• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2023

Këngët e Lefter Çipës, perla që nuk e humbasin kurrë shkëlqimin

November 30, 2023 by s p

Viron Kona/

Grupi polifonik i Pilurit, një grup yjesh që shkreptijnë pareshtur. Në krye Leter Çipa, famëmadh. Atje, në lartësinë 800 metra të Pilurit, shpirti dhe zemra e tij e bukur krijoi këngë ylberiane, teksa shushurimat e lisave shekullorë dhe valët lozonjare të Jonit i përhapën ato nëpër atdhe e nëpër botë: “Nga kjo baltë e kësaj toke”, “Këngët e atdheut tim, janë ilaç e janë shërim”, “Naim Shqipëria”, “Tundu bejkë e bardhë, tundu”, “Zoga kaçake në male”, “Vito Pëllumbesha”, “Moj unaza gur jeshile”, “Shqipëri flakë dyfeku”. “Për Kosovën prapë do ngrihem!”, “O shokë vdeksha nga kënga!”, “Shqipëri pse të qan syri?”, “Zonjë e bukurisë”, “Në të zënça moj manushaqe!”, “Himarë e bukur, Himarë!”…

Aso kohe isha thjesht një admirues i këngës së tij, kurse më pas puna e solli ta kisha mik dhe shokë të afërt, ndaj dhe sot portretin e Lefterit e kam gjithnjë përpara syve. Më vinte shpesh herë në shtëpi në Vlorë, edhe në Tiranë, edhe unë i kisha shkuar në shtëpi, në Himarë, por dhe në Pilur kisha shkuar…Ishim të dy miq e shokë të sinqertë, qanim hallet me njëri – tjetrin, mbështetnim njëri – tjetrin.

Mbaj mend që më erdhi një herë i gjithë grupi, në shtëpi, rreth orës 15.00. Mendova se bashkëshortja ime ishte kthyer nga puna, por jo, ajo ende nuk kishte ardhur, në shtëpi ishte vetëm nëna ime e moshuar.

Ajo sa i pa në derë, u hodhi duart në qafë si bijat dhe bijtë e saj.

-Po unë ju njoh vetëm të veshur me kostume popullore, po ja, syri s`po më gënjen, ti je Ermioni, të njoha, – i tha nëna duke buzëqeshur. -Na mbushët shtëpinë, gjithë Pilurin kam këtu, – u tha pastaj dhe nisi t`i gostit miqtë, por kafenë s`po e përgatiste dot, fitilat e furnelës ishin të lagura dhe s`ndizeshin, teksa duart e nënës dridheshin nga pleqëria, por edhe nga emocioni. I kishin ardhur miq e mikesha të shquara, ato vajza dhe gra, ata djem dhe ata burra që i shihte vazhdimisht në televizor të veshur me kostumet popullore të Pilurit e që këndonin aq bukur sa të ngrinin peshë e të drithëronin shpirtin. U ngrit Ermioni, pilurjotja e famshme me zë brilant. Ajo e bëri kafenë dhe e shijuam aq shumë duke bashkëbiseduar si miq të vërtetë që ishim…Më pas, nëna më thoshte gjithmonë, mua dhe të tjerëve që na vinin vizitë: “S`më ka shijuar ndonjëherë tjetër kafeja dhe muhabeti sa atë ditë…”

Pa shqetësim nuk kaloi ajo vizitë. Pasi unë e përcolla grupin dhe u ktheva në shtëpi, ime shoqe sapo u kthye nga puna. Ajo ishte shumë e zemëruar përse nuk e kisha lajmëruar që ta priste edhe ajo grupin e Pilurit. “Na mbajtën në mbledhje për planet ata të drejtorisë, uf, çdo ditë mbledhje, i gjeti një punë…! Po ti pse nuk më lajmërove?”

-Po s`kisha sesi të lajmëroja, ata erdhën krejt papritur…

-Të gjeje mënyrën të më lajmëroje, – vijoi ajo me ton kritik. Ai ton kritik vazhdon edhe sot. Por unë e qetësoj dhe e sjellë në humor duke vënë në laptop këngën: “Bejke e bardhë borë e malit,/ti je moj ilaçi çobanit…”.

Bashkëshortja ime është nga fshati Kosinë i Përmetit, që i bie të jetë vetëm disa kilometra larg në vijë ajrore me Frashërin…Dhe ajo ka të drejtë kur kërkon edhe këngën “Bilbil i vendeve të mia”, ku flitet për Naimin, të cilin poeti Çipa e quan “Naim Shqipëria” “…Gjuh` e zogjve nëpër djepe, /zgjove kombin, dritë derdhe, /bilbil i vendeve t` mia, /bilbil-o, bilbil-o, bilbil-o, /more Naim Shqipëria…”

V. Kona dhe një pjesë e grupit të Pilurit(Pilur, 1981)

Mbaj mend që, përpara festivalit të Gjirokastrës ai e bëri të njohur atë këngë aty, te Pallati i Kulturës në Vlorë. Pranë i rrinte mjeshtri i madh, i paharruari Haxhi Dalipi. Lefteri kërkonte diçka më shumë te vetja dhe te grupi. E ndjente thellë ç`do të thoshte ajo këngë, ishin dy emra të mëdhenj: Shqipëria dhe Naimi.

-Si thoni, e provojmë edhe një herë? – i drejtohej ai grupit. Ata e shihnin në sy dhe ia nisnin. Përsëri, përsëri, edhe një herë tjetër! Po, tani po, kështu do t`i këndojmë Naimit atje në Gjirokastër, do t`i këndojmë Shqipërisë për të cilën ai u shkri si qiri..

Tekstet e këngëve të Lefterit dhe melodia janë në zemrat dhe buzët e këngëtarëve, jo vetëm piluriotë dhe himarjotë, por të të gjithë shqiptarëve. Sepse edhe të duash t`i harrosh, nuk i harron dot; edhe sikur të duash t`i heqësh nga mendja, nuk i heq dot; edhe sikur të duash t`i redaktosh, s`ke çfarë t`u redaktosh, sepse ato janë unike në formë, në përmbajtje, në ritëm, plot bukuri, ndjenjë e figuracion. Ja, e harrojmë dot “Bejkën e bardhë”? E harrojmë dot “O shokë vdeksha nga kënga”!.. Në Labëri jo se jo, se të gjithë dinë t`i këndojnë ato këngë, por unë them se në të gjithë Shqipërinë, sot edhe nëpër botë, se shqiptarët janë shpërndarë si zogjtë shtegtarë nëpër botë dhe kanë mall për jetën dhe njerëzit, për gurët, për fijet e barit, për krojet, për dallgët e Jonit dhe Adriatikut, për fushat, kodrat, malet e Korabit e Tomorit…, për erën e manushaqes dhe trëndafilave, për bukurinë e lulëkuqeve në fusha, për stanet, për zilet e këmborët, për blegërimat e kecave dhe qengjave, për cicërimat e zogjve…; kanë mall edhe për këngët.. Ato burojnë nga kjo tokë, nga ky atdhe, nga këta njerëz me histori të lashtë sa veta jeta njerëzore…Aty me ta është edhe Lefteri me grupin piluriot brilant, me ato këngë që krijoi ai i thërret lashtësisë dhe genit shqiptar, heronjve dhe dëshmorëve, vlerave tradicionale e jetësore, gjuhës, folklorit, shpirtit dhe zemrave të sotme shqiptare, të ardhmes; ato janë si dallgët e Jonit, janë si erërat e Pilurit që lulëzojnë gjelbërimin dhe ngjyrat e pranverës piluriote, ato janë si fllade ndjenjash për shpirtrat dhe zemrat e njerëzve, ato sjellin gëzim, begati e bukuri, zgjojnë trimëri e krenari, ngrenë peshë zemrat e fëmijëve dhe të rinisë, prezantojnë historinë e trevave legjendare shqiptare. A nuk thoshte Sami Frashëri se: “Banorët e Labërisë dhe tërë Shqipërisë, kanë prirje dhe aftësi natyrore për poezi e këngë…”

Kujtoj një herë kur kam shkuar aso kohe në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”,Tiranë për një librin tim, dëgjova disa nga punonjësit e shtëpisë botuese që recitonin në korridore apo nëpër shkallë vargje të Lefterit nga poezia e tij “Preji ato gërsheta”!:” …Kur kalon në vreshta, /vreshtat plot lastarë, /me ato gërsheta, / shkoq rrushin e parë,/…Të kam thënë preji, /se i ke të gjata, /po s`i preve ngrei, /se vendi ka shkarpa. /Në s`i pret ti vetë, /vij e t`i presë unë, /se ato gërsheta, /na kanë hapur punë…”

Eh, more Lefter Çipa! Të ka lezet fjala dhe kënga, të ka lezet shpirti dhe zemra, je një margaritar i çmuar përherë vezullues në gjerdanin e këngës popullore polifonike…! Nuk harrohesh, jo! Nga ne jo se jo, por edhe nga brezat, nga të rinjtë dhe fëmijët sot, nga të tjerët nesër se kënga jote është si rreze dielli, si një yll, që edhe kur nuk është më, vazhdon të dërgojë në tokë dritën e tij…

Mbaj mend rrugën anës detit nga Jala në Spile që e kemi bërë në këmbë së bashku me Lefterin. Ecnim dhe bisedonim si dy miq të mirë. Sa gjëra mbaj mend nga ajo bisedë? Shumë. Ai fliste dhe ndizte e shuante cigaret, harxhoi vetëm një shkrepëse me të cilën ndezi cigaren e parë, të tjerat i ndizte me njëra-tjetrën. Flisnim për këngën e bregut, për traditat shqiptare. Herë –herë hidhte ndonjë gur në formë pllake mbi sipërfaqen e detit të qetë dhe guri rrëshqiste bukur deri ku e çonte fuqia e hedhjes. E shikon, si rrëshqet guri? Rrëshqet bukur, por kjo kërkon zotësi e mjeshtëri për ta hedhur. Kështu dhe kënga, krijoje dhe përpunoje mirë dhe hidhe në ajër, nëse është e bukur e shpërndan “era”, ku nuk e çon. Por, nëse nuk është e bukur, humbet në hapësirë. – Pastaj, më shihte në sy, ndizte cigaren me cigaren që kishte shkuar në fund dhe thoshte:

“-Ne nuk asimilohemi kurrë, sepse kemi rrënjët në shekuj, kemi fuqinë e këngës…; E pasurojmë grupin me të rinj, vazhdimisht, i japim freski dhe jetë; Kemi tradita të trashëguara dhe këngëtarë të mëdhenj. Sigurisht më i madhi është Neço Muko, ne i themi Neço Muko Himarjoti, e ka krijuar ai këngën “Vajza e Valëve” e shumë e shumë të tjera. Ai ngriti një grup që edhe sot i kujtohet fama. E nisi aktivitetin e tij në Paris. S`ishte vetëm, ishte me shokë, me Koço Çakallin, Andrea Balën, Panajot Kokaveshin. Me ata bashkëpunoi edhe Tefta Tashko Koço, Tulla Paleologu…Ndonëse mbylli sytë në moshë fare të re, vetëm 35 vjeç, Neçoja la një pasuri të madhe dhe hyjnore, la këngët e zemrës dhe të shpirtit të një populli. Dhe Lefteri i këndon bashkë me mua disa nga ato vargje, teksa era e detit sikur i përcjellë larg: “Vajzë e valëve,/Zëmra s’ ja mban./Mbi një gur anës detit,/Qan e zeza, qan e mjera, qan e zeza qan./Pret atë që pret,/Dhe një dhembje ndjen./Gjithë bota ven e vijnë, Por ai nuk vjen e mjera, por ai nuk vjen./…Ju te bukur zogj,/Te ju kam një shpresë./Ju që çani det e male,/Dua t’u pyes e mjera, dua t’u pyes…”

-Piktori i Popullit, i madhi Skënder Kamberi ka realizuar një pikturë fantastike kushtuar “Vajzës së valave”, – i them.

-Po, e kam parë edhe unë, një mrekulli është ajo. -E di çfarë, – tha ai pas disa çastesh, – do të ta tregoj edhe ty, unë kam një pllakë gramafoni me këngët e Neços të krijuara që në vitin 1924. I kam të shenjta ato këngë, janë më shumë se margaritarë… Ato e të tjera këngë, janë themelet e polifonisë.

Grupi polifonik i Pilurit. Lefteri i ulur.

Por edhe ne, duke ecur në gjurmët e tyre kemi këngët tona, kemi grupin me këngëtarë të shquar…

Lefteri m`i numëronte me radhë anëtarët e grupit polifonik të Pilurit, duke treguar aftësitë dhe talentin e gjithsecilit, edhe të atyre më të vjetër, edhe të atyre më të rinj: Vasilika Lapa, Katina Muço, Ermioni Mërkuri, Koço Gjiçali, Arqile Lapa, Sofo Gërdhuqi, Marika (Çipa) Bala, Margarit Kongjoni, Pavllo Bala, Qirjako Bala, Lene M. Bala, Vangjel Gjiçali, Vasillo Koka, Miltiadh Gjiçali, Leni L. Mërkuri, Eleni Mërkuri, Vitori Mërkuri, Polo Çipa, Katina Mërkuri, Athina Muço, Stavro Mërkuri…(V.K. Ndjesë nëse kam harruar ndonjë tjetër). -Dëgjo, – vijonte Lefteri,- s`është vetëm Piluri, është Himara me grupin e shkëlqyer me Dhimitër Varfin, me Katina Belerin…,me poetin Odise Goro; është Qeparoi dhe Kudhësi, është Vunoi, Iljasi, Dhërmiu, Palasa… Ka shumë këngë i gjithë bregu. E di ti që në Qeparo, lindi kënga:“Abdyl prishe pasurinë/Një barrë flori”? E di ti se ishte grupi polifonik i “Vajzave të Dhërmiut”, i cili në vitin 1965 theu zakonin që këngët polifonike të këndoheshin vetëm nga burrat? Shembulli i tyre u mirëprit, sot vajzat dhe gratë janë këngëtare të shkëlqyera dhe mbajnë peshë në grupet polifonike të Pilurit, Himarës, Iljasit, Vunoit, Qeparoit, Kudhësit…E di ti se ishte Nase Beni nga Vunoi ai që krijoi këngën: ”Kush është lule e Vilajetit, /që ja ka bota sevdanë”? Por ai krijoi edhe këngën për pavarësinë, aq të njohur për të gjithë shqiptarët: ”Njëzetë e tetë nëntori, /në këmbë u ngre Shqipëria”. E di se ishte vunjotasi Gaqe Trola ai që krijoi këngën: “Brenda në Tiranë,/afër një spitali,/ç’u vra Qemal Stafa,/një trim nga të malit..” Ka shumë gjëra që nuk i dimë, por duke i studiuar, duke qëndruar pranë popullit i mësojmë ato. Folklori duhet të kultivohet, edhe në shkollë, të mësohet edhe nga fëmijët… Kënga është pjesë e historisë, historia jonë është shkruar shpesh herë me këngë; Gjërat ndryshojnë, ndryshon jeta, zhvillohet. Ndryshon dhe kënga, zhvillohet, por tabani i saj mbetet. Rrënohen kështjellat dhe kalatë, rrënohen muret, por gurët ciklopikë të themeleve mbeten, ata tregojnë origjinën tonë ilire, tregojnë nga kemi ardhur, historinë tonë, ja si themelet e kalasë së vjetër të Himarës ku po kalojmë tani. Po kostumet tona, sa të bukura që janë? Do të ngjitemi në fshat dhe do të vishesh si piluriot, do ngjash bukur, do ta kesh kujtim nga ne. Ato kostume i japin vlerë, i japin bukuri gjithkujt që i vesh, qoftë vajzë apo djalë, burrë apo grua, hë si thua? Miqtë e mi janë i gjithë grupi, të vjetër dhe të rinj, të gjithë i dua njëlloj se unë jam me ata dhe ata janë me mua, gjithnjë”.

E dëgjoja Lefterin dhe mendoja: Qindra këngë të krijuara nga ai dhe të kënduara nga grupi polifonik i Pilurit, por dhe nga grupi i Himarës, nga grupe të tjera polifonike të Vlorës, madje edhe të rretheve të tjerë të Jugut, por edhe përpunime të këngëve nga kompozitorët më të shquar shqiptarë: Çesk Zadeja, Tish Daia, Limoz Dizdari, Aleksandër Peçi, Kujtim Laro…. Kishte shumë miq Lefteri, nuk numërohen, jo vetëm emrat e shquar të bregut, por dhe nga e gjithë Shqipëria, nga të gjitha trojet shqiptare, por miqtë më të afërt ishin kompozitorët, këngëtarët, poetët dhe rapsodët, ishte populli që ia pëlqente dhe ia pëlqen aq shumë këngët.

Lefteri bashkëpunoi me kompozitorët e njohur të Vlorës: me të paharruarit: Themistokli Mone (Liun), me Haxhi Dalipin, me këngëtarët e trios së famshme vlonjate: Meliha Doda, Reshat Osmani, Kostandin Thana…, por dhe me Pirro Cakranin, i cili përveçse këngëtar i njohur, ishte edhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve vlonjatë dhe e respektonte shumë Lefterin. Sa herë vinte Driteroi në Vlorë, Pirroja i lajmëronte të gjithë krijuesit, edhe Lefterin, që vinte “i ngarkuar” me këngë nga Piluri. E donte Lefterin Driteroi, ashtu si dhe Petro Markoja e Fatos Arapi dhe të gjithë ata artistë e krijues të bregut dhe të Shqipërisë… Pak njerëz e dinë, por Lefter Çipa është autor i teksteve të shumë këngëve të njohura, që këndonte trioja qytetare vlonjate apo këndohen edhe sot. Kur e mësova për herë të parë këtë fakt, i thashë si me faj.

-Lefter nuk e kam ditur që je autor i shumë prej këngëve të kënduara nga trioja e famshme vlonjate. Edhe të tjerë s`e dinë. Disa krijojnë një vjershë dhe e trumbetojnë gjithandej, kurse ti, autor i kaq shumë teksteve të këngëve më të njohura qytetare vlonjate dhe s`më ke thënë një fjalë.

-E po, ç`të të them, e vërtetë është…

E dëgjoja Lefterin me nderim. Ndjenja e respektit më dhjetëfishohej përballë modestisë së tij. Për fat, edhe atëherë ia dinim vlerat, tani ia njohim akoma më shumë; më shumë do t`ia njohim në të ardhmen.

Lefteri mbetet yll i ndritshëm, emri dhe vepra e tij do të jetojnë. A nuk thoshte ai vet: “Nuk mungon njeriu kur është shpirti”.

Filed Under: Kulture Tagged With: Lefter Cipa, Viron Kona

Epikë biblike

November 30, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Dhe Adami i tha Evës: “A nuk i sheh këta fiq dhe gjethet e tyre me të cilat u mbuluam kur e pamë veten të zhveshur? Por tani, nuk e dimë se çfarë mjerimi dhe vuajtjeje mund të na vijë nga ngrënia e tyre”. Kështu, Adami dhe Eva nuk hëngrën më fiq nga kopshti i Edenit. Por faji ishte bërë dhe Zoti kishte ego. Adami filloi t’i lutej Perëndisë që t’i jepte nga fryti i Pemës së Jetës:

“O Zot, kur e shkelëm urdhërimin Tënd në orën 18 të së premtes, nuk qëndruam në kopsht më shumë se tre orë. Ti na bëre të dilnim prej andej. Ne mëkatuam kundër Teje një orë, ndërsa sot është dita e dyzet e tretë që na ke ngarkuar me vuatje. Na jep nga fryti i Pemës së Jetës, që të mund ta hamë, të jetojmë dhe të kthehemi për të mos parë vuajtje dhe telashe të tjera. Kur kemi shkelur urdhërimin tënd Ti dërgove një kerubin për të ruajtur Pemën e Jetës, që ne të mos hamë prej saj, të jetojmë dhe të mos dimë asgjë për dobësitë që kemi. Kemi duruar gjithë këto ditë. Bëjini këto dyzet e tre ditë të barazvlefshme me një orë në të cilën kemi kryer shkelje.”

Dita fillon në perëndim të diellit, ose rreth orës 18:00. Kjo do të thotë se mëkati ka ndodhur në orën e gjashtë, që do të kishte qenë mesnatë dhe nëse Adami dhe Eva u hoqën nga kopshti tre orë më pas, atëherë do të kishte qenë ora 3 e mëngjesit.

Dhe Perëndia iu drejtua Adamit:

“Për sa i përket frutit të Pemës së Jetës që ke kërkuar, do ta hani dhe do të jetoni, si ju, ashtu edhe Eva, dhe pasardhësit tuaj. Por këto dyzet e tre ditë nuk mund të korrigjojnë orën në të cilën ke shkelur urdhërimin tim. Të dhashë frytin e fikut në të cilin u fshehe që ta hash. Pra, ti dhe Eva shkoni dhe hani. Nuk do ta mohoj kërkesën tënde; as nuk do ta zhgënjej shpresën. Prandaj, duroni deri në përmbushjen e besëlidhjes që bëra me ju – do të prisni 55 ditë ose 5500 vjet me kohën time, para se t’u lejojë të hyni në kopshtin tim”.

Pastaj Adami mori fikun dhe e vuri mbi shufrat e arta. Edhe Eva mori fikun e saj dhe e vuri mbi temjan; ata qëndruan në këmbë dhe agjëruan tërë atë natë deri sa zbardhi mëngjesi. Kur u ngrit dielli, ata ende luteshin, por pasi mbaruan së luturi, Adami i tha Evës:

“Eva, eja të shkojmë në kufirin jugor të kopshtit, deri në vendin nga rrjedh lumi. Atje do t’i lutemi Perëndisë dhe do t’i kërkojmë të na japë të pimë pak nga uji i jetës, sepse Perëndia nuk na ka ushqyer me pemën e jetës që të mos jetojmë”.

Të dy u ngritën dhe shkuan buzë lumit, ku u lutën përpara Zotit dhe i kërkuan që të kujdesej për ta dhe t’i falte. Adami i tha:

“O Zot, kur isha në kopsht dhe pashë ujin që rridhte nga poshtë Pemës së Jetës, zemra ime nuk dëshironte, as trupi nuk kërkonte të pinte prej saj. Nuk e njihja etjen dhe nuk kisha nevojë për ndonjë ushqim. Por tani, trupi më është tharë nga etja. Më jep nga uji i jetës që të mund të jetoj. Më shpëto nga këto plagë dhe më dërgo në një vend tjetër të ndryshëm nga ky. Më lër të jetoj në kopshtin tënd.”

Dhe Perëndia i tha:

“Asnjë vend tjetër nuk do t’ju sjellë prehje. Është vetëm mbretëria e qiejve ku ka prehje. Por ti nuk mund të hysh në të për momentin, por vetëm pas gjykimit”.

Dhe epika e gabimit të Adamit dhe Evës vazhdon. Njerëzit kanë humbur shpresat; elitat autoritare, tiranike, të prapambetura, zhvatëse, shpërdoruese, me frymën e rëndë të ateizmit të djeshëm, i thonë turmës të mos i drejtojë sytë nga qielli se “parajsën” e ka në tokë.

Nuk ka lindje apo vdekje, nuk ka perëndim. Nuk ka as ekzistencë apo zhdukje të mëvonshme, por vetëm imagjinata fiktive, të njëjta ose të ndryshme. Profesioni i politikanit është më i paguari. Megjithëse duhet të japësh miliona lekë për t’u futur në lista, përsëri përfitimet janë shumë më të mëdha. Atdheu ështe bërë pasuri e patundëshme, pronë në shitje, ose kamp refugjatësh tranzit nga Afrika, që gjithësesi nuk duan të qëndrojnë në Shqipëri.

Filed Under: Mergata Tagged With: Astrit Lulushi

Si dështoi komploti i organizuar nga Ismail Qemali për të rrëzuar sulltan Abdylhamidin II

November 30, 2023 by s p

Prof.as.dr. Hasan Bello/

Në janar të vitit 1901 kundërshtarët politikë të Abdylhamidit II, duke përfshirë dhëndërrin dhe dy nipat e tij, Princ Sabahedinin dhe Lutfullahun filluan përpjekjet për organizimin e një kongresi, i cili kishte si qëllim bashkimin e të gjith lëvizjes xhonturke. Ftesën për të marë pjesë në këtë kongres, Ismail Qemali e kushtëzoi me të drejtën e përfaqësimit të të gjitha kombësive dhe që të mereshin në konsideratë kërkesat e tyre.

Kongresi xhonturk u hap në Paris më 4 shkurt 1902, ku merrnin pjesë përfaqësues të të gjithë popujve të perandorisë. Ndërsa nga pala shqiptare përveç I.Qemalit, ishte edhe Ibrahim Temo, Dervish Hima, Hamdi Ohri, Jashar Erebara etj. Kongresi i mbylli punimet më 9 shkurt pa arritur të unifikonte të gjithat rrymat dhe kundërshtarët e Abdylhamidit II.

Pas këtij kongresi I.Qemali vijoi të bashkëpunonte me Princ Sabahedinin. Kjo rrymë brenda lëvizjes xhonturke dallohej nga pjestarët e tjerë për dy qëndrime:

1) Ajo ishte e gatshme që për arritjen e objektivave të saj, të përdorte çdo instrument, duke nënkuptuar përdorimin e forcës dhe bashkëpunimin me shtetet e huaja. Kjo e fundit do të bëhet shkak që ky grupim të përçahet me emrat dhe intelektualët më të njohur të lëvizjes xhonturke.

2) Pjestarët e këtij grupimi konsideroheshin nga pjesa tjetër e xhonturqve si filobritanikë.

Gjatë dhe pas kongresit të Parisit, në takimet që I.Qemali pati me emra të njohur të lëvizjes xhonturke, theksoi nevojën e organizimit të një grushti shteti, si rruga më e shkurtër për rrëzimin e sulltanit. Për realizimin e këtij qëllimi, ai së bashku me Princ Sabahedinin përpiluan një plan, i cili parashikonte përdorimin e ushtrisë. Kjo do të bëhej e mundur duke shfrytëzuar influencën dhe reputacionin e komandantit të ushtrisë osmane në vilajetin e Tripolit, shqiptarit Rexhep Pashë Mati. Ky i fundit njihej si personalitet në radhët e ushtrisë dhe si funksionarë i cili i kishte trajtuar me dashamirësi shumë xhonturq që sulltani herë pas here i internonte në këtë vilajet.

Në një takim që këta tre personalitete patën në ishullin e Maltës ranë dakord, që Princ Sabahedini dhe I.Qemali të merreshin me aspektet politike dhe financiare, ndërsa Rexhep Pashë Mati me aspektin ushtarak. Sipas planit, forcat osmane që ishin nën komandën e Rexhep Pashës në Tripoli do të niseshin drejt Selanikut gjoja për të zhvilluar një stërvitje ushtarake dhe prej aty në Dardanele ku do merrnin nën kontroll Çanakalanë për t`i diktuar më pas Abdylhamidit II kushtet e dorëheqjes.

I.Qemali i cili mendonte se ky plan mund të realizohej vetëm nëse sigurohej përkrahja britanike, i premtoi ambasadorit britanik në Paris, se qeveria që do të vinte pas grushtit të shtetit do të forconte marrëdhëniet dhe pozitat politike dhe ekonomike të Anglisë në Perandorinë Osmane. Për këtë qëllim, në korrik 1902 ai zhvilloi një tur takimesh në Londër ku me ndihmën e Kontrollorit të Përgjithshëm të Egjiptit, Lord Croner kërkoi mbështetje në Forin Ofis. Nga britanikët ai kërkoi gjithashtu të ndihmonin njërin nga djemtë e tij, që në këtë periudhë ishte i internuar në Bitlis.

I.Qemali kërkoi mbështetje edhe nga Khedivi i Egjiptit, Abasi II, i cili për të mbështetur këtë komplot derdhi në llogarinë e një banke angleze 4000 stërlina. Pas dështimit të këtij plani, kjo do të bëhet shkak që Abasi II ta akuzojë për shumë kohë I.Qemalin për përvetësimin e kësaj shume.

Lidhur me shkaqet se përse dështoi ky grusht shteti ka disa hipoteza. Por më kryesoret prej tyre janë:

1-Pasi mori një letër nga Princ Sabahedini, I.Qemali u nis drejt Athinës për të nënshkruar një marrëveshje me tre pronarët e anijeve greke, që ishin marrë me qira për tu përdorur për transportimin e forcave ushtarake osmane nën komandën e Rexhep Pashë Matit. Por kur mbërriti atje, nuk gjeti asnjë anije dhe koha në dispozicion për Rexhep Pashën kaloi. Kjo u bë shkak që një nga anëtarët e Komitet Qendror Xhonturk, Reshid Sadi të vinte në Athinë për të hetuar dhe ndrequr situatën. Ai konstatoi se I.Qemali ishte vendosur në shtëpinë e njërit prej ndihmësve të mbretit të Greqisë. Pas disa bisedimesh u vendos që I.Qemali të nisej drejt Napolit për të siguruar anijet e nevojshme në Itali. Vonesa në fjalë ngjalli skepticizëm si te Rexhep Pasha ashtu dhe te shumë pjesmarrës në këtë komplot.

2-Në kujtimet e disa prej aktorëve dhe dëshmitarëve të këtij komploti thuhet se, Greqia e informuar nga I.Qemali nuk ishte e përgatitur për të nxjerrë maksimumin e përfitimeve politike nga këto zhvillime. Prandaj, ajo vendosi të ndiqte një politikë servile duke informuar Abdylhamidin II mbi këtë komplot.

Kjo do të bëhet shkak që pas Revolucionit Xhonturk kur Rexhep Pashë Mati emërohet ministër i Luftës dhe vdes brenda një kohe të shkurtër, xhonturqit ta akuzojnë Abdylhamidin II si shkaktar të vrasjes së tij. Por një komision i përbërë nga mjekët e ambasadave europiane që morën pjesë në autopsinë e kufomës së Rexhep Pashës konstatuan se ajo ishte një vdekje natyrale si pasojë e një ataku kardiak.

Komploti i vitit 1903 dështoi. Por ai pati si protagonist kryesorë dy shqiptarë të njohur, Ismail Qemalin dhe Rexhep Pashë Matin.

Në foto İsmail Qemali në vitin 1890 dhe Rexhep Pashë Mati (1842-1908).

Filed Under: Analiza Tagged With: hasan bello

Flamur GASHI, do të jetë Drejtor Menaxhues i Televizionit “A2 CNN” në Kosovë!

November 30, 2023 by s p

Bordi Drejtues i kompanisë “Gener 2”, ka vendosur të emëroj Drejtor Menaxhues të Televizionit “A2 CNN” në Kosovë, gazetarin dhe diplomatin Flamur GASHI, një figurë të njohur në fushën e gazetarisë së shkruar dhe kryesisht asaj radio-televizive në Shqipëri, gjithashtu ai është një diplomat i shquar dhe më përvojë të gjatë në diplomaci.

Ky emërim bëhet me qëllimin për të zgjeruar rrjetin e transmetimit të Televizionit “A2 CNN” edhe në Kosovë, si dhe për të fuqizuar pozicionin e Televizionit “A2 CNN” në tregun mediatik në të gjithë hapësirën shqipfolëse. Televizioni “A2 CNN” është partneri ekskluziv i televizionit amerikan me shtrirje globale “CNN”.

Flamur GASHI, ka punuar si gazetar dhe redaktor në disa media në shypin e shkruar si, Redaktor në Revistën “Koha” dhe Gazetën “Kosova” në Tiranë, ai gjithashtu ka punuar si bashkëpunëtor dhe gazetar në Radio dhe Televizionin Shqiptar, ka qenë Kryeredaktor dhe Drejtor i Radio “Kontakt”, radios së parë private në Shqipëri, gjithashtu ka qënë Nënkryetar i Bordit të Mediave të Republikës së Shqipërisë.

z.GASHI, ka kryer funksionin “Këshilltarit” i Ministrit për Informacion dhe Media, si dhe i dy ministrave të Mbrojtës të Qeverisë së Republikës së Kosovës në Ekzil (1996-2000) – me seli në Tiranë. Gjithashtu ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i Asociacionin të Atlantikut të Kosovles, me seli në Prishtinë. Ka qenë Drejtor Ekzekutiv i Institutit të Studimeve Politike – Tiranë, si dhe Drejtor i “Qendrës Ndërkombëtare të Shtypit” gjatë vizitës së Presidentit Xhorxh W. BUSH në Tiranë.

Ambasador Flamur GASHI, për një kohë të gjatë (nga viti 2005) ka shërbyer si diplomat i Republikës së Shqipërisë, fillimisht si Drejtor në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqiperisë në Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe Këshilltar për Çështjet e Rajonit dhe Diasporën i disa Presidentëve të Republikës së Shqipërisë.

Flamur GASHI, aktualisht është anëtar i Bordit Drejtues dhe Drejtor për Çështjet e Rajonit dhe Diasporën në Këshillin e Ambasadorëve Shqiptarë në Tiranë (KASH), si dhe Ligjërues i lëndeve “Marrrëdhënie me publikun” dhe “Media dhe politika”, në Kolegjin Universitar “AAB” në Prishtinë.

z.GASHI, për një kohë të gjatë ka bashkëpunuar dhe bashkëpunon pothuajse me të gjitha televizionet në Shqipëri, Kosovë dhe më gjerë në rajon, si një nga njohësit e mirë të çështjeve të rajonit në veçanti.

Flamur GASHI, se fundmi rikthehet në media në Televizionin “A2 CNN”, me një rol ekzekutiv pas një periudhe të gjatë të shërbimit në diplomaci, me angazhimin që edhe Kosova të jetë e perfaqësuar dënjesisht në hartën e shtrirjes së gjigandit mediatik amerikan dhe global televiziv “CNN”.

Televizioni “A2 CNN”, është një televizion që ka arritur të bëjë një impakt të madh në tregun e televizioneve informative në Shqipëri.

Se fundmi Televizioni “A2 CNN” ka marrë licencën për transmetim në Republikën e Kosovës dhe vazhdon të jetë partneri ekskluziv i Televizionit “CNN” për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë.

Filed Under: Analiza

Ndërtesa ku u shpall Pavarësia?

November 30, 2023 by s p

Ilir Ikonomi/

Dekada më parë, Eqrem bej Vlora ka publikuar një skicë, ku tregon pa mëdyshje se në cilën ndërtesë është shpallur pavarësia nga Ismail bej Vlora. Jo vetëm kaq, por ai na shënon në skicë edhe dritaren në të cilën Ismail beu tregoi flamurin e kuq me shkabën e zezë, para se ta vendoste në ballkon.

Kjo është ndërtesa dykatëshe dhe jo trekatëshe e sarajeve. Kjo ndërtesë dykatëshe, pra më e vogla e dy ndërtesave, ishte selamllëku i Sarajeve. Ajo ishte shtëpia ku jetonte Xhemil bej Vlora dhe ndodhet në pjesën e poshtme të skicës. Besoj se nuk mund të shpjegohet më qartë se kaq.

Deri sot, nuk kemi një fotografi ballore të kësaj ndërtese, por vetëm foto nga larg ose foto që e paraqesin ndërtesën të transformuar dhe të shndërruar në hotel.

E megjithatë, nëpër televizione ende nxirret fotografia e ndërtesës trekatëshe (ajo sipër) dhe njerëz që komentojnë duke thënë se flamuri u ngrit në ndërtesën trekatëshe – të quajtur haremllëk (e cila nuk ka fare ballkon).

Këto janë dy ndërtesa që nuk mund të ngatërrohen dhe nuk ka kuptim të ngatërrohen. Siç e thotë edhe Eqrem beu, ndërtesa trekatëshe (ajo sipër), ishte shtëpia ku lindi Ismail Qemali dhe ai e saktëson madje edhe dhomën ku lindi heroi ynë i pavarësisë.

Mund të duket si një detaj i parëndësishëm, por nuk mendoj kështu. Ne duhet të dimë dhe të themi me saktësi maksimale se ku pikërisht u ngrit flamuri dhe jo të bëjmë sikur e dimë.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT