• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2024

KUJTESA FILLON NGA VARRET

September 25, 2024 by s p

KOSTA NAKE/

Rastësia kthehet në një rregullsi, marrëdhëniet tona me fqinjin grek herë pas here kalojnë amplituda të mëdha, siç ishte ajo e fundit me zgjedhjet e 14 majit të vitit të kaluar në Himarë. Romani ka tërhequr në oborrin e vet skandalin e ngritjes së varrezave të ushtarëve të vrarë gjatë luftës italo-greke të vitit 1940 duke treguar zhvarrime të njerëzve që s’kishin lidhje me të, madje duke i kthyer në ushtarë edhe skeletet e grave dhe fëmijëve, për më tepër duke e kthyer në një biznes që dëmton edhe figurën e klerikut që merr urdhra nga lart njëlloj si nëpunësit e shtetit. “Ka një erë tjetër, një dimër tjetër që nuk ka lidhje me stinët. Ai është dimri, era e të cilit ulërin në varret e hapura të fshatit K.” Incidenti kulmon me bërtitjen e konsullit grek, sikur të ishte zot shtëpie. “Për një çast m’u duk sikur mbeta pa atdhe.”
Këtë fakt e shfrytëzon autori për të arritur nëpër një rrugë të tërthortë. Si refren që përshkon gjithë veprën është pyetja e prindit për fëmijën “A ke frikë?”, pyetje që merr përsipër të kthehet në bartëse të mesazhit për një nga linjat e subjektit. Është detyrë e prindërve dhe jo vetëm e atyre që të përgatitin fëmijët për jetën dhe një nga hapat e parë është përballja me frikën. Gjyshi Aranit Gusmari niset nga Tirana me të nipin për të kaluar disa netë në mal në një kohë të re. Kur ishte fëmijë ai, rreziku kryesor ishin kafshët e egra; tani rreziku kryesor është njeriu, sepse vendi i strehimit të përkohshëm është kthyer në rrugë ilegale për trafikantët e drogës dhe prostitutave.
Ashtu si një udhëtar që ndez një zjarr për t’u ngrohur dhe pastaj ai përhapet me shpejtësi rreth e rrotull, edhe riti i kthimit në vendlindje për ta përcjellë dashurinë për te brezat që vijnë, befas zbulon një transformim tronditës – braktisjen e fshatit. Së pari, moshat e afta për punë i ka përpirë emigracioni, i cili, përveç karakterit ekonomik të lëvizjes, ka krijuar edhe probleme dhe drama shoqërore siç është ajo e çiftit Llazar dhe Sibora Gjini. Së dyti, ndryshimi i sistemit, edhe pse nuk përmendet nga autori, ka sjellë një ftohje të akullt në marrëdhëniet mes njerëzve, të cilët nuk e shohin njëri-tjetrin në sy, por u vidhen vështrimeve. Njerëzit duken të lodhur nga puna dhe kanë filluar të kërkojnë rrugë të shpejta pasurimi duke bërë që të shtohen të burgosurit. Nga ana tjetër krimi po bëhet më i fuqishëm se ligji, njerëzit e ndershëm në radhët e organeve të drejtësisë nuk japin dot drejtësi sepse u vijnë urdhra nga lart nga njerëz të padukshëm për opinionin shoqëror. Një nga personazhet shtron pyetjen retorike së cilës i përgjigjet po vetë: “E kupton në ç’kohë jetojmë? Në kohën e imoralitetit më të fëlliqur.”
Rikthehemi atje ku dhemb dhëmbi e vete gjuha, autori u bën apel të gjithëve: “Shkoni dhe u thoni njerëzve të mos kujtohen për të vdekurit vetëm kur iu prishen varret. Sepse varret që harrohen, prishen, varret që kujtohen, nuk guxon njeri t’i prishë.” Skenat me zhvarrosje dhe pazare ia lënë vendin një vështrimi të gjatë duke u kthyer në vjeshtën dhe dimrin e vitit 1940. Aty do të shfaqet nëntogeri grek, poeti Odise Elitis përballë nëntogerit italian.
Edhe sikur të mos kishte ndodhur ngjarja e fshatit K., kujdesi për të vdekurit mbetet një çështje universale, por tepër e ndjeshme në Ballkan ku nacionalizmi nuk fle, por vetëm dremit. Në këtë roman ka dy fjali me peshë të madhe: “Kujtesa fillonte nga varret” dhe “Gjëja më e vështirë është të mbrosh jetën e të vdekurve.” E gjejmë edhe jashtë kufijve të sotëm të Shqipërisë me romanin e Kim Mehmetit “Shpërngulja e të vdekurve.”
Romani bëhet interesant me ndalesat që bën aty-këtu për trajtesa filozofike që lidhen me vdekjen, me qafën e njeriut, me ikonat, me burgjet, me nacionalizmin, me pleqërinë, me jetën, me vetminë, etj. Vdekja është e ftohtë si një gur kilometrazhi i lyer me gëlqere, për t’u kujtuar njerëzve sa kilometra kanë përshkuar, por që nuk tregojnë edhe sa kilometra kanë mbetur për t’u përshkuar. Të mendosh për vdekjen nuk do të thotë që ke frikë prej saj. Njeriu mendon për vdekjen për të kuptuar jetën. Njeriu mendon për vdekjen për të kuptuar njeriun. Po e fshehe frikën, ajo bën fole brenda teje dhe nuk pranon të largohet. Çdo kohë ndërton burgjet e saj. Nuk janë në burg të gjithë ata që duhet të jenë. Tërë bukuria e vetmisë qëndron tek të jetuarit mes hollësive të jetës të së tjerëve.
Dialogu është interesant dhe shpesh merr mbi vete pjesën e vet nga barra filozofike. Emrat e personazheve janë pothuaj të parëndësishëm para karakteristikave të tyre: Simoni ishte o një vit më i madh, o një vit më i vogël se Tedi, dhunuesit e varreve janë një i madh dhe tjetri i vogël, kur shkojnë drejt fshatit T., takojnë njeriun me një sy prej qelqi, bashkëpunëtori i priftit që mbledh kocka quhet Skuth dhe blloku i tij me kapak të verdhë mbante brenda misterin e mashtrimit.
Autori ka një ndjesi të madhe ndaj natyrës, ka njohje të thella për faunën dhe brenda veprës ka një leksion artistik për gjallesat, madje njeh dhe gjuhën e tyre. Një inventarizim i shpejtë i tyre shërben si dëshmi për këtë.
Dy pëllumba që djali i merr në Selanik dhe i lëshon për t’u kthyer në fshat dhe ndjekja e tyre nga skifterët shndërrohen në një finale sa madhështore aq edhe tragjike dhe marrin vlerë analogjike me kthimin e emigrantëve në vendlindje.
Përdorimi i gjerë i metaforave në peizazhet e natyrës krijon lirizëm që ka karakterizuar edhe prozën e shkurtër të autorit që në botimet e hershme. A do të jetë brezi i ri i ndjeshëm ndaj tyre?
“Të gjallë dhe të vdekur” përmban gjithçka duhet të ketë një roman: të vërtetën, të bukurën, tronditësen, qartësinë dhe shijen e mirë. Ai karakterizohet nga natyrshmëria paradoksale, nga skenat tragjike, nga rrëfimi i stilizuar poetikisht, nga fryma nostalgjike për të shkuarën, por edhe me ngjarje në bashkëkohësi me ato të gazetave, nga ngritja e narrativës mbi imagjinatën dhe kujtesën.

(Romani “Të gjallë e të vdekur” i Nasi Lerës, Dudaj 2013)

Filed Under: LETERSI

Fjalimi i rrallë i Hasan Tahsinit në çeljen e  Universitetit të Stambollit

September 25, 2024 by s p

Arben Iliazi/

Në shtator të vitit 1869, korifeu i Dijeve, Kryerilindasi Shqiptar, Hoxhë Hasan Tahsini, u emërua si Rektor i parë i Universitetit të Stambollit. Me këtë rast ai mbajti një fjalim të shkurtër në çeljen e universitetit të parë osman në Stamboll, fjalim ky i panjohur deri më sot. 

I vetmi informacion në lidhje me inagurimin e universitetit osman kanë qenë disa rreshta nga shkrimtari dhe diplomati Mehdi Frashëri, në gazetën Minerva (Nr.23-24) viti 1934. Mehdi Frashëri, funksionar i lartë në admistratën e Perandorisë Osmane, ministër në kohën e Mbretërisë dhe për pak kohë kryeministër, shkruan: “Hoxha Tahsini, si shënjë hoxhe ka pasur vetëm sarëkun dhe xhybenë, por nga diturija dhe mentaliteti ka qënë me gjithë kuptimin e fjalës një dijetar i vërtetë edhe një filosof i shekullit ku jetonte. Sidomos ndjenjat kombëtare të tij dhe marrja pjesë në lëvizjen kombtare që u çfaq piksëpari në Stamboll pas luftës Ruso-Turke (1877-1878), jetëshkrimit të tij i japin një rëndësi të posaçme për edukimin e brezit të ri. Në një artikull, botuar në një të përkohshme të Stambollit, të quajtur «Haftallěk Risale», Shemsedin Sami Beu, e kujtonte fjalimin e Hoxha Tahsinit si një fjalim programatik që dëshmonte për dijenitë e gjera dhe shquhej për rrjedhshmëri mendimi”. (Sami Frashëri ‘Revista Haftallěk, Hoxha Tahsin’ Stamboll 1881, Nr 5-6).

“Shemsedin Sami Frashëri më pati thënë se ditën e çeljes së universitetit Hoxha Tahsini, me pamjen e vet madhështore që e dallonte, doli në tribunë përballë një ushtrie nxënësish dhe me një gojtari të pashembullt deri asokohe në Stamboll, mbajti një fjalim të nxehtë me dijeni të gjera, duke përcaktuar kështu boshtin ideo-shkencor dhe ideo-politik të asaj qendre të madhe kulturore. Në fjalimin e tij ai vuri në dukje se shkaku i prapambetjes së theksuar të popujve islamike ishte mungesa e kulturës moderne.” Ishte një fjalim “i pashembullt”– shkruan Mehdi Frashëri. 

Në lidhje me ceremoninë e inagurimit të Universitetit, në një nga Enciklopeditë e fundit turke, (Turk Ansiklopedisi, ‘Darulfunun’, vol.12 Ankara 1964, faqe 320-322) lexojmë: “U bë një ceremoni madhështore ku morën pjesë mijëra vetë, kryesisht studentë të medreseve të Stambollit. Gjithashtu edhe personalitetet më të larta qeveritare si kryeministri, ministri i arsimit, personalitete të ndryshme të kulturës, gazetarë, klerikë te rangjeve të ndryshme… Në këtë ceremoni u mbajtën disa fjalime. E mori fjalën në fillim ministri i arsimit të asaj kohe Safet Pashai, pastaj foli kryetari i komisionit të lartë të arsimit turk Mynif Efendiu dhe rektori i Universitetit Hoxha Tahsin Efendiu. Këta të tre folën në gjuhën turke. Në miting u mbajtën fjalime edhe nga pedagogët Xhemaledin Afganiu në gjuhën arabe dhe Aristokli Efendiu frëngjisht”. 

Në një botim të viteve të vitit 2012 për Universitetin në Republikën Turke jepet edhe fjalimi i Hoxha Tahsinit me këtë titull: “Ligjërata e drejtorit të universitetit të përndritshmit Tahsin Efendi”. (‘Universiteti’ Stamboll 2012, faqe 963-964.Përkthyer nga dr. Laurant Bica).

Ligjërata e Tahsinit në inaugurimin e Universitetit:

“Në një komb investimi me para me fitimin më të madh është në shkencë dhe dituri dhe në edukimin e popullatës dhe për atdheun është pasuria më e madhe”. Siç del nga shumë vepra që kanë lënë në fushën e politikës Aristoteli dhe Platoni kanë thënë që për përparimin e një shteti, pikëmbështetja më e fortë për këtë është edukimi i mirë. Dihet që Platoni në veprën e tij ‘Republika’ si qeverisje ideale konsideronte atë që në krye të ishin njerëz të dijshëm, filozofët, dijetarët, kurse Aristoteli ka qenë ‘princi’ i dijeve të antikitetit, zotëruesi dhe ‘mendja më universale’, midis grekëve. Platonit i takojnë edhe këto fjalë që kanë të bëjnë me mënyrën e edukimit. Ushtrimet fizike të bëra me detyrim ndikojnë mirë tek trupi, por dijet e marra me detyrim nuk mbeten në mendje.

Ashtu si një gonxhe e freskët në kopshtin e trëndafilave që kur goditet nga ndriçimi i diellit kundërmon erën e këndshme të lëvizjes së bukur, ashtu njësoj dhe pishtari i shkencës dhe i arsimit në shoqërinë e bashkëqytetarëve këtej e tutje, duke ndriçuar zotësitë dhe kapacitetet e mendjes të atdheut tonë, pa pikë dyshimi që do të kundërmojë erë të mirë. Duke u shumëfishuar Arsimi, dhuna pakësohet. Errësira e injorancës ndriçohet me dritën e shkencës. Është e nevojshme që progresi të bëhet shkallë-shkallë. Ej populli ynë..! Ky shekulli jonë siç po e shihni është kohë e zhvillimeve dhe përmbysjeve të mëdha! Zgjohuni, t’i praktikojmë nevojat tona sipas kohës dhe duke ia përshtatur mësimdhënien profesionale shekullit të arsimimit dhe të mos mbetemi mbrapa nga rruga që preferohet apo ndiqet nga të gjithë! Ej, bijtë e vatanit! Botën e lartpërmendur (të zhvilluar) që është dëshirë e të gjithë njerëzve, nënshtetas të denjë të këtij shteti të dashur (ku jetojmë) për të qenë të aftë të banoni dhe që të meritoni shpërblimin (për punën e bërë) si dhe të keni një vend të deklaruar dhe të nderuar, duhet të dini të sillni prova për të argumentuar të vërtetën: Ejani të lidhemi me njëri tjetrin, duke biseduar miqësisht të bashkohemi si një familje! Ejani të bëhemi shtegtarë dhe të ngjitemi me durim (e këmbëngulje) malit shumë të lartë të arsimit dhe të ecim rrugës së drejtë të shkencës. Të ecim, të ecim në shekullin tonë që është shekulli i arsimit dhe të hyjmë në Universitet!’’.

Fill pas këtyre fjalëve të thëna me solemnitet para mijëra vetëve që po u fliste Prof.Dr. Hasan Tahsini ishte i vetëdijshëm se po hapte një periudhë të një epoke të re në fushën e arsimit të lartë për një perandori të tërë .

Hasan Tahsini (1811 – 1881)

Mehdi Frashëri (1872-1963)

Filed Under: Histori

Presidentja në takimin vjetor në New York të Clinton Global Initiative

September 25, 2024 by s p

Presidentja në takimin vjetor në New York të Clinton Global Initiative: Gratë e Kosovës kanë qenë gjithnjë në ballë të çdo procesi historik të Republikës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në takimin vjetor në New York të Clinton Global Initiative.

Postimi i plotë i Presidentes Osmani:

“Gratë në vijë të parë” ishte diskutimi i sotëm në takimin vjetor në New York të Clinton Global Initiative.

Gratë e Kosovës kanë qenë gjithnjë në ballë të çdo procesi historik të Republikës—si në kohën e rezistencës, ashtu edhe në luftë, në shtetndërtim dhe në çdo proces vendimtar për të ardhmen tonë.

Filed Under: Kronike

Kalendar-Kosova Shtet Sovran dhe i Pavarur u votua pro 99,87 për qind në Referendumin e Shtatorit 1991

September 25, 2024 by s p

-Në Referendumin e mbajtur para 33 viteve,  nga 26 deri në 30 Shtator 1991, për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur u votua pro 99,87 për qind/

-Gazeta e rezistencës “Bujku” para 33 viteve: Kosova filloi Referendumin për Sovranitet; Manifestim paqësor e demokratik përballë dhunës; Masivitet i madh në votime…; Referendumi për Kosovën Sovrane u krye me sukses të plotë; Mbi 99 për qind të votuesve për Sovranitetin Shtetëror të Kosovës…/

-Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova për Referendumin për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur: Është një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë së Kosovës, në të tashmen dhe në të ardhmen/

-Referendumi u mbajt në rrethana të një okupimi të egër të regjimit të Beogradit dhe të një shtetrrethimi ushtarako-policor, ndërsa rezultatet e tij ishin mesazhe të fuqishme dhe të qarta të Kosovës për gjithë botën në një kohë të lëvizjes gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, Shtator 2024/ Kosova Shtet Sovran dhe i Pavarur u votua pro 99,87 për qind në Referendumin e mbajtur para 33 viteve, nga 26 deri në 30 Shtator 1991.

“Kosova filloi Referendumin për Soranitet”, ishte kryetitulli i ballinës së gazetës së përditshme të rezistencës “Bujku” të datës 27 Shtator 1991.

“Republika e Kosovës filloi Referendumin për të nesërmen e vet: Shtet Sovran dhe i Pavarur. Referendumi i parë historik i Kosovës i shprehejes së vullnetit të lirë politik të popullit filloi në kushte e rrethana shumë të rënda që po përjeton Kosova nën pushtetin policor serb, prandaj vota për sovranitet dhe pavarësi  është edhe votë e deklarimit demokratik e paqësor për liri e barazi të plotë  për çka shqiptarët në Kosovë dhe në Jugosllavi edhe para këtij referendumi janë deklaruar fuqishëm me shumë forma të shprehjes  e të manifestimit të vullnetit të lirë”, shkruaja atëherë në 26 Shtator 1991 në kryeartikullin e botuar në numrin e së nesërmes të gazetës “Bujku”.

Legjenda e fotografisë në ballinë ishte: “Deklarim demokratik për ardhmërinë e Kosovës: pamje e Prishtinës”. Aty, po në faqen e parë, në mbititull shkruante: “Udhëzime për mbajtjen e Referendumit”, e në titull theksohej: “Referendumi është legal dhe legjitim”.

Në kryetituj balline gazeta “Bujku” në 28 Shtator 1991 shkruante: “Referendumi për Republikën e Kosovës Shtet Sovran e i Pavarur – Manifestim paqësor e demokratik përballë dhunës”, ndërsa në 29 Shtator 1991 konstatonte: “Masivitet i madh në votime për Republikën e Kosovës Shtet Sovran e i Pavarur – Referendumi në Kosovë në përfundim”.

E në numrin e 1 Tetorit 1991 gazeta “Bujku” në mbititull e kryetitull në ballinë shkruante:

“Pas pesë ditësh votimi masiv në Referendumin për Republikën e Kosovës Shtet Sovran dhe të Pavarur  – Referendumi për Kosovën Sovrane u krye me sukses të plotë”. Tituj balline ishin edhe: “Parlamenti i Shqipërisë përkrahu Rezolutën për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur” dhe “Qeveria Amerikane ka kundërshtuar politikën e Serbisë ndaj shqiptarëve”…

 “Fillim i së nesërmes” ishte titulli i redaksionalit që kam shkruar para 34 viteve në 2 Korrik 1990, duke qenë me delegatët në ngjarjen historike kur para dyerve të mbyllura të Kuvendit në shtetrrethim e para snajperëve serbë Kosova me Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 shpallte pavarësinë e saj, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.

Në editorialin e botuar të nesërmen në ballinën e gazetës tradicionale të vetme shqipe kosovare në atë kohë Rilindja, theksoja se, “Deklarata Kushtetuese e delegatëve të Kuvendit të Kosovës është deklarim i popullit për barazi e subjektivitet të plotë të Kosovës e të shqiptarëve… është fitore e akt historik i shprehjes së vullnetit gjithëpopullor demokratik, është fillimi i fundit të pabarazisë e padrejtësive…Kosova e re, ajo me rregullim kushtetues sipas Deklaratës të sapo aprovuar do të jetë një djep kombëtar dhe i bashkëjetesës për të gjithë, i të drejtave të plota…”

Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 dhe aktet e tjera madhore që e pasuan, Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 7 Shtatorit të po atij viti e Referendumi për Pavarësi i 26 deri 30 Shtator 1991 shënonin kthesën historike drejt së nesërmes – të sotmes së Kosovës së lirë e të pavarur.

“Në Referendum dolën 914.802 veta ose 87,01% e 1.051.357 qytetarëve me të drejtë vote, prej tyre për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur votuan 99,87%. Kundër kishin votuar 164 veta, ndërsa të pavlefshme ishin 933 fletëvotime”, konstatonte Komisioni Qendror për Zbatimin e Referendumit në raportin përfundimtar.
Gjithnjë sipas rezultateve zyrtare përfundimtare të shpallura nga Komisioni, në votim, për shkaqe dhe arsye të ndryshme, nuk dolën 136.555 votues apo veç 12,99% e qytetarëve të Republikës së Kosovës me të drejtë vote.  Për realizimin e Referendumit pati 1500 vendvotime me 450 njësi votuese.

 Referendumi u mbajt në rrethana të një okupimi të egër të regjimit të Beogradit dhe të një shtetrrethimi ushtarako-policor, ndërsa rezultatet e tij ishin mesazhe të fuqishme dhe të qarta të Kosovës për gjithë botën në një kohë të lëvizjes gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci.

  “Është një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë së Kosovës, në të tashmen dhe në të ardhmen”,  theksonte  Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në intervistën e parë ekskluzive për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH), që e kam zhvilluar para 30 viteve, në 22 Shtator 1994, në 3 vjetorin e Referendumit të deklarimit të vullnetit kombëtar e demokratik të popullit të Kosovës.

Në intervistë, Presidenti  Rugova, i cili vazhdimisht theksonte se “zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur” fliste edhe për opcionin e “lidhjeve konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”.

 Vizionet e parashikimet në lëvizjen e luftën drejt Lirisë e Pavarësisë,  për të cilat fliste Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në intervistë para më shumë se çerek shekulli – 30 viteve janë realizuar gjatë viteve: “Një mbrojtje për Kosovën…një protektorat ndërkombëtar” erdhi me ndërhyjen shpëtimtare të forcës më të madhe planetare – NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendosjen e administratës së Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në vitin e madh të lirisë 1999. “Dhe, kjo kontribuon në realizimin e pavarësisë, për të cilën është deklaruar populli i Kosovës”, shprehej Presidenti Rugova në intervistë…dhe pavarësia u shpall në 17 Shkurtin historik 2008…

Pas ditëve të zhvillimit të votimeve masive, gazeta “Bujku” njoftonte rezultatet e referendumit.

Me kryetitullin “Mbi 99 për qind të votuesve për Sovranitetin Shtetëror të Kosovës”, me mbititullin “Kumtesë e Komisionit Qendror për Zbatimin e Referendumit të Kuvendit të Republikës së Kosovës” dhe me nëntitullin “Prej më se 1 milion votuesve kanë dalë në votime mbi 870 mijë veta ose rreth 85 për qind e numrit të pëgjithshem të qytetarëve me të drejtë vote. Pjesëmarrja e serbëve dhe e malazezve në referendum ishte simbolike”, gazeta kosovare e rezistencës “Bujku” në numrin e 4 Tetorit 1991, në  faqen e parë shkruante:

“Deri më 3.10.1991 Komisionit Qendror të Kuvendit të Republikës së Kosovës për zbatimin e referendumit për Republikën e Kosovës shtet sovran dhe i pavarur i kanë arritur rezultatet e votimeve nga të gjitha komunat e Kosovës, si edhe nga disa shtete të Evropës Perëndimore, nga SHBA-të, Australia e të tjerë. Ende nuk kanë arritur rezultatet e votimeve të qytetarëve të Kosovës që punjnë përkohësisht në disa republika të tjera në Jugosllavi, si edhe nga disa shtete të Evropës Perëndimore, e supozohet se është një numër i madh i votuesve.

Nga përpunimi i rezultateve të votimimeve që kanë arritur mund të konstatohet se në Referendum, prej më tepër se 1 milion votuesve, kanë dalë më shumë se 870.000 votues, ose afër 85 për qind të numrit të përgjithshëm të qytetarëve me të drejtë vote. Për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur janë deklaruar 99,8% të votuesve.

Rezultatet e votimeve dhanë mundësi të konstatohet se në Referendum ka dalë një numër i konsiderueshëm i myslimanëve, turqve, kroatëve, romëve e të tjerë, ndërsa pjesëmarrja e serbëve dhe e malazezve ishte simbolike.

Komisioni Qendror për zbatimin e Referendumit lut të gjitha komisionet, të cilat nuk i kanë dorëzuar ende rezultatet e votimeve, ta bëjnë këtë sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të kumtohen rezultatet përfundimtare të Referendumit, thuhet në kumtesën e Komisionit Qendror për zbatimin e referendumit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”.

Gazeta “Bujku”, që shkruante kështu, ishte “edhe gazetë edhe televizor”, si thoja atëherë gjatë ditëve të referendumit, meqë në terrin informativ, kur ishte i okupuar edhe Televizioni i Prishtinës, për ta “kompensuar” mungesën e televizionit botonim edhe shumë fotografi të mëdha nga votimet e atmosfera. Dhe thuaja e gjithë gazeta ishte referendum, me raporte të gjëra e fotografi të ekipeve të gazetarëve e korrespondentëve nga e gjithë Kosova që punonin ditë e natë e me sakrifica.

Në atë kohë gazeta e vetme e përditshme shqipe në Kosovë, “Bujku”, themelues-kryeredaktor i parë i së cilës isha, gazetë e rezistencës e pjesë e lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, dilte nga 18 Janari i vitit 1991, e pasonte dhe sfidonte ndalimin e dhunshëm nga Serbia  të gazetës tradicionale, të parë e të vetme të përditshme shqipe në Kosovë Rilindja

Që atëherë nisëm edhe bashkëpunimet me Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare, duke marrë e botuar informacionet e saj, e kështu u themeluan bashkëpunimet e para të medias Shqipëri-Kosovë.

E pastaj, të parat bashkëpunime të një media të Kosovës me një media të Shqipërisë vijuan edhe me raportimet me lidhje telexi për zgjedhjet e para pluraliste kosovare, parlamentare e presidenciale, të 24 Majit 1992, ku Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i  Republikës, e që shënonin fillimet e korrespondenturës së Agjencisë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë në Kosovë.  Zyra e telexit në ambientet e gazetës “Bujku” në katin e pestë të Pallatit të Shtypit Rilindja në Prishtinë u bë edhe Zyra e korrespondentit në Kosovë të Agjencisë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, e edhe si një përfaqësi e parë e Shqipërisë në Kosovë, prej nga bëheshin edhe komunikime tjera Prishtinë-Tiranë.

Para  30 viteve, në 22 Shtator 1994, Presidenti historik i Kosovës,  Ibrahim Rugova, në intervistën ekskluzive që kam zhvilluar – të parën të një presidenti kosovar dhënë Agjencisë Telegrafike Shqiptare, të cilën e cilësonte edhe si një hap në politikën globale të shqiptarëve, si edhe vazhdimisht, falenderonte dhe vlerësonte për informimin nga Kosova e për Kosovën.

“Falënderoj Agjencinë Telegrafike Shqiptare për informimin nga Kosova e për Kosovën. Edhe kjo që pata rastin të bisedoj për këtë agjenci, që reprezenton Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, është një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare. Edhe ne bëjmë përpjekje që këtu në Kosovë përmes Qendrës sonë për Informim të kemi një agjenci të vogël, e cila raporton për situatën e përditshme në Kosovë. Duhet një bashkëpunim midis këtyre dy institucioneve dhe institucioneve të tjera në Kosovë dhe në Shqipëri”, theksonte Presidenti Rugova në intervistën ekskluzive në 3 vjetorin e Referendumit për Pavarësi.

Vendimin për mbajtjen e Referendumit për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur e mori Kuvendi Kosovar në ekzil, në marrëveshje me subjektet politike në Kosovë, në mbledhjen e 22 Shtatorit 1991, mbajtur në Slloveni. Kuvendi i Kosovës kishte dalë në ekzil pasi kishte miratuar Deklaratën Kushtetuese për pavarësi të 2 Korrikut dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës të 7 Shtatorit 1990, që u pasuan edhe me zgjedhjet e para shumëpartiake parlamentare e presidenciale të 24 Majit 1992.

Në krye të Kuvendit të Kosovës në kohën e vendimeve e ngjarjeve historike drejt lirisë dhe pavarësisë ishte Ilaz Ramajli, i cili në një intervistë ekskluzive që kam zhvilluar në 20 vjetorin e Referendumit, në 29 Shtator 2011, ka  vlerësuar se Referendumi u organizua shumë mirë, megjithëse mbahej në rrethana të një okupimi të egër të Serbisë në Kosovë.

“Para Referendumit, edhe Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 7 Shtatorit 1990, jo vetëm që ishin akte kushtetuese juridike, por në kohën kur u nxorën ishin edhe akte mbrojtëse dhe pozicionuese në raport me situatën e krijuar në ish Jugosllavi”, ka theksuar Ramajli.

Nga shpërbërja e ish Jugosllavisë, nga elementet konstituive me të drejtë vetoje të federatës, mes të cilave ishte edhe Kosova që u bë shtet, shtete të reja të rajonit dolën edhe Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Maqedona, Mali i Zi dhe Serbia.

“Mbajtja e referendumit dhe rezultatet e tij jo vetëm që mundësuan ndryshimet kushtetuese me të cilat Kosova u shpall shtet sovran e i pavarur dhe u rrumbullaksua korniza kushtetuese e ligjore lidhur me këtë por ishte edhe një mesazh i fortë dhe shumë i qartë për Serbinë dhe gjithë botën se populli i Kosovës më asnjëherë nuk dëshiron të jetë nën kontrollin e të tjerëve, por është përcaktuar fuqishëm që shteti i tyre, Kosova, të jetë shtet sovran dhe i pavarur”, është shprehur Ramajli.

Pas zgjedhjeve të para shumëpartiake parlamentare e presidenciale në Kosovë të 24 Majit 1992, të clat pasuan referendumin për pavarësinë, nga Presidenti historik Ibrahim Rugova i zgjedhur atëherë Ilaz Ramajli u emërua ambasadori  i parë i Republikës së Kosovës në Tiranë.  

“Për mua kjo ka qenë një përvojë e re. Detyrën e Përfaqësuesit të zyrës së Republikës së Kosovës në Tiranë e kam pranuar si një privilegj dhe detyrim të marrë me Vendimin e Presidentit të ndjerë Rugova për emërimin tim në këtë pozitë. Konsideroj se Zyra e Republikës së Kosovës në Tiranë ka qenë me një rëndësi të veçantë në rrafshin diplomatik dhe të bashkëpunimit ndërshtetëror mes Kosovës dhe Shqipërisë. Unë kujtoj me kënaqësi kohën sa kam punuar në Shqipëri dhe jam mirënjohës për kontributin e shtetit shqiptar që ka dhënë për Kosovën në të gjitha fazat derisa Kosova është bërë shtet i pavarur e sovran i pranuar ndërkombtarisht. Angazhimi dhe mbështetja e shtetit shqiptar në çështjen e Kosovës ka qenë i pakursyer dhe i plotë”, shprehej Ramajli në intervistë.

 Këshilli Koordinues i Partive Politike të Kosovës kishte marrë vendimin politik për organizimin e Referendumit gjithëpopullor dhe për këtë qëllim u emërua Komisioni Qendror. Kryetar i Komisionit Qendror për Organizimin e Referendumit ishte Ramush Tahiri, përfaqësues i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës.

“Në këtë Komision kanë qenë të gjithë përfaqësuesit e partive politike të Këshillit Koordinues. LDK në Këshillin Koordinues ka pasë tre përfaqësues, Ibrahim Rugovën si kryetar të Këshillit Koordinues, Fehmi Aganin dhe Ali Aliun. Partia Fshatare është përfaqësuar nga kryetari Hivzi Islami, Partia Socialdemokrate është përfaqësuar nga Shkëlzen Maliqi, Partia Parlamentare është përfaqësuar nga Veton Surroi dhe Partia Shqiptare Demokristiane ku unë kam qenë përfaqësues”, ka deklaruar Tahiri në një intervistë televizive para pesë vitesh.

Ndërsa, Rifat Blaku atëherë anëtar i Komisionit Qendror për mbajtjen e Referendumit vlerësonte se, “një barrë të madhe, por edhe meritë të veçantë për punën për mbarëvajtjen e Referendumit e kishin Këshillat lokale komunale për Referendum”.

 Blaku, në shkrimin ekskluziv në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja – botim special në 90 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, në 28 Nëntor 2002, përkujtonte edhe se, rezultatet përfundimtare të Referendumit janë shpallur nga Kuvendi i Kosovës në 18 Tetor 1991, kur është shpallur edhe Qeveria e Kosovës në ekzil.

Pas Referendumit, në 11 Tetor 1991 është miratuar e nënshkruar Deklarata politike e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, kryetar i të cilit ishte Ibrahim Rugova. “Njëmbëdhjetë partitë politike shqiptare, anëtare të Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, duke shprehur vullnetin politik të popullit shqiptar për zgjidhjen e çështjes shqiptare dhe për gjendjen aktuale në Jugosllavi”, siç theksohej në Deklaratën politike, shpreheshin për këto tre opsione:
“1. Nëse nuk ndryshohen kufijtë e jashtëm e as ata të brendshëm të Jugosllavisë, duhet të ekzistojë Republika e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur, me të drejtë bashkimi në lidhjen e shteteve sovrane në Jugosllavi. Pjesët e popullit shqiptar që mbesin të jetojnë në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Serbi do të kenë statusin e popullit shtetformues dhe të gjitha të drejtat që dalin nga kjo.
2. Nëse kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë nuk ndryshojnë, por ndryshojnë kufijtë e brendshëm ndërmjet republikave, atëherë kërkesë është Republika Shqiptare në Jugosllavi, e ndërtuar mbi bazën e parimit etnik dhe të parimeve të tjera që vlejnë për serbët, sllovenët dhe popujt e tjerë të Jugosllavisë.
3. Nëse ndryshojnë kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë, atëherë populli shqiptar në Jugosllavi, përmes deklarimit të përgjithshëm me plebishit, do të vendosë për bashkimin e territoreve në të cilat jeton Shqipëria dhe kështu do të krijohet shteti integral shqiptar në Ballkan në kufijtë e tij etnikë.”

Tani, pas 33viteve nga Referendumi historik për Shtet Sovran dhe të Pavarur, Kosova është e lirë prej mëse 25 viteve, nga Qershori 1999 i përfundimit të luftës e  hyrjes së forës shpëtimtare paqeruajtëse të NATO-s dhe e pavarur prej mëse 16 viteve nga 17 Shkurti 2008, e njohur deri tani nga 117 shtete të botës, anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë njohur Shtetin e Kosovës që në orët e para – ditën e parë pas shpalljes së Pavarësisë…

Filed Under: Analiza

Të gjitha shtetet e pavarura në Republikën e Shqipërisë

September 25, 2024 by s p

Gëzim Zilja/

1.Shteti në proces i Baba Mondit

Hodhi një i çmendur një gur në lumë, futen njëqind të mençur e nuk e nxjerrin dot. U fol mbrëmjen e të hënës, në ekranet e TV-ve nga të mençurit e Shqipërisë të vetëquajtur analistë për shtetin e ri bektashi të Baba Mondit, në shtetin shqiptar. Shumica e tyre kishin ardhur drejtpërdrejt nga shtëpia, nga kafenetë, nga motelet në periferi, ku çojnë dashnoret, nga gjumi i pasdites, apo tavolina qejfi. Mendoj se asnjë nuk vinte biblioteka, arkivi i shtetit apo intervista me ndonje klerik teqeje. Një vendim të tillë nuk mund ta marrë një piktor i dështuar që as ia ka haberin shtetit dhe një ish oficer i diktatorit i veshur me rrobën jeshile ushtar (kadet) qysh dhjetë vjeç, që ende nuk i ka ikur era e supës, fasules dhe pilafit të ushtrisë. Diku tjetër fle lepuri.

Një vendim të tillë mund ta marrin klerikët e teqeve me të gjithë bektashinjtë shqiptarë në mbarë botën. Ndryshe veprimi personal i një piktori delirant, i sëmurë pas madhështisë globale dhe ish oficerit të Enver Hoxhës është tradhëti ndaj atdheut. Problemi është shumë i thellë, është ai që ka qenë prej kohësh qysh me themelimin e shtetit shqiptar: Shpërbërja e shtetit shqiptar, kthimi i tij në një rrupallhane ballkanike, dhe shuarja e ëndrës së rilindasve për bashkimin e të gjithë trojeve shqiptare në një shtet të vetëm. Por le të shikojmë sa shtete kemi sot brenda shtetit shqiptar bërë me nismën e Berishës dhe të Ramës, veç atij të Baba Mondit.

1.Shteti i muxhahidinëve (Ashraf 3) iranianë në rrethinat e Tiranës

Madhësia e territorit 20 ha, tokë e blerë nga shteti shqiptar, numri i banorëve 3.000. Shteti është krijuar me propozimin e amerikanëve dhe aprovimin e qeverisë së Berishës më 2012. Nga jashtë kampi i ngjan një komleksi gjigand të stilit ushtarak, ku nuk mund të hyjë asnjë shqiptar i çdo rangu pa u aprovuar nga krerët e MEC-ut. Para dy viteve pati një përplasje midis forcave policore shqiptare dhe banorëve të shtetit “Ashraf 3” me akuza për spiunazh dhe gjithçka u mbajt sekret. Asnjë nuk e di nga kush financohet shteti muxhahidin në Manzë dhe aktivitetin e tyre brenda kampit. Duket si një minë me sahat në zemër të Shqipërisë.

2.Shteti arab në proces “Mohammed Al Alabbari”

Do të jetë një shtet brenda shtetit shqiptar me një shtrirje 85 ha bregdet dhe 60 ha siërfaqe ujore, ish porti i mallrave dhe trageteve në zemër te Durrësit. Gjithë trualli dhe sipërfaqja ujore kapin vlerën e afro tre miliard dollarësve i është dhuruar arabit nga Edi Rama me anë të negociatave tepër sekrete. Shtetit “Mohammed” do të shtrihet e zhvillohet në një sipërfaqe trualli prej 812 600 m2. Parashikohen ndërtimi i 12.000 apartamenteve dhe dy hoteleve me 850 dhoma në total. Ky kompleks i plotësuar me shtatë xhami gjigande është eskluzivitet i Alabbarit, i cili sigurisht do e popullojë ( këta janë blerësit) me arabë dhe miliarderë nga e gjithë bota. Bileta për të hyrë në atë shtet ( jo të banosh) do të jetë pesëmijë dollarë. Shteti Alabbar do të shpallë pavarësinë e plotë aty nga viti 2035.

3. Shteti i Xhorxhia Melonit.

Inugurimi i këtij shteti është çëshjtje ditësh. Sipas një marrëveshjeje midis kryeministrit shqiptar Rama dhe kryeministreshës italjane Meloni, ky shtet do të ngrihet në Gjadër të Lezhës në një sipërfaqe prej gjashtë hektarësh, i rrethuar nga një mur shtatë metra i lartë. Emigrantët që do të strehohen në këtë shtet-kamp do të jenë nga Guinea, Bregu i Fildishtë dhe Tunizia. Kjo sipërfaqe është në administrimin absolut të shtetit italjan në kuptimin e plotë të fjalës dhe nuk lejohet hyrja përveçse e italjanëve të autorizuar nga shteti italjan. Kjo marrëveshje nuk ka as parime, as humanizëm, as vendimmarrje dhe e katandis Shqipërinë në azil njerëzish problematikë.

4. Shteti i Ivanka Trampit dhe Jared Kushnerit.

Do të ngrihet në ishullin e Sazanit, (vend me rëndësi strategjike për mbrojtjen e Shqipërisë) në një sipërfaqe prej 556 hektarësh Është një marrëveshje private midis dhëndrit të Trampit, Jared Kushner dhe Ramës. Dhëndri, në pronë-shtetin e tijë që quhet Sazan deklaron se do të investojë 931 milionë euro dhe do të ketë vila luksoze të vendosura në majë të shkëmbinjve. Hoteli do të operohet nga ekskluziviteti marka Aman, klientët e së cilës përfshijnë Mark Zuckerberg, Bill Gates dhe Kardashians. Në ishull sipas Kushner një natë kushton dhjetëmijë dollarë. Amerikanët janë të zgjuar, nuk lëshojnë passaporta për shtetin e ri por kërkojnë 10.000 dollarë për hyrjen në të. Çdo gjë mund të ndodhë me një kryeministër tradhëtar të sëmurë nga deliri i madhështisë.

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT