• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2024

Festohet Pavarësia e Kosovës në New York

January 24, 2024 by s p

Filed Under: Emigracion

KTHIMI I SHËN PALIT DHE KTHIMI YNË

January 24, 2024 by s p

Don Lush GJERGJI/

Gjatë një udhëtimi për t’i kapur të krishterët në Damask, iu dëftua Jezusi i ringjallur dhe e ftoi për një mision apo dërgim të ri. Kjo sipas të gjitha gjasave ndodhi diku rreth vitit 36 pas Krishtit. Nga ky takim hiri – kairos- me Jezusin e ngjallur, ndodhi edhe ndërrimi i tij rrënjësor dhe jetësor, lindi misioni i tij apostolik (krh. 1 Kor 9, 1; Ef 4, 11-13/. Çfarë ndryshimi! Përndjekësi i dikurshëm bëhet dëshmitari i Jezu Krishtit, apostulli i popujve!

Rreth kthimit të tij ka shumë interpretime dhe shpjegime. Disa flasin për vegim, të tjerët për përjetim mistik e personal, të cilit Jezusi i ngjallur iu zbuluar në thellësi dhe menjëherë ia dhuroi tërësinë e misterit.

Shën Pali për jetën e tij të re, pas kthimit dhe pagëzimit shkruan: “Po a nuk e dini se të gjithë sa jemi pagëzuar në Jezu Krishtin, jemi pagëzuar në vdekjen e tij? Me anë të pagëzimit, pra, bashkë me Të jemi varrosur në vdekje që, sikurse Krishti u ngjall në lavdinë e Atit prej së vdekurve, po ashtu edhe ne të jetojmë në jetën e re” (Rom 6, 3-4).

Ja edhe disa analogji mes vdekjes dhe ngjalljes së Jezu Krishtit dhe kthimit, pagëzimit dhe thirrjes së re të Shën Palit, prandaj edhe thirrjes dhe dërgimit tonë:

Jezusi ishte tri ditë në varr para se të ngjallej (krh. Mt 28, 1-15; Mk 16, 1-8; Lk 24, 1-12; Gjn 20, 1-10).

Sauli – Pali tri ditë nuk ngrëni asgjë para se të pagëzohej (krh. Vap 9, 8-9).

Jezusi pas ngjalljes tërhiqet në shkretëtirë, si edhe Shën Pali afro dhjetë vite ishte në heshtje, në vetmi, në lutje, në përgatitje…

Në kthimin e Shën Palit kemi ngjarjen e jashtme të pashkruar në (Vap 9, 1-18; 22, 6-16; 26, 12-18), por, edhe përjetimin e brendshëm (krh. Gal 1, 13-24; sidomos Fil 3, 13-21).

Kush dhe çfarë ishte Sauli para takimit me Jezusin e ngjallur?. Ja përshkrimi i tij, pikënisja apo “lënda e parë”, ende e papërpunuar: “Megjithatë, unë do të mund të shpresoja edhe në trup, sepse, në mendoftë ndokush se ka arsye të shpresojë në trup – unë edhe më tepër! I rrethprerë të tetën ditë, izraelit me kombësi, nga fisi i Benjaminit, hebre prej hebrenjsh; sipas Ligjit farise; për kah zelli, salvues i Kishës e, për sa i përket drejtësisë – asaj të Ligjit – patëmetë” (Fil 3, 4-6).

Kulmi apo arritja e Shën Palit ishte kjo: “Por të gjitha këto që i mbaja si përparësi, tani i çmoj si një bjerrje për shkak të Krishtit. Madje, unë çmoj gjithçka si dëm në krahasim me më të madhen të mirë: me njohjen e Jezu Krishtit, Zotit tim. Për të kam bjerrë çdo gjë dhe të gjitha i çmoj si llom, me qëllim që të fitoj Krishtin dhe të gjendem në Të” (Fil 3, 7-9).

Ja shpjegimi i Shën Palit: “Jo sikurse t’ia kisha arritur, as, sikurse të isha bërë i përsosur, por vrapoj që, në ndonjë mënyrë, të mund ta zë, sepse edhe vetë kam qenë zënë prej Krishtit (Jezus)” (Fil 3, 12).

Lajmërimi, dëftimi, takimi, përvoja e Saulit me Jezu Krishtin e ngjallur gjatë udhëtimit për Damask ka motivet themelore biblike:

kaçuba e ndezur para Moisut dhe drita që Saulit ia mori pamjen e syve (krh. Dal 3, 1-2; Vap 9, 3);

zërin dhe thirrja me emër e Hyji drejtuar Moisiut dhe emërtimi personal i Jezusit drejtuar Saulit (krh. Dal 3, 3-6; Vap 9, 4);

paraqitja dhe zbulimi i Emrit të Hyjit para Moisiut dhe Saulit (krh. Dal 3, 13-15; Vap 9, 5);

zbulimi i dërgimit të ri dhe kërkesat para Moisiut dhe Saulit (krh. Dal 3, 16-20; Vap. 9, 5).

Kjo përvojë mistike, unike dhe shumë personale, si duket te Sauli ishte përsëritur edhe në dy raste, në ekstazën që e pati në Tempull (krh. Vap 22, 17-21); dhe në një lloj “grabitjeje” apo shtegtimi në qiell (krh. 2 Kor 12, 1-4).

Këto përvoja Sauli i mbron me shumë bindje dhe vendosmëri. “A nuk jam apostull? Po a nuk e pashë unë Jezusin, Zotin tonë? Po a nuk jeni ju vepra ime në Zotin?” (1 Kor 9, 1).

“Më në fund m’u dëftua edhe mua – deshtakut” (1 Kor 15, 😎.

“Pali – apostull, jo prej njerëzve as me anë të ndonjë njeriu, por me anë të Jezu Krishtit dhe të Hyjit Atë, që e ngjalli Jezusin prej të vdekurve” (Gal 1, 1).

“Ungjilli që ju kam predikuar nuk është vepër njerëzish; sepse atë as nuk e mora, as nuk e mësova prej ndonjë njeriu, por ma zbuloi Jezu Krishti” (Gal 1, 17).

Shën Pali misionin apostolik, dërgimin e ri nga vetë Jezusi i ngjallur, bartjen e përvojës së fesë nuk e bënte vetëm personalisht, por, me shumë bashkëpunëtorë, ndër të cilët dalloheshin: Barnaba, Marku, Sila, Timoteu, Titi, Luka e shumë të tjerë.

Mënyra ishte kjo: e shpallte Jezu Krishtin e ngjallur nëpër qendra dhe vendbanime të rëndësishme në formën e predikimit, bisedimit, diskutimit, trajtimit filozofik dhe fetar, duke iu përshtatur publikut dhe rrethanave shoqërore të pjesëmarrësve.

“Profesioni” i Shën Palit ishte “mjeshtër tendash” (krh. Vap 11, 3), punëtor i madh dhe i palodhshëm me duar, aq sa shkruante vetëm me shkronja të mëdha, sepse kishte punuar tepër (krh. Gal 6, 11).

Nga këto elemente që i përmendem mund të përfundojmë se takimi, afrimi dhe bashkimi i Shën Palit me Jezusin e ngjallur në rrugën e Damaskut, ishte:

Një vegim : “Po a nuk e pashë unë Jezusin, Zotin tonë?” (1 Kor 9, 1);

Një ndriçim: “Sepse, Hyji që tha: “Prej errësirës le të shndrisë drita!”, Ai ndriti në zemrat tona, që të shkëlqejë njohuria e lavdisë së Hyjit në fytyrën e Krishtit” (2 Kor 4, 6);

Një zbulim dhe thirrje: “Përse, kur Atij që më zgjodhi qysh në kraharorin e nënës dhe më thirri me hirin e vet, i pëlqeu ta zbulojë në mua Birin e vet për ta shpallur ndër paganë” (Gal 1, 15-16).

Një dërgimi tashmë i qartë. Jezusi i tha Ananisë: “Çohu, i tha Zoti – dhe shko në rrugën që quhet “E drejtë” e në shtëpinë e Judës lype njeriun prej Tarsit që quhet Saul… sepse ai është vegla që unë e kam zgjedhur për ta bërë të njohur Emrin tim para popujve paganë, para mbretërve dhe para bijve të Izraelit” (Vap 9, 11. 15).

Një dëshmi para të gjithë njerëzve. Zoti nëpërmjet Ananisë, pasi ia ktheu pamjen e syve, ndër të tjera i tha: “Hyji i etërve tanë caktoi ta njohësh vullnetin e tij, ta shohësh të Drejtin e ta dëgjosh zërin prej gojës së tij, sepse do të jesh dëshmitari i tij para të gjithë njerëzve për të gjithë ato që ke parë e dëgjuar” (Vap 22, 14-15).

Në një vend tjetër, Zoti i tha Palit kështu: “ Shko, unë po të dërgoj larg, në mes të paganëve!” (Vap 22, 21).

Ftesa dhe dërgesa e Shën Palit, janë të pandashme, sikurse edhe për çdo të krishterë, të jetuarit e të vepruarit, dëshmia e krishterë është e domosdoshme për atë që beson dhe jeton me Jezu Krishtin.

Kthimi, sipas Shën Palit është së pari ndërmarrje dhe nisje e Zotit, takimi me Jezusin e ringjallur (krh. Vap 9, 1-18). Ai, jo vetëm që nuk e kërkonte Jezusin, por e kundërshtonte, dhe me lejen e eprorëve kërkonte burgimin dhe asgjësimin e të krishterëve (krh. Vap 9, 1-2).

Shën Pali vepronte sipas bindjes, të vërtetës që e kishte njohur, dhe mendonte se duhej të vepronte kundër Jezu Krishtit dhe Kishës së tij, e cila nuk i përmbahej më traditës së etërve dhe e prishte Ligjin e Moisiut. Ai, pra, ishte në mbrojtjen e së vërtetës hebreje, e jo si Herodi, për vetveten dhe interesat vetanake, dhe këtë e bënte me plot bindje, flijim dhe përkushtim.

Mu për këtë Zoti i zbulohet dhe dhurohet nëpërmjet Jezusit të ringjallur, sepse Shën Pali ishte i drejtë, me bindje personale dhe fetare të bashkësisë hebreje dhe me qëllim të mirë, me gatishmëri edhe për vetëflijim dhe luftim (krh. Jak 1, 7-8; Vap 9, 6).

Drita, zëri, vegimi e rrëzuan për toke, ia thyen dhe rrënuan bindjen dhe të vërtetën e mëparshme, krenarinë dhe bindjen, se duhej ta luftonte Krishtin dhe Kishën, me ndërhyrjen e Zotit në jetën e tij. Këtu shihet dhe kuptohet mirë se si drita dhe e vërteta njerëzore, jeta pa hirin e Zotit, është kufizim, terr, robëri, gabim, dështim, edhe pse njeriu shpeshherë këtë nuk e heton, nuk e pranon, bile, ndoshta e mendon të kundërtën.

E vërteta i zbulohet dhe dhurohet Shën Palit nëpërmjet Jezu Kriushtit të ringjallur, por vetëm si fillim, proces të kthimit të plotë kah Zoti. Ajo në vazhdimësi do t’i zbulohet dhe dhurohet tërësisht dhe në mënyrë shkallore vetëm nëpërmjet Kishës, bashkësisë së krishterë, ku atë do ta “përpunonte” hiri i Hyjit.

Në pyetjen e tij: “Kush je ti, Zotëri?”, Jezusi do t’i përgjigjet shumë qartas: “Unë jam Jezusin që ti e salvon!” (Vap 9, 5-6), duke u identifikuar me Kishë dhe me çdo të krishterë të përndjekur.

Kthimi, pra, nuk është një lidhje personale mes Zotit dhe njeriut, por me ndërmjetësimin e Kishës, kjo nisje hyjnore e hirit përplotësohet, konkretizohet dhe zbatohet, gjithnjë nëpër Kishë, në Kishë dhe për Kishën, bashkësinë e krishterë, si vazhdimësi e veprës së Jezusit, asaj të shëlbimit.

Shën Pali e pranon dorën, udhëheqjen e të tjerëve, sepse vetvetiu nuk mundet më, nuk di, nuk sheh, nuk ka aftësi, është i verbët (krh. Vap 22, 10-11), parakusht themelor për fillimin e kthimit, por e pranon edhe Ananinë si përfaqësuesin e Zotit dhe të Kishës.

Ai vetëm nëpërmjet Ananisë, Kishës, do ta ketë pamjen, dritën e syve, pagëzimin, shartimin në Krishtin dhe në Kishën e tij.

Më vonë Shpirti Shenjt do ta caktonte Shën Palin për një mision të ri, pas nënshtrimit dhe bashkëpunimit me Kishë. “M’i ndani Barnabën e Saulin të kryejnë veprimtarinë për të cilën i kam caktuar”. Atëherë, pasi agjëruan dhe u lutën, vunë duart mbi ta dhe i lejuan të shkojnë” (Vap 13, 2-3).

Kalimi prej territ në dritën e ngjalljes së Jezu Krishtit bëhet nëpërmjet Kishës, Ananisë, Barnabës… Anania dinte vetëm për të keqen që Sauli ia kishte shkaktuar Kishës (krh. Vap 9, 13), ndërsa Zoti ia zbuloi atij misionin e ri që e kishte caktuar për Shën Palin (krh. Vap 9, 15).

Këtë risi do ta thotë Shën Pali me shpalljen e “krijesës së re” (2 Kor 5, 17). Kthimi doemos domethënë vuajtje, si parakusht për pjesëmarrje në misterin e ngjalljes (krh. Vap 9, 16).

Nga ky përshkrim mund t’i nxjerrim tre elemente thelbore të kthimit të krishterë: dëgjimin e Fjalës së Zotit nëpërmjet Kishës, Biblës, ndërgjegjes; pranimin e Fjalës së Zotit – Jezu Krishtit, dhe jetësimin konkret nëpërmjet jetës sakramentale, duke filluar prej pagëzimit.

Takimi dhe përvoja e Shën Palit me Jerzusin e ngjallur është diçka tejet personale, por jo edhe personaliste, për t’u ruajtur dhe mbajtur vetëm për vete, por, për t’u dëshmuar dhe dhuruar të gjithëve, ashtu si ndodhi me Moisiun (krh. Dal 3, 20), me profetët (krh. Jer 1, 4-19).

Shën Pali e kuptoi dhe e pranoi këtë dërgim dhe mision me plot përgjegjësi. “Sepse, të shpall Ungjillin nuk është një arsye krenie për mua, është detyrë që duhet ta kryej: i mjeri unë nëse nuk e predikoj Ungjillin!” (1 Kor 9, 16).

Posa ishte pagëzuar dhe përforcuar fizikisht dhe shpirtërisht ai “menjëherë filloi të predikojë në sinagoga se Jezusi është Biri i Hyjit” (Vap 9, 20).

Pas Damaskut ai thotë “shkova në Arabi dhe përsëri u ktheva në Damask” /Gal 1, 17/, pastaj “E vetëm pas tri vjetësh u ngjita në Jerusalem për t’u njoftuar me Kefën e ndeja te ai pesëmbëdhjetë ditë” (Gal 1, 18).

Veprimtaria e tij misionare njëvjeçare me Barnabën ishte në Antioki, qytet i njohur dhe i madh në atë kohë, ku kishin kthye në krishterim shumë njerëz (krh. Vap 11, 19-24).

“Në Antioki nxënësit për të parën herë u quajtën të “të krishterë” (Vap 11, 26).

Nga kjo përvojë, dritë, zë, thirrje, dërgim dhe siguri Shën Pali u bë tërësisht njeri i ri dhe pati një veprim-dërgim krejt tjetër, shpalljen e Jezu Krishtit të ngjallur mbarë botës. Vetëdija dhe përvoja e fesë se Jezu Krishti ishte e gjallë dhe veprues në Kishë, si dhe nëpërmjet tij, ai e shprehte gjithnjë dhe në trajta të ndryshme (krh. 1 Kor 15, 8-10; Gal 1, 11 – ).

Risia absolute për Shën Palin ishte dhe mbeti Jezusi i ngjallur dhe jeta-veprimi i tij nëpërmjet Krishtit dhe Kishës, bashkësisë së krishterë.

Për të, ngjallja e Jezu Krishtit, është ngjarja kryesore e mbarë historisë, sepse në Të plotësohen Ligji dhe profetët, dhe nga Ai vjen shëlbimi për të gjithë.

“Vërtet, për mua Krishti është jetë dhe vdekja fitesë!” (Fil 1, 21; krh. Fil 3, 7-9).

Nëpërmjet këtij kthimi dhe takimi me Jezusin e ngjallur, Shën Pali po ashtu aftësohet që të takohet edhe me Kishën e Krishtit nëpërmjet Ananisë (krh. Vap 9, 4-18; 22, 8-16; 26, 14-18).

Elementet e përbashkëta të kësaj përvoje janë: aty iu ka zbuluar dhe dhuruar Biri i Hyjit, Jezusi (krh. Gal 1, 16), gjë kjo që pati si pasojë ndriçimin hyjnor (2 Kor 4, 6) dhe me këtë Jezusi atë e bëri për vete (Fil 3, 12). Nga kjo përvojë dhe takim, është e tërë jeta dhe veprimtaria e tij e mëvonshme, nga kjo dritë e brendshme.

Këtu theksohet edhe për ne roli i Kishës nëpërmjet të cilës Zoti na flet, na ndihmon, me hirin e tij nëpërmjet jetës sakramentale, na udhëheq në jetë dhe në veprimtari, na mundëson shëlbimin – amshimin.

Metanoja apo kthimi i Shën Palit ishte gjithëpërfshirës, në mendime, qëndrime, sjellje, zemër, në jetën e tij në tërësi, ashtu si e kërkonte Jezusi (krh. Mk 1, 15; Lk 3, 4-6). Për të kthimi nuk domethënë ecje mbrapa, kthim në traditën e etërve, por ecje përpara, me fuqinë e fesë dhe me frymëzimin e dashurisë, me Jezusin e ngjallur dhe Kishën, bashkësinë e krishterë. Mu për këtë “kthimi i Shën Palit ishte besim dhe bashkëpunim” thotë Shën Tomë Akvini.

Shën Pali është pa dyshim “përpunuesi” më i mirë i mistereve të krishtera, veçmas lindjes, mundimit, vdekjes dhe ngjalljes së Jezu Krishtit, si mundësi dhe burim shëlbimi për mbarë njerëzimin.

Ai me të drejtë është Apostulli “ynë”, ungjillëzuesi i Ilirëve, i mbarë botës së atëhershme pagane, shembull, paradigmë, dëshmi mbi të gjitha pajtori i kthmeve tona në vazhdimësi!

Prishtinë, 25 janar 2024 Don Lush GJERGJI

Filed Under: Kronike

Më datë 24 janar kujtojmë ndarjen nga jeta të Babait të Kombit, Ismail Qemali

January 24, 2024 by s p

Muzeu Historik Kombëtar/

Udhëheqës i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Lindi në Vlorë më 24 Janar 1844 në një nga familjet më të mëdha të Shqipërisë së Jugut. Pasi kreu shkollën fillore në vendlindje, vijoi studimet në shkollën plotore turke në Selanik, ku ishte internuar familja e tij dhe më pas kreu gjimnazin “Zosimea” në Janinë. Në vitin 1860 punoi si përkthyes pranë zyrës së përkthimit të Portës së Lartë. Nga vitet 1862-1864 shërbeu në administratën vendore në Janinë e më pas u transferua në Tërhallë (Thesali) e përsëri në Stamboll. Ai mori pjesë, së bashku me Jani Vreton, Hoxhë Tahsinin, Kostandin Kristoforidhin, Pashko Vasën e Sami Frashërin, në mbjedhjen e parë për caktimin e alfabetit të shqipes dhe për formimin e një shoqërie kulturore shqiptare. Ismail Qemali pati në vijim një varg detyrash të larta në administratën turke si: kryesekretar i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Stamboll, mytesarif i Varnës (Bullgari), guvernator i Danubit të Poshtëm (Tulxhë-Bullgari) etj. Më 1877 Porta e Lartë e akuzoi si kundërshtar të politikës së Sulltan Abdyl Hamitit II dhe përkrahës të pikëpamjeve liberale të Mithat Pashës (funskionar i lartë i Perandorisë, reformator, opozitar). Me këto akuza Porta e Lartë e dënoi me 7 vjet internim në qytetet Kytahja, Eskishehir dhe Bursa në Anadoll. U lirua më 1884 dhe u emërua si mytesarif i sanxhakut të Galiopolit dhe guvernator i Vilajejtit të Tripolit Libi. Më 1900 për t’u shpëtuar ndjekjeve të sulltanit, u arratis nga Turqia dhe i dorëzoi dorëheqjen sulltanit, duke e motivuar largimin e tij nga Stambolli, se në këtë mënyrë do t’i shprehte më mire idetë e tij dhe do t’i kushtonte kujdesin e duhur çështjes shqiptare.

Ismail Qemali qëndroi në vende të ndryshme të Europës ku vendosi lidhje dhe bashkëpunoi me rrethet politike të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. U aktivizua në lëvizjen patriotike shqiptare, mori pjesë në përpjekjet për caktimin e një alfabeti të përbashkët të gjuhës shqipe dhe për formimin e një shoqërie kulturore shqiptare. Ismail Qemali zhvilloi gjithashtu veprimtari të ngjeshur politike në Europë për njohjen e kombit dhe të të drejtave të tij. Ai shpejt do të shpallte në shtypin e kohës, vendas dhe të huaj, platformën e tij politike për autonominë e plotë të Shqipërisë ndaj Perandorisë. Mori pjesë në lëvizjen xhonturke, në krahun përparimtar të saj, që ishte për njohjen e e të drejtave të kombeve të Perandorisë, por u hodh kundër Xhonturqve, kur këta morën pushtetin dhe vendosën diktaturën ushtarake. Më 1909 mori pjesë në kundërrevolucionin kundër Xhonturqve dhe u zgjodh kryetar i Partisë Liberale (Ahrar). U dallua si frymëzues dhe organizator i kryengritjes kundërosmane të viteve 1910-1912. Së bashku me Luigj Gurakuqin e patriotë të tjerë hartoi Memorandiumin e Greçës të qershorit 1911 dhe në fund të atij viti mori nismën për organizimin e Kryengritjes së Përgjithshme të vitit 1912. Më 19 nëntor 1912 njoftoi bashkëatdhetarët se do të mblidhej në Shqipëri një Kuvend Kombëtar. Në këtë kuvend, që u mblodh nën kryesinë e tij më 28 nëntor 1912 lexoi deklaratën e shpalljes së Pavarësisë të Shqipërisë dhe ngriti flamurin kombëtar. Pas kësaj u caktua kryetar i Qeverisë së Përkohshme dhe minister i Punëve të Jashtme. Në politikën e tij të jashtme Ismail Qemali u bë i papajtueshëm ndaj çdo cënimi të pavarësisë e të sovranitetit kombëtar. Pavarësisht kushteve të vështira të brendshme e të jashtme, qeveria e kryesuar nga Ismail Qemali mori një varg masash për organizimin dhe ndërtimin e shtetit të pavarur. Në të gjitha këto veprimtari Ismail Qemali u tregua burrë shteti dhe diplomat largpamës, mbrojti me vendosmëri shtetin e pavarur shqiptar. Por Fuqitë e Mëdha nuk e njohën Qeverinë e tij.

Filed Under: Politike

Revoltë

January 24, 2024 by s p

Astrit Lulushi/

Jul Cezari i dha fund një revolte të ushtarëve të tij duke thënë vetëm një fjalë. Ky incident i jashtëzakonshëm ndodhi gjatë një prej fushatave ushtarake të Cezarit në Gali (Franca e sotme) rreth vitit 52 pes. Ndërsa detajet specifike mund t’i nënshtrohen disa interpretimeve historike, ngjarja është regjistruar nga historianët e lashtë si Suetonius, Plutarku dhe Appian.

Gjatë kësaj fushate, ushtria e Cezarit u përball me një sfidë të rëndësishme. Ushtarët, të lodhur nga fushatat e tyre të gjera ushtarake, filluan të bëhen të pakënaqur dhe të shqetësuar. Ata dëshironin pushim dhe një shans për t’u kthyer në shtëpi pranë familjeve të tyre. Ndërsa zhgënjimi i tyre u rrit, ata organizuan një rebelim kundër komandantit, duke kërkuar që të shkarkoheshin nga shërbimi.

Cezari, një strateg i shkëlqyer dhe udhëheqës karizmatik, e kuptoi peshën e situatës dhe nevojën për veprim të shpejtë. Ai mblodhi trupat para tij. Duke qëndruar në këmbë mes murmuritjeve dhe trazirave, ai tërhoqi vëmendjen e tyre me praninë e tij komanduese. Pastaj, me një pauzë të llogaritur, shqiptoi një fjalë të vetme – “Quiritet?!” (Qytetarët?!)

Tani, mund të pyesni veten se çfarë është kaq e veçantë për këtë fjalë në dukje e zakonshme. Termi “quirit” ishte një referencë për qytetarët e Romës, pikërisht njerëzit për të cilët këta ushtarë kishin rrezikuar jetën e tyre dhe kishin luftuar beteja të panumërta. Duke thirrur identitetin e tyre si romakë, Cezari iu drejtua ndjenjës së detyrës, besnikërisë dhe patriotizmit.

Efekti ishte i menjëhershëm dhe i thellë. Ushtarët, të cilët pak çaste më parë ishin në prag të rebelimit, papritur u kujtuan për besnikërinë e tyre të përbashkët dhe për kauzën më të lartë të cilës i shërbenin. Fjala “Quiritet?!” veproi si një katalizator i fuqishëm, duke rindezur besnikërinë dhe përkushtimin e tyre ndaj gjeneralit të tyre dhe Republikës.

Në atë moment, atmosfera u zhvendos nga ajo e mospajtimit në unitet. Ushtarët, të nxitur nga fjalët e Cezarit, hodhën armët dhe u gjunjëzuan para tij, duke shprehur pendimin e tyre dhe duke iu lutur për falje. Cezari, duke shfaqur zemërgjerësinë dhe mendjemprehtësinë e tij strategjike, pranoi faljen e tyre dhe i fali me dashamirësi, duke i kursyer nga ndëshkimi i rëndë.

Ky incident jo vetëm që tregoi aftësinë e Cezarit për të komanduar besnikërinë dhe respektin e trupave të tij, por gjithashtu theksoi kuptimin e tij të thellë të psikologjisë njerëzore. Duke përdorur një fjalë të vetme, ai hyri në vetëdijen kolektive të ushtarëve të tij, duke u kujtuar atyre identitetin dhe qëllimin e tyre të përbashkët.

Ndërsa ky tregim pranohet gjerësisht nga historianët, disa argumentojnë se mund të jetë zbukuruar ose ekzagjeruar me kalimin e kohës. Megjithatë, ideja thelbësore mbetet e paprekur – aftësia e Julius Caesar për të shuar një revoltë me vetëm një fjalë flet shumë për aftësitë e tij drejtuese dhe aftësinë e tij të çuditshme për ta kthyer fatkeqësinë në triumf.

Filed Under: Fejton

Librat janë e vetmja magji e vërtetë

January 24, 2024 by s p

PhD. Yllka FILIPI

New Jersey, Jan. 21. 2024/

“Një libër i bukur kthehet në një ngjarje në jetën time.”

Stendal

“Fuqia e fjalës së Adnan Mehmetit” i autorit Namik Selmami dhe “ Poezia e Adnan Mehmetit” nga Dr. Besim Muhadri: Në çdo bibliotekë shqiptaro-amerikane e më gjerë ky lajm ekzaltues do të zerë vend e do të ndriçojë kureshtjen e horizontit të pritjes. Mirënjohje për këtë sipërmarrje kaq sfiduese.

Në ritmin e jashtëzakonshëm të jetës amerikane, çfarë mrekullie të maratonojnë thellë në nënvetëdijen humane paralelisht jeta dhe libri. Në trungun e lashtë mijëravjeçar të kulturës kombëtare çdo botim i ri është përkujdesja më e dhembshur për rrënjët, uji hidratues e oksigjeni i ardhmërisë së trungut të artit të fjalës, një degëz, një syth me bulëza vese, mijëra sytha e mijëra degë bashkë. Kjo festë shpirtërore është sfida që mposht çfarëdolloj heshteje kolektive, e impostuar vetiu nga mjegulla dhe tymi që e trandin individin modern, ku zor se e kuadraton dot zemrën si në post/stuhi. Transhendenca letrare shumë e lakuar në aspektin artistik në historinë e shekujve, rrezaton në gjuhë, kulturë dhe identitet respektin, mallin dhe dashurinë për kombin në këtë bashkëudhëtim shpirtëror universal.

Adnan Mehmeti është poeti që dekodifikon me shumë durim e këmbëngulje dhimbjen dhe vuajtjen shpirtërore të atdheut e njeriut modern në art, shëron plagët me melhelmin e fjalës së zgjedhur poetike dhe zgjon shpresën e fjetur për një të ardhme të sigurtë. Shumë i gatshëm për të inkurajuar vemëndjen e trazuar të lexuesit bashkëkohor, vigjilent për ta çuar më tej këtë pasuri kombëtare, është bërë kështu ambasador i denjë i forcës të fjalës së shkruar.

Jam plotësisht e bindur se kjo ceremoni artistike, është dëshmija më e gjallë e pasqyrimi më i qartë i promovimit të vlerave letrare dhe një urë lidhëse shpirtërore në ndërtimin e një familjeje të madhe që flet me zell e durim gjuhën e shpirtit dhe përderisa kjo gjuhë universale lexues do të ketë gjithmonë, e ardhmja e librit do të jetë e shëndetshme. Dëfrimi kulturor dhe inisiativa më serioze në simbiozë. Një fenomen/ magji. Libri është gjallë. Libri jeton. Gjithmonë do të jetë kështu. Dhe ndoshta librat janë e vetmja magji e vërtetë, -sipas Alicce Hoffman.

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 52
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry
  • Universiteti Shtetëror i Tetovës si Paradigmë e Arsimit të Lartë Shqiptar
  • Kujtesë e misionit profesional dhe jetësor që na bashkon…
  • LAHUTA SHQIPTARE NË DËSHMITË E HISTORIANËVE, ALBANOLOGËVE DHE STUDIUESVE EUROPIANË
  • Justina Aliaj e kthen Nënën Terezë në qytetin e saj të fëmijërisë
  • Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dega në SHBA nderoi gazetarë të shquar shqiptaro- amerikanë
  • “Sekretet” e Faik Konicës, roli si Kryetar i “Vatrës” dhe editor i “Diellit”
  • Libri “Dënesje në dru” i shkrimtarit Lazër Stani, prozë e kërkimeve absurde
  • Bashkëpunimi ruso-serb në veri të Vilajetit të Kosovës (1901)
  • Lufta hibride ruse dhe mësimi për shqiptarët
  • Paradoks gjuhësor dhe letrar
  • “Dardanët”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT