

Rafaela Prifti/
Në një kohë kur feja ishte e ndaluar dhe sistemi jepte dënime të rënda për praktikimin e besimit fetar, “Nëna, siç e quante ai gjyshen nga ana e mamasë, i kryente fshehurazi por me përkushtim ritet ortodokse duke ngjallur kureshtjen dhe imagjinatën e tij. Pjesën më të madhe të fëmijërisë, Ariani (emri i tij i lindjes) i vogël e kaloi në Korçë nën kujdesin e familjes së mamasë veçanërisht gjyshes nga ana e mamasë. “Ajo e kishte emrin Vangjeli-a që do të thotë Ungjillëzim dhe ishte vërtet shumë besimtare, por edhe shumë e përgatitur si nga ana teologjike ashtu edhe gjuhësore. “Kur isha i vogël e shikoja të hante bukë me ujë, dhe e pyesja: Nëna, pse ha bukë me ujë ti? Ajo më thoshte: Jam plakë unë të keqen nëna. Nuk kam dhëmbë.” Unë përsëri vazhdoja me timen: Po përse nuk ka supë? Më vonë e kuptova se kur ajo hante bukë me ujë ishte koha e kreshmës së madhe, ose java e zezë,” kujton Arkimandriti duke pohuar se “Nëna mundohej të mbante ritet e fesë fshehurazi nga ne.”
Përkushtimi i gjyshes manifestohej me shumë të panjohura në sytë e një fëmije por ishte thellësisht autentik. Ajo kishte mbaruar shkollën e vashave në Korçë që ishte shkollë greke dhe ishte e përgatitur nga ana teologjike dhe gjuhësore. Ai thotë se familja e ka ruajtur edhe sot e kësaj dite kandilen e saj të improvizuar në të njëjtin filxhan bashkë me ikonën e shamisë (Mandilit të Shenjtë) ku paraqitet fytyra e Krishtit. “Siç shkruhet në Dhjatën e re, Veronika ishte ajo gruaja që vuante nga gjakderdhja prej dymbëdhjetë viteve dhe që u shërua menjëherë sapo preku robën e Krishtit. Në momentin kur Atë e tërhiqnin zvarrë të torturuar dhe me kurorën me gjemba në kokë përgjatë Rrugës së Dhimbshme (Via Dolorosa) ajo iu afrua dhe i vuri shaminë në fytyrën e tij për të fshirë gjakun, dhe në atë moment fytyra e Krishtit mbeti e stampuar në të.” Një nga kujtimet më mbresëlënëse të fëmijërisë së tij ishte vajtja natën në kodrat e Shën Thasanit dhe Shën Mëhillit në Korçë. Aso kohe vetëm emërtimi sugjeronte praninë e objekteve fetare sepse aty nuk kishte mbetur asgjë tjetër përveç gurëthemeleve të kishave të shembura. “Nëna, e cila i prodhonte vetë qirinjtë me spango dhe parafinë, i bënte të holla fare dhe, përpara nisjes, i mbështillte lëmsh e i fuste në xhep. Kur arrinim në majë të kodrës, Nëna më thoshte: Po të shikosh dikë, më lajmëro. Dhe unë ruaja se mos vinte njeri.” Në kujtesën e tij ka edhe momente të tjera si psh enët e pjatat e veçanta që përdoreshin vetëm një herë në vit (për ditën e Kreshmës) dhe mbaheshin në dollap gjatë gjithë pjesës tjetër të vitit, ngjyerja e vezëve dhe lutjet e gjyshes në errësirë: “ajo i bënte vezët e kuqe dhe na i jepte të qëruara nga frika se mos padashje thoshim diçka jashtë. Ndërsa kur lutej natën, ajo e shuante dritën dhe ndizte kandilin për tu falur. Mesa duket mendonte se unë nuk e shikoja në errësirë.” Si fëmi mbase mund të ketë dëgjuar fragmente nga meshimet e së dielës në transmetimet radiofonike që gjyshja këmbëngulte t’i dëgjonte kur erdhi të jetonte për tre vjet tek familja e vajzës në Tiranë. Ai kujton sesi “Nëna dëgjonte meshën e së dielës nga stacionin radiofonik i kishës greke në një nga ato Radiot e atëhershme Iliria me bateri. Duhej të ishte transmetimi nga Selaniku ose Athina që arrinte ta përcillnin sinjalin në Shqipëri. Ajo i thoshte tim eti: “Aristidh, vëre një çikë të dëgjojmë radion e kishës.” Babai, i cili vinte nga një familje vllehe e Voskopojës e ardhur shumë herët në Tiranë, nuk ia prishte, por i thoshte: Do na marrësh në qafë se këtu edhe muret kanë veshë! Nëna ia kthente: Ma jep radion me vete se futem në krevat unë dhe e dëgjoj aty.”
Një “zbulim” i madh nga ana ime i një arseli të tërë me ikona në fillim të viteve 80 në shtëpitë e vjetra ndodhi dy javë përpara se të ndërronte jetë gjyshja. “Unë kisha hipur në çatinë e shtëpisë ose “baxho” si i thonë në Korçë dhe, ngaqë kisha vënë një karrige në musandër, kur po zbrisja mesa duket u bë pak zhurmë. Nëna u ngjit lart në katin e dytë, dhe kur më pa, shtangu e trembur. “Kush të shpuri atje mor malukat?” thoshte dhe filloi të qante. Pasi vdiq, gjetëm edhe ikona të tjera të fshehura në vende të ndryshme të shtëpisë.”
Shumësia e mbresave dhe akteve të tilla ku manifestohej veçanërisht palëkundshmëria e besimit fetar dhe përkushtimit nga ana e gjyshes dhe e anëtarëve të tjerë të familjes do ketë qenë shtysa e brendshme për edukimin formal teologjik të Arkimandritit. “Hapi i parë ishte aktivizimi me Komitetin e Hapjes së Institucioneve fetare teksa vazhdoja marrëdhëniet e punës në inspektim, që për shkak të orarit fleksibël më lejonte të kryeja edhe angazhimin tjetër,” vëren Arkimandriti. Gjatë kësaj periudhe tyre ai dhe At Artur Liolini kishin telefonata të shumta ndërkombëtare Tiranë – Boston dhe për shkak të ndryshimit të orëve në një vend ishte mbrëmje, ndërsa në tjetrin ditë. Tabloja e përgjithshme e rikthimit të ortodoksisë fetare në Shqipëri kishte filluar të merrte trajtat e para, sipas tij. “Strukturimi i kishave kishte hyrë në rrugë të mbarë. Gjatë asaj kohe, At Artur Liolini nga Bostoni kreu një vizitë të gjatë në Shqipëri për të organizuar në mënyrë edhe më sistematike këshillat kishtare. Për sa kohë zgjati vizita, ai udhëtoi në shumë qytete të Shqipërisë së mesme dhe të jugut, dhe përveç se bëri shumë pagëzime, drejtoi edhe punën për organizimin e këshillave kishtare. Përsa i takon kuadrove, atëherë kishte dy priftërinj të vjetër në Korçë që i kishin shpëtuar persekutimit, si At Raci në Korcë, At Kotnani, dhe pak të tjerë si Papa Gaqi në Tiranë, At Kozma Qirjo edhe dy dhjakonët, Spiro Findiku, i cili ishte pak shëndetlig dhe Sotir Kanxheri, që kishte qenë edhe kryedhjakoni dhe që u kthye në shërbesë sepse kishte ende një zë të bukur. Të dy ishin të dorëzuar sipas protokolleve dhe riteve kishtare por ishin zhveshur nga rrobat e dhjakut në kohën e mbylljes së kishës.” Shqiptarët si brenda ashtu edhe jashtë Amerikës e kishin të njohur figurën e At Artur Liolinit dhe të familjes së tij të nderuar.
I lindur në kohën kur Kisha ishte në prag të mbylljes në Shqipëri, Ariani nuk ishte i pagëzuar, ndërsa vëllanë e tij për shkak se e kishte ditëlindjen pak vite më parë e kishin cuar nga Tirana në Korçë për ta pagëzuar. Duke hedhur dritë mbi një nga pasojat e hyrjes në fuqi të Nenit kushtetues numër 55, të cilin e quanin edhe Sfinksi 55, Arkimandriti Theofan përshkruan një moment kyç të jetës së tij lidhur me pagëzimin dhe shkollimin e tij formal teologjik. “Në qershor të vitit 1991 pikërisht në Kishën Katedrale të Ungjillëzimit, ku ishte meshuar Pashka e parë postkomuniste në Tiranë, At Arturi më pagëzoi duke u bërë edhe kumbari im. Për nder të heroit dhe shenjtit mbrojtës të Shqipërisë, Shën Gjergjit, më pagëzoi me këtë emër. Një muaj më vonë, ardhja e Peshkopit Janullatos në Shqipëri mundësoi hapjen e Seminarit të parë teologjik për përgatitjen e klerikëve. Unë isha në grupin e parë me 52 a 53 vetë që hynë aty si studentë në shkurt 1992. Seminari u vendos për herë të parë në një ndërtesë që ia dhanë autoritetet shtetërore. Deri atëherë aty kishte qenë kampi i punëtorëve të Bashkimeve Profesionale te zona e plepave në Durrës. Trupi pedagogjik përbëhej nga kuadro greke, murgj nga Mali i Shenjtë, profesorë nga Athina e Selaniku, murgj nga Manastri i Shën Ekaterinës në Sinai të Egjiptit si edhe klerikë nga Amerika.”
Kur po përfundonte faza e parë e kurseve intensive në Seminarin Teologjik, ai tregon se u bënë intervistat e para me çdo student për të dhënë drejtimin se ku do të vazhdonin më tutje. Prej këtu, ajo që kishte menduar se do të ishte rruga e tij merr drejtime të paparashikuara duke hapur mundësi të reja. “Unë isha piketuar nga Kryepeshkopata Ortodokse e Amerikës, me At Arturin në atë kohë, për të ardhur me studime në shkollën Holy Cross në Brookline në Boston. Më ishte akorduar edhe një bursë nga Fondi Fan Noli për Studentët. Ndërsa vazhdonin përçapjet dhe përgatitjeve me At Arturin dhe drejtorin e atëhershëm të shkollës At Ilia Ketrin, vjen në një nga vizitat e tij të shumta në Tiranë Krypeshkopi Kalinik i Dioqezës së Arxheshit në Rumani bashkë me Ambasadorin rumun. Në fund të meshës në Katedralen e Ungjillëzimit, Peshkopi më kërkoi të bëhesha gati të udhëtoj me të për Rumani. Por unë e kisha vendosur të përfundoja atë që kisha nisur. Kur erdhi koha e ndarjes së studentëve për të vazhduar shkollimin, mu tha se do shkoja në Athinë. Unë refuzova sepse atëkohë ishin bërë përgatitjet për të vajtur në Brookline. Mu komunikua se nuk do të lejohesha të shkoja në Amerikë, megjithatë unë po bëhesha gati për rrugë. Dhe një javë përpara udhëtimit kisha dalë me mamanë të blija valixhe te tregu. Kur u ktheva në shtëpi, babai më thotë se më kishin thërritur të shkoja në Ambasadën rumune. Po atë ditë në takimin tim me Ambasadorin George Micu, ai më tha se kishte ardhur një ftesë zyrtare nga Patriarku i Rumanisë për të kryer studimet në Universitetin e Bukureshtit ku më ishte akorduar bursë e dyfishtë, nga Patriarkana dhe nga Ministria e Punëve të Jashtme të Rumanisë. I thashë Ambasadorit, me të cilin ishim shumë miq se unë po bëhesha gati të shkoja në Amerikë, por megjithatë do ta bisedoja me prindërit mundësinë që më ishte ofruar. Në shtëpi babai më tha “Dëgjo plakun, lëre Amerikën dhe shko në Rumani, se atje janë si ne, janë njerëzit tanë, të dashur, të mirë. Jam i sigurtë se do të trajtojnë mirë dhe do ndihesh si në shtëpi. Amerika është botë tjetër, mor bir. Dhe është shumë larg, kushedi kur shihemi, kurse Rumania është afër dhe me siguri do vijmë të të shohim.” Atë natë vonë bisedova me At Arturin dhe ia komunikova vendimin tim. Ai më tha se Instituti Universitar Teologjik i Bukureshtetit është shumë i mirë dhe i njohur me tradita shumëshekullore. Më uroi Suksese dhe më tha se bursën time do t’ia jepnin dikujt tjetër. Kështu, në datën 1 shtator arrita në Rumani dhe u vendosa në një manastir. Për të më ndihmuar për gjuhën, të cilën nuk e njihja, erdhi me mua për disa muaj Thoma Çomorra, për të cilin fola në fillim të bisedës. Në nëntor u kthyem të dy në Shqipëri bashkë me Thomain, por ai qëndroi aty ndërsa unë erdha në Rumani. Ishte koha e Krishtlindjeve kur unë kisha filluar të flisja pak më rrjedhshëm por jo shumë korrekt. Në janar filloi sezoni dimëror i studimeve katërvjeçare në Universitetin e Bukureshtit.”
Edhe gjatë viteve të studimeve, kontaktet me At Arturin ishin të rregullta madje në dy raste të deleguarit e Kryepeshkopatës shqiptare të Bostonit erdhën për vizitë në Rumani. Një nga të dërguarit ishte At Mihal Sotiri, Sekretar i Kryepeshkopatës. Këto vizita kishin rëndësi për të shprehur përkrahjen nga Kryepeshkopata. Por si student ai ishte krejtësisht i fokusuar në studime dhe i shkëputi të gjitha kontaktet me shqiptarët përveçse në raste të rralla siç ishte Dita e Flamurit dhe ndonjë vizitë në Ambasadën Shqiptare. Për nga madhësia, numri i tanishëm i shqiptarëve në Rumani llogaritet të jetë diku rreth 10,000. Meqë njihen zyrtarisht si minoritet etnik, shqiptarët kanë një deputet në Dhomën e Deputetëve të Rumanisë. Shumica e anëtarëve të bashkësisë shqiptare jetojnë në Bukuresht, dhe pjesa më e madhe janë familje ortodokse me prejardhje nga trevat përreth Korçës. Disa bashkësi më të vogla janë vendosur kryesisht në qendra urbane si në Temishvar, Jash, Konstancë dhe Kluzh-Napokë. Rumanisë.
Ndër episodet kulmore të periudhës rumune, nëse mund ta quajmë kështu kohën e studimeve dhe të shërbesës në Rumani, ishte dorëzimi i tij si dhjak, që i parapriu ceremonisë së qethjes në murgjëri. “Në vitin 1995 kur isha në vitin e dytë të studimeve teologjike u vendos dorëzimi. Ishte 1 janar, Dita e Shën Vasilit të Madh. Mbaj mend se kisha veshur si zakonisht kostum e kravatë. Aty erdhi Sekretari i Kryepeshkopit që më thotë të vij në altar se ai donte të fliste me mua, por përpara duhet të hiqja xhaketën dhe kravatën. Kur hyra brenda Kryepeshkopi Kalinik më tha: Sot kam vendosur të të dorëzoj dhjak. Më pyeti nëse kisha ngrënë atë ditë. Dhe unë ju përgjigja se ai e dinte që unë nuk ha mëngjes. Në kohën e Liturgjisë së Shenjtë të asaj dite u bë dorëzimi im. Më pas u vendos se qethja në monakizëm do bëhej në datën 6 janar, Dita e Ujit të Bekuar, e njohur ndryshe si Theofania, me qëllim që të më jepej emri i Theofan Nolit. Siç dihet Fan Noli ka qenë në Rumani në vitin 1911. Ai qëndroi në Bukuresht, Konstanca, Galac dhe Breila ku u takua me atdhetarë dhe veprimtarë të shquar të bashkësisë shqiptare të Rumanisë,” thotë Arkimandriti. Kaq i rëndësishëm ka qenë kryeqyteti rumun si pikëmbështetje e patriotëve shqiptarë sa historianët e kanë quajtur “qendër të lëvizjes kombëtare për pavarësinë e Shqipërisë”. Për breza me radhë mund të përmenden shumë shqiptarë të njohur në Rumani si: Kristaq Antoniu, Aleksander Stavre Drenova, Naum Veqilharxhi, Familja Gjika, Viktor Eftimiu, Lasgush Poradeci, Ilo Mitkë Qafëzezi, Viktor Ponta.
Kur tregon për qethjen në monakizëm në Ditën e Theofanisë vëren se befasia që ndodh aty mund të jetë kuantitative në dukje por ka me një dimension më të thellë në brendësi të rrëfimit: “Ndonëse kishte qenë një ditë me dëborë, natën e 6 janarit në manastir kishin ardhur Ambasadori me bashkëshorten, konsulli dhe i gjithë personeli i Ambasadës shqiptare në Bukuresht. Shërbesa u bë në mesnatë dhe çdo gjë ishte e përgatitur. Por kur Kryepeshkopi hapi derën dhe pa gjithë ata vetë të mbledhur në Kishë, ai u kthye nga unë, duke më thënë me iritim: Ç’ke bërë kështu? Ne ramë dakort se kjo do ishte një ceremoni private, kurse ti i paske thënë gjithë qytetit?? Unë nuk i kisha thënë njeriu por ngaqë këndoja asokohe me murgjit, ata e kishin marrë vesh dhe kishin lajmëruar njerëzit që kishin ardhur në ceremoninë time të qethjes në murgjëri.”
Arkimandriti Theofan tregon sesi në zemër të Bukureshtit ndodhet Kisha e Shën Nikollës ku ka meshuar në gjuhën shqipe Fan S. Noli për herë të parë në 1911. Në hyrje të saj është vendosur një pllakë përkujtimore në shqip dhe rumanisht: “Në këtë kishë, në periudhën 1911-1945, janë kryer rite fetare nga komuniteti ortodoks shqiptar i Bukureshtit, Këtu ka meshuar në gjuhën shqipe, Fan S. Noli (1882- 1965), personalitet i shquar i letrave dhe kulturës shqiptare, kryeministër i Shqipërisë në periudhën Qershor-Dhjetor 1924″. Në vitin 1996 Arkimandriti bëri meshimin shqip në atë Kishë. “Isha aq i emocionuar, saqë kur Kryepeshkopi më kërkoi të dilja përpara besimtarëve dhe t’i udhëhiqja në “Lutjen Zotërore” në gjuhën shqipe, e fillova ta them në shqip, por në gjysmën e saj u bllokova dhe atëherë gjysmën tjetër e vazhdova në rumanisht. Kur u ktheva brenda në Altar më tha: “Po ti ç’pate”? “Nuk e di” i thashë, “por kisha shumë emocione kur mendova se 85 vite më parë kjo lutje u tha për herë të parë në gjuhën shqipe nga Fan Noli po në këtë kishë dhe po nga i njëjti vend,” tregon Arkimandriti.