Ne Foto: Martin Camajt (1925-1992)/
Dielli: Nga hovet lirike të poezisë së Camajt- “Mos pshtyj në zjarm, mos pshtyj në dritë !”/
Martin Camaj, u lind më 21 korrik 1925 në një zonë malore, në Temal të Shllakut. Ky mjedis i egër malor do të lërë mbresa dhe do të ndikojë te shkrimtari dhe gjuhëtari i ardhshëm. Që në fëmijëri u dallua për një zgjuarsi të veçantë, gjë që u ra në sy prindërve të Camajt. Kështu atyre u lindi dëshira që Martini të mos ndiqte rrugën e disa bashkëmoshatarëve për t‘u bërë çoban në ato zona, por të arsimohej më tej. La Temalin e largët dhe erdhi në Shkodër për të ndjekur mësimet në kolegjin Saverian, një kolegj me emër në të cilin kishin studiuar patriotë, shkrimtarë, gjuhëtarë dhe mësues të afirmuar në profesionin e tyre. Pasi mbaroi studimet në këtë kolegj, filloi të ushtrojë detyrën e mësuesit në fshatin Prekal të zonës ku lindi, 25 km larg Shkodrës. Bindjet e tij nuk pajtoheshin me regjimin e kohës, prandaj në vitin 1948, në moshën 23-vjeçare arratiset për në Jugosllavi. Pas disa peripecish, ai filloi studimet e larta në Universitetin e Beogradit, në degën Gjuhë-Letërsi Sllave dhe latine, pranë profesorit të dëgjuar kroat, Henrik Bariç. Menjëherë prirjet e tij letrare i konkretizoi me botimin e dy vëllimeve poetike “Nji fyell ndër male” (Prishtinë, 1953) dhe “Kanga e vërrinit” (Prishtinë, 1954). Nuk i dimë rrethanat se si u krijuan, por Martin Camaj, 8 vjet pasi ishte arratisur dhe pasi kishte mbaruar Universitetin e Beogradit, në vitin 1956, posa i kishte mbushur 31 vjetët, shkoi për studime pasuniversitare në Romë, duke lënë përfundimisht Beogradin dhe duke u bashkuar me shokët e një ideali E. Koliqin, K. Gurakuqin, M. Krujën etj. Në Universitetin e Romës u specializua për gjuhësi, duke konsoliduar gjithnjë e më shumë formimin e tij filologjik. Ai zgjodhi si temë disertacioni veprën e parë të gjuhës shqipe “Mesharin” e Gjon Buzukut, një studim mjaft interesant dhe i rëndësishëm për kohën kur u shkrua. Fillimisht Martin Camaj do të jetë lektor në Universitetin e Romës pranë katedrës së gjuhës dhe të letërsisë shqipe që drejtohej nga shkrimtari E. Koliqi, por njëkohësisht që për disa vjet qe edhe kryeredaktor i revistës prestigjioze “Shêjzat”(Le Pleiadi) (1957-1978) që dilte në Romë. Por jeta e këtij intelektuali ishte në lëvizje. Pas një qëndrimi prej afro 10 vjetësh në Romë, do të lerë kryeqytetin italian dhe do të vendoset në Mynih të Gjermanisë, ku do të merret kryesisht me studime gjuhësore. Në Universitetin e atij qyteti do të mbrojë me sukses një temë nga fusha e formimit të fjalëve të shqipes, të titulluar “Fjalëformimi i shqipes. Mënyrat e formimit të emrave të vjetër.” Në Mynih jo vetëm do të mbajë leksione për studimet albanologjike, por pas disa vjetësh do të themelojë katedrën e gjuhës shqipe në atë universitet që do ta drejtojë gjatë 20 vjetëve, prej vitit 1971-1990, vit në të cilin doli në pension. Autori ynë do të jetë një personalitet i cili do të vlerësohet nga instancat shkencore të kohës dhe redaksitë e disa revistave që dilnin në Evropë. Vdiq larg vendlindjes së tij, në Bavarinë e Epërme, në fshatin malor Lengries, më 12 mars 1992, në moshën 67-vjeçare nga një sëmundje e pashërueshme pranë së shoqes dr. Erika Camaj. Me gjithë ndryshimet e ndodhura në vendin tonë, me përmbysjen e regjimit monist, për arsye shëndetësore, ai nuk arriti të shohë vendlindjen e tij Temalin e largët malor, por edhe Shkodrën, me të cilën e lidhnin shumë kujtime, kryesisht, nga qëndrimi i tij në kolegjin Saverian.
***
Me rastin e 90 vjetorit te Lindjes sjellim nga arkivi i Diellit, shkrimin ne vijim
Nga hovet lirike të poezisë së Camajt
(fragment)
“Mos pshtyj në zjarm, mos pshtyj në dritë !”
Një hov lirik shqiptar i madhërishëm: sa i njëmendtë aq i figurshëm, sa fizik aq shpirtëror, sa i lëndët aq fluid dhe sado që në kontekstin e dhënë të poezisë luhaten hije bestytnie dhe vezullojnë ngjyra pagane, ai të merr sytë me ndriçimin shoqëror, qytetërues, emancipues.
Lutje, këshillë, porosi, urdhër i prindit. Gjakim i urtisë së Arbrit, i shqiptuar me një ton të rëndë si hija e malit, i prerë, i dalë nga një shpirt i shqetësuar.
“Tha i urti: çdo njeni asht nji ngjyrë
e na hije në te prej bardh deri në zi.”
“Mos pshtyj në zjarr, në dritë!” Hije bestytnie,- na shkon ndër mend fill. Jo pa të drejtë. Ndërgjegjja e popullit tonë ka qenë mjaft e errësuar nga hija e saj: “Mos e bëj këtë! Është keq, diçka e keqe ka për të të ndodhë!” Po ky hov lirik tek Camaj përshkëndit më tepër si një dëshmi e lashtë e shpirtit pagan të shqiptarit. E çiltër dhe e drejtpërdrejtë.
Drita është energji dhe energjia është bijë e zjarrit, ngrohjen e të cilit shqiptari e ka marrë gjithnjë nga vatra familjare, që nuk është shuar asnjëherë. Ngrohjen fizike dhe ngrohjen shpirtërore, burimi kryesor i së cilës vjen prej Diellit, që trojet tona mitologjike deri në kohët më të vona e kanë nderuar si Perëndi, i janë falur dhe i janë betuar.
Në mitologjinë greke Heliosi-perëndia i dritës, ishte i vetmi perëndi që me një vështrim të vetëm zotëronte të gjithë sipërfaqen e tokës dhe njoftonte Olimpin për çdo gjë që ndodhte.
Fizikisht, drita është energjia lëndore më e shpejta dhe më e lehta, – po sa e rëndë është ajo si energji shpirtërore. Ajo ndriçon çdo gjë reale dhe ideore. Dhe në këto të fundit, mbi të gjitha, ajo ndriçon arsyen njerëzore. Mistiku i madh, Shën Françesku i Assizit i qe lutur Zotit: “O Zot, më bën vegël të paqes sate; ku është errësira të bie dritën.” Gjithësesi, drita krijon një harmoni të brendshme shpirtërore shoqëruar me një jehonë amshimi hyjnor. “Pastë dritë! – thuhet për të vdekurin.
Porosi shumëdimensionale me përmbajtje didaktike dhe edukative. Në fokus, një edukatë shumëplanëshe: didaktike, morale, higjenike, estetike. Didaktike: të vlerësosh ndriçimin e dritës dhe zjarrin si burim ngohjeje dhe kusht i domosdoshëm jetik. Mirësjelljeje, që shkelet duke pështyrë në vatër. Higjienike- e lidhur me ruajtjen e shëndetit. Estetike: a nuk është e shëmtuar të pështysh në vatër e kudo?
Moral i lartë dhe mësim i vlertë që mali i ka dhënë fushës, që etërit ua kanë përcjellë bijve, një moral shqiptar i përjetshëm, sepse:
“Kam harrue shum sende që m’i than’ prindët
Shum tjera m’sova e dola ndoshta i larmë;
Por bijve të mij un kam me u thanë tu’u rritë:
Mos shkelni bukën,
Mos pshtyni në zjarm,
Mos pshtyni në dritë!”
Një hov lirik që njëmendëson si mesazhin më të qenësishëm traditën. Traditën si forcë, traditën si vlerë, traditën si identitet: identitet lënde, identitet shpirti, identitet qenësie.
“Trishtimi i kaluem i seme amë
jeton si gjaku i saj në mue
pse jam shqiptar.”
Me këtë traditë është e lidhur poezia e Camajt, “më evropianit prej poetëve tanë”. Në thelb, mesazhi i motivit është tradicional. Po atëherë çfarë është esenca evropiane tek ai? Në poezinë moderne, çdo hov lirik përmban në vetvete dimensione të shumta e të larmishme, të transmetuara me një mjeshtëri të lartë artistike. Dimensione që duhet t’i përjetojë lexuesi. Sado që, kur shkruante vargjet e kësaj poezie (v.1957), poeti nuk e kishte bërë të vetën praktikën krijuese poetike moderne, që heret poezitë e Camajt e kanë tharmin e saj.