• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“20 vjet zëri i lirisë”

January 4, 2019 by dgreca

Radio-Kosova e Lirë, sot më 4 janar 2019 e shënon 20-vjetorin jubilar me një program artistik e kulturor/

  • KORRESPONDENTI I DIELLIT,- Behlul Jashari: Në këtë Jubile të 20-vjetorit të Radios Kosova e Lirë, shumë urime edhe për shumë suksese/

1 a 20 vjetori

Në 20-vjetorin e fillimit të transmetimit të Programit, drejtoria e  Radios-Kosova e lirë, sot më 4 janar 2019, ky institucion përkujton përvjetorin jubilar me një program artistik e kulturor. Fillimisht në orën 12:00, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, në Prishtinë,  mbahet pjesa foljore e manifestimit dhe përurohet libri dokumentar: “20 vjet zëri i lirisë”.

Me këtë rast përurohet edhe kënga për Radion Kosova e Lirë  orkestruar nga Edmond Zhulali, kënduar nga këngëtarja e mirënjohur, Mrika Trumshi.

Në orën 13.00 shfaqet pjesa e parë e filmit dokumentar: “Zëri i fitores” prodhim i TV-Diellit.

Në këtë përvjetor jubilar janë ftuar të marrin pjesë, familjarë të dëshmorëve, invalidë e veteranë të luftës, ish gazetarë e operatorë, bashkëpunëtorë të Radios, dëgjues të saj dhe qytetarë liridashës

Radio-Kosova e Lirë mirëpret të gjithë ata që kanë interesim për ta përcjellë këtë aktivitet në përvjetorin e saj jubilar, në shënim të 20-vjetorit të fillimit të transmetimit të programit.

Me rastin e këtij shënimi jubilar, drejtori, Ahmet Qeriqi ka thënë se Radio Kosova e Lirë ka kryer një mision historik gjatë kohës së luftës, por edhe pas luftës ajo i mbeti besnike vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës  por edhe vlerave  kombëtare përgjithësisht.

***

Behlul Jashari: Në këtë Jubile të 20-vjetorit të Radios Kosova e Lirë, shumë urime edhe për shumë suksese/

Behlul Jashari:  Në këtë Jubile të 20 vjetorit të Radios Kosova e Lirë,  shumë urime edhe për shumë suksese. Gjatë luftës ju dëgjoja edhe në Prishtinë Po ju dërgoi lajmin e para 20 viteve për  fillimin e transmetimeve tuaja që e kam raportuar si korrespondent në Kosovë i Agjencisë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë (ATSH) që sot e gjej në anglisht

Punë të mbarë e gjithë të mirat

Behlul Jashari

Prishtinë, 4 Janar 2019

***

Selaudin Sela: Radio Kosova e Lirë, për mua si shqiptar, lindur e rritur në Amerikë ishte zëri i kushtrimit dhe i shpresës për liri

Në urimin e tij drejtuar Radios-Kosova e Lirë në këtë përvjetor jubilar, luftëtari i lirisë nga “ish-Batalioni Atlantiku”, Selaudin Sela ka shkruar: Për shkak të obligimeve që i kam këto ditë, nuk mundem të marr pjesë në festën e 20 vjetorit të Radios Kosova e lirë. Prandaj, po ua dërgoj këtë letër urimi.   Radio Kosova e Lirë, për mua si një shqiptar i lindur edhe I rritur në Amerikë ishte zëri i kushtrimit dhe i shpresës për liri. E vetmja radio që doli nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës e cila përcillte mesazhin tek ne se lufta për liri po forcohet dhe shpërndahet anekënd Kosovës. Për ne ishte frymëmarrje e për armikun ishte helm. E vetmja radio që edhe sot 20 vite pas luftës nuk ka ndryshuar politikën redaktuese për një frymë të shqiptarizmës, për një frymë puro shqiptare enveriane , Adem-Jashariane dhe nuk pranoi të nënshtrohet nga asnjë sundues i huaj apo vendor. Radio Kosova e Lirë nuk bëri kurrë kompromis me politikën nënshtruese dhe vazhdoi në luftë rrugën e lirisë, e në liri eci në rrugën e mbrojtjes së vlerave të luftë.

U përkujtuan dëshmorët, iu dha hapësirë veprimtarëve antijugosllav, shtresës së ish të burgosurve politik dhe ishte gjithmonë krah i djathtë i simbolit të rezistencës Adem Demaçi.

Radio Kosova e Lirë u bë pjesë e familjeve të heronjve, dëshmorëve e martirëve të Kosovës. Vazhdoi të mbetet zëri i veteranëve të luftës dhe i gjithë atyre që ëndërr e kanë bashkimin kombëtar.

Puna e palodhëshme e stafit të Radios Kosova e Lirë është vështirë të përshkruhet me fjalë. Vetëmohimi i tyre dhe ndërgjegjja e profesionalizmi i tyre ka një emër, ata quhen Idealistë të kohës moderne.

Edhe unë në Amerikë si shumë shqiptarë që jetojnë këtu, bashkë me familjen time e dëgjojmë rregullisht këtë zë çlirimtar të idealistëve.

Jam shumë i lumtur që kontributi im herë pas here në Radion Kosova e Lirë po shkon në vendin e duhur dhe në frymën e duhur të shqiptarizmës.

Ju uroj ditëlindjen e 20’-të, Për gjithë çka këtu me keni, dhe ju dëshiroj suksese në punën tuaj të shenjtë!

Me Respekt

Selaudin Sela, New York

***

SHVL-UÇK: 20 vjet nga emërimi dhe zëri i bukur i kushtrimit që rrezatoi në etër, ai zë që ngohte zemrën e çdo atdhetari

Kryetari i Shoqatës Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Daim Hiseni,  me rastin e 20 vjetorit të themelimit të Radios Kosova e Lirë ka dërguar një telegram urimi me përshëndetje të përzemërta e vëllazërore për stafin e luftës  dhe gazetarët e Radios Kosova e Lirë në këtë vit jubilar, me rastin e 20 vjetorit nga koha kur zëri i kushtrimit rrezatoi në eter dhe ishte një që preku zemrën e çdo atdhetari me informimin e denjë të një politike redaktuese në frymën kombëtare dhe punën e ndershme të stafit profesional.  Sot ajo aspiratë  u bë realitet në  Kosovën e lirë dhe sovrane. Pa dyshim, se meritë për këtë të arritur, është edhe Radio- Kosova e Lirë ka shkruar kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Daim Hiseni.

 

***

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka uruar drejtuesit e Radios Kosova e Lirë me rastin e 20-vjetorit të themelimit

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka uruar drejtuesit dhe punëtorët e radios ‘Kosova e Lirë’ dhe agjencisë ‘KosovaPress’ me rastin e 20-vjetorit të themelimit. Ai ka thënë se 20 vite më parë hapja e këtyre dy mediumeve ka ngrohur zemrat dhe mendjet e shqiptarëve. “Edhe minus 17 gradë celsius shkoi temperatura e ultë para 20 dimrave. Mirëpo, në datën 4 janar 1999 seç na i ngrohu zemrat e mendjet themelimi i Radios ‘Kosova e Lirë’ dhe i agjencisë së lajmeve ‘KosovaPress’. Në njërën anë, shqiptarët por edhe të huajt mund të merrnin informacion të dorës së parë nga zonat e luftimeve. Në anën tjetër, UÇK-ja po forcohej me një shtyllë të re përgjatë ngritjes së saj”, ka shkruar ndër të tjera Kurti.

***

ARKIV

“Free Kosova” radio broadcasts in FM 100-104 MHz

PRISHTINE, Jan 5 – ATA correspondent Behlul Jashari reported that Radio Free Kosova which started broadcasting on Monday on decision of the General Staff of the Kosova Liberation Army (KLA) from free territories can be listened every day at 15.55 p.m. at FM 100-104 MHz, “Kosova today” newspaper published in Prishtina reported.

Another daily “Koha Ditore” quoting a KLA source saying that “the frequencies cannot be made public but it is sure that it has 100 km wave- length.”

The same source said that this radio can be clearly listened in Prishtina, Mitrovica, Vushtri, Drenice, Malisheve and surroundings, Peje and central Kosova.

“The radio is broadcasting a few-hour daily program now,” Koha Ditore quoted the KLA source as saying. /dast/ak/

Albanian Telegraphic Agency

Edhe dy lajme tjera në kohë lufte në Kosovë, të 5 Janar 1999:

[21] US mediator meets Kosova leader

PRISHTINE, Jan 5 – ATA correspondent Behlul Jashari reported that the US mediator on Kosova Christopher Hill met on Tuesday noon with President of Kosova Ibrahim Rugova.

The same source said that the talks focused on developments in Kosova and need to speed up the political process on a solution to Kosova issue.

President Rugova said to Ambassador Hill that the situation in Kosova was worse and urged intensification of efforts to stop Serb violence in Kosova. /dast/ak/

Albanian Telegraphic Agency

[01] Two Albanians killed in vicinity of Vitia

PRISHTINE, Jan. 5 – ATA correspondent Behlul Jashari reports that two Albanians were killed on Monday midnight in the vicinity of the city of Vitise, Kosova.

The youths Bekim Miftari, aged 26, and Qerim Rrahmani, 33, were killed in their work place, in a service, the Council for the Human Rights in Vitia, announced. This source does not yet have information on the killing circumstances. /I.Pu/A.A/

Albanian Telegraphic Agency

Filed Under: Featured Tagged With: “20 vjet zëri i lirisë”, Behlul Jashari

Monumenti shpirtëror i shkrimtarit në kohën kur s’dinim të qanim

January 3, 2019 by dgreca

1 Minella OkKopertina-kadare-1

Nga Minella  Aleksi/

Një student që kërkon të shkojë te monumenti i Poetit. Gjatë përçapjeve nëpër bulevard kupton se është fjala për një monument ndryshe, ndërtuar jo duarsh, ndërtuar shpirtërash në fantazinë e çdo lexuesi, ndryshe nga monumenti i Carit në sheshin qëndror të qytetit.Kështu fillon libri i “Sunduesve” të I. Kadaresë. Raporti tiran – artist analizohet në të gjitha këndvështrimet e këtij mekanizmi mizor tepër komplex.

Njerëzit kanë nevojën që bazuar në ligj të qeverisen nga Shteti. Civilizimi perëndimor dallohet nga ai i Lindjes në diçka esenciale: njeh dhe respekton liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. Me brutalitet në komunizëm njerëzve këto të drejta u mohoen nga tirani dhe mekanizmi i tij shtetëror. Prandaj fatet e artistëve të mëdhenj në të gjitha vendet komuniste janë shëmbëlltyrë e njëra tjetrës. Filmi gjerman “Jeta e të tjerëve”, është dëshmia më e qartë.

Historia njerëzore nga fillimet e saj ka qënë dhe është e ngërthyer në këtë raport kaq kompleks me tronditje dhe drama të mëdha historike. Përse atakohet arti i madh nga regjimet totalitariste?

Në veprat e artit njerëzit i zbulojnë vetes dhe të tjerëve vizionin e brendshëm që i orienton si komb. Ky vizion artistik lejon që qytetërimet të ndërtohen dhe të përparojnë. Arti dhe artistët e mëdhenj sipas natyrës së tyre qëndrojnë jashtë populizmit. Çdo avancim në historinë njerëzore, çdo shpikje, çdo shkëndijë emancipuese vjen nga këta vetmitarë gjenialë, nga impulset e energjisë së tyre krijuese.

Arti është trashëgimia më e çmuar e një kombi dhe firma me të cilën nënshkruan një civilizim . Gjenitë e artit mbartin tendencën e “bezdisëshme” për të zbuluar të vërtetën, dhe për mbijetesën e çdo diktature e vërteta është e patolerueshme.

Me veprën e tyre ata na zgjojnë nga keqtrajtimi, duke na bërë që të mendojmë dhe të fillojmë të pyesim, ata janë testuesit e cilësive dhe vlerave tona humane. Në përballjen tiran-artist duket që sa më diabolik tirani aq më fuqishëm reziston dhe kundërgodet vepra e artistit t madh. Reaksioni i tiranit nëpërmjet shtetit ngjall kundër reaksionin e artit të madh. Tirani përdor të gjitha format, herë me presion, herë me brutalitet, me lajkatime e me favore  për ta tërhequr sunduesin e letërsisë në anën e vet.

Monumenti shpirtëror i poetit në hyrje të librit më solli në mend momentin historik të tranzicionit shqiptar kur At Zef Pllumi i kërkoi shkrimtarit Kadare që të pranonte detyrën e Presidentit të Republikës.  Sot kur koha i ka precipituar shumë zhvillime historike e politike pasi kam lexuar “Sunduesit” e kuptoj sesa e pavend ka qënë kjo lutje qëllim mirë dhe sesa i kthjellët në kohë  e emancipues ka qënë refuzimi i shkrimtarit. Në kalendarin e historisë shqiptare Koha kur shkrimtarit i kërkohej të pranonte detyrën e presidentit përkonte me kohën kur tashmë shkrimtari e kishte krijuar jo duarsh por shpirtërash monumentin e tij jo vetëm kudo ku jetonin shqiptarët por po aq edhe në horizontet e largëta të lexuesve të huaj në Europë e nëpër botë. Mendoj se me këtë lutje naive që u përsërit edhe nga kryeministri i sotëm E. Rama, shkrimtarit i kërkohej që të përmbyste, të kthente me kokën poshtë monumentin e tij shpirtëror. I kërkonin që nga sundues i letërsisë të kthehej në të kundërtin.  Natyrisht e kanë menduar lehtë, nuk kanë arritur që të peshojnë thelbin e misionit historik e shoqëror të shkrimtarit.

Duke qënë në listën e Nobelit që prej vitit 1974 shkrimtarit Kadare i ra shorti që të përjetonte krusmën e shkrimtarit rus. Kadare në çdo hap të jetës krijuese ka jetuar me këtë krusmë. Askush nuk mund të dinte sesa thellë do të shkonte sonda e tij eksploruese dhe me sa monstruozitete mizore do të përballej përgjatë krijimtarisë artistike.

I kish rënë fati që të ishte dëshmitar i fushatës shkatërruese të shkrimtarit Pasternak. Njëlloj si sivëllai i tij në Moskë, shkrimtari u befasua kur në miting në Tiranë shikon në pankarta emrin e tij e fill pas kësaj nis të dëgjoj përherë e më qartë klithmat kundër tij. Njëlloj në të gjitha vendet komuniste shkrimtari provonte diçka tepër të rrallë, ku e zeza dhe e ndritshmja përziheshin si askund tjetër: dehja e rrëzimit. Kjo mbartëse e terrorit psikologjik këmbëngulshëm kërkonte “kujdes nga kujdesi për vrasjen e ndërgjegjes” që ndryshe do të thuhej “kujdes nga kujdesi për zbutjen e luftës së klasave”.

Lufta që pa mëshirë i shikone dhe i kërkonte armiqtë e proletarit në të gjitha nivelet dhe strukturn e shoqërisë. Motoja “gju më gju me popullin” ishte goditja degraduese që u impnohej artistëve jo më me të keqen por me të mirën. Shkrimtari Shollohov shihej në fotografi me veshje tradicionale, enthusiast, ndërsa sivëllai i tij dërgohej nga Tirana në kooperativë bujqësore për dënim dhe riedukim “gju më gju me popullin”.

Ingranazhin tjetër në mekanizmin diabolik të represionit e përbënte “spiunimi i sivëllezërve artistë”. Nuk ishte fjala thjeshtë për spiunimet ndërmjet shkrimtarëve. Ishte e gjithë shoqëria e molepsur. I biri që kallëzonte të atin, gjyshja nipin, ministri rrobaqepësin e vet, gruaja burrin. Burgosjet jo vetëm ndaj atyre që konsideroheshin armiq, por burgosja e grave, e fëmijëve, e të dashurave si mjet terrori dhe trysnie ndaj artistëve ishin kapja e tyre peng nga ingranazhi shkatërrues i tiranit.

Shkrimtari kishte një grishje për të shpjeguar Shqipërinë nën një ndriçim lotësh, jo si më parë nën dritën e arkivave të Vatikanit, ose të dokumentave mesjetare, ose të ideve të Marksit, por puna ishte se “prej kohësh ne s’dinim të qanim”. Te ne kishte prej kohësh vetëm entusiazëm, vrull dhe britma proletarësh. Edhe varrimet e pjesëtarëve të familjeve mbylleshin me sloganin: “Të rrojë partia”. Jetës njëlloj si pemës tharja i shtrihej drejt rrënjëve. Artisti ndiente sytë e turmës që nuk i ndaheshin, një pjesë me urrejtje, një pjesë me përçmim, tek tuk me dhembshuri. Shfrynte me vete: shaj popull i egër, pa tru dhe aty për aty për habinë e tij ndjente vetimin e një misteri, ndjente nderimin e sëmurë ndaj tij. E kishte parë turmën të brohoriste, të qeshur vdekshëm nëpër mitingje festive dhe befas të shfaqej hijerëndë, hijekeq e kërcënues dhe shfrynte përsëri: shaj, shkumbëzo, një ditë do të më falënderosh, ndoshta, që ta dhashë këtë kënaqsi. Njëlloj kishte ndodhur me artistët e mëdhenj në gjithë historinë e njerëzimit.

 

Të gjitha tensionet, ankthet në netët pa gjumë, momentet e ndritëshme të krijimit, dëshpërimet e zhgënjmet prej kolegëve, urretja nga cmira, xhelozia dhe bukuria e lavdisë, etj., gjënden në libër si hallka të prekëshme që përbëjnë zinxhirin e gjatë të jetës krijuese të shkrimtarit Kadare.

Mendoj se gjithëçka që përbënte sekret në shpirtin e shkrimtarit, çdo eksperiencë e tij me diktaturën, çdo cilësi sipërore e mendjes së tij gjeniale është pasqyruar, ndoshta më mirë të thuash “çliruar përmbyllshëm ” në këtë libër në mënyrë dramatike, ashtu si realisht kanë ndodhur në jetë.

Ndaj mendimin se kjo vepër rrezaton art të madh ngaqë këtu proza mbështetet në mënyrë solide në dy elemente cilësorë: arkitektura vibruese dhe gjuha e përsosur.

Shkrimtari Kadare në këtë studim analitik me stilin e tij krejt të veçantë ka ndërtuar një arkitekturë brilante. Stili është elementi esencial i të shkruarit. Fraza është një linjë e gjallë fjalësh ku logjika dhe lirika e fjalës shkrihen te njëra tjetra. Ritmi i tregimit, shtrirja e tij nëpër faqet e librit sipas një skeme ku thëniet dhe kundërthëniet, dyshimet dhe të vërtetat, diabolizmi tiranik përballë humanzimit, ruajnë një dinamikë me densitet të lartë, janë thelbi i mekanizmit që ka përcaktuar pulsin, shtyrjen përpara të lëndës artistike, tensionin emocional që të mban frymën deri në faqen e fundit.

Shprehen shkurt në mënyrën më të qartë gjëra të komplikuara.  Në këtë libër, mendimi dhe vendosja e tij jashtë në gjuhë përbën një qualitet mjeshtëror të rrallë. Mënyra e shprehjes përbën substancën e stilit, fjalët e duhura në vendet e duhura. Fjalitë janë të qarta dhe të pastra si një kockë, Mendoj se kësaj analize eseistike i përshtatet mjaft mirë thënia e shkrimtarit rus Sergei Dovlatov mbi qualitetet e prozës sipërore: “Të limitosh prozatorin njëlloj si rima limiton poetin, d.m.th. të ndërtosh fjalinë në mënyrë skrupuloze që të mos ketë dy fjalë që të fillojnë me të njëjtën gërmë”. Harmonia midis arkitekturës dhe gjuhës ka një përsosje që të kujton si rrall përsosjen e linjave në pikturat e Rafaelos.

Të shprehurit me këtë gjuhe si te “Sunduesit” nuk do të mund të krijonte këtë harmoni në arkitekturën e romanit “Dimri i vetmisë së madhe”, apo “Prilli i thyer”, etj.. Për të arritur harmoninë e përsosur nuk mjafton vetëm talenti që të ndihmon për të bërë me lehtësi atë që për të tjerët është shumë e vështirë; kërkohet potenciali artistik i krijuesit gjenial.

Kur e mbaron së lexuari “Sunduesin” të krijohet përshtypja që shkrimtari ka pasur një projekt, të bëj testin e kapacitetit të gjuhës që shkruan, të eksperimentoj edhe një herë të fundit duke e vendosur gjuhën shqipe në “bankën e proves” për testin e përsosjes së saj, Njëlloj si mjeshtrat e mëdhenj të instrumentave muzikorë, njëlloj si piktorët gjenialë, vazhdon që nga fillimet e krijimtarisë së tij të eksperimentojë për të kapur majën më të lartë të fuqisë shprehëse të gjuhës shqipe. Te “Sunduesit” autori i ka shtrirë qualitetet e saj shprehëse, kuptimore dhe artistike deri në kufijtë ku arti dhe shkenca gjuhësore bëhen “Një”. Kjo vepër e dëshmon shumë qartë se gjuha shqipe në zotërim të magjistarit Kadare qëndron denjësisht krahas gjuhëve të mëdha..

Janë disa autorëve të huaj  që kanë shkruar histori dhe romane mbi raportet tiran-artist, raporte shumë komplekse, jo rrallë të pazbërthyeshme që historia njerëzore i ka përshkruar që nga fillimet e saj e në vazhdim. Lexuesit dhe studjuesit që tashmë janë njohur me librat: “Diktatori dhe artisti” të shkrimtarit Norman Manea, “Unë u martova me një komunist” të shkrimtarit Philip Roth, “Shostakoviç dhe Stalini” të Solomon Volkov, etj., me librin “Kur Sunduesit grinden” të shkrimtarit Ismail Kadare, do kenë mundësinë që të njohin një studim ese krejt të veçantë, me arkitekturë e gjuhë të mrekullushme, ku spikat vezulluese krusma e kryqit  të shkrimtarit që vjen nga brenda tiranisë komuniste.

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Minella Aleksi, vepra e Kadares

Rexhep Mitrovica- Burrështetasi që u la nën harresë

January 3, 2019 by dgreca

1 rexhep-mitrovica
Nga Jahja LLUKA/
 I vetmi kryeministër i Shqipërisë Natyrale,përgjatë periudhës 5 nentor 1943- maj 1944. Figura e tij shumë-dimensionale dhe karakteri i tij unik bënë që Rexhep Mitrovica, të jetë prijës i Shqipërisë, në situatë mjaftë delikate kur bota digjej. Nën hijen e harresës dhe vepra dhe figura e Rexhep Mitrovicës nuk ish dashur të zbehet, përkundrazi duhet të jemi krenar që kemi pasur një kryeministër të rangut botëror, i cili ja kishte vënë vetes një qëllim shpëtimin e kombit shqiptar, nga rreziqet që vinin në dëm të atdheut. Rexhep Mitrovica ishte njeri largpamës, njëri ndër më meritoret për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe,sepse ai e kishte kuptuar një gjë, që një popull analfabet të cilit i ishte mohuar çdo e drejtë ekzistenciale dhe qytetëruese , e kishe thuajse të pamundur të dilte nga zgjedha e robërisë. Andaj duke kujtuar dhe respektuar veprën e Rexhep Mitrovicës është mire që eshtrat e tij të riatdhesohen, në tokën të cilën ai aq shumë e deshti, duke i falur rininë, guximin, mençurinë dhe energjinë deri në çastet e fundit të jetë së tij. Edhe pse i rritur në një frymë orientale,Rexhep Mitrovica nuk harroi kurrë se kush ishte dhe çfarë ishin shqiptarët. Të jetuarit në mendësi orientale për Mitrovicën ishte nënçmim, në zemrën e tij kishte zënë vend poezia, filozofia dhe historia. “Rexhep Mitrovica u lind me 15 Janar 1888, në Mitrovicë, nga prindërit Hajria dhe Mahmudi.” Familja e tij falë pasurisë që kishin i mundësuan shkollimin, gjë që ndikoi pozitivisht në formësimin e karakterit të tij. Qysh i ri kishte shfaqur disa specifika të veçanta të cilat më pas e shoqëruan tërë jetën, për ta bërë atë personalitet të kohës në të cilën përkiste por dhe më gjërë. Ishte nxënës i shkollës fillore të Shkupit, më pas vijoi mësimet në në Gjimnazin Mbretëror të Selanikut dhe në liceun privat modern “Progres” në Selanik. Në Paris Rexhep Mitrovica u bë një me frymën eurpoiane e cila thuajse i ishte mohuar sa kishte qenë në vendlindje përshkak të rrethanave ekzistuese. Përveç që njohu për së afërmi civilizimin e mohuar, atje studioi letërsi frënge dhe drejtësi dhe poashtu degën e elektricitetit. Duke qenë çdoherë me mendje dhe zemër kah atdheu Rexhep Mitrovica pash shpërthimit të Revolucionit Xhonturk më 1908, kthehet në atdhe ku angazhohet për përgatitjet e Kongresit të Manastirit. Niveli i tij intelektual ishte i lartë dhe dëshira e tij për t’i shërbyer atdheut bënë që me 1909,emërohet mësues dhe pastaj drejtor në Normalen e Shkupit.Zgjidhet nënkryetar i klubit “Bashkimi” dhe bashkëpunon me gazetën e këtij klubi “Bashkmi i Kombit”. Veprimtaria e tij mjaftë aktive pason me pjesëmarrjen e tij në në Kongresin e II të Manastirit me 2-3 prill 1910. “Pas dy vitesh me 1912,udhëton me Mit’hat Frashërin,Sali Gjukën e Bedri Pejanin nga Shkupi në Mitrovicë,Pejë,Gjakovë,Durrës deri në Vlorë,ku më 28 Nëntor ngrihet Flamuri Kombëtar dhe shpallet Pavarësia e Shqipërisë” Rexhep Mitrovica ishte një ndër protagonistët kryesor të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, është nënshkrues i dokumentit të Pavarësisë dhe më pas zgjidhet anëtar i Senatit dhe nënministër i Punëve Botore. Pas Konferencës së Londrës me 1913, territori i Kosovës mbet sërish nën zgjedhën serbe. Krimet serbe ndaj popullatës shqiptare nën shenjë hakmarrje dhe gjenocidi ishin të tmerrshme. Rexhep Mitrovica nuk mund të rrij i heshtur përballë asaj situate,kështu i shkruan letër Ismail Qemalit duke rrëfyer për gjenocidin serb ndaj popullatës shqiptare, për t’iu bërë të ditur fuqive perëndimore vuajtjet dhe tmerret nëpër të cilat kalonte kombi ynë. “Në Mars të 1914,u dekretua drejtor i arsimit për Shqipërinë e Mesme.Nënshkruan një protestë kundër mizorive serbe në Veriun e Shqipërisë.” Situata politike në Shqipëri ishte e pakëndshme, ndërsa rrethanat e shtyejnë Rexhep Mitrovicën të emigrojë në Sofje më pas në Bukuresht të Rumanisë me 1915. Duke parë nivelin e analfabetizmit në trojet shqiptare, Rexhep Mitrovica nuk mundi të qëndroj në megrim. Vet fakti që shqiptarëve iu ishte ndaluar shkollimi dhe emancipimi prej shekujsh, ishte një tragjedi. Zgjidhja dhe nisma drejt lirisë, ishte vetëdija e masës, për atë që ishin si dhe kërkimi për të drejtat e tyre ekzistenciale të mohuara. Rexhep Mitrovica rikthehet në vendlindje më 1916, në Mitrovicë, ku angazhohet për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe.Dy vjet shërbeu si mësues dhe drejtor i shkollës Popullore në Mitrovicë. “Bëhet anëtar i Komitetit “Mbrojtja e Kombëtare e Kosovës” me 1919.Merr pjesë si anëtar i delegacionit në Konferencën e Paqes në Paris si përfaqësues i Komitetit të Durrësit për Shqipërinë e Mesme dhe si korrespodent i gaztës “Populli”. Anëtar i Shoqërisë “Albania të Vjenës”.Organizon një takim madhështor me artistin Aleksandër Mojsiu në Vjenë. Më 27 mars 1920, zgjedhet deputet i Partisë Popullore.Shkruan artikuj të ndryshëm me pseudonimin “Kumona e Popullit”dhe përshendet pranimin e Shqipërisë si anëtare e Lidhjes së Kombeve më 17 dhjetor të po atij viti. Zgjidhet deputet i Kosovës me 1921,në Parlamentin e Parë Shqiptar të dalë nga Kongresi i Lushnjës.Bashkëthemelues i “Bashkimit të Shejtë”.Zgjidhet Ministër i Arsimit në Qeverinë e Xhafer Ypit (24 dhejtor-1921-shkurt 1924).Fillon reformat në arsim në Shqipëri, ku nga (27 korrik-3 gusht 1922) organizoi Kongresin Arsimor që u mbjat në Tiranë.” Një vit më pas, pra me 1923, Rexhep Mitrovica kryen punën e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme në vend të Sejfi Vllamasit. Jep dorëheqje nga posti i Ministrit të Arsimit dhe shkruan “Letër arsimtarëve” me 1924 dhe largohet për në Bari të Italisë.Atje aid he një grup bashkëatdhetarësh themelojnë organizatën “Bashkimi Kombëtar” më 21 shtator 1925, organizatë antikomuniste e emigracionit politik shqiptar(1925-1939). “Më 1934, zgjidhet sekretar i Komitetit të Organizatës “Bashkmi Kombëtar”.Më 1935,zgjidhet këshiltar i organizatës “Bashkimi Kombëtar”,më 1936, zgjidhet anëtar i Komitetit “Bashkimi Kombëtar dhe drejtor i gazetës “Bashkimi Kombëtar”.Numri i pare doli më 28 Nëntor 1936.Më 1938,zgjidhet anëtar i Direktoriatit të organizatës “Bashkimi Kombëtar”. Më 9 prill 1939, organizon protestë kundër pushtimit të Shqipërisë nga Italia Fashiste.Më 30 prill kthehet në Shqipëri. Anëtarësohet në Këshillin e shtetit.(24 maj). Në prill të 1941, kthehet në vendlindje Mitrovicë.Propozohet komandant i forcave shqiptare në Trojet e Lirueme.Organizon hapjen e shkollave shqipe në Prefekturën e Mitrovocës,(Mitrovicë,Vushtrri,Podujevë dhe Pazar i Ri).” Veprimtaria politike e tij dhe angazhimi i tij i pandalshëm bëhen pengesë për qarqet e ndryshme antishqiptare, Rexhep Mitrovica burgoset në gusht të vitit 1943, dhe internohet në Porto Romano afër Durrësit. “Pas kapitullimit të Italisë fashiste lirohet dhe merr pjesë në themelimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit,(shtator),ku zgjidhet kryetar i Komitetit Qendror të Lidhjes së Dytë Shqiptare të Prizrenit.” Nënori i vitit 1943- me datën 5, shënon historinë shqiptare. Rexhep Mitrovica zgjehet Kryeministër i Shqipërisë Natyrale. Por rrethanat e pafavorshme dhe në dëm të Shqipërisë bënë që me prill 1944, Rexhep Mitrovica të mbaj një ligjeratë në radio.Fjala e tij u botua të nesërmen në gazetën “Bashkimi i Kombit”Jep dorëheqje nga detyra e kryeministrit.Braktis Kosovën(mesi i nëntorit).Vendoset në Austri ku shkruan “Kujtimet”. “Më 1947, kalon në Itali, më pas në Stamboll. Jeton në malteze dy dekada me radhë deri në vdekje më 21 maj 1967.Më 1949, me Mit’hat Frashërin themelojnë organizatën “Lidhja Kosovare”.Kryetar u zgjodh i biri i tij,Nexhat Mitrovica.Përgjatë viteve 1950-1967,shkroi artikuj të ndryshëm, të cilët i botoi në gazatat “Flamuri”,”Besa”etj. Shkroi memorandum me anë të të cilave njoftonte opinionin ndërkombëtar për pozitën e shqiptarëve në Kosovë nën regjimin e Titos dhe në Shqipëri nën diktaturën e Enver Hoxhës. Gjurmoi në Arkivin e Stambollit për Konferencën e Berlinit 1878.” Ishte kategorikisht kundër vendosjes së komunizmit në Shqipëri, të cilën me larpamësinë e tij e pa si një shkatërrues i qenies shqiptare, gjë që më vonë pasoi duke e lënë Shqipërinë të vrarë për dekada me radhë. “Vdiç me 21 maj 1967 dhe u varros të nesërmen në Maltepe. Në pllakën e mermertë është gdhendur emiri i tij: “Rexhep Mitrovica – Kryeministër i Shqipërisë (15 janar 1888-21 maj 1967).” Duke lexuar biografinë e tijm, ne kuptojmë një personalitet të shquar dhe mjaftë largpamës për periudhën në të cilën jetoi. Dhe fati i trishtë i kombit por dhe i figurave të mëdha që i’a deshën kombit lirinë dhe emancipimin. Do kalojnë kohë dhe do kuptojmë vepren e njerëzve të shquar e cila nuk ju shpërblye sa ishin gjallë, por misioni të cilën ata e nisën pasoi gjenerata të tëra deri në luftën tone të fundit. Ne duhet të jemi krenar për veprën e Rexhep Mitrovicës dhe të gjithë personaliteteve si ai. T’i shërbesh atdheut është vepra më sublime që një njeri mund ta ketë bërë në këtë botë. Sepse individet dhe popujt që luftojnë për liri pa dëm të askujt, janë të bekuar, edhe pse vuajtjet janë të mëdha çmimi i lirisë, është tej njerëzor sepse qenia njerëzore si e tillë nuk do kishte kuptim, nëse jeton nën zgjedhë dhe skllavëri. Andaj duke kujtuar dhe respektuar veprën e Rexhep Mitrovicës është mire që eshtrat e tij të riatdhesohen, në tokën të cilën ai aq shumë e deshti, duke i falur rininë, guximin, mençurinë dhe energjinë deri në çastet e fundit të jetë së tij. Sepse vetëm duke respektuar personalitete të tilla, kombi ynë do ecë përpara në rrugën e tij të mohuar prej shekujsh, e që sot e kemi një mundësi t’i tregojmë botës se kush ishim dhe cilat kanë qenë aspiratat tona të moçme. Referencat janë marrë nga libri: Kujtimet e mia/Rexhep Mahmud Mitrovica- Prishtinë: Shtëpia Botuese Libri Shkollor,2016.
…

Filed Under: Analiza Tagged With: Burrshtetasi ne harrese, Jahja Lluka, Rexhep Mitrovica

Vuçiqi, të veprojë si De Gaulle-i, ta lirojë Serbinë nga kolonitë e saj !

January 3, 2019 by dgreca

Ky do të ishte shpëtimi i Serbisë ! Ndryshe, betejat dhe luftërat e gjenocidit kolonial sllavo-bizantin, nuk do të përfundojnë  në Ballkan/

Nga Prof.Dr.Mehdi HYSENI/1 Mehdi_Hyseni

-Çfarë i duhen Serbisë kolonitë shqiptare të Preshevës, të Bujanocit, të Medvegjës dhe të Novi Pazarit?  Pse Serbia nuk ua njeh të drejtën historike dhe të vetëvendosjes  këtyre kolonive të etnikumit gjeopolitik shqiptar?

Këto koloni, duhet të lirohen nga sundimi kolonial i Serbisë (1878-2019), në mënyrë që Serbia të mos jetojë  githmonë me ëndrra mitologjike mesjetare, se fqinjtë e saj në tokat e tyre joserbe, duhet shfarosur me  gjenocid kolonial.

Kjo praktikë ataviste shekullore, duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë se popujt dhe vendet e huaja, të aneksuar dhe kolonizuar me gjenocid, nuk mund sundohen dhe të mbahen përjetësisht skllavë nën Serbi.

Vuçiqi ka shansin historik për ta shpëtuar Serbinë, ashtu sikurse dikur De Gaulle-i, që shpëtoi Francën nga  fundosja në kolonitë e saj në Afrikë dhe në Indokinë ( 1950-1960). 

Nëse presidenti serb Aleksandar Vuçiq, vërtet ka arritur ta kuptojë krjimin e realitetve të reja në Ballkan, pas 3 gjenocideve të kryera nga Serbia në Kroaci, në Bosnjë dhe në Kosovë (1990-1999), duhet të krijojë një Serbi të re, demokratike dhe paqësore, duke e liruar nga bagazhi historik kolonial shekullur ndaj popujve dhe vendeve fqinje, e në radhë të parë të shqiptarëve dhe të Shqipërisë.

Vetëm kjo strategji objektive vizionare e politikës dhe e diplomacisë së Aleksandar Vuçiqit dhe e forcave porgresive, demokratike dhe paqësore evropiane, të grumbulluara rreth tij, do të mund ta shpëtonin Serbinë nga luftërat e ardhshme fatale dhe tragjike në Ballkan.

Beogradi të mos frikësohet nga bashkimi i Kosovës me Shqipërinë

Përkundrazi, si politika, ashtu edhe dipomacia zyrtare e Serbisë, duhet të përshëndetin dhe të mbështetin heqjen e kufirit Kosovë-Serbi (sepse kjo është vetëm çështje e Prishtinës dhe Kosovës. Kjo varet vetëm nga shprehja e vullnetit të populit si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë).  Kjo është paradigm positive dhe racionale, që paralajmëron një kthesë të madhe historike  për bashkimin gradual të shqiptarëve vetëm brenda territoreve të tyre historike autoktone të Shqipërisë.

Prandaj, as Serbia e as shtetet e tjera fqinje nuk kanë arsye pse të frikësohen nga bashkimi demokratik dhe paqësor i shqiptarëve ngase fshirja e kufijve ndërshtetërorë me shtetet fqinje, pa dyshim se do të sjellë në pajtimin, në afrimin dhe në normalizimin e njëmendtë të marrëdhënieve mes popujve ballkanikë. Ky proces paqësor, do të ndikojë pozitivisht jo vetëm në krijimin e marrëdhënive të qëndrueshme kualitative, që i tërë Ballkani të mos jetë fushëbetejë e luftërave të përgjakura kolonialiste, hegjemoniste dhe  shfarosëse të dikurshme, POR ZONË PAQEJE, SIGURIE, BASHKËPUNIMI RECIPROK në të gjitha fushat: politike, ekonomike, tregtare, kulturore, të turzimit, të lëvizjes së lirë të njerëzëve dhe të qarkullimit të mallrave, të hapjes së tregut të lirë, si dhe të mbrojtjes dhe të respektimit të drejtëve  të njeriut dhe të lirive themelore.

Kjo formë e re e heqjes së barrierave kufitare mes shteteve, do të  jetë garancia më e forte dhe më përmbajtësore jo vetëm në favorin e axhendës dhe të standrdeve integruese  të Evropës demokratike, por, njëherazi  edhe të krijimit të marrëdhënieve të reja më realiste, më konstruktive dhe më humane ndërkombëtare, që do të bëjnë të mundur, që  e gjithë bashkësia njerëzore të jetojë pa frikë për fatin, për zhvillimin, për objektivat dhe për mirëqenien e  vet të plotë, pa luftëra, pa gjenocide, pa uri, pa varfëri dhe pa ekzode milionshe të refugjatëve dhe të papunëve anembanë botës.

Ballkani nuk ka nevojë për vazhdimin dhe për intensifikimin e  garave të ethshme hegjemoniste, kolonialiste dhe neokolonialiste sllavo-biznatine me bagazh gjenocidi për shfarosjen e shqiptarëve, por për: humanizimin,  demokratizimin, integrimin, paqësimin,  sundimin e së drejtës, lirinë e plotë, që të gjitha këto vlera universale të njerëzimit garantojnë përbashkësinë, ekzistencën, zhvillimin ekonomik, prosperitetin, paqen, mirëbesimin dhe mirëqenien e plotë të të gjithë popujve në rajonin ballkanik.

Me një fjalë, Ballkani ka nevojë të evropianizohet dhe të shndërrohet në  një zone paqeje, sigurie, bashkëpunimi, koekzistence dhe lirie të plotë për të gjithë popujt e tij, jo  vetëm për konglomeratin sllavo-bizantin. Kjo “formulë” e sundimit kolonial disashekullor mbi shqiptarët dhe mbi tokat e tyre, tanimë është e vdekur, sepse kanë përfunduar luftërat koloniale në Evropë. Tani, ndodhemi në fund të dekadës së dytë të shekullit XXI, që serbët, malazezët, grekët dhe maqedonët, duhet të heqinë dorë nga kolonitë e tyre shqiptare në Ballkan, ashtu sikurse dikur metropolet evropiane, që i braktisën kolonitë e tyre shekullore në Amerikën Latine, në Azi dhe në Afrikë.

Filed Under: Analiza Tagged With: De Gaullle, Kolonite, Prof. Dr. Mehdi Hyseni, Serbia, Vuciqi

Eshtë turp kombëtar tu kujtosh shqiptarëve të Kosovës pasaportën

January 3, 2019 by dgreca

….-Eshtë turp kombëtar tu kojtosh moshën, pasi një i djathtë safi si Ahmet Zogu, ai që themeloi shtetin e parë modern, ai që i dha vlerë pasaportës sonë, nuk ishte ishte më shumë se 21 vjeç kur u bë ministër i brendëshëm në qeverinë e dalë nga Kongresi Kombëtar i Lushnjës në janarin e vitit 1920. Po kujt i flet thuaj: atyre që nuk janë as mish e as peshk. Pengmarrës më të këqij se Edi Rama dhe gjithë kabinetet e tij. Në fund të fundit, është një nga ato qoka që Edi Rama e përdor me taktika propogande. Dhe që ju bini këndshëm në rrjetë./

2-Ilir-196x300-1

Nga Ilir Levonja/

Ka disa ditë që opozita merret me një shqiptar të Kosovës, atë që Edi Rama e emëroi si ministër të punëve të jashtëme të Shqipërisë. Kjo ndodhi në asamblenë urgjente të rilindjes së Ramës, e cila përfundoi me një riformatim të qeverisë. Në atë asamble ku të gjitha forumet dolën kallpe, kot, si ai i freshistave apo i grave socialitste etj. Dolën kallpe sepse u zunë në gjumë, gafil, sidomos freshistët prej studentëve. Por edhe gratë që kishin fjetur gjumë pa e nuhatur asnjëherë situatën. Nuk e di a është çështje opozitare kjo, pra emërimi i një djali të ri me prejardhje nga Kosova. Ajo dhimbje e madhe e shqiptarisë në tërësi?! Asesi që jo, pasi derisa nuk njeh Edi Ramën, as që diskutohet më në emra të përveçëm. Aq më tepër kur interpretimet ngërthen me kushtetutën, qytetarinë etj., të një shqiptari të Kosovës. Kjo a ky lloj opozitarizmi nxjerr atë cektësinë intelektuale të një shumice dërrmuese kur i qasen me kurajo historisë së kabineteve qeveritare ndër vite. Flasin me bindje se gjithë asat e deritanishëm të qeverisjen kanë qënë shtetas krejt të kulluar, puro nga Shqipëria amë. Kjo ta neveritë fund e krye vetveten dhe soji për shkak se i kemi kaq me pushtet e kaq me bollëk të paditurit sa nuk çfarë thuash. E para zë fill me një lloj interpretimi a dialogu dite që dëgjojmë deri tek gazetarë të televizioneve kombëtare kur thonë kosovarët. Dhe jo, shqiptarët e Kosovës…Eshtë një kulturë tashmë e konsoliduar e një lagështirë që po na rrëzon çatinë në kokë, por edhe normale për shkak të informalitetit në arsimimin, punësimin dhe të tjera. Megjithëse mburremi me Lidhjen e Prizërenit, bash truallin e moteve kur vërtetë Shqipëtarët quheshin shqiptarë dhe jo kosovarë, lebër, myzeqarë a brashnjarë etj. Megjithëse kemi pasur edhe një kryeministër me emrin Hasan Proshtina. Një ministër mbrojtje me emri Mehmet pashë Dërralla, një tetovar etj., prapë nxjerrin ca faqebuçko, ca ”opozitarë” plot yndyrë dhe bëjnë opozitarizëm me të ashtuquajturit e tyre kosovarë. Moj opozitë, nuk jemi për Edi Ramën. Kaq! Nuk jemi për ato mijra arsye… për së pari se e gjitha, situata ekonomike dhe dëshira për të jetuar aty është një panoramë perfektë e dhomave në qytetin studenti. Eshtë një dështim total social pasi ka një lubi thithëse fondesh, një lubi vrimash të zeza kudo, gjithandej… Eshtë një dështim total nga degradimi i rënies së administratë, punësimi, pagat e ulta, rryshfeti, borxhi, koncesionet dhe grabitja e pronave publike. Dhe ju, jo se nuk i dini. I dini shumë mirë. Dhe e keni shancin ndër duar ditë më ditë. Por si ta shpjegosh sfidën e munguar politike të djegjes së mandatave, në raport me këtë emërimin antikushtetues të një qytetari nga shteti i dytë i shqiptarëve, Kosovën e përvëluar?! Një vrimë në ujë! Një hiç opozitar. Aty e kishit situatën, studentët, zgjedhjet e parakohëshme. Eshtë absurde të rrish jashtë institucionit gjashtë muaj se nuk njeh qeveriun. Dhe pastaj të kthehesh me gjoja miratimin e reformës së ligjit të zgjedhjeve etj. Një absurd opozitar si ky i këtij që drejton sot me mjetet e propagandës nga diktatura e proletariatit. Eshtë fare e thjeshtë, ju nuk doni sfidën politike. Që është largimi i qeverisë së Edi Ramës. Asesi jo! Ju po prisni radhën. Kalimin e pushtetit. Mëndje mbushur…, për të vazhduar ta shisni, ta shpërdhosni, ta shqyeni më keq se tri p-të e Edi Ramës dhe lali Erit si e si të fryni a dyfishoni të ardhurat tuaja në bankat e botës. Kthimi në parlament i juaji ishte vrarja më e madhe, thika pas shpine prirjeve dhe shpirtit demokrat. Një qurravitje teknicienësh që njohin perfekt intrigat dhe manovrat e holleve, por aspak dëmin social të një vendi që ka mbi 40% të fuqisë vitale në emigrim. Nuk mund të bësh marrëveshje shteruese me kaq kollajllëk. Nuk mund të flasësh në emër të popullit duke menduar se ata janë me ty. Edhe pse vret e pret sheshit demokracinë e zgjedhjeve dhe të të zgjedhurit. Në vitet 90-të u ngritëm me moton jo dyzetë vjet në pushtet. Tani po i kultivojmë ekzemplarët e Enverit me karrika parlamenti.

Duke degdisur vitalitetin me qejEshtfin më të madh. Merreni me një ministër të ri një djalë shqiptar. Eshtë turp kombëtar tu kujtosh shqiptarëve të Kosovës pasaportën. Aq më tepër kur themi që nuk njohin Edi Ramën. Eshtë turp kombëtar tu kujtosh moshën, pasi një i djathtë safi si Ahmet Zogu, ai që themeloi shtetin e parë modern, ai që i dha vlerë pasaportës sonë, nuk  ishte më shumë se 21 vjeç kur u bë ministër i brendëshëm në qeverinë e dalë nga Kongresi Kombëtar i Lushnjës në janarin e vitit 1920. Po kujt i flet thuaj: atyre që nuk janë as mish e as peshk. Pengmarrës më të këqij se Edi Rama dhe gjithë kabinetet e tij. Në fund të fundit, është një nga ato qoka që Edi Rama e përdor me taktika propogande. Dhe që ju bini këndshëm në rrjetë. Se, sado që kanë firmosur publikisht, prapë raporti i shkëmbimeve a konsolidimit të shqiptarëve në dy shtete, është një brishtësi të dhimbshme.

Mjaft të përmendimin se sa pak është bërë në unifikimin e teksteve a programeve mësimore në arsimin parauniversitar.

Aty ku nis edhe rruga e vërtetë e një kombi. Por këto e të tjera nuk kanë vlerë opozitare. A, nuk u bashkangjiten dot programeve tuaja në platformat e reja të perspektivës. Sepse ju nuk jeni opozitarë, por partia e babës, birit, e stanjacionit.

Filed Under: Politike Tagged With: Eshtë turp kombëtar, Ilir Levonja, pasaportën, tu kujtosh shqiptarëve të Kosovës

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1152
  • 1153
  • 1154
  • 1155
  • 1156
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT