• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOSOVË, URIMET MË TË MIRA PËR KRIJIMIN E USHTRISË !

December 15, 2018 by dgreca

Asllani 07 (2)

NGA ASLLAN  BUSHATI/

Më 14 Dhjetor 2018, mediat  publikuan e na mbushën zemra  me një gëzim të shkallës madhore . Më së fundi, pas  një  kalvari  të gjatë lufte e pune, e nëpër  një  labirint të panumërt  mundimesh e vështirësisë, u formu zyrtarisht ( me vendim të Kuvendit të Kosovës),  Ushtria e Kosovës (UK-ja).

Ky është një  moment i shënuar historik për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë e punojnë . Prandaj  gjëja  e parë që  duhet të bëjmë është t’ju shprehin nderimin më të thellë  gjithë atyre burra e grave shqiptare  të të gjitha kohrave ,që dhanë jetën për Kombin, që u plagosën, u gjymtuan, luftuan, u burgosën, shkrinë pasurinë, u lodhën e stërmunduan për të ardhur deri tek formimi i UK-së. Pas kësaj (por jo e dyta për nga rëndësia), është mirnjohja më e thellë  ndaj Kombit të madh Amerikan , që e mbrojti Shqipërinë nga coptimi në Lidhen e Kombeve dhe më pas së bashku me NATO-n, mundësoi clirimin e Kosovës nga pushtimi serb dhe sot mbështeti pa asnjë rezervë krijimin e UK-së.

Kështu pas pavarsisë së Shqipërisë e të  Kosovës , krijimit të Ushtrisë Shqiptare (USH) më 4 dhjetor 1912 , kjo e 14 dhjetorit të 2018-tës  është  e do të mbetet një nga datat më të shënuara në kalendarin e Kombit tonë. Meritë për këtë kanë të gjithë ata që morën armët dhe luftuan për clirimin e Kosovës, klasa e sotme politike e Kosovës,  që insistoi për ta shpejtuar këtë proces me të gjitha mënyrat e mjetet dhe diaspora shqiptare e vecanërisht kjo në SHBA .

Kur them kjo në SHBA, kam para syshë Vatrën, Ligën Civile Shqiptaro- Amerikane, LDK-në, shumë shoqata shqiptare në NY rrethinë e më gjërë, biznesmenë, personalitete të komunitetit të shumë fushave, intelektualë dhe cdo individ i komunitetit shqiptaro-amerikan që kontriboi  me mund djersë dhe  mjete monetare. Si një trup i vetëm, ata ishin në shumë  demostrata para OKB-së , para Kapitol Hill-it, para Shtëpisë Bardhë e deri në tavolinën ovale të ish Presidentit Bill Klinton. Ata ishin në shumë mitingje e veprimtari të dobishme të “Vendlindja thërret”, në organizimin, ngritjen, formimin dhe stërvitjen e Batalionit”Atllantiku”, përfshi edhe shkruesin e këtyre rrjeshtave. Ata lobuan në Kongres, Senat, Departamentin e Shtetit e të Mbrojtjes  për të siguruar ardhjen e kësaj dite.

Për gjithsa më sipër,e të gjithë së bashku, kemi bërë  vetëm detyrën ndaj Kombit. Nuk kemi nevojë për asnjë lëvdatë a mburrje të vecantë,madje  kemi   bërë edhe shumë punëra të tjera shumë të dobishme , të cilat nuk ja vlen që sot ti përmendim. Por me shumë modesti do të dëshironim që ata të na njiheshin si kontribut e veprimtari dobiprurëse të këtij komuniteti të cilat i kanë ndihmuar ardhjes së kësaj dite të lumtur ,formimit të Ushtrisë së Kosovës.

Urimet më të mira Kosova jonë e dashur, që ja arrite kësaj dite të lumtur. Uk-ja rroftë e përparoftë për mot e jetë dhe shkroftë faqe të ndritura në librin e lavdisë botërore.

Filed Under: Komente Tagged With: asllan Bushati, Kosove, PËR KRIJIMIN E USHTRISË, Urimet më të mira

Historike: KOSOVA BËHET ME USHTRI

December 14, 2018 by dgreca

Kuvendi i Republikës së Kosovës 120 anëtarsh me 107 deputetë në sallë në seancën e sotme miratoi me unanimitet në shqyrtim të dytë pakon e tre projektligjeve për Forcën e Sigurisë së Kosovës  Ushtri/

1 a Kuvendi vendos1 a Veseli vote1 a Votimi1 a ushtaraket en Kuvend1 FSK-17.02.2016-11 Prishtine USA1 ok Ushtria

-Me flamujt amerikanë që janë ngritur e valojnë, në atmosferë mirënjohje të përjetëshme për SHBA-të e festive Kosova afër 20 vjet e lirë e më shumë se 10 vjet shtet e priti edhe një ngjarje të madhe – votimin  sot në Kuvend për FSK-në Ushtri/

-Pas seancës së Kuvendit të Kosovës, të vendimit për transformimin e FSK-së, do ketë pasdite edhe një ceremoni – pritje shtetërore festive në ambientet e Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila me ligj tani bëhet Ministri e Mbrojtjes/

-Presidenti Thaçi, që me Kushtetutë është Komandant Suprem i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe do jetë edhe i Ushtrisë, dje me uniformën ushtarake para rreth 400 ushtarëve dhe eprorëve të FSK-së tha se vendimi për ndryshimin dhe avancimin e mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke i dhënë kompetencat e ushtrisë së mirëfilltë, është më së shumti meritë e ushtarëve dhe qytetarëve të Kosovës/

-Forca e Sigurisë së Kosovës do t’u shërbejë të gjithë qytetarëve, pa dallime etnike/

-Pas miratimit të projektligjeve, kryeparlamentari Veseli uroi deputetët, pjesëtarët e FSK-së dhe të gjithë qytetarët e Kosovës, duke e konsideruar seancën dhe ditën e sotme historike për Kosovën/

-Në 13 shtator 2018, Qeveria e Kosovës, drejtuar nga kryeministri Haradinaj, bazuar në të drejtën e saj kushtetuese, ka miratuar pakon e projektligjeve që rregullojnë rolin, funksionin dhe shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës/

-Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në 17 shkurt 2008, Forca e Sigurisë së Kosovës është aktivizuar nga janari 2009, kur u deaktivizuan Trupat Mbrojtëse të Kosovës, të cilat lindën nga transformimi i  Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe lujtën rolin e tyre shumë të rëndësishëm në nëntë vitet e pas luftës së përfunduar në qershorin 1999/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 14 Dhjetor 2018/ Historike: Kuvendi i Republikës së Kosovës 120 anëtarsh me 107 deputetë në sallë në seancën e sotme miratoi me unanimitet në shqyrtim të dytë pakon e tre projektligjeve për Forcën e Sigurisë së Kosovës  Ushtri.

Fillimisht kaloi i pari Proejktligj – për Ministrinë e Mbrojtjes me votat pro të 106 deputetëve e një abstenim, pasi më parë poashtu me unanimitet u miratuan 11 amendamentet.

Seanca vijoi me shqyrtimin e dytë të Projektligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës, i cili kaloi me   vota unanime pro, ndërsa më parë u votuan 45  amendamentet.

Kaloi me unanimitet votash edhe Projektligji për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës, për të cilin kishte poashtu 45 amendamente.

Seanca e tre ligjeve për Ushtrinë u drejtua nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili në fillim ftoi të gjithë pranishmit për nderim për të gjithë brezat, që në kohë e rrethana të ndryshme, sakrifikuan për këtë ditë, për lirinë e pavarësinë.

Kryetar i Komisionit parlamentar për FSK-në, Haxhi Shala në seancë u shpreh se ndihej i privilegjuar që kishte rastin t’i paraqesë projektligjet e rëndësisë së veçantë për shtetin e Kosovës.

Miratimet e secilit prej tre projektligjeve u përshëndetën edhe me ngritje në këmbë e duartroktije të pjesëmarrësve në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Pas miratimit të projektligjeve, kryeparlamentari Veseli uroi deputetët, pjesëtarët e FSK-së dhe të gjithë qytetarët e Kosovës, duke e konsideruar seancën dhe ditën e sotme historike për Kosovën.

“Në sallë kemi të pranishëm edhe kadetët e FSK-së, që do të jenë oficerët e ardhshëm të Ushtrisë së Kosovës, të cilëve ua urojmë këtë ditë historike. Prej sot, gatitu”, tha mes duartrokitjeve kryeparlamentari Veseli.

Pas seancës së Kuvendit të Kosovës, të vendimit për transformimin e FSK-së, do ketë pasdite edhe një ceremoni – pritje shtetërore festive në ambientet e Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila me ligj tani bëhet Ministri e Mbrojtjes.

Ndërkohë, flamujt amerikanë janë ngritur e valojnë në sheshet e Prishtinës e në lokalitete tjera të Kosovës. Në këtë atmosferë mirenjohje të përjetshme për SHBA-të e festive Kosova afër 20 vjet e lirë e më shumë se 10 vjet shtet e pret edhe një ngjarje të madhe – votimin  sot në Kuvend për FSK-në Ushtri.

Ndërsa dje pasdite, në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi,  inspektoi ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe mbajti një fjalim para tyre, vetëm një ditë para se Kuvendi i Kosovës të marrë vendim për ndryshimin e mandatit të FSK-së.

Presidenti, që me Kushtetutë është Komandant Suprem i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe do jetë edhe i Ushtrisë, sot me uniformën ushtarake para rreth 400 ushtarëve dhe eprorëve të FSK-së tha se vendimi për ndryshimin dhe avancimin e mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke i dhënë kompetencat e ushtrisë së mirëfilltë, është më së shumti meritë e ushtarëve dhe qytetarëve të Kosovës.

Presidenti Thaçi theksoi se pas sukseseve të mëdha dhe përfshirjes së çdo komuniteti në Forcën e Sigurisë të Kosovës, FSK është e gatshme për mision dhe rol të ri.

Kreu i shtetit tha se FSK-ja është shembull sesi duhet të jenë të integruara komunitetet në jetën shoqërore dhe institucionale të një shteti demokratik, ku çdo qytetar përbën vlerë të shtuar për shtetin.

“I siguroj të gjitha komunitetet në Kosovë, e veçanërisht komunitetin serb, se FSK-ja do të vazhdojë t’u shërbejë të gjithë qytetarëve, pa dallime etnike”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ai pjesëtarëve të komunittit serb në FSK i është drejtur edhe në gjuhën serbe – me  “Dobar dan!” (Mirëdita!) në fillim të fjalës dhe me “Hvala!” (Faleminderit!) në përfundim.

Në Kuvend, në shqyrtimin e parë në 18 tetor të tre projektligjeve për Forcën e Sigurisë së Kosovës: për Ministrinë e Mbrojtjes,  për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës e të votura me unanimitetin e deputetëve të pranishëm, gjatë debatit vetëm grupi parlamentar i Listës Serbe u shpreh kundër transformimit të FSK-së në ushtri dhe lëshoi sallën e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës. Lista Serbe as sot nuk mori pjesë në seancën e Kuvendit historik të Kosovës shtet me ushtri.

Në 13 shtator 2018, Qeveria e Kosovës, drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, bazuar në të drejtën e saj kushtetuese, ka miratuar pakon e projektligjeve që rregullojnë rolin, funksionin dhe shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Qeveria ka deklaruar se, Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës përcakton kompetencat, organizimin dhe funksionimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës si forcë multietnike, profesionale, e armatosur dhe e autorizuar për të shërbyer në vend dhe jashtë vendit në pajtim me mandatin e dhënë kushtetues dhe ligjor, në mbrojtje të integritetit territorial, të qytetarëve, të pronës dhe interesave të Republikës së Kosovës dhe e cila i nënshtrohet kontrollit civil demokratik.

Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes përcakton organizimin dhe kalimin e Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ministri të Mbrojtjes në kuadër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, me qëllim të mbikëqyrjes dhe kontrollit civil demokratik mbi Forcën e Sigurisë së Kosovës, me strukturën e saj organizative që siguron funksionalizimin e plotë dhe përmbushjen e përgjegjësive të saj.

Projektligji për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës rregullon kushtet e përgjithshme të shërbimit ndërtuar mbi bazën e parimit të ligjshmërisë, profesionalizmit, komandës, disiplinës, respektit, nderit, ruajtjes së informacionit, komunikimit, josdiskriminimit dhe mundësive të barabarta, paanshmërisë politike, transparencës dhe llogaridhënies.

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në 17 shkurt 2008, Forca e Sigurisë së Kosovës është aktivizuar nga janari 2009, kur u deaktivizuan Trupat Mbrojtëse të Kosovës, të cilat lindën nga transformimi i  Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe lujtën rolin e tyre shumë të rëndësishëm në nëntë vitet e pas luftës së përfunduar në qershorin 1999.

Haradinaj: Forca e Kosovës, partneritet për paqe edhe me Ushtrinë e Serbisë

PRISHTINË, 14 Dhjetor 2018-Gazeta DIELLI/ Forca e Kosovës do të jetë në funksion të paqes me të gjitha ushtritë e rajonit, përfshi edhe Ushtrinë e Serbisë, deklaroi sot kryeministri Ramush Haradinaj.

“Sot, me 107 vota PËR, nga të gjithë deputetët e pranishëm në Parlamentin e Kosovës, u mandatua Ushtria e Kosovës.

Ky është një lajm i jashtëzakonshëm për konsolidimin e shtetit të Kosovës.Forca e Kosovës do të jetë gjithmonë multietnike, dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve të saj, në funksion të paqes me të gjitha ushtritë e rajonit, përfshi edhe Ushtrinë e Serbisë, që të kemi partneritet për paqe”, thekson kryeministri Haradinaj në deklaratën e dërguar./b.j/

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Historike, Kosova me Ushtri

FALENDERIM DHE NJE ESSE PER BABANE, NIKO KIRKA

December 13, 2018 by dgreca

1 a Niko K.

NGA KRIS KIRKA*/

Si sot 88 vjet më parë lindi heroi, idhulli, babai im Niko Pirro Kirka në Boston, Massachusetts. Do të vazhdoja të shkruaja më gjatë për Familjen Kirka, por sot do të shkruaj pak vetëm për babanë tim. Djal I vetëm, I përkëdhelur nga të gjithë, si trashëgimtar I vetëm I mbiemrit Kirka, ai do ta mbante të pastër të pa përlyer këtë mbiemër…
Unë mesova rreth kalvarit të familjes dhe vecanërisht të babait tim jo vetëm cmë është treguar nga pjestarë të familjes, por nga njerëz të huaj, të njohur dhe të pa njohur. Të njohur dhe miq do e mos do ta lavdëronin dhe do ta ngrinin në shkallë superiore emrin Niko Kirka, por cfarë më bën të krenohem është kur armiqtë të lavdërojnë. Një prej kriminelëve, hetues komunist që po e godiste tim At pa mëshirë prej orësh, pasi dy të tjerë më parë ishin lodhur, i egërsuar i tha: “por prej hekuri je ndërtuar, si nuk rënkove një herë o qen” (e thënë në një dasëm, pasi ky katil ishte pirë tapë dhe e pyetën se kush të ka lënë mbresë në qëndresë kundrejt torturave, dhe ai tha Niko Kirka), cdo kush do të qe prekur duke ndjerë keqardhje, unë ndjehem krenar. Se ti o im At në moshën 19 vjecare kur si i ri duhej të shijoje jetën mes të qeshurave dhe qejfeve rinore, u përplase pa mëshirë në qelat e errëta dhe plot ujë të komunizmit thjesht se ishe bir i një Atdhetari.
Por unë do të shkruaj pak rreth kohës së më vontë kur unë isha fëmijë. Se harroj kurrë kur vija dorën mbi supin tënd dhe notonim bashkë në detin blu të Adriatikut. Shpatulla jotë ishte siguria ime. Dhe pastaj më merrje mbi shpatulla dhe më hidhje duke më mësuar si të bëja kollotumba. Të faleminderit, unë isha shumë I gëzuar në ato momente…
Kur u rrita, nuk harroj kur të shihja duke punuar si murator i komunales nëpër rrugët e Durrësit, i veshur me rroba të arnuara, dhuratë e diktaturës. Por nuk ishe ti ai, për mua ti ishe ai burrë që visheshe me kostum, e kravatë, këmishë të bardhë si borë që mamaja sa do e lodhur prej punës rraskapitëse në NISH Goma (Cernobili I Shqipërisë) gjente gjithmonë kohë të të hekuroste. Ti për mua ishe/je ai burrë që kur flisje të gjithë të dëgjonin fjalën tënde me endje, se ishe/je me të vërtetë një Enciklopedi mobile.
Dhe tani kur mosha po të rëndon ditë e më shumë supet, ulesh me kohë të gjatë para kompjuterit dhe dëgjon, lexon me endje të rejat rreth Mëmëdheut, e ke ushqim shpirtëror se kështu ta ka ushqyer këtë ndjenjë gjyshi Kristo pa asnjë qëllim, jo si bijtë e komunistave që sic kam munduar ta rimoj, “punojnë jo për Vatanin por për Armanin”, konkluzionin e nxjerrim vetë.
Gjithmonë të kujtoj kur ecje drejt me një hap pak të shpejtë në boulevard, gjithmonë me një cigare që të ndihmonte ndoshta të futeshe në mendimet e tua. Tani hapi është ngadalësuar goxha, mosha të ka kërrusur pak, tani unë të mbledh të tërin në përqafimin tim, por për mua ti gjithmonë do jesh një gjigant. Sytë të ndrisin gjithmonë kur Niko i vogël të vjen e të përqafon, e di tek ai ti shikon të ardhmen, pavdekësinë e mbiemrit Kirka.
Do të shkruaja dhe më gjatë, por jam në punë dhe më duhet të largohem.
Dua ta mbyll duke jo vetëm uruar për ditëlindjen, por duke të thënë: Faleminderit. Faleminderit që më ke lënë pasurinë më të madhe: Nderin, të pastër dhe të pa njollosur. Krenarinë, që më mbush kur më thërrasin bir I Niko Kirkës.

* Këto radhë janë shkruar me rastin e 88 vjetorit të Lindjes së babait tim të dashur Niko Kirka. E risjell për lexuesit si homazh për babanë që nuk jeton më, si adhurim për babanë, njeriun, atdhetarin, qëndrestarin, të papërkulurin, që më mësoi se si duhet të eci në jetë me kokën lartë. Faleminderit baba! E sjell edhe si Falenderim për të gjithë ata që na e lehtësuan dhimbjen duke e përcjellë tim atë në pushimin e përjetshëm.

FALENDERIM I FAMILJES KIRKA

Te dashur miq e dashamires,
Ju falenenderojme per respektin qe treguat nepermjet fjaleve ngushulluese dhe prezences suaj ne keto dite kaq te hidhura per familjen tone. Dashamiresija juaj lehtesoi dhimbjen tone kaq te madhe.
Ju a shperblefshim ne gezime!
Me nderim dhe rrespekt,
Familja Kirka

 

Filed Under: Emigracion Tagged With: babai im, Kris Kirka, Niko Kirka

EDHE UNË JAM ME STUDENTËT!

December 13, 2018 by dgreca

“Shpresa kryesore e një vendi është edukimi i mirë i rinisë së tij.”/

Shkruan:FRANK SHKRELI/ Ishte rinia dhe studentët shqiptarë që ndihmuan në bërjen e ndryshimit të madh, me shembjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, pothuaj 30-vjet më parë.  Por thirrja dhe ëndërra e tyre, pas pothuaj gjysëm shekulli diktaturë komuniste, që t’a bënin Shqipërinë si e gjithë Evropa dhe një Shqipëri ndryshe, ashtu siç e donim shumë prej nesh, nuk është realizuar ende.

Pasi studentët e sotëm janë dëshmitarë se Shqipëria nuk po bëhet si Evropa, ashtu siç e donin paraardhësit e tyre në fillim të 90-ave, këta filiza të rinj po përpiqen sot t’a ringjallin atë shpresë dhe ëndërrë që mbeti e pa realizuar.  Prandaj mos u shqetësoni nga angazhimi qytetar plot përgjegjësi i studentëve — as qeveria as shteti, as shoqëria, në përgjithësi.  Mos kini frikë!  Është absolutisht një shfaqje pozitive për shoqërinë shqiptare.  Kërkesat e studentëve mund të jenë të kufizuara në numër, por reagimi dhe zemërimi i tyre është një pasqyrim i gjëndjes së vështirë të përgjithëshme politike dhe ekonomike, për të mos thënë, kaotike në Shqipëri dhe në botën shqiptare në përgjithësi, përfshirë edhe Kosovën.  Aktivizimi i rinisë, pa dyshim se sjellë shpresë.  Studentët shqiptarë janë plot ëndërra dhe idealizëm për të ardhmen e tyre dhe të Kombit të vet.  Si rrjedhim, shteti, qeveria, universitetet, edukatorët dhe shoqëria në përgjithësi duhet të bëjnë çdo gjë të mundur që të krijojnë për ta kushtet e përshtatëshme dhe një mjedis sa më të mirë edukues, që do të bëjë të mundur realizimin e ëndërrave të tyre dhe t’i bëjë ata pjesëmarrës dhe kontribues të dobishëm në ndërtimin e institucioneve të mirëfillta demokratike: të aftë që të përballen me përgjegjësitë dhe me sfidat që paraqet bota moderne, për ata si individë dhe për shoqërinë shqiptare në përgjithësi, por edhe konkurentë me të tjerët, në rajon dhe në botë.

Pa rini nuk ka përparim as shtet-ndërtim.  Prandaj asaj duhet t’i njihen dhe t’i plotësohen kërkesat, roli dhe pjesëmarrja e tyre në vendimet që kanë të bëjnë me edukimin e studentëve, me të ardhmen e tyre afat shkurtër, por edhe afat gjatë të tyre dhe të vendit ku jetojnë.  Rinia është shtylla e një vendi.  Është ky një rol që ata e meritojnë!   Për ata që mund të dyshojnë se nuk ia vlen të investohet në studentët dhe sstudentet e Kombit në këtë moment, ju lutem shikoni fëtyrat e asaj rinie të bukur, të qeshur, të përmbajtur, të mençur të shëndosh, plot shpresë dhe entuziazëm, por edhe patriotike, të pranishëm në sheshet dhe në universitetet, anë e mbanë vendit.  Autoritetet duhet të përfitojnë nga ky rast dhe të marrin masa serioze për plotësimin e kërkesave të tyre dhe të angazhojnë, seriozisht, rininë dhe studentët në jetën e vendit, para se të jenë vonë, pasi e ardhmja e vendit është edhe e ardhëmja e tyre.  Është një e ardhëme që përmban plot agime të reja. Është një periudhë e shpresave të guximshme.  Ndoshta studentët do t’ia dalin që të shkundin shpirtin e përgjumshëm në radhët e shqiptarëve, për një të ardhme më bujare dhe fatbardhë.  Mos kini frikë!

Kombi ka nevojë për filiza të ri në trungun e vjetër. Kërkesat e studentëve janë edhe politike, përveç kushteve, plotësimin e të cilave    ata kërkojnë. A do të këmbngulin votuesit shqiptarë duek kërkuar një rend të ri politik me njerëz që do të pasqyrojnë vullnetin dhe interesat e zgjedhësve shqiptarë dhe jo ato të padronëve partiakë dhe të klaneve të tyre politike?  Partitë politike dhe votuesit shqiptarë duhet të reflektojnë seriozisht që të vijnë në përfundimin se punët deri tashti nuk kanë shkuar aspak mirë, siç dëshmojnë edhe protestat e studentëve prej pothuaj prej 10-ditësh tani në Tiranë dhe anë e mbanë vendit.  Ky, fatkeqsisht, mund të jetë vetëm fillimi.

Sot, kombi shqiptar ka nevojë për filiza të ri në trungun e vjetër të politikës dhe të atdhedashurisë, për të vazhduar zhvillimin natyral politiko-historik të shqiptarëve, të ndërprerë nga regjimi komunist 50-vjeçar dhe nga trashëgimia e tij, fatkeqësisht, gjithnjë aktuale në politikën dhe shoqërinë shqiptare.  Ishte përmalluese dhe fatlume skena kur studentët protestues në midis të Tiranës, shpërthyen në këngë patriotike.  Ka një uri dhe etje për tu këthyer në vlerat shpirtërore të trashëgimisë kombëtare iliro-arbërore.

Le të shpresojmë se një brez i ri politikanësh shqiptarë, i dalur nesër nga përfaqësues të këtyre studentëve që protestojnë sot për të drejtat e tyre anë e mbanë Shqipërisë – mundësisht filiza të ri në trungun e vjetër të Kombit – do të shprehin vullnetin dhe interesat e shqiptarëve tashmë të lodhur nga politika e sponsorizuar nga oligarkët dhe nga interesat e ngushta të partive aktuale politike.  Shpresojmë që ky brez i ri politikanësh, të marrë në duartë e veta fatin e vendit dhe të Kombit, me patriotizëm dhe atdhedashuri, të hapë udhë të reja në historinë moderne të shqiptarëve, si trashëgues dhe ndjekës të traditës dhe të vlerave shekullore kombëtare.  Pas një periudhe prej 30-vjetësh post-komunizëm, nuk na ka mbetur tjetër veç të shpresojmë, të shpresojmë në këtë brez të rinisë shqiptare dhe në studentët që e përfaqësojnë atë sot në sheshet dhe universitetet, anë e mbanë Shqipërisë.

Rinia është gjymtyra kryesore e shoqërisë shqiptare sot nëqoftse dëshironi të ndërtoni një të ardhëme më të mirë për Shqipërinë e nesërme.  Si e tillë edhe duhet të trajtohet.  Nga ana tjetër, i takon këtij brezi shqiptarësh që të ndërtojë, më në fund, jo vetëm një Shqipëri si e gjithë Evropa, por edhe një Shqipëri e cila pasqyron (siç kam lexuar diku) edhe fëtyrën dhe zemrën e nënave tona, një Shqipëri që, njëkohsisht, adhuron, dashuron e ngushëllon të gjithë bijtë e bijat e saj pa dallim, por mbi të gjitha duam një Shqipëri që është e drejtë për të gjithë dhe pa dallim.  Nëqoftse kjo është Shqipëria që duan dhe që kërkojnë studentët protestues për pothuaj 10-ditë tani anë e mbanë Atdheut, edhe unë jam me ta.

Filed Under: Opinion Tagged With: EDHE UNË JAM, Frank shkreli, ME STUDENTËT!

SHËRIM TE SHPEJTË POLICIT SHQIPTARO- AMERIKAN!

December 12, 2018 by dgreca

KOMUNITETI SHQIPTAR I URON SHËRIM TE SHPEJTË POLICIT SHQIPTARO- AMERIKAN!/

1 a b Amir1 elton2 amiri 1

 Pali, Polici Amerikan me Origjinë shqiptare (nga Ulqini), që u plagos në krye të detyrës, ka pushtuar mediat e Nju Jork-ut. Të Martën rreth orës 15.00, kur ai doli nga spitali universitar në pjesën veriore të Staten Island, është pritë dhe është përcjellë si hero, shkroi gazeta e njohur The New York Post.Ai ishte i shtrirë në karrocë, kur dëgjoi thirrjet entuziaste të kolegëve dhe personeli mjeksor, që ishin rreshtuar para spitalit. Ka mjaftuar një tundje e lehtë e dorës së majte dhe një buzqeshje, që kolegët dhe familja e tij të therrsnin plot gëzim dhe ta uronin për shërim të shpejtë.  Sipas gazetës NYP , Pali u qëllua aksidentalisht  gjatë konfrontimit vdekjeprurës me një person të dehur i konfliktuar, pasi ishte marrë njoftimi nga numri telefonik 911. Ngjarja që coi në plagosjen aksidentale të policit shqiptaro-amerikan, ndodhi të shtunën në mbrëmje, kur polici me origjinë shqiptare dhe kolegu i tij S.B, shkuan në vendin e ngjarjes. E gjithë ngjarja ëshët e filmuar nga kamerat që policët mbanin në trup. Të hënën shqiptari i plagosur është vizituar në spital nga Kryebashkiaku i Nju Jork-ut de Blasio. Gati të gjithë rrjetet televizive e patën në fokus të emisioneve të tyre ngjarjen.

Komuniteti shqiptar në Nju Jork, uron bashkatdhetarin:Urim të shpejtë!

Filed Under: Featured Tagged With: Amir Pali, Polici i plagosur

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1175
  • 1176
  • 1177
  • 1178
  • 1179
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT