PROF.AS.DR. MAJLINDA PEZA PERRIU/
Ismail Qemali nuk ishte protagonisti i vetëm në veprimtarinë e tij për krijimin e shtetit të pavarur shqiptar. Me fillimin e Luftës së Parë Ballkanike, në qendër të veprimtarisë për krijimin e shtetit shqiptar qëndronte edhe kushëriri dhe njëkohësisht rivali i Ismail Qemal bej Vlorës, Syrja bej Vlora, së bashku me të birin 27-vjeçar, Eqerem bej Vlorën. Syrja beu kishte krijuar kontakte të rëndësishme diplomatike për organizimin e një mbledhjeje të madhe me përfaqësues të popullit dhe krerëve shqiptarë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, ku do të vendosej për qëndrimin që do të mbahej gjatë ngjarjeve të pritshme të vjeshtës së vitit 1912.
Për këtë problem, Eqerem bej Vlora shkruante: Im atë u lidh me njerëz në Vlorë, në Gjirokastër dhe Berat, ai shkroi letra dhe dërgoi lajmësa ngado. Mirëpo, për domosdoshmërinë e kësaj mbledhjeje nuk ishin të bindur as përkrahësit tanë më të afërt, pa folur këtu kundërshtarët. Në veçanti, kundërshtarët tanë, krejt specialë, të Vlorës thoshin se nuk mund të merrej asnjë vendim pa dëgjuar më parë se ç’thotë për këtë punë Ismail Qemal beu (se fundja ishte ai i pari i familjes Vlora). Që në fund të vitit 1911 disa prej tyre e kishin takuar politikanin plak në Korfuz dhe tregonin se ai kishte folur për kryengritje, por nuk kishte përmendur asnjë fjalë për nevojën e thirrjes në vend të ndonjë mbledhjeje. Veprimtaria e Syrja bej Vlorës u intensifikua përgjatë vjeshtës së vitit 1912, për shkak të rrethanave të reja të krijuara me fillimin e veprimeve ushtarake të shteteve ballkanike ndaj trevave shqiptare, në kuadrin e Luftës së Parë Ballkanike.
Nga fundi i shtatorit të vitit 1912, Eqerem bej Vlora [i biri i Syrja bej Vlorës] do të shkonte në Vjenë. Atje ai zhvilloi disa takime të rëndësishme me përfaqësuesit më të njohur të diplomacisë vjeneze, sikurse ishin: shefi i seksionit, kryekonsulli Alfred Rappaport, njohës i mirë i çështjes shqiptare; konti Berchtold, ministër i Punëve të Jashtme të Austro–Hungarisë dhe shefi i shtabit të përgjithshëm, konti Konrad fon Hëtcendorf. Pas kthimit të tij në Vlorë në ditët e para të tetorit 1912, në Vjenë do të shkonte i ati i tij, Syrja bej Vlora. Me fillimin e Luftës së Parë Ballkanike, në rrethin e gjerë të politikanëve austriakë, ekzistonte mendimi se Perandoria Osmane do ta përballonte me sukses sulmin e aleatëve ballkanikë. Të njëjtin mendim ndante edhe konti Berchtold, madje duke qenë mëse i bindur se ushtritë turke do të mobilizoheshin shumë më shpejt nga sa pritej për të siguruar fitoren e pritshme. Por ndërkaq, në prezencë edhe të kontit Berchtold, në parashtrimin e bërë nga Syrja bej Vlora rreth situatës së krijuar në Ballkan shprehej bindja se Perandoria Osmane nuk do të mund ta rimerrte më veten. Në këtë takim, Syrja bej Vlora pohon t’i ketë parashtruar kontit Berchtold dy kërkesa kryesore: së pari, mbështetjen e Vjenës për të siguruar autonominë e Shqipërisë, në rast se ushtritë turke dilnin fitimtare në përballjen me ushtritë e shteteve ballkanike dhe së dyti, mbështetjen e diplomacisë vjeneze në funksion të pavarësisë së Shqipërisë, në rast të mundjes së Perandorisë Osmane nga Liga Ballkanike.
Sikurse shkruan në kujtimet e tij Syrja bej Vlora, ai mori garancinë e diplomatit vjenez se tashmë, kishte ardhur koha që shqiptarët duhej të fitonin të drejtat e tyre kombëtare, duke i parashtruar Syrja beut njëkohësisht edhe kufijtë brenda të cilëve duhej të krijohej Shqipëria. Gjithashtu, ai arriti të sigurojë edhe një sasi të konsiderueshme armësh të tipit Manhiler-Schonauer, të cilat ishin planifikuar të dërgoheshin shumë shpejt në Shqipëri përmes një shoqërie tregtare austriake. Për të sensibilizuar opinionin hungarez në favor të çështjes shqiptare, Syrja beu i kushtoi rëndësi të posaçme daljes në një konference shtypi në Deutscher Herren Club, pas së cilës, shtypi i Vjenës u mbush me artikuj ku theksohej se, mbrojtja e ekzistencës së Shqipërisë përbënte një garanci për ruajtjen e ekuilibrit në Ballkan. Syrja bej Vlora, nuk do të linte pa përmendur, gjithashtu, edhe takimin që ai pati me arqidukën Franc Ferdinand, pikëpamjet e të cilit, sipas tij, përkonin plotësisht me ato të Syrja beut. Arqiduka Franc Ferdinand ishte mëse i bindur se shumë shpejt Turqia do të shembej, duke krijuar koniunktura të reja në Ballkan. Pavarësisht se Arqiduka nuk ndante të njëjtin qëndrim me kontin Berchtold rreth së ardhmes së Turqisë në Ballkan, ata takoheshin në një pikë të përbashkët, në mbështetjen për çështjen shqiptare.
Pas premtimit të marrë nga Vjena zyrtare, Syrja bej Vlora do të niste menjëherë korespondencën me rrethet patriotike shqiptare për krijimin fillimisht, të një komiteti për mbrojtjen e interesave kombëtare, me synim organizimin e një kuvendi kombëtar, ndërkohë që në Vlorë vepronte i biri i tij, Eqerem bej Vlora. Për këtë problem, në 27 tetor 1912 ishin lajmëruar telegrafisht qytetet Berat, Gjirokastër, Elbasan, Korçë, Tiranë, Kavajë, Përmet, Leskovik, Delvinë, Tepelenë, Starovë, Lushnjë, Peqin, Krujë, Kolonjë e Skrapar.
Përmes letrës që i drejtohej vëllezërve Toptani në Tiranë, Syrja bej Vlora kërkonte dërgimin për në Vlorë nga dy deri në katër përfaqësues për çdo nënprefekturë. Sipas tij, Elbasani dhe Peqini ishin njoftuar, ndërsa mbeteshin për t’u njoftuar Kruja, Shijaku, Kavaja, Dibra dhe Mati. Një informacion i ngjashëm, pasqyrohej gjithashtu edhe në raportet e konsullit austro-hungarez në Vlorë, Lejhanec, i cili njoftonte ambasadorin Pallavicini në Stamboll se, në 31 tetor të vitit 1912, qytetet e Shqipërisë së Jugut, si: Berati, Tepelena, Përmeti, Gjirokastra, Delvina etj., që ishin lajmëruar nga Syrja bej Vlora për organizimin e një kuvendi kombëtar në Vlorë, kishin njoftuar telegrafisht se pranonin të dërgonin delegatë në kongres. Gjithashtu, për t’u informuar rreth situatës në Shqipërinë e Veriut, si dhe për të njoftuar edhe atje për thirrjen e kuvendit kombëtar në Vlorë, në 31 tetor 1912 Syrja beu do të nisej përmes detit nga Vlora për në Durrës. Faktikisht, ai do ta ndryshonte itinerarin e tij, duke e vazhduar udhëtimin drejt Shëngjinit për në Shkodër. Kështu, në 1 nëntor të vitit 1912 Syrja bej Vlora gjendej në Shkodër, duke u vendosur në banesën e Esad pashë Toptanit, sipas të cilit, ai qëndroi në Shkodër deri në 10 nëntor të vitit 1912, prej nga ku u largua në rrugë detare.
Syrja bej Vlora, në 2 nëntor të vitit 1912, përmes një telegrami që i dërgonte posaçërisht parisë së Elbasanit [personalisht Aqif Pashë Elbasanit, Shefqet bej Vërlacit, Hasan bej Elbasanit parisë dhe klerit mysliman të Elbasanit], jo vetëm parashtronte pikëpamjet e tij, por njëkohësisht i informonte ata edhe për përpjekjet që po bënte, për të organizuar një kongres të patriotëve shqiptarë, me synim shpalljen e autonomisë ose pavarësisë së Shqipërisë, kjo në varësi të ndryshimit të koniunkturave politike ushtarake në Ballkan, në favor ose jo të Perandorisë Osmane. Përmes këtij telegrami, ai kërkonte mbështetjen e parisë së këtij qyteti dhe, në të njëjtën kohë, caktimin e përfaqësuesve të Elbasanit të cilët duhej të niseshin sa më shpejt për në Vlorë.
Përgjigjja që Syrja beu priste, iu dërgua Eqerem bej Vlorës në emër të Elbasanit në 9 nëntor 1912. Por, nëse kërkesa i drejtohej Aqif Pashës, Shefqet Vërlacit dhe Hasan bej Elbasanit, përgjigjja telegrafike që u dërgua nga Elbasani, mbante firmat e Lef Nosit dhe Grigor Cilkës, përmes së cilës, shprehej gatishmëria për të marrë pjesë në Kuvend, pavarësisht se, sikurse thuhej në letër: Sa do që njoftimit që i bënit Elbasanit nuk i është dhënë ende përgjigja, jemi gati të marrim pjesë në mbledhje. Në këtë rast, mendojmë se Syrja bej Vlora, ishte në pritje të një përgjigjeje posaçërisht nga paria e Elbasanit [përderisa telegrami i tij i drejtohej posaçërisht Aqif Pashës, Shefqet bej Vërlacit dhe Hasan bej Elbasanit (Biçakut)]. Në një situatë të tillë, theksojmë se deri në 9 nëntor të vitit 1912, Elbasani nuk i kishte dhënë një përgjigje zyrtare ftesës së Syrja bej Vlorës për të dërguar përfaqësues në Vlorë. Gjykuar nga përmbajtja e cituar e përgjigjes së letrës, mendojmë se gatishmëria e Lef Nosit dhe Grigor Cilkës për të marrë pjesë në këtë kongres rezultonte si një nismë individuale. Kjo nuk e përjashton faktin se ata mund të jenë konsultuar edhe me përfaqësuesit e tjerë të parisë së Elbasanit dhe, pse jo, mund të jenë autorizuar edhe prej tyre. Por, përmes burimeve të kohës nuk dëshmohet që Aqif Pashë Elbasani dhe pjesa tjetër e parisë së Elbasanit t’i jenë përgjigjur pozitivisht propozimit të Syrja bej Vlorës. Mendojmë se heshtja e tij në këtë rast kishte të bënte me simpatinë që Aqif Pasha kishte ndaj Ismail Qemalit, kushëriri dhe rivali kryesor i Syrja bej Vlorës.
Ndërkaq, Ismail Qemali në 9 nëntor 1912, përmes një telegrami dërguar nga zyra telegrafike e hotelit “Grand”, njoftonte bashkinë e Vlorës: Arrij me anijen e parë. E ardhmja e Shqipërisë është e garantuar. Thuajse në të njëjtën kohë, telegrame për organizimin e kuvendit kombëtar vinin nga të dy kushërinjtë dhe, në këtë rast, qëndrimi i parisë së Elbasanit rezultonte më së shumti në mbështetje të Ismail Qemalit. Por, nga ana tjetër, përfaqësues të elitës politike të Elbasanit nuk nguruan të pozicionoheshin në mbështetje të Syrja bej Vlorës, për të marrë pjesë në kuvendin kombëtar, natyrisht nëse do të organizohej prej tij.
Në ditët e para të nëntorit të vitit 1912, situata në Vlorë nuk ishte e favorshme për mbështetësit e Syrja bej Vlorës. Ishte e pamundur, shkruante baronesha Amelie Von Godin, t’i bashkoje vlonjatët për të marrë vendimin shumë të thjeshtë, për caktimin e ditës së mbledhjes dhe mënyrën e drejtimit të saj. Pavarësisht vështirësive të shumta, Eqerem bej Vlora [i biri i Syrja bej Vlorës] kishte arritur të njoftonte një pjesë të delegatëve nga qytete të ndryshme shqiptare. Por, zvarritjet në caktimin e datës së mbledhjes së kuvendit dhe vonesat në hartimin dhe dërgimin e programit të kuvendit, krijuan përçarje edhe në parinë e atyre qyteteve që kishin shprehur gatishmërinë për të marrë pjesë në kuvend, sikurse ishin: Berati, Tepelena, Përmeti, Gjirokastra dhe Delvina. Në nëntor të vitit 1912, së bashku me Eqerem bej Vlorën dhe delegatët e Beratit, në Vlorë gjendeshin edhe delegatë të Elbasanit, porse nuk jepet ndonjë informacion për sa i përket emrave të tyre. Referuar burimeve të kohës, të gatshëm për të vajtur në Vlorë në 9 nëntor 1912 ishin shprehur Lef Nosi dhe Grigor Cilka.
Në Shqipërinë e Mesme, ku Syrja bej Vlora gëzonte mbështetjen e plotë të vëllezërve Toptanas, deri në 10 nëntor të vitit 1912 kishin arritur të grumbulloheshin edhe përfaqësuesit e Shqipërisë së Veriut, të cilët ishin në pritje të njoftimit të Eqerem bej Vlorës për t’u nisur drejt Vlorës. Por, duke mos pasur mbështetjen e pritur në Vlorë, nisja e tyre u shty për disa ditë. Për më tepër, duhet thënë se, në Vlorë ndikim të madh kishin Ismail Qemali dhe përkrahësit e tij, gjë që përbënte një problem tepër shqetësues për Eqerem bej Vlorën. Kjo, pasqyrohej qartë edhe në letrën që Eqerem bej Vlora i kishte dërguar konsullit austro-hungarez në Vlorë, në 6 nëntor të vitit 1912, ku ai shprehej tepër i shqetësuar për faktin se në Vlorë mund të mbërrinte Ismail Qemali, që, sikurse shkruante konsulli Lejhanec: … mund të kërkojë të marrë në dorën e tij drejtimin e kongresit dhe të ndikojë që vendimet e saj të kenë një drejtim të favorshëm për miqtë e tij politikë të jashtëm. Konsulli austro-hungarez, nuk e konsideronte Ismail Qemalin si njeri të besueshëm të Vjenës zyrtare, duke nënkuptuar edhe mbështetjen që mund të kishte Ismail Qemali nga aktorë të tjerë ndërkombëtarë. Zgjidhjen e situatës së krijuar në Vlorë në nëntor 1912, Eqerem beu e shikonte në praninë e vetë Syrja beut në qytetin e Vlorës. Por vajtja e tij ato ditë në Vlorë ishte shumë e vështirë, sepse rrugët detare apo tokësore ishin të bllokuara nga flota dhe ushtritë ballkanike.
Rivaliteti ndërmjet dy politikanëve (kushërinj) për organizimin e Kuvendit Kombëtar
Nga kontaktet e konsullit austro-hungarez në Durrës me Syrja bej Vlorën, informohemi për udhëtimin e tij në 12 nëntor 1912 drejt Vjenës, ku tashmë gjendej edhe Ismail Qemali i cili kishte udhëtuar nga Budapesti për t’u takuar atje me diplomatët vjenezë për çështjen shqiptare. Rreth këtij udhëtimi, baronesha Amelie von Godin shkruante: Përse shkonte Ismail Qemali në Vjenë? Ismaili kishte vendosur të luante kartën e diplomacisë. Ai kërkonte përkrahjen morale dhe ndoshta materiale të Vjenës. Aq më tepër i duhej konfirmimi i Austrisë tani që ishte bërë e qartë se një grup rival, ai i Syrja bej Vlorës po përpiqej të mobilizonte bejlerët në Shqipëri për ta arritur një qëllim të ngjashëm.
Nëse i referohemi fjalëve të baroneshës, udhëtimi i Ismail Qemalit dhe qëllimi i tij për të vajtur në Vjenë [pavarësisht se nuk shihej si figurë politike e besueshme nga diplomatët vjenezë], më së shumti ishte një kundërpërgjigje ndaj lëvizjeve diplomatike që po bënte në Vjenë Syrja bej Vlora, i cili po përpiqej të merrte garanci të plota për organizimin e një Kongresi Kombëtar, për më tepër, kur dihej orientimi dhe prirjet e tij austrofile [duke qenë një nga njerëzit më të besuar të Vjenës zyrtare]. Me rastin e vizitës së Ismail Qemalit, në buletinin ditor të Ministrisë së Jashtme të Austro-Hungarisë, theksohej fakti se ata [diplomatët vjenezë] u treguan tepër të përmbajtur dhe të kujdesshëm në përgjigjet që i dhanë Ismail Qemalit për të ardhmen politike të Shqipërisë, duke u kufizuar më së shumti me deklarata të përgjithshme dhe jo specifike.
Në intervistën dhënë nga Ismail Qemali gazetës “NEUE FREIE PRESSE” në Vjenë në nëntor 1912, gjejnë shprehje pikëpamjet e tij rreth së ardhmes politike të Shqipërisë për krijimin e shtetit të pavarur shqiptar. Si përgjigje ndaj pyetjes së bërë nga gazetari austriak rreth kryeqytetit të Shqipërisë, me interes është përgjigja e Ismail Qemalit, i cili përmend Elbasanin dhe Vlorën, duke u shprehur përmes fjalëve: Elbasani mund të ishte Uashingtoni, ndërsa Vlora, Nju Jorku ynë. Në telegramin dërguar nga Vjena në 12 nëntor 1912 Ismail Qemali deklaronte se e ardhmja e Shqipërisë ishte garantuar. Përmbajtja e këtij telegrami iu dërgua menjëherë qyteteve shqiptare, duke u kërkuar parisë së tyre dërgimin e menjëhershëm të delegatëve për në Vlorë. Por, në telegramin dërguar shqiptarëve të kolonisë së Bukureshtit në të njëjtën ditë [para se ai të nisej për në Budapest për të takuar kontin Berchtold], Ismail Qemali shprehte besimin se me mbështetjen e Austrisë, Italisë dhe Rumanisë autonomia ishte siguruar.
Në Budapest, takimin më të rëndësishëm, Ismail Qemali e pati me kontin Berchtold më 13 nëntor 1912, takim ky që u mbajt i fshehtë dhe për të cilin nuk pati asnjë njoftim zyrtar, madje as zyrtarët e lartë austriakë nuk guxonin ta përmendnin. Pavarësisht përpjekjeve të diplomatit vjenez për ta mbajtur të fshehtë, takimi midis tyre u bë i njohur fillimisht nga vetë Ismail Qemali, në kontaktin e parë që ai pati me nënkonsullin Rudnay sapo zbriti në Durrës në 22 nëntor 1912. Konti Berchtold e garantoi Ismail Qemalin për mbështetjen e Vjenës zyrtare, në favor të shpalljes sa më shpejt të pavarësisë së Shqipërisë, duke mënjanuar rrezikun e pushtimit të porteve shqiptare nga serbët dhe daljen e tyre në Adriatik. Mendojmë se e rëndësishme për diplomacinë vjeneze tashmë ishte krijimi i një shteti të pavarur shqiptar, pavarësisht se kush do të arrinte ta krijonte i pari atë, Syrja bej Vlora apo Ismail Qemali. Pjesa më interesante e bisedës ndërmjet Ismail Qemalit dhe Berchtold-it na vjen përmes kujtimeve të At Anton Harapit, përkthyes për austriakët: Berchtoldi i parashtroi Ismail Qemal Beut që të delte sa më parë në Shqipni për të shpallë pamvarësinë. Ismaili iu përgjegj:’Mir se flamurin e kam, por nuk kam shtizën ku ta naltoj dhe flamurin pa shtizë e merr çdo erë që fryn. Atëherë Konti Berchtold iu përgjegj: Për shtizë të këtij flamuri keni bajonetën austriake. Në një kontekst të tillë, duhet parë edhe telegrami që Ismail Qemali dërgonte nga Budapesti në 16-17 nëntor 1912, ku ai njoftonte se së shpejti do të ishte në Durrës duke kërkuar që delegatët të mblidheshin në Durrës ose në Vlorë për kuvendin kombëtar.
Në nëntor të vitit 1912, rivaliteti politik ndërmjet Ismail Qemalit dhe Syrja bej Vlorës, qëndronte në çështjen se cili prej tyre do të mund të siguronte në momentin e duhur mbështetjen më të madhe brenda vendit, në funksion të përmbushjes së synimit final, thirrjen e një kuvendi kombëtar. Ismail Qemali dhe Syrja bej Vlora po shfrytëzonin të gjitha njohjet dhe reputacionin e tyre për zgjidhjen e çështjes shqiptare, por pa bashkëpunuar me njëri-tjetrin. Kushërinjtë ishin dy burra të mençur dhe nuk lejonin që rivaliteti t’iu infektonte dëshirën për ta parë racën e tyre të çliruar dhe të begatë. Por, Ismail Qemali dhe Syrja bej Vlora, më shumë se kushërinj ishin rivalë me një histori të vjetër. Në parlamentin e ri xhonturk të vitit 1912, Syrja bej Vlora ishte zgjedhur deputet i sanxhakut të Beratit, në të cilin përfshihej kazaja e Vlorës, pavarësisht se ai nuk jetonte në Vlorë. Ndryshe nga Ismail Qemali, ai i përkiste partisë xhonturke dhe e kishte marrë mandatin me përkrahjen e tyre. Mendojmë se kjo është arsyeja e mbështetjes së pakët dhe kundërshtive që gjeti Syrja beu dhe i biri i tij, në përpjekjet për organizimin e kuvendit kombëtar në Vlorë në nëntor 1912. Përpjekjet e Syrja bej Vlorës, kishin hasur në kundërshtimin e një pjese të parisë së Vlorës. Elmas efendi Kanina dhe Adem bej Risilia e akuzonin atë si të shitur tek austriakët. Madje, sipas Eqerem bej Vlorës, grupi kundërshtar kishte njoftuar edhe autoritetet osmane që, pavarësisht se nuk morën masa kundër Syrja beut, e paralajmëruan atë për pasojat që mund të kishte vijimësia e veprimtarisë së tij në favor të çështjes shqiptare.
Në këto rrethana, organizimi i kuvendit kombëtar nga Syrja beu në qytetin e Vlorës ishte jo vetëm i vështirë, por edhe i pamundur. Mundësia e vetme mbetej që kuvendi të organizohej në Shqipërinë e Mesme. Sugjerimet e parashtruara në këtë drejtim parashikonin mundësinë e mbledhjes së kuvendit kombëtar në një nga qytetet më kryesore të Shqipërisë së Mesme, sikurse ishin: Tirana, Durrësi, Kruja, Elbasani.
Si qyteti më i përshtatshëm nga organizatorët e kongresit, fillimisht, u mendua Durrësi, për faktin se atje Syrja bej Vlora dhe përkrahësit e tij gëzonin, gjithashtu, edhe mbështetjen e plotë të nënkonsullit austro-hungarez Rudnay. Por, pavarësisht kësaj, në 12 nëntor 1912 sapo u njoftua nga organizatorët mbledhja e një kongresi kombëtar në Durrës, kundërshtitë nga hoxhallarët dhe pjesa më fanatike e popullsisë së qytetit ishin aq të mëdha, sa që e bënë të pamundur organizimin e tij. Për më tepër, në kërkesën e tyre drejtuar mytesarifit, hoxhallarët e Durrësit kishin kërkuar dëbimin nga qyteti të delegatëve, ndërsa organizimin e një kongresi në Durrës, pjesa fanatike e popullsisë së këtij qyteti e konsideronte si rrezik serioz për rënien e vetë Kalifit. Edhe popullsia ortodokse e qytetit të Durrësit mbajti të njëjtin qëndrim sikurse pjesa fanatike e qytetit. Ishte mëse e kuptueshme se, në këto kushte, Kuvendi Kombëtar nuk mund të mblidhej.
Në një situatë të tillë, pa dyshim që diplomacia vjeneze nuk kishte qëndruar duarkryq. Përpjekjet e konsullit austro-hungarez në Durrës kishin vijuar në fshehtësi. Ai i kishte propozuar delegatëve nënshkrimin e një dokumenti, përmes të cilit të kërkohej “autonomia” nën sovranitetin turk, ose “pavarësia dhe neutraliteti”, në pamundësi të autonomisë. Referuar informacionit të nënkonsullit Rudnay, kërkesa e pavarësisë dhe neutraliteti i parashtruar në këtë dokument, ishte bërë më së shumti për të ruajtur balancat, sepse, në rast të kundërt, nuk do të mund të arrihej një marrëveshje me delegatët e pranishëm në Durrës. Kjo kërkesë duhej t’i drejtohej Madhërisë së tij, Imperatorit dhe Mbretit, – sikurse shkruante nënkonsulli austriak në Durrës, Rudnay, duke shpresuar që në 13 nëntor 1912 ai do ta kishte këtë dokument të firmosur. Sipas tij, ky dokument mund të përdorej në një kohë tjetër, në varësi të rrethanave që do të krijoheshin, por pa i premtuar shqiptarëve detyrime apo angazhime zyrtare nga ana e Vjenës.
Delegatët shqiptarë që kishin ardhur në Durrës, ishin grumbulluar në kryepeshkopatën katolike që drejtohej nga dom Nikollë Kaçorri (një prift katolik me nënë myslimane), dhe që mbante lidhje të ngushta me konsullatën austriake. Referuar burimeve austro-hungareze, rezulton se takimi është zhvilluar në 12 nëntor të vitit 1912 ku ishin të pranishëm:
Dom Nikoll Kaçorri
Mustafa Asim Kruja
Rexhep Mitrovica
Fuad Toptani
Abdi Toptani
Murad Toptani
Sali Gjuka nga Peja
Bedri Pejani
Pas propozimit që nënkonsulli austriak i parashtroi dom Nikollë Kaçorrit dhe Murad bej Toptanit, në takimin që ai pati me ta dhe delegatët e tjerë të pranishëm, u pranua nënshkrimi i deklaratës. Në të, paraqitej kërkesa e përfaqësuesve shqiptarë të mbledhur në Durrës, për autonomi nën sovranitetin turk dhe, në rast se kjo nuk do të ishte e mundur, kërkesa për pavarësi dhe neutralitet. Një kërkesë e tillë i drejtohej posaçërisht:
Madhnisë së Tij,
Franc Jozefit I,
Perandorit e Mbretit të Austro – Magjurisë në
Vienë
Theksojmë se nënshkruesit e kësaj deklarate, ishin përfaqësuesit e mbledhur në Durrës në pritje të organizimit të kuvendit kombëtar nga Syrja bej Vlora dhe Eqerem bej Vlora. Gjithashtu, në këtë kohë në Durrës ka qenë prezent edhe Midhat Frashëri i cili, pavarësisht se ka qenë dakord me deklaratën, nuk e ka vënë nënshkrimin e tij.
Në raportin tepër konfidencial të nënkonsullit Rudnay, drejtuar për këtë problem kontit Berchtold në Vjenë, thuhej: Edhe një herë marr lejen të njoftoj tepër përvujtërisht se unë vendimin për këtë hap e mora për rastin, që, edhe në qoftë se do të dështonte mbledhja e kongresit, ne të posedonim një dokument prej parisë shqiptare, i cili pa na ngarkuar ne me detyrime, mund të përdorej në situatë të veçanta. Referuar informacionit të nënkonsullit Rudnay, mendojmë se nënshkrimi i dokumentit në fjalë ishte një nismë vetjake e tij, duke përjashtuar çdo lloj detyrimi të Vjenës zyrtare ndaj Shqipërisë. Mendimi ynë përforcohet edhe më tepër, duke iu referuar përgjigjes që konti Bertold në Vjenë do t’i kthente brenda së njëjtës ditë nënkonsullit Rudnay, duke e këshilluar atë që në vend të nismave të tilla me personalitetet shqiptare, të arrinte t’i këshillonte ata që, përmes shtypit, t’i drejtoheshin opinionit publik evropian, për të treguar vendosmërinë dhe vullnetin kombëtar për ruajtjen e integritetit territorial kombëtar.
Për sa i përket çështjeve që u diskutuan në këtë takim, një informacion më të plotë e gjejmë në kujtimet e Mustafa Asim Krujës (Mustafa Merlika), ku informohemi rreth disa propozimeve nga të pranishmit, ndër të cilat ishte edhe kërkesa drejtuar perandorit austro-hungarez, që Shqipëria të bëhej një shtet federativ si Zvicra apo Amerika. Në kujtimet e tij, Mustafa Kruja e konsideronte si interesant propozimin e Salih Gjukës, i cili, duke dhënë argumente politike dhe historike, kërkonte që Shqipëria e ardhshme të vihej nën protektoratin e Austro-Hungarisë. Kjo kërkesë e një myslimani, kujtonte Mustafa Kruja, çuditërisht u kundërshtua nga prifti katolik dom Nikollë Kaçorri, që kishte një simpati të madhe për Austro-Hungarinë dhe gëzonte, gjithashtu, përkrahjen e konsujve austro-hungarezë. Përmes parashtrimit të argumentit se, në koniunkturat e reja të krijuara, Perandoria Otomane ose i “Sëmuri i Bosforit” nuk e kishte jetën të gjatë, zgjidhja më e mirë, sipas Dom Nikollë Kaçorrit, do të ishte autonomia nën Perandorinë Otomane, me rënien e së cilës do të ishte më e lehtë të arrihej pavarësia.
Parashtrimi në këtë mbledhje i disa alternativave rreth perspektivës historike të shtetit shqiptar [në rrethanat e reja të krijuara në nëntor të vitit 1912] dhe, për më tepër, që një mysliman kërkonte shkëputjen nga Perandoria Otomane dhe një katolik kërkonte të qëndronte akoma nën sulltanin, janë tregues i faktit se këta përfaqësues në mbledhjen e organizuar në kryepeshkopatën katolike në Durrës, në propozimet e tyre, më së shumti, gjykonin si politikanë vizionarë, duke parashtruar alternativën më të mirë të mundshme për të ardhmen e Shqipërisë, sikurse shprehej dhe Mustafa Kruja: …te patrijoti intelektual shqiptar ndienja e ideja e kombsisë qëndronte përmbi ato të fesë. Por, kongresi kombëtar nuk arriti të mblidhej në Durrës, ndaj delegatët do të drejtoheshin drejt Tiranës për të parë mundësinë e organizimit atje të kongresit. Precipitimi i shpejtë i situatës në nëntor 1912, dëshmohej në njoftimet telegrafike përmes të cilave raportohej sistematikisht për rrezikun e përparimit të shpejtë të ushtrisë serbe drejt Tiranës dhe Durrësit.
Elbasani në pritje të organizimit të Kuvendit Kombëtar më 14 nëntor 1912
Në kujtimet e tij, Midhat Frashëri do të shkruante: Atëhere, duke u-lenë me nj’anë Tirana dhe Durrësi, vështrimet u këthyenë drejt Elbasant. Duke përmendur traditat patriotike të këtij qyteti dhe faktin se edhe më parë në Elbasan ishin organizuar kuvende kombëtare, ai theksonte se në Elbasan ishte më e lehtë që të mblidheshin delegatët, duke pasur, gjithashtu, edhe mbështetjen e parisë vendase. Ndaj, në pamundësi të mbajtjes së Kuvendit Kombëtar të planifikuar për në Durrës apo Tiranë, Elbasani konsiderohej si qyteti më i përshtatshëm për organizimin e tij. Midhat Frashëri ishte i mendimit që kuvendi mund të mbahej në Elbasan, në kërthizën e Shqipërisë, ashtu siç e kishin pleqëruar edhe me imzot Preng Doçin, duke u nisur edhe vetë nga Durrësi drejt Elbasanit. Në nëntor të vitit 1912 ai u nis për në Elbasan, duke u vendosur në shtëpinë e Aqif Pashë Biçakut. Në Elbasan, ku ai gjen edhe Mahmut pashë Jellën, të cilin e kishte takuar në Shkup dhe në Pejë, informohet edhe për tejshkrimet që kishin ardhur nga Mehmet pashë Dërralla, Zenel Peja, Riza Jakova, Isa Boletini, Bajram Curri etj., të cilëve u kishte telegrafuar për të ardhur në Elbasan për mbledhjen që do të bëhej.
Nën/konsulli austriak në Durrës raportonte se në 14 nëntor të vitit 1912, Elbasani ishte njoftuar për të bërë përgatitjet e duhura për organizimin e Kuvendit Kombëtar në funksion të përmbushjes së këtij qëllimi madhor, duke i raportuar eprorëve të tij: Ftesa në këtë drejtim janë bërë. Midhat Frashëri pohonte se Elbasani jo vetëm që kishte marrë njoftimin, por, gjithashtu, kishte nisur kontaktet me qytetet e tjera, duke u shprehur: Tek Elbasani zgjidhte përfaqësonjësit e tij dhe këmbente mëndimetë me qendrat e tjera, na se ku po faqetë një çështje e re ….
Njoftimet për përparimin e shpejtë të ushtrisë serbe dhe mbërritjen e saj në Ohër dhe Strugë, përbënin një rrezik që shumë shpejt mund t’i kanosej edhe Elbasanit, sikurse shprehej Midhat Frashëri: Serbët janë tue zbriturë në Ohër dhe në Strugë, telegrafi është në rrezik të pritet. Në këtë kuadër, jemi të prirur të mendojmë se faktorët që e privuan Elbasanin nga kjo ngjarje me dimensione mbarëkombëtare, midis të tjerave, lidhen edhe me mungesën në këtë qytet të konsullatave të huaja dhe të lidhjeve telegrafike të Elbasanit me botën e jashtme. Kur bëjmë një pohim të tillë, i referohemi, gjithashtu, edhe pohimit të Midhat Frashërit në atë kohë: Në rast të sulmit të qytetit të Elbasanit nga ushtria serbe, qyteti i zgjedhur si vendi i mbledhjes jo vetëm që ishte i hapur [i ekspozuar] ndaj pushtimit, por edhe pa mjet komunikimi me botën e jashtme, që e bënte tashmë të pamundur mbajtjen e kongresit në Elbasan. Mendojmë që këto përbënin edhe arsyet më kryesore, pse plani për të organizuar kuvendin kombëtar në Elbasan mbeti një projekt i pa realizuar.
Në një kontekst të tillë historik, përfaqësuesit më në zë të elitës politike të Elbasanit, jo më larg se dy javë para hapjes së Kuvendit Kombëtar në Vlorë nga Ismail Qemali, kishin qenë në rolin e organizatorëve të kuvendit kombëtar në Elbasan me iniciativën e Syrja bej Vlorës. Mendojmë se ata hezituan ta ngrinin flamurin në Elbasan deri në 28 nëntor të vitit 1912, për të vetmen arsye, që lidhej pikërisht me përmbushjen e ambicies më të madhe të tyre, synimit për ta organizuar kuvendin kombëtar në Elbasan dhe për ta shpallur më pas Elbasanin kryeqytet të Shqipërisë së pavarur. Me nisjen e udhëtimit të Ismail Qemalit nga Durrësi për në Vlorë, mendojmë se patriotët elbasanas, qëndronin në gatishmëri, në rast të ndonjë të papriture që mund t’i ndodhte rrugës [duke ditur se ishte dhënë edhe urdhri për arrestimin e tij] dhe që mund të pengonte seriozisht mbledhjen e kuvendit kombëtar, pse jo, në pritje për ta organizuar kuvendin kombëtar në Elbasan. Në pasditen e 28 nëntorit, pasi morën sigurinë nga Lef Nosi që gjendej në Vlorë, përmes fjalëve Kuvendi ndashti do të hapet, Elbasani jep përgjigjen: Ndashti po e ngremë [flamurin].
Në pasditen e 28 nëntorit 1912, kur në Vlorë po hapej Kuvendi Kombëtar, Elbasani njoftonte telegrafisht përfaqësuesit e tij në Vlorë se në Elbasan po ngrihej flamuri. Patriotët elbasanas hezituan ta ngrinin flamurin deri në 28 nëntor 1912 dhe një qëndrim i tillë, mendojmë se shpjegohet me faktin se, patriotët elbasanas dhe jo vetëm, në kuadrin e ambicieve politike që kishin, shpresonin dhe besonin se Elbasani e meritonte të ishte kryeqyteti i ardhshëm i Shqipërisë së pavarur. Ishte mëse e qartë për ta se qyteti ku do të organizohej Kuvendi Kombëtar, ai qytet do të konsiderohej si qyteti më i rëndësishëm i Shqipërisë së pavarur dhe kryeqyteti i ardhshëm i saj. Elbasani i përmbushte të gjitha kushtet dhe kishte kapacitetet për mbledhjen e kuvendit kombëtar dhe, pse jo, për t’u shpallur kryeqendër e Shqipërisë së Pavarur.