-Ministri i FSK-së Haki Demolli priti ambasadorin e SHBA-së, Greg Delawie/
PRISHTINË, 20 Maj 2016-B.Jashari/ Ministri Haki Demolli së bashku me komandantin e Forcws së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama, pritën sot në një takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie.
Fillimisht, ministri Demolli falënderoi ambasadorin Dellawie për ndihmën e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë ndër vite dhe po vazhdojnë të japin për ngritjen profesionale të FSK-së, siç është bashkëpunimi me Gardën Kombëtare të Ajovës.
Një falënderim të veçantë ministri Demolli i shprehu ambasadorit Delawie lidhur me kërkesën e Kongresit Amerikan që të fillojnë përgatitjet që Kosova të hyjë në Programin e Partneritetit për Paqe (PfP), në kuadër të NATO-s.
Gjatë takimit ministri Demolli dhe ambasadori Delawie biseduan edhe për zhvillimet e përgjithshme në Ministri, me theks të veçantë për zhvillimet rreth procesit të transformimit të FSK-së.
Me këtë rast, ambasadori i SHBA-së, Delawie tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë ta përkrahin procesin e transformimit të FSK-së.
Gjithashtu, ambasadori Greg Delawie shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin e shkëlqyer të deritashëm në mes dy shteteve, si dhe bashkëpunimin e FSK-së me Gardën Kombëtare të Ajovës. Ai premtoi vazhdimin e bashkëpunimit dhe ndihmën e pakursyer edhe në të ardhmen për ta ndihmuar Forcën e Sigurisë së Kosovës drejt profesionalizimit të saj.
Në takim morën pjesë edhe Latif Leka, shef i kabinetit të ministrit, atasheu i Mbrojtjes në Ambasadën e SHBA-ve në Kosovë, koloneli Anthony Butts, si dhe Michael Polyak.