bashkuar me Gjermaninë lindore. Mendoj se edhe Shqipëria duhet të udhëhiqet nga ky shembull,të bëhet e hapur duke u larguar pëtej të mirës dhe të keqes,duke adoptuar ligjin e bashkënimit si ligj të civilizimit si dhe të pranojmë se pa ndryshuar neve vetë nuk mund të ndryshojmë dot asgjë. Ndryshimet gjeopolitike në rajon kërkojnë si domosdoshmëri ndryshimet e mendësisë si ligji i vetëm i progresit dhe kooperimi si i vetmi ligji i civilizimit. Shkëputja e rajonit nga kultura bizantino otomane nën ndikimin e sllavo-ortodoksisë ruse është domosdoshmëri për integrimin europian. Vendi që do të përshtatet më shpejt me realitetin e ri do të përfitojë më shumë,ashtu si Gjermania u bë lider në Europë dhe bashkoi territoret e saj edhe Shqiptarët kudo që janë duhet të vënë në dyshim mënyrën si mendojnë dhe të ecin në shembullin e Gjermanisë.

Filed Under: Mergata Tagged With: artan nati

Presidentja Osmani: Familja euroatlantike është familja jonë

August 28, 2023 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani po merr pjesë në edicionin e sivjetëm të Forumit Evropian Alpbach 2023.

Në vijim gjeni të plotë postimin e Presidentes Osmani:

Një Evropë e guximshme!
Kjo ështe tema e sivjetme e Forumit Evropian Alpbach, ku kisha nderin të diskutoj në panelin kryesor, së bashku më përfaqësues të shteteve të tjera.
Zgjerimi i Bashkimit Evropian me shtetet demokratike të Ballkanit Perëndimor, mbrojtja e parimeve dhe vlerave të të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë, si dhe unifikimi në luftimin e autokracive e tiranive, janë tiparet që e bëjnë një Evropë të guximshme.
Pavarësisht se është rrugë e gjatë dhe e mundimshme, integrimi evropian është e vetmja rrugë për Kosovën.
Familja euroatlantike është familja jonë!

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • …
  • 56
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT