

Sokol Paja/
New York, 15 Maj 2025 – Anëtarët e Komitetit Shtetëror për Kultet në Shqipëri z.Servet Gura dhe z.Lirim Neziraj zhvilluan një vizitë në Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra. Ata u pritën nga vatrani legjendar z.Marjan Cubi me 45 vite kontribut për çështjen kombëtare në mërgatën e Amerikës, editori i gazetës Dielli dhe anëtari i kryesisë z.Ilir Cubi. Në fjalën e mirëseardhjes editori shpjegoi për miqtë nga Tirana historinë e Federatës Vatra, të gazetës Dielli, kontributin për atdhe, komunitet dhe komb, veprimtarinë atdhetare të figurave të shquara të Vatrës e Diellit dhe figurave historike të mërgatës së Amerikës që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë kombëtare. Editori u ndal në fazat dhe etapat historike ku Vatra ka ndihmuar specifikisht shtetin shqiptar në fushën diplomatike, ekonomike dhe politike. Z. Ilir Cubi u shpjegoi miqve nga Tirana mbështetjen e Federatës Vatra ndaj shkollave shqipe dhe dhurimet e Abetareve, librave shqip, gazetave Dielli e flamujve kombëtarë për nxënësit shqiptarë. Aktualisht degët e Vatrës në Tampa, Miami, Hartford e Long Island kanë shkollat shqipe duke dhënë kontribut atdhetar, edukativ e kulturor në ruajtjen e gjuhës shqipe dhe identitetit kombëtar në mërgatën e Amerikës. Miqtë nga Tirana vlerësuan rolin e Vatrës si institucion atdhetar me kontribut të spikatur në ruajtjen e trashëgimisë kulturore e gjuhësore shqiptare në emigracionin shqiptar të Amerikës. Z. Gura dhe z. Neziraj gjenden në SHBA në kuadër të disa takimeve me përfaqësues të komuniteteve fetare shqiptare dhe të huaja për të rritur bashkëpunimin dhe për të promovuar harmoninë e vëllazërinë fetare shqiptare e dialogun ndërfetar.