• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2025

Figura e Avni Rustemit mes deformimit historiografik, kujtesës popullore dhe narrativave politike të rishikimit të historisë pas viteve 90’

April 25, 2025 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Mos pandeh se u harrove, lule o Avni Rustemi! – Populli

Hyrje

—————-

Shkrimtari francez Anatole France, në veprën Krimi i Sylvestre Bonnard, vëren me ironi se “historia, dikur një art që lejonte të gjitha fantazitë e imagjinatës, sot është bërë shkencë, në të cilën duhet të ecet me një metodë të përpiktë.” Kjo reflektim, ndonëse letrar dhe jo metodologjik, shpreh një ndjeshmëri të përbashkët në mendimin evropian të kohës mbi nevojën për ta trajtuar historinë si një disiplinë më të rreptë dhe objektive. Këto prirje do të artikuloheshin më vonë në mënyrë të strukturuar nga Shkolla Franceze e Annales, themeluar nga Marc Bloch dhe Lucien Febvre, e cila vuri theksin mbi analizën sociale, strukturat afatgjata dhe ndërlidhjen ndërdisiplinore në historigrafi. Në Shqipëri, ndikimi i këtyre qasjeve filloi të ndjehet vetëm pas viteve 1990, kur historiografia shqiptare u shkëput nga modelet dogmatike marksiste-leniniste dhe nisi të hapet ndaj metodologjive bashkëkohore perëndimore.

Historia si instrument ideologjik: rasti i Avni Rustemit

————————————————————–

Para viteve 1990, historia shqiptare shpeshherë shërbente si një instrument ideologjik, ku kufiri mes faktit dhe mitit ishte i paqartë. Koncepti i Anatole France për “fantazitë e imagjinatës” reflektonte realitetin historik të periudhës, ku historitë e ndërtuara shpesh mund të ishin të mbushura me mitizime dhe romantizime të periudhave të caktuara. Historia e përshkruar nga regjimi komunist, në veçanti, ishte e ngarkuar me vlera marksiste-leniniste dhe e shfrytëzonte për të konsoliduar legjitimitetin e pushtetit. Kjo historiografi kishte tendencën të krijonte heroizmin e atyre që kishin bashkëpunuar me regjimin dhe të demonizonte kundërshtarët, një praktikë që shpesh binte ndesh me pasqyrën e vërtetë të ngjarjeve dhe figurave historike.

Pas viteve 1990, ky proces rishkrimi u shoqërua me një përpjekje për të rivlerësuar dhe rishkruar figurat historike, por jo gjithmonë në mënyrë objektive. Shpesh, rishkrimi i historisë pas komunizmit ka qenë një përpjekje për të krijuar një narrativë të re, por shpesh me përmbajtje të kundërt ideologjike. Ky proces, megjithatë, nuk ka arritur gjithmonë të arrijë një qasje të thelluar dhe të saktë. Në këtë kontekst, figura e Avni Rustemit është një shembull tipik i trajtimit historiografik të deformuar në këtë periudhë.

Figura e Avni Rustemit dhe kujtimet e Eqerem Bej Vlorës

—————————————————————–

Një nga aspektet më të kontestuara të vlerësimit të figurës së Avni Rustemit ka qenë përfaqësimi i tij në kujtimet e Eqerem Bej Vlorës. Këto kujtime, të botuara pas vitit 1990, e portretizojnë Rustemin si një “kriminel dhe karagjoz”, duke e shndërruar vrasjen e tij në një akt hakmarrjeje të lavdërueshme. Ky gjykim është një shembull tipik i rishkrimit të historisë në mënyrë të njëanshme dhe të pasaktë, që e zbeh imazhin e një figure të rëndësishme si Avni Rustemi, i cili ishte një aktivist demokratik dhe një nismëtar i përpjekjeve për reforma sociale.

Kujtimet e Vlorës, megjithëse ofrojnë një pamje të ndodhiave të periudhës dhe janë një burim dytësor i vlefshëm, janë të mbushura me paragjykime dhe qëndrime politike të thella. Ato tentojnë të ndajnë shqiptarët në dy grupe të kundërta, “Esatistët” dhe “Zogistët”, duke e injoruar bashkëpunimin pragmatik mes këtyre dy fraksioneve në momentin e likuidimit të Rustemit. Ky trajtim historiografik është një shembull i shpërfilljes së një qasjeje të thelluar dhe objektive, për t’i dhënë hapësirë narrativave politike të njëanshme.

Ndjeshmëria popullore ndaj Avni Rustemit dhe kthimi në atdhe

———————————————————————

Pas lirimit nga gjykata franceze në dhjetor 1920, kthimi i Avni Rustemit në Shqipëri u prit me një entuziazëm të jashtëzakonshëm nga populli. Gazeta “Drita” e Gjirokastrës e përshkruan këtë ngjarje me një ngarkesë emocionale dhe me një theks të qartë në përkrahjen popullore të tij. Populli shqiptar nuk e pa vetëm si një figurë të luftrave ideologjike, por si një protagonist të shpresës për një Shqipëri të modernizuar dhe të demokratizuar. Ky moment i kthimit nuk mund të kuptohet plotësisht pa pasur parasysh kontekstin e periudhës dhe lidhjet e ngushta që ai krijoi me grupet progresiste të kohës. Avni Rustemi ishte një përfaqësues i një lëvizjeje demokratike që kërkonte të krijonte një shtet shqiptar më të drejtpërdrejtë dhe më të drejtë për qytetarët e tij. Aktivitetet e tij për organizimin e arsimtarëve, themelimin e shoqërisë “Bashkimi”, dhe përpjekjet për reforma në arsim dhe bujqësi, gjithashtu dëshmojnë për një angazhim të sinqertë për modernizimin e shoqërisë shqiptare. Ky dimension i figurës së tij duhet të merret parasysh për të kuptuar kontributin e tij në formimin e një Shqipërie të re.

Avni Rustemi dhe modernizimi shqiptar

———————————————–

Në periudhën 1921–1924, Rustemi ishte një nga figurat kryesore të një grupi të njohur si grupi i reformistëve, që përfshinte personalitete si Fan Noli, Luigj Gurakuqi, dhe Ali Këlcyra. Ky grup u angazhua për një platformë reformiste që synonte të shkëputej nga strukturat feudale dhe të avanconte reforma ekonomike, agrare, juridike dhe arsimore. Përpjekjet e tij për një sistem të drejtë agrare, përmes miratimit të “kontratës tip”, dhe për ndarjen e tokave për kolonët shqiptarë të shpërngulur nga Kosova dhe Çamëria, ishin hapa konkretë drejt realizimit të reformave që do të ishin të rëndësishme për zhvillimin e shtetit shqiptar.Në fushën kulturore dhe arsimore, aktiviteti i Avni Rustemit kontribuoi në themelimin e arsimit kombëtar dhe në krijimin e një shkëputjeje të dukshme nga ndikimi osman, një element kyç për emancipimin e shoqërisë shqiptare.

Vrasja e Avni Rustemit dhe pasojat politike

————————————————-

Vrasja e Avni Rustemit më 22 prill 1924 nuk shënoi vetëm një humbje për lëvizjen demokratike, por gjithashtu përshpejtoi ndryshimet politike në Shqipëri. Ajo çoi në një valë protestash masive në qytetet si Vlorë, Gjirokastër, Shkodër dhe Tiranë dhe shërbeu si një katalizator për Lëvizjen e Qershorit 1924, e cila synonte të rrëzonte strukturat e pushtetit të vjetër dhe të ndihmonte krijimin e një qeverie më demokratike në Shqipëri.

Përfundime

——————————-

Figura e Avni Rustemit është shumë më shumë se një simbol i dhunës apo një protagonist në një histori të rreptë ideologjike. Ai përfaqëson një periudhë tranzicioni dhe një brez që e shihte Shqipërinë të emancipuar përmes reformave politike dhe sociale. Rishikimi i historisë nuk duhet të bëhet përmes prizmave të urrejtjes klasore apo nostalgjisë për regjimet e vjetra, por me një qasje të drejtë, kritike dhe mbi të gjitha, me qëllim të zbardhjes së së vërtetës.

Filed Under: Komente

Fati ndonjëherë shkruan histori që as skenaristi më i mirë nuk mund t’i imagjinonte

April 25, 2025 by s p

Saimir Kadiu/

Fati ndonjëherë shkruan histori që as skenaristi më i mirë nuk mund t’i imagjinonte. Kjo është një nga ato. Thomas Jefferson dhe John Adams, dy nga Etërit Themelues më të rëndësishëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vdiqën të dy pikërisht në të njëjtën ditë: 4 korrik 1826.

Nuk ishte vetëm një ditë. Ishte pikërisht pesëdhjetëvjetori i Shpalljes së Pavarësisë që ata vetë kishin ndihmuar në kete ngjarje.

Jefferson ndërroi jetë në shtëpinë e tij në Virxhinia, Adams në Massachusetts, pa dijeni për njëri-tjetrin.

Por historia nuk mbaron këtu…

Rastësia bëhet pothuajse e mbinatyrshme kur zbulojmë se pesë vjet më vonë, më 4 korrik 1831, James Monroe, presidenti i pestë i Shteteve të Bashkuara, gjithashtu u largua nga jeta tokësore në të njëjtën ditë simbolike të kombit të cilit i kishte shërbyer.

Tre Etër Themelues, tre Presidentë, një datë vdekjeje. Kur historia shfaq këto sinkronizime të jashtëzakonshme, është e vështirë të mos ndalosh asnjë çast për të reflektuar mbi ndërthurjen misterioze të jetës, vdekjes dhe simboleve kombëtare.

Filed Under: Emigracion

“Gjysmakët” dhe Zonjat e Oborrit në retorikën e kryeministrit

April 25, 2025 by s p

Nga Rafael Floqi/

Në Shqipërinë e tranzicionit të stërzgjatur, ku pushteti politik shpesh ndërtohet mbi perceptimin dhe jo mbi vlerat institucionale, Edi Rama ka ditur të shfrytëzojë diskursin gjinor si pjesë të strategjisë së tij të pushtetit. Në mënyrë të dukshme, ai është përpjekur të kultivojë imazhin e një lideri që fuqizon gratë, por ndërkohë ka demonizuar burrat e opozitës me një gjuhë që rrallë dëgjohet në demokracitë normale dhe kjo jo vetëm për fushatë.

Në një deklaratë të vitit 2021, Rama tha: 

“Opozita është një grup burrash gjysmakë, pa vizion, pa shpirt dhe pa të ardhme.”
Ky citim nuk është një shpërthim spontan, por një shprehje sistematike e një modeli komunikimi, ku burrëria e kundërshtarit përdoret si simbol i paaftësisë, dekadencës dhe regresit.

1. Retorika e barazisë gjinore si fasadë politike

Në konferenca ndërkombëtare dhe forume të BE-së, Rama shpesh është cituar duke theksuar përqindjen e lartë të grave në kabinetin e tij. Ai e ka quajtur qeverinë e tij “një kabinet me shumë ngjyra, por mbi të gjitha me shumë gra, sepse gratë nuk e lënë vendin peng të krizave të testosteronit politik.” (Intervistë për France 24, 2019)

Në sipërfaqe, kjo tingëllon si përparim. Por në realitet, shumë nga gratë ministre janë figura politike të afërta, të kontrolluara dhe pa profil të fortë të pavarur. Ato nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht emancipimin e grave shqiptare, por një version të butë të pushtetit autoritar ndaj haremit, që maskohet me feminilitet institucional.

Siç shkruan teoricienja politike Chantal Mouffe:

“Në sistemet post-demokratike, përfshirja simbolike shpesh shërben si zëvendësim për fuqizimin real.” (Kriza e përfaqësimit, 2005)

2. Burrat si simbol i regresit dhe armikut politik

Termi “gjysmak” është shndërruar në një klishe të gjuhës politike të Edi Ramës. Përdorimi i këtij termi nuk është vetëm depersonalizues, por seksist në mënyrë të nënkuptuar, sepse i referohet burrit që ka humbur atributet që kultura patriarkale i njeh: forcën, qëndrueshmërinë, kontrollin. Në këtë mënyrë, Rama përdor stereotipet gjinore për të zhveshur kundërshtarin nga çdo formë legjitimiteti publik.

Siç thotë filozofi gjerman Theodor Adorno: “Gjuhët autoritare nuk i kundërshtojnë idetë, por i shkatërrojnë subjektet.”
(Dialectic of Enlightenment, 1947)

Në vend që të ndërtojë debat, Rama i “neutralizon” burrat e opozitës duke i nënvlerësuar si të paplotë — duke shkelur një vijë të rrezikshme midis debatit politik dhe diskursit shkatërrues.

3. Psikopolitika e liderit dhe estetika e dominimit

Rama, i cili vjen nga një sfond artistik, përdor gjuhën politike si teatër rruge. Ai ndërton një skenografi ku gratë e bindura janë figurante të bukura në sfond, ndërsa burrat kritikë janë të shëmtuar, ‘Bufa kënete” të prishur dhe të papërshtatshëm për “qeverisje moderne”. Në këtë mënyrë, krijohet një ndarje gjinore e pushtetit që nuk është progresive, por e manipuluar.

Filozofi Byung-Chul Han, në veprën Psychopolitics (2017), shkruan:

“Në neoliberalizëm, kontrolli nuk ushtrohet më përmes dhunës, por përmes përkëdheljes dhe estetikës. Ai që është i bindur dhe i bukur nuk ka arsye të rebelohet.”
Ky është thelbi i modelit Rama: pushtet i mbështjellë me estetikë, por thellësisht kontrollues.

4. Rreziku për demokracinë dhe barazinë

Kjo ndarje gjinore në diskursin politik shqiptar, ku gratë përdoren për të zbukuruar pushtetin dhe burrat për t’u demonizuar si kërcënim, është një kërcënim i drejtpërdrejtë për barazinë reale dhe për vetë debatin demokratik. Sepse kur gratë përdoren si dekor dhe burrat si karikatura, ajo që humbet është vetë përfaqësimi autentik politik.

Siç shkruan Hannah Arendt: “Totalitarizmi fillon aty ku fjalët nuk kanë më funksion për të ndërtuar të vërtetën, por për të ndërtuar pushtetin.”
(The Origins of Totalitarianism, 1951)

Si përfundim: Gjinia si maskë e autoritarizmit të butë

Edi Rama nuk ka ndërtuar një sistem të vërtetë të barazisë gjinore, por një narrativë të kontrolluar ku gjinia i shërben pushtetit dhe jo qytetarit. Gratë e tij nuk janë të fuqizuara, por të zgjedhura. Burrat që nuk i binden, nuk janë oponentë, por “gjysmakë”. Në këtë realitet të ndërtuar me fjalë, estetika e pushtetit shndërrohet në një teatër kontrolli, ku publiku duartroket, por nuk pyetet më.

Filed Under: Fejton

Federata “VATRA” kërkesë Presidentit Begaj e Osmani: Mbroni të drejtat e shqiptarëve në Ulqin

April 24, 2025 by s p

Shkëlqesisë së Tij, Z. Bajram Begaj, President i Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesisë së Saj, Znj. Vjosa Osmani-Sadriu, Presidente e Republikës së Kosovës, Lënda: Kërkesë për reagim institucional mbi zhvillimet e fundit në Ulqin Të nderuar Shkëlqesi, Në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA”, organizata më e vjetër e diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më lejoni t’ju drejtohem me këtë letër lidhur me një çështje me rëndësi të veçantë kombëtare dhe rajonale: zhvillimet e fundit në Ulqin, përkatësisht dhënia me qira për një periudhë afatgjate e një pjese të konsiderueshme të Plazhit të Madh kompanisë “Eagle Hills Montenegro”, një subjekt privat i regjistruar në Mal të Zi vetëm gjatë këtij viti, me një kapital simbolik. Kjo marrëveshje, e cila ka ngjallur reagime të forta brenda komunitetit lokal shqiptar në Ulqin, si dhe nga aktorë politikë e institucionalë në Mal të Zi, përfshirë Presidentin Jakov Milatoviq, është zhvilluar në kushte jo të qarta transparence dhe me shumë pikëpyetje mbi qëllimet afatgjata të këtij projekti. Të nderuar Presidentë, Ulqini nuk është vetëm një qytet simbolik për shqiptarët në Mal të Zi, por është edhe një hapësirë historike, kulturore dhe ekonomike me rëndësi të veçantë për mbarë rajonin dhe më gjerë. Për këtë arsye, ne ju drejtohemi Juve, si përfaqësues të dy shteteve relevante, për ta ndjekur me vëmendje këtë zhvillim shqetësues dhe për të përdorur kanalet diplomatike e institucionale për të ngritur zërin tuaj në mbrojtje të të drejtave, interesave dhe pronës publike që u përket qytetarëve të Ulqinit.

Federata “VATRA” thekson rëndësinë që çdo vendimmarrje që prek komunitetin autokton shqiptar në Mal të Zi të jetë në përputhje me ligjin, me parimet e transparencës, dhe mbi të gjitha, me vullnetin e qytetarëve të Ulqinit. Ne tashmë kemi nisur kontaktet me institucione relevante në SHBA dhe do të vijojmë të ndjekim këtë çështje deri në përfundimin e saj, duke theksuar gjithmonë nevojën që investimet dhe zhvillimi në rajon të mos bëhen në dëm të banorëve autoktonë, as të trashëgimisë mjedisore dhe kulturore të shqiptarëve në Mal të Zi. Në pritje të një reagimi të ndjeshëm dhe përfaqësues nga institucionet që Ju drejtoni, ju shpreh mirënjohjen për përkushtimin Tuaj të vazhdueshëm ndaj çështjeve që prekin interesin kombëtar.

Me konsideratë të lartë,

Dr. Elmi Berisha

President, Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA”

Filed Under: Vatra

NACIONALIZMI KULTUROR TE SHQIPTARËT NË FUNKSION TË ÇLIRIMIT KOMBËTAR

April 24, 2025 by s p

Dr. Nikollë Loka/

Shfaqja e “kombit” i jep mozaikut që përfaqëson shekullin e gjatë ballkanik fijen më të rëndësishme, sepse gjatë asaj periudhe, komuniteti laik i “kombit” filloi të shfaqet gradualisht në rajon, pas shkatërrimit të formave më të vjetra dhe më të përhapura të identitetit. Ky proces nisi përafërsisht në fillim të kësaj periudhe si një lëvizje thuajse e padukshme, por në fund të saj ishte shndërruar në një realitet të pakundërshtueshëm. Kur osmanët filluan t’i kuptonin rreziqet që sillte nacionalizmi, ata vendosën politika që krijonin pengesa të mëtejshme për bashkimin e popujve të shtypur.

Për shqiptarët Perandoria Osmane nuk i lejoi shkollat në gjuhën shqipe edhe pas dekretit perandorak (Hatt-i-Humayun, 1856), kur me ligj, të gjithë popujt e Perandorisë kishin trajtim të barabartë në arsim. Argumenti i shtetit otoman për të ndaluar organizimin e mësimit në gjuhën shqipe, kërkesë që u shpreh më fort në gjysmën e dytë të shekullit XIX, ishte se shqiptarët u përkisnin mileteve myslimane, ortodokse dhe katolike dhe për rrjedhojë ishin pjesë e komuniteteve turke, greke dhe latine. Trajtimi i shqiptarëve si tri bashkësi, “milete” të veçuara fetare dhe bashkëngjitja e tyre me milete etnikisht të huaja (turke, greke, sllave dhe latine) përmbante rrezikun e një zhvillimi kulturor dhe shoqëror të veçuar. Kjo gjendje i hapte rrugën humbjes së identitetit kulturor dhe kombëtar.

Për të penguar shkëputjen e popujve ballkanikë nga shteti, në periudhën pas kryengritjeve të grekëve, bullgarëve, serbëve dhe vllehëve, atyre iu njohën disa veçori kulturore. Njëra prej tyre ishte edhe shkollimi në gjuhën amtare. Në realitet, popujt jomyslimanë edhe më përpara e kishin shkollimin në gjuhët e tyre dhe në këtë periudhë ata filluan ta shfrytëzonin këtë të drejtë për formësim kulturor dhe identitar. Parë në këtë këndvështrim, shqiptarët kishin mbetur prapa në krahasim me popujt tjerë të Ballkanit. Aq më keq për shqiptarët, se në tokat e tyre po hapeshin edhe shkolla greke, serbe dhe bullgare, sepse dekreti perandorak osman i quajtur Hatti-Humaiun ua lejonte ato. Në vitin 1892, në katër vilajetet shqiptare kishin më shumë se 1000 shkolla greke, 40 shkolla vllahe, 200-300 serbe dhe bullgare dhe vetëm 2 shkolla shqipe.

Aty ku kombet u shfaqën si normë, shqiptarët nuk kishin veçse dy zgjedhje për t’i rezistuar pasojave negative të këtyre zhvillimeve dhe për t’u bërë pjesë e tyre. Së pari ishte për të demonstruar se shqiptarët përbënin një grup etnik të veçantë, si hapi i parë i tjetërsimit për të formuar një bazë për të drejtat e tyre historike, mbi territoret ku ata kishin jetuar. Zgjedhja e dytë për shqiptarët ishte të arrinin pjekurinë e tyre për të demonstruar se ishin në gjendje të qeverisnin një komunitet politik. Kjo mund të sigurohej me çlirimin kulturor, nëpërmjet edukimit intelektual, për t’i hapur rrugën një platforme politike.

Në Perandorinë Osmane, si në të gjitha vendet në modernizim të shekullit të 19-të, zhvillimet politike shfaqen si një proces i ndërthurur me zhvillimet në fushën kulturore. Lëvizja kombëtare shqiptare filloi si lëvizje kulturore në fushën e arsimit. Fakti që shqiptarët morën një iniciativë laike në fushën e nacionalizmit dhe pranuan herët shkronjat latine, dhe se ata adoptuan këtë metodë për bashkimin e njerëzve të feve dhe sekteve të ndryshme, përbën një fazë interesante të historisë ballkanike.

Shekulli XIX është epoka e zgjimit kulturor të shqiptarëve. Pas treqind vjetësh robërie të rëndë dhe padije të thellë, që i kishte shpurë në prag të zhbërjes si komb i veçantë, bota shqiptare nisi të lëvizte. Si kudo, lëvizja kombëtare shqiptare u shoqërua me një periudhë zgjimi kulturor. Me mungesën e një feje të përbashkët apo qendre gjeografike, gjuha mbeti lidhja kryesore mes shqiptarëve. Krahas rezistencës kundër reformave të Tanzimatit, që u hiqte shqiptarëve të drejtat autonomiste që gëzonin, në këtë periudhë lindi dhe u zhvillua Rilindja Kombëtare. Mund të mos jetë thjesht rastësi që, në të njëjtën periudhë me reagimin kundër reformave, u hodhën hapat e parë të ndërgjegjshëm drejt zhvillimit të arsimit dhe kulturës shqiptare.

Në vitet ‘50 të shekullit XIX e më pas, përpjekjet e shqiptarëve brenda atdheut u bashkuan me veprimtarinë e madhe e të gjithanshme të atdhetarëve në mërgim, të cilët po organizoheshin në shoqëri atdhetare, arsimore e kulturore, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për përhapjen e mësimit shqip, për botimin e teksteve shkollore etj. Bashkatdhetarët në mërgim u vunë në shërbim të luftës për liri, të gjuhës shqipe dhe arsimit kombëtar, me të gjitha mjetet e mundësitë e mbi të gjitha me dëshirën e tyre të zjarrtë. Pas kushtetutës së vitit 1846, dhe si rrjedhojë e dekretit sulltanor, lejohej hapja e shkollave laike shtetërore, çka i hapte dyert fillimit të lëvizjeve për arsim e kulturë. Por, duke qenë se për pjesën myslimane lejohej vetëm përdorimi i alfabetit arab, intelektualët shqiptarë myslimanë të kohës u munduan që edhe përmes këtij alfabeti të përhapnin mësimin e gjuhës shqipe, si mjeti i përparimit dhe i ngritjes kulturore. Ideologët e Rilindjes Kombëtare e kishin kuptuar se pa emancipim kulturor nuk ka as vetëdije kombëtare, kështu që ata zhvilluan një sërë aktivitetesh, ku si synim kryesor kishin zhvillimin e arsimit dhe të shkollës kombëtare.

Lidhja e Prizrenit konsiderohet si një pikë kthese në zhvillimin e nacionalizmit shqiptar, pasi ajo përfaqësoi ekspozimin e parë publik të nacionalizmit shqiptar, si dhe pikën e tij të transformimit nga një lëvizje kulturore në një lëvizje politike. Ndonëse problemet politike, ushtarake dhe diplomatike patën përparësi në veprimtarinë e Lidhjes së Prizrenit, ajo nuk i la pas dore problemet e arsimit dhe të cultures, si dhe hartoi një platformë të gjerë të zhvillimit kulturor të vendit. Programi kulturor që parashtroi dhe mbrojti Lidhja e Prizrenit parashikonte: “Njohjen zyrtare të gjuhës shqipe dhe përdorimin e përgjithshëm brenda kufijve territorial të shtrirjes së kombit, në administratë, arsim e kulturë. Roli i Lidhjes Shqiptare në planin kulturor qëndron, para së gjithash, në hartimin prej saj të programit të zhvillimit të arsimit kombëtar, që ishte pjesa organike, e pandarë e programit të autonomisë territoriale administrative. Programi që parashtroi Lidhja Shqiptare parashikonte njohjen zyrtare të gjuhës shqipe në përdorim të përgjithshëm brenda kufijve territorialë të shtrirjes së kombit, në sistemin administrativ, në kulturë dhe në të gjithë sistemin ekzistues arsimor.

Në fillim të shekullit XX, intelektualët e Rilindjes Shqiptare kishin përcaktuar një perspektivë të re arsimore për ndërtimin e një kombi të lirë, përmes theksimit të aspekteve kryesore shoqërore dhe kulturore të shoqërisë shqiptare. Dëshirat e forta të nacionalistëve shqiptarë për të patur shqipen si gjuhën e arsimit nuk u pranuan nga shteti osman, me gjithë qasjen e butë në fillim. Duke e konsideruar këtë kërkesë si një mjet të separatizmit, administrata osmane këmbënguli në përdorimin e turqishtes si gjuhë mësimi në shkolla.

Sukseset e arritura në zhvillimin e arsimit shqip, pas revolucionit xhonturk, i shqetësoi së tepërmi turqit e rinj, të cilët përdorën kundër arsimit shqip çdo mjet, që nga shfrytëzimi i ndjenjave fetare dhe intrigat e deri te dhuna e drejtëpërdrejtë. Siç shprehet një diplomat italian “dëshira e shqiptarëve për dituri e arsim dhe kërkesa e tyre e ligjshme për të mësuar në gjuhën amtare u quajt nga Komiteti xhonturk si një prirje seperatiste dhe u vu në shënjestër nga ana e tij”. Në fillim, pa dalur ende hapur kundër arsimit shqiptar, turqit e rinj vunë në veprim klerin konservator dhe elementët fenatikë e turkomanë, për t’i larguar shqiptarët myslimanë nga mësimi shqip, duke përdorur parulla me karakter fetar, shoqëror e politik si: “Shqipja të ban kaurr …të ban me shemb teqe e xhamia, me lon kuranin, agjinesën” etj. Gjithashtu përhapeshin fjalë se “përkrahësit e mësimit shqip ishin kundër interesave shtetërore osmane dhe u shërbenin shteteve të huaja, sidomos Austro-Hungarisë dhe Italisë.

Pasi ndalimi i shkollimit shqip, në kushtet e regjimit kushtetues xhonturk, dukej si i pamundur, një nga mjetet kryesore që përdorën xhonturqit, për të penguar përhapjen e mësimit e të shkollës shqipe, ishte propagandimi i shkrimit të gjuhës shqipe me alfabetin turko arab, që përdorej edhe për gjuhën osmane. Në fushatën e tyre antishqiptare xhonturqit mbështeteshin në ligjet “Mbi bandat” dhe “Mbi shoqëritë”, të miratuara nga parlamenti turk, në vjeshtën e vitit 1909, sipas të cilëve në Perandorinë Osmane ndaloheshin të gjitha organizatat kombëtare, përveç atyre osmane. Në zbatim të këtyre ligjeve, autoritet xhonturke filluan me arrestime, internime e transferime patriotësh shqiptarë dhe pastaj vazhduan me mbyllje klubesh e shkollash shqipe.

Në fillim të shtatorit të vitit 1909, kur po zhvillohej ekspeditat ushtarake e Xhavit Pashës për “paqësimin” e shqiptarëve, filloi dhe fushata kundër shkollës shqipe dhe alfabetit kombëtar. Shtypja e kryengritjes shqiptare të Kosovës, në vitin 1910, u pasua me luftën kundër kulturës dhe gjuhës shqipe, me pretekstin se ishin “vatra të revoltës” dhe me burgosjen e ndalimin e botuesve, redaktorëve dhe gazetarëve të gazetave shqipe. Në vitin 1911, Shqipëria dëshmoi shfaqjen e një gjuhe nacionaliste në very, nën ndikimin e jugut, duke paraqitur kërkesa për njohjen e shqipes si gjuhë amtare dhe zyrtare, së bashku me kërkesat për autonomi të katër vilajeteve, në një vilajet të bashkuar, me një guvernator shqiptar. Edhe gjatë zhvillimit të kryengritjes shqiptare të vitit 1912, u paraqitën kërkesa në lidhje me arsimin dhe shkollën shqipe. Kërkesa të tilla u shprehën nga kryengritësit e Malësisë së Gjakovës, Hasit, Mitrovicës, Dibrës, Junikut etj.

Përmes betejës për gjuhën shqipe dhe zhvillimin e arsimit kombëtar shqip, rilindasit shqiptarë siguruan tejkalimin e ndarjeve fetare dhe krahinore dhe u mobilizuan për fitimin e të drejtave kombëtare, duke i kthyer shkollat në gjuhën shqipe në simbole të kombësisë te shqiptarët.

Filed Under: Sociale

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 49
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT