• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2024

Diplomati Rauf Fico: si vlerësohej nga Hitleri dhe shërbimi sekret britanik

January 23, 2024 by s p

Prof.as.dr. Hasan Bello

Rauf Fico është një nga personalitetet më të rëndësishëm të shtetit shqiptar. Ai ishte burrë shteti, politikan dhe diplomat i nivelit të lartë. Veprimtarinë patriotike ai e filloi para pavarësisë. Sipas Faik Konicës, Rauf Fico ishte shqiptar kur nuk kishte Shqipëri.

Ai lindi në Sanë të Jemenit më 13 mars 1881 ku i ati shërbente si kadi (gjykatës). Familja e tij ishte një nga më të njohurat e lagjes Palorto të Gjirokastrës. Pak kohës pas lindjes së Raufit, babai i tij transferohet si kryekadi (kryegjykatës) në Shkodër, ku ai përfundoi arsimin fillorë. Më pas Raufi shkoi në Vjenë ku për dy vjet vazhdoi shkollën Volksschule. Shkollën e mesme e kreu në Stamboll për të vijuar studimet në “Mylkijen” e famshme (Fakulteti i Shkencave Politike dhe Administrimit).

Gjatë viteve të studimeve, ai do të njihet me personalitete shqiptar dhe të huaj, të cilët do të luajnë një rol të rëndësishëm në histori. Njëri prej tyre është kryeministri dhe presidenti i Turqisë Ismet Inony.

Pasioni i Raufit gjatë studimeve ishte leximi dhe gjuhët e huaja. Ai fliste turqisht, gjermanisht, greqisht, arabisht, persisht, italisht, anglisht dhe frëngjisht.

Pas përfundimit të studimeve në Stamboll, ashtu siç e kërkonte ligji për nënpunësit e shtetit osman, në vitin 1903 Raufi u caktua për të bërë stazhin në vilajetin e Janinës, ku shërbeu si sekretar i valiut për tre vite. Në prill të vitit 1906 ai u emërua kajmekan (nënprefekt) i Konicës.

Në vitin 1910 pasi kishte shërbyer në disa qyteza të tjera Raufi largohet nga detyra për të qëndruar një farë kohe në Gjirokastër. Në prill të vitit 1912, ai u emërua vali (prefekt) i qytetit të Kaiserit. Por me Shpalljen e Pavarësisë dha dorëheqjen dhe erdhi në Vlorë, ku Ismail Qemali e emëroi këshilltar të ministrit të Brendshëm Myfid Libohova. Në verën e vitit 1913, ai ishte pjesë e një delegacioni që shkoi në Romë dhe në Vjenë për të mbrojtur të drejtat e kombit shqiptar. Në vjeshtën e vitit 1913, Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit Rauf Ficon e emëroi prefekt të Beratit, detyrë të cilën e mbajti deri në vitin 1914.

Në qeverinë e Turhan Pashë Përmetit, që u krijua pas ardhjes së Princ Widit, Rauf Fico u ngarkua me detyrën e shefit të kabinetit. Ndërsa në vitet e LPB kur një pjesë e Shqipërisë u pushtua nga ushtria austro-hungareze, Rauf Fico ishte nënprefekt i Tiranës.

Në qeverinë e Sulejman Delvinës që u krijua pas Kongresit të Lushnjës në janar 1920, Rauf Fico u caktua shef seksioni në Ministrinë e Brendshme e cila drejtohej nga A.Zogu. Këtu fillon një bashkëpunim i ngushtë mes këtyre personaliteteve, i cili do të zgjasë deri në pushtimin e Shqipërisë nga Italia.

Në këtë periudhë ai u zgjodh deputet dhe në qeverinë jetëshkurtër të Idhomeno Kosturit (12-24 dhjetor 1921), e cila u quajt edhe si “qeveria e njerëzve të ndershëm” ai ishte ministër i Brendshëm. Në maj të 1922 për shkak të disa problemeve qeveria e emëroi si prefekt të Durrësit. Duke nisur nga kjo periudhë Rauf Fico ngarkohet gjithmonë me detyrën e atij që merrte përsipër që të zgjidhte çështjet më të koklavitura të shtetit shqiptar brenda dhe jasht vendit.

Për këtë arsye, ai konsiderohej si krahu i djatht i A.Zogut ose diplomat i “Nyjeve Gordiane”. Kjo vihet re dhe nga detyrat dhe shtetet ku ai shërbeu. Kështu, në vitin 1925 ai u emërua ministër Fuqiplotë në Ankara; në nëntor 1928-prill 1929 dhe 1932-1936 ministër Fuqiplotë në Beograd; më 14 janar 1929-11 prill 1931 ministër i Punëve të Jashtme; në dhjetor 1936-korrik 1938 ministër Fuqiplotë në Athinë.

Gjatë këtyre viteve objekt kryesor i punës së tij si personi më i besuar i A.Zogut për politikën e jashtme, ishte mbrojtja e popullsisë shqiptare dhe parandalimi i politikës së shpërnguljes së saj nga ish-Jugosllavia dhe Greqia drejt Turqisë.

Por një nga misionet speciale të Rauf Ficos ishte detyra si ministër Fuqiplotë në Berlin korrik 1938-qershor 1939. Ajo kishte si qëllim të shpëtonte shtetin shqiptar nga politika agresive italiane. Kjo shihej me xhelozi nga Roma, diplomatët e së cilës mbanin nën mbikqyrje të gjitha takimet e Rauf Ficos me personalitete të larta të politikës gjermane.

Shtypi i huaj e konsideronte Rauf Ficon si një nga burrat më të zotë jo vetëm të Shqipërisë, por të gjith Ballkanit.

Emblematike mbetet thënia e Hitlerit i cili pas dorëzimit të letër-kredencialeve nga ministri shqiptar dhe ambasadori i Japonisë, ai ka deklaruar “Sot kam takuar dy vetë: Njëri ishte diplomat i madh i një shteti të vogël dhe tjetri një diplomat i vogël i një shteti të madh”.

Ndërsa shërbimi sekret britanik në raportet e tij e konsideronte A.Zogun dhe Rauf Ficon si dy personat më të pakorruptueshëm të administratës shqiptare.

(Në foto Rauf Fico në pritje për t`i dorëzuar Hitlerit letër-kredencialet)

Filed Under: Histori

DIVJAKA

January 22, 2024 by s p

Bledi FILIPI/

Të shkruash për Divjakën do të thotë të shkruash për  Myzeqenë, dhe  duhet të mbushesh thellë me frymë disa here, të shohësh përrreth dhe më pas të rendisësh fjalët. Përse? Pasi është një hambar që  furnizon jo vetëm Shqipërinë Natyrore por dhe Evropën.

    Divjaka, qytet në Myzeqe, ka hapur dyert gjithmonë për të gjithë ata që zbrisnin për të jetuar në këtë perlë të Adriatikut. Njerëz punëtorë, arsimdashës, patriotë me zemër të qëruar të cilët kurrë nuk kanë folur me rrahagjoksje por me zemër.

E lidhur ngushtë sa me antiken dhe aktualen, Divjaka ka dhënë kontributin e sajë  në formësimin e shtetit shqiptar. Ka nxjerrë bijë dhe bija të cilët shkrinë jetën për atdhe, fe  dhe dituri. Divjaka,  i ka dhënë kombit dëshmorë, por ka përjetuar dhe një nga ngjarjet më makbre, ku  u ekzekutuan  67 divjakas, kjo në tetori e 1943-shit . Për këtë ngjarje është shkruar  shumë, u morën nga Balli Kombëtar, dhe në përpjekje me Brigadën e Mehmet Shehut u ekzekutuan pa gjyq. 

   Këto familje gjatë periudhës së diktaturës shiheshin si tradhëtarë, dhe si për ironi të fatit, njëri vëlla kishte rënë dëshmor nga radhët partizane, tjetri nga balli.

   Nuk do të ndalemi te kjo ngjarje, pasi një moment tjetër do të flasim, por do të ndalemi në  një vështrim të përmbledhur të Divjakës.

    Sot ndryshe nga ditët e tjera do të mundohem të sjell disa radhë për Divjakën. Fjalët janë të shumta, por do të mundohemi të qëmtojmë ato që duhen dhe përbëjnë informacione  të vërteta. 

Divjaka një qytet i ri apo i lashtë? Nëpërmjet këtij shkrimi lexuesi do të marrë informacionin e duhur.  

Divjaka në këndvështrimin historik

Arnisa, një qytet i lashtë ilir, i zhdukur dhe që figuronte vetëm në hartat e Ptolemeut, ishte lënë gati në harresë, plot 70 vjet pas zbulimit të gjurmëve të para të saj nga Hasan Ceka.

Zbulimet e bëra në këtë qytet datojnë disa shtresime historike me zanafillë 2600-vjeçare. Muri mbrojtës është ndërtuar gjatë shekullit IV p.e.s., kohë kjo e lulëzimit të kulturave ilire dhe helene.

Ekipi i arkeologëve këto dvitet e  fundit ka nxjerr në dritë rrënojat e qytetit antik të Arnisës. Kjo është një ekspeditë kërkimi dhe shpëtimi

https://konica.al/wp-content/uploads/2019/09/Annotation-2019-09-11-165246-300x235.jpg

Zbulimet e bëra në këtë qytet, datojnë disa shtresime historike me zanafillë 2 600-vjeçare. Muri mbrojtës është ndërtuar gjatë shekullit IV p.e.s., kohë kjo e lulëzimit të kulturave ilire dhe helene.

Ekipi i arkeologëve, këto ditë ka nxjerrë zbuluar rrënojat e qytetit antik të Arnisës. Ekspozita është kondsideruar me vlera kërkimore dhe në mbrojtje të dëshmive të lëna në harresë për kaq kohë.

Ndërmjet të tjerash përpiqeshim mes mjaft kontradiktave të shkrimeve arkivore dhe toponomisë rrëmujë të vendit nëpër shekuj për të saktësuar sado pak të dhënën që sjell Ptolemeu në “Libri i tretë të Gjeographies” së tij, ku na jep koordinatat për qytetin Taulant, Arnisa në 45 gradë e 20 minuta në brendësi të vendit.

Sipas të dhënave të këtij shkrimi të Ptolemeut, por edhe me hipoteza të ndryshme këtë qytet Taulant, shumë studiues e vendosnin në brezin e kodrave të Divjakës.

https://konica.al/wp-content/uploads/2019/09/views-at-butrint-1024x768-300x225.jpg

Disa historianë të njohur, e vendosin me emrin e hershëm të Babunjës pranë Gradishtës, të tjerë e mendonin pranë gërmadhave të Spolatës, por kishte edhe nga ata që e vendosnin pranë Gërmenjit, ku janë gjetur gjurmë të shumta të qytetërimit antik.

Së pari, ky emër na del nga Ptolemeu, gati 200 vjet pas Cezarit, mund që ajo të mos ishte në kohën e luftimeve.

Së dyti, Cezari si ushtarak e strateg ishte mjaft i kursyer në përshkrime që ishin jashtë interesit të tij, këtë e shikojmë edhe për të dhënat e pakta që na sjell edhe për qytetet e tjera të mëdha e të rëndesishme, si: Durresi, Apollonia, Butrinti, Opidum Parthenum, Oriku apo Asparagumi.

Se treti, Cezari nuk kaloi drejtpërdrejt në lumin Apsus (Semanin), për të shkuar në very, në drejtim të Durrësit, ku mund të shikonte edhe qytetin e Arnisës, por kaloi në të djathtë për të dalë në kodrat e Karbunarës.

E dhëna e saktësuar prej Ptolemeut kishte interes, pasi veç koordinatave të vendodhjes, përcaktonte se ajo ishte në brendësi të tokës së Taulanteve dhe në jug të lumit Genius (Panius), pra të Shkumbinit.  Një zbulim tjetër  arkeologjik me inters, është dhe  fytyra e një femre në reliev, Erinia, perëndesha e hakmarrjes e skalitur ne një bllok të vogël guri gëlqeror. Kjo vepër është gjetur në murin e jashtëm te Kishës se Divjakës. Deri vonë ka qenë e kspozuar në muzeun e qytetit. Flokët e saj ishin të trajtuar si gjysëm gjarpërinj e flokë me një gojë të hapur që tregonte tmerrin.

Në një bllok tjeter guri gëlqeror po në murin e kishës paraqitet në reliev portreti i Perandorit ilir, Kostantini i Madh (306-332) i veshur me këmishë popullore ilire. Nga këto fakte mund të themi me siguri se Divjaka dhe zona e saj kanë qenë banuar para dyndjes së sllavëve dhe para epokës sonë. Perveç gjetjeve të shumta arkeologjike, sipas dokumentave osmane të viteve 1441-1450 del se Divjaka ka qenë pronë e një të quajturi Dhimitër Prespa. Me pas kaloi në pronesinë e një farë Zakonas Beu, i cili përmendet në histori për mardhënie familjare me Gjergj Kastriotin-Skënderbeun.

Nga viti 1450 i shekullit XV qyteti mbeti në duart e një të quajturi Zurgo,me vonë pas vitit 1450 u bë pronë e nënës së Sulltanit. 

Prejardhja e emrit

  •  Për prejardhjen e emrit të Divjakës ka pasur dhe ka hipoteza të ndryshme.  Mbështetur në shënimet e Kolë Nikajt, në librin “ Divjaka  fshat i lashtë “  lexojmë:  e ka marr emrin nga rrënja e fjalës Div në gjuhën shqipe Dif-Diva, përdoret për kafshët mbinatyrore dhe në mënyrën figurative për njerëz me forcë vigane, të fuqishme e shtatmëdhenj.
  • Ndërsa  mësuesi  Rrapi Mërtiri,  në shënimet e lëna theksonte  se Jani Minga, mësues i tij, u tregonte  se emri Divjakë vjen nga fjala Divija dy vija. Në të vërtetë qyteti kufizohet nga dy vija uji, grykëderdhja e Shkumbinit në veri, dhe delta e Semanit në jug.

.

Emri Divjakë përmendet për herë të parë në dokumentat osmane në vitet 1441-1443-1445. Këto dokumente kane qenë ne muzeun e qytetit. Një tjetër dokument që tregon për prejardhjen e emrit Divjakë është dhe botimi në një revistë i Profesor Luk Karafilit nga Shkodra me pseudonimin Bardhyli në artikullin e tij Kravastaja e Divjaka shkruan: „ e  mori emrin përrallor të divave të përrallës së moçme që i pershtatet princeshës Marika Matranga dhe tregon tretjen e kesaj familje me ate të princave Muzakaj te Beratit. Autori e mbështët këtë në një përrallë të dëgjuar në Lushnje nga disa të moshuar.

Gjithashtu në kohën e Perandorisë Osmane dhe deri vonë para çlirimit, krahina ku bënte pjesë Divjaka quhej Karatoprak (nga turqishtja -dhe i zi-), kjo krahinë përfshinte katundet ndermjet Tërbufit e gjolit te Karavastasë deri në Libofshë, por vendasit nuk e quanin veten Karatoprakas por Divjakas.

Me sa dihet pra deri me sot emri Divjakë nuk rrjedh nga ndonjë emër fisi,llagapi(mbiemër), apo toponomi të mëparëshme .

  Deri këtu kemi të bëjmë me etimologji popullore. Emri i qytetit i është dhënë nga dyndjet slave, dhe për këtë vijnë si dëshmi edhe toponime të tjera, si : Nova, Kamenica, Gradishta etj., etj.

     RRETH ETIMOLOGJISË SHKENCORE TË EMRIT DIVJAKË 

дивљака, ef. pemë e egër.

DIVJÁÇKË f. “një lloj molle e egër”. Fjalë e anëve të Korçës. Huazim krahinor prej sll. divjačka “mollë a dardhë e egër”. Prej fjalës sllave edhe toponimi Divjakë .

Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011, bashkia e Divjakës numëron një popullsi prej 34.254 banorësh ndërkohë që në regjistrin civil rezulton një popullsi 53.372 vetë. Territori i bashkisë së re është 309.58 kilometra katrore. Në bazë të censusit, densiteti i popullsisë është 110 banorë për kilometër katror ndërsa në bazë të regjistrit civil densiteti është 172.40 banorë/km2. Zona Gjeografike: Bashkia e re Divjakë kufizohet në veri me bashkinë Rrogozhinë, në lindje me bashkinë Lushnjë, në jug me bashkinë Fier dhe në perëndim me Detin Adriatik. Kryeqendra e bashkisë së re do të jetë qyteti i Divjakës, i shpallur qytet me vendim qeverie në vitin 1996.

Kjo bashki përbëhet nga 5 njësi administrative, të cilat janë: Divjakë, Tërbuf, Grabjan, Gradisht dhe Remas. 

E FOLMJA E DIVJAKËS

Klasifikohet në  të folmen e Myzeqesë, e cila shtrihet përgjatë bregdetit Adriatik, në kufirin në mes rrjedhave të poshtme të Shkumbinit në veri dhe të Vjosës në jug.  Ka pasur element të të folmes kalimtare, por tashmë të zhdukura.

 Ka pasur mendime që Divjaka a shënon edhe zonën ku demonstrohen elementet karakteristike të së folmes kalimtare të rajonit duke e karakterizuar të folmen në veri e në verilindje të qytetit, që gjeografikisht bashkohen me krahinat gege të jugut në bregun tjetër të Shkumbinit, si e folme gege e jugut . 5 Përballë një numri dukurish specifike gege, të cilat e karakterizojnë të folmen e periferisë veriore të rajonit dialektor të Myzeqesë, si : 1) nazaliteti i zanoreve në pozitë të theksuar: frê, pê, hî, ullî, hûnna, gjû; 2) monoftongizimi i diftongjeve ue>ū, ye>ȳ, ie>ī,: dūr (n, nd>n: mush.

    Por se sa qëndrojnë këto të dhëna do të flasim  më konkretisht në  pjesë të tjera.

TRADITA DHE ZAKONET

Divjaka traditat dhe zakonet i trashëgon brez pas brezi. Ato janë të njëjta me të gjithë Myzeqesë. Traditat fillojnë që me të lindjes, dasmës dhe të vdekjes. Ndër to më së shumti ndeshen elementë paganë se sa fetarë. 

Veshjet tona janë shumë të bukura dhe karakterizohen me një kolorit mbresëlënës. Në këtë mes të veshjeve shumëngjyrëshe hynë edhe kostumet e Krahinës së Myzeqesë..

Veshja e meshkujve të Myzeqesë është me detaje shumë interesante. Vlen të veçohet punimi i takisë e cila është shumë ikonike për këtë veshje dhe këtë nuk ka mundur ta punojë më askush.

(Për to do të   ndalemi në një shkrim tjetër.)

PARKU

Ka një sipërfaqe prej 1250 ha dhe ndodhet 5 km larg qytetit të Divjakës. Ky park është njëkohësisht edhe pjesë e kompleksit Laguna e Karavastasë ndodhet nën mbrojtjen e Konventës Ndërkombëtare të Ramsarit, që nga viti 1994. Ky park përbën një nga ekosistemet më të rëndësishme të gjithë vendit. Kjo sidomos për faunën e pasur ku përfaqësuesi më tipik është pelikani kaçurrel, i cili zë rreth 6,4 % të popullatës botërore. Këtu ndodhet pika perendimore e folezimit te ketij shpendi në Evropë.

Kjo zonë konsiderohet si një zonë me vlera të veçanta për natyrën dhe biodiversitetin. Mjediset më kryesore të Parkut janë; laguna e Karavastasë, godullat përreth saj, shtretërit e vjetër dhe të rinj të lumenjve Shkumbin dhe Seman, ujëmbledhësit e Tërbufit dhe të Myzeqesë, rezervuarët, tokat bujqësore, pyjet përgjatë brigjeve të lumenjve Shkumbin e Seman, pyjet me pishë mesdhetare, pyjet në kodrat e Divjakës, pemët frutore, ullishtet, vreshtat dhe agrumet. Ky park është një nga vendet e preferuara në bregdetin ranor shqiptar për turizëm detar, ekoturizëm, çlodhje, kërkime e studime. Parku shquhet nga popullata të shumëllojshme floristike e faunistike, endemike, subendemike, të rralla, të kërcënuara e të rrezikuara për zhdukje. Laguna e Karavastasë është pjesë e listës së ligatinave me rëndesi ndërkombëtare si një “Zonë Ramsar” sipas Konventës së Ramsarit që prej vitit 1995. Zona e Parkut është vlerësuar edhe zonë e rrjetit Emerald sipas Konventës së Bernës, “Për konservimin e jetës së egër dhe habitateve natyrore të Europës”.

Laguna e Karavastasë është laguna më e madhe në Shqipëri me një sipërfaqe prej 4300 ha. Ndër të tjera dhe me rëndësi mjaft të madhe për këtë lagunë, është fakti se në të gjendet pika e vetme e folezimit të Pelikanit kaçurrel (Pelecanus crispus) në Shqipëri.  Gjithashtu në parkun kombëtar Divjakë-Karavasta gjenden 29 lloje zvarranikësh dhe amfibësh, 25 lloje gjitarësh, 252 lloje shpendësh dhe 250 lloje bimësh. Po aq e pasur për këtë zonë është edhe flora e saj. Pylli natyror halor mesdhetar, me pishë të egër e të butë, është i vetmi i këtij lloji në vendin tonë në gjendje natyrore. Zona e Parkut përshkohet nga duna ranore bregdetare, të cilat përgjithësisht janë të zhveshura nga bimësia.

Ekosistemit ia shton më shumë vlerën dhe prania në të e disa bimëve endemike si Asteri (Aster albanicus), Salepët (Orchis albanica), Hidrokotili i rëndomtë (Hydrocotyle vulgaris), Fieri mashkull (Dryopteris filix-mas) dhe Fieri i Krojeve (Adiantum capilus-veneris).  Fauna e këtij parku kombëtar është po aq e larmishme dhe në të mund të gjesh një komunitet të rëndësishëm të shpendëve ujorë folenizues, kryesisht të rendit të pulorëve, qukapikëve, pëllumbave, harabelëve, grabitqarëve të ditës e të natës. Në ekosistem takohet edhe një entomofaunë e pasur karakteristike si lloje fluturash, pilivesa, mushkonja etj.

Në Park janë të pranishëm edhe një numër i konsiderueshëm zvarranikësh, breshkash toke, uji e të detit. Në zonë takohen kafshë të egra si: dhelpra (Vulpes vulpes), kunadhja (Martes martes), çakalli (Canis aureus), nuselalja (Mustela nivalis), baldosa (Meles meles), lundërza (Lutra lutra) një gjitar globalisht i rrëzikuar etj. Nga zvarranikët më të zakonshëm janë: breshka e zakonshme (Testudo hermanni), breshka e ujit (Emys orbicularis), breshka e detit (Caretta caretta), zhapiku i gjelbërt (Lacerta viridis), gjarpëri i ujit (Natrix tesellata), nepërkat (Vipera sp), etj.  Karavastaja dhe mjediset ujore rreth saj si dhe bregdeti janë habitate shumë të rëndësishme për disa lloje peshqish si ngjala (Anguilla anguilla), koca (Sparus aurata), levreku (Dicentarchus labrax), qefulli (Mugil cephalus), aterinat (Aterina sp), burdullaku etj. Në zonën e parkut mbarështrohet edhe buallica (Bubalus bubalis) e cila është një lloj i mbrojtur në Shqipëri.

Filed Under: Reportazh

Adresimi i Kryeministrit Kurti para liderëve të rajonit dhe partnerëve në diskutimin e përbashkët rreth Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor

January 22, 2024 by s p

Faleminderit që na mblodhët këtu për të diskutuar rreth Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor. Vitin e kaluar, në tetor, në Samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë shpreha mbështetjen tonë për Planin e Rritjes së BE-së bazuar në katër shtyllat. Ne besojmë se Bashkimi Evropian mund të reformohet dhe të zgjerohet dhe se përfitimet e Tregut të Përbashkët të Bashkimit Evropian duhet të lidhen me reformat ekonomike dhe demokratike.

Procesi i Berlinit, doli nga mungesa e ndjenjës së urgjencave për zgjerim, ndërsa tani Plani i Rritjes del nga sensi i urgjencës për zgjerim, në përgjithësi për shkak të agresionit rus që vazhdon në Ukrainë.

Ky takim vjen pas takimit në nivel të ministrave të financave të mbajtur edhe këtu në Maqedoninë e Veriut më 17 nëntor dhe pas takimit të 24 nëntorit në Bruksel, ku janë diskutuar një sërë reformash nga tre ministra të kabinetit dhe zëvendëskryeministri im i parë.

Ndërkohë që flasim, ekipi ynë po finalizon agjendën tonë të reformave dhe do ta paraqesë atë në BE.

Kjo agjendë gjithëpërfshirëse reformash synon të reformojë më tej administratën publike dhe të avancojë menaxhimin e financave publike. Ai vendos një fokus të veçantë në agjendën e gjelbër edhe digjitalizimin. Në fushën e sektorit privat, ai përpiqet të rrisë investimet dhe eksportet dhe të rrisë më tej aksesin në financa. Ai synon të sigurojë arsim cilësor dhe përafrim me nevojat e tregut të punës. Dhe më e rëndësishmja, kjo agjendë reformash do të avancojë më tej luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe do të forcojë mbrojtjen e të drejtave themelore.

Ne po përgatisim gjithashtu një listë indikative të projekteve që synojnë mbylljen e boshllëqeve infrastrukturore dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik, që do të financohen në Fondin e Reformës dhe Rritjes, duke përshpejtuar më pas rritjen dhe konvergjencën me Bashkimin Evropian.

Ne e mbështesim plotësisht qasjen që kushtëzon fondet e BE-së me vlerat e BE-së; rrit përfitimet për të gjithë qytetarët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe në të njëjtën kohë përshpejton anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian për ata që janë të përkushtuar.

Ne besojmë se anëtarësimi në Bashkimin Evropian duhet të udhëhiqet nga meritat dhe të bazohet në vlera. Ky Plan i Rritjeve nuk është vetëm një mundësi për reforma dhe rritje ekonomike, por edhe një shans për bashkëpunim dhe integrim më të ngushtë rajonal ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor. Prandaj, ne duhet të jemi konstruktiv në angazhimin tonë dhe të vetëdijshëm për fuqinë transformuese të vendimeve tona.

Siç është treguar në tre vitet e fundit me përmirësimin e treguesve demokratikë dhe ekonomikë, Kosova është e gatshme për reforma. Që rajoni të integrohet ekonomikisht dhe që qytetarët të afrohen më shumë, duhet të kapen kërcënimet e sigurisë. Integrimi më i thellë dhe rritja e fluksit të njerëzve dhe mallrave kërkon besim të ndërsjellë dhe marrëdhënie normale ndërmjet vendeve, institucioneve dhe njerëzve tanë. Kjo nuk mund të ndodhë nëse liria e mallrave përdoret për të lëvizur armë dhe municione ose për të sponsorizuar sulme terroriste. Normalizimi i marrëdhënieve bazuar në njohjen reciproke, besoj se është kyç për të zhbllokuar potencialin e rajonit dhe për të rritur mirëqenien e qytetarëve tanë.

Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është në thelb një zgjedhje. Në një demokraci liberale, pushteti i qeverisë kufizohet nga shteti i së drejtës dhe liria dhe të drejtat e individëve mbrohen nga kushtetuta. Bashkimi Evropian përfaqëson gjithashtu një zgjedhje strategjike të lidershipit të një vendi.

Prandaj, është detyra jonë të realizojmë reformat dhe të përmbushim kushtet dhe që Bashkimi Evropian të gjykojë meritat dhe të ruajë vlerat themelore të BE-së.

Filed Under: Rajon

Sot, kujtojmë lindjen e Elena Gjikës (Dora D’Istria, 1829-1888)

January 22, 2024 by s p

Muzeu Historik Kombëtar/

Elena Gjika lindi në Bukuresht të Rumanisë më 22 janar të vitit 1829. Ndonëse vendlindja e saj ishte Bukureshti, ajo përmend në letrat e saj origjinën e familjes së saj nga qyteti i Pargës.

Elena Gjika me aktivitetin e saj si shkrimtare dhe publiciste, përkrahu lëvizjen e Rilindjes Kombëtare, si dhe lëvizjen kulturore përparimtare të Europës. Ajo mbajti lidhje të ngushta me veprimtarë të shquar siç ishin: De Rada, Dhimitër Kamarda, Zef Jubani, Zef Serembe, Thimi Mitko, etj.

Disa nga studimet e saj, vlejnë të përmenden: “Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore” (La nationalite albanaisi d’apres les chants populaires), 1866, “Shkrimtarët shqiptar të Italisë jugore” (Gli scrittori albanesi dell’Italia meridionale), 1867, “Shqiptarët në Rumani” (Gli albanesi in Rumenia), 1873 etj. Në këto studime Elena Gjika nxirrte në pah traditat, doket, kulturën dhe historinë e shqiptarëve e luftën e popullit shqiptar kundër sundimit osman. Ajo shfaqi interesa të shumanshme në shumë fusha si: sociologji, folkloristikë, letërsi e kritikë letrare.

Në shenjë mirënjohje për ndihmesën e dhënë ndaj çështjes shqiptare në botë, patriotët rilindës e arbëreshë të Italisë e Greqisë i kushtuan librin me titull: “A Dora D’Istria- Gli albanesi” ( Dora D’Istrias- Shqiptarët) më 1870.

Elena Gjika vdiq në Firence në vitin 1888.

Filed Under: Emigracion

LIFE AND LIGHT FOR WOMAN (1897) / RRËFIMI I MISIONARES AMERIKANE ELLEN MARIA STONE MBI KONTRIBUTIN E GJERASIM QIRIAZIT DHE FAMILJES SË TIJ PËR LARTËSIMIN E KOMBIT SHQIPTAR

January 22, 2024 by s p


Burimi : Life and light for woman, prill 1897, faqe n°144
Burimi : Life and light for woman, prill 1897, faqe n°144

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 21 Janar 2024

“Life and light for woman” ka botuar, në prill të 1897, në faqet n°144 – 148, rrëfimin e misionares, mësueses dhe autores amerikane Ellen Maria Stone mbi kontributin e Gjerasim Qiriazit dhe familjes së tij për lartësimin e kombit shqiptar, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Shqipëria

Mundësia në Shqipëri

Burimi : Life and light for woman, prill 1897, faqe n°144
Burimi : Life and light for woman, prill 1897, faqe n°144

Katërmbëdhjetë apo pesëmbëdhjetë vjet më parë u diplomua në Institutin Kolegjial dhe Teologjik në Samokov të Bullgarisë, një djalë i ri me një nga mendjet më të ndritura të shkolluara ndonjëherë atje. Ky ishte z. Gjerasim D. Qiriazi, një shqiptar me origjinë, familja e të cilit banon në Manastir të Maqedonisë, ku studioi degët fillore si nxënës ditor në shkollën për vajza. Fakulteti i Institutit në Samokov me kënaqësi do ta kishte mbajtur si instruktor në atë institucion, por shpirti i tij ishte i vendosur që t’i përkushtohej ngritjes së kombit të tij; prandaj ai nuk pranoi të qëndronte në Bullgari. I etur për të siguruar përshtatjen më të mirë të mundshme për punën e tij, ai ishte në ankth për të vazhduar studimet e tij diku në Britaninë e Madhe; por duke qenë se asnjë rrugë nuk u hap përpara tij, ai bëri “gjënë tjetër” dhe u bë agjent i Shoqërisë Biblike Britanike dhe të Huaj për Shqipërinë, me seli në Manastir. Këtu ai u dha një ndihmë të madhe misionarëve dhe u vlerësua nga të gjithë si një vëlla i dashur. Ndonëse gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar në veprën bullgare duke predikuar apo mësuar, duke luajtur organo apo duke kënduar, zemra e tij nuk e harroi kurrë Shqipërinë e tij të varfër, për të cilën nuk kishte filluar asnjë punë edukative apo ungjillizuese. Ai kërkoi që në shkollën e vajzave në Manastir të krijohej një departament shqip, nëse nuk do të kishte fonde për hapjen e një shkolle në Shqipëri, ku ai vetë do të ligjëronte atje në gjuhën e tij amtare dhe greqishten e re. Ai kreu edhe një shërbim predikimi në gjuhën shqipe. Si anëtar i Komitetit Kombëtar Shqiptar, ai mori pjesë në vendosjen që alfabeti i përbashkët të ishte një lidhje bashkimi midis pjesëve të ndryshme të kombit dhe filloi botimin e disa librave, fillimin e një letërsie kombëtare. Z. Qiriazi ishte i palodhur në bashkëpunimin e tij dhe kishte besimin dhe vlerësimin e shqiptarëve më të mëdhenj. Në punën e tij si agjent i Shoqërisë Biblike, z. Qiriazi përktheu në gjuhën e tij amtare katër Ungjijtë, Psalmet, Fjalët e urta dhe pjesë të tjera të Biblës, si dhe shumë himne dhe disa libra të vegjël shkollorë. Duke qenë se qeveria turke nuk ka pasur kurrë një politikë për të inkurajuar zhvillimin e gjuhëve amtare të kombeve të saj në nënshtrim, si bullgarët, armenët apo shqiptarët, botimi i këtyre veprave kërkonte vizita të përsëritura nga z. Qiriazi në Bukuresht në Rumani, ku u krye shtypja e tyre. Miku i tij i përkushtuar, Pastori Alexander Thomson, D.D., i Shoqatës Biblike Britanike dhe të Huaj, bëri gjithçka që ishte në fuqinë e tij për të ndihmuar në këtë punë, për të cilën ai dha simpatinë e tij të plotë dhe fondet e kërkuara në Britaninë e Madhe. Një letër e vogël me hektograf u botua për një kohë nga z. Qiriazi dhe vëllai i tij më i vogël, Gjergji, i cili, pas diplomimit në Institutin Samokov, u bashkua me vëllain e tij të madh në punën e tij ungjillore dhe u bë Depozitues i Shoqërisë Biblike në Shkodër, Shqipëri.

Një ditë, kur i madhi Qiriazëve (Gjerasimi) ishte duke shkuar tek një vend predikimi, ai u kap rob nga banditët, të cilët e ngatërruan me një tregtar të pasur, për të cilin po rrinin në pritë. Kur mësuan se i burgosuri i tyre ishte i lidhur me një kompani britanike, ata refuzuan ta lironin, duke shpresuar se do të paguhej një shpërblim i madh për të. Katër muaj rreziqe dhe vuajtje të papërshkrueshme pasuan në bredhjet dhe fshehjet e tij me banditët. Vdekja e tij, madje, u vendos nga ata, por nuk ndodhi kështu. I burgosuri nuk njihte frikë; zemra e tij ishte e fiksuar, duke pasur besim te Zoti. Ai u predikoi Krishtin robëruesve të tij mizorë, edhe pse ata e torturuan për të kaluar orët e tyre boshe.

Gjatë kësaj kohe lutej vazhdimisht për të dhe lutja u shoqërua me përpjekje të palodhura nga ana e miqve të tij për të mbledhur shpërblimin e kërkuar. Më në fund banditët pranuan kushtet e propozuara, rreth një të katërtën e shumës së tepruar që kishin kërkuar fillimisht, dhe e liruan robin e tyre. Çfarë gëzimi mbushi të gjitha zemrat kur u bë e ditur se z. Qiriazi ishte edhe një herë i sigurtë mes miqve të tij ! Nga robëria doli më i zellshëm se kurrë për ungjillizimin e vendit të tij. Ishte pasioni i shpirtit të tij.

Një tjetër nga familja Qiriazi do të përdorej nga Perëndia për të bërë një hapje për ungjillin në Shqipëri. Motra e re e ëmbël, e cila kishte mbaruar shkollën misionare në Manastir dhe më pas Kolegjin Amerikan për Vajza, në Kostandinopojë, me nderimet e diplomimit të saj, iu bashkua vëllait të saj Gjerasimit në hapjen e shkollës së parë për vajza në Shqipëri, ku përdoret gjuha amtare. Ajo ishte një shkollë ditore në qytetin e Korçës. Zonjusha Qiriazi gjithashtu ia kushtoi gjithë kohën që mundej punës së Biblës nëpër shtëpi, takimeve javore me gratë, etj. Vëllai e ndihmonte sa më shumë në shkollë. Ai ishte një këngëtar i shkëlqyer dhe përktheu shumë himne në shqip dhe disa edhe në bullgarisht. Shkolla fitoi menjëherë në besimin dhe vlerësimin e njerëzve. Shërbimet e predikimit dhe një shkollë biblike mbaheshin të shtunën. Ajo shoqërohej nga rreziqe të mëdha. Më shumë se një herë u bënë përpjekje për të vrarë themeluesin trim, por engjëjt e Zotit, të vendosur rreth tij, e shpëtuan. Në pranverën e vitit 1890 z. Qiriazi u shugurua në Manastir si ungjilltar, menjëherë pas martesës me një grua të re të krishterë greke, e cila ishte arsimuar në Athinë. Atyre u lindi një fëmijë, një djalë i bukur, të cilin prindërit e rinj e quajtën Stefan. Jo shumë kohë pasi ai mbeti pa nënë, dhe në fillim të janarit 1894, tuberkulozi i mori jetën edhe babait të tij. Jeta e shkurtër dhe intensive tokësore e Gjerasim Qiriazit mori fund, por ai, “ndonëse i vdekur, megjithatë flet”. “Ai jetoi jetën e një engjëlli”, ishin fjalët plot pasion të një misionari të ri amerikan që punoi me të gjatë vitit të fundit të jetës së tij. “Ne e duam atë si një djalë,” tha një baba dhe nënë misionarë, të cilët e njihnin atë që në fëmijëri.

Po puna në Shqipërinë e mbetur kaq shpejt pa zot ? A vdiq ? Në asnjë mënyrë. Një pjesë e dyfishtë e shpirtit të vëllait të tyre më të madh duket se qëndron tek motra dhe vëllai që mbetën në punë. Mësuesja e re u kthye në shkollën e saj pas varrimit të vëllait; e lidhur me të ishte një tjetër e diplomuar në shkollën e Manastirit, e cila ndoqi një kurs të avancuar në Samokov dhe gjithashtu mori diplomën e saj atje; dhe dy të rejat vazhduan rrugëtimin e tyre pa u dekurajuar. Shkolla po rritet, po kështu edhe puna në qytet. Këtë vit, një e re shqiptare, një nxënëse e tyre, iu bashkua stafit mësimdhënës; dhe ka një predikues.

Një rrëfim i gjallë i “The last Commencement”, më 30 qershor, jepet nga z. Bond, nga Manastiri, në Missionary Herald të shtatorit të kaluar. Një letër private nga zonjusha Qiriazi përshkruante interesin e madh që myslimanët, si dhe shqiptarët katolikë grekë, shfaqën në këto ushtrime. I kërkuan që të hapte një konvikt, që aty të shkolloheshin vajza nga të gjitha anët e Shqipërisë, si dhe vajzat nga Korça. Ajo shkroi, “Ata duket se mendojnë se ne mund të bëjmë gjithçka, por, mjerisht ! ne nuk kemi fuqi të bëjmë më shumë!” Që nga fillimi i këtij artikulli është marrë një letër nga zonjusha Qiriazi, e datës 27 janar, nga e cila japim një ekstrakt : “Shkolla jonë po ecën mirë, të gjithë nxënësit po përparojnë mirë. Armiqtë tanë e kanë parë rritjen e shkollës sonë, u përpoqën t’i jepnin fund, por dështuan. Në kishën greke u shpall një mallkim kundër nesh dhe ndaj prindërve që dërgojnë vajzat e tyre në shkollën tonë. Disa u bindën të pengonin vajzat e tyre të vinin, ndërsa vajzat e tjera qëndruan në shtëpi derisa të kalonte stuhia dhe pastaj u kthyen përsëri.”

Këtu është një mundësi fisnike për një burrë apo grua që dëshiron të ndihmojë një komb tjetër të vogël të krishterë në Gadishullin Ballkanik të dalë në dritë. Për çdo grua të shenjtëruar, e pajisur mirë dhe e bekuar me pasuri, në mënyrë që të mund të dalë nën Woman’s Board me shpenzimet e saj, këtu është një mundësi që engjëjt mund ta lakmojnë. Ose për atë që nuk mund të shkojë vetë, por mund të mbajë një tjetër në front si përfaqësuese të saj, këtu është një fushë e hapur deri në një farë mase, e pajisur me ndihmës besnikë shqiptarë dhe që premton kthime më të kënaqshme për të gjitha investimet e parave, punës dhe lutjes. Koha është pjekur. Më shumë se një herë i ndjeri z. Qiriazi i shprehu shkrimtarit bindjen e tij se duhen gjetur njerëz dhe mjete për ndjekjen më të përshtatshme të veprës në Shqipëri. “Nëse Bordi Amerikan nuk e bën dot, ne duhet të aplikojmë diku tjetër”, ishin fjalët e tij. Bordi Amerikan mund ta bëjë këtë nëse ai burrë, ose ajo grua, ose ajo kishë, zemrën e së cilës Zoti e hap për të marrë pjesë në këtë thirrje maqedonase, do t’i sigurojë mjetet. Le të lutemi të gjithë për këtë.

Shqipëria shtrihet në fushën e Misionit Europian të Turqisë dhe punonjësit aktualisht në të janë arsimuar të gjithë në institucionet nën kujdesin e saj. Ka cilësi të shkëlqyera te shqiptarët dhe të krishterët amerikanë mund të jenë krenarë që Zoti e vendos këtë mundësi përpara tyre. Atyre mund t’u lejohet, nën Zotin, të ngrenë këtë komb, të dhunuar e të shtypur nga Turqia, por asnjëherë të frikësuar apo të zbutur, derisa të arrijnë shtatin e burrërisë së përsosur që është e mundur për ta në Jezu Krishtin. A do të shpengohet Shqipëria?

E. M. S.

(Ellen Maria Stone)

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • …
  • 52
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry
  • Universiteti Shtetëror i Tetovës si Paradigmë e Arsimit të Lartë Shqiptar
  • Kujtesë e misionit profesional dhe jetësor që na bashkon…
  • LAHUTA SHQIPTARE NË DËSHMITË E HISTORIANËVE, ALBANOLOGËVE DHE STUDIUESVE EUROPIANË
  • Justina Aliaj e kthen Nënën Terezë në qytetin e saj të fëmijërisë
  • Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dega në SHBA nderoi gazetarë të shquar shqiptaro- amerikanë
  • “Sekretet” e Faik Konicës, roli si Kryetar i “Vatrës” dhe editor i “Diellit”
  • Libri “Dënesje në dru” i shkrimtarit Lazër Stani, prozë e kërkimeve absurde
  • Bashkëpunimi ruso-serb në veri të Vilajetit të Kosovës (1901)
  • Lufta hibride ruse dhe mësimi për shqiptarët
  • Paradoks gjuhësor dhe letrar
  • “Dardanët”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT