• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2023

334 vjet nga vdekja e Pjetër Bogdanit, teologut dhe shkrimtarit të shquar arbën

December 7, 2023 by s p

Albin Kurti/

Teksa kalojnë ditët e dhjetorit dhe po i afrohemi festës së Krishtlindjes dhe Vitit të Ri për të cilat tashmë kanë nisur përgatitjet, jemi mbledhur sonte këtu në Qendrën BogdaniPolis në Prishtinë, në këtë akademi solemne për Ditët e Bogdanit.

Këtë 6 dhjetor, u bënë 334 vjet nga vdekja e Pjetër Bogdanit, teologut dhe shkrimtarit të shquar arbën, i cili vdiq nga murtaja pikërisht këtu në Prishtinë. Pjetër Bogdani vdiq në një kohë kur po u printe mijëra kryengritësve vendas në luftërat austro – osmane në fundshekull të XVII. Vetëm katër vite më parë, më 1685, Bogdani e kishte botuar në Padova të Italisë, librin “Çeta e profetëve”, e cilësuar tashmë si vepër e parë origjinale e shkruar në gjuhën shqipe.

Në një raport të datës 1 janar 1684, që Pjetër Bogdani ia kishte dërguar Kurisë Papnore në Romë, e në të cilin ai e njoftonte Selinë e Shenjtë për gjendjen në Kosovë, ndër të tjera ai ka shkruar, po citoj: “Nëpër Kosovë, janë edhe këto vende: Prishtina, e cila nuk ka kështjellë dhe s’është e rrethuar me mure, por është një vend i banuar me rreth 3000 shtëpi”, mbaron citati.

Njësoj sikur atëherë, Prishtina edhe sot nuk ka kështjellë dhe nuk është e rrethuar me mure, por 339 vite pas prej kur Bogdani shkroi kështu për të, numri i shtëpive në Prishtinë është shumë më i madh se aq në secilën lagje të saj, teksa Prishtina sot është kryeqyteti i Kosovës, kryeqendra e Republikës tonë demokratike, ku tashmë çdo vit shënohen Ditët e Bogdanit.

Ndër kohëra, vepra dhe jeta e Pjetër Bogdanit, këtij kleriku katolik, teologu, filozofi dhe patrioti të shquar, ka tërhequr vëmendjen e shumë studiuesve. Nga Gjon Nikoll Kazazi te Justin Rrota, Shtjefën Gjeçovi, Faik Konica, Injac Zamputti, Eqrem Çabej, Vili Kamsi, Dhimitër Shuteriqi dhe Shaban Demiraj, e deri te Anila Omari, Evalda Paci e Luigj Marlekaj.

Fjalët për veprën dhe personalitetin e Pjetër Bogdanit, u takojnë studiuesve kompetentë të fushave përkatëse të historisë, gjuhësisë e të teologjisë. Ne të tjerëve, na mjafton që emri i Pjetër Bogdanit na bashkon çdo vit në Ditët e Bogdanit, sikur sivjet për të kujtuar Lazër Mjedën, një tjetër klerik katolik të shquar shqiptar, që përtej punës së tij prej kleriku, kreu dhe shumë aktivitete patriotike.

Për angazhimin e tij patriotik, Lazër Mjeda u përndoq dhe u burgos nga autoritetet okupatore serbe, meqë ai kishte denoncuar me raport krimet e ushtrisë serbe mbi popullatën shqiptare në Kosovë, gjatë Luftës së Parë Ballkanike, raporte këto me të cilat u shërbye edhe austriaku Leo Freundlich, për veprën e tij aq me vlerë: “Golgota shqiptare”.

Të nderuar të pranishëm, më lejoni që si Kryeministër i Republikës së Kosovës, në këto Ditët e Bogdanit, sonte t’iu uroj shumë shëndet dhe të mbara, në çdo përpjekje tuaj për të mirën publike të shoqërisë sonë, për paqe dhe përparim dhe për Republikën e Kosovës.

Filed Under: Politike

KISH  NË ZEMËR SHQIPËRINË

December 6, 2023 by s p

nga  Sali Butka   –

G:\Foto nga celularir\zzdownload.jpg

Na erdhën për Shqipërinë 

prapë kohë të vrerëta;

gjithë qielli është nxirë

nga re të zeza të errëta.

Atdhetarët ngado janë 

ndiqen, mërgohen e vriten:

Luigjin në mars e vranë

dhe Bajramin pas ca dite.

Xhevdetin, djalin e rrallë,

shpura sot gjer në kufi,

kaloi me zemër të vrarë

 la pas mëmën Shqipëri.

Kish ardhur nga Skrapari,

Mahmudi e solli në Butkë,

 veshur me rroba fshatari

 me gunë mbuluar trupnë.

Një vit e ca në male 

në gjurmim edhe në ndjekje,

s’u përkul e s’u tremb fare,

dhe pse dënuar me vdekje!

Vërtet Shqipëria u bë,

po ne kërkuam lirinë, 

ndaj populli u ngre,  

Me at Fan Nolin në krye;

 Xhevdeti ish nga të parët

dhe i fundit që u thye. 

Edhe kur kaloi  matanë,

s’mendoi veten, as shtëpinë:

mendoi vetëm për vatanë, 

kish në zemër Shqipërinë. 

—————————

 (Butkë, Kolonë, 1925 

  Kushtuar Xhevdet Deshnices

 atdhetar demokrat 1896-1972

Malli per Atdhe

Nga Xhevdet Dëshinca


Në dhe të huaj po e shkoj jetën         
sado natyrës i shoh stoli,                
zemra e fjalët të shkreta mbetën,      
se jam larg teje o mëmë Shqipëri!

Sado pranvera vjen çdo mëngjes,
fshehur këndon ai bilbil
e zbukurohet dheu për rreth,
ndihem pa ty i vetëm fill.

Pyes dallëndyshet, kur ajrin çajnë:
A e keni parë vendin tim?
Asnjë përgjigje ato s’më dhanë.
U trembën e ikën-fluturim.

.           
O male të lartë, pyje e vri!
Kur dola fushës në mend u pashë,
si hijeshoni. Lot në sytë e mi…
U ktheva  e  vështova nga dielli ra.


O vise  të bekuar, jetën më falët,
nga malli i thellë më zu lëngimi,
shpresa t’iu shoh, nuk po më ndahet.

i mjeri, mos tretem sa të vij agimi?


Nga bijtë e tu, o Shqipëri!
Kush gjuhën s’flet. Zakone e besë,
Djepin harron. Mos pastë ondi!
Në dhe të huaj, do tretej si vesë…


Tek ty dikur më ka rënë koka,
Nuk kam veç teje as mëm as at,
Më thërret qielli në ato toka,
Do vij të vdes pranë gurit të thatë.
                 
Volos, Greqi,  prill 1927

Filed Under: LETERSI

Testamenti i një njeriu të urtë të politikës shqiptare

December 6, 2023 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Kemi pasur nevojë gjithmonë për njerëzit e urtë, për njerëzit që kanë mbledhur një eksperiencë të madhe në jetë dhe mund të na e përcjellin neve sa herë që kemi në nevojë në kohën dhe vendin e duhur. Mungesa e tyre për shkak të ndryshimeve drastike që kanë ndodhur në jetën politike shqiptare ka qenë fatale. Kjo gjë ka rënë më tepër në sy në kohën e ndryshimeve të mëdha, të ndryshimeve të sistemeve ku nxitimit dhe ideologjisë së shpërbërjes është dashur që ti kundërvihet maturia dhe ideologjia e gjithëpërfshirjes. I urtë natyrisht nuk do të thotë që të jesh gjithmonë i matur dhe ngadaltë por ashtu si me të drejtë e ka përjetuar populli në mbiemrin që i ka bashkangjitur fjalëve kur vërtetë ato duhen të tingëllojnë të mençura, nënkuptojnë dhe iniciojnë veprime të mençme për kohën dhe epokën. Një i tillë p.sh ka qenë personazhi poetik i poemës “Histori e Skënderbeut” të Naimit, Kamani që në kulm të dilemës së Arbrit për të kundërshtuar apo jo pushtimin otoman, zgjedh luftën. Natyrisht, që Kamani prezanton dhe kredon e Naimit si poet e rilindës por në jetën tonë të përditshme ne s’kemi pasur nevojë që të kemi vetëm personazhe letrarë të urtë pasi mes nesh kanë gjalluar njerëz të tillë që na kanë inspiruar të gjithëve.

Para pak ditësh u nda nga jeta politikani dhe shkrimtari Sabri Godo, një plak i urtë dhe i mençëm i jetës publike shqiptare që me veprën dhe fjalën e vet kontribuoi aq shumë në ndërtimin e dialogut politik në vend, hartimin e ligjeve dhe mbarëvajtjen e një politike të jashtme dinjitoze në rajon. Por si është zakoni në politikën shqiptare menjëherë pas vdekjes nuk ngurruan që të vinin komentet pozitive duke vënë në dukje më të drejtë meritat e këtij personazhi të rëndësishëm të tranzicionit të vështirë shqiptar dhe asnjëherë nuk u pyet sesa u vlerësua dhe iu dha rëndësi sa ishte në jetë. Po të ishte gjallë i urti Godo, me humorin që e karakterizonte do të thoshte se nëse Dr Adhamulli i komedisë “Pas vdekjes” të A.Z.Çajupit e shijoi për së gjalli nekrologjinë e tij, Godo s’mundi të dëgjonte një të tillë dinjitoze dhe kur vdiq. Kjo mos arritje për të bërë një nekrologji të plotë të Godos por dhe jo vetëm atij, nuk besoj se vjen nga dëshira e keqe për ti përçmuar këta figura por në fakt nxjerr në dukje një problem të madh të shoqërsië shqiptar, atë të mungesës së theksuar të kulturës politike në vend. Për të gjithë ata që mund të besojnë se politikani dhe shkrimtari Sabri Godo ishte një nga partizanët e shumtë që zbritën nga mali në 1945 dhe duke u arsimuar dhe edukuar në kohë u bë ai personalitet që ne kishim, mund të zhgënjehen lehtë. Sabri Godo ishte nip i tre figurave të shquara të historisë së Shqipërisë, të persekutuar dhe vrarë në dy regjime të ndryshme. Ethem dhe Ismet Toto, i pari ministër i brendshëm në qeverinë liberale të Mehdi Frashërit në 1936 dhe i dyti një nga intelektualët më të shquar të kohës, biografi i parë i monografisë së Ataturkut në shqip ishin nga organizatorët e kryengritjes së Delvinës më 1937, një lëvizje që kërkonte modernizimin e mëtejshëm të regjimit në Shqipëri dhe të nxirrte në pension një klasë politike që vazhdonte të vozitej sa në kujtimet e ëmbla të orientalizmit dhe sa në korrupsionin nepotike të kohës. Të dy pësuan një fat tragjik, i pari vrau veten pas dështimit të kryengritjes kurse i dyti u var publikisht. Vëllai tjetër Selaudin Toto, deputet i opozitës në parlamentin e dalë nga zgjedhjet e dhjetorit 1945 u arrestua dhe u pushkatua barbarisht nga regjimi komunist si “agjent i borgjezisë dhe i kapitali të huaj”. Me këtë trashëgimi politike, Sabri Godo do të fillonte jetën e tij politike si partizan i përhershëm i republikanizmit, një ëndrre që ai i mbeti besnik deri në fund të jetës. Zhgënjimet e mëdha që ai dhe shumë të tjerë do të pësonin pas triumfit të luftës antifashiste me instalimin e diktaturës komuniste nuk do t’i mpaknin shpirtin dhe revoltën djaloshit të ri progonatas të lindur në Delvinë.

Ashtu si gjithë talentet e mëdha që kufizimi i lirisë nuk i lejonte që të shpreheshin për atë që ndodhte në Shqipëri iu kthye historisë dhe nëpërmjet saj i dha mesazhet që dëshironte popullit dhe kombit të vet. Në kohën kur Safet Butka, një nacionalist atdhetar shqiptar i vetëvrarë tragjikisht për t’iu shmangur vëllavrasjes përqeshej dhe vihej në lojë nga propaganda komuniste, Sabri Godo botoi romanin “Plaku i Butkës”, kushtuar babait të Safetit duke dashur t’i tregojë lexuesve se familje dhe c tradita patriotike përfaqësonin Butkajt që regjimi i konsideronte kundërshtarë. Kur vendi ishte i mbushur me terror dhe pushteti komunist rivendoste marrëdhëniet diplomatike me Greqinë më 1971 duke “shitur” për interes të njohjes së vet diplomatike çështjen çame, Sabri Godo botonte romanin historik “Ali Pasha Tepelena” si për tu treguar kombit se ku përfundojnë miqësitë e pamenduara mirë me fqinjët dhe se ku përfundon çdo udhëheqës që ushton një pushtet të pakufizueshëm. Kur vendi ishte i tronditur pas spastrimeve të viteve 70’, Sabri Godo boton romanin historik “Skënderbeun’ për të treguar të gjithë shqiptarëve se heroi i tyre i vërtetë nuk është diktatori, por Skënderbeu heroi kombëtar dhe mbrojtësi i Evropës. Me këtë pasuri shpirtërore të madhe që ai kish falur kombit të vet do të hynte në kapërcellin e viteve 90’ kur sërish si për të përmbushur detyrën deri në fund drejt atdheut do të themelonte së bashku me Petro Markon , një shok të hershëm të dajove të tij martirë, Partinë Republikane duke luajtur një rol të rëndësishëm në konsolidimin e demokracisë liberale në Shqipëri. I qetë dhe përherë i matur, politikani Godo do të hidhte gjithmonë ujë zjarrit të politikës së pamatur shqiptare si në 1992, 1997,1998, 2002 apo dhe në 2011.

Për më tepër do të luante një rol përherë prej qëndrestari përsa i përket politikës së shtetit shqiptar në rajon duke kontribuar sa mundte në stabilitetin e situatës në Maqedoni, zbulimin dhe prerjen e orekseve të qarqeve shoviniste greke të sëmura nga nacionalizmi primitiv i shekullit të XIX apo qartësimit dhe përforcimit të pavarësisë së Kosovës. Në gjithë këtë rrugëtim idealist të tij, ashtu si romanin autobiografik “Udhëtari” ai s’kërkoi asnjëherë që ti imponohej jetës politike të vendit me poste por kërkoi në mënyrë të vazhdueshme që shqiptarët të bëheshin qytetarë të mirëfilltë që respektojnë rregullat e demokracisë dhe shtetin ligjor. Një dëshirë dhe vullnet që ai e shprehu në hartimin e Kushtetutës së vitit 1998, dokumentit themeltar të shtetit si për të mbyllur kontributin e vet ndaj kombit me një gjest kaq fisnik që të kujton ligjvënësit e lashtë të demokracisë antike greke. Mesa duket , ky ishte dhe testamenti i fundit i tij politik, ndaj nëse vërtetë duhet ta respektojmë të urtin Godo në radhë të parë duhet të respektojmë kushtetutën e vendit dhe të heqim dorë nga ndërhyrjet e pavenda sa herë që nuk përmbushen me rezultatet zgjedhore dhe dëshirën për pushtet të pakufizuar. Në fakt , kjo mbetet dhe sfida e radhës e respektit tonë ndaj tij por dhe konsilidimit të kulturës politike, një dëshire të kahershme të politikanit, shkrimtarit dhe republikanit, Sabri Godo.

Filed Under: Kronike

Fshatrat shqiptare po shpopullohen nga mungesa e mbeshtetjes nga buxheti i shtetit

December 6, 2023 by s p

Prof.Gjok Vuksani/

Për të kuptuar sa pak është e interesuar qeveria për bujqësinë dhe fshatin mjafton t’u referohemi vetëm disa shifrave kokëforta përsa i përket buxhetit të alokuuar për 2024 dhe konkretisht: Për vitin 2024 janë programuar 14.1 (katërmbedhjete pikë 1 miliard lek) për bujqësinë ose 135 milionë euro pra e thënë më qartë vetëm 1.9 % e buxhetit do të shpenzohen për rreth 40% e shqiptarëve që jetojnë në zonat rurale.

P/buxheti i programuar per vitin 2024 ne total është 18 milion euro më pak se ai i vitit të kaluar ose i shprehur në %, 11.6% më pak se buxheti për 2023. Ulja e buxhetit reflektohet ndjeshëm veçanërisht ne dy zëra investimesh:

a) Investime të brendshme për 2024 jane programuar vetëm 26.9 milion euro ose 10.8 % më pak se në vitin e kaluar .

b) Investimet e huaja në vitin 2024 janë programuar 28.6 milion ose 18 % me pak investime se në vitin 2023.

Përsa i përket Programit të këtij buxheti rezulton se Zhvillimi Rural ka pësuar uljen më të madhe në buxhetin e vitit 2024 me 30 % më pak krahasuar me vitin 2023.

SKEMA e MBËSHTETJES KOMBËTARE për bujqesine, me grante nga buxheti i shtetit për vitin 2024 është programuar në shumën rreth 20 milion euro ose 45.3 % më pak se viti i kaluar.

Në këtë program janë parashikuar edhe rreth 22 milon euro nga IPARD ose 33 % më pak se 2023, por që në fakt janë të pamundura të injektohen në bujqësinë shqiptare si pasojë e pezullimit te tyre pikërisht si rezultat i keqmenaxhimit të strukturave të Ministrisë së Bujqësisë.

Ky buxhet ka edhe një karakteristikë tjetër mjaft negative pasi rreth 60% e tij shkon për shpenzime korrente si paga, dieta, karburante dhe vetëm një sasi mjaft e vogël e saj shkon për investime në infrastrukturën bujqësore dhe mbështetjen e fermerëve.

Kështu shpenzohen miliona lek për pajisje zyrash për aparatin e Ministrisë së Bujqësisë, harxhohen pa kursim lekë të buxhetit për blerje makinash apo rrethime te QTTB dhe vetem 20 milion euro për mbështetjen e fermerve.

Pos kësaj nuk ka asnjë masë konkrete për gjendjen katastrofike të blegtorisë shqiptare ku aktualisht rezulton se është pergjysmuar numri i lopëve të qumështit dhe vendi jonë është kthyer në një treg të uritur për qumështin serb dhe qumështin pluhur.

Siguria ushqimore është në ditët e saj më të zeza, pasi laboratorët shqiptare nuk kryejne një gamë të madhe të analizave duke filluar nga vaji i palmës aditivet, ngjyruesit, konservantët, që përdoren në produktet ushqimore si dhe produktet e mbrojtjes së bimëve .

Ky buxhet nuk ka parashikuar asnjë politike lehtësuse për sistemin fiskal, pasi gjatë importit te produkteve bujqesore rimbursohet taksa 20 % e TVSH ndërsa për prodhimin vendas rimbursimi i TVSH është 0, kjo jo vetëm që ka shkatërruar prodhimin shqiptar por ka ulur dhe interesin e përpunuesit për blerjen e tij.

Kostoja e prodhimeve bujqësore shqiptare është më e lartë se e gjithë rajonit sepse në Kosovë subvencionohet me 100 milion euro fermeri ndërsa Maqedonia me rreth 150 euro prandaj me mijëra ha tokë janë lënë djerrë.

Si pasojë e kësaj politike diskriminuese të qeverisë ndaj bujqësisë rreth 203 mijë ha tokë ju është përkeqësuar cilësia e tyre prodhuese.

Shpopullimi masiv i vendit tonë ka ardhur pikërisht si rezultat i politikave diskriminuese në mbështetjen e bujqësisë dhe fermerëve, dhe kjo panoramë bëhet më e qartë kur i referohemi shifrave. Nga 1 milion shqiptarë që janë larguar nga Shqipëria shumica absolute e tyre janë larguar nga fshati. Zona të tëra nga Shkodra deri në Sarandë janë abandonuar pothuajse totalisht nga rinia dhe fermerët.

Sot që po flasim Bujqesia është kthyer në bujqësi të pensionisteve.

Shumë shpejt do të vijë koha që tokat tona do kthehen në livadhe dhe shqiptarët do konsumojnë vetëm mollë serbe dhe domate që vijnë nga Tunizia.

Filed Under: Analiza

“Përjetësia e dyfishtë”

December 6, 2023 by s p

Dr. Lulëzim Nika/

Libri “Përjetësia e dyfishtë” e Bedri Islami, studiues, veprimtar dhe udhëheqës politik, padyshim se është një prej referencave kryesore të historisë së re të Kosovës. Ky libër flet për hapat dhe fillimet e lëvizjeve për luftën e armatosur për çlirimin e tokave të pushtuara dhe të ndara padrejtësisht në vitin 1913, “viti i mbrapshtë”, siç e quan Kadare.

Lëvizja për lirinë dhe bashkimin e trojeve shqiptare kishte intensitetin e vetë, varësisht prej rrethanave historike të krijuara në Ballkanin e trazuar të shekullit XX. Autori Bedri Islami, në librin “Përjetësia e dyfishtë”, në mënyrë të shtruar paraqet idealin e brezit të gatshëm për çlirim që morën përsipër përgjegjësinë për ndryshimet historike, duke sakrifikuar krejt çka patën, familjen dhe jetën e tyre.

Libri kushtuar heroit e heroinës, të përkushtuar thellësisht që nga mosha e rinisë u dashuruan në gjeografinë etnike të trojeve shqiptare, qëllimet dhe idealin për çlirimin e Kosovës. Për Fehmiun dhe Xheven, Shqipëria dhe tokat shqiptare nuk kishin ndarje në krahina e as regjione, por ishin një, ashtu siç i kishte bekuar vetë perëndia.

Autori i librit në mënyrë kronologjike dhe analitike, duke ruajtur vazhdimësinë historik të veprimtarisë së heronjve të pavdekshëm, përshkruan një jetë në shërbime të çështjes kombëtare të heronjve tanë.

Po pse është kaq i veçantë për historinë tonë kombëtare Heroi Fehmi Lladrovci?

• E para, nga rinia e hershme, ai jetën e tij e vuri në shërbim te idealit më human dhe më të rëndësishëm që ka njeriu, liria për popullin e tij të shtypur që autori e përshkruan angazhimin e tij në luftën për liri të popullit kroat.

• E dyta, me idealin e lirisë ishte rritur në familjen e tij patriotike, me traditë dhe histori, pasi Fehmiu duke mos u pajtuar me gjendjen e robërisë së kombit të tij, ishte i gatshme të merrte barrën e organizimit të luftës së armatosur, për të vepruar kundër pushtuesit jugosllav. Pikërisht ky moment i prillit të vitit 1985, e bën ideolog të organizimit të armatosur dhe personalitet historik të rëndësisë së veçantë për historinë tonë kombëtare, pasi Lëvizja për Lirinë e Kosovës e ngarkon atë me detyrën e Sekretarit për organizimin e luftës së armatosur për çlirimin e Kosovës.

Ajo që bie në sy në gjithë librin e autorit Bedri Islamit, është bindja e heroit Fehmi Lladrovcit në forcën e organizimit të brendshëm dhe bindja se liria mund të vije vetëm nëse ne organizohemi në luftën çlirimtare që këtë e dëshmon historia e Kosovës.

UÇK-ja me luftën e drejtë u bë pjesë e jetësimit të programit kombëtar shqiptar, të artikuluar që në Lidhjen e Prizrenit. Bedri Islami, duhet të përgëzohet për këtë libër të rëndësishëm, me vlerë kombëtare për rrugën jetësore të ideologut të luftës për çlirimin e Kosovës Fehmi Lladrovcin dhe heroinën Xhevë Lladrovci.

Librat si ky, mbesin udhëzues me të cilin historia jonë e re pasurohet dhe është gjurmë ndriçuese për brezat.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 50
  • 51
  • 52
  • 53
  • 54
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT