• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2024

HISTORI DASHURIE NË KOHËN E LUFTËS…

October 3, 2024 by s p

Ndue Lazri/

Në fillimin e viteve ’70 të shekullit të kaluar, shkrimtari amerikan Eric Segal shkroi skenarin e filmit “Love Story”, prej të cilit shkroi pastaj romanin me të njëjtin titull. Ishte koha kur po merrte një përhapje të gjerë lëvizja e hipive me teoritë e dashurisë së lirë, kur dashuria e vërtetë, e çiltër dhe e pastër po konsiderohej si diçka e kapërcyer nga koha dhe koncepti i familjes kompakte po vihej në provë të vështirë. Pikërisht në një moment të tillë të shoqërisë amerikane dhe asaj botërore Eric Segal merrte kurajon të shkruante një roman për një histori dashurie të vërtetë, me romantizmin, forcën e ndienjës, dramacitetin dhe dhimbjen finale. Dhe lexuesit jo vetëm në Amerikë, por edhe në gjithë botën (libri u përkthye në 33 gjuhë), i dhanë plotësisht të drejtë. Filmi u bë një fenomen artistik në shkallë botërore.

Tani pas 50 vjetësh, duket sikur zhvillimet moderne në botë, teknologjia, globalizmi, droga, etja për fitimet e mëdha e të menjëhershme, pornografia e trafiku i prostitucionit, e kanë vënë sërish dashurinë, këtë ndienjë hyjnore që lidh zemrat në martesë për krijimin e familjes së re, në provë të vështirë. Gjithnjë e më shumë koncepti i familjes tradicionale po humbet terren, divorcet janë bërë një dukuri e zakonshme, tregtia e seksit i bën atentat ndienjës së pastër të dashurisë. Në këto kushte një shkrimtar tjetër, që banon në Amerikë, por që është shqiptar 24 karatësh, shkruan një roman, në qendër të të cilit vë pikërisht dashurinë e pastër si vesa. Ky është shkrimtari Prend Ndoja, i cili pas disa librave me poezi, shënime udhëtimi e ese, vjen përpara lexuesit me romanin e tij të parë, të titulluar “Velloja e kryqëzuar”. Protagonistë të këtij romani janë dy të rinj shqiptarë të Kosovës, dashuria e të cilëve çel si një gonxhe trëndafili me vesë, në një kohë kur çizmja mizore serbe kërkon të shkelë edhe lulekuqet mes arave me grurë. Ëndrra e tyre rinore për të patur një familje të shëndoshë lulëzon në një kohë kur genocidi serb kërkon të zhbijë çdo vatër familjeje shqiptare, duke vrarë e zhdukur edhe foshnjat e djepit me tendencë zhbërjen e një kombi që është plotësisht në trojet e veta e në të drejtën e vet. Dhe kam besim që lexuesit do i japin të drejtë autorit.

Gabriel Garcia Markez shkroi romanin “Dashuri në kohën e kolerës”. Prend Ndoja shkruan një histori dashurie në kohën e luftës. Dihet që lufta është më e keqe se çdo epidemi, sepse është më mizore, sepse vret jo vetëm njerëzit e pafajshëm e shkatërron gjithçka që gjen mbi tokë, por sepse vret shpirtin njerëzor, vret ëndrrat, kërkon të vrasë të ardhmen.

Për luftën në Kosovë, për tmerret që pa populli shqiptar, për dramat e tragjeditë me të cilat ai u përball e prapë arriti të mbijetojë, janë shkruar shumë e shumë libra,si romane, libra historikë, monografi për heronj e dëshmorë e të tjerë. Pa dyshim, secili prej tyre ka vlerën e vet, vlerë që rritet me kalimin e kohës e me ardhjen e brezave të rinj që do të duan të dijnë për atë kasaphanë njerëzore që ndodhi në Kosovë. Midis asaj atmosfere të zymtë, Prend Ndoja ka dashur të ndezë një dritë të veçantë, një dritë të pastër që buron nga shpirtat e ndieshëm e ëndërrues të dy të rinjve, që janë rritur bashkë e që nuk e kanë ditur se bashkë me ta ka hedhur shtat edhe dashuria. Vetëm kur ajo lule i ka hedhur rrënjët thellë në zemër, bën që një ditë në buzët e tyre të çelë si gonxhe duke shqiptuar fjalët magjike “të dua”.

Dy heronjtë e librit janë Lisi dhe Era. Me bukurinë e moshës, me pjekurinë e formuar në familje kosovare tradicionale e me emër të mirë, të ushqyer me dashurinë për vendlindjen e me traditat më të shëndosha, ata e lidhin edhe më fort ndienjën e dashurisë që i bashkon, me besën shqiptare për të mos u ndarë kurrë nga njëri-tjetri, në asnjë rrethanë, deri në vdekje.

Për të rinjtë e kohës sonë mbase fjala besë tingëllon disi arkaike, por përgjatë historisë besa ka qenë shtylla kurrizore e shqiptarit. E mbi atë shtyllë kurrizore varej pushka e gjatë, me të cilën ai shkroi historinë e vet në shekuj deri në ditën kur Kosova fitoi lirinë e saj.
Duke qenë edhe poet, Prend Ndoja ka derdhur në këtë histori dashurie plor penelata poetike e romantike, duke i shkrirë dy të rinjtë aq harmonishëm me territorin, ambientin dhe kontekstin historik të ngjarjeve që përjetonte Kosova. Era është një studente shembullore, një vajzë me bukuri mahnitëse e me një botë shpirtërore të pasur dhe të pastër, ëndërruese, por edhe me këmbë në tokë, idealiste për triumfin e dashurisë midis njerëzve në një kohë kur njeriu për njeriun bëhet më i egër se egërsira, duke mbjellë vdekje. Në zemrën e saj dashuria është kaq e pastër, e pafajshme dhe e madhërishme njëherësh, sa nuk i trembet as vdekjes për të kurorëzuar dashurinë me Lisin. Nga ana e tij, Lisi është një i ri me tipare të parakohshme burrërore, me një formim të plotë, me një vështrim realist e kritik mbi realitetin, me një shpirt luftarak për triumfin e së drejtës, por edhe me bindjen se të drejtën ta shkelin po nuk e mbrojte me të gjitha mjetet e nevojshme.

Autori i ka nxjerrë heronjtë e vet nga realiteti kosovar dhe i ka veshur ata me cilësitë më të mira, duke i bërë përfaqësues të denjë të një brezi, të cilin dashuria për atdheun e bëri të rrëmbejë armët e të sakrifikojë edhe jetën në altarin e lirisë. Ai i ka portretizuar ata mjeshtërisht, duke bërë që ata të mbeten gjatë në mendjen e lexuesit pasi të ketë shfletuar edhe faqen e fundit të librit. Prend Ndoja i ka marrë edhe personazhet e tjerë të veprës nga njerëzit e thjeshtë të Kosovës. Sepse ai do të sjellë përpara lexuesit masën e gjerë të popullit kosovar që nuk kurseu asgjë për arritjen e lirisë. Me prindërit e Erës e të Lisit ai na sjell përfaqësuesit e pjesës më të madhe të familjeve kosovare, që i rrisin e edukojnë fëmijët me shumë sakrifica, bashkë me qumështin e gjirit u mëkojnë dashurinë për vendlindjen, për gjuhën e për traditat kombëtare. Janë përfaqësues të asaj popullsie që i dhanë lirisë shtëpitë e tyre, gjithçka që kishin më të shtrenjtë, deri edhe jetën e tyre dhe të bijve e bijave të tyre.

Me figurat e mësues Naimit dhe Shkëmbit autori portretizon ata intelektualë që luajtën një rol të veçantë e të rëndësishëm për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare në mbrojtje të identitetit shqiptar dhe në edukimin e një brezi të ri që do të ishte lavdia e Kosovës. Ndërsa me figurat e Lekës dhe Ramës ai sjell përpara lexuesit shqiptarin mikpritës e bujar, që e ka mikun të shenjtë, që i shtron bukë e kripë e zemër edhe në kushtet kur gjysmën e shtëpisë e ka të djegur nga pushtuesi.

Jo pa qëllim autori nuk është ndalur në ravijëzimin e figurave e karaktereve të pushtuesit. Ai e portretizon murtajën serbe nëpërmjet skenave plot mizori, vrasjeve, djegieve, shkatërrimeve, urrejtjes pa fund për popullsinë e pafajshme shqiptare. Përballë kësaj mizorie është monumenti i një populli vital, liridashës, me cilësitë e veta më të mira, që lënë në hije barbarinë dhe egërsinë primitive serbe.

Të një interesi të veçantë janë jeta dhe formimi i Lisit si një punëtor emigrant e pastaj sipërmarrës i suksesshëm në kontinentin amerikan, që bëhet ndihmë për familjet, por edhe për luftën çlirimtare të UÇK-së, në pritje për të realizuar bashkimin përfundimtar me Erën. Janë kapituj lufte e sakrificash, që dëshmojnë karakterin e fortë të Lisit në përpjekje për të realizuar synimet që ka vënë për jetën e tij dhe të familjes.
Dikur poeti i shquar hungarez Shandor Petëf ka shkruar: “Për dashurinë jap jetën, për lirinë jap dashurinë”. Mbase është thënia që i shkon më për shtat historisë së dashurisë midis Lisit dhe Erës, përshkruar aq bukur në këtë roman mbresëlënës.

Filed Under: LETERSI

ISH-PRESIDENTI I SHTETEVE TË BASHKUARA XHIMI KARTER MBUSHI 100-VJET – I PARI PRESIDENT I AMERIKËS QË KA VIZITUAR SHQIPËRINË POST-KOMUNISTE NË SHTATOR, 1993

October 3, 2024 by s p

Lidhjet e tij me Shqipërinë dhe Kosovën

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag

Description automatically generated

Me 1 Tetor, 2024, ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Jimmy Carter festoi 100-vjetorin e lindjes, duke u bërë këlshtu ish-presidenti i parë i këtij vendi që arrinë këtë moshë.  Zoti Carter ka shërbyer si Presidenti i 39 i Shteteve të Bashkuara — nga vitit 1977-1981 – fitues i Çmimit Nobel për Paqë në vitin 2002, me motivacionin, “Për përpjekjet e tija të palodhura, prej dekadash, për gjetjen e zgjidhjeve paqësore ndaj konflikteve ndërkombëtare, për avancimin e demokracisë dhe të të drejtave të njeriut, si dhe për promovimin e zhvillimeve ekonomike dhe shoqërore”, në botë. 

Në 100-vjetorin e lindjes, Presidenti Carter mori urime nga personalitete nga mbarë bota si dhe, natyrisht, edhe nga Shtetet e Bashkuara. Një ndër ta, Presidenti aktual i këtij vendi, Joe Biden, mik i vjetër i sh-Presidentit Carter, shprehi me këtë rast, admirimin e tij për arrijet dhe për karakterin e 100-vjeçarit Jimmy Carter.  Duke i uruar atij 100-vjetorin e lindjes, Zoti Biden e cilësoi Z. Carter, “një forcë morale e kombit tonë dhe botës.”  Duke venë në dukje mbështetjen e tij, qysh heret, si një senator i ri në kohën ku Carter ishte president i këtij vendi, Joe Biden theksoi në mesazhin e tij, se kjo ishte pikërisht, arsyeja që ai e kishte mbështetur atë gjatë mandatit të tij dhe më vonë. Sepse, “Ju jeni një zë prej guximtari, bindjeje, dhembëshurie , por mbi të gjitha mik i dashur i imi dhe I familjes time…Vizioni juaj shpresëdhenës për vendin tonë, angazhiami juaj për një botë më të mirë dhe besimi juaj i patundur në mirësinë njerëzore, vazhdojnë të jenë një dritë udhëzuese, për gjithë ne”, është shprehur Presidenti Biden në mesazhin e tij, drejtuar ish-Presidentit Carter me rastin e 100-vjetorit të lindjes.Top of Form

Në fushatën e tij për president në vitin 1977, Jimmy Carter ka premtuar ndryshime të mëdha në bërjen e politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara. Ishte koha e komunizmit, kulmi i Luftës së Ftohtë dhe qëllimi i tij ishte një moral i ri të jetë pjesë e zhvillimit të diplomacisë amerikane, në nivel ndërkombëtar — me një përqendrim të theksuar për mbrojtjen dhe promovimin e të Drejtave të Njeriut, anë e mbanë botës.

Lidhjet e tij me Shqipërinë dhe me shqiptarët nuk kanë qenë, ndoshta aq aktive gjatë mandatit tët tij, për shkak të faktit se Shtetet e Bashkuara nuk kishin marrëdhënje diplomatike me regjimin komunist të Enver Hoxhës.  Pasardhësit e tij në Shtëpinë e Bardhë, siç dihet, u angazhuan më vonë, në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut për shqiptarët kudo në trojet e tyre në Ballkanin Perëndimor – përfshir ndërhyrjen ushtarake të NATO-s – që përfundoi në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.  Por, edhe Jimmy Carter – siç ka ndodhur me disa paraardhës të tij dhe sidomos me pasardhës të tjerë të tij, në Shtëpinë e Bardhë gjatë dekadave — ka lenë gjurmët e tija në historinë e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Shqipërinë, por edhe me Kosovën.  Për vet faktin se ish-Presidenti Carter ishte i pari president i Amerikës – ndonëse jo në detyrë — që ka vizituar Shqipërinë.  Ka qenë shtatori i vitit 1993 kur Jimmy Carter ka vizituar për ditë Shqipërinë. S’do mend se subjekti kryesor i bisedimeve të ish-presidentit amerikan me udhëheqsit më të lartë të Shqipërisë së asaj kohe – Presidentin Sali Berisha dhe Kryeministrin Aleksandër Meksi – ishte Kosova dhe konflikti i atëhershëm në ish-Jugosllavi – pjesë e të cilës ishte edhe Kosova në atë kohë.  Sipas një raporti të kohës, nga agjencia e lajmeve United Press International, (UPI) në një konferencë të përbashkët me ish-presidentin e Shqipërisë, Sali Berisha, Presidenti Carter ishte shprehur se ishte e rëndësishme që komuniteti ndërkombëtar të “Demontronte forcën dhe të përdorte të gjitha masat e mundshme për të mënjanuar dhunën.”  Sipas agjencisë së lajmeve UPI, ish-presidenti Carter është shprehur se, “Washingtoni do të ishte kundër çdo agresioni ndaj popullitzbatimin e të tdrejtave të njeriut anë e mbanë botës – do të Kosovës”.  Me atë rast, Jimmy Carter ka premtuar se Fondacioni Carter – një ent ky që mbikqyr zbatimin e të drejtave të njeriut në mbarë botën, do të mbikqyrte situatën në Kosovë. 

Sipas agjencisë së lajmeve UPI, ish-presidenti Carter ka thënë, me atë rast, se Fondacioni i tij, së bashku me Presidentin Ibrahim Rugova, kishin analizuar gjëndjen e rëndë në Kosovë. Gjatë asaj vizite, Jimmy Carter, si presidenti i parë që vizitonte Shqipërinë – është takuar me zyrtarët e lartë të shtetit e të qeverisë dhe me disa anëtarë të opozitës.  Natyrisht se, Jimmy Carter u interesua për gjëndjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri dhe kritikoi ashpër monopolin e qeverisë mbi radion e televizionin në vend.

Një lidhje tjetër e ish-presidentit Carter me Shqipërinë dhe shqiptarët, sidomos me komunitetin shqiptaro-amerikan ishte edhe avokati shqiptaro-amerikan i njohur, i ndjeri Bardhyl Tirana, familja e të cilit ishte vendosur në Shtetet e Bashkuara pas Luftës së Dytë Botërore dhe i cili në vitin 1976 ka shërbyer si bashkëkryetar i ceremonisë së inaugurimit të ish-presidentit Jimmy Carter.  Në administratën e Presidentit Carter, Bardhyl Tirana ishte Drejtor i Mbrojtjes Civile në Departamentin e Mbrojtjes, që me rekomandimin e tij sot është një agjenci federale më vete: Agjencia Federale për Menaxhimin e Emergjencave, FEMA, rekomandim dhe sot trashëgimi e shqiptaro-amerikanit, Bardhyl Tiranës.  Falë bashkpunimit dhe përvojës së tij politike gjatë shërbimit të tij në administratën e Jimmy Carter, Bardhyl Tirana i përdori shumë bukur lidhjet e tija me ish-Presidentin Carter ndërsa gjatë viteve më vonë ai u angazhua për çështje që kishin lidhje me Shqipërinë dhe Kosovën dhe kontriboi në një numër organizatash të komunitetit shqiptaro-amerikan ndër të cilat edhe Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan (NAAC) për të cilin ofroi rregullisht falas shërbimet e tij ligjore. Më kujtohet kur isha drejtor i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan Bardhyl Tirana më telefonnte shpesh duke pyetur për nevojat tona dhe duke ofruar ndihmë të llojllojshme, në atë kohë.  

Angazhimi i tij me komunitetin shqiptaro-amerikan dhe komunikimet e mia me Bardhyl Tiranën, zhvilloheshin, më dukej mua, në frymën e politikës së ish-bosit të tij dhe të fjalëve të Presidentit Jimmy Carter: “Pasi ne jemi të lirë, nuk mund të jemi kurrë indiferent ndaj fatit të lirisë kudo tjetër në botë. Sensi ynë moral na detyron qart që të preferojmë ato shoqëri të cilat ndajnë me ne respektin e palëkundshëm për të drejtat indivuale të njeriut.”  Thirrja e ish-presidentit Jimmy Carter pothuaj 50-vjet më parë për zbatimin e një strategjie në mbrojtje të drejtave të njeriut, anë e mbanë botës, është bërë tanimë gur-themeli i politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara — trashëgimi e ish-Presidentit Jimmy Carter që kujtohet edhe sot me respekt në 100-vjetorin e lindjes së tij.

Frank Shkreli

Ish-Presidenti Carter duke folur në Asamblenë e Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, me 4 shtator, 1977 – Kritikat e tija ndaj shkeljes së të drejtave të njeriut në vende të ndryshme të botës, shënoi një ndryshim strategjik në politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara. (Jimmy Carter Library)

A collage of people standing next to a plane

Description automatically generated

Jimmy Carter dhe Bardhyl Tirana – “Njeriu i Carter-it”, që reformoi Mbrojtjen Civile të Shteteve të Bashkuara

Jimmy Carter Turns 100, The First Former President To Do So

                Presidenti Jimmy Carter në 100-vjetorin e lindjes, (1Tetor, 1924)

Filed Under: Politike

Mati Prenushi, martiri që jua bente hallall edhe xhelateve që e pushkatoni

October 3, 2024 by s p

Besim Ndregjoni/

Mati Prennushi lindi më 2 tetor 1882 nga prindët Kolë e Drande (Roza) Prennushi, në qytetin e Shkodrës. U pagzue me emrin Paulin[2]. Është i familjes Prennushi, nipi i Don Matisë që vdiq në vitin 1904, vit në të cilin Shugurohet Meshtar i nipi At Matia. Mbas mësimeve të para në vendlindje, ndjeku të mesmen në Kolegjin e Troshanit, ku edhe ju kushtue urdhrit të Shën Françeskut. Vazhdoi edhe dy vjet studime përgatitore për të lartat në Bosnje dhe, në vitin 1904 kryen studimet teologjike në Grac të Austrisë. Ishte njohës i mirë i gjermanishtes, frëngjishtes, serbo-kroatishtes dhe italishtes.

Me datën 4 prill 1904, Shugurohet Meshtar.

“Kur turqit në agoninë e tatpjetës, mendonin aty nga 1905 me djegë Shkodrën, në shenjë hakmarrjëje për përpjekjet që po baheshin me dalë nga zgjedha e robnisë së tyne, njëditë të dielë mbas meshët At Matia, çveshi teshat e meshës, u tha besimtarëve me pritë në oborr pesë minuta. Ai vetë shkoi te qela, doli para Kishës dhe iu drejtue të pranishëmve tue nxjerrë prej xhepit të zhgunit një alltije: -“Kush asht burrë dhe e don me zemër Shkodrën, o sot o kurrë, me ardhë mbas meje, do t’ju prij unë e do të shkojmë me i ndalue dorën hasmitturk, që don me zharitë vëllaznit tonë!

Në vitin 1911, At Matia bashkë me At Buon Gjeçaj janë të dy tek maja e Bratilës përkrah Dedë Gjo Lulit, me Flamurin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut të palosun në gjoksin e Tyre.

“Flamuri u ngrit në maje të malit Deçiqit, afër Tuzit. Até e solli në mënyrë të fshehtë nga Shkodra, Françeskani Padre Mati Prennushi, i cili e kishte palosë nën zhgunin e Tij.

At Mati Prennushi asht përballë bishave komuniste, por trimnia dhe guximi i tij janë mbështetë mbi piedestalin historik të Françeskanëve Shqiptar, të lamë me gjak ndër shekuj e që mbi Atë piedestal do të ndërtojnë Monumentin e Lavdishëm dhe të Përjetshëm, ku çdo Frat me litarin e Tij u lidh me binomin “Fé e Atdhé” për të cilin Ata dhanë jetën “si me lé”

Në fjalën e fundit, me datën 11 Mars 1948, në ora 5.00 në Zallin e Kirit, pranë Rëmajt, me dok. Nr. Regj. 67, në praninë e gjykatsit Kap. I Misto Bllaci, para ekzekutimit, At Mati Kol Prennushi tha : “Jam i pafajshëm, po vdes në krye të detyrës s’eme. Rrnoftë Krishti Mbret, Rrrnoftë Papa, Rrrnofshin Katolikët, Rrnoftë Shqipnia! U baj hallallë gjyqit dhe ato që do të shtijnë mbi trupat tonë të pafajshëm !”

Ky është Mati Prenushi martiri që u a bënte hallall xhelatëve që e pushkatonin. Shqipëria lëngon nga “heshtja “ dhe bombat ideologjike që vranë meshtarin liridashlsin, besimtarin, flamurtarin, dhe atdhetarin që deshte Shqipërinë më shumë se jetën e tijë!

Filed Under: ESSE

Kush e fitoi debatin e zëvendëspresidencial, Vance-Walz?

October 2, 2024 by s p

Nga Rafael Floqi 

Debati i zëvendëspresidencial i së martës mbrëma ishte një debat civil, relativisht i përmbajtur në lidhje me çështjet me të cilat përballen votuesit amerikanë gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2024. 

Kjo e bëri atë ndryshe nga dy debatet presidenciale që u zhvilluan në fillim të këtij viti. Kishte momente kur JD Vance, kandidati republikan, u përplas me atë që ai ishte një kontroll i padrejtë i fakteve nga dy moderatoret e CBS, dhe në një moment mikrofonat e të dy kandidatëve u mbyllën përkohësisht. 

Por në pjesën më të madhe, shkëmbimet mes të dyve – dhe mes kandidatëve dhe moderatorëve – ishin civile. Në fakt, madje ka pasur raste kur të dy kandidatët ranë dakord – dhe thanë kështu.

“Ka shumë të përbashkëta këtu,” tha demokrati Tim Walz në fund të mbrëmjes. Kur tema u kthye në strehimin e përballueshëm, bashkëmoderatorja Nora O’Donnell vuri në dukje se të dy kandidatët dukej se kujdeseshin fort për këtë çështje. Dhe kur Walz, duke mbështetur Kamala Harris, foli se djali 17-vjeçar i tij ishte dëshmitar i të shtënave në një qendër komunitare, Vance dukej vërtet i shqetësuar. 

“Më vjen keq për këtë dhe shpresoj se ai të jetë mirë”, tha Vance. “Krisht ki mëshirë, është e tmerrshme.” 

Një debat i zbutur, me pak goditje të natyrës politike, ndoshta i shërbeu më së miri Vance në fund, pasi i dha atij hapësirë ​​për të mbrojtur kandidatin e tij, Donald Trump, dhe për të zbutur disa nga skajet më të ashpra të ish-presidentit.

“Diçka që bëjnë këta demokratët është të paraqesin shumë pretendime se nëse çdo të ndodhë kur Donald Trump të bëhet president, të gjitha këto gjëra të tmerrshme do të bëhen realitet,” tha ai. “Por ai e bëri punën e tij, dhe qeverisi herën e parë në një mënyrë dypartiake”.

Nëse Vance u zgjodh sepse ai vuri pak mish ideologjik në kockat e populizmit konservator të Trump, të mërkurën mbrëma Vance iu paraqisi gjithashtu atyre një fytyrë me pamje të përulur.

Ishin një 90 minuta relativisht civile diskutimi mbi emigracionin, ekonominë, abortin dhe çështje të tjera, ndërsa kandidatët për zëvendëspresidentë ai republikan JD Vance dhe demokrat Tim Walz u takuan për herë të parë dhe të vetme në skenën e debatit.

Ja disa nga momentet më të paharrueshme të natës.

Emigracioni u shfaq shumë, pasi Vance shpesh sillte pyetje në dukje të palidhura me çështjen e kufirit, e parë si një pikë e dobët për demokratët. Mikrofoni i tij përfundimisht ishte i heshtur ndërsa ai fliste mbi moderatorët gjatë një kontrolli faktesh.

Pyetja e parë që iu bë kandidatëve ishte një temë që peshonte shumë në mendjet e shumë amerikanëve të martën: konflikti në rritje në Lindjen e Mesme.

Një çështje kryesore për votuesit në zgjedhjet e vitit 2024 ndezi një nga debatet më të gjata dhe më të nxehta të natës: të drejtat e abortit. Vance u tha moderatorëve se ai mendon se çështja duhet t’u lihej shteteve individuale, ndërsa Walz tha se e drejta federale për abortin duhet të rivendoset.

Nata e pyetjeve i detyroi të dy kandidatët të adresojnë polemika mbi pretendimet që kanë bërë në të kaluarën. Walz u pyet në lidhje me deklaratat e mëparshme se ai ishte në Hong Kong kur ndodhi masakra në sheshin Tiananmen në Pekin në qershor 1989. Dhe guvernatori i Minesotës pranoi se ai “ka folur gabim” për kohën e udhëtimeve të tij. Vance u pyet për sulmet e tij të mëparshme ndaj Trumpit. Dhe senatori i Ohajos tha se kishte gabuar në lidhje me kritikat e tij të mëparshme duke e krahasuar Trumpin me Hitlerin.

Mençuria konvencionale që shpesh del në pah kur diskutojmë për kandidatët zvpresidencialë është : “Mos bëni dëm”. Është ideja që ju nuk dëshironi që zgjedhja e një fushate për zëvendëspresidentët të krijojë tituj lajmesh, të bëhet temë bisede ose të dëmtojë pjesën e sipërme të tiketës.

Ky debat ishte një provë e madhe për Vance dhe Walz – dhe një mundësi e madhe për të për të dëmtuar potencialisht fushatat e tyre përkatëse.

Përveç shkëmbimit të diskutueshëm rreth sulmit në Kapitol, debati shfaqi më shumë momente të ndjenjës pozitive mëtij shumë sesa mund të pritej. Walz tha se “i kishte shijuar debati i sonte dhe mendoj se kishte shumë të përbashkëta këtu” përpara se të vinte në dukje se atij “i vjen keq që kishte folur gabimisht për gjërat dhe mendoj se mund të kem me senatorin”.

“Edhe unë, po ashtu,” u përgjigj Vance

Por, me përfundimin e debatit tani, unë do të argumentoja se të dy ia kanë dalë mirë – që do të thotë se ata e kanë goditur atë pikë, nuk kanë bërë asnjë dëm dhe me gjasë i kanë bërë shefat e tyre të lumtur. Por sidoqoftë Vance mbrëmë fitoi …

Filed Under: Fejton

Presidentja Osmani takoi presidentin e Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier

October 2, 2024 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në ditën e dytë të vizitës së punës në Gjermani ka takuar presidentin e Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier.


Diskutimet u fokusuan në thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, zhvillimet aktuale në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor si dhe avancimin e integrimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.


Presidentja Osmani shprehu vlerësimin e thellë për mbështetjen e Gjermanisë për Kosovën në procesin e lirisë dhe shtetndërtimit, por edhe në rrugën euroatlantike.


“Kosova dhe Gjermania kanë një partneritet të fortë dhe të qëndrueshëm të bazuar në vlerat e përbashkëta të demokracisë, paqes dhe progresit. Gjermania është aleate strategjike në rrugëtimin e Kosovës drejt fuqizimit dhe integrimit ndërkombëtar, ndaj presim që ta forcojmë edhe më tej këtë partneritet në vitet në vijim”, ka theksuar Presidentja Osmani.


Procesin e Berlinit, Presidentja Osmani e ka cilësuar shtysë e fuqishme për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.


Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka ritheksuar mbështetjen e plotë për marrëveshjet e dala nga ky proces.


Në takim me presidentin  Steinmeier, Presidentja Osmani ndër të tjera ka potencuar rolin dhe kontributin e mërgatës shqiptare në Gjermani, e cila është urë e fuqishme për raportet ndërmjet dy shteteve.


Të dy presidentët diskutuan gjithashtu dhe potencialin për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të interesit të dyanshëm.

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • 49
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT