• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ceremonia e pranimit të dëtyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani

April 6, 2021 by dgreca

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

PRISHTINË, 6 Prill 2021/ Është zhvilluar sot ceremonia e pranimit të dëtyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e zgjedhur me 71 vota nga Kuvendi 120 anëtarësh në seancë të jashtëzakonshme mbrëmjen e të dielës së 4 Prillit 2021.

“Për shkak të situatës aktuale me pandeminë COVID-19 nuk do të organizohet një Ceremoni e Inaugurimit të Presidentes së Republikës së Kosovës. Mirëpo, do të organizohen një sërë aktivitetesh për ta shënuar pranimin e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës dhe të cilat janë përshtatur me rrethanat”, theksonte njoftimi i dërguar nga Presidenca.

Axhenda nisi në orën 10:00 me arritjen e Presidentes Osmani te hyrja e ndërtesës së Kuvendit e të Presidencës në Sheshin Ibrahim Rugova të Prishtinës, ku u zhvillua Ceremonia e revistës së trupave të Togut Ceremonial të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe pastaj pritja e parë në takim në Kabinetin e Presidentes së Republikës ishte për ekipin e xhudistëve kampionë…

Në ceremoni ishte edhe Kryeministri Albin Kurti  me anëtarë të Qeverisë,  Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës,  Philip Kosnett, dhe diplomat të tjerë.

Ishin bashkë edhe me dy vajzat e tyre binjake  Presidentja Osmani me bashkëshortin.

Vjosa Osmani është Presidentja e gjashtë e Kosovës. I pari ishte  Presidenti historik Ibrahim Rugova, pas tij Fatmir Sejdiu, pastaj Behgjet Pacolli që qëndroi vetëm rreth një muaj në këtë post, Atifete Jahjaga dhe Hashim Thaçi.Ushtruesi i detyrës së Presdentit – Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca,  ka shkruar:I nderuar që sot ia dorëzova Kushtetutën e Republikës së Kosovës Presidentes znj. Vjosa Osmani-Sadriu me rastin e ceremonisë së pranimit të detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës.

NJOFTIMI I DËRGUAR NGA PRESIDENCA E KOSOVËS:

CEREMONIA E PRANIMIT TË DËTYRËS SË PRESIDENTES SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

Për shkak të situatës aktuale me pandeminë COVID-19 nuk do të organizohet një Ceremoni e Inaugurimit të Presidentes së Republikës së Kosovës. Mirëpo, do të organizohen një sërë aktivitetesh për ta shënuar pranimin e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës dhe të cilat janë përshtatur me rrethanat.

Në vijim ju prezantojmë agjendën zyrtare të organizuar me këtë rast:

AGJENDA (6 PRILL 2021)

10:00Arritja e Presidentes së Repubikës së Kosovës, Sh.S. Vjosa Osmani Sadriu Lokacioni: Përballë Kuvendit të Republikës së Kosovës (Hyrja e parë, Sheshi Ibrahim Rugova) 
10:00 – 11:00Ceremonia e revistës së trupave të Togut Ceremonial të Forcës së Sigurisë së Kosovës 
11:00 – 11:30Presidentja e Republikës së Kosovës, Sh.S. Vjosa Osmani Sadriu, pret në takim ekipin e xhudistëve kampionë Lokacioni: Kabineti i Presidentes së Republikës së Kosovës, C-101 
11:30 – 12:00Presidentja e Republikës së Kosovës, Sh.S. Vjosa Osmani Sadriu, pret në takim nxënësit e Institutit ATOMI Lokacioni: Kabineti i Presidentes së Republikës së Kosovës, C-101 
12:45Presidentja e Republikës së Kosovës, Sh.S. Vjosa Osmani Sadriu, e shoqëruar nga Ministri i Shëndetësisë, z. Arben Vitia, viziton Qendrën e Vaksinimit në Prishtinë Lokacioni: Salla “1 Tetori”, Prishtinë 
13:15Presidentja e Republikës së Kosovës, Sh.S. Vjosa Osmani Sadriu, bënë homazhe te Varri i Presidentit Ibrahim Rugova Lokacioni: Varri i Presidentit Ibrahim Rugova, Velani, Prishtinë 
13:30Presidentja e Republikës së Kosovës, Sh.S. Vjosa Osmani Sadriu, vendosë buqetë me lule tek Memoriali për nder të të pagjeturve të Kosovës Lokacioni: Oborri i Kuvendit të Republikës së Kosovës (Hyrja e parë, Sheshi Ibrahim Rugova) 
13:40Presidentja e Republikës së Kosovës, Sh.S. Vjosa Osmani Sadriu, vendosë buqetë me lule tek Monumenti “Heroinat” Lokacioni: Sheshi i heroinave, Prishtinë 
14:30Presidentja e Republikës së Kosovës, Sh.S. Vjosa Osmani Sadriu, bënë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” Lokacioni: Prekaz, Skenderaj 
 17:00Presidentja e Republikës së Kosovës, Sh.S. Vjosa Osmani Sadriu, pret në takim Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës,  gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe gjeneralët e FSK-së Lokacioni: Kabineti i Presidentes së Republikës së Kosovës, C-101

Filed Under: Featured Tagged With: Ceremonia zyrtare, presidente, Presidente e Republikes

TI, SHEMBELLTYRA IME!

April 6, 2021 by dgreca

LETËRSI- JULIA GJIKA NË SOFRËN POETIKE TË DIELLIT/

TI, SHEMBELLTYRA IME!/

Rastësisht jam ndodhur/

në një qytet të panjohur./

Më dukej si ëndërr./

Ecja e pasigurt,/

ecja për të gjetur një dalje,/

vërtitesha në një udhëtim të paqëllimtë./

S’isha gjë tjetër veç një mizë pa kokë.

E panjohura ecte përkrah meje

ndonse isha fill e vetme.

Ndjehesha si në pranga

dhe fjala më ish e lidhur.

Ishte nje makth dhe asgje tjetër.

Kur drita po shuhej tej në perëndim

ndjeva vetmi.

Një zgjim të shpëton!

Vetëm një zgjim!

Po si ta ngrysësh një natë?

Por ende s’ka mbritur çasti!

Duhej përgatitur diçka.

Qytet i panjohur,

mbështjellë me pasiguri.

Nëpër mjegullnajë vërtiteshin orët

duke shtyrë akrepat.

Dikush ndërhyn pakuptuar.

Vendos vulën për çdo gjë.

E pamundur për mua të kuptoj

si u bë e mundur të hapej shtegu i shpëtimit

të eci në atë qytet që nuk kishte dalje?

Tani hija ime ndiqte dritën.

Papandehur erdhi ai çast i shumëpritur

ku mushkëritë mbushen me frymë,

ku plotësisht je në udhë te mbarë.

Ajri ngarkohet gjithnjë e më shumë

me aromën e nje premtimi:

“nuk do të humb,

ti je shëmbëlltyra ime.”

***

NE OQEAN  AJRI

Sqepi i një pëllumbi

nën tinguj metalikë

mblidhte një ëndërr të coptuar

për t’a ngritur lart

në oqean ajri.

Duke lënë poshtë

hije zvaranikësh.

* * *

Në mes qiellit dhe tokës

dita numuron orët

kënga e mallit

e qepur në qiell

pikon vesën syri i mëngjesit,

ku lahet një pulëbardhë

përpara fluturimit.

***

DREJT MALIT

Sa shpejt!

Në një ditë acari,

Zoti e ftoi për t’u ngjitur Malit.

I bindur me tinguj në buzë,

shërbëtor i denjë

dha provën e fundit,

si çdo mëngjes kur falenderonte Zotin

për bukën e përditëshme,

për faljen e mëkateve.

Ishte gati, u nis…

Ditë acari,

kur toka ishte e ngrirë.

Ai u ngjit Malit.

Në qetësi hyjnore,

për ne la fjalët.

***

PARA SE TE LARGOHEJ NGA NE

Ajo donte të flinte me mua- kujton Maria.

Më erdhi pranë shtratit,

qëndroi atje në fund tek këmbët e mija.

-Më parë kish ndaluar tek unë

të kujtohet? – flet me padurim Parashqevia.

Ngriti kuvertën që më kish rënë në dysheme,

pastaj u mbështet tek dritarja.

përballë me shtratin tim.

Largoi perden, ishte një hënë e plotë në qiell,

drita e saj i ndriçoi fytyrën.

Sa e bukur ishte mami atë natë!

Për mua ajo ka mbetur aty.

Nuk e largoj dot nga sytë,

si mund të largohet një perde.

Asnjë natë,

nuk ka forcë të ma marë atë fytyrë.

Si hëna që qëndron atje lart,

ajo qëndron me mua- thanë

në një gojë binjaket 11 vjeçare,

për nënën e tyre që e humbën .

ATJE LART NE KODRINE

Atje në kodrinën e blertë

janë edhe banesat e vogla.

Gjumin e përjetshë atje bëjnë foshnjat.

Tingujt e lutjeve pikojnë nga gjethi në gjeth

në një det heshtje që hesht.

Në çdo stinë aty shpërthen blerimi

aty çelin lulet më të freskëta

që mbjell njerëzimi.

Aty këputet lot’ nënash,

aromë parajse kundërmon mbrëmja.

Ato banesa të vogla

me lot pavdeksie vaditur.

me tinguj zemre nënash

ëngjëj nanuritur.

PUTHJA E DASHURISE

Puthja e dashurisë është e kripur

puthja e dashurisë është pikë mjalti

Frymëmarjen e qielli ajo ka

e nxituar në fillim

pastaj e matur.

Puthja e dashurisë

shpërthim i stinës

me ngjyrat e ndezura veshur

nuk pret të bjerë mbrëmja

me mushtin e muzgjeve dehur.

Puthja e dashurisë e humbet rrugën

I bën syri dritë, fluturon në botë drite

ashtu si ja do e bardha zemër.

LAKURIQET E NATES

Fluturimi i tyre është elegant,

nuk e durojnë vapën, as dritën

Qorrazi futen nën çatitë e shtëpive të vjetra,

zhurrmojnë nën tavanët, koloni.

Të frigon fluturimi i tyre magjik,

të tmeron kafshimi vdekjeprurës.

Pëllëmbët e tyre me thonj të mprehtë.

të çudit këmbëngulja e tyre,

uljet dhe ngritjet

krahëhapur në pikiadë.

Kur truri i tyre më parë ka bërë selektimin.

a thua do të rrëmbejë nëse të ka zgjedhur,

Dallon çka përpara, një shkëmb, njeri a një mizë.

Të frikshme janë thonjtë,

me to të vërtit në honet e së panjohurës.

Hutimi kërkon portën e shpëtimit

je i detyruar të mblidhesh sa grushti

e të shikosh si ai fiton

ndërsa je bërë të flasësh me vehte!

Mars 25- Prill/ 6 / 2021.

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: Julia Gjika, Shembelltyra ime, Ti

AT GJERGJ FISHTA PËR DEDË GJON LULIN

April 6, 2021 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Sivjet, 6 prilli shënoi 110-vjetorin (6 Prill,1911) e ngritjes së Flamurit Kombëtar nga Heroi i kombit, Dedë Gjo’Luli — për herë të parë në pothuaj 500-vjet të pushtimit turko-osman në trojet shqiptare. Ngritjes së Flamurit Kombëtar të Shqiptarëve i pati paraprirë Kryengritja e Malësisë së Madhe, një kryengritje kjo që zgjato nga marsi deri në gusht të vitit 1911 dhe që mund të thuhet se një kryengritje e tillë nuk kishte ndodhur më parë në trojet shqiptare, qysh prej kohës së Gjergj Kastriotit-Skënderbe. Në këngën e 28-të të “Lahutës së Malësisë”, epopesë tonë kombëtare, i madhi i letrave shqipe, At Gjergj Fishta i këndon trimërisë së Dedë Gjo Lulit dhe malësorëve të tij:  Deda niset me një grusht malësorë për në Rapshë të Hotit, për t’u takuar me plakun Marash Ucin, të cilin e njofton, por të merrte edhe pëlqimin e tij për kryengritjen – sepse me djemtë që kishte me vete, kishte vendosur t’i binte Turkut para afatit të caktuar nga paria e maleve. Dedë Gjon Luli ngarkon Marash Ucin me detyrën që të lajmërojë për këtë nismë kombëtare, fiset Shkrel e Kastrat, pasi ushtarët e tij ishin vetëm 20 — “me shtatë pushkë e një allti”.  Kryengritësit malësorë marrin nën kontroll postet e mbretit dhe zënë robër 60 ushtarë anadollakë të cilëve kryengritsit u marrin armët dhe i nisin për Shkodër. Luftimet pëlcasin aty këtu, ndërsa Fishta përshkruan me zotësinë e tij prej poeti, se si rojet turke bien e dorëzohen anë e mbanë Malësisë. Me të marrë vesh për luftën e malësorëve, Sulltani dërgon në Shkodër 70 taborë nën komandën e Turgut Pashës kundër malësorëve por malësorët nuk dorëzohen. Paria e maleve mblidhet me Luigj Gurakuqin në krye dhe vendosin t’i përgjigjen Pashës me barut, sipas Gjergj Fishtës: “Mësyn Turku me furi, e pret Malësia me trimëri”, këndon At Gjergj Fishta në vjershën 28-të të “Lahutës së Malësisë”. Vendi kallet flakë: gjëmojnë male e kodra, ushtojnë gryka e humnera, fishkëllejnë plumba e gjyle topash. Ethem Pasha mësyn Kelmendin nga ana e Gucisë dhe malësorët tashti gjenden mes dy zjarreve, por nuk ligështohen. Forcat dërmuese anadollake fitojnë, por toka lahet në gjak dhe shtrohet pëllëmbë për pëllëmbë me ushtarë të vdekur anadollakë. Evropa habitet nga trimëria e malësorëve dhe më në fund kontinenti i vjetër e sheh vendosmërinë e shqiptarëve për të jetuar të lirë në trojet e veta, pas pushtimit osman prej 500-vjetësh, interpreton Fishta: 

Në këtë 6 prill kujtojmë pra me fjalët e Poetit Kombëtar, At Gjergj Fishtës, kryengritjen e Malësisë së Madhe dhe Dedë Gjon Lulin, i cili me aktin e ngritjes së Flamurit Kombëtar për herë të parë në 500-vjet të pushtimit osman, tregoi guximin  dhe trimërinë e tij dhe të bashkluftëtarëve të tij malësorë, të sfidonte perandorinë osmane — më të madhja e asaj kohe dhe kolonializmin e institucioneve të saj në trojet shqiptare — duke ndryshuar përgjithmonë historinë e Kombit shqiptar dhe duke i çuar shqiptarët drejtë fillimit eventual të lirisë shoqërore dhe pavarësisë politike. 

Megjithëse ngritja e Flamurit Kombëtar nga Dedë Gjo’ Luli dhe malësorët ishte hedhur në harresë nga regjimi komunist për arsyet e tija ideologjike, gjë që nuk ka ndryshuar shumë as këto 30 vjet post-komunizëm – ngritja e Flamurit në Deçiq të Malësisë së Madhe, sot e kësaj dite, mbetet një akt i madh historik e patriotik, që do të kujtohet gjithmonë me krenari frymëzuese dhe si simbol i paharrueshëm i fuqisë morale të malësorëve dhe të Kombit shqiptar, në përgjithësi, kundër pushtuesve të huaj dhe armiqëve shekullorë të kombit, atëherë dhe sot. 

Megjithkëtë, rëndësia e rolit historik të Dedë Gjon Lulit, e Kryengritjes së Malësisë së Madhe dhe ngritja e Flamurit kombëtar në Deçiq me 6 prill, 1911 nga Dedë Gjo’ Luli me malësorë, është se ajo ka meritën se konsolidoi edhe hovin që kryengritja i dha idesë së Lidhjes së Prizrenit për një Shqipëri të lirë e të pavarur, për një Shqipëri që brenda kufijve të saj do të përfshinte të gjithë ata që e konsiderojnë veten bijë e bija, nipa, stërnipa e mbesa të Gjergj Kastriotit — Skënderbeu. Një meritë tjetër e këtyre burrave, është se kryengritësit malësorë i erdhën në ndihmë kombit në çastin kur mendohej se raca shqiptare po jepte shpirt, e ndarë dhe e harruar nga bota perëndimore, nga ajo botë ku e kishte vendin dhe që, fatkeqsisht, sot e asaj dite mbetet ende një ëndërr e pa realizueshme për shqiptarët. Dedë Gjon Luli me malësorët e tij i erdhën në ndihmë tokës arbërore, atëherë kur dukej se shpresat e shqiptarëve për liri e pavarësi po zhdukeshin dhe kur fqinjët, lakmues të tokave shqiptare — nëpër kancelaritë e Evropës — bërtisnin duke thënë se nuk kishte komb shqiptar.

Malësorët e vitit 1911, jo vetëm që u bënë simboli i Rilindjes Kombëtare, por ata ishin edhe dallëndyshet që paralajmëruan pavarësinë kombëtare të shqiptarëve, e cila u shpall një vit më vonë. Ata ishin lajmëtarët e kombit që njoftuan Evropën dhe botën se toka e Gjergj Kastriotit, më fund, kishte zot. 

Në përpjekjet e tyre për liri e pavarësi, Fed Gkon Luli due malësorët e tij gjetën mbështetjen e Ismail Qemalit e Luigj Gurakuqit, të cilët të inkurajuar nga lufta e malësorëve kundër armikut janë takuar me Dedë Gjonin për të përpiluar Memorandumin historik që, ndër të tjera, përmbante kërkesat e Malësorëve dhe të gjithë Shqiptarëve, për një Shqipëri me administratë në gjuhën shqipe dhe për buxhet të vetin. Mund të ishte ky fillimi i një përpjekjeje, që sot do ta quanim “ndërkombëtarizim të çështjes shqiptare”, duke pasqyruar dëshirën e të gjithë shqiptarëve për liri e pavarësi.  Ishte pra një mesazh i fuqishëm për atë kohë, por edhe për sot se shqiptari dëshiron të jetojë në shtëpinë e vet, zot i fatit të vet – pa ndërhyrje due influenca nga jashtë — në paqe e siguri me fqinjët, si pjesë e familjes së madhe evropiane.  

Në botën aktuale shqiptare të koncesioneve ekonomike, publiko-private, të interesave të shumëllojshme personale e partiake, përfshirë interesat dhe influencat e huaja që nuk prajnë kurrë duke vepruar kundër interesave shqiptare — është mirë të kujtohet me këtë rast se kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e Flamurit në Deçiq me 6 prill, 1911, u bë thjesht për ideale të larta kombëtare. Ato përpjekje nuk ishin ndërmarrje për përfitime të përkohshme personale, krahinore, fetare ose ideologjike, por ishte një luftë për jetë a vdekje — për mbijetesën dhe lirinë e kombit shqiptar – dhe si e tillë kishte qëllime dhe objektiva të interesit mbarë kombëtar, për ruajtjen e identitetit dhe të vlerave e karakteristikave që kanë dalluar gjithmonë shqiptarët nga të gjithë popujt e tjerë: nderi, besa dhe burrëria!

***

AT GJERGJ FISHTA: PËR MONUMENT TË DEDË GJO’ LULIT 

“Vllazën shqiptarë! Atje mbi karpa (shkëmbij) nji çetë Lekë fatosa të Hotit dilte trollit e shpijet vet, e mirë mbërthye në armë, thik ngjeshej  malit përpjeta, si njajo reja e murrme, kërcenuese ngjitej në rribë t’Eurit a t’Akvilonit  shungullues, para se të shkref  përmbi dhe të mjeruem thellimi.   Nji burr zeshkan, i përmbledhët e ngërthye vetllat si dy shlliga t’idhta, kur mnershëm njëna me tjetrën kukzohet, u ka pri i atill.  Fëtyra e tij, nji bri alpet   të  thepisun, syni i tij vullkan tanë zjarm e shkëndija, thue se prej si tash po shkrepë vetima e zharriste ajrit po lvite  rrufeja.  Ashtë Ded Gjo’Luli, që vu sy me vdekë, a shqiptar i lirë me mbetë, me ata kreshnikë petrita të Maleve të Mdhaja –burra motit veç që i bante lokja shqiptare – bjen në e mbi “kaki” të Deçiqit, ngul Flamurin e Shqipnisë – kuq e zi; zjarm e dekë – nji be ai rreh, nji be të madhe po rreh ai në sy të qielles e të dheut, se rob shqiptari per nën thember mizore të Turkut ma kurr, jo, kurr ma do të gjimonte, e as nën thembër të atij sllavi te mnieshëm. M’atë be të shugurueshme ngeli në habi Europa; Cetina u trand e u dynd tan pezëm e mni Stambolla; edhe prej Deçiqit në Veleçik të madhnueshëm nisi me vlue e rrebtë nji luftë e përgjkashme e përnjimend titanike.  Shkumë gurgulloi gjaku nëpër dolomie estalagtita të zgavrave t’errëshme, e kah qiella u çue, po, tym e shkendi, e vigëm nanash, e vaj foshnjesh të flakrueme në zjarm, e ankime e gjamë të varruemësh, e nji zhurmë e nji krizme rrotash, e kualsh topash, e nji bubullime e menerëshme, thue po të rroposet për nën kambë rruzullimi.  Edhe malsori muejt (ia doli).  E kje m’ateherë që verigat e randa të robnisë sonë pesëqindvjetore u këputen e zojë e lirë e me vedi duel Shqipnija. – Po mos të ishte kenë që malsori jonë, Konstitucjonit të Turkisë e të ktej i’u gjet me pushkë në faqe kundra turkut, Shqipni sod nuk do kishte e na edhe sod do të gjimojshim për nën thember të ndonji tirani të ri.

 Vllazën shqiptar! na sod jemi të lirë; por martirët fatosa të lirisë tonë kombëtare kalben të harruem nën dhe, kur trupat e tyre të bam kortar prej anmikut, mos t’i ketë shpuplue e grisë mbi dhê orrlat e shkerbetë e egra.  E po a përnjimend se nipat e stërnipat tonë, mbas ndonji stinet të terrnueme (tjetër), ma ata nuk do të dijnë as emnin e atyne burrave të pavdekshëm që u fituen lirinë dhe u falën Atdheun?   Para se fli vehten të bante malsori, na Atdhe s’kem pas e rob kem kenë, e raje e skllav e kurrgja tjeter.  Jo, për Zotin! se marre e turp për ne do t’ishte e nji dam i madh për Atdhe, po u qitë në harresë emni, e gjallë në nipni tonë s’u mbajt ideali, që kreshnikët e maleve tona i shtyni, flie me bamun vedin per mizori t’anmikut. Jo, po: do të hupë Shqipnija, diten që sysh ta dar (harroi) shqiptari njatë idealin e Ded Gjo’Lulit …”.  (Antologji Shqipe, shkruar anga Fishta me 1924, botuar nga Filip Fishta, shtëpia botuese “Kristo Luarasi”, Tiranë 1935) — marrë nga një shkrim i historianit dhe autorit malësor, Ndue Bacaj, me rastin e 110-vjetorit të ngritjes së Flamurit Kombëtar në Deçiq.

May be an image of 1 person
See the source image

Filed Under: Politike Tagged With: At Gjergj Fishta, Frank shkreli, PËR DEDË GJON LULIN

Dështimi i një tranzicioni

April 6, 2021 by dgreca

“Pa demokratë nuk ka demokraci”–F. Fukuyama/

“Më të zinj se komunistët janë vetëm komunistët antikomunistë”- V. Havel/

NGA ANTON ÇEFA*/

Gjendja e krijuar në atdhe, në të gjitha ngjyrimet e saj, mungesa e zgjidhjes së detyrave më të rëndësishme që kërkonte tranzicioni nga “demokracia e tipit më të lartë”, ajo e bunkerëve, në një rend të vërtetë demokratik, që do të mishërohej në vlerat më të larta e më autentike të drejtësisë shoqërore, shërimi i plagëve shpirtërore që pati shkaktuar diktatura, përmirësimi i gjendjes ekonomike, sigurimi i të drejtave të individit, integrimi në Evropë, etj., dëshmojnë për dështimin e plotë e të turpshëm të tranzicionit të pretenduem.

            Sot e kësaj dite, Shqipëria vazhdon ende të luajë e të tallet me veten e saj, të mohojë vlerat e saj, të zhytet thellë e më thellë në llumin e saj, të sorollatet nga qorrsokaqet e vjetra, që i la trashëgim diktatura, në vorbullat më frikësuese të kriminalitetit, prostitucionit, vrasjes, dhunës, vjedhjes- panoramë e një shoqërie në rrokullisje. Të gjitha këto si pasojë e një loje të ndyrë politike, shoqëruar me një demagogji neveritëse, që e paraqet veten si përpjekja më fisnike për realizimin e idealeve kombëtare.

            Liria që u fitua me shembjen e diktaturës u shndërrua dhe u përjetua si një anarki e vërtetë, si liri për të shkatërruar, djegur, çoroditur, qoftë fill mbas përmbysjes së diktaturës, qoftë në vitin 1997.

            Periudha e tranzicionit, për të krijuar kushtet e një rilindjeje shpirtërore e ekonomike, duhet të zgjidhte, në hullinë e transformimit të institucioneve shtetërore, krijimin e një rendi të ri të drejtësisë – në pajtim me parimin e ndarjes së pushtetve, – por sikurse edhe përbërësit e tjerë shtetërorë, ai u çorodit, duke u bërë vegël e verbër e politikës, krimit, prostitucionit.

Askujt nuk iu var në qafë përgjegjësia historike për ato që ndodhën gjatë dekadave të regjimit komunist. Nuk u zgjidh, por u minua që në krye të kresë, nevoja më imperative e periudhës së tranzicionit, ajo e pajtimit kombëtar. Nuk u evidentuan krimet, nuk iu vu gishti kriminelëve, nuk kërkoi kush falje, nuk u zhdëmtuan as moralisht, as ekonomikisht e as politikisht të dëmtuarit. Kriminelët u lanë të lirë dhe, tashmë, shumica e tyre janë shndërruar në bosë të tregut kapitalist. Si pasojë, armiqësia dhe përçarja, që kultivoi me aq zell komunizmi, jo vetëm nuk u shdukën; por në sajë të politikës së ndjekur, polarizimi i popullit shkoi edhe më tej.

Pajtimi do të binte me vete bashkimin dhe mobilizimin e të gjitha forcave intelektuale, fizike e shpirtërore – premisë e domosdoshme për rilindjen shpirtërore të popullit tonë dhe progresin ekonomik, politik e kulturor.

            Nuk u zgjidh me ndershmëri çështja e pronës. Shenjtëria e saj, që është një nga gurët më rëndësorë të themelit demokratik, u demonizua dhe u bë burim i një vargu krimesh. Pronarëve të vërtetë, që u ishte marrë prona me ligj e pa ligj,-iu dhanë çelësat e kashtës, siç thotë populli, tamam ashtu siç kishte porositur “ideologu reformator i transformimeve demokratike”, R. Alia.

            Zgjedhjet-themeli tjetër i demokracisë-të cilat duhej të zgjidhnin njëherë e mirë çështjen e pushtetit politik, duke siguruar “qeverisjen e popullit, prej popullit, për popullin”, u shndërruan në një farsë të vërtetë fyese, poshtëruese, nëpërkëmbëse për popullin; prandaj ai përherë e më shumë po i përgjigjet me një abstenim shpërfillës, rrjedhojë e një gjendjeje shpirtërore të pashpresë. Sot Shqipëria qeveriset nga institucione e individë që nuk e kanë mandatin e popullit dhe që veprojnë kundër interesave të tij dhe kundër interesave kombëtare.

            Pesha e rëndë e viteve të diktaturës, duke shkaktuar një tronditje të fortë shpirtërore të popullit, sendërtoi dëshirën, nevojën, detyrimin dhe përpjekjet për t’u larguar nga atdheu. Papunësia, mjerimi ekonomik, mungesa e kushteve më elementare të jetesës, pazotësia për vendosjen e rendit, dhunimi i të drejtave e lirive të njeriut, lulëzimi i krimnit, prostitucionit dhe faktorë të tjerë të kësaj natyre bënë që emigracióni të rritet gjithnjë e më shumë, duke marrë përmasa të frikshme. I vetmi shpëtim i shqiptarëve mbeti largimi nga atdheu, në kërkim të lirisë, të demokracisë dhe sidomos të një krodhe buke.

            Edhe në politikën e jashtme të shtetit shqiptar të merr sytë “shkëlqimi demokratik”i të majtëve tonë të rinovuar. Përmbysja e diktaturës u bë me moton “E duam Shqipërinë si Europa!”, “Të shkojmë drejt Europës!” Dhe u nisem e po shkojmë në Europë. Gjithsesi, “po integrohemi”; por jo me dinjitetin e një populli të lashtë, me krenarinë e një shpirti të brumosur me vlerat e dikurshme morale, me nderin, urtinë e burrërinë që na ka karakterizuar dikur.

            Marrëdhëniet me fqinjin e jugut, janë karakterizuar nga përulja, nënshtrimi, servilizmi e dukuri të tjera të kësaj natyre. Polítika antishqiptare greke po fiton gjithnjë e më tepër terrene të reja, duke marrë pjesë edhe sot e kësaj dite në lojën tonë politike të karrigave.

Komunistët antikomunistë, të cilëve u ngatërrohen nëpër hullitë e trurit e të shpirtit mësimet e pavdekshme të marksizëm-leninzmit dhe, sidomos, ato të udhëheqësit të tyre shpirtëror, Enver Hoxhës, të mobilizuar për të vënë në jetë porositë ramiziane “për ndërtimin demokratik të vendit”, nuk kanë ushqyer kurrë, në asnjë kohë, ideale  demokratike. Ata janë përpjekur dhe përpiqen, të zhytur deri në segmentet më të flliqura të krimit e të prostitucionit, të korrupsionit e të mafies, të minojnë ndërtimin e institucioneve demoktratike dhe çdo ecje përpara të vendit. Edhe ata elementë të paktë në krahun e majtë, që ëndërronin të transformonin partinë e tyre në një të majtë europiane, perëndimore, pothuajse janë neutralizuar.

            E djathta, që duhej të dominonte mbi jetën politike për të realizuar një transformin rrënjësor të vendit drejt demokracisë, u tregua e paaftë dhe u sabotua. Ajo pati në vitet e para dhe ka ende një shtresë intelektualësh patriotë e demokratë, që u orvatën sinqerisht për ndërtimin e institucioneve demokratike, të një Shqipërie demokratike perëndimore. Fatkeqësisht, edhe kjo shtresë, që përbënte shpresën e së ardhmes, nuk u tregua në lartësinë e trashëgimisë së idealit kombëtar rilindas, të cilit i takonte; por u luhat, e pazonja të mbajë një qëndrim konsekuent në zgjidhjen e detyrave që kërkonte koha dhe, më e keqja, u përça e u shpërnda në sa e sa parti, duke humbur aftësinë për një veprimtari konstruktive të mendueme mirë e me përspektivë, për të zgjidhur në mënyrë sa më optimale kërkesat e kohës.

            Kjo shtresë intelektualësh, trashëgimtare nga gjaku dhe idealet e politikës së ndershme atdhetare e demokratike, nuk qe e zonja të bashkohet për të formuar një bllok të djathtë monolit, të aftë për të shkulur rrënjët e komunizmit nga trualli i atdheut. Gjithsesi, kjo shtresë e shpërndarë andej-këndej, por sidomos e strehuar në Partinë Demokratike, si dhe intelektualët patriotë, që kanë qëndruar jashtë partive, do të përbënin të vetmin segment politik shpresëdhënës për shpëtimin e Shqipërisë.(DIELLI- Viti 2003)

*Dielli-Editorial-arkiv-E ribotojme per shkak te aktualitetit, 14 vjet pasi u shkrua nga editori i asaj kohe-Anton Çefa)

Filed Under: Emigracion Tagged With: Anton Cefa, Dështimi, tranzicionit shqiptar

Jashari: Masakra e Rezallës është shembull i sakrifices për liri

April 6, 2021 by dgreca

–Konjufca: Nuk do të ketë stabilitet në rajon pa i pranuar Serbia krimet e kryera në Kosovë/

Në 22 vjetorin e Masakrës së Rezallës, I pari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, së bashku me Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, asambleistë, doktorin e mjekësisë ligjore, Arsim Gërxhaliu, familjarë të dëshmorëve e martirëve, bënë homazhe dhe vendosën lule tek 98 të rënët, në Kompleksi Memorial të varrezave në fshatin Rezallë.

Me këtë rast Kryetari Jashari deklaroi se Masakra e Rezallës është shembull i sakrificës dhe dëshmi se pa sakrificë e gjak nuk ka liri.

“Masakra e Rezallës po ashtu është dëshmi e krimeve dhe gjenocidit që kriminelet serb bënë në Kosovë, duke mos kursyer askënd që fliste shqip e që mbronte pragun e shtëpisë. Fatkeqësisht familjarët e disa prej martirëve të rënë në masakrën e Rezallës përpos dhimbjes për humbjen e më të dashurve të tyre, ata kanë jetuar tash e 22 vite duke pritur gjetjen e trupave të martirëve të kësaj masakre”, deklaroi Jashari.

Jashari tutje bëri të ditur se në vazhdimësi si kryetar komune, është duke u angazhuar në zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

“Si Kryetar i Komunës së Skenderajt, në vazhdimësi jam angazhuar në zbardhjen e fatit të të zhdukurve duke ngritur zërin dhe duke kërkuar nga institucionet tona dhe ato ndërkombëtare që të detyrojnë shtetin serb në gjetjen e varreve masive”, tha Jashari.

Jashari po ashtu u shpreh falenderues ndaj doktorit të mjekësisë ligjore, Arsim Gërxhaliu, i cili sipas tij po bënë punë të jashtëzakonshme për çeshtjen etë  pagjeturve të luftës në Kosovë.

Kryetari Jashari, bëri thirrje për unitet në mënyrë që kështu të ngritët shteti në vendin për të cilin edhe u flijuan dhe e ëndërruan dëshmorët.

“Të bëhemi bashkë që ta bëjmë shtetin tonë që rinia jonë të këtë punësim e mirëqenie dhe kështu ta duan këtë shtet për të jetuar në të, në vendin që më të dashurit tonë brez pas brez dhanë më të shtrenjtën jetë që ne sot të jetojmë të lirë”, tha Jashari. 

Muhamet Rukolli, i cili njëherit është përfaqësues i fshatit Rezallë, në emër të familjeve të martireve dhe dëshmorëve, falënderoi komunën, Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së si dhe gjithë pjesëmarrësit për vizitën duke uruar që sa me parë drejtësia të vihen në vend.

Gjatë homazheve në këtë kompleks, në nderim të të rënëve Kryetari Jashari shoqëroi edhe  Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca.

***.

Konjufca: Nuk do të ketë stabilitet në rajon pa i pranuar Serbia krimet e kryera në Kosovë

Në 22 vjetorin e masakrës së Rezallës, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, bëri homazhe para lapidarit të 98 martirëve, të rënë më 5 prill të vitit 1999.

Kryetari Konjufca tha se duhet të përkulemi para gjakut të të rënëve sepse, siç tha ai, vetëm falë tyre liria e Kosovës ka qenë e mundur.

Tutje, kryeparlamentari Konjufca tha se nuk ka stabilitet pa i pranuar Serbia krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

“Serbia është ajo që është e mbushur me varreza masive të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës së viteve 1998-1999, prej forcave shtetërore ushtarake e paramilitare të Serbisë. Duke filluar prej Batajnicës e Liqenit Peruqac, e deri në Kizhevak, po ashtu në Rudnicë e në Rashkë, Serbia është e mbushur me varreza masive të shqiptarëve, varreza këto të cilat ajo i fsheh qëllimisht, e ky është krim i shumëfishtë. Lavdi të gjithë të rënëve”, tha kryetari Konjufca.​

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, Masakra e Rezalles

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 126
  • 127
  • 128
  • 129
  • 130
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT