• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2023

KLARA  KODRA,  STUDIUESE  E  LETËRSISË  ARBËRESHE

September 26, 2023 by s p

HASAN  GREMI/

https://scontent-vie1-1.xx.fbcdn.net/v/t1.0-1/p160x160/16729552_634201030104917_7096473973825541213_n.jpg?oh=cfc36a674c7d103548268e2fac7cba3d&oe=5A75D64D

Letërsisa e arbëreshëve të Italisë është një dukuri unike në llojin e vet, dëshmi e luftës pesëshekullore të një pakice të emigruar, të ruajë identitetin e vet, gjuhën dhe zakonet.             Sot kjo letërsi paraqet interes të veçantë për disa arsye, për vlerat e saj potenciale europiane që nuk ia njohën kurrë, për patriotizmin e vet në një kohë si e sotmja kur koncepti i atdheut dhe identitetit kombëtar rrezikohet ndjeshëm nga synimet kozmopolite të ekzagjeruara të shqiptarëve bashkëkohës, për rrezikun e arbërishtes si dialekt i veçantë arkaik i shqipes me ngjyrën e vet origjinale mesjetare paraosmane që është ngritur nga autorët arbëreshë në rangun e një gjuhe letrare të pasur me vlera artistike (ky rrezik i fundit vjen nga trysnia asimiluese e ilirishtes dhe mungesa e shkollave në arbërisht).                                                                                                     Klara Kodra që në fillimet e veta si studiuese i është kushtuar studimit të kësaj letërsie me origjinalitet të pakrahasueshëm.                                                                                                            Ajo i përket brezit të studiuesve të pasluftës. Është bijë e një studiueseje të viteve ‘30-‘40, Jolanda Kodrës. Po ndërsa e ëma merrte guximin për të çarë terrin e një letërsie të virgjër si letërsia shqiptare, po gëzonte të drejtën e padiskutueshme të zgjedhjes së metodës që do të udhëhiqte studimet e veta, e bija ndante me bashkëkohësit e vet kufizimet e metodës sociologjike të vetëquajtur marksiste që nuk ishte zgjedhur lirisht, po imponuar nga lart. Si mjaft bashkëkohës të talentuar, Klara u orvat të fuste fshehurazi nën mbrojtjen e metodës zyrtare disa elementë metodash të ndaluara  si metoda intuitiviste dhe analiza tekstuale. Ajo e bën këtë me intuitën e poetes (është edhe poeteshë) dhe nën ndikimin e disa studiuesve italianë dhe francezë që studionte feshehurazi. Këto veçori i dalluan studimet e hershme të saj për letërsinë arbëreshe si studimet dhe artikujt  “Zef Serembeja dhe folklori“, “Figura e Skënderbeut në krijimtarinë e De Radës, “Figura e Skënderbeut në letërsinë arbëreshe“, etj, dhe e penguan të binte në sociologjizmin vulgar.                                                                                                                         Tipare të tilla karakterizuan edhe monografinë e saj të parë “Vepra poetike e Zef Serembes“ (1975) që është edhe e para monografi për autorin e talentuar dhe shume të diskutuar arbëresh, studiuesja përpiqet të evidencojë në këtë monografi aspekte të pazbuluara të krijimtarisë së Serembes si ndikimin e tij nga poezia popullore arbëreshe ( lirika, jo epikolirika) siç ndodh me De Radën dhe Darën), stilin e tij tepër të veçantë, lidhjet me letërsinë italiane dhe europiane. Gjithashtu studiuesja përpiqet ta mbrojë Seremben nga akuzat që i bëjnë disa studiues të tjerë për misticizëm të tepruar ose paqartësi .Gjithashtu  ajo nuk pranon ekzagjerimet e skajshme të disa historianëve të letërsisë për ta paraqitur poetin si revolucionar.                                                      Klara kodra synon ta afirmojë vlerën estetike të poezisë së Serembes në një kohë kur studiuesit e nënvleftësonin formën në dritën e formulës sociologjike për brendinë si primare. Kjo është një meritë e padyshimtë e saj.                                                                                                                             Vëmendja e saj ndaj formës vazhdon në momografinë e saj të dytë “Poezia e De Radës“. Në këtë monografi studiuesja rizbulon disa vepra të lëna mënjanë të autorit të Heqit si “Rrëfimet e Arbërit“,  “ Gjon Huniadi“, përpiqet të japë mendimin e vet për , “Këngët e Milosaos“ duke zgjidhur dilemën e prioritetit të patriotizmit apo temës së dashurisë, të parë në planin social dhe psikologjik ( i sheh këto tema si paralele). Të dyja këto monografi dallohen për stilin e rrjedhshëm dhe elegant dhe guximin polemik.                                                                            Monografitë në fjalë mund të shihen si dy kulmet e periudhës së parë të krijimtarisë së Klara Kodrës. (para viteve ’90).                                                                                                         Periudha që nis nga vitet ’90 e mbrrin në kohën e sotme dallohet nga një hop krijues me të cilin studiuesja thellon veçoritë më të mira të veprës së vet, duke fituar madje tipare të reja në gërmimin në forma.                                                                                                                           Në këtë periudhë Klara Kodra kalon nga studimi i autorëve të veçantë të letërsisë arbëreshe në trajtimin e problemeve të përgjithshme që lidhen me problemet e tipologjisë zhanrave të kësaj letërsie dhe lëvron për herë të parë “Tipologjinë e poemës arbëreshe“ (2001) dhe  “Dramaturgjia e arbëreshëve të Italisë“ (2004). Klara kodra evidencon në këtë monografi origjinalitetin zhanror të letërsisë arbëreshe.                                                                                                                                Në dy monografitë e fundit, ajo që i kushtohet Varibobës (2011) dhe ajo që i kushtohet F. A. Santorit (2020) studiuesja, megjithëse disi e moshuar, nuk bie në përsëritje të vetvetes, po arrin të rizbulojë dy nga autorët më të spikatur të letërsisë arbëreshe, të davaritë mjergullën e keqleximeve, denigrimeve dhe të afirmojë autorin e parë (Varibobën) si poet të mirëfilltë dhe origjinal, të nxjerrë të dytin nga limbi i shkrimtarëve minorë dhe ta nxjerrë në dritë si yll të vogël, po me dritën e vet, nismëtar të disa gjinive dhe llojeve të letëraiaë arbëreshe dhe shqiptare si dramaturgjia, romani, fabula, satira, autor që zhvillon kalimin nga romantizmi në realizëm, nga problematika patriotike në problematikën sociale, shkrimtar psikolog dhe humanist, një nga fabulistët më të veçantë të letërsisë arbëreshe dhe shqiptare, dramaturg të mprehtë, romancier që ia kalon di9sa sivëllezërve italianë dhe sivëllezërve të atdheut të origjinës.                                                                                                    Të dyja këto monografi i karakterizon pasioni për shkrimtarin e analizuar, po ky pasion nuk e çon studiuesen në idealizëm të autorëve që trajton.                                                                                 Ajo i paraqet brenda mundësive të veta, për objektivitet, duke e vlerësuar ndihmesën e studiuesve të tjerë, po edhe duke polemizuar me ta në përpjekje për të arritur të vërtetën shkencore. Edhe në këtë monografi Klara Kodra vazhdon të jetë një stiliste e mirë dhe analizuese e kujdesshme e formës. Natyrisht ajo nuk arrin të zgjidhë të gjitha problemet e krijimtarisë së autorëve të analizuar dhe disa nga zgjidhjet që jep, ndonëse origjinale janë të diskutueshme. Po kjo nuk e cënon në thelb vlerën shkencore të monografive të lartëpërmendura dhe origjinalitetin e tyre. Ky orgjinalitet i dallon edhe artikujt dhe studimet për letërsinë arbëreshe të përfshira në përmbledhjet e fundit të Klara Kodrës, “Paralele dhe kryqëzime“, (2018) dhe “Vallja e rrezeve“, (2019) ku ajo përfshin edhe autorë dhe vepra bashkëkohëse. Edhe në artikujt dhe studimet në fjalë ndeshim një përpjekje për të ndriçuar edhe më autorë dhe vepra të letërsisë arbëreshe në dritën e metodës krahasuese dhe tekstorisisë.                                                                                                                                             Studiuesja vazhdon këtu një rrugëtim të nisur që në përmbledhjen me studime “Rrënjët e lisit“ (2013) ku autorët arbëreshe shihen në plan krahasues me bashkëkohësit arbëreshë dhe shqiptarë, me letërsinë italiane dhe europiane, me poezinë popullore arbëreshe.                                                      Si përfundim mendojmë se studiuesja e cila rrok dy periudha historike të studimeve arbëreshe është në thelb origjinale dhe objektive, arrin të vendosë në kuadrin e letërsisë arbëreshe dhe shqiptare disa nga autorët e afirmuar të letërsisë arbëreshe.                                                                                                                 Kjo studiuese është plot vitalitet dhe vazhdon rrugën e vet krijuese, ajo ka në plan botimin e një monografie tjetër për Santorin që do të pqërfshijë romanet e tij, në një përmbledhjeje të re studimesh për letërsinë arbëreshe dhe dy variante të reja të monografive për Seremben dhe De Radën.

Filed Under: LETERSI Tagged With: hasan gremi

Pyetje

September 26, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Shumë pyetje janë pa përgjigje. Edhe njeriu, qenia më e zhvilluar në Tokë, nuk arrin të shpjegojë prejardhjen vet. Shumë thonë se u krijuam nga qielli (Zoti); disa thonë se u krijuam vetë (nga një bakter); dhe të tjerët mjaftohen që janë.

A keni gërmuar ndonjëherë vërtet në fakte mbi disa prej strukturave të lashta që janë gjetur gjatë viteve? Askush nuk mund të mos habitet me kompleksitetin inxhinierik, veçanërisht kur mendon se disa prej tyre nuk mund të përsëriten në shekullin e 21-të.

Pra, kush i ndërtoi struktura si Sfinksin, Piramidën e Gizës, Stonehenge, Pumapunkun misterioz, Gobekli Tepen, apo tempullin nëntokësor Hypogeum of Ħal Saflieni që është një strukturë nëntokësore neolitike. Tempulli daton në fazën Saflieni (3300 – 3000 pes) në parahistorinë malteze. Shpesh përmendet thjesht si Ipogew, që do të thotë “nëntokë”.

Këto pyetje themelore janë bërë mijëra herë dhe kanë marrë po aq herë përgjigje. Problemi, ose ndoshta konfuzioni, me përgjigjet është se ato janë sa të përafërta dhe të ndryshme, gjë që ka çuar vetëm në edhe më shumë pyetje e spekullime.

Edhe pse shkencëtarët, inxhinierët, arkeologët dhe të ngjashëm kanë qenë në kërkim për të vërtetën, as ata nuk e dinë se çfarë ka ndodhur në të kaluarën e largët?

Gjithçka që secili mund të bëjë është të shikojë faktet dhe të krijojë një opinion që ka kuptim brenda kornizës së asaj që e konsideron të realizueshme ose të mundshme.

Arkeologët kanë qenë të zënë me gërmimin e fosileve si provë për të mbështetur teoritë e tyre (gjithnjë në ndryshim) se kur dhe kush i ndërtoi këto struktura, ndërsa shkencëtarët dhe inxhinierët janë të preokupuar me përpjekjen për të kuptuar thjesht, pa problem ta shpjegojnë, teknologjinë e këtyre ndërtimeve të lashta.

A mund të jenë ato arritje, mjerisht të pavlerësuar, të kulturave antike? Nëse po, si ndodh që kjo teknologji dhe aftësitë e pabesueshme ndërtimi thjesht u zhdukën me kalimin e kohës? Asnjë dije e tyre nuk është trashëguar?! Apo ishin këto bëma të mrekullueshme inxhinierike vepra artizanale të qenieve jashtëtokësore me aftësi dhe njohuri jashtëzakonisht të larta?

Nëse kjo është e vërtetë, atëherë lind një pyetje tjetër. A vizituan këto qenie superiore vetëm Tokën, apo jetonin mes banorëve të saj? Cilado qoftë përgjigja, duhet të pyesim veten: Pse nuk po na vizitojnë më? Apo ata kemi qenë ne, sot pa asnjë kujtesë nga ajo kohë?

Njësoj si sot, kur njeriu emigron nga vendi, pasardhësit e tij bëhen shtetas të vendit tjetër. Ky krahasim mund të përdoret si precedencë.

Me përgjigjen e kësaj pyetje mund të marrim një bazë më të gjerë njohurish edhe në lidhje me strukturat e lashta dhe madje edhe më moderne, të cilat do të na mundësojnë të arrimë në njëfarë kuptimi personal se nga vijmë e ku po shkojmë.

Filed Under: Sociale Tagged With: Astrit Lulushi

Shqipëria po shitet, shqiptarët  rrijnë e vështrojnë

September 26, 2023 by s p

Gezim Zilja/

Sërish për Syrin e Kaltër dhe heshtjen makabre të qeverisë.

Në një përgjigje të kërkesës së bërë nga i palodhuri atdhetar Sazan Guri, Ministrisë së Infrastrukturës dhe të Energjisë për informacion lidhur me ujësjellësin Gjirokastër-Puglie (Syri i Kaltër-Puglie ) vjen dhe përgjigja me shkresë zyrtare, firmosuar nga zv.ministria Viola Haxhiademi me nr. 5094/1 prot. datë 14.09.2023 ku midis të tjerash pohohet: “…Rajoni i Puglias, Itali i është drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës dhe të Energjisë me shkresë zyrtare për mundësinë e një zhvillimi studimi fizibiliteti tekniko ekonomik në lidhje me një ujësjellës mes Shqipërisë dhe rajonit të Puglias përmes shoqërisë publike Acquedotto Pugliese. Në vijim ministria e Infrastrukturës dhe energjisë ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim ndërmjet institucioneve përgjegjëse për vënien në dispozicion të informacioneve paraprake të nevojshme për të parë mundësinë e kryerjes së këtij Studimi…”  Ndërkohë gjatë vizitës private të kryeministres italiane Meloni në Dhërmi (thuhet me pushime) shtypi qendror i Puglies shkruante më 31.05.2023: “Acquedotto dall Albania alla Puglia via libera all progetto da un miliardo. Il governo albanese ha dato il via libera all’ acquedotto che colleghera Argirokastro in Albania….” Në shqip kjo frazë përkthehet: “…I jepet rrugë e lirë projektit të ujësjellësit prej një miliard. Qeveria shqiptare ka dhënë pëlqimin e plotë (rrugë të lirë) ujësjellësit që do të lidhë Gjirokastrën….”

Pra kemi dy njoftime të ndryshme. Ndërsa nga Ministria përkatëse shqiptare thuhet se është dhënë leje për një studim fizibiliteti, nga autoritet italiane pohohet që projekti (studimi i fizibilitetit etj) është gati dhe vlera e ujësjellësit do të jetë një miliard euro. Dikush nuk është i sinqertë por sigurisht ato që kanë nxjerrë tash dhjetë vjet Shqipërinë në pazar, si bagëtinë në tregun e gjësë së gjallë janë qeveritë shqiptare. Kështu është vepruar me minierat e kromit dhe të metaleve të tjera, me fushat e naftës në Patoz-Marinëz, me portin e Durrësit që shumë shpejt do kuptojnë albanezët se në çfarë katastrofe portuale  është futur Shqipëria me këtë aferë arabe, me cirkun kryeministror të Shpiragut, me TEC-et lundruese që paguhen plot një vit badiava me 94 mijë eoro/dita deri te bisedimet e fshehta të Alket Hysenit me shoqëritë amerikane për ndërtimin e një petrolifere gjigande në Zvërnec që do furnizojë me gaz gjithë Ballkanin Perëndimor e të tjera që do të dalin më vonë. Nga të dhëna të sigurta, studimi fizibilitetit për ujësjellsin Gjirokastër-Puglie është bërë me hollësi qysh në fillimet e viteve ’90 dhe është aprovuar parimisht nga qeveria Nano në vitin 2001dhe u konfirmua sërish nga Rama pas bidsedimeve me Melonin. Projekti parashikonte tërheqjen e 5.5m3 ujë/sek nga Syri i Kaltër. Destinacioni përfundimtar në brigjet e Puglies do të ishte jo më pak se 4m3/sek. Në projekt ishin parashikuar  disa degëzime në shërbim të qendrave nga kalojnë tubacionet që janë të destinuara për zhvillim turistik me një prurje prej 0,7 m3/sek, pothuaj asgjë. Në projektin e ri Rama është parashikuar të transferohen 150 milion m3 ujë në vit, që do të thotë që edhe ajo sasi (një curril) uji e parashikuar për zonat nga kalojnë tubacionet të jetë hequr fare. Përfitimet e rajonit të Puglias, një rajon shumë i varfër në rezerva ujore, që po shkojnë drejt shterimit të plotë do të jenë shumë të mëdha prandaj qeveria italiane për këtë investim të ri një miliard dollarësh, që do të realizohet për katër vite, është shumë entuziaste. Po shtrojmë disa pyetje të thjeshta për qorrat, militantët dhe antishqiptarët

  1. Përse mbahen të fsheta këto kontrata nga populli shqiptar?
  2. Përse nuk pyetet komuniteti nga buron dhe lag Syri i Kaltër që është  detyrim Kushtetues?
  3. Asnjë kontratë të Portit të Durrësit me arabët , të fushave të naftës, të minierave të kromit e bakrit, të TEC-ve lundrues, ndërtimit të depove të karburantit dhe impianteve të përpunimit të naftës në Zvërnec, nuk mund të gjesh (është detyrim kushtetues) në faqet e Ministrive përkatëse. Përse këto fshehtësi me pasuritë e popullit? Ku e gjenë guximin KM-ja dhe shpura e tij për të bërë pazare me pasuritë e populit shqiptar pa dijeninë e tij? Andej nga Kuvendi përfaqësuesit e popullit të mëngjër e të djathtë  bëjnë llogje kavaje e tallin prapanicën me e hartime e fjalime që nuk i hyjnë në punë kurrkujt. Ku po shkon Shqipëria me këto politika ekonomike? 

Filed Under: Fejton

SERBIA – PROBLEM I BALLKANIT DHE JO ZGJIDHJE E TIJ

September 26, 2023 by s p

“Perëndimi duhet të punojë në forcimin e sovranitetit të Kosovës, të heqë dorë nga ‘marrëzia’ siç është realizimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe ta detyrojë Serbinë të heqë dorë nga irredentizmi. Çështja nuk është ajo që duket si një kompromis i drejtë në letër, por si do ta përdorë Serbia një entitet të tillë në praktikë. Në praktikë, Serbia mbetet e përkushtuar ndaj politikës nacionaliste të rimarrjes së Kosovës, kështu që çfarëdo autonomie institucionale për serbët në Kosovë do të ndërtohej në atë mënyrë derisa të krijohet brenda shtetit të Kosovës, një shtet irredentist serb, që do të përdorej për ta përmbysur tërë Kosovën ose për ta copëtuar atë.” – Prof. Marko Atila Hor (Marko Attila Hoare, 1972- ), historian britanik   

*   *   *

Kriza e madhe lindore filloi në vitin 1875 me shpërthimin e kryengritjeve dhe të luftërave në territoret e Ballkanit që ishin nën sundimin osman. Kriza rezultoi me ndërhyrjen e fuqive ndërkombëtare dhe përfundoi me Marrëveshjen e Berlinit në korrik të vitit 1878. Që atëherë e deri në ditët tona, Rusia ndjek politikë antishqiptare. 

*   *   *

Dialogu i Brukselit dhe qëndrimi nebuloz i Perëndimit – Problem i dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, nuk është kryeministri Albin Kurti. Problem është Serbia, e cila nuk kërkon të drejta për serbët e Kosovës, por kërkon territor për vete. 

Për t’u mbyllur me sukses dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, Uashingtoni, Berlini, Parisi dhe Londra duhet t’i paraqesin Beogradit kërkesa të caktuara.

Një prej kërkesave do të ishte: të marrë fund gjenocidi i heshtur ndaj shqiptarëve në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë). 

Serbia në Kosovë kërkon asociacion, ndërsa në Kosovën lindore:

a) e ndalon përdorimin e flamurit kombëtar shqiptar;

b) nuk është në gjendje të sigurojë as tekste shkollore;

c) i shuan adresat e shqiptarëve;

ç) nuk investon asnjë euro për zhvillimin e ekonomisë së asaj zone.

Rajonin e sipërthënë, Serbia e ka shndërruar në geto. Para gjenocidit të sipërthënë, fuqitë perëndimore heshtin. Është absurde të kërkosh krijim asociacioni në veri të Kosovës, ndërsa para gjenocidit serb në Kosovën lindore t’i mbyllësh sytë. 

Perëndimi duhet të kërkojë nga Beogradi që ta heqë Kosovën nga Kushtetuta e Serbisë ku figuron si pjesë e saj. Perëndimorët duhet të kërkojnë nga Beogradi që politikanët serbë kur të japin betim, të mos e përmendin Kosovën si “pjesë e Serbisë”. Për çfarë dialogu mund të flitet, kur në kushtetutën serbe Kosova figuron si pjesë e Serbisë.

Perëndimorët duhet t’i thonë Beogradit se serbët në Kosovë i gëzojnë të gjitha të drejtat, që s’i ka asnjë bashkësi etnike në BE. Ç’kërkon Beogradi përtej kësaj?! Dihet, kërkon territor.

Perëndimorët duhet t’i thonë Beogradit se kërkesa për territor është në kundërshti me filozofinë politike të BE-së. Sipas parimeve politike të BE-së, problemet midis popujve duhet të zgjidhen duke u siguruar bashkësive etnike të drejta demokratike dhe jo ndryshim kufijsh midis shteteve. 

A s’e shohin perëndimorët se Serbia në rajon ndjek politikë destruktive dhe luftënxitëse. Ajo ka synime hegjemoniste, ekspansioniste, dominuese. Ndjek politikë force dhe kanoset me luftë. Përpos aspiratave territoriale ndaj veriut të Kosovës, Serbia ka aspirata hegjemoniste edhe ndaj Kroacisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi. Ajo pandeh se Maqedoninë e ka ndër sqetull.  

A s’e shohin perëndimorët se Serbia është me Rusinë, me Kinën apo me vendet e BRIKS-it (Brazili, Rusia, India, Kina, Afrika e Jugut). Asnjë prej tyre s’e ka njohur Kosovën. A s’e vërejnë perëndimorët se Serbia ka blerë armë dhe është armatosur nga Rusia. Serbia është i vetmi shtet i Evropës që nuk i ka vënë sanksione Rusisë për agresionin e saj ndaj Ukrainës. Shqiptarët në shkallë kombi e kanë dënuar agresionin rus ndaj Ukrainës, ndërsa një përqindje e madhe e popullit serb e mbështesin luftën ruse në Ukrainë. 

Herë pas here Vuçiqi mban do fjalime. Fjalimet e tij janë ëndrra për një Serbi të Madhe. Retorika e tij përputhet plotësisht me diskursin politik dhe ultranacionalist të Milorad Dodikut të Republikës Serbe të BH-së. 

Perëndimorët e dinë mirë se Serbia ndjek politikë nacional-socialiste dhe klerofashiste. Politikën e Millosheviqit dhe të vojvodës së çetnikëve, Voisllav Sheshelit, të fundit të viteve ’80 dhe të viteve ’90 të shekullit XX, sot e vazhdon Vuçiqi. Atëherë del se midis Kosovës dhe Serbisë nuk mund të ketë dialog. Me fjalë të tjera, as ka dialog, as ka pasur diç të tillë. Çfarë dialogu mund të presësh prej epigonëve të nacional-socialistëve, të radikalëve dhe të çetnikëve serbomëdhenj. Çfarë dialogu pret prej përfaqësuesve të klerit antishqiptar serbomadh?! Ndjekësit e vijës së Millosheviqit dhe të Sheshelit s’e kanë vendin në tavolinat e zyrave të Brukselit. Të tillët e kanë vendin në Hagë, ku të ballafaqohen me akuza për krime lufte, për krime kundër njerëzimit dhe për gjenocid të kryer ndaj shqiptarëve. 

Perëndimi duhet t’i kërkojë Beogradit të miratojë rezolutë me të cilën t’u kërkojë falje shqiptarëve për krimet e kryera në vitet 1998-1999. Serbia duhet t’i paguajë Kosovës zhdëmtim për politikën kolonialiste ndaj Kosovës që nga viti 1912 e këndej. 

I ashtuquajturi dialog midis Kosovës dhe Serbisë ka mbi dhjetë vjet që ka ngecur. Përse?! Për arsye se në dialog, në mënyrë të tërthortë ka qenë e përfshirë Rusia e Putinit dhe e Lavrovit. 

Moska i sugjeron Beogradit: “Në dialogun me Kosovën mos pranoni asgjë më pak se një republikë serbe, një shtet brenda shtetit. Pas jush qëndrojmë ne!” 

Atëherë si mund të ketë dialog?! Për çfarë dialogu mund të flitet?! 

Këtu kemi një paradoks: Në një anë Serbia kërkon asociacion, kurse në anën tjetër, në kushtetutën e vet Kosovën e quan pjesë të saj! Në një anë kërkon asociacion, ndërsa në anën tjetër thotë se pavarësinë e Kosovës s’ka për ta njohur kurrë. Uashingtoni, Berlini, Parisi dhe Londra heshtin. 

*   *   *

Pas rënies së Millosheviqit, fuqitë perëndimore duhej t’i kishin kërkuar Serbisë të transformohet në pikëpamje ideopolitike, ndërsa shoqëria serbe të përjetojë katarzis. Kjo nuk ndodhi. Nga kjo del se politika e Millosheviqit dhe e Sheshelit nuk paska rënë. Ajo vazhdon nëpërmjet epigonëve të tyre – Aleksandar Vuçiqit, Tomisllav Nikoliqit, Ivica Daçiqit, Aleksandar Vulinit, Milorad Dodikut. Dy të fundit, të shpallur nga Uashingtoni persona të padëshiruar. 

*   *   *

Pas disfatës së nazizmit, në Gjermani erdhën politikanë të cilët e bënë denacifikimin e shtetit. Konrad Adenhaueri (1876-1967) ishte i pari kancelar i Republikës Federale Gjermane të sapoformuar. Demokrat pragmatik dhe mbrojtës i palodhshëm i Evropës së bashkuar. Gjatë udhëheqjes së Gjermanisë së pasluftës në vitet 1949-1963, e ndryshoi pamjen e saj dhe rrjedhën e historisë së Evropës. Ai dhe politikanët e tjerë të brezit të tij thanë: “Vetëm me një Evropë të bashkuar mund të arrihet paqja e përhershme”. 

Në vitin 1970, kancelari Vili Brant (Willy Brandt, i lindur si Herbert Ernst Karl Fram, 1913-1992) bëri një vizitë në Poloni. Në paraditen e 7 dhjetorit të viti 1970, para përmendores së kryengritjes në geton e Varshavës, vendosi kurorë. U spraps nja-dy hapa dhe kokulur ra në gjunjë. Mbi granitin e lagët qëndroi tridhjetë sekonda. Fotografët e bënë punën e vet dhe skena sakaq mori dheun. Në kujtimet e veta, kancelari shkroi: “Mbi humnerën e historisë gjermane, nën barrën e miliona të vrarëve, e bëra atë që e bën njeriu kur i ndalet gjuha”. Duke u bazuar në motivet e krishtera, u gjunjëzua si mëkatar. Ishte lutur që t’u falet gjermanëve.

Serbia është e prapambetur për të nxjerrë politikanë që do t’u kërkonin falje shqiptarëve për të zezat e bëra.

*   *   *

Trazirat në veri nuk i shkakton Kosova, i shkakton Beogradi. Perëndimorët këtë duhet t’ia thonë prerë Beogradit. Në veri të Kosovës veprojnë grupe terroriste serbe. Ato grupe i ka krijuar Beogradi, bashkë me Moskën. Ato mbështeten dhe financohen nga Beogradi. Prej Serbie, ata sjellin armë në veri. 

Duke qenë se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur, ka të drejtë dhe për detyrë të ushtrojë pushtet mbi tërë territorin e saj, t’i luftojë strukturat paralele të mbështetura nga Serbia, ta luftojë dhe ta parandalojë kontrabandën, krimin e organizuar dhe anarkinë. 

Serbët e Kosovës janë peng i Beogradit. Serbia ua ka ngulfatur atyre hapësirën demokratike, ua ndalon angazhimin në institucionet e shtetit dhe integrimin në shoqërinë kosovare. Qëllimi i Beogradit duhet: ndarja e Kosovës dhe shkëputja apo amputimi i një pjese të territorit të saj. 

Çudi sesi perëndimorët nuk i kërkojnë Vuçiqit që Kosova lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegje) të ketë statusin e një entiteti!?

*   *   *

Më kot Serbia e vë në dyshim shtetësinë e Kosovës. Në Kosovë mbizotëron rendi dhe rregulli si në asnjë vend të Ballkanit Perëndimor. Për nga rendi dhe shkalla e demokracisë, ajo krahasohet me vendet e BE-së dhe pikërisht kjo i pengon Serbisë. 

Trazirat e paradokohshme në veri nuk i shkaktoi qeveria e Kosovës. I shkaktoi Beogradi. U vunë në veprim kriminelët, bandat terroriste dhe hordhitë serbe të mbështetura nga Beogradi dhe Moska. I sulmuan forcat KFOR-it dhe plagosën 90 pjesëtarë të tyre. Plagosën pjesëtarë të policisë së Kosovës dhe gazetarë, dogjën vetura të policisë por edhe të gazetarëve. Për habi, Përendemi reagoi butë, për të mos thënë – heshti. 

Nuk ka dialog të suksesshëm derisa Serbia vazhdon të jetë e përkëdhelura e BE-së dhe e ShBA-së. Serbia ekziston vetëm në saje të investimeve perëndimore. Po të mos jenë ato investime, ajo do të ballafaqohej me krizë të thellë ekonomike. Do të kishte papunësi, varfëri, skamje, probleme ekonomike, sociale dhe morale. Do të ballafaqohej me të gjitha të këqijat që vijnë pas tyre. Megjithëkëtë, Serbia nuk i është mirënjohëse Perëndimit. Mendtë i ka në Rusi dhe në Kinë. Vetëm në ndërmarrjet gjermane në Serbi, janë punësuar 80.000 vetë.

*   *   *

Serbia është e keqja dhe shëmtia e Ballkanit. Është tragjedi e rajonit por edhe e vetvetes. Është turpi i Evropës. Ajo s’e ka vendin në Këshillin e Evropës. Derisa të mos i japë fund ideologjisë cardushaniste, asaj duhet t’i ndalohet anëtarësimi në BE. Ajo s’e ka vendin as në OKB. 

Për habi, Perëndimi i cakton masa ndëshkuese Kosovës demokratike e cila, me mjete të shtetit ligjor, synon të vendosë rend në tërë territorin e vet dhe të mbrojë tërësinë tokësore apo integritetin territorial.  

*   *   *

Nuk ka shqiptarë në botë, përpos ndonjë esat pashë toptani që do të pranonte apo që do të nënshkruante themelimin në Kosovë të një republike serbe apo të një shteti brenda shtetit.

Të supozojmë se një ditë në Kosovë vjen një qeveri tjetër. Ata që ne i quajmë aleatë tanë, do t’i kërkonin kryeministrit të ri ta nënshkruajë marrëveshjen e Brukselit dhe shtojcën e Ohrit – sipas rendit që e kërkojnë Vuçiqi dhe ndërmjetësuesi Miroslav Lajçak. Të mos harrojmë: Beogradi  kërkon asociacion me ingjerenca apo me kompetenca ekzekutive. 

Si do ta parandalonte një qeveri e ardhshme shndërrimin e këtij farë asociacioni në republikë serbe apo në shtet brenda shtetit?! Ç’do të bënin dhe ç’do të thoshin atëherë, këta që sot e fajësojnë kryeministrin e përtashëm, Albin Kurtin?! 

Kosova nuk është çështje partiake, nuk është çështje e Lëvizjes Vetëvendosje, e PDK-së, e LDK-së, e AAK-së, e Nismës … Kosova nuk është çështje e analistëve mercenarë, e mediumeve të shitura dhe të blera. Është çështje e popullit të saj. Kemi menduar se s’ka më shqiptarë të ndershëm. Por, po del se aty-këtu edhe sot gjendet ndonjë sish. Në vitet ’80 të shekullit XX, shtypi i Beogradit, të ndershëm i quante ata shqiptarë të cilët shanin Shqipërinë dhe lëvdonin Jugosllavinë. 

Fatin e Kosovës nuk do ta përcaktojnë pseudoanalistët, as mediumet e kontrolluara prej qendrave antikombëtare. Fati i Kosovës martire nuk do të mbetet në duart e politikanëve që nuk e kanë besimin e qytetarëve të saj. Kosova nuk mbrohet me arrogancë, me mendjemadhësi, me megalomani, me prepotencë. Kosova mbrohet, ndërtohet dhe zhvillohet me veprim racional. Kur është fjala për tërësinë tokësore, për sovranitetin dhe për ndërtimin e shtetësisë së saj, faktori politik i Kosovës duhet të jetë i bashkuar. Sulmet e politikanëve ndaj njëri-tjetrit, pranë një Serbie iracionale, është një luks i palejueshëm.          

*   *   *

ShBA-ja duhet sa më parë ta pranojë Kosovën në NATO, në Këshillin e Evropës dhe në BE. Të ushtrojë autoritetin e saj për liberalizimin e vizave. Të investojë në ekonominë e saj. T’u kërkojë vendeve të BE-së që t’i pezullojnë investimet në Serbi dhe t’i orientojnë ato në Kosovë. Kështu dhe vetëm kështu arrihet marrëveshje me Beogradin. Ndryshe, çfarëdo dialogu me serbomëdhenjtë, nuk është veçse punë Sizifi.

S’ka Kosovë pa Amerikën! 

*   *   *

Shqiptarët në Ballkan nuk kërkojnë kurrfarë drejtësie të posaçme, ngase ndaj tyre nuk është bërë kurrfarë padrejtësie e veçantë, por padrejtësi e përgjithshme, padrejtësi historike. 

Xhelal Zejneli          

Filed Under: ESSE

IL PICCOLO DI TRIESTE (1912) / FALË MARK KAKARRIQIT ARRITËM TË INTERVISTONIM NË QYTETIN TONË ISMAIL BEJ QEMALIN, PARA SE KY I FUNDIT TË NISEJ PËR TË SHPALLUR PAVARËSINË E SHQIPËRISË

September 26, 2023 by s p


Mark Kakarriqi (1884 – 1942) – Ismail Qemali (1844 – 1919)
Mark Kakarriqi (1884 – 1942) – Ismail Qemali (1844 – 1919)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 26 Shtator 2023

“Il Piccolo di Trieste” ka botuar, të mërkurën e 20 nëntorit 1912, në faqen n°2, intervistën ekskluzive me Ismail Bej Qemalin pak para se të nisej nga Trieste në drejtim të Shqipërisë për të shpallur pavarësinë e vendit të shqiponjave, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë është shumë e afërt

Intervista jonë me Ismail Qemalin

Burimi : Il Piccolo di Trieste, e mërkurë, 20 nëntor 1912, faqe n°2
Burimi : Il Piccolo di Trieste, e mërkurë, 20 nëntor 1912, faqe n°2

Dje në mëngjes ka mbërritur në qytetin tonë, direkt nga Vjena, kreu i partisë së pavarur shqiptare, Ismail Qemal Bej Vlora. Me të udhëtonin katërmbëdhjetë personalitete të shquara shqiptare. Ai u prit në stacion nga udhëheqësi i ri shqiptar Mark Kakarriqi, i njohur për studimet e tij mbi çështjen shqiptare dhe nga fisnikët e kolonisë. Ismail Qemal Beu zbriti në “Excelsior Palace Hotel” për t’u ndalur disa orë dhe u largua në orën dy pasdite me vaporin “Brünn” për në Shqipëri. Një nga redaktorët tanë, i prezantuar me dashamirësi nga z. Mark Kakarriqi, zhvilloi një bisedë të shkurtër me Ismail Qemalin.

Ai është një plak i pashëm, rreth të shtatëdhjetave, me një vështrim të gjallë dhe depërtues, një mjekër të bardhë të gjatë dhe një sjellje fisnike dhe të ashpër. Ai është një njeri i kulturuar që ka udhëtuar shumë dhe ka jetuar në kryeqytetet e Evropës. Për shumë vite ai ishte guvernator i Tripolit. Me ardhjen në pushtet të xhonturqve dhe kthimin e Kushtetutës së vitit 1877, Ismail Qemal Beu ishte deputet i Vlorës.

— Unë do të qëndroj në Trieste vetëm për disa orë, sa për të parë disa miq dhe për të ngrënë mëngjes. Kështu që unë do të nisem për në det.

— A më lejon të të pyes se ku po shkon?

— Dëgjo: vapori me të cilin hipëm nuk shkon normalisht në portin ku kam ndërmend të zbarkoj, por i detyrohem mirësjelljes së drejtuesve të Lloyd’s, që pranuan një zbarkim të jashtëzakonshëm. Po shkoj në Durrës.

— Porti i dëshiruar nga serbët…

— Nuk mendoj se serbët do të arrijnë atje para meje. Në Durrës më presin me padurim. Terreni është përgatitur me durim.

— Dhe çfarë do të ndodhë pas mbërritjes tënde?

— Diçka shumë e thjeshtë, por e dëshiruar me zjarr prej nesh: “Shpallja e Pavarësisë” së atdheut tonë. Ne duam të përgatisim Evropën për këtë fakt të kryer. Do të krijohet një qeveri e përkohshme dhe ndoshta unë do të jem kreu i saj.

— Po racat e tjera, malësorët, mirditorët?

— Ju siguroj se të gjithë jemi dakord për idenë e pavarësisë, të gjithë të një mendjeje. Ne jemi ata që filluam luftën e hakmarrjes kundër qeverisë së keqe të xhonturqve, duke pushtuar këtë verë Shkupin, ne jemi ata që kemi mbështetur betejat e vazhdueshme, për vite e vite të tëra, dhe është e drejtë që aspiratat tona të konkretizohen në realitet. Koha nuk mund të ishte më e përshtatshme. Qeveria turke në Shqipëri nuk është gjë tjetër veçse një hije e largët. Komunikimet me Kostandinopojën janë ndërprerë. Çfarë më shumë? Në Shkodër janë shqiptarët ata që mbështesin me heroizëm rrethimin.

— Çfarë mendon për kundërshtimin e Serbisë ndaj formulës: Shqipëria e shqiptarëve?

— Unë i di idetë dhe kundërshtimet e atyre qarqeve në pushtet: Ata gabohen. Shqipëria është e pjekur për shpengimin e saj civil. Ajo do të bëhet gjithashtu një faktor i rëndësishëm për zhvillimin e saj ekonomik. Kemi pasuri latente, pyje, miniera që nuk janë shfrytëzuar. Dhe Trieste, e cila dominon Adriatikun, do të jetë e para që do të ndjejë përfitimin. Dhe të gjitha portet e Adriatikut do të kenë përfitime të mëdha.

— Më lejo edhe një pyetje. Për udhëtimin tënd në Vjenë dhe Budapest, çfarë mund të më thuash ?

— Jam plotësisht i kënaqur. Aty janë të bindur tashmë se pavarësia e Shqipërisë është një zgjidhje e domosdoshme dhe mbi të gjitha e drejtë dhe e aftë për të thjeshtuar konformimin e ardhshëm të gadishullit ballkanik. Dhe të gjitha fuqitë evropiane dhe veçanërisht Anglia janë të të njëjtit mendim.

Pasi mori këto deklarata dhe informacione, rëndësia e të cilave nuk do t’i shpëtojë lexuesit, redaktori ynë u largua nga Ismail Qemali, duke lënë përshtypjen se kishte folur me një njeri të kthjellët, energjik dhe një apostull shumë të zjarrtë të çështjes së tij.

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT