• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Rama kërkon çamë me qira

January 31, 2019 by dgreca

1 Rama CametNga Arben LLALLA/

Edi Rama, i cili e kërkoi tepsinë vetëm për socialistët, është shumë i vëmendshëm të gjejë aleanca apo njerëz që dalin tepër si mish i huaj nga lëvizjet e tjera politike. Kujdes të veçantë ai ka për PDIU-në, të cilës që pas zgjedhjeve të qershorit të 2017 është kujdesur t’i gjejë kryetarë të ri, t’i vjedhë votat, t’i shkarkojë deputetë dhe të emërojë deputetë të tij e kështu me radhë. Nuk ia ka dalë dot me Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, ndaj ngushëllohet me çfarë mbetet rrugës, sepse opozita është sport i rëndë, se vetë Edi Rama e ka pas thënë.

Së fundmi, qeveria e tij që nuk do e ndante tasin e groshës jashtë Rilindjes, ka emëruar Vjollca Brahon drejtore të Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor. Zonja është e njohur në politikë vetëm pasi u themelua PDIU. Ajo është e vetmja që ia ka parë hairin partisë, sepse e zgjodhën kryetare të Forumit të Gruas, PDIU e emëroi drejtore e Institutit të Sigurimeve Shoqërore – ISSH, Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor – FSDKSH, zëvendësministre e Punës, anëtare e Këshillit Bashkiak të Tiranës e kështu me radhë. Shumë kritika të drejta të votuesëve besnikë kanë ardhur në adresë të kësaj partie, falë këtyre njerëzve që përfituan gjithçka dhe nuk e kthyen një herë kokën prapa. Tashmë Vjollca Braho, vazhdon lart e më lart, jo më si përfaqësuese e PDIU-së, por mercenare e rilindur e qeverisë.

Nuk është çudi që Edi Rama të shpikë një tjetër lëvizje a parti si bëri dikur, meqë ende mendon se PDIU-në e gjen e keqja nga fuksat. Bëri dikur aleancë me një Aleancë dhe i numëroi votat me gishtat e njërës dorë, prandaj ku i dihet e provon prapë dhe gjen ndonjë tutkun tjetër me qira.

Filed Under: Analiza Tagged With: arben llalla, Edi Rama, kërkon çamë, me qira

KUVENDI MBARËKOMBËTAR PËR NGJARJET JUBILARE

January 31, 2019 by dgreca

Tema dhe dilema/

Pas dështimit të socializmit si ideologji dhe rend shoqëror në rrethana të reja shoqërore  ka ardhur koha qe për çështjet mbarëkombëtare përfaqësuesit e shqiptarëve nga hapësira e tyre etnogjeografike të mblidhën së paku një herë në vit në Tiranë, për të trajtuar çështjet preokupuese kombëtare që  janë në favor të avancimit të statusit politik, ekonomik, arsimor dhe kulturor  të popullit shqiptar  në mjediset përkatëse. Një veprim i tillë do të dëshmonte se shqiptarët kanë strategjinë e tyre kombëtare, për të sotmen dhe të ardhmen kur janë në pyetje avancimi i çështjeve përkatëse konformë standardëve  demokratike evropiane, ndërsa data më e përshtatshme është 17 janari që përkon me ditën e vdekjës së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.

1-Nail-Draga

Dr.Nail Draga/

Ndonse  po bëhën tri dekada  nga rënia e  sistemit monist organizimet e ndryshme në nivelin mbarëkombëtarë për shqiptarët  në rrethana të reja shoqërore janë për të dëshiruar. Jo se  kanë munguar nismat e tilla, por kanë qenë strukturat qeveritare ata të cilat kanë pasur qasje subjektive, madje duke i injoruar kërkesat e tilla. Nëse deri në vitin 1999 me rastin e çlirimit të Kosovës, një hezitim i  tillë ka mundur edhe të arsyetohej, pas këtij viti përgjegjësia bie kryekëput mbi qeveritarët në Tiranë , sepse është obligim moral i shtetit amë të mbledh përfaqësuesit shqiptarë në takime të ndryshme të nivelit  mbarëkombëtarë.

Rasti i vetëm, 100-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë

Në këtë aspekt deri më tash përjashtim bënë vetëm shënimi i vitit jubilar i 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Ishte pikërisht data 17 janar 2012 që mblodhi në Tiranë shqiptarët nga hapësira e tyre etnogjeografike në një takim solemn në  sallën e Kuvendit të Shqipërisë, me rastin e vitit jubilar të shënimit të 100-vjetorit të Shpalljës së Pavarësisë së Shqipërisë.

Dhe një datë e tillë nuk ishte e rastit sepse ajo përkonte me 544 vjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, duke shprehur një simbolikë e unitetit të shqiptarëve në hapësirën e tyre etnogjeografike. Organizatori, Kuvendi i Shqipërisë ishte kujdesur  që ky solemnitet të jetë i nivelit më të lartë, që u dëshmua me dekorimin e sallës së Kuvendit, ndërsa intonimi i Himnit Kombëtar bashkoi si asnjëherë deri më tash shqiptarët.

Të ftuar shqiptarët nga e tërë hapësira mbarëkombëtare

Dërgimi i ftesave deputetëve shqiptarë nga hapësira etnogjeografike shqiptare për të marrë pjesë në ketë takim solemn, paraqet një ngjarje të shënuar për popullin shqiptar në Siujdhesën  Ilirike, sepse diçka e tillë nuk ka ndodhur nga Lufta e Dytë Botërore.

Ndërsa fjalimet e tyre ishin  në favor të jubileut kombëtar i cili është kremtuar kudo si në hapësirën etnogjeografike shqiptare po ashtu edhe në diasporë.Theksojmë me ketë rast shënimin e këtij jubileu në viset shqiptare në Mal të Zi, me përmasa të jashtëzakonshme si asnjëherë deri më tash, duke mbetur ngjarja ma madhore kombëtare. Dhe nuk ka si të ishte ndryshe sepse shqiptarët kudo që janë, kanë një gjuhë dhe një flamur!

Takimi qe duhet të bëhët tradicional

Ishte ky takimi i vetëm deri më tash, që është vlerësuar si shumë i qelluar, duke qenë një sinjal për të tilla në të ardhmën. Por, jemi dëshmitarë se nga ai vit jubilar kanë kaluar shtatë vite dhe diçka e ngjajshme nuk ka ndodhur më. Një veprim i tillë është për çdo kritikë për institucionet e shtetit amë-Shqipërisë, sepse  takimet e tilla janë të nevojshme të mbahen më shpesh, sepse shqiptarët kanë së çka të diskutojnë dhe të angazhohen për avancimin e çështjeve të ndryshme që janë preokupuese për shqiptarët në ato mjedise ku jetojnë  e veprojnë. Andaj është e nevojshme që përveç seancave solemne të kemi edhe seanca pune, sepse angazhimi në këtë drejtim duhet të jetë preokupim i të gjithë përfaqësuesve të institucioneve tona, sepse çështja kombëtare nuk është pronë e asnjë subjekti politik apo klaneve të ndryshme, por është e të gjith neve.

Pikërisht në këtë aspekt popujt e qytetëruar takimet e tilla i kanë të programuara, sepse në strategjinë e tyre kombëtare, janë të definuar  qartë çështjët të cilat kërkojnë zgjidhje. Një konstatim i tillë vlen sidomos për ne shqiptarët, sepse jemi  autokton në tokën tonë, por mjerisht të ndarë në gjashtë shtete, duke mos anashkaluar edhe ata në diasporë.

Pa nënçmuar ate çka  është arritur deri më  tash iu takon këtyre strukturave qeveritare, apo klasave politike në pushtet, të angazhohen maksimalisht përmes një strategjie kombëtare për avancimin e çështjeve prokupuese për shqiptarët në hapësirën e tyre mbarëkombëtare, sepse çdo brez ka vizionin e vet të veprimit për të tashmën dhe  të ardhmen.

Mungon subjekti për veprimtari mbarëkombëtare

Në mungesë të një subjekti mbarëkombëtar  që si veprimtari parësore do të kishte   shënimin e përvjetorëve  nga historia dhe kultura kombëtare, iniciativa e tillë iu mbetet Qeverive apo ministrive përkatëse si në Shqipëri apo Kosovë. Por, sa janë të përgjegjshëm individet e tillë të cilët mbulojnë ato poste  koha e deritashme dëshmon së mungon vetëdija dhe ndërgjegja kombëtare për të inicuar organizimin e përvjetorëve të ndryshëm me karakter mbarëkombëtar. E pse është e tillë shpjegohet shumë lehtë se me përjashtim të rasteve, të gjithë aty janë emëruar  jo në sajë të vlerave profesionale por të mbeshtetjës partiake, andaj veprimi dhe qendrimi i tyre thënë më se buti lenë për të dëshiruar.

Në vitin që e lemë pas kemi pasur katër jubile të karakterit mbarëkombëtar si: 550-vjetori i vdekjës së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu,140-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, 110-vjetori i Kongresit të Alfabetit,  dhe 100-vjetori i Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës.

Nëse vitin 2018 Qeveria e Shqipërisë e shpalli “Viti mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit-Skënderbeu-2018”dhe u organizuan veprimtari të ndryshme shkencore, kulturore e artistike në tërë vendin që duhet përgëzuar, por duhet thënë se ka  munguar iniciativa që diçka e tillë me regji të tyre të organizohej në viset shqiptare në hapësirën etnogjeografike shqiptare. Me këtë rast theksoj në mënyrë të veçantë shqiptarët në Mal të Zi të cilët u angazhuan për shënimin e këtij jubileu me aq mundësi sa kishin, por ka munguar interesimi i shtetit amë, dobësi që nuk mund të arsyetohet më asgjë.

Ndërsa është për t’u çuditur se askush nga Kuvendi i Shqipërisë  nuk u kujtua që në kalendarin vjetor të punës të vendoset për Kuvendin Mbarëkombëtar si obligim moral e kombëtar në këtë vit jubilar të 550-vjetorit të vdekjës së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Por, si duket të deputetet dhe stafi udhëheqës i Kuvendit  mungon reflektimi mbi ngjarjet kombëtare, sepse siç duket janë të zënë me obligime personale e partiake, duke harruar misionin e tyre si përfaqësues të popullit.

Dhe nga një qasje e tillë joserioze  dëshmon se deputetet shqiptarë janë me deficit të vlerave dhe të ndërgjegjës kombëtare, sepse mungon përkushtimi ndaj ngjarjeve madhore nga historia jonë kombëtare.

Punët tona nuk i kryejnë të tjerët

Ju pelqen apo nuk iu pelqën të tjerëve shqiptarët në jubiletë e ngjarjeve madhore të nivelit mbarëkombëtar duhet të jenë së bashku, duke i kremtuar ato ngjarje por edhe analizuar  gjendjen aktuale të popullit shqiptar në hapësirën e tij etnogjeografike, duke sjellur përfundime dhe obligime për të tashmën dhe të ardhmën e tij.

Në rrethana të reja shoqërore duhet eliminuar paragjykimet ideologjike te kohës moniste sepse angazhimi konkret në avancimin e pozitës dhe statusit të shqiptarëve është obligim moral, kombëtar dhe kushtetues i shtetit amë-Shqipërisë, sepse punët tona nuk na i kryejnë të tjerët.

(Janar 2019)

Filed Under: Analiza Tagged With: DR. NAIL DRAGA, Kuvendi MbareKombetare, Ngjarje Jubilare

KËRCËNIMET NDAJ SIGURISË BOTËRORE, NË RREZIK EDHE BALLKANI PERËNDIMOR

January 31, 2019 by dgreca

-Paralajmërimet u bënë nga zyrtarët më të lartë të enteve të Zbulimit Amerikan       gjatë një sesioni në Komisionin e Zbulimit të Senatit  të hteteve të Bashkuara të martën që kaloi./

1-Frank-shkreli-

Nga Frank Shkreli/Zyrtarët më të lartë të zbulimit amerikan, përfshirë Drejtorin e FBI-së, Chris Wray dhe Drejtoreshën e CIA-s, Gina Haspel, paralajmëruan për kërcënimet në rritje e sipër ndaj sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe ndaj sigurisë botërore, si pasojë e bashkpunimit në rritje e sipër midis Kinës dhe Rusisë.  Ata paraqitën të martën raportin vjetor — para Komisionit të Senatit për Zbulimin të Shteteve të Bashkuara – dhe për të dhënë dëshmi mbi sfidat e sigurisë me të cilat përballet bota këtë vit.

 

Përveç dëshmive nga ai vet dhe nga udhëheqsit më të lartë të enteve të Zbulimit amerikan, Drejtori i Zbulimit Kombëtar Dan Coats, i dorëzoi Komisionit të Senatit raportin vjetor me vlerësimet e enteve amerikane të Zbulimit, për paralajmërimet ndaj kërcënimeve që i kanosen sigurisë kombëtare dhe botërore.  Z. Coats shkruan në parathënien e raportit që i dorëzoi Senatit se, “Kërcënimet ndaj sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara do të shtohen dhe do të marrin forma të ndryshme gjatë këtij viti, shkaktuar pjesërisht nga bashkpunimi i ngushtë midis  Kinës dhe Rusisë, ndërkohë që ato do të garojnë më intensivisht në nivel ndërkombëtar me Shtetet e Bashkuara dhe me aleatët dhe partnerët e tyre tradicionalë. Garat po ndodhin në të gjitha fushat, përfshirë konkurrencën për superioritet teknologjik dhe ushtarak, përfshirë gjithnjë e më shumë edhe vlerat, si pjesë e kësaj gare.  Rusia dhe Kina po përpiqen të përcaktojnë dinamikat e sistemit ndërkombëtar dhe të sigurisë rajonale dhe të ushtrojnë njëkohësisht influencën e tyre politike dhe ekonomike në të gjitha rajonet e botës, e sidomos në rajonet gjeografike afër tyre”, thuhet në raportin e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar.   Drejtori i Zbulimit Kombëtar.  Z. Dan Coats u tha gjithashtu anëtarëve të Komisionit të Senatit se Rusia dhe Kina e ndoshta edhe vende të tjera do të përpiqen të përdorin mediat sociale dhe mjete të tjera, për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2020.

Në raport theksohet fakti se “Kina dhe Rusia kanë lidhur një aleancë më të fortë se kurdoherë tjetër, ndoshta ç’prej viteve 1950-ave, duke nenvijuar se ka të ngjarë që këto lidhje të forcohen edhe më shumë gjatë këtij viti, sidomos kur përputhen disa prej interesave të tyre, në kundërshtim me vlerat demokratike perëndimore dhe të zbattimit të drejtave bazë të njeriut.”   Në parathënie të raportit mbi kërcënimet ndaj sigurisë botërore, dorëzuar të martën Senatit, nënvijohet gjithashtu se, “Ndërkohë që Kina dhe Rusia po përpiqen të shtrijnë influencën e tyre globale, ato njëherazi po shkelin edhe normat e sigurisë, të njohura dhe të pranuara tanimë, ndërkombtarisht, duke shtuar në këtë mënyrë rrezikun për shpërthimin e konflikteve rajonale, sidomos në Lindjen e Mesme dhe në Azinë Lindore”, theksohet në raport.

Eskpertët e Zbulimit amerikan shprehin gjithashtu shqetësimin e tyre se k[saj atmosfere pasigurie për botën kontribon edhe fakti se aleatët dhe partnerët e Shteteve të Bashkuara po kërkojnë një pavarësi gjithnjë e më të madhe nga Washingtoni, në përgjigje të atyre që ata supozojnë se janë ndryshime në politikat amerikane të sigurisë dhe të tregëtisë, ndërkohë që tregohen më të gatëshëm se në të kaluarën që të arrijnë marrveshje për partneritete dypalëshe ose shumëkombëshe.  Ndër të tjera, ata paralajmërojnë se sistemi ndërkombëtar i pas Luftës së Dytë Botërore është gjithnjë e më shumë nën trysni — përballë kërcënimeve dhe sulmeve kibernetike, përhapjes së armëve bërthamore, garës në hapësirë dhe konflikteve rajonale.

Raporti i agjencive amerikane të Zbulimit ven në dukje edhe kërcënime të tjera ndaj sigurisë botërore, duke përmendur terrorizmin si një kërcënim ndaj interesave amerikane dhe të aleatëve të Shteteve të Bashkuara anë e mbanë botës.  Imigrimi, sipas raporti, përbën gjithashtu një problem që nxit tensionet, jo vetëm midis disa shteteve por edhe në nivel global.  Trazirat politike po shtohen në shumë rajone të botës ndërsa po zhbëhet qeverisja e mirë, nënvijojnë shefat e enteve të Zbulimit amerikan.

Si një ndër problemet me të cilat përballet bota këtë vit, sipas raportit të agjencive amerikane të Zbulimit, është edhe rritja e nacionalizmit në Evropë, si një dukuri kjo që nxit tensione në kontinent dhe më gjërë.  Dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian dhe zgjedhjet për parlamentin evropian, në fund të muajit Maj, sipas raportit, do ta bëjë të vështirë që Bashkimi Evropian dhe udhëheqsit e vendeve të ndryshme evropiane, të mund të përballen me përpjekjet në rritje e sispër të Rusisë dhe Kinës, për t’i përçarë ata nga njëri tjetri dhe për t’i larguar nga Shtetet e Bashkuara.  Raporti thekson se ka të ngjarë që Rusia dhe Kina të shtojnë përpjekjet e tyre për të rritur influencën e vet në Evropë në kurriz të interesave amerikane, duke përfituar në këtë mënyrë, jo vetëm nga problemet ekonomike në disa vende, por edhe nga mosmarrveshjet transatlantike dhe nga rezultati i zgjedhjeve për Parlamentin evropian në Maj, ndërsa pritet që parti të ndryshme nacionaliste evropiane të shënojnë fitore të dukshme në ato zgjedhje. Raporti përmend gjithashtu si faktor i pasigurisë edhe, “Ambiciet rajonale të Turqisë, mosbesimi i saj ndaj Shteteve të Bashkuara dhe autoritarizmi në rritje e sipër i udhëheqësve turq, po ndërlikojnë marrëdhëniet dypalëshe, ndërkohë që po e bëjnë Ankaranë më të gatëshme dhe më të vullnetshme të sfidojë objektivat rajonale të Shteteve të Bashkuara.”

Raporti i ekspertëve amerikanë të Zbulimit mbi kërcënimet, gjatë vitit 2019 ndaj sigurisë botërore, parashikon gjithashtu një të ardhme të zymtë për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor ku thuhet se: “Pothuaj është e sigurt se rajoni i Ballkanit Perëndimor do të mbetet i rrezikuar nga dhuna në nivel të ultë, ndërsa ka mundësi edhe për një konflikt të hapur ushtarak gjatë gjithë vitit 2019.  Rusia do të përpiqet të shfrytëzojë tensionet etnike të rajonit dhe njëkohësisht të përfitojë nga korrupsioni i lartë që ka pllakosur vendet e Ballkanit Perëndimor, me qëllim që t’i pengojë ato vende të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian dhe e Aleancës së Atlantikut Verior, NATO-s”, thuhet në raport.

Në këtë situatë të zymtë që parashikon raporti vjetor i enteve të Zbulimit amerikan për botën në përgjithsi dhe për Ballkanin Perëndimor në veçanti, Shqipëria dhe Kosova nuk kanë qenë kurrë më në gjëndje të dobët – të pakën këto 30-vjetë post-komunizëm – për të kundërshtuar influencat e huaja, sidomos influencat nga Rusia, Turqia e deri diku edhe Kina.  Korrupsioni i lartë, gjëndja e mjerueshme ekonomike dhe mos-stabiliteti politik, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, janë një pikë e dobët dhe përbëjnë një fushë të dobishme veprimi dhe shfrytëzimi – në mungesë të normalitetit politik dhe ekonomik shqiptar – për interesat anti-shqiptare   të Rusisë, Serbisë, Turqisë, Greqisë, e të tjerëve.

Siç mund të shihet edhe nga raporti amerikan mbi kërcënimet që i kanosen sigurisë botërore gjatë këtij viti, rreziqet janë të mëdha edhe ndaj fatit dhe interesave kombëtare dhe të sigurisë së Shqiptarëve në trojet e veta. I takon kësaj klase politike që të ushtrojë maturi politike dhe diplomatike – por mbi të gjitha atdhedashuri — në këtë botë të pasigurt dhe plot kërcënime, duke ndenjur larg interesave të huaja dhe provokimeve të tyre dhe të mos joshen me “miqësi” të rrejshme — nga shtete që, historikisht, kurrë nuk ia kanë dashur të mirën shqiptarëve.  Këto janë kohëra shqetësuese, për të mos thënë të rrezikshme, të cilat nevojitin njerëzit më mendje ndritur dhe më me përvojë që ka Kombi.  Rregulloni punët e shtëpisë, dhe ashtu siç jeni betuar, bëni detyrat që iu kanë besuar shqiptarët, para se të jetë vonë.  Kujdes, se kjo nuk është koha as vendi për të eksperimentuar me politikën e jashtme dhe me diplomacinë e Kombit shqiptar, sidomos përballë kërcënimeve dhe rreziqeve ndaj sigurisë botërore dhe rajonale, siç paralajmëruan edhe shefat e enteve të Zbulimit Amerikan, në dëshmitë e tyre këtë javë, para Komisionit të Zbulimit të Senatit të Shteteve të Bashkuara.

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Ballkani, Frank shkreli, Kercenimet ndaj Sigurise

Rama, Caka dhe Makiaveli

January 30, 2019 by dgreca

1 Edi-Rama-Gent-Cakaj

…. Vini re se arritja me e madhe në diplomaci e Ministrit është “Filozofia e Fesë dhe Metafizika, se ku përputhen këto me diplomacinë vetëm ti si kryeministër mund ta dish). Së dyti, ai është diplomuar me titullin Master në shkencat politike nga Universiteti i Evropës Qendrore në Budapest, Hungari (2015). Po pse do t’i duhej një titull në të njëjtën fushë dhe titull Master nga Universiteti i Sorosit që Hungaria e mbylli? /

1 Rafael Floqi

Nga Rafael Floqi/

“Metoda e parë për vlerësimin e inteligjencës së një sundimtari është të shohësh burrat e shtetit që ai ka rreth tij,  thotë tek Princi  Niccolò Machiavelli, pastaj vazhdon  “Nuk jam i sigurt për këshilltarin e mbretit. A ka ndonjë gjë në kokën e tij, apo është e zbrazët?”

Çfarë do të thotë kjo po të spotrohemi në kohë dhe hapësirë në Shqipëri dhe të shohim ty “mbretin tone”, z. Edi Rama dhe ministrat e tu të rinj?

Le të shohim CV e ministrit më të përfolur, gjeniut të lëçitur, të cilit më së fundi iu zbulua edhe përvoja. “Gent Cakaj ka lindur në Prishtinë, më 6 korrik 1990, është shkolluar në Kosovë, Belgjikë dhe Hungari. Në vitin 2017, Gent Cakaj ka marrë gradën Master Shkencor në Filozofi, duke u diplomuar me rezultate të shkëlqyera nga Universiteti i Leuven-it në Belgjikë, Qendra për Metafizikë, Filozofi të Religjionit dhe Filozofi të Kulturës të Institutit të Filozofisë të këtij universiteti. ( Vini re se arritja me e madhe në diplomaci e Ministrit është “Filozofia e Fesë dhe Metafizika, se ku përputhen këto me diplomacinë vetëm ti si kryeministër mund ta dish). Së dyti, ai është diplomuar me titullin Master në shkencat politike nga Universiteti i Evropës Qendrore në Budapest, Hungari (2015). Po pse do t’i duhej një titull në të njëjtën fushë dhe titull Master nga Universiteti i Sorosit që Hungaria e mbylli?  Ndërsa studimet universitare i ka kryer për drejtësi në Fakultetin Juridik të Universitetit AAB në Prishtinë (2016), si dhe studimet për filozofi në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Prishtinës (2012).

E keqja është z Rama se ne dimë të lexojmë në rreshta dhe ndërmjet rreshtave. P.sh. pas studimeve ku sipas sugjerimit të Batonit siç ka deklaruar ai vetë  ia coi si stazhier Vali Bishga duke e caktuar këshilltar  dhe rrogën e parë të punës e ka nisur me ju z Rama si këshilltar, por më thuaj a kishte ndonjë ditë përvojë punë zyre.

Gent Cakaj thuhet se ka një ekspertizë të thellë në Analiza Politike dhe Politika Krahasuese, në Filozofi Moderne dhe Metafizikë thuhet, por “Metafizika është dega e filozofisë që shqyrton natyrën themelore të realitetit, duke përfshirë lidhjen midis mendjes dhe materies, midis substancës dhe atributit, dhe mes mundësisë dhe aktualitetit, thotë American Heritage® Dictionary of the English Language (5th ed.). 2011, ndërsa Diplomacia është arti i të mundshmes me mjetet e te pamundshmes, një art ashtu si shahu, që sado të kesh mundësi dhe te jesh një mendje e ndritur do edhe përvojë. Pasi siç thotë një thënie amerikane “ There is no replacement for experience.” Nuk ka zëvendësues për përvojën.  Në politikën e jashtme sidomos kur je një vend i vogël nuk ka vend për voluntarizëm dhe as për akrobacia, eksperimente dhe dëshira personale në një kohë mjaft me rëndësi, kur priten marrëveshje të rëndësishme për kufijtë me Greqinë, miratimi i anëtarësimit në BE, kryesimi i OSBE-së dhe bisedimet me Serbinë për ndryshimet e kufijve me Kosovën.  Kush e merr seriozisht Shqipërinë me këtë “enfant prodige” që vetëm Ju dhe Batoni e shihni?

Ne si analistë, mund të analizojmë operacionet e sistemeve ndërkombëtare, por burrështetasit i ndërtojnë ato. Dhe ekziston një dallim i madh midis perspektivës së një analisti dhe atij të një burri shteti. Analisti mund të zgjedhë problemin që dëshiron të studiojë, ndërsa problemet e burrështetasve i imponohen atij. Analisti mund të japë çdo kohë që është e nevojshme për të arritur një përfundim të qartë; sfida e madhe për burrështetasin është presioni i kohës. Analisti nuk rrezikon. Nëse përfundimet e tij provojnë gabim, ai mund të shkruajë një tjetër shkrim. Apo jo Baton? Burrështetasit i lejohet vetëm një mendim; gabimet e tij janë të pakthyeshme, z. Rama.

Prandaj z. Rama duhej më shumë kujdes. Këmbëngulja juaj mund të shërbejë si djep për teori konspirative me emërues te përbashkët Sorosin, Ju edhe Thaçin. Gjë që unë nuk ngutem t’i besoj, por nuk e kuptoj ku e gjen të drejtën një analist si Baton Haxhiu të kërcënojë presidentin Meta. Kjo më le të dyshoj, edhe pse nuk dua, por prapë se prapë më bren një pyetje. Si shpjegohet se që të dy ministrat kosovarë të qeverisë Rama vijnë nga Universiteti i Sorosit? A mund të më japësh ndonjë shpjegim për këtë ?

Personalisht mendoj se ndër të 7 ministrat që ndërrove, nga sa e kam dëgjuar në intervista në TV, Gent Caka është një djalosh i ri, i lexuar, me llogore, e fjalor argumenti shkencor, por pa eksperiencë, dhe duke qenë në një fushë të vështirë, mendoj se risku është shumë më i madh se shpatullat e tij, ndaj dhe Meta ta futi, kur të tha që të bëhesh dhe ti Ministër, duket se të ka hequr siguresën .

Ju Ministër i Jashtëm de jure shkëlqesia juaj z. Edi Rama mund të mendoni se shkuarja me atlete në mbledhjet e BE-së është diplomaci, mund të mendoni, se provokimet, apo kërcënimet ndaj BE-se janë diplomaci, se deklaratat kundër presidentit, atëherë kandidatit Trump janë diplomaci, se deklaratat për Kosovën në Beograd mund të ngjallin një frymë entuziazmi patriotik, por cili është rezultati …. Ja Vuçiçi po vjen shpejt në Tiranë, dhe ai është bërë figurë e Ballkanit dhe jo Ju. Besoj Macroni ju bleu mendjen nga atletet, dhe Merkel nga veprat…

Politika e jashtme e Shqipërisë ka vuajtur nga personalizimi i saj nga kryeministrat. Dhe Ju besoj se ndryshimet në qeverinë e re nuk i bere nga qefi por  e bëre nga halli i situatës të brendshme, se sa nga përpjekjet për të rilindur Rilindjen. I bëre ndryshimet jo si thua, në intervista me shtypin e huaj, për rigjallërim të punës, sepse ministrat nuk kanë qenë autoritete të ardhura nga jeta politike e vendit, as dhe nga PS-ja, por janë përzgjedhja e juaj dhe e Lindës në atë që përbën enturazhin tuaj.  Prandaj, ministrat për ju nuk personifikojnë autoritete të fushës, por individë që do të ndihmojnë në realizimin e idesë suaj. Prandaj, ishte edhe një numër kaq i madh ministrash 7-të, të shkarkuar për 7 minuta, në një mbledhje të Asamblesë Kombëtare të PS, ku emrat e ministrave të rinj vetëm t’i i dije.

Dhe kjo ka ndodhur se politika e jashtme gjatë qeverisjes së Rilindjes ka qenë dhe ka vijuar si një diplomaci show, pa asnjë vizion i qartë, pa asnjë vazhdimësi për të siguruar stabilitetin dhe sovranitetin e Shqipërisë, por ka qenë një personalizim i politikës së jashtme nga ju z. kryeministër dhe tani dhe ministër i Jashtëm adintering, Rama. Nuk besoj se Bushati ka bërë ndonjë belbëzim, pro Merkelit a kufijve të Kosovës me Ju.. Këtu ka do gjëra të errëta. Pse duhej të na e kujtonte i pari, ish ministri i jashtëm Grek, Kotzias se Bushati po largohej se nuk pranonte shkëmbimin e territoreve Kosovë –Serbi?

Dhe një çështje tjetër. Nëse një shtet është njëkohësisht shtet i vogël, politika e tij e jashtme kërkon shumë përpjekje për të pasur sukses.  Me gjithë mundësitë e kufizuara shtetet e vogla e të reja, mund të realizojnë këto synime dhe të gjejnë vendin e tyre në marrëdhënie ndërkombëtare, sidomos nëse janë të afta të përcaktojnë dhe të realizojnë ndonjë pozicion specifik të tyre në kuadër të rrethanave ndërkombëtare. Në kësi situate, diplomacia publike efektive paraqet një mbështetje të madhe për realizimin e interesave të jashtme të shtetit.

Një nga veçoritë e diplomacisë publike të shteteve të vogla është se ato duhet të përqendrohet në aktivitete që synojnë tërheqjen e vëmendjes së publikut ndërkombëtar. Kjo nuk arrihet lehtë. Në janar 2018, Gent Cakaj i është bashkuar Kabinetit të Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë si këshilltar politik, përgjegjës kryesisht për procesin e integrimit evropian dhe politikës së jashtme.  Po ka një pyetje këtu pse fshihej kjo biografi . Ka pasur ndonjë sugjerim të eminencës gri, Baton Haxhiut, nuk dua t’u besoj komenteve nga Kosova, por figura e tij ka shume hije se dritë.

Duket se arsyeja e vetme, që i ndërrove ministrat nuk është puna e pesëvjetëshit, se ajo është loja. Kuajt nuk ndërrohen kur janë të suksesshëm. Siç pohove se ishin ministrat e larguar, z. Rama. Por shkaku i vërtetë s’qenka jo rigjallërimi i qeverisë siç i pohove gazetares gjermane, por sic i deklarove vetë opozitës, se” ministrat e rinj s’kemi mundësi të m’i shani për korrupsion”.  E në këtë mes nuk e besoj se kundërshtimi i ish-ministrit të jashtëm, Ditmir Bushati për korrigjimin e kufijve nuk mund të jetë shkaku.

Një palë iku, një palë erdhi, dikush erdhi si rilindas, por nuk lindi asnjëherë. Anonimati i ministrave të rinj besoj se të shërben. siç u shprehe vetë për t’u mbrojtur përkohësisht nga akuzat e opozitës për figura të korruptuara. Dhe aman më qafsh, Bracen e zgjodhe zëvendëskryeministër se të bënte zhurmë e s’doje të bezdiste me kuisjet e tij në Parlament?

Duke ju referuar fjalimit të parë të këtij Cakaj dukej se artikulimi i tij diplomatik ishte i papranueshëm. Si mund të jetë ministër i jashtëm një që s’ka koncepte e artikulim serioz e që emocionohet para kryeministrit të tij si një fëmijë që reciton para shkollës  Kur dëgjon dikë që ka një dalje publike dhe është e pamundur të komunikojë me audiencën, sigurisht që nuk të krijon një habi të madhe, si gjeni, enfant prodigue, sikur e ke prezantuar . Si mundet që ky njeri të mund të drejtojë një ministri kaq të rëndësishme. Në mënyrën se si ai u pozicionua kur mori kompetencat, tregonte mosdije totale për detyrat e shtetit. Po ishte i lexuari i paditur.

Këto gjëra thotë Machiaveli, mund të ju tregojnë shumë për një sundimtar, për sjelljen e tyre, për prirjet e tyre dhe inteligjencën e tyre. Nëse të gjithë të tjerët janë duke u përulur shpesh, ose duke lavdëruar sundimtarin, mund të jeni në gjendje të mendoni rreth nivelit të pasigurisë. Po njësoj, nëse gjithkush do t’i nënshtrohet liderit  “Më të zgjuarit prej nesh të gjithëve!”

Dhe ajo zonjëza Besa Shahini në atë intervistën me atë ekscentrikun Çani, pikërisht këtë gjë tregoi. Se me gjithë përvojën e madhe me politika për arsimin, ajo nuk gjykonte dot me kokën e saj po me atë tënden, jo më me kurrikulën e fillores. Po me këmbënguljen e pacipë të Çanit, u zbulua edhe ajo tjetra, se shoqja Veliajt dhe e ministres tjetër Elisa Spiropalit vinte dhe ajo nga studimet e Universitetit të atij mikut tënd, Sorosit, aty ku edhe ajo hartonte politika zhvillimi si edhe metafiziku ynë i jashtëm.

Ore kam një ide tani që Sorosit ia mbyllën Universitetin në Hungari, pse si thua ta hapë atë në Shqipëri, pasi mund të nxjerrësh ndonjë para, edhe për ata të gjorët, studentët e Universitetit të Tiranës, tani që je vënë në krye të revoltës së tyre….

Mu dhimbs ai Genti sa në siklet qe. E  kuptoj e kishte hallin të mos zhgënjente kryeministrin, ty pra, e jo të kryente detyrën për Shqipërinë. Pasi marrëdhëniet nuk janë brenda institucionit, por marrëdhënie kanalizohet në mënyrë personale, si dishepulli për mjeshtrin. A nuk po e bën punën edhe Ministri i Brendshëm ish-gjenerali Sandër Leshi, që u degradua dhe u gradua në lesh,  nga dashuria për ty ?  Kjo mund të jetë një çelës për inteligjencën e vërtetë të ministrave (si dhe për mençurinë e tyre).

Po pse i ndërrove aman, në Shkodër në kohën e Enverit qarkullonte në barsaletë .U mor vesh se fatorinot e autobusëve merrnin lekët dhe nuk jepnin biletat pasagjerëve , do të hiqeshin nga Parku. Ato protestuan pse na hiqni do të kaloj ca kohë dhe të rinjtë do mësojnë hilet tona, ne jemi ngopur disi por të rinjtë janë më të uritur, është më mirë të na lini ne. Morali kuptohet.

E kuptoj që je zënë ngushtë, dhe pse bëre ndryshime në aparatin qeveritar, po këto ekzibicione politike si duket nuk po të sjellin sukses. Ministria e Punëve të Jashtme, është një post që të solli kokëçarje. Më lind pyetja mos vallë në fazën finale të dialogut Kosovë – Serbi ndoshta i duhet patjetër një ministër i tillë sa për firmë.

Nuk e kuptoj o kryeministri ynë pse mediat e kazanit, siç i quan ti si në Shqipëri po ashtu edhe në Kosovë, duke i parë sjelljet e tua po të krahasojnë me Putinin dhe Erdoganin. A man më thuaj sa për qind te Putinit pëlqen dhe sa për qind të Erdoganit ? E prapë ai Makiaveli më porosit shikoni njerëzit me të cilët ai rrethohet?  Çfarë mendoni për ta, inteligjencën e tyre dhe shijen e tyre?  Z. Rama si ju percepton bota ju, shpesh bazohet në atë që ju dukeni ( me atlete) si dhe në njerëzit që keni përreth pa asete.

E di se autoriteti i juaj nuk pranon që të ketë dikë tjetër si sfidues në qëndrime, duke i menduar ministrat të gjithë në funksion të politikës suaj dhe jo si përfaqësues institucionalë në bazë të Kushtetutës.  Sepse po të shohim atë që e shite si një hap pozitiv në Ballkan në marrëdhënien e re mes Serbisë dhe Shqipërisë, sot po e shohim se me shumë zgjuarsi është përdorur nga Serbia për të fituar dhe realizuar skenarin për rikthimin e Serbisë në rajon si protagoniste, duke përdorur elementin shqiptar, pas një humbjeje të madhe morale dhe politike me gjenocidin ndaj Kosovës? Kur është në pyetje pozita reale e një shteti në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe aftësia e tij për të realizuar interesat e jashtme, burime të fuqisë si madhësia, pozita gjeografike, resurset ekonomike, fuqia ushtarake apo kultura… janë përcaktuese. Edhe tradita e gjatë shtetërore është përparësi e madhe. Zotërimi në masë të kufizuar i këtyre dhe burimeve tjera të fuqisë, nga ana e shteteve të vogla dhe të reja ka ndikim të drejtpërdrejtë në planifikimin dhe zbatimin e politikës së jashtme. Prandaj duhet mençuri dhe përvojë z. Rama dhe jo cicmice dhe provokime koti në Amarcord si me Greqinë. Nuk na duhet amarkordi apa amorpropri yt, para Çamërisë dhe kufijve detarë të Shqipërisë.

Winston S. Churchill, thoshte se diplomacia Diplomacia është arti i njerëzve që u thonë bashkëbiseduesve shkofsh në djall por në mënyrë të tillë që ata vetë t’i kërkojnë drejtimet e rrugës ” dhe Genti Caka, sado djalë i lëçitur qoftë, në metafizikën e Kantit, nuk i di ende rrugët dhe adresat. E tregoi fakti që ndërroi adresën e Twitterit pa u zgjedhur ende ministër e tregon foshnjërinë e tij … Z Rama nuk kam asgjë ndaj ministrave kosovarë dhe është gjë e mirë që të vazhdojë tradita e ministrave nga Kosova në qeverinë shqiptare, por duhet duhet një Hasan Prishtine, për të zgjidhur çështjet e mëdha kombëtare të kufirit me Greqinë dhe me Serbinë. Diplomacia nuk është lojë xing z. Rama. Është lojë që nuk të fal. Ti e di si kujtohet Zogu për Shën Naumin.

Çfarë lloj njerëzish e rrethojnë një lider? A është ajo një bandë e “yes –menësh ” apo janë ata ekspertë të lëndës, të gatshëm për t‘ia përplasur me shuplakë sundimtarin të tyre?  Asnjë ministër se ka bërë këtë gjë gjer më sot në Shqipëri. Madje as dhe një dorëheqje. Të gjithë flasin vetëm sa hiqen. Aman ai Manjani!  Por sa janë ata në qeveri janë të gjithë të butë, të pangopur, kukulla goxha, shkurt, pak më shumë se lodra për të gudulisur egon tënde prej buratinai?

Në fakt më fal se këto pyetje, s’janë të miat por të Makiavelit, dhe 500 vjet më parë.

PS :Nëse ka një ngjashmëri me Ju qeverinë e re tënde të re , kjo mund edhe  të mos jetë e rastit.

 

Filed Under: Politike Tagged With: Caka dhe Makiaveli, Rafael Floqi, Rama

SHTËPIA NË PARK DHE KRROKAMA E KORBIT: KURRË MË!

January 30, 2019 by dgreca

Reportazh: Në 210-vjetorin e lindjes së Poetit Edgar Allan Poe/
Nga: Sinan KAMBERAJ/

Në Bronx të New York-ut, në harkun ku rruga ‘Kingsbridge’ pret Avenynë ‘Grand Concourse’, në një Park të vogël me lisa të lartë, zbardhëllon një shtëpi njëkatëshe e gjysmë. Ajo është e ngjashme me shtëpi të tjera, të cilave, Plani Urbanistik mund t’u kërcënohet me rrënim, por jo kësaj. Atë e mbron një “ligj mbi ligje” – Ligji i Mbrojtjes së Monumenteve Kulturore të New York-ut.
Kjo është Shtëpia – Muze e poetit të madh Edgar Allan Poe.
Këtë shtëpi, të ngritur në vitin 1812, në një truall tjetër, pronë e një pasaniku amerikan, e kishte marrë më qira Poeti Edgar Allan Poe. Ai jetoi në të bashkë me gruan e tij Virginia, e cila vdiq më 1847, kurse Poe, dy vjet mbas saj.
Në vitin 1913, kjo shtëpi u zhvendos që andej dhe, ashtu siç ishte, pa asnjë ndryshim arkitektural, teknik a funksional, zuri vend në Parkun e Vogël, ku është sot.
Bashkia e Qytetit asokohe ia kishte bërë dhuratë Poetit Poe, post mortum, truallin e Shtëpisë, duke e pagëzuar me emrin e tij edhe Parkun – oborr të saj.
“Shtëpia u restaurua nga Shoqata për Art e Shkencë e Bronx-it dhe në vitin 1913 mori statusin “Shtëpi – Muze”, – thotë kustosja, Znj. C. Sadel. Ajo u shpjegon vizitorëve, me një shkathtësi të veçantë, çdo gjë që u intereson, derisa t’i këtë përcjellë ata, – ashtu siç i ka pritur – me buzëqeshje e respekt.
Jam me mikun tim Halil Jahjaga, i cili ka ardhë në New York, dhjetë vjet para meje, në vitin 1982. Mbasi konfirmojmë prezencën tonë edhe në librin e vizitorëve, Znj. Sadel i vjen mirë kur i themi se Poe është një poet shumë i dashur edhe në vendin prej nga vijmë ne.
Në katin përdhes është “dhoma e ndejës” dhe kuzhina me oxhak, një raft librash, një tavolinë pune dhe një karrike – të gjitha këto – autentike. Në këndin e djathtë të dhomës, janë ekspozuar botime veprash të poetit, reproduksione dorëshkrimesh të tij, fotografi e piktura, libri i përshtypjeve të vizitorëve, me nënshkrime e grafi nga më të ndryshmet.
Nga dera e hapur e dhomës së gjumit shihet krevati i Virginia Clemm-it, gruas së Poetit Poe, në të cilin ajo i kishte ngrysur netët e gjata të tuberkulozit, deri në muzgun e jetës së saj.
(Vizitori, – lexues i poemave të mrekullueshme “Annabel Lee” dhe “For Annie”, – domosdo do të përfytyrojë sytë e mbyllur të gruas së Poetit; dorën e tij mbi të sajën, duke u përpjekur ta qetësonte në çaste krizash nga sëmundja që e kishte pushtuar, netëve të gjata të dimrave njujorkezë …)
Ngjitemi shkallëve të ngushta që të çojnë në gjysmëkatin e Shtëpisë. Kalojmë në korridorin e vogël. Nga paradhoma kalohet në studion e punës së Poetit. Nga dritarja e vogël e studios, Edgar Allan Poe do të ketë vështruar atë Shpendin e Zi – Korbin ndjellakeq, – mbi degë të lisit në oborr të Shtëpisë, – krrokama e të cilit u bë metaforë e poezisë melankolike, në shumë gjuhë të botës, për më gjatë se një shekull.
Ndërsa kustosja po përgatiste projektorin për të shfaqur një dokumentar të shkurtër të ilustruar me sllajde nga jeta dhe vepra e Poe-s, nga kërkëllima e një dere që u hap diku poshtë, – në terr të plotë, – miku im bashkëvizitor, më “sugjestionon” me zë të ulët çukatjen e Korbit në derë dhe krrokamën e tij në lis: “Kërr-kërr” (“Nevermore”! – “Kurrë më”-në e famshme, të ri-krijuar nga Noli – përkthyesi ynë i Madh i veprave të mëdha të letërsisë botërore)!

Mbyll-e gojën dreq a shpendë!
Ngrihem dhe thërres më këmbë,
Çporru prapë mun në djall,
Në skëterrë dhe në zall!
Pendë mos më shkunt të zezë
Të më rrej’ e të më ndezë;
Mos lër shenjë të gënjeshtrës,
Që më the, po shko prej derës!
Nxirm’a qipin tënt prej zemrës,
Thyej qafën jashtë derës!
Thotë Korbi: “Kurrë më!”
(“Korbi”)

Zëri melankolik i spikerit kumbon në dhomën e vogël të vizitorëve.
Edgar Allan Poe u lind në Boston më 19 janar 1809. Bir i prindërve aktorë të njohur, Elizabeth Arnold dhe David Poe – Junior, Poeti mbase e trashëgoi prej tyre magjinë e artit, që e bëri të pavdekshëm atë.
Ngaqë mbeti bonjak qëkur ishte fëmij, – e ëma i vdiq, ndërsa babai e braktisi, – për të u kujdes një çift bashkëshortor, që nuk kishin pasur fëmijë. Ata u bënë ‘prindërit e tij të dytë’, duke e marrë me vete Poe-n e vogël ngado që shkonin, në Virginia, Skotlandë, Angli …
Biografët thonë se Poe regjistroi gjuhët antike dhe moderne në Universitetin e Virginia-s, në Charlottesville, kur i kishte mbushur shtatëmbëdhjetë vjet. Edhepse kishte rekord të shkëlqyeshëm në mësime, “i jati” Allan nuk ia shleu borxhet, ndaj Poe i ndërpreu studimet. Një vit më pas (1827), Poe angazhohet në Ushtrinë Amerikane në Boston, ku arrin gradën e oficerit të lartë – Sergent Major. Mbas katër vjetësh shërbimi, e la Armatën dhe, me tërë qenien, iu përkushtua sërish letërsisë. U kthye në New York dhe vazhdoi të botonte vepra letrare. Si shpirt i parehatuar, shpërngulet sërish në Baltimore (Pensillvania), tek gjyshja dhe i vëllai. Vdekjen e të vëllait, në moshën 24 vjeçare, – si dhe të gjyshes, në moshtë të shtyer, – e përjetoi rënd. Në këtë kohë botoi shumë tregime të shkurtëra. Dy vjet më vonë kthehet sërish në New York, bashkë me gruan, me të cilën ishte martuar në Baltimore, si dhe me vjehrrën. Poe vazhdon këtu krijimtarinë letrare. Ai kthehet përsëri në Philadelphia, ku për gjashtë vjet qëndrimi, bëri emër si shkrimtar i madh, duke botuar 34 tregime të shkurtëra, kryesisht të stilit gothik.
Shpirti endacak i Poes dhe ngritja e hovshme kulturore e New York-ut, bënë që ai të kthehet edhe një herë në këtë qytet, në prill të vitit 1844. Dy vjet më vonë, bashkë me gruan Virginia dhe vjehrrën Clemm, vendosen në Fordham të Bronx-it. Këtu gjeti njëfarë qetësie dhe për tri vjet shkroi shumë vepra.
Shtëpia e tij në Fordham ishte një rezidencë e ngrohtë, – për aq sa mund të thuhet, – ku kthehej dhe punonte, me një vrull të çuditshëm, sikur të parandjente vdekjen.
Poeti Poe nuk gjente qetësi!
E la New York-un papritmas dhe vajti sërish në Baltimore, ku, më në fund, e zuri vdekja, më 7 tetor 1849.
Biografët e tij thonë se ajo qe një vdekje tragjike dhe – relativisht misterioze.
Ngado që vajti, Poe la gjurmë të fuqishme – shkroi e shkroi pa pushuar. Por, New York-u ishte “Shtëpia e tij”. Këtu shkroi poemat më të mira “Deep in Earth”, “Alalume”, “The Bells”, “For Annie”, “Annabel Lee”, “To My Mother”, “Eldorado”, etj.
*
Dalim jashtë. Është mbrëmje e vjeshtës së parë. Gjethe të zverdhura të lisave para Shtëpisë, – ndonëse para kohe, – kanë filluar të bien. Në degë të lisave, çuditërisht, ka korba! Krrokamën e tyre e mbyt zhurma e makinave dhe alarmet e autoambulancave.
Krra-krra!
Annabel Lee, Annabel Lee! …
Poe e përjetësoi Lee-n në artin e vet poetik, duke i siguruar edhe vetës pavdekësinë.
Krahas kësaj poeme tmerrësisht të bukur, u përkthyen edhe shumë poema të tjera në gjuhët e mëdha të botës.
“Annabel Lee” dhe “Korbi” – u përkthyen edhe në gjuhën shqipe, – i thamë Znj. Sadel, – në njërën prej gjuhëve më të vjetra të Gadishullit Ilirik – që s’ka motra në Trungun e Gjuhëve Indoevropiane.
Pērkthyesi në gjuhën tonë i dy Poemave të famshme të Poes – i thamë asaj, – ishte një Prift shqiptar që e ka drejtuar një Gazetë Shqiptare me një emër të bukur – DIELLI (THE SUN) – Fan Noli. Ai ka studiuar në Universitetin e Harwardit, ka jetuar gjatë dhe ka vdekur, ku e ka edhe varrin, – në Boston, – pra në vendlindjen e Poetit Edgar Allan Poe.
Znj. Sadel, na u bë se na përshëndeti më ngrohtësisht se dy vizitorë të tjerë para nesh.
Në degë të lisave, në oborr të Shtëpisë – Muze, ka korba.
Nevermore – Kurrë më!
Kurrë më – Nevermore!
Poema ‘Korbi’ , – thonë gati njëzëri kritikët e artit të Poes, – tingëllon më bukur shqip, se anglisht!

——-

(“Illyria” – New York, 27-29 shtator 1993)
2.
3.
4.
5.
6.

Filed Under: Emigracion Tagged With: SHTËPIA NË PARK DHE KRROKAMA E KORBIT: KURRË MË!, Sinan Kamberaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1121
  • 1122
  • 1123
  • 1124
  • 1125
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT