Shqipëria e nis me këmbë të mbarë 2014-ën, Basha dhe Meha i japin fitoren me Maltën/
Shqipëria e De Biazit e nis me këmbë të mbarë 2014-ën. Në ndeshjen e parë zyrtare për këtë vit, që qëlloi të ishte miqësore, kuqezinjtë tanë fitojnë 2-0 ndaj Maltës. Suksesi ka ardhur nga dy mesfushorë, Migjen Basha, që ka zhbllokuar shifrat e bardha në minutën e 26-të, pas goditjes me kokë, dhe eurogolit që ka qenë “qershia mbi tortë” e këtij ballafaqimi, me autor Alban Mehën, në minutën e 52-të. Cfare goli ai i Mehes! Rreth 35 metra larg u leshua silura. Topi ne rrjete. Portieri mik mbetet i habitur.
Vec këtyre dy “rrjetave”, kombëtarja jonë ka goditur dy herë edhe shtyllën e portës malteze, me anë të Bashës dhe Roshit. Një test i kaluar me sukses, por përgjigjet më mirë se askush tjetër duhet t’i ketë marrë De Biazi, që po mundohet të vërë pikat mbi “I” sa i përket grupit të lojtarëve që do të ketë në fokus për fushatën kualifikuese të “Euro 2016”.
Sikurse dihet, Shqipëria ka rënë në një grup mjaft të vështirë, ku bëjnë pjesë edhe Portugalia, Danimarka, Serbia dhe Armenia. Kësisoji, llogaritë duhen bërë mirë nga De Biazi dhe të tijtë, që e provuan veten në veprim ndaj maltezëve modestë, ku të paktën kanë “shkundur pluhurin”, për shkak se ishin bërë ca muaj pa luajtur. Ndeshja e fundit, edhe kjo miqësore, datonte më 15.11.2013, kur barazuam 0-0 me Bjellorusinë në stadiumin asnjanës të Antalias.
Nëse i referohemi renditjes botërore të FIFA-s për muajin shkurt, kuqezinjtë tanë janë më superior ndaj maltezëve, cka u duk qartë edhe në fushën e lojës. Shqipëria mban vendin e 55-të, ndërsa Malta është shumë më poshtë në këtë klasifikim mujor të kombëtareve, pikërisht në vendin e 131-të. Kjo ishte përballja e tetë në historikun e të dyja kombëtareve, seria e të cilave zë fill më16.08.1995 dhe vijonte deri në sfidën pararendëse, më 11.02.2009.
Bilanci është i tillë tashmë: 5 fitore Shqipëria, 2 barazime dhe 1 fitore Malta. Golaverazhi flet për kuqezinjtë, 14-3. Nga këto, 6 ndeshje janë miqësore dhe dy të tjera kualifikuese për Botërorin 2010.