Dr.Paulin Marku
Në arkivin historik-diplomatik të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë, gjenden materiale të shumta arkivore të rëndësishme që hedhin dritë për historinë e popullit shqiptar dhe rreth ngjarjeve në trojet shqiptare. Diplomacia italiane i ndiqte me interes zhvillimet në Ballkan. Rendësi të veçantë i kushtonin edhe ngjarjeve të shqiptarëve dhe këtë e dëshmojnë letër këmbimet e diplomatëve ku gjenden informacione të bollshme për situatën e brendshme politike, ekonomike, shoqërore e kulturore.
Hulumtimi i materialeve arkivore italiane, dëshmon se trajtimi i çështjes shqiptare dhe faktori shqiptar, brenda dhe jashtë trojeve, ishte pjesë e rëndësishme e kancelarive diplomatike dhe informonin Romën zyrtare për zhvillimet në rajon.
Po aq të rëndësishme në këto dokumente janë edhe marrëdhëniet e shqiptarëve me bashkëkombësit në emigracion dhe bashkëpunimi i krerëve shqiptar për interesa të çështjes kombëtare shqiptare. Populli shqiptar shquhet si ndër popujt më të vjetër të Evropës dhe nga ana tjetër si populli që ka emigruar ndër shekuj për shkak të ngjarjeve historike dhe rrethanave të kohës, por kurrë nuk i kanë humbur lidhjet dhe interesin për vendlindje. Arsyet e emigrimit të shqiptarëve ndër shekuj janë të ndryshme, ku mund të rendisim disa prej tyre, si për arsye të pushtimit të vendit, për arsye politike, mos bindje ndaj regjimi, arsye ekonomike, si dhe për shkollim e mirëqenie sociale për një jetë më të mirë, etj… Shqiptarët e mërgatës kanë dëshmuar vazhdimisht se kanë lidhje të forta me atdheun dhe se, janë të gatshëm të kontribuojnë nga cilido vend ku jetojnë e punojnë për të ruajtur vlerat kombëtare, zhvillimin e arsimit, kulturës dhe të traditës e shumë kontribute atdhetare si në rast fatkeqësie natyrore etj… Po ashtu, me interes parësor janë ndjekur zhvillimet politike, ekonomike e shoqërore. Këto veçori pozitive dëshmohen mëse miri nëse bëjmë kërkime nëpër dokumente, gazeta, revista, ditar e burime të ndryshme të kohës. Shqiptarët janë popull shumë i lidhur me vendlindjen dhe mjaft i interesuar për situatën në përgjithësi, përfshirë zhvillimet politike. Është për t’u vlerësuar se shqiptarët në diasporë, gjithmonë janë gjendur të gatshëm për të mbrojtur çështjen kombëtare shqiptare dhe nuk hezitonin të organizojnë takime me përfaqësues të lartë shtetëror, mitingje e protesta duke luajtur rolin e ambasadorit të kombit në emigracion gjatë dekadave të ndryshme.
Zgjedhjet parlamentare në trojet shqiptare janë ndjekur gjithmonë me interes nga shqiptarët në emigracion, të cilët shprehnin mbështetjen e tyre me letra e telegrame të shumta për përfaqësuesit politik. Ata kishin përzgjedhur një liste me emrat e kandidatëve për deputet, si njerëzit që duhet të përfaqësonin popullin shqiptar në parlament, bashkangjitur me listën shumë emërore ishte shkruar edhe motivacioni i mbështetjes ndaj kandidatit të preferuar. Nëpërmjet një letre dashamirëse, iu kërkonin bashkëkombësve që kishin mundësi dhe të drejte vote që t’i jepnin votëbesimin e tyre vetëm atyre kandidatëve që ishin në listë. Letra e hartuar nga shqiptaret e diasporës së Egjiptit ishte firmosur prej secilit prej tyre në fund të telegramit. Edhe pse gjendeshin larg në mërgim, ata përpiqeshin të shprehnin opinionin e tyre politik dhe ishin optimist se kërkesa e hartuar prej tyre do të mbështetej nga votuesit shqiptar për në parlamentin e Stambollit.
Diaspora pretendonte se duke patur një listë të përbashkët me kandidat shqiptar për deputet, të cilët përfaqësonin krahina të ndryshme, zëri i tyre do të ishte një zë i fortë në mbrojtje të bashkëkombësve për interesa kombëtare shqiptare. Ata kishin përzgjedhur në listë për deputet emra të njohur të elitës politike shqiptare për zgjedhjet e vitit 1912 për në parlamentin e Stambollit dhe i konsideronin këto zgjedhje vendimtare për të ardhmen e Shqipërisë. Në dokumentet diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë evidentohet se situata në fillim të vitit 1912 ishte mjaft shqetësuese. Xhonturqit që kishin qeverisur për më shumë se tre vite, ata ishin edhe drejtuesit e institucioneve përkatëse që merreshin me organizimin e mbarëvajtjen e procesit zgjedhor për vitin 1912. Kështu, xhonturqit ishin përqendruar me çdo kusht që të fitonin shumicën parlamentare dhe të zgjidheshin përfaqësues shqiptar vetëm ata që të dilnin nga lista e tyre, komiteti “Bashkim e Përparim”. Materialet e shumta që diplomatët italianë dërgonin për Romen zyrtare rezulton se gjendja në territoret shqiptare paraqitej e tensionuar dhe organizimet ballkanike ishin në një fazë të ndërlikuar për shkak të zhvillimeve gjeopolitike. Në dokumente arkivore diplomatike evidentohet se mërgata shqiptare ishte e interesuar për gjithçka ndodhte në vendlindje dhe shprehte gatishmëri për bashkëpunim. Prandaj zgjedhjet politike konsideroheshin të rëndësishme për të ardhmen e vendit. Gjatë muajve të parë të vitit 1912, fushata politike bëhej gjithnjë e më e fortë midis listës xhonturke (pjesë e listës xhonturke ishin edhe kandidatë shqiptarë) dhe kandidatëve për deputet shqiptarë që nuk ishin në listën e Komitetit “Bashkim e Përparim”. Mbështetja e diasporës ishte për disa figura të njohura të elitës politike të kohës, të cilët synonin se një përfaqësim i deputeteve shqiptar në parlament do të ishte një mundësi e mire për t’ju dhenë zgjidhjeje kërkesave të bashkëkombësve në mënyrë institucionale. Shqiptarët rezident në Egjipt me miratimin edhe të atyre që ishin rezident në Nicë shprehnin mbështetje publike për kandidat për deputet për të përfaqësuar bashkëkombësit në zgjedhjet parlamentare të vitit 1912. Në dokumentin që do t’ju paraqesim me poshtë të plotë, kuptohet qartë mbështesnin kandidatet për deputet personalitete të njohura shqiptare, shpjegonin arsyen e mbështetjes për secilin kandidat që propozonin dhe ju drejtonin mbarë popullit shqiptar. Në fund të dokumentit gjenden emrat e të gjithë atyre që kishin propozuar dhe firmosur materialin, dërguar popullit shqiptar për zgjedhjet që do të mbaheshin në pranverë të vitit 1912.
Dokumenti mban datën 30 mars 1912, “Documentazione Storico Diplomatico-Archivio Ministero degli Affari Esteri, Roma, Affari Politici AMAE në AIH, Fondi: Serie Politica “P” (viti 1912), Pacco 674, Telegram, Nr. 165, img. 8080, 8081, 8082, 8083, 8084”. Dokumenti është dërguar nga diplomati italian, Labia për ministrin e Jashtëm të Italisë, San Giuliano mbi shpalljen elektorale dhe mbështetjen nga shqiptaret e Egjiptit. Diplomati italian i shkruante: “Zoti Ministër, kam nderin t’iu dërgoj këtu bashkangjitur Shkëlqesisë Tuaj, të përkthyer, kopjen e shpalljes elektorale, bërë nga shqiptarët rezident në Egjipt dhe e miratuar nga ata që janë rezident në Nicë, në të cilën paraqiten të gjithë emrat e kandidatëve shqiptarë për zgjedhjet e ardhshme politike në Turqi, si dhe të atyre që kanë krijuar Komitetin e Agjitacionit me qendër në Egjipt”.
Me poshtë do të paraqesim dokumentin e plotë, të përzgjedhur, përkthyer e përgatitur për botim “Dokumente diplomatike italiane për historinë e shqiptareve”.
Dokumenti
“ Vëllezër shqiptarë!
Ne bijtë e Shqipërisë që gjendemi në tokën e Egjiptit, ju lutemi juve, vëllezërve tanë që të lexoni me vëmendje këto që po ju themi këtu:
Që kur u shpall liria në Perandorinë Osmane, të gjitha kombësitë e tjera kanë parë përmirësime të mëdha ose të vogla nga ana e qeverisë. Ne që kemi derdhur gjakun tonë për këtë liri dhe për atdheun tonë, jo vetëm që nuk kemi pasur asnjë përmirësim por, përkundrazi, mund të thuhet se gjendja jonë është përkeqësuar. Është e tepërt t’iu themi nga, dhe si kanë lindur të këqijat e ndodhura në tokën tonë, të këqija që të paktën i detyrohen faktit se deputetet tonë në parlament nuk kanë qenë të aftë për mandatin e besuar dhe as kompakt e të bashkuar me idenë që të punojnë për të mirën e Shqipërisë.
Kështu, meqenëse erdhi koha e rizgjedhjes së deputetëve të rinj, ju lutemi dhe ju rekomandojmë, në emër të nderit tuaj dhe për të mirën e kombit tonë, të mos mbështesni në asnjë mënyrë personat që do ju paraqiten nga Komiteti Xhonturk i Selanikut edhe nëse këta persona do të jenë të argjendtë apo të artë, pasi siç e dini mirë Komiteti i Selanikut ka qenë shkaku për të cilën Shqipëria është mbytur në gjak dhe Perandoria është rrezikuar.
Ju lutemi dhe ju rekomandojmë sërish, në emër të nderit tuaj shqiptar, të zgjidhni dhe të dërgoni në parlamentin e ri zotërinjtë, emrat e të cilëve po ju paraqesim këtu ngjitur:
Ju guximtarët e njohur të Shkodrës, Lezhës, Tuzit, Mirditës, ju guximtarët e Pukës dhe Kelmendit, ju sokolat malësorë, ju lutemi të dëgjoni zërin tonë dhe të votoni si deputet, Shkëlqesinë e Tij, Xhelal Beun, dhëndër i Sulltanit dhe burrë fisnik, Basri Beun deputet i Dibrës, guximtar dhe orator i zgjuar si dhe një të krishterë që të jetë burrë i zgjuar;
Ju burrat e Durrësit, Tiranës dhe Krujës e ju të rinjtë e Kavajës, ju lutemi të bëni të mundurën për të rizgjedhur deputet Shkëlqesinë e Tij Esat Pashë Toptanin.
Ju shqiptarët e Shkupit, dhe Kyprulisëdhe ju burrat e Kaçanikut dhe të Kumanovës ju lutemi që të votoni për Shkëlqesinë e tij Nexhip Bej Draga dhe për zotin Hoxhë Said Efendi, burrë i ndershëm dhe i drejtë;
Ju burrat e Prishtinës, Mitrovicës, Vuçiternës, Gjilanit, Preshevës dhe të Novi Pazarit ju lutemi të zgjidhni deputet Shkëlqesinë e tij Hasan Bej Prishtina, që i ka dhënë një emër të mirë të gjithë Shqipërisë; Shkëlqesinë e Tij Fuad Pasha, inteligjent dhe serioz si dhe Shkëlqesinë e Tij, ish valiun e Selanikut Ali Danishi Bej;
Ju shqiptarët e Senicësdhe Kolashinit votoni Hasan Muhedin Efendi, deputet i larguar;
Ju patriotët e Prizrenit dhe ju guximtarët e Kalkandilit, Gostivarit, Lumës dhe të gjithë që jeni në rrethinat e Tetovës ju lutemi të zgjidhni si deputetin tuaj shërbyesin e Zotit, Hoxhë Sherif Efendi, Shkëlqesinë e tij Ali Fevzi Pasha dhe Shkëlqesinë e Tij, Nexhip Bej Draga ish deputet i Shkupit;
Ju shqiptarët e Pejës, Gjakovës, Gucisë dhe Plavës zgjidhni Shkëlqesinë e Tij, Ali Hajdar Beun, ish deputet, zotin Ahmet Hamdi Efendi nga Tergovishte e Mehmet Pashën guximtar nga Kalkandili;
Ju burrat e Manastirit dhe ju shqiptarët e Prilepit, Kushovës, Florinës, Kërçovës, Ohrit dhe Strugës, ju të rinjtë e Deberciazgjidhni Shkëlqesinë e Tij, Tefik Bej Topçi kajmekam.
Ju luanët e dy Dibrave, të Matit dhe të dy Rekave zgjidhni Shkëlqesinë e Tij, Basri Beun ish deputet i juaj, guximtari që nderoi të gjithë Shqipërinë dhe burrin fisnik e të njohur Strazimiri Zade Ismail Haki Effendi.
Ju të Elbasanit që jeni në qendër të Shqipërisë, ju të Peqinit, Shpatit,Gorësdhe Mokrës, ju shqiptarët e Kosturit dhe Bilishtit ju lutemi të na nderoni duke dërguar në parlament bashkë me Shkëlqesinë e tij doktor Haki Beun guximtar i njohur dhe një të krishterë patriot dhe inteligjent;
Ju shqiptarët e Janinës që jeni balli i Shqipërisë, ju të Ajdonatit, të Mecovës, të Konicës dhe Leskovikut ju lutemi të zgjidhni zotin Serri Bejuz ish Merkez, kajmekam i Selanikut;
Ju guximtarët e Gjirokastrës, Tepelenës, Kurveleshit, Delvinës, Libohovës, Voshtimes të dërgoni sërish në parlament Shkëlqesinë e Tij, Myfit Beun, si dhe një të krishterë që të jetë i zgjuar, guximtar dhe patriot shqiptar;
Ju guximtarët e Beratit, Fierit, Vlorës, Kaninës, Dukatit, Tomorricës, Skraparit e ju burrat e Mallakastrës e Muzakës rizgjidhni deputet të ndershmin dhe të zgjuarin Shkëlqesinë e tij Ismail Qemal Beun dhe fisnikun Shkëlqesinë e Tij, Aziz Pashë Vrionin.
Vëllezër shqiptarë!
Duke dërguar në parlamentin e Perandorisë këto zotërinjtë do t’i bënit jo vetëm një nder të madh Shqipërisë dhe kombit tonë por do t’i bënit gjithashtu një të mirë të madhe Perandorisë pasi këta zotërinjtë përveçse janë të zotët dhe të aftë që të punojnë për të mirën e Shqipërisë dhe të popullsisë saj, do të shpëtojnë në të njëjtën kohë Perandorinë nga rreziku në të cilin e kanë futur anëtarët e Komitetit Xhonturk të Selanikut.
Nga toka e Egjiptit – Shkurt 1912 –
Firmosur nga: D.Adhamidhi Bej nga Frashëri, Avokat Adhamidhi nga Frashëri, J. Armodhi nga Opari, Irak Avgjeri nga Delvina, Gaq. Basuri nga Gjirokastra, Mehmet Cuberi nga Gjirokastra, N. B. Damo nga Opari, Vangjel Djello nga Korça, Dh. Djello nga Korça, Feizi Bej Dishnica nga Korça, Eftem Dine nga Vithkuqi, Spiro Dine nga Vithkuqi, Koço Donato nga Përmeti, Leon Donato nga Përmeti, Nikolla Doka nga Gjirokastra, Ibrahim Terhati nga Kurveleshi, Ramadam Mit’hati nga Kurveleshi, Milto Gode nga Korça, Gj. Germenli nga Korça, A. Germenli nga Korça, Hif Gode nga Korça, Refik Guri nga Gjirokastra, Ismail Haki Efendi nga Manastiri, Osman Hasani nga Korça, Daut Hajredini nga Delvina, Kahreman Ibrahimi nga Delvina, Llambi Qiriako nga Përmeti, Petro Kostandini nga Korça, Llambi Koto nga Korça, S. Kolea nga Berati, Kr. Kamanaqi nga Korça, J. Kalapeci nga Korça, I. Kalapeci nga Korça, S. Kena nga Përmeti, I. Ligari nga Korça,
D. Ligari nga Korça, V. Liogari nga Korça, Gaq. Leonilla nga Himara, Vas. Maka nga Narta, D. Meria nga Korça, C.E. Mitko nga Korça, D.E. Mitko nga Korça, G.G. Mitko nga Korça, A. Nalcaja nga Korça, L. Naci nga Dardha, Todi Nikola nga Korça, Kr. Nikolla nga Korça, L. Nevosela nga Përmeti, Arq. Opari nga Opari, Mustafa Orhan nga Voskopoja, Th. Papakostantini nga Opari, B. Panaistidhis nga Grapshi, Malio Suleimani nga Picari, Mustafa Beu nga Sh. Premetia, Ath. Taseko nga Korça, V. Thomaidis nga Grapshi, Milto Terzi nga Opari, Veisel Talin nga Ajdonati, Petro Tole nga Përmeti, D. Tolko nga Korça, Petro Tornie nga Korça, Sinan Zeneli nga Kurveleshi, Kr. Xexo (Giegio) nga Korça, Al. Ginvan nga Elbasani, J. Vruho nga Berati, D. Vruho nga Berati”.
N. B. (Lexojeni ju dhe dërgojani të tjerëve që ta lexojnë)
“Documentazione Storico Diplomatico-Archivio Ministero degli Affari Esteri, Roma, Affari Politici AMAE në AIH, Fondi: Serie Politica “P” (viti 1912), Pacco 674, Telegram, Nr. 165, img. 8080, 8081, 8082, 8083, 8084”. AMAE në AIH, Fondi: Serie Politica “P” (viti 1912), Pacco 674, dokumenti është në pesë faqe me numrin e serisë jpg. 8080. 8081. 8082. 8083. 8084