• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2025

“PËRSHKRIMI FIZIK I STATUJËS SË HEROIT KOMBËTAR GJERGJ KASTRIOTIT REALIZUAR NGA PROF.ARDIAN PEPA”

March 5, 2025 by s p

Paulin Zefi/

Subjekti i veprës është i bazuar pikërisht te “Kuvendi i Besëlidhjës së Lezhës” dhe figura e realizuar në këtë shtatore është dy herë më e lartë se sa figura normale njerëzore, 3.7 m. Ajo mishëron tiparet fizike dhe cilësitë më të shkëlqyera të Heroit tonë Kombëtar, por edhe ruan në mënyrë të përhershme raportet kohore dhe harmonike me qendrën historike të qytetit të Lezhës. Portreti i përjetësuar në bronz paraqet një Gjergj Kastriot në moshën 39 vjeçare, konform të vërtetës historike, pra aq sa ishte kur ai thirri dhe organizoi “Kuvendin e Besëlidhjes së Lezhës”, por jo një portret të një burri të moshuar dhe në prag të vdekjes, siç ndodh rëndom ta shohim imazhin e tij në pikturat, gravurat dhe skulpturat e shumë autorëve shqiptarë apo të huaj. Po ashtu, portreti fizik i përmbahet njerëzores dhe jo imazheve surreale, abstrakte dhe të bastardhuara deri në kufinjtë e groteskut dhe shëmtisë ekstreme artistike. Kryevepra në fjalë mishëron portretin e vërtetë dhe impresionues të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe nxjerr në pah madhështinë dhe autoritetin e tij karizmatik, duke mos përjashtuar as ngarkesat e shumta politike (politika e kohës kur jetoi), historike dhe kalorsiake etj. Elementët e uniformës ushtarake dhe disa detaje të tjera, për një pjesë të të cilave i kam dhënë autorit sugjerimet e mia si historian, pasqyrojnë në mënyrë besnike atë çfarë ndeshim në burimet historike dhe kryesisht te veprat e jetëshkruesve klasikë të kryeheroit. Për nga mënyra e veçantë e kompozimit dhe cilësia e realizimit, në të njëjtën lartësi me statujën qëndron edhe piedestali i saj i stilizuar. Përballë paraqitet hijshëm Emblema e Kastriotëve me “Shqiponjën dykrenare” dhe mbi të shkruhet me germa prej bronzi: “GJERGJ KASTRIOTI – SKËNDERBEU. 2 MARS 1444.” Në dy pjesët anësore të piedestalit janë kompozuar dhe realizuar në mënyrë besnike emblemat e princave që morën pjesë në Kuvendin e Besëlidhjes së Lezhës, të cilat paraqiten në basoreliev të mbivendosura në formë të shkallëzuar dhe të gërshetuara me njëra-tjetrën. Kritikët e artit e kanë vlerësuar këtë punim artistik si një “Gjergj Kastriot të veçantë”, imazhi i të cilit gjatë viteteve në vazhdim, mund të kthehet në një “Simbol apo Emblemë e qytetit të Lezhës”, kësaj Lezhe që jo më kot historianët e kanë pagëzuar me tre emra: “Qyteti i pavdekshëm”, “Lezha e Besëlidhjes” dhe “Lezha e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.”

Filed Under: Histori

Dilemat e sigurisë në Evropë, do të çojnë në autonomi strategjike apo varësi nga NATO?

March 5, 2025 by s p

Hisen Berisha/

Edhe pse ka informacione të kufizuara, apo nuk ka fare informacione publike mbi një nismë të re për krijimin e një “Organizate të Sigurisë së Evropës” siç doli nga samiti në Londër, po rezulton që të ketë pasur diskutime për forcimin e strukturave ekzistuese të sigurisë në Evropë, pa detaje specifike, për ç’gjë është e vështirë të ofrohet një vizualizim i asaj që duhet bërë.

Është e rëndësishme të theksohet se ekziston tashmë Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), e cila është organizata më e madhe rajonale e sigurisë në botë me 57 shtete pjesëmarrëse nga Evropa, Azia Qendrore dhe Amerika e Veriut.
OSBE-ja trajton një gamë të gjerë çështjesh sigurie, duke përfshirë kontrollin e armëve, promovimin e të drejtave të njeriut, lirinë e shtypit dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Por çka e shkaktoi këtë brainstorming në fushën e sigurisë për BE?
Gjatë administratës së parë të Presidentit Donald Trump (2017-2021), ai ushtroi presion mbi vendet evropiane anëtare të NATO-s për të rritur shpenzimet e tyre të mbrojtjes, duke kërkuar që ato të arrijnë ose tejkalojnë pragun e 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Kjo kërkesë nxiti diskutime mbi nevojën për një autonomi më të madhe evropiane në fushën e mbrojtjes, përfshirë edhe idenë e krijimit të një “ushtrie të përbashkët evropiane”.

Në përgjigje të këtyre zhvillimeve, liderët evropianë kanë ndërmarrë hapa për të forcuar kapacitetet mbrojtëse të Bashkimit Evropian. Presidentja e Komisionit Evropian, “Komandanti” Ursula von der Leyen, njoftoi një plan të quajtur “Riarmatimi i Evropës”, i cili synon rritjen e shpenzimeve në sektorin e mbrojtjes dhe forcimin e industrisë evropiane të mbrojtjes.

Megjithatë, propozimet për krijimin e një ushtrie të përbashkët evropiane shkojnë përtej traditës evropiane të sigurisë e mbrojtjes, ndaj dhe kanë hasur në kundërshtime nga disa vende anëtare.
E para, Britania e Madhe, përkundër “Brexit”, ka shprehur qëndrimin e saj kundër një ushtrie të tillë.
Kjo është argumentuar me faktin se kjo mund të minojë rolin e NATO-s si garantuesi kryesor i sigurisë në Evropë. Ky qëndrim i Mbretërisë së Bashkuar justifikon dhe përforcon idenë që përpunova kohë më parë se: “NATO duhet të mbetet aleanca botërore e sigurisë globale, jo vetëm në kuptimin e saj tradicional si mburojë e Evropës, por edhe si një mekanizëm i përfshirë në stabilitetin e rendit ndërkombëtar.
Për ta mbajtur këtë status, NATO varet nga një faktor kryesor i sigurisë globale: supremacia ushtarake dhe strategjike e Shteteve të Bashkuara.
Forcat e Armatosura të SHBA-së duhet të mbeten SUPËRFUQIA botërore, që i jep kuptim Artikullit V të Kartës së Kombeve të Bashkuara, duke e bërë atë një mekanizëm real dhe efektiv, e jo thjesht një deklaratë politike.”

Ky vlerësim mbështetet në faktin se: “Nëse NATO nuk e forcon këtë rol, ekziston rreziku që vakumi i sigurisë të mbushet nga aktorë si Rusia dhe Kina, të cilët synojnë të dobësojnë Perëndimin.” Po ashtu, “nëse SHBA e dobëson dominimin e saj ushtarak dhe strategjik, atëherë edhe siguria kolektive globale do të vihet në pikëpyetje.”

Në përgjithësi, ndërsa kërkesat e administratës Trump për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes kanë nxitur diskutime mbi autonominë strategjike evropiane, krijimi i një ushtrie të përbashkët evropiane mbetet një çështje komplekse dhe e debatueshme brenda Bashkimit Evropian. Ajo çfarë vërehet në skenë është se parametrat e sigurisë globale janë luhatur dhe po determinohen jo më mbi parimin e forcës, por mbi interesa dhe fuqi. Kjo është një frymë e re që po e imponon realpolitika e administratës së SHBA-së.
Kjo imponon rishikim të pozicionit gjeostrategjik politik për secilin vend e komb, në rendin e ri botëror.
Vonesat në proceset e konsolidimit politik, ekonomik dhe të sigurisë të lënë jashtë procesit.

Filed Under: ESSE

Konica dhe Noli në dritën e “Diellit” 

March 5, 2025 by s p

Nga Rafael Floqi/

Është bërë shpeshherë zakon që Federata Panshqiptare Amerikane “Vatra”, të quhet me nostalgji “Vatra” e Nolit dhe e Konicës ». Në fakt, konceptimi i Federatës “Vatra” dhe pikësynimi i saj ishte përbashkues, por a ka qenë ajo e tillë, gjatë historisë së saj?  A ka përcjellë ajo gjithnjë unitetin mes shqiptarëve, apo dhe dasitë mes tyre? Ç’ rol kanë luajtur rol në këtë unitet dhe në këtë dasi, figura të tilla, si Noli dhe Konica? A ka pasur dorë karakteri, personaliteti, apo talenti, kultura e tyre në dritëhijet e raporteve mes syresh? 

Si arritën dy miq të bëhen armiq dhe të bëhem miq përsëri?

Kjo është një pyetje së cilës rreket t’i përgjigjet ky studim, pasi kjo nuk është jeta e dy njerëzve të thjeshtë, por historia e dy njerëzve të mëdhenj, dy prej figurave më të shquara të letërsisë dhe kulturës shqiptare, dy gjenive të shpirtit shqiptar, kur gjaknxehtësia kalon kufijtë enëve të gjakut. Të Faik Konicës dhe Fan Nolit, mjeshtrit dhe dishepullit, mikut dhe armikut, që ditën ta respektonin njeri tjetrin, por ashtu si ditën ta “urrenin “ njeri-tjetrin duke i dhënë krahë muzës së tyre të polemikës shpesh herë të paskrupullt. 

Dy njerëz që respektonin njeri- tjetrin në fushën e letërsisë e përkthimit, por kur këta dy beqarë të përjetshëm, që kur u pleksën në krahët e bushtrës “politikë”, u shndërruan në dy adoleshentë xhelozë, të ngërthyer një treshe dashurie e urrejtje, ndaj një figure historike, herë- herë arkaike, por me një zgjuarsi finoke, por praktike, si ajo e mbretit Ahmet Zogu.  Asnjeri prej tyre nuk e pranonte superioritetin e tjetrit. Dhe kur e vlerësonin njeri-tjetrin e vlerësonit, në ato fusha ku lavdia e tjetrit, nuk i kërcënonte lavdinë përkatëse të tyre.

Si mundën dy njerëz të mëdhenj të përkushtuar ndaj atdheut, të hynin në armiqësi nga raporti që mori njeri apo tjetri, ndaj atij që e quan po vetë, si mjeshtra të gjuhës që ishin, me karakterizime, si “nëpërka, salemboza, sulltan salepi, super tradhëtori, sygjarpëri, zemërvreri, gjakkalburi e shpirtshitur, Mydiri i Pashiçit, për një person të tretë, -Mbretin Zog? 

Sidoqoftë, në histori krijohen mite dhe tabu, por realiteti dhe e vërteta historike rezulton të jetë e ndryshme. Ndaj ajo që duhet qëmtuar, ajo që duhet zbuluar, duhet të kapërcejë mitet, duke i parë analizuar ata në kohën e tyre dhe përjashtuar paragjykimet ideologjike të politikave të sotme dhe të kohës.

Gjatë gjithë periudhës komuniste, në të gjitha analizat e bëra për periudhën pas Revolucionit të Qershorit, fajin për çarjen e madhe mes Nolit dhe Konicës dhe qëndrimin e ashpër të Vatrës kundër Nolit, ia veshin karakterit e paqëndrueshmërisë të karakterit të Konicës, dhe faktit që ai pranoi dhe që u pajtua me Zogun dhe iu kundërvu mikut të tij dhe shokëve. Është bërë shpeshherë zakon që Federata Panshqiptare Amerikane “Vatra”, të quhet me nostalgji “Vatra” e Nolit dhe e Konicës ». 

Në fakt, konceptimi i Federatës “Vatra” dhe pikësynimi i saj ishte përbashkues, por a ka qenë ajo e tillë, gjatë historisë së saj? 

A ka përcjellë ajo gjithnjë unitetin mes shqiptarëve, apo dhe dasitë mes tyre?  Ç’rol kanë luajtur rol në këtë unitet dhe në këtë dasi, figura të tilla, si Noli dhe Konica? A ka pasur dorë karakteri, personaliteti, apo talenti, kultura e tyre në dritëhijet e raporteve mes syresh? 

Por a është vërtet kështu? Në këtë sprovë do të tentojmë t’i analizojmë dukuritë për tej të vërtetës të secilit prej tyre, përtej mitizimit të figurave të tyre si dy korifej të kulturës shqiptare dhe dy figurat më të mëdha të diasporës së Amerikës. Në këtë studim ka fakte të njohura dhe të panjohura të cilat do t’i analizojmë nga këndvështrimi i biografive të  tyre, nga këndi i politikës dhe publicistikës së tyre dhe nga analiza psikologjike dhe psikoanlatike e personaliteteve të tyre. Por të gjitha këto ngjarje dhe përplasje janë bërë në mejdanin e Vartës dhe të organit të saj Diellit.

Është interesant se dhe punime madhore e kanë shmangur analizën e veprimeve dhe dukurive të divergjencave në mes tyre. 

Në libra të tillë si “Fan Noli në fushën politike dhe publicistike”, Pirro Tako, Shtëpia Botuese ‘Naim Frashëri’, 1974 , me shumë informacione për Nolin, natyrisht, fajësohet Konica si “lake i Zogut” dhe glorifikohet Noli, si bir i revolucionit. Ndërsa disa libra pas ardhjes të demokracisë, si : Beqir Meta , “Federata Panshqiptare “Vatra””. Globus, Tiranë 2002 ”e shmang këtë periudhë, madje dhe profesori skrupuloz, Jup Kastrati në monografinë e tij “Faik Konica”, sado shteruese, nuk e analizon këtë dukuri, por jep vetëm disa fakte historike për ngjarjet e atyre viteve; pak a shumë, kjo ndodh edhe në studimin e profesorit kanadez, Robert C. Austin “Founding a Balkan State: Albania’s Experiment with Democracy”, Toronto: University of Toronto Press, 2012, i përkthyer dhe në shqip, që merret kryesisht me periudhën 6 mujore të qeverisjes së Nolit. Ndërsa një botim mjaft interesant që trajton dikotominë Noli- Konica, është libri i Anton Çefës , “Noli dhe Konica”, botimet, Lulupress , 2010, autor me të cilin ndaj disa opinione, por kam edhe kam objeksionet e mia, për disa nga konkluzionet e tij, siç kam edhe për disa artikuj të botuar vitet e fundit, ndër to dy punime që i kam shqyrtuar shkrimin e gazetarit veteran kosovar, Mehmet Kraja, “Noli dhe Konica, këta përçarës të mëdhenj të botës shqiptare” , Dalip Greca .”Dyluftimi Noli-Konica “Dielli”: Fan Noli, bolshevik republikan, 27 Prill, 2010  si edhe studimin historiko-letrar të profesoreshës prof. dr. Eleni Karamitri “Faik Konica e Fan Noli”  sidomos në biografitë e paçmuara të Ilir Ikonomit, Konica Qëndrimi në Uashington dhe monografitë mbi Nolin “Apostulli” dhe “Rebeli” dhe disa artikuj të tjerë të shtypit shqiptar e të huaj mbi këtë tematikë.

Konflikti midis Nolit dhe Konicës është trajtuar më shumë si konflikt qëndrimesh politike, por realiteti i divergjencave dhe i ndarjes të Nolit dhe Konicës, të Vatrës dhe Nolit, del përtej qëndrimeve të ndryshme antagoniste politike, del përtej para- gjykimeve individualiste, dhe ka si strumbullar qëndrimin, që duhet të mbante “Vatra” dhe diaspora e Amerikës, për Shqipërinë. Po në skenën e teatrit politik shqiptareve të ngjarjeve te qershorit 1924 – dhjetorit 1925 pozicioni i dy miqve ishte i ndryshëm, nëse Noli ishte sa aktor e drejtues i këtyre ngjarjeve, Konica ishte spektator i shqetësuar që kërkon të bëjë edhe regjisorin dhe dirigjentin e asaj që ndodhte në Shqipëri, por nga larg. 

Por, gjithsesi, gjakimi i Konicës dhe “Vatrës” pas tij, ishte fati i ardhshëm i Shqipërisë, dhe ruajtja e paqes sociale në të. Në të gjitha studimet e hulumtuara, prej meje nuk është vënë në dukje, ky element. Për të gjithë studiuesit, faji është i Zogut, apo i Konicës që i besonte Zogut, dhe të gjithë përgjithësisht shfajësojnë Nolin dhe fajësojnë, deri diku, pa të drejtë edhe Konicën. 

Me gjithë respektin për shqiptarin e patriotin e madh Fan Noli, parë në këndvështrimin e asaj që kërkohej për vendin nga koha, nga qëndrimet e tij politike të kohës, nga afrimiteti që Noli pati me ideologjinë politike, në modë në atë kohë, komunizmin, edhe pse vetë nuk qe i tillë, mund të ketë çuar në divergjencat mes tyre. 

Qëndrimet e Konicës sot, edhe pse brenda qerthullit të periudhës, kur jetoi, mund të dukeshin regresive, konservatore, monarkiste, si pajtimi i tij me një figurë jo aq përparimtare, por stabilizuese si Zogu, duke i parë, me sytë e sotëm, se ku e çoi komunizmi botën shqiptare, lypset ta vlerësojmë Konicën, edhe për largpamësinë e tij historike. 

Dikush nga studiuesit, biografët dhe analistët e sotëm, duke e dashuruar figurën e Nolit e minimizojnë ndikimin e ideve të komunizmit në lëvizjen e tij politike, kurse të tjerë studiues të periudhës dhe historiografisë komuniste shqiptare, kërkojnë me zor ta bëjnë Nolin, aktivist të saj, dhe t’i mohojnë Konicës vlerat progresive, kur këtë gjë s’ ja bënte as nemesis i tij përkohshëm, Fan Noli. 

Nga ana tjetër, ndërsa Konica nuk kishte përgjegjësi direkte për ngjarjet në Shqipëri, Noli u besonte idealeve dhe i duhej të mbronte dhe qëllimet e Revolucionit të Qershorit. Në fakt, këto qëndrime politike dhe divergjencat mes Nolit dhe Konicës, pushtuan dhe shkaktuan për më shumë se një dekadë përçarje edhe brenda Vatrës, duke zgjatur qysh nga viti 1924 deri në vitin 1937, kur Noli i sëmurë e “vari në mur këllëçin e tij politik” e tij të luftës kundër Zogut, dhe tha, se hiqte dorë nga politika. Dhe si pasojë vetëm në atë moment, kur ai gjen paqen tek letërsia  arrin dhe ripajtimin me mikun e tij të vjetër, Konicën. 

Në këtë mes, do të na duhet të ndajmë, deri diku, mendimin me gazetarin Mehmet Kraja, kur shkruan se “Në këtë kuadër, edhe zënkat e gjata dhe të vazhdueshme të Nolit me Konicën, kanë shkaktuar përçarje të mëdha në komunitetin shqiptar të Amerikës dhe të shqiptarëve në Shqipëri. Grindjet e tyre nuk kanë qenë aspak parimore. Polemikat e tyre flasin për dy njerëz vetë-mburrës dhe egocentrikë, me mentalitet provincial tipik shqiptar, të cilët janë në gjendje të sakrifikojnë çdo parim për interesa meskine” . 

Ne pajtohemi me pjesën e parë të këtij citimi, por nuk është e vërtetë se “grindjet e tyre, nuk kanë qenë aspak parimore”.   Në fakt grindjet mes tyre ishin, jo vetëm për qëndrimet e tyre të ndryshme politike, për fatin e Shqipërisë dhe kryesisht për qëndrimin ndaj figurës së Ahmet Zogut. 

Por forma dhe shkalla e armiqësisë mes tyre, merrte konotacione karakteriale shqiptare dhe përtej zemërimit, që në nënvetëdije merrte shtysa nga një dëlir narcizist dhe një raport zilie dhe xhelozie, si ai i profesorit me nxënësin e anasjelltas, ku vlerësimit ndaj njeri-tjetrit ia zinte vendin, mllefi i shfaqur jashtë zënkshëm, duke përdorur të gjitha mallkimet e gjuhës shqipe, që ata të dy i zotëronin mjeshtërisht.

Vetëm atëherë kur Konica nuk jetonte më, Noli do ta vlerësonte atë në shkallën sipërore. “. Faik Konica ka qenë njëri prej bijëve më të shkëlqyer të Shqipërisë, një nga çampionët më të mëdhenj të indipendencës kombëtare, pa dyshim ustaj më i madh i shkrimit të gjuhës sonë; eshtë njeriu që na ka zbuluar  flamurin e Skënderbeut. Këta tituj nuk munt t’ja mohojnë as kundërshtarët e tij më të egër. . .

”-Sidoqoftë nga lartësia e karakterit të tij edhe Konica pranon fajësi” “Për shpiriten e Vatrës jam resposible unë” – një dëshmi e gjallë e një ndërgjegjeje, që pohon, zotohet e merr përsipër pasojat deri në fund e pa asnjë kusht.” shkruan Anton Cefa. Është kjo “responsible”, me të cilën Konica shpirtësoi tek mërgimtarët shqiptarë shpirtin e bashkimit në emër të një ideali, idealit të shenjtë kombëtar. Tingëllon si një kushtrim kundër përçarjes: “Të realizojmë shpiriten e bashkimit që të mos humbasim!” Fjalët e Tij, mësimet Tij, kanë qenë dhe mbeten profetike.”  Nga ana tjetër, Fan Noli, si një atdhetar i lindur dhe i formuar në diasporë larg atdheut e si veprimtar politik që luftoi me penë në vijën e parë të luftës ideologjike për çlirimin kombëtar dhe shoqëror të Shqipërisë, ka raste që dhe ka gabuar, sepse si ka thënë vetë: ata që kanë luftuar në vijën e parë të zjarrit, dhe kanë çarë një udhë të re, kanë medeomos lajthime. Sepse – shton ai – nga lajthimet munt të shpëtojnë vetëm ata që rrijnë jashtë zjarrit dhe bëjnë sehir.

Në kohën që ai vendosi “këllëçin politik në muze” ishte 52 vjeç, pra afër pleqërisë. Dhe ai e kuptonte që lufta vetëm me fjalë dhe me shkrime nuk do ta shpëtonte kurrë popullin shqiptar  Historikisht Noli pati të drejtë. Ai u tërhoq nga beteja politike në një kohë që s’ishte më i zoti për  ta drejtuar dhe e shikonte të përfunduar misionin e tij i planin politik. Pas «imdatit», ose pak më parë, Noli fillon edhe korrespondencën me Faik Konicën.  

Nuk e dimë në çfarë rrethanash lindi, dhe kush dhe cili i shkroi i pari tjetrit. Por një gjë është e sigurt, se Noli nuk e mori asnjëherë mundimin t’i bënte një vizitë këtij. 

Përkundrazi, qe Faiku, ai që detyrua të vinte në Boston dhe të asistonte në një meshë peshkopale të Nolit dhe të bënte të parën deklaratë publike: “Me këtë rast u poqa me shokun e vjetër peshkop, Fan S. Nolin, të cilin nuk e kisha parë disa vjetësh”, dhe këtu Faiku tha edhe ato fjalët e “mëdha”, sesi heronjtë e Homerit ne shkëmbejnë fjalë të ashpra e pastaj pajtohemi ”Mirëpo heshtja e gjatë disavjeçare, nuk ishte diçka e rastit. Ajo tregonte se mosmarrëveshjet e tyre politike kishin qenë të thella dhe, se ata kishin qëndruar në dy platforma politike krejt të kundërta.   

Filed Under: Vatra

PROFESOR IDRIZ AJETI NË KORPUSIN E NJË VËLLIMI SHUMËDIMENSIONAL

March 5, 2025 by s p

Prof. dr. Begzad BALIU/

Idriz Ajeti (100 vjetori i lindjes) veprimtaria arsimore, kulturore dhe shkencore. Përgatiti Prof. dr. Isak Shema. Redaksia: Prof. dr. Isak Shema, Prof. dr. Bahtijar Kryeziu, Prof. dr. Begzad Baliu). Botoi: “Artini”, Prishtinë, 2024, f. 392.

Vëllimi i Profesor Isak Shemës për Profesor Idriz Ajetin është i pazakonshëm për historinë e përgatitjes dhe për mënyrën se si është përgatitur. Ajo ka filluar në rrethana mjaft të vështira, si një iniciativë individuale e kolegjiale për mbajtjen e një tryeze në vendlindjen e Profesor Ajetit, të cilës i ka prirë Profesor Isak Shema. Tryeza qe mbajtur pastaj si një tribunë popullore, në të cilën në njërën anë patën marrë pjesë vetëm një numër simbolik i studiuesve e në anën tjetër një numër shumë i madh i qytetarëve të Medvegjës dhe Luginës së Preshevës.

Pas mbledhjes së kumtesave vëllimi i tyre ishte mjaft modest, por Profesori nuk mund të linte iniciativën “në gjysmë të rrugës”, prandaj vendosi që ta përplotësonte atë kohë pas kohe, në mënyrën e tij dhe me ndihmën e miqve të tij e të Profesor Ajetit. Më takoi edhe mua ta ndihmojë në këtë rrugëtim: me studime, me dokumente, me të dhëna të reja nga Arkivi i Profesor Ajetit, me dorëshkrime të reja etj., deri aty se kjo vepër të mos ishte thjesht një vëllim modest i një tryeze po një trashëgimi e pasur e Profesorit dhe për Profesorin. I takoi edhe Profesor Bahtijar Kryeziut që të përzgjedhtë tekste përfaqësuese të Profesor Ajetit për një kapitull më vete.

Vëllimi i Profesor Isak Shemës, Idriz Ajeti (100 vjetori i lindjes) veprimtaria arsimore, kulturore dhe shkencore, përbëhet nga gjashtë pjesë, secila me specifikat, të cilat më parë se sa ta dallojnë, në të vërtetë e pasurojnë tërësinë e personalitetit të tij, të veprës së tij dhe të kohës së tij.

Pas një Parathënieje, që më parë se një tekst i autori është një shkrirje e tekstit të Profesor Shemës me një fjalim të Profesor Ajetit, mbajtur në 100-vjetorin e lindjes (2017) në ASHAK, për të vazhduar me kumtesat e lexuara në Konferencën shkencore Akademik Idriz Ajeti (100-vjetori i lindjes), Medvegjë, 7 nëntor 2017.

Kumtesave ju prinë Fjala përshëndetëse e Kryetarit të këshillit organizues Xhemaludin Salihut, për të vazhduar me kumtesën e Profesor Isak Shemës, mbi veprimtarinë arsimore, kulturore dhe shkencore të Akademik Idriz Ajetit, si dhe me një tekst posaçërisht të veçantë mbi kontributin shkencor të Profesor Ajetit në kongreset e Asociacionit Ndërkombëtar të Studimeve të Evropës Jug-Lindore. Teksti shumëplanësh i Profesor Shemës për ndihmesat e Profesor Ajetit në fushë të shkencës, arsimit e kulturës përmbyllet me një studim përfaqësues në dijen e Profesor Ajetit mbi marrëdhëniet gjuhësore sllavo-shqiptare, të dhënat për programet e këtyre kongreseve, dokumentet, materialet shoqëruese, dorëshkrimet dhe madje fotografitë.

Kumtesa e dytë është ajo e Begzad Baliut, e cila merret me kontributin e Profesor Ajetit në fushë të onomastikës. Fjala është për një sintezë në fushë të onomastikës në të cilin ndihmesa e Profesor Ajetit në këtë fushë është parë në rrafshin diakronik përkatësisht në boshtin vertikal: antikiteti, mesjeta dhe koha e re. Në vazhdim është botuar kumtesa e Prof. dr. Berton Sylejmanit, e cila sjell të dhëna shteruese për botimet shkencore të Profesor Ajetit në shtypin ditor, shkencor dhe konferencat e organizuara në Shkup e institucionet e atjeshme.

Ndihmesës së Profesor Ajetit i kthehet edhe njëherë Prof. dr. Bahtijar Kryeziu. Njohës i thellë i onomastikës, Profesor Bahtijar Kryeziu ka sjellë një korpus shterues të gjithë punës së Profesor Ajetit, ka bërë sintezën e tyre, i ka analizuar ato në kontekstin e dijes së kohës në studimet shqiptare dhe rajonale dhe ka përmbledhur rezultatet e tyre jo vetëm në kontekst të punës së Profesor Ajetit po edhe dijes së përgjithshme albanologjike dhe madje ballkanologjike.

Prof. dr. Naile Mala-Imami, e ka sjellë kërkimin e saj në njërën prej fushave themelore të dijes së Profesor Ajetit. Fjala është për ndihmesën e tij në fushë të dialektologjisë, për të cilën Profesor Ajeti është konsideruar edhe bardi i saj, jo vetëm në kontekstin historik e diakronik po edhe sociolinguistik e etnolinguistik. Prof. Imami, njohëse e thellë jo vetëm e gjuhësisë shqiptare po edhe asaj serbe ka mundur të bëjë edhe krahasime të panjohura në këtë drejtim, kryesisht në kontekst të kërkimeve të Profesor Ajetit dhe analizave të tij.

Serinë e sintezave të Profesor Ajetit në fushë të gjuhësisë dhe dijeve të saj, parë edhe në kontekst të gjuhëve fqinje, ballkanistikës e gjuhësisë së përgjithshme e përmbyll studimi i dr. Faton Krasniqit mbi ndihmesën e Prof. Ajetit në fushë të albanologjisë, si një pasardhës i atij trungu shekullor që është krijuar edhe në përmasat evropiane të gjuhësisë edhe në raport me zhvillimet e brendshme të kësaj dijeje. Po në këtë rrjedhë mund të thuhet qëndron edhe një tekst tjetër i kësaj natyre, ai i Fatlum Hetemit për ndihmesën e Profesor Ajetit në fushë të arsimit, parë në kontekst të kujtimeve dhe vlerësimeve të bashkëkohësve.

Tekstet e kësaj tryeze i përmbyllin artikujt e Rrahman Hysenit, Rexhep Abazit, Gani Krasniqit dhe Dalip Greces. I pari portretin e Profesor Ajetit e vështron në kontekstin e burrave të mëdhenj të kombit, i dyti në kontekst të ditëlindjes shekullore të tij, i treti në raport me simbolin e gjuhës letrare dhe i fundit, me një shënim rasti në gazetën “Dielli” për organizimin e kësaj tryeze. Megjithëse në pamje të parë ata janë artikuj përgjithësies, mund të thuhet se vlerësimi i tyre dhe nderimi për Profesor Ajetin është nderim për personalitetin, që gjuhën shqipe e ka bërë monument të kombit.

Në pjesën e dytë të këtij vëllimi janë botuar gjashtë studime të Profesor Idriz Ajetit, të cilat mund të thuhet se përfaqësojnë gjashtë shtylla të lëvrimit dhe dijes së tij në fushë të albanologjisë. Profesor Idriz Ajeti ka botuar shumë studime me karakter biografik për ndihmesën e albanologëve, ballkanologëve e evropanistëve, ndërsa këtu është përfshirë kryeartikulli i tij për më të madhin linguist të shqipes, Profesor Eqrem Çabejin; Profesor Ajeti ka hulumtuar si projekt të parë të tij për disertacionin e doktoratës “Të folmen e arbneshëve të Zarës”, ndërsa kjo ishte edhe monografia e tij re parë, prandaj është botuar një nga kapitujt më të veçantë të tij mbi prejardhjen e arbneshëve të Zarës dhe lidhjet e tyre me truallin e lashtë; Profesor Ajeti ka shkruar një jetë të tërë për raportet ndërmjet shqipes dhe gjuhëve fqinje sidomos për periudhën mesjetare sa e bën atë bardin e këtyre studime në hapësirën ballkanike për dy arse: e para, sepse ia ktheu shumë fjalë e toponime shqipes, të cilat më parë konsideroheshin sllave dhe e dyta, sepse identifikoi shumë fjalë, toponime e antroponime të shqipes në gjuhët fqinje, sidomos te sllavët e jugut, hapësirën mesjetare të Malit të Zi, Bosnjës dhe Kroacisë. Në këtë rrjedhë, në këtë vëllim është botuar një studim përfaqësues i kësaj natyre “Shqipja dhe gjuhët fqinje”.

Në jetën shkencore të një krijuesi shpesh identifikohen studime për thellësinë e studimit të tyre dhe studime për përmasën e ndikimit të tyre në shoqëri. I pari, identifikohet për peshën dhe jetëgjatësinë e tyre, ndërsa i dyti për diskursin e komunikimit dhe ndikimin në shoqëri. E tillë është edhe vepra shkencore e intelektuale e Idriz Ajetit. Nëse studimet e tij në fushë të dialektologjisë karakterizohen për veçantinë dhe thellësinë e studimeve në rrafshin diakronik dhe janë shkruar disa monografi, studimet në fushë të shqipes standarde dhe historisë së gjuhës janë vetëm disa sinteza dhe artikuj përgjithësues, por ndikimi i tyre në jetën politike dhe kulturore është posaçërisht i madh. Një artikulli i kësaj natyre është kumtesa e lexuar në Beograd me titull “Origjina ilire e gjuhës shqipe”(1982) e cila pati nxitur diskutime dhe polemika të gjëra në shtypin serb, duke përfshirë këtu edhe kërcënimet e individëve dhe grupeve të caktuara.

Në jetën kombëtare të popullit shqiptar, Profesor Idriz Ajeti ka dhënë shumë kontribute nga fusha e arsimit, kulturës, shkencës dhe gjuhësisë në veçanti, por nëse kjo vlerë i vendoset në kontekst të ngritjes nacionale të popullit shqiptar, atëherë ndihmesa e tij në fushë të standardizimit të shqipes, merr vlerësimin më të lartë. Kjo është edhe arsyeja pse në këtë korpus tekstesh, zë vend edhe trajtesa e lavdishme e botuar në prag të mbajtjes së Konsultës së Prishtinës me titull “Rruga e formimit të gjuhës letrare shqipe”.

Korpusi i studimeve të zgjedhura, në të vërtetë përfaqësuese të Profesor Idriz Ajetit, mbyllet me një trajtesë “Për ngritjen e kulturës së gjuhës”. Në tekstet mendore, shkencore, kulturore e intelektuale, kishte shumë aspekte, të cilat i lakmonin bashkëkohësit e tij, e ato janë fjalët, resemantizimi i fjalësit popullor, një traditë kjo e filluar që në vitet ’30 dhe e vazhduar edhe më vonë nga bardët e gjuhësisë shqiptare. Sikur e ka theksuar Adem Demaçi në veprën e tij “Dashuria e kuantike e Filanit”, Profesor Ajeti kishte një afri të pazakontë me tekstet e Ernest Koliqit dhe sikur do ta provoj edhe unë një ditë, Profesor Ajeti ka vjelë gjatë dhe shumë nga tekstet letrare e eseistike të Koliqit në revistën autoritative të kohës “Shenjzat”. Një anë tjetër posaçërisht e veçantë e kulturës letrare të Profesor Ajetit ishte kultura e shkrimit, për të cilën ka madje shumë anekdota.

Në pjesën e tretë janë botuar një cikël studimesh të viteve të fundit për Profesor Idriz Ajetin. Ato hapen me një sintezë tipike të Profesor Besim Bokshit për të folmen e arbneshëvet të Zarës në monografinë e Profesor Ajetit; një studim të pazakonshëm të Profesor Xhevat Lloshit për etimologjitë e shqipes, mbështetur në leximet e veprës së Idriz Ajetit; studimin e Profesor Bardhyl Demirajt për “kosovarin që unifikoi shqipen standarde”; sprovën e Profesoreshës Shefkije Islamaj për Idriz Ajetin dhe arritjet më të mira të gjuhës shqipe të kohës së tij, për të cilat Profesor Ajeti ka dhënë ndihmesë të veçantë; sintezën e Prof. dr. Qemal Muratit për dimensionin akademik dhe njerëzor të Profesor Ajetit, parë në disa rrafshe të jetës dhe veprës së tij; studimin themeltar të Profesor Rami Memushajt për konceptet kombëtare dhe shkencore të Profesor Ajetit në planifikimin gjuhësor të shqipes në trojet shqiptare të ish-Jugosllavisë, me theks të veçantë periudhën 1945-1972; informacionin e zgjeruar për laurimin e Profesor Ajetit me Çmimin “Aleksandër Stipçeviq” në Kolegjin Iliria në Prishtinë; si dhe hulumtimin e dokumentuar të Begzad Baliut për tri ditëlindjet e Profesor Ajetit.

Në pjesën e katërt të këtij vëllimi janë përfshirë intervistat, bisedat dhe bibliografia e Profesor Ajetit. Për Profesor Ajetin janë botuar shumë vëllime të përzgjedhura tematike e shkencore, po një vëllim e një përmbledhje të tillë përmbajtjesore e tematike, si ky me intervista nuk e kishim, prandaj kjo pjesë e veprës prej rreth 100 faqesh përfaqëson një interes të veçantë autorësh e temash. Korpusit të teksteve të kësaj pjese i prinë intervista e parë e Profesor Ajetit dhënë gazetarit e kritikut Vehap Shita, për gazetën e Prishtinës “Rilindja”, vetëm pak ditë pas mbrojtjes së temës së doktoratës në Universitetin e Beogradit (1958). Më tej botohet një intervistë ekskluzive dhënë gazetarit të kulturës Sylë Osmanaj për të përditshmen “Rilindja” (2004), në të cilën gjerësisht janë analizuar shumë probleme të karakterit shkencor, metodologjik, gjuhësor, historik e kulturor të një periudhe prej rreth një shekulli. Më tej botohet si një referencë artikulli përkujtimor i Bexhet Hasanit për shkencëtarin erudit e faqendritur, për të vazhduar përsëri me një intervistë shumë të pasur, historike e aktualizuese, kritike e polemizuese, personale e institucionale, identifikuese e gjithëpërfshirëse, me gazetarin Smajl Smaka për gazetën “Telegraf”, të vitit 2011.

Ndoshta intervista me portalin “Presheva jonë” nuk do ta kishte përmasën që ka sikur Profesor Ajeti, në një moshë shumë të shtyre, për herë të parë të mos fliste për tema krejtësisht politike, për tema ditore me të cilat merreshin pothuajse të gjithë: politikanët, shkencëtarët, intelektualët, gazetarët e qytetarët. Në këtë intervistë ai flet për trashëgiminë historike e për gjendjen aktuale në Medvegjë e Luginë të Preshevës. Atë e ka mbarështruar në tri pjesë: biografia kronologjike e jetës dhe veprës së tij, ndihmesën e tij shkencore, si dhe pikëpamjet e tij për gjendjen aktuale në Luginën e Preshevës. Po në këtë rrjedhë botohet edhe një tekst me karakter informativ mbi shënimin e 100-vjetorit të lindjes së Idriz Ajetit në Shqipëri përgatitur nga Dalip Greca në gazetën “Dielli” të Amerikës.

Në serinë e bisedave me Profesor Ajetin botohet një intervistë e dokumentuar shkencore e Begzad Baliut me theks të veçantë kujtimet e tij me Profesor Çabejin, shënimi i Sevdail Hysenit për Konferencën shkencore në Medvegjë kushtuar Profesor Ajetit, një bisedë e përzemërt e Profesor Isak Shemës me Profesor Ajetin, një tekst i Jonuz Fetahut për një vizitë të shoqatës humanitare “Medvegja” në familjen e Profesor Ajetit etj., prej të cilave sigurisht krijohet një pamje mjaft e plotë për jetën dhe veprën e tij, për kujtimet e tij, për rrethet shkencore në të cilat ka jetuar, për miqtë me të cilët ka komunikuar, për literaturën që ka konsultuar, për vlerat kulturore, arsimore e shkencore që ka krijuar etj.

Vëllimi Idriz Ajeti (100 vjetori i lindjes) veprimtaria arsimore, kulturore dhe shkencore, përmbyllet me një bibliografi shteruese e përshkruese, më të plotën, të botuar ndonjëherë, për veprën intelektuale, mendore e shkencore të Profesor Idriz Ajetin, në rreth 50 faqe. Ndërsa më tej një bibliografi po kaq e veçantë dhe e plotë e Profesor Isak Shemës.

Botimi i këtij vëllimi më parë se sa një projekt besoj lexuesit dhe njohësit e raporteve ndërmjet Profesor Ajetit dhe Profesor Isak Shemës janë të veçanta, për të theksuar gjithashtu se të veçanta ishin edhe raportet e Profesor Ajetit me anëtarët e redaksisë së librit Profesor Bahtijar Kryeziun dhe Begzad Baliun.

E para, Profesor Ajeti dhe Shema ishin profesorë universitarë dhe miq të një periudhe para themelimit të Universitetit të Prishtinë; për më shumë se një gjysmë shekulli ata ishin bardët më tipik të zhvillimit të gjuhës dhe letërsisë në veçanti dhe arsimit shqip në Kosovë, në përgjithësi; ata mbështetën njëri-tjetrin shumë gjatë kalimit të kapërcyellit të madh historik nga periudha dogmatizmit rankoviqist në periudhën e autonomisë së viteve ’70; ata ishin miq dhe të mbështetur në njëri-tjetrin edhe në ditët e vështira të diferencimit politik pas demonstratave të vitit 1981; ata ishin miq dhe konsultuan njëri-tjetrin në betejën e madhe të mbrojtjes së teksteve shkollore në gjuhën shqipe nga përpjekja e Beogradit për t’i pastruar ato nga shkrimtarët më të mirë të letërsisë shqipe dhe jugosllavizimin e tyre me shkrimtarë serbë, maqrdonas, sllovenë, malazezë, boshnjakë etj.; megjithëse Profesor Ajeti shkoi në pension të merituar, Profesor Shema kurrë nuk pushoi së prituri në Fakultetin Filologjik e së përcjelli deri në prag të Fakultetit, deri te taksi, e madje deri në shtëpi, sa herë e sillte puna që Profesor Ajeti të kthente në Fakultet për arsye nga më të ndryshmet, e ato nuk ishin të rralla. A është e rastit prandaj pse përkushtimi i tij për realizimin e këtij projekti ishte posaçërisht i madh dhe veçanërisht i suksesshëm.

E dyta, sepse anëtari i dytë i redaksisë Profesor Bahtijar Kryeziu ishte student i tij, i diplomuar, i magjistruar në Prishtinës dhe i doktoruar në Tiranë nën mentorimin e tij, i propozuar për anëtar në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës me nënshkrimin dhe vlerësimin e tij; autor i dhjetëra studimeve për Profesor Ajetin e veprën e tij; bashkautor i një vëllimi me studime kushtuar Profesor Ajetit dhe i paraqitjes së tij në disa konferenca shkencore. A është e rastit që në këtë vëllim në përzgjedhjen e tij, janë përfshirë studime përfaqësuese, që dëshmojnë më së miri kulmet e arritjeve të Profesor Ajetit në gjuhësinë shqiptare.

E treta, autori i këtij teksti ishte student i Profesor Ajetit, i propozuari i tij për Anëtar të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, bashkëpunëtor i tij, mik shtëpie, trashëgimtar i arkivit dhe bibliotekës së tij personale dhe i autorizuar që të shkruaj biografinë jetësore dhe shkencore të tij. A është e rastit që në këtë vëllim janë përfshirë disa studime, bibliografia shteruese dhe disa dokumente, të cilat kanë mundur të gjenden vetëm në arkivin personal të Profesor Ajetit, tani pasuri e trashëguar e jona.

Filed Under: LETERSI

Roli i SHBA-së, si aktori kryesor global për sigurimin ndërkombëtar

March 5, 2025 by s p

Prof.Asc.Dr. Gëzim MUSTAFAJ/

Përvoja historike evropiane prodhoi më shumë luftra se sa paqe, më shumë shkatërrime sesa zhvillime, më shumë humbje jetësh njerëzore sesa përparim dhe begati për popujt e Europes. Për shekuj, Evropa u shndërrua në arena betejash midis njëri-tjetrit. Vetëm nga viti 1870 deri në vitin 1945 Franca e Gjermania u përleshën tre herë me njëra-tjetrën, me pasoja tepër tragjike. E kështu mund të renditim me dhjetra dhe qindra konflikte dhe luftra midis vetë vëndeve të europës. Europa asnjëher nuk ishte në gjëndje të vendoste paqen në kontinentin e vjetër. Me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, dy polet e tij, SHBA dhe BS nuk ishin të barazvlefshëm. SHBA ishin që nga fillimi i Luftës së Ftohtë dhe mbeti deri në fund të saj superfuqi kryesore. Amerika ishte bërë me kohë, të paktën qysh nga fillimi i shekullit 20-të, fuqia ekonomike dhe ushtarake dominuese e botës. Superioriteti i saj ekonomik dhe ushtarak u evidentua qartë qysh gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur prodhimi industrial ushtarak i SHBA e kaloi atë të të gjitha vëndeve të tjera pjesmarrëse në luftë. Kapacitetet ushtarake të BS mund të thuhet se ishin të barabarta vetëm me forcat ushtarake të Amerikës në Evropë, ndërsa aftësia e Moskës për të projektuar fuqinë e saj në shkallë globale ka qenë gjithnjë shumë më e kufizuar në krahasim me Amerikën. Ndërsa për Evropën Perëndimore, Lufta e Ftohtë ishte një luftë kontinentale, e cila kishte të bënte me mbrojtjen e gjysmës perëndimore të kontinentit evropian nga rreziku sovjetik. Ndërsa nga këndvështrimi i interesave amerikane, ajo ishte një luftë e vërtetë globale, një front i së cilës ishte në Europë.

Për afro gjysëm shekulli Evropa u zhvillua e mbrojtur nën ombrellën amerikane. Çdo hap drejt sigurisë, integrimit ekonomik dhe politik të Evropës, u hodh nën hijen dhe nën mbrojtjen e fuqisë Amerikane dhe të NATO-s. Mjafton ti referohemi vetëm luftrave në Ballkanit të pas Luftës Ftohtë. Ato nxorën edhe një herë në pah mungesën e unitetit në radhët e Evropës dhe dobësinë e saj. Evropa nuk kishte as vullnetin dhe as aftësinë që të vendoste paqe dhe stabilitet në gadishullin e saj Jug-Lindor. Ishin SHBA siç treguan qartë ngjarjet në Bosnje dhe Kosovë, aktori detriminant dhe shumë i rëndësishëm për zgjidhjen e krizave dhe rivendosjen e stabilitetit në këtë rajon të rëndësishëm të Evropës. Përpjekjet e fundit të Evropës për t’u bërë një fuqi e madhe botërore do të kërkonin një kosto financiare shumë të lartë, të cilën europianët e sotëm, në krizën e thellë që ka mbërthyer sistemin e tyre të shtetit të mirëqenies, nuk kanë as vullnetin më të vogël ta përballojnë. Europianët do të preferonin më mirë të vazhdonin të jetonin nën hegjemoninë amerikane. Një Evrope të bashkuar në një mënyrë vërtetë efektive nuk do t’i mungonin kapacitetet e nevojshme për t’u bërë një fuqi botërore më vete. Por fuqia ekonomike dhe financiare e Evropës dhe kapacitetet ushtarake të saj nuk e bëjnë atë një fuqi strategjike globale, çka është një kusht esencial për të marë përsipër rolin e lidershipit global. Këtë edhe për shumë vite të tjera mund ta bëjë vetem SHBA.

Amerikanët bënë zgjedhjen e tyre në votimet presidenciale, bota tani filloi të shohë Ameriken të marrë përgjegjësinë për të ardhshme. Tani po prinë Donald Trump me shpresën e tij të amerikanizmit dhe jo globalizmit.  Gjatë administrates Biden, vlera e ndikimit global të SHBA-së u vu në pikëpyetje. Fuqitë rajonale po shkonin secila në rrugën e vet, regjimet autokratike po bëjnë aleancat e tyre dhe luftërat shkatërruese në Ukrainë e Lindjen e Mesme(Gaza) ngritën pyetje të pakëndshme për vlerën dhe rolin e Washingtonit. Presidentit Trump tani i duhet të punojë në një botë që përballet me rrezikun më të madh të konfrontimit mes fuqive të mëdha, që nga Lufta e Ftohtë, pasi luftërat po bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u dhënë fund. Trump gjatë fushates deklaroi se është koha që të “rikthehemi tek paqja dhe të ndalojmë vrasjen e njerëzve”. Gjithashtu në orët e para të mëngjesit të 6 nëntorit, në Floridë ai iu drejtua turmës së entuziazmuar të mbështetësve; “Nuk do të pushoj derisa të kemi arritur një Amerikë të fortë, të sigurt dhe të begatë, që fëmijët tanë meritojnë dhe që ju meritojeni”. 

Kjo verteton atë se amerikanët e duan me shpirt lirinë, të cilën shumë europianë e marrin si diçka të natyrshme, ose e quajnë naive apo cinike, madje një fantazi amerikane. Perceptimi i përgjithshëm i një lufte në ShBA është krejt i ndryshëm nga ai që kanë europianët për të. Në ShBA, një luftë që zhvillohet prej tyre perceptohet dhe paraqitet shpesh në media si një ngjarje heroike, ku Amerika, me gjithçka që ajo përfaqëson, tregon se çfarë është e aftë të bëjë. Ndërsa për Europën, për shkak të historisë së saj, një luftë evokon qytetet që i shkatërrohen dhe civilët e pafajshëm që i vriten, asgjë më tepër. Kurdoherë që historia e ka kërkuar, SHBA kanë qënë të gatshme të paguajnë çmimin më të lartë për t’u ardhur në ndihmë të shtypurve, madje edhe në shtete që i kanë dashur asaj të keqen. Nisur nga të gjitha këto, me të drejtë lindë pyetja; Përse Europa u bë sot “xheloze”, se ndërhyri amerika për vendosjen e paqes në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme? Ku ishin tre vjet më parë? Më 24 shkurt u mbushen plot tre vjet nga fillimi i luftës në Ukrainë, qytete dhe fshatra që shkatrrohen, dhjetra, mjra ushtarë dhe civil të pafajshem që vriten dhe asnjë ndryshim. 

Më 18 shkurt u zhvillua takimi i parë i nivelit të lartë mes SHBA dhe Rusisë që pas nisjes së luftës në Ukrainë. Tryeza e bisedimeve, mes ministrave të jashtëm, Rubio dhe Lavrov që në fillim arriti marrëveshjen për të punuar për paqen në Ukrainë. Palët do të angazhojnë ekipe të nivelit të lartë për ti dhënië fund luftës sa më shpejt që të jetë e mundur dhe u arrit marrëveshja për zhvillimin e zgjedhjeve të reja në Ukrainë. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, që ka udhëhequr delegacionin e SHBA-së, theksoi se palët janë pajtuar edhe për të rivendosur stafin e ambasadave dhe që përveç diskutimeve për paqe në Ukrainë, ekipet negociatore do të promovojnë edhe bashkëpunim ekonomik. Ai foli për mungesën e Ukrainës dhe zyrtarëve të Bashkimit Europian në tavolinën e negociuese. Në një konferencë për media Rubio u shpreh se “askush nuk është lënë mënjanë”, dhe që dikur edhe BE-ja do të jetë pjesë e negociatave, sepse edhe blloku europian e ka sanksionuar Moskën. Sipas tij, prej këtyre bisedimeve mund të rezultojnë “disa gjëra shumë pozitive për Shtetet e Bashkuara, për Europen, për Ukrainën, për botën”, por që “e gjitha nis me përfundimin e konfliktit”. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov tha pas takimit se Rusia dhe SHBA-ja janë pajtuar për të krijuar kushte për të rikthyer plotësisht bashkëpunimin mes dy vendeve.

Takimi i ditës së premte Trump – Zelensky ka ngjallur shumë debate dhe diskutime, por përtej të gjithave ajo që ja vlen të thuhet sot është; Kush është në gjëndje të vendosë paqen në Ukraine dhe të ndalojë shkatrrimet dhe vrasjet, a është kjo vetëm SHBA-ja dhe Presidenti Trump?  Unë si shumë të tjerëve mendoj se po. Gjatë fushatës zgjedhore, Trump është zotuar për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë shumë shpejt, ndërsa tani administrata e tij synon të përmbushë këtë zotim në 100 ditët e para prej marrjes së detyrës. Trump dhe Putin kanë zhvilluar bisedë telefonike, të cilën presidenti amerikan e ka përshkruar si sinjal për dhënien fund të izolimit diplomatik të Rusisë. Ata kanë diskutuar edhe për bashkëpunim ekonomik dhe Trump ka bërë thirrje për kthimin e Moskës në grupin e shtatë shteteve më të industrializuara në botë (G7). Rusia është përjashtuar në 2014 pasi e ka aneksuar Krimenë.

Europa me dhimbje e shikon se, investimi i një sasi të madhe kapitali, politik, ekonomik dhe strategjik në luftën kundër Rusisë ka dështuar. Trump e di shumë mirë këtë dhe prandaj po i jep fund luftës. Për shumë ukrainas, që kanë luftuar dhe kanë vdekur duke luftuar forcat ruse, një retorikë e tillë është dhe duhet të jetë e dënueshme. Por nëse shikojmë përtej atyre që janë thënë dhe thuhen, përtej sherreve me Zelenskyn, vetëm Trump megjithëse i papëlqyeshem për shumë europian mund t’i japë dhe po i jep fund luftës në Ukrainë. Evropa asnjëher nuk ka arritur të sjellë paqe, këtë e tregoi edhe takimi i dites së djeshme në Angli, ku nuk u arrit agjë. 

Dhe së fundmi për të argumentuar të gjitha këto disa statistika për shpenzimet e mbrojtjes të marra nga Instituti Ndërkombëtar i Studimeve Strategjike. Në vitin 2024, SHBA shpenzoi gati 1 trilion dollarë në buxhetin e saj të mbrojtjes, e barabartë me 3.4% të PBB-së. Ndërsa, vendet e tjera anëtare të NATO-s në Europë dhe Kanadaja shpenzuan mesatarisht 2% të PBB-së për mbrojtjen. Ndërsa buxhetet e mbrojtjes të NATO-s kanë rënë ndjeshëm që nga Lufta e Ftohtë, shpenzimet ushtarake të Rusisë janë rritur me 227% që nga viti 2000 dhe ato të Kinës janë rritur me 566%. Duke analizuar 15 buxhetet më të mëdha të mbrojtjes për vitin 2024, tregon se Ukraina, një vend i përfshirë prej tre vitesh në luftë shpenzoi për vitin 2024 gati tri herë më pak se Arabia Saudite për mbrojtjen.

Pas SHBA-së, në vendin e dytë renditet Kina, me një buxhet prej 235 miliardë dollarësh për mbrojtjen.  Rusia ka buxhetin e tretë më të madh të mbrojtjes në rang global, me 146 miliardë dollarë, që përfaqëson 6% të të ardhurave kombëtare të vendit, përqindja më e lartë kjo që nga Lufta e Ftohtë. Ashtu si Kina, kjo shifër është shumë më e lartë në terma realë të fuqisë blerëse, duke u rritur në 461 miliardë dollarë. Sot, arsenali bërthamor i Rusisë rivalizon SHBA-në me 5000 koka luftarake, pavarësisht se është një ekonomi e mesme. Por ajo që vërtet vlen të theksohet është fuqija ushtarake e SHBA, me mbi 895 miliardë dollarë për mbrojtje për çdo vit, mbi 2 milionë ushtarak aktivë, mbi 13 mijë aeroplanë e helikopterë, mbi 4600 mjete tokësore të blinduara dhe të llojeve të ndryshmje përfshirë tanket, 11 aeroplanmbajtëse, etj. Amerika e vetme ka fuqi ushtarake nëse bëhen së bashku, Rusia, Kina, India, Koreja e Jugut, Britania e Madhe, Franca, Japonia, Turqia e Italia. Jo vetëm për nga fuqia në terren, por buxheti i nëntë fuqive ushtarake botërore mbledhur së bashku është 773 miliardë dollarë, 122 miliardë dollarë më pak sesa Amerika. E fundit por më e rëndësishmja, Europa nuk ka bërë asnjëher dhe nuk bën pa Amerikën. Këto besoj janë mjaftueshme për të vertetuar atë që thamë më lartë.

New York 03.04 2025

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • …
  • 49
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT