E ndoqëm me emocion ceremoninë e së Dielës të 27 Prillit 2014, kur u shpallën Shenjtë dy Papë, Gjoni XXIII e Gjon Pali II.
Ne shqiptarët si Komb i jemi gëzuar në mënyrë të veçantë shënjëtërmit të Papa Gjon Pali II. Ai na deshi si Komb, ai u lut për ne, ai e puthi tokën Arbënore, ai e vlerësoi lartë veprën e Nënës së përbotshme me gjak shqiptar, Nënë Terezës.
Edhe pse kanë kaluar 21 vite nga vizita e Papa Gjon Palit II në Shqipëri, ne na duket se mrekullia e asaj vizte sapo ka ndodhë. Me 25 prill 1993, Papa gjon Pali II u gjunjëzua në tokën e martirëve . Kjo ndodhi në aeroportin e Rinasit, i cili qe ndërtuar nga të burgosurit politik, kundërshtarë të regjimit të pafe’.Pikërisht atë tokë të mbrujtur nga gjaku i martirëve prekën buzët e Atit të Shenjtë.
Ne ishim të lumtur që e përjetuam së afërmi vizitën e Atit të Shenjtë. Fjalët e Papa Gjon Pali II ishin melhelm për zemrat e vrara të shqiptarëve. Me 25 Prill 1993 ai tha fjalë shpirti në Tiranë: “Ajo që ka ngjarë në Shqipëri, të dashur vëllezër e motra, nuk ishte parë kurrë në historinë e njerëzimit… Drama juaj, shqiptarë të dashur, i intereson e duhet t’i interesojë gjithë kontinentit evropian dhe është e domosdoshme që Evropa mos t’ju harrojë…”
Por nuk ishte kjo e vetmja herë kur Papa Gjon Pali II foli për shqiptarët që jetonin nën burgun e madh të diktaturës. Në vitin 1980, nga Otranto e Italisë, Ai foli për grigjën e martirizuar nga komunistët përtej detit:“Nuk mund të mos e hedh vështrimin përtej detit, jo larg, drejt Kishës heroike në Shqipëri, që tronditet thellë nga persekutimi i ashpër e i zgjatur, por edhe pasurohet nga dëshmia e martirëve të saj: ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë e rregulltare, e besimtarë të thjeshtë”!
Ne kishim kënaqësinë që Papa Gjon Pali na priti me 27 Maj 1995, dy vjet pas mikpritjes së shkëlqyer që i kishin bërë shqiptarët në Tiranë dhe Shkodër. Na foli me fjalë zemre.
Në kujtesën e ne shqiptarëve mbeten fjalët e Papa Gjon Palit II drejtuar popullit martir të Kosovës gajtë Pashkëve të vitit 1999:” “I lutem Zotit të Ringjallur t’i japë dhuratën e paqes, së pari tokës së martirizuar të Kosovës, ku lot e gjak vazhdojnë të përzihen në një skenar dramatik urrejtjeje dhe dhune. Mendoj për ata që janë vrarë, për ata që kanë mbetur pa shtëpi, për ata që janë larguar me forcë nga familjarët, për ata që janë detyruar të ikin larg…”.
Ne si vëllezër, së bashku me familjet tona, ndjehemi mirë që në Vatikan ndodhet edhe një dhurata jonë për Papa Gjon Palin II, e cila iu dhurua me 19 tetor 2003 në ditën e nisjes së lumnimit të Nënës Terezë. Ajo ishte një dhuratë që ne e porositëm në Tiranë, një dhuratë në argjend, për t’ia dhuruar Papës nga Presidenti i Kosovës dr. Ibrahim Rugova. Skulptura e argjendët paraqet Nënë Terezën me Papa Gjon Pali II, është ajo që paraqetet në fotografitë që shoqërojnë këtë urim. Ishte një dhuratë simbolike, me të cilën ne donim të përjetësonim vlerësimin e madh që i pat bërë Papa Gjon Pali II ,Nënës së Përbotshme me gjak shqiptar, Nënë Terezës.
Të gëzuar nga Shenjtërimi i Papa Gjon Pali II ne lutemi që së shpejti të shpallet e Shenjtë dhe Nëna Terezë!( LEK & PASHKO GOJÇAJ, New York. Botoi Dielli Print Prill 2014)
Marjan Cubi says
Shume te nderuar vllezer Leka dhe Pashko Gojcaj
Ju uroje edhe juve Shejterimin e Papes Gjon Pali I dyte.
Papa Gjon Pali I dyte ishte mik I madh Shqipetarve,mik I
madhe I Kryetarit te Kosoves Dr. I brahim Rugova.
Tani Shejti Gjon Pali do te lutet edhe per popullin
Shqipetare dhe per te Lumenueshmen Nene Tereza qe te shejterohet dhe se bashku nga Qielli te luten per te miren e gjithe kombit Shqipetar.