• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2024

Katolikët, martirë ose…të përdorur prej pushtetit?

March 6, 2024 by s p

Frano Kulli/

Me 4 mars 1946, si sot 78 vjet më parë, pa zbardhë dita, do të pushkatohej Jezuiti At Danjel Dajani, nga Zadrima. I ri, pa i mbushë 40 vjeç. Rektor i Seminarit Papnor në Shkoder. Ndër të parët klerikë që do të pushkatohej prej rregjimit, një vit pa një ditë mbas dom Lazer Shantojës poet. Vetëm se ishte prift katolik…e jepte mësim e drejtonte në një shkollë katolike. Në të njëtën ditë, në të njëjtën orë do të pushkatohej, bashkë me At Gjon Shllakun e me jezuitin tjetër At Giovani Fausti nga Brescia (Itali), seminaristin Mark Çuni e besimtarët Gjelosh Lulashi, e Qerim Sadiku , edhe ai katolik në besim… (Të pestit këta, së bashku edhe me 33 të tjerë , janë të shpallur Martirë prej Kishës, kurse At Anton Harapi ende jo. Se, prap diç i ngatërrohet nëpër grremçat e mosdashjes së pushtetit, në formën e stërholluar të kolaboracionistit, siç dhe e pati pushkatuar rregjimi).

Në oren e mbrame para pushkatimit, një tjetër katolik, Tonin Miloti, qe caktuar që të dënuarve prej “gjyqeve të popullit”, t’ua merrte ai fjalën e fundit… Aspirant Tonin Miloti qe zgjedhur të formalizonte aktin e pushkatimit dhe në fund të proces verbalit, ai firmosë amanetet e tyre. Proces verbalit, në krye të të cilit shkruhej ende: Vdekje fashizmit-Liri Popullit, anipse fashizmi ishte mundur dy vjet e sa më parë. Qe zgjedhur ai edhe pse qe…zëvendësi i prokurorit dhe jo prokurori vetë. Mbasi prokurori vetë duhej me deomos të qe prej të tjerave krahina. E mbas këtij akti nuk vonon shumë e vetë ky Tonin Miloti, pason fatin e viktimave të veta martire… Ai rregjimi që nuk i donte të diturit do t’ua merrte jetën veçse rrezatonin dije dhe dijen e shpërndanin megjith devocionin e forcën e besimit tek të gjithë ata që e donin dijen dhe kishin nevojë për të.

Në të vërtetë, nuk është vështirë të dallohet se vetëm në këto dy mënyra e mbi këta dy kategoritë e përmendura në titullin e këtij shkrimi ka qenë e mundur të ndërtohej një mardhënie e shtetit shqiptar me katolikët e veriut të Shqipërisë, me përfaqësinë më të zgjedhur të tyre, në rend të parë. Në rregjimin e Hoxhës, që përbën gati gjysmën e kohës së qenies së shtetit shqiptar, mardhënia me katolikët u shfaq që heret, në fillesë si një patologji urrejtjeje. Një urrejtje që mbështetej mbi diferenca ideologjike me elitën e katolikëve. Jo veç prej formimit të tyre në shkollime perëndimore, por edhe për shkak të mardhënies së tyre dashurore me vendin e popullin e vet. Ata, me bindje të palëkundëshme, përgjithësisht ishin kundërshtarë që në zanafillë të ideve komuniste. Por urrejtja mbështetej edhe mbi disnivele kulturore e prirje qytetrimore të ndryshme e madje krejt të kundërta.

Nëse katolikët, elitat e tyre më së pari ishin prirja dhe krahu i oksidentit, vijimtarë në hullitë e herëshme të orientimit të shqiptarëve, prijësit e ri komunistë i kishin ngulë piketat e orientimit të tyre në tjetrin krah, andej kah ishte shfaq “ai dreqi i kuq”. Dhe elita e katolikëve, ”fara e zgjedhur”, si me thanë, ishin gjithashtu edhe prelatë të kishës. Edhe atëherë kur kjo elitë, në ballë të rilindjes së kombit, do të bashkëngjitej natyrshëm me themelimin e me ringjalljen e shtetit shqiptar, megjithatë mardhëniet me prijësat e tij nuk është se kanë shkuar vaj. Jo veç Fishta e Mjeda a Nikollë Kaçorri, që ishin edhe klerikë por edhe Gurakuqi, një gur i randë fort në themelet e shtetit shqiptar e kontribues i paepur i tij, duke qenë kundruall arbitraritet të prijësve u gjend pabesisht i vrarë…Pastaj, një dekadë e diçka më vonë edhe shkollat katolike, ani pse ishin më të mirat e shkollave të pakta të Shqipërisë, u tentua të ndalen e më pas të mbyllen. U mbyllen, në kohën e Mbretërisë e u bë e mundur të rihapeshin mbas një vendimi të gjykatores së Naltë të Europës. Për prijësit e shtetit shqiptarë, gjithëherë katolikët kanë qenë të padashtun. Shembujt e historisë, e shumta e vertetojnë këtë, kurse të paktë fort janë shembujt që vertetojnë të kundërtën. Në respekt e nderim të së vërtetës do pohuar kjo.

Kurse komunistët dhe prijsi i tyre paranojak, i demonstroi të gjitha mënyrat edhe më monstruozet për t’i asgjësuar “armiqtë“ katolikë. Me një strategji të kopsitur e të lidhur me “dredhat e djallit” siç do të thoshte Fishta , të egër e të akullt, sikur të kishte përballë e në kundërshti njerëz “të përtej detit” e jo bashkëkombas të vet, me të gjitha djallëzitë i luftoi deri në sfilitje asgjësuese ata. Direkt me dhunë e egërsi, por tërthorazi edhe me metodat otomaniste, të përdorimit të të vetëve. Punë kasnecësh e njerëzish të vegjël kjo punë. Se njerëzit e mëdhenj, rilindës të vërtetë prej tëcilëve e kemi Shqipërinë, të tjera sjellje e të tjera kode kanë pasë…Eqrem Çabej, albanlogu i famshëm nga Gjirokastra, në një kartolinë urimi do t’i shkruante lirikut të vlertë pogradecar, Lasgushit sqimatar: Lexova “Lahuten…” e u mrekullova. Jam magjepsuar prej saj dhe jam gati të bëhem katolik prej Fishtës. Mardhënia me katolikët e prijësve të shtetit, përposë egërsisë së skajshme e ka pasë edhe këtë dukurinë e

ndërmjetme; ka pasë katolikë shërbyes, që në fillesë janë thirrur atje si përfaqësim në zyrat e shtetit, por kjo vetëm sa për dukje (fasadë). Se më pas janë përcjellë që andej pak a shumë me të njëjtin fat, kur shërbesa e tyre nuk ka gjalluar mâ si nevojë. Porse shëmbëlltyra e deformimit të kësaj mardhënie të katolikëve të veriut me shtetin siç ka qenë, vijon të jetë e njëjtë, sot e gjithë ditën. Kemi parë e provuar në institucionet më të larta të ngrehinës së shtetit, si përfaqësimi të katolikëve të veriut, “katolikë” që raportin e vetëm me institucionet e shtetit e kishin pasë me institucionin e riedukimit, kryesisht. Në atë aulën e shenjtë, siç është parlamenti për një komb të qytetruar. Në ndejëset e deputetëve veriorë; të Gurakuqit, të Fishtës, të Mjedës, të Maliq Bushatit, të Hilë Mosit e Riza Danit… Vetëm e vetëm si nevojë përdorimi për pushtetin. Për ta siguruar më së pari atë…

Filed Under: Analiza

MARTIRI, POETI DOM LAZËR SHANTOJA…

March 6, 2024 by s p

– Shqiptari i parë i gjuhës Esperanto –

Nga Visar Zhiti

Pas një mesnatës, kur vendi kishte pak që ishte çliruar dhe krismat e armëve vazhdonin më keq, fitimtarët po vrisnin ata që nuk i donin… dhe diku afër Tiranës, ndanë një grope të egër, shkrehën pushkët me qetësi mbi kokën e një njeriu… ra ai… aty e mbuluan me dhé dhe ikën të festonin me një gëzim mizor djajsh…

Ekzekutimi u krye nga një ushtar i pa emër dhe nga një tjetër pranë, që mbahej si më i rëndësishëm…

* * *

Po shfletoja “Antoligjinë e të Vrarëve”, që kisha përgatitur me krijime të të pushkatuarve tanë, e kisha titulluar “Lajmëtarë të Europës” se të tillë ishin, u botua para 10 vjetësh, në 2014, që më drithëron aq shumë. Nuk besoja se ka një popull tjetër një antologji të tillë, që ka vrarë kaq shumë nga poetët e vet, po rishihja për Dom Lazër Shantojan, 5 mars ishte si sot, 1945, kur e vranë.

Shkronjat m’u bënë të ujshme si lotët…

Dom Lazër Shantoja, vjeç 53, nga Shkodra, dënohet me vdekje – me pushkatim… – buçisnin zëra sérisht, sentenca kishte mbetur në ajrin e vrarë. E kishte dhënë një komision partizanësh, të moshës sa e gjysmës së atij që do të pushkatonin dhe gjysmakë në shumëçka, madje nuk dinin të firmosnin as proce-verbalin e tyre. Po të lexoheshin me zë të lartë emrat e komisionit të dënimit, do të ndjeheshin si lehjet qensh të tërbuar.

Kishte nisur furia vrastare e fitimtarëve, komunistëve shqiptarë kundër klerit katolik…

* * *

Lindi në Shkodër në 2 shtator 1892. U shkollua në Kolegjin Saverian dhe në Seminarin Papnor në Shkodër me pedagog poetin Dom Ndre Mjedja e etër të tjerë jezuitë. Përvetësoi latinishtesn, greqishten e vjetër dhe italishten dhe do të ishte shqiptari i parë që do të njihte shkëlqyeshëm gjuhën esperanto.

Dhe buzëqeshte me gjithë shpirt, dhëmbët e bardhë i vezulloni si bora në shkrepat e vendlindjes.

Pasi kreu studimet e larta teologjike në Universitetin e Insbrukut, shërbeu si famullitar në Pulaj, Beltojë, Velipojë, Rrjoll, Sheldî. Sa të bukur janë qytet nëpër Europë, por qielli tek ne është madhështor, ka shumë dramë dhe ëndërr…

Dhe ndjeu dëshirën të përkthente. Botimet e para i bëri te “Lajmtari i zemrës s’Jezu Krishtit”, “Kalendari i veprës pijore”, etj. Nxori “Për natë kazanash”, një përmbledhje me lojra, kashë-e-lasha e proverba. Bashkëpunoi me Pader Anton Harapin për “Ora e Maleve”, ku spikati dhe si poet satirik, me një gjuhë të gjallë e argëtuese. Por ai di të jetë dhe epik e me alegorira.

Do të shkëlqente si orator. Shkrimi për Luigj Gurakuqin apo Fjala e tij në funeralin e Avni Rustemit do të tronditnin shpirtrat. Ashtu i veshur me të zeza, me ballin e gjerë e sy të butë, por gjithë vendosmëri, vazhdimisht kërkonte të bënte… një vepër, një buzëqeshje, një ndihmë… ashtu si meshën përherë… por e kapin dhe e burgosin si organizator dhe ai në Revolucionin e Qershorit të 1924. Mbas disa muajve pati falje nga qeveria e Zogut dhe ai u largua nëpër Jugosllavi për në Vjenë, nga ku do të vazhdonte të dërgonte shkrime.

Në veprën e tij shpaloset natyrshëm estetika me tendencat letrare të fillimit të shekullit XX si ajo franceze e gjermane, ndërsa në poezi është leopardian.

Pas Vjenës bëhet famullitar i fshatit Bienne, ku predikon gjermanisht dhe në La Motte te kantonit Vaud në frëngjisht. Por gjithnjë ajo buzëqeshja e tij e mirë, me dritë. Mbi supe ndiente hijen e maleve të veta. Kishte etje për fjalën shqipe dhe përkthente Wilhelm Telin e Faustin dhe çonte pjesë të tyre në shtypin shqiptar.

Pasi Shqipëria pushtohet nga Italia, ashtu si shumë mërgimtarë të tjerë edhe Lazër Shantoja kthehet në atdhe. Në vendlindje iu bë një pritje tepër e ngrohtë. Teksa endej rrugëve me kalldrëm të qytetit, hapat sikur merrnin tjetër porosi nga toka, dhëmbje dhe premtim…

Ai besonte në një Shqipëri romake. Me një mision të tillë e dërgojnë për një vizitë dhe në Egjipt… Bëhet drejtor i Shoqërisë Letrare “Dante Alighieri”. Më 1941 bashkë me Ernest Koliqin, Mustafa Krujën, Zef Valentinin, Karl Gurakuqin, Xhevat Korçën, (që do të dënoheshin më pas të gjithë nga regjimi që do të vinte), themelojnë në Tiranë Institutin e Studimeve Shqiptare.

Me kapitullimin e Italisë në shtator 1943 merret veç me përkthime të veprave të mëdha, por e trondiste lufta vëllavrasëse që kishte filluar në Shqipëri. Prandaj dhe ai profesori në Jug, nga fisi i Butkave, vrau veten… Dhe Don Lazri ikën ndër malet e Sheldisë, më mirë andej, në pyll dhe legjenda…

Në janar të vitit 1945 e arrestojnë forcat partizane, e zbresin të lidhur. Fillojnë torturat. Mes rënkimeve u tha me zë të mekur: …e kam dijtë me kohë se komunistët janë veç trathtarë!…

Buzëqeshja e tij e çiltër ra bashkë me dhémbét mbi dyshemenë e përgjakur.

* * *

Dhe në Shkodrën e tij, në 5 nëntor 2016, në Katedralen e Shën Shtjefnit do të binin kambanat e meshës së lumturmit të 38 martirëve të besimit katolik. Kardian Angelo Amato do të vinte nga Vatikani dhe me anë të një letre apostolike, të firmosur nga Ati i Shenjtë Papa Françesku. do të deklaronte shpalljen.

Mes atyre emrave do të ishte dhe DOM LAZËR SHANTOJA, “meshtar i ndritur, njeri i kulturës, i letërsise dhe i artit, u masakrua nga xhelatët komunistë, aq sa…”.

Isha dhe unë në atë meshë bashkë me time shoqe. Në pritje të shenjtërimit të tyre. Kështu dhe atdheu gjithnjë e më shumë shenjtërohet…

POEZI NGA DOM LAZËR SHANTOJA

PËR NJË PUTHJE TË VETME

IV.

Kufom’ varrosun tash kahmot n’humnerë

t’detit n’tallaz asht dashunija ime:

kurr dielli nuk e gzoi e pse n’andrrime

si nënqeshje fantazmash ndonji fnerë

i zbet për pak e shndrit e kndoi ndojherë

e diell e drandofille edhe dëfrime

qen’ kangt’ e saja vetëm vezullime

flake mjes krizantemave t’kalterë

n’varreza natën…Pra ç’puhi n’dhe t’huej

tinzare po e shtyn gjethlat qi t’lakojnë kryet për pushim në muzg të nat’s lakmueshëm

n’hemistikun e vargjeve t’trishtueshëm?

A por përkulen n’të me mujt’ t’prigjojnë n’qetin e nat’s nji varg qi s’mund të shkruej?

V.

Ah! mos e lyp at varg!… Asht shum ma mirë

korimbat t’tu mos t’dijn ça me thanë me qen’ poetë e mos me qenë i lirë

me kndue me goj’ kur zemërngrita qanë

Kshtu qenka jeta…Me nji lamtumirë

lyrën qi për ty kapa due me e lanë, pse teli i saj, o lule, dridhet vshtirë

kur jehon’ tjetër s’ka përveç nji zanë

Lulzo ti prap! Un i padashtun jetën

tash e kaloj, i vemti ndër poetën’; e tue kujtuemun puthjen nji ditë,

puthjen tande mërgim…un tash ia kndoj

ma t’bukrin varg hyjneshës Aferditë ndër hije t’qiparisvet kur t’shkoj…

KUVENDI I DËSHMORËVE

Po, n’Dragobi Plakun do t’gjejmë tue kjamun per Shqipëni

Me t’gjallë ma fjalë nuk kemi: asht kot me pritë:

Pleqt u faruen e s’ kan pse plaken t’ritë!

Sot mbasi t’gjallët nuk janë tue luejt

per t’gjallë

Lè t’shkojmë na t’vdekunit Shqiperin me njallë!

Me fjetë s’kemi ardhun: t’jetë

Gjumi per t’gjallët… Na t’ vdeknit duem me u çue

E t’gjallvet do t’u mësojmë si me luftue

Qi sot një vjetë n’at kremte t’onë t’ nandorit

Flamur shqiptar mos t’mbetet n’dorë t’trathtorit!

_____________________________

(Botuar “Liria Kombëtare”, 28 Nëntor 1926)

DUEM… REPUBLIKË!!?

E rrebtë shungllove – porsi rrufè,

ndër veshë t’ praksuemvët, – o fjalë e rè!

Kercnim i frigshëm – për njerz bakqi,

ti i premton popullit – gzim e lumni!..

pse kur ti shfaqesh – vorfnia ikë,

o Republikë!..

Mjaft, kler me dogma – t’ kalbta ti ké

ndër shkolla ushqyemun – masen e ré:

Agoi sot dita – me t’i hjekë dore

të gjitha shkollat – t’ mesme e fillore…

Asht e programit – kjo e para pikë

n’ një Republikë…

Kumbonët me tinglle – na kanë shurdhue;

hoxha n’ minare – s’ do lanë me kndue;

idena tjera – qet koha e re:

Kisha e xhamia – me i rrxuem përdhe!

Hoxhën e priftin – me i tretë n’ Afrikë!..

Duem Republikë!..

Ç’ ka asht besimi? – Robni shpirtnore!

Lypset shrranjosun – prej tokës Arbnore…

Kur shtet mund t’ bahemi? – Kur masa e re,

t’ rritët e lirshme – pa Zot, pa Fé…

Kur para ltereve – qirat t’ jenë fikë,

kem Republikë!

Shka i duhet vakfit – gjith’ ajo gjâ?

Pasunit’ kisha – ç’ ka ka me i bâ?

Hoxha dhe prifti – veç, duen me u mâjë,

me sa ky popull – ngjyen bukën n’ vâjë…

Ktyne “ngopçarvet” – xhepat m’ ja shpikë

për Republikë!..

Gzonju e gasmonju! – Prej qiellve t’ nalta

agim i ndritshëm – praroi kto balta…

S’ ka ma zi buke, – s’ ka ma vobsi:

Syt’ e përlotshëm, – mori Shqipni,

qé, vetë Mazzini, – delka e t’i fshika…

Rrnoftë Republika !?!

Filed Under: ESSE

Profil arbëresh: Maria Antonieta Rimoli

March 5, 2024 by s p

Ornela Radovicka 

Qëndra albanologjike mbi gjuhën dhe kulturën arbëreshe themeluar nga  A. Bellusci 1980 /

Është disi e dhimbshme kur shikon qytezat arbëreshe që po shpopullohen nga dita në ditë. Nëpër rrugët e gjitonisë shumë shtëpi janë të pushtuara nga edera, shumë pragje i ka zënë myshku, e shumë dritare të rrënuara janë gjurmet e ndonjë fiku të egër që ka mbirë brenda tyre.

Të dhemb shpirti që në ato rrugica tashmë nuk ka më ciërima e tinguj vogëluesha që rendin duke folur arbërisht. Tek tuk ndonjë i vjetër  i moshuar i cili  ndërsa të kalon përbri të thotë: Ç’bënë gjiri ? dhe ndërsa largohet përshëndet: Rrini Mirë! 

Nëse Arbëria akoma frymon, kjo është falë e atyre pak arbëreshëve të cilët vazhdojnë të jenë në atë tokë ku të parët e tyre  vendosen rrënjët, kthyen në toka buke ato pllaja, dhe hasin çdo ditë me  vështirësitë  gjeopolitike të shpopullimit,duke i rezistuar kësaj bote globale për të mbajur gjallë identitetin e tyre, e  që çdo ditë shkrijnë  të gjitha energjitë  e tyre për të mos u asimiluar. 

Një prej këtyre arbëreshëve është edhe mësuesja Maria Antonietta Rimoli. 

Antonieta mbaroi studimet e larta në Universitetin e Kosencës, dhe punon mësuese po në krahinën e Kalabrisë.  Sot, nuk do të ndalem tek profesioni i saj, por tek roli i saj si arbëreshe, në shërbim të komunitetit arbëror, e gatshme në çdo aktivitet për mbajtjen gjallë të treashgimnisë kulturore arbëreshe  si dhe të gjuhës arbërore.  

Antonieta, dallohet për atë buzëqeshje, që i qëndron si një rreze dielli mbi fytyrën e saj,  por që prapa asaj drite fshihet një dozë e ngrohtë  malinkonie, e cila e bënë karakterin e saj sa më reale. Antonieta është një grua elegante, por kur ajo vesh atë kostum arbëresh të qytezës së saj të Frasnitës\ Frascineto,  bëhet akoma më e hijshme! 

Antonieta është një nga  arbëreshet më aktive të qytezës së saj. Në 1972 merr pjesë në grupin Folk të Frasnitës. Anonietën e shikon me kostumin  arbëror në ditën e pashkëve që bëhet  pjesë e asaj  polifonie antike, nëpër rrugët e gjitonisë. Antonietën e shikon duke mbajtur  vallen  dorë për dorë me shoqet e saj në sheshet e qytezave  arbëreshe,  apo  duke kënduar në kishën nënë të Frasnitës. 

Antonietën e shikon në çdo skaj të Arbërisë si Kalabrisë. E shikon sa në AltoMonte, Cerzeto, në konkurs e poezisë në Plataci, në  Sheshin e San Benedeto Ullano, duke kënduar “ E bukura e Strigarit”,  dhe si një shtojzavalle e  shikon në skenën e  Fesivalit  Arbëresh në San demetrio Corona.

Dashuria për Arbërinë i kalon ato caqet e katundeve arbëreshe dhe Antonieta shkon deri në dheun e të parëve të saj.. Zëri i saj  prek Kosovën,  ku “ O e bukura Mora”rrëngjeth shpirtin e shqiptarëve të Kosovës.

Me shpirtin e Arbërit ajo ndalon në tokën mëmë në Shqipëri në Ditën e Diasporës arbëreshe, krenare parakalon me  kostumin e të parëve të saj,  duke e paraqitur atë  me aq fanatizëm  e dashuri .  Ajo ngjtet në podium e Shkodrës  fisnike e cila e nderohen me çmim “Mirënjohje”, dhe me jehonën “Arbëri rron” ngjitet në skenën e Festivalit të Gjirokastrës. 

Antonieta është arbëresh e besimit të ritin bizantin. Atë e shohim për krahë arbëresheve kur këndojnë himnin e Akathistos  në datën e  9 dhjetor ditën e Shën Mërisë, e  shohim  për krahë  arbëreshëve kur këndon pranë zjarrit në ditën e Shën Lucia, kur festojnë Krishtlindje, e kur zbaviten në ditën e karnavaleve. 

Mungojnë pak ditë dhe jemi në periudhën paskuale. Përgatitja para ditës së  pashkëve për mua – thotë Antonieta- është emocionuese. Fillojmë me përgatitjet e vezëve. Të cilat  i zjejmë, i ngjyeejmë me të kuqe, dhe përgatisim  kulacin dhe tortën. Nxjerrim nga baulet tona kostumin që i kemi trashëguar nga prindërit ose që i kemi bërë vet. Shumica e kostumeve kanë humbur, sepse ishte si traditë që nënat tona  varroseshin  me kostumin arbëresh me të cilin ishin martur.Tani kjo traditë me vite është zhdukur dhe kostumi përcillet brez pas brezi. Kostumet i ruajmë për ditën e martë pas pashkëve për  Ceremmoninë e Vallja. Kostumet i përdorim në  shumë festa të ritit tonë fetare por edhe civil. 

Ceremonia  Vallja- është nje ritual që nuk është modifikuar në kohë në katundin tonë në Frasnitë. Kjo ceremoni   zhvillohet edhe sot në mënyrën  dhe formën e saj më antike. Fshatrat për rreth si Civita, e kanë modifikuar këtë ceremoni, kjo festë  është disi  më moderne në këtë qytezë. Vallja në Frasnitë është trashëguar identike si e zhvillonin  të parët tanë. 

Ceremonia Vallja është një tip koreografie e formuar  nga të rinjtë, të veshur me kostum tradicionale.  Është një cikël kushtuar pranverës. Por që brënda kësaj ceremonie ka shumë rite.

Ne gratë arbëreshe me kostumet tona Lidhemi  zinxhir me anë të shamisë, dhe të udhëzuar nga dy figura të veçanta, të quajtur “flamurtarë” (bartës),  njëri në fillim dhe tjetri në fund, që  gjarpërojnë nëpër rrugët të vendit dhe  këndojmë këngët antike të kësaj ceremonie. Kulmin ceremonia arrin kur këndojmë vargjet e Rapsodisë Kostandini e Jorundina. Kjo  “bese” kaq e shenjte që bënë  një të vdekur të ngrihet  nga varri,  për të mbajtur fjalën e dhenë. Këngët tona  janë një polifoni- përfundon Antonieta.

Antonietta, është një ruajtëse e mirë e etnografisë, kostumit si edhe kulturës arbëreshe. Të gjtitha ngulimet arbëreshe kanë kostumin e tyre- thotë Antonietta- Ne në Frasnitë kemi kostumet tona.  Kemi kostumin e përditshëm, kostumin e zisë, dhe kostumin e martesës. Kostumi  është identiteti ynë që e ruajmë me krenari brez pas brezi i cili vishet ne çdo fest, ne cdo manifestim, në martesë.

Nënat arbëreshe, i rritin fëmijët me ndërgjegjen arbërore, dhe muzika është pjesë e vatrës së tyre. Pasionin për muzikën ndoshta Antonieta ia ka përcjellë edhe të birit të saj Danilo Blaiotta. Tashmë një muzikant, kompozitor, ku mëma Antonieta e mbështet në të gjitha aspektet dhe krenare për birin e saj.  

Amviset arbëreshe, janë nga më të dalluarat. Këtë karakteristikë e shohim edhe tek Antonietta, nikoqire si dhe njohëse e mirë si e traditës kulinaria arbëreshe, por edhe asaj kalabreze. Arbërshet  janë amvisa të shkëlqyera, si dhe  njohëse të mira të traditës kulinaria të arbëreshëve. E tillë është edhe Antonietta.  

Antonietta, për veprimtarinë e saj të madhe  është nderuar me çmimin;  Ambasadore e Paqes si  dhe Artiste e Merituar e Arbërisë. Ku është një pjesë Arbërie, atje është edhe Antonietta. E falenderojmë këtë arbëreshe për kontributin e saj në ruajtjen e kulturës dhe trashgimnisë arbëreshe dhe i urojmë suksese në këtë mision kaq fisnik.

Ornela Radovicka 

Qëndra albanologjike mbi gjuhën dhe kulturën arbëreshe themeluar nga  A. Bellusci 1980 

C:\Users\iljas\Downloads\facebook_1709562450489_7170424624339433063.jpg
C:\Users\iljas\Downloads\facebook_1709562142982_7170423334559619254.jpg
C:\Users\iljas\Downloads\facebook_1709562017803_7170422809523131166.jpg
C:\Users\iljas\Downloads\facebook_1709562299026_7170423989054974590.jpg
C:\Users\iljas\Downloads\facebook_1709562485758_7170424772266616305.jpg

Filed Under: Kronike

Shqiptarët  nga mesjeta në historinë e re : Midis politikës koloniale dhe asaj perandorake

March 5, 2024 by s p

Prof.Muhamed Mufaku/

Në fund të vitit 2023, Instituti për Trashëgiminë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup nxori librin “Hasan Kaleshi: Studime filologjike dhe kulturore të shqiptarëve”, që e përgatitën dy filologët tanë të njohur, Qemal Murati dhe Feti Mehdiu. Shumica e punimeve në këtë libër me 475 faqe botohen për herë të parë, kurse disa prej tyre u botuan në veprat të zgjedhura të Hasan Kaleshit (1-10) që dolën me rastin e 100-vjetorit të lindjes, përkatësisht gjatë viteve 2022-2023 në botim të shtëpisë botuese “Dija” në Prishtinë.

Ky botim që e nxori një institucion shkencor me peshë në Shkup, dallohet me dy parathënie, të Qemal Muratit dhe Feti Mehdiut, që kanë një frymë kritike dhe një porosi ndaj atyre që morën vendimin për “anashkalimin” e Hasan Kaleshit në Kosovë: mendimin për Kaleshin si shkencëtar e japin vetëm filologët dhe historianët e jo kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës Mehmet Kraja “i cili nuk është as historian as filolog i mirëfilltë” (fq.12).

Kaleshi si “shkencëtar me akribi të rrallë dhe albanolog i rendit të parë”, sipas Q.Muratit, paraqiti teza të reja që ngjallën interesim e reagime të ndryshme në nivel evropian, jugosllav dhe shqiptar. Kuptohet, mund të diskutohet ose të kontestohet ndonjë tezë a ndonjë mendim i Kaleshit, por nuk mund të “anashkalohet” tërë opusi i tij që ka nja 400 njësi bibliografike të paraqitura në konferenca ndërkombëtare dhe të botuara në revista të njohura shkencore.

Me gjithë vendimin e pashkruar deri më 2022 për “anashkalimin” e tij, punimet e Kaleshit inspiruan gjeneratën e re të historianëve në Kosovë e në Shqipëri, të cilët shkuan shumë më larg se Kaleshi. Si shembull mjafton të vështrohet një libër me peshë shkencore që u botua në Tiranë nga Instituti i Historisë më 2019.

Autori i këtij libri është Ardian Muhaj, kurse vetë titulli – “Nga Ballkani në Mesdhe: Shqiptarët prej mesjetës në agimin e kohës së re” – tregon risinë që na solli në historiografinë shqiptare. Ky, në të vërtetë, është një version shumë i zgjeruar i punimeve të Kaleshit, të cituara në këtë libër, për shtrirjen e shqiptarëve në kohën e sundimit osman. Kështu, Kaleshi u përqendrua më shumë në Ballkan e Anadolli, në sajë të burimeve që i kishte në dispozicion, kurse tani me Muhajin na del se shtrirja e shqiptarëve në kohën osmane është shumë më gjerë sa kap një hapësirë të madhe prej Oqeanit Atlantik deri tek Oqeani Indian.

Sikurse Kaleshi që kaloi postdoktoratën në Gjermani dhe u kthye si përfaqësues i Shkollës filologjike gjermane me metodologji të bazuar në arkivat e ndryshme dhe na solli kontribute të reja për çka u zgjodh anëtar i Akademisë Shkencore Arabe më në Kajro 1967, Muhaj magjistroi dhe doktoroi në Universitetin e Lisbonës, duke lëvruar në disa arkiva e duke sjellë kontribute të reja, për çka u zgjodh anëtar i Akademisë se Shkencave të Portugalisë më 2008. Ndaj, ç’na solli Muhaj në këtë libër me teza e të dhëna të reja na kujton Kaleshin e ri kur erdhi në Institutin Albanologjik të Prishtinës më 1967, pra nuk do të mund të na sillte ato teza e të dhëna të reja po të kryente studimet në Prishtinë dhe t’i besonte fjalët e disa profesorëve se Kaleshi “mbronte tezat serbe për shqiptarët”.

Shqiptarët midis dy fuqive botërore

Me zgjerimin e Mbretërisë Serbe të Dushanit në Ballkan deri në Vlorë dhe kurorëzimin e tij në Shkup më 1348 si “Perandor i serbëve, bullgarëve, grekëve dhe shqiptarëve” – perandori kjo që u shpartallua pas vdekjes së tij më 1355 – filloi konkurrenca për dominim në këtë rajon midis Sultanatit osman dhe Republikës Veneciane. Kështu, kur forcat osmane kaluan Bosforin dhe me përparimin e tyre në Ballkan, me çka Edereneja u bë më 1371 kryeqytet i ri i Perandorisë Osmane, Republika e Venedikut shtronte dominimin e saj në Adriatik dhe në Mesdhe duke krijuar një perandori tregtare-ushtarake që shtrihej prej Venedikut deri në Qipro. Kështu, mu në kohën kur forcat osmane arritën në Kosovë dhe në Shqipërinë e jugut, Venediku krijoi “Albaninë veneciane” në Shqipërinë veriore më 1396. Me këtë zhvillim paralel, shqiptarët u gjetën nën sundimin e dy fuqive botërore të asaj kohe, por me dy politika të ndryshme ndaj popullsisë shqiptare: politika koloniale dhe politika perandorake.

Politika koloniale ishte ajo që e ndiqte Republika e Venedikut, jo vetëm në “Albaninë Veneciane”, por në të gjitha kolonitë e saj në Adriatik dhe në Mesdhe, që ishte “tipar thelbësor i politikës venedikase për shekuj të terë”. A. Muhaj e sqaron këtë politikë kështu: “Venediku nuk njihte asnjë autoritet lokal në kolonitë që pushtonte dhe krejt zinxhiri i pushtetit i takonte vetëm qytetarëve të Venedikut, ndërsa popullsitë lokale përjashtoheshin nga çdo hallkë e pushtetit” (fq. 77). Pra, kjo “politikë përjashtuese” e popullsisë vendase nuk praktikohej vetëm ndaj shqiptarëve në “Albaninë Veneciane”, por në të gjitha kolonitë e Venecias.

Politika perandorake ishte ajo e Perandorisë Osmane, e cila ishte “përfshirëse”. Me fjalë të tjera, me përjashtim të postit të sulltanit, të gjitha postet e tjera administrative dhe ushtarake ishin të hapura ndaj popullsisë vendëse. Kështu, shumë shpejt, u paraqit një elitë ushtarake-administrative shqiptare në postet më të larta të Perandorisë Osmane qoftë në qendrën e re (Stambolli) ose në vilajetet me shumicë shqiptare. Kuptohet, përveç shqiptarëve në këto pozita u paraqitën atëherë serbët, grekët e të tjerë. Kjo politikë u praktikua po në atë kohë “kur venedikasit i kishin përjashtuar shqiptarët nga çdo lloj pjesëmarrjeje në administrimin e zotërimeve të tyre në Shqipëri dhe i kishin zhveshur tërësisht familjet fisnike vendase nga çdo lloj pushteti”(f.80).

Kjo politikë perandorake ose përfshirëse u duk qartë në shekullin XVI kur shqiptarët u ngritën në pozita më të larta sikurse me Ahmet pashë Dukagjinin, i cili i u bë dhëndër i sulltan Selimit I dhe sedriazëm- kryeministër gjatë viteve 1512-1515, duke hapur rrugën për djalin e tij Mehmet pashë Dukagjinin që të bëhet vali i Egjiptit dhe i Halepit,pra dy vialete me dalje në Mesdhe. Më vonë u paraqit Ibrahim pasha Pargaliu në postin e sadriazemit-kryeministrit më 1522-1536.

A. Muhaj vëren dhe përcjell rivalitetin midis shqiptarëve dhe serbëve që kulmoi në emërimin e sedriazemit ose kryeministrit, i cili ushtronte ndikimin e vet për emërimin e njerëzve të vet në pozita të larta ushtarake-administrative në qendër dhe në vilajetet osmane. Kështu, me vrasjen e Ibrahim pashë Pargës më 1536 forcohet shumë lobi serb me ngritjen e Rrustem pashës, i cili futi njerëz të vet në funksione të larta dhe vetë u bë sadriazemi-kryeministri gjatë 1544-1553 dhe 1555-1561. Pas tij erdhi në këtë post Mehmet pashë Sokoloviq 1565-1579 që kishte ndikim të madh sa që sulltan Sulejmani I e përtëriu Patrikanën serbe në Pejë më 1557 duke emëruar vëllain e tij Makarius në krye të saj (fq.254). Por, megjithatë, lobi shqiptar përsëri paraqitet në pushtet në fund të shekullit XVI dhe në fillim të shekullit XVII me Sinan pashë Topajanin, i cili zuri postin e sedriazemit-kryeministrit pesë herë, kurse me vonë u paraqit edhe dinastia e qyprilinjve.

Me këtë politikë përfshirëse, elita shqiptare zinte pozita në trevat shqiptare, kurse të tjerët që kishin pozita në qendër të Perandorisë ktheheshin në vendlindje duke ngritur objekte të ndryshme fetare dhe ekonomiko-shoqërore. Me këto ndërtime do të ngrihen bërthama të qyteteve të reja si Korça, Gjakova, Kaçaniku e të tjera dhe zhvillohen qytetet Shkodra, Berati, Vlora, Ulqini dhe të tjera qendra tregtare me qasje në tregtinë ndërkombëtare.

Hovi i shqiptarëve deri në letërsinë spanjolle

Me këtë zhvillim të hovshëm, A. Muhaj përqendrohet në bregun e Adriatikut, ku do të paraqitet Vlora si porti kryesor kurse më vonë, edhe me Ulqinin që të bëhen dy qendra të mëdha shqiptare për detari e tregti ndërkombëtare. Në këtë pjesë të librit kemi të dhëna interesante për shtrirje të madhe të shqiptare në Mesdhe, duke pasur flota që shkonin deri në Tripol, Tunizi e Algjeri, kurse më vonë kemi detarë shqiptarë që në kuadër të flotës osmane arritën në Oqeanin Atlantik për zbulimet e reja gjeografike, si dhe në Detin e Kuq dhe në Oqeanin Indian në luftë për dominim me Portugalinë. Prania shqiptare bëhet aq e dukshme në Mesdhe sa që A. Muhaj ia kushtoi një pjesë të librit për “Personazhet shqiptare në letërsinë spanjolle të shekullit të artë” (fq. 113-123).

Kuptohet, sikurse Kaleshi, A. Muhaj na solli një kontribut origjinal në bazë të arkivave evropiane e osmane dhe burime të kohës. Mund të diskutohet ndonjë qasje a mendim i tij në ndonjë revistë shkencore, por mbetet për habi fakti se si kaloi në heshtje, në Kosovë, një libër i tillë deri më tani?

Filed Under: Rajon

Shkolla Shqipe “Children of the Eagle” festoi 10 vjetorin e themelimit

March 5, 2024 by s p

Drita Gjongecaj/

Në një mbrëmje të bukur Gala, Shkolla Shqipe “Children of the Eagle” festoi 10 vjetorin e aktivitetit të saj në shërbim të ruajtjes së gjuhës dhe kulturës shqiptare në New York. Na nderuan me pjesëmarrjen e tyre dhe me fjalën e rastit, Znj. Emina Cunmulaj Nazarian, Konsull Nderi e Republikës së Shqipërisë në Florida, filantropiste dhe modele me famë botërore. Si e Ftuar e Nderit, Znj. Cunmulaj iu drejtua pjesëmarrësve me një fjalë të ngrohtë duke i mëshuar sidomos rolit të nënave në ruajtjen e gjuhës dhe traditës shqiptare.

Kënaqësi e vecantë ishte të kishim të pranishme znj. Atifete Jahjaga, ish Presidente e Republikës së Kosovës, një model i shkëlqyer dhe frymëzim për gratë shqiptare kudo në botë. Nga Kosova jonë kishim edhe znj. Remzije Istrefi-Peci, Gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese.

Në mbrëmje përshëndeti edhe z. Mark Gjonaj, Kryetar i Këshillit Koordinues të Diasporës, si dhe ish Këshilltar në Bashkinë e NY.

E pranishme ishte znj. Emiljana Ulaj, e zgjedhur vitin e kaluar si Westchester County Legislator.

Nuk mungonin mysafirë të nderuar edhe nga shteti fqinjë, New Jersey. Ishte kënaqësi e vecantë të kishim present znj. Violeta Berisha, Kryetare Bashkie, e para shqiptare në këtë rol në historinë e Amerikës.

Po ashtu, fotografi Fadil Berisha, një nga më të njohurit në fushën e tij edhe përtej kufijve të Amerikës.

Falenderim edhe për të gjithë miqtë e organizatës dhe shkollës shqipe “Children of the Eagle”, të ftuarit, prindët, mësuesit, nxënësit dhe anëtarët e Bordit Drejtues të AADLC.

Me vlerësime mirënjohjeje u nderuan Organizata AAWO Motrat Qiriazi, Federata Panshqiptare Vatra, z. Tony Musaj, nënkryetar i Shoqatës Humanitare “Open Hand Association” si dhe Albanian Culture TV.

Në vazhdim, mirënjohje u shpërndanë për dy nga anëtaret e Bordit Drejtues, znj. Marjana Zeneli Bulku dhe Dr. Arjeta Ferlushkaj Kotrri për kontributin e tyre të vecantë e afatgjatë në drejtimin e Organizatës AADLC.

Të gjithë anētarët aktualë të Bordit Drejtues të Oranizatës së Dy Gjuhëve dhe Kulturave Paralele Shqiptare Amerikane AADLC u vlerësuan me Proklamata nderuese nga Bordi i Legjislatorëve të Westchester County: Mirjana Lukic, dr. Azeta Kola, Marjana Bulku, dr. Arjeta Ferlushkaj dhe Hegland Doci.

Në një atmosferë të bukur, u nderuan me pllakatë mirënjohjeje të gjithë mësuesit dhe koordinatorët e shkollës që mundën të ishin prezentë dhe që kanë dhënë kontributin e tyre vullnetar në suksesin e kësaj shkolle. Vjosa Nikci, një nga mësueset e para të kësaj shkolle, si dhe Cindy Sylaj, koordinatorja e parë pranë shkollës sonë shqipe përshëndetën të pranishmit me fjalën e tyre.

Nuk munguan fëmijët dhe të rinjtë e shkollave të mesme që ndjekin programin e shkollës shqipe. Ata interpretuan bukur dhe me ndjenjë recitime, këngë e valle shqiptare duke e shtuar harenë e mbrëmjes.

Falenderojmë edhe bizneset shqiptare për dhuratat a cmuara që u përdorën për shortin Raffle në ndihmë të shkollës: Brucaj Eyewear, Shoppingforluxury, ArtbyEralda, prindërit e nxënëses Eva Byberi me një kostum tradicional për fëmijë të moshës 10-11 vjeç, Posh Beauty Boutique, Aurora Beauty Salon, Alba CPA Associates, si dhe Ana’s Bakery.

Në këtë short u dhuruan edhe libri “The Old Bridge – Ura e Vjetër” nga autorja Arjeta Ferlushkaj Kotrri, si dhe tri vende për të ndjekur në verën e 2024 programin BALI (Two Week Leadership and Debate Training Program at Hunter College).

Mirënjohje për të gjithë ata që e mbështesin programin e Shkollës Dy-Gjuhësore “Children of the Eagle’’ në forma të ndryshme. Vetëm së bashku mund të krijojmë programe të suksesshme e afatgjata.

Ju mirëpresim në aktivitete dhe kurorëzime të tjera të radhës.

#aadlc#childrenoftheeagle

Filed Under: Komunitet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 48
  • 49
  • 50
  • 51
  • 52
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT