• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2023

Në promovim të vlerave dhe virtyteve më të mira të popullit tonë

November 27, 2023 by s p

Prof.Asc. Dr. Gëzim MUSTAFAJ

Është një ditë Nëntori me ftohtësinë e zakonshme të fillim dimrit. Shumë shoqata Shqipëtare këtu në New York janë mbledhur për festat e Pavarsisë dhe të Çlirimit të atdheut tone. Edhe Association of “Skënderbej”, (Shoqata Skënderbej), në Restaurant PINE 19 13 Bronxdale Avenue, Bronx, NY 10462 organizon mbasditen e 26 nëntorit, takim festiv për këto ngjarje të rëndësishme të biografisë së kombit shqiptar,111-vjetorin e Pavarsisë dhe 79-vjetorin e Çlirimit. 

Si zakonisht mjedisi festiv fillon nën tingujt solemn të dy himneve, të atij Shqiptar dhe Amerikan. Më pas modratorja e aktivitetit Znj.Nadire Xhakolli pasi u uroj të pranishëmve mirëseardhjen dhe gëzuar festat i dha fjalen Presidëntit të shoqates Profesor Asc. Dr. Gëzim MUSTAFAJ, ku midis të tjerave ai theksoi; Pavarësia e shpallur në Vlorë më 28 nëntor 1912, është një product kompleks, shumë dimensional, shumë faktorësh. Ajo ditë sot quhet Dita e Pavarësisë së Shqipërisë por në fakt ajo u arrit me kontributin e të gjithë shqiptarëve kudo që ndodheshin në trojet e tyre nga Çamëria deri në Kosovë si dhe nga Durrësi deri në Luginën e Preshëvës.  Më 28 nëntor 1912 në orën 14.05 do shpallej pavarësia e Shqipërisë, ndërsa flamuri do të shpalosej nga Ismail Qemali në orën 15.12 minuta nga dritarja ku ishte mbledhur kuvendi.

Në përbërje të Kabinetit të saj të parë, si një ndër ministritë kryesore u përfshi edhe Dikasteri i Luftës apo i Mbrojtjes Kombëtare, me në krye një oficer madhor karriere, me shumë përvojë drejtimi, organizimi dhe luftarake, GjeneralBrigade Mehmet Dërralla (Tetova). Detyrat e këtij dikasteri ishin që të organizonin mbrojtjen e territoreve. Pak muaj më pas, më 4 Maj 1913, u krijua edhe Shtabi Madhor, që përbënte njëherëshi zyrën numër Një të Ministrisë së Luftës. 

Data 28 Nëntor ka edhe dy ngjarje të shënuara për popullin Shqipëtarë të Kosovës. Më 28 nëntor 1955 lindi Komandanti Legjendarë Adem Jashari, që për interest kombtare dhe çlirimin e Kosovës dha jetën së bashku me gjithë familjen e tijë, duke luftuar dhe qëndruar heroikisht për 3 ditë me radhë përballë forcave ushtarake dhe policore Serbe. Më 28 Nëntor 1997, në varrimin e mësuesit Halit Geci të vrarë nga ushtria dhe policia serbe, UÇK, ajo që do ti sillte lirine dhe pavarsinë Kosovës, pas disa vite në ilegalitet, doli hapur me uniformën, simbolin dhe flamurin kombtarë.

Edhe Lufta Nacionan-Çlirimtare është një nga ngjarjet më të shënuara në historin e popullit tonë. 

Pak kohë mbas shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria u rendit në Aleancen Antifashiste Botërore, në krah të ShBA, BS dhe Britanisë së Madhe. Me krijimin e Frontit Nacional-Çlirimtar, lufta jonë u bë pjesë e luftës antifashiste botërore dhe u hodhën bazat e rreshtimit të Shqipërisë në Koalicionin Antifashist.

Më pas përshendeti Kryetari i Organizates së Veteranëve të Luftës të UÇK, Z. Astrit HUSKAJ. Mbreselënëse ishte përshëndetja që Z. Huskaj solli nga bashkëluftëtarët, strukturat drejtuese të   UÇK në Kosovës dhe midis tyre edhe të djalit të Komandantit Legjendar Adem Jasharit, Lulëzim Jashari.

Në vazhdim përshëndeti Presidenti i nderit i shoqatës Z. Bujar HASANI.

Amosfera u zbukurua me këngëtarin dhe DJ anëtarin e shoqates Z. Agim Shiqerukaj.

Mbresat si përher janë të shumta, por në këtë ditë të shënuar do të veçoj momentin kur, nëpërmjet një torte të përgatitur enkas për të, të gjithë anëtaret e shoqatës i uruan shoqes së shoqatës njëkohësisht dhe anëtare e boedit Blerta Gjevori 50- vjetorin e lindjes.

Nën tingujt e muzikës, valles, trokitjes së gotave, dashamirësis dhe mikpritjes vazhdoj gjithë aktiviteti. Një falënderim special është për anëtarët e rinj të shoqatës si dhe të gjithë të ftuarit që nderonin me pjesëmarrjen e tyre në këtë aktivitet.

New York 26 Nëntor 2023

Filed Under: Ekonomi

27 NËNTOR 1971…SI PËRKUJTOHEJ FISHTA TEK ARBËRESHËT

November 27, 2023 by s p

Frano Kulli/

Na e përshkruan Ernest Koliqi një përkujtim syresh, në “Shejzat” e tij.  – Shqiptarët e diasporës – shkruan ai – të cilëve nuk ua ka helmatisë shqisen nji propagandë dinake e zhgatrrimtare e me burim të huej qi denon si shprehje antishqiptare mun undyrën mâ gjeniune shpirtnore të kombit t’onë, kanë përkujtue gjithkund në botën e lirë auktorin e Lahutës së malcís.

Është viti 1971, rasti për të cilin na bën me dije Koliqi, njëri prej atyre shkrimtarëve të shënuar në historinë e letërsisë shqipe. Qendra ndërkombëtare e Studimeve Shqiptare të Palermos, e cila “përsjell tash sa vjet me nisma të parreshtuna lartushtuese [që ushtojnë së larti], çdo rasë në shênj të historís ase të kulturës sonë” e kishte programuar qysh në prill të atij viti, atë që do të bëhej e rreth së cilës do të përbashkoheshin më të dallueshmit puntorë të kulturës kombëtare në diasporë. Atë Zef Valentini ishte në krye të kësaj qendre e, për rrjedhojë edhe në krye të këtij kremtimi. Italiani jezuit, ndër albanologët më të shquar në botë, i ndodhur aty, qysh prej 15 dhjetorit të 1955-ës, atëherë kur u vendos në drejtimin e Katedrës së Gjuhës e të Letërsisë Shqipe pranë Universitetit të Palermos, e cila u bë një nga qendrat e spikatura të kulturës së vërtetë shqiptare jashtë Shqipërisë. At Valentini me ardhjen e trupave gjermane më 1943, u largua nga Shqipëria drejt Romës e vijoi punët në Institutin Oriental Papnor. Rikthehej në Italinë e tij, mbas dy dekadave që kishte zatetë për herë të parë në Shkodër (me 1922) në Urdhnin e Jezuitve aty, tashma i realizuar në shkallë të epërme, me një vepër monumentale në fushë të Albanologjisë. Edhe më heret, para mbarimit të luftës së dytë botërore, më 5 dhjetor 1940 kur ende ishte në Shqipëri, qe emëruar anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare. Me 1941 u vendos në Tiranë, ku u caktua edhe sekretar i këshillit të Institutit e vijoi aty  derisa i riatdhesua. Pa iu ndarë asnjëherë, derisa mbylli sytë, albanologjisë e kulturës shqiptare.

E në këtë hulli, me 27 nëntor të atij viti (1971) në Aula Magna të Universitetit të Palermos (vërté e madhnueshme – e përshkruan Koliqi) u mblodh Kongresi i VII i Qendrës “Rozolin Petrota”, kushtuar i gjithi Fishtës, në përvjetorin e 100-të të lindjes. Me një varg referatash tue u mbajt fryma e naltë shkencore qi duhet të dallojë të tilla nisma,  përfundim ky i Koliqit, që mishërohej në vetë ligjëruesit dhe kapacitetin e tyre shkencor, kulturor e shqiptarídashës.

At Valentini, drejtuesi i Qendrës trajtoi argumentin zgjedhë prej tij: “At Fishta misjonar”. Në këtë pikëpamje At Gjergji njihet pak, arsyetonte ai edhe pse me zell të madh ka ushtrue detyrat e tij si famullitar e predikatar; si mësues në kurse fetare e si bashkëpuntor në të përkohëshme e fletore të përshpirtëshme. Mbas At Valentinit, i erdhi radha prof. Koliqit, tema e të cilit “Fishta në shërbim të politikës kombëtare”, parashtroi idenë  se veprimtarisë aq e dobishme dhe e frytëshme e Poetit Kombëtar në dobi të atdheut, qe frut i përkushtimit  të tij, tue qëndrue sipër rrymave politike siç e veçonte me theks të posaçëm kumtuesi.

Kurse prof. Namik Resulli i Universitetit të Napolit, historian i letërsisë, akademik shqiptar shtjelloi temën “Struktura të poezisë së Fishtës, një anë shumë interesante e prodhimit letrar fishtjan, tue vu në dukje ndikimin që pati në té fryma e ligjeve doksore, d.m.th. ajo e Kanunit. Prof. Resuli, bashkëkohës e bashkëpunëtor i Koliqit, pasi kishte doktoruar “Mbi shtresëzimet në gjuhën shqipe”në fillim të viteve ’30, gjatë viteve 1940 – 44 ai qe dhe anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare në Tiranë. Vijoi aktivitetin e vet intelektual si pjesëtar i Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare në Universitetin e Palermos (1948-1957). Në vitin 1955 Resuli mori gradën shkencore (“libera docenza”) në Gjuhën e Letërsinë Shqipe dhe u emërua kreu i Studimeve Shqiptare në Institutin Universitar Oriental të Napolit (1958-1968) dhe vazhdoi aty si profesor deri më 1975. U mor me studime të ndryshme në fushën e Filologjisë Ilirike.U emërua kreu i Institutit të Studimeve Shqiptare në Romë më 1975, pasi ndërroi jetë Koliqi.

Martin Camaj i Universitetit të Mÿnchenit, gjuhëtar akademik, me hollësinë e pregatitjes së tij gjuhësore, kishte zgjedhur të fliste mbi “Gjuhen e Gjergj Fishtës në Lahuten e Malcis’ “. Me nji përimtim depertues ditunuer parashtroi lidhjet e ngushta të ligjrimit fishtjan me të folmen popullore dhe procesin krijues të shprehjeve typike fishtiane tue ndjekë për s’afërmi kallepin e trajtave të popullit.Në këtë shndërrim shpesh nuk mund të përcaktohet, përsa i përket njaj thanjeje a lokucjoni, a e mori Fishta prej popullit apo populli prej Fishtës.-kështu e përcakton Koliqi në “Shejzat”, thelbin e ligjëratës së Camajt, në atë takim përkujtimor.

I fundit që e mori fjalën për të kumtuar ishte Prof. Papas Ignac Parrino, docent i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Palermos, i cili “e ka begatë albanologjín me nji perkthim literal shumë të censhëm të Lahutës, përsjellë me shënime të gjithnuerta historike, gjuhësore, letrare, etnografike, juridike (të së drejtës kanunore), estetike etj”. Docenti i ri foli mbi temën “Fishta në prespektivën e kulturës shqiptare” dhe, tue prekë anët e ndryshme të veprës fishtjane u perqëndrue në caktimin e vlerës kryesore të saj, d.m.th. në zbulim të botkuptimit të shqiptarit, botkuptim i themeluem në vlera të nalta njerëzore si nderi, burrnija, mikpritja, kulti i Perendis e i trashigimit stergjyshuer”, shënon Koliqi.

Kurse nga preludi i Kongresit, në bisedat përgatitore, mbase duhet veçuar ky kumt i Koliqit: “Na, në botë të lirë ku nuk pengohet me mjete dhunëshme kulti i shqiptarizmit të njëmendtë e kemi për detyrë përkujtimin e auktorit të Lahutës së malcis’. Mirë qofshin të ardhuna kremtimet të çdo lloji, por mos të lehet mbas dore mënyra e dêjë për të nderue Poetin qi bani të nderueshëm gjakun shqiptar. Ajo mënyrë nuk asht tjetër veçse leximi i veprave të tija…ku tregohet rruga qi duhet ndjekun për t’u radhitë ndershmënisht përbri kombeve të përparueme”.

…Palermo, 1971. Asokohe, këtu në Shqipëri nuk pipëtinte asnjë tingull prej andej; përmendja e emrit të Fishtës ishte “blafemí ”.

“GJERGJ FISHTA”, Portret, Pashk Pervathi, 2022

Filed Under: Histori

NEXHIP DRAGA, VEPRIMTARIA E TIJ ATDHETARE, POLITIKE E ARSIMORE-KULTURORE NË SHERBIM TË ÇËSHTJES KOMBETARE SHQIPTARE

November 26, 2023 by s p

Dr. Paulin Marku/

Nexhip Draga rrjedh nga familja e Dragajve, një prej familjeve më të njohur në Mitrovicë dhe me kontribut të çmuar patriotik e politik për çështjen kombëtare shqiptare. Profili politik, atdhetar e kulturore i Nexhip Dragës dëshmohen nëpërmjet kontributit politik, financiar e luftarak për çështjen atdhetare shqiptare. Ai mbajti poste drejtuese si kajmekam i Pejës, deputet, organizator i ngjarjeve të rëndësishme atdhetare por edhe si një politikan i matur e përfaqësues i shqiptareve në parlamentin e Stambollit. Zgjedhja e deputetit shqiptar në vitin 1908, ishte zë i forte për të shprehur pikëpamjet politike, atdhetare kulturore në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare. Gjatë fushatës politike dhe në qëndrimet parlamentare krerët shqiptar ishin të ndare midis atyre që besonin në propagandën politike xhonturke që iu premtuan shqiptarëve: do të zbatonin me korrektësi ligjet e kushtetuta perandorake; do të trajtonit me prioritet problemet emergjente të tyre; largimi i zyrtarëve të korruptuar, respektimi i privilegjeve të vjetra, reduktimi i taksave, sigurinë që do të lejoheshin të mbanin armët e tyre dhe do të çeleshin shkolla shqipe. Pati edhe prej atyre që nuk mbështetën fushatën elektorale të Turqve të Rinj dhe qëndruan në opozite me qeverinë.

QËNDRIMI I DEPUTETIT SHQIPTAR NEXHIP DRAGA

Nga krahinat shqiptare, u zgjodhën shumë deputet shqiptarë, ku vetëm një pjesë e tyre si Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Shahin Kolonja etj., përfaqësonin forcat patriotike shqiptare, të cilët shfaqen hapur kundërshtitë ndaj politikës xhonturke dhe u rreshtuan në krahun e opozitës parlamentare.

Nexhip Draga ishte një prej përfaqësuesve politik shqiptar që qëndroi përkrah opozitës dhe u rreshtua në mbrojtje të çështjes dhe interesave kombëtare shqiptare. Ai mbështeti grupin e deputeteve shqiptar duke u përballur me debate të forta parlamentare kundër qeverise dhe Portës. Ajo që forcoi lidhjet e deputetëve shqiptar ishte nisma e qeverise për çështjen shqiptare. Nexhip Draga iu bashkua mbështetësve të linjën opozitare, së bashku me deputetët shqiptar, Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Shahin Kolonja, etj, kundërshtuan reformat e politikës xhonturke dhe vepruan në parlament si grup kombëtar në mbrojtje të interesave të bashkëkombësve. Po ashtu, grupimi opozitar shqiptar në parlament shprehu hapur qëndrimin e tyre dhe mbajti qëndrim kur u diskutua çështja e alfabetit dhe zgjedhja e përdorimit të germave (arabe apo latine) për gjuhën shqipe.  Kjo çështje pati debate të ashpra midis shqiptarëve dhe Portës së Lartë. Por ndryshe nga sa pretendonte grupi i deputetëve turq që nisma e tyre do të mbështetej nga shqiptarët, rezultoi ndryshe. Futja e alfabetit me germa arabe, jo vetëm që nuk u mbështet nga shumica e shqiptarëve por kjo nismë u kundërshtua nga opozita parlamentare shqiptare dhe hasi rezistencë dhe u kundërshtua nga shqiptarët katolikë, të cilët u mbështetën nga shqiptarët myslimanë dhe ortodoksë duke mbajtur një qëndrim të përbashkët pa dallim feje e krahine për zgjedhjen e alfabetit me germa latine në shërbim të interesave kombëtare shqiptare. Nexhip Draga, së bashku me drejtues politik shqiptar kundërshtuan futjen e alfabetit arab në trojet shqiptare dhe argumentonin se kjo ishte një e padrejte ndaj shqiptarëve. Ata iu kërkonin autoriteteve që mos të ndërhyjnë por të lejnë shqiptaret të lirë që të vendosin vetë për përdorimin e alfabetit. Shqiptarët akuzonin qeverinë se po ju mohonte të drejtat e tyre.

NEXHIP DRAGA DHE PËRPJEKJET PËR GJUHEN SHQIPE  

Qëndrimi i shqiptarëve për çështjen e alfabetit u shfaq qartë gjithandej dhe iniciativa e intelektualëve shqiptarë që u mblodhën në “Kongresin e Alfabetit” në nëntor të vitit 1908, në Manastir, ku morën pjesë përfaqësues nga qendra e klube kombëtare, shoqëritë letrare dhe nga redaksitë e gazetave shqipe ishte një vendim i rëndësishëm për të ardhmen e kombit shqiptar. Nga pjesëmarrësit në Kongres u përzgjodhën 32 delegatë, të cilët formuan komisionin që do të caktonte alfabetin e përbashkët për gjuhën shqipe. Rezultatet e votimeve për komisionin e hartimit të alfabetit ishin: Kryetar i komisionit At. Gjergj Fishta, nënkryetar Mit’hat Frashëri, sekretar Luigj Gurakuqi, Dom Nikoll Kaçorri, Dom Ndre Mjeda, Lef Nosi, Dhimitër Buda, Shahin Kolonja, Sotir Peci, Bajo Topulli, Nyzhet Vrioni, Akile Eftimi Leonidha Naçi etj.

Vendosja e alfabetit me germa latine shkaktoi pakënaqësi tek xhonturqit pasi prisnin që nisma e tyre do të mbështetej nga shqiptarët.

Përpjekjet e vazhdueshme të shqiptarëve për futjen e gjuhës shqipe nëpër shkolla mbështetej nga shqiptarët. Klubi i Shkupit u përpjek për futjen e gjuhës shqipe në shkollat shtetërore turke, madje në vitin 1908, pati tentativa për shndërrimin e tyre në shkolla shqipe, ku klubi i Shkupit, veçanërisht, Nexhip Draga u angazhua në këtë proces, edhe si një nga drejtuesit e tij. Nëpër disa shkolla të ndryshme fillore në Kosove si në Pakashticë, në Dumicë, në Dumosh etj., me iniciativën e mësuesve dhe klerikëve atdhetare u bënë përçapje për të futur mësimin e gjuhës shqipe dhe për t’u mësuar fëmijëve shkrim e këndim në gjuhën shqipe. Hapja e shkollës më 1 dhjetor 1909 në Elbasan “Shkolla Normale (pedagogjike)” pati 160 nxënës. Ata vinin në Elbasan nga të gjitha krahina e Shqipërisë. Gjatë vitit shkollor 1909-1910 rreth 50 nxënës, kishin ardhur nga Kosova, Rrafshi i Dukagjinit, e Dibra. Ata ishin dërguar nga klubet shqiptare, me kujdesin e veçantë dhe përkushtim të atdhetarëve shqiptarë si: Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Bajram Curri. etj. Në këtë periudhë të rëndësishme të arsimimit të gjuhës shqipe, klubi arsimor i Shkupit pati përpjekje të vazhdueshme për hapjen e shkollave shqipe në vilajetin e Kosovës, në Moravë, në Gjilan, etj., për të mësuar fëmijët e atyre zonave dhe të fshatrave përreth.

Po ashtu, gjate kësaj periudhe pati fushatë për ngritjen e shkollave shqipe, në Prizren, në Gjakovë, në Pejë dhe në Vuçiterna.

Në janar 1910 klubi i Shkupit ngriti një shkollë private shqipe po në këtë qytet, ndërsa një muaj më pas, në shkurt u hap një shkolle shqipe në Mitrovicë. Në këtë veprimtari patriotike klubi i Shkupit, me një prej drejtuesve më aktiv, Nexhip Draga, i cili luajti rol pozitiv për përhapjen e shkollave dhe gjuhës shqipe.  

Kjo veprimtari atdhetare për të vepruar të lire me mësimin në gjuhën shqipe dhe përzgjedhjen e alfabetit, pati kundërshti nga autoritete qeverisëse. Në shkurt të vitit 1910 valiu i Kosovës urdhëroi mbylljen e të gjitha shkollave shqipe në këtë vilajet dhe të hiqej mësimi i gjuhës shqipe nga shkollat shtetërorë turke. Ministri i Arsimit deklaroi në fillim të vitit 1910 se “Qeveria turke do të qëndrojë neutrale në punët e alfabetit, por në shkollat shtetërore do të vërë në zbatim alfabetin arab”. Ky urdhër u kundërshtua nga Hasan Prishtina, Nexhip Draga e atdhetar të tjerë shqiptar që protestuan kundër këtyre veprimeve dhe i kërkuan Stambollit largimin e valiut nga Kosova. Disa prej deputetëve atdhetar shqiptar si, Ismail Qemali Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Shahin Kolonja, etj., të zemëruar nga veprimet e qeverise i dërguan kryeministrit letër proteste dhe i kërkonin që të respektohen të drejtat e legjitime të shqiptareve, të lihen të lire për përdorimin e alfabetit që dëshirojnë dhe i kërkonin që qeveria të mos të ndërhyhet në çështjen e përdorimit të alfabetit.

NEXHIP DRAGA

Çështja shqiptare ndiqej me interes nga politika e Stambollit. Brenda parlamentit pati teza dhe kundër teza midis deputeteve shqiptar dhe atyre pro veprimeve qeveritare. Përfaqësuesit shqiptar në parlament mbronin kauzën e bashkëkombësve dhe kundërshtuan tezat e sjella nga përkrahësit e nismës qeveritare, të cilët shpreheshin pro për shtypjen e çdo lëvizjeje kundër qeverisë apo të kryengritjeve kundër autoriteteve turke. Gazeta “Dielli” 29 prill 1910 Boston botonte për ngjarjet në Shqipëri me titull “Kuptimi i vërtetë i kryengritjes në Gegëri” ku pohonte se përkrahës të nismës parlamentare ishin: Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Myfit beu, Fuat Pasha etj., të cilët mbrojtën me guxim e me fakte çështjen shqiptare. Grupi i deputetëve shqiptar mbrojtën luftën në Kosovë kundër qeverisë xhonturke dhe për ketë arsye në parlament u bë një diskutim i madh më 12 prill 1910 që iu kërkonin qeverisë, zbatimin e të drejtave kushtetuese në Shqipëri. Sipas gazetës “Dielli” debatet ishin të ashpra dhe aty u bisedua gjer e gjatë çështja e kryengritjes në Shqipëri. Deputetet e Shkupit me në krye Hasan Prishtinën dhe Nexhip Dragën ishin kritik ndaj veprimeve dhe qortuan sjelljen e qeverisë.  

Këto ngjarje u njekën me interes nga intelektual shqiptar jashtë parlamentit të cilet ishin të shqetësuar për gjendjen në vendlindje. Luigj Gurakuqi shprehte vlerësime të larta në shkrimin e botuar në gazetën “Dielli” e “Flamuri” më 10 qershor 1910, në lidhje me dërgimin e qeverisë për shtypjen e lëvizjes në Kosovë dhe qëndrimin e deputetëve shqiptarë në parlament. Ai vlerësonte qëndrimin e  tyre dhe pohonte se, “deputetët shqiptar Hasan Prishtina dhe Nexhip Draga, të cilët janë më të zotët se asnjë tjetër të gjykojë mbi këtë punë, atë ditë që u fol në parlament ua hodhën të gjithë fajin nëpunësve të Qeverisë”.    

Kryengritjet shqiptare ishin objekt bisede në seancat parlamentare dhe ato u shoqëruan edhe me debate të forta midis deputeteve shqiptare dhe përfaqësuesve të qeverisë xhonturke. Veprimtaria politike dhe situata e vështirë në tokat shqiptare ndiqej me interes nga shtypi i kohës.  Gazetat pranë qeverisë mbështesnin politikat xhonturke, ndërsa shtypi patriotik shqiptar mbështeste veprimtarinë e drejtuesve shqiptar. Gazeta “Liri e Shqipërisë” mbështeste atdhetarët shqiptarë dhe qëndrimet e saj publike shqetësuan xhonturqit. Gazeta i bënte thirrje popullit që të mos mbështesin politiken e as kandidatët e “Turqve të Rinj” në zgjedhjet e vitit 1912. Ajo ftonte shqiptarët të mbështesnin kandidatet atdhetar shqiptar, si: Ismail Qemalin, Hasan Prishtinën, Nexhip Dragen, Ibrahim Temo, Haki Mborjen, etj,.  

Viti 1912 cilësohet si një prej momenteve delikate për fatet e popullit shqiptar dhe të ardhmen e tokave shqiptare. Për shkak të dobësimi perandorak dhe aspiratat e vazhdueshme të fqinjëve ballkanik për t’u zgjeruar në dem të tokave shqiptare. Krerët shqiptar ishin në kërkim të armëve, të hollave, si dhe të organizimit të popullatës për t’u vunë në lëvizje për fatet e të ardhmes së Shqipërisë dhe tokave shqiptare.

Nexhip Draga shfrytëzoi njohjet e tij me diplomatet e huaj për të kërkuar ndihmë. Konsulli italian në Sarajeve shprehej se Nexhip Draga nga Mitrovica ka marrëdhënie të mira me Austro-Hungarinë. Citoj dokumentin e nisur nga diplomati italian nga Sarajeva, Augusto Stranieri dërguar për në Romë, më 18 maj 1912 njoftonte “gjatë kohës së qëndrimit tim në Shkup njëra prej familjeve me influencë të Mitrovicës, ajo e Dragajve nuk e fshihte simpatinë e saj për Austrinë dhe mbante raporte të vazhdueshme me konsullatën austro-hungareze. Tani udhëheqësi i kësaj familje, Nexhip Bej Draga, i rizgjedhur në zgjedhjet e fundit politike osmane bashkë me deputetin Hasan Beu është frymëzues, siç thuhet i trazirave aktuale shqiptare, një prej udhëheqësve më të zjarrtë të partisë opozitare”. Në përfundim të dokumentit pohohet se Nexhip Draga, si të gjithë udhëheqësit e opozitës, janë në kulmin e zemërimit për të gjitha shtypjet e bëra nga komuniteti “Bashkim e Përparim”. [1]

Nexhip Draga vijonte udhëtimin e tij për të siguruar ndihma për të përballuar luftimet, si dhe për të kërkuar mbështetje diplomatike. “Revolucionarët e vilajetit të Kosovës (mes tyre të mirënjohurit Nexhip bej Draga e Hasan bej Prishtina) për të kërkuar ndihmë pranë Fuqive të Mëdha, janë ndaluar për 5 ditë tek kryeministri malazez në Cetinë.[2] Pas këtij takimi që nuk jepen detaje se fare u diskutuan, krerët shqiptarë u rikthyen në atdhe dhe u vunë në krye shërbim të kryengritjes së vitit 1912, e cila shpërtheu në Kosove.[3]

Nexhip Draga gjendej përkrah drejtuesve shqiptar. Këtë e pohonte edhe diplomati italian nga Sofja ku pohonte se “një burim i sigurte më njoftojnë se një ish deputet i Prishtinës Hasan Beu dhe kushëriri i tij Zejnullah Beu të cilët deri më tani kishin organizuar çetat nga larg, janë bashkuar me to. Ish deputeti Nexhip Draga, i njohur dhe shumë i pasur dhe i mirënjohuri Isa Boletini kanë lënë Mitrovicën dhe janë larguar në drejtim të papërcaktuar, por thuhet se janë bashkuar me kryengritësit”. Po ashtu diplomati italian nga Athina pohonte se edhe konsujt helen raportojnë mbi ngulmimin e kryengritjes shqiptare dhe konfirmojnë që ish deputetët Basri Beu, Hasan Prishtina e Nexhip Draga, bashkë me të tjerë krerë me influencë, janë bashkuar me rebelët duke i dhënë kështu një karakter politik lëvizjes[4].

Gjatë kryengritjes së vitit 1912 në Kosovë, Nexhip Draga gjendet aktiv në lëvizjen patriotike shqiptare. Në njoftimin e ministrit Fuqiplotë italian në Sofje për Ministrinë e Jashtme mbi dërgimin e një memorandumi tek Veziri i Madh dhe valiu i Kosovës të firmosur nga krerët shqiptarë gegë dhe toskë ku thuhet se: “Konfirmohet se edhe ish deputeti Nexhip Draga dhe Isa Boletini janë bashkuar me çetat e armatosura dhe ndodhen aktualisht në krahinën e Hasit (Gjakovë). Kërkohet gjithashtu që edhe ish deputeti Ismail Qemali të bashkohet me rebelët. Raportohet se i është paraqitur valiut të Kosovës dhe njëkohësisht edhe Vezirit të Madh një memorandum i firmosur nga krerët shqiptarë toskë dhe gegë duke kërkuar:

– Emërimin e një guvernatori të përgjithshëm shqiptar për të gjithë Shqipërinë dhe caktimin e kufijve shqiptarë;

– Zëvendësimin e funksionarëve osmanë me funksionarë shqiptarë;

– Buxhet të veçantë për Shqipërinë;

– Përdorimi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare[5].

Në korrik 1912, Hasan Prishtina në bashkëpunim me Nexhip Dragën, e krerë të tjerë shqiptarë i dërgojnë qeverisë në Stamboll një peticion për të ardhmen e Shqipërisë. Po ashtu, Nexhip Draga ka kontribut të çmuar atdhetar për çështjen kombëtar shqiptare, por në ditën e Pavarësisë nuk është pjesëmarrës në Vlore më 28 nëntor 1912 sepse në prag të shpallje së Pavarësisë së Shqipërisë, së bashku me Hasan Prishtinën dhe disa atdhetar të tjerë shqiptar ishin ndaluar nga qeveria e Beogradit. Nexhip Draga ka kontribut të madh si drejtues në ngjarje të rëndësishme të të ardhmes së Shqipërisë, si në sferën politike, pjesëmarrës në kryengritje, si dhe në veprimtari arsimore e kulturore.


[1] AMAE në AIH, Fondi: Serie Politica “P” (viti 1912), Pacco 674, img 7967, 7968

[2]AMAE në AIH, Fondi: Serie Politica “P” (viti 1912), Pacco 672, img P1000964

[3] AMAE në AIH, Fondi: Serie Politica “P” (viti 1912), Pacco 674, img 8074

[4] AMAE në AIH, Fondi: Serie Politica “P” (viti 1912), Pacco 674, img 7478

[5] AMAE në AIH, Fondi: Serie Politica “P” (viti 1912),Pacco 674, img 7752-7753

Filed Under: Komente

PROJEKTI I SYRJA BEJ VLORËS PËR ORGANIZIMIN E NJË KUVENDI KOMBËTAR NË NËNTOR 1912

November 26, 2023 by s p

PROF.AS.DR. MAJLINDA PEZA PERRIU/

Ismail Qemali nuk ishte protagonisti i vetëm në veprimtarinë e tij për krijimin e shtetit të pavarur shqiptar. Me fillimin e Luftës së Parë Ballkanike, në qendër të veprimtarisë për krijimin e shtetit shqiptar qëndronte edhe kushëriri dhe njëkohësisht rivali i Ismail Qemal bej Vlorës, Syrja bej Vlora, së bashku me të birin 27-vjeçar, Eqerem bej Vlorën. Syrja beu kishte krijuar kontakte të rëndësishme diplomatike për organizimin e një mbledhjeje të madhe me përfaqësues të popullit dhe krerëve shqiptarë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, ku do të vendosej për qëndrimin që do të mbahej gjatë ngjarjeve të pritshme të vjeshtës së vitit 1912. 

Për këtë problem, Eqerem bej Vlora shkruante: Im atë u lidh me njerëz në Vlorë, në Gjirokastër dhe Berat, ai shkroi letra dhe dërgoi lajmësa ngado. Mirëpo, për domosdoshmërinë e kësaj mbledhjeje nuk ishin të bindur as përkrahësit tanë më të afërt, pa folur këtu kundërshtarët. Në veçanti, kundërshtarët tanë, krejt specialë, të Vlorës thoshin se nuk mund të merrej asnjë vendim pa dëgjuar më parë se ç’thotë për këtë punë Ismail Qemal beu (se fundja ishte ai i pari i familjes Vlora). Që në fund të vitit 1911 disa prej tyre e kishin takuar politikanin plak në Korfuz dhe tregonin se ai kishte folur për kryengritje, por nuk kishte përmendur asnjë fjalë për nevojën e thirrjes në vend të ndonjë mbledhjeje. Veprimtaria e Syrja bej Vlorës u intensifikua përgjatë vjeshtës së vitit 1912, për shkak të rrethanave të reja të krijuara me fillimin e veprimeve ushtarake të shteteve ballkanike ndaj trevave shqiptare, në kuadrin e Luftës së Parë Ballkanike.

Nga fundi i shtatorit të vitit 1912, Eqerem bej Vlora [i biri i Syrja bej Vlorës] do të shkonte në Vjenë. Atje ai zhvilloi disa takime të rëndësishme me përfaqësuesit më të njohur të diplomacisë vjeneze, sikurse ishin: shefi i seksionit, kryekonsulli Alfred Rappaport, njohës i mirë i çështjes shqiptare; konti Berchtold, ministër i Punëve të Jashtme të Austro–Hungarisë dhe shefi i shtabit të përgjithshëm, konti Konrad fon Hëtcendorf. Pas kthimit të tij në Vlorë në ditët e para të tetorit 1912, në Vjenë do të shkonte i ati i tij, Syrja bej Vlora. Me fillimin e Luftës së Parë Ballkanike, në rrethin e gjerë të politikanëve austriakë, ekzistonte mendimi se Perandoria Osmane do ta përballonte me sukses sulmin e aleatëve ballkanikë. Të njëjtin mendim ndante edhe konti Berchtold, madje duke qenë mëse i bindur se ushtritë turke do të mobilizoheshin shumë më shpejt nga sa pritej për të siguruar fitoren e pritshme. Por ndërkaq, në prezencë edhe të kontit Berchtold, në parashtrimin e bërë nga Syrja bej Vlora rreth situatës së krijuar në Ballkan shprehej bindja se Perandoria Osmane nuk do të mund ta rimerrte më veten. Në këtë takim, Syrja bej Vlora pohon t’i ketë parashtruar kontit Berchtold dy kërkesa kryesore: së pari, mbështetjen e Vjenës për të siguruar autonominë e Shqipërisë, në rast se ushtritë turke dilnin fitimtare në përballjen me ushtritë e shteteve ballkanike dhe së dyti, mbështetjen e diplomacisë vjeneze në funksion të pavarësisë së Shqipërisë, në rast të mundjes së Perandorisë Osmane nga Liga Ballkanike. 

Sikurse shkruan në kujtimet e tij Syrja bej Vlora, ai mori garancinë e diplomatit vjenez se tashmë, kishte ardhur koha që shqiptarët duhej të fitonin të drejtat e tyre kombëtare, duke i parashtruar Syrja beut njëkohësisht edhe kufijtë brenda të cilëve duhej të krijohej Shqipëria. Gjithashtu, ai arriti të sigurojë edhe një sasi të konsiderueshme armësh të tipit Manhiler-Schonauer, të cilat ishin planifikuar të dërgoheshin shumë shpejt në Shqipëri përmes një shoqërie tregtare austriake. Për të sensibilizuar opinionin hungarez në favor të çështjes shqiptare, Syrja beu i kushtoi rëndësi të posaçme daljes në një konference shtypi në Deutscher Herren Club, pas së cilës, shtypi i Vjenës u mbush me artikuj ku theksohej se, mbrojtja e ekzistencës së Shqipërisë përbënte një garanci për ruajtjen e ekuilibrit në Ballkan. Syrja bej Vlora, nuk do të linte pa përmendur, gjithashtu, edhe takimin që ai pati me arqidukën Franc Ferdinand, pikëpamjet e të cilit, sipas tij, përkonin plotësisht me ato të Syrja beut. Arqiduka Franc Ferdinand ishte mëse i bindur se shumë shpejt Turqia do të shembej, duke krijuar koniunktura të reja në Ballkan. Pavarësisht se Arqiduka nuk ndante të njëjtin qëndrim me kontin Berchtold rreth së ardhmes së Turqisë në Ballkan, ata takoheshin në një pikë të përbashkët, në mbështetjen për çështjen shqiptare.

Pas premtimit të marrë nga Vjena zyrtare, Syrja bej Vlora do të niste menjëherë korespondencën me rrethet patriotike shqiptare për krijimin fillimisht, të një komiteti për mbrojtjen e interesave kombëtare, me synim organizimin e një kuvendi kombëtar, ndërkohë që në Vlorë vepronte i biri i tij, Eqerem bej Vlora. Për këtë problem, në 27 tetor 1912 ishin lajmëruar telegrafisht qytetet Berat, Gjirokastër, Elbasan, Korçë, Tiranë, Kavajë, Përmet, Leskovik, Delvinë, Tepelenë, Starovë, Lushnjë, Peqin, Krujë, Kolonjë e Skrapar. 

Përmes letrës që i drejtohej vëllezërve Toptani në Tiranë, Syrja bej Vlora kërkonte dërgimin për në Vlorë nga dy deri në katër përfaqësues për çdo nënprefekturë. Sipas tij, Elbasani dhe Peqini ishin njoftuar, ndërsa mbeteshin për t’u njoftuar Kruja, Shijaku, Kavaja, Dibra dhe Mati. Një informacion i ngjashëm, pasqyrohej gjithashtu edhe në raportet e konsullit austro-hungarez në Vlorë, Lejhanec, i cili njoftonte ambasadorin Pallavicini në Stamboll se, në 31 tetor të vitit 1912, qytetet e Shqipërisë së Jugut, si: Berati, Tepelena, Përmeti, Gjirokastra, Delvina etj., që ishin lajmëruar nga Syrja bej Vlora për organizimin e një kuvendi kombëtar në Vlorë, kishin njoftuar telegrafisht se pranonin të dërgonin delegatë në kongres. Gjithashtu, për t’u informuar rreth situatës në Shqipërinë e Veriut, si dhe për të njoftuar edhe atje për thirrjen e kuvendit kombëtar në Vlorë, në 31 tetor 1912 Syrja beu do të nisej përmes detit nga Vlora për në Durrës. Faktikisht, ai do ta ndryshonte itinerarin e tij, duke e vazhduar udhëtimin drejt Shëngjinit për në Shkodër. Kështu, në 1 nëntor të vitit 1912 Syrja bej Vlora gjendej në Shkodër, duke u vendosur në banesën e Esad pashë Toptanit, sipas të cilit, ai qëndroi në Shkodër deri në 10 nëntor të vitit 1912, prej nga ku u largua në rrugë detare. 

Syrja bej Vlora, në 2 nëntor të vitit 1912, përmes një telegrami që i dërgonte posaçërisht parisë së Elbasanit [personalisht Aqif Pashë Elbasanit, Shefqet bej Vërlacit,  Hasan bej Elbasanit parisë dhe klerit mysliman të Elbasanit], jo vetëm parashtronte pikëpamjet e tij, por njëkohësisht i informonte ata edhe për përpjekjet që po bënte, për të organizuar një kongres të patriotëve shqiptarë, me synim shpalljen e autonomisë ose pavarësisë së Shqipërisë, kjo në varësi të ndryshimit të koniunkturave politike ushtarake në Ballkan, në favor ose jo të Perandorisë Osmane. Përmes këtij telegrami, ai kërkonte mbështetjen e parisë së këtij qyteti dhe, në të njëjtën kohë, caktimin e përfaqësuesve të Elbasanit të cilët duhej të niseshin sa më shpejt për në Vlorë. 

Përgjigjja që Syrja beu priste, iu dërgua Eqerem bej Vlorës në emër të Elbasanit në 9 nëntor 1912. Por, nëse kërkesa i drejtohej Aqif Pashës, Shefqet Vërlacit dhe Hasan bej Elbasanit, përgjigjja telegrafike që u dërgua nga Elbasani, mbante firmat e Lef Nosit dhe Grigor Cilkës, përmes së cilës, shprehej gatishmëria për të marrë pjesë në Kuvend, pavarësisht se, sikurse thuhej në letër: Sa do që njoftimit që i bënit Elbasanit nuk i është dhënë ende përgjigja, jemi gati të marrim pjesë në mbledhje. Në këtë rast, mendojmë se Syrja bej Vlora, ishte në pritje të një përgjigjeje posaçërisht nga paria e Elbasanit [përderisa telegrami i tij i drejtohej posaçërisht Aqif Pashës, Shefqet bej Vërlacit dhe Hasan bej Elbasanit (Biçakut)]. Në një situatë të tillë, theksojmë se deri në 9 nëntor të vitit 1912, Elbasani  nuk i kishte dhënë një përgjigje zyrtare ftesës së Syrja bej Vlorës për të dërguar përfaqësues në Vlorë. Gjykuar nga përmbajtja e cituar e përgjigjes së letrës, mendojmë se gatishmëria e Lef Nosit dhe Grigor Cilkës për të marrë pjesë në këtë kongres rezultonte si një nismë individuale. Kjo nuk e përjashton faktin se ata mund të jenë konsultuar edhe me përfaqësuesit e tjerë të parisë së Elbasanit dhe, pse jo, mund të jenë autorizuar edhe prej tyre. Por, përmes burimeve të kohës nuk dëshmohet që Aqif Pashë Elbasani dhe pjesa tjetër e parisë së Elbasanit t’i jenë përgjigjur pozitivisht propozimit të Syrja bej Vlorës. Mendojmë se heshtja e tij në këtë rast kishte të bënte me simpatinë që Aqif Pasha kishte ndaj Ismail Qemalit, kushëriri dhe rivali kryesor i Syrja bej Vlorës. 

Ndërkaq, Ismail Qemali në 9 nëntor 1912, përmes një telegrami dërguar nga zyra telegrafike e hotelit “Grand”, njoftonte bashkinë e Vlorës: Arrij me anijen e parë. E ardhmja e Shqipërisë është e garantuar. Thuajse në të njëjtën kohë, telegrame për organizimin e kuvendit kombëtar vinin nga të dy kushërinjtë dhe, në këtë rast, qëndrimi i parisë së Elbasanit rezultonte më së shumti në mbështetje të Ismail Qemalit. Por, nga ana tjetër, përfaqësues të elitës politike të Elbasanit nuk nguruan të pozicionoheshin në mbështetje të Syrja bej Vlorës, për të marrë pjesë në kuvendin kombëtar, natyrisht nëse do të organizohej prej tij.

Në ditët e para të nëntorit të vitit 1912, situata në Vlorë nuk ishte e favorshme për mbështetësit e Syrja bej Vlorës. Ishte e pamundur, shkruante baronesha Amelie Von Godin, t’i bashkoje vlonjatët për të marrë vendimin shumë të thjeshtë, për caktimin e ditës së mbledhjes dhe mënyrën e drejtimit të saj. Pavarësisht vështirësive të shumta, Eqerem bej Vlora [i biri i Syrja bej Vlorës] kishte arritur të njoftonte një pjesë të delegatëve nga qytete të ndryshme shqiptare. Por, zvarritjet në caktimin e datës së mbledhjes së kuvendit dhe vonesat në hartimin dhe dërgimin e programit të kuvendit, krijuan përçarje edhe në parinë e atyre qyteteve që kishin shprehur gatishmërinë për të marrë pjesë në kuvend, sikurse ishin: Berati, Tepelena, Përmeti, Gjirokastra dhe Delvina. Në nëntor të vitit 1912, së bashku me Eqerem bej Vlorën dhe delegatët e Beratit, në Vlorë gjendeshin edhe delegatë të Elbasanit, porse nuk jepet ndonjë informacion për sa i përket emrave të tyre. Referuar burimeve të kohës, të gatshëm për të vajtur në Vlorë në 9 nëntor 1912 ishin shprehur Lef Nosi dhe Grigor Cilka.   

Në Shqipërinë e Mesme, ku Syrja bej Vlora gëzonte mbështetjen e plotë të vëllezërve Toptanas, deri në 10 nëntor të vitit 1912 kishin arritur të grumbulloheshin edhe përfaqësuesit e Shqipërisë së Veriut, të cilët ishin në pritje të njoftimit të Eqerem bej Vlorës për t’u nisur drejt Vlorës. Por, duke mos pasur mbështetjen e pritur në Vlorë, nisja e tyre u shty për disa ditë. Për më tepër, duhet thënë se, në Vlorë ndikim të madh kishin Ismail Qemali dhe përkrahësit e tij, gjë që përbënte një problem tepër shqetësues për Eqerem bej Vlorën. Kjo, pasqyrohej qartë edhe në letrën që Eqerem bej Vlora i kishte dërguar konsullit austro-hungarez në Vlorë, në 6 nëntor të vitit 1912, ku ai shprehej tepër i shqetësuar për faktin se në Vlorë mund të mbërrinte Ismail Qemali, që, sikurse shkruante konsulli Lejhanec: … mund të kërkojë të marrë në dorën e tij drejtimin e kongresit dhe të ndikojë që vendimet e saj të kenë një drejtim të favorshëm për miqtë e tij politikë të jashtëm. Konsulli austro-hungarez, nuk e konsideronte Ismail Qemalin si njeri të besueshëm të Vjenës zyrtare, duke nënkuptuar edhe mbështetjen që mund të kishte Ismail Qemali nga aktorë të tjerë ndërkombëtarë. Zgjidhjen e situatës së krijuar në Vlorë në nëntor 1912, Eqerem beu e shikonte në praninë e vetë Syrja beut në qytetin e Vlorës. Por vajtja e tij ato ditë në Vlorë ishte shumë e vështirë, sepse rrugët detare apo tokësore ishin të bllokuara nga flota dhe ushtritë ballkanike. 

Rivaliteti ndërmjet dy politikanëve (kushërinj) për organizimin e Kuvendit Kombëtar

Nga kontaktet e konsullit austro-hungarez në Durrës me Syrja bej Vlorën, informohemi për udhëtimin e tij në 12 nëntor 1912 drejt Vjenës, ku tashmë gjendej edhe Ismail Qemali i cili kishte udhëtuar nga Budapesti për t’u takuar atje me diplomatët vjenezë për çështjen shqiptare. Rreth këtij udhëtimi, baronesha Amelie von Godin shkruante: Përse shkonte Ismail Qemali në Vjenë? Ismaili kishte vendosur të luante kartën e diplomacisë. Ai kërkonte përkrahjen morale dhe ndoshta materiale të Vjenës. Aq më tepër i duhej konfirmimi i Austrisë tani që ishte bërë e qartë se një grup rival, ai i Syrja bej Vlorës po përpiqej të mobilizonte bejlerët në Shqipëri për ta arritur një qëllim të ngjashëm. 

Nëse i referohemi fjalëve të baroneshës, udhëtimi i Ismail Qemalit dhe qëllimi i tij për të vajtur në Vjenë [pavarësisht se nuk shihej si figurë politike e besueshme nga diplomatët vjenezë], më së shumti ishte një kundërpërgjigje ndaj lëvizjeve diplomatike që po bënte në Vjenë Syrja bej Vlora, i cili po përpiqej të merrte garanci të plota për organizimin e një Kongresi Kombëtar, për më tepër, kur dihej orientimi dhe prirjet e tij austrofile [duke qenë një nga njerëzit më të besuar të Vjenës zyrtare]. Me rastin e vizitës së Ismail Qemalit, në buletinin ditor të Ministrisë së Jashtme të Austro-Hungarisë, theksohej fakti se ata [diplomatët vjenezë] u treguan tepër të përmbajtur dhe të kujdesshëm në përgjigjet që i dhanë Ismail Qemalit për të ardhmen politike të Shqipërisë, duke u kufizuar më së shumti me deklarata të përgjithshme dhe jo specifike. 

Në intervistën dhënë nga Ismail Qemali gazetës “NEUE FREIE PRESSE” në Vjenë në nëntor 1912, gjejnë shprehje pikëpamjet e tij rreth së ardhmes politike të Shqipërisë për krijimin e shtetit të pavarur shqiptar. Si përgjigje ndaj pyetjes së bërë nga gazetari austriak rreth kryeqytetit të Shqipërisë, me interes është përgjigja e Ismail Qemalit, i cili përmend  Elbasanin dhe Vlorën, duke u shprehur përmes fjalëve: Elbasani mund të ishte Uashingtoni, ndërsa Vlora, Nju Jorku ynë. Në telegramin dërguar nga Vjena në 12 nëntor 1912 Ismail Qemali deklaronte se e ardhmja e Shqipërisë ishte garantuar. Përmbajtja e këtij telegrami iu dërgua menjëherë qyteteve shqiptare, duke u kërkuar parisë së tyre dërgimin e menjëhershëm të delegatëve për në Vlorë. Por, në telegramin dërguar shqiptarëve të kolonisë së Bukureshtit në të njëjtën ditë [para se ai të nisej për në Budapest për të takuar kontin Berchtold], Ismail Qemali shprehte besimin se me mbështetjen e Austrisë, Italisë dhe Rumanisë autonomia ishte siguruar. 

Në Budapest, takimin më të rëndësishëm, Ismail Qemali e pati me kontin Berchtold më 13 nëntor 1912, takim ky që u mbajt i fshehtë dhe për të cilin nuk pati asnjë njoftim zyrtar, madje as zyrtarët e lartë austriakë nuk guxonin ta përmendnin. Pavarësisht përpjekjeve të diplomatit vjenez për ta mbajtur të fshehtë, takimi midis tyre u bë i njohur fillimisht nga vetë Ismail Qemali, në kontaktin e parë që ai pati me nënkonsullin Rudnay sapo zbriti në Durrës në 22 nëntor 1912. Konti Berchtold e garantoi Ismail Qemalin për mbështetjen e Vjenës zyrtare, në favor të shpalljes sa më shpejt të pavarësisë së Shqipërisë, duke mënjanuar rrezikun e pushtimit të porteve shqiptare nga serbët dhe daljen e tyre në Adriatik. Mendojmë se e rëndësishme për diplomacinë vjeneze tashmë ishte krijimi i një shteti të pavarur shqiptar, pavarësisht se kush do të arrinte ta krijonte i pari atë, Syrja bej Vlora apo Ismail Qemali. Pjesa më interesante e bisedës ndërmjet Ismail Qemalit dhe Berchtold-it na vjen përmes kujtimeve të At Anton Harapit, përkthyes për austriakët: Berchtoldi i parashtroi Ismail Qemal Beut që të delte sa më parë në Shqipni për të shpallë pamvarësinë. Ismaili iu përgjegj:’Mir se flamurin e kam, por nuk kam shtizën ku ta naltoj dhe flamurin pa shtizë e merr çdo erë që fryn. Atëherë Konti Berchtold iu përgjegj: Për shtizë të këtij flamuri keni bajonetën austriake. Në një kontekst të tillë, duhet parë edhe telegrami që Ismail Qemali dërgonte nga Budapesti në 16-17 nëntor 1912, ku ai njoftonte se së shpejti do të ishte në Durrës duke kërkuar që delegatët të mblidheshin në Durrës ose në Vlorë për kuvendin kombëtar. 

Në nëntor të vitit 1912, rivaliteti politik ndërmjet Ismail Qemalit dhe Syrja bej Vlorës, qëndronte në çështjen se cili prej tyre do të mund të siguronte në momentin e duhur mbështetjen më të madhe brenda vendit, në funksion të përmbushjes së synimit final, thirrjen e një kuvendi kombëtar. Ismail Qemali dhe Syrja bej Vlora po shfrytëzonin të gjitha njohjet dhe reputacionin e tyre për zgjidhjen e çështjes shqiptare, por pa bashkëpunuar me njëri-tjetrin. Kushërinjtë ishin dy burra të mençur dhe nuk lejonin që rivaliteti t’iu infektonte dëshirën për ta parë racën e tyre të çliruar dhe të begatë. Por, Ismail Qemali dhe Syrja bej Vlora, më shumë se kushërinj ishin rivalë me një histori të vjetër. Në parlamentin e ri xhonturk të vitit 1912, Syrja bej Vlora ishte zgjedhur deputet i sanxhakut të Beratit, në të cilin përfshihej kazaja e Vlorës, pavarësisht se ai nuk jetonte në Vlorë. Ndryshe nga Ismail Qemali, ai i përkiste partisë xhonturke dhe e kishte marrë mandatin me përkrahjen e tyre. Mendojmë se kjo është arsyeja e mbështetjes së pakët dhe kundërshtive që gjeti Syrja beu dhe i biri i tij, në përpjekjet për organizimin e kuvendit kombëtar në Vlorë në nëntor 1912. Përpjekjet e Syrja bej Vlorës, kishin hasur në kundërshtimin e një pjese të parisë së Vlorës. Elmas efendi Kanina dhe Adem bej Risilia e akuzonin atë si të shitur tek austriakët. Madje, sipas Eqerem bej Vlorës, grupi kundërshtar kishte njoftuar edhe autoritetet osmane që, pavarësisht se nuk morën masa kundër Syrja beut, e paralajmëruan atë për pasojat që mund të kishte vijimësia e veprimtarisë së tij në favor të çështjes shqiptare. 

Në këto rrethana, organizimi i kuvendit kombëtar nga Syrja beu në qytetin e Vlorës ishte jo vetëm i vështirë, por edhe i pamundur. Mundësia e vetme mbetej që kuvendi të organizohej në Shqipërinë e Mesme. Sugjerimet e parashtruara në këtë drejtim parashikonin mundësinë e mbledhjes së kuvendit kombëtar në një nga qytetet më kryesore të Shqipërisë së Mesme, sikurse ishin: Tirana, Durrësi, Kruja, Elbasani. 

Si qyteti më i përshtatshëm nga organizatorët e kongresit, fillimisht, u mendua Durrësi, për faktin se atje Syrja bej Vlora dhe përkrahësit e tij gëzonin, gjithashtu, edhe mbështetjen e plotë të nënkonsullit austro-hungarez Rudnay. Por, pavarësisht kësaj, në 12 nëntor 1912 sapo u njoftua nga organizatorët mbledhja e një kongresi kombëtar në Durrës, kundërshtitë nga hoxhallarët dhe pjesa më fanatike e popullsisë së qytetit ishin aq të mëdha, sa që e bënë të pamundur organizimin e tij. Për më tepër, në kërkesën e tyre drejtuar mytesarifit, hoxhallarët e Durrësit kishin kërkuar dëbimin nga qyteti të delegatëve, ndërsa organizimin e një kongresi në Durrës, pjesa fanatike e popullsisë së këtij qyteti e konsideronte si rrezik serioz për rënien e vetë Kalifit. Edhe popullsia ortodokse e qytetit të Durrësit mbajti të njëjtin qëndrim sikurse pjesa fanatike e qytetit. Ishte mëse e kuptueshme se, në këto kushte, Kuvendi Kombëtar nuk mund të mblidhej.

Në një situatë të tillë, pa dyshim që diplomacia vjeneze nuk kishte qëndruar duarkryq. Përpjekjet e konsullit austro-hungarez në Durrës kishin vijuar në fshehtësi. Ai i kishte propozuar delegatëve nënshkrimin e një dokumenti, përmes të cilit të kërkohej “autonomia” nën sovranitetin turk, ose “pavarësia dhe neutraliteti”, në pamundësi të autonomisë. Referuar informacionit të nënkonsullit Rudnay, kërkesa e pavarësisë dhe neutraliteti i parashtruar në këtë dokument, ishte bërë më së shumti për të ruajtur balancat, sepse, në rast të kundërt, nuk do të mund të arrihej një marrëveshje me delegatët e pranishëm në Durrës. Kjo kërkesë duhej t’i drejtohej Madhërisë së tij, Imperatorit dhe Mbretit, – sikurse shkruante nënkonsulli austriak në Durrës, Rudnay, duke shpresuar që në 13 nëntor 1912 ai do ta kishte këtë dokument të firmosur. Sipas tij, ky dokument mund të përdorej në një kohë tjetër, në varësi të rrethanave që do të krijoheshin, por pa i premtuar shqiptarëve detyrime apo angazhime zyrtare nga ana e Vjenës. 

Delegatët shqiptarë që kishin ardhur në Durrës, ishin grumbulluar në kryepeshkopatën katolike që drejtohej nga dom Nikollë Kaçorri (një prift katolik me nënë myslimane), dhe që mbante lidhje të ngushta me konsullatën austriake. Referuar burimeve austro-hungareze, rezulton se takimi është zhvilluar në 12 nëntor të vitit 1912 ku ishin të pranishëm: 

Dom Nikoll Kaçorri 

Mustafa Asim Kruja 

Rexhep Mitrovica 

Fuad Toptani 

Abdi Toptani 

Murad Toptani 

Sali Gjuka nga Peja 

Bedri Pejani

Pas propozimit që nënkonsulli austriak i parashtroi dom Nikollë Kaçorrit dhe Murad bej Toptanit, në takimin që ai pati me ta dhe delegatët e tjerë të pranishëm, u pranua nënshkrimi i deklaratës. Në të, paraqitej kërkesa e përfaqësuesve shqiptarë të mbledhur në Durrës, për autonomi nën sovranitetin turk dhe, në rast se kjo nuk do të ishte e mundur, kërkesa për pavarësi dhe neutralitet. Një kërkesë e tillë i drejtohej posaçërisht:

Madhnisë së Tij,

 Franc Jozefit I, 

Perandorit e Mbretit të Austro – Magjurisë në

 Vienë

Theksojmë se nënshkruesit e kësaj deklarate, ishin përfaqësuesit e mbledhur në Durrës në pritje të organizimit të kuvendit kombëtar nga Syrja bej Vlora dhe Eqerem bej Vlora. Gjithashtu, në këtë kohë në Durrës ka qenë prezent edhe Midhat Frashëri i cili, pavarësisht se ka qenë dakord me deklaratën, nuk e ka vënë nënshkrimin e tij.

Në raportin tepër konfidencial të nënkonsullit Rudnay, drejtuar për këtë problem kontit Berchtold në Vjenë, thuhej: Edhe një herë marr lejen të njoftoj tepër përvujtërisht se unë vendimin për këtë hap e mora për rastin, që, edhe në qoftë se do të dështonte mbledhja e kongresit, ne të posedonim një dokument prej parisë shqiptare, i cili pa na ngarkuar ne me detyrime, mund të përdorej në situatë të veçanta. Referuar informacionit të nënkonsullit Rudnay, mendojmë se nënshkrimi i dokumentit në fjalë ishte një nismë vetjake e tij, duke përjashtuar çdo lloj detyrimi të Vjenës zyrtare ndaj Shqipërisë. Mendimi ynë përforcohet edhe më tepër, duke iu referuar përgjigjes që konti Bertold në Vjenë do t’i kthente brenda së njëjtës ditë nënkonsullit Rudnay, duke e këshilluar atë që në vend të nismave të tilla me personalitetet shqiptare, të arrinte t’i këshillonte ata që, përmes shtypit, t’i drejtoheshin opinionit publik evropian, për të treguar vendosmërinë dhe vullnetin kombëtar për ruajtjen e integritetit territorial kombëtar. 

Për sa i përket çështjeve që u diskutuan në këtë takim, një informacion më të plotë e gjejmë në kujtimet e Mustafa Asim Krujës (Mustafa Merlika), ku informohemi rreth disa propozimeve nga të pranishmit, ndër të cilat ishte edhe kërkesa drejtuar perandorit austro-hungarez, që Shqipëria të bëhej një shtet federativ si Zvicra apo Amerika. Në kujtimet e tij, Mustafa Kruja e konsideronte si interesant propozimin e Salih Gjukës, i cili, duke dhënë argumente politike dhe historike, kërkonte që Shqipëria e ardhshme të vihej nën protektoratin e Austro-Hungarisë. Kjo kërkesë e një myslimani, kujtonte Mustafa Kruja, çuditërisht u kundërshtua nga prifti katolik dom Nikollë Kaçorri, që kishte një simpati të madhe për Austro-Hungarinë dhe gëzonte, gjithashtu, përkrahjen e konsujve austro-hungarezë. Përmes parashtrimit të argumentit se, në koniunkturat e reja të krijuara, Perandoria Otomane ose i “Sëmuri i Bosforit” nuk e kishte jetën të gjatë, zgjidhja më e mirë, sipas Dom Nikollë Kaçorrit, do të ishte autonomia nën Perandorinë Otomane, me rënien e së cilës do të ishte më e lehtë të arrihej pavarësia. 

Parashtrimi në këtë mbledhje i disa alternativave rreth perspektivës historike të shtetit shqiptar [në rrethanat e reja të krijuara në nëntor të vitit 1912] dhe, për më tepër, që një mysliman kërkonte shkëputjen nga Perandoria Otomane dhe një katolik kërkonte të qëndronte akoma nën sulltanin, janë tregues i faktit se këta përfaqësues në mbledhjen e organizuar në kryepeshkopatën katolike në Durrës, në propozimet e tyre, më së shumti, gjykonin si politikanë vizionarë, duke parashtruar alternativën më të mirë të mundshme për të ardhmen e Shqipërisë, sikurse shprehej dhe Mustafa Kruja: …te patrijoti intelektual shqiptar ndienja e ideja e kombsisë qëndronte përmbi ato të fesë. Por, kongresi kombëtar nuk arriti të mblidhej në Durrës, ndaj delegatët do të drejtoheshin drejt Tiranës për të parë mundësinë e organizimit atje të kongresit. Precipitimi i shpejtë i situatës në nëntor 1912, dëshmohej në njoftimet telegrafike përmes të cilave raportohej sistematikisht për rrezikun e përparimit të shpejtë të ushtrisë serbe drejt Tiranës dhe Durrësit. 

Elbasani në pritje të organizimit të Kuvendit Kombëtar më 14 nëntor 1912

Në kujtimet e tij, Midhat Frashëri do të shkruante: Atëhere, duke u-lenë me nj’anë Tirana dhe Durrësi, vështrimet u këthyenë drejt Elbasant. Duke përmendur traditat patriotike të këtij qyteti dhe faktin se edhe më parë në Elbasan ishin organizuar kuvende kombëtare, ai theksonte se në Elbasan ishte më e lehtë që të mblidheshin delegatët, duke pasur, gjithashtu, edhe mbështetjen e parisë vendase. Ndaj, në pamundësi të mbajtjes së Kuvendit Kombëtar të planifikuar për në Durrës apo Tiranë, Elbasani konsiderohej si qyteti më i përshtatshëm për organizimin e tij. Midhat Frashëri ishte i mendimit që kuvendi mund të mbahej në Elbasan, në kërthizën e Shqipërisë, ashtu siç e kishin pleqëruar edhe me imzot Preng Doçin, duke u nisur edhe vetë nga Durrësi drejt Elbasanit. Në nëntor të vitit 1912 ai u nis për në Elbasan, duke u vendosur në shtëpinë e Aqif Pashë Biçakut. Në Elbasan, ku ai gjen edhe Mahmut pashë Jellën, të cilin e kishte takuar në Shkup dhe në Pejë, informohet edhe për tejshkrimet që kishin ardhur nga Mehmet pashë Dërralla, Zenel Peja, Riza Jakova, Isa Boletini, Bajram Curri etj., të cilëve u kishte telegrafuar për të ardhur në Elbasan për mbledhjen që do të bëhej. 

Nën/konsulli austriak në Durrës raportonte se në 14 nëntor të vitit 1912, Elbasani ishte njoftuar për të bërë përgatitjet e duhura për organizimin e Kuvendit Kombëtar në funksion të përmbushjes së këtij qëllimi madhor, duke i raportuar eprorëve të tij: Ftesa në këtë drejtim janë bërë. Midhat Frashëri pohonte se Elbasani jo vetëm që kishte marrë njoftimin, por, gjithashtu, kishte nisur kontaktet me qytetet e tjera, duke u shprehur: Tek Elbasani zgjidhte përfaqësonjësit e tij dhe këmbente mëndimetë me qendrat e tjera, na se ku po faqetë një çështje e re …. 

Njoftimet për përparimin e shpejtë të ushtrisë serbe dhe mbërritjen e saj në Ohër dhe Strugë, përbënin një rrezik që shumë shpejt mund t’i kanosej edhe Elbasanit, sikurse shprehej Midhat Frashëri: Serbët janë tue zbriturë në Ohër dhe në Strugë, telegrafi është në rrezik të pritet. Në këtë kuadër, jemi të prirur të mendojmë se faktorët që e privuan Elbasanin nga kjo ngjarje me dimensione mbarëkombëtare, midis të tjerave, lidhen edhe me mungesën në këtë qytet të konsullatave të huaja dhe të lidhjeve telegrafike të Elbasanit me botën e jashtme. Kur bëjmë një pohim të tillë, i referohemi, gjithashtu, edhe pohimit të Midhat Frashërit në atë kohë: Në rast të sulmit të qytetit të Elbasanit nga ushtria serbe, qyteti i zgjedhur si vendi i mbledhjes jo vetëm që ishte i hapur [i ekspozuar] ndaj pushtimit, por edhe pa mjet komunikimi me botën e jashtme, që e bënte tashmë të pamundur mbajtjen e kongresit në Elbasan. Mendojmë që këto përbënin edhe arsyet më kryesore, pse plani për të organizuar kuvendin kombëtar në Elbasan mbeti një projekt i pa realizuar. 

Në një kontekst të tillë historik, përfaqësuesit më në zë të elitës politike të Elbasanit, jo më larg se dy javë para hapjes së Kuvendit Kombëtar në Vlorë nga Ismail Qemali, kishin qenë në rolin e organizatorëve të kuvendit kombëtar në Elbasan me iniciativën e Syrja bej Vlorës. Mendojmë se ata hezituan ta ngrinin flamurin në Elbasan deri në 28 nëntor të vitit 1912, për të vetmen arsye, që lidhej pikërisht me përmbushjen e ambicies më të madhe të tyre, synimit për ta organizuar kuvendin kombëtar në Elbasan dhe për ta shpallur më pas Elbasanin kryeqytet të Shqipërisë së pavarur. Me nisjen e udhëtimit të Ismail Qemalit nga Durrësi për në Vlorë, mendojmë se patriotët elbasanas, qëndronin në gatishmëri, në rast të ndonjë të papriture që mund t’i ndodhte rrugës [duke ditur se ishte dhënë edhe urdhri për arrestimin e tij] dhe që mund të pengonte seriozisht mbledhjen e kuvendit kombëtar, pse jo, në pritje për ta organizuar kuvendin kombëtar në Elbasan. Në pasditen e 28 nëntorit, pasi morën sigurinë nga Lef Nosi që gjendej në Vlorë, përmes fjalëve Kuvendi ndashti do të hapet, Elbasani jep përgjigjen: Ndashti po e ngremë [flamurin]. 

Në pasditen e 28 nëntorit 1912, kur në Vlorë po hapej Kuvendi Kombëtar, Elbasani njoftonte telegrafisht përfaqësuesit e tij në Vlorë se në Elbasan po ngrihej flamuri. Patriotët elbasanas hezituan ta ngrinin flamurin deri në 28 nëntor 1912 dhe një qëndrim i tillë,  mendojmë se shpjegohet me faktin se, patriotët elbasanas dhe jo vetëm, në kuadrin e ambicieve politike që kishin, shpresonin dhe besonin se Elbasani e meritonte të ishte kryeqyteti i ardhshëm i Shqipërisë së pavarur. Ishte mëse e qartë për ta se qyteti ku do të organizohej Kuvendi Kombëtar, ai qytet do të konsiderohej si qyteti më i rëndësishëm i Shqipërisë së pavarur dhe kryeqyteti i ardhshëm i saj. Elbasani i përmbushte të gjitha kushtet dhe kishte kapacitetet për mbledhjen e kuvendit kombëtar dhe, pse jo, për t’u shpallur kryeqendër e Shqipërisë së Pavarur. 

faksimile 1

Filed Under: Histori Tagged With: PROF.AS.DR. MAJLINDA PEZA PERRIU

Kryeministri Kurti në zbulimin e shtatores së Adem Demaçit: Adem Demaçi prehet i qetë sepse jetoi përnjëmend

November 26, 2023 by s p

Podujevë, 26 nëntor 2023/

“Sot jemi mbledhur për një homazh më shumë e për një imazh më të ngurtë të njeriut tonë të madh politik, Adem Demaçit, shkrimtarit, Adem Demës, njeriut të popullit, bacës Adem. Personalitet unik, në veprimin dhe me gjuhën e tij, në vetëmohimin për të tjerët dhe në shqipen tonë të dashur”, kështu e nis fjalën e tij, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në ceremoninë e zbulimit të shtatores së Adem Demaçit, në Podujevë.

Më tej, kryeministri Kurti tha se për ne, si ndjekës të përpjekjeve të tij, do të jetë gjithnjë e vështirë të përkufizojmë personalitete të kësaj përmase, por na duhet t’i përkufizojmë në gjuhë e në gur, sepse këta janë dy binarët ku mbështetet treni ynë i historisë.

“Heroi mund të jetë i vetëm në jetë, por nuk është kurrë jetim në histori. Me këtë intuitë që përbashkon poetin dhe luftëtarin, vullneti i Adem Demaçit e mban lehtë një të tretën e jetës në burg”, tha kryeministri dhe shtoi se Adem Demaçi e ngre lirinë e vet mbi gjerësinë e trojeve, mbi gjeografinë e vullnetit.

“Gëzuar të gjithëve e secilit 28 Nëntori i Flamurit dhe i Pavarësisë! Përgëzime për këtë përmendore për të përvuajturin tonë më të fortë, për përvojën më të madhe të dashurisë për liri”, tha kryeministrit në fund të fjalës së tij.

Në fund të ceremonisë u bë edhe zbulimi i shtatores së veprimtarit Adem Demaçi.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuara familje Demaçi, i dashuri Shqiptar,

I nderuari z. Shpejtim Bulliqi, kryetar i Komunës së Podujevës,

I nderuari ish President i Republikës, profesor Fatmir Sejdiu,

I nderuari artist, skulptori z.Agron Blakçori,

Shkëlqesia juaj, ambasador i Republikës së Shqipërisë, z.Petrit Malaj,

E nderuara nënkryetare e Kuvendit të Republikës, Saranda Bogujevci,

Të nderuar deputetë të Kuvendit,

Të nderuar ministra të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Sveçla, Maqedonci dhe Çeku,

I nderuari Guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës, Ismaili,

Të nderuar përfaqësues të institucioneve shtetërore e komunale,

Të nderuar veteranë e invalidë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ish të burgosur politik,

Zonja dhe Zotërinj,

Të nderuar të pranishëm, motra dhe vëllezër,

Sot jemi mbledhur për një homazh më shumë e për një imazh më të ngurtë të njeriut tonë të madh politik, Adem Demaçit, shkrimtarit, Adem Demës, njeriut të popullit, bacës Adem. Personalitet unik, në veprimin dhe me gjuhën e tij, në vetëmohimin për të tjerët dhe në shqipen tonë të dashur.

Na nevojitet pra një homazh i thellë për një shpirt kaq gjithëpërfshirës, ngase u desh një guxim i madh për ta mbajtur një shpirt kaq të lirë. Lipset një vetëdije pa skaje për ta mbajtur një dije të paepur.

Për ne, si ndjekës të përpjekjeve të tij, do të jetë gjithnjë e vështirë të përkufizojmë personalitete të kësaj përmase. Por na duhet t’i përkufizojmë në gjuhë e në gur, sepse këta janë dy binarët ku mbështetet treni ynë i historisë. Mbi vargun dhe kullën. Ne urojmë që monumenti ynë kushtuar heroit tonë të mendimit të lirisë, të jetë edhe kullë edhe gjuhë, sipas kërkesës së furishme të vetë Adem Demës drejtuar kryekomandantit Adem dhe Jasharajve, po citoj:

“fole një fjalë stralli”

Fluturo o vargu im

Fluturo mbi kullat e Jasharajve në Prekaz

Dhe lexo afishen e Sat Nokshiqit

Afishen e shkruar me gjak mbi borë.

Të nderuar të pranishëm,

Heroi mund të jetë i vetëm në jetë, por nuk është kurrë jetim në histori. Me këtë intuitë që përbashkon poetin dhe luftëtarin, vullneti i Adem Demaçit e mban lehtë një të tretën e jetës në burg. Në jetën e një kombi, heroi i flet heroit. Janë majat e shprehjes dhe historisë prej ku ndërlidhen eprorët tanë të frymëzimit. Sepse, Adem Demaçi e ngre lirinë e vet mbi gjerësinë e trojeve, mbi gjeografinë e vullnetit. Njësoj si Ndre Mjedja, kur ky i thërriste shqipes me i shku maleve përreth që ka Shqipnia, për me e pa se nga cila anë vinte liria. Adem Demaçi e ndau peshën e burgut me mendjen e të mëdhenjve të këtij kombi, andaj burgu nuk iu duk i rëndë.

Ata që jetojnë me të vërtetë, nuk janë të shpeshtë. Ata kanë një virtyt të pashoq: shprehja e tyre është e barabartë me jetën e tyre. Adem Dema, shkrimtar i mendimit luftarak, dhe Adem Demaçi, veprimtar i imagjinatës së emancipuar, na mëson qysh me rininë e vet të hershme, një direktivë të lartë për të gjithë neve: kur diktatura nuk e kërcënon lirinë, duhet dyshuar te liria. Ky njeri i madh, të cilit sot ia lartësojmë në mënyrë solemne peshën e gurit, e ktheu lirinë në kusht të ekzistencës dhe në përvojë intime absolute. Një përvojë e tillë e lirisë e meriton një monument e më shumë. Ky monument dhe fjalët që do ta shoqërojnë në dekada e kanë një synim: në çdo kohë e në çdo paqe duhet të na tregojnë se nuk i përkasim asnjë rendi merite po e huqëm referencën te Baca Adem, si përvojë gjigante e furtunave që i përballte dhe i përvuajturi më i fortë i lirisë nën çdo kusht.

Adem Demaçi prehet i qetë sepse jetoi përnjëmend. Ai e kishte pra devizën e vet: nuk ka pse vlen një jetë pa drejtësinë që duhet për ta mbajtur gjallë. Dhe ne sot po shpallim, mes nesh e para të gjithëve, se kjo përmendore do të deklarojë para brezave një virtyt të dyfishtë të shoqërisë: kjo përmendore është njëherësh shenja e guximit dhe barra e drejtësisë; që ne i premtojmë vetvetes si garancë të një të ardhmeje që ia vlen; përmendore pra edhe për mendjen tonë përpara, sipas përkujtimit për të e që nuk na lë.

Baca Adem ishte figura shumë këndore e realitetit. I dehur me dashurinë për letërsi, mbartës i dashurisë që mund të jetë veçse kuantike, gazetar i fjalës së lirë në rininë e pjekur, fitues i çmimit të paqes në pjekurinë e jetës dhe përfaqësues politik i luftës çlirimtare në pjekurinë e vonë, njerëzor sepse edhe i dashur edhe i vërtetë, kurdo e kudo e me këdo deri në fund, kjo është një jetë sekuenciale e mbërrirë në perfeksion. Njeri autentik dhe i rrallë, të cilin akademiku Rexhep Qosja e cilëson “shkrimtar për të gjitha kohët”.

Po citoj për fund të madhin e munguar të kombit tonë, Ukshin Hotin. Pas dhënies së çmimit Sakharov për Bacën Adem, para se të tretej ai vetë përsëri në burg, ai thotë: “Adem Demaçi është një histori e gjallë në lëvizje e sipër dhe si e tillë të detyron jo vetëm respektin, por edhe dashurinë; jo vetëm dashurinë, por edhe përcaktimin”.

Të nderuar qytetarë e zyrtarë,

Gëzuar të gjithëve e secilit 28 Nëntori i Flamurit dhe i Pavarësisë! Përgëzime për këtë përmendore për të përvuajturin tonë më të fortë, për përvojën më të madhe të dashurisë për liri.

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT