• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2023

UFO ?!

December 16, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Një veçori mbi mjetet fluturuese të paidedifikuara (UFO) është se shumë deklarata rreth tyre bëhen nga zyrtarë pasi dalin në pension.

Ish-admirali i marinës amerikane thotë se jemi në kontakt me “inteligjencën jo-njerëzore”.

Numëroni kundëradmiralin në pension Tim Gallaudet ndër ata që shpresojnë për një rritje të transparencës lidhur me UFO-t në të ardhmen e afërt.

Në fakt, ish-kreu i Administratës Kombëtare të Oqeanit dhe Atmosferës (NOAA) sugjeroi në një intervistë të fundit se qeveria ka qenë në kontakt me “inteligjencën jo-njerëzore”.

“Kētë teknologji, ne jemi ende duke u përpjekur ta mësojmë dhe mund të na japë një avantazh në çdo konflikt ushtarak”, tha Gallaudet në një intervistë të fundit në NewsNation.

“Kjo është një arsye e mirë për të mos zbuluar natyrën e teknologjisë. Mendoj se për një të ardhme të parashikueshme, ne nuk duam të publikojmë dhe të zbulojmë të gjithë teknologjinë që kemi rikuperuar. Megjithatë, mendoj se ka ardhur koha që të pohojmë se ne jemi në kontakt me inteligjencën jo-njerëzore, kjo është ajo që duhet t’i tregohet publikut.”

Në të njëjtën intervistë, Gallaudet la të kuptohet për një mbulim të mundshëm kur ai raportoi një pamje UFO gjatë kohës së tij në marinë.

“Një nga punët e mia në Marinë, unë isha shefi meteorolog i Marinës në kohën kur Orion po ndeshej me UAP në Bregun Lindor të SHBA,” tha Gallaudet.

Ai shtoi, “Tani mësoj se këto po ndodhnin në hapësirën ajrore stërvitore dhe po shkaktonin përplasje afër ajrit. Kështu që kjo çështje sigurie është e rëndësishme. Por Marina nuk bëri asgjë për këtë. Pastaj ata në fakt e tërhoqën atë email nga kompjuteri im në rrjetin sekret”.

Oficeri në pension i marinës tha më pas se ai beson pretendimet e fundit të David Grusch, ish-zyrtarit të inteligjencës i cili ka dalë me akuza për programe sekrete të marrjes së UFO-ve.

“Ne jemi duke u vizituar nga inteligjenca jo-njerëzore me teknologji dhe qëllim që vërtet nuk i kuptojmë”, vazhdoi ai.

Grusch kohët e fundit tha se ai ka marrë leje shtesë për të zbuluar njohuri “të dorës së parë” që ai ka në lidhje me lëvizjen e transparencës mbi UFO.

“Unë do të diskutoj atë që në fakt e di nga dora e parë. Unë thjesht nuk mund ta diskutoja haptazi atë në atë kohë, kur zhvillohej seanca dëgjimore (në Kongres), sepse Pentagoni dhe Komisioni hetimor ishin ulur në disa nga dokumentet e mia të parapublikimit në atë kohë.

Lajme të tilla ka, disa duken të rreme, të tjerat të vëteta, por të pabesueshme. Shumica heshtin. Por njeriu nuk rri pa pyetur: Po sikur?

Filed Under: ESSE

Firmëtari i pavarësisë Ferit Vokopola, personalitet i shquar islam

December 16, 2023 by s p

“Zani i Naltë”/


ferit-vokopola

Ferit Vokopola

1887-1967

Ferit Vokopola lindi në Vokopolë të Beratit më 18 gusht 1887. Atdhetar dhe njëri nga pjesëmarrësit e Kuvendit Kombëtar të Vlorës. Në vitin 1920 ishte ndër organizatorët e Kongresit të Lushnjës. Ai iu përkushtua fesë dhe ishte ndër themeluesit e Medresesë së Tiranës dhe bashkëpunëtor i njohur i shtypit laik e fetar. Autor i veprës “Gjëmimi i Tomorit”, përmbledhjes me vjersha “Symbyllazi me ëndërrime” dhe vëllimit me poezi “Fluturimet e shpirtit”.

Ferit Vokopola përktheu Kur’anin dhe la në dorëshkrim Kalendarin osman. Në shtypin shqiptar të viteve ‘20-‘30 ndriçoi pena e fuqishme e tij, si një prej figurave poliedrike të kohës.

Studioi në Universitetin e Stambollit për drejtësi dhe ekonomi. Ai ishte politikan, ekonomist, teolog, poet, filozof dhe eseist.

Më 28 nëntor 1912, Ferit Vokopola firmosi dokumentin e Shpalljes së Pavarësisë si delegat i Vlorës. Më 1914 bëri pjesë në ekipin e Ministrisë së Bujqësisë të Qeverisë së Durrësit. Pikërisht në këtë kohë ai hartoi kriterin e përkthimit dhe të komentimit të Kur’anit.

Atdhetari i flaktë Ferit Vokopola në kujtimet e tij, lidhur me ato ditë të vështira të pragshpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, në gazetën “Përlindja e Shqypnijes”, viti II, nr. 6-7 të datës 30 janar e 1 shkurt 1914, shkruan: “… u nisëm përmes Myzeqesë në ato kohëra të këqija nga dimri i fortë e arritëm në Fier, ku takuam edhe Ismail Qemal beun me shokë. Ismail Qemal beu në zyrën telegrafike merrte shpjegime mbi situatën e okupasjoneve dhe jepte këshilla mbi masat që duheshin e me padurim të mblidheshin delegatët shpejtësisht në Vlorë. Kur ishim në zyrën telegrafike më vjen një telegram mua nga nëna ime që ishte me plevit tepër të rëndë dhe Ismail beu më thotë: Shko biri im në Berat, hallallosu me mëmën, t’i marrësh uratën e pastaj hajde ne Vlorë me delegatet e Beratit. Duke e digjuar, unë i thashë se jam nisur për Mëmën Shqipëri, e uratën kam me ja marrë kësaj. Ai më përgëzoi atënisht me një bravo, e cila i buroj nga zemra… dhe vuna re se sytë i kishte të lotueshëm. Nga Fieri u nisëm për Vlorë. Atje Agallarët Sharra çelën shtëpinë e na pritën me bujari të madhe. Ndërkohë prisnin me padurim të vinin delegatët e vendeve të tjerë”.

Dokumenti i Shpalljes së Pavarësisë u botua në gazetën “Përlindja e Shqypnijes”, organ i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, edhe nën kujdesin e firmëtarit më të ri të Aktit të Pavarsisë (vetëm 25 vjeç) Ferit Bej Vokopola.

Gjatë periudhës 1920-1928 u zgjodh deputet i Vlorës, kurse gjatë viteve 1928-1939 deputet i Beratit. Pikërisht në këtë kohë, në bashkëpunim me Sali Vuçiternin e të tjerë, ai bëhet një nga organizatorët kryesorë për themelimin e Komunitetit Mysliman Shqiptar dhe jep një kontribut të ndjeshëm për ngritjen e Medresesë së Përgjithshme të Tiranës.

Më 26.10.1927 deri më 10.5.1928 Ferit Vokopola mbuloi postin e Ministrit të Bujqësisë në Qeverinë Shqiptare.

Në Kongresin e Lushnjës (21.1.1920) ai mbajti fjalën e hapjes dhe u zgjodh Sekretar. I frymëzuar nga kjo ngjarje historike, ai shkroi himnin e Kongresit të Lushnjës. Poezia e këtij himni është një muzikalitet me tinguj melodioz. Më 1919 boton “Fluturimet e Shpirtit”, në vitin 1920 botoi vëllimin me poezi “Symbyllazi me ëndërrimet”, në vitin 1942 botoi veprën poetike “Gjëmimet e Tomorit”.

Stili i tij është atraktiv, gjuha plot figura, metrika e respektuar. Figurat e përdorura në poezinë e tij kanë karakter simbolesh, gjithmonë brenda botës së madhe të emocioneve.

Ai është përfaqësuesi më i shquar i misticizmit islam në Shqipëri, në gjysmën e parë të shekullit 20-të, dhe radhitet një ndër persologët më të rëndësishëm shqiptar.

Poezia e poetit Ferit Vokopola është e udhëhequr tërësisht nga misticizmi dhe qëndron në tre përbërësit kryesor: njeriu, natyra dhe Zoti, ku mbi të gjitha qëndron Zoti.

Në revistën më të shquar të kohës “Zani i Naltë”, poeti dhe filozofi i shquar Ferit Vokopola botoi poezinë “Perëndimi i Shejh Shaban Tixhanisë”, si dhuratë miqësore e gjurmuesve të tarikatit Tixhani, duke i bërë himn vetë njeriut, që qëndron në thelb të doktrinës së tij filozofike dhe religjioze.

Frymën e misticizmit islam e solli në vjershërimin poetik shqip Naim Frashëri, dhe e vazhdoi Ferit Vokopola. Ai shprehej në vargjet poetike:

“Fillonj` me emnin e t`madhit Zot

Që është bekues e Mëshirplotë”.

Ferit Vokopola ka shkruar himnin e Kongresit të Lushnjës. Poezia e këtij himni është një muzikalitet me tinguj melodioz. Në fushën e legjislacionit Ferit Vokopola u shqua si një nga ligjbërësit kryesorë të Parlamentit të viteve ‘20-‘30. Ai së bashku me deputetë të tjerë të besimit mysliman përgatitën dhe miratuan në Parlament Kodin Civil të viteve ’30 dhe që u vlerësua si hapi më i rëndësishëm për përparimin dhe zhvillimin e vendit.

Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia në 1939, Ferit Vokopola u tërhoq nga jeta politike dhe administrata shtetërore, duke iu kushtuar krejtësisht aktivitetit fetar. Në këtë kohë, ai themeloi në Tiranë organizatën fetare “Drita Hyjnore”, që pati si organ të vetin revistën “Njeriu”, e cila doli rregullisht nga korriku 1942 deri në qershor 1944. Në këtë revistë ai botoi një pjesë të shkrimeve të tij, ku shquhen në mënyrë të veçantë poezitë e tij simbolike me theks filozofik. Duke qenë njohës i mirë i mistikës islame, ai e përçon këtë frymë pothuajse në të gjitha poezitë e tij.

“Zani i Naltë” ishte një revistë letrare që u publikua nga tetori 1923 deri në prill 1939, në të njëjtën kohë me “Udhën e s`vërtetës”. Mirëpo, ndërsa “Udha e s`vërtetës” u publikua në Shkodër, “Zani i Naltë”, që ishte botim i Komunitetit Mysliman Shqiptar, dilte në Tiranë. Nga Ferit Vokopola në të u pasqyruan dy të drejtat më të respektuara të njeriut. E drejta e pluralizmit kulturor, ku kulturat e ndryshme zhvillohen së bashku dhe e drejta e pavarësisë kulturore, ku një kulturë zhvillohet e vetme në hapësirën e saj. Pra kultura e lindjes dhe ajo perëndimore u ngjizën në kulturën shqiptare, nëpërmjet inteligjencës krijuese të Ferit Vokopolës.

Në aspektin e vlerësimit teologjik dhe filozofik të moralit islam, ai u shpreh për çështje madhore dhe shkroi esetë filozofike “Problemi i Zotit dhe Djallit”, “Verdikti i fatit” dhe “Morali dhe epshi i masave”. Në këtë revistë, më të shquarën e kohës, ai botoi dhe studimet dhe esetë në fushën e historisë së artit si “Kuptimi i artit dhe kufijtë e tij”, “Shkrimtarët e Letërsisë Islamike në Shqipëri” etj.

Në korrik 1942, doli në Tiranë revista kulturore dhe fetare “Njeriu”. Qysh në numrat e parë, kjo revistë periodike e përmuajshme e kishte të përcaktuar orientimin shpirtëror dhe kulturor të saj.

Me përkthimin e vargjeve kur’anore dhe të mësimeve të Profetit, dhe botimin e tyre në faqet e revistës “Njeriu” të edituar dhe drejtuar nga Ferit Vokopola u kontribuua në formimin e një pikëpamjeje bashkëkohore mbi moralin, filozofinë, edukimin, qytetërimin dhe besimin islam.

Revista “Njeriu” ishte organ i shoqatës “Drita Hyjnore”, e themeluar prej tij.

Në përmbajtjen e saj ne gjejmë një gërshetim të teorisë me praktikën, me misticizmin si epiqendër të saj. Politika redaksionale e Ferit Vokopolës e definoi këtë teori si “Misticizmi me të gjithë karakteristikat e ngjashme të tij, është rruga e zakonshme e njohjes së të vërtetës, dhe ajo është boshti i cili ka të përfshirë të gjithë atë luftë e përpjekje në kuptimin, ndikimin, këmbënguljen dhe përhapjen e veprës së ndritur të mirëbërësisë.

Në faqet e kësaj reviste Ferit Vokopola botoi edhe shkrime të Fan Nolit, Faik Konicës, Lasgush Poradecit, Mithat Frashërit dhe intelektualëve më të rinj si: Suat Haxhit, Mustafë Greblleshit, Jup Kastratit etj. Revista doli në 27 numra dhe u mbyll në qershor 1944.

Ferit Vokopola botoi dhe përkthime të pjesshme në revistën tjetër të kohës “Kultura Islame” ku bashkëpunoi ngushtësisht me figura të shquara të kulturës shqiptare si Sherif Putra, Haki Sharofi, Sadik Bega e të tjerë.

Edhe në fushën e përkthimeve nga osmanishtja, ai u shqua mbi të tjerë, duke prurë në shqip thesare të letërsisë dhe kulturës perse në veçanti dhe asaj islamike në përgjithësi.

“Rubaij-jati” (Rubairat) i Omar Kajamit u botua për herë të parë më 1942, në Tiranë, vepër në vargje prej 139 faqesh i Hafiz Ali Korçës. Me kërkesë të tij, Ferit Vokopola shkroi parathënien e kësaj vepre fondamentale të kulturës perse, që vinte në shqip për herë të parë.

Ferit Vokopola, një nga zotëruesit e mirënjohur e më të përkryer të disa gjuhëve të huaja të lindjes dhe të perëndimit, në parathënien e këtij libri, vëren: “Shtatë shekuj fjeti në hirin e harresës edhe vepra e “Rubairave” të Omar Kajamit, pra, s’dihej të çmohej prej një bote fantastike e fanatike, realiteti i jetës, që ai poet e filozof i shquar, ishte munduar të shpjegonte në vargjet e bukura katrore”.

Ferit Vokopola nxiti dhe frymëzoi ngjizjen e kulturës islame në kulturën dhe inteligjencën krijuese shqiptare. Ai vazhdoi me vendosmëri rrugën e reformimit të besimit islam, edhe në Kongresin e Tretë të Myslimanëve, të mbajtur më 6 korrik të vitit 1929, në Tiranë.

Agjah Libohova, i dërguari i qeverisë dhe Ferit Vokopola – deputet, shpjeguan më pas reformat që duhej të kryheshin dhe rëndësinë e tyre. Ky kongres, ndryshe nga dy të parët, u mor edhe me sigurimin e mirëmbajtjen e objekteve fetare, ndërsa një komision i veçantë u mor me hartimin e raportit vlerësues për të ardhurat e vakëfeve. Kongresi shqyrtoi probleme të njohura në këtë komunitet, por që nuk kishin marrë ende zgjidhje deri në atë kohë.

Në vitet ‘20 ishte pjekur mendimi për të krijuar një shkollë të mesme fetare islame me fizionomi bashkëkohore. Ithtarë të kësaj ideje dhe iniciatorë të kësaj ndërmarrjeje u bënë personalitete të shquara të politikës shqiptare të atyre viteve. Me shkatërrimin e Kalifatit, ngritja e një shkolle të tillë shtrohej si një çështje emergjente.

Grupi i iniciatorëve kryesorë përbëhej nga Hafiz Vehbi Dibra, senatori Sali Vuçiterni, intelektualët e shquar Ferit Vokopola dhe Qamil Bala.

Medreseja që do të ngrihej synonte të përgatiste klerikë të ditur, të pajisur me njohuri të larta fetare, filozofike e shkencore, në përkatësi me arritjet e arsimit bashkëkohor.

Në mesin e shumë studiuesve të Kur’anit në botë, ndër të parët që u morën me studimin e tij në mbarim të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX nga shqiptarët, ishin Ferit Vokopola, Hafiz Ali Korça dhe Haxhi Vehbi Dibra. Këta studiues pa dyshim bëjnë pjesë në bashkësinë e artë të studiuesve më të famshëm shqiptarë të Kur’anit, gjatë shekullit që lamë pas. Pushteti komunist e burgosi. Në qelinë e burgut nuk ra as në dëshpërim, as në pesimizëm. Në këtë kohë ai shpesh thoshte: “Unë nuk jam as pesimist dhe as optimist, por mundësist”. Dhe ai kishte të drejtë, mbasi mundësia vjen vetëm me punë dhe përkushtim të inteligjencës krijuese në krijimin e vlerave të shoqërisë dhe të kombit.

I bindur në pikëpamjet e tij islame, ai iu dedikua përkthimit të Kur’anit, punë të cilën ai e vazhdoi dhe e përfundoi për dhjetë vjet. Kur doli nga burgu, ai gjeti rreth e rrotull mjedise të tjera larg lirisë së fjalës e të mendimit, kundërshtarë deri në armiqësi ndaj fesë.

Në këto rrethana, duke zotëruar gjuhët orientale, ai iu ofrua Institutit të Historisë si bashkëpunëtor, duke i kaluar vitet e pleqërisë deri sa vdiq në vitin 1969, si përkthyes i dokumenteve historike nga osmanishtja.[1]

[1] Hoxha, Myzaljen, http://www.standard.al/index.php/kulture/5004-ferid-vokopola-rebeli-i-lushnjes-qe-perkthente-kuranin-dhe-dashurite-e-kajamit.html


Filed Under: Histori

VASIL ANDONI – VEPRIMTAR I DALLUAR I ARSIMIT DHE PEDAGOGJISË SHQIPTARE

December 16, 2023 by s p

Prof.Dr. Roland Gjini*/

Më lejoni që, fillimisht, të përshëndes përzemërsisht autorët e kësaj monografie, për këtë vepër të vyer e të munguar për ne që merremi me fushën e arsimit e më gjerë. Vasil Andoni, personalitet i shquar i Elbasanit, mes të tjerave, është dalluar edhe për kontributin e tij në fushën e arsimit dhe pedagogjisë shqiptare. I arsimuar për 8 vjet në kolegjin enjohur, “Robert Kolegj” të Stambollit, (1918-1926) ku vazhdoi 6 vjet studime të arsimit të mesëm dhe 2 vjet të arsimit të lartë për pedagogji e psikologji, ai do të bëhet një ndër specialistët e parë shqiptarë të këtyre fushave. Përgatitja e tij shkencore do të thellohet më tej në vitet 1926-1928, ku studioi për shkencat pedagogjike në Francë.

I përgatitur me përvojë perëndimore, cilësitë e tij si specialist i pedagogjisë e psikologjisë do t’i shpalosë në atdhe pas vitit 1928, fillimisht në Normalen e Elbasanit. U caktua mësues i kësaj shkolle për lëndët psikologji e pedagogji. Që në fillim u dallua në iniciativën e tij për të reformuar procesin mësimor të kësaj shkolle, më e njohura në trojet shqiptare. Kështu, ai këmbëngulte që mësimi të mos përqendrohej vetëm te librat, literatura, mjetet mësimore dhe kabineti, por edhe në jetën e përditshme, në mjedisin, shkollën, familjen e gjithçka që rrethon nxënësin. Sipas tij, qëllimi kryesor i Normales duhet të ishte: përgatitja e mësuesve me një kulturë të plotë shkencore e pedagogjike, si nga ana teorike, ashtu edhe praktike, më tej ai gjykonte se reformimi i Normales duhej të shoqërohej më pas me reformimin në tërësi të arsimit kombëtar. Në aftësimin praktik të normalistëve si mësues të ardhshëm, ai vlerësonte rolin e shkollës ushtrimore si laborator i gjallë i përgatitjes së mësuesve.

Për përgatitjen nga ana teorike të studentëve, Andoni vinte theksin në hartimin e teksteve mësimore sipas kritereve të njohura shkencore e didaktike, si dhe në pajisjen e shkollës me bibliotekë. Një rol të rëndësishëm, sipas tij, do të kishin edhe informacionet dhe studimet bashkëkohore në fushën e shkencave dhe të pedagogjisë. Prandaj ai është ndër iniciatorët, e më pas, ndër anëtarët kryesorë të bordit botues të revistës “Normalisti” nga numri i saj i parë, pra nga viti 1929 e në vijim. Me të drejtë autorët e kësaj monografie theksojnë se revista “Normalisti” qe krijesa e zemrës së Vasil Andonit, qe pasardhëse e shpirtit të tij atdhetar e arsimdashës, qe ajka e kulturës së tij të gjanë”. Nga pena e Vasil Andonit, kjo revistë publikoi disa artikuj të karakterit psikologjik, pedagogjik e didaktik, që trajtonin aspekte teorike e praktike të arsimimit jo vetëm për mësuesit e nxënësit e Normales, por për tërë masën e mësuesve dhe të nxënësve në mbarë arsimin kombëtar shqiptar.

Duke qenë për disa vite konviktor gjatë kohës që studionte jashtë vendit, ai jo vetëm krijoi një përvojë të mirë për jetën konviktore, por dhe ishte në gjendje të nuhaste se për çfarë kishin nevojë konviktorët. Kjo e bëri atë që të mos ishte thjesht një drejtues konvikti (zv. Drejtor i Internatit) në Normale, por t’u qëndronte përherë pranë studentëve konviktorë e të përkujdesej për hallet e nevojat e tyre. Motoja e tij në këtë drejtim ishte që t’i bëjmë nxënësit që ndonëse jetojnë në konvikt, ta ndjejnë veten si në shtëpinë e familjen e tyre. Që studentët konviktorë të ishin të orientuar e të organizuar në kërkesat e tyre, ai i nxiti ata që të krijojnë një organizatë të vetën, dhe kështu në vitin 1929 u ngrit në Normale “Shoqata studentore”.

Kontributin e tij për arsimin kombëtar e vazhdoi me cilësi e suksese dhe në vitet 1935-39 në liceun e Korcës, madje dhe në vitin 1942, kur u vendos në Prishtinë e bëri atje përpjekje të mëdha për hapjen e një shkolle Normale, që do të përgatiste mësues për Kosovën. Angazhimi i tij si veprimtar antifashist, pas vitit 1939, dhe si veprimtar politik pas vitit 1942, nuk e pengoi e as e largoi atë nga veprimtaria pedagogjike për shtrirjen e forcimin e arsimit tonë kombëtar.

Janë të gjitha këto kontribute që e rreshtojnë Vasil Andonin përkrah burrave të shquar e të mençur të Elbasanit, që vunë themelet, që ngritën e forcuan shkollën tonë kombëtare. Angazhimi i tij në politikë, duke drejtuar organizatën e “Ballit “Kombëtar” gjatë viteve të Luftës Antifashiste shpjegohet vetëm me pikëpamjet dhe qëndrimin e tij nacionalist, dhe nuk mund të zbehin shumë përmasat e tij si intelektual dhe punëtor i shquar i arsimit dhe pedagogjisë shqiptare.

*Disa mendime rreth monografisë “Vasil Andoni” të autorëve Rudof  Deliana dhe Rudina Deliana

Filed Under: Komente

15 DHJETORI 1944 DITA E ÇLIRIMIT APO E RIPUSHTIMIT TË TUZIT…!

December 15, 2023 by s p

NGA NDUE BACAJ/

Tuzi me rrethinat (troje të Malësisë Madhe të mbetura nën Malin e Zi, që nga Konferenca e Londrës 1913), me çfardo organizmi (komunë e varur nga Podgorica apo komunë me të drejta të plota si çdo komunë në Mal të Zi…), perkujton e feston 15 dhjetorin, si ditën e çlirimit nga nazifashistët. Kjo ditë perkujtimi e festimi i përket vitit 1944 , kur forcat gjermane në terheqje largohen nga Tuzi e troje të tjera për-rreth të Malësisë së Madhe. Per hirë të vertetës duhet të themi se këto troje të Malësisë e Shqipërisë Etnike, pas pushtimit fashist , dhe memorandumit të 12 majit 1941 të parisë së Tuzit e trojeve të tjera të Malësisë së Madhe, me dekretin e dates 7 gusht 1941 të Françesko Jakomonit, (mbëkëmbësit të mbretit të Italisë Fashiste në Shqipëri) , keto troje u ribashkuan me Malësinë e Shqipërinë, ku qendra e N/Prefekturës së Malësisë së Madhe u transferua nga Kopliku në Tuz , ku edhe u vendos N/Prefekti, administrata përkatëse, dhe institucionet të tjera në sherbim të Trojeve të bashkuara me Shqipërinë nanë. Siç dihet bashkimi i këtyre trojeve me Shqiperinë , ndonse kishte edhe qellime propogandistike nga pushtuesi fashist , ai u bë realitet i prekshëm nga malësorët e këtyre trojeve etnike shqiptare të përvluem me u ribashkua me Shqipninë nanë. Një ribashkim i till solli jo pak gëzim ndër malësorë, pasi kufiri i padrejtë me vendimet e Europës plakë, kishte ndarë vëllan prej vëllaut dhe votrën prej votrës. Këtë ribashkim të trojeve etnike shqiptare e urrenin hapur çetniket mbretëror të Jugosllavisë të kapitulluar e dorzuar para pushtimit fashist, por e urrenin “fshehtas” edhe kumunistët e partizanët e tyre serbo-malazez e jugosllav. Këtë e tregojnë disa beteja luftarake, që u është dashur të zhvillojnë në mbrojtje të trojeve të tyre etnike malësorve shqiptar , kundër çetnikëve dhe partizanëve komunist malazez , që kerkonin tu prishnin “endërren” e ribashkimit që po jetonin me Shqipninë nanë, si dhe ti friksonin për të ardhmen. Betejat janë konkrete, me data, me emra luftëtaresh , por edhe të rënësh malësorë në luftë me çetniket mbretëror dhe partizanët komunist malazez-jugosllav, që për nga antishqiptarizmi nuk ndryshonin thuajse aspak. Komunistët jugosllav pasi krijuan bijen e tyre , Partinë Komuniste të Shqiperisë, per tu dukur si “bashkohorë” kishin hellur për konsum rrenën e madhe, se pas fitores mbi fashizmit , edhe shqiptarët e këtyre trojeve (Tuzit , Malësisë e më gjërë) , kanë të drejten e vetvendosjes per t’u bashkuar me Shqipërinë. Dhe këtë e deklaronin se ua garantojnë të drejtat e liritë njerzore të popujve dhe lufta antifashiste, luftë që sipas rrënës sllavo-komuniste i kishte vëllazëruar malazezët pushtues dhe malësorët e pushtuar… Pati mjaftë malësor e shqiptar që besuan këtë rrenë me bisht sllav, madje edhe luftuan e dhanë jetën së bashku me partizanët (komunist) malazez e jugosllav , kundër pushtuesve fashist italian e gjerman. Si për ironi të fatit me datën 15 dhjetor (1944), (që perkujtohet e festohet si dita e çlirimit të Tuzit), kanë ra duke luftuar kundër ushtrisë gjermane pesë malësor (nga Hoti e Gruda), të cilët besonin në premtimet e komunistëve malazez-jugosllav-shqiptar, e si per inatë të historisë kjo betejë ishte zhvilluar në Deçiqin e Flamurit Kombëtar… Edhe pas kësaj date bien duke luftuar (me18 dhjetor 1944) kundër ushtrisë gjermane dy grudas e tjerë. Besimin në rrenën-premtim të komunisteve jugosllav e shqiptar e forcuan për ta besua , forcat partizane komuniste shqiptare që erdhen në ndihmë të atyre jugosllave, me në krye general Gjin Markun. Këto forca partizane në të vertet zhvilluan disa beteja kundër ushtrisë gjermane në terheqje , ku dhanë jetën edhe partizan shqiptar. Si simbol kujtese i kësaj ndihme të ushtrisë partizane shqiptare ndaj “vëllezërve” jugosllav, do të qendronin deri në vitin 1991 dy pllaka në Hot (në anën e shtetit shqiptar), njëra pllakë kishte shkrimin: këtu me 28 nëntor 1944 kaloi brigada e VI-të sulmuese e ushtrisë nacinal-çlirimtare të Shqipërisë per të ndihmuar çlirimin e popujve të Jugosllavisë , ndersa në pllaken tjetër shkruhej : në fillim të dhjetorit 1944 këtej kaluan forcat e brigades VII-të sulmuese të ushtrisë nacional-çlirimtare të Shqiperisë , të cilat luftuan dhëmb për dhëmb me armikun deri në Vishegrad… Si çdo rrenë që thotë populli i ka këmbët e shkurtëra edhe kjo i pati të tilla… Me daten 07 shkurt 1945 , në fushë të Tuzit do të detyronin të mblidhen të gjithë burrat e aftë për armë të Tuzit e Malësisë. Në tribunë do të zejshin vend Shfeqet Peçi me shokë të shtabit të tij nga ana e qeverisë Shqiptare dhe Gjeneral Gjoku Mirasheviç me një sasi të madhe autoritetesh civile e ushtarake jugosllave. Takimin e hapi Shefqet Peçi, i cili me fjalë të parë i lajmëroi malësorët se janë të rrethuar nga çdo anë prej divizioneve Shqiptaro – Jugosllave, dhe i porositi për qetësi duke i ftuar të dorëzojnë armët aty për aty. U komunikoi shkuarjen e kufirit prapë në Han të Hotit, ndersa i porositi ata burra shqiptarë t’i duan Serbo – Malazezët, me të cilët gjoja i kishte vëllazëruar lufta… Mandej u kthye Shefqet Peçi nga gjeneral Gjoku Mirasheviç me shokë e u tha: “Qe ku po ua dorëzojmë këta derra reaksionarë që t’i bani turbiet, pse neve nuk na duhen gja, prandaj mos u kurseni me ta. Qe dajakun që t’i rrihni, qe fishekun që t’i vrisni në qoftë se nuk ju duan e nuk ju ndigjojnë. Ky tubim do të pasohej nga një tjetër ku vet Mehmet Shehu në Tuz do tu komunikonte Malësorve shkuarjen e kufirit në Han të Hotit e ribashkimin me Malin e Zi… E pas këtyre takimeve ku komunistët shqiptar i bënë “lanet” malësorët , ustadharet malazez e serb me në krye Bajo Stankoviçin, Aleksandër Rankoviçin “viça e viqa” të tjerë do të pushkatonin e masakronin dhjetra nacionalista malësorë , me të vetmin “faj” se i donin trojet e tyre me nanën Shqiperi e jo me Jugosllavinë e Malin e Zi. Ndërsa shqiptarët e Kosovës do t’i “gostisnin” me masakren e Tivarit , ku rreth 5000 shqiptar do ti bënin “kurban” të dashurisë Tito-Enver… Enveri si shperblim do të dekoronte ata malazez, serb e jugosllav që kryen masakrat mbi shqiptaret nën Malin e Zi , nën Serbi dhe në Kosovë… Pas ketij akti malësorët e Tuzit , Grudës , Trieshit , Kojes , Traboinit e tjerë u lanë në doren e atyre me të cilët i ndanin lumej gjaku e dete mjerimesh. Se si u katandisen këto troje per 45 vite nën hyqametin e komunzmit jugosllav , këtë e tregojnë banoreët që u detyruan të lënë të shkreta shtepi , kulla e troje per të cilat kishin luftuar e qëndruar mote e shekuj. Këtë e tregon edhe sot gjendja ekonomike e sociale, dhe standarti i të drejtave kombëtare të shqiptarëve në trojet e veta etnike, që zbatohet edhe sot në Mal të Zi….

Për këto të “mira me thes” që u solli data 15 dhjetor 1944, Tuzit e trojeve të tjera nën Malin e Zi , duke i çliruar nga pushtuesi gjerman (që po ikte), por njëkohësisht edhe duke i çliruar nga bashkimi me Shqiperinë nanë, per ti ribashkuar (perdhunshëm) me Malin e Zi dhe ish Jugosllavinë , mua më shkon mendja “për dreq” që këtë “çlirim” ta quaj ripushtim të Tuzit e trojeve të tjera të Malësisë nga Mali i Zi (e ish Jugosllavia)…

V00: Të gjitha ato që cilësova “kalimthi” në këtë veshtrim per 15 dhjetorin (si diten e “çlirimit” të Tuzit…), më hollesisht, me data , emra e mbiemra, me referenca dhe dokumente janë të shënuara në librin tim me titull: Malësia e Madhe Kundër…, botuar në vitin 2018.

Filed Under: Sofra Poetike

Një hafiz Kur’ani, mjeku i parë stomatolog shqiptar

December 15, 2023 by s p


nga Dr. Genti Kruja-“Zani i Naltë”

H. Hafiz Dr. Hasan Kaduku (1865-1948)

Hasan Kaduku lindi në Shkodër dhe ishte djali i madh nga pesë djemtë e Ismail (Mala) Kadukut, një tregtar i njohur në pazarin e qytetit në punimin e lëkurave, burrë i ndershëm, dijedashës dhe atdhetar. Hasani ishte vëllai i madh i Haxhi Ibrahim Kadukut,  i cili kreu detyra të rëndësishme në shërbim të Islamit dhe vendit të tij[1], vëllai i Riza Kadukut, funksionar në Komunitetin Mysliman në sektorin e financës, Sulejmanit (i cili posedonte kartolerinë më moderne),  si dhe Hafiz Jusuf Kadukut, një prijës fetar i shkolluar si vëllezërit e tij Hasan e Ibrahim në Universitetin e Stambollit, ku njihej për komentimin e Kur’anit gjatë qëndrimit atje.

Hasan efendiu që në moshë të re shkon në Stamboll për të vazhduar shkollën, ku vendoset pranë dajës së tij Fetah Lini, ku fillon dhe punë. Atje njihet me dijetarë të kohës, nga të cilët merrte edhe mësime mistike, si dhe filloi mësimin përmendësh të Kur’anit. Sipas kronikanit Hamdi Bushati, mësuesit e tij kishin vënë re se kishte disa probleme me dhëmbët e parë të cilët i kishin rënë dhe bënin që të mos i shqiptonte qartë shkronjat arabe me “texhvid”, të cilët duan një vokalitet shumë të pastër. Nga dashuria që kishte për Kur’anin, ai vendos fillimisht që paralel me mësimin e Kur’anit, të rregullojë edhe dhëmbët, ku u njoh edhe me profesionin e dentistit, të cilin e dashuroi menjëherë. Kështu ai i lutet dentistit të tij, që ta merrte në punë, por dentisti i thotë se nuk ka nevojë. Hafiz Hasani i thotë se, “ti nuk ke nevojë për mua, por unë kam nevojë për ty dhe jam gati të të paguaj rrogë, vetëm të rri pranë teje dhe të mësoj profesionin”, e kështu ndodhi. Më vonë fillon praktikën edhe pranë dentistit të famshëm Halid Shenazi Bej dhe më pas dhe te profesor Dionizi me kombësi armene. Pasi siguron lejen e ushtrimit të profesionit, ai kthehet në vendlindjen e tij, në Shkodër.

Kështu ai për një kohë të shkurtër rreth tre vjeçare bëhet Hafiz Kur’ani dhe dentist.

Hafiz Hasani me t’u kthyer nga Stambolli në Shkodër, fillon ushtrimin e këtij zanati, duke hapur një klinikë portative, duke shkuar në shtëpitë e atyre që kishin nevojë, siç shkonin edhe mjekët e tjerë. Por nga dëshira e madhe për profesionalizëm të plotë me t’u hapur Fakulteti i Stomatologjisë në Universitetin e Stambollit (1907), pasi punoi disa vjet si dentist diletant, në një moshë kur tashmë ishte familjar dhe me fëmijë, shkon përsëri në Stamboll, ku nga tre vjet studimi, që kishte fakulteti, ai i kryen studimet për dy vjet, favor ky që iu bëhej atyre që kishin njohuri praktike disa vjeçare. Hafiz Hasani arrin të bëhet një nga studentët më të përparuar të fakultetit, pavarësisht moshës së tij gati 40 vjeçare. Madje familjarët e tij tregojnë se edhe letrat që i vinin nga familja nuk i hapte deri në fundjavë, për të mos u shkëputur nga mësimet.[2] Ai diplomohet më 1908 dhe kthehet në vendlindje si i pari mjek stomatolog, apo siç njihej ndryshe “mjek dhëmbësh” me diplomë universiteti, jo vetëm në Shkodër, por edhe në të gjithë Shqipërinë. Ai njihte gjithashtu shumë mirë arabishten, osmanishten dhe frëngjishten.

Hafiz Hasan Kaduku mbahet si njeriu që vuri bazat e shërbimit stomatologjik modern në qytetin e tij të lindjes, në Shkodër.

Kronikani Hamdi Bushati tregon se Hafiz Hasan Kaduku e ushtroi profesionin si dentist në disa qytete të Shqipërisë dhe në Mal të Zi. Kronikat e asaj kohe tregojnë që Hasan Kaduku, me zotësinë e një dentisti të talentuar, tërhoqi vëmendjen e të gjithë bashkëqytetarëve të tij, duke krijuar një klientelë të gjerë edhe jashtë kufijve të vendit, si p.sh. në Mal të Zi. Të gjithë konsujt e huajt që ishin të akredituar në Shkodër, si dhe personalitete të viseve të tjera të vendit, kishin si dentist (apo siç quhej atëherë mjek dhëmbësh) të tyre Hafiz Hasan Kadukun. Shkodra në fillim të shekullit XX, duke qenë një prej pikave më perëndimore të Perandorisë Osmane, kishte pesë konsullata të huaja, personeli i të cilëve bëheshin shpeshherë pacientë të Hafiz Hasanit.

Hafiz dr. Hasan Kaduku ua la trashëgim profesionin e tij pinjollëve të tjerë të familjes, e cila në atë kohë ishte një ndër më të njohurat në Shkodër. Haki Kaduku[3], djali i dentistit të parë shqiptar, pasi kreu gjimnazin në Austri dhe fakultetin e stomatologjisë në Stamboll, u kthye në Shkodër. Ai vijoi profesionin e të atit, duke punuar kështu bashkë. Derisa doli në pension, Hakiu, djali i Hasan Kadukut, punoi si dentist në poliklinikën e qytetit të Shkodrës. Ai ishte një mjek i cili i kushtonte një rëndësi të madhe edukimit të rinisë për përkujdesjen shëndetësore. Haki Kaduku mbante biseda për përkujdesjen ndaj dhëmbëve në shkollat e shtetit të të gjitha niveleve.

Tradita e familjes Kaduku vazhdon me të tjerë emra. Qamurani djali i Hakiut dhe nipi i Hafiz Hasanit, është brezi i tretë i dhëmbëtarëve të kësaj familjeje. Ndërsa Hasan Haki Kaduku, nipi i Hafiz Hasanit ka ushtruar profesionin e profesorit të matematikës në shkollat e qytetit. Ndërsa Mesereti, njëra nga vajzat e Haki Kadukut, ashtu si vëllai i vet arsimtare në matematikë, do të vinte bazat e matematikës për shumë vite në Medresenë “Haxhi Sheh Shamia” në Shkodër.

Studiuesi Osman Hoxha e përshkruan kështu figurën e Hasan Kadukut: “Njeri madhështor, shtatlartë e shpatullgjerë, syshqiponjë e hundëshkabë, me mjekër të bardhë dhe shumë i pashëm, fisnik dhe zemërgjerë, i respektuar dhe mendjemprehtë, energjik dhe i papërkulur, i dashur e bujar, ishte gjithmonë mes njerëzve, që e donin dhe i donte aq shumë. Ishte i punës por dhe i pushkës. Në kohën e rrethimit të Shkodrës nga malazezët në vitet 1912-1913, Hafiz Hasan Kadukun e gjejmë të rreshtuar në llogore përkrah vullnetarëve të tjerë, duke kryer detyrën ndaj atdheut.

Në vitin 1932 kreu edhe ritualin e Haxhit. E tashmë njerëzit e njihnin si Dr. Haxhi Hafiz Hasan ef. Kaduku.”

Shprehja “po shkoj te Kaduku”, më shumë se prej një shekulli në Shkodër nënkupton “po shkoj te dentisti”.

Klinika e famshme dentare “Kaduku”, në vitin 1948 do të sekuestrohej e gjitha nga shteti, duke bërë kështu që shumë klinika shtetërore për stomatologji në Shkodër dhe Tiranë, të hapeshin me veglat e shtëtizuara të dr. Kadukut.

Klinika e Hafiz Hasanit ndodhej në pikëtakimin e lagjeve të vjetra myslimane dhe katolike, e cila shërbeu kështu edhe si një busull afrimi mes dy besimeve, sepse klientët ishin nga të dyja lagjet.

Shenjë e tolerancës është edhe një fakt interesant ku revista katolike e kohës “Elçija e Zemrës s’Krishtit”, e vitit 1906 (vjeta XVI, Dhetuer, 1906, nr. 12), boton një reklamë interesante të Hafiz Hasan Kadukut, i cili i fton klientët që të mbushin apo të venë proteza dhëmbësh në klinikën e tij dhe paratë mund t’i paguajnë më vonë, pasi ata të jenë mësuar me protezat apo mbushjet dhe të jenë të kënaqur prej tyre.

Hafiz Hasan Kaduku ishte intelektual i plotësuar për kohën, ndaj dhe gëzonte respektin e banorëve të qytetit. Ai vishej me shije dhe ishte i dashur si me pacientët, ashtu dhe me shoqërinë që e kishte të shumtë. Paradhoma ku prisnin pacientët ishte e akomoduar mirë dhe e pajisur me libra dhe revista, madje aty kishte edhe libra për fëmijë apo ndonjë lodër.

Kultura e tij e gjerë bënte që ai të vizitohej edhe nga klerikë të lartë katolikë, si Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Anton Harapi etj.

Madje Fishta i kishte kushtuar Hafiz Hasan Kadukut edhe këto vargje, të cilat tregojnë se ai ishte mjekuar te mjeku i shquar stomatolog:

“Asnjëherë s’jam përkulë

As prej shkjaut e as dhe ukut

Por rri urtë e bahem pulë

Te karrigia e Kadukut” [4]

I biri i tij, dr. Haki Kaduku, tregon se dr. Hasani ishte i pari që përdori floririn në mbushjen e dhëmbëve. Ai përdorte një peshore precize të farmacistëve, për të racionuar sasinë e arit për punimet e veçanta.

Kur mosha bëri të veten, Hafiz Hasani vetë kaloi në laborator dhe Hakiu në klinikë. Ai ishte i pari që mbajti korrespondencë me një firmë londineze (A.SH. & Sons), nga ku ka porositur edhe klinikën e tij, të cilën e ka pasur me qira në shtëpi të ndryshme shkodrane, njëra prej të cilave është fotografuar edhe nga Marubi.

Studiuesi i njohur, profesor Gëzim Uruçi, në dosjen e tij “Personalitete të shquara në memorien e malësorëve tanë”[5], (Haxhi Dr. efendi Kaduku dhe kroni i Kadukut në fshatin Theth të Dukagjinit), na njeh me shumë histori, episode dhe toponime që hapin një faqe të re shumë interesante për figurën e Hasan Kadukut. Lidhur me këtë ka shkruar edhe dr. Musa Bizaku, duke bërë një monografi për brezninë Kaduku.

Hafiz Hasani ishte ndër të parët pushues dhe i pari mysliman që veroi në fshatin turistik të Thethit që nga viti 1936, i ftuar fillimisht nga bajraktari i zonës i cili ishte edhe klient i tij.

Dr. Hasani i mahnitur nga bukuritë dhe ujërat e Thethit, mendon t’i bëjë një shërbim humanitar Thethit, një nxitje për emancipim, duke bërë një marrëveshje të firmosur nga vetë ai dhe lënë shenjat e gishtërinjve nga bajraktari i Shoshit. Ai ndërtoi depozitën e parë të ujit duke hapur kanale në drejtim të tre kullave kryesore aty pranë. Për këtë arsye, të futjes së ujit në disa shtëpi për herë të parë, që nga ajo ditë ai krua quhet “Kroni i Kadukut”. Kështu krahas kësaj hynë edhe toponime të reja “Livadhi i Kadukut”, “Bajrakja e Kadukut” etj. Ai i ftoi gjithashtu thethianët që të vinin dhe t’i kuronin dhëmbët falas në klinikën e tij në Shkodër. Gjatë qëndrimit në bjeshkët e Thethit ai mblidhte dhe përpunonte shumë bimë mjekësore, duke njohur vlerat e tyre për kurimin e shumë sëmundjeve evidente në këtë zonë.

Dr. Hasani, sipas dëshmisë së Lulash Markut, fshatar i zonës, ishte bërë shumë i vizituar nga malësorët e zonës, madje ai u lexonte edhe letrat që u vinin atyre me kënaqësi.

Hafiz Dr. Hasan Kaduku kuroi e mjekoi gjatë jetës së tij krajla, princa, konsuj, priftërinj, diplomatë e njerëz të thjeshtë. Në karrigen e tij u ulën gjithashtu njerëz të shumë kombësive.

Dr. Frederik Shiroka do ta quante Haxhi Hafiz Dr. Hasan Efendi Kadukun “Legjendë e stomatologjisë shqiptare”.[6]


[1] Haxhi Ibrahim Kaduku (1869-1949) është cilësuar si dijetari i tre kontinenteve, për arsye se shërbeu si pedagog në universitetet dhe medresetë e Stambollit, Edirnesë, Kajros, Arabisë Saudite, etj., si dhe kur u kthye në Shqipëri përfundimisht më 1925, ku u emërua drejtori i parë i Medresesë së re në lagjen Pazar, Shkodër. Më pas kreu edhe detyrën e zv/kryetarit të Komunitetit Mysliman dhe për 20 vjet deri sa ndërroi jetë më 1949 ishte myfti i rrethit Kavajë.

[2] Kaduku, Hasan (nip i Hafiz Hasanit), dorëshkrim, 2012.

[3] Haki Kaduku (1900-1978).

[4] Bizaku, Dr. Musa, Vol. XII, “Historiku i Dhëmbëtarëve në Shkodër” (Breznia Kaduku), Monografi, Shkodër, 2006: 25.

[5] Uruçi, Gëzim, “Personalitete të shquara në memorien e malësorëve tanë”, (Haxhi Dr. efendi Kaduku dhe kroni i Kadukut në fshatin Theth të Dukagjinit), Shkodër, 1985: 127.

[6] Bizaku, Dr. Musa, Vol. XII, “Historiku i Dhëmbëtarëve në Shkodër” (Breznia Kaduku), Monografi, Shkodër, 2006: 8.


Filed Under: Emigracion Tagged With: Genti Kruja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT