• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2026

Gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra, por stresi i jep krahë: Pse biem pre e gënjeshtrave?

March 17, 2026 by s p

Nga Fatjona R. Lubonja Ed.D

(Edukim, Neuroshkencë & Shëndet)/

Populli ynë thotë se njeriu i shpejtuar është i gabuar dhe ky udhëzim gjen shpjegim të plotë në neuroshkencë. Kur ndodhemi përballë një mashtrimi që kërkon veprim të menjëhershëm, si për

shembull një telefonatë ku na thonë se duhet të paguajmë një gjobë urgjente, ne biem pre e asaj që shkenca e quan rrëmbim neurologjik. Në këto momente, urtësia popullore se gënjeshtra

i ka këmbët e shkurtra duket se nuk mjafton, sepse stresi na e lidh gjykimin dhe na bën të besojmë edhe gjërat më të pabesueshme.

Sipas studimeve situatat që na vënë nën presionin e kohës shkaktojnë një rritje të kortizolit (Dickerson & Kemeny, 2004). Paaftësia për të dalluar një gënjeshtër nuk është një e metë

karakteri, por një përgjigje biologjike e parashikueshme ndaj rrëmbimit neurologjik.

Kur jemi në vështirësi apo gjendje stresi, truri ynë instinktivisht kërkon dikë ku të mbështetet, një lloj prirjeje për të gjetur mikun në ditë të vështirë. Në këtë pikë, truri fillon të besojë te manipuluesi apo gënjeshtra, jo sepse është naiv, por sepse kimikisht po kërkon një aleat për të ulur ankthin. Për më tepër, ndërsa stresi na bën shumë të ndjeshëm ndaj kërcënimeve fizike, zbeh ndjeshëm

aftësinë tonë për të dalluar mashtrimin social (Spreng et al., 2016). Në fund të ditës, manipuluesi nuk ka fituar sepse është më i zgjuar, por sepse ka arritur të çaktivizojë përkohësisht sistemin tuaj të alarmit. Duke kuptuar këtë mekanizëm, ne mund të mësojmë të

ndalojmë, të marrim frymë dhe t’i japim kohë trurit tonë logjik që të kthehet në punë përpara se të bëjmë lëvizjen e gabuar. Prandaj, kur ndjeni se dikush po ju nxiton dhe po ju shton ankthin,

kujtoni se mendja e turbullt nuk sheh qartë.

Duke marrë pak kohë për t’u qetësuar, ju lejoni që mjegulla e kortizolit të largohet dhe t’i ktheheni qartësisë (Akinola, M., & Mendes, W. B., 2012). Si të “rindizni” trurin tuaj logjik në disa hapa? Kur ndjeni stres apo panik, mos merrni asnjë vendim të menjëhershëm. Trurit i duhen të paktën një minutë e gjysmë të normalizojë kortizolin (Taylor, J. B., 2008; 2023). Thjesht thoni: “Më duhen dy minuta kohë,” dhe largohuni nga biseda. Gjithashtu, mundohuni të aktivizoni shqisat duke u përqëndruar te ambienti rreth jush, për shembull, numëroni pesë objekte me ngjyrë të kaltër në dhomë, ose prekni diçka të ftohtë. Kjo ndihmon në zgjerimin dhe riorientimin e vëmendjes duke e bërë më të lehtë dallimin e dyshimeve.

Fatjona R. Lubonja Ed.D është studiuese dhe autore e shumë shkrimeve. Ka studiuar Neuroshkencë, Edukim dhe Shkencat e Shëndetit në Columbia University, New York dhe është specializuar në Universitetin e Harvardit, MA, USA #fatjonalubonja

Filed Under: ESSE

Shuhet lahutari rugovas Rrustem Bajrami-Imeraliaj, 1932-2026

March 17, 2026 by s p

Prof.Dr. Zymer Ujkan Neziri

Lahutari rugovas, Rrustem Bajrami, i vëllazërisë së madhe Nikçi, vdiq në moshën 94-vjeçare. Lahutën, që i ra rreth 80 vjet pa u ndalur, sidomos në kohën e robërisë, ua la pasardhësve. Ishte i lindur në katundin Shtupeq i Madh, Rugovë, në lagjen Imeraliaj, më 1932. Rrjedh prej një familjeje të madhe e të njohur dhe me lahutarë ndër pesë breza. Edhe i ati i tij, Bajram Rrustemi, ishte lahutar. Lahutar ishte edhe gjyshi i tij, Rrustem Bajri, martir, që u vra mizorisht nga kriminelë të Malit të Zi, 70 vjeç, më 1930. Brezat vijues të kësaj familjeje po e vazhdojnë traditën. Edhe i biri, Sylë Rrustemi, është lahutar, po edhe i biri i të birit, Gani Syla, është lahutar, që janë po ashtu në projektin e dosjes Eposi i Kreshnikëve,  për UNESCO.

Rrustemi nuk ka qenë në shkollë. Këngët i mësoi nga i ati dhe të tjerët. I lavdëronte lahutarët shtupeqas, Metë Rrustemi-Nilaj dhe Eles Mahmuti-Ibërdemaj. Lahutës i ka rënë në Rugovë e në Rrafsh të Dukagjinit. –“Me ra n’flakë t’barutit, nuk t’rrudhet syni mas kang’s  lahut’s’’. Ashtu më tha, më 8 gusht 1986, në Frashën, në familjen e tij shumë mikpritëse, kur tërë natën këndoi dhe i ra lahutës derisa doli drita. Aty isha për incizim me magnetofon, me shoqëruesin e pandarë në terren, me nipashin Zymer Syla i Sylë Mehmetit, në kuadër të realizimit të projektit tim “Epika legjendare e Rugovës”, 1979-1988, që ka pesëmbëdhjetë vëllime me mbi njëqind mijë vargje.

Rrustem Bajrami ishte anëtar shumëvjeçar i ansamblit folklorik autokton “Rugova,” pasuri monumentale e trashëgimisë sonë kulturore. Për nga pamja dhe veshja rugovisht ishte  ndër lahutarët më epikë të Rugovës. Kishte fuqi kreshniku. Si kreshnik i binte edhe lahutës dhe këndonte për kreshnikët. Ka marrë pjesë në shumë festivale dhe në manifestime brenda e jashtë vendit, me ansamblin “Rugova.”

Për repertorin e tij të kreshnikëve ka pasur interesim nga disa mbledhës. Ka një këngë të botuar në Tiranë, në Institutin e Kulturës Popullore, më 1983, Muji msyn kullat e Mehmet Agës, 1979, mbledhës Agron Xhagolli. Ka edhe një motërzim të kësaj kënge, me titull Muja m’syn kullat e Mehmet Agës, e mbledhur nga Sadri Fetiu, që ruhet në Arkivin e Institutit Albanologjik të Prishtinës.

Këngët e Rrustemit të Eposit të Kreshnikëve, që i incizova në gusht 1986, në Shtupeq të Madh, janë shtatë: Ali Bajraktari, Deli Rizvan Aga, Muja e Halili zëhen ropë, Tridhet’ ag i liron Halili, Arrnaut Osmani, Gjelina e Bardhë, Paun Harambashi. Këngët e tij do të botohen në librin me këtë titull: Zymer Ujkan Neziri, Epika legjendare e Rugovës, këngë të  kreshnikëve dhe ba­la­da, lahutariRrustem Bajrami- Imeraliaj.

Rrustem Bajrami-Imeraliaj vdiq më 2 mars 2026, në Prishtinë. Varrimi i tij u bë në varrezat e katundit Dardan (Zllapek) të Pejës, të nesërmen, më 3 mars, kurse e pamja për kryeshëndosh u mbajt në Pejë. Na la të pikëlluar dhe e la thatë vendin e nderit që kishte ndër lahutarët e Rugovës dhe të Shqipërisë së Veriut.

Filed Under: Kulture

PËKUSHTIM XHEVAT KORҪËS

March 16, 2026 by s p

Screenshot

Nga Eugjen Merlika/

“Këtë vëllim me analiza, shkrime si edhe konsiderata, të gërshetuara edhe me kujtime në person të parë, ia kushtoj t’im Eti të ndjerë. Endjej detyrim moral ndaj Tij këtë përkushtim sepse, ndonëse Ai ia përkushtoi të gjithë jetën Atdheut të Tij, të cilin e deshi më shumë se edhe familjen e tij, përgjatë diktaturës u cilësua tradhëtar i vendit e vetëm tradhëtar.

Kur festoheshin përvjetorë të Gjimnazit të Shkodrës, televizioni shqiptar jepte fotografinë e trupit mësimor të këtij gjimnazi e cila kishte në qendër të saj një njollë me laps kopjativ me të cilën vërtet maskohej fytyra e themeluesit si dhe drejtorit të parë të këtij gjimnazi, Xhevat Korçës, por edhe kureshtja e shikuesit. Përjashtim bënte fotografia e çetës së Themistokli Gërmenjit, ku 17 vjeçarit Xhevat Korça nuk ia maskonin fytyrën sepse ,,,, nuk e dinin se qe Ai, e kështu çdo 28 Nëndor, ne familjarët e tij, e kishim një kënaqësi tek e shikomim në ekranin televiziv luftëtarin për pavarësi të cilin diktatura e mohonte duke e deformuar historinë siç vazhdohet edhe sot e kësaj dite!

Nga ana tjetër e ndjej detyrim ndaj Tij këtë përkushtim edhe për faktin se shumë ngjarje e rrethana të cilat i kujtoj përgjatë teksteve të shkrimeve, unë i di se janë pasojë e të qënit bir i Tij e kësisoj i kam përjetuar e Ai, që nga Amëshimi, do të më dënonte rëndë në qoftë se unë do t’i deformoja. Orientimi i Tij, busulla e Tij , ishte drejtësia, qoftë edhe në dëmin e Tij!

Prandaj edhe unë i kam hedhur në letër pikëpamjet e mia, kujtimet e mia si edhe konsideratat e mia, i prirur vazhdimisht nga orientimi se si do të më gjykonte im atë!

DËSHMIA E SINQERTË E MËRGIM KORҪËS

Nëse do të ketë ndonjëherë një bilanc të asaj çfarë duhet të ishte shkruar dhe asaj çfarë duhej të ishte fshirë nga letrat shqipe, në raport me Shqipërinë e pesëdhjetë viteve të komunizmit, ky libër do të mbetej. Kam dyshimin e madh se në asnjë vend të bllokut lindor, regjimi nuk ka patur fatin komod që ka patur në Shqipëri. Për komunizmin shqiptar u prodhuan mijra dhe miljona faqe të  shkruara për të mbajtur atë në këmbë dhe thuajse asgjë për t’a ndriçuar errësirën e tij, pas rënies. Shqipëria është thuajse i vetmi vend që nuk ka dokumentuar aksidentin e saj më të madh historik.

Mërgim Korça, i ka skruar këto faqe, me shqetësimin e një qytetari të dorës së parë, për të lënë më bibliotekat tona, dëshmitë e tij. Duke patur fatin të jetë djali i Xhevat Korçës, ai ka mundësinë të sjellë nga afër kujtimin e tij dhe për figurat e anatemuara nga komunizmi dhe sidomos për gjenitë e letrave shqipe, klerikët e mëdhenj shqiptarë, katolikë, bektashianë apo myslimanë si edhe figura të tjera të politikës dhe shtetit shqiptar të viteve 40 – të. Libri i tij  ndryshon nga një libër i zakonshëm kujtimesh edhe pse mbështetet kryesisht mbi kujtesën e tij kulturore, familjare dhe politike, Ai nuk merr përsipër gjithçka. Ai merr përsipër vetëm diçka, që e ka njohur dhe e ka përjetuarpersonalisht dhe familjarisht, Për kërë arsye në këtë libër gjen shkrime që thyejnë tabu për rolin pozitiv të qeverive shqiptare gjatë luftës së Dytë botërore, ashtu si gjen fakte tronditëse për fatin e dia emrave të mëdhenj të historisë shqiptare. Me të njëjtën qetësi për ta vizatuar me ngjyra dëshminë e tij, gjen zhgënjime për miq të indoktrinuar nga komunizmi, ashtu siç gjen vlerësime reale për ish komunistë që e patën mundur që gjatë komunizmit dogmën në raport me shoqërinë. Në këtë aspekt shkrimet e Mërgim Korçës, nuk janë një përpjekje e sforcuar për të paraqitur komunizmin ashtu siç duhet paraqitur, por një përpjekje për të paraqitur atë ashtu siç ishte, me të gjitha nuancat e tij. Dhe këto faqe të bindin për antivlerat e regjimit, më shumë se filmat bardhë e zi apo kujtimet e ngjyrosura, që po e trajtojnë komunizmin si një telenovelë nostalgjikësh.

Mero Baze 

Mërgim Korça

Mërgim Xhevat Korça është inxhiinier mekanik. Ka projektuar dhe zbatuar sisteme origjinale makinerish bujqësore disa dhe unikale në llojin e tyre, Ka mbrojtur studime edhe në fushën e motorëve. Si rezultat  është i laureuar me titullin më të lartë në fushën shkencore;”Punonjës i shquar i Shkencës dhe Teknikës”. Krahas shkencës Mërgimi, i ndikuar nga i ati, ka patur gjithë jetën pasion gjuhën dhe letërsinë. Për pesëdhjetë vite nuk shkroi asnjë rrjesht në kushtet e diktaturës që sundonte në Shqipëri. Mbas rënies së regjimit komunist, emigroi në Sh.B. A,, ku banon edhe sot. Ai u është përkushtuar analizave me karakter historik, duke patur si synim të hedhë dritë mbi të vërteta historike që u shtrembëruan nga ideologjia komuniste, e cila ndërhynte në çdo qelizë të shkencave shoqërore.

Ndër studimet e tij më të rëndësishme janë analizat që u bën personaliteteve madhore intelektuale, fetare si edhe patriote të nëpërkëmbura dhe të përbaltura nga ideologët si edhe kalemxhinjtë e diktaturës komuniste. Vlen të veçohen shkrimet rreth Patër Gjergj Fishtës, hirësisë së tij Baba Rexhepit, Patër Anton Harapit, Peshkopit Iriné Banushit, Hirësisë së tij Imam Vehbi Ismailit, etj. Ka bërë edhe analiza për ngjarje historike si p.sh. Kryengritja  e Malësisë së Madhe e dimrit 1945. Cjithashtu ka edhe shumë shkrime edhe intervista për martirë të Kombit, pa lënë më një anë edhe gjykime të drejt peshuara dhe objektive edhe për kriminelë që dëndur e më dëndur po vazhdojnë e paraqiten si “heronj”.

Shkrimet e tij karakterizohen nga dy veçori:  së pari nga themelet e shëndosha dhe vërtetësitë e fakteve të qëmtuara që ai paraqit. Nga ana tjetër  e shquan paanësia e studjuesit i cili mundohet hap mbas hapi shtegun, përgjatë të cilit e udhëheq lexuesin, t’a shmangë nga mllefet si edhe paragjykimet të cilat, si trashëgimi e diktaturës, e kanë shpërfytyruar historinë e shkruar deri më sot. Në ShBA ka arritur të bëjë pjesë në trupin pedagogjik të Wayne State University.

Filed Under: Sofra Poetike

Shqiptarët në Philadelphia festuan Ditën e Verës

March 16, 2026 by s p

Nga dr. Sadik Elshani/

Dita e Verës është një festë e lashtë pagane që në vazhdimësi është festuar nga shqiptarët. Është një festë e gëzueshme që shënon mbarimin e dimrit dhe ardhjen e ditëve të ngrohta në Shqipëri. Nuk është vetëm një ditë që shënon ndërrimin e stinëve, por është edhe në ditë që sjell shpresë, energi të reja, ngrohtësi, përtrirje, bashkon njerëzit në një atmosferë të gëzueshme e festive. E tillë ishtë dita e shtune, 14 mars, në Philadelphia ku u organizua festimi i Ditëss ë Verës. Këtë vit ndoshta festimii i kësaj ditë ishte edhe më i hareshëm, sepse po vinte pas një dimri të gjatë me ditë shumë të ftohta e plot borë. Shumë bashkatdhetarë të gëzuar ishin tubuar në mjediset e brendshme dhe të jashtme të “Kafe Dajti”. Tryezat ishin të mbushura plot me ushqime tradicionale shqiptare: byrekë, petulla, bakllava, ëmbëlsira të ndryshme.

Kuptohet, Dita e Verës nuk mund të festohet pa ballokumet e famshme të Elbasanit. Ishin të ekspozuara edhe produkte ushqimore:  ullinj e vaj ulliri, reçele pemësh të ndryshme, si dhe produkte artizanale, instrumente popullore. Organizatorët kishin siguruar edhe këndin e lojërave për fëmijë. Zoti Haki Çollaku, dibrani krenar, në një kënd kishte sjellur “Odën dibrane”, ku ishin ekspozuar pamje nga krahina e Dibrës, instrumente popullore të zonës dhe produkte artizanale të asaj ane. Në raste të tilla nuk mungon as kënga e vallja shqiptare. Bashkatdhetarët e gëzuar kaluan së bashku ca çaste të hareshme, të lumtur që tani po na vijnë ditë më të ngrohta me gjithë atë forcën shpërthyese të stinës së pranverës. Festa të tilla e bashkojnë dhe e forcojnë më tepër komunitetin tonë, sjellin energji pozitive – kur festohet së bashku kënaqësia është më e madhe, çastet janë më të lumtura. Në kuadër të këtij manifestimi u organizua edhe një mbrëmje festive me muzikë e ushqime shqiptare.

Kjo veprimtari e bukur e plot hijeshi u organizua fal angazhimit të gazetares e veprimtares së palodhur të komunitetit tonë, zonjës Eva Dori në bashkëpunim me pronarët e “Kafe Dajt”, amviset duararta shqiptare, sipërmarrësit shqiptarë, numri i të cilëve cdo ditë është duke ushtuar. “Kafe Dajti” është një kafe – restorant ku shërbehen kryesisht ushqime tradicionale shqiptare dhe që nga hapja në nëntorin e vitit të 2024 është bërë një pikë mjaft e frekuentuar nga bashkatdhetarët. Është bërë edhe një qendër ku herëpashere organizohen edhe mbrëmje muzikore festa të ndryshme: festimi i Ditës së Shën Valentinit, Festës së Pavarësisë së Kosovës Ditës së Verës, etj. Shumë bashkatdhetarë e shfrytëzojnë këtë lokal për festat e tyre familjhare. Duhen përgëzuar pronarët e këtij lokali për gatishmërinë e tyre për t’i shërbyer komunitetit në forma të ndryshme.

Filed Under: Reportazh

RAKETAT SUPERSONIKE TË SERBISË: SINJAL ALARMI PËR SIGURINË NË BALLKAN

March 16, 2026 by s p


Prof. Dr. Muhamet Racaj
Gjeneral Major në pension


HYRJE


Siguria në Ballkanin Perëndimor mbetet një nga çështjet më të ndjeshme të arkitekturës së sigurisë në Evropë. Rajoni vazhdon të jetë i ndikuar nga zhvillimet gjeopolitike, rivalitetet strategjike dhe proceset e modernizimit ushtarak të shteteve përkatëse. Në këtë kontekst, deklarata e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić, se Serbia ka siguruar raketa supersonike CM-400 nga Kina, ka shkaktuar reagime të menjëhershme në rajon dhe në qarqet euroatlantike të sigurisë.
Reagimi i kryeministrit të Kroacisë, Andrej Plenković, i cili paralajmëroi konsultime me aleatët e NATO-s dhe të Bashkimit Evropian lidhur me këtë zhvillim, dëshmon se kjo lëvizje shihet si një çështje me implikime të drejtpërdrejta për stabilitetin rajonal.
Rritja e kapaciteteve raketore të ushtrisë serbe nuk është një fenomen i izoluar, por pjesë e një strategjie më të gjerë të modernizimit ushtarak dhe të forcimit të fuqisë goditëse në rajon. Në këtë kuadër, analiza e këtyre sistemeve dhe e ndikimit të tyre në sigurinë e Ballkanit, veçanërisht në raport me Kosovën dhe shtetet e tjera të rajonit, paraqet një domosdoshmëri strategjike.
PËRPUNIMI I PËRMBAJTJES
Modernizimi i ushtrisë serbe në vitet e fundit është përqendruar në zhvillimin e kapaciteteve raketore me karakter ofensiv, të cilat mundësojnë goditje në thellësi të territorit të kundërshtarit. Një nga projektet më të rëndësishme në këtë drejtim është sistemi raketor Shumadija/Vila, një platformë moderne vetëlëvizëse e bazuar në kamionë të rëndë me mobilitet të lartë operacional.
Ky sistem përdor raketat balistike Jerina-1, me rreze veprimi deri në rreth 300 kilometra dhe me kokë shpërthyese prej rreth 200–250 kilogramësh. Përmes teknologjisë së navigimit satelitor dhe sistemit inertial të drejtimit, këto raketa janë të afta të godasin me saktësi objektiva strategjikë si bazat ushtarake, aeroportet, depot logjistike dhe infrastrukturën kritike. Në të njëjtën kohë, sistemi përfshin edhe municionin loitering Vila-1, i cili mund të qëndrojë mbi zonën e objektivit për një periudhë të caktuar dhe të kryejë sulme të përsëritura me ngarkesë të konsiderueshme shpërthyese.
Një tjetër element i rëndësishëm i arsenalit raketor serb është sistemi PULS, i prodhuar nga kompania izraelite Elbit Systems. Ky është një sistem modern i shumëfishtë i lëshimit të raketave (MLRS), i aftë të përdorë një gamë të gjerë raketash – nga kalibri 122 mm me rreze rreth 40 kilometra deri te raketat taktike balistike me rreze deri në 300 kilometra, si modeli Predator Hawk. Sistemi karakterizohet nga modulariteti, shpejtësia e reagimit dhe integrimi me sistemet moderne të komandimit dhe kontrollit (C4I).

Një dimension tjetër i rëndësishëm është bashkëpunimi ushtarak i Serbisë me Kinën. Blerja e raketave supersonike CM-400 përfaqëson një rritje të konsiderueshme të kapaciteteve goditëse të ushtrisë serbe. Këto raketa janë projektuar për të goditur objektiva strategjikë me shpejtësi shumë të lartë, gjë që e bën interceptimin e tyre nga sistemet tradicionale të mbrojtjes ajrore shumë më të vështirë.

Karakteristikat taktike dhe teknike të raketës CM-400

Raketa CM-400AKG është një raketë moderne supersonike e zhvilluar nga industria ushtarake kineze. Ajo është projektuar për goditje precize ndaj objektivave tokësorë dhe detarë me rëndësi strategjike.
Nga aspekti teknik, raketa arrin një shpejtësi supersonike prej rreth Mach 4 deri Mach 5, ndërsa rrezja e veprimit varion nga 100 deri në 240 kilometra, në varësi të profilit të fluturimit. Koka luftarake ka peshë rreth 150 deri në 200 kilogramë, me mundësi përdorimi të ngarkesave shpërthyese ose penetrante kundër objektivave të fortifikuara.
Sistemi i drejtimit kombinon navigimin inertial (INS), navigimin satelitor dhe sensorë radarikë ose infra të kuq në fazën finale të goditjes, duke rritur ndjeshëm saktësinë e saj. Për shkak të shpejtësisë së lartë dhe profilit manovrues të fluturimit, kjo raketë konsiderohet një armë shumë e vështirë për t’u neutralizuar nga mbrojtja ajrore tradicionale.

Për pasojë, në analizat bashkëkohore të sigurisë, raketa CM-400 konsiderohet një armë me potencial të lartë ofensiv, e cila mund të përdoret për neutralizimin e bazave ushtarake, sistemeve radarike, infrastrukturës kritike dhe objektivave të rëndësishëm strategjikë.
Kur këto zhvillime analizohen në kontekstin rajonal, bëhet e qartë se Serbia ka krijuar një avantazh të konsiderueshëm në kapacitetet raketore krahasuar me shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, si Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina apo Maqedonia e Veriut. Kjo diferencë krijon një asimetrí strategjike, e cila mund të ndikojë në perceptimin e sigurisë dhe në balancën e fuqisë në rajon.

Në këtë situatë, reagimi i aktorëve ndërkombëtarë është i rëndësishëm për ruajtjen e stabilitetit rajonal. NATO dhe Bashkimi Evropian kanë një rol të veçantë në monitorimin e këtyre zhvillimeve dhe në ruajtjen e balancës strategjike në Ballkan. Për Kosovën, kjo situatë nënkupton nevojën për të vazhduar modernizimin e forcave të saj të sigurisë, për të forcuar bashkëpunimin me NATO-n dhe partnerët strategjikë, si dhe për të zhvilluar kapacitete të avancuara të mbrojtjes ajrore dhe të inteligjencës strategjike.

PËRFUNDIM
Rritja e kapaciteteve raketore të ushtrisë serbe dhe bashkëpunimi i saj ushtarak me Kinën përbëjnë një zhvillim me rëndësi strategjike për sigurinë në Ballkan. Sistemet raketore si Shumadija/Vila, PULS dhe raketat supersonike CM-400 përfaqësojnë armë me karakter të qartë ofensiv, të cilat potencialisht mund të ndikojnë në ekuilibrin ushtarak në rajon.
Megjithatë, stabiliteti i Ballkanit nuk mund të garantohet përmes garës së armatimit. Ai mund të ruhet vetëm përmes forcimit të bashkëpunimit rajonal, transparencës ushtarake dhe rolit të strukturave euroatlantike të sigurisë.
Në këtë drejtim, për Kosovën dhe shtetet e tjera të rajonit mbetet thelbësore forcimi i kapaciteteve mbrojtëse, thellimi i bashkëpunimit me NATO-n dhe zhvillimi i politikave të qëndrueshme të sigurisë. Vetëm përmes një kombinimi të mbrojtjes së fortë, diplomacisë strategjike dhe partneritetit ndërkombëtar mund të garantohet paqja dhe stabiliteti afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Ikja e heshtur e Shqipërisë, kur një komb humbet njerëzit që ndërtojnë të ardhmen
  • Kur Kosova përçahet, Serbia ëndërron rikthimin e së kaluarës
  • Republika e pesë yjeve
  • Shqipëria e Vogël në Bronx: Një Komunitet i formuar nga historia, vështirësia dhe shtëpia
  • TURPI I NJË DEKLARATE QË SFIDON TË VËRTETËN HISTORIKE
  • JEHONA QË ZGJOI NJË QYTET
  • THE TIME TO ACT IS NOW
  • Dinjiteti dhe rrënjët e revolucionit të flamingove
  • LITTLE ALBANIA IN THE BRONX
  • Jared Kushner had better drop out of his Albania project—for his own good
  • Janina e vitit 1897, kryeqyteti i Shqipërisë në perceptimin e shtypit ndërkombëtar
  • REKOMANDIME STRATEGJIKE PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS – FORCIMI I INSTITUCIONEVE, DIPLOMACISË DHE KULTURËS SHTETËRORE TË MIRËNJOHJES
  • ANTHONY ATHANAS, SHQIPTARI QË NDEROI AMERIKËN DHE NUK HARROI KURRË SHQIPËRINË
  • “Malet e ndaluara” të Dino Buxatit…
  • “Shënpoeti” Petrit Ruka

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT