
▪︎ “Aria e Lekës” nga opera SKËNDERBEU e Prenk Jakovës, mes arieve më të mira botërore tek “SAIMIR”, albumi më i ri në CD i kryetenorit shqiptar me famë botërore Saimir Pirgu
Të shkruash që Saimir Pirgu është në majat e interpretimit botëror të operas është tashmë e ditur. Po ashtu i njohur është fakti që Ai asnjëherë nuk e ka ndarë veten nga skena shqiptare, në çdo kohë. Për këtë do të mjaftonte një krahasim i thjeshtë i ardhjeve të Tij në Shqipëri me atë të kujtdo artisti tjetër të njohur, ku padyshim Saimiri është në krye të angazhimeve për vendin e tij. Së fundi erdhi me dy qëllime, interpretoi në operan Toska me solistët, korin dhe orkestrën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit dhe solli albumin e tij më të fundit në CD, me titullin SAIMIR!
Albumi ka në përmbajtje ariet më të bukura të operistikës botërore të interpretuara prej SAIMIRIT, me orkestrën e njohur të “De la Comunitat Valenciana”, me dirigjent Antonino Fogliani. Për albumin, firmat serioze diskografike si Les Artes, NAXOS etj, bashkë me Saimirin do të organizojnë ture promovimi në Wien, Pragë, Sofie, Prishtinë, Barcelonë, Zyrih, Berlin, London. Washington, Tokyo etj.
Ky album ka një veçori, një e tillë syresh që do të duhet të tërhiqte vëmendjen e kujtdo që ka preokupim lartësimin dhe promovimin e Shqipërisë dhe artit të saj. Ashtu si pa kuptuar, në mes të titujve të kryearieve botërore dhe emrave të mëdhenj të krijuesve të tyre, qendron edhe “Aria e Lekës” nga opera SKËNDERBEU me kompozitor Prenk Jakovën dhe libretist Llazar Siliqin. Fuqia e Saimirit është e tillë saqë e përfshin natyrshëm muzikën tonë kombëtare në mes të muzikës së madhe europiane e botërore, e me zërin e tij të mrekullueshëm lartëson tiparet e saj kudo ku kjo CD transmetohet dhe luhet, duke bërë kështu atë që as institucionet nuk do ta bënin dot kaq cilësisht, promovimin e Shqipërisë përmes artit në elitat kulturore botërore.
I tillë është Saimiri, pa i thënë kush e pa financim shtetëror a privat të dedikuar për këtë gjë, e çon muzikën tonë në sallat më prestigjioze të artit muzikor në botë, me fuqinë e atdhedashurisë dhe të artit të tij.
Kam pasur dy raste që e kam konstatuar vetë kujdesin dhe vëmendjen e Saimirit për vendin dhe artin tonë. Së pari kur një gazetar ndër më të njohurit dhe ndër më të kuotuarit e kritikës muzikore operistike në Europë erdhi në Tiranë për të njohur vendin tonë, kryesisht i mahnitur nga talenti i Pirgut, e së dyti, një nga emisionet kulturore më emërmira në botën gjermanisht folëse (Gjermani, Austri dhe Zvicër), erdhën enkas në Shqipëri për të bërë një emision për traditat muzikore të shqiptarëve, të propozuar nga vetë Saimiri.
I tillë është Saimir Pirgu, artist i madh dhe shqiptar i denjë dhe i thjeshtë njëherësh, aq i thjeshtë, sa emri i albumit të tij, që në shqip lexohet edhe SA I MIR! ![]()
![]()
![]()
![]()
![]()
Suksese albumit SAIMIR në të gjitha destinacionet ku ai do të promovohet!




