• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2025

Ndre Mjedja, të shprehunit poetik të bukurisë…

August 1, 2025 by s p

Viola Isufaj/

Te “Të shprehunit poetik të bukurisë”, poeti, besojmë, më klasik shqiptar i të gjitha kohërave, Ndre Mjedja, shkroi: poesia e shfaq me t’shprehun, e jo sido, po me njât’ të shprehun, qi i del prej tugës së zemrës e prej fuqis’ së perfytyrimit. Mjedja do të shkonte më tej kur të flitej për atë çka duhet të kërkojë poezia:…të zgjedhi sendet ma te bukra, ma te ndershme, ma te shieshme, por edhe qi ma fort të përkojnë me arsye e kto do të shfaqi ne vjershí të vet…

Mjeda është përfaqësuesi më i lartë i estetikës së kulluar dhe mendimit të thellë poetik. Poezia e tij është ndërtuar mbi një vetëdije të rrallë për harmoninë formale, për finesën tingullore dhe dendurinë konceptuale. Pak poetë shqiptarë të kohës së tij arritën – një mjeshtëri të tillë që vjen jo vetëm nga talenti, por edhe nga një punë këmbëngulëse mbi gjuhën si substancë e vyeshme dhe e mistershme artistike, si tingull.

Në lirikën mjedjane pulson një ndjeshmëri që shkon përtej teologjisë: është poeti që i flet vetes në heshtje, që vë në pikëpyetje kuptimin e ekzistencës, që ballafaqon jetën me vdekjen jo aq si fate biologjike, sesa si përvoja metafizike. Këtu, vetmia s’është thjesht gjendje emocionale, por edhe një terren kërkimi për të vërtetën dhe kuptimin. Tek Andrra e jetës dhe në shumë nga vargjet e tij, Mjeda s’është vetëm poet i shpirtit të thellë, por edhe i ëndrrës së jetës si koncept estetik dhe etik. Poezia e Mjedës është një përpjekje për të artikuluar eksperienca universale — dhimbjen, vetminë, vdekjen, shpresën — me një ndjeshmëri të lartë etike dhe estetike. Ai lexon botën dhe veten njëkohësisht, dhe na mëson një mënyrë të thelluar të të kuptuarit të njeriut.

Poezia e tij nuk është vetëm personale, ajo bart një kujtesë kombëtare. Mjeda ndërton një galeri figurash emblemë për identitetin shqiptar: nënën si arketip të jetës, Skënderbeun si mit të qëndresës, shqipen si simbol të shpirtit kolektiv. Ai e ngre lirikën në një akt themelimi identitar.

I cilësuar lirik klasik, Ndre Mjedja përmes sintezës së mendimit dhe ndjesive, shpërfaq një lloj qasjeje, mund të themi, moderne ndaj qenies, ndaj gjuhës e formës. Është klasik në kuptimin e përjetësisë së vlerës por modern në ndjeshmërinë dhe mënyrën me të cilën shpalos të përjetshmen.

Mjeda nuk e kupton kombëtarizmin thjesht si thirrje politike, por si projekt arsimor, etik dhe shpirtëror. Ai është një Mësues me pasion, një gjuhëtar me horizont europian dhe një intelektual që i shërben kombit jo përmes retorikës, por përmes veprës.

Si përkthyes i Virgjilit, Horacit, Racines, dhe si stilist i rrallë i shqipes, Mjeda shtron themelet e një shqipe letrare të nivelit europian. Kontributi i tij si gjuhëtar dhe ai në poetikë shkrijnë gjuhën dhe artin në një akt të vetëm themeltar.

Jeta dhe formimi i Mjedës përfshin shumë vende e kultura — Shkodër, Francë, Spanjë, Itali, Poloni — dhe kjo prani në horizonte të ndryshme kulturore i jep poezisë së tij një dimension të jashtëzakonshëm ndërkulturor. Ai sjell në gjuhën shqipe mençuri nga botët ku ka kaluar.

Mjedja, ndonëse shpesh i quajtur neoklasik apo romantik, i shmanget respektimit të rreptë të çdo modeli letrar. Ai përvetëson format, por shpesh edhe i thyen ato në funksion të një tensioni të brendshëm poetik. Ky mospajtim me konvencionin e bën krijimtarinë e tij thellësisht individuale dhe të papërsëritshme. Veprat si Andrra e jetës apo Vaji i bylbylit mbajnë brenda një grishje për interpretim dhe gjithmonë një pasiguri të domethënies, një hendek ku pyetjet mbeten të hapura dhe ku përjetimi nuk shteron në shpjegim.

Mjeda nuk përdor simbole për zbukurim apo për të konfirmuar kuptime të parapërcaktuara por për të shënjuar tensione, mungesa, shpërthime të papritura semantike. Situatat simbolike, jo elementët e traditës, janë ato që e ushqejnë ligjërimin e tij poetik. Ai shmang çdo formë didaktike apo përshkrimore. Natyra nuk është as objekt përshkrimi realist, as sfond dekorativ, por mbart sinjale të domethënieve të brendshme, shpesh të paartikuluara në mënyrë të drejtpërdrejtë. Vëmendja ndaj detajit është selektive, pothuaj profetike: një metaforë e ndryshimit jetësor, e përmbysjes së qetësisë. Mjeda sidomos te kryevepra e tij përdor aluzione ndaj erotikes, por jo në mënyrë të hapur, as në kuptimin sentimental, por si ngjarje e pashmangshme e jetës, që paralajmërohet nga vetë poezia përmes simboleve të përzgjedhura me kujdes. Këto shenja e afrojnë me poetët modernë të Europës Jugore, sidomos me poetët italianë të kohës. Në vargun e Mjedës ndihen rezonanca të poetëve të mëdhenj italianë të kohës — si për nga struktura metrikore, ashtu edhe nga figuracioni, muzikaliteti dhe ngarkesa kulturore që bartin simbolet e përdorura.

Vargjet e tij janë tërësi kuptimore: atyre nuk mund t’u hiqet e shtohet asnjë rrokje, shkronjë, presje a pikëpresje pa prishur balancën semantike dhe ritmike. Figura poetike vjen befas, me kthjelltësi të rrallë dhe me përqendrim të madh konceptual, larg sentimentalizmit të romantikëve apo rrëfimit të shtrirë të realistëve. Stilizimi duket në mënyrën e lidhjes së frazës, mirëpo, figura e tij në varg, ndryshe nga figura e romantikëve, është e beftë, e papritur dhe shumë e kthjellët. Kurrë më parë në letrat shqipe nuk janë përdorur lidhje figurative të këtij kalibri.

Për Mjedën, mitet, figurat e historisë dhe gojëdhënat nuk kanë funksionin për të ngjallur ndjenja patetike. Mitet, simbolet, gojëdhënat historike nuk e kanë karakteristikë evokimin kuptimor sesa stilizimin. Ato shfaqen si struktura të koduara në tekstin poetik dhe pësojnë një proces stilizimi që i vendos në kohë përtej kohës, në një kohë poetike të përhershme.

Nga të gjitha këto, e përtej, mendojmë se deshifrojmë:

Në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë me Mjedën, në letërsinë shqipe, po njoftohet për të parën herë modernizmi.

Filed Under: Opinion

Mirë se erdhe në shtëpi, Dua!

August 1, 2025 by s p

Vjosa Osmani/

Nder i veçantë që sot, me dekret presidencial, t’ia jap shtetësinë e Republikës së Kosovës, Dua Lipës, një prej personaliteteve më të rëndësishme kulturore dhe artistike në historinë e vendit tonë.

Dua dhe Kosova kanë qenë gjithmonë të pandashme. Ajo ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga zërat më të fuqishëm në skenat më të mëdha të botës, duke bërë histori me të arriturat e saj dhe duke u shndërruar në inspirim për miliona njerëz anekënd globit. Mirënjohja jonë është e pafund për gjithçka që Dua ka bërë dhe vazhdon të bëjë për Kosovën, për rininë tonë, për artin tonë dhe për imazhin ndërkombëtar të vendit tonë.

Dua, Kosova është gjithmonë krenare me ty!

Filed Under: Politike

“PISHTARI I DEMOKRACISË” KRISTO LUARASI NDEROI KOLONJËN DHE NDRIÇOI SHQIPËRINË

August 1, 2025 by s p

Shpendi Topollaj/

Edhe sikur me rezerva ta pranonim teorinë e Çezare Lombrozos, përsëri nuk do të vinim aspak në dyshim se te figura imponuese e Kristo Luarasit, fytyra e pastër burrërore, me ata sytë e zjarrtë që lëshonin shkëndija, do të mjaftonte për të na bindur se ndodhemi para një njeriu të shquar, ku kultura e lartë dhe atdhetaria prej rilindasi të vërtetë, janë tiparet themelore të tij. Është një çudi ngazëlluese fakti se shumica e intelektualëve shqiptarë të asaj kohe, mes tyre dhe ata kolonjarë, për të mos thënë, sidomos ata kolonjarë, edhe pse nuk kishin dëgjuar për devizën e Jorgo Luis Borgesit se “Të jetosh nuk është e rëndësishme, të lexosh dhe të shkruash po”, përsëri, përhapjes së shkrimit dhe këndimit të gjuhës shqipe i kushtuan gjithë forcat e trupit, mendjes dhe shpirtit të tyre. Ishte një moment i vështirë historik që edhe pse të parët tanë, sipas Karl Treimerit ishin krijuesit e kulturës së karakterit të lartë evropian, përsëri, siç shprehej akademiku Antonio Baldacci “Evropa plakë ka shtrënguar në dorën e saj degën e fundit të mbetur gjallë të atij trungu ilir që na ka mbërritur trashëgim nga prehistoria: shteti shqiptar po del në dritën e diellit pas më shumë se dymijë vjet braktisje… kur shfaqet në horizontin diplomatik pavarësia e Shqipërisë, shtypi i të bashkuarve në koalicion mohoi ekzistencën e popullit shqiptar, dhe kur iu kthye realitetit e konsideroi një popull banditësh me cilësi më të këqija që mund të imagjinohen.

Ky shtyp vuri në qarkullim epigramin e mësuesit që pyeti nxënësin se cilët janë kufijtë e Shqipërisë, ku nxënësi u përgjigj se do të pyeste fuqitë e mëdha.” E si mund të rrinte sehirxhi para kësaj rrëmuje delikate dhe plot me të papritura për të ardhmen e kombit, Kristua, nxënësi i mençur i Petro Ninit në Hotovë që kishte hapur më 1887 në Ersekë, njësoj si në Korçë, pra në të njëjtin vit, shkollën e parë shqipe dhe po ashtu, nxënësi i Nikolla Naços në Bukuresht? Tani që mes të rreziqesh të mëdha që kishin kushtuar edhe jetë njerëzish, shkronjat pak e nga pak po hynin në ndërgjegjen dhe mendjen e popullit, eruditi Kristo Luarasi, alias Kristo Papa Stefan Kici e kuptoi nga të parët rëndësinë e fjalëve të ithtarit të Lukrecit, Senekës e Plutarkut, Michel de Montaigne se “Është e mundshme që prej dijes së të tjerëve të bëhemi të dijshëm. Të mençur bëhemi vetëm përmes vetes”, ndaj iu fut një pune mjaft të mundimshme për të ngritur atë shtypshkronjën legjendare “Mbrothësia” të cilën pas vdekjes së tij, më 8 korrik të vitit 1934, i biri, Theodhori e pagëzoi aq bukur “Kristo Luarasi”. Sot, kur vetëm në Tiranë ushtrojnë veprimtarinë e tyre dhjetra e dhjetra shtëpi botuese e shtypshkronja, prej nga dalin libra gjithfarësh dhe jashtë çdo vigjilence të mbrapshtë, kur kompjuterat, celularët, radiot, televizorët, telefonat, rrugët e automjetet kanë mbuluar vendin, brezi i ri as që mund ta përfytyrojë se çfarë heroizmi mbante brenda vetes lufta për fjalën e lirë apo shpërndarjen e kulturës. Dhe këtë luftë epike, ku kultura konvertohej në dashuri për atdheun dhe ndërgjegjësim për t`i dalë zot atij, Kristo Luarasi me shokë e fituan, duke e mbuluar veten me lavdi.

Kanë folur për heshtjen mizore e diabolike të diktaturës komuniste ndaj veprës së këtij luftëtari të dijes, për të cilin kolonjari tjetër, publiçisti dhe demokrati i shquar, bashkëpunëtori i tij Shahin Kolonja ka thënë se “Kontributi i Kristos për çështjen shqiptare është më i vlefshëm se kontributi i të gjithë emigrantëve së bashku.” E pra, tani më shumë se kurrë është momenti që ta lartësojmë figurën e atij që kudo që shkoi, në Bukuresht, në Sofje, në Selanik apo në Tiranë e merrte shtypshkronjën me vete. Atë që ua solli të freskëta fjalët dhe veprat e Frashërllinjve, De Radës, Naun Veqilharxhit, Athanas Tashkos, Fan Nolit, Hil Mosit, Bajo Topullit, Mihal Gramenos, Mehdi Frashërit, Sterio Spases, Haki Stërmillit, Milto Sotir Gurrës me shokë te gazetat e tij “Kalendari kombiar” (“Ditërëfenjësi’) së bashku me Kosta Trebickën, “L`independence albanaise”, “Lirija”, “Dituria”, “Drita”, “Lajmëtari”, “Liri e Shqipërisë”. Atë që nuk pa asnjëherë ndasi fetare a krahinore mes shqiptarësh. Atë që me zgjuarsi zgjodhi të botojë kryevepra nga letërsia përparimtare botërore të autorëve emërmëdhenj si Hygo, Balzak, Duma, De Foe, Dode, Tolstoi etj. Atë për të cilin u tha kur mbylli sytë se “përhapi fjalën e drejtë, mbolli farën e mirë, jo vetëm në Shqipëri, por tekdo që gjendej një shqiptar, në të gjithë qytetet e të gjerës Imperatori Otomane, në viset e largëta të të dy Amerikave, gjer në çipat e ngrirë të Siberisë e në shkretëtira të përvëluara të Afrikës.” (M. Frashëri).

Atë, të cilin e deshën edhe ata që nuk e patën takuar ndonjëherë. S`duhet harruar dhe vazhdimi i punës nga djali i tij Theodhori dhe gruaja e nderuar Polikseni që ashtu si bija mitologjike e Priamit dhe Hekubës që i qëndroi besnike Akilit dhe qytetit të saj Trojës, iu përkushtua me aq pasion asaj shtypshkronje që u shtetëzua nga komunistët fill pas çlirimit. Ndaj, kam bindjen se nderimi më i madh që u bëhet atyre është botimi aq luksoz i Kalendarit, nderim që i bëhet edhe vetë historisë dhe kulturës tonë. Njëkohësisht ai sikur na kujton apelin e mikut të shquar të shqiptarëve, Justin Godart që në kohën e Kristo Luarasit i drejtohej qeverisë së tij: “Vendi ynë, pa asnjë ngurrim ose mëdyshje, duhet t`i japë vendosmërisht të gjithë përkrahjen Shqipërisë… Nëse do të duam, Shqipëria do të jetë në Ballkan një element stabiliteti dhe përparimi… Është një vend i nderit, i miqësisë dhe i besnikërisë ndaj zotimeve që merr.” Ja, për këtë u përpoq me të gjitha forcat kolonjari i pavdekshëm Kristo Luarasi, “Pishtari i Demokracisë” që nderoi Kolonjën dhe ndriçoi tërë Shqipërinë.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 48
  • 49
  • 50

Artikujt e fundit

  • One Nation. One Language. One Flag
  • KU JANË SOT BURRAT E KUVENDIT — NGA LIDHJA E PRIZRENIT TE ZËRI I RINISË SOT: NJË THIRRJE PËR BASHKIM E BASHKPUNIM NË HAPËSIRËN SHQIPTARE
  • DELIRANTËT, SHARLATANËT DHE HONXHO-BONXHOT
  • Albania at a Crossroads: The Voice of a New Generation
  • “Gjenerali” i fasadave…
  • Kushtrimi i Lidhjes së Prizrenit…
  • Festivali i Shkollave Shqipe “Alba Life” kurorëzoi me plot sukses vitin akademik 2025-2026
  • George Orwell, “Nineteen Eighty-Four”
  • STUDENT MOVEMENT – ALBANIA 2035 MOVEMENT
  • Festivali Shqiptar në Waterbury solli dy ditë krenarie, tradite dhe bashkimi komunitar
  • Shqiptarët e Amerikës protestuan në New York kundër korrupsionit, vjedhjes, babëzisë, qeverisë…
  • Gjykatësi Federal rrëzon vendimet e Administratës Trump për ndalimim e udhëtimit drejt SHBA-ve për qytetarë të 39 vendeve të botës
  • KOSOVA, ASNJË KOMPROMIS MBI SHTETËSINË PA NJOHJE TË PLOTË NGA SERBIA DHE GARANCI TË PAKTHYESHME PËR ULËSEN NË ORGANIZATËN E KOMBEVE TË BASHKUARA
  • Hetim dhe mbrojtje të pasurive publike në Shqipëri
  • BEYOND THE NOISE: TO WHOM SHOULD ALBANIANS LISTEN?

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT