Dr. Paulin Marku/
Nexhip Draga rrjedh nga familja e Dragajve, një prej familjeve më të njohur në Mitrovicë dhe me kontribut të çmuar patriotik e politik për çështjen kombëtare shqiptare. Profili politik, atdhetar e kulturore i Nexhip Dragës dëshmohen nëpërmjet kontributit politik, financiar e luftarak për çështjen atdhetare shqiptare. Ai mbajti poste drejtuese si kajmekam i Pejës, deputet, organizator i ngjarjeve të rëndësishme atdhetare por edhe si një politikan i matur e përfaqësues i shqiptareve në parlamentin e Stambollit. Zgjedhja e deputetit shqiptar në vitin 1908, ishte zë i forte për të shprehur pikëpamjet politike, atdhetare kulturore në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare. Gjatë fushatës politike dhe në qëndrimet parlamentare krerët shqiptar ishin të ndare midis atyre që besonin në propagandën politike xhonturke që iu premtuan shqiptarëve: do të zbatonin me korrektësi ligjet e kushtetuta perandorake; do të trajtonit me prioritet problemet emergjente të tyre; largimi i zyrtarëve të korruptuar, respektimi i privilegjeve të vjetra, reduktimi i taksave, sigurinë që do të lejoheshin të mbanin armët e tyre dhe do të çeleshin shkolla shqipe. Pati edhe prej atyre që nuk mbështetën fushatën elektorale të Turqve të Rinj dhe qëndruan në opozite me qeverinë.
QËNDRIMI I DEPUTETIT SHQIPTAR NEXHIP DRAGA
Nga krahinat shqiptare, u zgjodhën shumë deputet shqiptarë, ku vetëm një pjesë e tyre si Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Shahin Kolonja etj., përfaqësonin forcat patriotike shqiptare, të cilët shfaqen hapur kundërshtitë ndaj politikës xhonturke dhe u rreshtuan në krahun e opozitës parlamentare.
Nexhip Draga ishte një prej përfaqësuesve politik shqiptar që qëndroi përkrah opozitës dhe u rreshtua në mbrojtje të çështjes dhe interesave kombëtare shqiptare. Ai mbështeti grupin e deputeteve shqiptar duke u përballur me debate të forta parlamentare kundër qeverise dhe Portës. Ajo që forcoi lidhjet e deputetëve shqiptar ishte nisma e qeverise për çështjen shqiptare. Nexhip Draga iu bashkua mbështetësve të linjën opozitare, së bashku me deputetët shqiptar, Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Shahin Kolonja, etj, kundërshtuan reformat e politikës xhonturke dhe vepruan në parlament si grup kombëtar në mbrojtje të interesave të bashkëkombësve. Po ashtu, grupimi opozitar shqiptar në parlament shprehu hapur qëndrimin e tyre dhe mbajti qëndrim kur u diskutua çështja e alfabetit dhe zgjedhja e përdorimit të germave (arabe apo latine) për gjuhën shqipe. Kjo çështje pati debate të ashpra midis shqiptarëve dhe Portës së Lartë. Por ndryshe nga sa pretendonte grupi i deputetëve turq që nisma e tyre do të mbështetej nga shqiptarët, rezultoi ndryshe. Futja e alfabetit me germa arabe, jo vetëm që nuk u mbështet nga shumica e shqiptarëve por kjo nismë u kundërshtua nga opozita parlamentare shqiptare dhe hasi rezistencë dhe u kundërshtua nga shqiptarët katolikë, të cilët u mbështetën nga shqiptarët myslimanë dhe ortodoksë duke mbajtur një qëndrim të përbashkët pa dallim feje e krahine për zgjedhjen e alfabetit me germa latine në shërbim të interesave kombëtare shqiptare. Nexhip Draga, së bashku me drejtues politik shqiptar kundërshtuan futjen e alfabetit arab në trojet shqiptare dhe argumentonin se kjo ishte një e padrejte ndaj shqiptarëve. Ata iu kërkonin autoriteteve që mos të ndërhyjnë por të lejnë shqiptaret të lirë që të vendosin vetë për përdorimin e alfabetit. Shqiptarët akuzonin qeverinë se po ju mohonte të drejtat e tyre.
NEXHIP DRAGA DHE PËRPJEKJET PËR GJUHEN SHQIPE
Qëndrimi i shqiptarëve për çështjen e alfabetit u shfaq qartë gjithandej dhe iniciativa e intelektualëve shqiptarë që u mblodhën në “Kongresin e Alfabetit” në nëntor të vitit 1908, në Manastir, ku morën pjesë përfaqësues nga qendra e klube kombëtare, shoqëritë letrare dhe nga redaksitë e gazetave shqipe ishte një vendim i rëndësishëm për të ardhmen e kombit shqiptar. Nga pjesëmarrësit në Kongres u përzgjodhën 32 delegatë, të cilët formuan komisionin që do të caktonte alfabetin e përbashkët për gjuhën shqipe. Rezultatet e votimeve për komisionin e hartimit të alfabetit ishin: Kryetar i komisionit At. Gjergj Fishta, nënkryetar Mit’hat Frashëri, sekretar Luigj Gurakuqi, Dom Nikoll Kaçorri, Dom Ndre Mjeda, Lef Nosi, Dhimitër Buda, Shahin Kolonja, Sotir Peci, Bajo Topulli, Nyzhet Vrioni, Akile Eftimi Leonidha Naçi etj.
Vendosja e alfabetit me germa latine shkaktoi pakënaqësi tek xhonturqit pasi prisnin që nisma e tyre do të mbështetej nga shqiptarët.
Përpjekjet e vazhdueshme të shqiptarëve për futjen e gjuhës shqipe nëpër shkolla mbështetej nga shqiptarët. Klubi i Shkupit u përpjek për futjen e gjuhës shqipe në shkollat shtetërore turke, madje në vitin 1908, pati tentativa për shndërrimin e tyre në shkolla shqipe, ku klubi i Shkupit, veçanërisht, Nexhip Draga u angazhua në këtë proces, edhe si një nga drejtuesit e tij. Nëpër disa shkolla të ndryshme fillore në Kosove si në Pakashticë, në Dumicë, në Dumosh etj., me iniciativën e mësuesve dhe klerikëve atdhetare u bënë përçapje për të futur mësimin e gjuhës shqipe dhe për t’u mësuar fëmijëve shkrim e këndim në gjuhën shqipe. Hapja e shkollës më 1 dhjetor 1909 në Elbasan “Shkolla Normale (pedagogjike)” pati 160 nxënës. Ata vinin në Elbasan nga të gjitha krahina e Shqipërisë. Gjatë vitit shkollor 1909-1910 rreth 50 nxënës, kishin ardhur nga Kosova, Rrafshi i Dukagjinit, e Dibra. Ata ishin dërguar nga klubet shqiptare, me kujdesin e veçantë dhe përkushtim të atdhetarëve shqiptarë si: Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Bajram Curri. etj. Në këtë periudhë të rëndësishme të arsimimit të gjuhës shqipe, klubi arsimor i Shkupit pati përpjekje të vazhdueshme për hapjen e shkollave shqipe në vilajetin e Kosovës, në Moravë, në Gjilan, etj., për të mësuar fëmijët e atyre zonave dhe të fshatrave përreth.
Po ashtu, gjate kësaj periudhe pati fushatë për ngritjen e shkollave shqipe, në Prizren, në Gjakovë, në Pejë dhe në Vuçiterna.
Në janar 1910 klubi i Shkupit ngriti një shkollë private shqipe po në këtë qytet, ndërsa një muaj më pas, në shkurt u hap një shkolle shqipe në Mitrovicë. Në këtë veprimtari patriotike klubi i Shkupit, me një prej drejtuesve më aktiv, Nexhip Draga, i cili luajti rol pozitiv për përhapjen e shkollave dhe gjuhës shqipe.
Kjo veprimtari atdhetare për të vepruar të lire me mësimin në gjuhën shqipe dhe përzgjedhjen e alfabetit, pati kundërshti nga autoritete qeverisëse. Në shkurt të vitit 1910 valiu i Kosovës urdhëroi mbylljen e të gjitha shkollave shqipe në këtë vilajet dhe të hiqej mësimi i gjuhës shqipe nga shkollat shtetërorë turke. Ministri i Arsimit deklaroi në fillim të vitit 1910 se “Qeveria turke do të qëndrojë neutrale në punët e alfabetit, por në shkollat shtetërore do të vërë në zbatim alfabetin arab”. Ky urdhër u kundërshtua nga Hasan Prishtina, Nexhip Draga e atdhetar të tjerë shqiptar që protestuan kundër këtyre veprimeve dhe i kërkuan Stambollit largimin e valiut nga Kosova. Disa prej deputetëve atdhetar shqiptar si, Ismail Qemali Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Shahin Kolonja, etj., të zemëruar nga veprimet e qeverise i dërguan kryeministrit letër proteste dhe i kërkonin që të respektohen të drejtat e legjitime të shqiptareve, të lihen të lire për përdorimin e alfabetit që dëshirojnë dhe i kërkonin që qeveria të mos të ndërhyhet në çështjen e përdorimit të alfabetit.
NEXHIP DRAGA
Çështja shqiptare ndiqej me interes nga politika e Stambollit. Brenda parlamentit pati teza dhe kundër teza midis deputeteve shqiptar dhe atyre pro veprimeve qeveritare. Përfaqësuesit shqiptar në parlament mbronin kauzën e bashkëkombësve dhe kundërshtuan tezat e sjella nga përkrahësit e nismës qeveritare, të cilët shpreheshin pro për shtypjen e çdo lëvizjeje kundër qeverisë apo të kryengritjeve kundër autoriteteve turke. Gazeta “Dielli” 29 prill 1910 Boston botonte për ngjarjet në Shqipëri me titull “Kuptimi i vërtetë i kryengritjes në Gegëri” ku pohonte se përkrahës të nismës parlamentare ishin: Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Myfit beu, Fuat Pasha etj., të cilët mbrojtën me guxim e me fakte çështjen shqiptare. Grupi i deputetëve shqiptar mbrojtën luftën në Kosovë kundër qeverisë xhonturke dhe për ketë arsye në parlament u bë një diskutim i madh më 12 prill 1910 që iu kërkonin qeverisë, zbatimin e të drejtave kushtetuese në Shqipëri. Sipas gazetës “Dielli” debatet ishin të ashpra dhe aty u bisedua gjer e gjatë çështja e kryengritjes në Shqipëri. Deputetet e Shkupit me në krye Hasan Prishtinën dhe Nexhip Dragën ishin kritik ndaj veprimeve dhe qortuan sjelljen e qeverisë.
Këto ngjarje u njekën me interes nga intelektual shqiptar jashtë parlamentit të cilet ishin të shqetësuar për gjendjen në vendlindje. Luigj Gurakuqi shprehte vlerësime të larta në shkrimin e botuar në gazetën “Dielli” e “Flamuri” më 10 qershor 1910, në lidhje me dërgimin e qeverisë për shtypjen e lëvizjes në Kosovë dhe qëndrimin e deputetëve shqiptarë në parlament. Ai vlerësonte qëndrimin e tyre dhe pohonte se, “deputetët shqiptar Hasan Prishtina dhe Nexhip Draga, të cilët janë më të zotët se asnjë tjetër të gjykojë mbi këtë punë, atë ditë që u fol në parlament ua hodhën të gjithë fajin nëpunësve të Qeverisë”.
Kryengritjet shqiptare ishin objekt bisede në seancat parlamentare dhe ato u shoqëruan edhe me debate të forta midis deputeteve shqiptare dhe përfaqësuesve të qeverisë xhonturke. Veprimtaria politike dhe situata e vështirë në tokat shqiptare ndiqej me interes nga shtypi i kohës. Gazetat pranë qeverisë mbështesnin politikat xhonturke, ndërsa shtypi patriotik shqiptar mbështeste veprimtarinë e drejtuesve shqiptar. Gazeta “Liri e Shqipërisë” mbështeste atdhetarët shqiptarë dhe qëndrimet e saj publike shqetësuan xhonturqit. Gazeta i bënte thirrje popullit që të mos mbështesin politiken e as kandidatët e “Turqve të Rinj” në zgjedhjet e vitit 1912. Ajo ftonte shqiptarët të mbështesnin kandidatet atdhetar shqiptar, si: Ismail Qemalin, Hasan Prishtinën, Nexhip Dragen, Ibrahim Temo, Haki Mborjen, etj,.
Viti 1912 cilësohet si një prej momenteve delikate për fatet e popullit shqiptar dhe të ardhmen e tokave shqiptare. Për shkak të dobësimi perandorak dhe aspiratat e vazhdueshme të fqinjëve ballkanik për t’u zgjeruar në dem të tokave shqiptare. Krerët shqiptar ishin në kërkim të armëve, të hollave, si dhe të organizimit të popullatës për t’u vunë në lëvizje për fatet e të ardhmes së Shqipërisë dhe tokave shqiptare.
Nexhip Draga shfrytëzoi njohjet e tij me diplomatet e huaj për të kërkuar ndihmë. Konsulli italian në Sarajeve shprehej se Nexhip Draga nga Mitrovica ka marrëdhënie të mira me Austro-Hungarinë. Citoj dokumentin e nisur nga diplomati italian nga Sarajeva, Augusto Stranieri dërguar për në Romë, më 18 maj 1912 njoftonte “gjatë kohës së qëndrimit tim në Shkup njëra prej familjeve me influencë të Mitrovicës, ajo e Dragajve nuk e fshihte simpatinë e saj për Austrinë dhe mbante raporte të vazhdueshme me konsullatën austro-hungareze. Tani udhëheqësi i kësaj familje, Nexhip Bej Draga, i rizgjedhur në zgjedhjet e fundit politike osmane bashkë me deputetin Hasan Beu është frymëzues, siç thuhet i trazirave aktuale shqiptare, një prej udhëheqësve më të zjarrtë të partisë opozitare”. Në përfundim të dokumentit pohohet se Nexhip Draga, si të gjithë udhëheqësit e opozitës, janë në kulmin e zemërimit për të gjitha shtypjet e bëra nga komuniteti “Bashkim e Përparim”. [1]
Nexhip Draga vijonte udhëtimin e tij për të siguruar ndihma për të përballuar luftimet, si dhe për të kërkuar mbështetje diplomatike. “Revolucionarët e vilajetit të Kosovës (mes tyre të mirënjohurit Nexhip bej Draga e Hasan bej Prishtina) për të kërkuar ndihmë pranë Fuqive të Mëdha, janë ndaluar për 5 ditë tek kryeministri malazez në Cetinë.[2] Pas këtij takimi që nuk jepen detaje se fare u diskutuan, krerët shqiptarë u rikthyen në atdhe dhe u vunë në krye shërbim të kryengritjes së vitit 1912, e cila shpërtheu në Kosove.[3]
Nexhip Draga gjendej përkrah drejtuesve shqiptar. Këtë e pohonte edhe diplomati italian nga Sofja ku pohonte se “një burim i sigurte më njoftojnë se një ish deputet i Prishtinës Hasan Beu dhe kushëriri i tij Zejnullah Beu të cilët deri më tani kishin organizuar çetat nga larg, janë bashkuar me to. Ish deputeti Nexhip Draga, i njohur dhe shumë i pasur dhe i mirënjohuri Isa Boletini kanë lënë Mitrovicën dhe janë larguar në drejtim të papërcaktuar, por thuhet se janë bashkuar me kryengritësit”. Po ashtu diplomati italian nga Athina pohonte se edhe konsujt helen raportojnë mbi ngulmimin e kryengritjes shqiptare dhe konfirmojnë që ish deputetët Basri Beu, Hasan Prishtina e Nexhip Draga, bashkë me të tjerë krerë me influencë, janë bashkuar me rebelët duke i dhënë kështu një karakter politik lëvizjes[4].
Gjatë kryengritjes së vitit 1912 në Kosovë, Nexhip Draga gjendet aktiv në lëvizjen patriotike shqiptare. Në njoftimin e ministrit Fuqiplotë italian në Sofje për Ministrinë e Jashtme mbi dërgimin e një memorandumi tek Veziri i Madh dhe valiu i Kosovës të firmosur nga krerët shqiptarë gegë dhe toskë ku thuhet se: “Konfirmohet se edhe ish deputeti Nexhip Draga dhe Isa Boletini janë bashkuar me çetat e armatosura dhe ndodhen aktualisht në krahinën e Hasit (Gjakovë). Kërkohet gjithashtu që edhe ish deputeti Ismail Qemali të bashkohet me rebelët. Raportohet se i është paraqitur valiut të Kosovës dhe njëkohësisht edhe Vezirit të Madh një memorandum i firmosur nga krerët shqiptarë toskë dhe gegë duke kërkuar:
– Emërimin e një guvernatori të përgjithshëm shqiptar për të gjithë Shqipërinë dhe caktimin e kufijve shqiptarë;
– Zëvendësimin e funksionarëve osmanë me funksionarë shqiptarë;
– Buxhet të veçantë për Shqipërinë;
– Përdorimi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare[5].
Në korrik 1912, Hasan Prishtina në bashkëpunim me Nexhip Dragën, e krerë të tjerë shqiptarë i dërgojnë qeverisë në Stamboll një peticion për të ardhmen e Shqipërisë. Po ashtu, Nexhip Draga ka kontribut të çmuar atdhetar për çështjen kombëtar shqiptare, por në ditën e Pavarësisë nuk është pjesëmarrës në Vlore më 28 nëntor 1912 sepse në prag të shpallje së Pavarësisë së Shqipërisë, së bashku me Hasan Prishtinën dhe disa atdhetar të tjerë shqiptar ishin ndaluar nga qeveria e Beogradit. Nexhip Draga ka kontribut të madh si drejtues në ngjarje të rëndësishme të të ardhmes së Shqipërisë, si në sferën politike, pjesëmarrës në kryengritje, si dhe në veprimtari arsimore e kulturore.
[1] AMAE në AIH, Fondi: Serie Politica “P” (viti 1912), Pacco 674, img 7967, 7968
[2]AMAE në AIH, Fondi: Serie Politica “P” (viti 1912), Pacco 672, img P1000964
[3] AMAE në AIH, Fondi: Serie Politica “P” (viti 1912), Pacco 674, img 8074
[4] AMAE në AIH, Fondi: Serie Politica “P” (viti 1912), Pacco 674, img 7478
[5] AMAE në AIH, Fondi: Serie Politica “P” (viti 1912),Pacco 674, img 7752-7753