• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MUSINE KOKALARI- NE KUJTIM TE ZHAN DARKES SHQIPTARE

January 28, 2019 by dgreca

“Bermude të Gjirokastrës: “Musine, Ismail, Enver”/1 musine Kokalra

Nga Shpend Sollaku Noé./(retrospektive)/
Vështirë të gjendet një qytet tjetër kaq i vogël sa Gjirokastra që të ketë ndikuar aq shumë në historinë apo kulturën e një vendi. Dikush këtë e shpjegon me përpjekjet e qytetarëve të saj për të mbijetuar në një vend të tillë të izoluar, me pak banorë, më mundësira të kufizuara për zhvillim ekonomik, ku gjithçka ishte e kursyer përveç gurit, ku duhej kursyer parimisht dhe, veç të tjerave, larg prej qendrave të rëndësishme ku vendosej edhe fati i tyre. Dikush tjetër, sidomos të kaluarën e saj, e shpjegon si një ekzaltim të qëndresës ndaj të huajt të një fortese të fundit kufitare, politike apo kulturore. Ndonjë tjetër shkon edhe më tej, duke gjetur zgjidhjen e gjithçkaje gjirokastrite në ADN-në e banorëve të saj, me arësyetimin e thjeshtëzuar: lindin të tillë, për tʼju imponuar të tjerëve.

Pavarësisht nga reflektimet, faktet thonë që janë të shumta ngjarjet e ndodhura në Gjirokastër dhe personazhet e lindur në atë qytet që janë imponuar në rang kombëtar si në histori, ashtu edhe në kulturë apo shkenca.

Por unë këtu do të merrem vetëm me tre prej tyre, që të tre në vështrim të parë shumë larg njeri-tjetrit. Por që jetët dhe veprimtaritë e tyre i kanë patur të lidhura nëpërmjet shumë fillesh, diku të nëndheshme, diku tjetër mëse të dukshme: Enver Hoxha, Ismail Kadare dhe Musine Kokalari.

Për të parin është folur shumë, për tragjeditë e krijuara prej diktaturës së tij të përgjakshme, viteve të fundit edhe për veset e tij private. Personalisht më intereson pak nëse ai ishte apo jo i denjë për Gay Pride. Raste figurash historike që kanë qenë gay, të deklaruar ose jo, janë të shumtë. Është shkruar që edhe Michelangelo, Aleksandri i Madh apo edhe të tjerë të mëdhenj të kulturës apo të historisë deri në kohën e sotme kanë qenë homo apo biseksualë. Ky fakt, për studiuesit, është krejt i parëndësishëm për tʼi vlerësuar ata si të mbetur në histori apo kulturë e arte për veprën e tyre. Edhe Enveri ka për të mbetur përgjithmonë në historinë shqiptare. Nuk fshihen me një të rënë të lapsit pesëdhjetëvjetë nga jeta e një populli. Sa më shpejt të shihet realisht dhe me gjak të ftohtë kjo figurë makbethiane, aq më shpejt shqiptarët do të kthehen në qytetarë normalë, që gjykojnë, por nuk shajnë e mallkojnë. Por kjo nuk do të thotë të tolerohen manifestime nostalgjikësh me portretet e tij.

Nëpërmjet shumë fijesh figura e diktatorit tonë është lidhur qoftë më atë të Kadaresë, qoftë me atë të Musine Kokalarit. Lidhjet ndërmjet kësaj tresheje kanë qenë dhe mbeten kaq të rrezikshme për ne që pëpiqemi tʼi interpretojmë, saqë ndodhemi shpesh në gjendjen e një piloti mu në mes të Trekëndëshit të Bermudeve, duke rrezikuar seriozosht rënien në pikiatë apo zhdukjen pa lënë gjurmë. Aq shumë intriga në mes këtyre të treve, aq urrejtje, aq hakmarrje, aq kryeneçësi për tʼi rezistuar tiranit, aq egërsi për të errësuar tjetrin deri në eliminim.

Midis dy të parëve, Hoxhës dhe Kadaresë, më shumë se një raport dashuri-urrejtje, ka qenë një mbështetje e njëri-tjetrit, siç duhet të bëjnë dy gjirokastritë model; herë për konveniencë prej të të dyve, herë për nështrim total të të dytit ndaj të parit, herë për imponim me anë të frikës të të parit me të dytin; një kombinim i përsosur i kulaçit me kërbaçin, ose: më shumë kulaç sesa kërbaç. Nga ky fakt Kadareja ka qenë gjithmonë i ndier herë si më i përkëdheluri i regjimit, hërë më i kërcënuari, kur fama apo veprat e tij rrezikonin të tejkalonin ato të diktatorit. Sidoqoftë që të dy e shfrytëzonin njeri-tjetrin deri në palcë: Hoxha – Kadarenë për tʼu përjetësuar në letërsi, ndërsa shkrimtari për të patur liri veprimi në shkrimet e tij, liri deri në masën që nuk duhej të minonin autoritetin e diktatorit.

Tjetër gjë ka qenë raporti i Enverit me Musinenë. Njiheshin që në rini. Në një nga botimet e fundit për Musinenë, lihet të kuptohet që Hoxhët kishin kërkuar që të fejonin Musinenë me Enverin, gjë që paskërka qenë kundërshtuar nga Kokalarët. Kjo i paskërka dhënë shkas edhe ndjenjës së vazhdueshme hakmarrëse të Hoxhës në periudhën e mëpastajme. Ky detaj mund të ishte një gjetje e mirë për një telenovelë, por kundërshtohet me vendosmëri nga pasardhësit e vajzës Kokalari. Nuk mund të jetë e vërtetë, pasi Musineja ishte mjaft e vogël kur Enveri kish kohën e fejesës.

Xhelosia e diktatorit ndaj saj duhet parë së pari në prizmin politik.

Hoxhët dhe Kokalarët ishin farefis, dhe kjo nuk ka qenë ndonjëherë një sekret. Hoxha pra i ka pasë njohur mirë ata, por jo vetëm prej lidhjes fisnore. Gjirokastra ishte shumë e vogël. Intelektualët e saj numëroheshin me gishta. Ata banonin në një lagje. Ishin nga familjet më të vjetra të qytetit. Me vëllain e Musinesë, Hamitin, Enveri kish bërë shkollën që nga klasa e parë e deri në mbarimin e shkollës së mesme. Madje që të dyve u doli njëkohësisht bursa dhe njëkohësisht u nisën të studiojnë jashtë. Dy vëllezër të Musinësë kanë qenë profesorë të Enverit në liceun francez të Gjirokastrës. Enveri, për mënyrën e të sjellurit dhe për lidhjen e mëvonshme me komunistët, është parë, jo vetëm nga Kokalarët, por edhe vetë nga familja e tij, si një renegat dhe si i padenjë. Jo rastësisht diktatori ose e përmend pak, ose e injoron fare të atin në kujtimet e tij, duke marrë si përfaqësues të denjë të familjes xhaxhain, Hysenin. Inatet ndaj familjes së tij, por sidomos ndaj Kokalarëve, do të trasformoheshin shpejt në hakmarrje, veçanërisht ndaj Kokalarëve, që u kushtoi këtyre të fundit disa dënime me vdekje e mjaft vite internimi. Pa dyshim krijesa më e dhimbshme në kuadrin e kësaj hakmarrjeje të përbindshme ishte Musineja. Së pari, sepse ishte një intelektuale e fortë dhe e përgatitur; së dyti, dhe sidomos, si kundërtshtare politike. E reja Kokalari kish guxuar të themelonte një parti politike, atë Socialdemokrate, taman në kohën kur pluralizmi politik ishte sanksionuar si një herezi. Goditja u fundit e hakmarrjes së diktatorit ndaj saj mori shkas sidomos nga qëndrimi në gjyq i Musinesë. Kur të tjerë ishin dridhur në seancat penale të diktaturës, kishin kërkuar mëshirë, kishin qarë dhe ishin deklaruar të penduar, duke pranuar edhe dënimin me vdejke ndërsa thonin «rroftë partia», ajo kish qëndruar e pathyer, kish vazhduar tʼi sfidonte edhe para trupit gjykues, pa u lëkundur as edhe një grimë nga idealet e lirisë që mbronte prej kohësh. Këtë gjë Hoxha nuk kish për tʼia falur kurrë sa qe gjallë.

Musineja, nga ana e saj, e ka injoruar diktatorin pothuaj në të gjitha kujtimet e lëna me shkrim, përveç ndonje ironie të hollë, të cilës i nënkptohej qartë adresa.

Po Kadareja në çʼraport ka qenë me Musinenë? Në të gjitha veprat e tij me temë Gjirokastrën, ai është përpjekur vazhdimisht të errësojë apo të denigrojë gjithçka që ka të bëjë me Kokalarët apo kushërinjtë e miqtë e tyre. Tek «Kronikë në Gur», për shembull, dihet sesi e përshkruan Aqif Kashahun, nip i Kokalarëve. Po ashtu, sipas Kokalarëve, mendohet të jetë Musineja modeli i personazhes së vajzës së shkolluar që sʼbënte gjë tjetër veç dilte nëpër dritare.

Jashtë kontekstit të këtij romani, Enveri kish njohur Myfitin, vëllain e Aqif Kashahut, me të cilin kish qenë bashkëstudent. Enveri i ka pasë shprehur dëshirën Myfitit që ta martonte me njërën nga motrat e tij, por vëllai i Aqifit nuk kish pranuar. Shumë në Gjirokastër e komentojnë një përshkrim të tillë të Kashahut nga Kadareja, si një haraç të paguar diktatorit, ndaj atij mbiemri që dikur atë e kish «përçmuar». Kusuri është vetëm heshtje. Asnjë koment i Kadaresë, as edhe prej dy rreshtash, për librat e botuar nga Musineja, as edhe për faktin sesi ajo ka qenë si një zë i veçantë në enciklpedinë francese Larousse, në vitet 1945-1950.

I tillë ka qenë edhe qëndrimi i Musine Kokalarit ndaj Ismail Kadaresë, të paktën me shkrim, të paktën për aq sa kam mundur të lexoj prej kësaj autoreje: heshtje e plotë.

Deri tani kemi folur për mite: Miti i diktatorit që ende duhet zbërthyer siç duhet; miti i Kadaresë në të cilin ka meritë ai vetë por edhe diktatori që e lançoi: miti i Musinesë ku, në mënyrë paradoksale, edhe diktatori ka luajtur një rol të dorës së parë për ta bërë të pavdekshme, pikërisht duke e persekutuar.

Si paraqitet sot raporti në mes të këtyre tre miteve të Gjirokastrës?

Ai i diktatorit vazhdon të jetojë tek nostalgjikët. Dje ishte kryesori. Pas tij vinte sigurisht Kadareja. Musineja ishte fare e panjohur për turmat kombëtare.

Në një kohë të dytë ( vitet ʼ90) ndodhi parakalimi i Ismailit në dëm të Enverit. Ai ka patur edhe propozime që nuk i ka pranuar, për tʼu bërë president i Shqipërisë. Musineja, ndërkaq, sapo kish nisur të nxirrte kokën, si një manushaqe e brishtë, poshtë një shkëmbi, pas një dimri të zgjatur e të akullt.

Mitet vlejnë për turmat. Atyre nuk u intereson as të njohin në thellësi veprën dhe moralin e Enverit. As të lexojnë librat e Ismailit. As të thellohen e të njohin më tepër një vullkan të nënujshëm si Musineja. Turmat dijnë të bëjnë vetëm dy gjëra: ose të adhurojnë, ose të urrejnë. Është detyrë e studiuesve të vërtetë dhe, sidomos e shtetit, të ndajë mitin e tyre nga realieti.

Çʼqëndrim ka mbajtur shteti shqiptar ndaj këtyre tre miteve, të këqinj, të dyshimtë apo të kristaltë qofshin?

Rreth Enver Hoxhës janë bërë shumë botime, përgjithësisht denigruese, përgjithësisht nga privatët. Shteti shqiptar nuk e ka cilësuar kurrë ligjërisht apo formalisht atë si një diktator. Në Shqipëri janë lejuar manifestime të nostalgjikëve, gjë që nuk ndodh në Itali apo në Gjermani, ku janë ndaluar me ligj grumbullime që himnizojnë Musolinin apo Hitlerin. Kushtetuta shqiptare nuk shprehet qartë për këtë problem. Sikur të mos mjaftonin këto, ditët e fundit janë dekoruar edhe eksponentë të ish-diktaturës, diçka e palejueshme kjo për një qeveri që pretendon të jetë europeiste. Është rindërtuar prej kohësh shtëpia e djegur e Enverit, në lagjen Palorto, në trajtën e Muzeut Etnografik. Atje gjenden edhe pak objekte të familjes Hoxha, pa dicitura, si dhe një bust i anesë, nënës së Enverit, i mbuluar nga pluhuri, i fshehur në një kthinë, pas një dere të vjetër, me kurriz të kthyer hyrjes, që unë e hapa rastësisht, për të parë se ku të shpinte. Gjatë vizitës tonë të fundit në atë muze, kushërinjtë e Hoxhës që banojnë aty pranë na thanë, edhe pa i pyetur: Enverin këtu e kanë akoma frikë, dhe prej nesh trëmben!

Edhe shtëpisë së Kadaresë, në skaj të Sokakut të të Marrëve, i ka pasë rënë zjarri. Por me të shteti është duke u marrë seriozisht. Edhe pse në mënyrë të ngadalshme, nuk kanë munguar fondet dhe atje punohet për të ndërtuar një fortesë që do të jetë Muzeu Kadare. Brenda saj pashë një skuadër muratorësh, por edhe modifikime që prishnin traditën gjirokastrite. Nga këto lloj modifikimesh jashtë tradite të ndërtesave dhe rrugicave vuante në përgjithësi e gjithë zona historike e Gjirokastrës, për të mos përmendur ato të braktisurat në degradim.

Shtëpia ku lindi Musine Kokalari, ndërkaq, nuk ka parë as edhe një qindarkë ndihme nga shteti apo nga fondacionet e kamufluara «joshtetërore». Rekuperimi i saj ka qenë vetëm vepër e përkushtimit të mbesës së Musinesë, Arjeta, dhe të të shoqit Yzeir Ceka. Ata, me sforcimin e tyre, arritën sa ta sjellin atë Muze deri në fazën e fundit, atë të mbushjes me materialet e duhura, të kataloguara me kujdes që më parë. Por, mesa duket, zjarri në Gjrokastër do të vazhdojë të jetë protagonist. Një ditë të premte, më 21 nëntor 2014, rreth orës njëzetë të mbrëmjes, ai do të bënte shkrumb, në pak minuta, gjithçka që qe ndërtuar e rekuperuar në Muzeun Kokalari. Prej tij tani kanë mbetur vetëm ngrehinat e mureve. Një humbje e madhe kjo jo vetëm për Kokalarët, por edhe për të gjithë të interesuarit e tjerë. Ngushëllimi i vetëm është që janë shpëtuar të gjitha materialet arkivore. Vetëm me forcat e Arjetës dhe Yzeirit, ai Muze nuk mund të rindërtohet. Bashkia e Gjirokastrës vazhdon të jetë indiferente, Tirana gjithashtu. Për një vlerë të tillë kombëtare, të gjithë ne dashamirësit do të japim ndihmesën tonë. Por, sado që të bëjnë privatët, roli i shtetit shqiptar këtu është i pazëvendësueshëm. Në kthimin të prekshëm për të gjithë, të mitit të kristaltë, që shkon drejt superimit të Kadaresë e Hoxhës; Musine Kokalarit.

Filed Under: Featured Tagged With: Mermude te Gjirokastres, Musine Kokalari, Shpend Sollaku Noe'

Gëzuar ditlindjen e 83-të Shkrimtari ynë Ismail Kadare!

January 28, 2019 by dgreca

1 Kadare Fransua Holland

ISMAIL  KADARE  ( 28 JANAR 1936 28 JANAR 2019)/

NGA ASLLAN  BUSHATI

Sot është ditlindja e 83-të e Ismail Kadaresë, njerut të madh të letrave shqiptare, atdhetarit e europianistit të madh  të trojeve tona. Kurrë nuk kam  patur  guximin të shkruajtur  për këtë uragan të madh të botës shqiptare. Arsyesja është e thjeshtë se unë personalisht, nuk zotroj mjetet artistike të  të shkruarit  për njerëz të kalibrit të  tij.  E them këtë sepse duke shkruajtur për të  (me mjetet e mija të vakta artistike -fjalë,figura, fjali e shprehje)  më duket se në vend që të ndihmoj  në shkëlqimin e figurës së tij, mos bëj keq. Sido që të jetë, edhe nëse mendimet e mija nuk janë aq  të qëlluara, me ndiesitë shpirtërore që kam në zemër e në mendje   për Kadarenë tonë të madh, do të them dy-tre gjëra  në këtë ditlindje të 83-të.

Më kujtohet si tani një ngjarje e  vjeshtës  së  vitit 1989. Në Shqipërinë e asaj kohe, cdo gjë ishte  e zymtë , cdo gjë e vaktë, turbullirë shpirtërore e mendore, e  varfëri e tejskajshme. Fjalimet e Ramiz Alijës ishin llustra gënjeshtare e radhës pa asnjë efekt mbi jetën tonë. Një dite nga ato vjeshtoret  e  kësaj periudhe, u planifiku që në Shtëpinë Qëndrore të Ushtrisë (SHQUP), të bëhej një takim nga  aparati i Ministrisë së Mbrojtjes  me Ismail Kadarenë. Me sa duket ishte zgjedhur një temë koti si: ” prania e E.Hoxhës në veprat e Kadaresë”. Unë pikërisht atë ditë u  ndodha me shërbim në postin e operativit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe nuk pata mundësi të marr pjesë në këtë takim. Por pas takimit pyeta disa kolegë se si shkoi takimi me Kadarenë? Disa heshtnin e disa ishin shumë të pa kënaqur, se Kadareja gjatë gjithë ligjëratës së tij kishte folur për vlerat kombëtare dhe rolin e sejcilit në shtimin e shumimin e këtyre vlerave. Kurse  pyetjes për praninë e E.Hoxhës në veprat e tij, Kadareja ishte përgjigjur shumë shkurt se:”..këto janë gjëra të ditura për të gjithë..”. Kjo shprehje, ato më të “ thekurit” e Enverit, i kishte nervozuar në kulm sa pa hezitim thonin “ky (Kadareja), është një borgjez i flliqur dhe habitemi se pse nuk e fusin  prapa hekurave në birucë”. Kur dëgjoja këto më vinte për të qeshur e për të qarë në të njejtën kohë. Disa ishin brenda virtualitetit idiot të komunizmit e disa në dilemë se cfarë po ndodh me ne si vend e si shoqëri. Mbaj mend që njeri më provokoi direkt duke më pyetur: “po ti cfarë mendon për Kadarenë ? I thashë shkurt se :”unë mendoj se ai është njeriu i madh i letrave shqiptare”. Dhe në vazhdim bashkbiseduesi më tha:”ik ore p…dhu me gjithë borgjezin  Kadarenë”.

Pas një viti në vjeshtën e 1990-tës , Kadareja u largu për në Francë dhe menjëherë doli në një intervistë në Zërin e Amerikës. Shqiegimi i tij për largimin nga Shqipëria ishte shterrues, por në  të njëjtën kohë edhe udhërrëfyes për ne që e donim atë. U gëzova me ato që dëgjova, por edhe u hidhërova se nuk e kishim më në Shqipëri. Më dukej vetja se me largimin e Kadaresë , kisha humbur mbrojtjen time intelektuale. Kurse thëniet e disa enveristave idiote  se:” hë more a u kishim thënë se Kadareja është tradhëtar” si kapërdija dot.

Koha eci e bëri të veten dhe në 1995-sën, kur po drejtoja ceremonialin e rivarrimit të eshtrave të të madhit Faik Konica  u takova me Kadarenë. Ishte rinuar nga pamja, dhe  e përshëndesnin me shumë mallë e respekt të gjithë të pranishmit në ceremonial.  Edhe unë e shoqërova që në hyrje e deri sa doli.  Para se të largohej bëra një foto me të  dhe më tha:”Më vjen mirë që e kemi organizuar kaq mirë ceremoninë e rivarrimit të Faik Konicës. Ne shqiptarët i jemi shumë borxhëli  këtij personaliteti të madh të letrave, diplomacisë e atdhetarisë”.

Duke  përfundur këto pak rreshta për Kadarenë tonë të madh, lutem që ai të ketë shëndet dhe jetë sa më të gjatë për vehte, familjen, dashamirët dhe Kombin tonë.

Gëzuar ditlindjen e 83-të i madhi Ismail Kadare.

 

Filed Under: Featured Tagged With: asllan Bushati, ditelindja, Ismail Kadare

Anton Marku dhe… “Në secilën hije pak dritë…”

January 28, 2019 by dgreca

4. Anton MarkuKopertina e librit NE SECLEN HJE NGA PAK DRITEParathënie për përmbledhjen me poezi ‘Në secilën hije pak dritë’’ (IWA Bogdani, janar 2019, Prishtinë/

Foto nga Engjell I. BerishaNga Engjëll I. Berisha /Antoni, ia shton dhe një hallkë, librit të fundit të tij me poezi, madje e shtrëngon shumë zinxhirin krijues duke e dëshmuar se po e ruan autenticitetin e vetë, me vëllimin e ri poetik, “Në secilën hije pak dritë”, që po e boton IWA Bogdani, në Prishtinë.

Libri paraqet lirizmin e tij mbi personazhet që i krijon me të cilët gjatë gjithë kohës bën krahasimin e dukurive që na rrethojnë. Ky edhe po bëhet motiv i përdorur viteve të fundit nga krijues të shumtë.

Nuk është shkallëzim retorik që sintetizon personazhin e tij. Në fakt autori bën ngritje përforcuese të ideve të tij, pa i ndryshuar ato të fundit e të mëhershme. Kjo konsekuencë ia jep vulën e vetë krijuese Anton Markut duke formuar konceptin e tij me sintagmën se poeti duhet ta thotë atë që zemra ia ndien.

Pamjen sociologjike te shoqëria e jonë, e abstrohon me rezonancën e tij herë të zemërimit, herë të admirimit, e hera herës të nxitjes së tij artistike që donë tu japë vetëdijesim. Ai sikur provon t’i kapërcejë caqet me poezitë që i shtron si pyetje, dhe shih, sa më shumë që i hamendim fenomenet, aq më të bezdisshme e më të pakuptueshme na bëhen. A mund të pajtohet poeti me këtë konstatim se! Mendoj se përkufizimi i mendjes të përfytyrosh ngjasimet e ta përjetosh, është dilema që shtrohet në poezi. Këtu e nisë eksplorimin e tij Anton Marku me poezinë “Gjeneza”, në përsiatje të kohës e të përfytyrimit kur u krijua e mira, – jeta, dhe vrima e zezë, – vdekja, prej nga edhe nisë përvëlimi i të gjitha krijesave: “Ditën që u zu dielli / për të parën herë / jeta u fërkua me vdekjen”.

Personazhe më të shpeshtë të tij,janë koha e cila nuk pret, është dashuria e cila kaplon, është virtyti, mbase, këtu e shpërfaqë më shumë koncentrimin sociologjik.

Edhe pse nuk mund t’i kapim të gjitha gjërat, ne krijojmë një aluzion ndaj tyre se janë mashtrim. Ky imazh dhëmbëzon mendimin tonë përherë dhe i kafshojmë me shkrime shpesh duke mos pasur talent të imagjinojmë në mes njerëzve, ideve e objekteve që na rrethojnë. Bashkëbisedimi që bën autori, fatin, e bartë gati në çdo poezi, jo vetëm si ligjërim shoqëror, por e kodifikon si produkt i mbrojtur, pa të cilin sikur imagjinon se s’mundet dot as natyra:“Kur gjithçka nisi / nuk kishte kufij / as mure, / kishte vetëm fillime”. Poezia “Portrete”.

Veset e shoqërisë, bëhen shprushje e shpirtit të tij, përballë sfidave të kohës, një peizazh me pak fjalë, e shumë shtresor: “Tërë jetën provova / t’i afrohem grimcës sime / duke i shikuar hijet e të tjerëve / harrova timen”, te poezia “Flluskave të purpurta”. Poezitë janë me vargje të shkurta, madje, shumë të shkurta-karakteristikë e shumë poetëve jo se e tkurrë mendimin, por, i duhen më shumë figura për ta përmbyllur krahasimin. Motivi i dashurisë, e kaplon këtë përmbledhje, jo duke e rënduar, por, ia ngazëllen poetikën rrëfimtare, duke u bërë herë i rrept e herë i nënshtruar ndaj saj: “Po u ktheve dhe një herë / me frymën time do e përzë / ofshamën që të bëri të ikësh”, ose, “po u takuan sytë tanë / veç dhe një herë / flaka ka për t’i dalë shiut”. Poezia “Po u ktheve”.

Tani lirisht mund të themi se autori ka krijuar karakterin e e tij simbolik me të cilin edhe platformën e tij dhe, sikur shihet, kështu mëton të ecë.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Anton Marku, Engjëll I. Berisha, Në secilën hije pak dritë

VETINGU NE LEGJISLATIV DHE EKZEKUTIV, DETYRIM KUSHTETUES

January 28, 2019 by dgreca

Unioni i Juristeve te Pavarur te Shqipërisë: VETINGU ne Pushtetin Legjislativ dhe Ekzekutiv një detyrim kushtetues dhe emergjence kombëtare ne Republikën e Shqipërisë/

 

veting-1

Unioni i Juristeve te Pavarur te Shqipërisë është bashkimi i juristeve te pavarur jashtë partive politike dhe pa asnjë ndikim politik, veprimtaria e te cilit mbështet ne aktet ndërkombëtare, evropiane dhe përvojën me te mire te vendeve te përparuara me demokraci dhe shtet te se drejtës te konsoliduar me fokus veprimtarie:

  1. Mbrojtjen e Lirive dhe te Drejtave te Njeriut.
  2. Pavarësinë e Pushtetit Gjyqësor.
  3. Luftën kundër korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin.
  4. Mbrojtjen e te Drejtave Sociale Themelore te Individëve, te Komunitetit dhe Grupeve Sociale.
  5. Konsolidimin e Shtetit te se Drejtës.

UJPSH e pakënaqur me gjendjen e demokracisë, shtetit te se drejtës dhe lirive e te drejtave themelore te njeriut ne vitin 2014 propozoi për here te pare dhe publikisht nevojën urgjente për reforma te thella ligjore dhe kushtetuese. Ne dokumentin propozues publikut dhe institucioneve vendore por dhe përfaqësive diplomatike te Republikës Gjermane, te Republikës Franceze, ne Shqipëri etj., kemi propozuar nder te tjera ne atë dokument se:

  1. Duhet garantuar praktikisht barazia e çdo qytetari para ligjit, detyrimin e çdo zyrtari te çdo pushteti për te qene ne te njëjtat kushte te barabarta ligjore për llogaridhënie përpara ligjit dhe qytetareve.
  2. Ne mendojmë se aq kane akses apo kompetence ne zgjedhjen apo emërimin e deputeteve apo ministrave, gjyqtaret dhe prokuroret, aq këta te fundit te kenë kompetence apo akses ne emërimin e gjyqtareve te gjitha niveleve.
  3. Ka ardhur momenti qe çdo gjyqtar, prokuror dhe zyrtar duhet te deklaroje pasurinë e tij, burimin e saj dhe se duhet ngritur një organ i posaçëm për hetimin e integritetit dhe pasurisë se zyrtareve dhe se zyrtaret e korruptuar, me integritet te ulet dhe me pasuri te pajustifikuar duhen te pushohen nga puna dhe pasuria e pajustifikuar duhet konfiskuar ne favor te shtetit.

Për shkak te një presioni te madh vendas dhe sidomos te vendeve perëndimore me demokraci te konsoliduar u miratua reforma ne drejtësi ne vendin tone u miratuan ligjet për reformim te pushteti gjyqësor dhe aktualisht po zbatohen ligjet e kësaj reforme nga te cilat po hetohen administrativisht nga organi i posaçëm integriteti profesional dhe moral dhe pasuria e gjyqtareve dhe prokuroreve te Republikës se Shqipërisë dhe një numër jo i vogël po largohen nga puna si gjyqtare apo prokurore.

Ne si UJPSH duke qene te qarte ne parimet qe burojnë nga aktet ndërkombëtare, evropiane, kushtetuta dhe legjislacioni vendas ne mënyrë te bazuar e themi pa asnjë mëdyshje se:

Vetingu i zyrtareve te larte te pushteteve te tjera jo gjyqësore, është një detyrim kushtetues dhe një emergjence kombëtare.

Vetingu tek zyrtaret e larte te Ekzekutivit dhe Legjislativit një detyrim kushtetues!

Aktualisht ne Shqipëri po behet vetingu vetëm ne pushtetin gjyqësor. Pra gjyqtaret dhe prokuroret po diskriminohen, haptazi ne kundërshtim me garancitë qe jep kushtetuta e Republikës se Shqipërisë, Konventa Evropiane për te Drejtat e Njeriut dhe Aktet Ndërkombëtare kundër diskriminimit, nëse nuk behet me te njëjtat kushte barazie ligjore edhe për zyrtaret e tjerë. Individët gjyqtare dhe prokurore po i nënshtrohen diskriminimit njerëzor dhe profesional dhe një kuptim me te zgjeruar po diskriminohet pushteti gjyqësor krahas pushteteve te tjera. E drejta për mos diskriminimin e askujt është e garantuar. Kështu nenin 18 i Kushtetues se Shqipërisë parashikon:

  1. Te gjithë janë te barabarte para ligjit.
  2. Askush nuk mund te diskriminohet padrejtësisht për shkaqe te tilla si; gjendja ekonomike, pasurore, arsimore dhe profesionale etj. etj.

Po ashtu KEDNJ-ne nenin 14 te saj, Aktet Ndërkombëtare si DUDNJ-ne nenin 7 te saj dhe Konventa mbi mos diskriminimin e punësimit apo profesionit garantojnë te drejtën për mos diskriminim njerëzor dhe profesional. Gjithashtu ne Republikën e Shqipërisë është ne fuqi ligji nr.10221 dt.04.02.2010 “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi”. Sipas këtij ligji dhe ne interpretim te tij gjyqtaret dhe prokuroret po i nënshtrohet diskriminimit te drejtpërdrejtë dhe se çdokush qe diskriminohet gëzon mbrojtje ligjore madje sipas këtij ligji çdo organizate legjitime mund t’i drejtohet Gjykatës Kompetente për ndalimin e menjëhershëm te diskriminimit. Sipas këtij ligji çdo organizate legjitime, dhe për te drejtat e njeriut mund t’i drejtohet gjykatës kompetente dhe te kërkojë pezullimin e ligjit nr.84/2016 “Për vlerësimin kalimtar te gjyqtareve dhe prokuroreve ne Republikën e Shqipërisë” deri ne miratimin e një ligji te ngjashëm për zyrtaret e ekzekutivit dhe legjislativit përjashtuar objektin e vlerësimit profesional, pasi te drejtës për tu zgjedhur dhe emëruar e gëzojnë shtetasit qe ne moshën 18 vjeç dhe për shkaqe te tjera, pra duke përjashtuar komponentin profesional por jo atë te figurës morale dhe pasurisë.

Gjithashtu nga interpretimi i ligjit përkatësisht te kompetencave te Organeve te Vetingut dhe Organeve Përkatëse qe do te dalin nga zbatimi i reformës ne drejtësi qëndrimet publike te çdokujt se vetingun e zyrtareve te larte do ti bëjnë Organet e Reja te Drejtësisë, UJPSH e konsideron si te pabazuar dhe manipulativ. KPK është një organ i posaçëm qe po heton administrativisht dhe shkarkon ose jo gjyqtaret dhe prokuroret pra një organ me karakter administrativ dhe aspak gjyqësor qe po i nënshtrohen te gjithë anëtaret e pushtetit gjyqësor pa përjashtim. Krejt te tjera janë, kompetencat e organeve te reja si Prokuroria Speciale apo Gjykata Speciale, janë organe me karakter hetimi dhe gjykimi penal dhe askush nuk mund te hetohet (siç po ndodh nga KPK) jashtë procesit penal, pra për persona për te cilët dyshohet se kane kryer një vepër penale ndërsa para KPK kane detyrim te paraqiten gjithë pa asnjë përjashtim vetëm për integritetin profesional, moral dhe pasurinë anëtarët e pushtetit gjyqësor, te cilët shume pak prej tyre po kalojnë për hetim penal.

Pra është e qarte nga kompetencat substanciale dhe ligjore se KPK është një organ i posaçëm administrativ para te cilit paraqiten te gjithë, pa asnjë përjashtim. Sa kemi argumentuar me lart dhe me bazueshmëri te plote pra pa asnjë ekuivok del qarte se: Vetingu i zyrtareve te pushtetit legjislative e ekzekutiv është një detyrim kushtetues për një trajtim te barabarte te pushteteve dhe te çdo individi kjo e garantuar, dhe nëse nuk behet jemi përpara një diskriminimi te drejtpërdrejtë, kjo e ndaluar rreptësishtë si shkelje e Lirive dhe te Drejtave Themelore te Njeriut.

Dhe pse është një emergjence kombëtare për vendin tone?

Po ndërsa ne pushtetin gjyqësor ka filluar largimi i individëve te korruptuar krejt e kundërta po ndodh ne pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv. Ne pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv jo vetëm qe nuk po largohen individë te korruptuar por përkundrazi ata mbështesin njeri-tjetrin madje ne majat e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv janë përforcuar individë: me pasuri te pajustifikuar marramendëse me burim korrupsionin dhe grabitjen legale te pasurisë publike dhe madje dhe te taksave te mbledhura shteterisht, me integritet te ulet moral dhe deri me rekorde kriminale afatgjata qe nëpërmjet pushtetit dhe bandave kriminale, ushtrojnë presion te gjithanshëm ndaj qytetareve dhe organizatave te shoqërisë civile etj., dhe nga ana tjetër reklamojnë para qytetareve vendas dhe vendeve mike te vendit tone se po bëjnë reformën ne drejtësi dhe se organet e reja te drejtësisë do te bëjnë dhe hetimin te zyrtareve te larte, dhe se nuk ka nevoje për veting tek pushteti ekzekutiv e legjislativ.

Sa me sipër ne mënyrë plotësisht te bazuar për një trajtim te barabarte te individëve dhe pushteteve pa asnjë diskriminim dhe për një përmirësim urgjent te gjendjes se përkeqësuar te institucioneve te vendit, te sistemit politik ekonomik qe po shkatërron çdo dite e me shume ekuilibrin mes pushteteve, institucioneve dhe sidomos mbi gjendjen e përkeqësuar te Lirive dhe te Drejtave Themelore te Njeriut, UJPSH mendon se është momenti me delikat dhe urgjent për te ushtruar vetingun tek zyrtaret e larte si detyrim kushtetues dhe emergjence kombëtare ne Republikën e Shqipërisë.

Unioni i Juristeve te Pavarur te Shqipërisë

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Ekzekutiv, Legjislativ, Unioni, Vetingu

Korrektësia politike

January 28, 2019 by dgreca

Nga Blerta Haxhiaj/

Debatet rreth korrektësisë politike shpeshherë prodhojnë elemente se si nuk ekziston frika e ngritjes së normave që pengojnë shprehjen e atyre normave dhe oponentet e tyre që japin mjetet që përforcojnë heshtjen politike. A është korrektësia politike një mit? Mund të duket e çuditshme që disa kanë dyshuar nëse korrektësia politike ekziston fare, të paktën në një masë të konsiderueshme. Por shkrimtarët në të vërtetë kanë shprehur dy lloje dyshimi përgjatë këtyre linjave. Njëra është mohimi se ka raste të rëndësishme shoqërore të fjalimit publik që po formohen, po mohohet se fjalimi publik në lidhje me racën ose gjininë duke thënë se është subjekt i normave anti-margjinalizuese në ndonjë masë të konsiderueshme. Forma tjetër që mohon, është të këmbëngulë që ndonëse me të vërtetë ka norma që e informojnë këtë diskurs, këto nuk janë të motivuara nga llojet e shqetësimeve që paraqiten, del se “korrektësia politike” është vetëm lufta neutrale për të vërtetën dhe drejtësinë. Korrektësia politike — është një lloj kodi, e cila është projektuar për të eliminuar çdo lloj shenjë të diskriminimit. Për shkak të rrethanave ekstreme, shumë familje të suksesshme thjesht nuk do të tolerojnë fëmijët që të shkojnë keq në shkollë (e lëre të mos mbarojnë atë), duke marrë vendime të gabuara ose duke dështuar në punë. Por shumë nga të njëjtët njerëz hezitojnë t’i pohojnë këto si norma publike ose të lëshojnë kritika bazuar në to, meqënëse pohimi i normave të tilla shpesh do të përfshinte kritikën e grupeve të margjinalizuara. Korrektësia politike është një përpjekje e rëndësishme për të avancuar interesat legjitime të grupeve të caktuara në sferën publike. Normat që pasojnë dhe kostot e saj nuk duhet neglizhuar edhe kur ato paraqiten ne forma të konflikteve mbi vlera tjera politike të cilat edhe mund të krijohen mbi baza irracionale kolektive. Klisheja është se korrektësia politike pengon të drejtat e lirisë së fjalës, sikur humbja e mundshme të jetë thjesht ekspresive, çështja e vërtetë është se në filtrimin e diskursit publik korrektësia politike mund të mposhtë synimet tona substanciale. Si koncept korrektësia politike është qëllimi të vendosë normat e fjalimit të cilat janë mendimet e mbrojtura nga vullneti, të margjinalizuara apo të viktimizuara që funksioni i tyre nga diskursi publik ngre fjalime mbi format e socializimit që supozohet që duhet të evitojnë ofendimet dhe zemërimet duke ulur ndjeshmerinë e grupëve që i kanë krijuar ato. Korrektësia politike nuk lidhet vetem me zgjedhjet private që derivojnë nga normat, nocioni nuk referon një moral personal të dallueshëm por një sistem i formësuar të diskursit publik. Normat janë të përfshira dhe në raste të caktuara ato shihen si pozitive më shumë se sa komplekse ku qëllimi i fshehur është të evitoje grupe të caktuara të margjinalizuara apo të zhvlerësuara sepse anëtarët e grupeve të caktuara nuk janë të përfaqësuara korrektësisht. Ajo që reziston në raste të caktuara është një implikim i caktuar ku përndryshe do të informonte diskursin publik, një implikim që përkrahësit e korrektësisë politike dëshirojnë ta eliminojnë. Është shumë kuptimplotë ajo që e bën një qëndrim politik të pavlefshëm në qoftëse në fakt ajo shërben të promovojë intereset e njerëzve të caktuar dhe qëllimeve të caktuara edhe pse kërcënimi i qëndrimit publik mund të manifestohet si ofendim apo nëpërkëmbje. Shënjestra e korrektësisë politike është ofendimi në vetvete apo kërcënimi ndaj një qëndrimi të caktuar publikisht dhe jo interesat e përgjithshme të njerëzve të përfshirë. Korrektësia e tillë tenton të influencojë diskursin publik dhe synon të implikojë njerëzit që të mendojnë dhe të flasin në kategori të caktuara dhe terme të caktuara. Problemet e asociuara me korrektësinë politike nuk duhet të neglizhohen nga shqetësimet për shqyrtim të posaçëm. Të gjitha institucionet si të djathtat apo të majtat, formësojnë argumentet duke përfshirë ligjen për shpifje dhe ligjet ndërkombëtare secili me profilin e tyre te barrës dhe përfitimeve, mirëpo korrektësia politike është shumë e dallueshme nga fenomene të tilla që gjithmonë hasen gjatë rrugës politike dhe karrierës politike. Qëllimet e ligjshme që me korrektësi politike hidhen poshtë nga kundërshtarët e saj sikur të ishte një insistim i çuditshëm dhe i parëndësishëm në ripërcaktimin e fjalëve ose një përpjekje e fshehtë për të avancuar në një ideologji duke heshtur konkurrencën. Moralizmi sipërfaqësor i korrektësise politike aplikohet në ato raste ku ‘e zeza’ pushon së qënuri si një e qarë fëmije. Rruga më e mirë për të diagnostifikuar korrektësinë politike është duke vëzhguar shqetësimet që janë me shumicë dërrmuese në ankth për fyerjen e një grupi të margjinalizuar historikisht. Dikush mund të pranojë skajet legjitime të korrektësisë politike pa miratuar asnjë dhe të gjitha pengesat në diskursin publik. Në mënyrë korresponduese, ne mund t’i rezistojmë shkeljeve dhe gurëve që sugjerojnë çdo gjë, shkon në diskursin publik, ndërsa rezistojnë simetrikisht në përpjekjet për të formësuar diskursin publik. Në fund të fundit, këto mund të prodhojnë kosto ose të paraqesin rreziqe në të drejtën e tyre. Dhe natyrisht çdo rast i veçantë i korrektësisë politike mund të jetë gabim i vogël, ashtu si aplikimet individuale të normave patriotike. Ne nuk duhet, siç bën Rorty në fund të fundit, të harrojmë të metat e mundshme të korrektësisë politike, në mënyrë që të arrijmë në një vlerësim të arsyeshëm të asaj, gjithçkaje që ne fitojmë dhe vuajmë në respektimin e këtyre normave. Këto, pra, janë qëllime legjitime për korrektësinë politike. Korrektësia politike në vetvete nuk duhet të jetë e gabuar në aspiratat e saj themelore. Normat e korrektuara politikisht kanë një përmbajtje të veçantë që e bën në gjuhën e pashmangshme dhe theksin që bie mbi të. Pika e normave të tilla, është të krijojë një varg paragjykimesh të paracaktuara që ata që marrin pjesë në diskursin publik pritet të respektojnë me qëllim që të shmangin kërcënimet ndaj një lloj përparimi moral. Është vënë në pah se korrektësia politike ka të bëjë me vepra dhe ndjeshmëri, jo interesat objektive të atyre që janë përfshirë. Mund të duket e çuditshme që norma për të evoluuar ishte ajo që u përqendrua në vepra penale dhe jo thjesht në promovimin e çfarëdo që ishte në interesin objektiv të njerëzve. Por kjo është përsëri e ngjashme me normat e tjera, si dashuria ndaj kombit. Në të dyja rastet ekziston një synim themelor i promovimit të interesave të ndonjë subjekti, por një pjesë e kësaj është që të përfshijë dekurajimin e fyerjeve dhe kërcënimeve të tjera ndaj statusit të njohur publikisht të njerëzve ose gjërave në fjalë. Dështimi për të pranuar vlerat në fjalë nga mungesa e nderimit ose devijimit nga disa standarde, dënohen, madje edhe kur ajo që është në lojë duket sipërfaqësisht të jetë vetëm simbolike. Korrektësia politike është një fytyrë e një shqetësimi më të thellë për të shtypurit, të krahasueshëm me dimensionin e patriotizmit që lidhet me denoncimin e fyerjeve ndaj vendi. Dilema se nuk ka asgjë të keqe për të nxitur një presupozim që grupet e shtypura apo të margjinalizuara nuk duhet të ofendohen ose t’i nënshtrohen diskursit që kërcënon të minojë statusin e tyre dhe është e çuditshme që kritikët e korrektësisë politike shpesh nuk duan të pranojnë qëllimet e saj legjitime, lë hapur derën për kritika të një lloji të dytë të zbatimin e gabuar të normave përkatëse, por pavarësisht nga dëmtimi i individëve që humbasin punën ose që janë anatemuar publikisht, nuk mund të thuhet se thjesht keqpërdorimi i vlerave ngre probleme interesante filozofike. Eshtë më tepër një lloj i tretë i problemit me korrektësinë politike që duhet ta përkrahë vëmendjen tonë, problemin e konflikteve ndërmjet vlerave, qoftë midis atyre që lidhen me korrektësinë politike dhe gjërave të tjera që na interesojnë, apo edhe konflikteve të brendshme brenda të parëve. Dilema e korrektësisë politike është e pamundur për të diskutuar publikisht argumentet e përfshira, por duke ditur se dikush do t’i nënshtrohet kritikave të moralizuara paraqet një barrierë fillestare që shërben si një filtër i pjesshëm në fjalimin publik. Dhe vlen të vëzhgosh se pengesa e futur nga mbrapshtja e stereotipit shtrihet përtej korrektësisë politike në mënyrë strikte, për të shmangur stereotipet më gjerësisht, përsëri me efekte shqetësuese. Mund të kundërshtohet që ka arsye thelbësore për të mbështetur standarde të ndryshme në arenën publike sesa në ato personale. Një tolerancë liberale për dallimet ose madje thjesht mirësjellja mund të duket të diktojë aq shumë, dhe natyrisht nëse dikush gjykon se të tjerët kanë më pak fat në aftësinë e tyre për të bërë diskriminime përkatëse ose janë më pak të pozicionuara për të vepruar ndaj tyre, mund të duket e papërshtatshme për të mbështetur ato që do të ishin standardet e paarsyeshme. Dilemat e korrektësisë politike që dëshirojnë të rimarrin dhe demonizojnë të pabindurit, atëherë ndoshta ky fenomen, përsëri, është një lloj mit. (Ekziston një tendencë për të kombinuar këto forma të mohimit, por vini re se ato janë të paqëndrueshme dhe kështu duhet të qëndrojmë me njëri ose tjetrin.) Me sa duket mund të tregojmë se X ushtron një ndikim jo të parëndësishëm në diskursin publik duke treguar se diskutimi i institucioneve të mëdha sociale pjesërisht është formuar nga X. Duhet të jetë e mjaftueshme për të shpërndarë dyshime në lidhje me ekzistencën e korrektësisë politike që ne demonstrojmë raste jo të parëndësishme të diskursit publik që i nënshtrohet ndikimit të tij. Dhe mua më duket se kemi parë prova të mjaftueshme se ky kusht është i kënaqur. Ligjet e emigracionit janë institucione të rëndësishme sociale. Pra, janë politikat e pranimit në universitet dhe agjencitë të qeverisë. Në çdo rast, siç e kemi parë, ka pasur ushtrime jo të parëndësishme të ndikimit nga subjekte të fuqishme, si administratorët e universitetit dhe anëtarët e shtypit, në mënyrë që të formojnë diskutimin e çështjeve relevante. Kjo është vetëm korrektësia politike, me kusht që ajo të jetë e motivuar në mënyrën se si është përcaktuar. Mund të ketë mosmarrëveshje të arsyeshme se sa korrektësi politike ekziston por ne nuk duhet të lëvizim nga pikëpamjet se sa e rëndësishme, saktësisht, korrektësia politike është të mohojmë plotësisht ekzistencën e saj. Nga ana tjetër, ekziston sugjerimi se ajo që konsiderohet si korrektesë politike është vetëm një përpjekje e përshkruar në mënyrë magjepsëse, politikisht neutrale për të luftuar për të vërtetën dhe drejtësinë. Dallimet e përfshira janë pikërisht ato që e bëjnë për korrektësinë politike. Të themi se “është ndryshe” kur ajo që është në rrezik është qëndrimi publik i një grupi që është dëmtuar vazhdimisht në të kaluarën, vetëm të thuhet se është ndryshe kur është politikisht i pasaktë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Blerta Haxhija, Korrektësia politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1124
  • 1125
  • 1126
  • 1127
  • 1128
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT