• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2025

FAIK KONICA, PUBLICIST DHE KRITIK LETRAR

March 14, 2025 by s p

Prof. Dr. Besim Muhadri

(Universiteti “Fehmi Agani” Gjakovë/

Faik Konica është padyshim një nga personalitetet më të rëndësishme të kulturës shqiptare, jo vetëm të gjysmës së parë të shekullit XX. Me të drejtë ai cilësohet si babai i publicistikës dhe kritikës letrare shqipe, duke qenë se veprimtaria e tij e gjerë dhe origjinale në këto fusha ishte e para e këtij lloji, në një kohë kur kultura dhe letërsia shqiptare ende ishin të pazhvilluara.

I lindur dhe i rritur në një periudhë shumë të vështirë për Shqipërinë dhe shqiptarët, kur kombi ynë ndodhej në një gjendje kritike, Konica u detyrua të luftojë në shumë fronte njëkohësisht. Ai angazhoi penën dhe mendjen e tij brilante për t’i zgjuar shqiptarët nga gjumi letargjik, duke lobuar pa pushim në qarqet diplomatike ndërkombëtare për çështjen shqiptare, pavarësinë dhe zhvillimin e vendit, që vuante ende nga robëria shumëshekullore.

Nga ky këndvështrim, Konica na shfaqet si një figurë shumëdimensionale: publicist, kritik letrar, eseist, diplomat dhe mbi të gjitha mbrojtës i palodhur i interesit kombëtar. Kontributi më i madh i tij shfaqet qartë përmes revistës “Albania”, themeluar më 25 mars 1897 në Bruksel. Kjo revistë ishte një platformë themeluese e mendimit shqiptar në fusha të ndryshme, e cila fillimisht u botua në Bruksel (1897-1901) e më pas në Londër nga viti 1902 deri në vitin 1909, kur edhe u mbyll.

Në faqet e revistës “Albania” Konica trajtoi me mjeshtëri temat historike, letrare, gjuhësore dhe problemet socio-kulturore të popullit shqiptar. Qëllimi kryesor i revistës dhe vetë Konicës ishte zgjimi i vetëdijes kombëtare, promovimi i emancipimit kulturor dhe shoqëror të shqiptarëve, si dhe forcimi i ndjenjës kombëtare. Revista u botua në gjuhën shqipe, frënge, pjesërisht në turqisht por edhe anglisht, duke u kthyer në një enciklopedi të vërtetë informative dhe një tribunë intelektuale, ku botuan krijimet e tyre shumë emra të njohur të kulturës shqiptare si Filip Shiroka, Luigj Gurakuqi, Andon Zako Çajupi, Fan S. Noli, Hilë Mosi, Shtjefën Gjeçovi, ndër shumë të tjerë.

Pas mbylljes së revistës “Albania” më 1909 në Londër, Konica u ftua nga diaspora shqiptare në Amerikë, ku drejtoi gazetat “Dielli” dhe më pas “Trumpeta e Krujës”. Në bashkëpunim me Fan Nolin, Qerim Panaritin e të tjerë, ai dha një kontribut vendimtar jo vetëm në publicistikë, por edhe në diplomaci, sidomos gjatë Konferencës së Ambasadorëve në Londër më 1913, duke mbrojtur interesat kombëtare të Shqipërisë.

Publicistika e Konicës, veçanërisht ajo e realizuar për 12 vjet rresht në revistën “Albania”, por edhe në gazetën “Dielli”, shquhet për nivelin e lartë mjeshtëror, argumentimin e fuqishëm, frymën e thellë satirike dhe kritikën e pamëshirshme ndaj prapambetjes, injorancës dhe fenomeneve negative shoqërore. Konica përdori publicistikën për të trajtuar tema kombëtare, historike, politike e kulturore, duke kërkuar rrugëdalje drejt një Shqipërie të lirë dhe moderne. Ai luftoi gjithashtu për krijimin e një gjuhe letrare të njësuar, një çështje që mbeti e pazgjidhur për shumë kohë.

Pavarësisht talentit të tij të jashtëzakonshëm, pjesa më e madhe e krijimtarisë së tij mbeti e pabotuar ose e papërfunduar. Përjashtim bën vepra e tij “Nën hijen e hurmave”, ndërsa përmbledhja tjetër “Kandili i kuq” mbeti në dorëshkrim. Por kjo nuk e zvogëlon aspak rolin dhe rëndësinë e tij në letërsi dhe kulturë. Vepra e Konicës në publicistikë, eseistikë, polemika dhe trajtesa mbetet dëshmi e qartë e një personaliteti të jashtëzakonshëm intelektual, atdhetar dhe kulturor.

Disa zëra kritikë, të cilët e quajtën Konicën “një shkrimtar të parealizuar” pasi nuk botoi shumë vepra të plota, janë kundërshtuar fuqishëm nga studiuesit e tij. Studiuesi nga Tetova, Fatmir Sulejmani, thekson se rëndësia e jashtëzakonshme e kontributit të tij është lehtësisht e verifikueshme përmes çdo shkrimi që ai ka lënë.

Ndërsa studiuesja shkodrane Ledri Kurti e konsideron profilin kritik të Konicës si shumëdimensional dhe unik. Sipas saj, Konica është artisti-kritik, i cili përmes kritikës dhe prozës së tij solli një estetikë dhe shije të re në kulturën shqiptare, duke e bërë atë pararendës të prozës moderne dhe kritikës bashkëkohore.

Në përfundim, mund të thuhet se Faik Konica mbetet themeluesi i modelit kritik e kulturor në letërsinë shqiptare. Ai ishte një publicist dhe kritik letrar i shkëlqyer, por edhe atdhetar i madh, diplomat, poet, prozator, gjuhëtar dhe përkthyes, duke qenë kështu një nga personalitetet më të shquara shqiptare të fundit të shekullit XIX dhe gjysmës së parë të shekullit XX.

Për veprën e tij kanë shkruar emra të njohur të letërsisë dhe studimeve shqiptare, si: Fan. S. Noli, Vangjel Koça, Refat Xh. Gurrazezi, Nonda Bulka, Gijom Apolineri, Luan Starova, Namik Resuli, Arshi Pipa, Ernest Koliqi, Mitrush Kuteli, Qerim M. Panariti, Martin Camaj, Rexhep Qosja, Kristo Frashëri, Jup Kastrati, Dhimitër Fullani, Alfred Uçi, Sabri Hamiti, Xhevat Lloshi, Janet Byrom, Ymer Jaka, At Artur Liolin, Nasho Jorgaqi, Ymer Çiraku, Sali Bashota, Miokom Zeço, Fatmir Sulejmani, Ledri Kurt, Ilir Ikonomi etj.

Filed Under: Kulture

Retorika e luftës në Ballkan, manipulim politik apo kërcënim real?

March 14, 2025 by s p

Hisen Berisha/

Retorika e luftës në Ballkanin Perëndimor është rikthyer në vëmendje pas vizitave të rëndësishme të zyrtarëve të lartë perëndimorë, përfshirë shefin e CIA-s dhe së fundmi Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s në Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë. Mesazhet e përcjella në këto vizita kanë nxitur interpretime të ndryshme, nga paralajmërime serioze për sigurinë në rajon deri te përdorimi i frikës për përfitime politike dhe strategjike.

Tensionet në rritje mes Kosovës dhe Serbisë, retorika separatiste në Bosnje dhe ndikimi rus në rajon krijojnë një panoramë të ndërlikuar, ku lufta përdoret si mjet manipulimi nga aktorët politikë të brendshëm dhe të jashtëm.

Në Serbi, Aleksandar Vuçiqi vazhdon të luajë një lojë të dyfishtë, duke balancuar mes Perëndimit dhe aleancës tradicionale me Rusinë, ndërsa përdor tensionet me Kosovën për të konsoliduar pushtetin e tij të brendshëm.

Në Bosnje, Milorad Dodiku vazhdon të sfidojë integritetin territorial të shtetit boshnjak, duke e mbështetur strategjinë e tij te mbështetja ruse dhe te pasiviteti i Bashkimit Evropian. Në Kosovë, kërcënimi nga provokimet serbe në veri mbetet i pranishëm, ndërsa NATO forcon praninë e saj për të parandaluar çdo përshkallëzim të situatës.

Ndërkohë, trazirat në Serbi dhe paralajmërimet për një eskalim të mundshëm më 15 mars e ndërlikojnë më tej situatën rajonale.

Vuçiqi po përballet me protesta masive dhe akuza për manipulime zgjedhore, duke u gjendur në një krizë legjitimiteti që mund ta detyrojë të përdorë tensionet rajonale si mjet shpërqendrimi.

Historia ka treguar se liderët autoritarë shpesh e përdorin frikën nga konflikti për të mobilizuar mbështetjen e brendshme dhe për të shtypur opozitën. Në këtë kontekst, një përshkallëzim në Kosovë apo një krizë e re në Bosnje mund të jenë pjesë e strategjisë së tij për të ruajtur kontrollin mbi pushtetin.

Paralelisht, në Republika Srpska, Dodiku po ndërmerr hapa të rinj drejt ndarjes nga Federata e Bosnjës, duke sfiduar Marrëveshjen e Dejtonit dhe duke forcuar lidhjet me Kremlinin. Vendimet e tij për krijimin e një sistemi të pavarur ligjor dhe financiar janë një përpjekje për ta çuar këtë entitet më afër pavarësimit de facto, gjë që përkon me interesat e Rusisë për destabilizim në rajon. Në këtë aspekt, boshti Vuçiq-Dodik-Putin po fuqizohet si një mekanizëm presioni ndaj Perëndimit, duke kërcënuar paqen dhe stabilitetin në Ballkan.

Në një këndvështrim më të gjerë, zhvillimet në Ballkan lidhen ngushtë me luftën në Ukrainë dhe strategjinë e re të Perëndimit për ta mbështetur Kievin në mënyrë afatgjatë.

Rusia, e cila po përballet me vështirësi ekonomike dhe ushtarake, mund të kërkojë ta zgjerojë fushën e krizës për të shpërqendruar Perëndimin dhe për të dobësuar angazhimin e NATO-s në frontin lindor. Kjo e bën Ballkanin një terren të përshtatshëm për luftë qoftë edhe hibride, përmes dezinformimit, provokimeve politike dhe mbështetjes për aktorët separatiste që minojnë stabilitetin rajonal.

Megjithatë, realiteti i një konflikti të hapur mbetet i ulët, për shkak të pranisë së NATO-s në Kosovë dhe Bosnje, si dhe për shkak të mungesës së kapaciteteve ushtarake të Serbisë për të përballuar një luftë afatgjatë.

Më i mundshmi është një skenar me tensione të kontrolluara, incidente të vogla dhe përpjekje për destabilizim politik, në përputhje me strategjinë ruse për të krijuar vatra tensioni pa hyrë drejtpërdrejt në konfrontim ushtarak.

Në këtë situatë, Kosova dhe Bosnja duhet të forcojnë koordinimin me NATO-n dhe partnerët perëndimorë për të parandaluar çdo tentativë destabilizuese.

Angazhimi i vazhdueshëm i Perëndimit në rajon dhe veprimet e shpejta kundër provokimeve do të jenë kyçe për të mos lejuar që Ballkani të bëhet një fushë tjetër lufte, qoftë edhe hibride në shërbim të strategjisë ruse.

Filed Under: Ekonomi

FAIK KONICA NË 150-VJETORIN E LINDJES AKTUALITETI I FJALËVE TË  TIJA PËRBALL REALITETIT TË SOTËM POLITIK NDËR SHQIPTARËT!!

March 14, 2025 by s p

Nga Frank Shkreli

“Tek prisnim të piqeshin kushtet, na u kalbën dëshirat”

A person standing at a podium with a flag

Description automatically generated
Faik Konica Photos

                                                                                       Faik Konica 

                                                                 Një intelektual i përmasave evropiane 

‘I dërguar i jashtëzakonshëm dhe ministër fuqiplotë’…është një titull i padëmshëm por nuk përputhet me realitetin. Në ditët tona, të dërguarit nuk gëzojnë fuqi të plota, ata duhet të kërkojnë udhëzime për çdo rast, shkurt, ata nuk janë fuqiplotë; megjithse ndonjëherë, duke qenë njerëz, qëllon të jenë të jashtzakonshëm.’ (Marrë nga libri,“Faik Konica-Jeta në Washington”, të autorit, Ilir Ikonomi.’

Faik Konica ishte vërtetë i jashtzakonshëm, jo vetëm si diplomat, por edhe si figurë politike, publicist e kritik, ndër të tjera – i cili ka pasur dhe vazhdon të ketë edhe sot, nepërmjet shkrimeve dhe publicistikës së tij në përgjithsi– një ndikim në jetën politike, letrare dhe kulturore të shqiptarëve. Me revistën e tij, “Albania”, ai ndihmoi dukshëm, për periudhën kur jetoi, në përhapjen e kulturës shqiptare edhe në Evropë, duke mbrojtur, njëherazi, të drejtat dhe interesat e shqiptarëve, si popull i harruar i kontinentit të vjetër. “I shkolluar në Kolegjin Saverjan të Etërve Jezuitë në Shkodër, më vonë në Stambollë dhe në fund në Francë”, ka shkruar me një rast Ernest Koliqi për Faik Konicën se, “ky grumbullim i jashtazakonshëm prirjesh e studimesh e vênte Faikun në nji numër Shqiptarësh të ndritun e të dijshëm që aso kohe mund të numroheshin në gishtat e nji dore.”

Faik Konica, ky “njeri me kulturë të lartë” (Noli), “enciklopedi shëtitëse” (G. Apolineri), eseist i shkëlqyer, stilist i përkryer, themelues teorik dhe praktik i kritikës letrare shqiptare, veprimtar politik me orientim perëndimor, siç ishte kultura e popullit që i takonte, poliglot, sipas shumë vërejtsve, ka sjellur një model të ri në mendësinë shqiptare.  Është e vështirë të gjendet edhe një i dytë sot, thëniet e të cilit pas kaq shumë vitesh vazhdojnë të jenë kaq aktuale.  Albanologu gjerman i ndjeri Robert Elsie ka shkruar se Faik Konica ka kritikuar bashkatdhetarët e vet duke i bërë thirrje për një qëndrim më real dhe kritik ndaj kombi të vet, megjithë të metat dhe dështimet e tij gjatë historisë së shekullit të kaluar. I zhytur, si të thuash, në kulturën perëndimore — ka vlerësuar Robert Elsie — Faik Konica ka luftuar për vendosjen e një kulture më të rafinuar perëndimore në Shqipëri por, njëkohsisht, ai ka vlerësuar edhe traditat shqiptare. 

Është e vërtetë se komentet sarkastike dhe polemikat e nxehta të Konicës në Shqipëri dhe gjetkë, si dhe zemërimi dhe arroganca e tij nuk e kanë bërë atë gjithmonë një figurë popullore. Sepse, siç ka shkruar edhe Ernest Koliqi, “Në polemikë, Faik Konica i prente drutë shkurt”. Cilatdo qofshin vlerësimet ndaj Faik Konicës, fakti mbetet se thëniet e Konicës, më se një shekull më parë, për realitetin e atëhehershëm shqiptar, janë aktuale edhe sot për botën shqiptare. “Mbani mirë (mend) këtë që po ju them: në njëqind vjet, në vafshim si po vemi, do të jemi aq poshtë sa edhe sot”, ka paralajmëruar Faik Konica bashkatdhetarët e kohës së tij. Gjykoni vet se si kanë vajtur Shqipëria dhe shqiptarët këto 100-vjet të kaluara dhe nëse Konica kishte të drejtë.  Klasës politike aktuale shqiptare dhe të gjithë shqiptarëve kudo, Faik Konica iu drejtohet me këto fjalë: “Duke parë dhe duke dëgjuar, bota mësojnë mend dhe ndërtohen. Ne shqiptarët, s’marrim dot mësime; malet të tunden dhe të rrëkëllehen, ne nuk këmbejmë mënyrën tonë. Mbani mirë (mend) këtë që po ju them: në njëqind vjet, në vafshim si po vemi, do të jemi aq poshtë sa edhe sot”.

“Sa e sa marrëzi, sa e sa poshtërsi e krime janë bërë në emër të së gjorës Shqipëri”.  “Armiqtë e Shqipërisë janë vet shqiptarët, jo të tjerët. Shqiptarët kanë shkruar me gjakun e tyre më tepër se një faqe në histori të Evropës.” (Faik Konica)

Gjithë shqiptarët kudo dhe pa dallim, Faik Konica i këshillon, sidomos përball aktualitetit të sotëm të brendshëm konfliktual politik dhe të gjendjes së pasigurt ndërkombëtare: “Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – e jo për t’i bërë qejfin këtij apo atij shqiptari”. (‘Albania’ 16, 15-30 korrik 1898).

Për ata që thonë se 35-vjet post-komunizëm nuk mjaftojnë për të vendosur një demokraci të vërtetë perëndimore, Faik Konica u thotë:  “Tek prisnim të piqeshin kushtet, na u kalbën dëshirat.”

Dhe, “Politika e vërtetë qëndron në kapjen e drejtimit të një evolucioni të caktuar dhe në përpjekjen për të ndihmuar në përshpejtimin e fundit të tij”. (‘Albania’ 11, 1898).

Për ata që rininë e quajnë “huliganë”, Faik Konica u thotë: “Rinia është në sytë e injorantëve kërcënim për të ardhmen; por është edhe rrezik për të tashmen, sepse rinia është e çiltër, ndërkohë që dhe çiltërsia është armiku i natyrshëm i sharlatanëve”. (‘Albania’ 5, 1905) — “Populli është i duruar, po gjer në një pikë: e kur kupton dhe e zë zenga, tërbimi i tij bën çudira të shëmtuara”.

Për ata që nuk kuptojnë ose nuk duan të pranojnë zemërimin e njerëzve, në kohë të vështira, përball sfidave me të cilat përballen sot shqiptarët, Faik Konica u drejtohet atyre me këto fjalë: “Si mos të dëshpërohesh në këtë vend, ku të pasurit nuk ndihmojnë dhe të varfërit nuk punojnë”?

Për opinionistët dhe analistët e TV-studiove të sotme shqiptare, Konica do të thoshte: “Shumica e atyre që kanë marrë mbi vete misionin modest ‘të ndriçojnë opinionin publik’ as që kanë ndjesinë më elementare ta nisin fillimisht nga vetvetja për t’u mirë-informuar.  Venë e vënë në përdorim mënyra hulumtimi të cilat, sikur të zbatoheshin në çdo shkencë, do bënin për të qeshur edhe një nxënës shkolle”. (‘Albania’ 6, 1905).

Edhe një tjetër   thënje për opinionistët e shumtë debatues në televizionet shqiptare — në Shqipëri dhe në Kosovë — por edhe për gazetarët e sotëm të medias së shkruar, Konica u flet kështu:

“Frikacaku i ka tërë karakteristikat dhe kryesisht këtë: hakmerret ndaj përbuzjes së tjetrit nëpërmjet sharjes. I pafuqishëm, veç flet keq e shan poshtërsisht të tjerët”. (‘Albania’ 5, 1905).

Duke i shtuar karakterizmit të tij të opinionistëve/gazetarve Konica është shprehur: “Ka njerëz që shitën ndër guverna për të pështyr gënjeshtra. Ka të tjerë që marrin ndihmë nga një guvernë për të thënë të vërteta që ndryshe nuk mund t’i thonë”. (‘Albania’ 2, 1899).

Vazhdon kritikat ndaj gazetarëve dhe opinionistët – që sipas Konicës, “kanë marrë mbi vete misionin modest të ndriçojnë opinionin publik”, por ka shkruar ai: “Ka pasur në çdo kohë, dhe përherë do ketë individë të gatshëm për të folur e shkruar lidhur me çështje për të cilat nuk ia kanë haberin të shprehin as fjalën e parë”. (‘Albania’ 6, 1905).

Drejtuar akademikëve dhe studiuesve, Faik Konica u thotë: “E vërteta nuk ka nevojë për stil gjarpërues e të yndyrshëm të shkrimeve akademike”. (‘Albania’ 2, 1897).

Atyre që bëjnë sehir ndaj të këqiave të shoqërisë, urrejtjeve dhe armiqësive, Faik Konica u thotë: “Urrejtja nuk çarmatoset nëpërmjet heshtjes e asnjanësisë” (‘Albania’ 12, 1909).  “Një i mbushur me mllef e mëri, në mendjen e tij anemike, rrokullis mendime të tmerrshme”, (‘Albania’ 9, 1898).

Ndërsa, apologjetëve të komunizmit dhe të regjimit të Enver Hoxhës, sidomos intelektualëve të sotëm, të cilëve 35-vjet post-komunizëm, në shkrimet e mia modeste – shpesh u kam bërë thirrje të reflektojnë mbi të kaluarën komuniste dhe krimet e regjimit — Faik Konica do t’u thonte:  “Dallimi në kulturë shpjegon dallimin në mendime” – “Nuk mund të pretendosh të përfitosh nga tërë dobitë e lirisë, duke ruajtur njëkohësisht tërë privilegjet e tiranisë. Për të pasur institucione të lira, duhen luftuar mendimet nëpërmjet mendimeve”. (‘Albania’ 5, 1907).

Duke shprehur pesimizmin e tij për individë të tillë, Konica është shprehur: “Të verbrit do të mbeten të verbër in sœcula sœculorum (për shekuj të shekujve), edhe sikur t’u shtini perona në sy, ata prapë nuk do shohin kurrgjë”. (Albania 1, 1897).

Përfaqësuesit e partive politike shqiptare, Faik Konica do i këshillonte sot të mënjanojnë urrejtjet ndaj njëri tjetrit: “Urrejtja partiake shpesh merr përparësi ndaj instinktit kombëtar”. (‘Albania’ 2, 1904).

Atyre që po shkatërrojnë bukuritë e natyrës së Shqipërisë (Valbona, Vjosa) për përfitime ekonomike, Faik Konica u thotë mos urreni bukuritë që Perëndia u ka falur shqiptarëve: “Shqipëria është një vend i bekuar me njëmijë bukurira, shkelur nga turmë e cila ushqen njëfarë urrejtje ndaj bukurisë”.

Shqiptarëve në, përgjithsi, dhe kudo, përfshir edhe komunitetin shqiptaro-amerikan dhe mërgatën shqiptare kudo në 2025, Faik Konica kërkon të reflektojnë dhe porosit që ‘të mësojmë duke parë e dëgjuar për reth nesh’, për ndryshe, vaj medet: “Mbani mirë (mend) këtë që po ju them: në njëqind vjet, në vafshim si po vemi, (prap) do të jemi aq poshtë sa edhe sot”.

Kur do i dëgjonë dhe kur do i marrin seriozisht shqiptarët fjalët dhe porositë e lëna pas të Faik Konicës!?

Filed Under: ESSE

Çelësi i suksesit përballë dështimit të diplomacisë pasive të Kosovës është diplomacia aktive

March 14, 2025 by s p

Prof.Dr.Fejzulla BERISHA/

Kosova ka pasur momente kur ka aplikuar diplomaci aktive dhe ka arritur sukses, por ka pasur edhe shumë raste ku diplomacia pasive ka shkaktuar humbje strategjike. Kjo analizë do të ilustrohet me raste konkrete, duke treguar se si veprimet ose mungesa e tyre kanë ndikuar në pozicionin ndërkombëtar të Kosovës.

I. RASTE KONKRETE KU DIPLOMACIA AKTIVE SOLLI SUKSESE

1. Pavarësia e Kosovës (2008) – Diplomaci Aktive

Pavarësia e Kosovës më 17 shkurt 2008 nuk do të kishte qenë e mundur pa një diplomaci të fuqishme dhe lobim të organizuar.

Lobimi intensiv në SHBA dhe BE – Në vitet 2005-2007, udhëheqësit kosovarë si Hashim Thaçi, Fatmir Sejdiu dhe liderë të tjerë politikë ishin të angazhuar në lobim të fuqishëm në Uashington dhe Bruksel, duke siguruar njohje të shpejtë nga vendet kyçe.

Partneriteti me SHBA-në dhe NATO-n – Përmes një strategjie të koordinuar me Departamentin e Shtetit Amerikan dhe BE-në, Kosova siguroi mbështetjen e fuqive perëndimore për shpalljen e pavarësisë.

Angazhimi i ekspertëve ndërkombëtarë – Grupi i Ahtisaarit përgatiti një plan të detajuar për pavarësinë, i cili u mbështet nga diplomacia kosovare.

Rezultati: Brenda disa muajve nga shpallja e pavarësisë, mbi 50 vende e njohën Kosovën, përfshirë SHBA, Gjermaninë, Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar.

2. Opinioni Këshillues  i GJND-së për Pavarësinë e Kosovës (2010) – Diplomaci Aktive

Kur Serbia kërkoi opinionin këshillimor nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Kosova dhe aleatët e saj perëndimorë ndoqën një strategji diplomatike shumë aktive për të siguruar një vendim në favor të Kosovës.

Përdorimi i argumenteve të forta ligjore nga ekspertët ndërkombëtarë dhe avokatët më të mirë në botë.

Mobilizimi i vendeve mike për të dorëzuar opinione të favorshme në GJND.

Koordinimi i vazhdueshëm me SHBA dhe BE për të ndikuar në vendimin përfundimtar.

Rezultati: Në korrik 2010, GJND konfirmoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, duke i dhënë Kosovës një fitore të madhe diplomatike.

II. RASTE KONKRETE KU DIPLOMACIA PASIVE DËSHTOI

1. Çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe – Diplomaci Pasive

Prej vitit 2013, Kosova ka pasur një qasje të paqartë dhe shpesh pasive ndaj çështjes së Asociacionit të Komunave Serbe.

Nënshkrimi i marrëveshjeve pa kushte të forta – Në vitin 2013 dhe 2015, Kosova nënshkroi marrëveshje për Asociacionin pa pasur një strategji të qartë se si do të implementohej në mënyrë që të mos rrezikonte funksionalitetin e shtetit.

Mungesa e një plani alternativ për zbatimin e marrëveshjes – Në vend që të propozonte një model të balancuar, Kosova ka lënë hapësirë që Serbia ta përdorë këtë çështje për të bllokuar integrimin ndërkombëtar të Kosovës.

Dështimi për të ndikuar në qasjen e aleatëve perëndimorë – Në vend që të bindte SHBA dhe BE për një model më të favorshëm, Kosova ka mbetur në pozicion mbrojtës, ndërsa Serbia e ka shfrytëzuar Asociacionin si mjet presioni diplomatik.

Rezultati: Sot, Kosova përballet me presion të madh ndërkombëtar për të zbatuar Asociacionin, ndërsa Serbia ka arritur të shfrytëzojë këtë çështje për të vonuar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

2. Pengesat në Anëtarësimin në Këshillin e Evropës (2023-2024) – Diplomaci Pasive

Në vitin 2023, Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës, por për shkak të diplomacisë së dobët nuk arriti të marrë mbështetjen e nevojshme.

Lobim i pamjaftueshëm me vendet skeptike 

Përplasjet me BE-në dhe SHBA-në për çështjen e veriut të Kosovës, të cilat i dhanë Serbisë një justifikim për të lobuar kundër anëtarësimit të Kosovës.

Dështimi për të bindur vendet anëtare të Këshillit të Evropës për të mbështetur kandidaturën e Kosovës.

Rezultati: Kosova nuk u bë anëtare e Këshillit të Evropës në kohën e duhur dhe u përball me një vonesë të konsiderueshme në procesin e integrimit evropian.

3. Fushata e Çnjohjeve nga Serbia (2017-2024) – Diplomaci Pasive

Prej vitit 2017, Serbia ka zhvilluar një fushatë të fuqishme lobimi për të bindur vendet që e kishin njohur Kosovën ta tërhiqnin njohjen.

Kosova nuk zhvilloi një kundër-fushatë të organizuar për të parandaluar çnjohjet.

Nuk u krijua një rrjet i fuqishëm diplomatik në Afrikë, Azi dhe Amerikën Latine për të mbrojtur njohjet ekzistuese.

Lobimi në OKB dhe organizata të tjera ndërkombëtare ishte i dobët, duke i lënë hapësirë Serbisë të veprojë.

Rezultati: Më shumë se 15 vende e tërhoqën njohjen e Kosovës, duke e vështirësuar më tej pozitën ndërkombëtare të saj.

III. SI DUHET TË VEPROJË KOSOVA ME DIPLOMACI AKTIVE?

Lobim i drejtpërdrejtë dhe sistematik në SHBA dhe BE – Kosova duhet të krijojë një zyrë të fuqishme lobimi në Uashington dhe Bruksel për të ndikuar në vendimmarrjen ndërkombëtare.

Angazhim i vazhdueshëm me vendet skeptike – Në vend që të pranojë status quo-në, Kosova duhet të intensifikojë negociatat me vende si Spanja, Greqia dhe Rumania për njohje diplomatike.

Filed Under: Komente

“UDHËS SË MËRGIMTARIT”

March 14, 2025 by s p

Dr. Paulin Marku/

Emigracioni shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i ka fillesat në fund të shekullit të XIX. Për dekada me radhë shqiptarët kanë qenë pjesë e këtij procesi të vështirë po aq edhe të dhimbshëm të hemorragjisë së vazhdueshme të largimeve nga vendlindja. Shkaqet dhe arsyet e largimit të shqiptarëve janë të ndryshme, si: politike, persekutime, gjakmarrje, pasiguria e jetës, probleme ekonomike, fetare, social-kulturore etj. Një rast i atillë i këtyre ngjarjeve është edhe libri “Udhës së Mërgimtarit”, me autor, Prend Ndoja, i cili i jep lexuesit një panoramë të përgjithshëm që nga vendlindja, vështirësitë e mërgimtarit dhe të sfidave të jetës në emigracion.

Gjatë kalimit të viteve, njeriu reflekton duke iu rikthyer respektivës së kohës, kujton vuajtjet e shumta me plot sakrifica që hasen gjatë udhëtimit dhe problematikat në emigrim. Njerëzit i shprehin në forma të ndryshme: ditare, romane e tregime apo me poezi e këngë kushtuar atdheut e emigracionit nëpër botë. Kur lexojmë libra me përshkrime për emigracionin, shpeshherë e gjejmë veten duke na kujtuar vuajtjet dhe sakrificat e jetesës në emigracion. Libri “Udhës së Mërgimtarit”, me autor, Prend Ndoja sjell para opinionit publik një panoramë të gjerë reflektimesh dhe përshkrimesh të një emigranti shqiptar. Autori i këtij libri përshkruan me detaje sfidat e kalvarit të mërgimtarit, me persekutime dhe rreziqe që nga vendlindja dhe përballjet me vështirësitë e jetës në emigracion.

Prend Ndoja pasi ka kryer studimet e larta në degën gjuhë – letërsi shqipe në Kosovë mori rrugët e emigrimit. Në librin e tij përshkruan arsyet e emigrimit, problematikat e ndryshme në vendlindje dhe kalvarit të vuajtjeve gjatë rrugëtimit për në Amerikë. Gjatë leximit të librit mësojmë se ai u largua nga vendlindja në një moshe krejt të re, ai ishte një aktivist i njohur në shoqëri, ku evidentohet veprimtaria e tij si organizator e pjesëmarrës në demonstrata të ndryshme kundër pushtetit jugosllav. Per këto arsye ai ishte shoqëruar e arrestuar nga policia dhe kishte patur përndjekje të vazhdueshme nga autoritetet. Në kushte e rrethana të vështira për sigurinë e jetës së tij, ai vendos të largohet nga vendlindja në vitin 1986 për të emigruar në SHBA. Në vend të hyrjes, autori përdor një shprehje domethënëse “lisi përballë erërave”, duke shprehur stuhitë dhe mendimin e tij nëpërmjet argumenteve rreth situatës në Kosovë. Ai shfaqet i emocionuar edhe kur bën përshkrimin e krahinës së tij duke analizuar me detaje nga agimi i mëngjesit e deri në bukuritë natyrore, relievin e kësaj krahine dhe jetën në komunitet nisur nga fëmijëria e deri në ditën që vendos të largohet përfundimisht nga Beci i Gjakovës. Libri është i ndarë në katër kapituj me përshkrime dhe interpretime herë në veten e parë dhe herë në veten e tret të autorit. Secili kapitull mbart emocione, vuajtje, sakrifica mbushur me sfida të jetës që përjeton një emigrant përballë ëndrrës amerikane. Prend Ndoja nuk la pas veprimtarinë patriotike, të cilën e përshkruan në libër aktivitetin atdhetar për çështje kombëtare, në shërbim të lirisë së Kosovës. Ai ishte mbështetës i protestave, kontribuues me ndihma ekonomike për bashkëkombësit për kauzën e çlirimit të Kosovës. Në këtë libër më tërhoqi vëmendjen se si autori kujton e analizon me detaje vendin e tij, traditën, terrenin siç ai pohon ne libër se “ky është vendi i të korrave, i dramave dhe i stuhive të mëdha.  Padrejtësitë nën pushtimin serb ishin të shumta, dhe ato shtoheshin gjithnjë e me shumë kundër shqiptarëve që kundërshtonin e protestonin për lirinë e tyre. Prend Ndoja shprehet në librin e tij, Kosova është një vend i mrekullueshëm e me bukuri mahnitëse që e karakterizojnë, me nëntokë të pasur, e me fusha te pafundme por nga ana tjetër me rreziqe të mëdha që pushtuesit kishin bere të pamundurën jetesën për të mbajtur nen sundim Kosovën duke shkaktuar dëme të mëdha për shekuj me radhe kombit shqiptar. Emocion i fortë në këtë libër është edhe momenti kur ai duhet t’ju beje me dije familjes për largimin e detyruar dhe mënyra se si nëna e tij me një fytyrë të mpirë vështronte te birin me zërin qe i dridhej dhe fjalët i ishin lidhur nga dhimbja dhe frika e të ardhmes së djalit të saj. Ndarja me familjen mes përqafimesh e lotësh, vështrimi i nenës së tij përshkruhet me emocione të forta, ku mijëra emigrant e gjejnë veten të mbytur në udhën e mërgimtarit. Fjalët e nënës ishin, “Ti shko bir por këtë vend mos e harro kurrë”. Në libër Prend Ndoja përshkruan me dhimbje momentin e largimit nga familja, shoqërimin nga vëllezërit, Marjani, Skënderi dhe shokët. Përshkrimi i udhëtimit nga Beogradi ne Amsterdam, e pastaj për në Meksikë janë sfida të vështira për të arritur në destinacionin e dëshiruar, në tokën amerikane. Një ëndërr shprese për miliona njerëzve nëpër botë.

Në librin e tij, autori përcjell kujtime të shumta të familjareve, miqve dhe veçanërisht të shokëve prej rinisë. Ai arrin të përshkruajë dhe të hedh dritë plot emocione duke u shprehur edhe në veten e tretë, si “Sokoli djali simbol i rinise kosovare” me shumë ngjarje e shume fragmente te tjera në emigracion. Optimizmi tij që e karakterizon, besim plote në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në autoritet e saj, për të janë dritë shprese si për popullin amerikan ashtu edhe për popujt e shtypur dhe të pafajshëm. Hapësirë të veçantë i dedikon lëvizjeve te viteve 1990 në Kosovë dhe protestave i të panumërta për liri deri në momentin kur fitoi e drejta e një populli të etur për Liri e Pavarësi. Ëndërra shekullore për Lirinë e Pavarësinë e Kosovës janë pjesë të pandara në kujtimet e Prend Ndojës. Ai arrin të përshkruaj në librin e tij çdo lëvizje atdhetare, si brenda ashtu edhe jashtë Kosove. Edhe pse larg në mërgim zemra e tij rreh për një Kosove të lirë e demokratike me vizion Euro-Atlantik. Në këtë libër i kushtohet hapësirë e konsiderueshme identitetit kombëtar, vlerave të familjes, miqësisë, natyrës, objekteve të kultit dhe besim në Zot. Prend Ndoja arrin të pasqyroje një ndërthurje midis jetës e natyrës, vlerave njerëzore humane, si dhe përshkruan jetën e një mërgimtar të realizuar në familje. Krahas punës së tij dhe arritjeve në Amerikë, ai është një veprimtar patriot me kontribute të vazhdueshme, pa reshtur, si në vendlindje ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prend Ndoja, përveçse është një vatran dhe atdhetar, ai është i gatshëm për të bashkëpunuar dhe për të dhënë kontributin e tij me plot pasion e ndjenja atdhedashurie në shërbim të komunitetit dhe çështjes kombëtare.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • …
  • 49
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT