• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2026

SALIH ZOGIANI – ERUDITI QË SHNDËRROI ANEKDOTËN NË THESAR TË KOMBIT

March 30, 2026 by s p

Prof. Dr. Fejzulla BERISHA/

Trojet shqiptare humbën një thesar të gjallë. Me ndarjen nga jeta të Salih Zogianit, nuk humbi vetëm një njeri, por një institucion i gjallë i kujtesës dhe shpirtit popullor. Ai ishte një nga ata personalitete të rralla që jetojnë përtej kohës së tyre, sepse veprimi dhe fjala e tyre lënë gjurmë të përjetshme në ndërgjegjen kolektive të kombit.

Salih Zogiani nuk ishte thjesht mbledhës tregimesh; ai ishte arkitekti i kujtesës shqiptare, interpretues i thellë i humorit dhe urtësisë popullore, një udhërrëfyes që kthente rrëfimet e thjeshta të fshatit në xhevahire të pavdekshme të mendimit dhe etikës.

Mençuria e Heshtjes

Një i moshuar u pyet se çfarë është mençuria:“Mençuria është të flasësh kur duhet dhe të heshtësh kur duhet më shumë.”

Ky thënie përmbledh filozofinë e jetës së thjeshtë shqiptare dhe etikën e komunikimit — një nga thesaret që Zogiani i ruajti me përpikëri, duke e bërë pjesë të reflektimit të përditshëm.

Ligji dhe Padrejtësia

Një burrë i moshuar tha:“Ligji është si rrjeta e merimangës – të vegjlit i kap, të mëdhenjtë e shqyejnë.”

Në këtë rast, humori dhe fjala e shkurtër shndërrohen në një kritikë të fuqishme shoqërore. Zogiani e interpretoi këtë me mjeshtëri, duke i dhënë anekdotës dimensionin e një instrumenti vetëdijësues për shoqërinë.

Pasuria dhe Dinjiteti

Një i pasur pyeti:“Si të bëhem i respektuar?”Përgjigja e thjeshtë, por e thellë:“Pasuria nuk të bën më të madh, nëse nuk e ke shpirtin e madh.”

Kjo përmbledh një udhërrëfyes moral për jetën, duke nxjerrë në pah se vlerat shpirtërore janë mbi çdo pasuri materiale.

Shpejtësia dhe Durimi

Një i ri pyeti:“Si të arrij shpejt suksesin?”Përgjigja:“Ai që vrapon pa mend, lodhet pa arritur askund.”

Një mësim i thjeshtë, por i fuqishëm, që thekson rëndësinë e durimit dhe mendimit të kujdesshëm për çdo arritje të vërtetë.

Salih Zogiani i dha këtyre “xhevahireve” jetë të përjetshme, duke i nxjerrë nga gojëdhëna dhe duke i vendosur në tekst të shkruar, të transmetueshëm ndër breza. Ai ndërtoi urën midis të kaluarës dhe së tashmes, duke siguruar që mençuria e djeshme të mbetet udhërrëfyes për të nesërmen.

Në planin akademik, vepra e tij përbën thesar të pasur për folklorin, antropologjinë kulturore dhe gjuhësinë shqiptare. Por përtej kësaj, ajo është një pasqyrë e thellë e identitetit tonë kombëtar. Përmes anekdotës, ne kuptojmë jo vetëm si kemi qeshur, por edhe si kemi menduar dhe si kemi jetuar.

Figura e Salih Zogianit mbetet një paradigmë e përkushtimit intelektual dhe dashurisë për kulturën kombëtare. Ai dëshmoi se ruajtja e identitetit nuk është akt deklarativ, por një proces i përditshëm pune dhe besnikërie ndaj vlerave. Ai ishte kujdestar i fjalës, mbrojtës i kujtesës dhe ndërmjetës i urtë ndërmjet brezave.

Sot, kur nuk është më mes nesh, vepra e tij nuk hesht. Librat e tij janë arkiva të gjalla të shpirtit popullor, burime të pashtershme reflektimi dhe frymëzimi. Në to, zëri i Salih Zogianit vazhdon të flasë — i qetë, i mençur dhe i përhershëm.

Në një kohë kur shoqëritë moderne përballen me fragmentim dhe krizë identiteti, figura e tij na rikujton një të vërtetë themelore: rrënjët janë forca jonë më e madhe, dhe pikërisht këto rrënjë ai i mbrojti dhe i forcoi me përkushtim të rrallë, duke i shndërruar në trashëgimi të qëndrueshme për brezat që vijnë.

Salih Zogiani nuk ishte vetëm një individ — ai ishte një shkollë mendimi, një frymë kulturore dhe një testament i gjallë i kujtesës sonë kombëtare.

I përjetshëm qoftë kujtimi për këtë erudit të madh të kombit tonë dhe e paharruar vepra e tij në themelet e kulturës shqiptare!

Filed Under: Interviste

115-VJET NGA KRYENGRITJA E MALËSISË SË MADHE: NGA PUSHKA TE SHTETI

March 30, 2026 by s p

Flamuri i Bratilës në Deçiq: Një Kujtesë që akuzon.

Nga Frank Shkreli

Në pranverën e vitit 1911, shpërtheu një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë kombëtare të shqiptarëve. Kryengritja e Malësisë së Madhe — një akt i guximit dhe i vetëdijes kombëtare që paralajmëroi pavarësinë e Shqipërisë, një vit më vonë. 

115 vjet më parë filloi kryengritja e Malësisë së Madhe (me 23 mars 1911) e që kulmoi me ngritjen e Flamurit në Bratilë të Deçiqit nga Heroi Ded Gjon Luli me malësorë.  Në krye të kësaj lëvizjeje qëndronte figura legjendare e Dedë Gjon Lulit — Frank Shkreli: At Gjergj Fishta për Dedë Gjon Lulin | Gazeta Telegraf — i cili me malësorët e vet sfidoi drejtpërdrejt Perandorinë Osmane. Në një kohë kur perandoria osmane përpiqej të mbante me forcë, territoret e saj në Ballkan, malësorët shqiptarë vendosën të mos presin më.

Kjo nuk ishte, thjesht, një kryengritje vendore ose krahinore me karakteristikat e një përballjeje të hapur me pushtetin osman, por ishte një shpallje e hapur e dëshirës shekullore të Kombit shqiptar për liri dhe identitet kombëtar.  Kulmi i kësaj kryengritjeje u arrit më 6 prill 1911, kur në Bratilë, mbi malin e Deçiqit, u ngrit Flamuri Kombëtar i shqiptarëve — për herë të parë që nga koha e të Përgjithmonshmit të Kombit, Gjergj Kastriotit-Skenerbe — pas pesë shekujsh pushtimi të dhunëshëm osman. Ky akt simbolik, i udhëhequr nga Dedë Gjo Luli, ishte një paralajmërim, një sfidë e hapur ndaj sundimit të huaj dhe një mesazh i qartë për Evropën, mjaft ishte mjaft: shqiptarët ishin gati për shtetin e tyre. 

Kryengritja e Malësisë së Madhe nuk ishte vetëm një përplasje me armë; ajo ishte edhe një projekt politik i artikuluar më vonë me Memorandumin e Greçës, me të cilin u kërkua autonomi dhe drejta të tjera kombëtare për shqiptarët në përgjithësi. Ajo ishte një revoltë që i dha hov lëvizjeve të tjera anë e mbanë trojeve shqiptare kundër osmanëve duke përgatitur, si asnjë herë më parë terrenin për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në 28-Nëntorin e vitit 1912 në Vlorë. Sot,115 vjet më vonë, ajo kryengritje mbetet një kujtesë e fuqishme se liria nuk dhurohet – por ajo fitohet me luftë, sakrificë, me vizion dhe me bashkim. Por mbi të gjitha, Kryengritja e Malësisë mbetet një testament i shpirtit të pathyeshëm të malësorit shqiptar, që në momentet vendimtare të historisë, ka ditur të ngrejë, jo vetëm armën për tu mbrojtur nga armiqët shekullorë, por edhe Flamurin e Kombit, pas 5-shekujsh robërie. Kryengritja e Malësisë së Madhe — ishte një akt i organizuar rezistence që i parapriu dhe i dha frymë shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në një kohë kur Perandoria Osmane përpiqej të mbante me forcë territoret e saj në Ballkan. Por malësorët shqiptarë ia prishën Sulltanit, duke vendosur, të bashkuar, të mos presin më. Kësaj kryengritjeje i qëndronte në krye figura emblematike e Dedë Gjo Luli, prijësi i Hotit, i cili bashkoi fiset e Malësisë së Madhe në një lëvizje të rrallë uniteti e vendosmërie, për shqiptarët. Ky bashkim nuk ishte i rastësisht, por ishte produkt i një vetëdijeje të re kombëtare, që kishte filluar të merrte formë në fund të shekullit XIX dhe që tashmë kërkonte shprehje konkrete politike dhe ushtarake.  

Kryengritja shpërtheu në mars të vitit 1911 dhe mori shpejt përmasa të gjëra, përballë një armiku shumë më të madh në numër dhe në mjete luftarake, por malësorët luftuan me një vendosmëri që habiti jo vetëm Stambollën, por edhe kancelaritë e mëdha evropiane. Malësorët, nuk kërkonin privilegje të vogla apo lëshime të përkohëshme. Jo! Ata kërkonin dinjitet, autonomi dhe njohje si komb.

Por, njëkohsisht, duhet të jemi të drejtë dhe të sinqertë në interpretim të rolit të pazëvendsueshëm të ballafaqimit të malësorëve me perandorinë Otomane, se ajo kryengritje nuk ishte vetëm vepër e pushkës. Se ajo kryengritje u mbështet dhe u artikulua nga mendje kombëtare të ndritura të kohës. Luigj Gurakuqi i dha asaj një zë politik, duke qenë ndër hartuesit kryesorë të Memorandumit të Greçës — dokument drejtuar Perandorisë turke dhe Fuqive të mëdha evropiane, dokument që përmblodhi kërkesat e pothuaj të gjithë shqiptarëve për autonomi, të drejtën gjuhësore dhe përfaqësim politik. Gurakuqi, shërbeu si urë-lidhëse mes luftës në terren të malësorëve dhe diplomacisë evropiane, duke e kthyer kryengritjen e malësorëve në një çështje të artikuluar politike, me qëllim të ndërkombtarizimit të çeshtjes shqiptare dhe pavarësisë së Shqipërisë. Me besimin se “diplomacia dhe lufta shkojnë dorë për dorë”, siç citohet të ketë thënë ish-presidenti amerikan, Theodore Roosevelt-i.  Në të njëjtën kohë, edhe Ismail Qemali i ka dhënë kësaj lëvizjeje dimension ndërkombëtar. Nga qendrat evropiane, ai punoi për ta paraqitur kryengritjen e malësorëve si shprehje të një kombi që kërkonte të drejtat e veta, duke tërhequr vëmendjen e Fuqive të Mëdha, në përgatitje të terrenit politik për aktin e madh të vitit 1912 në Vlorë.  Ndërsa Ernest Koliqi që i përket një brezi më të vonshëm — ndonëse nuk kishte rol të drejtpërdrejtë në ngjarjet e vitit 1911, kontributi i tij qëndron në ruajtjen dhe përpunimin e kësaj trashëgimie më vonë, e deri në ditët e sotëme, të ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve. Përmes letërsisë dhe arsimit, ai dhe të tjerë intelektuaaë shqiptarë ndihmuan që fryma e Kryengritjes së Malësisë së Madhe e vitit 1911, të mos mbetej vetëm histori, por të bëhej pjesë e identitetit kulturor, jo vetëm të malësorëve, por mbarë shqiptarisë.

Siç dihet, kulmi historik i kësaj lëvizjeje u arrit më 6 prill 1911, në Bratilë, mbi Malin e Deçiqit, ku Dedë Gjon Luli ngriti Flamurin kombëtar të shqiptarve, simbolin e identitetit dhe të qëndresës së tyre gjatë gjithë historisë. Ky akt kishte një peshë të jashtëzakonshme historike: për herë të parë pas pesë shekujsh sundimi otoman, Flamuri i Kastriotëve po valëvitej sërish në tokën shqiptare, jo si kujtim i së kaluarës, por si premtim për të ardhmen. Ky moment nuk ishte thjesht simbolik. Ai ishte, njëkohësisht, edhe një deklaratë politike e hapur: shqiptarët nuk ishin më një popull i shpërndarë pa zë, por një Komb që kërkonte vendin e vet në hartën e Evropës. Në vazhdën e kësaj kryengritjeje ishte edhe Memorandumi i Greçës, një dokument i rëndësishëm që artikulonte qartë kërkesat e shqiptarëve për autonomi, përdorimin e gjuhës shqipe në administratë e arsim, si dhe të drejta të tjera themelore, mohuar shqiptarëve në Ballkan, me shekuj nga Perandoria osmane.

Megjithatë, rëndësia e Kryengritjes së Malësisë së Madhe nuk qëndron vetëm në fitoret e saj të drejtpërdrejta apo në aktet e mëvonshme heroike që prodhoi. Por ishte me rëndësi, për faktin se, ajo ishte shkëndia që ndezi një proces më të gjerë kombëtar. Fryma e saj u përhap në vise të tjera shqiptare, duke përgatitur terrenin për kryengritjet e viteve 1912 dhe, përfundimisht, për shpalljen historike të pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë, me 28 Nëntor, 1912.

Kryengritja e Malësisë së Madhe,1911: Liria që u fitua, por edhe ideali i saj që me kohë u zbeh ndër shqiptarë, jo vetëm gjatë periudhës së komunizmit, por edhe në ditët tona.  Prandaj,kur kujtojmë këtë ngjarje historike, nuk mund të mos reflektojmë mbi kontrastin mes asaj kohe dhe realitetit të sotëm shqiptar. Malësorët e vitit 1911, pa shtet, pa mbështetje ndërkombëtare të garantuar, por me një ndjenjë të fortë përgjegjësie kombëtare, arritën të bëjnë histori. Ata nuk ishin të përkryer, por kishin një cilësi që shpesh mungon sot: bashkimin rreth një qëllimi madhor kombëtar.

Pse Flamuri i Ded Gjo’ Lulit është një kujtesë që na akuzon edhe sot, 115-vjet më vonë?  Se, Kryengritja e Malësisë së Madhe duhej të mbetej një mësim i hapur për brezat. Duke u kujtuar shqiptarëve se liria dhe shteti nuk janë produkte të rastësisë, por të sakrificës, të organizimit, bashkimit të shqiptarëve dhe të vizionit të përbashkët për të ardhmen. Ajo kryengritje sfidon sot shqiptarët me pyetjen: a janë shqiptarët si komb sot — politikisht, kombëtarisht dhe si klasë politike që i prinë Kombit në shekullin XXI — në lartësinë e trashëgimisë që kanë lënë pas ata burra, por edhe gra malësore? 

Sot, pra në një kohë kur shpesh dominojnë përçarjet, konfliktet, interesat e ngushta dhe harresa historike, kujtesa e vitit 1911 duhet të shërbejë si thirrje për reflektim dhe përgjegjësi kombëtare. Sepse flamuri që u ngrit në Bratilë të Deçiqit nuk ishte vetëm një copë pëlhurë — por ishte edhe një betim kombëtar. Një betim që brezat pasues të shqiptarëve, anë e mbanë trojeve të veta iliro-arbërore, nuk kanë të drejtë morale as kombëtare ta harrojnë, sot as kurrë. Se kryengritja e vitit 1911 dëshmoi se kur bashkohen sakrifica, mendimi politik dhe vizioni shtetformues, historia merr drejtim. Ajo nuk ishte një episod i izoluar, por një hallkë kyçe në zinxhirin e ngjarjeve që çuan në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Sot, 115 vjet më pas, kjo kryengritje mbetet një pasqyrë sfiduese për realitetin shqiptar. Ajo na kujton se liria dhe shteti nuk janë të përjetshme nëse nuk mbrohen me të njëjtin përkushtim me të cilin u fitua.  Kryengritja e malësorve duhet tu kujtojë sot shqiptarëve, gjithashtu, se uniteti kombëtar, përgjegjësia e elitave politike dhe intelektuale si dhe vetëdija historike janë po aq të domosdoshme sot, po aq sa ishin edhe në vitin 1911. Flamuri që u ngrit në maje të Deçiqit nga malësorët, me në krye Heroin kombëtar, Ded Gjon Lulin, nuk ishte, pra, vetëm një simbol i një fitoreje të përkohshme. Ai ishte edhe një betim për të ardhmen — një betim që vazhdon t’i thërrasë edhe sot shqiptarët anë e mbanë trojeve të tyre iliro-arbërore — për një zgjim të ndërgjegjes kombëtare. 

Frank Shkreli

                                    Krerët e Malësisë së Madhe më 191

                    … Burra le për çark t’martinës,
                          Fjalën, fjalë besën çelikut,
                          ballë për ballë e jo mbas shpinet,
                          mësy me i ra në luftë anmikut…

Disa vargje lapidare të Poetit Kombëtar shqiptar, At Gjergj Fishtës:

“Të shtatë krajlat çue janë në kambë,
kah ka ra medet kjo gjamë,
N’atë Malësi, n’atë Rapshë të Hotit,
Ded Gjo’ Luli burrë si motit,

Me i çetë lekë, bisha shkorretit,
Ka nisë pushkën me asqer të mbretit
…
Se me sodit emni i Zotit,
Ç’ka jem nipa t’Gjergj Kustriotit,
e shqiptarë që i thom na vetit,
Ma duva nuk i bajmë mbretit…”

 Nga Lahuta e Malësisë e Lapidarit të Kombit, Gjergj Fishta

Filed Under: Politike

NJË GABIM I QËLLIMSHËM NGA KRYEMINISTRI EDI RAMA

March 30, 2026 by s p

Nga Agim Aliçkaj/

Postimi i fundit i Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, lidhur me Raportin BTI 2026 për Evropën Juglindore—ku kufiri midis Kosovës dhe Serbisë paraqitet me vijë të ndërprerë, duke e paraqitur Kosovën si pjesë të Serbisë—mund të konsiderohej si një gabim ose mungesë vigjilence, nëse do të ishte bërë nga dikush tjetër.

Por jo nga Edi Rama. Është e vështirë të besohet se gabime kaq të rënda do t’i shpëtonin atij kaq lehtë. Më bindëse është se, që kur la pikturën dhe iu përkushtua politikës, ai ka vepruar vazhdimisht kundër interesave të Kosovës, Shqipërisë dhe gjithë kombit shqiptar, në favor të racizmit dhe hegjemonizmit serb.

Me një përkushtim të jashtëzakonshëm, ai ka vepruar hapur dhe vazhdimisht për të mohuar gjenocidin serb ndaj shqiptarëve dhe për të rehabilituar kriminelin Vuçiç dhe klikën e tij fashiste. Përqafimet e tij me të kanë qenë të neveritshme.

Masakrat e panumërta serbe, për të, kanë qenë thjesht “rrëmujë”. Ai ka zbuluar një doktrinë të re sipas së cilës Serbia kriminale duhet së pari të falet për krimet e saj dhe vetëm më pas do të kërkojë falje. Ai ka ndikuar te zyrtarë të korruptuar në Kosovë për të dhënë amnisti për krime nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër ka kontribuar në krijimin e Gjykatës Speciale për të dënuar vetëm shqiptarët.

Ai ka qenë faktori kryesor në dërgimin e ish-Presidentit të Kosovës, z. Hashim Thaçi, në gjyq në Hagë. Tani ai bën deklarata boshe për lirimin e tij, duke mashtruar mbështetësit e Thaçit dhe duke shkaktuar përçarje në popullin e Kosovës.

Tokat shekullore dardane në veri të Kosovës, për të, janë toka që nuk i përkasin askujt. Edhe më të rrezikshme kanë qenë përpjekjet e tij, së bashku me Vuçiçin, Thaçin dhe Grenellin, për ndarjen e Kosovës si hap i parë drejt zhdukjes së saj si shtet. Më pas, me projektin famëkeq “Ballkani i Hapur”, ai do të bashkonte Shqipërinë me Serbinë, duke përmbushur ëndrrën e kahershme të Serbisë për dalje në det.

Artikulli i tij i përbashkët me kriminelin Vuçiç për hyrjen së bashku në Bashkimin Evropian—pa të drejtë vetoje për Serbinë dhe Shqipërinë—duke anashkaluar kushtin kryesor të njohjes së Kosovës, dhe paraqitja e Kosovës në hartë si pjesë e Serbisë, përfaqësojnë kulmin e veprimeve armiqësore të z. Rama.

Këto nuk janë gabime të paqëllimshme, por veprime të vetëdijshme, të planifikuara mirë, që synojnë dëmtimin e imazhit ndërkombëtar të Kosovës, ndarjen dhe shkatërrimin e shtetësisë së saj. Përditësimi i postimit pas kritikave të shumta nuk ka asnjë vlerë. Madje, nuk i shkon ndër mend të kërkojë falje për fyerjen ndaj popullit të Kosovës, sidomos ndaj viktimave të pushtuesit serb.

Veprimet në interes të Serbisë mbulohen nga Rama me deklarata boshe dhe pompoze pa asnjë efekt real në terren, si “Kosova është e pavarur” e thënë në Beograd, “Poshtë Gjykata e Hagës”, “Liri për Thaçin”, “Shqipëria është në krah të Kosovës në rast konflikti”, etj. Edhe pse gjithçka është e qartë, mbështetësit e tij në Shqipëri dhe disa nga opozita jokonstruktive në Kosovë zgjedhin të besojnë dhe të mashtrohen.

Arsyet e veprimeve të tij antishqiptare janë të shumta dhe kërkojnë analizë të thellë dhe të dokumentuar. Ato variojnë nga egocentrizmi i sëmurë, inferioriteti ndaj serbëve, dëshira për dukje, kojtja, deri te mundësia e kurtheve serbe me shantazh përmes mjeteve të ndryshme të ulëta.

Fatmirësisht, të gjitha përpjekjet e tij deri më tani për të shkatërruar Kosovën kanë dështuar me turp, falë Kryeministrit të palëkundur dhe vigjilent të Kosovës, z. Albin Kurti, së bashku me bashkëpunëtorët e tij si Glauk Konjufca dhe Donika Gërvalla, të mbështetur deri vonë nga Presidentja e Kosovës, znj. Vjosa Osmani.

Udhëheqësit e Kosovës nuk e kanë të lehtë në përballjen me Kryeministrin e shtetit amë, por duhet ta bëjnë këtë me shumë kujdes, përmes taktikës, politikës dhe diplomacisë së rafinuar—pa u përballur drejtpërdrejt me të, por duke u fokusuar vetëm në çështjet e dëmshme dhe të rrezikshme që ai përfaqëson.

Mbetet detyrë parësore e të gjithë intelektualëve të pavarur dhe figurave kombëtare që, me fakte dhe argumente, të demaskojnë Kryeministrin e keq dhe të dëmshëm për Shqipërinë dhe kombin shqiptar, Edi Rama.

Filed Under: Komente

Bostoni shqiptar përballë historisë: Ambasadori Walker sjell të vërtetën e Raçakut

March 29, 2026 by s p

Flamur Vezaj – mashqip.com/

Në ambientet e Katedrales Ortodhokse Shqiptare të Shën Gjergjit, aty ku historia dhe identiteti shqiptar në Amerikë kanë rrënjë të thella falë Fan S. Noli, u zhvillua një aktivitet me peshë të veçantë kombëtare: promovimi i librit “Raçak” nga ambasadori William Walker, organizuar nga Qendra Kulturore dhe Libraria “Fan S. Noli” në bashkëpunim me VATRA dega në Boston.

Në një atmosferë të ngrohtë, patriotike dhe plot emocion, aktiviteti u moderua me profesionalizëm nga gazetarja dhe editorja Rafaela Prifti, e cila udhëhoqi diskutimin mes kujtesës historike dhe mesazheve për të ardhmen.

Momenti më prekës i aktivitetit ishte momenti kur ambasadori Walker takoi një shqiptare nga fshati Reçak, e cila jetonte në Boston. Ky takim solli emocione të forta në sallë, duke rikujtuar se për shumë njerëz, masakra e Reçakut nuk është thjesht histori, por plagë e gjallë dhe dëshmi e sakrificës.

Në fjalën e tij, ambasadori Walker e cilësoi masakrën e Reçakut si një krim lufte që tronditi botën, duke theksuar se pikërisht ajo ngjarje nxiti reagimin ndërkombëtar dhe ndërhyrjen për të ndalur gjenocidin e regjimit të Slobodan Milošević. Ai u shpreh se e vërteta nuk mund të fshihet, pavarësisht përpjekjeve për ta mohuar, dhe se vendimi për të ndërhyrë ishte i drejtë dhe i domosdoshëm.

Me një modesti të rrallë, Walker tha se kontributi i tij ishte i vogël në krahasim me figura të mëdha si Madeleine Albright, duke nënvizuar rolin e diplomacisë amerikane dhe mbështetjes ndërkombëtare për çlirimin e Kosovës.

Ai gjithashtu dha një mesazh të qartë politik: Kosova nuk sulmon askënd, ndërsa Serbia vazhdon të mbajë një qasje armiqësore ndaj saj. Sipas tij, e vërteta historike dhe drejtësia duhet të mbizotërojnë mbi propagandën.

Në një moment më të lehtë, por po aq domethënës, ambasadori shprehu admirimin e tij për kulturën shqiptare, duke veçuar muzikën dhe dasmat kosovare, ndërsa u bëri thirrje shqiptarëve të diasporës: “Ruani lidhjet mes jush, qëndroni të bashkuar, kjo është forca juaj.”

Ky aktivitet nuk ishte thjesht një promovim libri, por një rikujtesë e fortë se historia e Kosovës është e shkruar me gjak, sakrificë dhe qëndresë. Për ata që janë pjesë e kësaj historie, libri “Raçak” mbetet një dëshmi e gjallë dhe një thirrje për të mos harruar kurrë.

Bostoni shqiptar, përmes këtij organizimi, tregoi edhe një herë se kujtesa kombëtare nuk shuhet, përkundrazi, ajo forcohet në çdo brez që e mban gjallë.

Në fund të aktivitetit, ambasadori Walker firmosi librin e tij për të pranishmit dhe lexuesit, duke u dhënë atyre mundësinë të marrin një kujtim të veçantë nga ky takim me vlerë historike.

Filed Under: Komunitet

Instituti i Historisë “Ali Hadri” sjell botimin e ri për dokumentet diplomatike të Kosovës

March 29, 2026 by s p

Ditët e fundit, Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë ka publikuar vëllimin e parë të përmbledhjes me dokumente “Kosova në Dokumentet e Arkivit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë 1990-1991”, nga autori prof. as. Dr. Haxhi Ademi.

Ky botim sjell për herë të parë një grup të gjerë dokumentesh origjinale, të transkriptuara dhe të sistemuara sipas rendit kronologjik, që pasqyrojnë qartësisht qëndrimin e shtetit shqiptar ndaj çështjes së Kosovës në periudhën vendimtare të fillimit të viteve ’90. Në një kohë kur Federata Jugosllave po shembej dhe rajoni i Ballkanit po përballej me tronditje të mëdha politike, Shqipëria, megjithëse në tranzicion të thellë, luajti një rol aktiv dhe historik në mbrojtjen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve në Kosovë.

Dokumentacioni përfshin raportet e ambasadave shqiptare, komunikimet zyrtare me organizatat ndërkombëtare dhe reagimet ndaj krizës në Kosovë, duke dëshmuar përpjekjet e Tiranës për ndërkombëtarizimin e çështjes dhe denoncimin e shkeljeve të të drejtave të popullsisë shqiptare nga regjimi serb. Materialet pasqyrojnë ngjarjet dramatike të viteve 1990–1991, duke filluar nga demonstratat masive e dhuna sistematike, deri te nismat diplomatike për sensibilizimin e institucioneve ndërkombëtare.

Një dimension i veçantë i këtij dokumentacioni lidhet me bashkëpunimin kulturor dhe arsimor ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, përfshirë shkëmbime akademike dhe pranimin e studentëve nga Kosova në universitetet shqiptare, duke treguar se diplomacia shqiptare e trajtoi çështjen e Kosovës jo vetëm si problem politik, por edhe si detyrim historik për ruajtjen e identitetit kombëtar.

Vlera shkencore e botimit qëndron në përpikërinë kronologjike të dokumenteve, gjuha e saktë zyrtare dhe konteksti ndërkombëtar që ndihmon studiuesit të analizojnë veprimet diplomatike të asaj kohe. Botimi ofron një bazë të gjerë për kërkime akademike në fushën e historisë, marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomacisë shqiptare, duke u mundësuar studiuesve qasje të drejtpërdrejtë dhe të barabartë në burime origjinale.

Prof. Haxhi Ademi thekson se ky botim është një dëshmi e angazhimit të shtetit shqiptar për mbrojtjen e identitetit kombëtar dhe të drejtave të shqiptarëve të Kosovës, si dhe përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri dhe vetëvendosje. Dokumentet, të deklasifikuara nga Ministria për Evropë dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, sjellin informacion të pazëvendësueshëm për historiografinë shqiptare dhe për studimet mbi periudhën vendimtare të viteve 1990-1991.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • WOODROW WILSON: PRESIDENTI AMERIKAN QË MBROJTI SHQIPËRINË KUR FUQITË E MËDHA DONIN TA FSHININ NGA HARTA
  • PROTESTAT DHE FUNDI I NJË EPOKE POLITIKE NË SHQIPËRI NJË DOMOSDOSHMËRI E KOHËS
  • Kosova në filatelinë jugosllave me prani te kufizuar dhe identitet te mohuar
  • GJENIALITETI I SKËNDERBEUT NË BASHKIMIN KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE
  • Dr. Lumnije Kqiku, kryetare e Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Austri: Mjekët shqiptarë, vlerë e shtuar për sistemin shëndetësor austriak
  • Gjuha denigruese, sulmet dhe agresioni verbal ndaj gazetarëve, përbën një akt kriminal publik
  • TRI LETRA TË FAN NOLIT…
  • Ballkani në prag të një rikonfigurimi të ri ekonomik dhe strategjik
  • Vizita baritore e Kardinal Ernest Simoni Troshanit në Mbretërinë e Bashkuar
  • Deputeti i Partisë!
  • Gjeografia e tumoreve: Si e ndajnë botën gjinia, varfëria dhe stili i jetesës
  • Shqiptarët e Amerikës protestojnë në New York kundër shitjes e zhvatjes së Atdheut, korrupsionit, vjedhjes, babëzisë e qeverisë…
  • Pse mungesa e Liderit në revolta shumë herë është përparësi!
  • PROTESTAT E DIASPORËS – BAROMETËR I ZGJIMIT TË RINISË SHQIPTARE
  • Ballkani dhe Shqipëria në udhëkryqin ndërmjet demokracisë dhe autokratizmit global

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT