• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2024

Kujtojmë lindjen e rilindasit Jani Vreto

January 15, 2024 by s p

Muzeu Historik Kombëtar/

Më 14 janar të vitit 1822 lindi Jani Vreto. U lind në fshatin Postenan, pranë Leskovikut, në Vilajetin e Janinës. Mësimet i ndoqi në një shkollë greke në Vurban afër Konicës, kurse nga viti 1843 deri më 1847 ndoqi gjimnazin e mirënjohur “Zosimea” në Janinë. Më 1854 u shpërngul në Konstantinopojë, ku i ati merrej me tregti. Ishte njohur e lidhur me figurat udhëheqëse të lëvizjes kombëtare shqiptare: Hasan Tahsini, Sami Frashëri, Pashko Vasa dhe Ferid pashë Vlora. Mmbante letërkëmbim me figura të shquara shqiptare në Egjipt si Thimi Mitko, Spiro Dine dhe Thimi Thoma Kreji si dhe me Dhimitër Kamardën dhe Jeronim De Radën. në Itali. Në vjeshtën e vitit 1877 u bë anëtar themelues i Komitetit qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare. Në maj 1878, botoi veprën “Apologjia”, në Konstantinopojë, në greqishte, në të cilën shtjellon prejardhjen e shqiptarëve, gjuhën, trevat e banuara prej tyre e të drejtat e tyre. Në fillim të vitit 1879 u caktua anëtar i komisionit të ngritur nga Komiteti qendror për të vendosur për alfabetin përfundimtar të shqipes. Më 12 tetor 1879 mori pjesë në themelimin e Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip. Vretoja shkoi në Bukuresht që të zgjonte interesimin për lëvizjen kombëtare ndër shumë shqiptarë dhe themeloi një seksion të Shoqërisë së të shtypuri shkronja shqip. Pas kthimit në Stamboll, Vretoja punoi në organit periodik “Drita”, që më pas mori emrin “Dituria”, e cila doli në Konstantinopojë nga gushti 1884 deri në korrik 1885. Në dhjetor 1884 ai bashkëpunoi për themelimin e shoqërisë Drita të Bukureshtit dhe shërbeu si sekretar i saj duke bërë praktikisht gjithçka në shtypshkronjë Ndërroi jetë në korrikun e vitit 1900 në Athinë.

Filed Under: Histori

NUK MUND TË KINI “DITË TË ALFABETIT”, SI FESTË KOMBËTARE, PA AT GJERGJ FISHTËN!

January 13, 2024 by s p

“Padrejtsi t’hipokrizisë njerëzore”, do ta quante vet Fishta.

Nga Frank Shkreli

A person in a mask speaking to a person in a microphone

Description automatically generated

Qeveria e Republikës së Shqipërisë, nepërmjet Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Z. Igli Hasani, njoftoi vendimin se, “Data 22 nëntor, e cila shënjon Ditën e Alfabetit do të shpallet festë kombëtare”, duke shtuar se Këshilli i Ministrave do t’i propozojë Parlamentit të Shqipërisë, “shtimin e ‘Ditës së Alfabetit’, si një nga festat kombëtare të Shqipërisë”.   Ministri Hasani: ‘Dita e Alfabetit’, festë kombëtare e Shqipërisë – Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme (punetejashtme.gov.al)  

Në njoftimin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme theksohet se Ministri Hasani shtoi se, “22 nëntori përfaqëson momentin më të madh unifikues të shqiptarëve, teksa nënvizoi se gjuha shqipe është ajo që i bashkon vërtetë shqiptarët kudo ndodhen nëpër botë”, por pa përmendur asnjë nga pjesëmarrësit në atë Kongres.

Por, ky “moment i madh unfikues i shqiptarëve” nuk ndodhi vetvetiu, por kishte protagonistët kryesorë, organizatorë të Kongresit të Alfabetit shqip, këtij “unifikuesi të madh” të shqiptarëve, figura kombëtare si At Gjergj Fishta — ishin ata që që mundësuan këtë ngjarje historike dhe është merita e tyre dhe jo e burokratëve të sotëm. 

 Fishtën, për 50-vjet regjimi komunist i Enver Hoxhës, e ka përjashtuar dhe ai vazhdon të përjashtohet edhe sot nga nostalgjikët e atij regjimi, si “tradhëtar i kombit”, “fashist”, e të tjera epitete fyese ndaj figurave të Kombit shqiptar, siç është At Gjergj Fishta. Por, Fishta ndonëse  ndoshta, ishte pjesëmarrësi më kryesor që vërtetë luajti rolin unifikues me atë rast, përveç tij, atje morën pjesë edhe disa nga përfaqsuesit më të denjë të Kombit në atë kohë, Mit’hat Frashëri, si Dom Ndre Mjeda, Mati Logoreci e Luigj Gurakuqi, Hilë Mosi e Shahin bej Kolonja, Petro Nini Luarasi, Thoma Abrami , Sotir Peci, Bajo Topulli e përfaqsues të familjes Qiriazi, ndër të tjerë – një përfaqësi mbarë kombëtare, unfikuese, ndryshe nga klasa e sotëme politike — pa dallim ideologjie, feje a krahine.  

Diçka që komunistët shqiptarë e luftuan për një gjysëm shekulli dhe diçka që burokratët modernë të Shqipërisë “post-komuniste” e zbuluan tepër vonë – ishte se At Gjergj Fishta ka qenë ai që promovoi Alfabetin që kanë sot shqiptarët – si një forcim të unitetit kombëtar — gjë që më në fund u miratua nga pjesëmarrësit e tjerë në atë Kongres.

Nuk di nëse e vuri kush re, por në njoftimin e qeverisë shqiptare për të caktuar 22 Nëntorin — Ditën e Alfabetit — festë kombëtare, nuk përmendet asnjë emër i përveçëm si At Gjergj Fishta, por as edhe ndonjë nga pjesëmarrësit e tjerë, por as si grup, që meriton të përmendej, si protagonistët e kësaj arritjeje historike.  Kështuqë kam drojë se Tirana zyrtare (politike dhe akademike) e këtyre tre dekadave “post-komunizëm”, siç e quajnë ata, janë ende në siklet me disa emra që morën pjesë në Kongresin e Manastirit që prodhoi Alfabetin e sotëm të gjuhës shqipe – monumentin më unifikues të shqiptarëve, emra si Gjergj Fishta.  Sidomos, me emrin e At Gjergj Fishtës, i cili ka luajtur rolin kryesor në Kongresin e Manastirit dhe në miratimin e Alfabetit të gjuhës shqipe që përdoret sot anë e mbanë trojeve shqiptare.  Por që ende, sot e kësaj dite, megjithëse, privatisht, veprat e tija botohen dhe lexohen kudo që ka shqiptarë, At Gjergj Fishta, zyrtarisht, është gjithnjë i përjashtuar. Epitete fyese nga regjimi komunist kundër tij ende janë zyrtare.  Për më tepër, protagonistit kryesor të Alfabetit të gjuhës shqipe, bashkvëllëzrit shqiptarë — të frymëzuar nga sllavo-komunistët aziatikë — jo vetëm që i dogjën veprat dhe zhdukën emrin e tij nga gjuha, letërsia dhe historiografia shqiptare, për një gjysëm shekulli.  Madje edhe eshtrat e tijë ia hodhën në lumin Drin, ndërsa varri nuk i dihet. Ndërkohë që për dekada të periudhës “post-komuniste” e deri tani, bashkvëllëzrit e tij nuk ia kushtuan more asnjë një muze sado të vogël, Poetit të Kombit dhe kryearkitektit të Alfabetit të gjuhës shqipe, këtij projekti unifikues mbarë kombëtar.  Sot me të drejtë, qeveria shqiptare, nepërmjet njoftimit të saj pranon se ky dokument përbën momentin më unfikues kombëtar – e që dita e miratimit të tij duhet të shënohet si një “festë kombëtare” — por pa përmendur meritat e Fishtës dhe të asnjë tjetër pjesëmarrësi, të cilët së bashku, kanë bërë të mundur këtë arritje unifikuese kombëtare historike fillim shekullin e kaluar, për të gjithë shqiptarët pa dallim.  Kjo është një arritje historike e atyre burrave të Kombit dhe e askujt tjetër. Kjo është një histori prej më shumë se një shekulli dhe merita doni ose nuk doni t’i përmendi emrat, u mbetet atyre dhe askujt tjetër.

Një akt me vend nga qeveria, megjithëse tepër i vonuar dhe i ndërmarrë me gjysëm zemër, një vendim që më duket se po merret më shumë si rrjedhim i rrethanave aktuale politike, ose si një kockë që i hidhet diasporës — se sa vërtetë, merret për meritat e këtyre burrave të Kombit – përfshir At Gjergj Fishtën — të cilët më shumë se një shekull më parë, si apostuj të mëdhenj të shqiptarisë, iu përgjigjën thirrjes së Atdheut për t’i ardhur në ndihmë dhe në mbrojtje, gjatë një periudhe tepër kritike për ekzistencën, jo vetëm alfabetit dhe gjuhës shqipe, por edhe mbrojtjes së identitetit dhe ekzistencës së shtetit shqiptar.  Është e vështirë të merret me mend se si miratimi i Aktit të Alfabetit të gjuhës shqipe në Kongresin e Manastirit, 1908, sot cilësohet me të drejtë si një “akt unfikues mbarëkombëtar”, ndërsa burrat më të dalluar të Kombit, që mundësuan një gjë të tillë – Shqipëria “demokratike” i konsideron ata ende si, “armiqë të Atdheut”, “fashistë” e tradhëtarë”…përfshir At Gjergj Fishtën!?  

Deri kur?  Ishte fati i Kombit që At Gjergj Fishta jetoi dhe veproi gjatë një periudhe jashtëzakonisht kritike për ekzistencën e shtetit shqiptar, gjuhës dhe kulturës kombëtare. Ai iu përgjigj thirrjeve të Atdheut, kudo e kurdoherë i kërkohej t’i shërbente të mirës dhe dobisë së Shqipërisë.  I ndjeri Profesor Namik Resuli i universitetit të Napolit, e ka thenë më së miri, në një fjalim në Romë me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Fishtës se “Kontributi i çmueshëm që ka dhenë Fishta në lamin e letrave dhe në edukimin e Kombit, në ruajtjen e kulturës dhe në naltësimin e gjuhës, vërtetojnë njëherë e përgjithmonë se Shqipnija pa Fishtën kishte për të qenë e mangët — ashtu si letrat tona pa pendën fishtjane kishin për të paraqit nji golle (boshllëk) të paplotësueshme. Këndej del e qartë se vetëm mënija e vëneri ndaj zhgunit e ndaj meshtarit katolik, terratisin mendjet dhe ia mohojnë Fishtës vlerën e vendin që ai xen në panteonin e Kombit”. 

Në përmbyllje, unë e përshëndes vendimin e qeverisë shqiptare për të caktuar 22 Nentorin si Ditën Kombëtare të Alfabetit, si një monument unifikues për të gjithë shqiptarët – me gjithëse është një vendim i vonuar e gjysmak. Por edhe njëherë, të nderuar burokratë ideologjikë, politikë dhe nostalgjikë të komunizmit – merreni, silleni dhe pshtilleni si të doni – se më në fund, nuk mund të kini një “Ditë të Alfabetit”, si festë kombëtare pa At Gjergj Fishtën!  Do të ishte një, “padrejtsi e hipokrizisë njerëzore”, do ta quante vet Fishta, i cili, ashtu si shqiptarët gjatë shekujve — edhe në amshim — vazhdon t’i “bëjë ball me fuqi kurr të përkulme të shpirtit të vet bujar e thellimeve të kavaljeteve e padrejtsive t’hipokrizisë njerëzore”, që vazhdojnë edhe sot e kësaj dite në Atdheun e tij, kundër Poetit të Kombit.

Frank Shkreli

A person with a mustache wearing a robe with medals

Description automatically generated

Albanologu italian Fulvio Cordignano ka shkruar në ‘Epopeja Komtare’, Shkodër, 1925, se “Mënyra me të cilën Fishta u del zot ideve të veta, që janë ide lirie, mbrojtje për tagre të veta, mësimit kombtar në mbshtetje të gjuhës kombtare, bashkimit të zemrave për qëllime e në veprim për të përtëri popullin shqyptar: ashtë nji mënyrë luftarake, nga nji herë e përcjellme prej nji fuqie të pafrigueshme.  Ai këndon në mes të poterës së stuhisë ballkanike, në mes të ngatrresave të fuqive të mëdha, që me një politikë plot dredhi ja mohojnë tagret popujve të vegjel; këndon ndërsa i kërcnohet Shqypnisë përmbrenda, ndasia e partive, interesat e veçanta, pabesia, korrupsioni e tradhti politike gjithfarësh”.

A group of men posing for a photo

Description automatically generated
A stone building with a statue in front of it

Description automatically generated

Siç duket,  At Gjergj Fishta  ka mbetur edhe jasht derës së shtëpisë së tij – i huaj edhe në shtëpinë e vet.

A flag of the country

Description automatically generated with medium confidence

“Populli shqyptar flet nji gjuhë krejt të veten… prandej s’ka si të

mohohet se të gjith njata që flasin shqyp janë kombsijet shqyptare; e se për ketë arsye shteti shqyptar do të përshtrihet gjeografikisht deri ku përfshinë gjuha shqype”. (At Gjergj Fishta)

Filed Under: Analiza

STAMBOUL (1931) / FJALIMI I PLOTË I MEHMET BEJ KONICËS, KRYETARIT TË DELEGACIONIT SHQIPTAR, NË KONFERENCËN E DYTË BALLKANIKE NË TURQI

January 13, 2024 by s p


Mehmet Bej Konica (1881 – 1948)
Mehmet Bej Konica (1881 – 1948)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 13 Janar 2024

“Stamboul” ka botuar, të mërkurën e 21 tetorit 1931, në ballinë, fjalimin e plotë të Mehmet Bej Konicës, kryetarit të delegacionit shqiptar, në Konferencën e Dytë Ballkanike në Turqi, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Fjalimi i kryetarit të delegacionit shqiptar

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Mehmet Bej Konica, kryetar i delegacionit shqiptar, mbajti fjalimin në vijim :

Zoti President,

Zonja dhe zotërinj,

Në këshillin e fundit të Konferencës të mbajtur në Selanik, u vendos që në seancën e parë plenare të Konferencës së Dytë Ballkanike çdo delegacion të bëjë një prezantim mbi punën propagandistike të arrirë nga grupi i tij kombëtar gjatë vitit ballkanik që sapo ka përfunduar.

Grupi ynë kombëtar, ndonëse tashmë i sigurt për ndjenjat e popullit shqiptar, në lidhje me Antantën ballkanike, megjithatë e konsideroi të nevojshme t’i kontrollonte këto ndjenja duke i ngarkuar miqtë e tij në qendrat e ndryshme të vendit të konsultoheshin me banorët për punën që ne po përpiqemi të realizojmë në emër të tyre. Rezultati i këtyre konsultimeve tregoi edhe një herë se populli shqiptar është mbështetës i zjarrtë i Antantës dhe rrjedhimisht i Federatës Ballkanike, me kusht që ajo të bazohet në drejtësinë dhe barazinë e përsosur ndërmjet popujve të Ballkanit.

Nën Perandorinë, turqit kanë vuajtur shumë më tepër se të tjerët : ndërsa ne të gjithë qeverisnim, e kishim të lehtë si lojë, por jo shumë elegante, t’i fajësonim ata. Dhe sot është prekëse të shohësh se Turqia, duke harruar të kaluarën, i mirëpret vajzat e saj të birësuara të dikurshme me këtë dashamirësi plot hir që është një nga karakteristikat e popullit turk. Të dish të falësh është e bukur, por është karakteristikë e shpirtrave fisnikë të dinë të harrojnë. (Duartrokitje). Dhe kjo nënë, aq e rinovuar dhe e bërë kaq e fortë, fton vajzat e saj të djeshme dhe motrat e saj të sotme në banketin e bashkimit dhe vëllazërisë. Është padyshim një stimul për delegatët e Konferencës dhe një mësim për shtetarët ballkanikë. (Duartrokitje).

Turqia, duke mos pasur më asnjë detyrim për të përmbushur ndaj vendeve të tjera të Gadishullit, gjendet në pozitën e privilegjuar për të luajtur rolin e ndërmjetëses për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që pengojnë Bashkimin Ballkanik. Ajo do të tentojë të mbulojë me një vello pak a shumë të trashë spektaklin dekurajues të vitit ballkanik që sapo ka skaduar.

Ne kërkojmë vetëm që të lejohen të jetojnë qindra mijëra individë që rrethanat i kanë ndarë nga vëllezërit e tyre racor. Ne e kërkojmë këtë në emër të njerëzimit, në emër të drejtësisë elementare dhe sepse është vetë baza e Antantës ballkanike. Nuk duhet të kemi asnjë iluzion; pa njohjen dhe zbatimin e të drejtave të minoriteteve nuk do të mund të ecim përpara as edhe një hap.

Që njohja e të drejtave të minoriteteve do të përbënte një rrezik për vendet ku jetojnë minoritetet është një argument që nuk pi ujë. Shqipëria ka prova për të kundërtën. Që nga krijimi i saj si shtet i pavarur, pakicat që jetojnë brenda saj, jo vetëm që gëzojnë të gjitha të drejtat e traktateve, por, ashtu si qytetarët shqiptarë, marrin pjesë në të gjitha degët e administratës shtetërore pa as më të voglin kufizim. Epo, ne nuk shohim ndonjë rrezik që mund të na kërcënojë nga këto minoritete. Rreziku padyshim do të ekzistonte nëse do t’i kishim trajtuar këto pakica si skllevër.

Ju e dini, zonja dhe zotërinj, se një ngjarje me rëndësi të konsiderueshme për të ardhmen e popujve do të ndodhë shkurtin e ardhshëm : e kam fjalën për Konferencën e Çarmatimit.

Nëse fuqitë e mëdha vendosin të çarmatosin, ato do ta bëjnë këtë plotësisht dhe me ndershmëri, sepse situata aktuale nuk mund t’i përshtatet më lojërave diplomatike të së shkuarës. Në këtë rast, këto fuqi të mëdha, pasi janë bërë të arsyeshme, do t’i detyrojnë ballkanikët kryeneçë t’i imitojnë ato. Do të ishte një poshtërim i ri, një poshtërim për të mirë këtë herë, por gjithsesi një poshtërim.

Nga ana tjetër, nëse konferenca e çarmatimit dështon, ekziston një probabilitet i madh që të shpërthejë një luftë e re e madhe.

A nuk besoni, zonja dhe zotërinj, se ata që drejtojnë fatet e popujve tanë do t’u bënin shërbimin më të madh atyre, ndoshta edhe mbarë njerëzimit, dhe do të zinin vendin më të nderuar në histori, nëse do të linin mënjanë atë që unë do të quaja patriotizmin e rremë, nëse do t’i zgjidhnin shpejt mosmarrëveshjet e vogla që i përçajnë dhe do të realizonin Bashkimin Ballkanik, apo të paktën nëse do të vendosnin themelet e këtij bashkimi, brenda tre muajve që na ndajnë nga Konferenca e Çarmatimit ? Nuk ka dyshim se një akt i tillë i udhëheqësve ballkanikë do të kishte një ndikim të madh në punën e Konferencës së Çarmatimit. Sido që të jetë, do ta shpëtonte Ballkanin nga mjerimi dhe një fatkeqësi më shumë se e mundshme.

Për punëtorët e ndërgjegjshëm që jetojnë në një botë reale, tre muaj do të mjaftonin për të ngritur ndërtesën e Bashkimit Ballkanik, tre shekuj do të ishin pak për ata që jetojnë në një botë fanatike. (Duartrokitje).

Filed Under: Emigracion

“Njeriu si një tjetër”

January 13, 2024 by s p

Silvana Berki/

Gjithmonë më kanë tërhequr vëmendjen gjërat e vecanta të cdo lloj fushe, sepse njerëz të cilët kanë lënë gjurmë në rrang botërorë janë pikërisht njerëz me aftësi të vecanta. Novelisti Edgar Allan Poe për shëmbull edhe pse jetëshkurtër ( 1809-1849) ka lënë në letërsinë botërore mbas vdekjes një krijimtari mbresëlënëse, me një aftësi të vecantë krijuese ku mbizotëron atmosfera rrëqethëse. Po ashtu në letërsinë finlandeze vecohet Shkrimtari Aleksis Kivi (1834-1872) i cili edhe pse jetoi vetëm 38 vjet, i la letërsisë finlandeze një ndër krijimet më të vecanta si Shtatë Vëllezërit. Dua të vecoj këtu se romani ”Shtatë vëllezërit” për kohën u ndalua në qarkullim për lexuesin dhe madje një shkrim kritike nga Ahlqvist u bëri gati një vrasje të krijimit, kritike të cilën askush nuk e kundërshtoi. Si Poe dhe Kivi vuajtën në kohën e tyre nga sëmundje mendore dhe madje u diagnozuan për crregullime melankolike. E vërteta mendoj unë është se në atë kohë shumëllojshmëria e karakterve njerëzore ishte e cunguar dhe ata që shfaqnin cilësi të karakterit ndryshe nga ajo që pranohej si ”norma shoqërore” shikoheshin me dyshim dhe persona të tillë paragjykoheshin. Koha sot ka evoluar në shumëllojshmërinë e karaktereve dhe jo vetëm kaq, njerëz të tillë stimulohen për t`i dhënë shoqërisë atë që e quajmë të vecantë apo ndryshe duke servirur realitete parë me një sy të mprehtë e shpirtra mbi-sensitive.
Jo pa qellim bëra një qasje të tillë rreth krijimeve të vecanta botërore, sepse tek lexoja librin e fundit me ese të Natasha Lakos, mendova pikërisht këtë; SA E VECANT, në të shkruar, menduar, analizuar. Që nga titulli ”Njeriu si një tjetër”, të jep një kureshtje të zhbirosh brendinë, përse ky titull, si është njeriu si një tjetër.
Pak fjalë për Natashën ashtu sic unë e kam njohur. Kur Natasha mori pjesë në botimin e novelës t`ime të parë në 2013 nga Toena ” Më jep vetëm pesëmbëshjetë ditë”, ishte e vetmja që vlerësoi titullin e librit ndryshe nga ato klishe që ishim mësuar të lexonim shpesh. Tek fliste mua personalisht më tërhoqi vëmendjen mënyra e analizës së saj, një qasje akademike e cila fliste vetëm për fenomenin e tekstit dhe jo lëvdata për të kaluar radhën. Ishte pikërisht kjo mbres për Natashën pse e përzgjodha ndër 30 poetët shqiptar të mirrte pjesë në promovimin e vëllimit antologjik poetik në Finlandë në 2019. Përvec kontributit doja ta njihja edhe më afër filozofinë e kësaj gruaje shqiptare, të cilën koha herë e kishte ndrydhur, herë shtrydhur e ndër dallgëve të ndryshme e sfidash të jetës kishte akoma qeliza të pazbuluara të cilat unë doja ti gërmoja. Ato tre ditë në Finlandë për mua ishin thesar, sepse tek bisedoja me të kuptova se nuk u gabova në përzgjedhje. Ajo që më bëri ta dua këtë njeri ishte pikërisht se në bashkëbisedim ajo vërtet të dëgjonte dhe afrohej me një empati njerëzore për tu admiruar. Aty kuptova feminizmin e saj në mbrojtje të gruas shqiptare, ndërtuar kjo nga eksperienca e kohës totalitariane ku kishte jetuar apo liria e cunguar, e cila hera herës demonstruar me një rrebelim të nënzëshëm. Aty kuptova formën analitike që i bënte fenomeneve të ndryshme dhe kureshtja e saj për Finlandën pa cenuar bukurinë e vëndit të huaj dhe me një modesti të bukur bënte krahasimet pa lënduar askënd. Forma e kritikës së Natashës është ndërtuese, ura mendimesh, ura kulturash, ura njerëzllëku duke më dëshmuar në atë skepticizmin t`im, se ka plot shqiptar të cilët ndajnë po të njëjtat vlera me ato europiane.
Në ndërrim të viteve 2023-2024 u gjënda në Shqipëri dhe e festova me familjen ndërrimin e viteve. Edhe pse ndërrimi i klimës më sëmuri, nuk mund të mos e takoja mikeshën t`ime të mirë ndaj shkova dhe e takova në shtëpi, dhe për të marrë librin e saj të fundit. Isha shumë kureshtare, se cfarë do të na afronte Natasha kësaj radhe me atë mëndjen e saj brilante. Me një dëshirë zhbiruese dhe kurioze fillova ta lexoj librin sa hyra në aeroplan dhe reagimi im i parë ishte një Ohhh. Sa dëshirë kisha të lexoja të tilla tekste. Tekste të vecanta, si Poe, si Kivi, si Juha Hurme ku po me të njëjtën vecanti afrohej Natasha. Unë nuk jam ndonjë analiste e letërsisë shqiptare, por tek lexova librin e fundit mora të drejtën si pasionante e letërsisë të tregoja mendimet e mia në lidhje me librin me ese dhe po ashtu duke e gërshetuar me eksperiencat e mia në rrugëtimin t`im letrar.
Kur e mbarova librin edhe u lumturova/pasurova për një krenari të tillë kombëtare që kemi mes nesh, por edhe u trishtova. U trishtova kur mendova librin t`im të fundit ”Na ishte njëherë Shpresa” (2019) botuar këtu në Finlandë ku për hapje të librit kërkova bashkëpunim me dr.Gazmend Krasniqi. Atë që unë i kërkova Krasniqit ti jipte publikut finlandez në librin t`im, më së miri e kishte bërë Natasha në këtë libër të sajin. Qasja për poezinë shqiptare deri në ditët e sotme në librin t`im antologjik vinte e njëanshme, dhe informacioni për poezinë e jugut pothuajse mungonte krejt, thua se poezia shqiptare na kishtre lindur vetëm në veri. Mendimi im për t`a hapur parathënien rreth poezisë shqipe më tepër Gazmendi as e përfilli, sepse as nuk reagoi fare. Një bashkëpunim i cuditsdhëm dhe unë do konkludoja me plot gojën pa pikë etike apo përgjegjësie. Rezultati i kësaj pune të mangët u duk një vit më vonë kur dr. Miikka Laihinen në kritikën e tij rreth antologjisë shqiptare shkruan se ”interpetimet e bëra nga Krasniqi mbeten të pahapura, pa një skelet të mjaftueshëm analitik, interpretimet përfundojnë në pluhurin e mbeturinave eterike pa asnjë lloj vlere illustruese.” ( 21.3.2020).
Kur ndërkohë libri Njeriu si një tjetër është enciklopedia që kërkoja t`u servirja edhe unë në librin t`im në 2019 finlandezëve. Megithatë, të mos hallakatem tek dështimet edhe pse libri im për forcën dhe iniciativën është një ndër librat më te sukseshëm sot, ajo që më dha libri i Natashës ishte pikërisht fryma e duhur. Njeriu është frymë. Natasha i bashkon kaq ëmbël e me kaq zgjuarsi shpirtrat e vecantë që i sollën si letërsisë botërore edhe asaj shqiptare një trup të përbashkët, i cili është shfaqur gati njëlloj në kohë të ndryshme. Përvec vecorive që ajo di ti bashkojë edhe thelbin e asaj që fola në fillim të shkrimit, karakteret e vecanta. Ajo që i karakterizon këta autorë, të huaj apo edhe shqiptare jetuar jashtë e brënda vëndit, është e kaluara e tyre, me një brishtësi emocionale që i karakterizonte deri në tragjedi personale. A do të kishin mundur të jepnin të gjithë këta vepra të vecanta po të mos ishin të vecantë në karakter? Nuk e besoj. Ndaj sot flitet për ”gjenitë”, që nuk janë asgjë tjetër përvec njerëz me vecori të rralla në karakter nga njerëzit e zakonshëm. Dikush ka një memorie më të zhvilluar se të tjerët, dikush ka emocione të pakontrolluara, dikush vecori autistike prej nga shqisa e shtate është më e shzvilluar etj. Këta njerëz nuk duhen ndrydhur për të qënurit ndryshe por stimuluar për të nxjerrë më të mirën e tyre. Këtë qasje e ka bërë mrekullisht edhe Natasha në librin e saj. Ajo me fanatizëm intelekti ka marrë gati në cdo ese te sajën dy shkrimtarë me kombësi të huaj, jetuar në kohë të ndryshme, dhe bën një parantezë me ëmbëlsi tregon aq bukur frymën e cdonjërit sesi lëviz në kohë duke u rigjeneruar deri në ditët tona. Dhe pikërish këtë qasje të dy boteve/kohërave ajo e bën duke e sjell veten e saj si një tjetër e rishfaqur në pikënisje të ndryshme kohore. Natasha në esetë e veta duket sikur bisedon me autorë të huaj e vëndas, por më tepër me lexuesin. Në fakt, ky ështe edhe qëllimi i eseistëve të krijojnë një urë bashkëbisedimi me lexuesin duke i dhënë atij një tabllo të qartë për mendimet e veta, të cilat mund të jenë krejt ndryshe me lexuesit dhe madje deri sfiduese.
A sjell ky libër përvec të vërtetave edhe gjetje të reja? Mua për vete më pasuroi. Ku mund ta njihja unë më parë lidhjen e Bogdatit me Heraklitin? Apo Naim Frashërin me Uolt Uitmanin? Apo Mjeda me Sibeliusin? Këtë ua rekomandoj lexuesve ta rigjejnë gjatë leximit, ashtu sic i rigjeta edhe unë.
Duke e përfunduar mendimin t `ìm nuk mund të le pa përmendur edhe një zhgënjim të vogël gjatë leximit, ku ashtu si Arian Leka edhe Natasha, kur përmendin vizitën e tyre në Finlandë 2019 ftuar nga Unë në promovimin e librit t`im, mua disi më anashkalojnë, sikur kanë frike për reputacionin e tyre, që unë të them të drejtën nuk e kuptoj se ku do të cenohej. Ndoshta në Shqiperi egziston njëllojë paragjykimi për krijuesit shqiptar që jetojnë jasht trojeve amë dhe për t`u ruajtur nga këto paragjykime vendosin të mos ballafaqohen me atë që i themi etikë profesionale dhe ti japin Cezarit cfarë i takon cezarit. Gjithsesi pa dashur të kritikoj Natashën, mendoj se më tepër mund të jetë një pakujdesi e vogël, por që për njerëz si unë e vogël” ka domethënie të madhe për punën që kam bërë. Unë nuk jetoj në Shqiperi, dhe ndoshta syri im kritik nuk ndihmon në ndryshimin e këtij fenomeni aty në Shqipëri, e gjithsesi nuk më pengon të flas hapur për ata që duan të kuptojnë. Por edhe ju duhet të na kuptoni. Jetoj këtej nga veriu i Europes që 34 vite dhe në librin e fundit të Erkki Kiviniemit ”Mbartësit e zjarrit”, qoftë për cështje etike u lumturova kur pash emrin t`im të përmendej sëbashku me emrin e poetit Poal Polanski si kalimtarë për egzistencën e tyre në këtë shtegëtim. Pikërisht EGZISTENCA- është dhimbja e emigrantit, që cdo gjë e bëjnë për humanizem, atdhedashuri dhe jo materializëm. Erkki sic duket e njeh këtë dhimbje edhe pse vet nuk e ka njohur emigracionin. Natasha nga ana tjetër ka përmendur gati në cdo autor egzistencën e tyre dhe fundet gati tragjike, kështuqë fenomeni i emigrantit nuk duhet të jetë i panjohur. Ndërsa bota ku jetoj, qaset me tjetër ”farennes”, pa të zhdukur asnjë meritë në luftën personale për egzistencë, duket sikur vlerat koha herë i zbeh, herë i ngre në forma të cuditshme, sic i ka ngritur këta autorë përzgjedhur nga Natasha në mungesë të tyre.
Një libër i arrirë, të stimulon deri në vetreflektim. Mendoj që gjithkush që do e lexoj librin e Natashës do të stimulohet duke e parë veten si një tjetër, si tani p.sh. unë po e shoh veten sikur të shkruaj një tjetër. Faleminderit Natasha që je, që egziston dhe që i ke mbijetuar kohës me vecoritë e rralla që të karakterizon mënyrën e rrëfimit, të shkruarit të menduarit. Ti thua ne libër ”por edhe të mësohesh me veten nuk është e lehtë.” Të gjesh veten do të thotë të jesh vetvetja.
Ky libër duhet të jetë në raftet e lexuesve finlandez, gjë qe nuk arrita t`a sjell dot më herët me librin t`im.

Filed Under: LETERSI

PREZANTOHET PROJEKTI PËR TRANSFORMIMIN E BULEVARDIT “XHORXH BUSH”

January 13, 2024 by s p

Prishtinë, 13 janar 2024/

Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, bashkë me drejtorin e urbanizmit, Arbër Sadiki, drejtorin e Investimeve Kapitale dhe Menaxhimit të Kontratave, Krenar Xhaferi, drejtoreshën e Planifikimit Strategjik, Mimoza Sylejmani dhe drejtoreshën e Hapësirave Publike dhe Parqeve, Donika Çetta, në një konferencë të jashtëzakonshme për media ka prezantuar Projektin për Transformimin e Bulevardit “Xhorxh Bush” në kryeqytet.

Bulevardi i Kryeqytetit, sipas kryetarit Rama, do të shndërrohet në një hapërsirë urbane bashkëkohore e cila reflekton nevojat e qytetarëve, promovon një stil të jetës së shëndetshme, më shumë gjelbërim e ajër të pastër. Duke qenë i tillë, projekti do të jetë një shembull i zhvillimit të qëndrueshëm. Me materiale të qëndrueshme e gjelbërim, sheshi do të mundësojë Prishtinës të merr frymë dhe do të stimulojë njerëzit të marrin pjesë më aktivisht në jetën e qytetit.

Njëkohësisht, projekti synon të rivlerësojë trashëgiminë arkitektonike të Prishtinës duke bërë protagonistë të projektit Hotelin Grand, ndërtesën e RTK, Bibliotekën Universitare “Pjetër Bogdani” dhe Katedralen “Nënë Tereza”, ndërtesa të cilat shihen si përbërësit kryesorë të skenografisë urbane në këtë ndërhyrje.

Kryetari Rama, ka thënë gjatë prezantimit se ndërhyrja synon riformulimin e kufirit të një hapësire të sigurt për këmbësorë ku lidhen së bashku zona universitare dhe parku qendror, me Sheshin “Nënë Tereza”, përmes sistemit të ri të që do të realizohen në rrugën “Xhorxh Bush”, prej Katedrales e deri tek Hoteli Grand.  Janë pikërisht këto sheshe, që si zgjatim i Bulevardit, krijojnë një portë hyrjeje për në park në zonën universitare. Bulevardi i Kryeqytetit do të jetë një paradhomë e zonës universitare dhe njëkohësisht holli kryesor i jetës publike të kryeqytetit.

“Sheshi do të jetë përplot jetë dhe ideja është që këto sheshe të jenë të qasshme për të gjitha moshat. Gjithashtu do të ketë hapësirë për artistët që të krijojnë një Prishtinë të transformueshme. Te pjesa e Katedrales, për momentin është e rrethuar me një muri të vogël dhe ne kemi propozuar që të hapet dhe të jetë e qasshme për të gjithë qytetarët, në mënyrë që të mos t’i shohim këto monumente të rrethuara dhe të mos jenë të cenueshme për qytetarët” – ka deklaruar Rama.

Rama tregoi edhe për zgjerimin e këtij sheshi deri te Xhamia e Madhe, ku tha se edhe aty do të ketë një parking nëntokësor.

“Fillimisht e keni parë që te parkingu ka pasur një dalje por është mbyllur dhe tash ideja është që të zgjatet sheshi deri te Xhamia e Madhe, ku edhe aty do të kemi edhe një parking nëntokësor dhe një tjetër te rrethi me flamur, e ku do të shfrytëzohet nga lagjet si “Kalabria”, “Dardania” e “Prishtina e Re”.
Kryetari Rama po ashtu bëri të ditur se projekti do të prezantohet edhe para qytetarëve.  Ndërsa drejtori i Urbanizmit, Arbër Sadiki, tha se ky projekt ka qenë i planifikuar qysh në vitet e 70-ta.

Filed Under: Sociale

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • …
  • 52
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT