• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2024

Lamtumirë Heroi ynë Profesor Sami Repishti

November 30, 2024 by s p

Nga Mimoza Dajçi/

Si aktiviste pranë komunitetit shqiptar edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kam patur rast të takoj e të flas nga afër me legjendën shqiptare, ish të burgosurin politik të ndërgjegjes Prof. Sami Repishti.

Rreth dy vite më parë sëbashku me disa koleget tona realizuam dokumentarin me titull “E Bukura nën Pranga”, ku personalisht mbaj autorësinë si skenariste dhe regjisore e tij.

Dokumentari i dedikohet grave dhe vajzave shqiptare që u burgosën, u vranë e internuan padrejtësisht nga diktatura më e egër në Europë. Aty paraqiten jetët plot mund, vuajtje e sakrifica të Hava Repishtit – nënës së Prof. Sami Repishtit, Hana Sinës – nënës së gazetarit të palodhur Beqir Sina, i cili ka lindur dhe është rritur në internim në Shqipëri. Përshkruhet jeta dhe veprimtaria patriotike e Heroinave Musine Kokalari, Marie Shllaku, Marie Dvorani, Klara Mirakaj, Suzana Matja, Flora Selfo, Prof. Dr. Dolore Bushatit, e cila ka lindur dhe është rritur në internim në Shqipëri, italianes Jolanda Tahmizi, Marie Rexhaj. Shpresa Tuda, Fatbardha Mulleti Saraçi, Leze Smajlaj, juristes dhe diplomates Rozana Cima etj.

Në dokumentar flitet gjithashtu edhe për femrat – Heroina shqiptare që u vranë, përdhunuan e u malltrajtuan nga makineria serbe gjatë luftës në Kosovë, genocidin çam ndaj femrave shqiptare si dhe diktatin e egër që ushtronte qeveria serbe në Maqedoni ndaj femrave dhe popullit shqiptar në tërësi.

Dokumentari “E Bukura nën Pranga” hap siparin e tij me jetëshkrimin e një nëne që pas ndarjes nga jeta të bashkëshortit të saj Ibrahim Repishti, një nga promotorët e Lëvizjes Demokratike të periudhës së Pavarëisë dhe konfiskimit të pasurisë, punonte në mënyrë që të ndihmonte të birin, i cili vuante dënimin në burgun pranë Urës Vajgurore. Mbështjellë në një torbë të vogël pak ushqim, përpiqet t’ia dërgojë të birit të saj në burg, por rojet e burgut e shtyjnë e largojnë si armike e popullit.

Kjo ishte Hava Bushati Repishti nëna e Prof. Sami Repishtit, i cili po vuante dënimin si i burgosur politik në atë ferr torturash sëbashku me qindra e mijra ish të burgosur politik të Shqipërisë, kundërshtarë të atij regjimi diktatorial që shkatërroi individin, fëmijë, familje shqiptare dhe të huaja. Një natë dhjetori në vitin 1953 nënë Hava u la për 24 orë jashtë dyerve të burgut nga rojet duke mos e lejuar të takonte të birin.

Jetëshkrimin për nënën e tij Prof. Repishti ma dërgoi me postë, si dhe më kishte dhuruar edhe një nga veprat e tij letrare titulluar “Pika e Lotit”. Libër ky me tregime, ku përshkruan torturat nga burgu i Shkodrës, konceptuar në formë autobiografie dhe përjetime jetësore historike.

Gjithashtu sa herë që me antaret e Organizatës së Gruas “Shpresë & Paqe” në SHBA do të mbanim ndonjë event përkujtimor do të na përgëzonte duke bërë një analizë super pozitive dhe entuziaste edhe në media, ku shprehte rëndësinë dhe vlerësimin e tij.

Nuk jam e sigurtë për emërtimin e titullit Presidencial që gëzonte në Shqipëri Prof. Sami Repishti, por për ne dhe popullin shqiptar mbetet një Hero, aktivist i të drejtave civile të njeriut, luftëtar i vërtetë i paqes dhe demokracisë botërore.

Lamtumirë Legjenda Shqiptare Prof. Sami Repishti!

Foto: Dritan Haxhia

Filed Under: Komente

Lamtumirë Axhi Sami: Përkujtimore për një shqiptar idealist

November 30, 2024 by s p

Grid S. Rroji/

Të mërkurën, më 27 Nëntor 2024, pushoi së rrahuri zemra shqiptare e prof. Sami Repishtit, një intelektual shqiptar humanist, dhe njëra nga figurat më të shquara të shqiptarëve të Amerikës.

Prof. Repishti ishte intelektual i mendimit bashkohor, figurë qendrore e promovimit të Çështjes Kombëtare Shqiptare në Uashington e nëpër botë, por edhe i vlerave demokratike dhe lirisë së mendimit në të gjitha trojet shqiptare. E gjithë vepra e tij publike ju kushtua shqiptarëve dhe përparimit të tyre.

Prof.Sami Repishti ishte kushëriri i babës tim, dhe unë kam nder që ai më thirrte nip e unë atë axhë. Ndaj dhe në këto radhë, dua t’a kujtoj Axhin Sami, siç e kam thirrë përherë, jo vetëm nëpërmjet veprimtarisë së tij publike, e cila ju duhet bërë e njohur shumë më tepër brezave të ardhshëm, por edhe nëpërmjet copëzave të jetës që pata fatin dhe nderin ti ndaj me të.

Veprimtaria e Sami Repishtit shtrihet përmbi 5 dekada dhe përfshin shumë çështje, por mbi të gjitha ai ja dedikoi jetën e vet publike Çështjes Kombëtare Shqiptare dhe Kosovës. Sami Repishti ishte një vlerë e çmuar për kombin shqiptar dhe humbja e tij e varfëron mendimin intelektual shqiptar.

Qysh në rini, Sami Repishti u shqua për idealizmin e tij dhe dashurinë për kombin e vet, të cilin e desh me përkushtim e pa kushte deri në ditën e fundit të jetës.

Sami Repishti kishte bindje social demokrate, ishte ithtar i demokracisë, fjalës dhe mendimit të lirë, dhe I paqes nëpër botë. Por Sami Repishti nuk ju largua betejave dhe sfidave, përkundrazi, i luftoi ato ashtu siç dinte ai, me konsekuencë mendimi dhe mospërkulje ndaj padrejtësisë por edhe me një humanizëm të pashoq. Kombi shqiptar do të prodhojë bij e bija të denja në të ardhmen, por askush nuk do mundet me qenë më i denjë se Sami Repishti.

Sami Repishti ishte antifashist i hershëm.Ai mori pjesë në shumë demonstrata dhe veprimtari antifashiste gjatë pushtimit fashist të Shqipërisë. Në një nga bisedat me të para disa vitesh, më tregonte se si ishte angazhuar në Lëvizjen Antifashiste në qytetin e Shkodrës por kishte pësuar zhgënjim të thellë kur ish shokët e tij të aktivitetit antifashist, ishin kthyer në xhelatë të popullit të vet. “Kjo nuk asht ajo për çka luftuem e u përpoqëm”- i kishte thënë shokut të vet i cili kish shkuar për ta futur në strukturat komuniste.

Për shkak të bindjeve të tija anti-komuniste dhe mospërkuljes ndaj të keqes, regjimi i Enver Hoxhës e burgosi për 11 vjet. Pas daljes nga burgu, Sami Repishti mori vendimin e vështirë të largimit nga atdheu i dashur ku e përndiqnin komunistët dhe ishte i bindur se do t’a fusnin në burg sërish me sebepe gjithfarësh.

Në mërgim, Sami Repishti, edhe pse në moshë jo të fort të re, ju dedikua studimeve dhe kreu doktoraturën në Universitetin e Qytetit të Nju Jorkut dhe të Sorbonës në Paris.

Temën e disertacionit ja përkushtoi veprës së Andre Malrosë, një intelektual antifashist francez i cili kishte luftuar me armë kundër nazistëve, dhe më pas u angazhua në politikë si ministër kulture në qeverinë De Gol. Temat kryesore që trajton Malroja në librat e vet- studimi i brendisë së njeriut përkundrejt padrejtësisë, shtypjes dhe lirisë – jo rastësisht e tërhoqën profesor Repishtin. AI vetë e kishte provuar në kurriz dërrmimin e një shteti të padrejtë e terrorist, burgosjen politike dhe e kishte gjetur lirinë vetëm pasi kishte emigruar dhe ishte vendosur në sistemin demokratik amerikan.

Ashtu si Malroja, edhe Sami Repishti e shihte sistemin demokratik Perëndimor si pikë referimi për demokracinë kudo në botë dhe për këtë arsye ju përkushtua me shumë forcë aleancës së shqiptarëve me SHBA-të.

Midis viteve 80të dhe 90të Sami Repishti ishte njeriu i vetëm që udhëhoqi me maturi dhe inteligjencë veprimtarinë e shqiptarëve të Amerikës duke u kthyer në pikë referimi për Çështjen Kombëtare Shqiptare në Uashington e më gjerë. Ai u kthye në fanarin e dijes dhe veprimit kombëtar atëherë kur komuniteti kishte me bollek financues dhe dëshirëmirë, por pak vizionarë e njerëz të përgatitur për t’’u përballur me sfidat e mëdha të kohës.

Vizioni i Sami Repishtit për nji Shqipni t’lirë, t’bashkueme e t’ begatë por mbi të gjitha demokratike ishte për dekada kumti i shqiptarëve të Amerikës. Ishte bashkëkrijues i Këshillit Kombëtar Shqiptar Amerikan (NAAC), dhe Rinisë Shqiptare në Botën e Lirë, të cilat i shndërroi në organizata referuese për krimet serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës, për shtetin amerikan dhe organizmat ndërkombëtarë të të drejtave të njeriut. Pa Sami Repishtin, e vërteta e terrorit serb nuk do kishte marrë vëmendjen e duhur dhe imazhi i shqiptarëve në Perëndim, e për rrjedhojë, qasja e Perëndimit ndaj tyre do ishte shumë më e pafavorshme.

Falë punës dhe intelektit të tij, Sami Repishti ja doli për me e kushtëzue pozitivisht opinionin e ligjbërësve në SHBA e më gjerë, në mënyrë që çështja shqiptare të trajtohej në kontekstin e duhur dhe bazuar mbi faktet reale e jo mbi trillimet serbe. Për këtë, kombi shqiptar do t’i jetë përherë mirënjohës birit të vet të denjë Sami Repishti. Për këtë qëllim ai organizoi dhjetëra takime, konferenca, simpoziume dhe seminare ku diskutohej çështja shqiptare bazuar në faktet historike e jo në mashtrimet e lobeve antishqiptare në Uashington.

Ndër shumë arritjet e tij, ma e randsishmja ishte përfaqësimi i çështjes së Kosovës përpara opinionit publik dhe shtetit amerikan me një vizion të qartë, të mirëargumentuar dhe të drejtë. Ishte koha kur Jugosllavia post-Titiste ishte “bija e dashur” e Perëndimit, lobi serb kishte dominuar skenën publike dhe çështja e Kosovës pengohej edhe nga imazhi negativ në Përëndim i regjimit komunist të Tiranës. Konferenca shkencore e organizuar bashkë me Profesor Arshi Pipën në vitin 1982, e cila prodhoi një përmbledhje të mendimit shqiptar në Perëndim mbi Çështjen Shqiptare dhe raportet e shqiptarëve me serbët, për shumë kohë u shndërrua në material udhërrëfyes për elitat Perëndimore.

Sami Repishti,dhe pak të tjerë, ja dolën që ti përfaqësojë shqiptarët dhe Kosovën denjësisht. Ata I treguan botës të vërtetën, vuajtjet e popullit të Kosovës nën regjimin e Milosheviçit, ju kujtuan padrejtësitë historike të bëra ndaj shqiptarëve, pahnxorrën shkeljen sistematike të të drejtave themelore të shqiptarëve në Kosovë, përkundër përpjekjes serbe për të na denigruar si të pazhvilluar e të paaftë për me krijue shtet. Ai i qëndroi gjithmonë besnik të vërtetës dhe kurrë nuk krijoi fakte thjesht për përfitim të çastit. Për këtë arsye, ai u kthye në një za të fuqishëm dhe të besueshëm në Uashington pa të cilin shumëçka nuk do ishte arritë në Kosovë e Shqipëri.

Memorandumet e tij të përvitshme Organizatës së Kombeve të Bashkuara paraqitnin një tablo të qartë të shkeljeve masive të të drejtave të njeriut në Kosovë dhe historikut të diskriminit të shqiptarëve nga serbët. Duke ja paraqitur të vërtetën botës, ai u kthye në një burim të çmuar i të dhënave mbi shkeljet e të drejtave të shqiptarëve në ish-Jugosllavi.

Ndërhymja e NATO-s dhe mbështetja ndërkombëtare për Kosovën kundër regjimit gjakatar të Millosheviçit nuk do kishin qenë të mundura nëse nuk do ishin hedhur themelet shumë vite përpara, dhe ato themele i hodhi Sami Repishti bashkë me miqtë e tij. Kosova, toka martire e kombit shqiptar do t’i jetë mirënjohës përjetë Sami Repishtit për kontributin e tij.

Mbas rënies së komunizmit në vitet 90të, dhe pavarësimit të Kosovës, Sami Repishti e drejtoi vëmendjen drejt promovimit të vlerave demokratike dhe humaniste në trojet shqiptare. Megjithëse kishte vuajtur burgun politik në sistemin komunist, Sami Repishti nuk kërkoi kurrë shpagim. Dashuria e pamasë për Shqipërinë dhe shqiptarët nuk e lejonte me ra në gabime të tilla. Sami Repishti ishte humanist, por donte mbi të gjitha popullin shqiptar dhe punoi deri në fund për të arritur lirinë e tij dhe një regjim demokratik.

Ai i qëndroi bindjes së tij, se e keqja duhet pranuar botërisht dhe krimet e komunizmit duhen dokumentuar dhe mësuar brezave të rinj në mënyrë që mynxyra të mos përsëritet. Kujtimet e tij i la të shkrueme për të dokumentuar ferrin e burgjeve të komunizmit dhe humbjen e njerëzillëkut të xhelatëve të tij. “Pika Loti” do të mbetet dëshmi për brezat e ardhshëm si udhërrëfyes mbi tmerrin e shtypjes së njeriut nga një shtet terrorist. Ndërsa “Nën Hijen e Rozafës” është vepra ku ai trajtoi ashtu si Malroi, temën madhore të humbjes së ndjeshmërisë njerëzore nga xhelatët nën thundrën e një ideologjie shtypëse si ajo që mbante regjimi komunist. Në të dyja veprat, Sami Repishti shpalosi qasjen e tij humaniste ndaj shtypjes dhe cënimit të lirisë njerëzore dhe dashurinë për vendin dhe popullin e vet.

Por ai kurrë nuk e humbi njerëzillekun dhe as arsyen e shëndoshë, as kur pësoi zhgënjime të mëdha nga personazhe të politikës postkomuniste, të cilat i kishte parë me shpresë. Shkrimet e tij në mediat e Tiranës nuk tregonin as cinizëm e as madhështi. Përkundrazi, Sami Repishti jepte propozime për zgjidhje konkrete të problemeve shqiptare, një nga të paktët të cilit petkat e intelektualit kombëtar i rrinin shumë mirë.

Vitet e fundit, në bisedat me të, shprehte zhgënjimin e thellë për mosnjohjen e të keqes në shoqërinë shqiptare, mosndamjen e sistemit të tanishëm politik me të kaluarën diktatoriale, dhe mbi të gjitha rrjedhjen drejt diktaturës që po kaplon sërish Shqipërinë. Por ai nuk ndaloi kurrë së punuari për t’a nxjerrë Shqipërinë nga bataku.

Në një letër konfidenciale dërguar Ambasadores amerikane Juri Kim pasi kishte marrë emërimin por para se të akreditohej në TIranë, Prof. Repishti ja parashtronte me shumë takt e maturi historinë politike të tranzicionit. Ai i drejtohej me shumë shqetësim për fatin e demokracisë, mungesën e një opozite reale e të shëndoshë dhe i kërkonte që të luante rolin e saj si Ambasadore për të forcuar institucionet demokratike në Shqipëri. Deri në ditën e fundit, Sami Repishti mendoi për shqiptarët, jetoi për shqiptarët dhe punoi pa u lodhur për ta.

Sami Repishti ishte Axhi im, por përtej asaj, ishte burri ma i njerëzishëm dhe i matur që kam njoftë. Kushdo që ka dëgjue fjalën “zotnillek” në Shkodër e përtej, e kishte të qartë përkufizimin e këtij koncepti kur takonte Sami Repishtin.

Kur sapo kishim mbërritur në SHBA, në vitin e largët 1995, ishte ai që me shumë takt e njohje të psikologjisë njerëzore më drejtoi në përzgjedhjen e Universitetit. Më kujtohet se sa me krenari më prezantoi me Kryebashkiakun e atëhershëm të Nju Jorkut Rudi Xhuliani, në rezidencën Gracie Mansion, ku u krye dasma e Avës, vajzës së tij:-“Ky asht nipi jem, ka mbarue për Shkenca Politike”.

Më tej, pas përfundimit të studimeve me njerëzillekun e vet të pafund, më trajtonte si koleg. Kur më kërkoi me shumë edukatë që të bëj një paraqitje të mendimit të tij politik në një Simpozium për 90-vjetorin e lindjes të mbajtur në Universitetin e Kolumbias, ishte nderimi më i madh që mund të kisha imagjinuar. E megjithatë, ai u soll sikur po i bëja unë nder atij. Falemnderës Axha Sami që më dhe mundësinë me kontribue diçka të vogël për me e evidentue punën tande të madhe për kombin shqiptar.

Në vitet e fundit, kur diskutonim për Shqipërinë, Axhi Sami ma tepër pyeste e ndigjonte se jepte leksione. Gjithmonë idealist por me këmbë në tokë, kërkonte me ditë për strukturat politike, marrëdhaniet midis palëve, dhe nivelin e propagandës. Jo rrallëherë, atij i kërkonin mendim shtetarë amerikanë nga ata që edhe kur dalin në pension ju peshon mendimi. I kthjellët deri në fund, Axhi Sami kishte aftësinë e rrallë që e kuptonte Shqipërinë me rranjë, por edhe nuk i shterrte dashuria për të. Asnjëherë nuk mendoi për interesat e veta të ngushta, Shqipëria ishte gjithmonë e para.

Për mua, humbja e tij është personale dhe shpirtërore. Ndaj dhe në përfundim, dëshiroj t’ja them dy fjalë zemre, pa filtra profesionalë, sikur ai e meritonte dhe do e meritojë gjithmonë.

Pushofsh n’amshimin e Zotit, Axha Sami. E deshe Shqipninë e Kosovën ma shumë se gjithçka tjetër dhe ju dedikove pjesën ma t’randsishme të qenies tande. Ishe drita e komunitetit shqiptar të Amerikës si intelektual i mirëfilltë edhe pse shpeshherë nuk ta dijshin vlerën e vërtetë. Askush ma shumë se ti nuk ka kontribue pêr çështjen shqiptare në ato kohë e në veçanti për Kosovën tande fort të dashur.

Kurr nuk kërkove asgjë, edhe pse të respektonin e të mbështesnin senatorë e shtetarë amerikanë me peshë.

Për mue, ti ishe shumë ma tepër se familje, ishe nga t’paktit me t’cilin kisha vërtet kënaqësi me bisedue. Kam nderin që më quajte nip e unë ty axhë.

Jetove me nder e përcolle dritë kudo që shkele. Pate nji grua të rrallë që rrallëkush e ka ma zonjë. Zonja Diana ishte dhe mbetet grueja ma e denjë që kam njoftë. Darren dhe Ava, bashkë me nipër e mbesa që le mbrapa janë trashëgimi e çmuar që ke lanë pas. Ata do t’a mbajnë lart emrin e Repishtëve në Amerikë e kudo.

Nuk ka fjalë që munden me e shprehë mirënjohjen time për ty. Unë qeshë me fat që jetët tona përkitën dhe munda me të njoftë nga afër. Falemnderit që ma pasurove jetën me prezencën tande.

Pusho në paqe axha Sami, jetove me nder e dinjitet. Le mbrapa veç dritë e mirësi. Marrshim të gjithë nga drita jote dhe u baftë Shqipnija ashtu siç e andrrove ti!

Nuk do kishte fat ma t’madh për ne.

***

English Translation

Farewell, Uncle Sami: A Memorial to an Idealist Albanian

On Wednesday, November 27, 2024, the heart of Professor Sami Repishti, an intellectual humanist and one of the most prominent figures of the Albanian diaspora in America, stopped beating.

Prof. Repishti was a contemporary thinker, a central figure in promoting the Albanian National Cause in Washington and around the world, and an advocate for democratic values and freedom of thought across Albanian territories. His public life was entirely dedicated to the Albanian people and their progress.

Prof. Sami Repishti was my father’s cousin, and I had the honor of being called his nephew and calling him uncle. Thus, in these lines, I wish to remember Uncle Sami, as I always called him—not only through his public contributions, which future generations should know much more about, but also through moments of life I was fortunate and honored to share with him.

Sami Repishti’s work spans over five decades and encompasses numerous issues, but above all, he dedicated his public life to the Albanian National Cause and Kosova. Sami Repishti was a priceless treasure for the Albanian nation, and his passing impoverishes Albanian intellectual thought.

From a young age, Sami Repishti stood out for his idealism and love for his nation, a devotion he carried without condition until the very last day of his life.

A social democrat by conviction, he was an advocate of democracy, freedom of expression, and peace worldwide. But Sami Repishti never shied away from battles and challenges. On the contrary, he fought them with intellectual rigor, steadfastness against injustice, and unmatched humanism. The Albanian nation will undoubtedly produce worthy sons and daughters in the future, but none will surpass the merit of Sami Repishti.

An early antifascist, Sami Repishti participated in numerous demonstrations and activities against fascism during the occupation of Albania. In one of our conversations years ago, he told me about his involvement in the Antifascist Movement in Shkodra and the deep disappointment he felt when his former antifascist comrades turned into oppressors of their own people. “This is not what we fought and struggled for,” he had told a friend who sought to recruit him into the communist structures.

Due to his anti-communist convictions and his unyielding stance against wrongdoing, Enver Hoxha’s regime imprisoned him for 11 years. After his release, Sami Repishti made the difficult decision to leave his beloved homeland, where communists persecuted him, and he was convinced they would imprison him again under false pretenses.

In exile, despite not being in his youth, Sami Repishti dedicated himself to studies, earning his doctorate at the City University of New York and the Sorbonne in Paris.

His dissertation focused on the works of André Malraux, a French antifascist intellectual who fought the Nazis and later served as Minister of Culture under Charles de Gaulle. Malraux’s exploration of human nature in the face of injustice, oppression, and freedom—central themes in his books—resonated deeply with Professor Repishti. He himself had experienced the crushing weight of an unjust and tyrannical state, endured political imprisonment, and found freedom only after emigrating and settling in the democratic system of America.

Like Malraux, Sami Repishti viewed the Western democratic system as a beacon for democracy worldwide, dedicating himself fervently to strengthening the Albanian-American alliance.

During the 1980s and 1990s, Sami Repishti was one of the leaders who guided the activities of the Albanian-American community with wisdom and intelligence. He became a reference point for the Albanian National Cause in Washington and beyond. He became the beacon of knowledge and national action at a time when the community was rich in financial backers and well-wishers but had few visionaries and prepared individuals to tackle the era’s great challenges.

Sami Repishti’s vision for a free, united, prosperous, and above all, democratic Albania was, for decades, the guiding light for Albanians in America. He was a co-founder of the National Albanian American Council (NAAC) and the Albanian Youth in the Free World, turning them into key organizations for exposing Serbian crimes against Albanians in Kosova to American policymakers and international human rights organizations. Without Sami Repishti, the truth about Serbian terror would not have received the necessary attention, and the image of Albanians in the West—and thus the West’s approach to them—would have been far less favorable.

Thanks to his work and intellect, Sami Repishti successfully influenced policymakers in the U.S. and beyond, ensuring that the Albanian cause was addressed appropriately and based on real facts, not Serbian fabrications. To achieve this goal, he organized dozens of meetings, conferences, symposia, and seminars, where the Albanian issue was discussed based on historical facts, not the fabrications of anti-Albanian lobbies in Washington. For this, the Albanian nation will forever be grateful to its worthy son, Sami Repishti.

Among his many achievements, his most significant was representing Kosova’s case before the American public and government with a clear, well-argued, and just vision. This was a time when post-Tito Yugoslavia was the “darling” of the West, the Serbian lobby dominated the public scene, and Kosova’s cause was hindered by the negative image of the communist regime in Tirana in the West. The 1982 scientific conference, organized alongside Professor Arshi Pipa, produced a collection of Albanian thought in the West about the Albanian Issue and the relationship between Albanians and Serbs, serving as a guiding material for Western elites for a long time.

Sami Repishti and a few others successfully represented Albanians and Kosova with dignity. They revealed the truth about the suffering of Kosova’s people under Milosevic’s regime, reminded the world of the historical injustices faced by Albanians, and highlighted the systemic violations of fundamental rights in Kosova, countering Serbian efforts to denigrate Albanians as undeveloped and incapable of statehood. He always remained faithful to the truth and never fabricated facts for immediate gain. For this reason, he became a powerful and credible voice in Washington, without which much of what was achieved in Kosova and Albania would not have been possible.

His annual memoranda to the United Nations presented a clear picture of the massive human rights violations in Kosova and the historical discrimination of Albanians by Serbs. By presenting the truth to the world, he became a valuable source of information about the violations of Albanians’ rights in the former Yugoslavia.

The NATO intervention and international support for Kosova against Milosevic’s bloody regime would not have been possible without the foundations laid years earlier, and those foundations were laid by Sami Repishti and his friends. Kosova, the martyred land of the Albanian nation, will be eternally grateful to Sami Repishti for his contributions.

After the fall of communism in the 1990s and Kosova’s independence, Sami Repishti focused his attention on promoting democratic and humanist values in Albanian territories. Although he had endured political imprisonment under the communist regime, Sami Repishti never sought revenge. His immense love for Albania and its people prevented him from falling into such errors. Sami Repishti was a humanist, but above all, he loved the Albanian people and worked tirelessly to achieve their freedom and a democratic regime.

He remained steadfast in his belief that evil must be publicly acknowledged, and the crimes of communism documented and taught to future generations to prevent such tragedies from recurring. He left his memoirs written to document the hell of communist prisons and the loss of humanity among his tormentors. Pika Loti (A Drop of Tear) will stand as a testimony for future generations, a guide to the horrors of human oppression by a terrorist state. Meanwhile, Nën Hijen e Rozafës (Under the Shadow of Rozafa) is the work where, much like Malraux, he addressed the grand theme of the loss of human sensitivity by oppressors under the yoke of an oppressive ideology such as that of the communist regime. In both works, Sami Repishti displayed his humanist approach to oppression, his commitment to human freedom, and his love for his country and people.

Yet he never lost his humanity or sound reasoning, even when deeply disappointed by figures in post-communist politics, whom he had once regarded with hope. His writings in Tirana’s media revealed neither cynicism nor condescension. On the contrary, Sami Repishti offered concrete proposals to solve Albanian issues, remaining one of the few whose role as a national intellectual suited him perfectly.

In recent years, in conversations, he expressed deep disappointment with Albanian society’s failure to confront past evils, its inability to break with its dictatorial past, and, above all, the drift toward dictatorship that was once again engulfing Albania. Yet, he never ceased working to lift Albania out of its mire.

In a confidential letter sent to U.S. Ambassador Yuri Kim after her appointment but before her accreditation in Tirana, Prof. Repishti tactfully and thoughtfully laid out the political history of Albania’s transition. With great concern for democracy’s fate and the lack of a healthy opposition, he urged her to play her role as ambassador to strengthen Albania’s democratic institutions. Until his last day, Sami Repishti thought of the Albanian people, lived for them, and worked tirelessly on their behalf.

Sami Repishti was my uncle, but beyond that, he was the most humane and wise man I have ever known. Anyone who had heard the term zotnillëk (gentlemanliness) in Shkodra or beyond would understand its true definition upon meeting Sami Repishti.

When we had just arrived in the U.S. in 1995, he was the one who, with great tact and understanding of human psychology, guided me in selecting a university. I remember how proudly he introduced me to then-Mayor of New York City Rudy Giuliani at Gracie Mansion, during his daughter Ava’s wedding: “This is my nephew; he graduated in Political Science.”

Later, after I completed my studies, he treated me as a colleague with his boundless humanity. When he politely asked me to present his political thought at a symposium for his 90th birthday held at Columbia University, it was the greatest honor I could have imagined. Yet, he acted as though I was doing him a favor. Thank you, Uncle Sami, for giving me the chance to contribute in some small way to highlighting your tremendous work for the Albanian nation.

In his later years, when we discussed Albania, Uncle Sami mostly listened and asked questions rather than lecturing. Ever the idealist but grounded in reality, he sought to understand political structures, relationships between parties, and the level of propaganda. Not infrequently, American statesmen—those whose opinions still carried weight even in retirement—sought his advice. Clear-minded until the end, Uncle Sami had the rare ability to deeply understand Albania while never exhausting his love for it. He never thought of narrow self-interest; Albania was always his first priority.

For me, his loss is both personal and spiritual. Therefore, in closing, I wish to say a few heartfelt words, unfiltered by professionalism, as he deserved and will always deserve.

Rest in God’s eternity, Uncle Sami. You loved Albania and Kosova more than anything else and dedicated the most important part of your being to them. You were the light of the Albanian-American community as a true intellectual, even if your true value was not always recognized. No one has contributed more to the Albanian cause during those times, especially for your beloved Kosova.

You never asked for anything, even though influential American senators and statesmen respected and supported you.

To me, you were much more than family; you were one of the few with whom I genuinely enjoyed conversing. I am honored that you called me nephew and allowed me to call you uncle.

You lived with honor and spread light wherever you went. You had a rare wife, a true lady, who remains the most dignified woman I have ever known. Darren and Ava, along with the grandchildren you left behind, are a priceless legacy that will uphold the Repishti name in America and beyond.

There are no words to express my gratitude to you. I was fortunate that our lives intersected and that I had the chance to know you closely. Thank you for enriching my life with your presence.

Rest in peace, Uncle Sami; you lived with honor and dignity. You left behind only light and goodness. May we all draw from your light, and may Albania become as you dreamed!

There could be no greater fortune for us.

Filed Under: Analiza

VATRA PROMOVOI VEPRAT E PROF. PRIMO SHLLAKUT DHE VLORA ADEMIT

November 30, 2024 by s p

Sokol Paja/

New York, 30 Nëntor 2024 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” promovoi në Selinë Qëdrore 3 vepra letrare të letërsisë moderne shqiptare “Pesha e padurueshme e pafajësisë” dhe “Nata e qejve” të autorit Prof. Primo Shllaku dhe vëllimin poetik “Katërdhetë e pak” nga poetja Vlora Ademi.

Me pjesëmarrjen e patriotëve shqiptarë në New York, shkrimtarëve të komunitetit, aktivistëve e veprimtarëve, te Nëntori i Pavarësisë, Vatra ka krijuar traditë kulturore e patriotike ku bashkon shqiptarët e mërgatës së Amerikës duke ftuar shkrimtarë të shquar nga Shqipëria, Kosova e trojet etnike në promovimin e vlerave më të larta kombëtare të letërsisë, historisë e kulturës kombëtare. Nën prezantimin e Editorit të Diellit, pas fjalës së mirëseardhjes në emër të Vatrës nga Dr. Pashko Camaj, u mbajt 1 minutë heshtje në nderim të shqiptarit të shquar Sami Repishti e shkrimtarit Agim Dëshnica ndarë nga jeta pak ditë më parë.

Poetja Vlora Ademi në fjalën e saj diskutoi rreth historisë së Federatës Vatra e personaliteteve shqiptare të Amerikës dhe shpalosi detaje emocionuese të fillesave të saj në letërsi me mbështetjen e Prof. Primo Shllakut dhe interpretoi një poezi prej librit që emocionoi të gjithë të pranishmit. Prof. Primo Shllaku në diskutimin e tij theksoi se Vatra është Ambasadë shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Z.Shllaku vlerësoi kontributin e Vatrës dhe shqiptarëve të Amerikës në çështjen kombëtare me organizimet e tyre masive dhe lidhjen e fuqishme ndërmjet tyre. “Në Shqipëri sot ka një letërsi ku në qendër është njeriu, një letërsi antropocentriste. Sot shkruhet një letërsi ku njeriu shfaqet me ankthet ekzistenciale, probleme të historisë dhe identitetit kombëtar” tha Prof. Shllaku.

“Ikja e Shqiptarëve nga Shqipëria është një hemorragji e tmerrshme sipas Prof. Shllakut. “Ikja e ajkës e dijes e intelektualëve sjellë shkërmoqjen e shoqërisë. Është e dhimbshme heshtja dhe mos reagimi i askujt ndaj ikjes së shqiptarëve, analizoi Prof. Shllaku. Shqiptarët e Amerikës kanë dhënë kontribute të lavdishme të historisë kombëtare si mbrojtja ndaj kufijve të Shqipërisë së Jugut më 1920 dhe batalioni Atlantiku në luftën e Kosovës dhe se shqiptarët janë një popull shumë i zgjuar që e kanë domosdoshmëri ruajtjen e gjuhës shqipe dhe trashëgimisë kulturore, porositi Prof. Primo Shllaku. Në bisedën e gjatë e tërheqëse me të pranishmit Prof. Primo Shllaku trajtoi probleme të individit, shtetit, demokracisë, lirisë, moralit, emigracionit e dilemës ekzistenciale të shqiptarëve. Gazetari e diplomati Virgjil Kule vlerësoi Primo Shllakun si njeri që mendon thellë dhe trajton raportin mes fajësisë dhe pafajësisë universalisht, njeri që trajton një temë universale në letërsinë shqiptare.

Zonja Mimoza Ferraj Kule theksoi në fjalën e saj se diaspora është reflektim dhe atdheu është pasqyra jonë. Diaspora shqiptare është reflektim i vlerave më të mira shqiptare. Diaspora shqiptare pasuron shtetin, kombin dhe shoqërinë shqiptare. Atdheu ynë ka historisë të dhimbshme, theksoi ndër të tjera zonja Mimoza Ferraj Kule. Shkrimtari Mëhill Velaj recitoi një poezi të poetes Vlora Ademi ndërsa Ramadan Gashi pyeti për hapat e katarsisit kombëtar, ndërsa Shllaku u përgjigj se nuk ka ekuilbra të brendshëm mes shoqërisë dhe shtetit dhe duhet theksuar nevoja e shqiptarëve për të parë nga Perëndimi e jo nga Lindja. Muhamet Omari pyeti rreth komunizmit ideologjik dhe dominimin në politikë e ekonomi,, ndërsa Prof. Shllaku theksoi se politika sakatoi marrëdhënien e individit me pronën, shkallmoi lidhjen e shqiptarëve me tokën.

Gjuhëtarja Mjaftime Brati vlerësoi kontributin e autorëve në letërsi dhe mjedisin kulturor shqiptar. Ceremonia e promovimit u mbyll me nënshkrimin e librave prej autorëve dhe biseda të ngrohta e vëllazërore rreth çështjeve që shqetësojnë kombin e komunitetin shqiptar. Një promovim mbresëlënës në selinë e shenjtë kombëtare të Vatrës e cila udhëheq prej më shumë se 1 shekull e 1 dekadë veprimtarinë atdhetare, kulturore e patriotike në mërgatën e Amerikës.

Filed Under: Politike

GJON MILI NJЁ  ARTIST ME PЁRMASA BOTЁRORE

November 30, 2024 by s p

KRISTI 16.jpg

Kristaq  BALLI 

Me rastin e 120 Vjetorit të Lindjes 

Gurë Kilometrikë në Jetën dhe Veprimtarinë Artistike 

Më 28 Nëntor  mbushen 120  vjet nga  lindja  e Gjon Milit, artistit shqiptaro – amerikan  me famë botërore.

Historia e jetës, veprimtarisë dhe karierës së tij ekstravagante, sensacionale dhe  inkandeshente, si drita fotografike strobe që ai përdori, nis rëndom si ajo e shumë emigrantëve të tjerë korçarë, që u ndanë me atdheun e tyre nativ qysh shumë të rinj për për t’u arsimuar e edukuar dhe,  më pas, për t’iu nënështruar dhe dedikuar tërësisht punës  agresive, por edhe  pasioneve, entusiazmit, fantazisë, talentit e ëndrrave të tyre leon-james-and-willa-mae-ricker-demonstrating-a-step-of-the-lindy-hop_u-l-p76k2w0.pnghumane.

 I lindur  dhe pas një fëmijërie të hershne në Korçë, familja e madhe  Mili emigroi së   pari në Rumani, ku kishte një komunitet shqiptarësh, kryesisht nga Korça. Adoleshencën e rininë e parë e jeto në Bukuresht, ku edhe u shkollua me arsim të mesëm në  Kolegjin Kombëtar “Gheorghe Lazar”  të kryeqytetit rumun. Kur ishte 19 vjeç, më 1923 ai shkoi në Boston të ShBA. Menjëherë, aty nis e vijon studimet universitare në degën e inxhinierisë elektrike në një prej universiteteve më të zëshëm në botë, Institutin Teknologjik të Massachusets, (MIT). Gjatë jetës studentore ai ka eksperimentuar sprovat e tij të para të pasionit dhe prirjeve në fushën e fotografisë. Njëheresh, ushtroi edhe talentin e tij  në letërsi, me ç’rast, në mes të krijimeve të tjera, ai në 1928-29 boton edhe disa proza të shkurtra letrare (“Larg”, “Endërr” dhe “Nëna” në gazetën “Dielli” dhe në revistën letrare “Studenti shqiptar” të Odise Paskalit në Torino).  Ai luan, gjithashtu, në oboe, madje në vonë do të praktikohej edhe në piano,  duke shprehur, pra edhe prirje muzikore që do ta ndihmojnë atë në krijimtarinë e tij artistike. Bahun e kishte kompozitorin e tij favorit dhe e dëgjonte dendur. Me to është e lidhur njohja dhe miqësia me Faik Konicën, apo aktivizimi  si redaktor  në gazetën “Dielli” dhe në Shoqërinë Panshqiptare “Vatra”,  të cilAt kanë ushtruar  një nxitje vendimtare për jetën mëmëdhetare,  intelektuale e artistike të Gjon Milit. Për këtë vetë Mili shkruan: “…zura miqësi me Faik Konicën, një mik i vjetër shqiptar. Një shkrimtar elegant, një humanist i kulturuar dhe një intelektual i mprehtë, Konica, nxiti interesin tim për artet, veçanërisht për kinematografinë”. (Gj.Mili-Photographs & Recollections- Boston, 1980- faqe 18). Profesionin e inxhinierit e ushtron fillimisht për 10 vjet rresht  në kompaninë elektrike  “Westinghouse” deri në vitin 1937,  ku ai është marrë kryesisht me punë dhe aktivitete të natyrës shkencore në dobi të  zbulimit dhe përmirësimit të teknologjive dhe paisjeve shkencore të ndriçimit dhe optikës. 

150303-gjon-mili-stroboscopic-03-1024x820.jpgC:\Users\user\Desktop\ARTIKULL  GJON MILI  IN MEMORIA\FOTOT\1942 gjm.JPGMandej do të shkëputet prej saj, për t’iu kushtuar përfundimisht kamerës së errët, me të cilën do të lidhej me valenca të pashkëputura gjithë jetën. Edhe për filmin ka patur synime profesionale, madje ai fantazonte se një ditë do të shkonte në Hollivood, të cilin e arriti artistikisht shpejt, më 1942.

Më 1934 ai hapi ekspozitën e tij të parë jo formale fotografike.

 Ndërkaq,  më 1937, ai njihet gjatë një simpozium shkencor, në universitetin ku  kishte studiuar, me profesorin dhe shkencëtarin Harold Edgerton (1908-1988), i cili konsiderohet si shpikësi i fleshit elektronik (drita stroboskopike, blici, 1931), që krijonte mundësi të reja moderne fotografimi dhe që u bë për Milin katalizatori i fotografisë  futuriste dhe gjenialitetit të  tij profesional në këtë art pamor.  Pas një sërë eksperimentimesh fotografike me dritën elektronike e bashkëpunimesh me Edgerton, i cili ia fali shpikjen e vet artistit për ta rigjeneruar atë artistikisht, po në këtë vit fillon  punën e tij si fotoreporter  në revistën e re “Life” të New Yorkut, aso A nude descends a staircase, 1942.jpgkohe  e për shumë vjet rradhazi  e mirënjohur botërisht, e cila do të ishte për Gjon Milin afirmuesja e e krijimtarisë fotografike tepër inovative, të sukseshme e të admirueshme nga një opinion i gjerë artistik e shkencor botëror. “Në këto vite revista dhe fotografi filluan rrugën e tyre të lavdisë…Kjo përzierje e algjebrës me harmoninë do ta bënin Milin një nga fotografët më të njohur në Amerikë”(Andrea Visokov) Edgerton thotë për Milin: “Ai njohu forcën e dritës strobe dhe për vite na udhëhoqi në këtë fushë në një rrugë me të vërtetë imagjinare.” Foto të tilla si ajo e daljes së një predhe nga gryka e topit, me shpejtësi shkrepjeje të fraksioneve  një të miliontën e sekondës (1942, e cila u quajt shpikja e shekullit), ajo e baletit “Lindy Hop”(1943), qindra foto stroboskopike në faqet dhe kopertinat e revistës “Life” e të revistave të tjera, ku ai pati kontrata të shpeshta, të personaliteteve të shquar artistikë,  kulturorë, shkrimtarë, piktorë, balerinë, sportistë, shkencëtarë, supermodele, aktorë, muzikantë, politikanë,  nudo, fotomontazhe, etj., shfaqen nëpërmjet një filtri abstragues, krijues, e estetik të një niveli shumë të lartë.

09. GJM 26 Mar 1945+.jpgEkspozitën e parë vetiake “Dance in Movement”  (Vallzim në Lëvizje) e ka hapur në Muzeun e Artit Modern-MoMa në fillim të vitit 1942.

Në Janar 1943 në galerinë fotografike të Muzeut të Brooklin u çel ekspozita e përbashkët me Harold Edgertonin “Stroboscopic Photography” (Fotografia Stroboskopike)   Të kësaj kohe (1943) janë edhe  veprimtaritë e famshme të të ashtuquajturave “Jam Sessions”, të iniciuara nga vetë Gjon Mili dhe  Norman Granz, sipërmarrësi dhe prodhuesi më i madh i disqeve në ShBA, párti, apo mitingje, mbrëmje të gjata artistike  me dashamirës e profesionistë  të artit e kulturës ku improvizohej e interpretohej krijimtaria e re letrare, vizive e muzikore e ku rriheshin debate estetike e kulturore. Nga këto mbrëmje Gjon Mili njihet si autor filmimesh dhe një sërë botimesh e regjistrimesh interpretative muzikore në disqe,  filma (sot edhe në CD). Veçmas studioja e tij u quajt edhe “Athina  e Nju Jorkut” (Henri Cartier Breson ).

c57bcd211134fce54f9de9494cb290f7.jpg Ekspozitën e parë jashtë amerike të Gjon Milit në vitit 1946 në Paris e inauguroi me  entusiazëm filozofi e shkrimtari i madh Zhan Pol Sartri. Midis të tjerash ai ka shprehur këtë konsideratë: “Për atë ka një pafundësi mënyrash të fotografuari, siç është pafundësia e gjërave që na rrethojnë”

Por pasioni për filmin nuk i ishte venitur. Midis filmimeve të ndryshme, ai shpërthen nëpërmjet  një filmi të bujshëm muzikor, më 1944,  të gjatë vetëm 10 minuta, por i një niveli artistik mjeshtëror, që e bëri të famshëm në të gjithë Amerikën e sidomos në botën e muzikës xhaz e bluz. Filmi duket sikur përbëhet prej një shumatore  qindra sekuencash e tablosh fotografike sipas stilit origjinal të Gjon Milit. Filmi nën emrin “Jammin’ the Blues”, me muzikantët e shquar të top jazz  Lester Young, George Red Callendar, Harry Edison, Marlowe Morris, etj.  është nominuar për çmimin Oscar më 1945. Ai  vijon të shfaqet edhe sot. Për hir të këtij suksesi pianisti Mary Lou Williams kompozoi në respekt të realizuesit të tij një pjesë jazz me titullin “Gjon Mili Jam Session”. Gjon Milit i atribuohet edhe një film tjetër dokumentar prej afro 3 minutash të titulluar “Henri Cartier-Bresson”, ku ky fotograf i shquar francez është duke kërkuar çastin vendimtar të fotografimit. Ndërkaq, pas disa vitesh gjenden materiale bruto regjistrimi të një filmi të ri muzikor  ala “Jam Sessions”, por ai ka dështuar për arsye financiare. Ka xhiruar me skenar të tijin edhe filma të tjerë dokumentarë, si “Improvisation”, apo disa sprova të tjera  kushtuar veprës së Pablo Casals-it, Shon O’Kejs-it, Henri Breson-it etj. 

1960.png Viti 1949 kur ai u takua me piktorin e famshëm Pablo Pikaso në Francë e kur ai realizoi ciklin me foto “Vizatimet me Dritë”, ku piktori  pozonte duke vizatuar me bilë elektrike në ajër, ishte nga më të veçantit e më të bujshmit e jetës dhe krijimtarisë së së tij. Ky cikël fotosh përbënte një vepër të dyfishtë surprizuese të Pablo Pikasos dhe Gjon Milit. Pablo Pikaso, kur pa fotografitë që ai i kish bërë, u shpreh: “Edhe me teknikë krijohen vepra artistike”.  Me Pikason e vizatimet e tij në epiqendër, por edhe me shumë piktura të tij, ai realizoi shumë fotografi, aq sa nga kujtimet dhe mbresat e tij miqësore, artistike e estetike  me piktorin e madh,  më 1970, Mili botoi librin katalog “Picasso’s Third Dimension” (Dimensioni i Tretë i Pikasos).  

Nga fundi i viteve ’40 ai rralloi fotot me teknikën  stroboskopike:  “pas një dekade unë u vela  me dritën strobe sepse kisha bërë pothuajse gjithçka dhe nuk doja të përsëristja veten”. Por jo përfundimisht. Herë pas here ai kujtohej,  ngarkonte bateritë, kondensatorët, ndriçuesit e  paisjet e tjera strobe dhe këtë e bëri deri në fund të jetës. Për disa kohë, përkohësisht, ai punoi si ndihmës i fotografit shumë të famshëm Edward Weston,  por pa u shkëputur  asnjëherë nga revista “Life”  Në disa  foto të këtyre viteve firmën e mjeshtrit e gjejmë me vulën  “Mili Studio”.

Në vitet 1950,  Gjon Mili ishte në kulmin e popullaritetit.

Në Janar vitin 1950, bashkë me fotografin e njohur Robert Kapa  kanë  hapur ekspozitë në  Mueun e Artit Modern MoMA  me foto kushtuar  Pikasos. Kjo ekspozitë me 70 foto është çelur edhe në Paris në Galerinë Salon De Mai  në vitin 1952. (Life.com).

mili-10.jpg

Më 1955 Mili mori pjesë në ekspozitën më të madhe kolektive botërore të fotografëve të  shekullit të kaluar në ShBA dhe vende të tjera me emrin “Familja e Njeriut” me 5 foto, midis të cilave “Nudo, duke zbritur shkallët”

Më 1959 në një sondazh të revistës amerikane  “Popular Photography” ai konsiderohet si një nga 10 fotografët më të mirë bashkëkohorë të botës. Ja si e shpjegon ai angazhimin e vet:

 “Brezi im  ardhi në një kohë kur fotografia po avanconte  me kërcime  e bume, duke krijuar nxitje për të eksperimentuar dhe  tentuar shtigje të reja.”

 “The Magic of the Opera” (1960) është libri i parë fotografik kushtuar historisë së Operas Metropolitane të Nju Jorkut me fotografi të vyera operistike nga Gjon Mili dhe  të ilustruara me tekst nga Mary Ellis Peltz (bashkautore), drejtore e arkivës të operas metropolitane. 

Tepër tragjik shfaqet viti 1966, kur fotografit i digjet studioja e tij në Manhatan, një nga më të mëdhatë e më të përshtatshmet në botë,  dhe bashkë me të foto, shumë materiale fotografike, shkrime dhe korrespondenca e tij, që do ti krijonin një kosto e humbje të dhimbshme materiale e shpirtërore për gjithë krijimtarinë dhe jetën e tij. 

Chairs and music stands belonging to the 1955.jpgNë vitin 1970 ai boton katalogun me foto e tekst “Picasso’s Third Dimension” kushtuar jetës dhe veprimtarisë së Pikasos.

Picasso's Third Dimension.jpg

150303-gjon-mili-stroboscopic-11-789x1024.jpg Ekspozita  fotografike bienale në Musée Des Arts Décorativs, Arle  të Francës në verën e vitit  1971 iu kushtua krijimtarisë së Gjon Milit.

Në  vitin 1971 është i vetmi fotograf i  autorizuar ndërkombëtarisht për  pasqyrimin fotografik të procesit të fotografimit gjatë gjykimit të një prej krerëve SS të shfarosjes së ebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore, Adolf Eichman.

Viti 1973 cilësohet si i veçantë për arsye se ai merr pjesë si fotoreporter i revistës “Life” në gjyqin e Skandalit të Uotergeit-it, ku ai realizon fhjetra foto psikologjike dhe një foto kryevepër që përdoret si emblemë e pasqyrimit të kësaj ngjarjeje.

Nga vitet 1970 deri thuajse në fund të  jetës  Gjon Mili e nënçmoi interesin e opinionit rreth tij, revistat filluan ta harronin. Më 1980, me rastin e 75 Vjetorit të lindjes, në Nju Jork u çel ekspozita retrospektive  me 140 punime të tij dhe  Shoqata e Grafistëve të Nju  Jorkut botoi librin autobiografik të pregatitur ngs vetë ai:  “Gjon Mili Photographs & Recollection”,  libri më përfaqësues, ku përfshihet një pjesë e krijimtarisë dhe kujtimet e refleksionet estetike të piktorit për fotografinë dhe artet e tjera.

R.jpeg Gjatë fundit të viteve të tij të krijimtarisë ai dha  leksione e ligjërata mbi fotografinë nën prizmin e veprës dhe përvojës  së tij në disa universitete e kolegje artistike amerkane.

Ai nuk krijoi ndonjë lidhje të qëndrueshme familjare dhe nuk la pasardhës. 

D:\KRISTAQ\VITI 2021\A. LIBER MBI GJON MILIN\GJON MILI SHPERTHYESI I KOHES 24 Tetor 2023\1. LIBRI SIPAS KAPITUJVE\11. MODA DHE SHOWBIZI\FOTO MODA SHOWBIS\Wearing an evening dress by Adrian, photo by Gjon Mili 1946.jpg Vdekja e fotografit më 1984 (disa vjet më parë ai kishte pësuar një aksident automobilistik në Manhattan dhe shëndeti e personaliteti i tij ishin dëmtuar shumë), megjithatë, nuk e zgjoi  opinionin artistik. Ndërroi jetë për shkak të një pneumonie në  Stamford Connecticut të ShBA. Në varrimin e tij kishte shumë pak shqiptarë.   Një valë e  re interesi për fotografinë dhe njëheresh për Gjon Milin u vu re vetëm në fund të shek XX dhe fillim të shek. XXI

Më 1994, në librin e fotografes Susan Kismariç “American Politicans” (foto  1843-1993), New York, janë botuar edhe dy fotografi me temë politike të Milit. 

Për nder të tij, dhjetë vjet pas vdekjes, në fund të vitit 1994, në Haward Greenberg Gallery të Nju – Jorkut u paraqiten punë të bëra prej tij në harkun kohor 1930-1970, si dhe objekte nga jeta dhe vepra e Milit në lëmë të fotografisë dhe filmit. Interesi për këtë ekspozitë retrospektive ishte i tillë, saqë nga kritikët dhe vizitorët u quajt “ngjarja e vitit në fushën e fotografisë”. (Q. Vrioni: Gjon Mili – fotografi më i shquar shqiptaro-amerikan i shekullit.)

376233435_2068414760180411_7288428691167351343_n.jpg Qysh prej vitit 1998 Instituti Teknologjik i Massachusets organizon  çdo vit konkursin fotografik “Mili & Edgerton” për fotografë të rinj në homazh të një profesori dhe  një studenti të shquar të tij.  Në Kosovë,    prej 2001, çdo vit gjatë një ekspozitë ndërkombëtare  jepet çmimi Gjon Mili dhe 

një shkollë mban emrin e tij. 

Në vitin 2000 fotografia e tij  e Pikasos duke vizatuar me dritë ze vënd në botimin e 500 fotografëve më të mirë   të 59 vendeve të botës në të gjitha kohrat – albumin “The Photo Book” të shtëpisë botuese angleze “Phaidom”..

Fotoja nga një ndeshje basketbolli ndërmjet universiteteve amerikane, bërë në vitin 1951, është zgjedhur ndër 100 fotot sportive më të mira të shekullit XXMë 2006  në Galerinë Kombëtare të  Arteve, Tiranë është çelur ekspozita me foto të Gj. MIlit nga fotografi i njohur shqiptar Roland Tasho.

Gjon MIli konsiderohet si fotografi i dritës dhe errësirës në kundradritë, me gjithë nuancat  e errëta dhe me hollësitë e dritës mbi profilet e muzikantëve të shquar zezakë.

Kështu, figurën brilante humane dhe intelektuale të Gjon Milit mund ta  përcaktojmë në mënyrë sintetike  si një inxhinier e  shkencëtar novator; një fotograf dhe  fotogazetar të shquar  klasik e modern, që  bëri zbulime e 

përparime të jashtzakonshme në fotografinë mediatike dhe atë artistike e komerciale në shumë  gjini si foto në lëvizje, foto stroboskopike, vizatime me dritë, fotot me dy ose disa shkrepje, fotot me mbivendosje,  portrete ku shfaqet si një portretist botëror, fotot moderniste pa formë, foto shkencore, fotografi politike, peizazhe, monumente  historike dhe arkitekturore antike e moderne, fotografi nudo, etj.;  një kineast ledhatar e të përkorë  të muzikës xhaz, një letrar të sprovuar në disa libra-katalogë madhore memuaristikë, prozë, tregime, reportazhe  ese, kujtime, gazetari, etj., një veprimtar mëmëdhetar e nostalgjik i atdheut të tij të lindjes, Shqipërisë.

Krijimtaria e botuar e Gjon Milit gjendet kryesisht në revistën LIFE ku ai punoi gjithë jetën, por edhe në ekspozita të shumta vetiake e të përbashkëta, retrospetive para e pas vdekjes së tij, të cilat  vijojnë  edhe sot në të gjithë botën. 

Kështu, vetëm gjatë ‘Erës së Artë’ të revistës LIFE (1936-1972)  Gjon Mili ka  botuar  aty në mënyrë të pandërprerë në 355 numëra të saj e thuajse në të gjitha rubrikat. Në shumë prej revistave ai ka botuar njëheresh edhe në dy apo tre rubrika, që do të thotë se sipas përllogaritjeve tona deri në vitin 1972 ai ka botuar mbi  3. 500 foto,  përveç botimeve në libra, katalogë, 

organe e revista të tjera,  si dhe të një numëri edhe më të madh në LIFE.com. 

Po aq i shpeshtë është edhe prezantimi i tij në ekspozita vetiake, apo të përbashkëta të nivelit amerikan e botëror në dhjetra vende të globit. Sipas kërkimeve e gjetjeve tona janë mbi 100 ekspozita të tilla, ku paraqiten veprat e tij surprizuese fotografike.  

Në koleksionin e revistës LIFE Gjon Mili  është autor i fotoballinave të saj në  26 numura.

        Gjon Mili ishte një njeri i vetmuar, ai jetonte në botën e tij  ekzotike të artit. Pelegrin, bohem i kësaj jete tokësore që ai e shijoi me pasionin e talentit dhe gjenisë së tij, për të shkrepëtirë dhe për t’u  fashitur  si imazhi stroboskopik i dritës së tij artistike.  

R.jpg Gjon Milin mund ta konsiderojmë si një njeri-gjenerator që zbuloi e krijoi në fotografi raporte e marrëdhënie  të panjohura, të reja midis kohës, lëvizjes, hapësirës. Disa herë është thënë se ai i ka ndaluar ato, i ka deformuar, i ka shpërthyer  ato,  ka luajtur me to edhe në mënyrë absurde  ka kërkuar një dimension tjetër midis tyre.  Nga kombinimi i konceptit fizik e imagjinativ në subkoshiencën e tij, u zhvilluan teknika e teknologji të reja, që ndikuan tek fotografët e ardhshëm, por edhe në përparimin  e cilësisë së aparateve fotografikë, të lehtësimit të ndriçimit në përgjithësi dhe atij  stroboskopik, në veçanti,  të ndjeshmërisë së filmave negativë e diapozitivë   që do të lehtësonin e  inkurajonin hapësirat e fotografisë stroboskopike moderniste.

Po aq i shpeshtë është edhe prezantimi i tij në ekspozita vetiake, apo të përbashkëta të nivelit amerikan e botëror në dhjetra vende të globit. Sipas kërkimeve e gjetjeve tona janë mbi 100 ekspozita të tilla, numëri i të cilave shtohet edhe sot e  ku paraqiten veprat e tij surprizuese fotografike

Por, streha e përjetshme e Gjon Milit dhe veprës së tij është bërë sot e përgjithmonë  Muzeu “Gjon Mili” në Korçë, vendlindja  shqiptare e tij, ku pasqyrohet  deviza e lëvizjes, e ndryshimit e  jetës, që atij ia gjetën mbi tavolinën e punës dhe që citonte pak a shumë   sipas Heralkitit mendimin se: “Gjithësia ekziston dhe  nuk ekziston,  ajo është e rrëshqitshme  është në ndryshim të pandërprerë dhe largohet gjithmonë në mënyrë të njëtrajtshme.” 

Trashëgimia e tij artistike vazhdon të frymëzojë fotografët dhe artistët në të gjithë botën,

▪▪▪

Filed Under: Kulture

MJEDJA… I PLOTË, I PACENSURUAR DHE ARISTOKRAT

November 30, 2024 by s p

Frano Kulli

C:\Users\User\Desktop\FRANOJA personale\portreti FRANO.jpg

portreti:P. Përvathi

E gjithë lënda poetike, por edhe shkrimet e tjera janë marrë nga botimet e para, më të hershmet, duke ruajtur origjinalitetin e tyre dhe, aty ku është parë e nevojëshme, është bërë edhe shpjegimi i fjalëve e shprehjeve me përdorim më të rrallë. Synimi ynë gjithashtu ka qenë që t’i sjellim lexuesit të apasionuar të Mjedjes veprën e tij të plotë, më origjinale se kurrë më parë, me bindjen se do të shërbejë edhe për thellimin e studimeve rreth veprës së tij. Po kemi dashtë gjithashtu, që të sjellim në editorinë shqiptare edhe një Mjedje “aristokrat…” siç ai në të vërtetë është, për lexuesin më sqimatar, ani pse nuk  është nuk është më i shumti. 

Ky botim i veprës së Ndre Mjedjes është, pa kurrfarë mëdyshjeje botimi më i plotë dhe më autentik i veprës së autorit, që i vjen për herë të parë lexuesit të tij edhe pse , në njëfarë mënyre, nëse i referohemi vetëm një rendi kronologjik i bie që të jetë i treti.

Për herë të parë një përmbledhje të plotë të veprës poetike të Ndre Mjedjes e kemi në vitin 1982. E titulluar “Ndre Mjedja-vepra” e përgatitur nga akademik Sabri Hamiti dhe botuar nga “Rilindja” në Kosovë. Në Tiranë një botim i tillë është ai i vitit 1988 i përgatitur nga studiuesi Rinush Idrizi dhe këto të dy  përbëjnë dy botimet më gjithpërfshirëse të veprës së poetit, deri tek ky i yni. Ato vijnë mbas përmbledhjeve të pjesshme: “Vjersha dhe poema”, sjellë nga Llazar Siliqi, 1953, “Juvenilia dhe vepra të tjera”, nga Mark Gurakuqi ,1964, disa të tjera botime të pjesëshme nga Vehbi Bala, Dhimitër Shuteriqi  etj. 

Ndërkaq “Juvenilia”, përmbledhja e parë dhe e vetme e Mjedës, qe botuar qysh në vitin 1917, në Vjenë, kur ai ishte 51 vjeç, në kulmin e pjekurisë së vet letrare… E mirëpritur sa s’ka.

E çmuar dhe e vlerësuar asohere edhe prej një tjetri, kolos të letrave shqipe, At Gjergj Fishta: ” Qé nji vepër poetike, me të cillen mund të thohet, se pernjimend asht stolisë gjuha e rritë pasunia e literaturës shqipe…-shkruan për të Fishta-Prandej kjo vepër ka me qenë domosdo e nevojshme me u përdorue si tekst nder shkolla të Shqipnisë. Autori mundet me qenë i sigurtë, se atdheu ka me ia ditë per nder mundin qi ka hjekë në përpilim të k’saj vepre.

Prej asaj kohe e këndej nuk kemi pasë tjetër botim a ribotim të veprës së plotë të Poetit, megjithatë vepra e Mjedjes, ka qenë gjithnjë e pranishme edhe në shkolla, që nga koha kur përgatitte vetë tekste leximesh. Edhe në periudhën e  sundimit të komunizmit poezia e Mjedjes, si dhe botimet studimore e monografike rreth mjeshtrisë e artit të tij, kanë qenë përherë pjesë e historisë së letërsisë shqipe, si dhe objekt studimi i lëndës së letërsisë në shkolla andej e këndej kufirit ndërmjet shqiptarëve. 

Porse, siç do të konstatohet prej studiuesve të tij në ndonjë rast “Mjedja, megjithaté ka qenë i keqlexuar e për pasojë i keqreceptuar, në kuptimin që leximi ka qenë i deformuar për shkak të këtyre kufizimeve dhe të shmangjeve prej tekstit origjinal, aq sa perfeksioni stilistikor i Mjedjes i ka lejuar censorët ta bëjnë këtë. Na e bën me dije kështu, përgatitësi i botimit të 1988 në Tiranë, Rinush Idrizi: “…Nga Instituti i Gjuhësisë dhe letërsisë-shkruan ai– u propozua pa asnjë ndrojtje e brejtje ndërgjegjeje, në mos artistike, intelektuale, që botimi i poezisë së Mjedjes të bëhej sipas kritereve të Kongresit të Drejtshkrimit, për të unifikuar ortografinë e gjuhës së Mjedjes… Dhe ashtu u bë, duke injoruar edhe mënyrën e botimit të veprës së Mjedjes që ishte bërë nga studiuesi më i saktë i tij [para kongresit të drejtshkrimit] Mark Gurakuqi, i cili ishte marrë për bazë edhe në botimin e Kosovës. [1982] “

Me këtë botim, përmbledhje autentike e përgatitur nga “Botimet Fishta” kemi dëshiruar e synuar që ai, përposë se të plotësonte mungesën më se tridhjetëvjeçare të Mjedjes në hapësirën e leximit edhe t’i shërbejë sa të jetë e mundur pasurimit të bibliotekave si dhe enteve të tjera të leximit e përmirësimit të teksteve shkollore. Synimi ynë gjithashtu ka qenë që t’i sjellim lexuesit të apasionuar të Mjedjes veprën e tij të plotë, më origjinale se kurrë më parë, me bindjen se do të shërbejë edhe për thellimin e studimeve rreth veprës së tij. Po kemi dashtë gjithashtu, që të sjellim në editorinë shqiptare edhe një Mjedë “aristokrat…” siç ai në të vërtetë është, për lexuesin më sqimatar, ani pse nuk  është nuk është më i shumti. 

Përreth Mjedjes dhe veprës së tij ka pasë analiza e studime të hollësishme në kohë e rrethana të ndryshme. Ne kemi zgjedhur si pasthënie për botimin tonë punimet e prof. Kolë Ashtës, që nisin që në vitin 1940, në revistën “XIV, Aprile”, dhe vijojnë deri në vitin 1942 me botimet në revistat “Shkëndija”, në Tiranë dhe në “Kumbona e së Diellës”, Shkoder. Kolë Ashtës, që do vite më pas , saktësisht më 1955-ën do të hartonte “Fjalorin e veprës së Mjedjes”, i cili arriti të shohë dritën e botimit vetëm do muaj më parë, njëheri me veprën për të cilën po flasim sot.

Gjithashtu kemi parapëlqyer që, në vend të hyrjes të jetë një ese e shkurtë e Ernest Koliqit, e botuar 35 ditë mbasi autori ndërron jetë.

Kur e shifshe, Dom Ndreu të paraqitej në gjasë të nji prifti katundi ndër mâ të lânunt. Shkurtalak edhe pak si i gërmuçun, verë e dimën mbërthye në nji pallto të randë të zezë të përlyeme përpara me pluhun burrnoti, me nji fytyrë kuqloshe në të cilën syt e vogjël zhdukeshin nën vetulla të denduna fije-trasha dhe goja nën shllungën e musteqeve të ngathët e vërdhukë: kështu të dilte para Poeti i njimbëdhetë rrokshave të Lissus e nuk të bânte asnji përshtypje zotsije të veçantë. 

Për natyrë perbuzës i çdo reklami dhe i çdo esibicjonizmi, urrente lávdin dhe ndryhej ne nji pervujtní idhnake qi ishte mësim, qortim i naltë për të gjithë ne. Nuk i rridhte aspak fjala, shprehjet i dilshin copa copa, i qitte prej goje me mundim. Ngatrrohej tue folë e, kur vèhej disi për fije në bisedë përdorte terminologji të thatë. Anmik në shkrim e në jetë i lajleve e i stërhollimeve, por jo i panjerezíshem, perkundrazi, tue e njoftë s’afermi ndihej në tê nji edukatë humaniste plot masë e plot mirsí të ndritun dhe shifeshin në tê sjellje të zgjedhuna qi dishmojshin qëndrimin e gjatë në rrethe të nalta të hueja. 

Dom Ndreu duhej zbulue si njerí dhe si artist. Tue ndejun me tê, pikësëpari gjêjshe Dijetarin. Kush ndër Shqiptarë mund i krahasohej për kulturë organike ? Greqishten e vjetër dhe latinishten i dinte në themel. Qyshë në rini fitoi përjâshta konkurse me vjerrsha klasike. 

Shetiti mbarë Europën njiherë si nxanës e ma vonë si Profesor. Banoi në Francë, në Spanjë, në Poloni, në Jugosllaví. Filozof i shquem, mrekullonte shokët me analyza të reja e me objekcijone të paprituna.” 

* * *

Vepra  letrare e Ndre Mjedjes, në këtë botim, i paraqitet lexuesit e strukturuar në dy vëllime. Vëllimi i parë përmban: Juvenilia, esenë e At Gjergj Fishtës “D. Ndre Mjedja, Juvenilja”  , Vjersha të papërfshira në Juvenilia, Vjersha të mbetura në dorshkrim si dhe artikulli i tij shtjellues teorik:  Permbi  poezi pergjithësisht  .

Në vëllimin e dytë do gjeni poemat e papërfshira te “Juvenilia”: “Lissus“, Scodra, Liria ; Vjershat për fëmijë; Dymbëdhjetë letra të Ndre Mjedjes dërguar albanologut Gustav Meyer në vitet 1892-1893, si dhe Bibliografinë e veprave të Mjedjes. 

E gjithë lënda poetike, por edhe shkrimet e tjera janë marrë nga botimet e para, më të hershmet, duke ruajtur origjinalitetin e tyre dhe, aty ku është parë e nevojëshme, është bërë edhe shpjegimi i fjalëve e shprehjeve me përdorim më të rrallë. 

Janë sjellë, për herë të parë edhe strofa që, për shkak të rrethanave censuruese të kohës nuk gjinden në asnjërin prej botimeve të mëparëshme dhe ato shënohen në footnote respektive. Besoj dallohet lehtasi, se i vetmi motiv censurues ishte “blasfemia” e përdorimit të fjalëve Zot, besim, kishë e k’shtenë e ndonjë tjetër.

Ma t’madh shqyptarin qi tui luftue

Per fen’ e Krishtit, mi t’mira t’motshme

Na la ça s’mundet veç me marue

Fen’ e kshtên’ t’sotshme

ILIRIA E EPIRI(Kang’ për mot qi vjen)Lissus- dorëshkrim

Ati i ynë, qi rri në qiell,

Permbí gjith shka ké krijue

Émnin t’ând tuj e békue

T’a permêndin qiella e dheu

AGIMI

Në det, mbî dhe, gjithkahna

Mûndit e punës fitimin;

E përmbî djers’ bekimin

I madhi Zot e lëshon

KANGA E GJELIT (vjersha për fëmijë)

Çou bulk e zotni

Kukuku-ruku!

Se motin qi â shkrî

Se gjêni mâ ju.

DASHTNIJA NDAJ PRINDEN ( vjersha për fëmijë)

Prej jush êmnin s’parit ndjeva 

T’atij Zot, qi rri në qiell:

E verteta porsi diell,

Nder sy t’mi prej jush m’veton

AGIMI

Ati i ynë, qi rri në qiell,

Permbí gjith shka ké krijue

Émnin t’ând tuj e békue

T’a permêndin qiella e dheu.

FILLOJ TOKA ME U PERTRI

Puno, bulk, puno; hitija

Ka me t’dhanë jet’ e pështim;

Vet’ prej qielle Perêndija

T’çon mâ t’dashtunin bekim

MBRAMJA

E bulku lodhshëm

Prej mùndit t’vet,

Zotit i falet

Per hae e shëndet

I VORFNI 

O djelm qi delni – Me gra, me trima

Mathun e veshun – Për bukuri

M’u pasë dek’ baba, – Me ken’ jetima

A kish me kênun – për ju mjaft zi ?

Jam dáth e deshun – jam i pashëndet

E kush të mjerit – Dorën s’ja njet

NDIHMA E ZOTIT PËR FËMI

Njashtu prej qielle

Fëminë e soditë,

E natë e ditë

Ruej, o Zot ,ti

DORA E TËNZOT

Me t’pëvujt e me dashtni

T’madhit Zot t’ja puthim dorën:

A t’çoj diellin a t’çojn borën

Për t’mirë t’on gjithë her’ punon

Sikundërse është ruajtur forma Mjedja e mbiemrit të tij, duke marrë për shembull botimet e bëra në gjallje të autorit, por edhe në të gjitha botimet e tjera përposë atyre shkollore. 

C:\Users\User\Downloads\Vepra Mjedja kopertinat 3D jpg(1).jpg

Filed Under: ESSE

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 59
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT