• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2023

SHKOLLAT SHQIPE NË DIASPORË, APOSTUJ TË SHQIPTARIZMËS

September 14, 2023 by s p

Sokol Paja/

Shkollat e gjuhës shqipe, kulturës, historisë, muzikës, këngëve e valleve shqipe në diasporën shqiptare anëkënd botës përbëjnë një trashëgimi të shkëlqyer të veprimtarisë së gjallë të shqiptarëve nëpër botë dhe janë themel i fortë i pavdekësisë së identitetit kombëtar shqiptar në mërgim. Veprimtaria patriotike, kulturore dhe komunitare e shqiptarëve në diasporë sot më së miri përfaqësohet me nder, dinjitet, krenari e lavdi prej shkollave shqipe. Mësues pasionantë, patriotë të flaktë, atdhetar të zjarrtë, mbështetës të pakursyer të arsimit e kulturës kombëtare, prindër e nxënës, dashamirës të huaj të komunitetit shqiptar në diasporë, po japin një kontribut historik për ruajtjen e gjuhës shqipe, nderimin e figurave të shquara të kombit shqiptar, kultivimin e traditave tona kombëtare dhe mbajtjen e pa shkëputur të lidhjes shpirtërore e materiale me Shqipërinë, Kosovën e trojet shqiptare etnike. Kontributi i shqiptarëve në mërgatë ka qenë historik për gjuhën shqipe dhe çështjen kombëtare. Shqiptarët nuk kursyen asgjë sa herë atdheu ishte në rrezik. Amaneti i Filip Shirokës se “Kurrë nuk kemi të drejtë të quhemi komb i qytetëruar, sado që të mësojmë gjuhë të huaja, sepse kombi nuk qytetërohet vetëm me mësimin e gjuhëve të huaja, por me mësimin e gjuhës së vet” është bërë një motiv i madh për çdo atdhetar që jep kontribut për kulturën dhe identitetin tonë kombëtar në mërgatë. Me zhvillimin e jashtëzakonshëm të emigracionit e teknologjisë, në kushtet e një multikulturalizmi global, përpjekjet për identitet, gjuhë e kulturë kombëtare janë një akt i madh patriotik i shqiptarëve të mërguar. Shkollat e gjuhës shqipe, kulturës, historisë, muzikës, këngëve e valleve në diasporë përbëjnë krenari kombëtare. Kushdo që ndihmon në ruajtjen e gjuhës shqipe dhe identitetit kombëtar shqiptar në mërgatë, është hero i gjallë i kombit tonë.
Gjuhëtari i shquar Eqrem Çabej shprehej se “Gjuha është pasqyra më e qartë e një kombi dhe e kulturës së tij” dhe shqiptarët sot na bëjnë krenarë anëkënd botës për motivimin e përkushtimin e tyre autentik. Shkollat shqipe në mërgatë janë themel i vazhdimësisë sonë historike, lidhjes organike, shpirtërore e kombëtare. Shkollat shqipe në Gjermani, Zvicër, Itali, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Greqi, Mbretëri e Bashkuar, Kanada, Australi etj përbëjnë një imazh magjepës kombëtar të shpërndarë në të gjitha anët e globit. Shkollat e gjuhës shqipe, kulturës, historisë, muzikës, këngëve e valleve në diasporë kanë lidhur e forcuar komunitetet tona, kanë krijuar bashkësi patriotike të fuqishme si ekonomike, sociale e kulturore. I kanë dhënë një imazh të fuqishëm, zë dhe forcë komunitetit shqiptar në raport me komunitetet e tjera në vendet ku jeotjnë.
“Themelin e diturisë dhe të atdhetarisë e përbën gjuha shqipe” porosiste Mid’hat Frashëri. Nuk mund të jesh shqiptar nëse nuk mëson shqip, nuk flet shqip, nuk kontribuon për mësimin shqip, nuk e viziton Kosovën, Shqipërinë e viset tona etnike. Mësimi shqip, këngët e vallet, koncertet e ndryshme përveç se janë një investim për përjetësinë e kombit shqiptar, i kanë lidhur shqiptarët në diapsorë, i kanë bërë më të afërt dhe detyrimisht kanë lidhur diasporën me vendlindjen. Shkollat shqipe në diasporë udhëhqiqen prej kapaciteteve të shquara intelektuale në mërgatë, kanë mësues të licencuar, kanë literaturë e teknologji të shkëlqyer, drejtues të pëkushtuar, prindër bashkëpunues e nxënës që janë të etur për mësimin shqip, këngët e vallet e bukura shqipe. Është e shenjtë dëshira dhe përkushtimi i mërgimtarëve për mësimin shqip. Për shqiptarët në mërgatë ashtu siç thoshte Eqerem Çcabej “Gjuha është sendi më i çmueshëm i një populli dhe për popullin shqiptar është i vetmi thesar”.
Federata “Vatra” e gazeta “Dielli” janë kthyer në promotore të jashtëzakonshme të shkollave shqipe. “Vatra” për disa vite me radhë hapi dyert për zhvillimin e mësimit shqip brenda në Vatër. Në një hark kohor të dy viteve më shumë se 40 shkolla shqipe janë pasqyruar imtësisht në gazetën “Dielli” nëpërmjet trajtesave ekskluzive të intervistave e reportazheve duke paraqitur risi në shtypin shqiptar të mërgatës. Kjo mbështetje do të vazhdojë përjetë. Përpjekjet e mësuesve, prindërve e kontributorëve të mësimit shqip në diasporë duhet të kombinohen edhe më ndihmën e shtetit, të Shqipërisë e të Kosovës. Shtetet tona duhet të shtojnë buxhetin për diasporën, të lidhen më fort më shqiptarët në mërgatë dhe të mbështesin pa kushte arsimin shqip. Diaspora ka një kontribut të jashtëzakonshëm në ekonominë kombëtare dhe vëmëndja institucionale duhet të jetë më efikase. Thënia e Akademik Gjovalin Shkurtaj se “Mbrojtja e gjuhës është detyrë dhe peng nderi për çdo shqiptar” duhet të jetë motivim për mërgatën tonë që këtë zhvillim të jashtëzakonshëm të mësimit shqip në diasporë jo vetëm që ta ruajë në këto nivele por edhe ta zhvillojë më shumë pasi kombi ynë, gjuha jonë, kultura e kombit tonë do të jenë të gjalla ndër breza, të patjetërsueshme, të paharrueshme, të pazëvëndësueshme në mës të kulturave me të cilat përballemi, jetojmë e punojmë çdo ditë. Shqiptaria do të rrojë sa përjetësia për sa kohë në themel të zhvillimit është kultura e gjuhësia…

Foto ilustrim: Shkolla Shqipe Gjenevë

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja

LIDERI DHE TEKNOLOGJIA

September 14, 2023 by s p

Prof.Asc.Dr. Gëzim MUSTAFAJ/

Është mjaft e vështirë të japësh definacione përfundimtare në një kohë që ndryshon kaq shpejt. Është epokë në të cilën ndodhin ndryshime të jashtzakonshme. Jetojmë në epokën e asaj që me të drejtë është quajtur epoka e infomacionit.  Në mënyre paradoksale, vetëm 400 përdorues kishte interneti në 1989 dhe këta kryesisht universitar apo zyrtarë. Ndërkohë as më vizionarët nuk mund të parashikonin  që ky numër do të shkonte jo më pak se 580 milion përdorues pas 10 vjetësh, dhe me një intensitet me një   numur që   dyfishohet në çdo 100 ditë. 

Dhjetë vjet pas rënies së Murit të Berlinit, me hapsirën që krijuan njerezit për të komunikuar në mënyrë elektronike,  nuk ekzistonin më mure  dhe kufij  gjeografik. Teknologjia bëri atë që asnje ideologji për vite të tëra nuk mundi ta arrij.  Por, ndërsa teknologjia ka krijuar hapsira për një shkëmbim global të ideve dhe ideologjive, duke e  bërë globin edhe më të vogel,  ajo nuk arriti me të njëjtin sukses për ta bërë atë edhe më paqsore. Kjo është fusha ku luhet sot, tërësisht nën presionin e teknologjisë, informacionit, ideve. Orientimi në këtë hapsirë me kaq shumë sfida vërtetë është një pozicion i vështirë, por që në të njëjtën kohë zbulon edhe liderët.

Drejtuesi dhe lideri nuk mund të ndahen; midis tyre nuk mund të vihet kufi, për vetë faktin e konceptimit shumëdimensional dhe shumëplanësh. Është kjo arsyeja që me drejtim, para së gjithash nënkuptojmë dimensionin njerëzor, parashikimin e qëllimeve, motivimin dhe nxitjen, demonstrimin e iniciativës, menaxhimin dhe shfrytëzimin e rasteve, zotërimet kompetente të të rejave teknologjike, vullnetshmërinë, moralitetet dhe shpresat e bazuara në realizimin e qëllimeve. Të gjitha këto janë të lidhura pazgjidhshmërisht edhe me parimin se e djeshmja, sido që të jetë, është një element i traditës e cila shërben si urë lidhëse midis brezave, për të krijuar vijimësinë në të ardhmen. Megjithatë, në fushën e filozofisë së drejtimit duhen rrënjosur konceptet për të cilat i duhet referuar Albert Ajshtajnit, i cili thotë: “Nuk është më vështirë të ndash bërthamën e atomit, sesa të thyesh një koncept.”

Sot më tepër se kurrë, kërkohet përshtatja teknologjike me kërkesat e kohës duke eleminuar ndjekjen verbërisht sipas traditës. Tradita ruhet e respektohet, brenda limiteve të mundshme, por kërkesat teknologjike detyrimisht zbatohen për të ecur me hapin e kohës. Kur marrim sistemin demokratik si pikë referimi dhe e shqyrtojmë atë shumëanshmërisht dhe shumëdimensionalisht, do të vërejmë se nuk ka gjë më praktike se sa një teori e mirë. Për një lider termat kyç të sistemit logjik si, politika, ekonomia, shkenca, teknologjia, ligjet, lufta, mekanizmi, parandalimi i luftës janë çështje të filozofisë së përhershme të analizës rajonale e globale të situatës dhe të evolucionit. Vetë energjia njerëzore e lidërve mund e duhet ta japin këtë. Rruga e formimit të liderit është e gjatë. 

Hapat dhe bumi teknologjik kanë bërë që të futen në masë aplikacioni i simulimeve kompjuterike, kjo jo vetëm në vendet me ekonomi të fuqishme, por edhe në shumë vënde të tjera. Kjo sjell lehtësime për situata të improvizuara nga më të ndryshmet e të larmishmet dhe çka është më e rëndësishme, pa harxhuar mund e energji, nisur nga situatat simuluese. E shprehur ndryshe, lideri i ardhshëm është në gjendje që në “laborator”  të organizojë gjithçka, ndoshta dhe “të vritet”, përsëri të ngrihet dhe sërish të drejtojë, pa qenë e nevojshme të vihet në provë në beteje të vërtetë. Kjo e vendos liderin e ardhshëm në pozita të mira që të dijë të marrë vendime dhe të shikojë rezultatin e vendimit të marrë, pa pasur nevojë që të harxhojë. 

Sipas Warren Bennis, në vepren e tij, “On Becoming a  Leader”, lideret vijnë në forma, ngjyra, dhe shfaqje nga më të ndryshmet, në gjini moshë dhe pamje. Por, pamvarësisht nga ndryshimet duket se ato përmbajnë edhe disa karakteristika të përbashkëta si:

Vizioni si elementi baze i lidershipit. Lideri ka  ide të qartë për atë se çfarë ai dëshiron të bëj profesionalisht dhe përsonalisht dhe të rigjej forca të mjaftueshme për tu ripërballur me sfidën edhe kur ai nuk arrin suksesin. Lideri  e di se ku po shkon, dhe pse,  por ai di edhe pse nuk mund të shkohet më tej.

Pasioni është një tjetër element bazë i lidershipit. Një pasion që nuk mund të fshihet, i kombinuar me një pasion të veçantë për një prirje, për një profesion për një kurs veprimi. Lideri dashuron atë që kryen.  Tolstoi thotë që  shpresat janë ëndërra  e njërëzve të gjallë. Pa shpresë, nuk mund të mbijetohet, nuk mund të ecet në një progres sa do të vogel. Njërëzit që shfaqin pasion  japin shpresë dhe frymëzim për të tjerët. 

Integriteti. Mendohet që janë tre momentet kryesore të integritetit:  njohje e vehtvetes, sinqeriteti dhe pjekuria. Të njohësh vehten është një nga momentet më të vështira. Ai buron nga ndershmëria e të menduarit dhe të vepruarit, një përkushtim në parim dhe një saktësi në tërësi. Pjekuria është e rëndësishme për një lider, sepse të drejtuarit nuk është thjesht  të tregosh apo të urdhërosh të tjerët. Duke zotëruar këto kualitete liderët mund të inkurajojnë të tjerët. Integriteti është bazë e besimit i cili nuk është aq shumë element i lidershipit sesa produkt i tij. Është  një kualitet që mund të fitohet. Ai meret nëpërmjet bashkëpunimit nëpërmjet mardhënieve me pasuesit, por pa të cilin lideri nuk mund të funksionojë.

Kurioziteti dhe guximi. Liderët  kërkojnë në çdo gjë, dëshirojnë të  mësojnë më shumë se çfarë ata mundin, ata kanë vullnetin të rrezikojnë, të eksperimentojnë, të përpiqen në gjera të reja. Ata nuk tremben nga dështimet, por kufizojnë gabimet dhe mësojnë prej tyre. Të mësuarit nga vështërsite  është një tjetër elementë që do të ndeshet në të gjithë rrugen e liderit. 

Lideret zbulojnë vetveten. Ata nuk janë, meqë ra fjala të krijuar ne një seminar apo siç pretendojnë shumë teoricien nëpermjet leksioneve. Grekët e lashtë besonin që performanca bazohej në një ekuilibër përfekt të erosit dhe të standartit, të ndjenjës dhe të mendimit, të cilat sëbashku lejonin për të kuptuar botën në të gjitha nivelet. 

Pjesa më e madhe e jetës moderne varet në kompjutera dhe në rrjete kompjuterike.  Për shumë njerëz, ndërveprimi më i dukshëm që ata kanë me kompjuterin është shtypja në tastierën e tij. Pothuaj çdo njeri në fushën e biznesit apo në struktura qeveritare varet nga komunikimi elektronik; telefon, faks, e-mail, apo mesazhe të menjëhershëm  të cilët në mënyrë të dukshme mundësohen nga kompjutera. Pjesa më e madhe e sistemeve kompjuterike janë pjesë e një rrjeti, kryesisht nëpërmjet koleksionit të pafund të rrjetit kompjuterik global të njohur si internet. Një zhvillim i ri është edhe tendenca për të integruar aftësitë kompjuterike në të gjitha pajisjet dhe sistemet e integruara të rrjetit në një shkallë më të lartë. Këto zhvillime i kthejnë shumë sisteme kompjuterike dhe sisteme të komunikimit kritike në vetëvehte dhe për më tepër, ato bëhen pjesë e të tjera lloje infrastrukture kritike, nga sistemet e energjisë te ato të transportit.

Tipari  më i rëndësishme për çdo drejtues është të mendojë dhe komunikojë idetë e tij në mënyrë efektive. Lideri duhet të vlerësojë bazat e sistemit të informacionit të sotëm dhe rolin e tij në  rrethanat dhe impaktet  strategjike.  Shumë ende nuk po arrijnë të  kuptojnë që shpërthimi i informacionit  ka ngritur një valë batice me impakte ndryshimesh që prekin thellësishtë si strukturat ashtu dhe drejtuesit. Informacioni dhe teknologjitë e tij po bëhen gjithnjë edhe më dëndur elemente në përmirsimin e proçeseve analitike dhe vendimmarrëse.  Shumë procese, sot, realizohen nëpërmjet aplikimit të kompjutrave, komunikimit, sistemeve menaxhuese të informacionit ndaj edhe një raport i drejtë me ndikimin e tyre krijon epërsi me periudhat e mëparshme.  Shumë drejtues ende janë në vorbullën e dilemës  me efekte pozitive apo negative të influencës së teknologjisë në epokën globale të informacionit. Edhe pse disa, fillimisht ndjehen vështirë për tu adaptuar në këto ndryshime, eksperienca tregon që kur adaptohet një teknologji e re, sistemet ndihmojnë në marrjen e vendimeve mjaft të vështira duke dhënë zgjidhje efektive.  Sistemet e informacionit janë bërë të nevojshëm e jetik  në të gjithë aspektet e mjedisit strategjik dhe në punën e drejtuesve. Liderat dhe drejtuesit e sotem këtë ose nuk po e kuptojnë, ose nuk duan ta kuptojnë. Në gjykimin tim, sot lidershipi është në një krizë globale, prandaj kërkohet një ndryshim drejt Liderit të vërtetë dhe çka është më e rendësishme drejt një Lideri të besueshëm.

New York Shtator 2023

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Gëzim MUSTAFAJ

NË TIRANË, NË INSTITUTIN E KULTURËS ITALIANE…

September 14, 2023 by s p

Visar Zhiti/

– portrete –

U mblodhëm miq dhe shokë të shumtë, shkrimtarë e poetë e kritikë arti, gazetarë, profesorë e studentë, mësues të mi, bashkëvuajtës të burgut, fqinjë, klerikë, edhe italianë, bashkatdhetarë nga SHBA, salla plot në Institutin e Kulturës Italiane në Tiranë, do të flisnim për librin ”Sulle strade dell’inferno”, të botuar së fundmi në Itali.

Takimin e hapi drejtori i Institutit, Dr. Alessandro Ruggera, ndërsa gazetarja italiane, Annina Anninetta, njohëse e letërsisë së sotme shqipe, foli për autorin dhe librat. Pedagogia dhe studiuesja Belfjore Qose u ndal të vepra “Rrugët e ferrit”, te përkthimi maestos nga Prof. Matteo Mandalá, botim i entit “Besa” dhe kumtet njerëzore e universale që na vijnë nga vepra.

Më pas u kalua në pyetje dhe diskutime nga të pranishmit.

Në portret e tyre shikoja vëmëndja dhe mendimi qytetar, shqetesimin për kujtesën kolektive dhe vizioni që duhet krijuar për të ardhmen.

Takimi pati jehonë mediatike. Tani po e shoqëroj me përcjelljen që i bëri Albania Letterarianë Itali:

https://albanialetteraria.it/visar-zhiti-istituto…/

NË KRYEMINISTRI…

Filmi artistik për burgun e Spaçit,

për qëndresën e të burgosurve, që shkoi deri në revoltën e madhe, e cila bëri histori, ku u valëvit Flamuri ynë pa yll, i kuq me gjakun që u derdh, duhet bërë patjetër, jo për të qenë vetëm një pasurim i kinemasë shqiptare me një arritje dhe temë të re, krejt ndryshe nga ç’ka lënë trashëgim Kinostudioja e vjetër, në shumicë e dëmshme, por që të jetë dhe kujtesë, kujtesë me art, edhe edukim me të vërtetën, me art patjetër, që të jetë kulturë, por dhe qendrim i Shqipërisë. Me kë është ajo sot? Me persekutorët apo me të përsekutuarit?

Dhe regjisori i filmit, Namik Ajazi, kërkoi një takim tjetër me Kryeministrin, zotin Edi Rama. Shkuam bashkë, unë me cilësinë e autorit të skenarit, tashmë të mbaruar dhe ia përsëritëm që si regjisori, edhe skenaristi, po edhe piktori janë tre ish të burgosur politikë dhe në skenat e filmit do të donim që të përfshiheshin edhe të burgosur të tjerë, që kanë mbetur gjallë, tani në rolet e të moshuarve të burgut, gjë që do ta bënte filmin të veçantë në një aspekt të veçantë, të pazakonshëm, por dhe me domethënie, etj, etj.

Vëmëndja dhe interesi i Kryeministrit ishin serioze, ndërkaq u përshfaq dhe Edi artist e mik, ndezi një cigare, unë i dhurova librin “Dorëshkrimet e fshehta të burgut”, me poezitë e mia të Spaçit dhe Qafë-Barit, botimin anastatik nga Shtëpia Botuese Onufri, e shfletoi, paska dalë shumë mirë, tha dhe teksa pinim kafetë, se ku telefonoi, fliste për shuma parash dhe Spaçin… të bëhet muze që të xhirohet filmi… pastaj të na mbetet muzeu… edhe filmi, ndërhyri regjisori etj, etj. Mbasi mbaroi telefonatën, Edi Kryeministër iu kthye regjisorit:

– Ju filloni punën, – i tha bindshëm, – me partnerët e huaj, që keni gjetur të bashkëpunoni dhe me mundësitë e deritanishme, mbështetja financiare e qeverisë është e sigurtë, ju vjen brenda këtij viti!

Pra, filmi i munguar kështu nisi. Me besimin se do të jetë i vërtetë…

NJË SHTESË

– koment i thjeshtë komenteve –

REALIZIMI I NJË FILMI

është një art kokektiv, një ndërrmarje e madhe dhe nuk mjaftojnë as dëshirat e as fjalët, por kërkon mbështetje të madhe financiare.

– Në kushtet e Shqipērisë është shteti, qeveria që mund të lëvrojë një shumë të tillë parash me VKM-të e nevojshme.

– Ky nuk është veprim personal dhe as për përfitim personal, por gjykohet vlera e projektit, dobishmëria shoqërore e tij, etj, në këtë rast e muzeut të Spaçit dhe filmit për të.

– Paratë janë të popullit, të taksapaguesit shqiptar, pra dhe tonat…

– Mund të shtoj me dhimbje që është dhe puna e papaguar e të burgosurve politikë në vepra të ndryshme, në ndërtime, miniera, hapje themelesh e kanalesh, tharje kënetash, etj, ku është derdhur jo vetëm djersë, por edhe gjak e janë lënë eshtrat, pra ata, të burgosurit politikë, vetëm i kanë dhënë ekonomisë shqiptare, jo vetëm moralisht e politikisht.

– Tjetër: gjithsesi filmit, sipas regjisorit të tij dhe jo vetëm, i duhet të kërkojë mbështetje edhe nga producentë të huaj, gjë që ka të nevojshme së pari njohjen dhe mbështetjen e projektit nga vendi yt.

– Qeveria në fund të fundit del si rezultat i zgjedhjeve, që jemi të detyruar t’i pranojmë dhe ajo, qeveria, duhet të jetë jo e partisë fituese, por e të gjithëve, e popullit dhe na pëlqen apo nuk na pëlqen, kryeministri duhet të respektohet, bashkëpunimi në dobi të vlerave të përbashkëta është i pashmangshëm, dhe kryeministri duhet t’u shërbejë të gjithëve njëlloj, çështjeve dhe kauzave sipas hierarkisë së vlerave, me interes ekonomik e kulturor…

– Filmi për burgjet tona duhet dhe është më shumë se një film, më shumë se një vepër arti, nderim për qendrestarët, heronjtë dhe martirët, por dhe tregues gjeneral i qëndrimeve dhe i mendësive tona.

– Nëse ndokush apo grupe të caktuara njerëzish dinë mënyrë tjetër dhe më të mirë të realizimit të një projekti të tillë, që do të jetë dëshmi, kujtesë, akuzë dhe e gjitha e shndërruar në vepër arti, aq sa janë aftesitë dhe mundësitë, besoj është i mirëpritur për bashkëpunimin e dibishëm.

– Në mbyllje dua të shtoj për miqtë dhe për ata që kanë vuajtur nga përndjekjet dhe me të drejtë nuk bëjnë lëshime, për komentet e lajmit që dhashë (edhe sinqeriteti është guxim), se unë i jap rëndësi porosisë Biblike që t’i kthejmë armiqtë në vëllezër, kur tek ne po ndodh gjithnjë e më shpesh që vëllezërit po kthehen në armiq.

– Bashkarisht të bëjmë më të mirën!

Filed Under: Kulture

Fjalë

September 14, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Yogi Berra, është e njohur për shumë thënie në dukje pa kuptim.: “Unë me të vërtetë nuk thashë gjithçka që thashë”. Malapropizëm është përdorimi i gabuar i një fjale në vend të një fjale me një tingull të ngjashëm. Yogi Berra ishte i njohur për keqpërdorimet.

“Lërini të hanë tortë!” Nuk ka asnjë provë që mbretëresha franceze Marie Antoinette i tha këto fjalë në 1793, megjithëse ishte e mjaftueshme që ajo të humbiste kokën.

“Edhe bar do të hamë por nuk do të shitemi për 30 aspra”, tha Enveri, duke përzier një thënie të biblës, që ai vetë ia kishte fshirë popullit nga kujtesa.

Një “rrëshqitje frojdiane” i referohet një gabimi ose “rrëshqitjeje të gjuhës”, ku folësi thotë diçka që shpesh supozohet se do të thotë diçka tjetër.

Një “ndryshim semantik” është kur kuptimi i një fjale ndryshon për një sërë arsyesh. Për shembull, “faktoid” dikur nënkuptonte “një pohim të pasaktë që besohet të jetë i vërtetë”, por tani zakonisht do të thotë një fakt i vogël ose i parëndësishëm.

“Djemtë e mirë përfundojnë të fundit”, ka mbetur citati. Në 1946, Durocher tha në të vërtetë, “Djemtë e mirë janë kudo, në vendin e shtatë.”

George Washington citohet shpesh të ketë thënë “Unë nuk mund të them një gënjeshtër”, pasi u kap duke prerë një pemë qershie. Citati dhe pema janë të trilluara! Malapropizmat janë të zakonshme. Ato i kapërcejnë përkatësintë politike dhe kufijtë kombëtarë.

“Luaj përsëri, Sam” nuk u shqiptua kurrë nga Humphrey Bogart në Casablanca. Citati i vërtetë është “Play it, Sam”, (“përsëri” mungon) dhe është thënë nga Ingrid Bergman. Fraza “Mos gjuaj derisa të shohësh të bardhët e syve të tyre” i është atribuar Andrew Jackson në Betejën e New Orleans dhe gjeneralëve të ndryshëm në Betejën e Bunker Hill. Folësi i vërtetë mbetet mister.

Një mondegreen është kur një citim i gabuar merr një kuptim të ri. Mondegreens janë të zakonshme në muzikë, por ato mund të gjenden edhe në media të tjera. Kryetari i bashkisë Richard J. Daley i Çikagos ishte një personazh shumëngjyrësh, goja e të cilit ndonjëherë e fuste në telashe. Ai dikur iu referojej organizatës Alkoolikë Anonimë si “Alkoolistët Unanim”. Kryeministri rus Viktor Chernomyrdin mbahet mend për gafat e tij të shumta: “Më mirë se vodka, nuk ka asgjë më të keqe”. Kjo listë nuk do të ishte e plotë pa një ose dy bushizëm. Ish-presidenti Bush tha më 10 maj 2000: “Unë mendoj se jemi dakord, e kaluara ka mbaruar”. Një meme e zgjuar në internet është citat, problemi është që kurrë nuk dihet nëse është i vërtetë. Edhe pse deklarata ka disa të vërteta, ajo zakonisht u atribuohet njerëzve që nuk janë më.

Benjamin Franklin dihej se kënaqej me pirjen e pijeve alkoolike herë pas here, por ai kurrë nuk tha: “Birra është provë se Zoti na do dhe dëshiron të jemi të lumtur”, por citohet. Edhe pse presidenti i SHBA Teddy Roosevelt tha, “Ecni butësisht dhe mbani një shkop të madh”, burimi origjinal. ishte një proverb afrikan.

Filed Under: Komente

Satirë / Propozim modest për themelimin e një partie të re politike në Shqipëri

September 14, 2023 by s p

Melsen Kafilaj/Studiues

Kjo javë qe e mbushur plot e përplot me habere të reja; ndryshime dhe riciklime në kabinetin qeveritar, demokraci Bashiste, davete politike Gaspardhjane, dosje SPAKU me dhe pa Luleshtrydhe brënda, etj por crème de la crème qe lajmi mbi themelimin e një partie të re politike.U gëzuam shumë me thënë të drejtën se N+1+1 i Partive Politike në vend (132 të tilla të rregjistruara) është i vogël dhe i pamjaftueshëm për ndryshimin e Regjimit dhe Populizmi e Propaganda Politike janë ende të pakta në Atdheun tonë të boshatisur…

Të frymëzuar nga nisma politike e mësipërme (e cila është me pëlqim amerikan, sigurisht) por edhe nga rrethanat (boshatisja e vendit) thamë me vete: “Në djall të vejë! Pse të mos e nisim edhe ne themelimin e një partie të re politike?!” E meqë çdo shqiptar i thjeshtë e fisnik e ka në gen që të jetë Skënderbe mbi kalë, Kapidan e Kumandar dhe të ketë jeniçerët e vet, çetën e vet dhe çerdhen e vet të militantëve, përse të mos kemi edhe ne tonën?! Për këtë qëllim kemi hartuar një propozim modest të cilin e hedhim në mexhlis për konsumim publik për lexonjësit tanë.

Puna më e vështirë për shkrimin e këtij propozimi qe “çështja e emrit”.Emri është një çështje delikate dhe mjaft sensitive; gjykatoret të mbërthejnë prej zverku e s’të lënë që të shkosh pa të shtrydhur më parë mirë e mirë, polici të rras në hapsanë ndërsa shtetet të bëjnë madje që të ndryshosh edhe emrin për çështjen e emrit.Kështu që s’ka shaka me emrat! Pa e bërë dy, nisëm kërkimet. Partia e Gomerëve, Partia e Dashurisë, Partia e Rakisë, Partia e Bordellove Publike dhe e Kanabisit ishin të zënë me kohë e me vakt si emra.Kështu që pasi e vramë ca rradaken, gjetëm diçka më origjinale, më përfaqësuese dhe më internacionale dhe vendosëm ta quajmë “Partia WWW” (dabëllju, dabëllju, dabëllju).Flamurin politik nuk do ta kemi as të kuq, as blu dhe as lejla (një kombinim ky mes të kuqes dhe blusë, për ata që e njohin Teorinë e Ngjyrave) por bojë hiri (Ngjyrën e zezë na e kishin përvetësuar më parë për fat të keq Piratët e Detrave dhe ata të Kalifatit). Ndërsa logoja do të jetë 3W me dy vija paralele poshtë.Arsyeja?! Vu-Vu-Vu rrjedh vaj si lum dixhital!

Do të jemi një parti dixhitale; dmth pa zyra fizike, pa erë fizike dhe pa struktura fizike fare.Në parti s’do të kemi as Hierarki, as Kryetarësi dhe as Nënkryetarësi pasi të gjthë jemi Kryetarë. Duke qënë se të gjithë jemi Kryetarë, ne as nuk votojmë dhe as nuk zgjedhim askënd.Anëtarësia do të jetë e hapur dhe pa kuotizacione, dmth nuk do t’ju marrim leka, paunxha, evro apo dollarë të çdo shteti të botës as dorazi, as me llogari bankare, as me Bitcoins dhe as me “Go Fund Me” apo platforma të tjera. Si 132+1 Partitë e mësipërme as edhe ne nuk do të kemi ndonjë program politik por ndryshe prej tyre që ju premtojnë “parajsa me thasë” dhe ju japin “Noc Rrokun” pas çdo zgjedhjeje elektorale, ne as nuk ju premtojmë dhe as nuk ju zhvasim asgjë. Ne ju japim thjesht kohën tuaj, kohën tonë për ndryshim.

Si parti dixhitale me një “log dixhital”(kuvend) do ti japim përparësi diskutimeve, rrahjes së mendimeve, pranimit të mendimeve ndryshe por edhe të komenteve ndryshe (tek këto të fundit shqiptarët shkrijnë krejt talentin e tyre).As nuk do ti fshijmë, as nuk do ti filtrojmë komentet e tyre por do ti lëmë ashtu “sade” dhe transparente si për njëri-tjetrin ashtu edhe për hafijet e Pushtetit.Duke qënë transparentë në gjithëçka neve nuk do të na duhen as mbikqyrësit dhe as patronazhistët dixhital.Nocioni i një “zyre propagande e mbyshur cyt me data analysts, spin-doctors dhe fabrikator gënjeshtrash” do të jetë i huaj për ne.Kjo për arsyen e thjeshtë se me 80 e kusur vite propogande Populli është lodhur me marifetet e Artizanëve të Errësirës dhe një prej arsyeve që Atdheu boshatiset përbindshëm çdo ditë është pikërisht e njëjta ta-ta-ta e vjetër dhe kushtet e këqija të jetesës.Duke e parë realitetin me sytë tanë ne nuk e simulojmë dhe tjetërsojmë atë për ti bërë propagandë dhe për të gënjyer në mënyrë foshnjarake njëri-tjetrin.Ne nuk do të largojmë apo dëbojmë askënd prej Partisë tonë.Nëse dikush dëshiron me pëlqimin e tij që të hyj apo të dalë prej radhëve tona ai është vetëm një “log in” dhe një “log out” larg.Performancën tonë si Parti do ta masim si Perandorët Romakë në Koloseum, dmth “me gishtin sipër” (pëlqim) apo “me gishtin poshtë” (mospëlqim).Nëse e dhëntë ndonjëherë Perëndia- ky Demijurg i Madh i Botëve që të masivizohemi në kohë e hapësirë dhe të krijojmë qeverinë tonë, kjo e fundit do të jetë gjithashtu një qeveri dixhitale dhe proçedura e miratimit po e njëjta, dmth me gishta.Vetëm propozimet do ti bëjmë “me dorën virtuale ngritur”, pra si Spartanët e Lashtë.Duke qënë një qeveri dixhitale dhe rrjetesh sociale është e kuptueshme për rrjedhojë që jemi gjithashtu edhe “një qeveri klikimesh”.Ndryshimi i vetëm është që Ne nuk ndjekim në parim Juvenalin “ku survejuesi survejohet” dhe as nuk heqim kënd nga puna “për mosngritje a mosulje gishtash”.Ne as nuk ndëshkojmë dhe as nuk shpërblejmë pasi partia jonë dhe qeveria jonë dixhitale nuk e quan spiunllëkun punë.

PS: Propozuesit të këtij projekti në këtë çast është duke iu kalamendur koka dhe po i rrëshqet pena nga dora kështu që po e lë shkrimin përgjysmë për të bërë gjumin e zhegut.Në një çast të dytë do t’ju informoj gjerë e gjatë për këtë ndërmarrje utopike dhe synimet e saj.

Filed Under: Fejton Tagged With: Melsen Kafilaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT