• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2025

DITA NDËRKOMBËTARE E GRAVE

March 8, 2025 by s p

Xhelal Zejneli/

“8 Marsi”

Në Gjermani, në një pllakat për Ditën ndërkombëtare të grave, të datës 8 mars 1914 shkruan: 

„Këndej, me të drejtën e femrës për të votuar. Dita e grave, 8 marsi 1914. Grave, të cilat si punëtore, nëna dhe qytetare e plotësojnë detyrën e vet, të cilat tatimet e veta duhet t’ia paguajnë, si shtetit ashtu edhe komunës, për shkak të paragjykimeve dhe qëndrimeve reaksionare, u mohohen shumë të drejta qytetare. Lufta për këtë të drejtë të natyrshme të njeriut duhet të bëhet me vullnetin e fortë, të palëkundshëm të çdo femre, të çdo punëtoreje. Kjo luftë nuk duhet të ndërpritet apo të ndalet në asnjë çast. Prandaj ejani të gjitha, ju gratë dhe vajzat, të dielën më 8 mars 1913, në orën 3 pasdite, në tubimin e 9-të publik të grave“.  

Dita ndërkombëtare e grave, në forma të ndryshme shënohet në shumë vende të botës. Me fjalë të tjera, është në datë me shtrirje ndërkombëtare. 

Qarqe të caktuara konsiderojnë se kjo ditë ka rëndësi për Ditën e vetëdijes qytetare, për Ditën e grave dhe të vajzave, për Ditën e antiseksizmit dhe për Ditën e diskriminimit pozitiv. Kjo ditë festohet një herë në vit, më 8 mars. 

Me Ditën ndërkombëtare të grave (Ditën e grave) ndërlidhen edhe festat: Dita universale e fëmijëve, Dita ndërkombëtare e meshkujve dhe Dita ndërkombëtare e punëtorëve.

*   *   *

Dita ndërkombëtare e grave (shkurtimisht Dita e grave) shënohet më 8 mars të çdo viti. Atë ditë festohen arritjet ekonomike, politike dhe shoqërore të pjesëtarëve të gjinisë femërore. Lindi si nismë e organizatave socialiste në periudhën para Luftës së Parë Botërore në luftën për barazi, për të drejtë vote si dhe për emancipimin e femrave. Për herë të parë Dita e grave është shënuar më 28 shkurt 1909 në ShBA, me deklaratën që e nxori Partia Socialiste e Amerikës. Me shënimin e Ditës së grave përkujtoheshin edhe ngjarje historike të rëndësishme, duke përfshirë edhe tragjedinë e shkaktuar nga zjarri në fabrikën Triangle Shirtwaist në Nju-Jork (New York) në vitin 1911, me ç’rast humbën jetën mbi 140 gra.  

    Pasqyra historike – Figura të njohura që ndërlidhen me Ditën ndërkombëtare të grave janë socialistja gjermane Klara Cetkin (Clara Zetkin, 1857-1933) dhe komunistja gjermane me prejardhje hebraike Roza Luksemburg (Rosa Luxemburg, 1871-1919). 

Ideja për shënimin e Ditës ndërkombëtare të grave lindi për herë të parë në fillim të shekullit XX, në periudhën e industrializimit të shpejtë dhe të ekspansionit ekonomik kur për shkak të kushteve të rënda pune, shpesh organizoheshin protesta. Më 8 mars të vitit 1857, femrat e punësuara në industrinë e veshjeve dhe të tekstilit demonstruan publikisht në Nju-Jork (New York). Punëtoret e tekstilit protestonin për shkak të kushteve të rënda të punës dhe pagave të ulëta. Demonstratat i shpërndau policia. Dy muaj më vonë, po këto femra themeluan edhe sindikatën. Më 8 mars, protesta organizoheshin edhe në vitet vijuese. Më e njohur prej tyre është protesta e vitit 1908, kur 15.000 femra marshuan në Nju-Jork duke kërkuar orar pune më të shkurtër, paga më të mira dhe të drejtë vote. 

Në vitin 1910 u mbajt në Kopenhagë konferenca e parë ndërkombëtare e grave. Kjo konferencë u organizua nga Internacionalja Socialiste. Me propozimin e socialistes së famshme gjermane Klara Cetkin* (Clara Zetkin) u përcaktua “Dita ndërkombëtare e grave“.

Një vit më vonë, d.m.th. më 1911, Ditën ndërkombëtare të grave e festuan mbi një milion njerëz në Austri, në Danimarkë, në Gjermani dhe në Zvicër. Këto ngjarje përkonin me zjarrin në fabrikën Triangle Shirtwaist në Nju-Jork, me ç’rast, për mungesë masash përkatëse të sigurisë, pati numër të madh viktimash. Në prag të Luftës së Parë Botërore, më 8 mars 1913, femrat e mbarë Evropës organizuan demonstrata paqeje.        

    Demonstratat me rastin e Ditës ndërkombëtare të grave në Rusi ishin hap i parë i revolucionit rus. Pas revolucionit të tetorit, revolucionarja dhe feministja bolshevike ruse, teoricienia e marksizmit Aleksandra Kolontaj i kërkoi Vladimir Iliç Lenininit (1870-1924) që 8 marsi të shpallet festë shtetërore. Gjatë periudhës sovjetike kjo datë përdorej për të shënuar „heroizmin e punëtoreve“.

Por, në shumë shtete komuniste kjo festë e humbi bazën e vet ideologjike dhe u shndërrua në rast për meshkujt për të shprehur dashurinë dhe respektin ndaj pjesëtarëve të gjinisë së kundërt. Në shtetet perëndimore Dita ndërkombëtare e grave ka shërbyer si amalgamë tipike e Ditës së nënës dhe e Ditës së Shën Valentinit.  

“Dita e grave” në Çekosllovaki, gjatë regjimit komunist u shndërrua në parodi, kështu që pas revolucionit të kadifenjtë – u hoq. Në Hungari ndërkaq, tradita për t’u dhuruar lule femrave, u ruajt edhe pas rënies së komunizmit.   

  “Dita e grave” sot – Në shumë shtete, femrave sot, krahas urimit zakonisht u dhurohet edhe lule. Simbol i Ditës së grave në Itali është mimoza. 

Dita ndërkombëtare e grave në botën perëndimore kryesisht pushoi të shënohet në vitet ’30 të shekullit XX, pjesërisht edhe për faktin se e ndërlidhnin me komunizmin. Në këto vende, çdo të dytën javë të muajit maj, shënohet “Dita e nënës” për nder të nënës dhe të të qenit nënë.     

  Dita e grave ka mbetur festë shtetërore në Rusi, në Bjellorusi, në Ukrainë, në Kazakistan, në Kirgizi, në Moldavi, në Mongoli e në Taxhikistan dhe shënohet me lule e  dhurata.

Por, në vitet ’60 të shekullit XX feministët përsëri filluan ta festojnë. Në vitin 1975 që u shpall si Vit ndërkombëtar i gruas, Ditën ndërkombëtare të grave Kombet e Bashkuara nisën ta festojnë zyrtarisht.         

Ditën ndërkombëtare të grave sot e festojnë shumë organizata në mbarë botën. Disa prej tyre kërkojnë që kjo ditë të jetë festë shtetërore në të gjitha vendet.  

*   *   *

Shënim: Roza Luksemburg lindi në vitin 1871 si Rozalia Luksemburg në Zamoshq afër Lublinit, në Poloni, në një familje hebraike. Ishte shtetase gjermane. Studioi në Universitetin e Cyrihut. Teoriciene e marksizmit dhe e socializmit demokrat, teoriciene e Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë, më vonë e Partisë Socialdemokrate të Pavarur të Gjermanisë.

Roza Luksemburg, Karl Libkneht* (Karl Liebknecht) dhe Franc Mering* (Franz Mehring) themeluan në Gjermani organizatën komuniste ilegale – Lidhja Spartakus (Lidhja Spartakiste). Nga ky grup marksist revolucionar-demokratik lindi Partia Komuniste Gjermane. Në janar të vitit 1919 Roza Luksemburg mori pjesë në revolucionin e pasuksesshëm në Berlin. Kryengritja shpërtheu përkundër mospajtimit të saj. Revolucioni u shua nga mbetjet e ushtrisë monarkiste dhe nga formacionet paraushtarake djathtiste, të njohur si frajkorë. Roza Luksemburgu, Karl Libknehti dhe qindra të tjerë u zunë, u torturuan dhe u pushkatuan. Teoria revolucionare e veçantë e marksizmit dhe e socializmit demokratik – luksemburgizmi, buron nga emri i saj.

Karl Libkneht (Karl Paul August Friedrich Liebknecht, 1871-1919) studioi drejtësisnë. Ishte eksponent i ideve marksiste, bashkëmendimtar dhe bashkëpunëtor i Roza Luksemburgut dhe i Franc Meringut. I përket Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë, është një ndër themeluesit e Partisë Komuniste Gjermane. U pushkatua pas kryengritjes së pasuksesshme në Berlin.

Franc Mering (Franz Erdmann Mehring; Slawno, Poloni, 1846 – Berlin, 28.01.1919) sociolog gjerman, historian dhe historian i letërsisë, marksist dhe politikan radikal. Një prej udhëheqësve të krahut të majtë dhe teoricien i socialdemokracisë gjermane. Një prej themeluesve të Lidhjes Spartakiste dhe të Partisë Komuniste të Gjermanisë.  

*   *   *

Shënim: Klara Cetkin, mbiemri i vajzërisë Ajzner (Clara Zetkin, Eißner, Viderau, Konfederata Gjermane, 1857 – Arhangelskoje, afër Moskës, 1933) ishte politikane majtiste gjermane me ndikim dhe luftëtare e të drejtave të grave. U shkollua për arsimtare. Bashkëmendimtare e Roza Luksemburgut. E mori mbiemrin e partnerit të saj, revolucionarit rus Osip Cetkin (Ossip Zetkin, Odesë, 1850 – Paris, 1889) me të cilin kishte dy djem. Në vitet 1899-1928 ishte e martuar me piktorin gjerman Georg Fridrih Cundel (Georg Friedrich Zundel, 1875-1948).      

Prej vitit 1874 u lidh me lëvizjen e grave dhe të punëtorëve në Gjermani. Në vitin 1878 u bë anëtare e Partisë Socialiste Punëtore (Sozialistische Arbeiterpartei, SAP). Kjo parti u themelua më 1875 me bashkimin e dy partive paraprake: Asociacionit të Përgjithshëm Gjerman të Punëtorëve (ADAV), të themeluar nga Ferdinand Lasal* dhe Partisë Socialdemokrate Punëtore (SDAP) të August Bebelit* dhe të Vilhelm Libknehtit*. Më 1890 partia e ndryshoi emrin dhe u quajt Partia Socialdemokrate e Gjermanisë (SPD). 

 Në debatin mbi revizionizmin në fillim të shekullit XX, Klara Cetkin, bashkë me Roza Luksemburgun mban vijën revolucionare ekstreme dhe sulmon tezat reformiste të Eduard Bernshtajnit*. Gjatë qëndrimit në Paris luajti një rol të rëndësishëm në themelimin e Internacionles Socialiste. Zhvilloi lëvizjen e femrave socialdemokrate në Gjermani.

Klara Cetkin ishte aktive në Partinë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD). Më vonë hyri në Partinë Socialdemokrate të Pavarur të Gjermanisë (USPD). I përkiste krahut të ekstremit të majtë të partisë – Lidhjes Spartakiste nga e cila më vonë lindi Partia Komuniste Gjermane (KPD). Gjatë Republikës së Vaimarit (Weimarer Republik), në vitet 1920-1933 ishte deputete popullore në Rajhstag (Reichstag). 

Më 8 mars 1911 organizoi kremtimin e parë të Ditës ndërkombëtare të grave. Në vitin 1915, krahas veprimtarive të tjera kundër luftës, organizoi në Berlin konferencën ndërkombëtare të grave kundër luftës. Gjatë luftës, për shkak të qëndrimeve kundër luftës, u burgos disa herë. Në vitin 1916 Klara Cetkin është një prej bashkëthemeluesve të Lidhjes Spartakiste dhe të Partisë Socialdemokrate të Pavarur të Gjermanisë (USPD) e cila, në vitin 1917 u nda nga partia nënë – SPD. Në janar 1919, pas revolucionit gjerman të nëntorit të vitit paraprak (1918), u themelua Partia Komuniste Gjermane (KPD). Klara Cetkin u bë anëtare e saj. Në vitet 1920-1933 ishte deputete e popullit në parlamentin gjerman. Më 1920 e intervistoi Vladimir Iliç Leninin (1870-1924) për “çështjen e femrës”. Në vitet 1921-1933 ishte anëtare e Komitetit ekzekutiv të Kominternit. Vdiq në Arhangelskoje afër Moskës. U varros në muret e Kremlit në Moskë.  

Shënim: Ferdinand Lasal (Ferdinad Lassalle, 1825-1864) është jurist, filozof pruso-gjerman, veprimtar socialist dhe socialdemokrat. Lindi në Vrocuav, të Polonisë. Vdiq në Carouge të Zvicrës. U varros në Old Jewish Cemetery, në Vrocuav të Polonisë. August Bebel (1840-1913) është shkrimtar dhe politikan gjerman, socialist, socialdemokrat. Lindi në Deutz, Këln të Gjermanisë. Vdiq në Passugg të Zvicrës. Vilhelm Libkneht (Wilhelm Martin Philipp Christian Ludwig Liebknecht, 1826-1900) socialist dhe marksist gjerman, udhëheqës politik, bashkëthemelues i Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë. Eduard Bernshtajn (Eduard Bernstein, 1850-1932) – politikan, ekonomist dhe sociolog gjerman. Socialdemokrat dhe propagandues i ideve socialdemokrate, anëtar i Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SDAP), teoricien marksist dhe revizionues i ideve marksiste.

Filed Under: ESSE

Si ndikon “ora e dellore” në shëndetin tuaj

March 8, 2025 by s p

Nga Rafael Floqi

pink alarm clock in pastel colorful background.Top view

Ndërsa amerikanët përgatiten të fillojnë të dielën, disa mund të kenë frikë nga humbja e një ore gjumi. Në fakt, mbi gjysma e SHBA. të rriturit tani kundërshtojnë kohën e kursimit të ditës, sipas një sondazhi të fundit të Gallup – dhe arsyeja mund të mbështetet nga shkenca. Ekspertët thonë se ndryshimi i orës bën më shumë sesa thjesht t’i bëjë mëngjeset pak më të vështira, por ndikon në shëndetin tonë.

“Ndryshimi i orës së pranverës çon në mungesë gjumi në të gjithë shoqërinë,” thotë Jennifer Martin, ish-presidente e Akademisë Amerikane të Mjekësisë së Gjumit dhe profesoreshë e mjekësisë në Shkollën e Mjekësisë David Geffen në UCLA.

Një ndikim i madh

Ndërsa humbja e një ore gjumë mund të mos duket si një ndryshim i madh, Martin thotë se kjo ka një ndikim të madh në shëndetin tonë – kryesisht sepse shumica e amerikanëve nuk po flenë mjaftueshëm. “Shumë amerikanë tashmë janë të privuar kronikisht nga gjumi ose vuajnë nga çrregullime të gjumit,” thotë ajo. “Ky ndërprerje shtesë përforcon ndonjë nga simptomat që ata tashmë kanë.”

Ndryshimi i orës sjell me vete edhe ndikime të tjera negative shëndetësore për shkak të ndryshimeve në ritmin tonë cirkadian. “Ritmi ynë cirkadian është ora jonë e brendshme dhe është shumë e lidhur ngushtë me ditën 24-orëshe”, thotë Martin. “[Kursimi i ditës] në fakt ndryshon marrëdhënien midis orës sonë të brendshme dhe mjedisit të jashtëm.”

Kalimi në orën e ditës do të thotë që ritmet tona cirkadiane nuk janë më në përputhje me lindjen dhe perëndimin e diellit – dhe kjo ndikon në shëndetin tonë. “Kur jemi në kohën standarde, orët e ditës janë më të lidhura me ritmet tona rrethore,” thotë Martin. Kjo ndryshon kur orët nisin përpara: “Kur kalojmë në orën e ditës, është errësirë ​​më vonë në mëngjes dhe kjo nuk është e mirë për shëndetin dhe mirëqenien tonë të përgjithshme.”

Lëvizja e orëve përpara ka qenë e njohur për përkeqësimin e simptomave të ankthit dhe depresionit, dhe gjithashtu është lidhur me një rritje të sulmeve në zemër dhe goditjeve në tru. Kursimi i ditës shoqërohet me më shumë aksidente trafiku, mungesa dhe vonesa, thotë Martin.

Zbutja e efekteve

Ndërsa ekspertët rekomandonin të ndryshoni orarin tuaj me 15 minuta çdo ditë në ditët para ndryshimit të orës, Martin thotë se ndryshimi nuk është i lehtë për t’u zbatuar nga shumica e njerëzve. “Është e pamundur ta bësh këtë, sepse asgjë në shoqëri nuk ndryshon me 15 minuta në ditë,” thotë ajo. “Mënyra se si shoqëria ndryshon [për kursimin e ditës] është befas, brenda natës, në një natë.”

Martin paralajmëron kundër përdorimit të mjeteve ndihmëse për gjumë si melatonin. “Shumë nga këta agjentë ju bëjnë të përgjumur dhe përgjumja është një nga problemet me të cilat njerëzit do të luftojnë gjithsesi,” thotë ajo – duke shtuar se ndikimet e mbetura të mjeteve për gjumë mund të ndikojnë në vigjilencën tuaj mëngjesin tjetër.

Në vend të kësaj, Martin rekomandon thjesht t’i jepni trupit tuaj kohë për t’u përshtatur me ndryshimin. “Ky përçarje është biologjike,” thotë ajo. “Nuk është diçka që mund ta kapërcesh thjesht duke u përpjekur më shumë.”

Çfarë ka thënë Trump deri më tani për kohën e kursimit të ditës?

Në dhjetor. Më 13, 2024, Trump postoi në faqen e tij të mediave sociale, Truth Social, “Partia Republikane do të bëjë përpjekjet e saj më të mira për të eliminuar kohën e kursimit të ditës, e cila ka një zonë të vogël, por të fortë, por nuk duhet! Ora ditore është e papërshtatshme dhe shumë e kushtueshme për kombin tonë.”

Por më shumë se një muaj në presidencën e tij, Trump nuk ka bërë ende ndonjë lëvizje për këtë çështje që nga postimi i tij në Truth Social dhe ekspertët janë pak të pasigurt se çfarë ndryshimesh mund të vijnë.

David Prerau, autor i “Seize the Daylight: The Curious and Contentious Story of Daylight Saving Time” dhe një ekspert në këtë temë, thotë se ekzistojnë tre opsione. E para është ruajtja e sistemit ekzistues të ndërrimit të orës dy herë në vit; Aktualisht, pjesa më e madhe e Amerikës e vendos orën një orë përpara duke filluar nga marsi për kohën e kursimit të ditës dhe e kthen orën një orë prapa duke filluar nga nëntori për orën standarde. Opsioni i dytë është që të bëhet e përhershme koha e kursimit të ditës dhe e treta është të bëhet e përhershme koha standarde.

“[Trump] e tha atë në një fjali shumë të shkurtër pa detaje, kështu që nuk është e qartë se cilin prej tyre do të thoshte,” thotë Prerau. “Shumica e njerëzve as që e kuptojnë se ka dy opsione të tjera.”

Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment duke kërkuar qartësi mbi planet e Trump për kohën e kursimit. 

Filed Under: Sociale

Çelja e shkollave shqipe që nga mesjeta, rreze drite kundër pushtuesve dhe për rimëkëmbjen si komb

March 7, 2025 by s p

Shkruan: Eneida Jaçaj*/

Arsimi dhe dija është e vetmja armë e fortë kundër shtypjes, nënshtrimit, nëpërkëmbjes dhe talljes! Mbretëria e dijes ka forcën ta nxjerrë një komb dhe mbarë njerëzimin nga errësira, duke shërbyer si rreze drite për të gjetur forma nga më të ndryshme të rrugëdaljes, në zgjidhjen e shumë ekuacioneve me karakter ekonomiko-social. Dija i atribuon shoqërisë dinjitetin, ekzistencën në gjithë qenien e saj; është shpresë drejt rrugës plot ndriçim, pa kthim! Një komb pa një gjuhë dhe i paarsimuar, do të ishte i padukshëm dhe inekzistent në sytë e botës, ku superfuqitë do të uleshin në tavolinat e salloneve të pazareve dhe do të vendosnin për fatin e tij, sipas orekseve të tyre. Ashtu siç edhe ka ndodhur… Një kombi të cilit i mohohet e drejta për dije dhe sidomos shkrimi e këndimi i gjuhës amtare, për ta përdorur si plaçkë për interesa vetjake, do të jetë një shoqëri që do të mbetet gjithmonë në pozicionin e padukshëm dhe do të rreshtë së ekzistuari. Shqiptarët e kanë njohur fort mirë këtë pozicion, pasi kanë qenë të pushtuar duke filluar me Perandorinë Osmane, në vitin 1384, ku ishin Fuqitë e Mëdha të Europës që e lanë vendin prej 5 shekujsh në uzurpimin e turqve mesjetarë, pasi vetëm kështu do të pengohej dalja e Serbisë në det. Pushtimet dhe pazaret e superfuqive që vijuan edhe pas periudhës së mesjetës së vonë, në kurriz të territoreve shqiptare, kanë qenë kryefjala e kalvarit të vuajtjeve dhe kryengritjeve të shqiptarëve për disa vite. Për të aneksuar territore shqiptare dhe për të përfituar nga pozita gjeografike, pushtuesit do ta kishin më të lehtë të arrinin qëllimet e tyre, duke i lënë shqiptarët në mjerim dhe errësirë të plotë. Kjo është një nga arsyet pse shqiptarët e kanë të induktuar në gjak dëshirën për t’u arsimuar dhe triumfuar me sukses në çdo fushë respektive, pasi dija është si “shpata e Demokleut”, e cila shërben si kërcënim ndaj çdo rreziku të jashtëm, por edhe si pikë-nxitje për t’i dhënë zgjidhje shumë problemeve shoqërore. Pra, shqiptarët, me këmbëngulje, nuk hoqën dorë nga përpjekjet për t’i kthyer kombit dinjitetin dhe krenarinë, përmes arsimimit. Historiku i hapjes së shkollave shqipe e ka zanafillën që në periudhën mesjetare, ku kleri katolik ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm. Gjuha shqipe nisi të shkruhej 48 vite para mbajtjes së Kongresit të Manastirit, në vitin 1908. Një figurë emblematike e dijes mbetet të jetë Papa Kristo Negovani, prifti shqiptar i cili luftoi për çlirimin e vendit nga falangat greke, dhe punoi fort për shkrim-këndimin e gjuhës shqipe. Ai ishte i pari që ngriti meshën në gjuhën shqipe dhe nuk iu bind kurrë pushtuesve grekë, që të hiqte dorë nga mësimi i gjuhës shqipe dhe arsimimi i të fëmijëve, por jo vetëm. Sipas dokumenteve dhe studimeve që janë bërë, priftërinjtë hapën shkolla që datojnë nga viti 1585; në Kurbin më 1632; shkolla e Pllanës dhe të Blinishtit në vitin 1644; shkolla e mesme në Janjevë të vitit 1670; shkolla e Rrjollit, e hapur nga Pjetër Bogdani me mësues Marin Gjini, në vitin 1675; shkolla e Shkodrës, e hapur nga Filipi, nga Shkodra, në vitin 1698, e shumë shkolla të tjera. Shqiptarët jetonin në kushte të mjerueshme dhe të pushtuar, por dëshira për dije u shtohej dita-ditës. Hapi i parë i shqiptarëve ka qenë mësimi i gjuhës shqipe, pasi çdo njohuri e re ka si bazë mësimin e gjuhës amtare. Kështu, në vitet e pushtimit osman, mësimi i gjuhës shqipe bëhej fshehurazi në ato pak shkolla fetare që u lejuan të vazhdonin veprimtarinë e tyre, si në vitin 1584, në Stubëll të Kosovës, pastaj në Himarë (1627), Kurbin të Krujës (1632), Vuno e Palasë të Himarës (1632), Korçë (1637), Pllanë (1639), Bilisht (1639), Dhërmi (1660), Janjevë (Kosovë) (1665), në Akademinë e Re në Voskopojë e në Medresenë e Bushatllinjëve në Shkodër, etj. Sipas dokumentit, u hapën shkolla në mbarë vendin dhe u punësuan shumë mësues. Shkollat u hapën dhe në fshatra të thella, ku merrnin dije të gjitha moshat. Ndërsa në vitin 1885, Naim Frashëri, bashkë me të vëllanë dhe shqiptarë të tjerë në Stamboll, pjesë e “Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip”, arritën të bindin Portën e Lartë për hapjen e një shkolle shqiptare për djem në Korçë. Ndërsa në 7 mars 1887, u hap zyrtarisht shkolla e parë shqipe në Korçë, ku mblodhi plot djem dhe vajza. Shumë atdhetarë të tjerë të flaktë bënë përpjekje të mëdha për hapjen e shkollave shqipe. Shumë intelektualë kishin emigruar, por ata nuk e harruan Shqipërinë, kontribuan për lëvizjen kulturore, duke i sjellë kombit lavdinë përmes dijes. Midis tyre më së shumti u shquan: Naum Veqilharxhi, Konstandin Kristoforidhi, Zef Jubani, De Rada, Thimi Mitko, Naim e Sami Frashëri, Pashko Vasa, Qiriazët etj. Intelektualëve shqiptarë u buronte nga shpirti dëshira për ta nxjerrë Shqipërinë nga analfabetizmi, duke e vendosur në vendin e nderit, pasi dija është drita e kombit! Zyrtarisht, si përpjekje e të gjitha lëvizjeve për hapjen e shkollave, merret për bazë mësonjëtorja e Korçës që filloi të punojë me 7 mars 1887, me mësuesin e saj Pandeli Sotiri, të cilin e pason shkolla e Prizrenit në vitin 1889, me mësuesin Mati Logoreci. Pak ditë më vonë, u çel shkolla shqipe në qytetin e Pogradecit, Ersekë, Ohër, etj. Në 23 tetor të vitit1891, në Korçë u çel Shkolla e Vashave, pasi arsimimi i femrës është një hap vendimtar dhe i pakthyeshëm në emancipimin e familjes dhe shoqërisë. Pas hapjes së mësonjëtores së parë të Korçës, u çel më pas shkolla e Prizrenit në vitin 1889, me mësuesin Mati Logoreci. Për t’i ardhur në ndihmë mësimit të gjuhës amtare, u botuan një varg abetaresh si ajo e Naum Veqilharxhit (1844, 1845), e Konstandin Kristoforidhit (1867, 1868), e Daut Boriçit (1869), “Allfabetarja e Stambollit” (1879) etj. Më vonë u mbajt Kongresi i Manastirit (1908, 1910), ku u morën vendime të rëndësishme edhe për zhvillimin e arsimit në Shqipëri. Në vitet 1908 – 1909 u hapën 15 shkolla shqipe. Një nga vendimet që u morën ishte përdorimi i alfabetit latin, në mënyrë që shkëmbimi i ndonjë telegrami me vendet e tjera, të ishte më i lehtë për t’u kuptuar. Ky ishte një sugjerim i shtruar nga Gjergj Fishta. Më 1909 në Elbasan zhvilloi punimet Kongresi Kombëtar për Problemet e Arsimit e që njihet edhe me emrin Kongresi i Shkollave. Po në këtë vit u hap edhe Shkolla Normale e Elbasanit. Duke vijuar me ngritjen e disa shkollave të tjera: Shkolla Teknike Shqiptare (1921), Instituti Femëror “Kyrias” (1925), Instituti Femëror “Nana Mbretneshë” (Tiranë) (1933), Gjimnazi “Illyricum” (1921), Gjimnazi i Shtetit (1922, Shkodër), Liceu Kombëtar (1921, Korçë), Gjimnazi i Gjirokastrës (1923), Shkolla Tregtare në Vlorë (1924), Instituti Shqiptaro-Amerikan i Kavajës (1926) etj. Përpjekjet e shqiptarëve për lëvizjen kulturore kombëtare kanë qenë tepër të vyera dhe të çmuara, si qendresë kundër pushtuesve dhe duke i dhënë kombit dritën e dijes dhe shpresës. Sot e kësaj dite, shqiptarët shkëlqejnë si brenda dhe jashtë kufijve të vendit, në profesionet e tyre respektive. Pasioni për dije dhe proges, nuk u rreshti asnjëherë!

*Ribotim.

Filed Under: Emigracion

Shqipërisë dhe shqiptarëve u duhen liderë të bashkimit, jo të dasive!

March 7, 2025 by s p

Nga Kristina Nano

Kandidate për Doktoraturë, JMU, SHBA/

Historia e shqiptarëve është një histori e qëndresës, por edhe e përçarjes. Ndërsa kemi qenë shpesh të gatshëm të sfidojmë fuqitë e mëdha për të ruajtur identitetin tonë kombëtar, paradoksalisht nuk kemi arritur të krijojmë një unitet të qëndrueshëm mes vedit. Vetëmohimi i Skënderbeut, Lidhja e Prizrenit, Shpallja e Pavarësisë, dhe qëndresa ndaj regjimeve të huaja janë dëshmi të potencialit të madh të bashkimit shqiptar.

Por, këto momente kanë qenë të rralla.

Më shpesh se jo, kemi parë dështimin e tij për shkak të fragmentarizimit të elitave politike dhe sociale, mungesës së një vizioni të përbashkët dhe tendencës për të ngritur mbi gjithçka interesat individuale mbi ato kombëtare. Në epokën e re, ku rendi botëror po ndryshon me shpejtësi, Shqipëria dhe shqiptarët nuk mund të mbijetojnë si faktor pa një lidership të bashkimit.

Shekulli XXI nuk është më ai i liderëve providencialë, dominues dhe të izoluar, por i atyre që ndërtojnë ura, krijojnë sinergji dhe formojnë struktura të forta bashkëpunimi. Në një botë të ndërvarur, ku kombet e vegjël mbijetojnë vetëm përmes kohezionit të brendshëm dhe aftësisë për të krijuar aleanca të qëndrueshme, shqiptarët duhet të ngrihen mbi ndasitë e vjetra dhe të kultivojnë një model të ri lidershipi.

Ndërtimi i bashkimit: Mësime nga historia dhe filozofia politike.

Mendimtarët më të mëdhenj të historisë kanë paralajmëruar mbi rreziqet e përçarjes dhe kanë vlerësuar vlerën e bashkimit. Niccolò Machiavelli, në Princi, thotë se “një popull i bashkuar është i pamposhtur, por një komb i ndarë është i gatshëm për të rënë pre e të huajve”, një fat ky që shqiptarët e kanë provuar shpesh. Aristoteli, duke studiuar modelet e sundimit, pohonte se “një komb është më i fortë kur sundimtarët e tij ndajnë pushtetin dhe nuk e monopolizojnë atë për përfitime personale”.

Por pikërisht kjo ka qenë plagë e vjetër shqiptare pasi liderët tanë shpesh kanë dashur të sundojnë dhe jo të shërbejnë, të ndajnë dhe jo të bashkojnë.

Plutarku, në esenë e tij mbi udhëheqësit, thotë se “të ndash njerëzit për t’i sunduar është mënyra më e shpejtë për ta bërë një komb të dobët.”

Kjo filozofi është përdorur shpesh nga armiqtë tanë historikë, por tragjedia e shqiptarëve është se përçarja shpesh është bërë me duart tona.

Ndërsa ankohemi se “fuqitë e mëdha” na kanë mbajtur të ndarë, realiteti është se liderët shqiptarë shpesh kanë kontribuar në këtë ndarje, duke ndërtuar struktura të pushtetit bazuar mbi lojalitete të vogla lokale, rajonale, partiake apo personale.

Madje, edhe Thomas Hobbes, i cili në Leviathan argumentonte për domosdoshmërinë e një lideri të fortë për të mbajtur rendin, e shihte autoritetin si një mjet për të unifikuar shoqërinë, jo për ta ndarë atë në fraksione kundërshtare.

Një lider i fuqishëm, sipas Hobbes-it, nuk është ai që sundon përmes frikës, por ai që krijon një harmoni sociale ku njerëzit ndihen të përfaqësuar dhe të sigurt.

Në kontekstin shqiptar, kjo do të thotë se ne nuk kemi nevojë për liderë që imponojnë dominimin e tyre, por për liderë që krijojnë struktura të përhershme bashkëpunimi.

John Locke, babai i liberalizmit, argumentonte se një shoqëri që nuk është e mbështetur në vlera të përbashkëta dhe në një sens të përbashkët drejtësie, është e destinuar për të dështuar.

Shqiptarët, të shpërndarë në disa shtete dhe të ndarë shpesh politikisht e kulturalisht, kanë nevojë për një projekt të ri unifikues, një ide të madhe që tejkalon ndarjet dhe që shkon përtej kufijve artificialë.

Teknologjia dhe shoqëria moderne: Bashkimi përmes lidershipit të ri.

Në një botë të globalizuar, ku teknologjia ka bërë të mundur komunikimin e menjëhershëm dhe organizimin social në një shkallë të paparë më parë, shqiptarët kanë më shumë mundësi se kurrë për t’u bashkuar.

Por kjo nuk do të ndodhë automatikisht.

Duhen liderë të rinj, që nuk përdorin teknologjinë vetëm për të ndërtuar imazhe personale, por për të krijuar infrastrukturë të bashkëpunimit kombëtar.

Pierre Teilhard de Chardin, një mendimtar i shekullit XX, argumentonte se “njerëzimi nuk do të mbijetojë nëse nuk kalon nga konkurrenca në bashkëpunim, nga individualizmi në ndërtimin e inteligjencës kolektive”.

Ky koncept është më i rëndësishëm se kurrë për shqiptarët, të cilët për shekuj kanë vuajtur nga rivalitetet klanore dhe ndarjet e brendshme.

Në një epokë ku kombet e vogla mbijetojnë vetëm nëse veprojnë si një trup i vetëm, shqiptarët nuk mund të vazhdojnë të operojnë si ishuj të shkëputur nga njëri-tjetri.

Liderët e së ardhmes duhet të krijojnë një rrjet kombëtar të bashkëpunimit intelektual, ekonomik dhe politik që tejkalon ndarjet e shteteve ku jetojnë shqiptarët.

Kjo kërkon një qasje të re strategjike, ku prioritet nuk është pushteti personal, por krijimi i mekanizmave të qëndrueshëm për fuqizimin kombëtar në arenën ndërkombëtare.

Nga përçarja në kohezion: Çfarë duhet të bëjmë?

1. Rimodelimi i lidershipit – Liderët e rinj shqiptarë duhet të jenë ndërtues të unitetit, jo figura që krijojnë kampe të ndara.

Ky lidership duhet të mbështetet mbi vlera si meritokracia, transparenca dhe përkushtimi ndaj interesit kombëtar.

2. Edukimi i qytetarëve – Një shoqëri e informuar është më pak e manipulueshme nga liderët përçarës.

Shqiptarët duhet të mësojnë të dallojnë liderët që i përçajnë për interesa personale nga ata që synojnë ndërtimin e një kombi të fortë.

3. Institucionalizimi i bashkëpunimit kombëtar – Duhet të krijohen institucione dhe mekanizma që forcojnë bashkëpunimin mes shqiptarëve kudo që jetojnë. Organizatat e diasporës, universitetet, bizneset dhe elitat intelektuale duhet të punojnë së bashku për të krijuar një ekosistem kombëtar që e forcon identitetin shqiptar.

4. Ndërtimi i një vizioni të përbashkët për të ardhmen – Duhet një narrativë e re kombëtare, e bazuar jo mbi viktimizimin dhe ankesat ndaj historisë, por mbi një vizion për një të ardhme të përbashkët dhe të fuqishme.

Epoka e bashkimit ose dekadenca e përhershme.

Historia na ka mësuar se kombet që qëndrojnë të ndarë për një kohë të gjatë ose asimilohen, ose humbasin rëndësinë e tyre.

Shqipëria dhe shqiptarët janë në një pikë kthese.

Modeli i vjetër i lidershipit përçarës është i konsumuar.

Nëse duam një komb të fortë, të respektuar dhe të begatë, duhet të zgjedhim liderët e bashkimit, jo të dasive.

Kjo është sfida dhe mundësia jonë më e madhe. Dhe koha për ta realizuar është tani.

Filed Under: Ekonomi

Paqja e imponuar, humbje strategjike e perëndimit dhe pasojat për sigurinë globale

March 7, 2025 by s p

Hisen Berisha/

Ndërprerja e ndihmës ushtarake nga Shtetet e Bashkuara për Ukrainën dhe reagimi i Kremlinit, i cili e përshëndeti këtë si një mundësi që Kievi të kërkojë paqe, sjellin një dimension të ri në dinamikën globale të sigurisë dhe drejtësisë ndërkombëtare. Me këtë lëvizje, vendet perëndimore, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar, duken sikur po tërhiqen përballë Rusis, duke rrezikuar të vendosin një precedent të rrezikshëm. Nëse drejtësia ndërkombëtare ndahet në favor të më të fortit, atëherë kjo nënkupton shtypjen e të dobëtit dhe legjitimimin e agresionit si mjet për të imponuar paqen. Një skenar i tillë jo vetëm që cenon Ukrainën, por gjithashtu mbjell farën e konflikteve të ardhshme dhe e bën luftën një instrument të pranueshëm për ndryshimin e kufijve dhe dominimin e shteteve më të vogla. Shqetësues për të drejtën ndërkombëtare mbetet fakti se po standardizohet agresioni si mjet për të imponuar paqen.

Ndërkohë që Shtetet e Bashkuara me tërhiqjen nga mbështetja ushtarake për Ukrainën dhe shtyjnë drejtë një marrëveshje paqeje të karakterit ekonomik, duke i bërë të ditur Presidentit ukrainas, jomjaftueshëm të mençur, se armët janë zgjidhja fatale, Bashkimi Evropian po ndërmerr hapa të pakthyeshëm në drejtim të mbështetjes ushtarake për Kievin dhe forcimit të industrisë së mbrojtjes në kontinentin e vjetër.

Programi “Riarmatosja e Europës” dhe ndarja e miliarda eurove për zhvillimin e industrisë së luftës dhe furnizimin e Ukrainës me pajisje ushtarake tregojnë një përpjekje të BE-së për të mbushur boshllëkun e krijuar nga tërheqja e SHBA-së. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse vendet e BE-së do të arrijnë të mbajnë këtë angazhim pa përkeqësuar marrëdhëniet me administratën e ardhshme të Trump, e cila ka sinjalizuar qartë një ndryshim strategjik në qasjen ndaj luftës në Ukrainë dhe rolit të SHBA-së në NATO.

Në këtë pikë, një pyetje thelbësore është se çfarë roli do të marrë NATO, si garancë kryesore e sigurisë për Evropën, veçanërisht duke pasur parasysh se SHBA ka rolin kyç në aleancë. A do të rritet përgjegjësia dhe angazhimi i fuqive të tjera të NATO-s si Mbretëria e Bashkuar, Turqia dhe shtetet kryesore të BE-së për të mbajtur ekuilibrin strategjik në Evropë?

Nëse SHBA redukton rolin e saj në mbrojtjen evropiane dhe i jep prioritet marrëveshjeve bilaterale me rivalët strategjikë si Rusia, atëherë kjo do të thotë se marrëdhëniet transatlantike do të hyjnë në një epokë të re pasigurie, ku Evropa do të duhet të gjejë mekanizma të rinj për mbrojtjen e saj.

Konstatimi më i thjeshtë i kësaj situate është se Perëndimi po humb “luftën e tretë” ndaj Rusisë, në fushëbetejën e Ukrainës, duke lejuar që Moska të vendosë rregulla të reja gjeopolitike në dëm të shteteve të vogla. Një pasojë edhe më e rrezikshme është se kjo mund të imponojë rishikimin e rrethanave politike ndërkombëtare dhe statusit të shteteve të reja në proces, tashmë të konfirmuara nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë siç është rasti i Kosovës.

Kjo do të nënkuptonte se garancitë ndërkombëtare të dhëna për shtetet dhe territoret që kanë fituar njohje ndërkombëtare mund të zhvlerësohen, duke krijuar një klimë të re pasigurie dhe duke i bërë këto shtete të cenueshme ndaj presioneve të mëdha gjeopolitike.

Ky precedent do të kishte pasoja të gjera për shumë kriza të pazgjidhura në botë.

Serbia mund të ndjejë se ka hapësirë për të imponuar një zgjidhje ndaj Kosovës, apo për të avancuar projektet e saj në Federatën e Bosnjës përmes Republikës Serbe.

Po ashtu, Kina mund ta shohë këtë si një model për veprimet e saj ndaj Tajvanit, duke përshpejtuar përpjekjet për të vendosur kontroll mbi ishullin përmes një presioni të ngjashëm ushtarak dhe diplomatik.

Përveç këtyre rasteve, situata analoge mund të shfaqen në rajone të tjera të botës, ku konflikte të ngrira mund të riaktivizohen dhe të çojnë në ndryshime të imponuara të kufijve apo statusit politik të territoreve. Nëse vendimmarrja ndërkombëtare nuk garanton një strategji të qartë për të mbrojtur shtetet që ndodhen përreth Rusisë, atëherë rreziku që vende të tjera të ndajnë fatin e Ukrainës bëhet gjithnjë e më real.

Për Kosovën, ky zhvillim përbën një sfidë serioze, pasi nëse Perëndimi e pranon një “paqë të imponuar” për Ukrainën, atëherë rrezikon të bëhet presion për kompromise edhe në çështjen e Kosovës.

Serbia, e inkurajuar nga situata globale, mund të tentojë të forcojë pozitat e saj, duke kërkuar një marrëveshje që do të favorizonte interesat e saj në dëm të sovranitetit të Kosovës. Në këtë kontekst, roli i garancive ndërkombëtare dhe përfshirja e SHBA-së do të jenë kyçe për të siguruar që Kosova të mos bëhet viktimë e një skenari të ngjashëm me atë që po i imponohet Ukrainës. Kjo frikë ka dimension real pasi që kryeministri aktual i Kosovës ka mbajtur një relacion të tensionuar me administratën amerikane duke u implikuar edhe në fushaten elektorale të SHBA-ve për President.

Prandaj, dorëzimi i Perëndimit në emër të një “paqes së imponuar” nga Rusia nuk është thjesht një humbje për Ukrainën, por një rrezik i drejtpërdrejtë për të gjithë arkitekturën e sigurisë globale dhe për të gjitha shtetet që mbështeten në të drejtën ndërkombëtare për të ruajtur sovranitetin dhe integritetin e tyre territorial.

Nëse një marrëveshje e tillë nuk përfshin garanci të qarta për Ukrainën dhe shtetet e tjera që ndodhen në vijën e parë të rrezikut, atëherë ajo nuk do të sjellë paqe afatgjatë, por vetëm do të përshpejtojë një epokë të re të konflikteve të ngrira dhe pasigurisë gjeopolitike.

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • …
  • 49
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT