• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2026

MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË

March 31, 2026 by s p

Nga Frank Shkreli/

Një simpozium i cilësuar si “ndërkombëtar”, me temën “Masakra e Tivarit 1945 – E vërteta e fshehur” do të zhvillohet ditën e martë më 31 mars 2026, në Tivar,  Tivar: Simpozium ndërkombëtar për “Masakrën e Tivarit 1945”, thirrje për ndriçimin e së vërtetës historike – Ulqini Online – Lajme nga Ulqini, Ana e Malit, Kraja, Tivari, Tuzi, Plava dhe Gucia, njoftoitre ditë më parë portali Ulqinionline.  Sipas portalit, kjo veprimtari po organizohet në përkujtim të Masakrës së Tivarit, 1945, “ku në pranverën e vitit 1945 u vranë pa gjyq qindra të rinj të paarmatosur, kryesisht shqiptarë, si dhe një numër i konsiderueshëm boshnjakësh”, shton Ulqinionline,duke iu referuar njoftimit zyrtar të organizatorëve të këtij tubimi. Se si e sa “boshnjakë” paskan qenë pjesë e asaj masakre unë nuk e di dhe as nuk kam parë deri më sot ndonjë referencë të besueshme për një konstatim të tillë. Ne e dinim se të masakruarit në Tivar më 1945 kanë qenë të gjithë djelmosha shqiptarë nga Kosova. Por presim që ky simpozium të hedh dritë mbi tezën e “boshnjakëve” të masakruar në Tivar, gjoja së bashku me shqiptarët nga Kosova.  Në këtë ndërkohë, shpresojmë që organizatorët e këtij simpoziumi të mos përhapin dezinformacionpa prova mbi identitetin e të masakruarve,madje pa filluar ende tubimi shkencor.

Qoftë kjo si të jetë – por me këtë shënim modest nuk e kisha në mend që “boshnjakët” të ishin subjekt diskutimi, porvetëm të shënojkëtë rast për të përkujtuar edhe njëherë, ashtu siç kam bërë disa herë në të kaluarën, masakrën e 2-3 mijë djelmoshave shqiptarë në Tivar, në vitin 1945, duke bërë thirrje, njëkohsisht, për ndriçimin e së vërtetës historike për këtë krim kundër njerëzimit, ndër krimet më të mëdha jo vetëm kundër shqiptarëve, por edhe në mbarë rajonin e Ballkanit.

Masakra e Tivarit 1945, një plagë e hapur që kërkon kujtesë dhe ndriçimin e të vërtetës.Ka momente në histori kur detyra më e thjeshtë — të kujtosh — bëhet edhe më e rëndësishmja. Jo për të ushqyer dhimbjen, por për të zbuluardhe për të ruajtur të vërtetën. E tillë është edhe Masakra e Tivarit, një nga ngjarjet më të rënda dhe më pak të trajtuara të historisë kombëtare të shqiptarëve.

Në pranverën e vitit 1945, ndërsa Lufta e Dytë Botërore po i afrohej fundit, mijëra shqiptarë nga Kosova u mobilizuan nga autoritetet jugosllave të luftës dhe u drejtuan në mënyrë të organizuar drejt Tivarit, nepërmjet rrugëve dhe shtigjeve të Shqipërisë së Veriut. Të çarmatosur, të lodhur dhe të mashtruar për fatin që i priste, ata u përballën, me kushte të vështira gjatë rrugëtimit dhenë mbërritje në Tivar, me një tragjedi që do të mbetej për dekada në hijen e historisë. Shumë prej tyre u vranë në rrethana të dhunshme, duke shënuar një nga episodet më të dhimbshme të asaj periudhe dhe një nga ngjarjet më të rënda dhe më pak të trajtuara, të historisë  kombëtare. Si e tillë ajo tragjedi lidhet ngushtë me marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave të kohës dhe me politikën sllavo-komuniste të JosipBroz Tito-s për konsolidimin e kontrollit mbi shqiptarët në Kosovë. Dhe ekzistonte nga frika e komunistëve jugosllavëdhe e regjimit komunist në Tiranë, nga një rezistencë shqiptare anti-komuniste në trojet shqitare. Siç dihet, në historiografinë zyrtare të ish-Jugosllavisë, kjo ngjarje u hesht për dekada. Edhe në Shqipërinë komuniste, e deri në ditët e sotëme të tranzicionit të turpshëm, Tirana zyrtare politike dhe akademike e 35-viteve të fundit, Masakrën e Tivarit e ka   filtruar politikisht, duke e trajtuar atë si një temë për të cilën nuk flitet. Se çfarë fshehin sot autoritetet politike dhe akademike shqiptare në Tiranë dhe në Kosovë për të vërtetën e Masakrës së Tivarit, vetëm ata e dijnë!?

Për dekada me radhë, kjo ngjarje nuk mori vëmendjen që meritonte nga historiografia shqiptare. Rrethanat politike të kohës së komunizmit, ndërtimi i një narrative zyrtare dhe mungesa e një vullneti institucional për ta trajtuar të plotë të vërtetën, bënë që Masakra e Tivarit të mbetej në periferi të kujtesës historike shqiptare. Në vend të një shqyrtimi të hapur dhe të balancuar, mbizotëroi heshtja zyrtare. Dhe me heshtjen, siç ndodhë, gjithëmonë, erdhi edhe harresa.  Megjithatë, kujtesa nuk mund të shuhet plotësisht. Në vitet e mëvonshme, ndonjë studiues, dëshmitarë dhe familjarë të viktimave kanë bërë përpjekje për të sjellë në dritë faktet, për dokumentimin e asak masakre dhe për të ruajtur dinjitetin e atyre që humbën jetën. Këto përpjekjet, ndonëse të pamjaftueshme, përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt një kuptimi më të plotë të historisë shqiptare dhe të Masakrës së Tivarit. Uroj që edhe simpoziumi i ditës së martë në Tivar, të zhvillohet në këtë frymë – që të trajtohet, seriozisht dhe shkencërisht, e vervet e asaj tragjedie. 

Sepse sot, më shumë se 8-dekada më vonë, Masakra e Tivarit mbetet gjithnjë plagë e hapur. Jo vetëm për shkak të dhimbjes që ajo përfaqëson, por edhe për mungesën e një ballafaqimi të plotë institucional dhe historik me këtë ngjarje, qoftë nga Tirana ashtu edhe nga Prishtina zyrtare, sikur ata të shkretë që u vranë në Tivar të mos kishin qenë shqiptarë. Njohja e së vërtetës, në të gjitha dimensionet e saj, nuk është thjesht një detyrim ndaj së kaluarës — është një nevojë për ndërtimin e një të ardhmeje më të drejtë dhe më të ndërgjegjshme mpër shqiptarët. Të kujtosh nuk do të thotë të mbetesh peng i së shkuarës, sado tragjike të jetë ajo. Përkundrazi, është një akt përgjegjësie qytetare dhe historike. Por kujtesa është një mënyrë për të nderuar viktimat dhe për të siguruar që ngjarje të tilla të mos përsëriten më. Sepse një shoqëri që nuk përballet me të kaluarën e saj, sidomos me krimet e rënda, siç është masakra e Tivarit, rrezikon ta përsërisë atë, qoftë fjala për krimet e shtetit shqiptar në komunizëm, qoftë krimet e ish-Jugosllavinë komuniste kundër shqiptarëve anë e mbanë trojeve, nën ish-Jugosllavi, qofshin krimet tyre të përbashkëta të komunist[ve shqiptarë e jugosllavë, sa ishin miq e bashkpuntorë të ngusht të asaj kohe.

Tivari kërkon drejtësi historike. Dhe drejtësia fillon me pranimin e së vërtetës — edhe kur ajo na vë përballë vetvetes. Tirana zyrtare por edhe Prishtina e kanë për detyrë morale e kombtare hapjen e plotë të arkivave dhe një hetim të ndershëm histtorik, përndryshe përgigjja dhe e vërteta mbeten peng. Mos mendoni se heshtja zyrtare dhe mungesa e përgjigjeve për Masakrën e Tivarit do zbeh edhe përgjegjësinë zyrtare sot për ju.   Përkundrazi, e rëndon atë.

Sepse tragjedia nuk mbaron me krimin, por ajo thellohet me heshtjen.Prandaj, kujtesa për Tivarin nuk është vetëm një përkujtim. Ajo është një thirrje edhe për reflektim, për maturi dhe për përkushtim ndaj së vërtetës dhe përgjegjësive zyrtare të shtetit aktual. Sepse ndonjëherë, kujtesa është forma më e qëndrueshme e drejtësisë që kemi.

Sot, Masakra e Tivarit nuk është vetëm çështje historie. Është çështje e vet dinjitetit kombëtar të shqiptarëve. Një komb që nuk kërkon të vërtetën për viktimat e veta gjatë historisë, rrezikon të humbasë jo vetëm kujtesën, por edhe drejtimin për të ardhmen.Nuk kërkohet hakmarrje, jo. Kërkohet zbulimi i së vërtetës.Nuk kërkohet propagandë, por kërkohet drejtësi historike.Se Masakra e Tivarit, nuk është, thjesht, një episod i errët i historisë –por është një krim i pambyllur, një e vërtetë e shtypur dhe një ndërgjegje e paqartësuar kombëtare.Sepse pa e quajtur krimin me emrin e tij të vërtetë, pa e nxjerrë atë nga hija e ideologjisë komuniste dhe frikës, masakra e Tivarit do të mbetet një plagë që nuk shërohet – por vetëm mbulohet.Dhe plagët e mbuluara, herët a vonë, rihapen.

Urojmë që Simpoziumi për “Masakrën e Tivarit 1945”, ditën e martë me 31 mars, 2026 në Tivar, të hedhë në dritë dokumentacione të reja për ndriçimin e së vërtetës historike të asaj tragjedie kombëtare e njerërzore.

Frank Shkreli

Filed Under: Mergata

DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)

March 31, 2026 by s p

Dr. Paulin Marku/

Athanas Gegaj është një figurë e rëndësishme në historinë e Federatës “Vatra” për angazhimin e tij në drejtimin e gazetës “Dielli”. Gjatë periudhës që drejtoi gazetën përpiqej të lartësonte me profesionalizëm linjën editoriale, trajtonte me përkushtim tema historike e kulturore. Editori Athanas Gegaj informonte opinionin publik nëpërmjet gazetës për situatën politike, ekonomike e shoqërore në atdhe. Ai herë pas here shfaqte shqetësime për gjendjen politike në Shqipëri, edhe pse përpiqej të mos e përfshinte shumë gazetën me politikë por pasioni dhe interesi për atdheun e shtynë të shkruante për gjendjen dhe vështirësitë e popullit shqiptar. Athanas Gegaj ishte formuar në perëndim dhe kishte mbrojtur gradën shkencore, doktor shkencash. Ai ishte njohës shumë i mirë i historisë sepse ka kryer studime të thelluara për historinë dhe kishte publikuar në revista e gazeta të ndryshme. Po ashtu, ishte aktiv në organizime e manifestime të ndryshme, patriotike e politike. Dr. Gegaj njihte disa gjuhë të huaja. Këto veçori intelektuale e profesionale e karakterizonin editorin e ardhshëm të gazetës më të vjetër të diasporë, “Dielli”, cili do ta drejtonte për tetë vite (1963-1971) duke u përballur me sfida dhe vështirësi të ndryshme.

Athanas Gegaj ishte një veprimtarë e intelektual i njohur në komunitetin shqiptarë në emigracion, fillimisht në Evropë e pastaj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai kishte qenë aktiv në jetën komunitare shqiptare të diasporës duke u angazhuar në lëvizje të ndryshme patriotike e politike, si: Blloku Indipendent, sekretar e redaktor i gazetës L’AlbanieLibre; organizator në lëvizjen Balli Kombëtar; për pak kohë Komiteti Shqipëria e Lirë, etj…, dhe në shtator të vitit 1963 zgjidhet editor i gazetës “Dielli”. Dr. Gegaj kishte jetuar në Itali deri në vitin 1960, pastaj në Francë qëndroi për dy vite, deri në 1962, dhe pastaj u largua për në Amerikë me ndihmën dhe bashkëpunimit e shqiptarëve të Amerikës, ku fillimisht për pak kohë u angazhua tek “Shqipëria e Lirë” dhe pastaj zgjidhet për të drejtuar gazetën “Dielli”.

Mbledhja e 18 gushtit 1963, e mbajtur në zyrën e “Vatrës” në Boston nga Komisioni Qendror për të zgjedhur kryetarin e Federatës dhe më pas një komision tjetër i përbërë nga KristoThanas, Antoni Athanas, Peter Cikos, Dr. Hamdi Oruci dhe Selaudin Velaj zgjedhën editor të gazetës “Dielli” Dr.Athanas Gegën.

Zgjedhja e tij u bë dhe me pëlqimin e Fan Nolit. Ai e njihte prej kohësh dhe kishte konsideratë për të edhe për faktin se i bashkonte fusha e studimeve për historinë kombëtare dhe se të dy kishin kryer studime të thelluara për heroin kombëtar, Gjergj Kastrioti, Skënderbeun.

Drejtimi i gazetës ishte një sfidë e madhe për pasuesin e Diellit, Qerim Panariti, i cili ishte i vetëdijshëm për përgjegjësinë dhe për sulmet që do t’i vinin nga faktori politik, të nxitura nga qeveria komuniste dhe fabrikimi i akuzave ndaj profilit të editorit të sapo zgjedhur. Pikërisht, ashtu ndodhi siç dr. Athanas Gegaj e kishte parashikuar në shkrimet e tij. Sulmet dhe shantazhet nuk munguan dhe ato ishin të vazhdueshme që nga dita që u zgjodh editor dhe deri në largimin e tij nga gazeta “Dielli”. Sipas dokumenteve arkivore të Vatrës, rezulton se Sigurimi i Shtetit i asaj kohe i kishte ndjekur me përparësi zhvillimet në “Vatër, përfshirë dhe zgjedhjen e editorit të ri në vitin 1963. Gjithashtu, ishte urdhëruar që të mblidhen sa më shpejt materiale për editorin e gazetës “Dielli” Athanas Gega me të dhëna përkatëse, si: gjeneraliteti, kur është larguar nga vendlindja, ku ka studiuar, ku ka qëndruar në emigracion, aktiviteti i tijpatriotik e politik, si dhe kërkohej që të mblidhen sa më shumë informacione për lidhjet e tij.

Dokumenti mbyllet që kërkohej me urgjencë që “të demaskohej figura e tij”, por në fakt qëllimi i propagandës komuniste dhe agjentëve të tyre ishte shantazhimin e opinionin publiki editorit, Dr.Athanas Gegaj.

Dr. Athanas Gega u zgjodh për të drejtuar gazetën “Dielli” falë vlerave intelektuale dhe formimit të tij në aspektin akademik dhe njohurive të gjera në fushën historike e mediatike, si dhe për shkak se ishte njohës i mirë i disa gjuhëve të huaja. Një tjetër arsye që e favorizoi atë për të marrë drejtimin e gazetës ishte edhe fakti se njihej për qëndrimet e tij antikomuniste. Të gjitha këto veçori ishin të rëndësishme dhe thelbësore për të fituar besimin për drejtimin e gazetës “Dielli” sepse duhet thënë se qeveria komuniste shqiptare përpiqej të depërtonte nëpërmjet formave dhe mjeteve të ndryshme në Federatën “Vatra” për peshën dhe rëndësinë që kishin shqiptarët e Amerikës. Dokumentet e kohës vërtetojnë se njerëz të posaçëm informoheshin në mënyrë të vazhdueshme dhe ndiqnin të gjithë veprimtarinë e shqiptarëve të Amerikës, duke i kushtuar vëmendje të veçantë shtypit të kohës.

Në Amerikë ishin krijuar disa grupime antikomuniste, kryesisht emigrantët politik merreshin me propagandë dhe shprehni haptazi qëndrimet e tyre kundër regjimit. Ata kishin arritur të organizonin manifestime e protesta kundër regjimit nëpërmjet klubeve shqiptare, shoqatave e organizatave të ndryshme në Amerikë. Qeveria shqiptare nuk kishte marrëdhënie diplomatike midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë por Tirana zyrtare kishte njerëz të besueshëm në Amerikëqëndiqninaktivitetet e shqiptarëve dhe linjën editoriale të gazetës “Dielli”. Nëpërmjet formave të ndryshme regjimi bënte përpjekje të vazhdueshme për të bërë për vete shumë figura të ndritura shqiptare në Amerikë, si dhe të ushtronte propagandën e saj për të goditur personalitete shqiptare me ndikim të madh në komunitet, përfshirë edhe drejtues të “Vatrës” dhe të “Diellit”, si: Qerim Panariti, Refat Gurrazezi, Athanas Gegaj, Antoni Athanas, etj…

Athanas Gegaj, ishte shumë i angazhuar me mbarëvajtjen e gazetës por krahas punës editoriale ai përpiqej të bashkëpunonte me komunitetin shqiptar në Amerikë për të organizuar dhe forcuar “Vatrën”. Ai udhëtonte herë pas here nga Bostoni për në New York dhe nëpër shtetet përreth, për të organizuar degët e “Vatrës” dhe për të takuar intelektualët shqiptar. Sipas dokumenteve të kohës, evidentohet se ai ishte i përkushtuar në krye të gazetës “Dielli”, dhe kishin konsideratë për editorin dhe e falënderonin dr. Athanas Gegën për punën e tij të palodhur dhe për bashkimin e shqiptarëve pa dallim feje dhe krahine. Por krahas, vlerësimeve dhe konsideratës kishte edhe pakënaqësi ndaj tij, nga dy kategori njerëzish: së pari, sepse ishte kritik ndaj qeverisë komuniste; dhe së dyti, përplasjet midis grupeve në “Vatër” e rendonin pozitën e editorit të gazetës. Ai kishte komunikim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me ish editorin e “Diellit” Rifat Gurazezi, ku kishte këshilla dhe letërkëmbime të vazhdueshme, ndonjëherë me replikat thumbuese midis tyre duke ruajtur një komunikim me ironi dhe humor të hollë.

Në një letër të Athanas Gegës dërguar Rifat Gurazezit, ndër të tjera ai i pohonte se, “nuk më intereson politika por flas e shkruaj për politikë (shoqërore) siç bajshi ju kur e kishit “Diellin” në dorë. Dhe e vijonte letrën e tij duke iu përgjigjur se: “për kuriozitet shfletova numrat kur ishit editor, e ç‘politikë”, duke i dhënë të kuptoj se edhe Gurazezi shkruante për politikë gjatë kohës që drejtonte gazetën.

Por ç‘është e vërteta, Dr. Gegaj, kritikonte politikën e brendshme të qeverisë komuniste dhe e konsideronte politikë shtypëse, ndërsa për mënyrën e bërjes së politikës së jashtme në marrëdhënie me Perëndimit, e veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ishte kundër asaj qasjeje diplomatike dhe shprehej se po i bëhej një dëm i madh Shqipërisë. Po ashtu, ai pohonte se kishte pakënaqësi të madhe në komunitetin shqiptar për shkak të izolimit të vendit dhe të mos lejimit të emigrantëve shqiptarë për t’u kthyer në atdhe për të takuar të afërmit e tyre.

Ndonëse për këtë çështje “Vatra” në vitin 1969 iu drejtua Organizatës së Kombeve të Bashkuara për t’u angazhuar që shteti shqiptar të zbatonte ndaj shtetasve të tij parimet dhe të drejtat që përcaktonte Karta e OKB, por asgjë nuk ndryshoi dhe shqiptarët nuk lejoheshin të kthehen në vendlindje. Gazeta nuk ishte vetëm organ informimi për komunitetin por ishte një zë i fortë për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në mërgatë.

Referuar dokumenteve të kohës rezulton se qeverisë komuniste tentonte në forma dhe mënyra të ndryshme për kapjen dhe vënien nën kontroll të “Vatrës” dhe të gazetës “Dielli” por nuk i arriti objektivat, ndonëse shkaktonte probleme të ndryshme. Duhet thënë seregjimi arriti të krijonte njëfarë përçarje dhe të nxiste mosmarrëveshje midis vatranëve por Federata “Vatra” vijoi me veprimtarinë patriotike sepse ishte organizata më e vjetër në Amerikë dhe kishte mbledhur rreth saj, shumë intelektual e patriot të shquar që ishin antikomunist. Edhe editori i gazetës, Dr. Athanas Gegaj ishte një ndër kundërshtarët e qeverisë komuniste dhe nuk u kompromentuam nga regjimi dhe drejtonte gazetën “Dielli” me profesionalizëm dhe përkushtim. Gjatë periudhës që drejtonte gazetën ai u përball edhe me vështirësi ekonomike për të mbuluar shpenzimet dhe botimin e gazetës.

Në komunikimin e vazhdueshëm që kishte me ish editorine gazetës, Rifat Gurazezi përveç se evidentohet bashkëpunimi për shkrime në gazetën “Dielli” në letërkëmbimet e tyre diskutohet edhe përgjendjen e vështirë ekonomike që po kalonte gazeta. Ish-editori, Gurazezi i shprehte keqardhje për vështirësitë ekonomike që po kalonte gazeta “Dielli”dhe i shkruante se “e mora letrën tënde dhe se jam tepër i shqetësuar për gjendjen e vështirë ekonomike të “Vatrës” dhe për vështirësitë që keni për botimin e gazetës. Ç’mund të bëjmë! Besoj të erdhi radha ty të punosh për “Vatrën” pa marr rrogë sikur punova dhe unë vjet me radhë.”

Në një tjetër letërkëmbim, të dërguar më 6 nëntor 1971 Athanas Gegaj i pohonte Rifat Gurazezit se ishte i shqetësuar për situatën e brendshme në “Vatër” dhe për mos pagesat e anëtarësisë, të cilat kishin shkaktuar vështirësi financiare për botimin e gazetës “Dielli”. Letra e tij mbyllet: “unë do të kryej detyrën deri në pikën e fundit, dhe nuk do të veproj, në asnjë mënyrë, që organizata të pësojë përçarje. Sot jam, nesër nuk jam më. Por “Vatra” duhet të vazhdojë, sepse është gjëja më e bukur që ka komuniteti ynë. Është një trashëgim madhështor, për Ne të gjithë. I vetmi trashëgim. Ti mos u bëj merak, nuk do të sjellë turbullime e përçarje.” Pavarësisht vështirësive financiare që po kalonte gazeta asokohe, Athanas Gegaj vijonte me të njëjtin përkushtim punën si editor i gazetës dhe për botimin e saj.

Dr. Athanas Gegaj drejtoi gazetën për tetë vite me profesionalizëm dhe integritet të lartë duke kultivuar vlerat kombëtare shqiptare në diasporën e largët. Ai nuk e ndaloi veprimtarinë e tij atdhetare në drejtimin e gazetës “Dielli” për asnjë arsye, as nga sulmet politike dhe as atëherë kur “Vatra” kishte vështirësie konomike. Ai u largua në vitin 1971 nga drejtimi i gazetës “Dielli” me dorëheqje, duke lënë një trashëgimi të shkruar në shtypin e kohës, i cili trajtonte jetën dhe aktivitetin e shqiptarëve në Amerikë, tema historike dhe kulturore si dhe informonte për situatën politike, ekonomike e shoqërore në vendlindje, duke qenë një zë i fuqishëm në opinionin publik.

Filed Under: Vatra

Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare

March 31, 2026 by s p

Kostandin Anastas “Kosta” Çekrezi lindi më 31 mars 1892 në Ziçisht, në Korçë. Pasi mbaroi shkollën 5-vjeçare në fshatin e tij të lindjes, ai vijoi studimet në shkollën e mesme greke në qytetin e Korçës më 12 qershor 1910. Dokumentet e shkollës tregojnë se ai u vlerësua si “nxënës i shkëlqyeshëm në të gjitha lëndët” dhe fitoi një bursë nga qeveria osmane për të ndjekur shkollën juridike në Selanik, të cilën e ndërpreu më 1912-n, për shkak të fillimit të Luftës I Botërore.

Pasi Shqipëria u shpall e pavarur, më 1912-n deri në vitin 1914 Çekrezi punoi në Vlorë si sekretar Gjykate, pastaj si përkthyes i Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit pranë qeverisë së Ismail Qemalit dhe në administratën e Princ Vidit.

Çekrezi emigroi në SHBA kur ishte 23 vjeç. Ai u bë redaktor i gazetës “Dielli” në Boston dhe kryeredaktor i saj nga vitet 1915 – 1919. Gjatë kësaj kohe studioi për histori, ekonomi, administratë publike dhe gjuhë angleze në Universitetin e Harvardit, Boston. Dha leksione për histori në Universitetin Kolumbia, Nju Jork. Sipas Robert Elsie në vitin 1920 Çekrezi erdhi në Shqipëri për të marrë pjesë në Kongresin e Lushnjes.

Në vitet 1920-1922 u caktua përfaqësues i Shqipërisë në Uashington. U kthye sërish në Shqipëri, ku punoi si këshilltar në qeveri, ndërsa mori pjesë aktive dhe si organizator në kryengritjen anti-zogiste të Fierit, 1935, e cila u shtyp dhe Kosta u dënua me vdekje në mungesë. Ai shkoi në Francë, “ku u mbajt për ca kohë në kampin e përqendrimit “Vernet de l’Aiege”. Këtu, u njoh me vullnetarët shqiptarë të Luftës së Spanjës, Skënder Luarasin, Mehmet Shehun, Hulusi Spahiun, me të cilët nuk pati marrëdhënie të mira, për shkak të ideologjizmit ekstrem marksist të tyre.”

Në gjysmën e dytë të viteve 1940, Çekrezi si shumë atdhetarë të tjerë shqiptarë jashtë, të djathë a të majtë, u dënua me mërgim të përjetshëm. Ai u la në hije dhe nuk u përfill nga qeveria e Shqipërisë së pas luftës.

Pjesa më e madhe e veprave të tij janë botuar në SHBA (Boston, New York), ku ai jetoi dhe veproi gjatë emigracionit si: “Albania Past and Present” (1919) – një nga librat e parë për Shqipërinë i shkruar nga një shqiptar në anglisht; “Albania and the Balkans (1917)”; “Histori e Shqipërisë” (1921); “Histori e vjetër që nga kohërat e pellazgëve deri në rënien e Perandorisë Romake” (1921) “Histori e re e Europës” (1921); “Historia mesjetare e Europës” (478–1453) (1921). Ai shkroi veprën politike “The Third Plan for Partitioning Albania” (1951). Çekrezi ka shkruar edhe libra shkollorë si; “Letra, shkresa, fjalëtorë” (1917). Ai është autor i njërit prej fjalorëve të parë të hershëm anglisht–shqip “English-Albanian Dictionary” (1923).

Kostandin Anastas “Kosta” Çekrezi u nda nga jeta në Arlington, Virginia, pranë Washingtonit, më 10 janar 1959, në moshën 67-vjeçare.

www.akad.gov.al

Filed Under: Komente

Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë

March 31, 2026 by s p

Nga Albert Vataj/

Çdo prekje e tij mbi shkëmb nuk ishte thjesht një akt pune, por një çast zgjimi, një frymëmarrje e thellë që çlirohej nga mijëra vite ngjizje magmash, nga një heshtje e lashtë që priste dorën e njeriut për t’u kthyer në formë. Në çdo masiv metali, ai zgjonte një jetë të fshehur, një tension të brendshëm që kërkonte të shpërfaqej, të merrte trajtë, të bëhej dëshmi. Në çdo trung peme, ai ndiente pulsin e një statuje që kërkonte liri, një trup të burgosur në lëndë që priste çlirimin përmes mjeshtërisë.

Kudo që Vasil Rakaj hodhi vështrimin dhe kredhi duart e tij prej krijuesi, ai dëgjoi thirrjen e thellë të kohës, një jehonë që vinte nga thellësitë e historisë dhe nga brendësia e vetë qenies njerëzore. Ai nuk krijonte thjesht forma; ai lindte përjetësinë e atyre që, përmes jetës dhe veprës së tyre, kishin prekur vetë përjetësinë. Në këtë akt, arti i tij bëhej një urë midis asaj që ka qenë dhe asaj që mbetet.

Dhe ndërsa bota e tij popullohej me figura, me simbole, me shpërthime ndjesish të kristalizuara në materie, ai vetë ngrihej në një qetësi sovrane, jo si sundues i jashtëm, por si një mjeshtër që kishte fituar të drejtën të sodiste veprën e vet si një univers të përmbushur. Ishte një fron i heshtur, ku madhështia nuk imponohej, por përulej në adhurim përpara aktit krijues.

Ai, djali nga Boga e Malësisë së Madhe, kishte ardhur deri këtu me hapat e ndrojtur të ëndërrtarit, duke bartur brenda vetes peshën e një bote të tërë, kujtesën, dhembjen, krenarinë, historinë.

Dhe këtë barrë nuk e mbajti për ta fshehur, por për ta kumtuar. E shndërroi në një mesazh që i flet së tashmes me zërin e përjetësisë, si një lajm që zbret nga një qiell i brendshëm, i pasur me dritë dhe me përkushtim. Për të, arti nuk ishte vetëm shprehje, por origjinë: “Në botë, gjuha e parë e komunikimit ka lindur përmes artit dhe kush e ruan të pastër këtë lloj komunikimi quhet artist.” Dhe ai e ruajti këtë gjuhë të pastër, të paprekur nga zhurma, duke e bërë çdo vepër të tij një fjalë të gdhendur në kohë, një fjalë që nuk shuhet.

Jetëshkrim dhe dritëlëshim për artistin

Vasil Rakaj u lind më 27 mars 1954, në një kohë kur jeta rridhte e thjeshtë, por e mbushur me vlera të trashëguara brez pas brezi. Ai erdhi në një familje që më pas do të begatohej me edhe katër fëmijë të tjerë, duke ndërtuar një trung të fortë njerëzor, ku ndarja e bukës dhe e shpirtit ishte ligj i pashkruar.

Rrënjët e hershme të familjes së madhe Rakaj gjenden në fshatin Bogë të Malësisë së Madhe, një trevë e njohur për qëndresën, dinjitetin dhe pasurinë e saj shpirtërore. Aty, në atë hapësirë ku mali dhe qielli duken sikur flasin me njëri-tjetrin, u ngjiz edhe fryma e parë e ndjeshmërisë artistike të Vasilit. Tradita, peizazhi i egër dhe njëherësh madhështor, si dhe kultura e trashëguar e kësaj ane, do të bëheshin më vonë pjesë e pandashme e botës së tij krijuese.

Fëmijëria e tij u ushqye nga rrëfimet e të parëve, nga legjendat që mbartnin gurët dhe nga një ndjeshmëri e hershme për formën dhe përjetësinë që ajo mund të mbajë brenda vetes. Ishte pikërisht kjo lidhje organike me vendlindjen dhe me rrënjët që e shtyu drejt artit, drejt kërkimit për të gdhendur jo vetëm materien, por edhe kujtesën.

Në rrugëtimin e tij, arti nuk është thjesht profesion, por një mënyrë për të sfiduar harresën. Çdo vepër e tij mbartte një përpjekje për të kapur të pakapshmen, për të bërë të prekshme atë që koha përpiqet ta fshijë. Në këtë kuptim, krijimtaria e Vasil Rakajt mund të lexohet si një dialog i pandërprerë mes njeriut dhe përjetësisë.

Ai nuk është vetëm një artist që punonte me formën; është një dëshmitar i kohës së tij, një ruajtës i kujtesës dhe një zë që përpiqej të fliste përtej kufijve të së përkohshmes. Dhe pikërisht në këtë përpjekje, ai arriti të skalisë në veprën e tij atë që shumëkush vetëm e ëndërron: një gjurmë që i reziston kohës.

Mjeshtri Rakaj, nga çapitjet filluese të hapave në Shqipërisë, te lavdia amerikane

Artisti Vasil Rakaj është një nga figurat më përfaqësuese të krijimtarisë shqiptare në diasporë, një emër që mbart në vetvete përkushtimin ndaj artit dhe dinjitetin e një identiteti që nuk tretet, por përkundrazi, zgjerohet në hapësira të reja. Emigrimi i tij së bashku me familjen drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk ishte thjesht një zhvendosje gjeografike, por një kapërcim i madh jetësor, ku sfida dhe mundësia u ndërthurën në një rrugëtim të ri krijues.

Sot, ai jeton dhe krijon në Connecticut, në një mjedis që i ofroi jo vetëm kushte, por edhe horizont për të zhvilluar më tej potencialin e tij artistik. Në këtë tokë të mundësive të shumta, Vasil Rakaj arriti të ndërtojë një hapësirë të vetën krijuese, një studio ku arti nuk është vetëm punë, por frymëmarrje, reflektim dhe dialog i vazhdueshëm me kohën dhe kujtesën.

Veprat e tij janë shprehje të një bote të pasur emocionale, ku ndërthuren ndjesitë patriotike, lirizmi i brendshëm dhe përjetimet personale. Ato marrin frymëzim njëkohësisht nga vendlindja dhe nga realiteti amerikan, duke krijuar një urë të ndjeshme mes dy botëve. Kjo dualitet krijues nuk është përplasje, por bashkëjetesë harmonike, ku identiteti shqiptar mbetet boshti, ndërsa përvoja amerikane i jep dimensione të reja shprehjes artistike.

Procesi i tij krijues, që zhvillohet në studion pranë familjes në Connecticut, është një akt i përditshëm i lidhjes me rrënjët dhe i përditësimit të tyre në një kontekst të ri. Përmes skulpturës dhe formave të tjera të shprehjes, ai i jep jetë kujtesës, historisë dhe ndjenjave, duke i bërë ato të prekshme dhe të komunikueshme për publikun.

Veprat e Vasil Rakajt nuk janë vetëm objekte artistike, ato janë bartëse emocionesh, dëshmi kulture dhe reflektime historike që pasurojnë jetën e komunitetit ku ai jeton. Ato i japin qytetit një dimension estetik dhe shpirtëror, ndërsa publikut i ofrojnë përvoja të thella dhe të veçanta artistike.

Falë përkushtimit, seriozitetit dhe integritetit qytetar të tij dhe familjes, Vasil Rakaj ka fituar respekt dhe vlerësim në komunitetin ku jeton. Përmes pjesëmarrjes në ekspozita dhe aktivitete artistike, ai ka krijuar lidhje të qëndrueshme me shoqata artistësh dhe me krijues të ndryshëm në të gjithë Shtetet e Bashkuara, duke u bërë pjesë aktive e jetës artistike dhe duke kontribuar në pasurimin e saj.

Në këtë mënyrë, rrugëtimi i tij nga Shqipëria drejt Amerikës nuk është thjesht një histori emigrimi, por një dëshmi e fuqisë së artit për të kapërcyer kufijtë, për të ruajtur identitetin dhe për të ndërtuar një përkatësi të re, pa humbur asnjëherë thelbin e origjinës.

Hapat e formimit të mjeshtrit

Në artet figurative dhe në formimin akademik të një artisti, themeli ndërtohet mbi disiplinën e rreptë të njohjes dhe zbatimit të ligjeve të përfaqësimit: proporcioni, perspektiva, trajtimi i dritë-hijes dhe ndjeshmëria ndaj teksturës së modelit. Këto nuk ishin thjesht kërkesa teknike, por një kod themelor i edukimit estetik, i mishëruar në programet dhe kurrikulat e shkollave artistike të kohës. Në këtë mjedis rigoroz, u formësua edhe Vasil Rakaj, duke ndërtuar një bazë të qëndrueshme që do të mbështeste më pas gjithë rrugëtimin e tij krijues.

Në Liceun Artistik, ai u përgatit si një artist figurativ-realist, duke dëshmuar që herët një ndjeshmëri të spikatur ndaj formës dhe karakterit njerëzor. Një nga dëshmitë më domethënëse të kësaj periudhe është portreti i liceistit Bashkim Zahaj, një punim që flet për një aftësi të rrallë në kapjen e ngjashmërisë, por mbi të gjitha të psikologjisë së modelit. Në këtë portret, Rakaj nuk ndalet vetëm në riprodhimin e tipareve fizike; ai depërton në gjendjen e brendshme, në emocionin që lëviz nën sipërfaqe, duke e kthyer skulpturën në një akt të gjallë komunikimi mes artistit dhe subjektit.

Në vitin 1973, gjatë vitit të fundit në lice, ai u njoh edhe me një dimension tjetër të rëndësishëm të skulpturës: gdhendjen në gur. Kjo lëndë drejtohej nga Vladimir Kaçaku, një artist i ri për kohën, me prirje moderne dhe me një qasje që prekte elementë të minimalizmit dhe kubizmit. Nën drejtimin e tij, studentët u njohën me disiplinën e materialit, me rezistencën e gurit dhe me kërkesën për përqendrim maksimal që kërkon procesi i gdhendjes. Kjo përvojë do të ndikonte ndjeshëm në ndërtimin e raportit të Rakajt me materien dhe me formën.

Studimet e tij vijuan në Instituti i Lartë i Arteve gjatë viteve 1973–1977, një periudhë formuese intensive, ku ai u dallua si një ndër studentët më të talentuar dhe më këmbëngulës. Rakaj shfaqi një përkushtim të veçantë në njohjen e teknologjive të qeramikës, si dhe një disiplinë të admirueshme në përmbushjen e detyrave kompozicionale deri në përfundimin e tyre të plotë. Në këtë fazë, ai konsolidoi aftësitë e tij në pasqyrimin realist, duke rritur kontrollin mbi formën dhe strukturën, në përputhje me kërkesat estetike të kohës.

Kjo periudhë përkoi me një klimë të ashpër ideologjike, ku Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve e Shqipërisë ushtronte kontroll të fortë mbi krijimtarinë artistike. Kritikat dhe dënimet ndaj çdo devijimi nga kanonet e realizmit socialist ishin të shpeshta, duke imponuar një vetëkontroll të vazhdueshëm te studentët dhe pedagogët. Megjithatë, brenda këtyre kufizimeve, artistët e rinj të talentuar, mes tyre edhe Vasil Rakaj, arritën të ruajnë një nivel të lartë profesionalizmi, duke shmangur rënien në amatorizëm dhe duke gjetur hapësira të vogla, por domethënëse, për interpretime personale dhe zgjidhje krijuese me integritet.

Në Akademinë e Arteve, programi i studimit në degën e skulpturës ishte i ngjeshur dhe gjithëpërfshirës: punë me model të gjallë, kompozim, vizatim, procese të qeramikës, si dhe gdhendje në gur e dru. Këto ushtrime nuk ishin vetëm detyra akademike, por një laborator i vërtetë formimi, ku studenti përballej çdo ditë me sfidën e përkthimit të realitetit në formë artistike.

Një rol të rëndësishëm në këtë proces luajtën edhe praktikat mësimore pranë vendeve arkeologjike dhe historike. Aty, studentët viheshin përballë trashëgimisë së skulpturës antike: shtatoreve, portreteve, kokave klasike, si dhe objekteve të kulturave të hershme. Këto modele përbënin një burim të pashtershëm frymëzimi dhe një shkollë të heshtur, ku çdo detaj i skalitur mbante brenda përvojën e shekujve. Pikërisht në këtë kontakt të drejtpërdrejtë me antikitetin, Rakaj dhe bashkëkohësit e tij gjetën jo vetëm teknikën, por edhe filozofinë e formës, atë lidhje të thellë mes trupit, shpirtit dhe përjetësisë, që më pas do të bëhej thelb i krijimtarisë së tij.

Nga arsimimi formësues në jetën e dinamizmit krijues

Pas përfundimit të studimeve në vitin 1977, Vasil Rakaj hyri në një fazë të re të jetës së tij, ku formimi akademik do të përkthehej në përvojë konkrete dhe në përballje të drejtpërdrejtë me materien dhe realitetin. Një vit pune në mjediset e poçerisë pranë Ndërmarrjes Artistike në Krujë i shërbeu si një laborator i rëndësishëm praktik, ku ai thelloi njohjen mbi proceset e formësimit, mbi disiplinën e materialit dhe mbi raportin mes dorës së mjeshtrit dhe rezistencës së lëndës.

Në vitin 1978, ai u emërua mësues i artit në shkollën “Dan Bajrami” në fshatin Gjorm të rrethit të Kurbinit. Ky rol nuk ishte thjesht një detyrë profesionale, por një mision edukues, ku arti shndërrohej në mjet formimi për brezat e rinj. Paralelisht me mësimdhënien, Rakaj zhvilloi një veprimtari intensive krijuese në skulpturë, pikturë dhe vizatim, duke marrë pjesë në ekspozita lokale dhe kombëtare, ku prezantonte frytet e një pune të vazhdueshme dhe të përkushtuar.

Në vitet 1978–1990, ai, së bashku me mikun e tij të ngushtë, mësuesin e historisë Dalip Karameti, u përfshi në një nismë me rëndësi kulturore: ngritjen e muzeve historikë lokalë në dhjetëra fshatra. Ky angazhim ishte më shumë se një detyrë institucionale; ishte një akt i vetëdijshëm për të ruajtur kujtesën historike dhe për ta materializuar atë përmes objekteve, figurave dhe narrativave që i jepnin komunitetit një ndjenjë identiteti dhe vazhdimësie.

Krahas punës si mësues dhe aktivitetit shoqëror, në studion e tij personale, Rakaj krijoi dhjetëra punime të gdhendura në gur dhe dru. Ai realizoi porosi për muzetë e fshatrave, kryesisht portrete heronjsh të luftës nga zonat e Krujës dhe Kurbinit, duke i dhënë formë fizike figurave që jetonin në kujtesën kolektive. Njëkohësisht, ai kultivoi krijime me tema të lira, duke trajtuar motive nga jeta e përditshme, lojërat popullore dhe botën shpirtërore të njeriut.

Figura njerëzore që ai modeloi në këtë periudhë shfaqet në shumë dimensione: si hero, si patriot, si punëtor, si malësor, si nxënëse apo si figurë simbolike e përballjes dhe sakrificës. Në secilën prej tyre, Rakaj përpiqej të kapte jo vetëm tiparet e jashtme, por edhe thelbin psikologjik dhe individualitetin e modelit. Edhe pse i detyruar të respektonte parimet e realizmit figurativ dhe normat e realizmit socialist, ai kërkonte vazhdimisht të përmirësonte mjetet e tij shprehëse, duke synuar një thellim të ndjeshmërisë dhe një pasurim të simbolikës, të lidhur ngushtë me zakonet dhe traditat e krahinës.

Në këtë etapë të rëndësishme, fillon të marrë formë edhe stili i tij vetjak artistik. Si çdo krijues i vërtetë, Rakaj nuk mbeti i ngurtë brenda një formule; përkundrazi, stili i tij evoluoi bashkë me përvojën, me reflektimin dhe me ndryshimet që ai përjetoi si artist dhe si njeri. Brenda kësaj dinamike, krijimtaria e tij mbetet një dëshmi e përpjekjes së vazhdueshme për të gjetur ekuilibrin mes kërkesave të kohës dhe zërit të brendshëm krijues, një ekuilibër që vetëm mjeshtrit arrijnë ta mbajnë gjallë.

Stilistika krijuese e skulptorit Rakaj

Në panoramën e sotme të artit skulpturor, krijimtaria e Vasil Rakajt shfaqet si një ndërthurje e qëndrueshme midis traditës figurative realiste dhe impulseve të një kërkimi të brendshëm estetik, që nuk i nënshtrohet skemave të ngurta. Pamja vizuale e veprës së tij mbetet thelbësisht figurative dhe e lexueshme, por ajo nuk kufizohet në një realizëm imitues; përkundrazi, është një realizëm i përpunuar, i filtruar përmes përvojës, ndjeshmërisë dhe reflektimit të artistit mbi kohën dhe subjektin.

Stili i Rakajt është i lidhur ngushtë me mënyrën se si ai ndërton kompozimin dhe si i qaset materialit. Ai nuk është një konstrukt i rastësishëm, por një sistem i ndërgjegjshëm zgjedhjesh: nga niveli i realizmit dhe i abstraksionit, te trajtimi i teksturës, dinamika e volumeve, ritmi i masave dhe tensioni emocional që përcjell vepra. Në këtë kuptim, çdo skulpturë e tij është një ekuilibër i menduar midis formës dhe ndjesisë, midis strukturës dhe shpirtit.

Në thelbin e vetëdijshëm, stilistika e tij buron nga impulsi fillestar krijues, ai moment frymëzimi që e vë në lëvizje procesin artistik dhe që lidhet me përmbajtjen filozofike të veprës. Ndërsa në planin e nënvetëdijshëm, stili shfaqet përmes mënyrës se si ai e trajton lëndën, si e modelon sipërfaqen dhe si e materializon vizionin e tij. Këto dy shtresa, ajo e menduar dhe ajo intuitave, bashkëveprojnë për të ndërtuar një gjuhë plastike të veçantë, të dallueshme dhe koherente.

Në përgjithësi, Vasil Rakaj mbetet një skulptor figurativ, i rrënjosur në traditën e shekullit XX, por me një individualitet të qartë. Ai nuk i përket një rryme të emërtuar bashkëkohore, por qëndron në një territor të vetin, që mund të përkufizohet si një vazhdimësi e përditësuar e realizmit figurativ. Ky realizëm, ndonëse i lidhur me trashëgiminë e shekullit XIX, nuk është imitues historik; ai është i riformuluar përmes përvojës shqiptare, shkollës ku u formua dhe kohës në të cilën krijon.

Një nga tiparet më të qëndrueshme të stilit të tij është lexueshmëria figurative. Skulpturat e Rakajt nuk e humbasin kurrë lidhjen me realitetin e njohshëm; ato ruajnë ngjashmërinë, psikologjinë dhe simbolikën e figurës njerëzore, duke i bërë veprat të komunikueshme dhe të qarta për shikuesin. Kjo besnikëri ndaj thelbit të pasqyrimit natyror nuk është dobësi, por një zgjedhje estetike e vetëdijshme, që ai e ka ruajtur me konsekuencë përgjatë gjithë krijimtarisë.

Një dimension tjetër i rëndësishëm është trajtimi ekspresiv i sipërfaqeve. Në shumë prej veprave të tij, sidomos në ato me ngarkesë emocionale më të theksuar, forma duket sikur gjallërohet nga brenda. Modelimi bëhet më i lirë, më i tensionuar, duke reflektuar gjendjen shpirtërore të artistit dhe marrëdhënien e tij intime me subjektin. Në këto raste, skulptura shndërrohet në një akt shpërthyes ndjenje, ku materia mbart gjurmën e emocionit.

Paralelisht me këtë prirje, në disa punime të veçanta, Rakaj eksperimenton me një trajtim më të reduktuar, me ndikime gjeometriko-kubiste. Këtu, ai thjeshton formën, thekson masën dhe raportet volumore, duke i dhënë rëndësi strukturës së përgjithshme dhe duke e çuar figurën drejt një abstragimi të kontrolluar. Edhe pse këto janë më të rralla, ato dëshmojnë për një elasticitet krijues dhe për një gatishmëri për të eksploruar përtej kufijve të realizmit klasik.

Një tjetër veti e spikatur është pastërtia e trajtave skulpturore, e lidhur me një ndjeshmëri të qartë ndaj traditës klasike dhe neoklasike. Në veprat me karakter monumental apo në portretet e figurave historike, ai i qëndron besnik disiplinës akademike, duke ruajtur qartësinë e formës dhe dinjitetin e figurës. Ndërkohë, në temat e jetës së përditshme, kjo pastërti ndërthuret me një thjeshtësi më të afërt me minimalizmin, duke krijuar një gjuhë më të përmbajtur, por po aq shprehëse.

Në thelb, Rakaj është një skulptor me ndjeshmëri estetike të rafinuar. Ai nuk e sheh veprën si një objekt të izoluar, por si pjesë të një hapësire më të gjerë, arkitektonike dhe shpirtërore. Për këtë arsye, ai i kushton rëndësi jo vetëm detajeve të brendshme të skulpturës, por edhe mënyrës se si ajo komunikon me ambientin përreth. Harmonia mes veprës dhe hapësirës është pjesë integrale e mendimit të tij krijues.

tilistika e Vasil Rakajt nuk është një formulë e ngurtë, por një organizëm i gjallë që evoluon. Ajo përbëhet nga një shumësi vetish, figurativiteti, ekspresiviteti, pastërtia formale, kërkimi strukturor, që nuk qëndrojnë të ndara, por ndërthuren në mënyrë organike në çdo vepër. Pikërisht kjo ndërthurje i jep artit të tij një identitet të qëndrueshëm dhe një zë të veçantë në skulpturën shqiptare dhe më gjerë.

Subjektet, gurët e mozaikut gjigand të panoramës krijuese të Vasil Rakaj

Nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu te Nënë Tereza, nga figura të njohura të traditës veriore si Gjeto dhe Ded Coku, deri te universali Martin Luther King Jr.; nga nusja me duvak te figura e lakuriqtë me kapele; nga medaljonet, monumentet dhe studimet e duarve, te projektet me frymë të thellë simbolike si “Shqypnia”, “Kryqi i Shna Ndout” apo “Pavarësia 2012”, e gjithë kjo larmi përbën një mozaik të gjerë tematik që shpalos dimensionet e një bote krijuese të pasur dhe të shumëplanëshme.

Subjektet e Vasil Rakajt nuk janë të rastësishme; ato ndërtojnë një hartë të vetëdijshme identitare dhe shpirtërore. Në njërën anë qëndrojnë figurat historike dhe kombëtare, që mbartin peshën e kujtesës dhe të përkatësisë, ndërsa në anën tjetër shfaqen tema intime, njerëzore, të përditshme, ku artisti eksploron trupin, gjestin dhe ndjesinë. Kjo lëvizje nga monumentalja te individualja, nga heroikja te e përditshmja, krijon një tension krijues që e pasuron dhe e bën më të thellë universin e tij artistik.

Në këtë panoramë, vend të veçantë zënë edhe figurat e mitizuara dhe historike shqiptare, si Nora e Kelmendit, ku artisti ndërthur imagjinatën me traditën, duke krijuar forma që nuk janë thjesht rikrijim, por interpretim i gjallë i një trashëgimie kulturore. Po kështu, kalimi nga skulptura figurative në reliev, nga forma e plotë në sipërfaqe të strukturuara, dëshmon për një kërkim të vazhdueshëm mbi mënyrat e shprehjes dhe mbi raportin mes figurës dhe hapësirës.

Projektet si “Shqypnia”, “Kryqi i Shna Ndout” dhe “Pavarësia 2012” nuk janë vetëm realizime artistike, por platforma konceptuale ku ndërthuren historia, besimi, identiteti dhe simbolika. Në to, Rakaj nuk është thjesht një formësues i materies, por një mendimtar vizual që përpiqet të artikulojë përmes formës ide të mëdha kolektive.

Kjo shumësi temash dhe trajtimesh nuk e shpërndan artistin; përkundrazi, e përkufizon atë. Ajo krijon një “yjësi” të veçantë brenda galaksisë së tij krijuese, ku çdo vepër është një pikë drite që lidhet me të tjerat përmes një logjike të brendshme: kërkimit për njeriun, për historinë dhe për kuptimin.

Në këtë kuptim, subjektet e Vasil Rakajt janë më shumë se tema, ato janë gurët themeltarë të një universi artistik që ndërton ura midis kohëve, kulturave dhe ndjesive, duke e bërë krijimtarinë e tij një dëshmi të gjallë të identitetit në lëvizje dhe të artit si formë e përjetësimit.

Piktura si hobi i mjeshtrit të skulpturës

Si çdo artist i arteve pamore që nuk e kufizon veten brenda një mediumi të vetëm, edhe Vasil Rakaj, i formuar fillimisht në modelimin tredimensional të skulpturës dhe të qeramikës, e zgjeroi horizontin e tij krijues drejt vizatimit, pikturës dhe grafikës. Në këtë kalim, vizatimi mbetet themeli i patjetërsueshëm, “ABC-ja” e çdo gjuhe vizuale, një disiplinë që i jep artistit kontrollin mbi formën, strukturën dhe raportet, pavarësisht mediumit ku ai shprehet.

Edhe pse Rakaj kishte ushtruar vizatimin dhe pikturën në mënyrë të vazhdueshme gjatë viteve, momenti i një shpërthimi më të vetëdijshëm në këtë fushë lidhet me vitin 1993. Autoportreti i realizuar në këtë periudhë përbën një nga dëshmitë më domethënëse të kësaj kthese. Në të shquhet një ndërthurje e ndjeshme midis trajtimit klasik të formës dhe një lirshmërie që afrohet me impresionizmin modern. Nuk është thjesht një paraqitje fizike e vetes, por një reflektim introspektiv, ku artisti vendos përballë vetes jo vetëm fytyrën, por edhe përvojën, kohën dhe gjendjen shpirtërore.

Seria e autoportreteve që ai realizoi në vite dëshmon për një dialog të vazhdueshëm me vetveten.

Ndryshojnë fizionomitë, ndryshon mosha, ndryshon ngarkesa emocionale, por mbetet konstante mënyra e trajtimit: një kërkim për thelbin, për atë që nuk është menjëherë e dukshme. Edhe kur teknikat dhe materialet variojnë, qëndrimi estetik mbetet i njëjtë, një përpjekje për të kapur përtej sipërfaqes.

Në aspektin teknik, Vasil Rakaj ka treguar një ndjeshmëri të veçantë ndaj pastelit, një medium që kërkon finesë dhe kontroll të madh në ndërtimin e tonaliteteve dhe të dritës. Nëpërmjet tij, ai arrin të krijojë sipërfaqe të buta, të mbushura me një ndriçim të brendshëm, ku figura duket sikur merr frymë. Ndërkohë, piktura në vaj i ofron një tjetër dimension shprehës: një hapësirë më të gjerë për ndërtimin e shtresave, për intensitetin e ngjyrës dhe për zhvillimin e një gjuhe më ekspresive.

Në pikturën e Rakajt, ngjyra nuk është thjesht element përshkrues; ajo merr një rol të theksuar psikologjik. Pavarësisht temës apo konkretizimit figurativ, ngjyrat shpesh funksionojnë si bartëse emocionesh, si impulse të brendshme që e tejkalojnë përfaqësimin literal. Kjo e çon veprën drejt një dimensioni ku figurativja bashkëjeton me një abstraksion të ndjeshëm, duke i dhënë pikturës një thellësi më të madhe shpirtërore.

Në këtë mënyrë, piktura për Vasil Rakajn nuk është një devijim nga skulptura, por një zgjatim i saj në një plan tjetër. Nëse në skulpturë ai modelon formën në hapësirë, në pikturë ai modelon dritën, ngjyrën dhe ndjesinë në sipërfaqe. Të dyja bashkë përbëjnë një univers të vetëm krijues, ku artisti eksploron të njëjtin qëllim: të japë formë të dukshme asaj që lind në thellësi të përjetimit njerëzor.

Vasil Rakaj, ai që e ka skalitur emrin në vepër

Në fund të këtij udhëtimi krijues, Vasil Rakaj nuk mbetet thjesht një emër në radhën e artistëve, por një dëshmi e gjallë se si njeriu mund ta tejkalojë kohën përmes veprës. Ai nuk e ka parë kurrë materien si një kufi, por si një mundësi: shkëmbin për ta bërë kujtesë, metalin për ta kthyer në qëndresë, drurin në ngrohtësi, baltën në jetë dhe shpirtin në formë të dukshme.

Në duart e tij, materia ka marrë frymë. Ajo është zbutur, është përkulur, është ngritur në lartësinë e simbolit, duke u bërë një gjuhë që flet përtej fjalëve. Çdo vepër e tij është një dëshmi se arti nuk është vetëm krijim, por edhe akt besimi, besim në njeriun, në historinë dhe në aftësinë për të lënë gjurmë që nuk shlyhen.

Si një malësor që e ka rrënjën në gur dhe horizontin në qiell, ai ka ditur të mbajë brenda vetes ashpërsinë dhe butësinë, qëndresën dhe ndjeshmërinë, traditën dhe kërkimin. Në këtë përkim të rrallë, ai ka ndërtuar një univers ku figura njerëzore nuk është thjesht formë, por kujtesë, emocion dhe përjetësi. Dhe kështu, Vasil Rakaj mbetet, jo vetëm si krijues veprash, por si ndërtues i një altari ku koha përkulet përpara artit. Një altar i ngritur me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, një altar ku përjetësia nuk është ide, por prani.

Filed Under: Kulture

“Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë

March 31, 2026 by s p

Flamur Vezaj/

Në një atmosferë të mbushur me emocione historike dhe krenari kombëtare, Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “VATRA” dega në Boston, në bashkëpunim me Shoqatën e Studentëve Shqiptarë në Harvard University, organizuan një takim të jashtëzakonshëm me ambasadorin William Walker, njeriun që i tregoi botës të vërtetën për krimet në Kosovë dhe që ndikoi drejtpërdrejt në ndryshimin e rrjedhës së historisë së saj.

Eventi nisi me intonimin e himneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shqipërisë dhe Kosovës, duke krijuar një atmosferë solemniteti dhe uniteti mes të pranishmëve. Moderatorja e aktivitetit, gazetarja Entela Sula Prifti, me një stil të rafinuar profesional, zhvilloi dhe udhëhoqi bisedën e drejtpërdrejtë me ambasadorin Walker, duke sjellë për të pranishmit rrëfime të gjalla dhe dëshmi historike nga një periudhë vendimtare për kombin shqiptar.

Në fjalën e tij, ambasadori Walker rikujtoi momentet kur u dërgua në rajon me mision ndërkombëtar vëzhgues, duke theksuar se fillimisht kishte njohuri të kufizuara për Kosovën. Ai rrëfeu se si, gjatë misionit me mbi 1200 vëzhgues ndërkombëtarë, u përball me një realitet tronditës: një popull i shtypur, pa të drejta elementare dhe nën dhunën sistematike të regjimit serb.

Kulmi i dëshmisë së tij ishte Masakra e Raçakut, të cilën ai e përshkroi pa asnjë hezitim si krim lufte dhe akt gjenocidi ndaj civilëve shqiptarë. “Ajo që pashë ishte një masakër. Nuk kishte luftëtarë, ishin civilë, madje edhe një 99-vjeçar. Beogradi po gënjente,” theksoi ai, duke kujtuar edhe propagandën e kohës nga ish-ministri i propagandes së regjimit serbe Aleksandar Vučić, sot president, që mohonin krimin dhe e paraqisnin si përplasje ushtarake.

Walker tregoi gjithashtu për presionet dhe akuzat që iu bënë për të mohuar të vërtetën, por theksoi se qëndrimi i tij i palëkundur bëri që bota të kuptojë realitetin në Kosovë. Ai e lidhi drejtpërdrejt këtë moment me firmosjen e njëanshme të marrëveshjes së Rambujesë dhe më pas ndërhyrjen e NATO-s, që i dha fund spastrimit etnik.

Duke reflektuar për Kosovën sot, ai e cilësoi atë si një nga vendet më demokratike, me një bazë të fortë ligjore dhe shtetërore. Por mbi të gjitha, ai e përshkroi përvojën e tij në Kosovë si një moment që i ndryshoi jetën përgjithmonë, jo vetëm politikisht, por edhe njerëzisht. Me emocione të veçanta, ai kujtoi edhe solidaritetin e popullit shqiptar, duke treguar se si familje shqiptare i ofruan të bëhej pjesë e tyre pas humbjes së bashkëshortes, një gjest që, sipas tij, nuk harrohet kurrë.

Ambasadori veçoi rolin historik të Madeleine Albright, duke e cilësuar si figurën kryesore që ndryshoi rrjedhën e historisë së Kosovës: “Ajo bëri më shumë se kushdo tjetër për Kosovën dhe meriton mirënjohjen më të madhe.”

Në emër të studentëve shqiptarë të Harvardit, Fatoni Limani theksoi se pavarësia e Kosovës nuk është dhuratë, por rezultat i sakrificës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mbështetjes së NATO-s: “Kurajo juaj për të thënë të vërtetën solli atë që sot kemi – shtetin e Kosovës.”

Ndërsa kryetari i VATRES në Boston, Mentor Maksutaj, u shpreh se komuniteti shqiptar do të mbetet përjetësisht mirënjohës ndaj ambasadorit Walker për rolin e tij historik: “Ju bëtë që realiteti të ndryshojë në Kosovë. VATRA do të vazhdojë të punojë për çështjen kombëtare.”-tha ai.

Në fund të aktivitetit, ambasadori Walker iu përgjigj pyetjeve të shumta nga të pranishmit, ndërsa VATRA dhe studentët e Harvardit i dorëzuan atij një mirënjohje të veçantë për kontributin e jashtëzakonshëm në mbrojtje të së vërtetës dhe të drejtave të popullit shqiptar.

Ky takim nuk ishte thjesht një event, ishte një rikujtim i gjallë i historisë, i sakrificës dhe i së vërtetës që ndryshoi fatin e një kombi ku pjesëmarrësi veç komunitetit ishte edhe përfaqësuesi i organizatës “MaasBesa” z.Eduard Lazri.

Filed Under: Politike

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 13 QERSHOR 1912, VATRA U NJOH NGA SHTETI AMERIKAN I MASSACHUSETTS
  • Kujtojmë me nderim albanologun e shquar francez Pierre Cabanes në ditën e ndarjes nga jeta
  • DRITA E PËRNDRITËSHME E SHÊJZAVE TË KOLIQIT
  • FAN NOLI, AT GJERGJ FISHTA, FAIK KONICA DHE AMERIKA NË 250-VJETORIN E SAJ
  • Fshirja e trashëgimisë kulturore dhe historike e Çamërisë dhe ndryshimet toponimike – shprehje e qartë e negacionizmit të qeverisë greke
  • KUR JETA BËHET DOKUMENT HISTORIE
  • SHQIPTARËT NUK DUHET TË LEJOJNË PËRMBYSJEN E SISTEMIT TË VLERAVE
  • TIRANA USHTON: POSHTË KOMUNIZMI!
  • Protesta “Made in Albania”…
  • JOHN FITZGERALD KENNEDY: PRESIDENTI QË E BËRI NJË BREZ TË BESONTE SE MUND TË NDRYSHONTE BOTËN
  • Gëzuar 114-vjetorin e VATRËS!
  • Analizë gjeografike, demografike dhe statistikore e popullsisë së Çamërisë në fillim të Shekullit XX
  • FRANKLIN DELANO ROOSEVELT: PRESIDENTI QË SHPËTOI AMERIKËN NGA DEPRESIONI DHE E UDHËHOQI BOTËN DREJT FITORES
  • NERONI, PUSHTETI PERSONAL DHE BREZI QË NUK HESHT MË
  • REVOLTË APO REVOLUCION?

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT