• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2024

Itaka brenda nesh

July 6, 2024 by s p

Agim Baçi/

A jemi të gjithë nga pak Odise që kemi nevojë për një “Itakë dashurie”. Milan Kundera ka mundur të ndërtojë një përmendore fjalësh ku dallohet qartësisht portreti i Odiseut që kërkon të mbërrijë në Itakë, sepse beson se e pret Penelopa dhe gjithçka që ai ka dashur. Por rruga drejt asaj që mendojmë, se është jona, se na takon ne, nuk kalon përmes limaneve të qeta, por shpesh përmes dallgësh dhe ka gjithnjë çmimin e vet.

Ky autor i rrokullimave të vogla që sjellin gjëma të mëdha, ka mundur të përcjellë pikëpyetjet e ndjesive për të gjithë ata që në kthimin diku, nuk janë gati të përballen me harresën, me dhimbjen që vjen nga ndryshimi, nga ajo që nuk përputhet me atë që kanë mbajtur në mendje. Ndodh pothuajse ashtu, teksa flasim në përditshmëritë tona, me njerëz që kanë kohë që kanë emigruar apo edhe migruar, e flasin për vendet e fëmijërisë apo rinisë së tyre me një gjuhë që jo vetëm që nuk i përket, por as që nuk do të mund ta kuptojnë as vetë kur do t’u duhet të shkojnë.

E vetmja që mundet t’i shpëtojë dhimbjes së harresës mbetet dashuria – e vetmja ndjesi që krijon kohën e vet. Irena dhe Jozefi, dy personazhet kryesorë të Milan Kunderës në librin “Mosdija”, janë dy çekë të larguar nga Çekia në kohën kur ende ishin komunistët në pushtet, dhe kthehen në atdhe pasi kishin ndërtuar jetët e tyre për 20 vjet në Francë e Danimarkë. Takohen rastësisht në aeroport në Paris gjatë kthimit në Pragë, duke ndezuar motorrin e së shkuarës, pa ditur se ajo që mbetej “si dikur” ishte vetëm dashuria. Madje, pa e ditur kurrë se ajo qëndron aty, e fshehur brenda nesh, gjithnjë gati të marrë shtat, nëse do t’i hedhim “sytë” drejt saj.

“Në të njëzet vjetët që Odiseu mungonte, itakasit mbanin mend shumë gjëra të tij, por nuk kishte nostalgji për të. Ndërsa Odiseu vuante nga nostalgjia por nuk kujtonte asgjë. Këtë kontradiktë të çuditshme do ta kuptojmë po të mendojmë se kujtesa, që të mund të veprojë, ka nevojë për ushtrim të vazhdueshëm: kujtimet humbasin po të mos i thërrasim përsëri e përsëri nëpër bisedat me miqtë. Ikanakët që formojnë koloni bashkëatdhetarësh, përsërisin midis tyre deri në neveri të njëjtat histori, dhe kështu ato nuk harrohen kurrë. Të gjithë të tjerët që nuk bëjnë shoqëri me bashkëkombas, sikundër Irena ose Odiseu, preken pashmangshmërisht nga amnesia. Sa më e madhe është nostalgjia e tyre, kaq më shumë zbrazet nga kujtimet. Sa më shumë alarmohej Odiseu, aq më shumë harronte. Sepse nostalgjia nuk e forcon veprimtarinë e kujtesës, nuk zgjon kujtime, por mjaftohet tek vetja, tek mallëngjimi, ashtu siç është tërësisht e thithur nga dhimbja e saj”. (“Mosdija”, roman nga Milan Kundera, në shqip nga Mirela Kumbaro)

Një roman që ngre një pyetje të rëndësishme përpara gjithkujt që ka lëvizur nga vendlindja, që ka shtegtuar dhe ka ndërtuar një jetë tjetër dikur larg oazit ku ka hedhur hapin e parë, kur gërmëzoi fjalën e parë, kur njohu miqtë e parë dhe ku rroku ndjesitë për botën dhe dashurinë: mund të jetojmë me kujtime apo duhet të përpiqemi të bëjmë jetën sipas asaj që na ka ndodhur në jetë?

Jozefi kupton se Itaka e tij është vetëm në mendjen e tij dhe se ai mund të kuptonte vetveten duke besuar atë që i kish ndodhur 20 vjet larg vendlindjes. E kupton këtë kur gjendet përballë ditarit të tij, kur e hap dhe shkruan një fjali. Dhe në një çast thotë me vete: “Çudi, është i njëjti shkrim, por nuk jam i njëjti njeri”! Sepse ne jemi të njëjtët, por nëse kemi kuptuar se e shkuara dhe e tashmja kanë të njëjtën rëndësi për ne. Përndryshe, nëse të shkuarën e ngarkojmë gabimisht mbi të tashmen, apo edhe e kundërta, thjesht do të thotë që ëndërrojmë mbi shtratin e gënjeshtrës.

Paralelizimi me udhëtimin e Odiseut drejt Itakës së tij nuk është një rikthim tek një vend, por një thirrje për të udhëtuar drejt asaj që duam, asaj që na bën të jemi dikush përpara vetes sonë. Ne të gjithë e kemi një Itakë për të kërkuar. Thjesht duhet ta dimë se cila është. Mund të jetë aty, brenda mureve tona, me miqtë, me atë që dëshirojmë të arrijmë. Eshtë një dashuri e përhershme. Duhet ta shohim brenda nesh, e jo duke besuar se është atje ku ne nuk ishim, ku nuk mundëm të shkonim, kur na larguan. Eshtë ajo që duam. Ne vetëm duhet të dimë ta duam Itakën tonë pa u frikësuar nga asnjë “shtrëngatë” në udhëtimin drejt saj, jo duke u mbështetur në nostalgji, por në dashuri.

“Kur të rritet, në këto ngjashmëri do të gjejë njëtrajtshmërinë vajtuese të njerëzve (që për ta puthur ndalojnë në të njëjtën pikë, kanë po ato shije në veshje, i bëjnë një gruaje komplimenta me të njëjtën shprehje metaforike) dhe monotoninë lodhëse të ngjarjeve (që janë thjesht një përsëritje e pambarimtë e së njëjtës ndodhi); por në adoloshencën e saj, rastësitë i merr si çudi, krejt e padurueshme për të deshifruar kuptimin e tyre. Fakti se i dashuri i sotëm i ngjan çuditërisht të dashurit të dikurshëm, e bën të dashurin e parë akoma më të veçantë, akoma më tip, dhe ajo beson se, në një mënyrë të pakuptueshme, ai është paracaktuar për të”. (“Mosdija”, Milan Kundera)

Filed Under: ESSE

“Qark i (pa)mbyllur burgjesh. Masakra e Dubravës”

July 6, 2024 by s p

Prof. Shemsi Krasniqi/

Kam nderin dhe kënaqësinë të flas për librin e Enver Dugollit “Qark i (pa) mbyllur burgjesh. Masakra e Dubravës”, jo vetëm për faktin se fillim e mbarim, bëhet fjalë për një rrëfim rrënqethës, por edhe për faktin se rrëfimi është i bazuar mbi përvojën personale të autorit; pra është rrëfim mbi ngjarjet dhe situatat të cilat i ka përjetuar një i burgosur politik, e pastaj peng i luftës, për më shumë se katër vjet, në hiq më pak se shtatë burgje. Rrëfimi pra është histori personale, por pasqyron përvojën edhe të qindra e mijëra të burgosurve tjerë të cilët u mbajtën, u rrahen dhe u torturuan pafundësisht, e disa prej tyre edhe u vranë, vetëm pse ishin shqiptarë, vetëm pse donin lirinë e vendit të tyre, Kosovës tonë të dashur.

Ndihem i nderuar të flas për këtë libër edhe për faktin se autori Enver Dugolli, është një aktivist i çështjes kombëtare që nga rinia e tij e hershme. Pas dy burgosjeve shumëvjeçare, pasi që ka mbijetuar nga torturat e panumërta, pasi ka mbijetuar edhe nga masakra e Dubravës, mbasi që është liruar nga burgu gati dy vjet pas çlirimit të Kosovës, ai ka kryer funksione të rëndësishme publike dhe shtetërore. Sot është deputet i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje. Enveri është një zë i arsyeshëm i cili kontribuon vazhdimisht për të mirën e vendit.

Unë mund të numërojë edhe arsye tjera pse jam i nderuar të flasë në këtë rast, por më duhet ta përmend edhe diçka që për mua është mjaft domethënëse. Enveri ka qenë student në Departamentin e Sociologjisë dhe unë kam pasur kënaqësinë të isha profesor i tij. Anipse dallohej me moshë nga studentët tjerë, ai dallohej edhe me sukses, e sidomos me dinjitetin dhe modestinë që tregonte duke mos e imponuar kurrë autoritetin e tij të një të burgosuri politik të dikurshëm apo të një ushtaraku të FSK-së, të mëvonshëm. Ishte i njerëzishëm dhe shumë miqësor si me studentët, ashtu edhe me profesorët dhe për këtë falenderoj!

Thash se bëhet fjalë për një rrëfim të bazuar në përvojë reale dhe personale. Rrëfimi fillon prej datës 26 janar 1997, ditën kur morri vesh për arrestimin e disa shokëve të tij dhe mbaron me datën 9 mars 2001, ditën kur u lirua nga burgu. Rrëfimi pra i referohet një periudhe më shumë se katërvjeçare. Mes këtyre dy datave, janë gjithsejtë 1502 ditë, të cilat për Enverin, e sigurisht se edhe për shokët e tij në burg, kanë qenë ferr i vërtetë! Ferr po, por ja që sot Enveri gjen forcën dhe qetësinë, e besa edhe mjeshtërinë e një rrëfimtari të vërtetë, për të treguar me hollësi krejt ato momente të cilat i ka përjetuar në burg. I përshkruan me hollësi, por jo me tepri. I rrëfen qartë dhe me stil, jo vetëm si një dëshmitar që ka kujtesë të freskët e të plotë, por edhe si një letrar me stil shkrimi, që përveç skenave dramatike dhe tragjike, ofron edhe çaste reflektuese, interesante si nga aspekti psikologjik e filozofik, ashtu edhe nga ai politik e historik. Ngjarjet që na i rrëfen autori të shtyjnë të mendosh se çka mund të bëjë urrejtja njerëzore të cilën e ka riprodhuar pandërprerë regjimi shtypës, vrastar dhe gjenocidal i Millosheviqit; të bëjnë me dije se çka kanë vuajtur shqiptarët nga regjimi serb dhe jugosllav, për pothuajse një shekull. Ama, këto të shtyjnë të mendosh edhe për diçka tjetër, për atë se çka mund të durojë njeriu i cili ka një ideal të fortë, ka një qëllim, ka një vizion, i cili ngritet shumë përtej vetës personale dhe arrin deri tek vetja kolektive, te ajo që quhet komb ose çlirim kombëtar.

Zonja dhe zotërinjë,

Nuk është lehtë të flitet për një libër, ku secila faqe e tij mund ta prodhojë një libër tjetër. Prandaj më së miri është që të lexohet e të kuptohet se sa kanëi vuajtur shqiptarët nën regjimin serb, e sidomos të burgosurit politikë, si edhe të shihet se sa e nevojshme është që krijuesit tjerë, mbi këto rrëfime, të bëjnë film, teatër ose edhe letërsi, pra vepra tjera të cilat do të mund t’i pasqyronin çastet milimetrike të jetës njerëzore, të ekzistencës dhe fatit njerëzor.

Përfundime:

• Libri i Enver Dugollit “Qark i (pa) mbyllur burgjesh. Masakra e Dubravës” është burim dokumentues si për ngjarjet, ashtu edhe për gjendjen e të burgosurve shqiptarë në burgjet serbe. Është një rrëfim mjaft emocional dhe është njëfarë arkivi i kujtesës mbi një përvojë tepër të veçantë. Ky libër pasuron letërsinë tonë – zhanrin e saj që sot quhet “letërsia e burgut”.

• Torturat çnjerëzore deri në shkallë sadizmi, më shumë sesa nga abuzimi me pushtetin, burojnë nga urrejtja patologjike, nga politika dhe praktika gjenocidale e regjimit serb ndaj shqiptarëve.

• Mungesa e drejtësisë dhe pandëshkueshmëria e krimit, jo vetëm se është padrejtësi e dytë ndaj viktimave, por është edhe potencial dhune edhe për raste tjera, kudo qofshin ato. Prandaj drejtësia është parandalim, është mësim. Në këtë aspekt, Enveri është përpjekur ta vë drejtësinë në vend duke përgaditur padi për masakrën e Dubravës. Faleminderit Enver!

• Përkthimi dhe botimi frengjisht I këtij libri, pas atij anglisht të botuar më herët, I jep mundsi lexuesit frankofon, të kuptojë më mirë realitetin kosovar nën sundimin e regjimit serb. Faleminderit Sébastien!

Filed Under: Kronike

143-vjetori i vdekjes së Hasan Tahsinit (1811-1881)

July 6, 2024 by s p

Processed with VSCO with 1 preset

Muzeu Historik Kombëtar/

Veprimtar i Rilindjes Kombëtare, filozof dhe dijetar në fusha të ndryshme të shkencës, si astronomi, matematikë, psikologji etj. Lindi në fshatin Mina të Çamërisë (Sarandë), ku mori mësimet e para. Vijoi shkollimin në një nga medresetë më të njohura të Stambollit. U caktua rektori i parë i Universitetit të porsahapur të Stambolli (1870). Veprimtaria e Hasan Tahsinit për përhapjen e diturive shkencore, që ishin në kundërshtim me qëndrimin e autoriteteve shtetërore e fetare të kohës, ra në sy; ai u shkarkua nga detyra e rektorit dhe u përzu nga Universiteti.

Hasan Tahsini qe një ndër veprimtarët më aktiv të Rilindjes Kombëtare. Qysh në vitin ’60, në bashkëpunim dhe me atdhetarë të tjerë, si Kostandin Kristoforidhi, filloi të mendojë dhe të veprojë për krijimin e shoqërive që do të punonin për përhapjen e diturisë midis Shqiptarëve dhe për hartimin e një alfabeti të ri të gjuhës shqipe. Hasan Tahsini u përndoq e u burgos për veprinë e tij atdhetare nga fanatikët e njerëzit me mendime prapanike, por ai nuk u largua nga bindjet shkencore dhe nga rruga e tij për zhvillimin e kulturës dhe për afirmimin e kërkesave kombëtare të shqiptarëve.

Photo: wikipedia.org

Filed Under: Histori

Frang Bardhi, leksikografi i parë, historiani, folkloristi dhe etnograf i kontributeve të vlerta kombëtare

July 6, 2024 by s p

Albert Vataj/

Frang Bardhi, leksikografi i parë, historiani, folkloristi dhe etnograf i kontributeve të vlerta kombëtare

Autori i tretë i rëndësishëm i letërsisë së vjetër shqiptare është Frang Bardhi. Midis autorëve të tjerë të kësaj periudhe, Bardhi zë një vend të vecantë. Duke ndjekur vazhdën e paraardhësve në veprimtarinë atdhetare, në fushën e krijimtarisë letrare i kalon caqet e përkthimeve fetare. Ai kishte interesa më të gjera. Bardhi bëri edhe përkthime fetare, por ato mbeten të pabotuara dhe humbën, prandaj ai ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare si leksikografi i parë shqiptar, si historian, folklorist e etnograf. Bardhi studiohet në historine e letërsisë sonë me dy vepra oigjinale: “Fjalori latinisht-shqip„ dhe “Apologjia e Skënderbeut„. Këto vepra e lidhin atë më tepër me humanizmin shqiptar sesa me traditën e letërsisë fetare të shekujve XVI-XVII.

Frang Bardhi ndërroi jetë më 1 korrik të vitit 1643. Ipeshkvi shqiptar i përket aradhes së atyre priftërinjve e ipeshkvijve shqiptarë, të cilët, duke kultivuar gjuhën shqipe e ushqyer shpirtin, kishin si synim shpëtimin e kombit nga asgjësimi e falimentimi politik e fetar.

Edhe për jetën e Bardhit dhe për veprimtarinë e tij kemi pak të dhëna. Lindi në Kallmet të Zadrimës më 1606. Ai sikurse edhe Budi, krenohej që i perkiste një familjeje pjestarët e së cilës nuk u rreshtuan me pushtuesit.

Studimet i kreu në Itali, në kolegjin e Loretos dhe pastaj në atë të Propaganda Fides. Me 1635 u emërua peshkop i Sapes ( Zadrimë ). Në veprimtarinë e tij politike Bardhi do te jetë në rradhët e para të atdhetarëve që i përkushtohen luftës për t’u cliruar nga zgjedha e huaj, zhvillimit dhe përparimit të vendit dhe të gjuhës shqipe.

Gjendja e mjeruar e popullit nën sundimin e egër osman, dëshira dhe përpjekjet për t’a ndihmuar atë që të shpëtonte nga kjo robëri, ishin shqetësime që e mundonin vazhdimisht Bardhin. Kjo duket edhe në relacionet që i dërgonte herë pas here Papës. Ja si shprehet në relacionin e vitit 1641 për rëndimet dhe poshtërimet që u bëheshin fshatarëve shqiptarë, sidomos të krishterëve, nga arbitrariteti i feudalëve turq: “Dhjetë ose pesëmbëdhjetë turq bashkohen dhe kalojnë nëpër shtëpitë e krishterëve dhe hanë e pinë sa të kenë oreks, gjithë ditën gjithë natën pa paguar asgjë. Ai i shkreti nuk mund të thotë se nuk ka bukë, verë, mish e tagji për kuajt e tyre, sepse ia përmbysin shtëpinë dhe e rrahin egërsisht. Po nuk pati, duhët të lerë peng rrobat e trupit për të ngopur lakmitë e tyre të mbrapshta …”

Relacionet e tij kanë edhe më shumë të dhëna të tjera për gjendjen shpirtërore të popullit, për zakonet, traditën e tij etj. Ashtu si edhe Budi, madje që në hapat e parë të jetës së vet, si misionar i fesë, Bardhi hyri në konflikt të hapur me klerin e huaj, madje edhe me ungjin e vet, Gjergj Bardhin, të cilin edhe do ta padise si një nga shkaktarët e vullnetshëm të mbytjes së Budit. Konflikti do të ishte aq i ashpër sa me një letër drejtuar Vatikanit vetëm 4-5 vjet pasi kishte ardhur në Zadrimë, do të shkruante: “Në qoftë se do të shpëtoj i gjallë nga telashet që më shkakton kryepeshkopi, qoftë ai vetë, qoftë me anën e zotërinjve turq, do të vij në Romë, për t’i treguar të gjitha dhe për të kërkuar ndihmë.

Bardhi e shikonte detyrën e peshkopit jo thjesht si të një misionari kishëtar, por edhe të pregatiste të rinj shqiptarë të shkolluar e t’i vinte fre dërgimit të misionarëve të huaj në viset shqiptare. Ai kërkonte klerikë të arsimuar shqiptarë, që t’u hiqeshin nga duart misionarëve të huaj shkollat që ishin hapur në vendin tonë për qëllimet e tyre të mbrapshta. Ai vetë, kishte nxitur dhe dërguar për studime në Itali, klerikë të vendit, të cilët do të merrnin dorë drejtimin e këtyre shkollave.

Vitet e fundit të jetës së Bardhit në vend që të ishin vite pune në lëmin e gjuhësisë e të letërsisë shqipe dhe të lëvizjes shqiptare për t’u çliruar, siç pritej prej hartuesit të fjalorit të parë të shqipes, përmbledhësit të parë të folklorit të parë të shqipes, prej mbledhësit të parë të folklorit tonë dhe prej mbrojtësit erudit të shqiptarisë së Skënderbeut, ishin vite lufte kundër pushtimit të huaj, ashtu edhe kundër synimeve të kishës katolike të Romës, vite që e lodhën shumë. Duke u gjendur në pellgun e kundërshtimeve dhe të intrigave që u thurren kundër tij më në fund u dorëzua, në mos drejpërdrejt, tërthorazi. Vdiq fare i ri, në moshën 37-vjeçare, në një kohë kur mund të ndihmonte shumë për zhvillimin dhe përparimin e vendit e të kulturës shqiptare.

Megjithatë Bardhi mbetet një nga figurat më të shquara të kulturës shqiptare për kohën kur jetoi. Ai na la trashëgim dy vepra madhore “Fjalorin latinisht-shqip„ dhe “Apologjja e Skënderbeut„. “Fjalorin latisht-shqip„ Bardhi e shkroi që kur ishte student dhe e botoi më 1635 në Romë. Autori thotë se e shkroi këtë vepër që t’i ndihmonte “…gjuhës sonë që po bdaret e po bastardhohet sa me parë të ve …„ Bardhin e brente kështu shqetësimi si ta ruante gjuhën shqipe që të mos prishej e të mos humbiste me të kaluar të kohës në kushtet e pushtimit osman, dhe nga ana tjetër t’u shërbente edhe klerikëve katolike shqiptarë që nuk dinin gjuhën latine. Fjalori përmban rreth 2.500 fjalë shqipe. Krahas fjalëve, jepen edhe togfjalësha që tregojnë përdorimin e tyre. Në këtë fjalor për herë të parë gjuha shqipe ballafaqohet me një gjuhë të përpunuar, siç ishte gjuha latine në atë kohë.

Përkthimi në shqip mbështetet kryesisht në gjuhën popullore, në fondin kryesor të gjuhës sonë, por shpeshherë Bardhi sjell në përdorim edhe shume fjalë të lashta. Me këtë vepër zë fill leksikologjja shqiptare, ndaj me të drejtë Bardhi quhet edhe leksikologu i parë në historinë e gjuhës shqipe.

Në fund të fjalorit, në një shtojcë, autori ka perfshirë edhe material gjuhësor, si; emra mashkullore e femërorë, emra farefisnie, emrat e qyteteve dhe të kështjellave kryesore të Shqiperisë, parafjalë, pasthirrma, disa mënyra të përshëndeturi si dhe një dialog të shkurtër.

Por kjo vepër i hapi rrugë dhe një dege tjetër të dijes shqiptare, folkloristikës sonë, sepse në të jane përfshirë edhe 113 proverba, shumica origjinale dhe vetëm pak të përkthyera. Edhe në zgjedhjen e tyre autori niset nga qëllime të qarta patriotike. Ndër këto proverba, interes të veçantë kanë ato që dëshmojnë për vetitë e bukura morale të popullit tonë, veçanërisht ato që shprehin urrejtjen për pushtuesin, si : “Tek shkel turku, nuk mbin bar„ etj.

Në fjalorin e tij ka përdorur alfabetin latin, pothuajse njëlloj si Buzuku e Budi, me ndonjë ndryshim të vogël, çka të bën të mendosh se duhet të ketë njohur veprat e tyre.

Vepra tjetër e njohur e Bardhit është “Apologjia e Skënderbeut”, botuar latinisht në Venedik më 1636. Titulli i saj i plotë është: “Gjergj Kastrioti epirotas, i quajtur zakonisht Skënderbe, princ trim mbi trima dhe i pathyeshem i shqiptareve, u kthehet bashkëatdhetarëve dhe atdheut të tij prej Frang Bardhit”. Vepra në të vërtetë është një apologji (mbrojtje) që i bën autori Skënderbeut, si bir dhe hero i popullit shqiptar, prandaj edhe është quajtur Apologjia e Skënderbeut. Këtë vepër autori e ka shkruar për 15 ditë, në kulmin e zemërimit, në rrugë e sipër, kur po kthehej në Shqipëri për të hedhur poshtë mendimet e pathemelta të një peshkopi boshnjak, që i mohonte Skënderbeut prejardhjen shqiptare. Më 1631 boshnjaku Tomko Marnavici kishte botuar një libërth ku pretendonte se Skënderbeu nuk ishte me origjinë shqiptare, por boshnjake, madje nga familja e Marnaviçëve. kjo rrethanë i jep veprës një frymë të mprehtë polemike dhe një stil energjik.

Këtë falsifikim Bardhi e quan të “kobshëm„ dhe ai iu vu punës për këtë vepër, se, po të heshtte, i dukej sikur do të tradhëtonte veten dhe atdheun. Pra , është ndjenja atdhetare ajo që e bren përbrenda autorin. Por fuqia e mendjes dhe e punës së tij bëhet më e madhe kur kjo ndjenjë përkon me drejtësinë e çështjes që mbron. Bardhi do t’i japë popullit të vet atë që i përket, duke pasur parasysh më tepër të vërtetën se sa atdheun, ashtu sic nuk do t’i lejonte vetes të rrëmbente një populli tjetër atë çka i përket atij. Dashuria e tij për atdheun fisnikërohet aq sa është e lartë edhe madhështore ideja dhe ndjenja e së vërtetës “Unë e mora përsipër këtë barrë, – thotë Bardhi, – jo për ndonjë arsye tjetër, veç që të qes para syve të tu (lexues) të vërtetën lakuriqe, të panjollosur, sepse kjo s’ka nevojë të lyhet e të stoliset me fjalë të bukura edhe të rrema”.

Dashuria për atdheun, për të vërtetën, për popullin, për historinë dhe heroin e tij, për gjuhën dhe traditat e larta janë idetë themelore që përshkojnë fund e krye veprën. Mendjemprehtësia, kultura, horizonti i gjerë dhe aftësia për t’i përdorur me mjeshtëri argumentet janë karakteristika dalluese të veprës dhe të vetë autorit.

Për të mbrojtur shqiptarësinë e Skënderbeut autori niset nga argumente të sigurta dhe të shumta historike, pa nënçmuar gojëdhënat. Ai zotëron plotësisht metodën e shkencës historike të kohës dhe vlerëson e krahason në mënyrë kritike burimet historike. Përveç kaq e kaq historianëve në zë që sjell si argumente në mbrojte të tezës së vet të drejtë, Bardhi si një njohës dhe mbledhës i i traditës gojore popullore, për të vërtetuar shqiptarësinë e Skënderbeut, shfrytëzon me mjeshtëri të rrallë gojëdhënat dhe faktin që emri i Skënderbeut dhe kujtimi i tij rrojnë të gjalla në ndërgjegjen e popullit.

“Vazhdimisht gjer në ditët e sotme, – shkruan autori, – bashkëkohësit tanë flasin për të dhe këndojnë me zë të lartë trimërinë e tij nëpër gostitë… dhe e quajnë Skënderbeun tonë me emrin “Kuçedra e Arbrit”, d.m.th. dragoi i Epirit. Dhe sa herë që shqiptohen këto fjalë, kuptohet vetëm Skënderbeu”.

Ndjenja patriotike, dashuria për popullin dhe vendin e vet, krenaria për të kaluarën e tij të lavdishme dhe admirimi për heroin që çuditi botën me trimërinë e tij përshkojnë gjithë veprën. Këto përcaktojnë edhe disa cilësi të stilit të autori , si: patosin e ngritur, frazën e gjatë dhe të ngjeshur, gjuhën e mprehte plot thumba, për të hedhur poshtë fallsifikimet e kundërshtarit etj. Këto tipare e bëjnë veprën jo thjesht një polemikë historike, por një libër me vlera letrare. Njeri me kulturë të gjerë dhe mendje të mprehtë, Frang Bardhi, duke vazhduar traditën e Barletit në historiografinë shqiptare dhe duke hapur rrugë në fushën e leksikograisë e të gjurmimeve etnografike, me veprën e tij u bë një figurë e shquar e kulturës shqiptare të shekullit XVII.

Filed Under: Opinion

S’ka- Ndal! –   Akt Heroizmi blerja e një  apartamenti në Tiranë 

July 5, 2024 by s p

Satirë nga Rafael Floqi

kulla tirane

Një ditë më parë, një grup investitorësh të pasigurt nga diaspora vendosën të bënin një akt heroik: të investonin në një apartament në Tiranë. Ata shkuan në një agjenci të pasurisë së paluajtshme, ku u pritën nga një agjent i ndërgjegjshëm dhe i gatshëm t’i ndihmojë.

Agjenti i ndërgjegjshëm, i njohur ndryshe si “Shpëtimi i Investitorëve”, i priti me një buzëqeshje të ngjashme me atë të një krokodili, që po planifikon një darkë të shijshme. Ai u tregoi investitorëve një album me fotografi të apartamenteve të ndërtuara, të cilat dukeshin si kullat e Babelit të ndërtuara nga legot. Investitorët u ndjenë tërhequr nga pamja e këtyre ndërtimeve, edhe sepse kush nuk do të donte të jetonte në një kullë legoje? 

Agjenti i ndërgjegjshëm u tregoi investitorëve se vetëm 14% e apartamenteve ishin të zëna. “Kjo është një mundësi e madhe!” u tha ai. “Ju mund të jeni një prej 14% të parëve që do të kenë një apartament të tyre. Përveç kësaj, ju do të keni një pamje të mrekullueshme drejt ndërtimeve të tjera të bosh.”

Rreziku i Investimit

Por, një investitor i zgjuar pyeti: “Çfarë ndodh me rrezikun e investimit?” Agjenti i ndërgjegjshëm u përgjigj: “Rreziku është minimal. Vetëm 45 vite duhet të presim që të gjitha apartamentet të mbushen. Në këtë kohë, ju mund të shihni ndërtime të tjera që dalin në treg. Nëse jeni të durueshëm, mund të jeni një nga ata që do të shohin shpërthimin e flluskës!” Kështu brenda territorit të vogël të ish Bashkisë Tiranë, popullsia në vitin 2011 ka qenë 557 mijë, ndërsa në 2023, 598 mijë. Pra këtu ka pasur një rritje me 40 mijë banorë për dhjetë vite, ose 3396 në vit.

Strategjia “Blej dhe Fshih”

Imagjinoni, Vërtet kanë fituar një pasuri përmes mënyrave të dyshimta – trafikimi i drogës, shitja e armëve, ose ndoshta një stendë limonate shumë të suksesshme. Cili është hapi tjetër? E thjeshtë! Blej një vilë luksoze me pamje nga Deti Adriatik. Është si një llogari bankare zvicerane, por me një pamje më të mirë. Trafikantët e kokainës janë heronjtë e fshehur të rritjes së tregut të pasurive të paluajtshme në Shqipëri. Ata kanë ngritur pastrimin e parave në nivel arti. Harro llogaritë offshore; investo vetëm në një vilë buzë detit. Është mbulimi perfekt – kush do të dyshonte se një kryebandit po përdor kokteje në krahun e pafund të pishinës?

Dilema e Zyrtarëve të Korruptuar

Politikanët dhe burokratët e korruptuar përballen me një zgjedhje të vështirë: ku të fshehin fitimet e tyre të paligjshme? Ata duhet investime që të krijojnë përshtypjen e “legjitime”, ndërsa fshijnë “marrëveshjet e errëta”. Pronat e paluajtshme janë zgjidhja e duhur. Plus, janë një temë e shkëlqyeshme për biseda në darka: “Oh, kjo vilë? Vetëm një biznes i vogël anësor.” Sindikatat e krimit në Ballkan po shtrihen në nivel ndërkombëtar. Ata nuk janë të kënaqur vetëm me dominimin e territorit të tyre; po diversifikojnë. Motoja e tyre: “Pse të kufizohemi në një vend kur mund të pastroni paratë nëpër kufij?”  Pavarësisht brutalitetit, këta kryebanditë vuajnë nga mungesa e imagjinatës. Përveçse investojnë në projekte inovative, ata qëndrojnë te klasiket: kulla me mermer, vila buzë plazhit dhe komplekse të mbyllura. 

A po shembet piramida e ndërtimeve në Tiranë?

“Në 12 vjet janë dhënë leje për të ndërtuar 9.2 milion m2 vetëm në Tiranë. Oferta për njësi banimi në kryeqytet shtohet me 766 mijë m2 sipërfaqe çdo vit, ose 7600 apartamente të reja në vit. Që këto banesa të mbushen, duhet që në Tiranë të vijnë të paktën 22 mijë banorë në vit” Dhe duke ditur në bazë të pagesës së dritave se 51 mije (pra 14%) apartamente në Tiranë, sot që flasim janë bosh raporti kërkesë ofertë është që tashmë i përmbysur. Me ritmin e rritjes së popullsisë që buron nga Censi 2023 do të duhej plot 45 vjet të mbusheshin shtëpitë që janë bosh në Tiranë, pa llogaritur ato që do të vazhdojnë të dalin në treg. Prandaj herët a vonë shpërthimi i flluskës do të ndodhë gjë që e bën me shumë risk të vijuarin e investimit në një apartament në Tiranë.

Flucka e Ndërtimeve : Një Bombë me sahat?

Tirana, kryeqyteti i zhurmshëm i Shqipërisë, ka parë një rritje të jashtëzakonshme të çmimeve të pronave. Që nga viti 2017, çmimi mesatar i banesave ka dyfishuar. Në fakt, një studim i ri krahasoi raportin çmim-përfitim në Tiranë me atë të Mynihut dhe Milanos. Por a është kjo frenezi e çmimeve një zhvillim negativ? Jo të gjithë mendojnë kështu. Ndërsa disa investitorë shikojnë apartamente luksoze, të tjerë po mendojnë për rreziqet. Tregu mbetet i parashikueshëm, si një parashikim i kapriçioz i motit. Nëse dëshironi të blini për të shitur, konsideroni investimin në ndërtime nën ndërtim—shitja pas një viti mund të sjellë një kthim 15%-20%. Ndaj sindikatat e krimit në Tiranë janë tërhequr nga ndërtimi. Ato nuk janë të kënaqur vetëm me trafikimin e drogës; tani ata trafikojnë edhe apartamente. Nëse keni nevojë për një vend për të pastruar paratë e pista, thjesht shikoni lart drejt kullave të reja në qytet.

Dilema Bregdetare

Por po presim, se ka më shumë! Bregdeti shqiptar ka parë një trend tjetër. Çmimet e pronave atje kanë rënë me 15%. Pra, nëse jeni ndarë midis kryeqytetit të zhurmshëm dhe bregdetit të qetë, zgjidhni me kujdes. Ndonëse, ndoshta bula e Tiranës do të vazhdojë të fryhet, ose ndoshta është vetëm një çështje kohe para se të shpërthejë si një tullumbace në një festë për fëmijë. Kujtohuni, investimi në pasuri të paluajtshme është si loja e shahut me tregun—lëvizjet strategjike kanë rëndësi. Pavarësisht se jeni ushtar ose mbretëreshë, le të jenë aventurat tuaja në Tiranë të arsyeshme dhe frytdhënëse!

Konkluzioni

Investitorët nga diaspora u larguan me një ndjenjë të pakënaqur, por me një ndjenjë të thellë heroizmi. Ata e kuptuan se investimi në apartament ishte një sfidë e madhe, një betejë e gjatë dhe e vështirë. Në fund të fundit, çmimet e pasurive të paluajtshme rriten, ndërsa banesat mbeten bosh. Por mos u shqetësoni, këtu ka një shpjegim: paratë e pista të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kështu që, ndërtues, vazhdoni të ndërtoni – flluska nuk do të shpërthejë, por çmimet do të vazhdojnë të ngrihen! Por, në fund të fundit, ata do të ishin pjesë e historisë: “Njerëzit që presin 45 vjet për të mbushur një apartament në Tiranë. Epo, natyrisht në real estate ka një thënie : “Mos prisni të blini pasuri të paluajtshme, blini pasuri të paluajtshme dhe prisni.” 

Dhe kështu, investimi në apartamente vazhdon, ndërsa kulla e legove priste të bëhej “e xanum”. 

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • 46
  • …
  • 56
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT