• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2024

Petro Marko, “retë dhe gurët” e një jete të refuzuar

July 31, 2024 by s p

Agim Baçi/

Keltët kur shkonin në luftë linin nga një gur një vend të caktuar në të dale të vendbanimit të tyre. Kur ktheheshin nga lufta merrnin gjithsecili gurin e lënë. Gurët që mbeteshin në stivën e ndërtuar në nisje ishin të rënët në betejë…Për Petro Markon gurët e mëhallës së tij kanë gjithnjë një histori, ndaj mbeten aty, plot krenari, duke pritur “t’i dëgjojmë”. Ndërsa retë, edhe pse mbajnë shumë nga ajo që është ngjitur nga toka, edhe pse sjellin jetë përmes ujit që lëshojnë ngado, mbeten gjithnjë në ikje. Duke përshkruar veten mes gurëve dhe reve, Petro Marko ka mundur të sjellë edhe lëvizjet edhe qëndrimet e tij në jetë, duke kthyer sytë nga “romani që kishte brenda tij”. Dhe gurët “përdorin” dorën e Petros për të thënë shumë, për të goditur larg, drejt asaj që ja vlen gjithmonë.

“Thonë se gurët e mëdhenj atje poshtë në Shënmëri, janë burrat që janë kthyer dhe kanë vdekur në vend. Po të jesh trim dhe zëmërbardhë e po të shkosh andej natën, i dëgjon të dëftojnë historitë e tyre. Po të jesh frikacak e zemërlig, nuk i dëgjon dot. Kurse ata burra që kanë ikur dhe kanë vdekur në kurbet janë bërë re… Vijnë qajnë dhe ikin. Dhe mbi spitharët më poshtë, afër bregut mblidhen lotët e tyre siç mblidhet uji i shiu” (Petro Marko, Intervistë me vetveten “Retë dhe gurët”). E gjithë jeta e Petro Markos ishte një betejë. Njohjet, lufta, refuzimet dhe dashuritë në heshtje, ishin lumi i nëndhshëm që e mbajti gjallë gjoksin e tij, duke mos u dorëzuar. Shkroi pa fund, dhe u refuzua pa fund. E kur mikesha e tij italiane e këshilloi që “romanin ta shihte tek vetja” ai vendosi të sjellë një rrëfim mes atij që do të mbetej e atij që do të udhëtonte në çdo kohë. Dhe i gjen aty, në ato faqe, fëmijërinë, marrëdhënien me të parët e tij, vajtjen në Luftën e Spanjës, bashkimin me partizanët italianë e më pas edhe përpjekja e pashtershme për të mbijetuar përballë atyre me të cilët nisi bashkëudhëtimin përmes të njëjtit ideal deri sa mbërriti në vetmi. Pikërisht ashtu siç i linte ai sistem të gjithë ata që dinë të mendojnë dhe që luftojnë të mbeten vetvetja.

Petro Marko mbart absurdin e njeriut që e dënoi dhe shpëtoi letërsia. Njeriun që deshi ta sillte përmes romaneve të tij, duke nisur që nga “Hasta la vista” më 1958 me Gorin dhe Anitën, ja refuzuan të parët “shokët e idealit”. E shkuara e përbashkët në ideale gjatë luftës me disa prej atyre që morën pushtetin veçse e ndihmoi të mbetej në këtë jetë. Megjithëse me atë jetë që bëri nuk është aq kuptimplote të themi se “ishte i gjallë”. Mosbotimi apo heqja e së drejtës për botim, burgosja e të birit, Jamarbërit, e dërgoi drejt prehërit të letërsisë autobiografike.

Petro Marko ishte brezi i Heminguejit dhe Remarkut që përshkruanin te “Lamtumirë armë” apo “Asgjë e re nga fronti i perëndimit”. Por për të kjo letërsi mbeti thjesht ëndërr pasi iu ndalua nga “shokët e idealeve”, pasi për ish shokët e tij të luftës, i vetmi njeri që pranohej ishte “Njeriu i ri”, njeriu që njihte veç partinë. Ndaj Petro Marko kthen vetveten në personazh, ku jeta që ëndërroi lozi mbi përditshmërinë e tij, duke e kthyer në të refuzuar.

Petro mbeti vetë “një gur rëfimi”, ndaj dhe letërsia e tij, e nisur nga “Retë dhe gurët” është vetëshpjegimi i madh e letrares së tij. Nuk e ka kursyer vetën nga asgjë, sepse ai kurrë nuk pati frikë. Galeria e tij e ngjarjeve dhe emrave është rindërtimi i një jete që përmes letërsisë hartoi edhe vetveten. Ai ishte njëkohësisht shkrimtari dhe personazhi, letrari dhe letrarja.

Stili i Markos është i drejtëpërdrejtë. Ai ishte realist dhe këtë kërkonte edhe nga të tjerët. Madje, ja kërkoi këtë gjë edhe Migjenit, pas takimit me të përpara se të udhëtonte drejt Spanjës, për t’iu bashkuar frontit të luftës. “Ti shkruan errët dhe duhet të shkruash më hapur që të kuptohesh nga lexuesit. Ne duhet të shkruajmë më thjesht” (Petro Marko, “Intervistë me vetveten”, fq. 167). Ky stil bëri që intervista me vetveten të bëhet pjesë e rëndësishme e romaneve dhe e gjithë prozës së tij, pasi tashmë nuk ish thjesht një personazh, por ishte vetë kryepersonazhi që solli kohën dhe brengat e tij.

Filed Under: LETERSI

Daut Efendi Boriçi (1825-1896): personalitet i shquar i arsimit dhe Rilindjes Kombëtare Shqiptare

July 31, 2024 by s p

Prof. As. Dr. Hasan Bello/

Daut Efendi Boriçi është një personalitet i njohur për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe administratën osmane në fund të shekullit XIX. Pas përfundimit të arsimit fillor në qytetin e Shkodrës, ai u diplomua në medresenë e Stambollit dhe më pas u regjistrua në shkollën e lartë që përgatiste mësues të ciklit të ndërmjetëm (“Dârülmuallimîn-i Rüşdi”). Pas mbarimit të saj ai u kthye në qytetin e lindjes si kryemësues. Gjatë kësaj periudhe, ai hartoi një abetare shqip me gërma arabe dhe bëri përpjekje që gjuha shqipe të vendosej në programet e këtyre shkollave.

Mbi veprimtarinë pedagogjiko-arsimore dhe rolin e Daut Efendi Boriçit në shkollën ryshdije të Shkodrës, drejtori i Shoqatës Biblike Britanike dhe të Huaj në Perandorinë Osmane, me qendër në Stamboll, Aleksandër Thomson shkruan se gjatë vizitës së tij në vitin 1867 shkolla në fjalë mbante ende reputacionin e saj. “Daut Efendi, pedagogu, ishte ende atje, po aq energjik sa më parë dhe pjesmarrja ishte arritur aq shumë saqë ndërtesa që ishte më parë ishte lënë për degën e ciklit të ulët, ndërkohë që Daut Efendiu me nxënësit më të mëdhenj ishin zhvendosur në salla më komode në një godinë bashkangjitur. Dr.Koelle dhe unë u kënaqëm shumë që patëm mundësi të vizitonim këtë shkollë, sepse Daut Efendiu ishte një njeri i arsimuar dhe me karakter entuziast e energjik, dhe dukej qartë se kishte fituar ndjenjat e dashura të nxënësve të tij, dhe i kishte frymëzuar me një pjesë jo të vogël të zellit të vet. Kjo në vetvete ishte një pamje e pëlqyeshme, dhe megjithëse ajo u dobësua deri diku nga mendimi që karakteri i cili formohej në këtë shkollë do të ishte i ngarkuar me nocione dhe ndjenja islame mjaft të forta, prapë dukej në përgjithësi më mirë që popullit t`i mësoheshin elementet e diturisë, si p.sh. këndimi, shkrimi, gramatika, gjeografia, etj., edhe nën një mbikqyrje jo të favorshme, sesa të lihej fare pas dore. Daut Efendiu na priti me përzemërsi të madhe, dhe mund t`i bënim komplimentin më se të ndershëm që ai ndodhej në krye të shkollës islame më të begatshme që kishim parë gjëkundi në Turqi”.

Daut Efendi Boriçi shërbeu si inspektor i përgjithshëm i arsimit në Shkodër dhe me krijimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit edhe si kryetar i saj në këtë qytet. Për shkak të angazhimit të tij në përpjekjet dhe betejat që dega e Shkodrës dha për mbrojtjen e territoreve shqiptare, në vitin 1880 ai u transferua në Stamboll. Në vitin shkollor 1882-1883 ai i propozoi Ministrisë së Arsimit një projekt për vendosjen e gjuhës shqipe në shkollat osmane kudo ku kishte shqiptarë. Ndërsa në vitin 1888 ai u ngarkua me detyrën e drejtorit të arsimit për vilajetin e Shkodrës. Gjatë gjith jetës ai u përpoq për zgjerimin e rrjetit arsimor, emancipimin kulturorë dhe kombëtarë të popullit shqiptar.

Filed Under: Sociale

Shqipëria në raportin e Bertelsmann Stiftung’s Transformation Index (BTI)

July 31, 2024 by s p

Prof. As. Dr. Afrim Krasniqi/

Raporti Bertelsmann Stiftung’s Transformation Index (BTI) 2024 ofron të dhëna me interes për situatën e demokracisë, shtetit të së drejtës, gjendjes ekonomike, kohezionit social dhe lirive politike e ekonomike. Të dhënat për Shqipërinë marrin vlerë nëse krahasohen me të dhënat e një vendi rajonal më të suksesshëm dhe në këtë rast, me Slloveninë, një vend rajonal tashmë anëtare në BE. Siç rezulton nga tabela, treguesit më kritikë janë në nivelin socialekonomik, në politikat mjedisore dhe arsimore, në jetësimin e shtetit të së drejtës dhe në integrimin social dhe politik. Treguesit më të lartë janë shënuar në integritetin shtetëror, në bashkëpunimin ndërkombëtar, në pjesëmarrjen politike apo në stabilitetin monetar dhe financiar. Treguesit e Sllovenisë, siç shihet nga tabela krahasuese, janë dukshëm më të lartë sesa Shqipëria, sidomos në treguesit e shtetit të së drejtës, demokracisë, performancës ekonomike dhe stabilitetit të institucioneve.

Vlera referuese? Nga brenda Shqipërisë është e vështirë të bëhen analiza vlerësuese të situatës/gjendjes për sa kohë politikanët tradicionalisht bëjnë krahasime me vitin e fundit të pushtetit të palës tjetër (PS bën krahasim me 2013, PD me 2005 dhe madje vetë PPSH bënte gjithnjë krahasim me 1938)! Në këto rrethana krahasimi rajonal dhe më tej përbën një bazë thelbësore dhe jetike referimi për njohjen e vetvetes dhe orientimin drejt të ardhmes. Duke qenë vend anëtar në NATO dhe në proces bisedimesh për anëtarësim në BE krahasimet duhen bërë me vende të së njëjtit stad ose me ato që janë modele suksesi por me tipare të përafërta historike me ne. Në këtë rast, BTI 2014-2024 tregon se Shqipëria është më mirë se Bosnja, Serbia apo Kosova, por ende pas Malit të Zi apo Maqedonisë së Veriut. Nga vendet ish komuniste vendi më i suksesshëm rezulton Çekia, ndjekur nga republikat baltike, dhe më pas Polonia.

Në fund të fundit, në një qasje më strategjike, tabela orienton edhe çështjet/problematikat që duhet të jenë fokus i të ardhmes, fushat ku kërkohen reforma dhe ndërhyrje konkrete, sfidat kryesore politike e shtetërore dhe kështu, edhe temat mbi të cilat do të duhet të kishte debat politik e publik në Shqipëri.

Filed Under: Emigracion

KONTI GJURIC VLADANI

July 31, 2024 by s p

Avni Alcani/

Konti Gjuric Vladani ishte një figurë e njohur i aristokracisë shqiptare të shek. të 15-të. Për fat të keq mungojnë të dhënat historike për këtë luftëtar të ushtrisë së Skënderbeut, ç’ka e ka vështirësuar punën e historianëve, për të hartuar biografinë e këtij aristokrati dhe luftëtari të shquar arbër. Konti Gjuric Vladani gëzonte famën e një luftëtari të madh dhe një nga gjeneralët më të shquar të ushtrisë së Skënderbeut. Barleti, në librin e tij “Histori e Skënderbeut” (1983), shkruan: Gjuric Vladani ishte një “burrë prej parisë së tij (Skënderbeut) dhe shumë i zoti (faqe 258) …trim dhe shpirt njeriu” (faqe 537). Informacionin e dytë për të e kemi nga Dhimitër Frangu, i cili, në librin e tij “Luftrat e Turqve kundër Skënderbeut” (2000), shkruan: “Skënderbeu… skuadronin e tretë ia besoi Kontit Givriç…” (faqe 35). Fan S. Noli, në librin “Gj. K. Skënderbeu 1405-1468” (Tiranë 1967), sqaron se pas emrit të Kontit Givriç është Konti Juric Vladani (faqe 91). Frangu, në librin e tij të sipërpërmendur, emrin e Gjuricit e ka përmendur edhe dy herë të tjera, si: “Moisiu dhe Givriçi, dy kapedanë të Skënderbeut, erdhën në krye të ushtarëve të kapur rob…” (faqe 36) dhe po aty, për ngjarjen e njohur të vitit 1465 (betejën e Vajkalit), ia shkruan emrin Jurici (faqe 52).

Dhimitër S. Shuteriqi, në një artikull kushtuar Aranitëve, të titulluar “Aranitia në vitin 1467” dhe botuar në revistën “Studime historike” (Nr. 1, Tiranë 1981), shkruan: Gjuric Vladani ishte vëllai i Muzhaq Aranit Komnenit, i njohur me emrin “Muzaka i Angjelinës” (faqe 133). Por ky pohim i prof. Shuteriqit, që Gjurici ka qenë vëllai i Muzhaq Aranitit, nuk është i përmendur nga asnjë prej autorëve arbër të shek. të 15-të, si M. Barleti, Dh. Frangu dhe Gj. Muzaka. Gjithashtu ai nuk është i përmendur as në dy prej monografive më të njohura për Skënderbeun, të autorëve Kristo Frashëri (“Skënderbeu, Jeta dhe vepra”, 2002), dhe Oliver Jens Schmitt (“Skënderbeu”, Tiranë 2008), që janë shkruar pas vitit 1981 (viti i botimit të Shuteriqit). Por, ndonëse pohimi i Shuteriqit ka qenë i njohur prej tyre, ai as nuk është i mohuar nga ata, gjë e cila na lejon ta hulumtojmë vërtetësinë e pohimit të Dhimitër S. Shuteriqit, që Gjurici ka qenë vëllai i Muzhaq Aranitit.

Cilat ishin lidhjet e Gjuric Vladanit me Skënderbeun dhe Familjen Araniti? Fatmirësisht ekzistojnë të dhëna të mjaftueshme, të cilat vërtetojnë se Konti Gjuric Vladani ishte nip i Skënderbeut nga e motra. M. Barleti shkruan: (Gjurici) “ishte në lidhje gjaku me Skënderbeun” (604) dhe “nip prej motre” i tij (faqe 537). Ky është një informacion i rëndësishëm, që e zbulon Gjuricin si të afërm të Skënderbeut (nip prej motre), por në anën tjetër e mbulon me një mister, pasi nuk përcaktohet se djali i kujt motre ishte. Burimi i dytë, që Gjurici ishte nip i Skënderbeut, na vjen nga Dh. Frangu, i cili shkruan: “Skënderbeu… skuadronin e tretë ia besoi Kontit Givriç…, nipit të vet trim” (faqe 35). Njoftimi i Frangut është i rëndësishëm, pasi, jo vetëm vërteton Gjuric Vladanin si nip të Skënderbeut, ashtu siç shkruante edhe Barleti, por sepse ai mbante dhe një titull fisnikërie: “Kont”.

Por cila nga motrat e Skënderbeut mund ishte nëna e Gjuric Vladanit? Dihet se Skënderbeu ka pasur pesë motra: Mara, Jella, Angjelina, Vlajka dhe Mamica. Mara ishte martuar me Stefan Cernojeviçin, sundimtarin e Malit të Zi dhe kishte me të dy djem: Gjergjin dhe Gjoninbfaqe 122. Jella ishte martuar me Stres Balshën dhe kishte tre djem: Gjergjin, Gjonin dhe Boikun (faqe 120). Angjelina ishte martuar me Vladan Komnen Aranitin dhe, sipas Barletit e Gj. Muzakës, kishte pasur Muzhaqin (faqe 45). Vlajka ishte martuar me Gjin Muzakën, por burimet historike nuk japin asnjë informacion nëse kishin pasur fëmijë. Gjuricin e përjashtojmë që mund të kishte qenë fëmija i tyre, për shkak se, së pari, ai do të duhej të mbante mbiemrin e familjes “Muzaka” dhe, së dyti, sipas traditës, ai duhej të kishte si mbiemër emrin e të atit, në këtë rast “Gjini”, ndërkohë që dihet se ai nuk i ka pasur asnjë nga këto dy mbiemra. Motra e vogël e Skënderbeut, Mamica, kishte qenë e pamartuar, në kohën kur ky i fundit u kthye në Arbëri (viti 1443). Skënderbeu, për arsye të konjukturave politike, e martoi Mamicën me Muzak Topinë, me të cilin ajo pati një djalë, që quhej Reposh (faqe 152).

Në fisnikërinë shqiptare të shekullit të 15-të ishte traditë që djemtë merrnin si mbiemër (llagap) emrin e babait të tyre. Kështu, p.sh., djali i Jellës dhe i Stres Balshës, shkruan Barleti, thirrej Gjergj Stresi, duke marrë si llagap emrin e të atit (faqe 120). Barleti shkruan se Angjelina, motra e Skënderbeut, ishte e martuar me Vladan Aranitin. Thamë më sipër, se në traditën e arbërorëve djali merrte si mbiemër emrin e të atit, ndaj do ishte e natyrshme që djali i Vladanit dhe Angjelinës të merrte si llagap emrin e babait të tij. Nga e gjithë ç‘thamë më sipër, dalim në përfundimin se Gjuric Vladani, që Barleti dhe Frangu shkruanin se ishte “nip prej motre” i Skënderbeut, ishte pikërisht djali i Angjelinës, motrës së tij dhe i Vladan Golem Aranitit, prej të cilit kishte marrë mbiemrin “Vladani”. Kemi bindjen se kjo ka qenë rruga e argumentimit që pati ndjekur Shuteriqi, kur shkruante se Gjuric Vladani ishte vëllai i Muzhaqit të Angjelinës.

Po përse Gjon Muzaka nuk e përmendi Gjuric Vladanin si djalë të Vladan Aranitit, apo vëlla të Muzhaqit të Angjelinës? Shkaku duhet kërkuar te qëllimi që kishte pasur Gj. Muzaka kur shkroi “Memorien”, e cila ishte shkruar për t’u treguar pasardhësve të tij se ku i kishin pasur pronat Muzakajt dhe kush kishte qenë rrethi i tyre familjar. Muzhaqin e Angjelinës ai e kishte pasur kunat (burrin e motrës), pra, pjesëtar të familjes së tij. Gj. Muzaka qëllimisht duhet ta ketë lënë Gjuricin jashtë “Memories”, ashtu siç kishte lënë edhe tre djemtë e Gjergj Aranitit: Thomain, Kostandimin dhe Aranitin, që Gjergji i kishte pasur me gruan e dytë italiane, në një kohë që i kishte përmendur në “Memorie” të 8-të vajzat e tij nga martesa e parë me Maria Muzakën.

Ne ende nuk e dimë cila ishte familja e tij, nëse Gjurici ka qenë i martuar dhe nëse kishte lënë trashëgimtarë. Kjo do t’u lihet hulumtimeve dhe kërkimeve në të ardhmen.

Pas kthimit të Skënderbeut në Arbëri në vitin 1443, dy djemtë e Angjelinës, Muzhaqi dhe Gjurici, qenë ndër të parët fisnikë që mbështetën ushtrinë e dajës së tyre. Muzhaqi i Angjelinës, shkruan Barleti, ishte i pari nga krerët e fisnikërisë shqiptare që mbërriti në Krujë për ta përshëndetur dhe për t‘i dhënë përkrahje (faqe 93). Skënderbeu, në misionin e rëndësishëm që kishte, për të çliruar trojet e vendit të tij të pushtuara nga osmanët, u mbështet te dy djemtë e Angjelinës. Ai u besoi atyre momentet më të rëndësishme të betejave luftarake që zhvilloi kundër ushtrisë osmane. Në çdo betejë, si brenda, por edhe jashtë kufijve të atdheut të tyre, të dy fatosat e Aranitëve treguan një guxim dhe trimëri të rrallë. Të dy qëndruan në ballë të betejave kundër osmanëve dhe në shumicën e betejave ata luftuan së bashku, krah për krah me njëri-tjetrin. Gjatë rrethimit të 2-të të Krujës, kur Sulltan Murati II u vu vetë në krye të ushtrisë osmane, Skënderbeu dërgoi Muzhaqin e Angjelinës dhe Gjuric Vladanin për të vrojtuar kampin e ushtrisë rrethuese, si dhe për të parë vendin lidhur me sulmin e mundshëm të ushtrisë osmane (faqe 258).

Momenti më i rëndësishëm dhe më i vështirë për të dy vëllezërit ka qenë kur ata luftuan kundër Moisi Golemit, i cili ishte djali i xhaxhait, por që kishte tradhtuar Skënderbeun, dajën e tyre dhe ishte bashkuar me Sulltanin. Skënderbeu e kishte ndarë ushtrinë e tij në dy pjesë. Dy vëllezërit u vendosën përballë ushtrisë osmane (faqe 461), e cila ishte e komanduar nga Moisiu. Pas kërkesës që Moisiu i bëri Skënderbeut për dyluftim, ai nuk mundi të përballej me prijësin e arbërorëve dhe u largua me turp nga fusha e betejës. Kjo strategji e Skënderbeut pati qenë e suksesshme, pasi, duke i vënë Aranitët përballë njëri-tjetrit, e bëri të pamundur dyluftimin vëllavrasës dhe siguroi fitoren e ushtrisë së tij. Pas kësaj beteje, Moisi Golemi i kërkoi ndjesë Skënderbeut dhe, pas faljes, ai i qëndroi besnik Kastriotit deri në fund të jetës së tij.

Gjatë invazionit ushtarak që Skënderbeu zhvilloi në Itali, kur kishte shkuar për të ndihmuar mbretin Ferdinant të Napolit, Gjuric Vladani, i cili komandonte një pjesë së ushtrisë arbërore, u shqua si luftëtar dhe kapiten i sprovuar (faqe 531-550).

Tre Aranitët e famshëm: Moisi Golemi, Muzhaqi i Angjelinës, Gjuric Vladani dhe disa prej kapedanëve më të shquar të ushtrisë së Skënderbeut, patën një fund të hidhur. Në Betejën e Vajkalit, shkruan Barleti, këta kapedanë, “të rrëmbyer nga furia e Marsit dhe vrulli i luftës, shkuan më tej nga ç’duhej.” (604). Ndër të parët u hodh në sulm Moisi Golemi, të cilit Skënderbeu i kishte besuar komandën e përgjithshme të ushtrisë, dhe pas tij u hodhën Gjuric Vladani, Muzhaq Komneni, Gjin Muzaka, Gjon Perlati, Nikollë Berisha, Gjergj Koka dhe Gjin Maneshi. Ata ranë në kurthin e ngritur nga Ballaban Pasha dhe, pasi u kapën të gjallë, u dërguan të lidhur këmbë e duar në Stamboll. Atje u turturuan deri në vdekje. “Me vdekjen e tyre, – shkruan M. Barleti, – e bënë Arbërinë më të përlotur se ndonjëherë më parë, sepse që të gjithë shquheshin shumë si për fuqinë e trupit, si për forcën e shpirtit dhe për dijen ushtarake” (faqe 604).

B i b l i o g r a f i a:

BARLETI, Marin: “Historia e Skënderbeut” (botim shqip), Tiranë 1983.

FRANGU, Dhimitër: “Luftrat e Turqve kundër Skënderbeut” (botim shqip), Tiranë 2000.

FRASHËRI, Kristo: “Skënderbeu. Jeta dhe vepra”, 2002.

MUZAKA, Gjon: “Memorie” (botim shqip), Tiranë 1996.

NOLI, Fan Stilian: “Gj. K. Skënderbeu 1405-1468”, Tiranë 1967.

SCSMITT, Oliver Jens: “Skënderbeu” (botim shqip),Tiranë 2008.

SHUTERIQI, Dhimitër Simon: “Aranitia në vitin 1467”, revista St. Historike/1, Tiranë 1981.

Filed Under: Ekonomi

NDRIÇIM BEJKO, NJË SKULPTOR SHQIPTAR MES 15 SKULPTORËVE MË TË MIRË NË BOTË NË KONKURSIN NDËRKOMBËTAR TË SKULPTURAVE TË RËRËS NË BOSTON

July 31, 2024 by s p

Ndriçim Bejko mjeshtër i skulpturës monumentale në Boston, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, krijimtarinë e tij artistike, pjesëmarrjen në Konkursin Ndërkombëtar të Skulpturave të Rërës në Revere Beach të Massachusetts, bashkëpunimin me Kishën e Fan Nolit e komunitetin shqiptar në Boston, frymëzimi nga ikonat e historisë kombëtare si Skenderbeu, Nënë Tëreza, Fan Noli e Faik Konica, trashëgiminë artistike e kulturore që skulptorët i lënë shoqërisë e kombeve. Me artistin Ndriçim Bejko bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

FËMIJËRIA DHE ËNDRRAT ARTISTIKE

Kam lindur në Përmet më 1970 dhe i rritur në një lagje të vogël që quhet “Bejkollare” në kufirin Përmet-Skrapar. Qysh në moshën 7 vjeçare në shkollën fillore të fshatit, ku për herë të parë mu dha shansi të kisha një laps dhe letër, pashë veten se isha i aftë të vizatoja lehtësisht detyra vizatimi që mësuesi u jeptë nxenësve të klasave të treta dhe të katërta. Që prej atij momenti dëshira për të vizatuar sa vinte dhe bëhej më e fuqishme duke lënë pas lojërat e përditëshme aq të preferuara prej meje si fotbolli etj. Xhaxhai im, që në atë koh ishtë drejtori i shkollës fillore dhe 8 vjeçare, spikati talentin tim dhe meë inkurajoi që të ndiqja rrugën e artit. Unë në atë kohë isha vetëm 9 vjeç dhe nuk e kuptoja termin “Art” por isha shumë i lumtur që më lanë të vizatoja i lirshëm dhe jo më në fshehehtësi. Në moshën 14 vjeçare konkurova për në shkollën e mesme artistike “Ajet Xhindole” në Berat duke fituar vendin e parë dhe u grupova në grupin e skulpturës. Pas diplomimit shkëlqyeshem nga shkolla e mesme në 1988, brenda përiudhes 1988 – 92 konkurova për Institutin e lartë të artëve në Tiranë me shpresen se një ditë do më hapeshin dyert e jetës. Ky ishte edhe momenti ku kalvari i mohimeve dhe i seleksionimeve burokratike prej komisionëve dhe i sistemit që ishte në fuqi të asaj kohe, do më sillnin përipeci, dhimbje, vuajtje dhe zhgënjime të cilat do i linin vendin njëra- tjetrës. Por çuditërisht ngado që ikja në rrugët torturuese të emigracionit një ëndërr më ndiqte nga pas dhe me thërristë “Hej, ku shkon…ktheu…ndiq pasionin dhe dëshirën që ti i përkushtove fëmijërinë dhe rininë tënde. Më së fundi në 2000-en në moshën 30 vjeçare ju nënshtrova përsëri konkursit për Akademin e Artëve dhe më së fundi ëndrra ime u bë ralitet duke u klasifikuar i pari në grupin e skulpturës. Kjo ishtë përiudha që unë rizgjova formimin tim artistik me njohuritë që mora si në artin tradicional ashtu dhe atë kontëporan. Në vitin 2004 diplomohem në fushën e skulpturës monumentale prej Akademisë së Artëve të Tiranës.

ARDHJA NË AMERIKË

Në 2005 mbërrita në Amerikë me llotarinë Amerikane. Mbas shum përpjekjeve, në vitin 2006 fillova punën si skulptori kryesore të kompania Skylight Studion në Woburn MA dhe vazhdoj në të njëtin pozicion dhe sot. Kjo studio është e bazuar më tëpër në skulpturën monumentale të artit tradicional. Gjatë kësaj kohe si kompani, kemi realizuar një numër të madh monumentësh, restaurimesh dhe dizenjime duke përfshirë parqe, universitete, shkolla, institucione, porosi private dhe porosi prej qeverisë jo vetëm në Boston por dhe në shumë shtete të Amerikës dhe jashtë saj. Gjatë këtyre viteve kompania më ka dhënë të drejtë bashkautorësie në disa punime. Një prej tyre është dhe shtatorja e Joseph Warren e vendosur në memorialin e tij këtu në Boston në 2016. Eksperienca ime e fituar gjatë këtyre vitëve në skulpturën monumentale më jep një garanci të madhe për të marrë përsipër çdo porosi sado e madhe apo e vogël qoftë ajo dhe të mendoj seriozisht për përspektivën e jetës time në fushën e artit monumental por jo vetëm.

BASHKËPUNIMET ME KOMUNITETIN SHQIPTAR NË BOSTON

Njëkohësisht jam përpjekur të jap kontributin tim për komunitetin tonë shqiptar këtu në Boston dhe Worcestër. Në vitin 2014 mora pjesë në ekspozitën që kisha jonë e Shën Gjergjit që në e kemi pagëzuar si kisha e Fan Nolit këtu në Boston, realizoi me artistët shqiptarë. Për festimin e 100 vjetorit të themelimit të Kishës së Fan Nolit realizova një reliev për Fan Nolin i cili ishtë në argjile (Clay) dhe ishte në proces e sipër. Me dëshirën e peshkopit Artur Liolin u vendos që ky reliev të vendosej në kishën e shqiptareve të Worcestër. Fatëkeqësisht kjo nuk ndodhi dhe ngeli thjeshtë një premtim. Në vitet 2020 me ndihmën e një donatori mu kërkua të dizenjoja një bust për Fan Nolin i cili do vendosesh të kisha në Worcestër. Në momentin që ne ishim drejtë finalizimit, pandemia shpërtheu dhe mu komunikua se donatori u tërhoq nga kjo inisiativë. Gjithçka ngeli në letër.

RIPRODHIMI I ORIGJINALIT TË STAMPËS SË BIBLIOTEKËS SË FAIK KONICËS

Me rastin e dërgimit të Bibliotekës së Faik Konicës në Bibliotekën e Tiranës mu besua riprodhimi i origjinalit të stampës së Biblotekës së Faik Konicës. Me ftëse të arganizatorëve të festivalit që organizohet në kishën e Worcestër në çdo 2 vjet kam marrë pjesë me punimet e mija artistike duke shtuar larmishmërin e këtij aktiviteti. Dëshira ime për të kontribuar për komunitetin shqiptar kudo që gjendet në Amerikë është shumë e madhe. Jam i hapur për çdo ide propozim apo kërkesë për të kriuar vepra arti që do i shërbejnë memories sonë kombëtare dhe popullit shqiptar kudo ku ndodhet.

PJESËMARRJA NË KONKURSIN NDËRKOMBETAR TË SKULPTURAVE TË RËRËS

Një prej përpjekjeve të mia për të ekspozuar talentin tim dhe prejardhjen time ishte dhe pjesëmarrja këtë vit në Konkursin Ndërkombëtar të Skulpturave të Rërës që këto ditë u mbajt në Revere Beach të Massachusetts. Këtë vit ajo festonte përvjetorin e 20 vitëve të këtij festivali dhe u ndieva shumë i privilegjuar të isha i përzgjedhur ndër 15 skulptorët më të mirë të botës të kësaj gjinie. Edhe pse ishte një sfidë e re për mua, pasi ishte hera e parë të krijoja një skulpture rërë dhe të merrja pjesë në një konkurs internacional. Krijimi im mori shumë vlerësime të mira nga komuniteti, Bashkia dhe organizatorët e këtij festivali të cilët më premtuan dritën jeshile në konkurset e ardhshme. Kjo eksperiencë e bukur po me shtynë të mendoj për një plan ambicioz për të realizuar edhe në Shqipëri një festival të ngjashëm me shpresën se një iniciativë e tillë do i jepte një hov të madh turizmit në Shqipëri.

I FRYMËZUAR NGA SKENDERBEU, NËNË TËREZA, FAN NOLI E FAIK KONICA

Gjatë këtyre viteve të krijimtarisë sime artistike frymëzim i madh për mua kanë qënë dhe figurat emblematike kombëtare si Skenderbeu, Nënë Tëreza, Fan Noli, Faik Konica etc. Gjithmonë ëndrra ime e madhe ka qënë për komunitetin tonë, realizimi i një memoriali të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skenderbeu. Me bindjen se ky memorial do ishte një pikë referimi dhe bashkimi sidomos për të gjithë emigrantët shqiptarë që banojnë në U.S.A. Në përgjithësi skulptura monumentale ka shërbyer për popujt si një ilustrim i historisë së tyre dhe për të mbajtur kujtesën e tyre gjallë brez pas brezi. Sot janë ato dhe çdo vepër arti tjetër që ne trashëgojmë nga e kaluara duke filluar që nga pikturat e para të njërëzimit të realizuara brenda shpellave dhe më vonë tempujt e stolisur me artifaktë si skulptura, afreske, hiroglife dhe qëramika të cilat hedhin dritë mbi jetën dhe etapat që civilizimi ka ndjekur ndër shekuj. Sot ne ato i ruajmë me fanatizmin më të madh dhe shumë prej tyre jan të tepër të çmueshme.

ÇFARË TRASHËGIMIE PO I LËMË NE BREZAVE TË ARDHSHËM NË TROJET SHQIPTARE?

Fatkeqësisht në vendin tonë dhe në Kosovë kryesisht, nepotizmi dhe korrupsioni është duke vrarë vlerat e skulpturës monumentale. Artistë me lidhje nepotike dhe pa eksperiencën e duhur kanë realizuar monumente të cilat duken shumë amatoreske dhe në disa raste të papranueshme. Si mund të jetë i pranueshëm një monument i një heroi ku këpucët apo lidhëset e këpucëve, tegelat dhe komcat për nga studimi vendosen në plan të parë dhe portreti lihet në hije apo injorohet plotësisht? Shumë herë duhet të lexosh mbishkrimin për të mar vesh se për kë bëhet fjalë. Aq më keq ku shumë monumente, përsa i përket anës kompozicionale dhe raporteve dispropocionale, duket sikur përsërisin njëra-tjetrën. Jam i bindur që një ditë do jetë vetë komuniteti që do i zëvendësojë me skulptura dinjitoze sepse hapësirat publike janë në funksion të komunitetit dhe jo në funksion të matrapazëve pseudoartistë. Duke u bazuar në eksperiencën time të fituar këtu në Amerikë e sidomos teksa dhe studjoja ku unë punoj prej 19 vitesh, nuk pajtohem asesi me mënyrën sesi abuzohet me ambjentet publike si në Shqipëri dhe në Kosovë. Këtu në Amerikë shpallen konkurse dhe në raundin e parë seleksionohen artistët më të kualifikuar, kompani ose studio arti të ndryshme. Në raundin e dytë këtyre krijuesve u kërkohet realizimi i një maketi dhe komisioni në bashkëpunim me komunitetin shpallin fituesin e realizimit të veprës. Dhe shumë e rëndësishme është se, të përzgjedhurve u jepet një kohë e mjaftueshme për të dizenjuar dhe krijuar maketin veçanërisht kur bëhet fjale për figura historike kombëtare. Këtu më vjen ndërmend një konkurs aspak dinjitoz që u organizua nga Bashkia e Lezhës për të ngritur një memorial në nderim të Besëlidhjes së Lezhës. Së pari, pa bërë seleksionimin e artistëve, u kërkua që kushdo mund të merrtë pjesë dhe më pak se një muaj pjesëmarrësit duhej të kunkuronin me bocetin e realizuar pa maket dhe dizanjë eksterieri. A thuajse bëhej fjalë për ndonjë punim arti që do vendosej me ndonjë mjedis kopështi? Doja të merrja pjesë por u tërhoqa duke parë se një konkurs i tillë s’ishte dinjitoz por fyes dhe denigrues për një prej ngjarjeve me kulmore historike të kombit tonë. Shumë artistë ju përgjigjen thirrjes por çfarë rezultati mund të japesh në 1 muaj. Domosdoshmërisht ai konkurs duhet të përseritët përsëri që publiku i Lezhës dhe kombi ynë në tëresi të ketë më së fundi në thesarin e tyre një prej monumentëve me të arrira artistikisht dhe funksionalisht. Shpresoj që e ardhmja e artitit monumental te ne të flasi me gjuhen e arësyes dhe ti shërbejë sa më mirë atij komuniteti i cili u ka besuar dhe i ka votuar për ti shërbyer me dinjitet dhe ndershmëri profesionale për aq kohë që ata janë në shërbim të komunitetit.

Filed Under: Opinion

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 56
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT