
Enela Markja
Shoqëria e akademikëve shqiptarë DIJA e.V.
Mynih, Gjermani
U zhvillua në ambientet e Qendrës ndërkombëtare të takimeve shkencore (IBZ München) mbrëmja letrare e organizuar nga Shoqëria e akademikëve shqiptarë DIJA e.V. në Mynih. Në këtë mbrëmje u promovua libri “Dritëhije reflektuese” i autorit dhe
anëtarit tonë, Dr. Petrit Beqiri.
Ky aktivitet u zhvillua për nderë të 15 vjetorit të shpalljes së
Pavarësisë së Kosovës dhe në të morën pjesë intelektualë, akademikë dhe artdashës shqiptarë e gjermanë në Mynih dhe rrethinë, mësuese të gjuhës shqipe nga Lidhja e arsimtarëve dhe prindërve shqiptar (LAPSH), përfaqësues nga Klubi letrar Martin Camaj, Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Mynih z. Afrim Nura, Konsujt e Republikës së Shqipërisë znj. Miranda Kokona dhe Dr. Dashnor Ibra, etj.
Vëllimi me poezi mbart në vetvete ndarjen dhe bashkimin, luftën dhe paqen, lotin dhe buzëqeshjen, mallin dhe ankthin, lirinë dhe robërinë, dritën dhe hijen, pikërisht historinë e gjatë dhe të dhimbshme të shtetit të ri kosovar. Humbjet dhe traumat e bën Kosovën dhe popullin shqiptar t’ia transformojë dhimbjen në vepra arti dhe vlera humane. Sot Kosova lulëzon me talente, të lindura këto nga histori të dhimbshme, por që e bëjnë atë të njohur përtej tryezave të diplomacisë, mbarë globit.
Me poezitë e tij autori Beqiri reflekton pikërisht mbi këtë rrugëtimin
duke përshkruar në mënyre poetike dritën dhe hijen e tij. „Çdo gjë lëviz rrjedhës së kohës, lumit të jetës rreken përgjatë“ citon autori në poezinë e tij „Lumit të jetës“. Ajo rini e viteve ’80 -‘90 – brez të
cilit autori i përket, e kaloi rininë e brishtë duke ëndërruar të vij
“dita e madhe” e lirisë dhe pavarësisë dhe vite më vonë këto ëndrra u përlotën dhe u përgjakën duke lënë kështu gjurmë të thella, të cilat autori i përpunon duke shprehur ndjenjat dhe emocionet e tij në vargje.
Në dritëhije: përgjatë këtij kufiri, përshfaqet reflektimi i mendjes mbi vetveten – janë këto fjalët me të cilat autori fillon vëllimin e tij
poetik të cilin ja kushton nënës së tij, që përjetoi shumë dhimbje.
Aktiviteti u përmbyll pas bisedave të gjata në ambientet e Klubit të
Qendrës IBZ, duke u hapur rrugën aktiviteteve të tjera të këtij niveli,
që Shoqëria e akademikëve shqiptarë DIJA e.V. ka planifikuar për këtë vit.