Frano Kulli
Sado që është folur e shkruar këto vite këtu ndër ne, në mediume, në shkrimtari publicistike a në letërsi për At Anton Harapin (5janar 1888-pushkatuar me 14 shkurt 1946), me sugjerimin për ta parë e analizuar këtë figurë të rëndësishme të historisë kombëtare në gjithë kompleksitetin e saj, prap se prap historiografia jonë zyrtare, (që është ajo që ishte), ia ka dalë ta mbajë fort atë në krahun e “kolaboracionistëve”. Aspak pluhur nuk i është shkundë prej atij deklasimi që atij iu bë si antar i Regjencës (shtator 1943-nëntor1944); asnjë arsyetim a fakt që rri në anën tjetër të “damkës” së vënë nga rregjimi, nuk e çukit korracën e ngurtësuar të historianëve të formësuar si të tillë nën përkëdhelitë e sistemit politik të shkuar e të paliruar as edhe një nyje prej tij (Milo a Xhufi). Përkundrazi të ngritur e të ringritur në majat sundimtare të akademisë sot. Po edhe të tjerë pinjollëve ideologjikë të tyre, që shkencën e kanë mësuar dhe e ushtrojnë prap me porosi, si ideologji dyngjyrëshe, bardh e zi. Ku e bardha, për ta është vetëm epoka e ndritur e socializmës e trashëgimia e saj, pa ia nënshtruar aspak atë fakteve historike a të dhënave krahasimore me shembuj, me njerëz a sisteme të njëkohëshme. Për të mundësuar kështu nxjerrjen e deduksioneve sa më afër reales, asaj që ka ndodhur dhe për të shërbyer prej së vërteti historiografinë tonë kombëtare, aq fort të deformuar.
Këtë shërbesë të munguar, për rastin në fjalë, përtej këtyre pengesave të stisura refraktare e aspak pélëshuese, sipas meje e bën Nikollë Berishaj, studiues, përkthyes e shkrimtar “një nga përfaqësuesit më të spikatur të elitës sonë kombëtare sot në letrat shqipe”, siç e perifrazon atë Agron Tufa në parathënien e librit të tij: “Gjurmë që (nuk) heshten” , Art Club, Ulqin 2021.
Berishaj e bën këtë duke vënë në rrafsh krahasimor eksperiencat e dy prelatëve të njëkohshëm të Kishës katolike nga dy vende të Ballkanit; të pader Antonit, provincial i françeskanëve shqiptarë dhe Monsinjor Alojzije Stepinac, Arqipeshkëv i Zagrebit të Kroacisë. Prelatë të kishës, që koha, falë staturave të tyre shumë të spikatura në vendet respektive, i thërret të prijnë kauza të mëdha në vitet e luftës së dytë botërore. E për rrjedhojë aq të diskutueshme e të rrezikshme për vetvehten. Kështu, të dy u angazhuan me pjesmarrje aktive në organizime shtetrore të vendeve të tyre.
I pari, Stepinac, që nga viti 1937, kur krijohet shteti i pavarur kroat, shtet ky kuisling, i udhëhequr me ideologjinë naziste ai, i bindur se po shërben atdheun e vet, anon në bashkëpunimin me këtë shtet. Ani pse ky shtet i Pavarur Kroat renditet aleat aktiv i Rajhut të tretë që në ditën e krijimit me 10 prill 1941. “Po më akuzoni si armik i shtetit dhe pushtetit popullor, do të mbrohet më vonë, në gjyqin komunist jugosllav Stepinac. Më thoni, ju lutem, cili ishte pushteti për mua në vitin 1941 ? Athua ishte pushteti i Simonoviqit në Beograd, apo, siç e quani ju qeveria tradhëtare në Londer, apo ajo në Jeruzalem, apo e juaja në pyll, apo kjo në Zagreb ? Dhe për këtë, në tetorin e 1946 dënohet prej autoriteteve komuniste jugosllave me 16 vjet burg. Të cilat iu konvertuan në internim-dëbim, në vendlindje.
Kurse i dyti, pader Antoni ynë, me 13 shtator të 1943 emrohet antar i Këshillit të Naltë të Regjencës, përfaqësia shtetnore në Shqipërinë e pa shtet, lejuar prej gjermanëve pushtues si administrim lokal i shqiptarëve, ku brenda këtij bashkëpunimi me Rajhun e tretë ka me të një marrëveshje bashkëpunimi për një shtet të pavarur shqiptar, pavarësia e të cilit kishte rënë me kapitullimin e Italisë, rrëfehet kështu para popullit të vet, në çastin që e pranon detyrën e rregjentit: “…Tash sa kohë, publiku shqiptar ka pritë me ndie nji fjalë prej meje, megjithëse parashoh se do të kuptohem keq dhe do të komentohem ndoshta edhe mâ keq, due t’ia çoj në vend dishirin: due t’a thom fjalën t’eme. Më rren mendja se nuk ka zog shqyptari qi t’mendojë se unë e mora ket barrë per kulltuk, per interesë a per ndoj intrigë…a ndonji mani e emja qi më shtyni deri këtu.Edhe unë po ua vertetoj fjalen e po u thom se po: manija e Shqypnis’, po , qe ajo qi m’vuni dilemen: a me anarkista me bâ gjak, ase me hjekun dore prej çashtjes kombtare. Dhe mbasi shpirti nuk ma tha me bâ as njenen as tjetren, qeshë i shternguem ta zgjedhi njenen dysh: a të baj nji marrí tue e pranue ket zyre, ase të tregoj nji dobsi tue u largue. Vendova mâ mirë t’baj nji marri, ase, sikurse thonë ata shqyptarë qi duen me u ruejt të paster, deshta t’komprometohem”…Dhe për këtë, prej autoriteteve komuniste shqiptare dënohet me vdekje dhe pushkatohet me 14 shkurt 1946. Varr, nuk ka ende sot.
Në esenë e tij, autori Berishaj sjell në vëmendje:” Në disa letra të Stepinacit, që ia drejton Andrija Artukoviqit, ministrit të brendshëm të NDH(shteti i pavarur kroat), ai kërkon prej tij të ketë kujdes ndaj përfaqësuesve të racës hebreje të konvertuar në katolikë”. Këtu kufizohet Stepinac. Ndërsa Rregjenca shqiptare ku bënte pjesë pader Antoni dhe tre personalitete të tjerë, dy prej të cilëve, Lef Nosi e Maliq Bushati patën fatin e tij, nuk i miratoi ligjet raciste të kohës. E për pasojë Shqipëria qe i dyti shtet pas Danimarkës që nuk e dorzoi asnjë hebré në duart e nazistëve. Një akt që na bën krenar ne shqiptarëve. Po më shumë rrahin gjoksin udhëheqësit në rradhë. Edhe historianët e tyre të ledhatuar, gjithashtu. Në vend, që këta të fundit ta analizonin sipas metodologjisë shkencore aktin. Sesa t’i qëndronin ende besnikë të patundur porosisë së “udhëheqësit të Luftës” sipas së cilës: “eleminimi i klerit katolik ishte domosdoshmëri”. E po ta bënin këtë, një analizë të përimtë shkencore, me siguri do t’i shkundej vetvetishëm pluhuri i”kolaboracionistit” pader Antonit. Po edhe shumë të tjerëve, gjithashtu. Autori Berishaj, veçon edhe një fakt të anashkaluar e të heshtuar gjithëherë, të cilin ai e konsideron edhe si një shkak të dënimit kapital të rregjentëve e ndër to edhe të pader Antonit. “Për mendimin tim-thotë ai- ishte aprovimi dhe nënshkrimi i Statutit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, me 14 mars 1944”. Dihet që thelbi i këtij Statuti ishte bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare, gjë të cilën nuk mund ta “kapërdinte” partia komuniste Jugosllave, protektoriati i së cilës mbi PKSh-në dhe “udhëheqësin e luftës” është i njohur e i vërtetuar, tashmë.
Të dy protagonistët patën ofertat e largimit prej vendeve të tyre, në prag mbarimit të luftës e të triumfit të komunistëve, kundërshtarë të të cilëve ata ishin. Asnjëri nuk e pranoi. Në kujtimet e tij Hermann Neubacher, i plotfuqishmi i Ministrisë së Jashtme gjermane, pohon se i ka dërguar aeroplanin e tij personal pader Antonit për ta tërheqë nga rreziku që i vinte prej forcave partizane. Aeroplani arrin në Rinas enkas për të. Po a e dini çka ban ai ?
-Unë do të ndaloj këtu, i thotë shoferit në Thumanë, ku kishte njerëz të familjes së tij.Ti shko se ke fëmijë me mbajt. Dhe aeroplani u kthye bosh nga kishte ardhë…
Me 29 nëntor 1952, Arqipeshkvi Stepinac, zgjidhet Kardinal, ofiqar shumë i lartë i Kishës Katolike. Dhe kumti i shkon në vendin e internimit, në vendlindje. Ndërsa prej vitit 1960 kur mbylli sytë, sarkofagu i Alojze Stepinacit gjëndet në Katedralen e Zagrebit, vend pelegrinazhi i vizituar prej mijëra e mijëra kroatëve. Alojzije Stepinac është shpallur i lumtur qysh në vitin 1998 nga Papa Gjon Pali i II dhe ka hyrë në procesin e të shpallurit Shejt.
Kurse padre Antoni ynë, i pushkatuar prej rregjimit ateist unikal në botë nuk hyn as në listën e 39 martirëve të Kishës që shpallet 68 vite më vonë, me 2014. Thua hartuesit e vëmendshëm të listës të jenë friguar se mos dogonisin (prekin, shqetësojnë) udhëheqësit e këtushëm? Apo historianët tanë të ledhatuar prej rregjimit, që, në shërbesë të njeri-tjetrit, me patjetër e duan tradhëtar ?!
Ndodhitë e njëkohëshme me personazhe të ngjashme të qëmtuara, ia kanë dhënë mundësinë studiuesit ekselent Nikollë Berisha, të ofrojë për lexuesin e interesuar, mundësi të reja arsyetimi drejt së vërtetës.Por më përtej edhe për strukturat shtetrore përgjegjëse, të bëjnë, sado vonë ka shkuar korigjimet e nevojëshme në drejtim të së vërtetës kaq gjatë të deformuar.